Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka njoftuar se nesër do të mbahet protestë para Ministrisë së Kulturës, shkruan KultPlus.
Kjo protestë mbahet në kuadër të grevës së përgjithshme në të cilën kanë hyrë aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, për mos realizimin e kërkesave të tyre, tash e dhjetë ditë.
“Po ju drejtohemi me këtë njoftim nga SHSATKK për realizimin e një aksioni/proteste për mospërmbushjen e kërkesave tona nga ana e MKRS-SE, si pjesë e grevës së përgjithshme të aktorëve që po vazhdon tani e 10-të ditë. Ju falenderojmë për përcjelljen e aktiviteteve tona përgjatë kësaj kohe. #nëgrevë #meaktorët #rrnoftëteatri Me respekt, Sheqerie Buçaj”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.
Protesta mbahet më 26 nëntor, nga ora: 10.00 deri 11.00, para Ministrisë së Kulturës./ KultPlus.com
Presidentja, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit të saj në Halifax të Kanadasë, u takua edhe me shumë shqiptarë.
E këta bashkatdhetarë, e para e vendi i quan rrëfime suksesi me angazhimin e tyre dhe burim krenarie për atdheun, transmeton Klankosova.tv.
“Kudo, një copëz Kosove – e denjë, krenare dhe atdhedashëse! Gjatë qëndrimit në Halifax, Kanada, takova shumë shqiptarë që janë rrëfime suksesi me angazhimin e tyre dhe burim krenarie për atdheun”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Basi Hektor Leka rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, pas disa dekadash në teatrot italianë, për një rol, të veçantë.
Më 25 nëntor, në skenë ngjitet opera shqiptare “Goca e Kaçanikut” ku Leka interpreton kryeplakun e fshatit duke evokuar luftën me osmanët.
“Për mua është një emocion i madh se është herë e parë që kthehem dhe këndoj aty ku jam rritur, jo vetëm si qytet por edhe si teatër, sepse falë nënës sime isha gjithnjë në teatër dhe më thërrisnin, ‘çuni I teatrit’. Personazhi im është i tillë që imponohet gjatë gjithë operës dhe oponenca e këtij personazhi në anën karakterialie të bën të jesh shumë i fortë”, tha Leka.
Ai është djali i Rozmari Jorganxhi, dirigjentja e parë shqiptare. Për të rikthimi me një pjesë shqiptare, është shumë domethënëse, ndërsa karriera e tij numëron disa role në opera të huaja. Me regjinë e Nikolin Gurakuqit, pjesa do të jetë në skenë vetëm një natë.
“Ka qenë në 1979, premiera absolute. Goca e Kaçanikut është një nga veprat më të bukura të repertorit shqiptar. E bazuar tërësisht në muzikën shqiptare, flet për rezistencën e popullit të Kaçanikut muzika flet shqip. Them edhe nga ana orkestrale të kujton motive epike të historisë së popullit tonë”’- tha Leka.
Roli tij, ndahet në dy skena të ndryshme, ku ai interpreton babain si fillim dhe më tej kryeplakun mburojë të traditave vendase dhe një patriot që nuk pranon pushtimin./balkanweb/ KultPlus.com
Drama ‘Menaxherja e qelqtë’ u shfaq këtë fundjavë në teatrin Zihni Sako, në Gjirokastër. Vepra që bazohet në letërsinë amerikane trajton tema sociale dhe përcjell mesazhe të ndryshme. Shfaqja ‘Menaxherja e qelqtë’ tërhoqi vëmendjen e artdashësve në qytetin e gurtë.
“Është një pjesë e cila u përzgjodh nga aktorët vërtet është një kënaqësi e madhe për shkak sepse dhe përkushtimi i tyre është shumë i madh. Është diçka që e zgjodhën vet dhe donin t’a çonin deri në fund.”
Në kastin e veprës kishte edhe aktorë të rinj.
“Kam ndjerë një farë mungese në këtë premierë sepse mungonin aktorët ikonë të këtij teatri. Po mund të them me krenari që te kjo shfaqje ne aktorët e rinj jemi munduar të ecim në rrugën e tyre dhe jam shumë krenar për këtë.”
“Jam shumë e lumtur që arrita ta shpërfaqja këtë rol dhe punën time në një sallë plot, me një publik shumë të mirë.”
“Provova emocionet e këtij teatri, emocione të mrekullueshme, me një publik të mrekullueshëm. Salla ishte plot.”
Gjatë këtij sezoni artistik në skenën e teatrit të Gjirokastrës janë vënë disa shfaqje të letërsisë shqiptare dhe asaj të huaj./ KlanNews/ KultPlus.com
Shqipëri! moj nëna ime, Më ke rritur me thërrime! Shqipëri! të qofsha falë, Të kam nënë e më ke djalë ******** Ç’u mbush mali me dëborë, Ç’u mbush deti me pamporë, Seç u mbush e shkreta Vlorë Plot me krushq e me dasmorë, S’janë Toskë e Malësorë Me flamur të kuq në dorë Si dhëndurë me kurorë. Ç’u zbardhë malet, ç’u zbardhë: Nga çdo anë seç na ardhë Shqipëtarët gunë-bardhë, Seç na ardhë palë-palë Duke rutulluar malë Kush më këmb’e kush më kalë Kush më shpejt, kush më ngadalë; Kush i lum e kush i gjorë Kanë zbritur mun në Vlorë, Mun në Vlorën e lirisë, N’atë thelb të Shqipërisë. /KultPlus.com
Gustave Flaubert (1821-1880) ishte një romancier francez i cili konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj në historinë e letërsisë. Ai lindi në Rouen, Normandi, Francë dhe kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij atje. Babai i tij ishte mjek dhe vetë Floberi studioi drejtësi në Paris, por shpejt e braktisi këtë rrugë karriere për të ndjekur pasionin e tij për të shkruar.
Më poshtë gjeni fragmente nga libri i tij ‘Zonja Bovari’:
“…Po ç’rëndësi kish! Ajo e lumtur nuk ishte, as kishte qenë ndonjëherë. Nga t’i vinte vallë kjo zbrazësi e jetës, ky kalbëzim i menjëhershëm i gjërave mbi të cilat mbështetej ajo?… Mirëpo në qoftë se kishte diku një njeri të fuqishëm dhe të hijshëm, burrë të vërtetë plot afsh dhe sqimë njëkohësisht, me zemër poeti si engjëll i lirë me korda tunxhi, që ngre larg në qiell tingujt e një poeme elegjiake të vajtueshme, përse rastësisht mos e gjente atë?
Oh! Sa e pamundur që ishte! Madje nuk ia vlente të kërkoje asgjë! Gjithçka ishte gënjeshtër! Çdo buzëqeshje fshihte një gogësimë mërzitjeje, çdo gëzim një mallkim, çdo kënaqësi neverinë e vet, dhe puthjet më të zjarrta të linin mbi buzën dëshirë të ndezur të parealizueshme për të shuar një epsh edhe më të përvëluar…”.redaktori.net/KultPlus.com
Mbramja ashtë larg e ti je atje mbi kodër të blerueme ku gurzit që bashin zhurmë i përpiu dheu.
Ti je atje me të bijën e heshtjes e me shoqe tjera e mendon për mue. Unë jam në detin e tingujve
e ndër gjujt e mij ndieva peshen e tramit tue u ndalue me turr. Mandej i lëshova vendin një të vjetri e mes tallazit të krahve thashë: mbramja ashtë larg e ti andej lumit.
Heshtja prek qiellin me dorë E ti atje mbi kodër të blerueme njeh gjurmët e diellit npër qiell./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka marr pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare te Kosovës.
Në fjalën e tij, Kurti tha se kjo Bibliotekë është monument i fjalës së shkruar, dhe dëshmi e gjallë e integritetit të popullit shqiptar, njofton Klankosova.tv.
Tutje, i pasi i ekzekutivit shton se Qeveria e Kosovës do të punojë që Biblioteka Kombëtare të përforcojë rolin e saj si shtëpi e dijes shkencore, bukurisë artistike, si dhe një dritë udhëheqëse drejt të ardhmes.
“Më lejoni t’ju përgëzoj për këtë logo të qëlluar, e cila brenda ka logon e Bibliotekës Kombëtare, spiralen antike ilire, që shënon 80-vjetorin e Bibliotekës sivjet, por njëkohësisht duke sikur pakufi. Vitet e fundit mbështetja e Qeverisë së Kosovës, ka qenë thelbësore në zhvillimin e Bibliotekës sonë Kombëtare, sikur krijimi i qendrës së digjitalizimit dhe pasurimi i koleksioneve me mbi 76 mijë njësi të reja librash, kemi ndërtuar ura të forta mes të kaluarës dhe të ardhmes”, tha Kurti.
“Kjo qendër është bërë pikë referimi për ruajtjen dhe digjitalizimin e trashëgimisë sonë, duke përfshirë 873 mijë objekte digjitale. Ekspozita retrospektive mbi 80-vjeçare e Bibliotekës Kombëtare dhe botimet e saj, na jep mundësinë të reflektojmë mbi rrugën e kaluar dhe vizionin për të ardhmen”.
“Biblioteka Kombëtare është monument i fjalës së shkruar dhe një dëshmi e gjallë e integritetit tonë kombëtar. Në këto mure jetojnë idetë, zërat dhe ëndrrat e brezave që kanë ndërtuar vetëdijen tonë si popull. Teksa festojmë këtë përvjetor, le të vazhdojmë angazhimin që ta përforcojmë rolin e saj si një shtëpi e dijes shkencore, dhe bukurisë artistike, si dhe një dritë udhëheqëse drejt të ardhmes”, tha i pari i qeverisë.
Presidentja e Kosovës, e ka uruar Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Nëpërmjet një postimi në “X”, e para e vendit rikonfirmoi angazhimin e Kosovës për të forcuar lidhjet dypalëshe dhe avancimin e bashkëpunimit.
“Urime presidentit Chan Santokhi dhe popullit të Surinamit në ditën e tyre të pavarësië. Duke ju uruar prosperitet të qëndrueshëm ndërsa rikonfirmojmë angazhimin tonë për të forcuar lidhjet tona dypalëshe dhe për të avancuar bashkëpunimin tonë”, ka shkruar presidentja, njofton Klankosova.tv.
Autoriteti i Dosjeve ndau sot, në rrjetet sociale, të dhëna mbi fatin e themeluesve të shtetit shqiptar. Firmëtarët e Pavarësisë të cilët nënshkruan lirinë, përjetuan dhunën dhe persekutimin më të egër.
Edhe ata që kishin ndërruar jetë para vendosjes së regjimit, familjet dhe pasardhësit e tyre pësuan rëndë; disa u vranë, të tjerë u internuan, ndërsa një pjesë u zhdukën nga kujtesa historike për shkak të propagandës komuniste.
Fatet tragjike të disa firmëtarëve dhe pasardhësve të tyre:
Shefqet Daiu, delegat i Elbasanit dhe autor i Deklaratës së Pavarësisë, u burgos, torturua dhe u ekzekutua nga regjimi komunist në vitin 1946.
Lef Nosi, ruajtësi i Aktit të Pavarësisë, u pushkatua më 20 shkurt 1946.
Qazim Kokoshi, firmëtar i Vlorës, që i mbijetoi Gestapos, vdiq nga torturat në hetuesinë komuniste në vitin 1947.
Sami Vrioni, një tjetër firmëtar, u burgos dhe vdiq në burg në vitin 1947.
Bedri Pejani, arrestuar nga regjimi shqiptar dhe i dorëzuar serbëve, u pushkatua në vitin 1948.
Zini Abaz Kanina, i burgosur në vitin 1951, torturuar për një vit dhe dënuar me burg, vdiq menjëherë pas lirimit.
Aristidh Ruçi, arrestuar si tregtar i madh, u la në varfëri të skajshme pas lirimit nga burgu. Vdiq më 11 prill 1950, ndërsa shtypi i kohës e la vdekjen e tij në hije.
Ferit Bej Vokopola, i burgosur nga regjimi, përktheu Kur’anin dhe iu përkushtua punës intelektuale pas lirimit. Ai vdiq në vitin 1969, duke vuajtur nga përbuzja dhe mjediset represive të kohës.
Disa figura të tjera si Dervish Biçaku, Dhimitër Berati, Eqerem Bej Vlora, Mustafa Kruja, Mit’hat Frashëri dhe Rexhep Mitrovica u detyruan të emigronin për t’i shpëtuar persekutimit. Ata u shpallën “kriminelë lufte” nga regjimi, pavarësisht kontributit të tyre të jashtëzakonshëm në ndërtimin e shtetit shqiptar.
Siç paralajmërojnë studiuesit e totalitarizmave, regjimet shtypëse jo vetëm që shkatërrojnë jetët e individëve, por edhe synojnë të zhdukin kujtesën dhe kontributin e tyre./atsh/KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në panelin përmbyllës me temën “Epoka e optimizmit: tani varet nga ne”, në Forumin Ndërkombëtar në Halifax.
Ajo ka shkruar se ka diskutuar për shembullin e Kosovës, si një ndër sukseset më të mëdha në histori.
“Në panelin përmbyllës me temën “Epoka e optimizmit: tani varet nga ne”, në Forumin Ndërkombëtar në Halifax, diskutova për shembullin e Kosovës, si një ndër sukseset më të mëdha në histori, si bashkëdyzim i qëndrueshmërisë së popullit të Kosovës në njërën anë dhe fuqisë së aleancave të bazuara në vlera, në anën tjetër”, ka shkruar Presidentja Osmani./KultPlus.com
Ikja e beftë nga kjo botë tash e më shumë se tre vite e Raif Hazirit, ishte një tronditje për miqtë e dashamiret e shumtë ndërsa për komunitetin artistik Gjilanas, një mungesë e theksuar që kujtohet me konsideratat të larta si një njeri që kontribuoi palodhshëm në shërbim të artit e kulturës në teatrin e qytetit.
Kjo mungesë e dhembshuri, vërehet edhe sot sepse i ndjeri ishte plot jetë dhe gjallëri ndaj dhe largimi nga kjo botë preku thellë zemrat e të gjithëve që e kanë njohur. Është interesante që edhe spektatorët e artdashësit që e kanë takuar qoftë edhe njëherë të vetme të mos e kenë njohur Spirën dhe me pas ky emër të mos asociojë me teatrin e skenën në Gjilan.
Raifi apo Spira, siç e njihnin i madh e i vogël, ishte një qytetar i ndershëm dhe një artdashës i pakursyer, i cili aktivitetin jetësor ia dedikoi jetës kulturore dhe zhvillimit te saj.
Veprimtaria dhe aktiviteti i tij, lidhet me skenën dhe teatrin sepse shumica absolute e njihte me nofkën “Spiro” emër që ju vendos nga roli i tij i parë në shfaqjen “Dasmë pa nuse”. Emri i skenës rezultoi të mos jetë pa shkas sepse i madh e i vogël identifikonin atë, si një njeri që reprezentonte vendin e tij të punës, teatrin. Ky asociim logjik ishte në përputhje të plotë me mënyrën se si punonte Raifi sepse ka qenë e pamundur, të zhvillohej një projekt në skenë dhe gjatë realizimit të mos ndodhej ai në dispozicion në një mënyrë apo tjetër.
Njeri me përkushtim të rrallë në punë që asnjëherë nuk është parë me disponim të vrërët, por gjithmonë i dashur, pozitiv, motivues, me humor të pashterur që nuk ka ditur asnjëherë t’i thotë jo, çfarëdo lloj angazhimi teatral. Të gjithë, në teatër e kanë ditur se mund të llogarisësh në Raifin për të realizuar gjithçka qoftë edhe përmes një njoftimi në kohë të shkurtër, ai ka arritur të realizojë gjerat si me çudi-bërje.
Kuraja dhe vullneti i fortë që kishte Raifi, për t’i ofruar publikut art cilësore, e bënte atë të palodhshëm në aktivitetet e ndryshme teatrale e për rrjedhojë të dallohej me energjinë e pashtershme si një nga punonjësit më të dalluar dhe më entuziast. Buzagaz, pozitiv, zgjidhës i çfarëdo situate të ndërlikuar, motivues për të vazhduar tutje kundrejt çfarëdo vështirësie dhe një prodhues humori edhe në situata të rënda presioni janë disa nga virtytet që Spira i reflektonte në çfarëdo projekti, ku angazhohej, numri i të cilëve nuk është i vogël. Këtë lloj qasje Raifi e ka pasë nga dita e parë kur ka ardhur në Teatër në vitin 1977 deri në natën kur ndërroi jetë.
Raif Haziri, kishte ardhur në teatër, falë pasionit që kishte për letërsinë dhe posaçërisht për interesimin e tij në recitimin e poezive, të cilën mjeshtëri dëshironte si i ri ta përvetësonte duke ardhur në këtë tempull kulture, e në këtë mënyrë mbeti besnik deri në fund. Edhe gjatë kohës sa studioi Shkollën e Lartë Pedagogjike mendjen dhe trupin e kishte në Teatër duke u angazhuar në shfaqjet që ishin në repertorin e kohës.
Teatri i Gjilanit nuk ka njohur dhe nuk ka për të ardhur pas Raifit një i dytë që do i shërbejë me më devotshmëri dhe përkushtim këtij institucioni siç bëri i ndjeri. Ai, vinte gjithmonë i pari në punë, para të gjithëve dhe ikte në shtëpi natën vonë pasi treteshin të gjithë dhe këtë praktikë e ka ushtruar përgjatë gjithë karrierës së tij jetësore. Kjo dinamike e tij ishte shqetësuese për familjen e tij sepse streha e tij e parë ishte teatri dhe ne shtëpi ikte vetëm për gjumë. Realisht, Raifin e gjeje çdo ditë, në çdo kohë në teatër, skenë, zyrë apo në secilin cep të shtëpisë së tij që quhej teatër.
Pasioni i tij dhe dashuria unike që kishte për Teatrin e bënë atë një nga figurat më emblematike, dhe falë këtyre virtyteve ai shërbeu duke filluar si amator, dhe arriti të prek pothuaj se të gjitha pozicionet e mundshme: aktor, organizator, regjisor i shfaqjeve për fëmijë, bifeist, biletist, inspicient, specialist muzike, zërimi, kostumografie e skenografie e çka jo tjetër.
Universalizmi në mbulimin e çështjeve teknike krahas përgjegjësive në realizimin e roleve në skenë për Raifin ishte një praktikë e bëshme dhe e realizueshme shpejt e mirë edhe pse atij i merrte kohë por gjithmonë dilte vullnetarë për të marrë këto detyra shtesë. Mbase, ai pranonte më shumë përgjegjësira për shkak të dashurisë së madhe që kishte për skenën por duhet pasë parasysh kontekstin kohorë, në të cilin ai ka shërbyer në teatër që, mbase ka qenë shtysa kryesore sepse ishte gati për çdo lloj shfaqjeje të jepte shumëçka nga vetja, përderisa nevoja ishte e madhe për njerëz si ai.
Raifi, ka ardhur në teatër si i ri entuziast në një kohë që këtij institucionit i kanë munguar jo vetëm aktorët por pothuajse çdo lloj teknicieni që ishin pjesë e rëndësishme e realizimit efikas të një shfaqjeje. Me kohë, Raifi e ka gjykuar që teatrit i duheshin njerëz që duhet të sakrifikonin shumë dhe duhej lënë mangut shumëçka nga jeta familjare dhe kërkohej të jepej prioritet agjendës se projekteve që prodhonte ky institucion.
Vitet kur Raifi iu bashkua teatrit (1977) ishin vite të ngritjes profesionale të hovshme, të këtij institucioni, që kërkonin punonjës të përkushtuar dhe të zellshëm, mungesa e të cilëve, ishte tejet e theksuar ndaj dhe profili i të ndjerit tejkalonte çdo aspekt pritshmërie të të gjithëve sepse ishte e dukshme që Raifi e donte fort teatrin e skenën dhe ishte i gatshëm të jepte kontributin e tij pa asnjë hezitim. Si i ri, Raifit iu besuan fillimisht role të vogla episodike por me peshë për nga vetja. Në veçanti, realizimi skenik por puna e tij që nga fillimi nuk ka qenë e kufizuar vetëm në trajtesën e roleve sepse ai donte gjithmonë më shumë. Vullneti dhe dëshira e tij e flaktë që çdo shfaqje të luhej sa më bukur, ishte qëllimi kryesor, ndërsa kontributin e tij e quante obligim që shpërblehej me kënaqësinë që e shijonte publiku.
Me te njëjtën frymë veproi dhe kontribuoi Raifi edhe në kohët më të vështira, menjëherë pas dëbimit të punonjësve shqiptarë nga objekti i teatrit, periudhë në të cilën iu shtua entuziazmi, përkushtimi e dashuria për punën e tij sikur ti hidhet benzinë zjarrit. Situata e krijuar dhe nevoja e madhe e popullit për të konsumuar me shumë kulturë e art, ishte një shtysë që i ndjeri të shumëfishonte aktivitetin profesional. Kjo ishte koha kur e gjithë barra e realizimit të shfaqjeve binte mbi shpatullat e tij, sepse pothuajse duhej të zëvendësonte i vetëm një ekip të tërë që merret në prapaskenë me shfaqjen. Sot është e vështirë të mendohet që një njeri i vetëm, mund të përballojë organizimin e një shfaqje me të gjitha obligimet e planifikuara dhe ato të pa-parashikueshme, kuptohet vetëm me ndihmën dhe asistencën e nduardurshme që ka ardhur nga i gjithë ekipi që kanë luajtur në shfaqje.
Këtyre vështirësive i është vënë edhe ngarkesa tjetër rrethanore sepse punonjësit e teatrit e bënin punën si vullnetarë njësoj si mësuesit ndaj dhe gjatë kësaj kohe. Raifi, detyrohej që ditën të shiste derivat me bidona ndërsa darkave merrej me punët e teatrit, në vartësi të përgjegjësive të marra herë në realizim rolesh, organizim shfaqjesh, organizim të orëve letrare apo aktivitete të ndryshme kulturore.
Periudha e pasluftës, natyrshëm e gjeti Raifin në detyrën që dinte ta bënte më së miri, të ishte referenca e të gjitha zgjidhjeve për çdo shfaqje respektivisht si organizator i shfaqjeve dhe këtë detyre e kreu me përgjegjësinë më të madhe dhe me përkushtim të njëjtë sikur në fillesat e para kur erdhi si amator.
Përkundër detyrave dhe obligimeve të shumta, në çështjet organizative që e obligonte detyra funksionale, përveç roleve në teatër ai, në periudhën e pasluftës u sfidua si regjisor në realizimin e dy shfaqjeve për fëmijë të cilat u vlerësuan si shfaqje te suksesshme dhe që zgjuan kërshërinë e moshave të vogla.
Nuk duhet lënë anash që në Raifin kishin besim edhe regjisorët e producentët e filmit të cilët e projektuan në role të vogla si në filma të metrazhit të gjatë siç është “Nëntoka” I dhe II por sidomos në filma të metrazhit të shkurtër apo dhe në seriale televizive, ku u shfaq si një figurë mjaft e pëlqyer për publikun.
Ataku kardiak i ndërpreu aktivitetin dhe jetën në prill të vitit 2021 fill pasi përfundoi shfaqjen “E vërteta” të autorit Florian Zeller dhe mori rrugën për në shtëpi e që më pas u dërgua në urgjencë por nuk mbijetoi.
Raifi mbetet një nga figurat shumë të dashura, i zellshëm, punëtor dhe besnik deri në skajshmëri për institucionin që ka emrin Teatër./ KultPlus.com
Qyteti i parë që shpalli pavarësinë, ishte qyteti i Elbasanit.
Rrethanat historike si dhe në dakordësi me Ismail Qemalin, Aqif Pashë Biçakçiu (Elbasani) do të shpallte pavarësinë më 25 nëntor të 1912-ës, duke e bërë Elbasanin të parin qytet të Shqipërisë që shpalli mëvetësinë.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë sjell Deklaratën e Pavarësisë të Elbasanit, në të cilën shkruhej: “Shpallje për vetëqeverimin e Shqipnisë. Ne, populli i Elbasanit, pa ndonjë detyrim nga jashtë apo nga brenda, por nga dëshira jonë e lirë bashkë me të gjithë qytetet e Shqipërisë po ia bëjmë të ditur gjithë botës së qytetëruar, se sot e shpallim veten tonë plotësisht të shkëputur nga Mbretëria turke, duke u rreshtuar si një komb i lirë, i cili me ndihmën e të madhit Zot, mbrojtësit të të gjitha kombeve dhe me mbrojtjen e qeverive të Europës shpall se do të qeverisë me nder, drejtësi dhe paanësi të plotë, pa bërë asnjë dallim feje apo dogme. Çdo shqiptar ose i huaj në këtë qeveri shqiptare, do të mundë të rrojë lirisht duke i gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore. Edhe ne kemi ndërmend të rrojmë vëllezërisht edhe me shtetet fqinj, pa dashur t’u bëjmë as më të voglin dëm, por duke iu lutur të na ndihmojnë në qeverisjen tonë, sikurse na ndihmuan edhe në rrëzimin e qeverisë turke. Rroftë Shqipëria e lirë! Kështu e bëftë Zoti!”./atsh/KultPlus.com
Arti i viteve 1970-1980, përkatësisht kinematografia e Kosovës do të shpaloset nëpërmjet një bashkëbisedimi me regjisorin Isa Qosja, bashkëbisedim që do të mbahet sonte prej orës 18:00 në KultPlus Caffe Gallery.
Kjo mbrëmje kinematografike është një ndër mbrëmjet e veçanta që do të ofrohet në këtë fund nëntori, pasi që bashkëbisedimet me regjisorin Qosja janë tejet të rralla, dhe si i tillë vjen në përvjetorin e 40-të të realizimit të filmit të tij “Proka”, film që është prezantuar në vitin 1984.
Ky projekt i ideuar nga aktorja Vlora Merovci dhe që është mbështetë nga Komuna e Prishtinës do të shpalosë edhe kontributin e artistëve që lanë gjurmë dhe shkëlqim në vitet 1970- 80, sikurse që do flitet për rrugëtimin e regjisorit Qosja në fushën e kinematografisë dhe krijimtarinë artistike.
Kjo mbrëmje është e hapur për të gjithë adhuruesit e kinematografisë, dhe jo vetëm./ KultPlus.com
Data 25 nëntor mbahet mend nga Arbëreshët si një datë e rëndësishme, që shënoi një kthesë rrënjësore për gjuhën arbëreshe në pikëpamje të politikave shtetërore të vendit pritës, pikërisht me 25 nëntor të vitit 1999 u miratua në formë përfundimtare nga Senati i Republikës Italiane ligji nr. 482, i cili mbron minoritetet historike e gjuhësore në Itali.
Ky ligj u publikua dhe hyri në fuqi me 15 dhjetor 1999 dhe solli mbështetjen institucionale në drejtim të promovimit, nxitjes dhe forcimit të gjuhëve dhe kulturave minoritare, përfshirë ato arbëreshe. Me këtë ligj, komuniteti arbëresh në Itali e përfshiu brenda suazave ligjore trashëgiminë e vet shpirtërore e kulturore.
Sot numërohen në Itali rreth 200 mijë arbëreshë që jetojnë kryesisht në shtatë krahina italiane. Ligji 482/1999 “Norma për tutelën e minorancave gjuhësore historike” ka njohur veçantinë e gjuhës që ata flasin, arbërishtes, dhe të drejtën e mbrojtjes së saj dhe të kulturës arbëreshe: të letërsisë që lindi shekuj më parë, këngëve dhe rrëfimeve të përcjella gojarisht brez pas brezi, të kostumeve dhe valleve, të artit të krijimit të stolive, të kuzhinës dhe të shumë e shumë të tjerave. Me pak fjalë, mbrojtjen e të gjithë përbërësve të identitetit arbëresh. /KultPlus.com
“Shadow-Euridika thotë”, u rishfaq këtë fundjavë për artdashësit e kryeqytetit. Drama vjen si një produksion i Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
“Shadow – Euridika thotë!” është vepër e autores Elfride Jelinek. Me regji nga austriakja Sabine Mitterecker vepra erdhi në skenë me interpretimin e tre aktoreve: Adriana Tolka, Albana Kocal, Flobensa Bazati.
Orfeu dhe Euridika janë mishërimi i të dashuruarve. Kur Euridika vdes para kohe pasi pickohet nga një gjarpër, Orfeu futet në botën e nëndheshme për ta rikthyer në jetë, duke magjepsur Hadesin me muzikën e tij. Por çfarë ndodh nëse Euridika nuk dëshiron të kthehet? Po nëse ajo refuzon të shihet si simbol i dashurisë së tij që ai ka nevojë për ta shpëtuar?
Këto rrëfen Elfride Jelinek, fituese e çmimit “Nobel” në letërsi në vitin 2004.
Që kur fitoi çmimin “Nobel”, fokusi i saj është zhvendosur nga tregu i librave tek skena teatrore. Teatri ekperiamental shkruan se, kjo i lejon asaj të reagojë më shpejt ndaj ngjarjeve aktuale. Përveç teksteve për teatër, ajo publikon edhe ese mbi tema aktuale./atsh/KultPlus.com
Pianistja Alberta Troni do të merr pjesë në koncertin e organizuar në Akademinë e Muzikës në Zagreb të Kroacisë, i cili do të mbahet nesër, me datë 26 nëntor.
Ky organizim ka karakter bashkëpunimi në mes të dy Fakulteteve, atë të Zagrebit dhe Prishtinës. Me këtë rast, Troni do të interpretojë bashkë me sopranon e mirënjohur, Lidija Horvat Dunjko, si dhe dy studente të këndimit pranë Akademisë së Muzikës në Zagreb me origjinë shqiptare, që kanë treguar sukses të veqantë në arenën ndërkombëtare, Dea Qivlaku dhe Rea Veseli.
Koncerti do të mbahet në sallën e koncerteve pranë Akademisë së Muzikës në Zagreb, ku do të interpretohen vepra muzikore të kompozitorëve kroat dhe shqiptar si: A. Marković, A. Mula, J. Hatze, L. Čuperjani, D. Pejačević, M. Prebanda, I. Zajc.
Koncerti organizohet nga Bashkësia shqiptare e qytetit të Zagrebit./KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit çeli një ekspozitë me vepra të realizuara nga dëshmorët e Luftës Nacional-Çlirimtare.
Ekspozita titullohet “Arti i Luftës” dhe ka në përmbajtjen e saj vizatime dhe fotografi. Prej sot, ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun, duke iu shtuar axhendës së ngjeshur të aktiviteteve të parashikuara edhe në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare.
Mbi 300 vizatime që tregojnë kulturën e madhe të figurave qendrore të Luftës Nacional-Çlirimtare, vijnë nën kujdesin e Mehmet Gëzhillit.
Ekspozita vjen në hapësirat e QKLL, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit./atsh/KultPlus.com
Më poshtë mund të lexoni disa fakte për këngëtarin Freddie Mercury, shkruan KultPlus.
Bohemiian Rapsody- Një histori e shekullit rreth traumave të Freddie-t
Freddie e shkruajti këtë këngë në 1975 dhe në atë kohë “Bohemiian Rapsody” u konsiderua kënga më e gjatë e regjistruar ndonjëherë. Kënga zuri vend në albumin e katërt të grupit, A Night at the Opera. Mediat e huaja shkruanin në atë kohë që kënga në të vërtetë fliste për traumat që këngëtari kishte përjetuar në fëmijëri.
Festat deri në mëngjes me Princeshën Diana
Thuhej se princeshë Diana takohej me Freddien dhe ekipin e tij gjatë kohës kur kishte probleme martesore me princin Charles. Duke parë atë të trishtuar, Freddie i kishte thënë Dianës: “Eja e dashur, dil dhe argëtohu pak”. Pasi ishte e pamundur që Diana të vizitonte klubet e natës, Freddie ishte ai që i kishte sugjeruar që princesha të maskohej si burrë dhe të dilte në klubet për personat gay. Diana e pranoi idenë me entuziazëm, dhe u gëzua veçanërisht me “lirinë” që fitoi ngase mund të argëtohej si çdo person i zakonshëm.
Pse nuk donte të dihej varri i tij?
Në testamentin e tij, Freddie në vullnetin e tij të fundit e detyroi ish-të fejuarën e tij Mary Austin që të kujdesej për hirin dhe kurrë të mos tregonte publikisht atë që kishte bërë me urnë. Në fillim të këtij viti, një pllakë u zbulua në Varrezat e ëest London: “Në kujtim të Farok Balsar. Unë gjithmonë do të jem me ju me dashurinë time. M”. Ende, askush nuk ka konfirmuar zyrtarisht se urna e muzikantit legjendar ndodhet poshtë pllakës.
Freddie nuk ka asnjë përmendore në Londër
Ndikimi i tij vihet ende në diskutim në publikun britanik. Konservatorët mohojnë rëndësinë e tij, kryesisht për shkak të zgjedhjeve private dhe mënyrës së jetesës. Edhe pse adhuruesit e tij janë përpjekur të ngrenë një monument në Londër për vite me radhë, kjo ende nuk ka ndodhur. Busti i tij përkujtimor ndodhet në Zvicër, në qytetin Montreux, i cili është bërë një vend pelegrinazhi për tifozët e Freddie dhe grupin Queen.
Koncerti për Guinness
Gjysmë viti pas vdekjes së Freddie, grupi organizoi një koncert në stadiumin Wembley të Londrës. Të gjitha të ardhurat shkuan për bamirësi për një organizatë në luftën kundër AIDS, Fondi “Mercury Phoenix”. Koncerti është në Librin e Rekordeve Guinness dhe konsiderohet të jetë koncerti më i madh bamirës rock ndonjëherë.
Ai ishte tejet i turpshëm
Edhe pse ai ishte i njohur për performancën e tij të egër dhe “skandaloze”, shumë njerëz që e njihnin Merkurin personalisht thonë që ai ishte shumë i turpshëm, kjo është një nga arsyet që ai rrallë paraqitej në intervista.
Para se të bëhej yll rocku, punonte në aeroport
Shumë kohë para se të bëhej një nga këngëtarët më ikonikë në historinë e muzikës, Freddie nxirrte jetesën duke punuar në aeroportin Heathroë të Londrës. / KultPlus.com
Ëndrra ime për të vajtur qoftë edhe një herë të vetme në Kosovë, ku më respektojnë si shkrimtar e si luftëtar dhe më quanin vëlla, nuk u realizua kurrë.
Kjo dashuri për kosovarët më lindi në fillim të viteve tridhjetë.
Njoha më parë Asim Vokshin, që ishte nëntoger i xhandarmërisë në rrethin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues në Dhuvjan të Dropullit, më 1932.
Më vonë, nëpërmjet Asimit, në Tiranë njoha Bedri Pejanin, Ali Kelmendin. Dhe në Spanjë njoha shokët e paharruar: Xhemal Kada, Justina Shkupi, Shaban Basha e të tjerë, për të cilët kam folur në shënimet për Spanjën.
Në Tiranë, pas Çlirimit, njoha Xhafer Vokshin, vëllanë e Asimit, ardhur nga Kosova, partizan gazetar. U lidhëm me miqësi, por lidhjet me të u ndërprenë, kur ai u internua familjarisht. Nuk i zinin këmbët dhé. Ka vuajtur shumë me gjithë familjen me shumë fëmijë. E kam mik dhe shpesh vjen më takon. Djalit të tij të madh ia kam vënë unë emrin Ebro, për kujtim të betejave në Spanjë.
* * *
Po gjatë viteve ’70 më erdhën në shtëpi Esat Mekuli, Hasan Mekuli, pastaj Ali Aliu, me të cilin shkova edhe në fshat, Rexhep Qosja e të tjerë. Kur ishte këtu Esat Mekuli dhe të tjerët, flisnim për kulturën tonë dhe ata më pyetën nëse unë kisha ndonjë mendim për zhvillimin e kulturës në Kosovë. Folëm e folëm, pastaj unë shfaqa mendimin se edhe gjuha letrare e Kosovës duhet të unifikohet me gjuhën tonë letrare. Më vonë erdhi këtu Ali Aliu dhe vendosi që të bënte një biografi për mua. E shpura në fshat, te shtëpia ime. Ai u mahnit me bukuritë e natyrës bregdetare dhe më tha: “Tani e kuptoj pse shkruan në mënyrë çapkëne poetike plot ngjyra dhe me një horizont të gjerë.” Ai shkroi librin “Krijuesi dhe koha” për jetën e veprimtarinë time letrare dhe me atë punë mbrojti doktoratën.
* * *
Në Kosovë, nën redaktimin e Ali Aliut, u botuan nëntë vepra të miat, në një kohë kur këtu në Shqipëri as që përmendje gjëkundi emri im si krijues. Në Kosovë jam më i njohur se këtu, falë punës së madhe që ka bërë shtypi dhe kritika. Edhe “La Rousse” i Francës (më 1969) më kishte vënë si shkrimtar shqiptar, që kam shkruar “Hasta la vista” e vepra të tjera, kurse këtu as që guxonin të vinin emrin tim në ndonjë botim shkollor. Urdhri që të mos përmendej emri im si shkrimtar në asnjë gazetë, revistë ose mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve, kishte ardhur nga lart. Unë isha një shkrimtar i mallkuar në vendin tim, ku me sa munda luftova, punova dhe shkrova si gazetar, si poet, si shkrimtar, si përkthyes i një pjese të mirë të poetëve latino-amerikanë. Kurse në Kosovë janë ribotuar veprat, si: “Hasta la vista” (botimi i katërt), që ka një parathënie të mrekullueshme të Rexhep Qoses, “Shpella e piratëve” për lexime letrare në shkollë.
* * *
Për mua në Kosovë krijimtaria artistike është shumë më përpara se krijimtaria jonë e realizmit socialist. Me gjithë shtypjen serbe dhe masat e rrepta që janë marrë e merren kundër njerëzve të artit në Kosovë, aty arti i çdo gjinie, mund ta them me plot gojën, është më i pasur se arti ynë i persekutuar dhe i kanalizuar.
Nuk më harrohet një episod: Ishte muaji i letërsisë që bëhej në çdo tetor (se në tetor ka lindur Enver Hoxha) dhe unë u caktova me dy shokë të shkonim në Berat. Aty, në mbrëmjen letrare që u bë në kombinatin e tekstileve, bënin shumë pyetje, midis të cilave dhe këtë: “Cili është shkrimtari më i mirë i Shqipërisë?” Dhe një shok nga të kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve që ishte me ne, iu përgjigj: “Shkrimtari më i madh i Shqipërisë është Enver Hoxha.”
* * *
Unë mendoja dikur se veprat më të mira të letërsisë shqiptare janë shkruar në të gjitha kohët jashtë Shqipërisë: Noli, Konica, Çajupi, Naimi, Asdreni, Lasgushi, si dhe gjithë kosovarët e shquar krijimet e tyre më të mira i kanë bërë larg Atdheut! Është e vërtetë se Fishta, Mjeda, Ali Asllani, Migjeni e të tjerë kanë krijuar këtu, po kishin qenë shumë herë jashtë Atdheut nëpër Europë ose për studime, ose për të punuar… Kjo ishte një dukuri që shumë herë diskutohej nga Branko Merxhani me Odhise Paskalin, me Tajar Zavalanin e letrarë të tjerë. Shumica e veprave që janë themeli i kulturës sonë, janë shkruar jashtë Shqipërisë.
Po të kishin lindur e jetuar këtu Rexhep Qosja, Ali Podrimja, Bekim Fehmiu e të tjerë, talenti i tyre do të ishte vrarë, ashtu siç u vra talenti dhe jeta e shumë e shumë bijve të talentuar të kësaj Shqipërie, që mbijetoi në këto vite në dallgët e historisë…
* * *
Shikoj Safon time, artiste, për mua jashtëzakonisht e talentuar, e cila ka punuar e punon akoma për të mbajtur shtëpinë. Dhe kujtoj ëndrrat e saj për udhëtime, për tablotë, për ngjyrat, për idetë, për ekspozitat. Nuk u realizua kurrë ëndrra e saj për të vizituar Luvrin, galerinë e famshme të artit në Firence, që ishin aq afër dhe që ia kisha premtuar kur u njohëm! Shikoj të dy fëmijët e mi, të dy artistë. Dhe mendoj: Si iku kjo jetë kështu?!
* * *
Kam marrë shumë letra nga lexues të thjeshtë, nga studentë, nga njerëz të artit e të kulturës dhe nga familjarët e heronjve dhe luftëtarëve të Spanjës. Tek unë në Shqipëri erdhën të më takonin: Mahiri, i vëllai i Xhemal Kadës, Luljeta, e bija e Emrush Myftarit, një djalë i mrekullueshëm kosovar, i cili u kthye gjallë nga lufta e Spanjës dhe e gjeti vdekjen në Kosovë nga dora e serbit Milladin. Mahir Kada më telefonoi e më njoftoi se kishte dalë në treg seria e plotë e veprave të mia në Kosovë dhe se duhej të shkoja atje për të marrë shpërblimin që më takonte si shkrimtar, kurse unë në telefon iu përgjigja: “Asnjë shpërblim nuk pranoj, por ato që më takojnë do t’i vini në shërbim të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës me emrin e Asim Vokshit që po ndërtoni.”
Kjo dashuri vëllazërore e lindur ngaqë ne ishim shqiptarë, megjithëse na ndante një kufi i egër, ishte lidhja e gjakut tonë të hershëm dhe i atij që u derdh në Luftën Antifashiste të Spanjës.
* * *
Ëndrra ime për të vajtur qoftë edhe një herë të vetme në Kosovë, ku më respektojnë si shkrimtar e si luftëtar dhe më quanin vëlla, nuk u realizua kurrë deri më sot. Mbeti një ëndërr. Këtë dëshirë e kam shfaqur me të gjithë kosovarët. Për çudi, për mua kufiri ishte i papërcaktueshëm. Edhe kjo është një nga dhimbjet e mia.
E dua Kosovën gjer në dhimbje, se është Shqipëri! /KultPlus.com
Freddie Mercury do të mbahet mend për gjurmët e mëdha që la në historinë e muzikës botërore, për vokalin e tij të fuqishëm dhe për energjinë e tij të mrekullueshme që shpaloste në skenë, derisa sot janë bërë 33 vjet nga vdekja e tij, shkruan KultPlus.
Suksesi i jashtëzakonshëm dhe i papritur i “Bohemian Rapsody”, filmi mbi historinë e grupit ”Queen”, që me një buxhet prej 52 milionë dollarësh ka arritur të fitojë një miliard dollarë duke fituar katër Oscar, përfshirë atë për aktorin më të mirë në rolin kryesor (Rami Malek), është demonstrimi më i bujshëm i asaj që grupi përfaqëson në historinë e rock-ut dhe deri tani në imagjinatën kolektive.
Dhe nëse kjo histori fillon të ngatërrohet me mitin, kjo ndodh sepse Freddie Mercury ishte një nga personazhet më shpërthyes, më transgresivë dhe më të guximshëm që është parë ndonjëherë në skenë.
Fatkeqësisht, Fredi, i cili vdiq më 24 nëntor 1991 në Londër, është gjithashtu një nga viktimat më të famshme të SIDA-s, të cilin e vrau në moshën 45-vjeçare, në rezidencën e tij në Londër, kur HIV pozitiv ishte ende një dënim me vdekje.
Siç e kujtojnë shumë tani falë filmit, emri i tij i vërtetë ishte Farrock Bulsara.
Ai u lind në Zanzibar dhe kishte prejardhje parsiane dhe indiane.
Me grupin e tij, së bashku me Brian May, John Deacon dhe Roger Taylor, ai kishte gjetur sintezën e personalitetit të tij si një roker i dashuruar pas operës, por i cili, i rritur në vitet ’60 dhe i formuar në vitet ’70, adhuronte Jimi Hendrix, Elvis Presley, Led Zeppelin, Black Sabbath, Liza Minnelli, David Bowie dhe rock Glam i Marc Bolan.
Ai ishte padyshim një njeri me kuriozitet të madh muzikor që i pëlqente të përziente zhanre, i aftë për njohuri të shkëlqyera si “Bohemian Rapsody” dhe pjesë të këndshme si “Barcelona Barcelona”.
Një dashamirës i hiperbolës, me një sens humori provokues, ai vazhdon të nderohet nga një audiencë transversale dhe që ka lënë pas një seri mbresëlënëse hitesh nga “We Are The Champions” te “Radio Ga Ga”, nga “Love of My Life” te “Under Pressure”, nga “Somebody To Love” te “Love of My Life”, “Crazy Little Thing Called Love” apo “We Will Rock You” .
Ai ishte një interpretues që përdorte teatralitetin si armë dhe shpesh pasqyronte një ndjenjë çlirimtare që shkonte së bashku me aftësitë e tij të jashtëzakonshme vokale dhe talentin e tij si pianist.
Freddie Mercury ishte thjesht i paimitueshëm. / KultPlus.com
Më 25 nëntor 1913, lindi në Dhërmi shkrimtari Petro Marko.
Ai është cilësuar si shkrimtari kundër-rrymë, i cili nëpërmjet prozës moderniste arriti t’i bëjë bisht caqeve uniformizuese të realizmit socialist. Ndërsa në rangun ndërkombëtar, është pjesë e radhëve të shkrimtarëve të brezit të humbur, së bashku me Ernest Heminguejn dhe Erik Maria Remarkun.
Në vitin 1936, Marko iu bashkua radhëve të Luftës Civile të Spanjës me një grup prej 40 shqiptarësh. Në klimën e luftës nacional-çlirimtare, u kthye në atdhe ku ra në prangat e italianëve dhe së bashku me 600 të burgosur të tjerë u internua në ishullin e Ustikës. Kjo do ta ndikonte të sillte, vite më vonë, veprat si “Nata e Ustikës”, “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit” që portretizojnë shkretinë e luftës, duke himnizuar paqen dhe humanizmin.
Për një dekadë, pas publikimit të romanit të tij të bujshëm “Një emër në katër rrugë”, në vitin 1972, Petro Markos iu ndalua e drejta e botimit, pasi u denoncua nga kritika e indoktrinuar, për gabime ideore./atsh/KultPlus.com
Me rastin e festave të fundvitit, në Tiranë do të hapë dyert, këtë dhjetor, qendra më e madhe etno-kulturore në Ballkan.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ftoi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale të përjetojmë kulturën shqiptare përmes përvojave interaktive dhe shfaqjeve kulturore të frymëzuara nga traditat e hershme.
“Zbuloni ritet dhe zakonet shqiptare nëpërmjet muzikës, këngëve, valleve dhe përvojave kulinare tradicionale. Eksploroni trashëgiminë e pasur kulturore shqiptare përmes duarve të më shumë se 500 artizanëve shqiptarë të cilët krijojnë vepra unike me metoda krejtësisht artizanale”, shkroi ministri Gonxhja, duke theksuar se, Qendra Kulturore “Albanian Night” mbështetet nga Qeveria Shqiptare përmes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministrisë së Sipërmarrjes dhe Start-Up Albania, si dhe nga Delegacioni i BE-së përmes projektit EU4Innovation, i zbatuar nga GIZ.
“Albanian Night” do të vendosë në dispozicion të artistëve e artizanëve shqiptarë, një hapësirë e cila do të përmbledhë trashëgiminë kulturore nga tërësia e trevave shqiptare në një ambient të vetëm, në zemër të Tiranës, prej më shumë se 2500 metra katrorë sipërfaqe./atsh/KultPlus.com