“Shenjëza letrare”, libri më i ri i Serafina Lajçit

Pas botimit të librit “Lirika e dashurisë – Arapi dhe Shkreli” (2021), të Serafina Lajçit, Botimet REA, sjell para lexuesve librin e saj më të ri të me titullin “Shenjëza letrare”. I konceptuar në pesë kaptina, ky libër sjell studime mjaft interesante për autorë dhe vepra të ndryshme, duke trajtuar fenomene letrare, kritike dhe estetike të periudhave të ndryshme letrare dhe të formacioneve stilistike.

Esetë, studimet, trajtesat kritike në fokus të interpretimit të autores janë përqendruar në disa rrafshe të analizës dhe interpretimit. Në mesin e tyre, dallohen shkrimet kritike: Kodi religjioz në poezinë e Zef Serembes, Studimet filologjike të Mateo Mandalasë, Për veprën “Parime Letratyret” të Justin Rrotës, Për veprën “Don Kishoti zbret në Shqipëri” të Aurel Plasarit, Poetika e Prennushit, Moti i ringjalljes dhe interteksti (“Kapota; e Buxatit dhe “Lenora” e Byrgerit, “Një ndodhi në Sokolnik” e Petrushevskajes dhe “Konstandini e Doruntina”), Rikthimi te kronisti kadarean (Ismail Kadare: “Çështje të marrëzisë”), Biografia “Im atë, Sterjo” e Ilinden Spasses, Vetmia si sfidë apo si tjetërsim (Ridvan Dibra: “Legjenda e vetmisë”), Koncepti i tjetrit në romanin “Vitet e urithit” të Kim Mehmetit, Një pasqyrim artistik i realitetit (Adil Olluri: “Shumë rrugë dhe një rënie”), Në karantinën poetike të poetit Bashota dhe Udhëtimi lirik i Sali Bashotës në “Matanë dashurisë është një lumë”.

Libri “Shenjëza letrare”, është përkrahur për botim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, ndërsa mund ta gjeni në libraritë “Artini” dhe Dukagjini” në Prishtinë./ KultPlus.com

Ekspozita “Pozicionet” hapet nesër në Prishtina Mall

Ekspozita “Pozicionet” sjell tre zëra të veçantë të skenës së artit bashkëkohor në Kosovë — Driton Hajredini, Arbnor Karaliti dhe Naim Spahiu.

Secili artist vjen me një qasje individuale permes pervojave te tyre duke reflektuar në të qenurit artist sot.

Ekspozita mbahet nesër tek Flori Gallery, Prishtina Mall, kati I, duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

Së shpejti premiera e shfaqjes “Ferizaj – 150 vjet Qytet”, një udhëtim i shpejtë nëpër ngjarjet dhe kthesat kyçe të historisë

Në këtë përvjetor të rëndësishëm për qytetin e Ferizajt, do të shfaqet shfaqja ‘Ferizaj – 150 vjet Qytet’.

Shfaqja “Ferizaj – 150 vjet Qytet” me tekst nga Jeton Neziraj dhe regji të Besim Ugzmajlit është një udhëtim i shpejtë nëpër ngjarjet dhe kthesat kyçe të historisë së këtij qyteti. Kompozitor muzikor i shfaqjes është Memli Kelmendi.

“Ferizaj – 150 vjet Qytet” – një vepër që flet për identitetin, historinë dhe rrugëtimin e këtij qyteti përmes artit skenik dhe muzikës bashkëkohore që do të interpretohet nga Kori Siparantum.

Shfaqja vjen më 3 qershor në Teatrin Adriana në Ferizaj, duke filluar nga ora 20:00.

Hyrja është e lirë./ KultPlus.com

Ana Naqe & Zamir Kabo me vepra të Bethoven, Bellini dhe Strauss magjepsin publikun në Chopin Piano Fest

Vjollca Duraku

Nën hijeshinë e dritave kuq e zi, në koncertin e nëntë të Festvalit Chopin Piano Fest sopranoja Ana Naqe dhe pianisti Zamir Kabo kanë magjepsur publikun përmes interpretimit të tyre brilant me vepra nga repertori vendor dhe botëror, shkruan KultPlus.

Dy artistët shqiptarë me një karrierë të bujshme nëpër teatro të njohura, për herë të parë mbrëmë kanë interpretuar para publikut në Kosovë, specifikisht në skenën e cila për 15-të edicione ka pritur artistë të ndryshëm nga mbarë bota, ku edhe kanë përcjellë emocione të jashtëzakonshme.

Një aurë rrezatuese përshkonte sopranon Naqe, e cila interpretimin e filloi me veprën “Allerseelen” nga Richard Strauss. Koncerti vazhdoi më pas me “Unverganglichkeit” nga Erich Korngold. Kurse vepra “Casta Diva- Norma” nga Vincenzo Bellini ishte kryevepra që ka nxori në pah një përjetim të thellë shpirtëror të artistes, një timbër kristalor që rrënqethte publikun deri në shpirt.

Naqe mbrëmë jetoi në çdo fjalë dhe çdo notë. Ajo me vete solli edhe përvojën e marrë nga teatrot e njohura si: Theatre Royal de la Monnaie, Grand Theatre du Luxembourg, Theatre du Chatelet në Paris, Teatro Solis në Montevideo, Opera Flamande, Opera Royal de Wallonie-Liege dhe festivalin Bregenzer Festspiele.

Vepra e tretë interpretuese ishte “Sonate Op.31  No. 2 First Moment” nga Ludwig van Bethoven, të cilën në mënyrë mjeshtërore e solli pianisti Zamir Kabo. Ndërkaq, vepra “Rhapsodie Espagnole” nga Franz Liszt ishte një interpretim me të vërtetë i rrallë. Me këtë performancë ai ishte bërë një me instrumentin e pianos, prej nga nxjerrte edhe tingujt më të rafinuar të mundshëm.

Pianosti Kabo është fitues i çmimeve të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare si: çmimi i dytë në Konkursin Kombëtar të Pianos EPTA- Tiranë, çmimi “Absolut” në konkursin kombëtar EPTA- Vlorë dhe çmimi i parë në konkursin prestigjioz EUTERPE- Itali.

Përveq, “Gluck Dass mir verblieb- Die Tote Stadt” nga Erich Korngold dhe La Luce langue Macbeth” nga Giuseppe Verdi, këtë mbrëmje u interpretuan edhe veprat e njohura vendore “Agimet Shqiptare” nga Avni Mula dhe “N’at zaman”.

Pas koncertit, sopranoja Naqe ka thënë se ndihet jashtëzakonisht e lumtur që ka qenë pjesë e edicionit të 15-të të Chopin Piano Fest.

“Jam tepër e lumtur që isha pjesë e këtij festivali. Është hera e parë që interpretoj në Prishtinë. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm edhe për faktin që është hera e parë që performoj me Zamirin, me një laramani të programit duke filluar nga Liszt, e për të përfunduar me këngë shqiptare. Më pëlqeu shumë Prishtina. Njerëzit janë shumë të ngrohtë, shumë të dashur dhe të qetë. Vërtetë u kënaqa jashtë mase, e shijova shumë këtë mbrëmje”, ka thënë sopranoja Naqe.

Edhe për pianistin Kabo pjesëmarrja në Chopin Piano Fest përbënte një emocion të jashtëzakonshëm.

“Ishte një emocion i veçantë. Kishte kohë që po e kërkonim një bashkëpunim dhe më në fund u realizua. Ishte kënaqësi të interpretoj në një festival i cili tashmë është rikthyer në traditë. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për skenën kulturore shqiptare. Bashkëpunimi me sopranon Naqe ishte shumë i frytshëm nga ana artistike. Ne mësojmë nga njëri tjetri, sidomos nga një këngëtare siç është Naqe me përvojë ke mundësi të mësosh gjithmonë gjëra të reja” ka thënë pianisti.

Ndërkaq, drejtoresha artistike e Festivalit, Lejla Pula ka thënë se artistët nga Shqipëria kanë një vend të veçantë në çdo edicion të “Chopin Piano Fest”.

“Jam shumë e kënaqur sepse edhe sonte si në të gjitha këto edicione kishim artistë nga Shqipëria, të cilët ne i ftojmë me shumë dëshirë. Sivjet kishim dy artistë që performuan për herë të parë në Kosovë. Ishte Ana Naçe, soprano shqiptare që jeton në Bruksel dhe Zamir Kabo, i cili është vërtetë një pianist i talentuar. Kabon e kam dëgjuar për herë tëparë në vitin 2006 në Vlorë, ishte kënaqësi që ta dëgjoj pas 19 vitesh në skenën tonë. Ishte kënaqësi  për si për ne, po ashtu edhe për ata që të jenë në mesin tonë. Patëm mundësi të shijojmë muzikën vokale dhe sopranon Ana Naço, e cila i këndoi disa arie shumë të njohura. Vërtetë u kënaqëm me muzikën sonte me arritjet e tyre në aspektin teknik, muzikor, dhe artistik të tyre”, ka thënë drejtoresha Lejla Pula.

Koncerti i radhës i Chopin Piano Fest mbahet me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe pianisten Sofya Gulyak, nën dirigjimin e Peter Valentoviç më 30 maj, në ora 19:30, në Sallën e Kuqe./ KultPlus.com

Me ekspozitën “Flow in the flower”, Esra Luta sjell në Tetovë motivin e lules si simbol i ndjeshmërisë, qetësisë dhe lidhjes me jetën

Sonte (29 maj) në Qendrën e Kulturës “Ilo Anteski-Smok” në Tetovë, me fillim nga ora 19:00, do të hapet ekspozita me titull “Flow in the flower”, e artistes nga Tetova Esra Luta.

Esra Luta rikthehet me një cikël të ri punimesh në pikturë dhe grafikë, ku motivi i lules merr një dimension të veçantë si simbol i ndjeshmërisë, qetësisë dhe lidhjes me jetën.

“Flow in the flower” është një udhëtim vizual i ndërtuar me ngjyra, forma dhe frymë të brendshme. Na fton të ndalemi për një çast, të shkëputemi nga ritmi i përditshëm dhe ta përjetojmë artin në mënyrë të qetë, personale dhe të thellë.

Fotografi nga ekspozita “Flow in the flower”, e artistes Esra Luta. Foto: Esra Luta

Artistja Esra Luta tha se në këtë ekspozitë ajo paraqet mbi 30 punime, një udhëtim brenda luleve të punuara në teknika të ndryshme.

“Në këtë ekspozitë unë do të paraqes mbi 30 punime, gjysëm grafik gjysëm pikturë. Shikuesin e pret një udhëtim brenda luleve të punuara në teknika të ndryshme, në dy drejtime, në grafikë dhe pikturë. Kur flitet për artin do të thotë se kemi të bëjmë me formën dhe ngjyrën, kurse arti im është një tentativë që orvatet përmes motivit të lules të pasqyroj vizualisht atë që e ka me vete. Veprat janë të punuara në drejtimin e grafikës, teknikë e kombinuar ku mund ta shohim qartë harmonin e tonalitetit prej të bardhës në të zezë . Dhe në drejtimin e pikturës vaj/akril në pëlhurë, tekinkë e kombinuar”, tha Luta.

Fotografi nga ekspozita “Flow in the flower”, e artistes Esra Luta. Foto: Esra Luta

Ekspozita realizohet në kuadër të programit vjetor të Qendrës së Kulturës-Tetovë, mbështetur nga Ministria e kulturës dhe turizmit./Portalb/ KultPlus.com

Afishja e ekspozitës “Flow in the flower”, e artistes Esra Luta. Foto: Esra Luta

Shembet një akullnajë në Alpet Zvicerane, një fshat i tërë përmbytet në baltë e shkëmbinj

Autoritetet zvicerane kanë njoftuar se pas shkëputjes së një pjese masive nga një akullnajë në Alpet Zvicerane, një fshat i tërë malor është përmbytur në baltë e shkëmbinj.

Fshati Blatten ishte evakuuar që më herët për shkak të rrezikut të paraparë nga një rrëshqitje e mundshme, megjithatë është konfirmuar se një person rezulton i zhdukur.

Pamje me dron të transmetuara nga televizioni kombëtar zviceran SRF tregonin një fushë të tërë balte dheu që mbulonte plotësisht pjesën jugperëndimore të fshatit Blatten, përfshirë lumin që kalonte nëpër të dhe anët e pyllëzuara të luginës përreth.

Stephane Ganzer, një zyrtar i kantonit të Valais-it ku ndodhet Blatten-i, ka thënë për media zvicerane se rreth 90% e fshatit është mbuluar nga rrëshqitja e dheut.

Sipas zyrtarëve, Reuters raporton se miliona metra kub shkëmbinj dhe dhe kanë rënë që kur Blatten u evakuua këtë muaj, pasi një pjesë e malit pas akullnajës nisi të shembet, duke shkaktuar paralajmërime se edhe masa e akullit mund të rrëzohet plotësisht,

Video e shpërndarë në rrjetet sociale tregonte momentin dramatik kur akullnaja u shemb pjesërisht, duke krijuar një re të madhe pluhuri që mbuloi një pjesë të malit, ndërsa shkëmbinj dhe mbetje tjera zbrisnin me shpejtësi drejt fshatit./ KultPlus.com

Komandanti i FSK pret në vizitë Shefin e Mbrojtjes së Gjermanisë 

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Bashkim Jashari, sot ka pritur në vizitë zyrtare Shefin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Gjeneral Carsten Breuer, pritje që u bë me nderime të larta ushtarake.

Në njoftimin e bërë theksohet se në takim është diskutuar për thellim të bashkëpunimit në fusha kyçe të sigurisë dhe mbrojtjes, duke përfshirë arsimimin dhe trajnimin e pjesëtarëve të FSK-së në institucionet ushtarake gjermane, si dhe organizimin e trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta në të ardhmen.

Po ashtu bëhet e ditur se Breuer, e ka përgëzuar Jasharin për sukseset dhe profesionalizmin e treguar nga FSK-ja, duke vlerësuar rolin e saj në garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm.

Njoftimi:

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës priti në vizitë Shefin e Mbrojtjes së Gjermanisë

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me nderime të larta ushtarake ka pritur në vizitë zyrtare Shefin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Gjeneral Carsten Breuer.

Gjatë takimit të përbashkët, Komandanti i FSK-së i uroi mirëseardhje Gjeneral Breuerit dhe e njoftoi për zhvillimet dhe të arriturat e fundit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar fushat e bashkëpunimit bilateral dhe aktivitetet e përbashkëta. Gjeneral Breuer, nga ana e tij, e përgëzoi Gjeneral Jasharin për sukseset dhe profesionalizmin e treguar nga FSK-ja, duke vlerësuar rolin e saj në garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm. Njëkohësisht ofroi vazhdimin e mbështetjes së forcave gjermane për FSK-në në përputhje me objektivat e saj.

Në fokus të bisedës ishte edhe thellimi i bashkëpunimit konkret në fusha kyçe të sigurisë dhe mbrojtjes, duke përfshirë arsimimin dhe trajnimin e pjesëtarëve të FSK-së në institucionet ushtarake gjermane, si dhe organizimin e trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta në të ardhmen. Gjithashtu, u diskutua situata aktuale e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, duke ndarë mendime dhe vlerësime mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Vizita e Gjeneral Breuer paraqet një moment të rëndësishëm për FSK-në, duke përforcuar partneritetin strategjik me Gjermaninë dhe mbështetjen e saj për zhvillimin e mëtejshëm të Forcës sonë./ KultPlus.com

Qendra e Studimit të Arteve diskuton mbi monografinë “Kinemaja para gjyqit”

Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave, prezantoi monografinë “Kinemaja para gjyqit: nga kinokronikat e gjyqeve të popullit, te filmat e vigjilencës revolucionare të masave”, me autore dr. Jonida Gashin.

Drejtori i QSA-së, akad. asoc. Stefan Çapaliku falënderoi autoren për qasjen origjinale mbi kinokronikat e kinematografinë shqiptare.

Autorja dr. Jonida Gashi nëpërmjet një dialogu me moderatoren e kësaj veprimtarie, dr. Anxhela Çikopanon, rrëfeu për punën e saj kërkimore disavjeçare për marrëdhëniet mes kinemasë, drejtësisë dhe avangardës në Shqipërisë socialiste.

Autorja rrëfeu se, interesi rreth kësaj teme iu zgjua kur ndeshi pamjet filmike të proceseve gjyqësore kundër armiqve të popullit, të cilat ishin zhvilluar në sallat e kinemave shqiptare, nën regjimin komunist. Ajo tha se kinoditarët dhe dokumentarët e bazuar në punimet e gjyqeve të popullit ishin shumë të paktë në numër dhe shumë shpejt zbuloi se ndikimi i tyre në kinemanë e realizmit socialist shqiptar kishte qenë më i madh nga sa mund të merrej me mend. Më tej, dr. Gashi vuri në dukje se ky libër është rezultat i kërkimeve të një pune disavjeçare që u përfundua në Qendrën e Studimit të Arteve.

Veprimtaria u mbyll me pyetje për autoren dhe diskutime për çështjet e trajtuara në monografinë “Kinemaja para gjyqit: nga kinokronikat e gjyqeve të popullit, te filmat e vigjilencës revolucionare të masave”./ KultPlus.com

Lakuriq

Poezi e shkruar nga Juan Ramón Jiménez

E hirtë lindte hëna, Bethoveni mbi tastierë
nën dorën e saj të bardhë një vaji seç ia niste
Ndërsa i binte pianos në atë dhomë të errët
nën vezullimin e hënës tri herë e bukur ishte

Për ne lulet e zemrës më s’kishin asnjë shije
dhe ndoshta edhe qanim, sho-shokun pa e parë
Çdo notë sikur ndizte një plagë dashurie
dhe pianoja përpiqej të merrte vesh ç’kish ngjarë

Pa hynte nga ballkoni një brymë gjithë yje
një erë e pikur frynte prej botësh të padukshme
Ndërsa ajo më pyeste për gjëra që s’i dija
dhe unë i përgjigjesha për gjëra të pamundshme./ KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve të OKB-së

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 29 majin Ditë Ndërkombëtare e Paqeruajtësve të kësaj organizate në nderim të atyre që kanë humbur jetën për kauzën e paqes.

Për gati 80 vjet, paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara kanë shpëtuar dhe ndryshuar jetë në disa nga situatat më të brishta politike dhe sigurisë në botë, duke ndihmuar shumë vende të lundrojnë me sukses në rrugën e vështirë nga lufta në paqe, si Liberia, Namibia, Kamboxhia, Sierra Leone, Timori Lindor.

Sot, mbi 76 mijë personel civil, ushtarak dhe policor janë vendosur në 11 misione.

Sfidat me të cilat përballen janë më të mëdha se kurrë, pasi rritja e ndarjes midis shteteve anëtare ka dobësuar kapacitetin kolektiv për të mbështetur proceset politike dhe të paqes.

Paqeruajtësit përballen me terroristët, kriminelët, grupet e armatosura dhe aleatët e tyre, të cilët kanë qasje në armët moderne dhe një interes të veçantë për të përjetësuar kaosin në të cilin ata lulëzojnë.

Nga 26 paqeruajtësit që humbën jetën në vitin 2024, pesë u vranë në incidente armiqësore.

Sakrifica e 4 mijë e 430 paqeruajtësve që kanë dhënë jetën gjatë dekadave kujtohet gjithmonë./ KultPlus.com

Kush ishte Bujar Nishani, ushtaraku që u bë President i Shqipërisë

Bujar Nishani u betua si president i Shqipërisë më 24 korrik 2012 në moshën 47-vjeçare. Ai mbante pozitën e Ministrit të Brendshëm kur e mori pozitën e të shefit të shtetit shqiptar. Në Shqipërinë postkomuniste, Nishani ishte presidenti i pestë. Ai vdiq para tri vitesh në moshën 57-vjeçare pas komplikimeve shëndetësore në një spital në Gjermani.

Bujar Nishani ka lindur në Durrës më 29 shtator 1964, kurse ka diplomuar në Akademinë Ushtarake “Skenderbej” në Tiranë kurse studimet pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara në Shkollën Postdiplomatike të Marinës për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”.  Ai poashtu kishte diplomuar edhe në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2004.

Bujar Nishani u bë pjesë e Partisë Demokratike të Shqipërisë në vitin 1991 dhe ka mbajtur disa pozita të larta shtetërore.

Nishani ka qenë deputet i Parlamentit e më pas ka ushtruar funksionin e ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm, pozitë të cilën e kishte mbajtur deri më 24 korrik 2012 kur edhe ishte zgjedhur President i Shqipërisë.

Nishani shërbeu si i pari i shtetit shqiptar nga 24 korriku 2012 deri më 24 korrik të vitit 2017.

Ai u zgjodh president i Shqipërisë me 73 votat e shumicës në Parlament.

Vizitën e parë jashtë shtetit si president Nishani e kishte realizuar në Kosovë. Ai ishte shpallur qytetar nderi i qytetit të Prizrenit dhe Drenasit./ KultPlus.com

Vesë dashurie

Poezi nga Lasgush Poradeci

Sillet i heshtur an’e mb’anë.
Hij’ e gjumit të pandalë.
Ku jan’ ëndërrat, ku janë.
Gjumë ti, të qofsha falë?

Ku ‘sh’to! mik’e gjithë ditës.
Të m’a shohë shpirt’ i sgjuar?
Zjarr’ i syrit vetëtitës.
Që më pati përvëluar?

Sonte mbeta mun në pisë.
Nën’ ushtimin e një buje.
Moj motriçk’ e vogëlisë.
Nuk të shoh, po ti këtu je.

Ti mendon mi supë t’ime.
E mbështetur me një faqe.
Regëtin me deshërime.
Zemr’ e mbushur me farmaqe.

Me flet tinës buz’ e shkruar.
Fjal’e urt’ e gojës s’ate.
P’shon për kohën e kaluar.
Që më s’vjen që kur na vate.

Që kur lamë shokërinë.
Sa zu zemra të buçasi.
Oh! sa shpesh më ven e vinë.
Përkëdheljet e çdo çasi!

Pa mendohem me llaftarë.
Si te humba posi hije.
Sa pikovi lot’i parë.
Posi vesë dashurie./ KultPlus.com

Letra e lamtumirës

Poezi nga Gabriel García Márquez

Nëse për një çast Zoti do të harronte se
jam një kukull lecke e
do të më dhurojë paksa jetë, ka gjasa se
nuk do të them gjithçka që mendoj,
por patjetër do ta mendoj çdo gjë që do ta them.

Do t’iu jepja vlerë gjërave, jo për vlerën që kanë,
por për kuptimin që kanë.

Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë,

e kuptoj se për çdo minutë që i mbyllim
sytë, humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë.

Do të ecja përpara kur të tjerët do të ndaleshin,
do të rrija zgjuar kur të tjerët do të flinin,
do të dëgjoja kur të tjerët flasin dhe
dhe sa do të shijoja një akullore të mirë çokolate!

Nëse Zoti do të më dhuronte paksa jetë,
do të vishesha thjeshtë,
do të shtrihesha në pishë të diellit duke lënë zbuluar jo vetëm
trupin tim por edhe shpirtin tim.

Zoti im, nëse do të kisha një zemër, do ta shkruaja
urrejtjen time në akull dhe
dhe do të prisja që të shkrihej në diell.

Do të pikturoja me një ëndër të Van Gogut
sipër yjeve një poemë të Benedettit
dhe një këngë e Serratit do të ishte serenata
që do t’ia kushtoja hënës.

Do t’i ujitja me lotët e mi trëndafilët,
për ta ndjerë dhimbjen e gjembave të tyre
dhe puthjen e mishtë të petaleve të tyre…

Zoti im, nëse do të kisha paksa jetë…

Nuk do të lija të kalonte qoftë një ditë të vetma
pa iu thënë njerëzve se dua,
se i dua. Do t’i bindja të gjithë burrat e gratë
se janë të parapëlqyerit e mi dhe
do të jetoja i dashuruar nga dashuria.

Njerëzve do t’ua provoja
sa gabojnë tek mendojnë
të heqin dorë së dashuruari
kur plaken, pa e ditur
se plaken kur heqin dorë së dashuruari.

Një fëmije do t’i jepja flatra,
por do ta lija ta merrte fluturimin vetë.

Të moshuarit do t’i mësoja
se vdekja nuk vjen me pleqërinë
por me harresën.

Kaq shumë gjëra kam mësuar nga ju, Njerëzit!

Ka mësuar se e gjithë bota adhuron të jetojë
mbi majën e malit,
pa e ditur se lumturia e vërtetë
është në ngjitjen e shpatit.
Kam mësuar se
kur i sapolinduri shtrëngon me grushtin e tij të vogël,
për herë të parë, gishtin e babait të tij,
e mban shtrënguar për gjithmonë.
Kam mësuar se një njeri
ka të drejtë ta vështrojë një tjetër
nga lart poshtë vetëm
kur duhet ta ndihmojë për t’u ngritur.

Janë aq shumë gjëra
që kam mundur të mësoj nga ju,
por realisht,
nuk do të më shërbejnë shumë,
sepse kur do të m’i vendosin
brenda asaj valixheje,
palumturisht do të jem duke vdekur./ KultPlus.com

Unë pashë lulet e para

Poezi nga Ismail Kadare

Unë pashë lulet e para
që çelen kudo përmbi dhe
Pashë zogjtë e parë shtegtarë
q’u kthyen sërishmi tek ne

Në brigje, në kopshte, në ara
gjithçka është e parë, gjithçka
Ndërmend dashuria e parë
ato kur i pashë më rà.

Do vyshken të gjitha të parat
dhe prap do kthehen ato
përveç dashurisë së parë
as vyshket, as kthehet ajo…/ KultPlus.com

Petrelë – Shkalla e Çirmës, shtegu rrethor i Tiranës me panoramë unike

Petrelë – Shkalla e Çirmës- Petrelë, 15 km nga Tirana, është një shteg rrethor prej 6,5 km, që të fton të përjetosh një kombinim të mrekullueshëm të natyrës, historisë dhe panoramës unike që të ofron.

Shtegu cirkular fillon në Petrelë dhe kalon përmes ullishteve e kodrave, vazhdon me ngjitjen në Malin Vilë e deri te rrënojat ilire të Përsqopit. Shtegu vizitohet në verë dhe vjeshtë, ndërsa ofruar një udhëtim të përshtatshëm për të gjithë vizitorët.

Përgjatë këtij shtegu gjenden edhe objekte historike, ku dallojnë:

Varri monumental dhe muret antike të Përsqopit – trashëgimi ilire unike

Shkalla e Çirmës – ngjitje panoramike me pamje të paharrueshme

Kalaja e Petrelës – histori, legjenda dhe një restorant me pamje

Ky shteg tashmë është një produkt i Platformës së Inovacionit në Turizëm (TIP), ndërsa është i pastruar, shënjuar dhe i aksesueshëm, duke ofruar përvoja të reja në natyrë pranë kryeqytetit./atsh/KultPlus.com

“Shqipëria e bukur”, Rama ndan pamje nga kalaja e Lëkurësit në Sarandë

Kalaja e Lëkurësit, në Sarandë është kthyer vitet e fundit në një atraksion të veçantë të turizmit në qytetin bregdetar.

Kjo kala ndodhet midis rrënojave të fshatit Lëkurës të braktisur në vitin 1878, në një pozicion dominues mbi gjirin e Sarandës dhe qafën e Gjashtës, përballë Manastirit të Dyzet Shenjtorëve.

Në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur”, kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video me pamje nga perëndimi i diellit nga kalaja e Lëkurësit, Sarandë, mbushur me turistë.

Kalaja e Lëkurësit është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës më 30 maj 1970.

Mendohet që ndërtimi i saj është bërë nga Sulltan Sulejmani në vitin 1537, kur sulmoi Korfuzin dhe ishte i domosdoshëm kontrolli i skelës së Sarandës dhe rrugës Sarandë-Butrint./atsh/KultPlus.com

‘Duke blerë e shitur erë, dikush bëhet milioner’

Poezi nga Ali Asllani – “Koka bën e koka vuan”.

C’ke moj zemër që rënkon!
Njëher’ varet trikollari, herën tjetër kryq i thyer…
Paska rar’ hallva prej qielli e ja nis një dallaver,
Mbushen xhepat me flori
E qinosen ujk e dele për të bër’ një stan të ri!

Shitet vendi për para, me para e për para
Bëhet burri telendi, dy para një maskara,
Para hasmit lepe peqe
Para zërit te atdheut hund e tyre shtate sqepe!

Duke blere e shitur ere, dikush bëhet milioner,
Kurse shoku pinte uthull lum zotria pinte vere,
Milioneri yn’ i ri
Para shokut te dikurshem vari buz’ edhe turi!

E përhera me dy faqe, që të haj’e qe te bluaj,
Ne një kohë mbi dy frona, në një çast mbi dy kuaj,
Me dy faqe, me dy nofulla, ne një xhep e dy flamurë
E hedh kemben me daulle edhe turk edhe kaur!

Na te urt’ e te mendafshte s’qeme te zot te bënim zë
Ku fillon me thash e theme hij’ e vetes te përzë;
Neve ndryshe, puna ndryshe, defi ndryshe, kënga ndryshe
E ç’kërkon ne gji te gjembit te kendoj’ një dallëndyshe?

Mirëpo vendi paskish zemër, paskish sy e paskish vesh,
Shikon lark e dëgjon thelle, di te vesh, edhe të zhvesh
Tani eja e t’ja themi asaj kënge që ja thonë:
Koka bën e koka vuan, ç’ke moj zemër që rënkon?!/KultPlus.com

“Travel and Tour World”: Ksamili, perla bregdetare e Shqipërisë

I fshehur përgjatë detit Jon, perla bregdetare e Shqipërisë, Ksamili, po ripërcakton se çfarë do të thotë të gjesh parajsën në Evropë, sipas “Travel and Tour World” (TTW).

Me ujërat e tij të kristalta, rërën e bardhë dhe bukurinë natyrore të pacënuar, Ksamili u ofron turistëve një përvojë të ngjashme me Karaibet – por pa çmimet marramendëse.

Nga ishujt sekretë dhe vendet e trashëgimisë së UNESCO-s deri te vija bregdetare, ky thesar i fshehur ofron një arratisje të paharrueshme – ku ndërthuret sharmi ekzotik me rrënjët e pasura kulturore – duke e bërë atë një nga destinacionet më të jashtëzakonshme dhe të përballueshme bregdetare në kontinent.

I vendosur përgjatë bregdetit jugor mahnitës të Shqipërisë, fshati bregdetar i Ksamilit është shfaqur si një nga destinacionet më tërheqëse për të udhëtuar në Evropë.

Shpesh i quajtur “Karaibet e Evropës”, Ksamili i magjeps turistët me ujërat e tij të kristalta, plazhet me rërë të bardhë dhe peizazhin mesdhetar.

I fshehur brenda Parkut Kombëtar të Butrintit dhe i vendosur në Detin Jon – kjo bukuri ballkanike i fton vizitorët në një parajsë të qetë që rivalizon atraksionet bregdetare më të famshme në botë.

Ksamili mahnit me ujërat bruz, plazhet me rërë të bardhë dhe ishujt e fshehur, duke ofruar një arratisje si në Karaibe por me një kosto shumë më të ulët.

Joshja bregdetare e Ksamilit

Ksamili ka një vijë bregdetare spektakolare. Zona bregdetare krenohet me rërën e artë që shkëlqen nën rrezet e diellit, me temperaturat e verës që arrijnë deri në 30 gradë Celsius.

Deti është i kristaltë dhe i qetë, duke ftuar adhuruesit e notit, zhytjes dhe plazhit të çlodhen në një qetësi perfekte.

Rëra e butë dhe e bardhë dhe ujërat e kaltra dhe të cekëta ngjajnë me destinacionet e ishujve tropikalë, duke e bërë Ksamilin vendpushimin ideal për familjet, çiftet dhe vizitorët solo.

Pavarësisht popullaritetit të tij në rritje, Ksamili ende ruan ngrohtësinë dhe autenticitetin e një fshati tradicional shqiptar.

Në Ksamil, vizitorët përshëndeten me buzëqeshje miqësore, dhe mund të shijojnë kuzhinën e shijshme lokale dhe pamjet piktoreske që shtrihen përgjatë horizontit të detit Jon.

 Një pikë turistike në zhvillim

Dikur një fshat modest peshkimi, sot Ksamili është transformuar në një nga vendpushimet bregdetare më të vizituara të Shqipërisë.

Ai fitoi vëmendje ndërkombëtare kur u rendit në listën e “20 Vendpushimeve më të Mira me Çmime të Ulëta në Evropë”, të publikuar nga “Guardian”

Promovimi i dha Ksamilit një nxitje të konsiderueshme turistike, duke tërhequr turistë nga e gjithë bota – në kërkim të një arratisjeje mesdhetare që nuk kushton shumë.

Ndërsa çmimet janë rritur gradualisht për shkak të kërkesës në rritje, Ksamili mbetet shumë më i përballueshëm se shumë destinacione të tjera evropiane bregdetare.

Hotelet e reja, shtëpitë komode dhe qiratë buzë detit – të shpërndara në të gjithë zonën – u ofrojnë vizitorëve një gamë të gjerë opsionesh akomodimi.

Qoftë duke kërkuar një qëndrim luksoz apo një pushim rural me qira, Ksamili ka diçka për çdo lloj turisti.

 Mrekullitë natyrore dhe atraksionet e afërta

Përtej plazheve të tij magjepsëse, Ksamili shërben si një portë hyrëse për disa thesare natyrore dhe kulturore.

Bëni një udhëtim të shkurtër me varkë nga plazhi kryesor në Ishujt e Ksamilit – një grup ishujsh të vegjël, të pabanuar, të rrethuar nga ujëra smeraldi.

Këto ishuj ofrojnë vende të izoluara, perfekte për piknikë, rreze dielli dhe zhytje.

Për adhuruesit e natyrës, burimi magjepsës i Syrit të Kaltër – është një vend që duhet vizituar me patjetër.

I vendosur në Muzinë, ky burim ujërash të ëmbla shkëlqen me nuancat e tij të thella blu.

I rrethuar nga kodra të pyllëzuara, Syri i Kaltër është vendi ideal për fotografimin e natyrës dhe shëtitjet e qeta.

Një atraksion tjetër është Parku Kombëtar i Butrintit, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që ndërthur historinë e lashtë me natyrën e pacënuar.

Parku përmban një vend të gjerë arkeologjik me rrënoja nga epokat greke, romake, bizantine dhe veneciane – një dëshmi e së kaluarës së pasur dhe komplekse të rajonit.

Turistët gjithashtu mund të eksplorojnë Sarandën, qytetin bregdetar që ndodhet vetëm 30 minuta larg me makinë nga Ksamili.

E njohur për atmosferën e saj të gjallë, shëtitoren buzë detit – Saranda është një vend i shkëlqyer për blerje, ngrënie dhe jetë nate.

Për ata që janë të interesuar në historinë e vendit, Gjirokastra – një tjetër vend i mbrojtur nga UNESCO – ofron një pamje të trashëgimisë osmane të Shqipërisë.

Kalaja e mrekullueshme prej guri e qytetit, rrugët me kalldrëm dhe arkitektura tradicionale e bëjnë atë një udhëtim ditor magjepsës.

Një ndërthurje e kulturave dhe historisë

Ndikimi i Perandorisë Osmane është ende i dukshëm në Ksamil dhe rajonet fqinje.

Nga ndërtesat e ruajtura të Gjirokastrës deri te fortesat dhe rrënojat e lashta të Butrintit, zona është e mbushur me shtresa të historisë kulturore dhe arkitekturore.

Kjo trashëgimi e pasur është një vlerë e shtuar e Ksamilit.

Turistët mund të shijojnë si pushimet në plazh ashtu edhe stimulimin intelektual të zbulimit historik.

Bashkimi i bukurisë natyrore dhe rëndësisë kulturore e bën Ksamilin një destinacion të gjithanshëm, ndryshe nga çdo vend tjetër në Ballkan.

Moti ideal gjatë gjithë vitit

Ksamili gëzon një klimë mesdhetare, duke e bërë atë një destinacion mikpritës në çdo stinë.

Temperaturat e verës janë mesatarisht rreth 26 gradë Celsius, me temperatura maksimale që arrijnë 30 -38 gradë Celsius në 13 orë rreze dielli çdo ditë.

Pranvera dhe vjeshta kanë mot më të butë, me temperatura maksimale nga 18-21 gradë Celsius, ndërsa dimri mbetet relativisht i butë në 12 gradë Celsius.

Kjo klimë e këndshme siguron që Ksamili të vizitohet jo vetëm gjatë muajve të ngarkuar të verës, por edhe në stinët e tjera – ideale për ata që preferojnë një përvojë më të qetë.

Ku të qëndroni

Ksamili ofron një shumëllojshmëri zgjedhjesh akomodimi duke filluar nga hotelet dhe vilat buzë detit deri te shtëpitë e mysafirëve me kosto të ulët dhe apartamentet me vetëshërbim.

Shumë prona ofrojnë pamje mahnitëse të detit, qasje të lehtë në plazh dhe një mundësi për të shijuar jetën bregdetare shqiptare.

Restorantet lokale shërbejnë ushqime deti të freskëta, pjata tradicionale shqiptare dhe ushqime ndërkombëtare, duke u ofruar vizitorëve një shumëllojshmëri zgjedhjesh pas një dite të gjatë eksplorimi.

Me plazhet e saj të pastra, atraksionet natyrore joshëse dhe trashëgiminë e pasur kulturore, Ksamili qëndron si një “yll në ngjitje” në hartën e udhëtimeve të Evropës.

Pavarësisht nëse jeni duke kërkuar një arratisje të qetë në plazh, një aventurë kulturore apo një atraksion natyror, kjo perlë e jugut të Shqipërisë ofron të gjitha elementët e një pushimi ëndrrash – pa turma dhe kostot e vendpushimeve më të njohura evropiane.

Për vizitorët që kërkojnë parajsën – Ksamili nuk është thjesht një vendpushim – është një destinacion për t’u mbajtur mend!/atsh/KultPlus.com

‘Kur të jesh mërzitur shumë’

Poezi nga Dritëro Agolli

Këtu s’do jem, do jem larguar:
Në tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do rrijë i heshtur
Një qipariz si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
Dhe kur në xham të fryjë erë,
Do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë,
Atje do jem i fshehur unë,
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë.

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje. / KultPlus.com

Promovohet krijimtaria e poetit Panajot Boli

Në Qendrën kulturore “Katina Papa” të Livadhjasë në bashkinë Finiq, u promovuan dy vëllime poetike nga krijimtaria e poetit Panajot Boli.

Organizatorë të veprimtarisë komplekse ishin Klubin i Krijuesve dhe Artistëve “Jonianë” Sarandë, në bashkëpunim me shkolla e mesme të bashkuar “Lefter Talo” dhe Zyrën Arsimore Finiq-Dropull.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtori i Kabinetit në Bashkinë e Finiqit, Vangjel Xhaferi, mësues dhe nxënës të shkollës Livadhja, krijues dhe personalitete të artit nga qyteti i Sarandës dhe Gjirokastrës, si dhe të ftuar të tjerë.

Mbi vlerat e librave “Kur pyeta Syrin e Kaltër” dhe “Pranverë e kaltër” të poetit dhe shkrimtarit Panajot Boli folën Hekuran Halili, kryetar i Klubit Jonian, gazetari dhe shkrimtari Thanas Dino, gazetari dhe shkrimtari Shkëlqim Hajno, studiuesi Behar Maze, Agron Mema, Dhimitër Qiqi, etj,.

Klubi i Krijuesve dhe Artistëve ‘Jonianë’, bëri të ditur se, nisma për promovimin e krijimtarisë së poetit Panajot Boli, do të vijojë edhe ne shkolla të tjera të pakicave etnike greke, duke u analizuar edhe me një botim nga krijimtaria letrare e nxënësve të këtyre shkollave.

Kjo ngjarje kulturore në Livadhja u bë edhe më tërheqëse për pjesëmarrësit me interpretimet artistike me recitime, këngë e valle nga grupi artistik i shkollës së Livadhjasë, institucion arsimor i mirënjohur prej vitesh në rang vendi si një vatër arsimi, kulture dhe olimpiadash shkollore rajonale./atsh/KultPlus.com

Koha është të duhemi

Poezi nga Ali Podrimja

Koha është të duhemi,
të kesh besim në mua kur të them: Trime,
të kem besim në ty kur më thua: Trim.
Për kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite,
shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,
një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën.

E nën një kulm banonim,
nga frëngjia me ditë më peshove,
me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës,
se mos do të takoj te kroni i shpresave.

Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!
Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ,
kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.

Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejmë këtë ujë të madh,
i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme.
Në fund të livadhit të kositur a po sheh:
ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë.
Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet.

Unë do të sjell Lulen nga zemra e bjeshkës,
do ta ndez llambën në kullë,
do ta hedh farën në tokën e re.
Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve
e të rënat të forta i kishe.
Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë
e mëhalla jehonte nga shpifjet.

Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete.
Koha është të duhemi. /KultPlus.com

Nis rijetësimi i Kalasë së Kaninës, Rama: Do të kthehet në ndalesë të paharrueshme për çdo udhëtar

Në Kalanë e Kaninës kanë nisur ndërhyrjet konservuese, strukturale dhe gjeologjike, si dhe zbatimet e planeve të reja të interpretimit dhe përmirësimit të eksperiencës së vizitorëve.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale disa pamje ku bëri me dije se “në Kalanë e Kaninës ka nisur nga procesi i rijetësimit, për ta kthyer këtë objekt të trashëgimisë sonë kulturore në një destinacion të vizitueshëm turistik”.

Sipas Ramës “me ruajtjen e identitetit historik dhe krijimin e hapësirave të reja panoramike nga ku mund të shihen pamjet mahnitëse të Gjirit të Vlorës, do ta kthejnë Kaninën në një ndalesë të paharrueshme për çdo udhëtar që kërkon të përjetojë historinë nga afër”.

Ndërhyrjet në Kalanë e Kaninës po financohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit si një projekt i Proskene dhe CHwB Albania, në kuadër të Programit PIUTD, me mbështetje nga Banka Botërore. Ndërhyrjet konservuese pritet të përfundojnë më 25 prill 2026.

Ky proces restaurimi dhe përmirësimi përfshin jo vetëm ruajtjen e strukturave ekzistuese, por edhe krijimin e hapësirave të reja që i japin jetë sitit, pa humbur identitetin e tij historik.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se, gjatë kësaj periudhe Kalaja e Kaninës nuk do të jetë e hapur për vizitorët./atsh/KultPlus.com

Ansambli “Kolkhida” nga Gjeorgjia, fitues i edicionit të 17-të të “Aulona Inter Folk Festival”

Në qytetin e Vlorës përfundoi me sukses edicioni i 17-të i Aulona Inter Folk Festival, që u mbajt nga 23 deri më 26 maj.

Në natën finale, Komiteti Organizator nderoi me kupën e edicionit të shtatëmbëdhjetë të festivalit Ansamblin “Kolkhida” të Gjeorgjisë” të cilën e dorëzoi kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.

Për katër ditë me radhë Vlora u “pushtua” nga këngët, ritmet e valleve dhe ngjyrat e lloj-llojshme të kostumeve popullore të grupeve folklorike ardhur në në këtë festival nga vende të ndryshme të Europës.

Për të shtatëmbëdhjetin vit me radhë Aulona Festival është kthyer në një traditë të bukur për qytetin bregdetar të Vlorës.

Këtë vit u bënë pjesë e këtij aktiviteti të madh folku ansamble nga Italia, Polonia, Sllovakia, Gjeorgjia, Ukraina, Kosova, Maqedonia e Veriut, ndërkohë që nga Shqipëria morën pjesë ansamblet “Dropulli” e “Krahu i Shqiponjës Taip Madani” si dhe  grupi polifonik “Thesaret labe”.

Drejtori i Qendrës Kulturore “Aulona” si dhe drejtori i përgjithshëm i Festivalit, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se, “në ditët e festivalit 330 festivalistë e mbushën Vlorën dhe rrethinat me këngë, valle e ngjyra kostumesh duke përçuar traditën shpirtërore të popujve europianë e njëkohësisht duke u kthyer edhe në një urë bashkëpunimi e integrimi mes kulturave të njeri tjetrit”.

Sipas tij, në ditët e çeljes së sezonit turistik ky festival shënon një tjetër aktivitet të jashtëzakonshëm si pjesë e agjendës kulturore të bashkisë së Vlorës.

Këtij dimensioni të festivalit i shërbyen edhe vizitat në vendet pasuri të trashëgimisë kulturore e natyrore si Manastiri i Zvërnecit apo plazhet e Radhimës.

Përveç performancave të lira në rrugët dhe sheshet e qytetit festivali dha shfaqje edhe në qendrën historike të qytetit në sheshin e rikonstruktuar përpara bashkisë por edhe në mjediset e “Pyllit orbital” pranë Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Skelë.

Në ditën e parë të festivalit, përfaqësuesit e grupeve pjesëmarrëse u pritën në ambientet e Bashkisë së Vlorës nga kryetari Ermal Dredha, i cili vlerësoi shumë praninë e tyre në këto ditë të hapjes zyrtare të sezonit turistik 2025 duke i shtuar qytetit edhe më shumë bukurinë dhe ngjyrat e pranverës.

“Fakti që ju jeni kaq shumë dhe nga një gjeografi kaq e gjerë e Europës tregon për fuqinë që ka arti dhe kultura në lidhjen dhe forcimin e miqësisë midis vendeve po edhe për vet fuqinë e trashëgimisë shpirtërore në integrimin e kulturave të popujve”, tha Dredha.

Ndërsa në skenën e ngritur enkas për festival, në sheshin përpara Stadiumit “Flamurtari”, për tri mbrëmje grupet pjesëmarrëse realizuan performancat konkurruese të cilat u përcollën me shumë kërshëri e entuziazëm nga artdashësit e shumtë, qytetarë vlonjatë por edhe të huaj që në këto ditë fundmaji kanë zgjedhur Vlorën për të pushuar e vizituar.

Aulona Inter Folk Festival është festivali ndërkombëtar më i madh në fushën e folklorit ku vetëm për efekt të këtij aktiviteti, në të shtatëmbëdhjetë edicionet së bashku, Vlorën e kanë vizituar 133 ansamble folklorike me mbi 4700 pjesëmarrës nga 38 vende të Ballkanit, Evropës dhe Azisë.

Festivali u mbështet nga bashkia e Vlorës , Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si dhe donatorë të tjerë./atsh/KultPlus.com

Akademia e Shkencave, veprimtari kushtuar poetit Lasgush Poradeci

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt një ligjëratë me temën “Zog i qiejve – Lasgush Poradeci ndërmjet pikturës dhe poezisë”.

Veprimtaria u organizua nga Komisioni i Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave, dhe u moderua nga gazetarja Anisa Ymeri.

Studiuesja e artit Suzana Varvarica solli në vëmendjen e të pranishmëve vlerësimin që i ka bërë Lasgushit, shkrimtari i madh Ismail Kadare.

“Gjer më sot Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm, më i ndërlikuar e më i pakuptueshëm që kam njohur… Duke e parë, dhe sidomos duke e dëgjuar, gjithmonë mendoja se si ishte e mundur që njeriu ballkanas, njeriu shqiptar, të arrinte një ndërlikim të tillë, përkryerje, mëvetësi dhe mister”, shkruante Kadareja.

Varvarica theksoi se Lasgush Poradeci në vitet ’30 të shekullit XX ishte poeti më i njohur shqiptar. Vargjet e tij poetike lexoheshin ethshëm nga rinia studentore e kohës. Më tej, studiuesja paraqiti një vështrim të shpejtë mbi kohën e jetës së Lasgush Poradecit dhe në kohët e krijimtarisë së tij në artet pamore, të cilat kanë qenë shumë të rëndësishme për poetin artist. Këto kohë përfshijnë krijimtaritë e kryera gjatë qëndrimit të tij në Greqi, Rumani, Austri, Shqipëri në vitet ’40 e në vijim.

Studiuesja e njohur spikati në ligjëratën e saj fijet që i lidhin zhanret e artit të Lasgushit me njëri-tjetrin. Ajo vuri në dukje se të gjitha subjektet e personazheve femërore që pikturoi e vizatoi, e gjejnë psikën e tyre në vargjet e derdhura në poezitë e cikleve “Ylli i zemrës” dhe “Zemra e ime”, duke mos i anashkaluar të gjitha ciklet e tjera të botuara në veprat madhore të poezive filozofike dhe baladave.

Gjatë ligjërimit u lexuan poezi të Poradecit nga e bija, Maria Gusho dhe moderatorja Anisa Ymeri.

Ligjërata u mbyll me diskutimet për persekutimin e heshtur dhe indiferentizmin shtetëror ndaj personalitetit të tij si doktor i shkencave filozofike dhe si një poet brilant i ndjenjave njerëzore të derdhura në vargje, ku psikologjia njerëzore është kryefjala e tyre./atsh/KultPlus.com