Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës hapi dyert për koncertin festiv “Këngët e Vendit Tim”, një homazh artistik me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit dhe 112-vjetorit të Pavarësisë.
Nën udhëheqjen artistike të sopranos Olta Juba dhe dirigjimin e Orges Memës, koncerti ngjiti në skenë disa nga talentet më të spikatura të qytetit që sollën plot freski këngë të mirënjohura të muzikës sonë.
Tingujt e Orkestrës frymore, harmonia e Korit të të rinjve dhe energjia e solistëve dhe e kërcimtarëve morën duartrokitje të shumta nga të pranishmit që u bënë pjesë e koncertit. Interpretimet përçuan atdhedashurinë dhe krenarinë kombëtare.
Koncerti që u organizua nga autoritetet lokale të kulturës dhe arsimit në Durrës, në kuadër të këtyre festave, dhuroi, përmes muzikës, atmosferën kuqezi dhe momente festive që forcojnë përkatësinë dhe krenarinë kombëtare./TopChannel/KultPlus.com
Një ndër këngët që dëgjuesve ia fal ndjenjën e nostlagjisë së atdheut është “Moj e bukura Arbëri”, e sjellur nga zëri magjik i Vaçe Zelës, shkruan KultPlus.
Kjo këngë nga Vaçe Zela është xhiruar nga RTSH në Institutin e Arteve, e shndërruar në një studio të televizionit, për programin e Vitit të Ri. Ky regjistrim u improvizua e mbeti një nga regjistrimet më dinjitoze të të pakrahasueshmes Vaçe Zela, nën regjinë e Mevlan Shanajt dhe Vera Grabockës.
KultPlus ua sjell tekstin dhe këngën “Moj e bukura Arbëri”:
Në breg pulëbardhat çajnë fluturim si kënga jonë plot mall. Këndojmë nga larg me dashuri, moj Arbëri.
Të parët tanë me brengë të lanë, sa kohë më nuk të panë? por sot si lule më je ti, moj Shqipëri.
(refreni) Valët e detit shkumojnë plot dallgë, bashkë me shokët në breg kemi dalë. Sa kemi mall s’ka deti valë, o moj e bukura Arbëri. Shikojmë nga larg, mendojmë për ty, o moj e bukur Shqipëri.
Këtej ne degë, ti rrënjë matanë, N`mes deti me stuhi. Shkuan kaq mote e degët s’u thanë, moj Arbëri!
Kjo kënga jonë, për ty përherë na djeg si zjarr në gji. Tek zjarri yt ne jemi përjetë, moj Shqipëri!
(refreni) Valët e detit shkumojnë plot dallgë, bashkë me shokët në breg kemi dalë. Sa kemi mall s’ka deti valë, o moj e bukura Arbëri. Shikojmë nga larg, mendojmë për ty, o moj e bukur Shqipëri./ KultPlus.com
Me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Komunën e Tuzit, në Mal të zi është përuruar sot përmendorja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Ceremonia e përurimit të shtatores në komunën e Tuzit, u zhvillua në praninë e një sërë personalitetesh. Ndërkohë, Ivan Ivanaj, Nënkryetar i Komunës, gjatë ceremonisë u shpreh se përurimi i përmendores u zgjodh të realizohej në një ditë të shënuar, historike për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Në ditën më të shenjtë të kombit shqiptarë, jemi mbledhur të përurojmë përmendoren e heroit kombëtarë Gjergj Kastriot Skënderbeut, simbolit të rezistencës, unitetit dhe identitetit kombëtarë. Kjo përmendore e Skënderbeut nuk është vetëm një vepër artistike e derdhur në bronz, por kjo duhet të na shërbej si kujtesë e përhershme e vlerave që përfaqësoi kryeheroi i ynë, e të cilat ne duhet ti kultivojmë dhe ti mbajmë gjallë.
Rruga deri këtu nuk ishte e lehtë. Ky projekt i shumëpritur dhe I kundërshtuar shpesh hasi në pengesa dhe sfida të shumta. Por ne e dinim se kjo ishte një vepër e drejtë, homazh i nevojshëm për figurën që mishëron lirinë dhe krenarinë tonë kombëtare. Sot ma shumë se kurrë vërtetojmë se kur ne shqiptarët bashkohemi gjithçka është e mundur”, tha Ivanaj.
Ai tha se ishte Forumi shqiptar dhe diaspora shqiptare që ndihmoj në realizimin e këtij misioni. Ivanaj tha se përmendorja qëndron si shenjë uniteti./KultPlus.com
Në Paradën e Shqiptarëve në Tiranë po marrin pjesë sot mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, në kuadër të 112-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
“Parada kuqezi” nisi nga sheshi “Nënë Tereza”, midis Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës dhe po përshkon bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”, ku do të zhvillohet ngritja e flamurit shqiptar.
Në hapje të paradës u shënua një moment emocionues, me recitimin e poezisë së Gjergj Fishtës “Shqypnia e lirë,” sjellë mjeshtërisht nga aktori i njohur Reshat Arbana.
Atmosfera festive u pasurua nga pjesëmarrësit që paraqitën trashëgiminë e tyre kulturore përmes këngëve popullore, instrumenteve tradicionale dhe kostumeve karakteristike nga të gjitha trevat shqiptare.
E kthyer tashmë në një traditë në New York, shqiptarët nga e gjithë bota të veshur kuq e zi dhe me veshje popullore mbushën sot rrugët e Tiranës.
Të pranishëm në paradë janë mbi 350 grupe artistike nga anë e mbanë kudo ku flitet shqip. Pjesë e paradës janë përfaqësues nga 150 qytete, delegacione nga bashki dhe komuna shqiptare, bashkë me ansamblet e tyre.
Në të dy anët e bulevardit janë edhe qytetarë të shumtë për të ndjekur nga afër paradën.
Ky aktivitet synon jo vetëm promovimin e trashëgimisë kulturore, por edhe edukimin dhe rrjetëzimin e brezave të rinj, duke forcuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
“Parada e Shqiptarëve” ka një ndikim të rëndësishëm në turizmin dhe ekonominë e vendit. Fluksi i pjesëmarrësve nga brenda dhe jashtë kufijve, si dhe vizitorët e huaj tërhequr nga kjo ngjarje, krijuan një atmosferë të gjallë në Tiranë.
Hotelet, bujtinat dhe restorantet përfituan nga rritja e kërkesës për shërbime, duke prezantuar mikpritjen tradicionale shqiptare dhe duke nxitur ekonominë lokale.
Kjo paradë është gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për të promovuar Shqipërinë si një destinacion unik kulturor në rajon.
“Parada e Shqiptarëve” vijon të jetë një simbol i bashkimit dhe krenarisë për të gjithë shqiptarët, duke treguar se Tirana mbetet zemra e aktivitetit kombëtar dhe promovimit të vlerave tona të përbashkëta.
Parada u organizua nën kujdesin e kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, Erion Veliaj, dhe në bashkëpunim me Shoqatën “Rrënjët Shqiptare” (Albanian Roots – Nju Jork).
Parada e shqiptarëve, Foto: Florian Abazaj./atsh/KultPlus.com
Në qytetin e Vlorës, pranë monumentit të Pavarësisë, u zhvillua sot ceremonia e ngritjes së flamurit me rastin e 112- vjetorit të Pavarësisë.
Në ceremoni ishin të pranishëm Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, prefekti i qarkut të Vlorës, Kristaq Kiço, kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha, drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të komuniteteve fetare, qytetarë, etj.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar presidenti Begaj, kryeministri Rama, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentarja Spiropali vendosën kurora me lule dhe u përkulën me respekt pranë monumentit simbol të kurorëzimit të përpjekjeve shekullore për liri e pavarësi, si homazh në këtë ditë të rëndësishme kujtese mbarëkombëtare.
Shqipëria feston sot 28 Nëntorin, 112 vjet nga shpallja e Pavarësisë.
28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.
Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti takuan disa qytetarë pas ceremonisë së ngritjes së Flamurit në Vlorë me rastin e 112 vjetorit të Pavarësisë.
Rama së bashku me kryeministrin e Kosovës, po ashtu kanë takuar edhe me nipin e Ismail Qemalit, Nedin Vlora, i cili ishte i pranishëm në ceremoni.
Vaçe Zela është një nga emrat e pavdekshëm në rrafshin artistik në gjithë hapësirën shqiptare, shkruan KultPlus.
Shumica e këngëve të saj, janë ripërpunuar dhe vazhdojnë të këndohen e dëgjohen edhe sot e kësaj dite. Ato qëndrojnë si ‘monumente artistike’, që koha vetëm sa i forcon.
“Rrjedh në kënge e ligjërime”, është pa asnjë dyshim, kryevepra e e të madhes Zela, e cila bart emocione të pafundme nacionale dhe artistike.
KultPlus, këtu ka sjellur tekstin dhe videon e kësaj kënge:
“Eh i fortë po shndrit ai diell dhe burimi këngës lugjeve i përcjell.
Eh i fortë po ngroh ky diell edhe trimat nëpër mend mi sjell, mi përkëdhel.
Nga ky diell i kohës sime shndrisin shekujt në agime dhe naganti i shqiptarit zjarr flakëron!
Po ku ka si ti, o Shqipëria ime, O fisnikja përmbi gur. Rrjedh në këngë e ligjërime, ballëlarta me flamur!
(x2)
Eh i fortë po bien ai tel dhe lahuta tingujt mi çon larg, m’i përcjell.
Eh i forte po bjen ai tel, partizanët nëpër mend mi sjell, po m’i sjell.
Nga ky zë i tokës sime flasin shekujt me gjëmime, edhe krisma e shqiptarit rrjedh brez më brez.
Po ku ka si ti, moj Shqipëria ime, Oh fisnikja përmbi gur. Rrjedh në këngë e ligjërime, ballëlarta me flamur! (x2)./KultPlus.com
Ekspozita “Kujtesa e Gjeçovit” bëri bashkë Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për të nderuar studiuesin e madh shqiptar At Shtjefën Gjeçovin në 150-vjetorin e lindjes së tij.
Kështu bëri të ditur ministria e Kulturës përmes një njoftimi në Facebook.
“Në kuadër të Javës së Kulturës Kombëtare, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, Ministrisë së Kulturës së Shqipërise dhe Ambasadës së Kosovës në Shqipëri, kjo ekspozitë prezanton për herë të parë për publikun shqiptar botime dhe artikuj nga periudha të ndryshme në koleksionet e BKK-së mbi figurën më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare: françeskanin At Shtjefën Gjeçovi”, thuhet në njoftimin e MKRS-së./KultPlus.com
Një botim i rrallë, i parë i librit të “Harry Potter” është shitur për 36,000 paund.
Christine McCulloch bleu kopjen e “Harry Potter and the Philosopher’s Stone” për djalin e saj Adam në vitet 1990.
Ajo tha se pagoi rreth 10 paund për kopjen e tij nga një librari në Stratford-upon-Avon në vitin 1997 dhe nuk e kishte idenë se i njëjti libër do të vlente mijëra paund, 30 vjet më vonë.
Botimi i parë i librit u shit në ankandin “Rare Book Auctions” në Lichfield, Staffordshire – dhe blerësi pagoi 45,000 paund në total.
Sipas organizatorëve të ankandit, libri është një nga vetëm 500 kopjet e botuara në botimin e parë të librit “Harry Potter”në vitin 1997.
Ai ishte vlerësuar me një çmim midis 30,000 dhe 50,000 paund.
Adam McCulloch, nga Tansley, Derbyshire, tha se kopja ishte lënë në një dollap nën shkallët e ish-shtëpisë së familjes së tij, në Chesterfield./KultPlus.com
EBC Cosmetics është kompani lidere në industrinë e kozmetikës në vend, e njohur për origjinalitet dhe e vetmja kompani në Kosovë e autorizuar për shitjen në 8 pika zyrtare dhe online të brendeve më të njohura ndërkombëtare
Në muajin Nëntor të këtij viti, EBC për “Black Friday” do të ofrojë zbritjen totale 30% nga data 28 Nëntor deri më 29 Nëntor, dhe në brende të caktuara nga data 30 Nëntor deri më 1 Dhjetor.
Nëntë dyqanet e EBC ndodhen në këto lokacione:
1. Bregu i Diellit , Rr.Eqrem Qabej
2. Rr. Nënë Tereza
3. Rr.Garibaldi, përballë hotel Grand
4. The Village Shopping & Fun, Ferizaj
5. Royall Mall, Rruga B
6. Galeria Mall, Prizren
7. Albi Mall, Veterrnik
8. Prishtina Mall
Platforma për blerje online në të gjitha qytetet e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë EBC SHOP : www.ebc.shop./KultPlus.com
S’kam qënë ndonjëherë Në Shqipëri n’atë tokë të ashpër e të dashur, n’atë dhe malor barinjsh.
Sot shpresoj të vij si për të kremte, për një të kremte të re, dasmë mbi tokë; pa të vete të shoh si shkëlqen dielli majë krahëve plot muskuj të vargmaleve të tua, si më rritet në mes të shkëmbinjve si zambaku i ri dhe i njomë, kultura, letërsia, që po nis e shtrihet, nderi ndaj bujkut të moçëm, djepi i punëtorit, përmendorja e shquar e vëllazërimit, si merr përpjetë mirësia posi bima e re që lulëzon në vendet e lashta e të varfra.
O Shqipëri e vogël, e fortë, e vendosur dhe zëmjaltë, teli i kitarës sate ‐ ujë dhe çelik i gjallë – vjen e më t’i shtohet tingullit të historisë, këngës së kohës që s’ka të mposhtur, me një zë bjeshkësh dhe ndërtimesh, aromash dhe bardhësish, këngës së mbarë njerëzve dhe mbarë, mbarë bjeshkëve, zogjve dhe mollëve në lule, erërave dhe valëve. Forca, vendosmëria dhe lulet janë dhuratat q’i sjell ti ndërtimit të jetës mbi tokë.
“Nëntori i dytë” filmi që tregon udhëtimin e Ismail Qemalit drejt Vlorës për të ngritur aty flamurin e shqiptarëve, vazhdon të jetë një ndër filmat më historikë në historinë e kinematografisë shqiptare. Çdo 28 nëntor ai është simboli që çdo shqiptar do donte ta rishihte si pjesë e krenarisë së tij.
Filmi u realizua në vitin 1982 nga regjisori Viktor Gjika nën skenarin e Dhimitër Shuteriqit dhe Kico Blushit. Me muzikë nga Kujtim Laro kolona zanore e filmit vazhdon të shoqërojë çdo përvjetor të pavarësisë së vendit. Por ajo çfarë i dha suksesin këtij filmi nuk ishte vetëm historia, por dhe një kastë e zgjedhur aktorësh me kujdes nga regjisori Gjika. Ai zgjodhi për Ismail Qemalin një karakter të fortë të teatrit e kinemasë shqiptare siç ishte Sandër Prosi. E kush mund ta kishte interpretuar më mirë se Prosi Ismail Qemalin. Në atë rol ai sapo kishte kaluar të 60-at dhe vetëm tre vjet më vonë ai do të ndahej nga jeta në mënyrë tragjike. Isa Boletini, përfaqësuesi i Kosovës në festën e madhe të shqiptarëve do të interpretohej nga Reshat Arbana. Atëherë mbi të 40-at Arbana kishte trupin dhe mendjen e Boletinit duke sjellë një karakter impulsiv dhe të matur njëkohësisht që e personifikon më së miri Isa Boletinin. Mario Ashiku do të interpretonte Shpend Dragobinë.
Aktori i talentuar do të shndërrohej i tëri në djalin luftëtar të Jah Elezit nga Dragobia, Malësi e Gjakovës i cili ishte delegat i Kosovës në Vlorë më, 28 nëntor 1912 kur u shpall pavarësia e Shqipërisë. Shpend Dragobia ishte mik i ngushtë dhe bashkëluftëtar i Isa Boletinit. Gjenerali turk do të interpretohej nga aktori shkodran Sulejman Dibra. Demir Hyskja do të interpretonte Mytesarifin. Bujar Lako do të interpretonte Luigj Gurakuqin i cili në qeverinë e përkohshme të Vlorës do të zgjidhej më vonë Ministër i Arsimit. Robert Ndrenika do të interpretonte Hakiun. Petrit Malaj atëherë një aktor i ri do të luante Adem Boletinin.
Luan Qerimi do të luante Sali Drenicën. Gyljem Radoja do të luante Lym Kepin ndërsa Harjie Rondo do të ishte gruaja e Lym Kepit. Ilia Shyti do të ishte Mullai i Beratit, ndërsa Pandi Raidha do luante Demir Arbanën. Spiro Urumi do të interpretonte Xhaferr Bej Kadenën. Këta janë aktorët që i dhanë jetë një prodhimi të jashtëzakonshëm kinematografik që formatoi në kujtesën e shqiptarëve një udhëtim të gjatë dhe historik që do të shënjonte përgjithmonë një histori tjetër të shqiptarëve, shkruan GSH. Dhe pse shumë pjesë të filmit nuk u shfaqën për shkak të censurës së kohës, kjo nuk e pengoi regjisorin Gjika të sillte me këtë film udhëtimin e shumëpritur në shekuj të shqiptarëve./ KultPlus.com
Në kuadër 112-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, rihapi ekspozitën “Udha drejt Pavarësisë”.
Kjo ekspozitë pasqyron rrugëtimin historik të nënshkruesve të aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe me artefakte që ilustrojnë këtë ngjarje madhore. Rrugëtimi i patriotëve shqiptarë, që do të kulmonte me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e kishte zanafillën më 2 nëntor të vitit 1912, në lagjen Pera të Stambollit, në mbledhjen që u zhvillua në hotelin Pera Palace. Nga Stambolli, Ismail Qemali u nis me anije për në Konstancë të Rumanisë.
Për të ngritur flamurin kombëtar, patriotët shqiptarë u ndeshën me pengesa dhe vështirësi të shumta. Më 5 nëntor 1912, Ismail Qemali mblodhi patriotët shqiptarë në hotelin Continental të Bukureshtit, ku diskutuan për pavarësinë e Shqipërisë. Në fjalën e tij, ai theksoi: “Tjetër shpëtim për Shqipërinë nuk ka, përveçse të gjenden ca atdhetarë me guxim dhe bashkë me mua të hyjmë në Shqipëri dhe të kasnecojmë vetëqeverimin e saj”. Figurat më të rëndësishme të kësaj mbledhjeje qenë: Aleksandër Stavri Drenova, Spiridon Ilo, Vasil Zografi, Pandeli Evangjeli, Luigj Gurakuqi, Dhimitër Berati, etj. Ata vendosën që të mbahej Kuvendi Kombëtar me përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhje u diskutua edhe për flamurin kombëtar dhe u vendos që të ishte flamuri që ngriti Gjergj Kastrioti në Krujë.
Më 7 nëntor 1912, Ismail Qemali u nis me tren nga Bukureshti për në Vjenë, për një vizitë diplomatike, qëllimi i së cilës ishte të fitonte mbështetjen e Austro-Hungarisë për pavarësinë e Shqipërisë. Me të arritur në Vjenë, ai u vendos në Grand Hotel. Më 10 nëntor 1912, u takua me ambasadorin anglez, Sir Fairfax Cartwright, i cili ishte ndoshta diplomati i huaj më në zë i kohës, i akredituar në Vjenë.
Më 12 nëntor 1912, Ismail Qemali udhëtoi me tren drejt Budapestit, ku takoi ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë, kont Berthold-in, i cili e siguroi se qeveria e tij kishte biseduar edhe me qeveritë italiane e gjermane për këtë qëllim, të cilat nuk e shihnin me sy të mirë shtrirjen e Malit te Zi dhe Serbisë në jug të Ballkanit.
Më 19 nëntor 1912, bashkë me Luigj Gurakuqin, Ismail Qemali arriti në Trieste, qytet që në atë kohë ishte një port i Austro-Hungarisë. Spiridon Ilo, Dhimitër Berati, Pandeli Mborja dhe Dhimitër Zografi u nisën disa ditë më vonë për t’u takuar po aty me Ismail Qemalin. Po nga Triestja do të bëhej nisja për në Durrës, me anijen “Baron Bruck”, që ua siguroi Berthold-i.
Natën e 20 nëntorit, duke u gdhirë data 21, avulloret “Brunn” dhe “Graf Wurmbrand” u takuan në Gjirin e Rodonit për të bërë kalimin e Ismail Qemalit dhe njerëzve të tij nga njëra anije tek tjetra.
Ismail Qemali dhe burrat e tjerë e kaluan natën në “Graf Wurmbrand”, e cila arriti mëngjesin e datës 21 nëntor në Durrës dhe u prit në qelën e Dom Nikollë Kaçorrit, i cili, pas një jave, do të ishte edhe zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.
Më 23 nëntor 1912, Ismail Qemali u nis me një karrocë me kuaj nga Durrësi. Gjatë rrugëtimit të karvanit për në Vlorë, gjenerali i divizionit turk, Kara Sait Pasha, që kontrollonte zonën midis Lushnjës, Fierit dhe Beratit, dha urdhër të arrestohej Ismail Qemali dhe gjithë shoqëruesit e tij. Për këtë arsye, karvani nuk u fut në Lushnjë, por e kaloi natën në Çermë, në çifligun e Dervish bej Biçakut.
Natën tjetër Ismail Qemali e kaloi në Fier, tek Omer Pasha. Me ndihmën e patriotëve vendas, karvani kaloi nga Mifoli dhe pas shumë peripecive, pasditen e 27 nëntorit 1912, Ismail Qemali mbërriti në Vlorë.
Punimet e Kuvendit të Vlorës filluan më 28 nëntor 1912, në orën 15:30 në sarajet e familjes Vlora, me pjesëmarrjen e 78 delegatëve. Kuvendi i Vlorës vendosi që “Shqipëria të bahet më vehte, e lirë dhe e mosvarme”. Pas nënshkrimit të aktit të shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, në orën 17:30 të datës 28 nëntor 1912, doli në ballkonin e shtëpisë ku zhvilloi punimet kuvendi dhe valëviti lart flamurin kombëtar, të cilin e kishte ngritur dikur Gjergj Kastrioti në Krujë./atsh/KultPlus.com
Nëntori ka hyrë në historinë e popullit shqiptar, duke u bërë një muaj i tërë me përplotë ngjarje që na fisnikrojnë e krenojnë ndër vite, shkruan KultPlus.
Figura të shquara kombëtare përgjatë datave të nëntorit kanë arritur të shënojnë të arritura të mëdha për vendit, të lindin dhe të na bëjnë neve këtë muaj si të veçantë.
Patjetër që e tillë është edhe data 28 Nëntor.
KultPlus ka përmbledhur ngjarjet më të veçanta të historisë përgjatë kësaj date:
1443 – Gjergj Kastriot Skënderbeu, e ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e Krujës.
1793 – Në Shkodër, Lezhë dhe në rrethinat e tyre nisi kryengritja kundër ushtrive osmane. Me humbje të mëdha pashai turk mundi të çante rrethimin, por në Lezhë pësoi goditje dhe humbje të reja, që e detyruan te tërhiqet për në Manastir.
1912 – Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë.
1955 – Ditëlindja e Adem Shaban Jasharit.
1997 – Paraqitja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
1998 – përmes referendumit mbarëpopullor u adoptua Kushtetuta e Shqipërisë. / KultPlus.com
Me rastin e ditës së Pavarësisë, e risjellim sot të plotë fjalimin e Ismail Qemalit të mbajtur më 28 Nëntor 1912 në ngjarjen e madhe të ngritjes së flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë në Vlorë.
KultPlus ju sjell fjalimin origjinal nga Ismail Qemali
Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.
Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.
Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!
Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Shqiptarët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).
Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest.
Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.
Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë.
Sot është dita e lindjes së Adem Jasharit, një nga luftëtarët më të shquar që ka nxjerrë kombi shqiptar.
Themelues i UÇK-së, komandant dhe hero i Luftës Çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës, Jashari lindi në Prekaz të Drenicës më 28 nëntor 1955.
Adem Jashari mori pjesë në Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, ku kërkesë kryesore e shqiptarëve ishte “Kosova Republikë”. Deri në vitin 1989, qëndroi në ilegalitet për shkak të përndjekjes nga ana e forcave serbe. Në vitin 1990, Adem Jashari organizoi grupet e para të armatosura në Kosovë. Në vitin 1991, ai së bashku me vëllezërit Rifatin e Hamzën, arritën të çanin rrethimin e forcave serbe.
Më 25 nëntor 1997 forcat e Adem Jasharit sulmuan trupat e policisë serbe në Vojnik, duke i detyruar ato që të tërhiqen. Ndërsa më 28 nëntor 1998, gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halil Geci, i vrarë nga forcat serbe, përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dolën në tribunë me simbolet e UÇK-së.
Forcat serbe nuk mundën të hynin më në Drenicë deri më 22 janar 1998, por më 2 mars 1998, forca të shumta serbe të shoqëruara me tanke, autoblinda dhe artileri rrethuan shtëpinë e familjes Jashari.
22 pjesëtarët e familjes që ndodheshin në shtëpi luftuan me forcat serbe për tri ditë e netë, duke mbetur të vrarë nga kjo familje 21 vetë nga mosha 3 deri në 74 vjeç. Mes të vrarëve ishte edhe Adem Jashari, i cili u kthye në simbol frymëzimi dhe rezistence për shqiptarët./ KultPlus.com
Shqipëria feston sot Ditën e Flamurit, 112- vjetorin e Pavarësisë.
Kryeministri Edi Rama uroi sot të gjithë shqiptarët për festën e Pavarësisë, me jehonën e këngës “Për ty, Atdhe”, si dhe koreografinë kuqezi të fëmijëve nga Vlora, në Tiranë e Shkodër.
“Me jehonën e këngës ‘Për ty, Atdhe’, nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, te Kalaja e Rozafës në Shkodër dhe Sheshi Skënderbej në Tiranë”, shkruan Rama.
Shqipëria feston sot 28 Nëntorin, 112 vjet nga shpallja e Pavarësisë. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.
Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar./atsh/KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në këtë 28 nëntor, ka përkujtuar ditën e lindjes së fotografit, Gjon Milin, “një artist global me rrënjë shqiptare”.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja shkruan se sot përkujtojmë me krenari mjeshtrin shqiptar që i dha dritë botës së artit dhe fotografisë me vizionin e tij unik dhe përdorimin novator të dritës.
“Gjon Mili theu kufijtë e imagjinatës, nga portretet ikonike tek eksperimentet e tij me dritën dhe lëvizjen, ai mbetet frymëzim për artistët në mbarë botën”, shkruan Gonxhja.
Gjon Mili u lind më 28 nëntor 1904 në Korçë. Në moshën 5 vjeçare familja e tij emigroi në Rumani, atje Mili ku kreu shkollën e mesme dhe në moshën 19 vjeçare u nis drejt Amerikës. U diplomua në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetit inxhinier ndriçimi. Gjatë kësaj kohe u mor me artin fotografik.
Emri i tij është jo pak i njohur në Amerikë dhe Francë. Rëndësi në jetën e tij pati njohja e miqësia me Faik Konicën, i cili e nxiti të drejtonte krijimtarinë në fushën e artit. Për 15 vjet ka punuar fotoreporter për revistën e njohur amerikane “Life”, në 1946 hapi në Paris ekspozitën vetiake, ndërsa në 1942 ai fotografoi predhën e një topi avioni kalibër 37 milimetra me një kohë ekspozimi për një të miliontën pjesë të sekondës. Kjo foto u quajt nga shtypi i kohës si shpikja e kohës.
Pikaso duke vizatuar në dritë dhe një ndeshje basketbolli janë dy nga fotografitë e tij të famshme, e para është renditur ndër 500 fotografitë më të mira të botës për 150 vjet, për albumin “Photo book”, Londër 2002. Gjon Mili njihet si fotografi që përdori për herë të parë flashin elektronik dhe fotografimin e lëvizjes. Ai vdiq më 14 shkurt 1984 në SHBA./atsh/KultPlus.com
Sot u bënë 27 vite nga dalja e parë në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
28 Nëntori nuk shënon vetëm festën e Ditës së Flamurit. Sa herë vjen ky muaj, Kosova kujton daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt.
Ndërkaq, ajo që bëri që UÇK-ja të bëjë publike aktivitetet, ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më parë nga forcat serbe.
Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalë për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK-së.
Deklarata e UÇK-së për paraqitjen e saj të parë publike u përgatit nga vetë ushtarët e saj. / KultPlus.com
Presidenca e Republikës së Kosovës, kanë reaguar pas vdekjes së profesorit Sami Repishti, i cili ishte i mbijetuar nga burgjet e komunizmit në Shqipëri.
Ai vdiq të mërkurën, më 27 nëntor, në moshën 99-vjeçare.
“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të profesor Sami Repishtit, patriotit të madh, zërit të shquar për drejtësi, liri e pavarësi të Kosovës. Vepra e profesor Sami Repishtit është dëshmi e guximit dhe e përkushtimit – duke qëndruar në ballë të luftës për të drejtat e njeriut dhe luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, janë shprehur nga Presidenca.
Tutje, në komunikatën e tyre thuhet se dëshmia e tij në institucionet amerikane, shkrimet e tij për historinë e Kosovës dhe dashuria e tij e thellë për popullin tonë do të mbeten të paharrueshme. Ai ishte një patriot e prijetar me vizion, përpjekjet e të cilit ndihmuan në formësimin e rrugës drejt pavarësisë sonë.
“Mirënjohje e përjetshme për një jetë kushtuar çështjes shqiptare! U prehtë në paqe profesor Repishti. Trashëgimia e tij do të jetojë për sa të jetë kombi jonë!”, thuhet në njoftim./KultPlus.com
Elbasani ka nisur festimet që për 80-vjetorin e Çlirimit të qytetit, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, Gledian Llatja.
Gjatë këtij muaji, qyteti do të mbushet me aktivitete, koncerte dhe ngjyra festive që do të zgjasin deri në fund të vitit. Zëdhënësja e këtij institucioni, Miranda Sadiku thotë për ATSH se atmosfera festive e ka përshkruar qytetin me simbolet kuqezi, duke krijuar një atmosferë ngazëlluese për të gjithë qytetarët.
28 Nëntori, Dita e Pavarësisë, do të jetë kulmi i festimeve, ku do të zhvillohen aktivitete speciale për fëmijët e kopshteve dhe shkollave të Elbasanit. Shumë nga ta do të performojnë në koncertet që do të organizohen në teatrin “Skampa” dhe Qendrën e Artit. Qendra e Artit, me koncerte dhe aktivitete për fëmijët, do të shërbejë si një pikë e veçantë e këtyre festimeve. Fëmijët, në këto aktivitete, do të ndajnë me qytetarët emocionet e tyre, duke kontribuar në atmosferën festive që do të mbizotërojë në qytet.
Përveç aktiviteteve edukative dhe kulturore, qyteti do të shndërrohet në një oaz dritash shumëngjyrëshe, simbol i pritjes së Vitit të Ri. Dritat e pemës së madhe që simbolizon festat e fundvitit në qytet do të ndizen më 6 dhjetor, duke i dhënë Elbasanit një pamje të mrekullueshme dhe një atmosferë magjike. Pjesë e këtyre festimeve do të jenë gjithashtu lodrat dhe shtëpiza të improvizuara pranë portës së kalasë, ku qytetarët do të mund të shijojnë aktivitete dhe produkte festive.
Në vazhdim të festimeve, koncertet festive do të vijojnë me aktivitete të ndryshme, për të kaluar një fundvit të paharrueshëm. Mbrëmjet Gala, si një traditë e qytetit, do të përmbyllin festimet, duke sjellë një atmosferë festive për të gjithë qytetarët dhe mysafirët e Elbasanit.
Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, theksoi se “festimet për këtë vit janë më të shumta dhe më të larmishme. Po krijojmë një atmosferë të ngrohtë, të gëzueshme dhe plot shpresë për të gjithë qytetarët, ku secili do të mund të shijojë aktivitete të veçanta dhe të kontribuojë në ruajtjen e traditave tona”.
Njëherësh, qyteti i Durrësit ka rezervuar një seri aktivitetesh në kuadrin e festave të nëntorit dhe atyre të fundvitit. Zëdhënësi i kësaj bashkie, Dorian Agolli thotë për ATSH se për kalendarin e këtyre ngjarjeve artistike është punuar prej kohësh, nga ideimi te projektimi dhe materializimi i secilit syresh prej tyre, ndërkohë që qëllimi është që të aktivitetet të jenë sa më gjithëpërfshirëse për të gjitha grupmoshat. Nga mbrëmë, në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës në orën 19:00 të pasdites nis koncerti festiv në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, që quhet “Këngët e vendit tim”. Me pjesëmarrje të gjerë të këngëtarëve dhe artistëve të njohur të këtij qyteti. Në javën e parë të dhjetorit, pra në datat 6-7-8 dhjetor në po të njëjtën qendër kulturore është parashikuar të jepet për publikun shfaqja “Anonimi i Venedikut”. Vepra trajton historinë e një çifti të divorcuar që ritakohen pas tetë vjetësh dhe bëjnë një udhëtim në Venecia, duke rikujtuar kohët e kaluara ku zihen si gjithmonë, dashurohen si gjithmonë, por është personazhi kryesor i veprës, burri ai që e ka kërkuar këtë takim, sepse është duke vdekur.
Në datat 17-18-19 dhjetor, bashkia Durrës organizon Festivalin Kombëtar të Këngës për Fëmijë “Tingujt e Adriatikut”, me një repertor të pasur këngësh për festat, ndërkohë që do të jenë të ftuar edhe personazhe të njohura të sferës publike. Këto ditë pritet të ndizen edhe dritat e pemës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri në qendër të qytetit të Durrësit./atsh/KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar 28 Nëntorin, duke kujtuar se kjo ditë po i gjen me projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“Në këtë vend të shenjtë që ruan gjurmët e veprës heroike të Familjes Jashari, ne kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë çmimin e lirisë të cilën e gëzojmë sot”, ka shkruar ai.
Kurti ka shtuar se nuk do të kursehet asgjë që të ndërtohet një kompleks memorial i rëndësishëm ndërkombëtarisht.
“Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e Familjes Jashari, ka shkruar Kurti./KultPlus.com
Në muzeun e Krujës u përkujtua mbrëmjen e djeshme momenti historik dhe i paharrueshëm për kombin tonë, ngritja e flamurit nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë.
Ky akt heroik nuk ishte vetëm ngritja e një simboli, por një thirrje për liri, bashkim dhe krenari kombëtare.
Në ceremoninë e organizuar në Krujë ku u ngrit flamuri shqiptar të pranishmit nderuan këtë ditë me zemrat plot dashuri për atdheun dhe për vlerat që na bashkojnë si popull.
Më 28 nëntor të vitit 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe forcat e tij çlirojnë Krujën dhe ngrenë flamurin kuq e zi.
Pasi kishte braktisur osmanët në betejën e Nishit më 3 nëntor, Skënderbeu, në krye të 300 kalorësve, u kthye në trojet e tij dhe u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve.
Sipas kujtimeve të Marin Barletit: “Skënderbeu valëviti në Krujë me 28 nëntor 1443, për herë të parë në histori, flamurin kuq e zi dhe në kulmin e entuziazmit popullor të të pranishmëve tha : “lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj edhe me një çlirimtar tjetër, se Arbërisë nuk i mungojnë burrat. Lirinë nuk jua solla unë po e gjeta këtu në mes tuaj. Armët nuk jua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë dhe në ushtat”.
Fjalimi i Skënderbeut nxiti frymën atdhedashëse. Kryengritja çlirimtare u bë e përgjithshme. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone.
Shembulli i tij nxiti thuajse të gjithë princat shqiptarë të ngriheshin kundër sundimit osman; në përpjekje për bashkim forcash, më 2 mars 1444, Skënderbeu i thirri ata në Lezhë për një kuvend ku pavarësisht nga grindjet mes tyre, themeluan një bashkim, i njohur në histori si Lidhja shqiptare e Lezhës./atsh/KultPlus.com