Mbrëmë, në atmosferën e ngrohtë dhe solemne të katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, sopranoja Arta Jashari mbajti koncert recital. Ky koncert erdhi si një gërshetim i muzikës kishtare dhe klasike si një nismë që shënon fillimin e festive të fundvitit, shkruan KultPlus.
Shoqëruar nga pianisti Andi Duraku dhe trumpetisti Avni Krasniqi, Arta jashari filloi koncertin me një interpretim të veçantë të këngës tradicionale të Krishtlindjeve ‘Adeste Fideles’ të John Francis Wade, performancë kjo që dhuroi për publikun një ndjenjë të thellë spiritualiteti dhe bukurie.
Pas kësaj, programi u pasua me një koleksion të pasur veprash klasike që përcollën ndjesi të ndryshme artistike. “Laudamus” dhe “Alleluia” nga Wolfgang Amadeus Mozart, me ekspresivitetin e jashtëzakonshëm të interpretimit të Jasharit, sollën një dritë të re në audiencë, duke i dhënë shpirt një muzike kishtare, por edhe një freski moderne në interpretim.
Më pas, koncerti vijoi me veprat “Let the Bright Seraphim” të George Frideric Handel, një pasazh melodik dhe virtuoz që e solli audiencën më pranë fuqisë dhe elegancës së muzikës barok. Mbrëmja vazhdoi me veprat “Tis the Last Rose of Summer”, “Nuit d’étoiles” të Claude Debussy dhe “Cantique” nga Nadia Boulanger.
Ndërkaq, e gjithë kjo mbrëmje magjike u përmbyll me këngën ikonike të krishtlindjeve, “Have Yourself a Merry Little Christmas”.
Pas koncertit, sopranoja Arta Jashari tha për KultPlus se ndjehet e lumtur që të gjithë punën e saj e ka përmbyllur këtë vit me këtë koncert recital.
“Jam shumë e lumtur që pas gjithë asaj pune, çdo gjë është përmbyllur me sukses sonte. Unë jam e befasuar që kam pasur kaq shumë njerëz rreth vetes që kanë qenë të gatshëm deri në këtë masë të më ndihmojnë për ta arritur këtë koncert në këtë mënyrë tëv dinjitetshme”, u shpreh Jashari.
“Jam munduar të përzgjedhi vepra të të gjitha epokave, duke nisur nga barokut e deri te Christmas Carols, sepse mendova se me këtë të fundit ja japim edhe një ndjenjë të krishtlindjeve”, tha ndër të tjerash Arta Jashari duke folur për repertorin.
Ju kujtojmë se në këtë koncert, Arta Jashari së bashku me Andi Durakun dhe Avni Krasniqin, krijuan një magji muzikore që ka një ndikim të fortë në shpirtin e secilit që ishte i pranishëm./KultPlus.com
Nën titullin “Hiri yt, burim përjetësie”, Bashkia Pogradec dhe Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci”, organizuan një aktivitet letraro-artistik në kujtim të jetës dhe veprës së poetit të dashurisë, Llazar Gusho (Lasgush Poradeci). Aktiviteti erdhi në prag të 125-vjetorit të lindjes së poetit.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli dhe prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole.
“I jemi mirënjohës për trashëgiminë letrare që ka lënë duke na shtuar arsyet e qenësishme për ta kujtuar gjithmonë nëpërmjet vargjeve të tij dhe si një poet që të shton krenarinë e të qenurit shqiptar”, u shpreh prefekti Jole.
Në veprën e këtij romantiku jetoi gjithmonë brenga atdhetare e mbrojtjes së kombit, dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj që u shqua për ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë poetike./atsh/KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Shkodër ka realizuar kartolinat e fundvitit në një bashkëpunim të veçantë me studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, departamenti i Arteve në Shkodër.
Studentët pjesëmarrës në këtë projekt kanë ndërthurur talentin dhe pasionin e tyre për të sjellë një koleksion unik. Në këtë projekt, artistët e rinj kanë eksploruar dhe interpretuar pasuritë kulturore përmes një lenteje festive, duke krijuar kartolina që reflektojnë bukurinë dhe trashëgiminë tonë kombëtare.
Këto krijime janë realizuar me një qasje të larmishme artistike: disa prej tyre janë konceptuar në formatin digjital, duke kombinuar elementë bashkëkohorë dhe tradicionalë, ndërsa të tjera janë punuar me dorë duke përdorur teknika të sofistikuara si akuareli dhe akriliku. Çdo kartolinë sjell një detaj të veçantë, një histori dhe një ndjesi të ngrohtë festive, duke ruajtur një lidhje të fortë me traditën dhe artin.
DRTK Shkodër thekson se, ky koleksion është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit mes institucioneve dhe artistëve të rinj, duke na kujtuar rëndësinë e promovimit të kulturës përmes krijimtarisë dhe inovacionit./KultPlus.com
Një gjë sa më perfekte që është, aq më shumë ajo ndien dhimbje dhe kënaqësi.
Më të mençurit janë ata që mërziten më së shumti kur e humbasin kohën.
Nuk ka dhimbje më të madhe se sa ta rikujtosh lumturinë në kohën e mjerimit.
Nëse e ndiqni prirjen tuaj natyrore, ju definitivisht do të shkoni në Parajsë.
Dashuron pak ai që mund të numërojë dhe ta thotë me fjalë se sa shumë dashuron.
Vendet më të nxehta në Ferr janë të rezervuara për ata që ruajnë neutralitetin e tyre në momente të një krize të madhe morale.
Zoti është Një; Universi është një mendim i Zotit; Universi është pra Një i tillë. Të gjitha gjërat vijnë nga Zoti. Të gjithë marrin pjesë, pak a shumë, në natyrën hyjnore, në varësi të qëllimit për të cilin janë krijuar. Njeriu është më fisnik nga të gjitha gjërat: Zoti ka derdhur më shumë në të nga natyra e tij sesa te të tjerët. Çdo gjë që vjen nga Zoti priret për përkryerjen e saj për të cilën ai është i aftë. Kapaciteti për përmirësim tek njeriu është i papërcaktuar. Njerëzimi është Një. Zoti nuk bëri asgjë të padobishme; dhe duke qenë se ekziston një njerëzim, duhet të ketë një qëllim të vetëm për të gjithë njerëzit, një punë që duhet të realizohet nga të gjithë ata. Njerëzimi, pra, duhet të punojë së bashku në mënyrë që të gjitha forcat intelektuale të shpërndara në të të marrin zhvillimin më të lartë të mundshëm në sferën e mendimit dhe veprimit. Prandaj, ekziston një fe universale e natyrës njerëzore .
Në origjinën e saj, poezia është shkenca e gjërave njerëzore dhe hyjnore, e kthyer në një imazh fantastik dhe harmonik.
Oh krijesa marrëzie sa injorancë ka në fyerje!
Tri gjëra kanë mbetur nga Parajsa: yjet, lulet dhe fëmijët.
Në botën tonë dy yje i kemi, ne nuk i shohim ata, por e ndiejmë mirë fuqinë e tyre të pamasë.
Haxhi Zekë Byberi i njohur në histori Haxhi Zeka ka qenë ndër organizatorët e Lidhjes së Prizrenit dhe përkrahës i krahut autonomist të saj, drejtues i degës së Pejës në Lidhje, ku u shqua si prijës ushtarak me kontribut në Mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë.
Vite më pas u përpoq të përtërinte të njëjtën frymë lëvizjeje nëpërmjet Lidhjes së Pejës.
Ai lindi më 20 dhjetor në fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës. Familja e tij u shpërngul në Pejë, ata ishin pronarë tokash dhe Haxhiu ishte tejet karizmatik.
Zeka ishte ndër organizatorët të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e vilajeteve shqiptare dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të tyre. Në Kuvendin e parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë, si komandant ushtarak, në krye të forcave të Lidhjes në aksionin e Gjakovës, në shtator 1878 kundër Mehmet Ali Pashës.
Krahas udhëheqësve të tjerë politikë e ushtarakë të Lidhjes luftoi në fund të 1879-ës dhe në fillim të 1880-ës për mbrojtjen e Plavës e Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Komandonte fuqinë e Pejës, ku pranë tij u shqua Çelë Shabani; Haxhiu me të hollat e veta e mbajti ushtrinë gjatë gjithë dimrit. Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së komanduar nga Dervish Pasha.
Së bashku me Sulejman Vokshin dhe Kadri Bajrin, Haxhi Zeka më 1884-1885 udhëhoqi kryengritjet antiosmane të shqiptarëve të Kosovës, që synonin të rimëkëmbnin Lidhjen dhe të vinin në jetë idetë e saj autonomiste. Më 1893 Haxhi Zeka me Bajram Currin organizuan kryengritjen që përfshiu Pejën, Gjakovën e vise të tjera të Kosovës kundër padrejtësive ekonomike e politike të perandorisë.
Pasi autoritetet e shtruan me njësi ushtarake kryengritjen, Haxhi Zeka kërkoi që të dorëzohej vetëm tek sulltani; në dhjetor 1893 u dërgua i shoqëruar në Stamboll, ku u prit miqësisht nga Sulltani. Atje kaloi dy vite mërgim “vullnetar” dhe u kthye më 15 tetor 1895, i pritur me të madhe nga bashkëatdhetarët e tij në Shkup dhe Pejë. Sipas disa burimeve, Haxhi Zeka me pasues të tij shkoi të shërbente në Luftën Greko-Osmane.
Më 1897 kryesoi një kryengritje që nisi në Kosovë. Në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Stambollit të kryesuar nga Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë brenda dhe jashtë atdheut, Haxhi Zeka organizoi më 23-29 janar 1899 në Kuvendin e Pejës ku u mblodhën 450-500 vetë u themelua Lidhja e Pejës dhe u zgjodh kryetar i Komitetit të saj, dhe përfaqësonte programin autonomist të Komitetit të Stambollit. Shumë qytete shqiptare shprehën solidaritet ndaj këtij organizimi.
Në prill-maj 1899 organizoi të parat komitete luftëtarësh të përgatitur në përballimin e grupeve revolucionare bullgare. Këto komitete u përgatitën më pas për kryengritje kundër perandorisë, por u shtruan nga Porta e Lartë.
Vijoi të mbante takime në pjesën veriore të vilajetit të Kosovës, në synim për t’i bashkuar shqiptarët kundër osmanëve dhe fqinjëve. Në shkurt të 1901 në cilësinë e kryetarit të Lidhjes, organizoi një tubim te Tyrbja e Sulltan Muratit në Fushë Kosovë ku u shpreh për shqetësimet e tij për viset shqiptare; duke u bërë kësodore gjithnjë e më shumë armiku kryesor i ambicieve serbe.
Autoritetet serbe i dërguan konsullit të tyre në Prishtinë, Sima Abramoviç, armikun personal të Haxhiut, gjakovarin Mehmed Zaimin. Ky nxiti të birin, kapitenin e zaptijeve Adem Zajmin që ta vriste Haxhi Zekën.
Kjo ndodhi më 21 shkurt 1902 në pazarin Pejë. Haxhiu u varros në varrezat e xhamisë Sulltan Mehmed Fatih në Pejë.
Vrasja e tij bëri të binte në fashë kryengritjet shqiptare që kishin shpërthyer në krejt vilajetin e Kosovës. Dorërasi u vra më 1912 nga autoritetet serbe, pasi kërkoi shpërblimin e premtuar para vrasjes./ KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës, ka njoftuar se më 4 dhe 5 janar të vitit 2025, do të performojë në Berlin të Gjermanisë.
“Baleti Kombëtar i Kosovës, më 4 dhe 5 janar 2025, me ftesë nga festivali “Raven”, do të performojë në Berlin, Gjermani, me shfaqjen “Rebounds A. Basketballet” nën koreografinë e Friederike Lampert”, thuhet në njoftim.
Shfaqjet e BKK në Berlin do të mbahen në teatrin Theater HAU1 – Hebbel Theater./KultPlus.com
Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se Durrësi është qyteti që bën bashkë Kosovën dhe Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në rrjete sociale, Çeku ka shkruar se sot është zyrtarizuar marrëveshja e bashkëpunimit mes dy shteteve tona për organizimin e sportit të lundrimit në këtë qytet.
“Puna jonë e përbashkët është një nga hapat e këtij rrugëtimi, i cili do ta bëjë Kosovën vendin mirëpritës për sportistët e 26 shteteve nga 3 kontinentet e Mesdheut”, ka shkruar ministri Çeku./KultPlus.com
Muzeu Marubi dhe “Gallerie d’Italia”, muzeu i Intesa Sanpaolo-s çelin ekspozitën “Eveningside. Gregory Crewdson”, kuruar nga Jean-Charles Vergne.
Gregory Crewdson (1962, Brooklyn, SHBA) është një fotograf i njohur ndërkombëtarisht dhe nga artistët me më shumë ndikim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Karriera artistike e Gregory Crewdson shtrihet në më shume se tre dekada. Metodologjia e tij e punës, me ekipin e ndriçimit, e ngjashme me realizimin e filmave, kërkon të rrëfejë një histori përmes një imazhi të vetëm që bën bashkë gjuhën e fotografisë dhe të kinemasë, me referenca të fushës së filmit, televizionit dhe formave të tjera vizuale.
Ekspozita që vjen në “Marubi”, prezanton vepra nga tre seritë e krijuara midis viteve 2012 dhe 2022. Ekspozita “Eveningside” fillimisht u prezantua në Torino të Italisë, më pas në Francë e Finlandë dhe tashmë mbërriti në Shkodër. Kjo ekspozitë nxit një dialog ndërkombëtar, që merr shkas nga publikimi i imazheve të jashtëzakonshme të Gregory Crewdson.
Projekti i ekspozitës është realizuar falë mbështetjes së Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./ KultPlus.com
Në fund të seancës së përbashkët mes dy Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës u miratua deklarata e përbashkët të dalë nga seanca mes dy kuvendeve.
Deklarata e përbashkët nis duke e vënë theksin se qëllimi i mbledhjes është koordinimi i axhendës kombëtare për realizmin e objektivave tona strategjike, anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda kësaj dekade, integrimin euroatlantik të Kosovës, anëtarësimin në NATO dhe BE dhe njohjen përfundimtare të Kosovës si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve si dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar për zhvillim, për demokratizim për paqe dhe për siguri në rajon dhe më gjerë.
“Të dy Kuvendet e konfirmojnë nivelin strategjik të bashkëpunimit dypalësh. Në tërësinë e marrëdhënieve që të dy vendet kanë dhe zhvillojnë ën rajon, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës e kanë reciprokisht rëndësinë parësore. Sfidat e Kosovës janë edhe sfidat e Shqipërisë dhe sukseset e Kosovës janë edhe të Shqipërisë dhe anasjelltas. Marrëveshja mes dy Kuvendeve, nënshkruar në shtator të vitit 2022 ka institucionalizuar bashkëpunimin tonë he i ka dhënë dhe një mbështetje të re shtytëse bashkëpunimit mes qeverive dhe institucioneve tona dhe forcimit e komunikimit ndër njerëzor dhe lidhjeve mes qytetarëve të të dyja vendeve”, thuhet në deklaratë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca teksa lexoi deklaratën nënvizoi se mospajtimet kanë qenë të pranishme gjithmonë, por rëndësi ka uniteti dhe ecja përpara.
“Sa i përket kësaj seancë konsideroj që në çdo moment historik dhe të vështirë nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë mospajtimet kanë qenë të pranishëm dhe idetë e kundërta, mendimet e ndryshme etj. Mendime të ndryshme kishte dhe në Lidhjen e Prizrenit kur u mbajt ajo. Studiuesit edhe historianët na i kanë sjellë ato, të gjitha kontradiktat e mundshme dhe të gjitha mospajtimet. Mospajtime kishte dhe në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Kishte nga ata që e kundërshtonin dhe i dimë të gjitha ato dhe pastaj edhe në të gjitha fazat e rëndësishme nëpër të cilat kaloi kombi ynë”, tha ai.
Më tej ai theksoi se “arsyeja pse qëndrojmë këtu dhe më të fuqishëm se kurrë është vetëm një arsye. Arsyeja është se nëpër çdo sfidë dhe kontradiktë nëpër të cilën kemi kaluar ka ngadhënjyer gjithmonë ai opsioni kryesor. Dhe opsioni kryesor është opsioni i unitetit dhe opsioni i progresit, i ecjes përpara. Dhe kjo është ajo që na ka sjellë këtu dhe na ka bërë fitimtarë në çdo udhëkryq nëpër të cilin kemi kaluar dhe kështu mendoj do të jetë gjithmonë me kombin shqiptar”./ KultPlus.com
Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura, t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj, t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet, t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara; ta di gjakun që të vlon në gji, dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta e të shpërthej do si vullkan:- më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë. Unë biri yt./ KultPlus.com
Galeria Kombëtare e Arteve çeli ditën e djeshme ekspozitën “Bashkëbisedim me mjeshtrat”, në galerinë e artit FAB.
Ekspozita, e mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka si qëllim të thellojë lidhjen ndërmjet studentëve të arteve dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, duke i futur ata në thellësi të veprës së artit të traditës dhe bashkohësisë shqiptare.
Kuratore e ekspozitës është Merita Selimi dhe drejtuese e projektit, Anisa Skënderi.
Një aspekt thelbësor i këtij projekti është ndihma në zhvillimin e një dialogu të hapur mes studentëve dhe veprave të artit, ku ata do të kenë mundësinë të analizojnë, interpretojnë dhe reflektojnë mbi tematikën dhe teknikat e përdorura në krijimin e këtyre veprave. Ky proces do të përfshijë jo vetëm analizën vizuale të veprave të artit, por gjithashtu një përpjekje për të kuptuar mesazhin e thellë që ato përçojnë, dhe si kjo lidhje mund të aplikohet në krijimtarinë e studentëve.
Përmes praktikës së punës direkte me veprat e artit, studentët do të njihen me metodën e krijimit të telajos, gruntit dhe ngjyrave, si dhe me teknikat e vlerësimit dhe ruajtjes së veprave, një aspekt shumë i rëndësishëm në krijimin dhe konservimin e artit. Për më tepër, ata do të zhvillojnë një kuptim më të thellë mbi aspektet e mjeshtërisë dhe teknologjisë së përdorur nga autorët e veprave të përzgjedhura, duke zbuluar se si çdo artist përdor mjete dhe teknika të ndryshme për të shprehur idetë dhe emocionet e tij.
Studentët do të kenë mundësinë të vlerësojnë sesi veprat e artit lidhen me njëra-tjetrën, brenda një hapësire të caktuar, siç është galeria FAB, dhe si mund të krijohet një përvojë koherente për spektatorët, duke ruajtur lidhjen emocionale dhe konceptuale të ekspozitës.
Edhe pse Galeria Kombëtare e Arteve ka kaluar në një fazë rikonstruksioni të ambienteve të saj dhe ekspozimi i veprave nuk është i hapur për publikun si dikur, ky projekt synon të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi dhe ndërveprimi me institucione të tjera të kulturës dhe arsimit, duke krijuar një hapësirë për rinovimin e energjive kreative të studentëve të arteve dhe mbështetje për zhvillimin e tyre profesional.
Ekspozitë e Galerisë Kombëtare të Arteve. Fotot nga Agim Dobi/ KultPlus.com
Mendime mbi librin me tregime “Shtegu i të verbërve” të shkrimtarit Ndue Ukaj botuar nga Shtëpia Botuese “Onufri”
Libri me tregime “Shtegu i të Verbërve” nuk është thjesht një përmbledhje tregimesh interesante, por një dimension i thellë i letërsisë shqiptare bashkëkohore. Ndue Ukaj sjell një kombinim të shqetësimeve sociale, narracionit filozofik dhe simbolikës ekzistenciale, duke ofruar një perspektivë unike mbi individin që përballet me sfidat morale dhe strukturat shtypëse të pushtetit. Kjo vepër shpalos një botë ku humnerat e mjegullta të ndjenjave njerëzore, të shoqëruara nga dilemat ekzistenciale, e sfidojnë lexuesin të ndalet dhe të reflektojë mbi pozitën e tij në shoqëri.
Gjergj Anton Filipaj
Kur një vepër letrare arrin të reflektojë jo vetëm të kaluarën dhe të tashmen, por edhe të ardhmen, ajo shndërrohet në një pasqyrë ku analizohen marrëdhëniet midis individit dhe turmës, pushtetit, autoritarizmit dhe elementëve të tjerë që përbëjnë shtypjen shoqërore. Libri me tregime “Shtegu i të verbërve” i autorit Ndue Ukaj është një pasqyrë e tillë ku ilustrohet marrëdhëna e njeriut me autoritarizmin, pushtetin, gjithnjë duke e ruajtur distancën e mendimit të pavarur. Tema si mjegulla, dhuna, turmat dhe lidhja e individit me pushtetin trajtohen në mënyrë universale, duke bërë këtë libër një kontribut të çmuar në letërsinë moderne shqiptare.
Ndue Ukaj ka arritur të krijojë një mozaik të fuqishëm tregimesh, ku proza ndërthuret mjeshtërisht midis simbolikës dhe narrativës, duke e pasuruar atë me thellësi filozofike dhe emocionale. Përmes errësirës që mbizotëron në tregimet e tija, Ukaj rrëfen se shpresa mbetet gjithmonë një fije delikate që nuk këputet kurrë. “Shtegu i të verbërve” e fton lexuesin ta shqyrtoj kuptimin e verbërisë, jo vetëm si një paaftësi fizike, por si gjendje mendore dhe shpirtërore që flen në një krevat me frikën, manipulimin, dhe mungesën e guximit për të parë drejt të vërtetën.
Në tregimin “Shtegu i të verbërve” qe e mban titullin e librit, mjegulla përdoret si metaforë e paqartësisë dhe amullisë së një shoqërie të paralizuar nga frika dhe e pavërteta. Përmes përshkrimeve të një qyteti të murmë, ku banorët jetojnë të izoluar dhe të paaftë për të dalluar drejtimin e duhur, Ukaj e paraqet dilemën e natyrës njerëzore, atë të përballjes së individit me të vërtetën dhe përgjegjësinë e tij personale. Mjegulla te ky tregim nuk është vetëm një pengesë fizike, por simbol i ikjes nga përgjegjësia dhe veprimi. Turma, e portretizuar si një masë e verbër që ndjek një prijës pa ditur cakun e udhëtimit, nxjerr në pah sesi njeriu është i prirë të sakrifikojë individualitetin për një iluzion sigurie kolektive. Ky tension midis turmës dhe individit përbën shpirtin filozofik të librit.
Një nga aspektet më të fuqishme të tregimeve të Ukajt është trajtimi i marrëdhënies midis individit dhe pushtetit. Prijësi, që simbolizon një figurë tiranike dhe të vetëkënaqur, nga Ukaj është portretizuar si një qenie e konsumuar nga lavdia e vet. Autori e përshkruan me mjeshtëri rrugëtimin e liderit nga një njeri i zakonshëm, i ndjekur nga ambicia, në një figurë të konsumuar nga lavdia mashtruese. Në tregimet e Ukajt prijësi nuk është vetëm një tiran, por edhe një viktimë e strukturës që ka krijuar vetë. Ai është një shembull i fuqisë që humbet kuptimin kur e pren fijen që e mban lidhjen me humanizmin dhe arsyen. Ukaj po ashtu e ndërton një tension të vazhdueshëm midis ndjekësve dhe liderit, duke theksuar kotësinë e ndjekjes verbale dhe humbjen e identitetit individual brenda masës. Pyetja “Ku po shkojmë?” e shtuar disa herë në tregim, e nxjerr në pah një nga temat kyçe të veprës, atë që autori e shikon si paaftësi të pushtetit për të ndaluar forcën e rrjedhës që ka krijuar vetë.
Tregimi “Njeriu që fjeti me dritë të ndezur” është një portret i dhimbshëm i personit të thyer nga dhuna, që mbart plagët e përjetshme të një kohe represioni. Përmes jetës së Tanush Lekës, autori Ukaj lexuesin e dërgon në një botë ku drita dhe errësira ndërthuren si simbole të shpresës dhe traumës. Errësira, dikur pjesë natyrale e jetës, bëhet për Tanushin një kujtesë e gjallë e dhunës dhe poshtërimit. Në këtë errësirë, ai përjeton izolimin dhe humbjen e kontrollit, duke u ndarë dhunshëm nga bota njerëzore. Vendimi për të fjetur me dritë të ndezur nuk është thjesht një përpjekje për të sfiduar terrin, por një përkujtim i vazhdueshëm i dritës si mburojë ndaj kujtimeve që e ndjekin Tanushin. Ky tregim i Ukajt e përshkruan rezistencën e heshtur të një individi që i përkushtohet artit për të përballuar një realitet të dhunshëm. Plot melankoli, fati i Tanushit e përçon zërin e një kohe plot dhunë që nuk shuhet kurrë nga kujtesa.
Tregimi “Mundimet e Martirëve të Karadakut” është një rrëfim i një kohe të humbur, ku burrat dhe gratë e Stubllës luftonin për të ruajtur identitetin e tyre në një botë që kërkonte t’i zhdukte ata. Nën hijen e Maleve të Sharrit, ata jetonin një jetë të dyfishtë: ditën si myslimanë, natën si katolikë, një ekzistencë e fshehtë laramane që i gërryente nga brenda. Kur dëgjuan për një ferman që u premtonte liri fetare, shpresa u kthye si një rreze drite në terrin e tyre të përhershëm. Me guxim të jashtëzakonshëm, ata i shpallën beut të Gjilanit vendosmërinë e tyre për të jetuar si shqiptarë katolikë. Por për këtë akt, ata përballuan tortura, internime dhe një udhëtim të pafund drejt fushave të Anadollit, ku u përpoqën t’i nënshtroheshin një jete të re. Megjithatë, ëndrra për t’u kthyer në atdhe mbeti e pashuar. Pas dy vitesh vuajtjeje, ata u kthyen në Stubëll, duke përqafuar lirinë dhe ringjallur shpresën në një vend të mbushur me dhimbje, por edhe me dritë të pafundme.
Përmes një gjuhe të fuqishme dhe të narrativit të ndërtuar me saktësi, Ukaj krijon një botë ku çdo detaj ka rëndësi dhe ku lexuesi nuk mund të qëndrojë indiferent.
Libri me 15 tregime “Shtegu i të verbërve” është një reflektim mbi marrëdhëniet njerëzore me pushtetin, frikën dhe përgjegjësinë. Ndue Ukaj ka krijuar një vepër që sfidon lexuesin të mendojë përtej të zakonshmes dhe të shqyrtojë pyetjet e mëdha të ekzistencës. Duke kombinuar elemente simbolike dhe narrative me thellësi filozofike, libri përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në letërsinë shqiptare dhe e sfidon lexuesin të njohë dhe të sfidojë verbërinë, si atë individuale, ashtu edhe atë kolektive. Proza poetike dhe përshkrimet e gjalla të Ndue Ukajt krijojnë një atmosferë të ngjeshur me emocion dhe tension, ku edhepse mbizotëron errësira, gjithmonë ekziston një mundësi për dritë dhe zgjim. “Shtegu i të verbërve” është një vepër që nuk lexohet thjesht për kënaqësi, por që përjetohet si udhëtim brenda vetes, dhe një reflektim mbi shoqërinë tonë. Është një libër që qëndron gjatë në mendje, duke ftuar lexuesin në një dialog të vazhdueshëm me veten dhe botën që e rrethon.
Tregimet e Ndue Ukajt janë një ftesë për të reflektuar mbi gjendjen njerëzore, për të analizuar strukturat që e rrethojnë individin, për të eksploruar dimensionet e fshehura të shpirtit. Këto tregime tregojnë se letërsia, përveçse një akt krijues, është edhe një formë rezistence, hapësirë ku njeriu mund të kërkojë lirinë dhe të vërtetën.
Proza poetike dhe përshkrimet e gjalla te libri me tregime “Shtegu i të verbërve” krijojnë një atmosferë të ngjeshur me emocion dhe tension, ku edhepse mbizotëron errësira, gjithmonë ekziston një mundësi për dritë dhe zgjim./ KultPlus.com
Në Akademinë e Shkencave u mblodh Komisioni i Përhershëm i Historisë ku u diskutua për projektin e strategjisë së kërkimit shkencor të Institutit të Historisë dhe aktivitetet e vitit 2025.
Morën pjesë prof. Paskal Milo, kryetar i këtij komisioni, akad. Marenglen Verli, prof. Kaliopi Naska, prof. Bernard Zotaj, prof. Redion Luli, prof. Andi Rëmbeci, prof. Petrit Nathanaili, prof. Ferid Hudhri, prof. Ermal Baze dhe prof. Arben Cici.
Prof. Paskal Milo theksoi rëndësinë e diskutimit të strategjisë dhe e konsideroi atë si një çështje të rëndësishme për zhvillimin e kërkimit shkencor.
Ai u shpreh se dokumenti duhet të njihet paraprakisht, që të finalizohet strategjia pas shqyrtimit në Këshillin Shkencor dhe më pas dokumenti të shpërndahet për shqyrtim, e në mbledhjen tjetër të komisionit të diskutohet. Mbledhja e ardhshme pritet të zhvillohet në periudhën 10-15 janar 2024.
Prof. Paskal Milo tha se ASHSH-ja do të miratojë një strategji të përbashkët për të gjitha institutet dhe mendimet e dhëna do të përmblidhen në një dokument që do t’i dërgohet qeverisë. Si përfundim prof. Milo u shpreh se mendimet dhe propozimet duhet të reflektojnë vullnetin e shumicës.
Më pas u diskutua për aktivitetet që mund të përfshihen në planin e punës së Komisionit të historisë për vitin 2025, si konferenca dhe tryeza shkencore.
Prof. Ferid Hudhri propozoi një seminar për çështje të diskutueshme, jo vetëm nga këndvështrimi i historisë, por edhe të historiografisë, për të nxitur një mjedis intelektual historiografik.
Prof. Hamit Kaba e vuri theksin te nevoja për bashkëpunim dhe koordinim mes anëtarëve të komisionit dhe Institutit të Historisë për të përmirësuar marrëdhëniet dhe ndikimin në mjedisin shkencor.
Prof. Marenglen Verli tha se, pas shqyrtimit të propozimeve, komisioni duhet të përzgjedhë aktivitetet, dhe ASHSH-ja duhet të angazhojë specialistë për aktivitete të caktuara. Ndërsa prof. Bernard Zotaj theksoi se ASHSH-ja, si një institucion shkencor, duhet të dalë me përfundime të qarta për ngjarje të caktuara në histori. Prof. Arben Cici trajtoi çështjen e lëndës së historisë në shkollat e mesme dhe propozoi organizimin e një tryeze për këtë temë./ KultPlus.com
Burrat e martuar të pickojnë ku duhet Të provokojnë, me buzët e tyre të forta Të përkthejnë në gjuhën që e kupton trupi i tyre.
Burrat e martuar të shkruajnë orëve të vona Duan mish, gjak, premtime, fshehtësia është pjata e tyre e preferuar Janë ata Shkolla më e suksesshme e ledhatimeve.
Burrat e martuar kanë duar delikate Vishen zotërueshëm, lëngun e gojës si kripa e përzier me dëshirë Dalldisen poshtë këmbëve tona të depiluara.
Burrat e martuar përplasen në kisha, në xhamia Recitojnë Kuranin, dëgjojnë hytben, këndojnë Santa Luçia Më pas vijnë dhe na adhurojnë kofshët Duart, hapësirën brenda veshëve, qafën, sqetullat Vetullat, gjinjtë, kilogramët, na pijnë vajin e flokëve.
Burrat e martuar gënjejnë proporcionalisht Kanë fëmijë, të flasin edhe ty sikur një fëmije Shtrëngojnë kravatat, kanë muskulaturë perfekte.
Burrat e martuar e zgjasin më shumë Puthjen, paralojën, përgjigjjen peng nën qiellëz Të përthekojnë, të copëtojnë Si qindra enë të thyera në kuzhinë.
Burrat e martuar janë si fëmijët e adoptuar Të humbur, mashtrohen me pak, në pritje të telefonatës biologjike Të dëmtuar, si ndërtesa luftërash, shemben prej plasaritjes më të cipur.
Burrat e martuar defilojnë, normalisht, burrërinë Mustaqet e tyre na fërkojnë egon Shpërfaqen të pazakontë, i shtrëngojmë si kartolinat që rrezikohen të zhduken Na duan, nga larg rrugën e prejnë për neve Neve që nuk jemi të martuar me ta.
Burrat e martuar janë inxhinierë Na joshin në laboratore, na penetrojnë duke buzëqeshur Llogarisin kaloritë, degustojnë verën e kuqe, gjunjëzohen për një gjoks si i yni.
Burrat e martuar, me raste dashurojnë Pështyjnë mbi neve me guximin e një diktatori Zhurmojnë shumë, janë të bezdisshëm Si foshnjet e zbehta.
Burrat e martuar bartin mbi supe faje Ne vdesim t`i shërojmë duke lëpirë zemrat e tyre Zemra të turbullta si reparte spitalesh.
Burrat e martuar dashurojnë gratë e tyre Tutje 20 gra tjera dhe shpesh ndonjë gjini tjetër Studimet, raportet, të gjitha e konfirmojnë Gjithçka e bëjnë mistershëm, edhe jargavitjen Edhe seksin që qetësohet si frymëmarrje e përhumbur.
Burrat e martuar janë si tul buke Të trashë, lehtë të shfryrë, të pompuar prej dëshirës për t`u ngrënë Kafshojnë të pasmet tona si lepuj të uritur I duam të pangopur, papritur./ KultPlus.com
Në samitin e Këshillit Europian në Bruksel ku ishte i ftuar, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski bëri thirrje për njehsim të qëndrimeve për Ukrainën mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, tani që rizgjedhja president e Donald Trump-it ka thelluar ndasitë mes aleatëve për këtë çështje.
“Vetëm së bashku, Shtetet e Bashkuara dhe Europa mund ta ndalin Putin-in dhe të ruajnë Ukrainën”.
Me forcimin e pozitave të rusëve në terren, e duke besuar se me Trump-in mund të arrijë një marrëveshje më të favorshme, presidenti rus Vladimir Putin tha në takimin e fundvitit me gazetarët në Moskë se është gati të bisedojë për fundin e luftës në Ukrainë me presidentin e zgjedhur amerikan.
Putin sfidoi amerikanët të venë në provë se aftësinë e sistemeve e tyre më të sofistikuara anti-raketë përballë raketave ruse Oreshnik.
“Të zgjedhin një objekt, le të themi në Kiev, të vendosin mbrojtjen e tyre ajrore atje dhe ne të godasim me raketa Oreshnik dhe të shohim çdo ndodhë”.
Për rënien e regjimit të Assad-it, Putin tha se rusët nuk kanë humbur në Siri dhe se udhëheqësve të rinj të Damaskut u ka propozuar që të lejojnë qëndrimin e bazave ushtarake të Rusisë. Shefi i Kremlinit dënoi marrjen nën kontroll të territoreve të demilitarizuara në lartësitë Golan nga Izraeli./ KultPlus.com
Mbrëmjen e të enjtes mori jetë nata e parë e Festivalit të 63 të këngës (Fest 63) në Pallatin e Kongreseve.
Mbrëmja e parë mori udhë me këngën “Fëmija e parë” një këngë e gdhendur në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare, e cila është kënduar nga Vaçe Zela, dhe është risjellë nga Drejtoresha Artistike e Fest 63, Elhaida Dani, e cila shoqërohej nga një grup fëmijësh.
Në natën e parë kënduan 15 këngëtarë në garë, të cilët interpretuan live në skenën eFest 63, me skenografi të Albi Çifligut, shoqëruar nga Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar.
Moderatorët e edicionit të 63-të të Festivalit të Këngës ishin Ornela Bregu dhe Enkel Demi.
Slimane, këngëtari i famshëm francez, ishte i ftuar special në natën e parë të Fest 63. Ai përfaqësoi Francën në Eurovizion 2024 me këngën e tij “Mon Amour”, një hit që pas suksesit në Eurovizion bëri jehonë ndërkombëtare.
Orkestra u drejtua nga disa prej emrave më të njohur të muzikës në fushën e dirizhimit si: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Markeljan Kapedani, Oleg Arapi, Olsi Qinami, Armando Broshka dhe Lirjona Sylejmani. Ndërsa bendi u drejtua nga kantautori Elton Deda.
Këngëtarët në garë në natën e parë të Fest 63 1-Orgesa Zaimi 2-Erma Mici 3-Luna Çausholli 4-Ronaldo Mesuli 5-Mihallaq Andrea 6-Kejsi Jazxhi 7-Lorenc Hasrama 8-Jet 9-Djemtë e Detit 10-Nita Latifi 11-Martina Serreqi 12-Alis 13-Shkodra Elektronike 14-Kleansa Susaj 15-Ardit Çuni
Juria e festivalit Kryetare e jurisë Zana Çela Alma Bektashi Ylljet Aliçka Merita Rexha Tërshana, Florent Boshnjaku, Jonida Maliqi, Ramona Tullumani
Nata e parë e Festivalit të 63 të këngës, Foto: Agim Dobi/atsh/ KultPlus.com
Bayer Leverkuseni i është kthyer garës për titull. Kjo falë Granit Xhakës. Organizatori i lojës po shkëlqen sërish, sepse trajneri Xabi Alonso e ka gjetur një qasje të re taktike dhe ideale për lojën e futbollistit të Zvicrës.
Pas fazës së parë të edicionit që është karakterizuar me disa ngecje të vogla por me ndikim, Bayer Leverkuseni e ka gjetur formën e mirë në muajin nëntor. Fitoi të gjitha shtatë ndeshjet e fundit. Leverkuseni fitoi edhe ndaj skuadrave shumë të forta, 1:0 ndaj Bayern Munichut në Kupën e Gjermanisë dhe 1:0 në Ligën e Kampionëve ndaj Interit. Xabi Alonso ka gjetur mënyrë të re të lojës, që është dyfish e suksesshme.
Qasja e lojës me më shumë durim, por jo me më pak agresivitet në sulm e në mbrojtje, ka bërë që Leverkuseni të shfaqë kualitet ndryshe. Leverkuseni nuk dëshiron që të ngutet e të bëjë lojë dominuese. Por, po bën më shumë kundërsulme dhe në pjesën më të madhe të lojës po luan prapa, qëllimisht. Granit Xhaka, Florian Wirtz e të tjerët po e presin momentin e duhur për ta shfaqur fuqinë që posedojnë.
Dobësitë që i ka shfaqur Leverkuseni në mbrojtje në fazën e parë të sezonit, për shembull në humbjen 3:2 nga Leipzigu dhe në fitoren 4:3 ndaj Wolfsburgut, i takojnë të kaluarës.
Kjo është mirë për kampionin sepse përmirësimi në aspektin defensiv e ndihmon edhe “shefin” në fushë, Granit Xhakën, për ta përmbushur në mënyrë të jashtëzakonshme rolin e mesfushorit defensiv, me efikasitetin më të lartë.
Kapiteni i Zvicrës ishte në formë të përkryer në shtatë fitoret e arritura, pasi ai mund t’i përdorë aftësitë strategjike të jashtëzakonshme kur ndeshja nuk del jashtë kontrollit, kur repartet nuk janë shumë larg njëra-tjetrës dhe kur aspekti taktik nuk lejon vrapime të gjata. Sepse është shumë e vështirë të ndiqen kundërshtarët në hapësira të mëdha kur humbet topi.
Xhaka nuk njihet si vrapues i shpejtë. Ai është dalluar te Leverkuseni për shkak të kontrollit të lojës, siç e kishte përdorur trurin në qendër të mesfushës kundër Interit, ndërsa kishte rol edhe në golin e epërsisë 1:0 në fitoren 2:0 ndaj Augsburgut me pasimin për Jeremie Frimpongun. Në të dyja ndeshjet Xhaka ishte emëruar lojtar i ndeshjes.
Vetëm Kimmich ka luajtur më shumë në pozitën e numrit gjashtë
Xhaka, i cili nuk dukej mendërisht i freskët në fazën e parë të edicionit aktual pas sezonit të ngarkuar që u vazhdua me Kampionatin Evropian. Ai kishte edhe lëndime. Por, tani është “shefi” i fushës. Është ai që e vendos ritmin e lojës kur Leverkuseni e ka topin, falë inteligjencës dhe aftësive që posedon.
Trajneri Alonso gjithmonë llogarit në Xhakën, i cili ka zhvilluar 24 ndeshje në të gjitha garat për Leverkusenin.
Me 1,994 minuta lojë, është i katërti në këtë statistikë në Bundesligë.
Vetëm bashkëlojtarët e tij, Jonathan Tah me 2,120 minuta dhe Edmond Tapsoba me 2,083 minuta, të cilët luajnë si mbrojtës dhe nuk u kërkohet të vrapojnë aq sa vrapon numri gjashtë, si dhe mesfushori i Bayern Munichut, Joshua Kimmich me 2,070 minuta, kanë luajtur më shumë.
Te skuadra e Leverkusenit, në pozitën e numrit gjashtë ka edhe disa lojtarë tjerë dhe konkurrenca është e madhe.
Kampioni i Botës me Argjentinën, Exequiel Palacios, që u lëndua në fillim të edicionit, Robert Andrich i Gjermanisë dhe spanjoll Aleix Garcia, garojnë për pozitat në qendër të mesfushës vazhdimisht.
Por është Xhaka që vlerësohet si dora e zgjatur e trajnerit Xabi Alonso.
Minutat të cilat nuk i ka zhvilluar Xhaka, tregojnë qartë se sa i rëndësishëm është ai për trajnerin e tij.
Alonso e ka zëvendësuar Xhakën dy herë, kur rezultati ishte 3:0 në Kupë në fitoren ndaj Elversbergut, dhe në fitoren në Rotterdam ndaj Feyenoordit 4:0 në Ligën e Kampionëve.
Kur Xhaka nuk startoi, Leverkuseni ngeci
Xhaka duket i domosdoshëm për Xabi Alonson. Spanjolli nuk e kishte futur dy herë në formacionin titullar dhe loja e Leverkusenit nuk dha fryte, në dy raste. Në fitoren 1:0 në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë kundër Jenas së kategorisë së katërt të futbollit gjerman, Xabi Alonso e futi numrin 34 në pjesën e dytë për ta stabilizuar lojën e Leverkusenit, njësoj siç kishte bërë në barazimin 1:1 në Ligën e Kampionëve ndaj Brestit.
Nga pikëpamja e trajnerit, gjërat nuk funksionojnë mirë pa njeriun që i jep shpirt ekipit. Dhe me të në fushë, gjërat po shkojnë shumë mirë për Leverkusenin, pasi korrigjimet e spanjollit kanë krijuar kushtet që Xhaka të shfaqë më shumë aftësi sesa dobësi./ KultPlus.com
Cinismi është një shkollë filozofike që sfidonte vlerat tradicionale dhe teprimet e shoqërisë. Filozofët cinikë shihnin qentë si modele për t’u ndjekur, pasi këto kafshë jetojnë të lira, pa u shqetësuar për opinionet e të tjerëve. Ndryshe nga kuptimi bashkëkohor i termit “cinik” – shpesh i lidhur me mosbesim dhe qëndrime negative – cinizmi i lashtë ishte një filozofi që promovonte jetën e thjeshtë dhe refuzimin e luksit.
Origjina dhe kuptimi i cinizmit
Fjala “cinik” vjen nga greqishtja “kynikós,” që do të thotë “qenor,” e cila rrjedh nga “kynós” (qen). Kjo lidhje nuk ishte vetëm simbolike; cinikët ndiqnin të jetuarit e qenve: jetonin pa turp, të pavarur nga normat shoqërore dhe duke përmbushur nevojat bazë të tyre.
Kjo filozofi lindi në Greqinë e lashtë me Antistenin, dishepull i Sokratit, dhe u zhvillua më tej nga Diogjeni i Sinopës. Të dy këta mendimtarë sollën një perspektivë radikale, duke promovuar lirinë nga materializmi dhe kthimin tek natyra.
Filozofia e cinizmit: Një udhërrëfyes për jetën
Cinizmi lindi në kohën e ndryshimeve shoqërore dhe politike, kur Greqia po humbiste demokracinë e saj të lashtë, nën sundimin e Aleksandrit të Madh. Me përmbysjen e vlerave tradicionale, filozofia u përqendrua në individin dhe jetën e tij personale, duke e ndarë etikën nga politika.
Cinikët sfidonin çdo normë shoqërore dhe përçmonin njerëzit që ndjekin luksin apo jetojnë në tepri. Ata besonin se:
Lumturia është thjeshtësi: Një jetë e lirë nga pasuritë materiale dhe lidhjet e panevojshme sjell lirinë e vërtetë.
Liria vjen nga natyra: Bindja ndaj ligjeve të natyrës, jo ndaj konventave shoqërore, është çelësi për një jetë të lirë.
Vetëmjaftueshmëria është virtyt: Të kënaqesh me pak dhe të jesh i pavarur nga gjërat e jashtme është e rëndësishme për të patur një karakter të fortë.
Karakteristikat
Askesa: Cinikët praktikonin një formë të përditshme të vetëpërmbajtjes, duke e mësuar veten të përballonin vuajtjet dhe vështirësitë.
Apatia: Ata promovonin një qëndrim të pandikuar nga emocionet ose pasionet, për të mos u tunduar nga dëshirat për gjëra të panevojshme.
Autarkia: Jetesa e pavarur, pa mbështetje te të tjerët apo në tepricat materiale, ishte një nga idealet e tyre.
Skllavëria e luksit: Cinikët e konsideronin luksin dhe kënaqësinë si burime skllavërimi për njeriun.
Kritika ndaj shoqërisë: Përmes veprimeve dhe fjalëve të tyre provokuese, cinikët përpiqeshin të zgjonin ndërgjegjen shoqërore.
Përfaqësuesit kryesorë
Antisteni (445-365 p.e.s.): Themeluesi i filozofisë cinike, i frymëzuar nga Sokrati, e konsideronte virtytin si qëllimin më të lartë të jetës. Ai predikonte thjeshtësinë dhe vetë-mjaftueshmërinë.
Diogjeni i Sinopës (400-323 p.e.s.): Figura më e njohur e cinizmit. Ai jetonte në një fuçi dhe refuzonte çdo normë shoqërore, duke u bërë simbol i jetës së thjeshtë dhe të lirë. Me ironinë dhe veprimet e tij provokuese, ai sfidonte moralin e kohës së tij.
Kratesi i Tebës (365-285 p.e.s.): Edhe pse vinte nga një familje e pasur, ai hoqi dorë nga të gjitha pasuritë për t’iu përkushtuar filozofisë cinike, duke promovuar një jetë të bazuar në virtyt dhe thjeshtësi.
Hiparkia e Maroneas (350-280 p.e.s.): Një nga filozofet e para gra, ajo përqafoi filozofinë cinike dhe jetoi një jetë të pavarur, duke sfiduar rolet tradicionale gjinore të kohës.
Cinizmi në botën e sotme
Në ditët e sotme, termi “cinik” ka marrë një kuptim negativ, duke iu referuar shpesh qëndrimeve mosbesuese, ironike dhe të pamëshirshme ndaj vlerave të të tjerëve. Cinikët modernë shpesh kritikojnë normat shoqërore me një dozë të lartë sarkazme dhe provokimi.
Megjithatë, disa aspekte të cinizmit filozofik kanë një rezonancë të fortë edhe sot. Kritikimi i luksit, vetë-mjaftueshmëria dhe thirrja për të jetuar në harmoni me natyrën janë tema aktuale në një botë të mbushur me konsumizëm dhe ndotje.
Cinizmi filozofik ishte një shkollë mendimi që sfidonte status quo-në, duke inkurajuar një jetë të lirë nga materializmi dhe normat shoqërore. / bota.al/ KultPlus.com
Atmosfera festive e krijuar në kryeqytet në sheshin “Skënderbej” ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të huajve.
Media prestigjioze “Reuters” i ka bërë jehonë pamjes magjepsëse që ofron qyteti gjatë orëve të mbrëmjes, ku pemët e Krishtlindjes dhe ndriçimi i vendit të jep një ngrohtësi të ëmbël.
“Një pamje me dron të tregut të Krishtlindjeve në sheshin “Skënderbej” në Tiranë 18 dhjetor, 2024”, shkruhej poshtë postimit të bërë nga media prestigjioze./ KultPlus.com
Sot mbahet seanca e përbashkët plenare mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në këtë mbledhje e cila është paraparë që të nis nga ora 10:00, do të marrin pjesë të gjithë drejtuesit grupeve parlamentare pozitë-opozitë të të dyja vendeve.
Pikat e seancës:
Arritja në Sallën e Seancave Plenare të Kuvendit të Kosovës
Hapja e aktivitetit me ekzekutimin e Himneve Kombëtar
Fillon Seanca e përbashkët plenare në Kuvendin e Kosovës
Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës (10 min)
Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (10 min) Mesila Doda, Kryetare e Grupit Parlamentar Demokraci dhe Integrim, Kuvendi i Shqipërisë (3 min)
Besnik Tahiri, Kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kuvendi i Kosovës (3 min)
Fatmir Mediu Anetar i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim, Kuvendi i Shqipërisë (3 min)
Enis Kervan, Kryetar i Grupit Parlamentar Multietnik, Kuvendi i Kosovës (3 min)
Arben Gashi, Kryetar i i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kuvendi i Kosovës (3 min)
Gazment Bardhi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë (5 min)
Abelard Tahiri, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Kuvendi i Kosovës (5 min)
Niko Peleshi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Kuvendi i Shqipërisë (5 min)
Mimoza Kusari-Lila, Kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Kuvendi i Kosovës (5 min)
Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë (10 min)
Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës (10 min)
Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor promovon ndjenjën e humanizmit të përbashkët dhe inkurajon individët, komunitetet dhe kombet që të bashkohen për trajtimin e çështjeve urgjente globale.
Ajo thekson besimin se veprimet tona kolektive mund të kenë një ndikim pozitiv në botë.
Kjo ditë festohet çdo vit më 20 dhjetor, për të reflektuar mbi rëndësinë e solidaritetit dhe për të ndërmarrë veprime konkrete për të mbështetur personat në nevojë dhe për të kontribuar për një botë më të barabartë.
Festimi i kësaj dite përfshin angazhimin në aktivitete që promovojnë unitetin, ndjeshmërinë dhe bashkëpunimin.
Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor u krijua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005, për të promovuar konceptin e solidaritetit si një vlerë themelore për përparimin e njerëzimit./ KultPlus.com
Si ta mbaj këtë shpirtin tim, që të mos preket në tëndin? Si t’a ngre tej teje në diçka më të mirë? Ah sa dëshiroj t’a vë diku të humbur n’errësirë, në një vënd të qetë, të huaj nga s’ndihen dridhje, kur dridhet e jotja thellësirë.
Dhe gjithçka na prek, afër e larg, na merr së bashku si një hark, që nga dy tela një tingull të vetëm nxjerr. Në ç’instrument jemi tendosur vallë? E ç’violinist na ka në dorë te gjallë? O këngë e ndjerë./KultPlus.com
Atmosfera festive e krijuar në kryeqytet në sheshin “Skënderbej” ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të huajve.
Media prestigjioze “Reuters” i ka bërë jehonë pamjes magjepsëse që ofron qyteti gjatë orëve të mbrëmjes, ku pemët e Krishtlindjes dhe ndriçimi i vendit të jep një ngrohtësi të ëmbël.
“Një pamje me dron të tregut të Krishtlindjeve në sheshin “Skënderbej” në Tiranë 18 dhjetor, 2024”, shkruhej poshtë postimit të bërë nga media prestigjioze./atsh/KultPlus.com