Nesër, mbledhje komemorative për akademik Tahir Emra

Sot, më 7 tetor 2024, në moshën 86-vjeçare ndërroi jetë piktori i shquar, ndër më të shquarit e artit shqiptar, akademik Tahir Emra.

Në respekt të jetës dhe veprës së akademik Tahir Emrës, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më 8 tetor 2024, në orën 11:00, mbahet mbledhja komemorative dhe më pas, deri në orën 12:30 bëhen homazhe. Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 8 tetor, në varrezat e qytetit të Gjakovës. Nga ora 15:00 deri në orën 16:00, do të bëhen homazhe, në varrezat e qytetit të Gjakovës.

Akademik Emra u lind në Gjakovë më 1938. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen të artit më 1959 në Pejë. Në vitet 1959-1961 punoi mësues vizatimit në vendlindje, më pas studioi në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd. Diplomoi më 1966 për pikturë, teksa një vit më vonë u zgjodh ligjërues e pastaj profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, në Degën e Arteve Figurative. Më pas vijoi studimet pasuniversitare, magjistroi më 1970 dhe më 1974 u zgjodh docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e posathemeluar të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe më 1982 profesor ordinar. Ka qenë docenti dhe prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve, pastaj shef katedre në dy mandate. Gjatë viteve ’90, për disa vite ka mbajtur mësim me studentët në atelienë e shtëpisë së tij. Për dhjetë vjet (1994-2004) ka mbajtur mësim në lëndët vizatim dhe pikturë edhe në Akademinë e Arteve të Universitetit të Tetovës. Ishte njëri nga themeluesit e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës dhe pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet e saj.

Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur në vitin 2000, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2008. Për një mandat ka qenë sekretar i Seksionit të Arteve të ASHAK-ut.

Ka hapur disa ekspozita të pavarura dhe ka marrë pjesë në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private.

Në vitin 2013 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës botoi monografinë e piktorit Tahir Emra me riprodhimet e veprave më të njohura dhe me studimin e piktorit Kujtim Buza./ KultPlus.com

Taylor Swift është zyrtarisht muzikantja më e pasur në botë

Taylor Swift ka kaluar zyrtarisht Rihannën për t’u bërë muzikantja më e pasur femër në botë me një vlerë neto prej 1.6 miliardë dollarësh.

Swift tani kryeson listën e muzikantëve më të pasur, duke tejkaluar pasurinë neto të Rihannës prej 1.4 miliardë dollarësh.

Ky lajm u konfirmua nga revista Forbes, duke përditësuar gjendjen financiare të Taylor Swift, pas suksesit historik të turneut të saj “Eras” dhe popullaritetit të qëndrueshëm të muzikës së saj.

Përveç titullit të artistes më të pasur femër, ajo është edhe në vendin e dytë në listën e përgjithshme të muzikantëve më të pasur, pak pas Jay Z që ka 2.5 miliardë dollarë.

Ndryshe nga shumë muzikantë të tjerë të pasur, pasuria e Taylor Swift vjen kryesisht nga karriera e saj muzikore.

Ajo arriti për herë të parë statusin e miliarderes në tetor 2023 dhe është e vetmja muzikante në histori që ka një vlerë neto me 10 shifra kryesisht nga shitjet e albumeve dhe performancat live, dhe jo nga sipërmarrjet sipërmarrëse.

Vetëm një vit më vonë, Forbes vlerëson se 600 milionë dollarë nga pasuria e Taylor Swift vijnë nga turneu dhe honoraret, 600 milionë të tjera nga vlera e katalogut të saj muzikor dhe 125 milionë dollarë nga investimet në pasuri të paluajtshme.

Swift është në prani të vazhdueshme në listën e “muzikantëve më të pasur”, por rritja e saj financiare në vitet e fundit ka qenë befasuese.

Që nga viti 2020, pasuria e saj neto vlerësohet në 365 milionë dollarë, që do të thotë se ajo ka grumbulluar rreth 1.2 miliardë dollarë vetëm në katër vitet e fundit./abcnews.al/ KultPlus.com

Artisti shqiptar Ramë Dardania ekspozon në Galerinë prestigjioze të Gjenevës

Artisti shqiptar Ramë Dardania do të bëjë debutimin e tij në Galerinë prestigjioze “La Galeri” në Gjenevë, një hapësirë e njohur për ekspozitat e artistëve të nivelit botëror. Ekspozita e tij e re, e titulluar “Faces,” do të hapet me vernisazh më 15 tetor, duke e pozicionuar artin shqiptar në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Për Ramë Dardaninë, pjesëmarrja në këtë ekspozitë është një arritje e veçantë, duke qenë se Gjeneva është një nga qendrat më të rëndësishme të artit.

Galeria ndodhet në zemër të qytetit të vjetër të Gjenevës, një zonë që përmbledh disa nga galeritë më të njohura të artit bashkëkohor dhe klasik. Vepra e Dardanisë do të shfaqet krah për krah me ato të artistëve të njohur ndërkombëtarë, një mundësi që jo vetëm e promovon artin shqiptar, por edhe e bën atë të dukshëm për një publik të gjerë dhe të rafinuar.

“Faces” është një koleksion i përqendruar tek diversiteti dhe shprehjet e fytyrës njerëzore, duke sjellë një qasje intime dhe introspektive për të kuptuar emocionet dhe përvojat e përbashkëta. Nëpërmjet përdorimit të ngjyrave të forta dhe detajeve të thella, Dardania kap momentet e ndjenjave të thella, duke krijuar një dialog të heshtur mes shikuesit dhe portretit.

Pjesëmarrja e Ramë Dardanisë në “La Galeri” është një dëshmi e zhvillimit të artit shqiptar dhe e angazhimit të tij për të sjellë përvoja unike artistike në skenën ndërkombëtare./ KultPlus.com

Seriali shqiptar “Prokurori” sjell aktorin e madh hollivudian Danny Glover (VIDEO)

Danny Glover është pjesë e serialit shqiptar “Prokurori”, ku episodi i parë do të jetë premierë më 10 tetor, në kinematë e Tiranës, kurse më 12 tetor në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ky serial që është punuar me regju të Fatmir Doga, producentë Ylli Ujka e Cesk Ivanaj dhe drejtor të fotografisë Kushtrim Tërnava është i zhanrit aksion/ dramë dhe zhvillon përditshmërinë e popullit shqiptar, me fokus reformën në drejtësi dhe përballjen me krimin e organizuar dhe përfshirjen e politikanëve të korruptuar.  

Përpos aktprit të madh amerikan Danny Glover, me rolet e tyre janë përfshirë edhe aktorët: Klodian Hoxha, Romir Zalla, Gert Ferra, Marin Hoxha, Adriana Tolka, Sara Smaja, Desada Xhihani etj./ KultPlus.com

Shpallen fituesit e çmimit Nobel në mjekësi 2024, dy shkencëtarët amerikanë vlerësohen për zbulimin e mikroRNA

Çmimi Nobel në mjekësi 2024 u është dhënë dy shkencëtarëve amerikanë Victor Ambros dhe Gary Ruvkun për punën e tyre në mikroARN. Komiteti i Çmimit Nobel në Suedi vlerësoi “zbulimin novator” të biologëve amerikanë, për të cilin tha se “zbuloi një dimension krejtësisht të ri të rregullimit të gjeneve”.

Puna e tyre ndihmon në shpjegimin se si funksionojnë gjenet tona brenda trupit të njeriut dhe se si kjo krijon indet e ndryshme të trupit të njeriut.

Fituesit ndajnë një çmim me vlerë 11 milionë korona suedeze (810,000 £). Çmimi i këtij viti është çmimi i 115-të Nobel që jepet në fiziologji ose mjekësi që nga viti 1901. Nga 229 fitues, vetëm 13 kanë qenë gra.

Çmimi Nobel 2024 në fizikë do të shpallet të martën, pasuar nga çmimi i kimisë të mërkurën./abcnews.al/ KultPlus.com

Është e diel përsëri

Ndue Ukaj

Në mbretërinë e territ hëna shndrit e vetmuar.
Poshtë saj sytë e lodhur arratisen ëndrrave,
të tjerë të mërzitur i ankohen medaljonit të artë.
E shkuara po ia lë fronin ditës së re;
unë kthej kokën kah muri dhe kujtoj:
e shtuna tashmë ka karakteristikat e diçkaje që mund të
quhet histori.

Përsëri e diel, për mua, seria e të dielave të shumta,
që përbëjnë javë, muaj, vite, dekada, kalendar-
dhe disa valixhe të vjetruara kujtimesh që i tërheq pas
vetes.

Në jetë shpeshherë ndodh t’i ngatërrojmë valixhet,
ngarkohemi me kujtime të trishta,
si një tren nate që bartë zhurmë,
dëshira të venitura, vetmi dhe ca ëndrra.

Ndodh shpesh të rrugëtojmë udhëve të gabuara,
me ndjenja të harlisura, lajme të këqija,
vajtje – ardhje nëpër stacione për të parë sy të dashur
ose arratisje në kontinentin e mërzisë.

Kur jashtë i nxjerrim orët e kujtesës,
ngjajnë me rroba të zhubravitura.
Duhet t’u japim formë,
t’i hekurosim dhe mbushim rishtas me shpirt.

Ti thua se shumë kujtime treten rrugëve,
parqeve të qyteteve, plazheve të shpirtit,
pranë statujave mahnitëse të shkrimtarëve të zemrës.

I nxjerr në syprinën e ditës së re orët e fatit,
të pikëllimit, të gëzimit,
siç nxjerr udhëtari i kthyer prej viseve të largëta,
tregime,
perla, thesare të gjetura
dhe aty-këtu ndonjë njollë gjaku të tharë.

Njerëzit nxitojnë dhe kurrë s’e zënë kohën që duan,
as lumturinë që ëndërrojnë,
sepse ato janë ëndrra nate,
zgjatin pak, sa një sy gjumë.

Prandaj njerëzit tundohen t’i prishin kopshtet e tyre,
për një tjetër që e ëndërrojnë.

Ora lëviz, yjet ndritin,
hëna nëpër terr lundron e qetë,
një zog bredh prej dega në degë.

Mesnatë! Janë orët e dashurisë. Ekstazës. Ëndrrave.
Për dikë orë të errësirës, trishtimit,
dikush dëgjon nga Vivaldi “Katër stinët”,
një tjetër humbet poezive,
ndërsa diku me ngjyrë blu vizatohen sy të mallëngjyer,
ku futen anije të etura për lundrim.

Kur të shkuarës ia zë vendin dita e re,
asgjë s’duket e jashtëzakonshme.

E diel përsëri.
Unë hap ngadalë valixhen e mbushur me orë gëzimi,
dehje, vallëzim, ekstazë dhe préhje pranë një libri./ KultPlus.com

‘E ardhmja hibride’, hapet edicioni i parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Durrës

Këtë fundjavë, në Durrës u çel edicioni i parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor me temë Inteligjenca artificiale: “E ardhmja hibride”. 

Kjo temë bëri bashkë 40 artistë nga 17 vende të ndryshme të botës. Artistët pjesëmarrës kanë prekur kufijtë mes reales dhe surreales në veprat e tyre që janë ekspozuar në disa prej institucioneve dhe hapësirave publike të qytetit, duke përfshirë monumentet e trashëgimisë kulturore.

“Është një risi për Durrësin dhe vendin pasi nuk ka pasur një bienale kushtuar artit bashkëkohor. Patjetër që duhet të kthehet në një brand për qytetin për artin pamor dhe për ta kthyer atë në një hapësirë shumë të mirë promovimi për turizmin”, tha Oltsen Gripshi,  Kurator i Bienales.

Në ceremoninë e hapjes, u ndanë disa çmime të rëndësishme, përfshirë Çmimin për Pavionin më të Mirë të Bienales që shkoi për pavionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  Çmimin Special për Artistin e Ri që e mori Lai Junjie nga Kina, si dhe atë të karrierës për skulptorin shqiptar Sadik Spahija.

“Është sukses kjo bienale duke parë artistët pjesëmarrës që vijnë nga përvoja të rëndësishme dhe i bashkon shpirti. Inteligjenca artificiale padyshim qw do ta ndihmojë botën të bëhet më e mirë, por arti gjithnjë do të përfaqësojë, në bashkëpunim me të, një nga motivet bazë për zhvillimin e kulturës dhe njerëzimit“, tha Massimo Scaringella, kryetar i Jurisë.

Bienalja e Durrësit synon të kthehet në një event të qëndrueshëm duke i dhënë vlerë të shtuar dhe turizmit në Durrës. Punimet e saj do të vazhdojnë të ekspozohen deri më 24 nëntor./ Top Channel/ KultPlus.com

Rekordet botërore të Saimir Stratit që ruhen në magazina

Ka thyer 11 rekorde Guinness në fushën e mozaikut dhe refuzon çdo ftesë që i vjen nga disa shtete të botës, sepse dëshiron që rekordin e 12-të ta realizojë dhe ekspozojë në Shqipëri.

Saimir Strati, artist i mozaikëve, tregon për Radion Evropa e Lirë se çdo ditë krijon, e po ashtu merr ftesa për ekspozita dhe për të realizuar vepra të tjera, por shprehet i prekur që arti që bën, “nuk vlerësohet” në vendin e tij, transmeton Klankosova.tv.

“Nëse ka një ftesë serioze, jam gati ta bëj rekordin e 12-të. Kam refuzuar shumë ftesa, sepse dua që ky rekord të shënohet në Shqipëri. Por, nuk do të bëj një vepër që të magazinohet dhe të ruhet diku fshehur dhe më pas të prishet”, thotë Strati.

Me keqardhje, ai thotë se shtatë rekordet që ka thyer me veprat që ka realizuar në Shqipëri, nuk kanë marrë vlerësimin që ka pritur.

Një nga punimet e Saimir Stratit.

Nuk është realizuar asnjë ekspozitë me to dhe nuk është marrë asnjë vendim për ta vlerësuar punën dhe veprën e tij, siç ka ndodhur në disa shtete ku ai ka realizuar vepra të tilla.

Mozaiku i Nënës Terezë i punuar nga Strat në Prishtinë.

Vdes akademiku Tahir Emra 

Sot, në moshën 86 vjeçare ka vdekur piktori dhe akademiku Tahir Emra.

Emra ka qenë profesor në Fakultetin e Arteve të Prishtinës, si dhe korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ai lindi më 10 mars të vitit 1938 në Gjakovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Shkollën e Mesme të Artit në Pejë.

Akademinë e Arteve Figurative dhe studimet pasuniversitare i kreu në vitin 1966 në Beograd, në klasën e piktorit e pedagogut të shquar prof. Nedelko Gvozdenoviq.

Në Fakultetin e Arteve të Prishtinës ka punuar qysh prej themelimit të tij (1974), ku ka ligjëruar klasën e pikturës dhe të studimeve pasuniversitare me titullin profesor ordinar.

Veprat e tij gjenden në shumë galeri, muze dhe koleksione private dhe janë vlerësuar lart në aspektin artistik. Është anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës.Në vitin 2000 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës./ KultPlus.com

Viti i ri akademik në Shqipëri, 20 mijë studentë nisin rrugëtimin drejt dijes e të ardhmes

Kryeministri Edi Rama ka uruar studentët dhe pedagogët për nisjen e vitit të ri akademik 2024-2025.

Në një video të studentëve dhe ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Rama shkruan: “Suksese studentëve të cilët ulen sot për herë të parë në auditorët e universitetit dhe atyre që tashmë e kanë nisur këtë rrugëtim, si dhe trupës së pedagogëve në këtë vit të ri akademik”.

Janë rreth 20 studentë të rinj që do të ulen për herë të parë në auditoret e universiteteve.Ministrja Manastirliu, duke iu drejtuar studentëve të vitit të parë dhe gjithë stafit akademik universitar, tha:

“Së bashku me studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, që hyjnë këtë vit në vit të parë dhe me shokët e tyre që tashmë kanë nisur universitetin, dua t’ju uroj suksese mbi 20 mijë studentëve, të cilët nisin sot këtë rrugëtim drejt dijes dhe formimit të së ardhmes së tyre. Gjithashtu, dua të uroj stafin akademik dhe prindërit për rrugëtimin që nisin sot fëmijët tanë”, tha Manastirliu nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës./atsh/ KultPlus.com

Vjeshta në Klos, panair produktesh lokale dhe festival folklorik

Për të 5-tin vit radhazi, Fest Folk i organizuar në Bashkinë Klos, solli një përzierje të festës dhe kulturës lokale për të shënuar fillimin e vjeshtës me begati dhe gëzim.

I pranishëm ka qenë edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili është shprehur se, mes tingujve të muzikës tradicionale, valleve popullore, ushqimeve tipike të zonës, kjo ishte një festë në mbështetje të vlerave të pasura të zonës.

Me “Fest Folk 5” dhe “Panairin e Vjeshtës”, qyteti është kthyer në një pikë të gjallë festimesh ku muzika popullore, vallet tradicionale dhe produktet e stinës kanë krijuar një atmosferë të veçantë.

“Fest Folk Klos” bëri një prezantim të vlerave artistike dhe kulturore të grupeve folklorike vendase dhe të tjera, ndërsa panairi “Vjeshtë në Klos 2024”, prezantoi prodhimet e fermerëve të zonës.

Kryetarja e Bashkisë, Valbona Kola përmes një postimi në rrjetet sociale tha se, në Klos u mblodhën artistë nga çdo cep i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për të interpretuar muzikë dhe valle popullore, si një rikthim tek rrënjët kulturore.

Artizanët dhe prodhuesit lokalë prezantuan produktet e tyre më të mira të stinës, duke u dhënë mundësi qytetarëve të shijojnë produktet bio, artizanatin unik dhe ushqimet e përgatitura me dashuri nga fermerët, nënat dhe fëmijët e zonës së Klosit.

“Nga grupet muzikore e deri te stendat e panairit, kjo ditë ishte një simbol i bashkimit, punës dhe krenarisë për kulturën dhe natyrën që na rrethon”, tha kryebashkiakja e Klosit, duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen./ atsh/ KultPlus.com

Qiell dimri

Poezi nga Ismail Kadare

Qiell dimri,
Dyndje kujtimesh.
Unë ndeza një cigare, u afrova te dritarja.
Më ngjan, se nuk bien flokë dëbore nga qielli.
Por mijëra letra, që kurrë nuk i mora.
Letra të largëta,
Shkruar nga duar të largëta,
Edhe se retë më të largëta./KultPlus.com

Media britanike ‘Rest Less’: Shqipëria kryeson mes vendeve evropiane më të larmishme për t’u zbuluar

Udhëtimi mund të jetë i shtrenjtë, por nëse zgjidhni destinacionin tuaj me kujdes, mund të jetë më i përballueshëm nga sa mund të mendoni, shkruan Selene Nelson në një artikull të botuar në të përditshmen britanike ‘Restless”.

Ka shumë vende të mrekullueshme me kosto efektive për t’u eksploruar – shumë prej të cilave janë pikërisht në Evropë.

Si një nga kontinentet më të larmishme – nga gjuha te gjeografia te kultura – kënaqësitë dhe hijeshitë e Evropës janë të famshme në mbarë botën.

Nuk është çudi që Evropa përbën më shumë se gjysmën e të gjithë turizmit ndërkombëtar!

Ndërsa vende si Franca, Spanja dhe Italia janë disa nga destinacionet më të njohura për t’u vizituar, ato nuk janë aspak më të lirat.

Por, ju mund të shijoni pushime po aq magjike në vende të tjera evropiane, me kosto më efektive.

Nga plazhet e pacenuara me rërë të Shqiperisë te malet e thyer dhe liqenet e shndritshme të Sllovenisë – për të mos përmendur qytetet dhe qytezat e shumta të bukura në të gjithë Evropën Lindore – ky kontinent është i mbushur me vende të bukura që presin të eksplorohen me një buxhet të përballueshëm.

“Restless” e ka renditur Shqiperinë mes 12 vendeve më të lira për t’u vizituar në Evropë.

Shqipëria

E izoluar nga pjesa tjetër e kontinentit përgjatë shekullit XX, Shqipëria ka qenë prej kohësh një nga sekretet e ruajtura më së miri të Evropës.

Sot dyert e saj janë të hapura dhe shumë shpejt vendi do të mbipopullohet nga turistët dhe bukuritë e Shqipërisë do të bëhen më të njohura. Përpara se Shqipëria të preket nga turmat masive,  zbuloni këtë vend jashtëzakonisht të larmishëm dhe një nga enigmat më të mëdha të kontinentit.

Vija bregdetare gjarpëruese, e quajtur Riviera Shqiptare është e mbushur me plazhe ëndërrimtare me ujëra në ngjyrë blu të thellë dhe vendpushime magjepsëse, si Dhërmiu dhe Ksamili.

Akomodimi, ushqimi dhe udhëtimi janë mjaft të lira.

Në brendësi të vendit, do të gjeni male të larta, qytete kala, kështjella të rrënuara dhe rrënoja të panumërta të lashta greke dhe romake.

Nëse jeni një adhurues i historisë, aventurave apo i apasionuar pas plazhit, Shqipëria ofron gjithçka për të gjithë.

Kryeqyteti i gjallë, Tirana, është një vend i shkëlqyer për të eksploruar pjesën tjetër të Shqipërisë dhe është një nga qytetet më të përballueshme në Evropë. //a.i/

Për t’ju frymëzuar, ne ju rekomandojmë 12 vendet më të lira për t’u vizituar në Evropë:

1. Shqipëria
2. Rumania
3. Republika Çeke
4. Mali i Zi
5. Hungaria
6. Portugalia
7. Polonia
8. Sllovakia
9. Bosnjë-Hercegovinë
10. Slloveni
11. Estonia

Ekspozitë në Kelmend! Artisti Gjelosh Mitaj sjell 55 piktura të frymëzuara nga bukuria e bjeshkëve

Një ekspozitë për të na risjelljë në vëmendje, një nga perlat e natyrës shqiptare, siç është Kelmendi, u çel në Galerinë e Arteve në Shkodër.

Janë 55 piktura të artistit Gjelosh Mitaj të frymëzuara nga bukuria e bjeshkëve të Vermoshit, Lepushës e Selcës. Piktori, besnik i natyrës me veprat e tij të kujton eposin e kreshnikeve.

Mitaj shquhet për stilin e tij të veçantë dhe detajet teksa pikturat e tij janë një promovim i mirëfilltë për një zonë me potenciale shumë të mëdha turistike.

Pjesë e ekspozitës janë edhe 15 portrete të figurave historike me origjinë nga Kelmendi i Malësisë se Madhe./ Top Channel/ KultPlus.com

‘Sofra Pukjane’ në edicionin e 16-të, ftesë për të investuar dhe promovuar pasuritë natyrore dhe turistike

“Sofra Pukjane” është një prej eventeve më të veçanta për qytetin verior, jo vetëm për të shpalosur trashëgiminë kulturore dhe historike, por edhe për të promovuar dhe mbështetur akoma më shumë zhvillimin e saj.

Edicioni i 16-të i “Sofrës Pukjane” organizuar nga kryetari Tonin Alia (Mjeshtër i Madh) në bashkëpunim me Bashkinë e Pukës, Bashkinë e Fushë-Arrëzit bëri bashkë këtë fundjavë në qytetin e Pukës, intelektualë, politikanë, biznesmenë, artistë dhe qytetarë të shumtë të ardhur edhe nga qytete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit ku jetojnë dhe punojnë tashmë prej disa vitesh.

Panairi i përvitshëm i produkteve bujqësore dhe blegtorale Agro-Fest organizuar në sheshin kryesor, i parapriu kësaj ngjarjeje festive për pukjanët ku u promovuan produktet bio të fermerëve si dhe punimet artizanale të vajzave dhe grave të kësaj zone.

Puka mbart pasuri të shumta natyrore dhe vitet e fundit është kthyer në një destinacion të vërtetë turistik falë edhe investimeve të pushtetit qendror dhe vendor, por për komunitetin e biznesit pukjan për Pukën mund të bëhet akoma më shumë.

Kryetari i “Sofrës Pukjane”, Tonin Alia thekson se ky event ka për qëllim zhvillimin më tej të vendlindjes së tyre dhe si një ftesë për të gjithë ata që janë larguar të mund të rikthehen për të investuar në turizëm nëpërmjet ringritjes së kullave të trashëguara nga të parët dhe ndërtimin e bujtinave.

“Qëllimi i Sofrës Pukjane është bashkimi i biznesmenëve pukjanë në harmoni me njëri-tjetrin duke grumbulluar disa kontribute dhe për të ndihmuar Pukën dhe pukjanët. Ne po arrijmë në një fazë që të mundësojmë që njerëzit të kthehen këtu. Kanë filluar ndërtimet e shtëpive turistike, lokaleve dhe shumë veprave që nxisin njerëzit të kthehen dhe të kalojnë një turizëm një ditor e deri një javor”, thekson Alia.

Përfaqësuesit e “Sofrës Pukjane të cilët kanë si qëllim forcimin e harmonisë midis biznesmenëve, intelektualëve dhe qytetarëve të Pukës dhe zonave për rreth për nxitjen e biznesit vendas u takuan edhe me kryetari i Bashkisë Pukë Rrok Dodaj ku shprehën angazhimin për të vijuar investimet në agroturizëm.

Kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj është shprehur se do të krijojnë mundësi duke i hapur dyert për të gjithë për t’u rikthyer dhe investuar në vendlindjen e tyre. “Duke u krijuar kushtet do të afrojmë biznesin privat me qëllim që ai të jetë një themel i fortë për zhvillimin ekonomik të Pukës”, ka nënvizuar Dodaj.

Programi i pasur artistiko-kulturor i Sofrës Pukjanë”, mbajtur në Pallatin e Kulturës “Ndue Shyti” përcolli emocione te të pranishmit ku u shpalosën këngë dhe valle tradicionale të rrethit nën interpretimin jo vetëm të këngëtarëve me emër të Pukës, por edhe të brezit të ri të cilët po e trashëgojnë brez pas brezi këtë pasuri kulturore dhe historike që Puka mbart./atsh/ KultPlus.com

Shfaqja ‘Nuse vetëm për letra’ e autorit Leka Bungo jepet në SHBA

Një trupë teatrore nga Korça do të ndërmarrë një tour në SHBA me komedinë “Nuse vetëm për letra”. Shfaqja e Leka Bungos e cila u ngjit në skenën e teatrit të Korçës dy vite më parë vendos në qendër fenomenin e martesave fiktive, që bazohen në marrëdhënie interesi ku emigrantët shihen si një mundësi për të siguruar dokumente për të qëndruar në SHBA. 

“Nuse vetëm për letra” do të interpretohet nga artistët korçarë në disa skena në bregun lindor të amerikës duke shënuar kështu herën e parë që një trupë teatrore shqiptare shkon përtej kontinentit me një shfaqje shqiptare për emigrantët.

Nuse vetëm për letra do të jetë në New York në datat 11,12 dhe 13 tetor e më pas më 18 tetor në Uster dhe më 19 tetor në Boston për ta përmbyllur këtë tur më 20 tetor në Kenerike.

Zamira Kita tregon se emigrantët po e presin me padurim këtë eveniment. Edhe pse është hera e parë që një trupë teatrore arrin të shkojë deri në SHBA, duket se rrugëtimi do të jetë i gjatë pasi synimi është që vitin tjetër të shkohet me shfaqjen Karnavalet e Korçës/ Top Channel/ KultPlus.com

Robin Lane Fox: Turpi dhe lavdia

Robin Lane Fox (1946) është profesor emeritus në New College të Oxfordit. Veprat e tij më të njohura – për të cilat ka fituar çmime të shumta, përfshirë James Tait Black Award, Duff Cooper Prize, Heinemann Award dhe Runciman Award – përfshijnë studimin ‘Alexander the Great’, ‘Ancient Macedon’, ‘Late Antiquity’, ‘Christianity and Paganism’, ‘Bible and history’, ‘Greek Dark Ages’.

TURPI DHE LAVDIA

Nga Robin Lane Fox

Dhuna bëhet luftë kur realizohet në një shkallë të gjerë nga një entitet politik kundër një tjetri. Fushata e Trojës pra mund të përkufizohet si e tillë, edhe pse një pjesë e ushtrisë greke vinte nga territoret që nuk bënin pjesë në mbretërinë e Agamemnonit dhe merrte pjesë në atë ndërmarrje për arsye të lidhura me ambiciet e udhëheqësve dhe raportet e tyre personale. Paraqitja e heronjve si banditë të thjeshtë, një pikëpamje e shprehur për herë të parë nga Emil Zola, ose tamam si mafiozë që vetëpërkufizohen «burra të nderit», është jashtë teme. Heronjtë janë luftëtarë dhe fisnikë autentikë, jo keqbërës që kufizohen t’i imitojnë si majmuni idetë e rangut dhe shkelqësisë së një kulture aristokratike bukur larg asaj që ata janë. Grekët nuk janë banditë gjakatarë, të ardhur nga deti për të turbulluar jetën paqesore të trojanëve të shkretë. Ajo që i ka sjellë dhe i mban në ato vende është diçka më shumë se sa forca.

«Çka mund t’ia ndiejë Odiseut për Helenën?», pyetej Simone Weil. «Çka mund t’ia ndiejë për vetë Trojën, pasuritë e shumta të së cilës sido që të jetë nuk do ta kompensojnë rrënimin e Itakës», mbretërinë e Odiseut, të cilën, pas kthimit, heroi do ta gjejë përnjëmend në rrënim? Homeri nuk na thotë asgjë eksplicite për të na ndihmuar që të përgjigjemi në këtë pyetje, e cila, në kohët e tij, nuk ishte e domosdoshme të parashtrohej, por së cilës sidoqoftë mund të përpiqemi t’ia gjajmë një përgjigje. Njëra prej arsyeve që i shtynë grekët dhe aleatët e tyre të shkonin në Trojë ishte plaçka e pasur që shpresonin të përfitonin, por nuk duhet të nënvlerësohet rëndësia e dëshirës për të fituar famë dhe lavdi: do të kishte me qenë e turpshme për ta të mos i bashkoheshin asaj ekspedite të madhe, në të cilën merrnin pjesë shumë fisnikë të tjerë, mbi të gjitha për fëmijët dhe nipërit e heronjve të bërë të famshëm falë ndërmarrjeve të kryera gjatë luftërave të bëra larg atdheut. Heronjtë shpesh thonë se nuk duan të jenë më të vegjël se etërit dhe parardhësit e tyre.

Është e pavend po ashtu edhe t’i idealizosh trojanët si viktima të shkreta të pafajshme. Kishte qenë trojani Paridi ai që ia kishte rrëmbyer nusen dhe një thesat të mirë fisnikut Menelau, vëllait të mbretit Agamamemnon, i cili e kishte mirëpritur në shtëpinë e tij me të gjitha nderet që i takojnë një mysafiri. Me të arritur te Troja, komandantët grekë dërguan në oborrin e Priamit dy ambasadorë për t’u përpjekur ta kthejnë paqësisht Helenën, por një këshilltar i mbretit përkundrazi propozoi t’i vrisnin në vend. Në librin e tretë të Iliadës thuhet se të dy ushtritë dolën anash që t’i lejonin Paridin dhe Menelaun në dyluftonin. Kishin rënë në ujdi për një armpushim me një betim solemn që parashikonte dënime të tmerrshme për këdo që do të guxonte ta thyente, por kur përleshja mes tyre ksihte përfunduar me asgjë fare, ujdia ishte prishur nga trojani Pandari. Në librin e shtatë kallëzohet se një duel tjetër, ai mes Hektorit dhe Ajaksit, kishte përfunduar pa fitues pasi që të dy ishin ndarë nga heraldët. Në Trojë, gjatë një «asambleje… të tmerrshme, të trazuar», urtaku Antenori, i shoqi i priftëreshes Teana, u propozoi trojanëve t’ua kthenin bijve të Atreut Helenën dhe të gjithë të mirat që ua kishte marrë Paridi, me këto fjalë: «Po luftojmë duke i shkelur marrëveshjet». Paridi ia ktheu duke u treguar i gatshëm t’ua kthente pasuritë e vjedhura, bile edhe «të shtonte ca nga të vetat», por refuzoi kategorikisht idenë që të hiqte dorë nga Helena. Pasi që ishte aprovuar nga mbreti Priami, propozimi u ishte dërguar grekëve, që e dëgjuan «pa bërë zë, në heshtje», derisa i riu Diomedi nuk vendosi të sulej me të tijën. Lypsej të refuzoheshin pasuritë e Paridit, madje edhe Helena, tha, ngase «është e qartë edhe për një fëmijë se mbi kokat e trojanëve ka rënë fati i vdekjes». Siç bën vaki shpesh në luftë, mbizotëroi tendeca e eskalimit: «Kështu tha dhe të gjithë grekët brohoritën, duke e tumirur fjalimin e Diomedit, i shkathtë në ngasjen e kuajve». Plaçkitja e Trojës u bë objektivi më i vogël i luftës, që domosdoshmërisht do të kishte çuar në vdekje të gjithë meshkujt e qytetit, përfshirë fëmijët, dhe në skllavërimin e vajzave dhe grave, një praktikë e zakonshme në Greqi.

Po pse atëherë aq shumë heronj të aq shumë vendve të ndryshme luftonin përkrah trojanëve? E dimë se merrnin dhurata dhe ushqim me bollëk, por kishte edhe më shumë. Në një fjalim me nam të librit të dymbëdhjetë, një aleat i Trojës, likani Sarpedoni, pyet shokun e armëve, Glaukun, pse sipas tij në atdhe i nderonin të gjithë, duke ua dhënë gjithmonë «vendin e nderit, mish dhe kupa të mbushura, dhe të gjithë na konsiderojnë si zota?». Për këtë arsye, përgjigjet ai vetë, duhet të luftojnë në vijen e parë, që luftëtarët e tjerë likeanë të mund të thonë: «Nuk janë të palavdishëm mbretërit tonë që e qeverisin Likian dhe hanë dele të majme dhe pinë verë të zgjedhur, të ëmbël si mjalti». Në shekullin XIII p.e.s. dëgjuesit e Homerit kështu i shihnin aristokratët që i qeverisnin: ishin më të vlefshmit në betejë, prandaj ishte e drejtë që të ishin të parët në gjithçka tjetër. Saperdoni ia rikujton Glaukut se «duhet» të luftojnë në vijen e parë, jo pse i obligon ndonjë kontratë shoqërore ta bëjnë në këmbim të ndereve që i gëzojnë, por për ta siguruar lavdinë, ose të paktën për të shmangur turpin përballë të tjerëve pse s’janë munduar ta bëjnë këtë. Megjithatë kjo nuk e shpjegon pse likianët duhej të angazhoheshin në një luftë që luftohej kaq larg vendit të tyre. Po të binte Troja, grekët do të niseshin të ktheheshin në atdhe: do ta shkatërronin Trojën, pa u munduar ta kolonizojnë atë zonë të Azisë së Vogël. Likia, pra, nuk ishte e kërcënuar drejtpërdrejt.

Ssaperdoni bën një vrejtje të dytë, logjika e së cilës është e lidhur me këtu dhe tash. Nëse duk eikur nga ajo betejë ai dhe Glauku do të kishin jetuar përgjithmonë, imunë ndaj vdekjes dhe pleqërisë, ai vetë nuk do të kishte dashur të luftonte në vijen e parë, as nuk do ta kishte shtyrë shokun «drejt luftës së lavdishme»:

«Po përreth nesh janë përherë të shumtë në numër

perëndeshat e vdekjes, të cilës ne vdekatarët s’mund t’i bëjmë bisht.

Hajt të shkojmë: ose ne do t’ia japim lavdinë armikut, ose ai neve».

Edhe në këtë shtytje dramatike hyn në lojë lavdia. Për një vdekatar është një objektiv i pashmangshëm, është duke i thënë Saperdoni Glaukut në fushën e betejës: realiteti i ashpër është se qeniet njerëzore janë të destinuara gjithsesi të vdesin, prandaj edhe ashtu ia vlen të jetohet. Megjithatë, nëse dy miqtë do të kishin vendosur të niseshin nga Troja për t’u kthyer në atdhe, perëndeshat e vdekjes s’do të kishin qenë aq të shumta përreth tyre. Në vrullin e momentit, Saperdoni e harron një pikë kruciale: si aleatë të Priamit, të ardhur në Trojë për t’i dalë në ndihmë, s’do të mund t’i bënin bisht luftës pa u mbuluar me marre. Katër libra më pas, Saperdoni do të vdesë nga dora e Patroklit.

Vendimet dhe sjellja e heronjve janë në mënyrë të vazhdueshme të kushtëzuara nga frika e turpit. Në një studim brilant, të ngjizur në vitin 1947, Eric Dodds ka pohuar se kultura e heronjve të Homerit nuk është kulturë e fajit, përkundrazi e turpit. Që nga atëherë është diskutuar gjatë rreth këtij koncepti, duke arritur në përfundimin se, siç tashmë kishte vërejtur Dodds, termi më i përdorur në këtë kuptim, aidōs, nuk mund t’i mbivihet përherë idesë sonë të turpit. Aidōs mund të tregojë edhe cipë ose respekt: mund ta shtyjë nj komandant të mos e vrasë armikun që e lut t’ia kursejë jetën. Në përgjithësi prodhon efektin e shkurajimit të dikujt që të shqiptojë një fjalë a të bëjë një veprim. Nuk është i zotuar si barasvlerës i «ndjenjës së turpit» për diçka që është bërë: ky lloj i fundit të turpit është evokuar edhe në Iliadë, por me një seri tjetër termash, si, për shembull, aischron, «marre» dhe aischynē, «ndjenjë çnderimi».

Ideja e turpit dallohet nga ajo e fajit për dy arsye shpesh të nënvlerësuara. Jo pse, siç thuhet zakonisht, faji është reaksion intim, i brendshëm, ndërsa turpi lind gjithmonë nga veprimet e të tjerëve: mund të turpërohemi nga vetvetja në brendinë tonë më intime ose duke përfytyruar se çka do të mendonte për ne një vëzhgues hipotetik. Dallimi kryesor qëndron në faktin se mund të ndiejmë turp edhe për diçka që persona afër nesh kanë thënë ose bërë, ndërsa ndihemi fajtorë veç për atë që ne vetë kemi bërë apo thënë. Një mësimdhënës mund të turpërohet për një veprim të bërë nga një nxënës i tij, por, veç nëse s’ka qenë ai vetë t’ia sugjerojë, nuk ndihet fajtor. Një kapiten mund të turpërohet nga sjellja e një anëtari të skuadrës së vet pa u ndier në faj. Ekziston edhe një dallim në thellësinë e të qenit të përfshirë dhe në kohën e ndodhjes. Ndiejmë turp për diçka që sidoqoftë do të kemi mundësinë ta bëjmë, por që pikërisht për këtë e shmangim. Ndihemi në faj dhe kemi mendime fajësuese vetëm për diçka që e kemi menduar a bërë realisht (apo që s’kemi arritur ta bëjmë). Këto reaksione përfshijnë në mënyra të ndryshme vetëdijen e vetes. Kur ndihemi fajtorë për diçka, e pranojmë se jemi plotësisht përgjegjës. Ndërsa mund të turpërohemi edhe kur kemi ndjesinë se nuk kemi vepruar konform vetes sonë të vërtetë, apo nuk ia kemi dalë ta bëjmë më të mirën tonë.

Në të vërtetë, heronjtë homerikë tashmë i njohin këto lloje të ndryshme të turpit, të gjitha të evokuara në poemë. Thirrjet për të pasur aidōs, «kini turp për», u drejtohen heronjve nga një hero për t’i shtyrë të mbahen fort në betejë: ajo të cilës i bëhet thirrje këtu është turpi, jo faji. Libri pesëmbëdhjetë na sjell dy shembuj të shkëlqyeshëm. Fillimisht Ajaksi i nxit ushtarët grekë të jenë burra me këto fjalë: «Kini turp në zemër dhe cipë për njëri-tjetrin në përleshjet e egra», duke nënkuptuar se, nëse do të turpëroheshin duke u treguar më pak sypatrembur se të tjerët, nuk do të zmbrapseshin: «Kur burrat kanë turp, ata që dalin të gjallë janë më të shumtë se sa të vdekurit». Pak vargje më poshtë, edhe Nestori i cyt njërin pas tjetrit grekët, duke u kërkuar të mos ia mbathin me të katra para trojanëve që i sulmojnë anijet e tyre: «Miqtë e mi, bëhuni burra: kini në zemër turp nga burrat e tjerë».

Turpi po ashtu mund t’ia diktojë heroit linjën e veprimit. Në një fjalim me nam në librin e gjashtë, Hektori i thotë nusen Andromaka se nuk mund të qëndrojë i sigurt në Trojë pa ndier turp para trojanëve dhe trojaneve. Në një monolog të shkëlqyeshëm të librit të dymbëdhjetë, vetë Hektori thotë se do të kishte me qenë e turpshme nga ana e tij të hyjë prapë në Trojë pasi që ka shkaktuar nga budallallëku i tij rrënimin e ushtrisë së tij duke e urdhëruar të qëndrojë në rrafshnaltë. Tutet se mos dikush nga rangu shumë më i ulët se i tiji mund t’ia përplasë për surrati sjelljen e tij, një perspektivë e përbuzshme, që e bind përfundimisht të mos e shpëtojë veten. «Për mua shumë më mirë do të ishte të përballem me Akilin dhe të kthehem i vdekur nga dora e tij në mbrojtje të qytetit». Pra turpi, në kuptimin e «ndjenjë e turpit të», e shtyn t’i dalë ballë për ballë vdekjes: ia vlen të përmendet fakti se heroi turpërohet jo nga ajo që do të mund të thoshte një bashkëqytetar i autoritetshëm, por një person i rangut të ulët.

Një hero mund të ndiejë dhimbje nga sjellja e një tjetri dhe ajo që njerëzia thonë, ashtu siç Hektori ndien dhimbje nga sjellja e vëllait, Paridit. Evokon trishtimin që e kaplon kur i dëgjon të tjerët të flasin keq për të, por kurrë nuk thotë se turpërohet, për dallim nga ajo që do të kishim bërë ne. Tek Iliada heroi nuk i thotë kurrë dikujt tjetër: «Turpërohem nga ti dhe sjellja jote». Më tepër e akuzon se është «derëzi», siç bën Priami me fëmijët e tij derisa bëhet gati të vihet në udhë për të shkuar ta lusë Akilin, duke nënkuptuar troç se turpërohet nga ta. Në një analizë të thellë të konceptit të turpit, filozofi Bernard Williams ka vërejtur se «shprehja e turpit, qoftë në përgjithësi qoftë në formën e tij më të veçantë që është sikleti, nuk është vetëm dëshirë e skutjes apo e fshehjes së fytyrës, por edhe dëshirë e zhdukjes, e të mos qenit aty». Edhe heronjtë e Homerit shprehin këtë dëshirë: «Atëherë m’u haptë toka», thotë Agamemnoni, i vënë para perspektives së përbuzshme që të detyrohet të tërhiqet nga Troja me ushtrinë e tij, duke i lënë mundësinë ndonjë trojani të ngazëllehet mbi varrin e vëllait të tij.

«Gjërat shkojnë ndryshe kur jemi te faji», pohon Williams, «kur ndihem në faj, jam i dominuar nga mendimi se edhe nëse zhdukem ai do të më ndiqte pas». Është zor të thuhet nëse personazhet homerike e shprehin ndonjëherë këtë ndjesi. Tek Iliada nuk përdoret asnjë term që t’i referohet një koncepti të tillë, por mund të bëhet fjalë për një mungesë jo vendimtare, ngase mund të ndiejmë më shumë se sa që mund të shprehim me fjalë. Një shembull posaçërisht indikativ është ai i Helenes, që më shumë se një herë shpreh keqardhje që ka ikur me Paridin, aq sa do të parapëlqente të kishte vdekur më parë. A mëton të thotë se po ndihet në faj? Edhe Akili thotë «dua të vdes menjëherë, ngase ishte e shkruar që të mos mund t’i dilja krah shokut tim të vrarë». Megjithatë, flasim edhe për «turp për vdekje» dhe, në të vërtetë, turpi mund të çojë në vetëvrasje: Akili vazhdon duke formuluar dëshirën që mes vdekatarëve dhe zotave «të zhbëhen grindja dhe mëria», jo atë të larjes së fajit të tij, do të thotë të ketë qenë i mbërthyer nga mëria. Helena i pranon përgjegjësitë e veta, nëse jo fajet e veta, por mund të konsiderohemi fajtorë pa u ndier përnjëmend të tillë. S’shkoj me mendjen se Helena ndihet e dërrmuar nga ndjenja e fajit, jo më tepër se sa që ndihet Akili kur ndien turp nga mendimi se nuk e ka mbrojtur Patroklin.

Nga ana ime, besoj se tek Iliada ideja e fajit është munguese. Me këtë s’mëtoj të them se në shekullin VIII p.e.s. nuk njihej ndjenja e fajit. Sa u përket vlerave të heronjve, megjithatë, turpi është freni kryesor ndalues, me një specifikim të mbramë dhe të rëndësishëm. Në pjesën më të madhe të shoqërive të njohura nga ne, aristokratët nuk merakosen se çka mendojnë të tjerët për ta, bile, e heqin nga mendja plotësisht, përveç, ndoshta, kur bëhet fjalë për ata, të barabartë me ta, për të cilët ushqejnë respektin më të madh. Ndërsa heronjtë e Homerit merakosen shumë për gjykimet e të tjerëve, edhe kur ata që i formulojnë janë persona të rangut inferior me atë të tyrin.

A mos janë pra egoistë? Do të ishte gabim të shihet te turpi një reaksion egoist ose narcistik, sikurse të ishte nxitur vetëm nga preokupimi për atë që të tjerët mendojnë për ne. Turpi është i lidhur me opinionet e të tjerëve, reale a imagjinare, por bëhet një ndalim, «ndjenjë turpi për të», ose një reaksion, «të kesh frikë të», vetëm nëse këto opinione kanë të bëjnë me veprime dhe cilësi të rëndësishme për personin që turpërohet. Feniki i moçëm, tutori i Akilit, na e jep një shembull të shkëlqyeshëm në fjalimin e gjatë që, si ambasador, e mban para Akilit në librin e nëntë. «Unë vendosa atëherë ta vras», thotë duke iu referuar babait prej të cilit sapo ishte mallkuar, «me bronzin e mprehtë», por një zot e fashiti mërinë e tij duke ia kthyer në mendje «zërat e popullit dhe faqen e zezë para njerëzve, që në mesin e akejve të mos quhesha me emrin e atëvrasësit». Turpi dhe qortimi publik frenojnë impulsin atëvrasës, por vetëm ngase edhe Feniki e pranon brenda vetes peshën e aktit për të cilin do të qortohej.

A është e mundshme që në një shoqëri reale turpi të jetë shumë më i rëndësishëm se faji? Për ta demonstruar se etika e Iliadës është po ajo e ndjekur në botën reale, disa studiues kanë analizuar sistemin vleror të disa shoqërive afrikane dhe të Japonisë moderne, pra larg në distancë kohore nga ajo e Greqisë antike. Një ese i njohur i Ruth Benedictit mbi Japoninë i botuar pas luftës, Krizantema dhe shpata, i ka dhënë Doddsit idenë se poemat homerike janë fryt i një qytetërimi të turpit. Në vijim është regjistruar një profilerim i vërtetë i këtyre studimeve, thua se nderi dhe turpi qenkan vlera të rrënjosura thellë në kulturën e grupeve sociale mesdhetare dhe, posaçërisht, të Greqisë moderne. Ajo që ka rëndësi është se, pas Homerit, turpi vazhdoi të jetë një vlerë e rëndësishme në tekstet dhe në mesin e grupeve shoqërore të Greqisë antike, nga Sparta, një qytetërim tipik i turpit, tek arti dramatik, siç dëshmojnë Ajaksi dhe Filoteti i Sofokliut, apo Hipoliti dhe Ifigjenia në Aulidë të Euripidit. Më vonë turpi luajti një rol të planit të parë në tregimin që Ksenofonti shkroi për udhëtimin e tij përmes Azisë bashkë me dhjetë mijë mercenarë grekë, madje edhe në karrierën e Aleksandërit të Madh. Është një vlerë goxha e ndier edhe tek Ungjilli i tretë : «Të prashis nuk kam fuqi, të lyp, turpërohem», thotë djali plëngprishës i parabolës homonime.

Rëndësia e turpit tek Iliada nuk është vetëm sajesë poetike, që e çonte dëgjimtarin në një hiper-realitet. Zaptonte vëmendjen e dëgjuesve ngase e njihnin fuqinë e tij, ashtu siç e zapton tonën. Vlerat luftarake të heronjve, preokupimi i tyre për prestigjin e tyre dhe për kompensimet materiale dhe reaksioni i tyre ndaj turpit si sanksion priren të studiohen si ndjenja shumë të largëta nga ato të lexuesve modernë. Në të vërtetë, ende dominojnë në sektorë të tërë të jetës moderne, për shembull në botën e financës, ku menaxherët duhet të mbrohen nga avancimet armiqësore apo tuten se do të detyrohen të turpërohen kur kompensimet e tyre që i kalojnë caqet dalin në shesh, apo ata të sportit, kur një lojtar është në kundërshti me trajnerin apo skuadrën e tij. Vlerat e Iliadës nuk janë një bizaritet i largët historik. Turpi dhe fama, nderi, tërbimi dhe faqja e zezë na përfshijnë ngase e dominojnë ende jetën tonë.

/Marrë nga Robin Lane Fox, “Omero e l’Iliade”, Einaudi, 2024 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

‘Vetëm një fjalë dhe ndalet loti, vetëm një fjalë dhe jeta rifillon’ (VIDEO)

Ka shumë këngë prej Elsa Lilës, por sonte do ta kujtojmë një në veçanti.

Këngëtarja shqiptare që veçohet për vokalin e saj dhe dhembshurinë e zërit, mes shumë këngëve tjera na ka dhuruar edhe hitin “Vetëm një fjalë”

Me këngën “Vetëm një fjalë” ajo e fitoi festivalin Kënga Magjike në vitin 1999, vite këto kur ajo ishte shumë aktive në gati të gjitha festivalet muzikore në Shqipëri.

Elsa ka lindur në Tiranë në vitin 1981 ndërsa këngët tjera nga ajo nuk mbesin pas “Vetëm një fjalë”. / KultPlus.com

‘Ishin shtresë e pasur’/ Zbulimi arkeologjik që ndryshon historinë e Shëngjergjit, përballë varreve vendbanimi mesjetar

Një zbulim i bërë pak ditë më parë në fshatin Shënmri, afër Shëngjergjit në periferi të Tiranës ndryshon tërësisht historinë e zonës. Varreza e gjetur rastësisht nga punimet e rrugës, i përket periudhës helenistike dhe asaj arbërore.

Ndërsa hedh dritë mbi dy periudha, rëndësia është e dyfishtë” në një anë vërtetohet që zona është e banuar në periudhën helenistike, e dhënë që del qartë nga këto gërmime dhe e dyta, plotëson hartën vendbanimeve mesjetare, atyre të Arbrit duke konfirmuar vijimësinë e jetës dhe në Mesjetë, përpos Komanit apo Përmetit, edhe në zonën e Shëngjergjit.

Toponime në zonë, si Shën Marku, Shën Martini, Shën Pjetri e Shën Gjini, Bregu i Kishës, Kodra e Kishës, Gradishta apo Gradec që nënkuptojnë qytet a qytezë, që i referohen banimeve. Në periudhën e Arbrit, një varrezë me vendbanimin ishte aq larg sa i lejonte njerëzit e gjallë të shikonin se vrojtonin varrezat. “Pra kodra e varreve ku jemi, duhet të ketë një distancë të konsiderueshme, por që gjithmonë shihet me sy nga banorët. Kjo zonë do të na tregojë lidhjen me prapatokën e Tiranës e më tej”.

Arkeologu që ka ndjekur gërmimet në zonë, Mariglen Meshini, thotë se gjetja është e papritur. “Është i jashtëzakonshëm e identifikohen objekte të kulturës arbërore. Në zonën e Shëngjergjit është hera e parë. Inventari mortor, na jep të dhëna mbi atë kohë. Janë shekujt 7-11 të erës sonë, kultura arbërore që plotëson të dhënat për Arbërit në Mesjetën e hershme. Varreza ka një kohështrirje nga shek 4 para erës sonë deri në shekullin 11 pas erës sonë. Kjo zonë ka qenë e banuar në gjthë këta shekuj. Detyra jonë tani është të gjejmë vendbanimin. Sepse një kompleks funeral shoqërohet me një vendbanim. Po identifikojmë toponime me kisha, fortifikime, e gjetje të kulturës materiale në sipërfaqe. Kodra e varreve ku po bëjmë gërmime, varret e vjetra i ka poshtë, ato më të rejat më lart. Në varësi të periudhës, kanë orientime të ndryshme”, thotë ai.

Nga gjetjet e deritanishme, mund të kuptohet se popullsia që ka jetuar aty ka qenë e një shtrese të pasur. “Varret antike kanë jë material që i përket shtresës së pasur, sepse nuk bëjnë dallim nga gjetjet në qendra të zhvilluara antike si Durrësi, Apolonia, Lisusi antik, etj”, thotë Meshini, ndërsa sqaron e identifikimi si kulturë helenistike, është kufi kohor historik e jo me identitetar apo i lidhur me përkatësinë.

Zona rezulton të ketë pasur lidhje me Durrësin, por do jenë gërmimet në vijim që do të tregojnë më shumë./Balkanweb/ KultPlus.com

Maratona Skampa 2024 në Elbasan, Rama ndan fotot

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky aktivitet ku krahas sportistëve shqiptarë ka edhe sportistë të huaj të atletikës.

Ky aktivitet organizohet për të dytin vit radhazi në Elbasan, në tre disiplina Mini dhe Half Marathon Skampa në 5 km – 10 km – 21 km.

Maratona Skampa është tashmë një garë e certifikuar ndërkombëtare. Realizimi i kësaj maratonë tregoi se maratonistët shqiptarë janë të aftë dhe me përvojë, për të ndërmarrë sfida të shkallës dhe kalibrit botëror duke konkurruar me kolegët e tyre në rajon dhe duke hapur një faqe të re në historinë e maratonës kombëtare dhe eksperimentimit të maratonës, më e gjatë se ajo klasike.

Sot në qytetin e Elbasanit, shoqata “Maraton Albania” dhe bashkia Elbasan organizuan maratonën “Skampa 2024″, një aktivitet sportiv, i cili startoi në sheshin Genshër dhe vijoi në rrugët e qytetit, në unazën e qytetit dhe përfundon në pikënisje, në sheshin “Genshër”.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky aktivitet ku krahas sportistëve shqiptarë ka edhe sportistë të huaj të atletikës.

Ky aktivitet organizohet për të dytin vit radhazi në Elbasan, në tre disiplina Mini dhe Half Marathon Skampa në 5 km – 10 km – 21 km.

Maratona Skampa është tashmë një garë e certifikuar ndërkombëtare. Realizimi i kësaj maratonë tregoi se maratonistët shqiptarë janë të aftë dhe me përvojë, për të ndërmarrë sfida të shkallës dhe kalibrit botëror duke konkurruar me kolegët e tyre në rajon dhe duke hapur një faqe të re në historinë e maratonës kombëtare dhe eksperimentimit të maratonës, më e gjatë se ajo klasike./atsh/ KultPlus.com

Hapet një shkollë në gjuhën shqipe në Londër të Anglisë

Në Londër të Britanisë së Madhe është hapur një shkollë shqipe.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik për Diasporën i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së shkollës shqipe në Bexleyheat të Londrës.

Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se këtë shkollë e kanë mbështetur me literaturë në gjuhën shqipe.

“Mbështetja me tekstet shqip dhe programi më i ri ‘Mësues për Diasporën’ do ta zgjerojnë numrin e shkollave/klasave në gjuhën tonë të bukur shqipe”, ka thënë Balla. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Fundoset anija e Marinës Mbretërore të Zelandës së Re, shpëtojnë të gjithë që ishin në bord

Një anije e Marinës Mbretërore të Zelandës së Re u fundos në Samoa, por të gjithë 75 ekuipazhi dhe pasagjerët në bord kanë shpëtuar, tha Forca e Mbrojtjes e Zelandës së Re në një deklaratë të dielën.

Manawanui, anija e specializuar e zhytjes dhe hidrografisë së marinës, u rrëzua pranë bregut jugor të Upolu të shtunën mbrëma teksa po kryente një studim mbi shkëmbinjtë, tha në një deklaratë komodori Shane Arndell, komandanti i komponentit detar të Forcave të Mbrojtjes të Zelandës së Re, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Disa anije u përgjigjën dhe ndihmuan në shpëtimin e ekuipazhit dhe pasagjerëve që ishin larguar nga anija me varka shpëtimi, tha Arndell.

Ndahet nga jeta legjenda e futbollit Sefedin Braho

U nda sot nga jeta në moshën 71-vjeçare Sefedin Braho, ish-futbollisti i Kombëtares së futbollit dhe Luftëtarit të Gjirokastrës.

Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se në të gjitha ndeshjet e kampionatit shqiptar të kategorisë “Abissnet Superiore”, Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë sot dhe nesër do të mbahet një minutë heshtje në nderim të ish-futbollistit të shquar, Sefedin Braho.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ka shprehun familjarëve, të afërmve dhe miqve të Brahos, ngushëllimet më të sinqerta në emrin e tij dhe gjithë komunitetit të futbollit shqiptar.

“Me trishtim të madh mësova sot lajmin e ndarjes nga jeta të Sefedin Brahos, një emër i madh i futbollit shqiptar e veçanërisht atij gjirokastrit, pjesë e Luftëtarit, Partizanit si edhe i Kombëtares në periudhën 1970-1980.

Braho ishte një mik i mirë, personalitet me vlera të mëdha dhe një emër që ka shkruar historinë me germa të arta”, shprehet Duka./atsh/ KultPlus.com

Tingujt e orkestrës frymore performojnë në sheshet e Shkodrës

Në çdo shesh dhe rrugë të Shkodrës dëgjohej muzika e orkestrave frymore.

Nga 3 orkestra u vendosën në 3 sheshet kryesore si pjesë e Takimit Ndërkombëtarë të Orkestrave Frymore, që vjen në edicionin e 4-të të tij.

Shkodra, Durrësi dhe Orkestra e Salernos në Itali kanë performuar në rrugët e qytetit.

Për drejtuesin e Qëndrës “Pjetër Gaci”, Dritan Mlika, ky aktivitetet është kthyer në traditë në Shkodër, duke qënë një event i përvitshëm që largon kufinjtë nëpërmjet muzikës.

‘’Siç e shifni edhe vetë jemi në edicionin e katërt të takimit ndërkombëtar të bandave frymore i cili tashmë gradualisht po kthehet në një traditë e një aktivitet të qëndrueshëm të qytetit tonë.

Është një aktivitet mjaft i bukur i cili pritet me shumë kënaqësi nga bandat e ndryshme si nga vendi ashtu edhe nga jashtë’’.

Orkestrat Frymore nga vendi, rajoni dhe Italia, po performojnë performojnë në Shkodër në kuadër të këtij eventi, i cili nga viti në vit po merr përmasa të mëdha./oranews/ KultPlus.com