Promovohet libri ‘Vitet e Gjermanisë’ nga autori Jusuf Buxhovi

Në ambientet e Muzeut të Pavarësisë “Ibrahim Rugova” sot u promovua libri “Vitet e Gjermanisë” i Jusuf Buxhovit, vepër kjo që në formë kujtimesh dhe analizash, përfshinë proceset më të rëdësishme të shtetndërtimit tonë, nga fillet e pluralizmit politik, epiqendër e të cilave është “Lidhja Demokratike e Kosovës”, e themeluar më 23 dhjetor 1989.

Duke bërë fjalë për librin, Fadil Kajtazi, theksoi se si ishte zhvilluar procesi kompleks për çlirimin e Kosovës, do të mësoni në librin “Vitet e Gjermanisë”, ku Jusuf Buxhovi është akter i rëndësishëm dhe do të ju shfaqet si: gazetar, shkrimtar, historian, publicist, diplomat dhe mbi të gjitha si intelektual parekselancë, i cili pa problem e me dashamirësi, komunikonte me nivele më të larta të shtetit gjerman, me ata të cilët e bënin jetën politike e publike të Gjermanisë Perëndimore gjatë Luftës së Ftohët si dhe pas saj:

– Me ata të cilët e bënë historinë e këtij shteti dhe të Evropës në kohën e konfrontimit bllokist;

– Me ata të cilët kishin hise në vendosjen e konturave gjeopolitike të botës së pas Luftës së Ftohtë;

– Me ata të cilët ndikuan që ne sot të lirë, në këtë vend, të promovojmë këtë libër me vlera të veçanta historike, politike, diplomatike e gazetareske;. (Vili Brand, Helmut Shmit, Helmut Kol, Gerhard Sherder, Hanc Ditrih Gensher, Angele Merkel).

Sipas Kajtazit, “Vitet e Gjermanisë”, është njëri ndër dokumentet më autentike të biografisë së shtetndërtimit tonë. Nëpërmes kujtimesh, bisedash dhe analizash, autori ia doli të paraqesë kohën e kthesave të mëdha historike si dhe rolin e akterëve në të, me ç’rast, ai i Ibrahim Rugovës, shfaqet me pamjen e intelektualit të devotshëm që koha, atë dhe brezin e tij, e ngarkon me përgjegjsësi politike në rrethanat ndër më kritiket kur duhej përcaktuar strategjikisht në anën e perëndimit, në mënyrë që lëvizjea insitutcionale paqësore me shtetin paralel, të shfrytëzohej për t’u shkëputur nga pushtimi serb.

Në këtë rrugëtim Dr. Rugova shfaqet edhe me sfidat tepër të rënda, me të cilat u ballafaqua gjatë kohës sa ishte peng i Millosheviqit (24 mars – 5 maj) gjatë bombardimeve të NATO-s. Vlerë e veçantë e librit, për referuesin, paraqesin bisedat me dr Rugovën, në Bon, nga kjo kohë si dhe letërkëmbimi me autorin. Ato janë rrëfime tronditëse, që flasin për gjendjen e një intelektuali përballë kurthave politike ndër më të rëndat kur i mvishet edhe anatema e “tradhtarit”!

Autori, tha se promovimi i librit ditën që themelohet LDK-ja, ka për qëllim që të paraqesi një pjesë të biografisë së kësaj kthese të madhe historike nga brenda, në mënyrë që të dalë në pah edhe ana njerëzore e ballafaqimit me sfidat që intelektualin e ngarkon politika.

Ministri Çeku: Serbia ka shkatërruar 1800 monumente, ka grabitur 3700 artefakte

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku tha se gjatë luftës në mënyrë të qëllimshme Serbia ka shkatërruar afër 1800 monumente të trashëgimisë kulturore, ka grabitur mbi 3700 artefakte, objekte muzeale nga koleksioni publik nga Muzeu i Kosovës, ka grabitur dokumentacionin zyrtarë të monumenteve me qindra mijëra dosje, sikurse që ka shkatërruar 175 biblioteka publike me rreth 1. 7 milion libra shqip si dhe ka dëmtuar e grabitur qindra vepra arti.

Këto fakte, tregoi ai janë nxjerrë nga raporti që ka bërë Grupi Punues që u themelua për dokumentimin e shkatërrimin e qëllimshëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës gjatë viteve 1998 e 1999, raport i cili i është dorëzuar Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Tutje ministri tha se janë në fazën e hartimit të master-planit të projektit të madh për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” që tha se ka për synim shndërrimin e gjithë asaj hapësire në një muze të hapur ku dokumentohet një ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së.

“Angazhimi në këtë projekt ka filluar në vitin 2021 dhe janë ndërmarrë disa veprime përfshirë edhe themelimin e komisionit të ekspertëve, angazhimin e profesorëve të UP-së për të konstatuar qëndrueshmërinë e strukturave brenda kompleksit, etj”, tha ai.

Tregoi se përfundimisht në gusht të këtij viti u nënshkrua kontrata me një konsorcium të operatorëve serioz nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar e ekspertë nga vende të tjera të botës që brenda 22 muajsh nga nënshkrimi i kontratës kanë për detyrë hartimin e 22 produkteve në tërësi.

Ai foli edhe për themelimin e Muzeut të Gjenocidit. “Me këtë vendim i kemi të gjitha autorizimet e nevojshme për ta themeluar këtë institucion të rëndësishëm muzeal që dokumenton më shumë se një shekull krime të ish -Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë”.

Në Galerinë e Fakultetit të Arteve nesër hapet ‘Ekspozita e Tetorit- Çmimi Profesor Muslim Mulliqi’

Në Galerinë e Fakultetit të Arteve nesër do të hapet “Ekspozita e Tetorit – Çmimi Profesor Muslim Mulliqi”, me përmbledhjen vjetore të punimeve artistike të studentëve të Fakultetit të Arteve në Universititin e Prishtinës.

Ekspozita është kuruar nga komisioni në përbërje të: Prof. Adem Rusinovcit, Prof. Ismet Jonuzit dhe Prof. Guri Çavdarbasha, Komesare e Ekspozitës prof. Valboba Rexhepi, të cilët kan përzgjedhur punimet më reprezentative të studentëve nga viti akademik 2023/24.

Ekspozita do të hapet në praninë e Rektorit të Univeritetit të Prishtinës Prof. dr. Arben Hajrullahu dhe Dekanit të F. Arteve Prof.Dr. Hazir Haziri me ç’rast ndahet edhe çmimi “Prof. Muslim Mulliqi” për student më të dalluar.

Ekspozita shpallet e hapur më 24 dhjetor, ora 10:00./ KultPlus.com

Restaurohet një nga shtëpitë tradicionale të Janjevës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se është restauruar një nga shtëpitë tradicionale të Janjevës, shkruan KultPlus.

“Përmes projektit për revitalizimin e qytetit të vjetër të Janjevës, shtëpitë po restaurohen dhe po u ruhen karakteristikat, ndërsa me funksionalizimin e tyre mund të shndërrohen në bujtina për vizitorë, punëtori artizanale, të përdoren si shtëpi banimi apo hapësira për aktivitete kulturore”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministria shton se me natyrën e mrekullueshme dhe pasurinë kulturore që ka, ky vend do të shndërrohet në atraksion turistik të Kosovës.

Rama: Nis shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bibliotekat shkollore

 Ministria e Arsimit dhe Sportit ka iniciuar zbatimin e programit për pasurimin e të gjitha bibliotekave të shkollave me libra artistikë.

Kryeministri Edi Rama shprehet në një postim në rrjetet sociale se në këtë prag festash, nuk ka dhuratë më të bukur sesa libri.

Rama thekson se “nga shkolla “Ardian Klosi”, ka nisur shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bibliotekat shkollore në të gjithë vendin, në kuadër të programit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për nxitjen e dashurisë për leximin tek nxënësit”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu është shprehur se ky program ka për qëllim promovimin e leximit dhe kultivimin e dashurisë për librin tek nxënësit.

“Janë më shumë se 20 mijë librat që po ndahen në bibliotekat shkollore për të pasuruar, por mbi të gjitha për të nxitur pasionin për leximin dhe për të dhënë ato mesazhe që ne duam të transmetojmë, sidomos në këtë kohë ku kemi një përpjekje të madhe për të nxitur fëmijët dhe nxënësit drejt leximit. Përpos gjithë asaj që na ofron teknologjia, ne jemi këtu për të bërë më të mirën për sa i përket rritjes së dijes, por gjithashtu dhe hapjes së mendjes përmes leximit”, ka nënvizuar Manastirliu./atsh/ KultPlus.com

“Vepro në mënyrë që në vend të mëshirës, të tjerët të të tregojnë respekt”

Poezi nga Nënë Tereza

Femrat

Ki gjithmonë parasysh se lëkura krijon rrudha,

flokët bëhen të bardhë,

ditët shndërrohen në vite…

Por ato që janë të rëndësishme, nuk ndryshojnë:

forca jote dhe bindja jote nuk kanë moshë.

Shpirti yt është ngjitës për çdo rrjetë merimangash.

Pas çdo vendi mbërritjeje është një vend nisjeje.

Pas çdo suksesi ka një tjetër zhgënjim.

Për aq sa të jesh e gjallë, ndjehu e gjallë.

Nëse të mungon ajo që bëje, kthehu dhe bëje.

Mos jeto me fotot e zverdhura…

këmbëngul, edhe nëse të gjithë presin të largohesh.

Mos e lër të ndryshket hekurin brenda teje.

Vepro në mënyrë që në vend të mëshirës, të tjerët të të tregojnë respekt.

Kur për shkak të viteve nuk mund të vraposh, ec shpejt.

Kur nuk mund të ecësh shpejt, ec ngadalë.

Kur nuk mund të ecësh dot, përdor bastun.

Por mos u ndal asnjëherë!

KultPlus.com

Veçse një ëndërr

Poezi nga Dritëro Agolli

Ja kështu, ti erdhe, ndenje, ike
Dhe sikur këtu nuk ishe kurrë
S’erdhe si e dashur, por si mike
Thjesht si vizitore tek një burrë.

Për takimin, tjetër ëndërr kisha,
Tjetër doli, siç u ndodh në botë
Ëndërrova në kulm të trëndafilta
Si një verë a trëndafil në gotë.

Dhe megjithatë them, faleminderit!
Ti më dhe një fluturim mbi një ëndërr,
Nëpër portën hapur prej ylberit
Dhe s’ka gjë se ëndrra ishte zhgjëndërr. /KultPlus

Me artistë & program të jashtëzakonshëm Kori ‘Okarina’ shënon dhjetë vjetorin e themelimit

Me një program të jashtëzakoshëm është shënuar mbrëmë 10-të vjetori i Korit “Okarina”, në shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri” në Obiliq, shkruan KultPlus.

Me zëra kristal që jehuan gjatë tërë mbrëmjes u kurorëzua një dekadë e Korit që për objektiv ka përjetimin e artit të mirëfilltë dhe krijimin e talentëve të rinj për skenën muzikore. Magjia e korit e gërshetuar me artistë të shquar të këngës i dha koncertit jubilar tjetër nivel.

Në mesin e artistëve që interpretuan në këtë koncert që shënonte 10-të vite punë, përkushtim, këngë, magji dhe emocione të paharrueshme ishin: Sinan Vllasaliu, Irma Libohova, Elikonë Hysaj, Adelina Thaçi, Adelina Paloja, Arbër Salihu, Adea Pula, Andra Rexhepi, Elona Sadiku, Anna & Ninna Krasniqi dhe pjesëtarët tjerë të Korit “Okarina”.

“Heal the World” e Michael Jackson interpretuar nga Anna Krasniqi, Dea Sokoli, Erzana Iseni, Reaina Miftari, Kori i Grave dhe i Burrave si dhe të gjithë artistët tjerë ishte qershia mbi tortë e kasaj mbrëmje të paharrueshme.

Veprat tjera që u interpretuan ishin: “Eja me mua”, Kolazh me këngë nga “Planeti  fëmijëve”, “Miqësia”, Mos u nervozo” “2+2=3”, “Mos ua prishni lumturinë”, “Another brick in the wall”, “Revolting Children”, “Vuelie”, “Hej ju male”, “Valsi i lumturisë”, “Adiemus”, Dhuratë për ditëlindje”, “Babi pse brengosesh” dhe “Kthehu rini”.

Ovacionet e publikut ishin treguesit më të mirë të përmbajtjes dhe prezantimit të koncertit, i cili u mbajtë në këtë periudhë festive.

Drejtoresha e Korit, Elikonë Hysaj-Shala koncertin jubilar të Korit Okarina e ka cilësuar si përvojë të jashtëzakonshme./ KultPlus.com

Tri etapa të “Giro d’Italia” në Shqipëri, Bellino: Promovim i vendit, rritje e turizmit

Paolo Bellino, CEO i RCS Sport deklaroi sot se, “Giro d’Italia” në Shqipëri do të sjellë edhe rritje të turizmit.

Në konferencën e prezantimit të “Giro d’Italia Grande Partenza” që do të mbahet majin e ardhshëm në Shqipëri, ku ishin të pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Bellino u shpreh se, kishte disa vende që ishin të interesuara për nisjen e madhe të “Giro d’Italia 2025”.

Bellino falënderoi kryeministrin Edi Rama, sepse theksoi ai, “na ka bindur, jo thjesht vendi juaj, jo vetëm organizimi dhe entuziazmi, por na ka bindur jashtëzakonisht shumë entuziazmi dhe forca e tërheqjes së kryeministrit Rama, sepse me të vërtetë na ka përfshirë në një rrugë vendimmarrëse ku nuk mund t’i thuhej dot jo”.

Bellino tha se, kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për të treguar pamje të mrekullueshme të Shqipërisë.

“Besoj se kemi bërë një zgjedhje shumë të mirë, vendi juaj është gjithmonë në rritje dhe shpresoj që do të jetë një mundësi shumë e madhe shikueshmërie për botën, sepse çiklizmi është sporti më i mirë për të treguar, jo vetëm një rrugë çiklistike, por edhe vendin mikpritës. Pra është rrëfimi i të gjithë Shqipërisë dhe do të kemi pamje të mrekullueshme”, tha ai.

Ai theksoi se etapat do të jenë nga 9 deri 11 maj 2025.

“Duhet të jemi këtu më 9 dhe 11 maj. Më 13 janar do të prezantojmë të gjithë ‘Xhiron e Italisë’ dhe do të qëndrojmë në Shqipëri për 1 javë. Kemi tri etapa, por gjithë karvani i çiklistëve do të jetë këtu për 7 ditë, sepse ne lëvizim tre mijë persona. Pra do të kemi me të vërtetë shumë njerëz, shumë mundësi”, tha ai.

“Shpresoj tek dielli dhe tek gëzimi i shqiptarëve, sepse shpresoj që të dalin në rrugë dhe të bëjnë tifozllëk, sepse kjo është “Xhiro e Italisë”, është një spektakël i çmendur”, u shpreh Bellino.

Ai shtoi se, janë tri etapa shumë të bukura dhe shumë të spikatura edhe nga pikëpamja turistike.

“Mendoj që këtu në Shqipëri do ta kuptoni që kemi një lidhshmëri shumë të madhe, sepse pas “Xhiros së Italisë” do të kemi një rritje të pranisë turistike me të vërtetë shumë të rëndësishme dhe gjithashtu edhe mundësinë për të rritur profesionet e ndryshme”, tha ai.

Bellino theksoi se, “nuk është vetëm deti, por edhe pjesa e brendshme e vendit. Ka vende shumë të bukura për t’u vizituar. Pra do të ketë rritje edhe në të ardhmen, por në fillim do të jetë një festë e madhe për të gjithë”.

Etapa e parë do të jetë më 9 maj nga Durrësi në Tiranë 164 km, me itinerar, Durrës, Bishqem-Fushë, Papër, Gracen, Surrel dhe Tiranë.

Etapa e dytë do të jetë 13,7 km në rrugët qendrore të Tiranës.

Etapa e tretë do të jetë në qarkun e Vlorës 160 km, me itinerar përgjatë rrugës së Lumit të Vlorës, më pas Porto Palermo, Himarë, Qafa e Llogorasë, për të përfunduar në Vlorë.

Ndërsa drejtori i “Giro D’Italia”, Mauro Vegni, u shpreh se më datën 7 maj në sheshin “Skënderbej” do të bëhet një prezantim.

“Nuk do të jenë vetëm etapa që nga e premtja në të dielën, por ne do të vijmë që nga e diela paraardhëse, sepse në datën 7 maj pasdite ne do të prezantojmë në sheshin “Skënderbej” nisjen e madhe dhe të korridoreve që do të jenë në vijim të “Xhiros së Italisë”, pra do të bëjmë një promovim zyrtar të korridoreve”, tha ai.

Ndërsa çiklisti italian, Vincenzo Nibali, i cili është një nga 7 çiklistët që ka fituar 3 turet e mëdhenj, “Giro d’Italia”, në 2013 dhe 2016, “Vuelta a España” në 2010-ën dhe “Tour de France” në 2014, u shpreh se, “do të jetë një nisje shumë e rëndësishme, sepse të kesh etapa kaq të vështira që në fillim do të thotë që do të kesh vëmendjen mediatike të Xhiros, sepse shumë korridore do të kërkojnë të kenë disa sekonda avantazh për ta ruajtur atë më pas në etapat e tjera më të vështira”.

“Ne si atletë do të donim që t’u flisnim popujve dhe territoreve që na presin, sepse janë vende që kanë bërë investime shumë të mira dhe kanë dhënë vëmendjen e duhur për garën dhe janë territore në zgjerim turistik dhe që, jo thjesht vetëm për detin, por edhe për malet janë vërtetë shumë të bukur dhe që premtojnë diçka shumë të mirë për turizmin në një fazë të afërt dhe për sa i përket turizmit çiklistik”, tha Nibali.

Më pas Paolo Bellino i dhuroi kryeministri Edi Rama bluzën rozë të kryesuesit të “Giro D’italia”, të nënshkruar nga çiklisti Vincenzo Nibali.

Përditësohet Manuali i Restaurimit, dokument thelbësor për pasuritë kulturore

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur se, në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, me propozim të IKTK-së, është shqyrtuar dhe miratuar përditësimi i Manualit të Restaurimit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, IKTK tha se ky është një lajm i shumëpritur për trashëgiminë kulturore.

Manuali i Restaurimit u vjen në ndihmë të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e ndërhyrjeve restauruese e konservuese të pasurive kulturore. Ky manual është pasuruar në zëra specifikë pune që lidhen me ndërhyrjet në pasuri kulturore dhe duke u përafruar me vlerat e ndërhyrjeve me proceset reale në terren.

Manuali i përditësuar i Restaurimit vjen si një udhërrëfyes i pasuruar, i përafruar me çmimet e tregut. “Ky dokument thelbësor do të shërbejë si bazë për ndërhyrje restauruese cilësore në pasuritë tona kulturore”, bën të ditur IKTK./atsh/KultPlus.com

Fondacioni Rame Lahaj me koncert për fëmijët në Katedralen “Nënë Tereza”

“Rame Lahaj International Opera Festival” ka njoftuar se sonte, me datë 23 dhjetor, duke filluar nga ora 19:00, do të mbahet një koncert në Katedralen Nënë Tereza, ku muzika, gëzimi dhe atmosfera festive do të jenë në qendër të vëmendjes.

“Ju ftojmë të bashkoheni me ne më 23 dhjetor, ora 19:00, për një mbrëmje të paharrueshme në Katedralen Nënë Tereza, ku muzika, gëzimi dhe atmosfera festive do të jenë në qendër të vëmendjes!”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ky koncert, organizuar me përkushtim nga Fondacioni Rame Lahaj, sjell mesazhin se edukimi përmes artit është themeli i zhvillimit të brezave të rinj, pasqyra e publikut të ardhshëm.

Pjesëmarrës të veçantë të kësaj mbrëmjeje do të jenë “Kori i Fëmijëve Okarina” dhe “Kori dhe Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës Amadeus, të cilët do të na mbushin me emocione dhe energji pozitive përmes muzikës së kompozitorëve të njohur si Tchaikovsky dhe Strauss, si dhe melodive të dashura shqiptare./KultPlus.com

Kopshti i të marrëve

Poezi nga Rainer Maria Rilke

Kjo që dikur na ishte një murgatë,
Po ngjeshet rreth oborrit me mundim,
Sikur kërkon të mbyllë ndonjë plagë…
Të tjerë njerëz vijnë për strehim.
Të qetë rrojnë, larg zhurmës botë.
Nëpër këto udhë enden me ngadalë.
Takohen, ndahen, risht ndodhen përballë,
Sikur parajsës bredhin, ku s´bën ftohtë.
Për lulet përkujdesen nëpër lehe,
Të varfër e të gjunjëzuar.
Dhe kur s´i sheh ndonjë, kanë një shprehje
Të përmalluar, të hutuar,
Për këtë njomështi e këtë bar,
Një ledhatim të ndrojtur e të ngrohtë.
E kuqja e trëndafilit kërcellhollë,
Sikur thërret me zë kërcënimtar,
Sikur kudo të shtrijë do sundimin,
Dhe mbi këta që ngrihen që pa gdhirë,
Po nuk arrin të shfaqë si për mendimin:
Sa i mirë bari i njomë që ka mbirë!/ KultPlus.com

Thesari im

Poezi nga Sharl Bodler

Nëse dhomat e shpirtit tim do vizitoje
Çfarë pretendon se do shikoje?
Cilin përbindësh mendon se fsheh?
Po të zhgënjej, por nuk më njeh.
Nuk ka nevojë për të trokitur
Hyr, shih, kërko, mbet’ e habitur.
Mure të zbrazët lyer pa ngjyra
Fotografi, por pa fytyra.
Diku e hedhur afër shtratit
Është nje kuti e tersit, e fatit.
E mbushur plot është me kujtime. 

Brenda gjithë historia ime.
Janë fjalët që kam thënë aty,
gjithkush që njoha, përfshi ty.
Gjithçka që bëra, e që vetëm i ëndërrova
Vendet ku shkela, ku jetova.
Janë zënkat tona dhe mëritë
Janë puthjet netëve pa dritë.
Veset e mia që aq urreve
Mërgimi i ngadaltë i reve. 

Dënimet që vuajta për ty
Herët kur s’të pash në sy.
Jetët që pa ty jetova
Të tjera femra që dashurova.
Janë dhe sekretet që s’të kam thënë
E amanetet që të kam lënë. 

Fëmijet që kurrë nuk më lindën
Epshet që vrava se nuk mu bindën.
Ka letra, që për ty i shkrova
Në zarfet që kurrë s’ti dërgova.
E nëse gjithcka përmbys do kthesh
Sekretin më të madh do gjesh.
E kam fshehur në fund fare
Po s’e zbulove, s’ke pare gjë fare. 

Nxirre mes duarsh në shtrëngim
Atë më të shtrenjtin sendin tim.
Balsamin që plagët shëronte
kur kjo djall jete më kafshonte.
Para fytyrës ngadalë afroje
Dhe mbylli sytë, pastaj zbuloje.
E kur ngadalë ta kesh zbuluar.
Veç një pasqyrë do gjesh në duar.
Do shohësh veten, reflektim
Se ti , ishe thesari im! / KultPlus.com

Tinka Kurti dhe Edmond Topi nderohen në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Coliseum”

Kineastët shqiptarë janë vlerësuar maksimalisht në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Coliseum”. Ky festival është një ngjarje e rëndësishme kinematografike, me fokus kryesor produksionet e pavarura, edicioni i katërt i të cilit u zhvillua në Romë.

Çmimi “Regjia më e mirë”, iu akordua Edmond Topit, për filmin “Yjet e së ardhmes”, ndërsa çmimi “Aktorja më e mirë protagoniste” shkoi për Tinka Kurtin.

Juria profesionale, e kryesuar nga producenti Roberto Bessi dhe votat e 7000 shikuesve, prej të cilëve 1500 të huaj dhe 5500 italianë, vlerësuan kontributet filmike nga 81 vende të botës, e seleksionuan “Yjet e së ardhmes” në pesë finalistët e seksionit të filmit të huaj me metrazh të gjatë. Në këtë seksion ishin dhe prodhime nga Venezuela, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika dhe Bullgaria.

Çmimin e ikonës së kinematografisë tonë, Tinka Kurtit, e tërhoqi kineastja Mirela Oktrova, e cila u shpreh tejet e emocionuar dhe e nderuar për dy rastësi të bukura.

“Ndihem shumë e nderuar që jam unë sot këtu, për të marrë këtë çmim në emrin e Tinkës, çka lidhet me dy rastësi të bukura: E para, sepse Tinka e ka nisur karrierën e saj nën regjinë e babait tim. E dyta, sepse Tinka sapo ka festuar 92-vjetorin e lindjes, dhe ky çmim është një dhuratë e bukur për të”, u shpreh Oktrova./atsh/KultPlus.com

Të mërkurën vjen premiera e shfaqjes “Jam unë ajo” në Teatrin e Gjilanit

Këtë të mërkurë, vjen në Teatrin e Gjilanit premiera e shfaqjes “Jam unë ajo” nga Valmira Thaqi dhe Dituri Neziraj, me regji nga Erson Zymberi, përcjell KultPlus.

Aktorët që luajnë: Semira Latifi dhe Tringa Hasani.

Skenografia: Bekim Korça, Kostumografe: Njomëza Luci, Koreografia: Gjergj Pervazi, Kompozitor: Tomor Kuçi, Dizajner i ndriçimit: Burim Baftiu.

Për shfaqjen: 

Dija dhe Vesa, dy gra të ndara nga realitete të ndryshme, por të lidhura nga e njëjta barrë e padukshme: depresioni pas lindjes. Përmes tyre zbërthehet një histori që nuk është thjesht personale, por një klithmë kolektive. Në errësirën e brendshme ku përzihen ndjenja faji dhe paaftësie, ato ballafaqohen me një botë që u refuzon të drejtën për të qenë të thyeshme. Shfaqja eksploron një plagë sociale që fshihet pas buzëqeshjeve të rreme dhe pritshmërive të pashpirt. Në një sistem ku “nënat janë heroinat e heshtura,” ky rrëfim i guximshëm nuk pyet për leje – ai sfidon tabutë dhe i detyron të gjithë të shohin atë që duan të injorojnë.

Shfaqja është projekt individual nga Valmira Thaqi dhe përkrahet nga Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Kosmonte Food./ KultPlus.com

Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë, hapësira për 400 spektatorë

Pranë Parkut të Liqenit të Tiranës po vijon puna për ndërtimin e Qendrës Kulturore Kombëtare për Fëmijë.

E cilësuar si pol kulturor shumëfunksional për fëmijë, kjo godinë do të ofrojë një sipërfaqe të shfrytëzueshme për aktivitete social-kulturore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna për ndërtimin e Qendrës Kulturore Kombëtare për Fëmijë, e cila sipas tij, “po rilind me një ndërtesë të re me sipërfaqe 6500 m²”.

Rama theksoi se kjo qendër do të mikpresë 400 spektatorë me hapësira të reja të dedikuara jo vetëm për fëmijët.

“Kjo ndërtesë vjen me një koncept të ri të artit ku parashikohen klasa aktrimi, kërcimi, muzike, pikture, si dhe shfaqje në natyrë, me një skenë të hapur drejt Parkut të Madh të Tiranës”, u shpreh Rama.

Qendra do të jetë multifunksionale, duke ofruar hapësirat për aktivitete të ndryshme për fëmijët e grup-moshave 3-12 vjeç.

Kjo qendër do të ketë hapësira të dedikuara edhe për prindërit, që nga ato që ofrojnë lehtësira praktike (ambiente për ruajtjen e sendeve personale apo kënde të posaçme për ushqimin e të vegjëlve), edhe salla takimi apo multifunksionale.

Vendndodhja e kësaj qendre pranë Parkut të Liqenit krijon mundësinë e lidhjes me natyrën, duke organizuar aktivitete brenda e jashtë ndërtesës.

Ndërlidhja e fëmijëve me natyrën është pjesë e rëndësishme për zhvillimin e tyre, por edhe për kulturën e ruajtjes së mjedisit. Ndaj, hapësirat e dedikuara për aktivitetet në natyrë mund të shfrytëzohen për aktivitete të përshtatura agrokulturore, arkeologjike apo dhe artistike.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka inspektuar sot kantierin e Qendrës Kulturore Kombëtare për Fëmijë, ku ka ndjekur nga afër ecurinë e punimeve.

Projekti ka nisur zbatimin në vitin 2023 dhe pritet të përfundojë brenda 2 viteve. Me një vlerë financimi rreth 1 miliard lekë, projekti parashikohet të mbulohet me fondet e buxhetit të shtetit./atsh/KultPlus.com

Maltina Jashari, femra e parë që do të përfaqësojë Kosovën në garën kombëtare të formulës

Maltina Jashari, do të jetë femra e parë që do të përfaqësojë Kosovën në garën kombëtare të formulës.

“Kualifikimi i Kupës së Kombeve në Formula për Femra. Maltina Jashari, është femra e parë që përfaqëson Kosovën në garën kombëtare të formulës. I urojmë suksese në qëllimin e saj”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Baleti “Arrëthyesi” premierë nën dirigjimin e të famshmit Sergio Alapont

Sonte në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit do të shfaqet premiera e produksionit të ri të baletit “Arrëthyesi”. Si rrallëherë më parë, biletat e gjashtë netëve të shfaqjes, u shitën në kohë rekord.

Sipari i 6 netëve mbushur me magji, ngrihet sonte në orën 19:00. Kësaj here, vepra e Çajkovskit do të dirigjohet nga dirigjenti spanjoll Sergio Alapont, i njohur për pasionin, energjinë dhe frymëzimin që sjell në podium.

Alapont është një nga figurat më të shquara të dirigjimit të brezit të tij. Ai ka drejtuar në disa nga teatrot më të famshëm të operës në botë, si Teatro Real në Madrid, Opéra-Théâtre de l’Eurometropole de Metz, Opera National du Rhin dhe Glyndebourne Festival. Gjithashtu, ka debutuar me sukses në Shtetet e Bashkuara duke dirigjuar La Rondine në Minnesota Opera.

Puna e tij përfshin një repertor të pasur operistik dhe simfonik, ku ka bashkëpunuar me disa nga orkestrat më të njohura, si London Philharmonic Orchestra, RTÉ Concert Orchestra, Orchestre National d’Ile de France dhe Arena di Verona. Alapont ka dirigjuar emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtare si Plácido Domingo, Gregory Kunde dhe Anna Pirozzi. Regjistrimet e tij janë publikuar nga labelë prestigjiozë si Universal Music, Signum Classics dhe RAI.

Në vitin 2016, Alapont u nderua me çmimin “Dirigjenti më i mirë” në GBOSCAR – L’Eccellenza dell’Opera për performancat e tij të shkëlqyera të operës “Aida” në Teatro di Sassari./atsh/KultPlus.com

Zemra shokut

Poezi nga Lasgush Poradeci

Të kam shok nga koh’ e vjetër,
Shok prej zemre edhe prej gjaku,
Shok të ri eme besë plaku,
Nuku kam, nuku ke tjetër.

Se ç’do gas e mall të shkretë,
M’i ke thënë emër me emër,
Une i mbylla mun në zemër,
Gjer sa zemra të mos jetë.

Se ti mban në kraharuar,
Shentërinë e një dhurate,
Mban në fund të zemrës sate,
Ç’të kam thënë i llaftaruar.

Ish e bardhë e nuku ishte,
Dredhëri zemra bujare,
Bënte botën ziliqare,
Zemër e bukur shokërishte. / KultPlus.com

Herman Hese: Vetmia është pavarësi

Përgjatë shtegtimit të jetës së tij, Herman Hese ka qenë pareshtur në kërkim të vetvetes, çka e dëshmon jo vetëm krijimtaria letrare, por edhe jeta që bëri. Një nga romancierët e rrallë gjermanë, që lanë gjurmë në shekullin e të 20-të.

Çmimi “Nobel” i letërsisë në vitin 1946, poeti, kritiku, eseisti, shkrimtari, i njohur për theksin në zhvillimin shpirtëror të individit, temat e veprës së Heses reflektohen kryesisht në jetën e tij. Apostull i një kërkimi për veten, i një kërkimi të papranueshëm, që e shtyn të shkëputë gjithfarëlloj lidhjesh, të sfidojë institucionet më të nderuara – traditën, fenë, familjen – për të afirmuar të vetmin ligj që vlen: atë të individit dhe të drejtën për të realizuar dëshirën vetjake. Individi si vlerë përfundimtare. Popullor në kohën e tij në Gjermani, ndikimi i Heses u përhap në mbarë botën gjatë lëvizjes kundërkulturore të viteve 1960, aq sa tashmë është një nga autorët evropianë më të përkthyer të shekullit të 20-të. Deri në vdekjen e tij, më 9 gusht 1962, e kishte për zemër t’iu përgjigjej të gjitha mesazheve që merrte nga e gjithë bota./Konica.al/Të shkruara me dorën e vet ose, drejt fundit, duke ia diktuar përgjigjet Ninon, gruas së tretë, korrespodenca konsiderohet se përfaqëson një vëllim, një të tretën e veprës. Hese e konsideronte si detyrën të tijën, pasi për shumë lexues, ai përfaqësonte një lloj ndërgjegjeje morale që duhej t’i drejtoheshin për këshilla. Ndër titujt e mëdhenj që na la, citojmë “Ujku i stepës”, “Siddharta”, “Endacaku Knulp”, etj.

“Vetmia është pavarësi: e kisha dëshiruar dhe e kisha fituar për shumë vite. Ishte e ftohtë, po e vërtetë, por ishte gjithashtu e heshtur, mrekullisht e heshtur dhe e madhe sa hapësira e ftohtë dhe e qetë në të cilën rrotullohen yjet. 

Shumica e njerëzve, pra e gjithë grigja, nuk e kanë shijuar kurrë vetminë. Po, ata shkëputen një herë nga babai dhe nëna, por vetëm për t’u strukur pranë një gruaje dhe për t’u qetësuar sa më shpejt, në një ngrohtësi dhe lidhje të re. Asnjëherë të jenë vetëm, asnjëherë të flasin me veten”.

Në romanet e Herman Heses, ashtu si në jetë, vetëzbulimi eci në një shtegth të ngushtë, midis njohurive të thella dhe solipsizmit. Është i famshëm si “autori i krizës”, në romanet e tij ai i nënshtrohet vetanalizës për të gjetur identitetin. Pa dyshim, edukimi i autorit pati një ndikim të madh, si në farkëtimin e personalitetit, ashtu edhe në stilin letrar. Nobelisti jetoi nëpër krizat e jashtëzakonshme politike të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, duke i mbijetuar vështirësive të mëdha personale dhe izolimit social. Ndërsa bota ishte në kaos dhe jeta individuale ishte e kërcënuar nga ideologji të ashpra konfliktuale, ishte pothuajse e pamundur për çdo individ, që të ndiqte një jetë kuptimplote drejt realizimit të vetes.

“Kushdo që dëshiron muzikë në vend të zhurmës, gëzim në vend të kënaqësisë, shpirt në vend të arit, punë krijuese në vend të biznesit, pasion në vend të budallallëkut, nuk gjen vend në këtë botën tonë të vogël”./ KultPlus.com

“Sunday Times”: 10 vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri

Plazhe që rivalizojnë vendet fqinje, alpe, lumenj të egër dhe një kryeqytet të gjallë dhe artistik që do t’ju lënë pa frymë në vizitën tuaj të parë në Shqipëri, shkruan Marianna Hunt në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Sunday Times”.

Shqipëria ofron plazhe të stilit Maldivian, male spektakolare dhe një histori magjepsëse.

Mahnituni nga diversiteti dhe bukuria e lumenjve, plazheve, maleve dhe qyteteve të saj!

Më poshtë vijojnë 10 vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri!

1. Ksamili

Për ata që janë të magjepsur nga përshkrimet e Shqipërisë si “Maldivet e Evropës”, ​​Ksamili duhet të jetë vendi i parë për t’u vizituar.

Ky fshat bregdetar ofron plazhe me rërë, si plazhi i Bora Borës dhe Ksamilit – shumë të tjerë janë me guralecë.

Gjithashtu, ndodhen katër ishuj të pabanuar, “Ishujt e Ksamilit”, ku ju mund të notoni ose pedaloni nga plazhi kryesor i Ksamilit.

“Syri i Kaltër” tepër i popullarizuar – është rreth 50 minuta larg me makinë.

Ky burim ka ujëra aq të pastra sa mund t’i shihni deri në 50 metra thellë ose më shumë.

2. Parku Kombëtar i Thethit

Ky park kombëtar ndodhet në rrëzë të Bjeshkëve të Nemuna, të njohura si Alpet Shqiptare, në veri të vendit.

Zona ofron ujëvara, livadhe dhe lugina lumenjsh të rrëmbyeshëm. Është një vend i mrekullueshëm për zbulimin e kafshëve të egra – duke përfshirë dhinë e egër, rrëqebullin, ujqërit dhe arinjtë e murrmë.

Një nga shtigjet më të mira dhe më të lehta është shtegu i Ujëvarës së Thethit, rreth pesë milje.

Për alpinistët, rekomandohet shtegu i Majave të Ballkanit, 119 milje – i cili kalon në Kosovë dhe Mal të Zi.

3.Tirana

Tirana ofron një pamje krejtësisht të re post-komuniste. Ndryshe nga Berlini apo Varshava, ajo është çuditërisht shumëngjyrëshe, me tregje fermerësh, sheshe me gjethe dhe galeri arti.

Është e njohur për ish-bunkerët e saj ushtarakë, të cilët janë shndërruar në sallone picash në modë, atelie artistësh dhe studio piercing.

Në Bllok – mund të rrini në birrari të mëdha artizanale dhe të vizitoni ekspozitat në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Sigurohuni që të hipni në teleferik në Malin e Dajtit për të shijuar pamjen e mrekullueshme mbi qytet.

4. Berati

Qendra e qytetit është listuar në Unesco falë bukurisë dhe historisë. Berati njihet si “qyteti i një mbi një dritareve”.

Shëtitja drejt Kalasë 2500-vjeçare që kurorëzon shkëmbin është e pjerrët, por ia vlen të vizitohet për pamjet që ofron – ndërsa rajoni përreth Beratit është i njohur për verërat e tij.

5. Shkodra

Veriu i thyer i Shqipërisë është i njohur për liqenet dhe malet e tij madhështore. Liqeni i Shkodrës është xhevahiri në kurorën e tij, një zonë e madhe e mbushur me plazhe, manastire dhe fshatra peshkimi.

Në Shkodër, ndodhet një nga Kalatë më të rëndësishme të epokës romake.

6. Saranda

Një nga destinacionet më të njohura bregdetare të Shqipërisë, Saranda ofron një qendër plot gjallëri me shumë restorante dhe bare plazhi.

Perëndimet e diellit me pamje nga deti pranë Kalasë së Lëkurësit janë veçanërisht spektakolare – vetëm 30 minuta larg me makinë deri në Ksamil.

Gjithashtu, vizitoni Butrintin – vendndodhjen arkeologjike më piktoreske të Evropës.

Ndryshe nga sitet arkeologjike në Romë apo Athinë, ky vend i UNESCO-s nuk është i populluar me turistë dhe ju do të keni mundësi të shijoni pamjen mbi një lagunë bregdetare.

7. Parku Kombëtar i Llogorasë

Parku ndodhet midis disa majave malore të vendosura nga fundi verior i Rivierës Shqiptare.

Ju mund të bëni ecje në pyjet e dendura me pisha. Shtegu i Majës së Qorres ofron një ngjitje të ndërlikuar – 6 milje me pamje të mrekullueshme.

Shumica e akomodimeve dhe restoranteve në park janë të vendosura rreth qendrës kryesore të vizitorëve.

8. Gjirokastra

Një tjetër perlë e listuar në Unesco, Gjirokastra me siguri do t’ju magjeps me rreth 600 pallatet e epokës osmane, pazarin e restauruar dhe rrugët me kalldrëm plot me dyqane dhe kafene joshëse.

Ju mund të eksploroni tunelin drithërues të Luftës së Ftohtë ose dëgjoni një nga shfaqjet e rregullta të muzikës popullore shqiptare në “Te Kube”, një hapësirë ​​kulturore, kafene dhe dyqan antik.

9. Kruja

Kruja do t’ju transportojë në një zonë sulltanësh dhe vezirësh me banjat e saj turke, Kalanë mesjetare dhe pazarin e zhurmshëm ku mund të ofrohen qilima dhe fruta të thata.

Kruja ishte kryeqyteti i parë i Shqipërisë dhe ndodhet vetëm një orë larg me makinë në veri të Tiranës.

Vizitoni Muzeun Etnografik dhe zhytuni thellë në folklorin vendas.

10. Durrësi

Qyteti më i lashtë i Shqipërisë, Durrësi ka një histori rreth 3000-vjeçare

Vizitoni Amfiteatrin Romak dhe pallatin e Mbretit Zog, i cili mori pushtetin, u kurorëzua mbret dhe sundoi deri në Luftën e Dytë Botërore.

Ky qytet i madh bregdetar ofron edhe një plazh prej 6 miljesh jashtë qendrës, i cili është i popullarizuar gjatë verës.

Për një vendpushim më të qetë, drejtohuni në veri për në Plazhin e Kallmit, i cili është më i vogël dhe më popullor nga vendasit./atsh/KultPlus.com

“Kosovë, nuk e di a e ke kuptu sa fort të dojna”, përshëndetja e ëmbël e “Shkodrës Elektronike” pas fitores

Pas fitores së edicionit të 63-të të Festivalit të Këngës me këngën e tyre “Zjerm”, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2024, “Shkodra Elektronike” ka përshëndetur Kosovën me fjalë të ëmbla.

“Nuk e di a e ke kuptu sa fort të dojna…, shumë”, janë shprehur ata në video.

Votës përfundimtare iu bashkua 50 % vota e jurisë dhe 50 % vota e publikut e diasporës. Me këtë sistem Shkodra Elektronike grumbulloi 143 pikë në total.

Çmimin e Dytë e rrëmbeu Elvana Gjata me këngën “Karnaval” me 135 pikë. Ndërsa çmimi i tretë iu dha këngëtarit Alis me këngën “Mjegull” duke marrë 59 pikë./KultPlus.com

‘Shkodra Elektronike’ fiton Fest 63, ‘Zjerm’ përfaqëson Shqipërinë në Eurovision   

Shkodra Elektronike fiton edicionin e 63-të të Festivalit të Këngës me këngën e tyre “Zjerm”, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2024. Performanca e Shkodrës Elektronike mori vlerësime të shumta si nga juria dhe nga vota e publikut dhe diaspora.

Votës përfundimtare iu bashkua 50 % vota e jurisë dhe 50 % vota e publikut e diasporës. Me këtë sistem Shkodra Elektronike grumbulloi 143 pikë në total.

Çmimin e Dytë e rrëmbeu Elvana Gjata me këngën “Karnaval” me 135 pikë

Çmimi i tretë iu dha këngëtarit Alis me këngën “Mjegull” duke marrë 59 pikë

/rtsh.al/ KultPlus.com