Baleti shqiptar “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” rivihet në skenën e TKOB

Në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit është rivënë në skenë legjenda e Gjergj Elez Alisë.

“Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” u soll në natën e saj të parë nga balerinët Kevin Lila, Adela Muçollari, Ervis Koçeku, Anxhelo Muçollari, Lurdi Dodgjini, Ambra Troplini dhe Eltion Merja, ndërsa në natën e saj të dytë, interpretuan edhe Odeta Dishnica, Dion Gjinika, Elda Logo etj.

Baleti “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” është një nga ato vepra që i kanë rezistuar kohës. Baleti mban firmat e kolosëve: kompozitorit Feim Ibrahimi, të Ismail Kadaresë që shkroi libretin dhe të baletmaestros Agro Aliaj.

Libreti bazohet mbi rrëfenjat e Eposit të Kreshnikëve, duke përcjellë bëmat e heroit, dashurinë e përpjekjet për atdheun e sakrificat për njerëzit e dashur.

Legjenda nis me Gjergjin që dergjet në shtat prej 9 vjetësh nga plagët e marra dhe përfundon me duelin e famshëm me bajlozin. Ndonëse me nëntë plagë në trup, Gjergji e vret atë, por edhe vetë mbyll sytë përgjithmonë nga plaga e dhjetë që ka marrë.

Për herë të parë në skenën shqiptare baleti u shfaq në 30 mars të vitit 1986 me dirigjim nga Rifat Teqja dhe në atë kohë Gjergj Elez Alia u interpretua nga Ilir Kerni, Llaqi Nako dhe Arben Kuçaj, ndërsa personazhi tjetër kryesor, Dardina u interpretua nga Albana Sulejmani dhe Julika Islami.

Pas vitit 1986, vepra e cilësuar si një nga baletet më të bukur shqiptarë, është rikthyer shumë herë të tjera në skenë./atsh/KultPlus.com

Shqipëria kryeson me rritjen e turizmit në Europë

Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara ka publikuar Barometrin e Turizmit për periudhën janar-korrik 2024, në të cilën konfirmohet se Shqipëria renditet e para në Europë për rritjen e numrit të vizitorëve ndërkombëtarë krahasuar me periudhën e parapandemisë dhe e dyta në botë pas Katarit.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se “një tjetër certifikim ndërkombëtar për këtë vit turistik sapo vjen nga Barometri i Organizatës Botërore të Turizmit, ku Shqipëria kryeson në klasifikimin europian për rritjen më të lartë të vizitorëve ndërkombëtarë dhe renditet e dyta në botë pas Katarit të Kupës së Botës, teksa një “medalje e artë” na akordohet edhe sa i takon arkëtimeve nga turizmi, me rritjen më të lartë krahasuar me periudhën e parapandemisë”.

“9,7 milionë vizitorë të huaj nga janari në shtator të vitit 2024 dhe një diversitet i larmishëm tregjesh turistike në rritje, janë tregues të qëndrueshëm, por të sigurt se Shqipëria do të vazhdojë t’i mbushë muret me certifikata të tilla suksesesh ndërkombëtare, që përkthehen në më shumë të ardhura për bizneset, punësim për familjet dhe imazh pozitiv ndërkombëtar për Shqipërinë tonë, që as mund të imagjinohej pak vite më parë”, tha Rama.

Një tjetër risi në barometrin e turizmit publikuar nga UN Tourism, është se për herë të parë njihet rritja e të ardhurave nga turizmi ndërkombëtar. Sipas barometrit për periudhën janar-korrik 2024, Shqipëria renditet e para sa i takon arkëtimeve nga turizmi, me një rritje +128% krahasuar me periudhën e parapandemisë.

Kjo nuk është hera e parë që UN Tourism, si organizata më e madhe botërore e turizmit, “certifikon” arritjet e industrisë së turizmit në Shqipëri, pasi edhe për vitin 2023 Shqipëria u rendit e katërta në botë për rritjen e flukseve ndërkombëtare në raport me popullsinë.

Në muajin prill, Organizata Botërore e Turizmit mbajti për herë të parë një event të nivelit të lartë në Tiranë, siç ishte Mbledhja e Komisionit për Europën, ku u prezantua gjithashtu edhe botimi “Doing Business in Tourism – Investing in Albania”, një botim i përbashkët i UN Tourism dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, kushtuar investimeve në turizëm.

Sipas barometrit të UN Tourism, Evropa dhe Amerika rikuperuan 99% dhe 97% të flukseve ndërkombëtare të turistëve krahasuar me periudhën para pandemisë gjatë pjesës së parë të këtij viti, ndërsa Azia dhe Paqësori kanë treguar nivele më të ulëta rikuperimi, me 82% të niveleve të vitit 2019./atsh/KultPlus.com

“Fausti” si rimishërim i njeriut modern, në ArTurbina

Trupa e Teatrit Kombëtar solli mbrëmjen e djeshme, premierën e “Faustit”, me regjinë e Davide Iodice.

“Fausti” erdhi tek ArTurbina përmes interpretimit të aktorëve: Ema Andrea, Lulzim Zeqja, Besmir Bitraku, Indrit Çobani, Hervin Çuli, Niada Saliasi, Ina Gjonçi, Krist Lleshi, Gert Ferra, Genti Deçka.

Fausti është rimishërimi i njeriut modern, për të cilin djalli nuk përfaqëson më tundimin apo mëkatin, por vetëm të keqen e pranishme në jetë. Përmes shtatë mëkateve vdekjeprurëse dhe mbi të gjitha, përmes takimit dhe dashurisë për Margaritën, Fausti do të jetojë mundimet e tij dhe vuajtjet e njeriut modern, duke mishëruar simbolin dhe në të njëjtën kohë, sakrificën ekzemplare të luftës së vazhdueshme e të pafundme mes të mirës dhe të keqes.

Regjisori Davide Iodice ka realizuar edhe bashkëpunime të tjera me artistët shqiptarë, siç ishte drama “Vizita”, me të cilën teatri “Migjeni” fitoi Çmimin e Medias, në MESS Festival. Iodice ka marrë përsipër veç regjisë së “Faustit” edhe përshtatjen, skenografinë e kostumet.

Kjo vepër ishte një bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar dhe Sardegna Teatro të cilët patën mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës./atsh/KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Qyteteve

Sot është Dita Botërore e Qyteteve dhe tema e këtij viti është: Të rinjtë Drejtues për Klimën dhe Veprimet Lokale për Qytetet e 2024-ës.

Qytetet parashikohet të strehojnë 70% të popullsisë së botës deri në vitin 2050, duke u përballur me sfida të paprecedentë në kontekstin e ndryshimeve klimatike. Deri në vitin 2030, rreth 60% e njerëzve do të jetojnë në zona urbane, me deri në 60% të banorëve urbanë nën 18 vjeç.

Pavarësisht progresit drejt Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, qytetet, veçanërisht në Jugun Global, vazhdojnë të përballen me varfërinë, pabarazinë dhe degradimi i mjedisit, që kërkon veprim urgjent.

Ekspertët theksojnë rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në vendimmarrjen urbane për të shfrytëzuar kreativitetin e tyre dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm. Dita Botërore e Qyteteve 2024 synon të shfaqë rolin vendimtar të qeverive lokale dhe të rinjve në adresimin e sfidave të klimës urbane.

Iniciativat ndërkombëtare si Pakti për të Ardhmen dhe Deklarata për Gjeneratat e Ardhshme synojnë t’i japin përparësi zërave të të rinjve në formësimin e mjediseve të qëndrueshme urbane.

OKB propozon krijimin e këshillave rinore, integrimin e përfaqësuesve të të rinjve në qeveritë vendore dhe mbajtjen e dialogut të vazhdueshëm midis të rinjve dhe politikëbërësve. Këto përpjekje synojnë të krijojnë qytete që janë jo vetëm të qëndrueshme dhe elastike, por edhe reflektuese të zërave dhe nevojave të ndryshme të banorëve, si në të tashmen, ashtu edhe në të ardhmen./atsh/KultPlus.com

Zbulohen portrete e figura shenjtorësh në kishën e Kepit të Rodonit

Gjatë punimeve për konservimin dhe restaurimin e pikturës murale në Kishën e Shna Ndout, në Kepin e Rodonit, kanë dalë në dritë portrete dhe figura shenjtorësh.

Lajmi bëhet i ditur nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Punimet konsistuan në konsolidimin e shtresave përgatitore dhe pelikulit piktorik, pastrimin nga mbivëniet me gëlqere dhe llaç, pastrimin nga kripërat si dhe zëvendësimin e bordurimeve dhe stukimeve të vjetra.

Piktura murale e kësaj kishe bashkë me atë të Kishës së Shëlbuemit në Rubik ishin në fokusin e programit të EU4Culture, gjatë këtij viti, për restaurimin e veprave të artit ndërsa ndërhyrjet u realizuan nga restauratorja Edlira Çaushi dhe ekipi i saj.

Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit, në IKTK, kanë mbikëqyrur nga afër ecurinë e këtyre punimeve.

Kisha e Shna Ndout në Kepin e Rodonit është monument i trashëgimisë kulturore me një arkitekturë romaniko-gotike e shekullit XIV./atsh/KultPlus.com

Gjendet pas 200 vitesh dorëshkrimi i Chopin

Gjendet pas 200 vitesh një dorëshkrim i panjohur i Chopin. Bëhet fjalë për një valz, në La Minor dhe mendohet se është shkruar mes 1830-1835. Kur kompozitori polak ishte rreth 20-vjeçar.

Zbulimi i jashtëzakonshëm është në Morgan Library and Museum në New York, dhe është gjetur në një kasafortë rastësisht nga kuratori muzikor Robinson McClellan. I pluhurosur e i vjetëruar.

Dorëshkrimi më pas është studjuar nga një grup specialistësh të cilët deklarojnë të bindur tashmë nga analizimet se bëhet fjalë për një vepër të re që qëndronte e mbyllur prej 2 shekujsh tashmë, dhe i shtohet trashëgimisë botërore që ka lënë pas një ndër kompozitorët më madhështorë të muzikës klasike, i cili u nda nga jeta në moshën 39-vjeçare në Paris./tvklan/KultPlus.com

Sonte fillon edicioni i pestë i “Peja Jazz Festival”

Edicioni i 5-të i “Peja Jazz Festival” do të nis sot në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, duke shënuar fillimin e një programi të pasur muzikor që do të zgjasë deri më 3 nëntor. Ky festival do të mbledhë emra të shquar të muzikës xhaz nga e gjithë bota, duke ofruar një përvojë kulturore dhe artistike për qytetin e Pejës dhe për të gjithë adhuruesit e muzikës xhaz.

Nata e parë e festivalit do të hapet me një performancë nga artistja ndërkombëtare Laura Prince. E lindur nga prindër me prejardhje nga Togo dhe Franca, Laura është vokaliste dhe kompozitore me një stil autentik dhe prekës, që reflekton rrënjët e saj të thella kulturore. Përformanca e saj do të shoqërohet nga pianisti Julian Caetano, i cili njihet për interpretimin e tij të ndjeshëm në skenën e xhazit.

Muzika e Laurës prek tema universale si frikërat e fëmijërisë, zemërthyerjet, dhe lidhjet kulturore, duke krijuar një atmosferë intime dhe reflektuese për publikun. Julian, që në moshë të re ka kultivuar dashurinë për muzikën dhe xhazin, do të sjellë një performancë të sofistikuar dhe harmonike, e cila pasuron më tej përvojën e festivalit.

Peja Jazz Festival 2024 synon të jetë një platformë për promovimin e xhazit dhe bashkëpunimeve ndërkulturore, duke prezantuar artistë me zëra të veçantë dhe duke shpalosur emocione muzikore. Përgjatë katër netëve të ardhshme, audienca do të ketë mundësinë të shijojë një gamë të gjerë interpretimesh që do të përfshijnë tingujt e instrumenteve të veçanta dhe ritme nga kultura të ndryshme.

Edicioni i 5-të i Peja Jazz është duke u realizuar me mbështetjen e Anibar, Kinema Jusuf Gërvalla, Ambasada e Japonisë në Kosovë, Ipko Telecommunications, Ministria e Rinisë, Kulturës, dhe Sportit, Bashkimi Europian, Ambasada e Hungarisë në Kosovë, Ambasada e Francës në Kosovë dhe Instituti Francez, London Taxi, Baker Tilly, Agrocoop and Deep Yellow./KultPlus.com

Vdes etnografja dhe koleksionistja e njohur, Parashqevi Sahatçi

Berati humbi një figurë të shquar, historianen e koleksionisten Parashqevi Sahatçi (Salepi), të cilën kryebashkiaku Ervin Demo e quajti “Zonjën e Fotografisë”.

Dashuria për qytetin e saj, Beratin, i ngjizi Parashqevisë edhe pasionin për fotografinë, duke përjetësuar me shkrepjet e aparatit dhe koleksionin e saj të fotove, ngjarje të jetës shoqërore, politike dhe kulturore.

Kryetari i bashkisë, Ervin Demo tha se, falë koleksionit të pasur të Mjeshtres së Madhe Parashqevi Sahatçi dhe publikimeve, kemi sot një album të pasur të kujtesës historike të qytetit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Ervin Demo i shprehu ngushëllimet familjes, për humbjen e njeriut të dashur si dhe nderime për veprën e saj të përjetshme.

Në Berat, mësuese Parashqevi Sahatçi, njihej si mësuesja e dashur për breza me radhë, të cilët i edukoi në qytetin e “një mbi një dritareve”. Përveç titullit “Mjeshtër i Madh” që e mori nga presidenti Bujar Nishani, ajo ishte vlerësuar që në 1979 me titullin: “Naim Frashëri” si historiane dhe etnografe dhe në vitin 1990 është vlerësuar me “Medalje për shërbime shtetërore dhe shoqërore”./atsh/KultPlus.com

‘Ti je si manushaqet me erën sipër tyre’

Poezi nga Ezra Pound
Përktheu: Redi Sheqeri

Pema më ka depërtuar në duar,
Limfa e saj më ka mbushur krahët,
Pema është rritur në gjirin tim –
Teposhtë,
Degët rriten nga unë, si krahë.

Pemë je ti,
Myshk je ti,
Ti je si manushaqet me erën sipër tyre.
Një fëmijë – kaq i madh – je ti,
Dhe e gjithë kjo për botën është një çmenduri./ KultPlus.com

Kalaja e Kardhiqit, destinacion interesant për eksplorimin e historisë dhe natyrës

Një objekt me rëndësi për trashëgiminë tonë kulturore në qarkun e Gjirokastrës, është kalaja e Kardhiqit, e shpallur Monument Kulture i Kategorisë I që prej vitit 1963.

Kalaja e Kardhiqit, vetëm 4 km larg nga Gjirokastra, ka qenë një qendër strategjike e rëndësishme ndër shekuj.

Ndërtuar mes shekujve XIV-XV, kjo kala e mahnitshme mban brenda vetes histori të shumta. Me mure të forta dhe shkallë të gdhendura në gur, kalaja ofron jo vetëm një përvojë të pasur historike, por edhe një natyrë të larmishme dhe pamje të mrekullueshme të luginës së Kardhiqit, duke ofruar një destinacion interesant për ata që duan të eksplorojnë historinë dhe natyrën.

Kalaja ndodhet në fshatin Kardhiq, afërsisht në mes të luginës me të njëjtin emër. Lugina paraqet një linjë të rëndësishme komunikimi, të njohur që në Antikitet, e cila lidhet me trevën e Gjirokastrës, me pellgun e Delvinës.

Sipas eksploratorit osman Evlia Çelebiu si dhe burimeve të tjera që citon DRTK Gjirokastër, lugina e Kardhiqit ndonëse me vështirësi, të nxirrte dhe në gjirin e Vlorës. Pikërisht në vendin ku rruga kthen për të dalë në Qafën e Skërficës dhe më tej në pellgun e Delvinës, gjendet një kodër në trajtë trungu konik. Vetë kodra ka shpate mjaft të pjerrëta që e veshtirësojnë së tepërmi ngjitjen.

Kodra prej formacioni gëlqeror mbulohet prej një shtrese dheu, që e bën të papërshtatshme për banim. Në pjesën e sipërme ajo kurorëzohet prej një brezi shkëmbor i cili kufizon një platformë të vogël me diametër 70-80 m. Kushtet për ngulimin e një qendre të fortifikuar janë mjaft të përshtatshme si në drejtimin ekonomik, ashtu dhe strategjik.

Kalaja zë pjesën më të madhe të platformës, ajo ka formën e një pesëkëndëshi me perimetër 280 m, të përforcuar në çdo kulm prej një kulle. Përveç mbrojtjes natyrale që siguron terreni, midis shkëmbinjve vihen re dhe mure, të cilat pengojnë ngjitjen nëpërmjet çarjeve të tyre.

Në brendi të rrethimit shihen rreth 23 ambiente në formë qelie, si dhe dy stera me kapacitet mbi 350 metër kub.

Specialistët e DRTK Gjirokastër vazhdimisht kryejnë punime mirëmbajtjeje, siç është dhe pastrimi nga bimësia që po kryhet aktualisht në kalanë e Kardhiqit./atsh/KultPlus.com

Ezra Pound, poeti që ka jetuar më shumë me ide sesa me njerëz

Mundësia e vetme për fitoren humane, mbi aktin e shpëlarjes së trurit- është e drejta e çdo njeriu, është ajo që njeriu të ketë idetë e tij, të cilat duhet të arrijnë të gjykohen njëherë e një kohë. Ju kurrë s’mund të gjeni qartësinë e mendimit për aq kohë sa keni fjalët e grumbulluara dhe të pashprehura, dhe për aq kohë sa një fjalë përdoret nga njëzetë e pesë njerëz -në njëzetë e pesë mënyra të ndryshme. Kjo më duket se është lufta e parë e njeriut, nëse do të ketë ende ndonjë pjesë intelekti, e mbetur për tu shqyrtuar nga ne.

Teknika e poezisë është test për sinqeritetin

Kjo intervistë e Ezra Pound, e realizuar në fillim të viteve ’60, është bërë nga një prej redaktorëve më të njohur letrarë të kohës, Donald Hall. Përmes saj shfaqet poeti i njohur amerikan, një nga ikonat e historisë së poezisë. Në pjesën e parë, rrëfehet teknika e autorit; përpjekja për muzikalitetin dhe mundësitë e anglishtes në shprehjen e letrare; teknikat bashkëkohore; dhe pse i ndihmonte aq shumë të rinjtë Pound; si edhe shumë e shumë elementë të tjerë…

Nga Donald Hall*

Që kur ka ardhur për herë të fundit në Itali, Ezra Pound e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës së tij në Tirol, duke e kaluar atë- vetëm në mjediset e Kështjellës në Brunnenburg. Si gjithmonë, i shoqëruar me gruan, vajzën Mary- dhëndrin e tij Princin Boris de Rachewiltz dhe nipin. Për fat të keq, malet në këtë vend, që është një vend pushimi afër Meranos- janë krejt të ftohta në dimër, kurse Z. Pound e do shumë diellin. Intervistuesi ishte bërë gati për t’u nisur nga Anglia drejt Meranos që në fund të shkurtit, kur një telegram e ka stopuar atë në derë:”Merano është zënë nga bora. Hajde në Romë”.

Poeti Ezra Pund

Shtatë vjet nga vdekja e regjisorit Mihallaq Luarasi

Si sot, më 30 tetor të vitit 2017, në moshën 88-vjeçare u nda nga jeta regjisori Mihallaq Luarasi.

Luarasi lindi më 16 shtator 1929 në Korçë. Shkollën e mesme e kreu në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë.

Për herë të parë në teatër si regjisor paraqitet me tragjedinë Shilerit “Intrigë dhe dashuri” në vitin 1957 në Teatrin Popullor, spektakël që qëndroi në repertor shtatë vjet dhe u luajt mbi 300 herë.

Mihal Luarasi është njëri nga tre regjisoret e shquar të periudhës më të ndritur e cilësore të teatrit shqiptar në vitet 1957-1973: Luarasi – Spahivogli – Mani. Për arsyet që dihen, në Teatrin Kombëtar Luarasi vuri pak pjesë, por ato u dalluan për cilësinë dhe nivelin e lartë artistik, si: “Dragoi i Dragobisë”, “Dhelpra dhe rrushtë” (fituese e të gjitha çmimeve të para në Festivalin e II-të kombëtar të teatrove), “Mosha e bardhë”, “Banorët e shkallës nr. 6”, “Rrugë të tërthorta”, “Një dashuri e tille”. Më 1996 vë për herë të parë në skenë në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës dramën “Cuca e maleve”.

Luarasi është referencë e një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e teatrit shqiptar, që lidhet me dënimin e tij në diktaturë, për shfaqjen “Njollat e Murrme”. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot kritikën e kësaj vepre. / KultPlus.com

Ndërhyrje në murin rrethues të kalasë së Lezhës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër inspektoi në terren punimet e projektit “Stabilizim emergjent i një pjese të murit verior në kalanë e Lezhës”. Projekti është pjesë e paketës së rindërtimit pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Ky projekt ka si qëllim sigurimin, mbrojtjen dhe konservimin arkitektonik të monumentit.

Aktualisht ka përfunduar faza e gërmimit arkeologjik dhe çlirimi prej dherave të një  segmenti të murit, ku nuk mungojnë artefaktet dhe të dhëna të reja arkeologjike për urbanizimin në qytetin e sipërm të Lisit.

Të dhëna janë dokumentuar tashmë nga subjekti arkeologjik i licensuar IKTK dhe DRTK Shkodër.

Zona e murit perimetral paraqet problemet më të mëdha strukturale, ku vërehet se në anën veriore të tij, pranë kullës rrethore me gurë poligonalë, ka një çarje të thellë në të gjithë lartësinë e murit si dhe inklinim të tij.

Qasja metodologjike e adoptuar për fazën tjetër të projektit, atë të përforcimit arkitektonik dhe restaurues, por dhe për ndërhyrjet të konsolidimit strukturor të monumentit, merr parasysh kriterin e ndërhyrjeve minimale, kryesisht duke përdorur materialet origjinale./atsh/KultPlus.com

“Travel and Tour World”: Rekord vizitorësh, Shqipëria kryeson si destinacioni më i kërkuar evropian

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka raportuar një rritje të ndjeshme të numrit të pasagjerëve në nëntëmujorin e parë të vitit 2024, duke transportuar mbi 8,32 milionë pasagjerë – duke shënuar një rritje mbresëlënëse prej 55% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, sipas një artikulli të botuar në “Travel and Tour World”.

Kjo rritje e jashtëzakonshme e numrit të pasagjerëve thekson rëndësinë në rritje të Shqipërisë si destinacion turistik dhe biznesi në Evropë.

Vetëm në shtator të 2024, Aeroporti i Tiranës priti 1,1 milionë pasagjerë, duke reflektuar një rritje prej 47% në terma vjetore.

Këto shifra nxjerrin në pah rimëkëmbjen dhe zgjerimin e vazhdueshëm të sektorit të turizmit në Shqipëri – me Tiranën e cila është kthyer në një qendër kyçe për udhëtimet turistike dhe të biznesit në Ballkan.

Linjat ajrore: “Wizz Air” kryeson fluturimet

“Wizz Air” u shfaq si linja ajrore “lidere” – e cila i shërben Aeroportit të Tiranës nga janari deri në shtator të 2024, duke kryer 53,2% të fluturimeve.

Kompania me kosto të ulët ka zgjeruar me shpejtësi praninë e saj në Shqipëri, duke ofruar një gamë të gjerë fluturimesh të përballueshme drejt destinacioneve në të gjithë Evropën.

“Ryanair” pasoi me 22,1% të fluturimeve, duke ofruar kosto buxhetore për udhëtarët.

“Air Albania”, transportuesi kombëtar, mbuloi pjesën më të vogël të tregut me 3,7%, por mbetet një “lojtar” i rëndësishëm në lidhjet e Shqipërisë me destinacionet kryesore.

Mbizotërimi i linjave ajrore me kosto të ulët si “Wizz Air” dhe “Ryanair” reflekton kërkesën në rritje për udhëtime me kosto të ulët, pasi turistët dhe vizitorët e biznesit kërkojnë fluturime të përballueshme për dhe nga Shqipëria.

Turizmi nxiti rritjen ekonomike të Shqipërisë

Rritja e numrit të pasagjerëve në Aeroportin e Tiranës përputhet me një rritje më të gjerë të turizmit në të gjithë Shqipërinë.

Numri i turistëve të huaj në vend u rrit me 17% gjatë të njëjtit nëntëmujor, duke arritur në 9,7 milionë vizitorë.

Kjo rritje është një dëshmi se Shqipëria tashmë është kthyer në një destinacion turistik – falë peizazheve të saj mahnitëse, trashëgimisë së pasur kulturore dhe kostove të përballueshme të udhëtimit.

Mirela Kumbaro, ministrja e Turizmit, ndau së fundmi këto statistika, duke theksuar ndikimin pozitiv të vizitorëve të huaj në ekonominë e vendit.

Me më shumë se 7,26 milionë pasagjerë në vitin 2023 – një rritje prej 40% krahasuar me vitin e kaluar – Aeroporti i Tiranës po luan një rol kryesor në zhvillimin e industrisë së turizmit në Shqipëri.

Rritja e numrit të pasagjerëve dhe perspektiva e së ardhmes

Rritja prej 55% e numrit të pasagjerëve në Aeroportin e Tiranës në vitin 2024 tejkaloi pritshmëritë e industrisë dhe thekson rolin e aeroportit si një qendër për vizitorët e kohës së lirë dhe të biznesit.

Operatori i aeroportit, TIA, vazhdon të investojë në përmirësimin e infrastrukturës dhe për të përballuar numrin në rritje të turistëve.

Me linjat ajrore si “Wizz Air” dhe “Ryanair”, një numër në rritje vizitorësh po zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e tyre të përshtatshëm për të eksploruar Evropën Juglindore.

Aeroporti i Tiranës pritet të ruajë trajektoren e tij rritëse, ndërsa vazhdon të tërheqë turistë të huaj nga vendet fqinje dhe më gjerë.

Pozicioni strategjik i aeroportit në rajon, i kombinuar me kostot e përballueshme të udhëtimit dhe joshjen e bukurisë natyrore të Shqipërisë, ka të ngjarë të kontribuojë në rritjen e mëtejshme ekonomike – në vitet e ardhshme.

Një vit rekord për Aeroportin e Tiranës

Në vitin 2023, Aeroporti i Tiranës priti 7,26 milionë pasagjerë, një rritje prej 40% nga viti i kaluar, duke e bërë atë një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon.

Rritja e vazhdueshme e turizmit dhe zgjerimi i rrjetit të fluturimeve të aeroportit kontribuan në këtë performancë rekord.

Me Shqipërinë e njohur tashmë si një nga destinacionet e reja turistike të Evropës, një numër në rritje vizitorësh po vërshojnë në vend – për të përjetuar plazhet piktoreske, vargmalet e thyer malore dhe vendet historike.

Tirana, kryeqyteti, po fiton gjithashtu popullaritet – falë jetës së saj të gjallë të natës, festivaleve kulturore dhe atraksioneve historike.

Sfidat dhe mundësitë e Aeroportit të Tiranës

Pavarësisht rritjes së jashtëzakonshme të aeroportit, ai gjithashtu përballet me sfida që lidhen me menaxhimin e kapaciteteve dhe infrastrukturës.

Me rritjen e vazhdueshme të numrit të vizitorëve, Aeroporti i Tiranës duhet të vazhdojë të investojë në objektet e tij – për të siguruar funksionim të qetë dhe për të akomoduar fluksin e udhëtarëve.

Kjo përfshin përmirësimin e terminaleve, zgjerimin e kapacitetit të pistës dhe përmirësimin e shërbimeve të pasagjerëve.

Nga ana tjetër, kërkesa në rritje për fluturime drejt dhe nga Tirana paraqet një mundësi për zgjerimin e mëtejshëm të linjave ajrore.

Futja e destinacioneve të reja dhe fluturimeve shtesë – jo vetëm që do të rrisë lidhjet me vendet e tjera, por do ta bëjë Shqipërinë edhe më të aksesueshme për turistët ndërkombëtarë.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës regjistroi një rritje të konsiderueshme në numrin e pasagjerëve gjatë nëntë muajve të parë të 2024-ës, i mbështetur nga popullariteti i linjave ajrore buxhetore si “Wizz Air” dhe “Ryanair”.

Performanca mbresëlënëse e aeroportit dhe numri i lartë i mbërritjeve të turistëve të huaj, nënvizon se Shqipëria është kthyer në një destinacion kryesor udhëtimi.

Ndërsa Aeroporti i Tiranës vazhdon të investojë në infrastrukturë dhe të zgjerojë rrjetin e tij të fluturimeve, e ardhmja duket e ndritshme për sektorët e turizmit dhe aviacionit të Shqipërisë.

Trashëgimia e pasur kulturore e vendit, peizazhet piktoreske dhe mundësitë në rritje të biznesit ka të ngjarë të tërheqin edhe më shumë vizitorë në vitet në vijim, duke forcuar më tej rolin e Tiranës si një portë kyçe në Evropën Juglindore./atsh/KultPlus.com

Më bren rënia e gjetheve

Poezi nga Nazim Hikmet, sjellë në shqip nga Edon Qesari.

Më bren rënia e gjetheve
veçanërisht gjetheve të rrugës
veçanërisht nëse janë gështenje
veçanërisht nëse andej kalojnë fëmijë
veçanërisht nëse qielli është i paqtë
veçanërisht nëse kam patur, atë ditë
një lajm të mir
veçanërisht nëse zemra, atë ditë
s’më jep dhimbje
veçanërisht nëse besoj, atë ditë
se ajo që dua më do
veçanërisht nëse atë ditë
ndihem mirë me njerëzit dhe veten
më bren përbrenda rënia e gjetheve
veçanërisht gjetheve të rrugëve
atyre të gështenjave./ KultPlus.com

Në bibliotekën ‘Hivzi Sylejmani’ mbahet ora e shkrimtarit me Anton Berishajn

Më 28 tetor 2024, në ambientet e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, u mbajt takimi me poetin, përkthyesin dhe studiuesin e letërsisë, Anton Berishaj. Aktiviteti u mbajt në kuadër të projektit të PEN Qendrës së Kosovës – Ora e shkrimtarit.

Poetja dhe drejtoresha e kësaj Biblioteke, Naim Beqiraj, në fillim të fjalës së saj tha “Berishaj është profesor i letërsisë në Fakultetit të Filologjisë së Universitetit të Prishtinës, i cili ka botuar shkrime të ndryshme kritike brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu ka botuar poezi dhe ka përkthyer mjaft vepra të rëndësishme letrare. Të pranishëm ishin krijues të letërsisë shqipe, lexues dhe dashamirë të letërsisë si dhe maturantë të “The Britsh School”. Drejtoresha e Bibliotekës, Naime Beqiraj, në përgjithësi foli për krijimtarinë e poetit dhe studiuesit Berishaj, duke ofruar edhe të dhëna biobibliografike për të.

Anton Berishaj (1965), poet, prozator, kritik i letërsisë dhe përkthyes. Është profesor i letërsisë së vjetër shqipe, teorisë së vargut, prozës bashkëkohore shqipe dhe i historisë komparative të letërsisë shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Në fokus të studimeve të tij letrare janë letërsia medievale shqiptare dhe letërsia e barokut, por edhe letërsia moderniste dhe neoavangarde. Anton Berishaj është autor i dy librave studimorë: “Retorika dhe letrarësia” (Prishtinë, 2005) dhe “Letërsia per-formative” (Prishtinë, 2010), si dhe i artikujve studimorë për letërsinë shqipe në revista vendase dhe ndërkombëtare. Ka botuar përmbledhjet poetike “Lule mëngjesi” (Podgoricë 1986) dhe “Fenomenologjia e vdekjes” (Podgoricë 2019), një botim i plotësuar i librit të parë. Ka përkthyer shkrime teorike të studiuesve të letërsisë, sidomos të formalistëve rusë dhe të strukturalistëve çekë. Ka përkthyer edhe shumë autorë nga gjuha serbe dhe kroate në shqip dhe autorë shqiptarë në këto gjuhë. Midis tjerash ka përkthyer: Vladimir Arsenijević “Mexico – ditar lufte“, Sabaium, Prishtinë 2001, Saša Ilić „Rënia e Kolumbisë“ – roman, Qendra Multimedia, Prishtinë 2013, Škeljzen Malići “Kosovo i raspad Jugoslavije”, Most Art, Beograd 2014, Bekim Fehmiu „Shkëlqim dhe tmerr“, Samizdat, Beograd 2016, Shkëlzen Gashi „Kosovo u udžbenicima Kosova, Albanije, Srbije, Crne Gore i Makedonije“, Prishtinë

2016, Saša Ilić „Gjahu i iriqëve“, short stories, Qendra Multimedia, Prishtinë 2019, Igor Štiks „W“, Bard Books, Prishtinë 2021, Ivana Bodrožić Simić „Hotel Zagorje“, Jakup Ceraja, Prishtinë, 2022. Etj.

Në dialog me të pranishmit autori shtroi disa nga pikëpamjet e tij lidhur me aktin kreativ, vlerën universale të poezisë dhe natyrën komplekse të frymëzimit poetik. Ai spikati rëndësinë fundamentale të lojës dhe ludizmit dhe eksperimentit në procesin e krijimit letrar. Nëpërmjet tyre, sipas tij, ai ka realizuar komunikimin me traditën letrare (fillimisht me simbolistët frëngë, Bodler, Rembo, Verlen…, por edhe me traditën tekstuale shqiptare dhe botërore), si dhe tekstet dhe diskursin filozofik nga i cili poezia e tij është inspiruar në masë të madhe.

Në vazhdim ai foli edhe për rëndësinë kulturore dhe letrare të përkthimit dhe përvojën e tij personale në këtë fushë, duke konstatuar midis tjerash se përkthimet shpesh kanë konstituuar edhe letërsitë dhe kulturën tekstuale të popujve të ndryshëm, çfarë është edhe kultura dhe letërsia shqiptare. Sipas tij një kulturë ekziston nëpërmjet komunikimit me Veten dhe Tjetrin, i cili në vetvete është një proces kompleks semiotik i përkthimit.

Projekti Ora e shkrimtarit është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Starlink apo 5G, cili ofron internet më të shpejtë?

Kur vjen puna te shpejtësia e internetit, ka disa të dhëna që flasin për shpejtësinë që ofrojnë 5G dhe Starlink.

Ja një krahasim më specifik:

Starlink supozohet se ofron shpejtësi nga 50 deri në 250 Mbps, me ndonjëherë edhe më shumë, që mund të ndryshojë në varësi të ngarkesës së rrjetit dhe motit.

Ndërsa rrjetet 5G mund të ofrojnë shpejtësi mesatare shkarkimi midis 50 Mbps dhe 1 Gbps, ose edhe më shumë në disa raste.

Kështu, shpejtësia e 5G zakonisht është më e lartë se ajo e Starlink, por varet nga infrastruktura në zonë.

Në këtë drejtim, Starlink vlerësohet si më i përshtatshëm për zonat rurale ose ato ku nuk ka mbulim të mirë të 5G, duke qenë se përdor satelitë dhe nuk ka nevojë për “infrastrukturë tokësore”.

Në anën tjetër, 5G është ideal për zonat urbane dhe suburbane ku ka mbulim të mirë të rrjetit.

Si konkluzion, në zonat me mbulim të mirë, 5G mund të ofrojë internet më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm sesa Starlink.

Megjithatë, në zonat rurale ose ku mungon infrastruktura e 5G, Starlink vlerësohet si një alternativë më e mirë sesa opsionet e tjera.

Miguel de Cervantes: Një fjalë në çastin e duhur vlen më shumë se njëqind në çastin e gabuar

Miguel de Cervantes (1547-1616) ishte shkrimtar spanjoll, romancier, poet, dramaturg dhe ushtarak.

Njihet botërisht ngaqë është autori i romanit “Don Kishoti i Mançës”, një nga kryeveprat e letërsisë botërore të të gjitha kohërave.

Gjeni më poshtë disa nga thëniet e tij të urta:

Kështu janë femrat për natyrë, përbuzin ata që i dashurojnë e dashurojnë ata që i përbuzin.

Ku rron smira nuk mund të ketë virtyt.

Predikon mirë ai që jeton mirë.

Tridhjetë priftërinj me gjithë ipeshkvin në krye, nuk mund ta detyrojnë gomarin të pëllasë kundër dëshirës së tij.

Mund të ketë dashuri pa xhelozi, por jo dashuri pa frikë.

Nuk ka dashuri të çuar dëm.

Mbi majat më të larta godet rrufeja, e ku i bëhet më shumë rezistencë bën dëme më të mëdha.

Nëse nuk e shijon fatin kur e ke, mos u anko kur të mos e kesh.

Një fjalë në çastin e duhur vlen më shumë se njëqind në çastin e gabuar.

Fatkeqësitë e gjejnë fatkeqin edhe po të fshihet në skajin më të largët të tokës.

Mos kërko leje për të marrë diçka që mund të marrësh pa leje.

Secili është ashtu si Zoti e ka krijuar, e shpeshherë edhe më keq./KultPlus.com

“Njerëzit tek Njerëzit: Azia Qendrore” , ekspozita e artistëve nga Kirgistani vazhdon të jetë e hapur në Galerinë Qahili

Në galerinë ‘Qahili’, po vazhdon të jetë e hapur ekspozita “Njerëzit tek Njerëzit: Azia Qendrore”, që sjell për publikun shqiptar një përzgjedhje të artit nga Kirgistani. Kjo ekspozitë unike, e cila do të jetë e hapur deri më 4 nëntor, paraqet punime që nga stili nomadik deri te impresionizmi, realizmi, kubizmi dhe abstraksioni, të 18 artistëve nga Kirgistani, shkruan KultPlus.

Sipas Nita Qahilit, koordinatores së Galerisë Qahili, ky bashkëpunim u realizua falë një përpjekjeje të përbashkët ndërmjet galerisë dhe artistëve nga Kirgistani, të cilët janë tashmë pjesë e komunitetit artistik në Kosovë. “Ishte një bashkëpunim i ndërsjellë, që u inicua nga vet galeria e Kirgistanit dhe koleksionistët që tashmë jetojnë këtu,” shpjegon ajo.

“Në këtë ekspozitë paraqiten punimet e 18 artistëve nga Kirgistani, nga arti nomadik në atë impresionist, realist, kubist dhe abstrakt. Janë tema të ndryshme shoqërore që trajtohen në punimet e këtyre artisteve që shpesh reflektohet në zhvillimin e kulturës së vendit”, u shpeh Qahili për KultPlus.

Në vazhdën e projekteve të saj të ardhshme, Galeria Qahili ka planifikuar një sërë aktivitetesh për muajt në vijim.

“Do të mbahen puntoritë në kuadër të projektit ‘Jeta dhe Arti’ për fuqizimin dhe vetëdijësimin e grave ndaj kancerit të gjirit. Po ashtu, do te hapet ekspozita e artistit Fehim Huskovic me 13 nëntor si dhe ‘Hijet e Bardha’ në dhjetor”, u shpreh ndër të tjerash Qahili, duke shpalosur projektet e radhës së galerisë ‘Qahili’.

Ndërkaq, 18 artistët që kanë marrë pjesë në këtë ekspozitë janë: Momun Astar, Jylldyz Asangaly, Tynumov, Nurlan Kudabaev, Yuldash Nurmatov, Shimova Halida, Sarkyn, Kim Aida, Nyurguyna Innokentyeva, Sadyk, Alapai Abdykasymov, Berebin, Rasul Kochkorbaev, Ernis Bekjamov, Asmat Abdysadyr Yylu, Kanybek Davletov, Jakypov Jylkychy, Sheishanaliev./KultPlus.com

Shfaqja ‘Shadow– Euridika thotë’ për herë të parë në Shqipëri

“Shadow – Euridika thotë”, nga fituesja e Çmimit “Nobel” Elfride Jelinek, u shfaq për publikun shqiptar më 28 tetor në  Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në kuadër të Javës Kulturore Austriake.

Shfaqja e cila në thelb tregon lirinë e gruas erdhi përmes dialogut dhe monologut të aktoreve Adriana Tolka, Albana Kocaj, Flobensa Bezari dhe nën regjinë e regjisores austriake Sabine Mitterecker.

Revolta e brendshme që shkon në dimensionet e lirisë është e veçanta e kësaj vepre e cila vjen për herë të parë në Shqipëri.

Loja e aktoreve dhe regjisores janë në funksion të veprës, ku identiteti i lashtë grek i ndërthurur me modernen bëhet për të futur spektatorin në ndjesinë që personazhet japin.

Orfeu dhe Euridika janë mishërimi i të dashuruarve. Kur Euridika vdes para kohe pasi pickohet nga një gjarpër, Orfeu futet në botën e nëndheshme për ta rikthyer në jetë, duke magjepsur Hadesin me muzikën e tij.

Miti i lashtë grek dhe realiteti modern femëror janë të ndërthurura ngushtë në tekstin e Elfriede Jelinek, që na flet nga perspektiva e një zëri të papritur./ euronews/ KultPlus.com

Filharmonia organizon koncertin e radhës me fagotistin e njohur Laurent Lefèvre

Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se koncerti i radhës i cili përfshin vepra nga periudha barok deri te ajo romantike vjen me pjesëmarrjen e fagotistit të njohur Laurent Lefèvre, nën drejtimin e dirigjetit Frédéric Laroque – koncert-mjeshtër i Orkestrës së Operës së Parisit, shkruan KultPlus.

Në program do të interpretohen vepra nga Vivaldi, Mozart, Rossini dhe Bizet, me një orkestër të përbërë nga anëtarë të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës dhe Operës së Kosovës.

Koncerti mbahet më 6 nëntor, në ora 19:30, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë shfaq katër filma historik shqiptar me rastin e 80-të vjetorit të Çlirimit

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë ka njoftuar se në kuadër të aktiviteteve me rastin e 80-të vjetorit të çlirimit të Shqipërisë do të shfaq katër filma historik shqiptar, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi Ambasada e Shqipërisë ka ftuar të gjithë adhuruesit e filmave historik shqiptar për të ndjekur filmat: “Përrallë nga e kaluara”, “Gjeneral Gramafoni”, “Lulëkuqet mbi mure” dhe “Radiostacioni”, në kinemanë ABC.

Orari i shfaqjes së filmave do të jetë si në vijim:

       30 tetor 2024

18:00-19:30 Shfaqja e filmit “Përrallë nga e kaluara”

20:00-21:30 Shfaqja e filmit “Gjeneral Gramafoni”

31 tetor 2024

18:00-19:00 Shfaqja e filmit “Lulëkuqet mbi mure”

20:00-21:50 Shfaqja e filmit“Radiostacioni”/ KultPlus.com

Adriana Matoshi me rol kryesor në ‘Luna Park’, premiera e filmit në edicionin e 65-të Festivalit të Filmit në Selanik

Filmi “LUNA PARK” nga regjisori Florenc Papas do të jepet si Premierë Rajonale në Festivalin e 65-të Ndërkombëtar të Filmit në Selanik, shkruan KultPlus.

Filmi trajton peizazhin postkomunist të Shqipërisë, ku një nënë e vetmuar, Mira, dhe djali i saj adoleshent i trazuar, Toni, luftojnë me një shpërthim të dhunës civile që copëton kombin e tyre të Evropës Lindore.

Aktorët të cilët luajnë në film janë: Adriana Matoshi, Orion Jolldashi, Nik Xhelilaj, Flonja Kodheli, Amos Zaharia dhe Eno Milkani.

Pjesa tjetër e ekipës  është si në vijim: skenari: Florenc Papas, Glykeria Patramani; Kinematografi: Simos Sarketzis, redaktori: Federica Forcesi; dizajni: Durim Neziri; Kostumografia: Stela Laknori; Muzika: Mater Merlic; producent: Dritan Huqi, Ioanna Bolomyi, Riccardo Neri, Fatmir Spahiu; Produksioni: On FILM, Atalante Productions S.A., Lupin Film, Studio Corvus, Buka Production/ KultPlus.com

Ministri Çeku ndjek me admirim paraqitjen e Elbenita Kajtazit në Vjenë: Sopranoja jonë e talentuar bëri historinë

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku mbrëmë ka ndjekur nga afër paraqitjen e sopranos Elbenita Kajtazi dhe tenorit Saimir Pirgu, në Teatrin e Operës së Vjenës, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, Ministri Çeku ka thënë se sopranoja Kajtazi me rolin e Mimit të “La Boheme” pati një paraqitje të shkëlqyer, përkrah një shqiptari tjetër të dëshmuar gjithashtu, tenorit Pirgu.

“Mbrëmë Elbenita Kajtazi u ngjit në njërën ndër skenat kryesore të operës në botë. Sopranoja jonë e talentuar, përveç që bëri historinë si shqiptarja e parë nga Kosova në Teatrin e Operës së Vjenës, pati paraqitje të shkëlqyer në rolin e Mimit të “La Boheme” nga Giacomo Puccini. Luajti krah tenorit të madh shqiptar, Saimir Pirgu, një emër tashmë i dëshmuar i skenës botërore operistike.

Elbenitën dhe Saimirin i ndoqëm me plot admirim bashkë me deputeten Tinka Kurti, mezo-sopranon Flaka Goranci, këngëtaren dhe kompozitoren Vjollca Robelli Mripa dhe të ngarkuarin me punë në ambasadën tonë në Vjenë Albinot Bimbashi”, thuhet në njoftimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com