Cynthia Ozick: Nabokovi i padukshëm

Shmangia politike e shkrimtarëve për t’i bërë të padukshëm dhe të padëgjueshëm është projekt shtypës që sjell si pasojë atë që mund të quhet padukshmëri publike, e rrënjosur në rrethana të jashtme, tek paragjykimet e egra të gangsterëve që drejtojnë regjime të kalbura, tek paragjykimet hakmarrëse të akademikëve të korruptuar që propozojnë bojkotime intelektuale, tek paragjykimet e cekëta të lordëve botues në gjuhët sot mbizotëruese, dhe së fundi (reductio ad absurdum!) tek paragjykimet ideologjikisht të ngushta të disa botuesve të revistave letrare. Të gjitha këto ndodhin në mënyrë të shfrenuar, skandaloze dhe shkatërruese. Por çfarë mund të thuhet për një padukshmëri vetjake, të brendshme, të ndjeshme dhe shumë më të përhapur? Vladimir Nabokovi ishte dikur shkrimtar i padukshëm i cili vuante nga tre prej këtyre rrethanave të pafavorshme: padukshmëria nga publiku, padukshmëria vetjake dhe ajo gjuhësore. Si emigrant që u largua nga trazirat bolshevike dhe më vonë si refugjat që u largua nga nazistët, ai u shpëtoi dy tiranive më të mëdha të shekullit XX. Dhe si emigrant që shkruante në rusisht, në Berlin dhe Paris, mbeti i padukshëm gati për të gjithë, me përjashtim të bashkatdhetarëve në mërgim. Vetëm pasi vajti në Amerikë, termi diskriminues “emigrant” filloi të zhdukej, duke u zëvendësuar së pari me nocionin e qytetarit, dhe në fund fare me atë të shkrimtarit amerikan, sepse ndodhi që në Amerikë, nga i padukshëm Nabokovi jo vetëm u bë i dukshëm, por edhe i pathyeshëm. /Hejza/ KultPlus.com

Në Prishtinë po mbahet Festivali i katërt ndërkombëtar i posterit

Artistë nga 25 shtete morën pjesë në festivalin e katërt ndërkombëtar të Prishtinës, duke prezantuar tema të ndryshme përmes punimeve të tyre në posterë.

“Synohet që edhe Prishtina të jetë pikë referuese e artit dhe e kulturës”, u tha me këtë rast.

Drejtuesi i festivalit  Rrezart Galica, tha se këto tema ndërlidhen me temën kryesore “Harmoninë”, dhe kështu si penalizim dhe si përmbledhje e kualitetit dhe kreativitetit mund të konsiderojmë se ky festival ka arritur qëllimin e tij.

Galica shtoi se në këtë edicion është fuqizua  juria ndërkombëtare ku janë pranuar profesionist me renome në fushën e dizajnit grafik.

“Ata me vlerësimin e tyre cilësor dhe profesionalizmin kanë arritur që të krijojnë një numër posterësh të cilët kemi vendosur që t’i ekspozojmë në këtë edicion”, tha ai./rtk

Natyra dhe kultura e Kukësit! Ekspozita e piktorit Ilmi Halilaj me motiv traditat dhe ngjyrat e vendlindjes

“Të njohim vlerat natyrore dhe kulturore të qytetit të Kukësit” ishte qëllimi i ekspozitës së piktorit Ilmi Halilaj.

Nëpërmjet kolorit dhe ngjyrave autori ka përcjellë mesazhin e vlerave natyrore e traditave të trevës nga vendlindja.

Për vet autorin e kësaj ekspozite Ilmi Halilajn, pikturat përcjellin jo vetëm peizazhin e bukur natyror por edhe vlerat e vendit tonë që duhet të ruhen nga brezi i ri.

Punimet e piktorit Halilaj gjenden në koleksionet private në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Itali e më gjerë./ TopChanel/ KultPlus.com

Kurti pret në takim arkitektin kroat të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çekun, kanë pritur në takim arkitektin kroat, Andrija Mutnjakoviq, i cili ka dizajnuar e ideuar godinën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti tregon se nga Mutnjakoviqi pranoi librin që përmban planimetri e skica të Bibliotekës, një pasqyrim i punës komplekse dhe dizajnit të veçantë.

Në takim u trajtua dhe nevoja e rëndësia për renovimin e Bibliotekës dhe hartimit të projektit arkitektonik, proces në të cilin ka qenë i përfshirë dhe është konsultuar edhe arkitekti e akademiku kroat, si ideues i këtij objekti.

“Shënimi i 80-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, na bëri bashkë edhe me arkitektin vizionar e akademikun kroat Andrija Mutnjaković, i cili ka dizajnuar e ideuar këtë godinë ikonike. Me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot e mirëpritëm për të diskutuar përzemërsisht e shprehur mirënjohjen për kontributin dhe vlerën e tij tash edhe në renovimin e tërësishëm të objektit, gjersa hartimi i projektit arkitektonik është shumë afër përfundimit. Me kënaqësi pranova nga ai librin që përmban planimetri e skica të Bibliotekës, një pasqyrim i punës komplekse dhe dizajnit të veçantë. Biblioteka Kombëtare e Kosovës qëndron si një simbol i përhershëm i identitetit tonë dhe arkitekti Andrija Mutnjaković si një mik i vendit të cilin e mirëpresim kurdoherë”, ka shkruar Kurti.

‘Pëshpërima’ bashkon aktorë shqiptarë dhe nga rajoni

Aktore të njohura nga vendi ynë, por edhe nga rajoni u bënë bashkë për të sjellë në Korçë veprën dramatike ‘Pëshpërima’.

Shfaqja sjell histori të ndryshme të grave që nuk dorëzohen përballë dhunës. Historitë janë nga më të dhimbshmet, ndërsa përcillet mesazhi që gratë duhet të qëndrojnë të forta. Regjisorja Adriada Dervishi tregon edhe arsyen pse është zgjedhur ky titull.

“Pëshpërima të grave, histori të vërteta që nuk janë më, kanë lënë gjurmë dhe të tjera që janë pasardhëse të këtyrë pëshpërimave duke u bërë bashkë me idenë për të dhënë një zë më të fortë.”

Vetë aktoret japin mesazhin që duhet ti thuhet stop dhunës.

“Është një emocion shumë i madh dhe do doja që shfaqje të tilla të ishin në çdo cep të çdo qyteti. Uroj që nëpërmjet artit të zbusim sadopak gjithë këtë gjuhë, dhunë. Jo vetëm gjuhë, por veprime të tmerrshme kundrejt grave.”

“Historitë janë të tirshta, të dhimbshme, të frikshme, por edhe të bukura dhe sigurisht që nëpërmjët tyre ne do ta përcjellim këtë mesazh që përkon pikërisht me luftën kundër dhunës me bazë gjinore. Mos e prek gruan, vajzën.”

Pjesë e kastit ishin edhe aktore nga Kosova e Serbia.

“Nesër do të qëndroj e ta shoh Korçën se këto 2-3 ditë kemi qenë duke punuar gjithë kohës me këtë ambjent kaq të bukur saqë më duket sikur jemi në Londër.”

Shfaqja erdhi edhe në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore./ KlanNews/ KultPlus.com

Kinema Jusuf Gërvalla sjell premierën e filmit Okarina

Kinema Jusuf Gërvalla, si e vetme në qytetin e Pejës, përveç funksionit të saj, shpeshherë hapësirat e saj adaptohen për forma të tjera të aktiviteteve kulturore, duke funksionuar edhe si qendër multidisiplinare.

Në javën e fundit të nëntorit, përkatësisht në datat 29-30 nëntor dhe me 1 dhjetor, do të shfaqet premier filmi ‘Okarina’, me regji të Alban Zogjanit.

Filmi paraqet një histori për problemet familjare, që lindin si pasojë e ndryshimit në stilin e tyre të jetesës, pas zhvendosjes në një vend të ri, të shtyrë nga një dëshirë e fortë për të përmirësuar kushtet e jetesës.

Shaqa dhe Selvia zgjedhin të sfidojnë ndjenjën e tyre të ‘moralit’ në kërkim të një të ardhmeje më të ndritur. Nga ana tjetër, përfshirja e pavullnetshme e Giovanni-t e drejton rrugën e tyre të zgjedhur në një drejtim të paparashikuar. Megjithatë, udhëtimi i tyre nuk përfundon ashtu siç e kishin pritur.

Bisedë dhe sesion dëgjimi me Anna Bromley dhe Michael Fesca

Bisedë dhe sesion dëgjimi me Anna Bromley dhe Michael Fesca mbahet sot në Hapësirën 17, më fillim nga ora 18:00

Artistja dhe shkrimtarja Anna Bromley do të prezantojë librin e saj më të fundit që ka të bëjë rreth shëtitjeve dhe bisedave të saj radiofonike A Voice Exists in Voicing (e porositur nga Manifesta 14 Prishtina në 2022). Libri përmban tekste radiofonike për gjuhën dhe zërin në kontekstin e zërit, politikës dhe jetës së përditshme – për të cilat ajo shpesh bashkëpunon me (zërat e) artistëve, aktivistëve dhe studiuesve të ftuar. Një nga kapitujt zhvillohet mes Tiffany`s në Prizren dhe Galeria 17 me zërat dhe mendimet e Alisa dhe Shkëlzen Maliqit si dhe Sihana Klisuricës. Kështu që është e natyrshme ta lansojmë librin në Residencën 17 në Prishtinës!

Anna Bromley është artiste dhe shkrimtare nga Berlini. Dëgjimi i fshehtë i radios gjatë shpërbërjes së RDGj-së shërben si pikënisje për kërkimin e saj artistik mbi radion e fshehtë të protestës. Duke ndjekur një qasje ndërdisiplinore dhe bashkëpunuese, ajo e dërgon zërin e saj radiofonik në kërkim të gjuhës së improvizuar të radios përtej transmetuesve të mbështetur nga shteti, amplifikatorëve të salduar me dorë, protokolleve të mbikëqyrjes policore dhe kujtimeve polifonike. Gjatë këtij procesi, ajo kombinon esenë e saj dëgjimore me objekte dhe instalacione, performanca dhe vizatime procesuale. Asambletë radiofonike të Bromley kohët e fundit janë dëgjuar dhe parë në pavijonin gjerman në Trienalen e 23-të të Milanos, në Manifesta 14 në Prishtinë, në beuys2021 në Düsseldorf, Bienalen e Tbilisit, në ADKW në Këln, në Akademie der Künste dhe HKW – të dyja në Berlin, dhe documenta14 në Kassel.

Anna_Bromley-I_speak_radio-Archive_Books

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës me koncert në Prishtinë dhe Mitrovicë

Nën drejtimin e mjeshtrit skocez-italian Dario Salvi, Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë një koncert më 28 nëntor 2024, në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30.

Programi përfshinë vepra të jashtëzakonshme nga kompozitorët: Beethoven, Holst, Ketèlbey, Jones etj.

Mbrëmja do ta kulmojë me premierën kosovare të veprës “Illyrian Dances (Valle ilire)” nga kompozitori Guy Woolfenden.

Mysafir special i mbrëmjes do të jetë gajdexhiu nga Malta, Stefan Mercieca, ndërsa pjesë e koncertit do të jetë edhe Kori i Meshkujve i Filharmonisë së Kosovës.

Koncerti do të përsëritet në Mitrovicë më 30 nëntor 2024, në sallën e rinovuar të Teatrit të Qytetit të Mitrovicës “Muharrem Qena”, duke filluar nga ora 19:30./express/KultPlus.com

Hija e shpirtit tim

Poezi nga Federico García Lorca

Hija e shpirtit tim
Fluturon në një perëndim alfabeti,
Mes librash
Dhe fjalësh.

Hija e shpirtit tim!

Kam arritur në vijën ku bie
Malli,
Dhe pika e vajit shndrrohet,
Në albastër shpirti.

(Hija e shpirtit tim!)

Kupa e dhimbjes
u mbarua,
por kjo është arsyeja dhe përmbajtja
e buzëmbledhjeve të vjetra të mesditës
e vështrimeve të vjetra të mesditës.

Një labirinth i mjegullt
Yjesh të tymtë
Grackon iluzionet e mia
Aq të venitura.

Hija e shpirtit tim!

Dhe një aluçinacion
Mëkon vështrimet.
E shoh fjalën dashuri
Të zhveshur.

Bilbili im!
Bilbil!
A po këndon? /KultPlus.com

Para 64 viteve vdiq ish-kryeministri, Fiqri Dine

Më 26 nëntor 1960 në Bruksel vdiq Fiqri Dine, shkruan KultPlus.

Ishte prijës i fisit të Dinejve të Dibrës, ushtarak shqiptar dhe kryeministër i Shqipërisë, prej 18 korrik deri 29 gusht të vitit 1944.

Dine ishte kryeministër vetëm për 43 ditë. Pas Luftës së Dytë Botërore.

Pas luftës Dine së bashku me Muharrem Bajraktarin punuan në Komitetin Shqiptar në Paris.

Dine iku nga Jugosllavia në Greqi, ku vdiq në vitin 1960. /KultPlus.com

11 këngët thelbësore të Tina Turner (VIDEO)

Si shumica e ikonave më të mëdha pop, Tina Turner, e cila vdiq më 24 maj të këtij viti në moshën 83 vjeçare, kishte më shumë se një karrierë të thjeshtë.

Ajo filloi si një këngëtare R&B dhe si një kërcimtare e pakapërcyeshme, që bashkë me bashkëshortin e saj Ike, bëri shfaqjen më të emocionueshme në skenë, anëtare e James Brown. Pastaj ajo u bë një heroinë rok, që këndoi në turne me Rolling Stones dhe shërbeu si Rregjina e Acidit për grupin The Who. Dhe në fund ajo u bë e mbijetuara përfundimtare – gruaja e abuzuar që e braktisi burrin e saj dhe, pa kërkuar falje, mori një kurorë vetëm për vete, shkruan The New York Times, transmeton KultPlus.

Këtu janë disa nga momentet më të mëdha muzikore të Tina Turner.

Ike dhe Tina Turner, “A Fool in Love” (1960)

Hitet e hershme R&B të Ike dhe Tina janë momente elektrizuese të fuqisë muzikore të papërpunuara, por retrospektivisht ato gjithashtu janë thellësisht të shqetësueshme në përmbajtjen e tyre lirike. Singlli i parë i duetit paraqet vokalin e shënuar të Tinës dhe e lë të këndojë për një marrëdhënie të trazuar në të cilën burri i saj e keqtrajton dhe “më bën të buzëqesh edhe pse zemra ime vuan”, megjithatë ajo ende premton të “bëj çdo gjë që ai dëshiron”. Fjalët janë shkruar nga Ike Turner, i cili ka kredi të vetme si autor i këngëve.

Ike & Tina Turner, “I Idolize You” (1960)

Tekst më i çuditshëm dhe i pakëndshëm: Tina pranon jo dashurinë, por adhurimin dhe thotë se në këmbim, “vetëm pak vëmendje, ti e di, do të më ndihmojë të kaloj”. Qarja e thellë e Tinës mbi një linjë basi kërcuese ishte tingulli më i seksit dhe më i pakontrolluar në muzikë në atë kohë, por është pothuajse e pamundur të dëgjosh këto këngë tani pa nxirë fytyrën nga spektakli i tmerrshëm që Tinë më vonë do të përshkruante për martesën e saj me Ike.

Ike dhe Tina Turner, “It’s Gonna Work Out Fine” (1961)

Hiti më i madh i viteve të hershme të Ike & Tina – ai shkoi në vendin e dytë në tabelën R&B të Billboard dhe u rendit në Top 20 pop – është një rutinë më e lehtë për një çift që ngulmon në problemet e tyre. Përsëri, epo. Por të paktën këtë herë kënga nuk ishte e Ike. Ai u shkrua nga Rose Marie McCoy së bashku me Joe Seneca dhe James Lee, dhe dyshja R&B Mickey & Sylvia u përfshinë në regjistrim.

Këngë tjetër është ajo “River deep-mountain high” e vitit 1966.

Phil Spector e kishe parë drejtpërdrejtë këtë shfaqje me një energji të lartë. Ajo regjistroi ketë këngë të shkruar nga Jeff Barry dhe Ellie Greenëich,në bashkëpunim më labelin, Philles. Kjo këngë cilësohet si dështim, gjë që bëri që albumi që mban të njëjtin titull, të vonohej të dilte në treg për 3 viteve.

Këngë  tjetër kemi Ike dhe Tina Turner, me “Proud Mary”, 1971

Për të prezantuar këtë hit, Tina u shpreh: “Ne kurrë nuk bëjmë asgjë të këndshme dhe të lehtë. Ne e bëjmë gjithmonë mirë dhe ashpër.”

Kemi Ike dhe Tina Turner, “Nutbush City Limits” ,1973

Tina si kantautore e vlerësuar tregon për herë të parë historinë e saj, duke treguar edukimin e saj në fshatin Tennessee, ku tregon se shkonte në fushë gjatë ditëve të javës. Kënga tregon një përfytyrim, duke mos imagjinuar kurrë një jetë përtej thjeshtësisë së qytetit të vogël.

“The Acid Queen” 1975

Këngë që ishte pjesë e versionit filmik “Tommy”,ku Tina luan rolin e ”ciganës’ .Ajo përdor seks dhe drogë për të kuruar djalin. Tina pas kësaj, del si simbol i seksit dhe famës botërore. Pak kohë pas kësaj ajo u largua nga Ike.

“What’s Love Got to Do With It”, 1984

Kjo këngë doli kur Tina ishte diku 40 vjeçare dhe marka e saj ishte mbijetesa. Këngët ne albumin “Privat Dancer”, u shkruan kryesisht nga burrat, por u përshtaten në mënyrë të përkryer me rolin e një gruaje të pavarur që nuk heq dorë nga të qenurit vetëm. Kjo këngë tregon historinë e një gruaje me zemër të thyer, e cila dhe pse tundohet ka frikë të provojë dashurinë përsëri.

“Better Be Good to Me” ,1984

U shkrua nga Holly Knight dhe u publikua nga grupi i saj Spider. Paraqet një kërkesë të sigurtë dhe sfiduese për një burrë. Ajo lëshon vargun e vrullshëm “Should I ?”,pra “Duhet unë ?”

“We Don’t Need Another Hero (Thunderdome)” ,1985

Kënga në aspektin tematikë është muzikë e pastër e viteve 80.Kostumin e bardhë që vesh Tina në këtë videoklip, ajo e mban.

“The Best” ,1989

Këngë e regjistruar fillimisht nga Bonnie Tyler. ”The best” është këngë lavdërimi për një të dashur. Mirëpo nëse mbylli sytë është kënaqësi për vete. Ashtu siç shprehet Tina:” “Ti je thjesht më i miri, më i mirë se të gjithë të tjerët”. / KultPlus.com

Vera Ora uron Ritën për ditëlindje me një video emocionuese: Urime ditëlindjen Rita Pita

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, sot feston ditëlindjen e 34-të, shkruan KultPlus.

Në këtë ditë speciale, një urim të veçantë e mori nga nëna e saj, Vera, duke ia bërë urimin edhe në gjuhën shqipe edhe në atë angleze.

“Spend happy times with your children and watch miracles happen !

Kaloni kohë me fëmijët që të keni kënaqesi dhe surpriza të suksesshme”, ka shkruar ajo në rrjete sociale./KultPlus.com

Shfaqet dokumentari i alpinistes Uta Ibrahimi “Ajo’Mal”

Mbrëmë në Kino Armata në Prishtinë është shfaqur dokumentari i i alpinistes së parë shqiptare që ka ngjitur Everestin, Uta Ibrahimi, “Ajo’Mal”.

Në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, thuhet se ky dokumentar promovon jo vetëm bukuritë e maleve tona, por edhe rëndësinë e alpinizmit për transformim e sukses.

““Ajo’Mal” është një ftesë për të eksploruar, për të mbrojtur natyrën tonë dhe për të shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm të bjeshkëve tona si destinacione, frymëzim dhe trashëgimi kulturore. Në këtë ngjarje ishin të pranishëm kryeministri Albin Kurti, Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, si dhe përfaqësues të akredituar ndërkombëtar në Kosovë e qytetarë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Në këtë ngjarje, kryeministri Kurti vlerësoi dokumentarin, ndërsa shprehu falënderime për Utën, e cila me çdo ngjitje dhe projekt sjell krenari për Kosovën dhe promovon fuqinë e grave dhe vajzave në arritjen e majave personale dhe profesionale./KultPlus.com

Shënohet 80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka njoftuar se është shënuar 80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

“Dje u shënua 80-vjetori i themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, një nga institucionet më të rëndësishme kulturore e historike në vend”, thuhet në njoftimin e tyre.

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, Akademik Andrija Mutnjakoviq – arkitekti i ndërtesës ikonike të bibliotekës, drejtoresha e BKK-së Blerina Gaxha Rogova, përfaqësues nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe shumë personalitete të kulturës dhe shkencës.

Gjatë ceremonisë, kryeministri Kurti ndër të tjera theksoi mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për këtë institucion përmes investimeve në Qendrën e Digjitalizimit dhe pasurimin e fondit librar me mbi 76 mijë tituj të rinjë.

“Këtë ngjarje e bëri shumë të veçantë pjesëmarrja e Akademik Andrija Mutnjakoviq, arkitekti që projektoi ndërtesën, i cili shprehu mirënjohjen për ruajtjen dhe respektimin e kësaj vepre arkitekturore për më shumë se katër dekada. Atij iu nda çmimi jubilar “Pjetër Bogdani”, janë shprehur nga ministria.

Gjatë kësaj ceremonie poashtu u bë lansimi i platformës së bibliotekës digjitale, e cila do të ofroj qasje të lehtë dhe të shpejtë në objekte digjitale, përmes teknologjive të avancuara të informacionit duke respektuar standardet dhe normat ligjore.

Aktivitetet vazhduan me dy ekspozita, ajo “Antologji e koleksioneve” dhe botimet e Bibliotekës Kombëtare. Ndërsa të pranishmit patën mundësi të shijojnë performancën e veçantë nga Kori i Filharmonisë së Kosovës./KultPlus.com

Artistët e TKK-së: Jemi më të degraduarit në rajon

Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, përmes një veprimi simbolik para Ministrisë se Kulturës, ka bërë thirrje publike ndaj institucioneve të Kosovës për të reflektuar mbi gjendjen e rëndë, diskriminuese dhe të papranueshme të artistëve.

Në një njoftim për medie, Sindikata e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, bën të ditur se diskriminimi ligjor që është bërë, sfidon dinjitetin e profesionit të aktrimit dhe, sipas tyre, është një gabim që do mbahet në mend si ofendimi më i rëndë që i është bërë artistit të Teatrit Kombëtar

“Artistët janë pasuria e një shoqërie dhe ndikimi i tyre shkon përtej skenës apo ekranit, dokumentojnë ngjarjet e rëndësishme historike dhe sociale, përmes krijimtarisë se tyre ata ruajnë dhe përcjellin identitetin kombëtar dhe kulturor brezave të ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Shoqata Sindikale e Artistëve Ministrisë të Teatrit Kombëtar të Kosovës ia kujtojnë Ministrisë së Kulturës dhe Qeverisë së Kosovës se puna dhe përkushtimi i tyre për Teatrin Kombëtar nuk mund të vazhdojë e të keqpërdoret e të jenë më të degraduarit në rajon.

“Ne kemi dhënë dhe do të japim gjithçka për Teatrin, shtëpinë tonë, duke punuar pa orar, në vikende dhe festa zyrtare, shpesh pa u respektuar as standardet minimale të trajtimit dinjitoz që meriton një artist”, thuhet në njoftim, teksa bëhet e ditur se nuk do të ndalen derisa t’i arrijnë të drejtat e  tyre legjitime.

“Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë”, thuhet në fund të njoftimit të Këshillit Grevist të Shoqatës Sindikale të Artistëve të TKK-së./rtk/KultPlus.com

Dita Botërore e Transportit të Qëndrueshëm

26 nëntori është shpallur prej OKB-së si Dita Botërore e Transportit të Qëndrueshëm. Po çfarë është transporti i qëndrueshëm?

Transporti është jetik për ndërlidhjen, tregtinë, rritjen ekonomike dhe punësimin. Megjithatë, ai është gjithashtu i implikuar si një burim i rëndësishëm i emetimeve të gazrave serrë. Zgjidhja e këtyre kompromiseve është thelbësore për arritjen e transportit të qëndrueshëm dhe, nëpërmjet kësaj, zhvillimit të qëndrueshëm.

Në raportin e tij të vitit 2016, Grupi Këshillimor i Nivelit të Lartë të Sekretarit të Përgjithshëm përcaktoi transportin e qëndrueshëm si “ofrim i shërbimeve dhe infrastrukturës për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, duke avancuar zhvillimin ekonomik dhe social për të përfituar brezat e sotëm dhe të ardhshëm, në një mënyrë të sigurtë, të përballueshme, e arritshme, efikase dhe elastike, duke minimizuar emetimet e karbonit dhe të tjera dhe ndikimet mjedisore.”

Transporti i qëndrueshëm ka si objektiva aksesin universal, sigurine e shtuar, ndikim të reduktuar mjedisor dhe klimatik, elasticitet të përmirësuar dhe efikasitet më të madh.

Transporti i qëndrueshëm mund të përshpejtojë çrrënjosjen e varfërisë në të gjitha dimensionet e saj, uljen e pabarazisë, fuqizimin e grave dhe luftimin e ndryshimeve klimatike./ KultPlus.com

85 vite nga lindja e Tina Turner, këngëtarja e njohur amerikane

Në një pllakë metalike para dyerve të pronës së Tina Turnerit shkruan “Vor 12.00 Uhr nicht läuten, keine Lieferungen”, që nga gjermanishtja ka kuptimin: “As mos të shkojë mendja ta shqetësosh Tina Turnerin para mesditës”.

Ajo ishte simboli i qëndresës së rock’n’rollit për 50 vjet. “Proud Mary” i saj ishte 175 për qind më i gjatë se origjinali. Ajo u bë yll me Ike Turnerin në të 20-at, i iku abuzimit të tij në të 30-at, luftoi për shtegun e saj në krye të listave të popit në të 40-at, dhe i ra botës përqark në të 60-at.

“Nuk këndoj. Nuk vallëzoj. Nuk i vesh rrobat më të mira”, pati thënë gjatë viteve të fundit. Edhe paruka e saj – “pjesë esenciale e pamjes së Tina Turnerit”, siç ka shkruar në memoarin e saj të paradokohshëm – nuk është më e rregulluar me përpikëri si më përpara.

Edhe më 2009, teksa po e vazhdonte hovin e ditëve të fundit të turneut të saj “Tina! 50th Anniversary”, ajo po fantazonte, thënë sinqerisht, për ridekorimin e shtëpisë së saj.

Krejt këtë pjesë të jetës e kishte jetuar si Ike, por më pas e zaptoi jetën e saj të përnjëmendtë.

“Thjesht u lodha duke kënduar dhe duke i bërë të gjithë të lumtur. Kjo është e gjitha që kam bërë në jetën time”.

Turner vdiq në moshën 83-vjeçare në shtëpinë e saj në Küsnacht afër Zyrihut, Zvicër. / KultPlus.com

Akademia e Shkencave kujton 80-vjetorin e Çlirimit, Milo: Lufta Antifashiste forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë

Me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit, Akademia e Shkencave organizoi sot konferencën shkencore ndërkombëtare “Në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi nazifashist”.

Konferenca erdhi në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Akad. Gjinushi u shprehu të pranishmëve urimet për festën e 80-vjetorit të Çlirimit të vendit dhe falënderoi organizatorët e konferencës dhe pjesëmarrësit nga Kosova, Maqedonia e Veriut, nga Akademia Ushtarake dhe Akademia e Policisë, etj.

Ai theksoi se, qasja ndaj rolit të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, një nga ngjarjet më të mëdha e më tragjike të njerëzimit, ka të bëjë jo thjesht me qëndrimin ndaj një periudhe historike, por me vlerësimin e një prej tipareve më të vyera të një populli, atë të antifashizmit, tipar themelor ky i popujve sot, në botën demokratike.

Më pas prof. dr. Paskal Milo, mbajti kumtesën “Shqipëria antifashiste në anën e duhur të historisë në Luftën e Dytë Botërore”. Ai theksoi se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe rreshtimi krahas Aleatëve të Mëdhenj të Kombeve të Bashkuara forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe e shpëtoi atë nga disa përpjekje që u bënë pas lufte për t’i cenuar integritetin territorial dhe ndërhyrjen në punët e brendshme.

Studiuesi italian, prof. Alberto Basciani, foli për figurën e prof. gjeneral Parianit dhe fundin e sundimit italian në Shqipëri (mars – shtator 1943).

Akad. Pëllumb Xhufi mbajti kumtesën “Kolaboracionizmi në Luftën e Dytë Botërore: rasti shqiptar”. Ai pasi bëri një përshkrim të forcave aleate dhe kundërshtare që morën pjesë në luftë, theksoi se dokumente të shumta të pushtuesve italianë e gjermanë, të misioneve aleate anglo-amerikane, të qeverive kuislinge e të organizatave Balli Kombëtar e Legaliteti provojnë qartë se parulla e të ashtuquajturës “Shqipëri etnike” që ata përdorën gjatë viteve të luftës për të përligjur kolaboracionizmin e tyre, ishte thjesht e vetëm propagandë. Në fakt, ata nuk munguan të iniciojnë marrëveshje me qarqet antishqiptare fqinje për përfshirjen e Shqipërisë, pa Kosovën e Çamërinë, si njësi federale në kuadrin e shtetit jugosllav apo të atij grek.

Ne konferencë referuan edhe dr. Roderick Bailey nga University of Oxford, prof. dr. Et’hem Çeku, prof. dr. Sonila Boçi, akad. Hamit Kaba, akad. Vasil S. Tole, prof. dr. Bujar Dugolli, prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi, prof. dr. Irakli Koçollari etj.

Gjatë kësaj konference përmes punimeve shkencore u bë e qartë se shqiptarët zgjodhën rrugën më të drejtë për të rifituar lirinë dhe pavarësinë e tyre, përmes rezistencës antifashiste dhe luftës çlirimtare kundër shteteve pushtuese fashiste.

Shqiptarët për herë të parë me luftën e tyre u imponuan si subjekt e faktor ndërkombëtar dhe nuk lejuan të trajtoheshin si më parë në kulisat e politikës e të diplomacisë të Fuqive të Mëdha që vendosnin për fatin e tyre dhe të Shqipërisë pa i pyetur e duke i nëpërkëmbur. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe rreshtimi krahas Aleatëve të Mëdhenj të Kombeve të Bashkuara forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe e shpëtoi atë nga disa përpjekje që u bënë pas Lufte për t’i cenuar integritetin territorial dhe ndërhyrjen në punët e brendshme./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi Ministrin e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Luis Gilberto Murillo

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Luis Gilberto Murillo.

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

Si Kosova, ashtu edhe Kolumbia, por edhe shumë vende anëkënd botës, e njohin dhimbjen e thellë që shkakton dhuna seksuale gjatë luftës.

Kjo armë lufte shkakton vuajtje të thella dhe vështirë të rikuperueshme. Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave në fuqizimin e zërit të të mbijetuarve, si dhe avancimi i Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ishin në fokus të takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Luis Gilberto Murillo./atsh/KultPlus.com

E mrekullueshmja Rita Ora feston ditëlindjen e saj të 34-të

Rita Sahatçiu Ora e lindur më 26 nëntor 1990, është një këngëtare dhe aktore britanike me prejardhje shqiptare. Suksesi i saj u rrit në shkurt të vitit 2012, kur ajo u paraqit me teken Hot Right Now, bashkëpunim me DJ Fresh-in, e cila arriti numrin një në Mbretërinë e Bashkuar. 

Albumi i parë i saj Ora, që doli në shitje në gusht të vitit 2012, arriti numrin një në Mbretërinë e Bashkuar. Albumi përmbante teket Britanike R.I.P dhe How We Do (Party). Ora ishte artistja me numrin më të madh të tekeve në listën britanike në vitin 2012, me tre teke rradhazi që arritën në pozitën më të lartë.

Në janar 2014, Adidas njoftoi një bashkëpunim projektues me Ritën për markën e tyre, Adidas Originals. Gjithashtu në vitin 2014, kënga I Will Never Let You Down u rendit e katërta në Mbretërinë e Bashkuar dhe ajo u shfaq në teken “Black Widow ” të Iggy Azalea, e cila arriti numrin pesë në Mbretërine e Bashkuar dhe SHBA. Në 2015, Ora u bë trajnere në serinë e katërt të The Voice UK dhe, më vonë atë vit, një gjyqtare në serinë e dymbëdhjetë të The X Factor.

Albumi i dytë i saj në studio, Phoenix, doli në shitje në nëntor 2018. Tekja Your Song arriti numrin dhjetë në Britaninë e Madhe dhe teket Anywhere dhe Let You Love Me arritën numrin pesë në Mbretërinë e Bashkuar; kjo e fundit e bëri Orën artisten e parë femër britanike që të ketë gjithsej trembëdhjetë këngë të cilat kanë arritur të paktën pozicionin e dhjetë në listat e Mbretërisë së Bashkuar.

Ora ka lindur në Prishtinë, në Provincën Jugosllave e Kosovës, nga prindër shqiptarë. Nëna e saj, Vera, është psikiatre dhe babai i saj, Besnik Sahatçiu, është ekonomist e pronar kafeneje. Ora ka një vëlla më të vogël, Don, dhe një motër më të madhe, Elena, e cila është gjithashtu pjesë e ekipit të saj të menaxhimit. Ajo ka lindur si Rita Sahatçiu, mbiemri rrjedh nga fjala turke saatçi që do të thotë “orëndreqës”, por prindërit e saj më vonë e shtuan Ora në mënyrë që të mund të shqiptohet lehtë.

Familja e saj u largua nga Kosova për arsye politike, për shkak të persekutimit të shqiptarëve etnikë të filluar me shpërbërjen e Jugosllavisë. Ata u zhvendosën në Londër, Angli në vitin 1991, kur ajo ishte njëvjecare. Ajo u rrit pranë rrugës “Portobello” në Londrën Veriore dhe mori pjesë në St. Cuthbert me shkollën fillore “St Matthias” në Earls Court, pas së cilës u diplomua nga një shkollë e arteve të interpretimit, Sylvia Young School Theatre. Ajo filloi të këndojë në moshë të re.

Tani, Ora është në lidhje dashurie me regjisorin Taika Waiti, ku në paraqitjet e tyre të fundit, duken shumë të lumtur. / KultPlus.com

112-vjetori i ngritjes së flamurit kombëtar në Durrës

Më 26 nëntor të vitit 1912, Hafiz Ali Podgorica ngriti flamurin kombëtar në Durrës.

Në postin kryetarit të bashkisë së Durrësit, por edhe në cilësinë e kadiut dhe myftiut, Podgorica pati një angazhim domethënës në periudhën që i paraprin shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ashtu si figura të tjera të qarqeve fetare në vend, Podgorica ndihmoi në kapërcimin e dallimeve mes besimeve për hir të kauzës kombëtare.

“Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit me brohoritje. Mytesarifi u pushua. Hamid bej Toptani u emërua guvernator provizor. Mitropoliti refuzon ta njohë administratën lokale. Trupat mustahfis (mbrojtëse të prapavijës së qytetit) u liruan. Paria e vendit u doli serbëve përpara. Mungojnë informata të sakta për lëvizjen e tyre (serbëve). Ata janë nisur prej Kruje”, kështu njoftohej në radiotelegramin shifër të nënkonsullit, Rudnay drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme britanike.

Dy ditë më pas, në Kuvendin e Vlorës morën pjesë si delegatë të Durrësit Dom Nikollë Kaçorri, Abaz Çelkupa, Mustafa Hanxhiu dhe Jahja Ballhysa, të cilët nënshkruan edhe dokumentin historik të Pavarësisë./atsh/KultPlus.com

Çasti dhe përjetësia

Poezi nga Ibrahim Berisha

Çasti dhe përjetësia

Më tha: rruga ime është një yll i tretur larg. I thashë: secili ndjek një yll.

Më tha: ëndrra ime është një kopsht pa mure. I thashë: secili ka një kopsht të fshehtë.

Më tha: unë jam më i pasuri. I thashë: secili është i pasur në dhembje dhe lumturi.

Më tha: unë jam trimëria e vetme. I thashë: secili mban brenda një betejë.

Më tha: unë nuk jam si të tjerët. I thashë: secili është njëjtësi e paqëlluar.

Më tha: unë jam një çast njeriu. I thashë: ti je përjetësia e fshehur në çastin tënd./KultPlus.com

Rama: Restaurimi i filmit “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur” me skenar dhe regji nga Dhimitër Anagnosti, ekranizim i romanit të Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vjen për publikun tashmë i restauruar.

Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, i fton të gjithë që të ndjekin tani në 4K filmin e realizuar në 1989 “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, që iu nënshtrua digjitalizimit duke u restauruar, si një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat.

Ky projekt vjen në këtë vit jubilar të çlirimit të vendit, si një homazh për njeriun; për njeriun që luftoi, atë që vuajti pasojat e luftës dhe për atë që ra duke mbrojtur kauzat e atdheut të tij.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka falënderuar laboratorin  e Romës, Augustus Color, që iu bashkua këtij projekti duke mundësuar skanimin e këtij filmi pas skanimit të elementeve negativë të figurës dhe zërit në studion e re të digjitalizimit në AQSHF.

Muzika në film mban emrin e kompozitorit Gjon Simoni. Operator Bardhyl Martiniani, piktor Kleo Nini, montazhi Mimoza Nano, zëri Spiro Konduri, kostumograf Durim Neziri. Filmi është prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re”, 1989.

Në role janë aktorë Bujar Lako, Guljelm Radoja, Roza Anagnosti, Ndriçim Xhepa, Kastriot Ahmetaj, Vasillaq Godo, Raimonda Bulku, Liza Vorfi, Birçe Hasko, Andon Qesari, Petraq Xhillari, Ilia Shyti, Liza Laska, Xhemil Tagani, Xhelal Tafaj, Niko Kanxheri, Justina Aliaj, etj. Restaurimi i filmave që janë me probleme është pohuar me shumë rëndësi edhe nga regjisorë të ndryshëm.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit nisi punë me restaurimin veprave filmike në vitin 2012 në bashkëpunim edhe me studiot e huaja. Filmat që janë restauruar deri tani janë prodhime kinematografike para viteve ’90 në vendin tonë.

Të tjerë filma po me regji nga Dhimitër Anagonsti që iu nënshtruan restaurimit ishin edhe   “Lulëkuqe mbi mure” që u shfaq premierë për publikun në dhjetor të vitit 2023 si dhe “Përrallë nga e kaluara” prodhim i vitit 1987./atsh/KultPlus.com

“Travel and Tour World”: Shqipëria, një yll në rritje në turizmin evropian

Juliette Losardo, drejtoreshë e Ekspozitës së Tregut Botëror të Udhëtimit 2024 (World Travel Market London 2024) theksoi tendencat më të fundit që riformësojnë turizmin dhe mundësitë që ato paraqesin për destinacionet dhe bizneset në mbarë botën, sipas një artikulli të botuar në “Travel and Tour World”.

Klasa e mesme globale dhe udhëtimi i demokratizuar

Zgjerimi i klasës së mesme globale po ripërcakton modelet e udhëtimit, pasi më shumë njerëz fitojnë akses në udhëtime të përballueshme dhe të ndryshme.

Ky demokratizim ka nxitur kërkesën për përvoja informuese dhe jokonvencionale që lidhin turistët me kulturat lokale dhe mjediset natyrore.

Losardo theksoi se vizitorët e sotëm shfaqin një dëshirë më të fortë për të eksploruar vendet përtej monumenteve tradicionale, duke kërkuar ndërveprime më tokësore dhe më autentike.

Ky ndryshim përputhet me një vlerësim në rritje për qëndrueshmërinë dhe ruajtjen e kulturës, pasi turistët kërkojnë të kenë një ndikim pozitiv në vendet që vizitojnë.

Trendet e udhëtimit të klasës së mesme globale dhe gjeneratës Z me aventura dhe përvoja unike: Vështrime të Juliette Losardo, Drejtore e Ekspozitës, Tregu Botëror i Udhëtimit Londër 2024.

Turizmi i aventurës: Një trend në rritje midis turistëve 

Turizmi i aventurës është shfaqur si një prirje dominuese, duke tërhequr si aventurierët e butë ashtu edhe për ata që kërkojnë emocione.

Sipas Raportit të Udhëtimit Global, 29% e turistëve kanë shprehur një interes në rritje për udhëtimet aventurore. Përvojat e buta si ecja, çiklizmi dhe eksplorimi i jetës së egër dominojnë tregun.

Megjithatë, për më të guximshmit, aktivitetet ekstreme si zhytjet dhe hedhja me parashutë po fitojnë interes.

Losardo inkurajoi destinacionet dhe operatorët të rinovojnë ofertat e tyre, duke deklaruar se përvojat aventureske, qofshin ato të buta apo intensive, marrin jehonë me turistin modern.

“WTM London” luan një rol kryesor në mbështetjen e këtij trendi duke nxitur bashkëpunimin midis palëve të interesuara për të zhvilluar dhe promovuar turizmin e aventurës në nivel global.

Duke bashkuar ekspertët e udhëtimit, platforma u mundëson bizneseve të eksperimentojnë dhe rafinojnë ofertat e tyre për të përmbushur kërkesat në zhvillim të adhuruesve të aventurave.

Gjenerata Z dhe Gjenerata Y. Kampionët e Udhëtimit Eksperiencial dhe të Qëndrueshëm

Gjenerata Z dhe Millennials po riformësojnë industrinë e udhëtimeve duke i dhënë përparësi përvojave mbi pasuritë materiale.

Ky ndërrim brezash ka implikime të rëndësishme për të ardhmen e turizmit, me vizitorët e rinj që kërkojnë gjithnjë e më shumë aventura të qëndrueshme dhe autentike.

Raporti Global i Udhëtimit zbulon se 53% e turistëve synojnë të minimizojnë gjurmën e tyre të karbonit në vitin e ardhshëm. Gjenerata Z dhe Gjenerata Y janë veçanërisht të vetëdijshëm për ndikimin e tyre mjedisor – nxitjen e kërkesës për akomodime miqësore me mjedisin, transportin e qëndrueshëm dhe ndërveprimet domethënëse me komunitetet lokale.

Ky ndërgjegjësim i rritur po ndikon në industrinë më të gjerë të udhëtimit, duke i inkurajuar bizneset të adoptojnë praktika të qëndrueshme dhe të përafrojnë strategjitë e tyre me vlerat e vizitorëve të ndërgjegjshëm për mjedisin.

Destinacionet që përqafojnë këto parime ka të ngjarë të lulëzojnë në peizazhin konkurrues të turizmit.

Shqipëria: Një yll në rritje në turizmin evropian

Shqipëria është shfaqur si një perlë e fshehur për turistët që kërkojnë përvoja të përballueshme dhe unike.

Destinacioni mesdhetar ofron një ndërthurje të përsosur të eksplorimit kulturor, bukurisë natyrore dhe udhëtimeve buxhetore.

Ndryshe nga pikat e nxehta të Mesdheut të mbushura me vizitorë, Shqipëria ofron një arratisje të qetë ku turistët mund të shijojnë pushimet verore pa vapën përvëluese apo çmimet e larta.

Ky pozicionim e ka bërë Shqipërinë një alternativë tërheqëse për turistët e ndërgjegjshëm për koston, të etur për të zbuluar destinacione të reja.

Interesi në rritje për Shqipërinë nxjerr në pah potencialin që vendet më pak të njohura kanë – për të përfituar nga ofertat e tyre të veçanta.

Duke shfrytëzuar trashëgiminë e tyre kulturore dhe atraksionet natyrore, këto destinacione mund të tërheqin turistët që kërkojnë përvoja autentike dhe të paarritshme./atsh/KultPlus.com