Përurohet përmendorja e Skënderbeut në Tuz të Malit të zi

Me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Komunën e Tuzit, në Mal të zi është përuruar sot përmendorja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Ceremonia e përurimit të shtatores në komunën e Tuzit, u zhvillua në praninë e një sërë personalitetesh. Ndërkohë, Ivan Ivanaj, Nënkryetar i Komunës, gjatë ceremonisë u shpreh se përurimi i përmendores u zgjodh të realizohej në një ditë të shënuar, historike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Në ditën më të shenjtë të kombit shqiptarë, jemi mbledhur të përurojmë përmendoren e heroit kombëtarë Gjergj Kastriot Skënderbeut, simbolit të rezistencës, unitetit dhe identitetit kombëtarë. Kjo përmendore e Skënderbeut nuk është vetëm një vepër artistike e derdhur në bronz, por kjo duhet të na shërbej si kujtesë  e përhershme e vlerave që përfaqësoi kryeheroi i ynë, e të cilat ne duhet ti kultivojmë dhe ti mbajmë gjallë.

Rruga deri këtu nuk ishte e lehtë. Ky projekt i shumëpritur dhe I kundërshtuar shpesh hasi në pengesa dhe sfida të shumta. Por ne e dinim se kjo ishte një vepër e drejtë, homazh i nevojshëm për figurën që mishëron lirinë dhe krenarinë tonë kombëtare. Sot ma shumë se kurrë vërtetojmë se kur ne shqiptarët bashkohemi gjithçka është e mundur”, tha Ivanaj.

Ai tha se ishte Forumi shqiptar dhe diaspora shqiptare që ndihmoj në realizimin e këtij misioni. Ivanaj tha se përmendorja qëndron si shenjë uniteti./KultPlus.com

“Parada e Shqiptarëve” nga të gjitha trojet në Tiranë

 Në Paradën e Shqiptarëve në Tiranë po marrin pjesë sot mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, në kuadër të 112-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

“Parada kuqezi” nisi nga sheshi “Nënë Tereza”, midis Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës dhe po përshkon bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”, ku do të zhvillohet ngritja e flamurit shqiptar.

Në hapje të paradës u shënua një moment emocionues, me recitimin e poezisë së Gjergj Fishtës “Shqypnia e lirë,” sjellë mjeshtërisht nga aktori i njohur Reshat Arbana.

Atmosfera festive u pasurua nga pjesëmarrësit që paraqitën trashëgiminë e tyre kulturore përmes këngëve popullore, instrumenteve tradicionale dhe kostumeve karakteristike nga të gjitha trevat shqiptare.

E kthyer tashmë në një traditë në New York, shqiptarët nga e gjithë bota të veshur kuq e zi dhe me veshje popullore mbushën sot rrugët e Tiranës.

Të pranishëm në paradë janë mbi 350 grupe artistike nga anë e mbanë kudo ku flitet shqip. Pjesë e paradës janë përfaqësues nga 150 qytete, delegacione nga bashki dhe komuna shqiptare, bashkë me ansamblet e tyre.

Në të dy anët e bulevardit janë edhe qytetarë të shumtë për të ndjekur nga afër paradën.

Ky aktivitet synon jo vetëm promovimin e trashëgimisë kulturore, por edhe edukimin dhe rrjetëzimin e brezave të rinj, duke forcuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare.

“Parada e Shqiptarëve” ka një ndikim të rëndësishëm në turizmin dhe ekonominë e vendit. Fluksi i pjesëmarrësve nga brenda dhe jashtë kufijve, si dhe vizitorët e huaj tërhequr nga kjo ngjarje, krijuan një atmosferë të gjallë në Tiranë.

Hotelet, bujtinat dhe restorantet përfituan nga rritja e kërkesës për shërbime, duke prezantuar mikpritjen tradicionale shqiptare dhe duke nxitur ekonominë lokale.

Kjo paradë është gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për të promovuar Shqipërinë si një destinacion unik kulturor në rajon.

“Parada e Shqiptarëve” vijon të jetë një simbol i bashkimit dhe krenarisë për të gjithë shqiptarët, duke treguar se Tirana mbetet zemra e aktivitetit kombëtar dhe promovimit të vlerave tona të përbashkëta.

Parada u organizua nën kujdesin e kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, Erion Veliaj, dhe në bashkëpunim me Shoqatën “Rrënjët Shqiptare” (Albanian Roots – Nju Jork).

Parada e shqiptarëve, Foto: Florian Abazaj./atsh/KultPlus.com

112-vjetori i Pavarësisë, Rama e Kurti në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë

Në  qytetin e Vlorës, pranë monumentit të Pavarësisë, u zhvillua sot ceremonia e ngritjes së flamurit me rastin e 112- vjetorit të Pavarësisë.

Në ceremoni ishin të pranishëm Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit,  Elisa Spiropali, prefekti i qarkut të Vlorës, Kristaq Kiço, kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha, drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të komuniteteve fetare, qytetarë, etj.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar presidenti Begaj, kryeministri Rama, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentarja Spiropali vendosën kurora me lule dhe u përkulën me respekt pranë monumentit simbol të kurorëzimit të përpjekjeve shekullore për liri e pavarësi, si homazh në këtë ditë të rëndësishme kujtese mbarëkombëtare.

Shqipëria feston sot 28 Nëntorin, 112 vjet nga shpallja e Pavarësisë. 

28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.

Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti takuan disa qytetarë pas ceremonisë së ngritjes së Flamurit në Vlorë me rastin e 112 vjetorit të Pavarësisë.

Rama së bashku me kryeministrin e Kosovës, po ashtu kanë takuar edhe me nipin e Ismail Qemalit, Nedin Vlora, i cili ishte i pranishëm në ceremoni.

Ceremonia e ngritjes së Flamurit në Vlorë

‘Po ku ka si ti o Shqipëria ime, o fisnikja përmbi gur’ (VIDEO)

Vaçe Zela është një nga emrat e pavdekshëm në rrafshin artistik në gjithë hapësirën shqiptare, shkruan KultPlus.

Shumica e këngëve të saj, janë ripërpunuar dhe vazhdojnë të këndohen e dëgjohen edhe sot e kësaj dite. Ato qëndrojnë si ‘monumente artistike’, që koha vetëm sa i forcon.

“Rrjedh në kënge e ligjërime”, është pa asnjë dyshim, kryevepra e e të madhes Zela, e cila bart emocione të pafundme nacionale dhe artistike.

KultPlus, këtu ka sjellur tekstin dhe videon e kësaj kënge:

“Eh i fortë po shndrit ai diell
dhe burimi këngës lugjeve
i përcjell.

Eh i fortë po ngroh ky diell
edhe trimat nëpër mend mi sjell,
mi përkëdhel.

Nga ky diell i kohës sime
shndrisin shekujt në agime
dhe naganti i shqiptarit zjarr
flakëron!

Po ku ka si ti, o Shqipëria ime,
O fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlarta me flamur!

(x2)

Eh i fortë po bien ai tel
dhe lahuta tingujt mi çon larg,
m’i përcjell.

Eh i forte po bjen ai tel,
partizanët nëpër mend mi sjell,
po m’i sjell.

Nga ky zë i tokës sime
flasin shekujt me gjëmime,
edhe krisma e shqiptarit rrjedh
brez më brez.

Po ku ka si ti, moj Shqipëria ime,
Oh fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlarta me flamur!
(x2)./KultPlus.com

Biblioteka e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nderojnë At Shtjefën Gjeçovin në 150-vjetorin e lindjes së tij

Ekspozita “Kujtesa e Gjeçovit” bëri bashkë Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për të nderuar studiuesin e madh shqiptar At Shtjefën Gjeçovin në 150-vjetorin e lindjes së tij.

Kështu bëri të ditur ministria e Kulturës përmes një njoftimi në Facebook.

“Në kuadër të Javës së Kulturës Kombëtare, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, Ministrisë së Kulturës së Shqipërise dhe Ambasadës së Kosovës në Shqipëri, kjo ekspozitë prezanton për herë të parë për publikun shqiptar botime dhe artikuj nga periudha të ndryshme në koleksionet e BKK-së mbi figurën më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare: françeskanin At Shtjefën Gjeçovi”, thuhet në njoftimin e MKRS-së./KultPlus.com

Botimi i parë i librit “Harry Potter” shitet për 36,000 paund

Një botim i rrallë, i parë i librit të “Harry Potter” është shitur për 36,000 paund.

Christine McCulloch bleu kopjen e “Harry Potter and the Philosopher’s Stone” për djalin e saj Adam në vitet 1990.

Ajo tha se pagoi rreth 10 paund për kopjen e tij nga një librari në Stratford-upon-Avon në vitin 1997 dhe nuk e kishte idenë se i njëjti libër do të vlente mijëra paund, 30 vjet më vonë.

Botimi i parë i librit u shit në ankandin “Rare Book Auctions” në Lichfield, Staffordshire – dhe blerësi pagoi 45,000 paund në total.

Sipas organizatorëve të ankandit, libri është një nga vetëm 500 kopjet e botuara në botimin e parë të librit “Harry Potter”në vitin 1997.

Ai ishte vlerësuar me një çmim midis 30,000 dhe 50,000 paund.

Adam McCulloch, nga Tansley, Derbyshire, tha se kopja ishte lënë në një dollap nën shkallët e ish-shtëpisë së familjes së tij, në Chesterfield./KultPlus.com

‘Natën, kur gjumi humbet në humnerën e mendimeve’

Poezi nga Saranda Rugova

Natën,
Kur gjumi humbet në humnerën e mendimeve,
frika shpirtin e hijëzon.
Lajmit të egër ia ka mërinë
largësisë,
nuk ia shuan kush mallin e shtëpisë.

Përtej kufijve zemrat ndahen në dysh,
atje dashuria, këtej zbrazëtia,
gjallnon shpresa dhe mbijeton fuqia,
në lindjen e diellit beson vetmia./KultPlus.com

Prej 28 Nëntor deri më 1 Dhjetor, EBC vjen me zbritjen më të madhe vjetore për Black Friday

EBC Cosmetics është kompani lidere në industrinë e kozmetikës në vend, e njohur për origjinalitet dhe e vetmja kompani në Kosovë e autorizuar për shitjen në 8 pika zyrtare dhe online të brendeve më të njohura ndërkombëtare

Në muajin Nëntor të këtij viti, EBC për “Black Friday” do të ofrojë zbritjen totale 30% nga data 28 Nëntor deri më 29 Nëntor, dhe në brende të caktuara nga data 30 Nëntor deri më 1 Dhjetor.

Nëntë dyqanet e EBC ndodhen në këto lokacione:

1. Bregu i Diellit , Rr.Eqrem Qabej

2. Rr. Nënë Tereza

3. Rr.Garibaldi, përballë hotel Grand

4. The Village Shopping & Fun, Ferizaj

5. Royall Mall, Rruga B

6. Galeria Mall, Prizren

7. Albi Mall, Veterrnik

8. Prishtina Mall

Platforma për blerje online në të gjitha qytetet e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë EBC SHOP : www.ebc.shop./KultPlus.com

Shqipëria

Poezi nga Pablo Neruda

S’kam qënë ndonjëherë
Në Shqipëri
n’atë tokë të ashpër e të dashur,
n’atë dhe malor barinjsh.

Sot
shpresoj të vij si për të kremte,
për një të kremte të re, dasmë mbi tokë;
pa të vete të shoh
si shkëlqen dielli
majë krahëve plot muskuj
të vargmaleve të tua,
si më rritet në mes të shkëmbinjve
si zambaku i ri dhe i njomë,
kultura,
letërsia,
që po nis e shtrihet,
nderi ndaj bujkut të moçëm,
djepi i punëtorit,
përmendorja e shquar e vëllazërimit,
si merr përpjetë mirësia posi bima e re
që lulëzon në vendet e lashta e të varfra.

O Shqipëri e vogël, e fortë,
e vendosur dhe zëmjaltë,
teli i kitarës sate
‐ ujë dhe çelik i gjallë –
vjen e më t’i shtohet tingullit
të historisë,
këngës së kohës që s’ka të mposhtur,
me një zë bjeshkësh
dhe ndërtimesh,
aromash
dhe bardhësish,
këngës së mbarë njerëzve dhe mbarë, mbarë bjeshkëve,
zogjve dhe mollëve në lule, erërave dhe valëve.
Forca, vendosmëria dhe lulet janë dhuratat q’i sjell ti
ndërtimit të jetës mbi tokë.

(Përktheu: A.Pilika) KultPlus.com

Nga Ismail Qemali tek Luigj Gurakuqi, aktorët që luajtën tek “Nëntori i dytë” (FOTO)

“Nëntori i dytë” filmi që tregon udhëtimin e Ismail Qemalit drejt Vlorës për të ngritur aty flamurin e shqiptarëve, vazhdon të jetë një ndër filmat më historikë në historinë e kinematografisë shqiptare. Çdo 28 nëntor ai është simboli që çdo shqiptar do donte ta rishihte si pjesë e krenarisë së tij.

Filmi u realizua në vitin 1982 nga regjisori Viktor Gjika nën skenarin e Dhimitër Shuteriqit dhe Kico Blushit. Me muzikë nga Kujtim Laro kolona zanore e filmit vazhdon të shoqërojë çdo përvjetor të pavarësisë së vendit. Por ajo çfarë i dha suksesin këtij filmi nuk ishte vetëm historia, por dhe një kastë e zgjedhur aktorësh me kujdes nga regjisori Gjika.

Ai zgjodhi për Ismail Qemalin një karakter të fortë të teatrit e kinemasë shqiptare siç ishte Sandër Prosi. E kush mund ta kishte interpretuar më mirë se Prosi Ismail Qemalin. Në atë rol ai sapo kishte kaluar të 60-at dhe vetëm tre vjet më vonë ai do të ndahej nga jeta në mënyrë tragjike. Isa Boletini, përfaqësuesi i Kosovës në festën e madhe të shqiptarëve do të interpretohej nga Reshat Arbana. Atëherë mbi të 40-at Arbana kishte trupin dhe mendjen e Boletinit duke sjellë një karakter impulsiv dhe të matur njëkohësisht që e personifikon më së miri Isa Boletinin. Mario Ashiku do të interpretonte Shpend Dragobinë.

Aktori i talentuar do të shndërrohej i tëri në djalin luftëtar të Jah Elezit nga Dragobia, Malësi e Gjakovës i cili ishte delegat i Kosovës në Vlorë më, 28 nëntor 1912 kur u shpall pavarësia e Shqipërisë. Shpend Dragobia ishte mik i ngushtë dhe bashkëluftëtar i Isa Boletinit. Gjenerali turk do të interpretohej nga aktori shkodran Sulejman Dibra. Demir Hyskja do të interpretonte Mytesarifin. Bujar Lako do të interpretonte Luigj Gurakuqin i cili në qeverinë e përkohshme të Vlorës do të zgjidhej më vonë Ministër i Arsimit. Robert Ndrenika do të interpretonte Hakiun. Petrit Malaj atëherë një aktor i ri do të luante Adem Boletinin.

Luan Qerimi do të luante Sali Drenicën. Gyljem Radoja do të luante Lym Kepin ndërsa Harjie Rondo do të ishte gruaja e Lym Kepit. Ilia Shyti do të ishte Mullai i Beratit, ndërsa Pandi Raidha do luante Demir Arbanën. Spiro Urumi do të interpretonte Xhaferr Bej Kadenën. Këta janë aktorët që i dhanë jetë një prodhimi të jashtëzakonshëm kinematografik që formatoi në kujtesën e shqiptarëve një udhëtim të gjatë dhe historik që do të shënjonte përgjithmonë një histori tjetër të shqiptarëve, shkruan GSH. Dhe pse shumë pjesë të filmit nuk u shfaqën për shkak të censurës së kohës, kjo nuk e pengoi regjisorin Gjika të sillte me këtë film udhëtimin e shumëpritur në shekuj të shqiptarëve./ KultPlus.com

Dita e Flamurit, hapet në Vlorë ekspozita “Udha drejt Pavarësisë”.

Në kuadër 112-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, rihapi ekspozitën “Udha drejt Pavarësisë”.

Kjo ekspozitë pasqyron rrugëtimin historik të nënshkruesve të aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe me artefakte që ilustrojnë këtë ngjarje madhore. Rrugëtimi i patriotëve shqiptarë, që do të kulmonte me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e kishte zanafillën më 2 nëntor të vitit 1912, në lagjen Pera të Stambollit, në mbledhjen që u zhvillua në hotelin Pera Palace. Nga Stambolli, Ismail Qemali u nis me anije për në Konstancë të Rumanisë.

Për të ngritur flamurin kombëtar, patriotët shqiptarë u ndeshën me pengesa dhe vështirësi të shumta. Më 5 nëntor 1912, Ismail Qemali mblodhi patriotët shqiptarë në hotelin Continental të Bukureshtit, ku diskutuan për pavarësinë e Shqipërisë. Në fjalën e tij, ai theksoi: “Tjetër shpëtim për Shqipërinë nuk ka, përveçse të gjenden ca atdhetarë me guxim dhe bashkë me mua të hyjmë në Shqipëri dhe të kasnecojmë vetëqeverimin e saj”. Figurat më të rëndësishme të kësaj mbledhjeje qenë: Aleksandër Stavri Drenova, Spiridon Ilo, Vasil Zografi, Pandeli Evangjeli, Luigj Gurakuqi, Dhimitër Berati, etj. Ata vendosën që të mbahej Kuvendi Kombëtar me përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhje u diskutua edhe për flamurin kombëtar dhe u vendos që të ishte flamuri që ngriti Gjergj Kastrioti në Krujë.

Më 7 nëntor 1912, Ismail Qemali u nis me tren nga Bukureshti për në Vjenë, për një vizitë diplomatike, qëllimi i së cilës ishte të fitonte mbështetjen e Austro-Hungarisë për pavarësinë e Shqipërisë. Me të arritur në Vjenë, ai u vendos në Grand Hotel. Më 10 nëntor 1912, u takua me ambasadorin anglez, Sir Fairfax Cartwright, i cili ishte ndoshta diplomati i huaj më në zë i kohës, i akredituar në Vjenë.

Më 12 nëntor 1912, Ismail Qemali udhëtoi me tren drejt Budapestit, ku takoi ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë, kont Berthold-in, i cili e siguroi se qeveria e tij kishte biseduar edhe me qeveritë italiane e gjermane për këtë qëllim, të cilat nuk e shihnin me sy të mirë shtrirjen e Malit te Zi dhe Serbisë në jug të Ballkanit.

Më 19 nëntor 1912, bashkë me Luigj Gurakuqin, Ismail Qemali arriti në Trieste, qytet që në atë kohë ishte një port i Austro-Hungarisë. Spiridon Ilo, Dhimitër Berati, Pandeli Mborja dhe Dhimitër Zografi u nisën disa ditë më vonë për t’u takuar po aty me Ismail Qemalin. Po nga Triestja do të bëhej nisja për në Durrës, me anijen “Baron Bruck”, që ua siguroi Berthold-i.

Natën e 20 nëntorit, duke u gdhirë data 21, avulloret “Brunn” dhe “Graf Wurmbrand” u takuan në Gjirin e Rodonit për të bërë kalimin e Ismail Qemalit dhe njerëzve të tij nga njëra anije tek tjetra.

Ismail Qemali dhe burrat e tjerë e kaluan natën në “Graf Wurmbrand”, e cila arriti mëngjesin e datës 21 nëntor në Durrës dhe u prit në qelën e Dom Nikollë Kaçorrit, i cili, pas një jave, do të ishte edhe zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Më 23 nëntor 1912, Ismail Qemali u nis me një karrocë me kuaj nga Durrësi. Gjatë rrugëtimit të karvanit për në Vlorë, gjenerali i divizionit turk, Kara Sait Pasha, që kontrollonte zonën midis Lushnjës, Fierit dhe Beratit, dha urdhër të arrestohej Ismail Qemali dhe gjithë shoqëruesit e tij. Për këtë arsye, karvani nuk u fut në Lushnjë, por e kaloi natën në Çermë, në çifligun e Dervish bej Biçakut.

Natën tjetër Ismail Qemali e kaloi në Fier, tek Omer Pasha. Me ndihmën e patriotëve vendas, karvani kaloi nga Mifoli dhe pas shumë peripecive, pasditen e 27 nëntorit 1912, Ismail Qemali mbërriti në Vlorë.

Punimet e Kuvendit të Vlorës filluan më 28 nëntor 1912, në orën 15:30 në sarajet e familjes Vlora, me pjesëmarrjen e 78 delegatëve. Kuvendi i Vlorës vendosi që “Shqipëria të bahet më vehte, e lirë dhe e mosvarme”. Pas nënshkrimit të aktit të shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, në orën 17:30 të datës 28 nëntor 1912, doli në ballkonin e shtëpisë ku zhvilloi punimet kuvendi dhe valëviti lart flamurin kombëtar, të cilin e kishte ngritur dikur Gjergj Kastrioti në Krujë./atsh/KultPlus.com

28 Nëntori, shënuesi i ngjarjeve të mëdha përgjatë epokave të ndryshme

Nëntori ka hyrë në historinë e popullit shqiptar, duke u bërë një muaj i tërë me përplotë ngjarje që na fisnikrojnë e krenojnë ndër vite, shkruan KultPlus.

Figura të shquara kombëtare përgjatë datave të nëntorit kanë arritur të shënojnë të arritura të mëdha për vendit, të lindin dhe të na bëjnë neve këtë muaj si të veçantë.

Patjetër që e tillë është edhe data 28 Nëntor.

KultPlus ka përmbledhur ngjarjet më të veçanta të historisë përgjatë kësaj date:

1443 – Gjergj Kastriot Skënderbeu, e ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e Krujës.

1793 – Në Shkodër, Lezhë dhe në rrethinat e tyre nisi kryengritja kundër ushtrive osmane. Me humbje të mëdha pashai turk mundi të çante rrethimin, por në Lezhë pësoi goditje dhe humbje të reja, që e detyruan te tërhiqet për në Manastir.

1912 – Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë.

1955 – Ditëlindja e Adem Shaban Jasharit.

1997 – Paraqitja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

1998 – përmes referendumit mbarëpopullor u adoptua Kushtetuta e Shqipërisë. / KultPlus.com

Fjalimi origjinal i Ismail Qemalit më 28 Nëntor 1912

Me rastin e ditës së Pavarësisë, e risjellim sot të plotë fjalimin e Ismail Qemalit të mbajtur më 28 Nëntor 1912 në ngjarjen e madhe të ngritjes së flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë në Vlorë.

KultPlus ju sjell fjalimin origjinal nga Ismail Qemali

Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.

Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.

Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!

Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Shqiptarët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).

Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest.

Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.

Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë.

Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.

Rroftë Flamuri!

Rroftë Shqipërija! / KultPlus.com

69 vjet nga lindja e komandantit Adem Jashari

Sot është dita e lindjes së Adem Jasharit, një nga luftëtarët më të shquar që ka nxjerrë kombi shqiptar.

Themelues i UÇK-së, komandant dhe hero i Luftës Çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës, Jashari lindi në Prekaz të Drenicës më 28 nëntor 1955.

Adem Jashari mori pjesë në Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, ku kërkesë kryesore e shqiptarëve ishte “Kosova Republikë”. Deri në vitin 1989, qëndroi në ilegalitet për shkak të përndjekjes nga ana e forcave serbe. Në vitin 1990, Adem Jashari organizoi grupet e para të armatosura në Kosovë. Në vitin 1991, ai së bashku me vëllezërit Rifatin e Hamzën, arritën të çanin rrethimin e forcave serbe.

Më 25 nëntor 1997 forcat e Adem Jasharit sulmuan trupat e policisë serbe në Vojnik, duke i detyruar ato që të tërhiqen. Ndërsa më 28 nëntor 1998, gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halil Geci, i vrarë nga forcat serbe, përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dolën në tribunë me simbolet e UÇK-së.

Forcat serbe nuk mundën të hynin më në Drenicë deri më 22 janar 1998, por më 2 mars 1998, forca të shumta serbe të shoqëruara me tanke, autoblinda dhe artileri rrethuan shtëpinë e familjes Jashari.

22 pjesëtarët e familjes që ndodheshin në shtëpi luftuan me forcat serbe për tri ditë e netë, duke mbetur të vrarë nga kjo familje 21 vetë nga mosha 3 deri në 74 vjeç. Mes të vrarëve ishte edhe Adem Jashari, i cili u kthye në simbol frymëzimi dhe rezistence për shqiptarët./ KultPlus.com

Rama uron 112-vjetorin e Pavarësisë me jehonën e këngës “Për ty atdhe”

Shqipëria feston sot Ditën e Flamurit, 112- vjetorin e Pavarësisë.

Kryeministri Edi Rama uroi sot të gjithë shqiptarët për festën e Pavarësisë, me jehonën e këngës “Për ty, Atdhe”, si dhe koreografinë kuqezi të fëmijëve nga Vlora, në Tiranë e Shkodër.

“Me jehonën e këngës ‘Për ty, Atdhe’, nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, te Kalaja e Rozafës në Shkodër dhe Sheshi Skënderbej në Tiranë”, shkruan Rama.

Shqipëria feston sot 28 Nëntorin, 112 vjet nga shpallja e Pavarësisë. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.

Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar./atsh/KultPlus.com

Gonxhja: Sot përkujtojmë me krenari Gjon Milin, një artist global me rrënjë shqiptare

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në këtë 28 nëntor, ka përkujtuar ditën e lindjes së fotografit, Gjon Milin, “një artist global me rrënjë shqiptare”.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja shkruan se sot përkujtojmë me krenari mjeshtrin shqiptar që i dha dritë botës së artit dhe fotografisë me vizionin e tij unik dhe përdorimin novator të dritës.

“Gjon Mili theu kufijtë e imagjinatës, nga portretet ikonike tek eksperimentet e tij me dritën dhe lëvizjen, ai mbetet frymëzim për artistët në mbarë botën”, shkruan Gonxhja.

Gjon Mili u lind më 28 nëntor 1904 në Korçë. Në moshën 5 vjeçare familja e tij emigroi në Rumani, atje Mili ku kreu shkollën e mesme dhe në moshën 19 vjeçare u nis drejt Amerikës. U diplomua në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetit inxhinier ndriçimi. Gjatë kësaj kohe u mor me artin fotografik.

Emri i tij është jo pak i njohur në Amerikë dhe Francë. Rëndësi në jetën e tij pati njohja e miqësia me Faik Konicën, i cili e nxiti të drejtonte krijimtarinë në fushën e artit. Për 15 vjet ka punuar fotoreporter për revistën e njohur amerikane “Life”, në 1946 hapi në Paris ekspozitën vetiake, ndërsa në 1942 ai fotografoi predhën e një topi avioni kalibër 37 milimetra me një kohë ekspozimi për një të miliontën pjesë të sekondës. Kjo foto u quajt nga shtypi i kohës si shpikja e kohës.

Pikaso duke vizatuar në dritë dhe një ndeshje basketbolli janë dy nga fotografitë e tij të famshme, e para është renditur ndër 500 fotografitë më të mira të botës për 150 vjet, për albumin “Photo book”, Londër 2002. Gjon Mili njihet si fotografi që përdori për herë të parë flashin elektronik dhe fotografimin e lëvizjes. Ai vdiq më 14 shkurt 1984 në SHBA./atsh/KultPlus.com

Sot, 27 vjet nga dalja publike e UÇK-së në skenë

Sot u bënë 27 vite nga dalja e parë në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

28 Nëntori nuk shënon vetëm festën e Ditës së Flamurit. Sa herë vjen ky muaj, Kosova kujton daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Ndërkaq, ajo që bëri që UÇK-ja të bëjë publike aktivitetet, ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më parë nga forcat serbe.

Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalë për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK-së.

Deklarata e UÇK-së për paraqitjen e saj të parë publike u përgatit nga vetë ushtarët e saj. / KultPlus.com

Presidenca e Kosovës reagon për vdekjen e profesorit Sami Repishti: Vepra e tij është dëshmi e guximit dhe e përkushtimit

Presidenca e Republikës së Kosovës, kanë reaguar pas vdekjes së profesorit Sami Repishti, i cili ishte i mbijetuar nga burgjet e komunizmit në Shqipëri.

Ai vdiq të mërkurën, më 27 nëntor, në moshën 99-vjeçare.

“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të profesor Sami Repishtit, patriotit të madh, zërit të shquar për drejtësi, liri e pavarësi të Kosovës. Vepra e profesor Sami Repishtit është dëshmi e guximit dhe e përkushtimit – duke qëndruar në ballë të luftës për të drejtat e njeriut dhe luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, janë shprehur nga Presidenca.

Tutje, në komunikatën e tyre thuhet se dëshmia e tij në institucionet amerikane, shkrimet e tij për historinë e Kosovës dhe dashuria e tij e thellë për popullin tonë do të mbeten të paharrueshme. Ai ishte një patriot e prijetar me vizion, përpjekjet e të cilit ndihmuan në formësimin e rrugës drejt pavarësisë sonë.

“Mirënjohje e përjetshme për një jetë kushtuar çështjes shqiptare! U prehtë në paqe profesor Repishti. Trashëgimia e tij do të jetojë për sa të jetë kombi jonë!”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Elbasani dhe Durrësi në festë: Aktivitetet e nëntorit dhe magjia e fundvitit ndezin qytetet

Elbasani ka nisur festimet që për 80-vjetorin e Çlirimit të qytetit, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, Gledian Llatja.

Gjatë këtij muaji, qyteti do të mbushet me aktivitete, koncerte dhe ngjyra festive që do të zgjasin deri në fund të vitit. Zëdhënësja e këtij institucioni, Miranda Sadiku thotë për ATSH se atmosfera festive e ka përshkruar qytetin me simbolet kuqezi, duke krijuar një atmosferë ngazëlluese për të gjithë qytetarët.

28 Nëntori, Dita e Pavarësisë, do të jetë kulmi i festimeve, ku do të zhvillohen aktivitete speciale për fëmijët e kopshteve dhe shkollave të Elbasanit. Shumë nga ta do të performojnë në koncertet që do të organizohen në teatrin “Skampa” dhe Qendrën e Artit. Qendra e Artit, me koncerte dhe aktivitete për fëmijët, do të shërbejë si një pikë e veçantë e këtyre festimeve. Fëmijët, në këto aktivitete, do të ndajnë me qytetarët emocionet e tyre, duke kontribuar në atmosferën festive që do të mbizotërojë në qytet.

Përveç aktiviteteve edukative dhe kulturore, qyteti do të shndërrohet në një oaz dritash shumëngjyrëshe, simbol i pritjes së Vitit të Ri. Dritat e pemës së madhe që simbolizon festat e fundvitit  në qytet do të ndizen më 6 dhjetor, duke i dhënë Elbasanit një pamje të mrekullueshme dhe një atmosferë magjike. Pjesë e këtyre festimeve do të jenë gjithashtu  lodrat dhe shtëpiza të improvizuara pranë portës së kalasë, ku qytetarët do të mund të shijojnë aktivitete dhe produkte festive.

Në vazhdim të festimeve, koncertet festive do të vijojnë me aktivitete të ndryshme, për të kaluar një fundvit të paharrueshëm. Mbrëmjet Gala, si një traditë e qytetit, do të përmbyllin festimet, duke sjellë një atmosferë festive për të gjithë qytetarët dhe mysafirët e Elbasanit.

Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, theksoi se “festimet për këtë vit janë më të shumta dhe më të larmishme. Po krijojmë një atmosferë të ngrohtë, të gëzueshme dhe plot shpresë për të gjithë qytetarët, ku secili do të mund të shijojë aktivitete të veçanta dhe të kontribuojë në ruajtjen e traditave tona”.

Njëherësh, qyteti i Durrësit ka rezervuar një seri aktivitetesh në kuadrin e festave të nëntorit dhe atyre të fundvitit. Zëdhënësi i kësaj bashkie, Dorian Agolli thotë për ATSH se për kalendarin e këtyre ngjarjeve artistike është punuar prej kohësh, nga ideimi te projektimi dhe materializimi i secilit syresh prej tyre, ndërkohë që qëllimi është që të aktivitetet të jenë sa më gjithëpërfshirëse për të gjitha grupmoshat. Nga mbrëmë, në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës në orën 19:00 të pasdites nis koncerti festiv në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, që quhet “Këngët e vendit tim”. Me pjesëmarrje të gjerë të këngëtarëve dhe artistëve të njohur të këtij qyteti. Në javën e parë të dhjetorit, pra në datat 6-7-8 dhjetor në po të njëjtën qendër kulturore është parashikuar të jepet për publikun shfaqja “Anonimi i Venedikut”. Vepra trajton historinë e një çifti të divorcuar që ritakohen pas tetë vjetësh dhe bëjnë një udhëtim  në Venecia, duke rikujtuar kohët e kaluara ku zihen si gjithmonë, dashurohen si gjithmonë, por është personazhi kryesor i veprës, burri ai që e ka kërkuar këtë takim, sepse është duke vdekur.

Në datat 17-18-19 dhjetor, bashkia Durrës organizon Festivalin Kombëtar të Këngës për Fëmijë “Tingujt e Adriatikut”, me një repertor të pasur këngësh për festat, ndërkohë që do të jenë të ftuar edhe personazhe të njohura të sferës publike. Këto ditë pritet të ndizen edhe dritat e pemës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri në qendër të qytetit të Durrësit./atsh/KultPlus.com

Kryeministri Kurti uron 28 Nëntorin me një video nga Prekazi: Kjo ditë na gjen me projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar 28 Nëntorin, duke kujtuar se kjo ditë po i gjen me projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

“Në këtë vend të shenjtë që ruan gjurmët e veprës heroike të Familjes Jashari, ne kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë çmimin e lirisë të cilën e gëzojmë sot”, ka shkruar ai.

Kurti ka shtuar se nuk do të kursehet asgjë që të ndërtohet një kompleks memorial i rëndësishëm ndërkombëtarisht.

“Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e Familjes Jashari, ka shkruar Kurti./KultPlus.com

“Një Komb, një Flamur”, Dua Lipa uron 28 Nëntorin me vargjet e himnit kombëtar

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka uruar shqiptarët me vargjet e himnit kombëtar, në 112 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në rrjete sociale, ajo ka shpërndarë fotografinë me simbolet e flamurit shqiptar.

“Një Komb, një Flamur”, shkruhet ndër të tjera në postimin e Dua Lipës./KultPlus.com

Përkujtohet ngritja e flamurit shqiptar nga Skënderbeu në Krujë

Në muzeun e Krujës u përkujtua mbrëmjen e djeshme momenti historik dhe i paharrueshëm për kombin tonë, ngritja e flamurit nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë.

Ky akt heroik nuk ishte vetëm ngritja e një simboli, por një thirrje për liri, bashkim dhe krenari kombëtare.

Në ceremoninë e organizuar në Krujë ku u ngrit  flamuri shqiptar të pranishmit nderuan këtë ditë me zemrat plot dashuri për atdheun dhe për vlerat që na bashkojnë si popull.

Më 28 nëntor të vitit 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe forcat e tij çlirojnë Krujën dhe ngrenë flamurin kuq e zi.

Pasi kishte braktisur osmanët në betejën e Nishit më 3 nëntor, Skënderbeu, në krye të 300 kalorësve, u kthye në trojet e tij dhe u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve.

Sipas kujtimeve të Marin Barletit: “Skënderbeu valëviti në Krujë me 28 nëntor 1443, për herë të parë në histori, flamurin kuq e zi dhe në kulmin e entuziazmit popullor të të pranishmëve tha : “lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj edhe me një çlirimtar tjetër, se Arbërisë nuk i mungojnë burrat. Lirinë nuk jua solla unë po e gjeta këtu në mes tuaj. Armët nuk jua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë dhe në ushtat”.

Fjalimi i Skënderbeut nxiti frymën atdhedashëse. Kryengritja çlirimtare u bë e përgjithshme. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone.

Shembulli i tij nxiti thuajse të gjithë princat shqiptarë të ngriheshin kundër sundimit osman; në përpjekje për bashkim forcash, më 2 mars 1444, Skënderbeu i thirri ata në Lezhë për një kuvend ku pavarësisht nga grindjet mes tyre, themeluan një bashkim, i njohur në histori si Lidhja shqiptare e Lezhës./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani uron 112 vjetorin e pavarësisë, ditëlindjen e Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar ditën e 28 nëntorit, duke u shprehur se në këtë ditë nderojmë historinë, flamurin dhe identitetin kombëtar, duke riafirmuar përkushtimin tonë për fuqizimin e shteteve tona.

“28 Nëntori nuk është vetëm simbol i betejave dhe triumfeve tona, por edhe kujtim i sakrificave tona për të qenë të lirë, në paqe dhe krenarë”, është shprehur ajo.

Presidentja shtoi se28 Nëntori është simbiozë e tri momenteve historike që e lartësojnë kombin tonë: ngritja e flamurit në Vlorë dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, dalja publike e UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Të bashkuar në zemër e shpirt, le ta festojmë këtë ditë me krenari!”, është shprehur ajo në fund./KultPlus.com

Pavarësia e Shqipërisë – Shqiptarët i ktheu në familjen Europiane

Hasan Prishtina: “Lufta ballkanike u bo shkak që kjo nder e famë t’i mbetet Vlonës e jo Kosovës e në vend të nji Shqypnisë së madhe të bohet nji Shqyni e vogël”.

Nga Jusuf Buxhovi

Kuvendin e Vlorës, para delegatëve të mbledhur, Ismail Qemali tha:

“Shqipëria me sot të bëhet më vete, e lirë e mosvarme”.

Para pesëqind e sa vitesh, thuajse të njëjtat fjalë, që ishin thënë në Vlorë, në vendin që njihej Arbëri, do t’i thotë edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu pasi që të ketë mbajtur Kuvendin e besëlidhjes së Lezhës në vitin 1444.

Atëbotë, ajo e “lirë dhe e mosvarme” do të thoshte t’i takojë krishterimit perëndimor. Pra një bote ku ata, si pellazgo-ilirë qëndronin në themelet e qytetërimit të tij që nga antika, ndërkohë që pjesa tjetër ishte një botë tjetër, një qytetërim tjetër, që vinte nga lindja me flamurin e islamit.

Ndonëse mbas një çereku shekulli, Arbëria serish do të pushtohet nga bota së cilës ndër të parët dhe e vetmja ia kishte kthyer armën, kur të tjerët luteshin që Arbrit të vazhdonin të vdisnin në mbrojte të Perëndimit, pra që Osmanët të mbeteshin sa më shumë kohë të ngujuar rreth Krujës dhe kështjellave të tjera të Arbrit, ata megjithatë, qenë të fundit që u liruan nga pushtimi pesëshekullor osman.

Ndodhi kjo kur Perandoria Osmane tashmë ishte në grahmën e fundit dhe fqinjët e Shqiptarëve (Serbët, Malazezët, Grekët dhe Bullgarët) tashmë kishin pushtuar tokat shqiptare dhe ishin në rrugë e sipër që ta zhbënin njëherë e përgjithmonë atë që ditë më parë, në marrëveshje e Hasan Prishtinës me Osmanët në Shkup, paraqiste bërthamën për një autonomi shqiptare në përbërje të Perandorisë Osmane si një Shqipëri osmane, që nuk do të ishte tjetër pos bërthamë e një shteti të ardhshëm shqiptar në përmasat e tij të natyrshme etnike.

Megjithatë, që të krijojnë shtetin e tyre, Shqiptarët e patën më se vështirë. Jo pse atë nuk e donin. As pse pranimi në masë të madhe i islamit dhe akomodimi në strukturat shoqërore dhe udhëheqëse perandorake deri në nivelet më të larta të hierarkisë i kishte bërë të tjerë sa të ndjeheshin pjesë e Perandorisë, amallgam i miletit-osman. Por, pse ata edhe në rrethanat osmane, përkundër këtyre realiteteve, kishin ruajtur etninë, gjuhën dhe kujtesën historike, që i lidhte me përkatësinë e botës perëndimore dhe të qytetërimit të saj.

Kjo, pra u pengonte, Osmanëve, që mendonin se me Shqiptarët si myslimanë kishin krijuar “alibi” për mbetje të përhershme në pjesën europiane. Dhe, kjo u pengonte edhe fqinjëve sllavo-ortodoks, të cilët kishin luftuar aq shumë kundër Arbërve edhe gjatë kohës së Bizantit pse ata ishin themelues të ngrehinës dhe të qytetërimit të tij.

Natyrisht, se kur në shekullin XIX Reformat e Tanzimatit dhe më vonë Kriza Lindore, kishin nxjerrë nga shishja frymën e nacionalizmit pansllav, që nuk kishte kthim prapa, e do të pasqyrohet me shfaqjen e shteteve të para sllavo-orotodokse në pjesën europiane të Perandorisë Osmane, edhe Shqiptarët, ndonëse me vonesë, detyrimisht do t’i kthehen identitetit kombëtar për ta siguruar të ardhmen e tyre midis popujve europianë, që për kusht kishte shtetin e pavarur nacional.

Kjo paraqiste sfidë të dyfishtë për Shqiptarët: në njërën anë pse rrënonte konceptin osman që me Shqiptarët si mileti-osman të mbeteshin në pjesën evropiane, dhe në tjetrën anë pse fqinjëve të tyre (Serbëve, Malaziasve, Grekëve dhe Bullgarëve) ua pengonte planet hegjemoniste për t’i grabitur tokat shqiptare.

Në këto rrethana vendimtare, do të jetë mendësia intelektuale e tyre, e cila do ta kuptojë drejt çastin historik për lëvizje, ku gjuha, kultura dhe emancipimi kombëtar ishin të vetmet atu me anën e të cilave mund të gjendej rruga e duhur, ta mbijetonin shembjen e Perandorisë Osmane si etni e pavarur, por edhe të mbrohen nga gllabërimi i fqinjëve, që e luftonte këtë realitet.

Rilindja Kombëtare Shqiptare thuajse gjeti formulën magjike kur shpalli gjuhën dhe kulturën identitet kombëtar, ndërsa religjionin e vlerësoi një “pluralizëm të përbashkët shpirtëror”, një pasuri, që ndihmon identitetin kombëtar dhe assesi që e mohon.

Kështu, motoja “feja e shqiptarit është shqiptaria”, u bë formula më domethënëse dhe e vetmja e botës shqiptare, që mund t’ua siguronte ardhmërinë, ndonëse me vështirësi tepër të mëdha.

Mbi këtë formulë, do të konceptohet edhe programi politik i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i cili do të promovohet për herë të parë gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku u manifestua përcaktimi shqiptar për ta mbrojtur etninë dhe mbi të për ta ndërtuar shkallë-shkallë identitetin autonom shtetëror gjithnjë në përputhje me rrethanat dhe zhvillimet, të cilat kërkonin balancim të jashtëzakonshëm raportesh me Perandorinë Osmane dhe me Fuqitë e Mëdha Europiane, veçmas, kur bëhej gjithnjë e më e qartë, se faktori shqiptar me identitet shtetëror, ishte i vetmi që mund të shfrytëzohej si digë kundër pansllavizmit dhe të zgjerimit të ndikimit rus në Ballkan.

Por, ardhja e Shqiptarëve deri te pika që të kthehen në një digë të vetme kundër pansllavizmit, paraqet një zhvillim historik thuajse ndër më kundërthënësit nëpër të cilin do të kalojë Perandoria Osmane, nga Reformat e Tanzimatit e këndej, kur nga Fuqitë e Mëdha, asaj do “t’i garantohet” mbrojtja nga copëtimet e jashtme, ndërsa në të njëjtën kohë, nga lëvizjet nacionale të popujve sllavo-ortodoksë, nxiteshin shthurjet e brendshme, me të cilat asaj gjithnjë e më shumë i ngushtohej hapësira në kontinentin e vjetër, me çka fillon edhe koha e largimit të pashmangshëm prej tij,si fundin i saj.

Shfaqja e lëvizjeve nacionale te fqinjët sllavo-ortodoksë si dhe programet e tyre për shtete nacionale, të cilat do të përkrahen nga Rusia dhe, nga fillimet e shekullit nëntëmbëdhjetë e tutje, një nga një do të shkëputën (fillimisht me anën e autonomive, siç ishte rasti i Serbisë, Malit të Zi dhe më vonë Bullgarisë, apo i njohjes së Greqisë shtet i pavarur) si dhe pretendimet e tyre të hapura që të zgjerohen edhe më tutje me anën e tokave shqiptare, do t’i detyrojnë Shqiptarët që në njërën anë të pranojnë sfidën e nacionalizmit për të dëshmuar se janë popull i vjetër europian dhe si të tillë zotë të asaj që as gjatë sundimit shumëshekullor osman është ruajtur dhe nuk u është mohuar (identitetit etnik që është pasqyruar me shtrirjen në katër vilajete: të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës), dhe në tjetrën anë, të paraqesin edhe programet politike rreth ardhmërisë së tyre, me të cilat duhej të ruhej baraspesha midis interesave të tyre me Perandorisë Osmane dhe me Fuqitë e Mëdha.

Sfida e identitetit kombëtar dhe e përcaktimit politik mbi të, për Shqiptarët shfaqeshin me vështirësi të shumëfishta, meqë ato binin ndesh me realitetet e brendshme perandorake të natyrës shoqërore, kulturore dhe politike, ndër të cilat më papërballueshmja lidhej me tretmanin e milletit-osman, ngaqë një pjesë e mirë e Shqiptarëve kishin pranuar islamin. Ndërkohë që për këtë arsye, edhe Shqipëria (së paku nga koha e Sulltan Hamiti e këndej) paraqitej si “kështjellë myslimane në Europë”, me të cilën lidhej edhe fati dhe e ardhmja e Perandorisë Osmane.

Andaj, nuk është e rastit, se nga fillimi i zbatimit të reformave të Tanzimatit, Shqiptarëve dhe trojeve të tyre etnike, kjo hipotekë do të kthehet në moto të politikes hamitiane, me të cilën ai, për tridhjetë e dy vjet të qeverisjes absolutiste, do të luftojë zgjimin kombëtar shqiptar dhe programet politike të Shqiptarëve në përputhje me të, ku do të manifestohen kërkesën për autonomi kulturore dhe politike, që do të përfshinte katër vilajetet shqiptare duke i bashkuar në një.

Natyrisht se për të arritur që Shqiptarët të luftojnë hamitizmin dhe politikën e tij të trajtimit të tyre si “kala myslimane” në pjesën europiane, u duhej një përpjekje e gjatë dhe e mundimshme. Së pari drejt emancipimit të brendshëm kulturor, që fillonte me gjuhën dhe arsimimin shqip, për t’u kthyer pastaj në një zgjim kombëtar të përmasave të gjera, i cili bashkonte identitetet nga ai fetar, krahinor, dhe shoqëror. Kjo nuk ishte aspak e lehtë, kur dihej se ato fillimisht binin ndesh me islamizmin si një amalgam që bashkonte fenë me doktrinën perandorake të vatanit e pastaj edhe me osmanizmin si patriotizëm shtetëror, i cili gjatë kohës së Xhonturqve, me centralizmin dhe unitarizmin nacionalist, refuzonte çfarëdo autonomie administrative dhe politike.

Në këtë rrugë të mundimshme rol të madh luante fryma e reformave të Tanzimatit, që Perandoria Osmane i kishte pranuar dhe ato tashmë u shkonin për shtati popujve të krishterë, fryma e të cilave nuk mund të anashkalonte edhe Shqiptarët, po qe se ata do të jenë në gjendje që të dëshmonin se krahas identitetit etnik, me ruajtjen e gjuhës shqipe si pjesë e identitetit kulturor, përkundër pranimit të islamit nga një pjesë e mirë e popullatës, kishin ruajtur substancën me të cilën ata duhej të trajtoheshin si komb i barabartë me të tjerët që pranonte Perandoria Osmane.

Dhe, për ta dëshmuar këtë, elita politike dhe intelektuale shqiptare në Stamboll, që nga fillimet e Krizës Lindore, e prirë nga vëllezërit Frashëri (Abdyli, Samiu dhe Naimi), si dhe sfidat që do të sjellë ajo, do të veprojnë në planin kulturor, në atë shpirtëror dhe në atë politik, mbi të cilat pastaj do të ngrihet doktrina e platformës së Rilindjes Kombëtare, që do t’i shërbejë si udhërrëfyes që të gjitha zhvillimeve me të cilat do të shkohet deri te pavarësia e shtetit shqiptar në nëntor të vitit 1912.

Këtij veprimi gjithsesi se do t’i vijë në ndihmë konstitucionalizmi i vitit 1876, kur do të fillojë koha e shkurtër e parlamentarizmit osman, me ç’rast deputet Shqiptarë në Parlamentin Osman Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, në kuadër të debateve për organizimin e ri administrativ në përputhje me reformat që kërkoheshin nga Perandoria Osmane, hapën çështjen e bashkimit të katër vilajeteve shqiptare në një njësi vetëqeverisëse autonome.

Dy vjet më vonë, kjo kërkesë fitoi legjitimitet gjithëkombëtar kur u paraqit si kërkesë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe si e tillë, në forma të ndryshme, gjithnjë duke u mbështetur mbi platformën e barazisë së Shqiptarëve me të tjerët përbrenda Perandorisë Osmane, do të kthehet në moto të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Por, edhe pa ardhur deri te ky përcaktim historik ndër më të rëndësishmit, intelektualët shqiptarë në Stamboll, të cilët do të vihen në krye të këtyre zhvillimeve, një shtysë të madhe do të marrin nga veprimtaria e atdhetarëve shqiptarë në diasporë (Itali, Rumuni, Egjipt dhe gjetiu) si dhe nga shoqatat dhe klubet shqiptare në mërgim, ku tashmë fryma e nacionalizmit të popujve sllavo-ortodoks të Ballkanit dhe kryengritjet e tyre për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, kishte vënë në lëvizje fillet e nacionalizmit shqiptar.

Kështu, në vitet e dyzeta, kur Italo-Arbëreshët në Itali me anën e shkrimeve letrare dhe publicistike të Jeronim De Radës dhe të hulumtimeve shkencore të Dhimitër Kamardës, kishin filluar të nxirrnin në pah lashtësinë antike të popullit shqiptar, në mënyrë që ajo t’i shërbejë trajtimit të tyre si popull europian, Naum Veqilharxhi, një migrant me prejardhje nga rrethi i Korçës, në Bukuresht nxori një qarkore me të cilën do t’u drejtohet bashkëkombësve Shqiptarë të besimit ortodoks, që t’i bashkohen një lëvizjeje kulturore për përhapjen e gjuhës dhe të arsimit shqip, në mënyrë që me anën e arsimimit të pasqyrojnë identitetin kombëtar.

I ndikuar nga idetë e lëvizjes nacionale rumune për pavarësi, në të cilat do të marrë pjesë bashkë me shumë Shqiptarë të diasporës në Rumani, Veqilharxhi hartoi edhe një abetare (Evetar) me një alfabet të pavarur që do ta sajojë, të cilën, pas botimit në Bukuresht, e shpërndau në Shqipëri.

Qarkorja e Veqilharxhit drejtuar Shqiptarëve dhe abetarja (Evetari) me të drejtë merren si kohë e fillimit të Rilindjes Kombëtare, bërthamën e së cilës pastaj do ta marrë përsipër Komiteti i Stambollit në krye me Sami Frashërin, e ku do të gjenden edhe Vaso Pasha, Hoxha Tahsini dhe shumë e shumë atdhetarë të tjerë, veprimtaria e të cilëve do të marrë hov me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit të shkronjave shqip”, ku do të hartohen jo vetëm idetë për gjuhën dhe arsimin shqip, por edhe shkrimet dhe tekstet e ndryshme nga ato letrare, publicistike, e shkollore për të shkuar pastaj edhe te veprimtaria e gjerë patriotike mbi të cilat do të mbështeten edhe projektet politike të Rilindjes Kombëtare.

Në këtë veprimtari të gjerë kulturore dhe politike, Shqiptarët do t’ia dalin që të kenë qëndrim të përbashkët në saje të unitetit që do ta ndërtojnë mbi gjuhën dhe arsimin si pjesë të identitetit të përbashkët kombëtar, ndërkohë që besimin do trajtojnë si çështje shpirtërore, që nuk bie ndesh me përcaktimin kombëtar. Sepse, siç thoshte Samiu, shqiptari edhe si mysliman edhe si i krishterë, së pari është shqiptar dhe mbetët shqiptar, gjë që nga kjo sentencë duhet kërkuar edhe metaforën “feja e shqiptarit është shqiptaria”, që me të drejtë do të kthehet në manifest të Rilindjes Kombëtare.

Kjo formulë patriotike, bashkë me kërkesat politike për autonominë shqiptare brenda Perandorisë Osmane, përfshiu thuajse të gjitha shtresat shoqërore shqiptare, të cilat gjithnjë e më shumë po vetëdijesoheshin për domosdonë e veprimit mbi baza kombëtare. Sepse ashtu arriheshin dy qëllime njëherësh: mbrojtja e etnisë nga gllabërimet e fqinjëve si dhe shkalla e barazisë me të tjerët, që po ashtu, kthehej në një faktor mbrojtës.

Edhe pse regjimi absolutist hamitian do ta kundërshtojë këtë përcaktim dhe në forma të ndryshme do të mundohet që shtresat e caktuara shoqërore shqiptare nga radhët e feudalëve dhe ato konservative të drejtuara nga fanatikët islamistë, t’i mbajë në taborin e vet dhe t’i inkurajojë se ishte vetëm “mburoja islamiste dhe ajo osmane”, që Shqiptarët mund t’i shpëtonte nga hegjemonizmi sllavo-ortodoks, megjithatë, Rilindja Kombëtare Shqiptare, nga koha kur do të mbyllën shkollat shqipe dhe do të ndalohet veprimtaria e “Shoqërisë së Shkronjave shqipe” në Stamboll, do të përcaktohet që luftën për interesat kombëtare ta ndërlidhë edhe me lëvizjet opozitare në vend kundër absolutizmit hamitian. Kjo do të shihet më së miri me shfaqjen e Turqve të Rinj (Xhonturqve), kur në bërthamën organizative si themelues do të gjenden edhe disa Shqiptarë (Ibrahim Temo, të cilëve do t’u bashkë-ngjiten edhe Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Hoxha Tahsini e të tjerë). Ata ndikuanë që osmanizmi i Xhonturqve të shfaqet si një patriotizëm i ri shtetëror, i cili do të mbështetej mbi bazën e unitetit dhe të barazisë së të gjithë shtetasve osmanë pa dallim feje, gjuhe dhe etnie. Kjo platformë Shqiptarët i nxirrte nga trajtimi shumë-shekullor i mileti-osman, me çka doktrina islamiste zëvendësohej me atë osmane të qytetarëve të barabartë, me çka realisht i hapej udha shprehjes së identitetit kulturor dhe atij kombëtar mbi parimet e lirisë dhe të barazisë, që në pjesën europiane ishin lansuar pas revolucionit francez e këndej.

Ndonëse, si do të shihet, Shqiptarët do të bien ndesh edhe me Xhonturqit sapo ata të vinë në pushtet, megjithatë, përcaktimi për ta dhe kundër absolutizmit të Sulltan Hamtit, që më së miri do të pasqyrohet me vendimet e Tubimit të Ferizajt të korrikut të vitit 1908, kur prej andej Shqiptarët do t’i dërgojnë ultimatum Sulltan Hamitit që ta kthejë kushtetutën dhe ai do ta pranojë këtë, historikisht ishte i drejtë ndërsa politikisht i dobishëm. Sepse, me të mbyllej kapitulli i islamizmit, i cili nga ana e Perandorisë Osmane gjatë qeverisjes despotike të Sulltan Hamitit, më së shumti kishte manipuluar Shqiptarët dhe strukturat shoqërore feudale dhe konservative brenda tyre, veçmas në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Shkodrës, duke i trajtuar “si bastion” në pjesën europiane, ndërkohë që Porta e Lartë, duke pranuar reformat e shumta dhe të ndryshme, të cilat shkonin në dobi të popujve sllavo-ortodoks (pranimi i ekzarkatit bullgar, lejimi i kthimit të administrimit të kishës ortodokse serbe në Kosovë, pastaj hapja e shkollave serbe dhe hapja e konsullatave serbe dhe ruse në Kosovë dhe së fundi edhe pranimi i statusit të kombit serbëve të Kosovës), kishte rrezikuar qenien etnike dhe kombëtare të Shqiptarëve, duke i bërë pre të hapur të shteteve fqinje.

Kjo do të pasqyrohet më së miri nga vitit 1903, kur pas kulmimit të krizës së Maqedonisë, me marrëveshjen e Mynstergut, të lidhur midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë, praktikisht do të pranohet sovraniteti ndërkombëtar mbi pjesën europiane, që do t’ia hapë rrugën krizës së ardhshme, që do të çojë te Luftërat Ballkanike dhe shembja e Perandorisë Osmane.

Në këto rrethana, pra të daljes në pah të krizës së Maqedonisë, e cila ishte e kurdisur nga shtetet sllavo-ortodokse (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria), që me anën përhapjes së kaosit në këto pjesë, veçmas në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Manastirit me futjen e çetave “çlirimtare” dhe komitëve, të pengohej çfarëdo autonomie shqiptare, Lëvizja Kombëtare Shqiptare apo një pjesë e saj e pambikëqyrur, për pak do të shkasë nga binarët e përcaktimeve të saj, siç ishte lufta për autonomi përbrenda Perandorisë Osmane, për t’iu bashkuar luftës “çlirimtare” nga Perandoria Osmane me anën e çetave “çlirimtare” dhe komitëve, e cila drejtohej nga Beogradi, Cetina, Athina dhe Sofja dhe në përputhje me interesat e tyre që lidheshin me copëtimin e trojeve shqiptare midis veti. Me këtë njëherë e përgjithmonë duhej të pushonte së ekzistuari çështja shqiptare në Ballkan.

Uverturë e këtij koncepti, ishte Kryengritja e Ilindenit e vitit 1903 dhe pjesëmarrja e një pjese të Shqiptarëve në të me ç’rast do të dalë në pah se Lëvizja Kombëtare Shqiptare, sipas shembullit të Ilindenit, mund të shkapërderdhej tek çështjet e tjera (ajo sllavo-maqedonase, bullgare, greke po edhe serbe madje) prej nga mund të hiqet nga rendi i ditës tërësi e saj.

Këtë zhvillim do ta pengojë Revolucioni Xhonturk dhe pjesëmarrja e Shqiptarëve në të, kur me Kuvendin e Ferizajt të vitit 1908, ata do të luajnë rolin kryesor në suksesin e tij. Kjo do të paraqesë një kthesë të rëndësishme për zhvillimet e ardhshme, që si do të shihet, Kosova dhe ngjarjet në të si promotor kryesor i tyre, do t’ua hapin rrugën proceseve që do të çojnë te shpallja e pavarësisë kombëtare.

Revolucioni Xhonturk i korrikut të vitit 1908, suksesi i të cilit lidhet ngushtë me Shqiptarët dhe rolin e tyre në Lëvizjen Opozitare të Turqve të Rinj që nga themelimi e deri te akti i fundit, siç ishte Kuvendi i Ferizajt, prej nga Sulltanit do t’i drejtohej ultimatumi që të kthejë kushtetutën, përmbyll kapitullin e gjatë tridhjetë e dy vjeçar të përputhjeve fillestare dhe të shpërputhjeve në vazhdimësi me islamizmin, që do të zhvillohet nën ombrellën e absolutizmit të Sulltan Hamitit.

Nëse fundi i hamitizmit, Shqiptarët do t’i lirojë nga ndeshja e mëtutjeshme me islamizmin dhe kurthin e tij të njohur, megjithatë do t’i ngërthejë me sfidën e osmanizmit, jo më, siç qe menduar, si një patriotizëm i ri shtetëror, që shfaqej nën moton e barazisë, të lirisë dhe të vëllazërimit të të gjithë shtetasve pa dallime besimi, gjuhe dhe etnie, por të centralizmit dhe të nacionalizmit tejet fanatik osman, në emër të të cilit zuri të mohohej pluralizmi kulturor dhe shumësia e identiteteve që ishin njohur deri më atëherë dhe të refuzohet çfarëdo forme e vetëqeverisjes autonome, qoftë që do t’i shkonte përshtati mbetjes së mëtutjeshme të Perandorisë Osmane në pjesën europiane.

Siç do të ndodhë dikur me islamizmin, kur shqiptarizmi do të përfitojë nga përputhjet fillestare me të, ndërsa në saje të asaj që merrej si “shumësi kulturore” do të fillojë lëvrimi i gjuhës dhe kultivimi i traditës pa u konfrontuar me islamin, ngjashëm do të ndodhë edhe me osmanizmin. Me këtë rast, liritë e shpallura prej Xhonturqve rreth barazisë dhe lirisë të të gjithë shtetas-ve osmanë të natyrës politike, shoqërore dhe emancipuese do të mundësojnë që në zgjedhjet e lira parlamentare 26 deputetë shqiptarë të futen në Parlamentin Osman. Ndërkohë që klima e përshtatshme politike gjatë kohës së parlamentarizmit të dytë, do të shfrytëzohet për thellimin e kulturës kombëtare (veçmas gjuhës dhe arsimit). Themelimi i klubeve kulturore, shoqatave si dhe botimi i gazetave shqipe bashkë me botimin e librave, që do t’i dedikohen shkollës shqipe, do t’i japë shtysë të rëndësishme këtij zhvillimi historik.

Kështu mund të thuhet se periudha nga ngadhënjimi i Revolucionit Xhonturk në korrik të vitit 1908 e deri te mesi i viti të ardhshëm, kur do të shuhet përpjekja e dështuar për rrëzimin e Xhonturqve nga pushteti, që do të quhet “kundërrevolucion”, Shqiptarët kaluan nëpër një periudhë të lulëzimit nacional dhe politik ndër më të fuqishmet dhe ndër më të frytshmet gjatë kohës së Perandorisë Osmane.

Gjatë kësaj kohë, përkundër rolit të rëndësishëm në jetën parlamentare, ku deputetet Shqiptarë, krahas mbrojtjes së programit të njohur kombëtar do të marrin edhe rolin e opozitës, në planin emancipues po ashtu, me hapjen e shkollave shqipe dhe të futjes së gjuhës shqipe si lëndë e detyrueshme mësimi edhe në shkollat shtetërore në gjuhën turke si dhe në ato kishtare në gjuhën greke, do të bëhen hapa të mëdhenj të një rëndësie historike, që i shkuan përshtati zgjimit të përgjithshëm kombëtar.

Dhe, padyshim se njëri ndër sukseset më të mëdha në këtë lulëzim nacional, do të jetë mbajtja e Kongresit të Drejtshkrimit në Manastir, në nëntor të vitit 1908. I organizuar nga Klubi i qytetit, mblodhi përfaqësuesit e të gjitha klubeve shqiptare nga brenda dhe jashtë vendit, e ku ishin edhe ato të mërgatës nga Bukureshti, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kongresi i Drejtshkrimit në Manastir mbetet historik jo vetëm për vendimet që mori në planin gjuhësor, duke u përcaktuar për një alfabet të gjuhës shqipe mbi bazat e shkronjave latine, por edhe për unitetin kombëtar që aty u pasqyrua në një plan të gjerë intelektual dhe shoqëror ndër më të fuqishmit, që bëri të ditur qartë drejtimin historik të Shqiptarëve kah kultura dhe civilizimi perëndimor, duke i dhënë njëherësh mbështetje programit politik të Rilindjes Kombëtare rreth krijimit të një autonomie shqiptare brenda Perandorisë Osmane, që nuk do të ishte tjetër pos një shtet shqiptar i cili do të mëvetësohej çastin që ajo do të largohej nga pjesa europiane.

Këtu në të vërtetë do të fillojnë ato që do të quhen shpërputhje dhe kundërshtime të papajtueshme midis Shqiptarëve dhe Xhonturqve, të cilat do të marrin aso përmasash sa qeveria osmane e drejtuar nga Xhonturqit, kur do të humbë luftën për alfabetin shqiptar me shkronja arabe, që do të zhvillohet me një ashpërsi të madhe nga fanatikët e klerit islamist dhe shtresat konservative shqiptare, do t’i kthehet represionit të gjuhës shqipe dhe të arsimit kombëtar, me ç’rast, me dekret shtetëror të majit të vitit 1910 nuk do të mbyllen vetëm gazetat shqipe, klubet shqiptare, por do të mbyllen edhe shkollat shqipe dhe po ashtu gjuha shqipe, si gjuhë mësimi do të nxirret nga shkollat zyrtare turke dhe ato greke.

Në planin politik dhe atë shoqëror, nën devizën e kthimit të rendit dhe të ligjit, Xhonturqit do të fillojnë një fushatë të ashpër kundër vilajeteve shqiptare dhe të drejtës së tyre për vetëqeverisje vendore, që e kishin gëzuar për shekuj. Taksat e reja të rënda, ligji për luftimin e bandave dhe ai i rekrutimit pa dallim feje si dhe çarmatosja e popullatës, do të hapin hendekun e madh të Shqiptarëve me Turqit e Rinj, që do t’u japë shkas protestave dhe kryengritjeve, të cilat do të marrin përmasa të mëdha.

Xhonturqit, të cilët Shqiptarëve, si dhe të tjerëve, u kishin premtuar liri qytetare dhe barazi dhe qytetërim, jo vetëm nuk do të tregojnë kurrfarë mirëkuptimi për kërkesat e tyre të drejta, por do t’u kthehen ekspeditave ushtarake për “të vu rregull”në vilajetet e tyre. Në këtë rrugë ata do të përkrahen nga forcat nacionaliste dhe fanatike në vend, por njëherësh do të përkrahen edhe nga Rusia, e cila do të trimërojë qeverinë osmane që “të çarmatosë Shqiptarët e pabindur” dhe për këtë Petërburgu do të derdhë shuma të caktuara parash, ndërkohë që shtete fqinje të Shqiptarëve (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria,të cilat për pakicat e tyre në vilajetet shqiptare kishin siguruar pozitën e kombeve dhe ato i instrumentalizonin që, vazhdimisht të ankoheshin gjoja për “zullumin arnaut”) kërkonin nga Porta e Lartë masa të rrepta kundër “Shqiptarëve të egjër”, që të çarmatoseshin me dhunë dhe kështu Serbëve dhe të tjerëve t’u mundësohej liria.

Nga ana tjetër, po këto vende, nga ardhja e Xhonturqve në pushtet, do të përpiqen që t’i fusin në lojë disa nga feudalët shqiptarë në Kosovë dhe parinë fanatike, që të luftojnë për kthimin e Sulltan Hamitit. Madje, janë të njohura edhe lidhjet dhe marrëveshjet e Serbisë dhe të Malit të Zi me disa nga krerët Shqiptarë të Kosovës dhe të Malësisë së veriut në Mbishkodër, që t’u fusin armë dhe para për të hyrë në luftë kundër Perandorisë Osmane. Kjo luftë, si do të shihet nga kryengritjet e vitit 1910 dhe 1911, në masë të madhe do të instrumentalizohet nga Beogradi dhe Cetina për qëllimet e veta.

Natyrisht, se “fryma” luftarake e Shqiptarëve në Kosovë dhe Veri si dhe kryengritjet e tyre lokale, që do të nxiten nga Serbia dhe Mali i Zi, do t’i konvenojë edhe Kabinetit të ri Xhonturk, i cili pas shtypje së rebelimit ndaj forcave konservative dhe shfronësimit përfundimtar të Sulltan Hamitit, nga pranvera e vitit 1909 e këndej në Kosovë do të drejtojë repartet ushtarake të komanduara nga gjeneral Shefqet Turgut Pasha që “ta paqësojë” atë.

Konfliktet e armatosura me Shqiptarët, që do të vazhdojnë edhe në vitin 1910 në mënyrë që në vitin 1911 të përhapen edhe në Veri (në Malësinë e Mbishkodës dhe Mirditë),pa marrë parasysh sa dhe si kishin qenë shprehje e kundërvënies masave represive-ushtarake të Xhonturqve dhe sa dhe si kishin qenë edhe shprehje e nxitjes nga Serbia dhe Mali i Zi për qëllimet e tyre të njohura, që do të dalin në pah së shpejti, pas një viti serish do të kthehen në Kosovë, kur edhe do të fillojë kryengritja përfundimtare kundër qeverisjes Xhonturke, por këtë herë ajo do të jetë fryt i përcaktimit të krerëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të cilët në Stamboll, në shkurt të vitit 1912, në Taksin do të merren vesh për të, që me anën e saj të imponojnë arritjen e dy qëllimeve: përmbysjen e regjimit centralist-nacionalist Xhonturk dhe pranimit të autonomisë shqiptare.

Qëllimin e parë Shqiptarët do ta arrijnë në fillim të gushtit, kur do të detyrojnë rrëzimin e qeverisë xhonturke dhe tri ditë më vonë edhe shpërndarjen e parlamentit të sapozgjedhur të dominuar nga Turqit e Rinj. Ndërsa më 18 gusht, me pranimin e Memorandumit prej 14 pikave, të quaj-tur Programi i Hasan Prishtinës, detyruan qeverinë e përkohshme të Gazi Ahmet Myhtar Pashës të pranojë kërkesat e tyre, me anën e të cilave ata fitonin statusin e kombit dhe njëherësh ia hapnin rrugën qeverisjes autonome, apo të asaj që nga jashtë do të shihet si Shqipëri Osmane.

Arritja e madhe shqiptare në Kosovë e gushtit të vitit 1912 shënon ndërlidhjen e parë të suksesshme të bashkëveprimit politik me atë të rezistencës së armatosur si dhe të drejtimit të saj nga një qendër e caktuar kombëtare e udhëhequr nga elita e patriotëve intelektualë, të përfshirë në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Edhe pse nënshkruesit e Marrëveshjes së Taksimit të shkurtit të atij viti, të drejtuar nga Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina, kur do të merret vendimi për kryengritjen e përgjithshme shqiptare – pos Hasan Prishtinës – nuk do t’i kryejnë shumë nga detyrimet e marra sipas marrëveshjes që ajo të ketë përmasat gjithëkombëtare. Veçmas ato që kishin të bënin me ndezjen e kryengritjes edhe në Shqipërinë e Mesme dhe atë të jugut. Megjithatë, vilajetet tjera shqiptare, do të solidarizohen me kryengritjen e Kosovës, qoftë duke u lidhur me të me anën e kryengritjeve vendore, qoftë duke përkrahur platformën e bisedimeve të krerëve të kryengritjes shqiptare të Kosovës në Prishtinë e pastaj në Ferizaj me përfaqësuesin e qeverisë osmane Ibrahim pashën. Madje, edhe Ismail Qemali, i cili fillimisht do të gjendet jashtë vendit me detyrë për të mbledhur armë dhe të holla për kryengritjen dhe për të agjituar politikisht për të, me t’u kthyer në Vlorë, duke u deklaruar në mbështetje të programit politik të Kryengritjes dhe platformës së saj, do të lërë prapa disa deklarata kundërthënëse rreth kërkesave politike, të cilat do t’ia vështirësojnë punën ideatorit të saj kryesor Hasan Prishtinës, që edhe ashtu kishte telashe me rrymën e konservativëve dhe të feudalëve, të cilët në masë të madhe të ndikuar nga prapaskenat e agjentëve serbë që u rrinin pranë, edhe më tutje kërkonin që përmbysjen e qeverisë xhonturke ta kushtëzonin me kthimin në pushtet të Sulltan Hamitit, për të cilin ishin në gjendje që të vazhdonin edhe më tutje kryengritjen pa hezituar që të marshojnë edhe për në Selanik për ta liruar nga internimi me çka rrezikoheshin në tërësi qëllimet dhe kërkesat politike të kryengritjes.

Përballimi i vështirësive të brendshme kur tri rrymat me pikëpamje të ndryshme (feudalët shqiptarë bashkë me fanatikët fetarë – që kërkonin rrënimin e parlamentarizmit dhe kthimin e absolutizmit; opozitarët që kërkonin vetëm rrëzimin e qeverisë “se keqe” dhe zëvendësimin me një “të mirë”, si dhe autonomistët – që kërkonin pranimin e autonomisë shqiptare përbrenda Perandorisë Osmane), do t’ia dalin që të gjejnë gjuhë të përbashkët, siç ishte ajo që do të pasqyrohet në Memorandumin prej katërmbëdhjetë pikash, si dhe suksesi historik i tyre në raport me qeverinë osmane, Shqiptarëve nuk do t’ua lehtësojë punën dhe as që do t’u mundësojë që të gëzojnë frytet e saj. Sepse, krahas me arritjen e marrëveshjes me qeverinë osmane, do të ecin edhe zhillimet për fillimin e luftës së Aleancës Ballkanike me Perandorinë Osmane, e cila shfaqej si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj marrëveshjes së Shqiptarëve me qeverinë osmane. Ndonëse aty autonomia shqiptare nuk theksohej në mënyrë të veçantë, siç ishte paraparë në pesë pikat e “Kuvendit të Junikut”, por ajo dilte nga përmbajtja e saj, kjo ishte e papranueshme për Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat pa u shpërndarë mirë kryengritësit shqiptarë nëpër shtëpitë e tyre, siç pritej, do të futen në luftë me Perandorinë Osmane, luftë këtë që Aleatët Ballkanikë do ta fitojnë pa ndonjë mund të madh, me ç’rast për cak kishin pushtimin dhe copëtimin mes tyre të trojeve shqiptare, siç do të ndodhë në të vërtetë.

Këto zhvillime të paralajmëruara që më parë, të cilat do të tregojnë qëllimet e tyre të vërteta me anën e arritjes së aleancave të ndërsjella ballkanike (fillimisht të Serbisë me Bullgarinë, pastaj të Serbisë me Greqinë dhe së fundi të Greqisë me Bullgarinë) të cilat do të lidhen në periudhën kohore shkurt – maj 1912 dhe do të korrespondojnë me fillimet e kryengritjes shqiptare të Kosovës të pranverës dhe verës së atij viti, do të ndikojnë jo vetëm përmbajtjen e kërkesave të Shqiptarëve (kur do të anashkalohet ajo që theksonte autonominë politike), por ato do të ndikojnë edhe qëndrimin politik të Shqiptarëve ndaj vetë Luftës Ballkanike, e cila për moto do të ketë çlirimin përfundimtar nga pushtimi osman.

Kundruall këtyre rrethanave Shqiptarët do të përcaktohen që të mbrojnë trojet e tyre nga pushtimet e ushtrive fqinje, edhe pse kjo të ndodhur në një front bashkë me ushtritë osmane, i fuste në luftë me fqinjët dhe, në rast humbjeje, i përballonte me rrezikun e ndëshkimit, që ishte paraparë.

Si do të shihet, besimi se përkrah ushtrive osmane, Shqiptarët do të mbrojnë trojet e tyre, do të humbet shpejt, pasi që armata osmane, jo vetëm që nuk do të rezistojë në përputhje me fuqinë që kishte, por me “manovrat” gjoja për t’u rigrupuar në veri kah Shkodra dhe në jug kah Janina, në të vërtetë do t’ua lëshojë frontet ushtrive serbe, malaziase,bullgar dhe greke që me të shpejtë të pushtojnë tokat shqiptare. Historianët e ndryshëm edhe sot kanë dilema çfarë qëndronte në të vërtetë përballë kësaj sjellje të armatës osmane dhe cilat ishin motivet e tërheqjes së saj, kur dihej se ajo ushtarakisht ishte e përgatitur për luftë, ndërkohë që mbajtja e hapur e fronteve të luftës për një kohë pak më të gjatë, jo vetëm që do ta ndryshonte gjendjen në të mirë të saj, por ajo do të pengonte edhe realitetet e reja të krijuara me dhunë, të cilat do t’u shkojnë për shtati planeve hegjemoniste të vendeve sllavo-ortodokse dhe forcimit të Rusisë në rajon?

Rezistenca e njësive shqiptare, si rezervistë apo si vullnetarë, nuk do të mjaftojë që trojet shqiptare të shpëtojnë nga pushtimet. Përkundrazi, tërheqja “taktike” e armatës osmane dhe lënia e forcave shqiptare në vijat e frontit, do të sjellë një tragjedi të paparë. Ushtritë pushtuese (serbe, malaziase, greke dhe bullgare) nga të gjitha drejtimet do t’u vërsulen tokave shqiptare duke masakruar jo vetëm mbrojtësit e pafuqishëm, por që si “hakmarrje” ndaj “rezistencës armike”, do “të gjejnë shkase” për t’iu sulur ushtarakisht popullatës së pambrojtur të Kosovës nga pika e Merdarit e deri në bregdet.

Do të jetë ky gjenocidi i dytë serbo-malazias brenda katër dekadave (i pari gjatë dimrit të vitit 1877/78 me rastin e luftës ruso-osmane kur ushtria serbe do të shfrytëzojë humbjen e forcave osmane për t’u futur në pjesët e Toplicës, të Kurshumlisë e të Prokupës ), që për pasojë do të ketë vrasjen e mbi tridhjetë mijë Shqiptarëve si dhe shpërnguljen e mbi 150 mijë vetash që do të kërkojnë shpëtim në drejtim të Turqisë dhe të zhvendosjes në pjesët e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut.

Sidoqoftë, në këto rrethana, kur përkundër rezistencës së Kosovës në luftë me ushtritë pushtuese serbe dhe malaziase, thuajse e gjithë Shqipëria do të pushtohet nga fuqitë e vendeve të Aleancës Ballkanike, ndërkohë që pjesa më e madhe e patriotëve shqiptarë që kishin udhëhequr rezistencën në frontet me Serbinë, Malin e Zi ishin zënë rob nga fuqitë pushtuese (Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi dhe shumë të tjerë, të cilët do të dërgohen në burgun e Beogradit), atyre që kishin mbetur jashtë kësaj tragjedie (Ismail Qemalit dhe të tjerëve që gjatë Kryengritjes së Kosovës, por edhe luftës kundër pushtimeve me forcat serbe dhe malaziase ndodheshin në Stamboll), domosodshmërisht u binte barra që ta merrnin përsipër luftën politike dhe diplomatike për shpëtimin e Shqipërisë.

Kështu, Ismail Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin dhe disa të tjerë, në rrugë e sipër për në Vjenë, do t’i drejtohen Bukureshtit, ku do të mbajnë një tubim në të cilin do të bisedohet për fatin e Shqipërisë. Pa u përcaktuar për formën politike të saj, në Bukuresht do të vendoset që Ismail Qemali t’u drejtohet Fuqive të Mëdha, dhe më konkretisht Austro-Hungarisë si mbrojtëse të vetme për përkrahjen dhe shpëtimin e Shqipërisë. Gjatë takimit që do të ketë me ministrin e jashtëm të Austro-Hungarisë, Berhtoldin në Budapest, më 17 nëntor, Ismail Qemali do të marrë garancitë e Vjenës për një Shqipëri të pavarur, e cila duhej shpallur sa më parë, para se çështjet të vendoseshin në tryezën e konferencës ndërkombëtare, e cila parashihej të thirrej në fillim të dhjetorit.

Ajo që do të ndodhë nga 17 nëntori deri më 28 nëntor kur në Vlorë do të shpallet pavarësia e Shqipërisë shënon luftë me kohën për të përballuar rrethanat ndër më të pavolitshme që duhej të parandalonin shpalljen e aktit madhor historik.

Në Vlorë, megjithatë, përkundër shumë përpjekjeve kundër saj, më 28 nëntor 1912, do të shpallet pavarësia e Shqipërisë dhe kështu do të përmbyllet një proces i gjatë i përpjekjeve shumëshekullore të Shqiptarëve për pavarësi dhe liri.

Me këtë rast gjithsesi se ka rëndësi të theksohet ajo që tha Hasan Prishtina:

“Lufta ballkanike u bo shkak që kjo nder e famë t’i mbetet Vlonës e jo Kosovës e në vend të nji Shqypnisë së madhe të bohet nji Shqyni e vogël”.

(Shkëputje nga “Kosova” IV, 2017)./KultPlus.com