Samuel Beckett, ai që i dha njerëzores thelbësoren në art, dhe e çliroi teatrin nga konvencionet

Dramaturgu, romancieri dhe poeti irlandez fitues i çmimit Nobel, Samuel Beckett nderohet si një nga shkrimtarët më me ndikim të shekullit të 20-të.

Ai mbahet mend më së miri si babai i lëvizjes postmoderniste, vepra e së cilës ndikoi në një gamë të gjerë shkrimtarësh dhe kineastësh të mëvonshëm. Ai ishte gjithashtu shkrimtar i “Teatrit të Absurdit”, pjesë të zhanrit të trillimit absurdist. Puna e tij ka qenë e ngulitur me elemente të komedisë së zezë, humor të varur dhe ofron një pamje tragjikomike në natyrën njerëzore. Vepra e tij kryesore “Duke pritur Godet” është një klasik i përjetshëm që thellohej në absurditetin e ekzistencës njerëzore. Samuel Beckett u bë pjesë e lëvizjes së Rezistencës Franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe iku për t’i shpëtuar këtij ferri vrastar. Gjatë viteve të luftës, ai ia kushtoi kohën shkrimit të disa prej veprave të tij më të vlerësuara. U kthye në Paris pasi gjermanët u larguan dhe arriti kulmin e karrierës së tij si shkrimtar. Disa nga veprat e tij më të njohura përfshijnë, “Malone Dies”, “Molloy”, “The Unnameable”, “Watt” dhe drama, “Endgame”. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se njëzet gjuhë.

Ai, Samuel Beckett ishte i zgjedhuri. Vinte për ta kthyer teatrin në një skenë ngjarjesh të mëdha, kumtimesh të epërme dhe transformimesh estetike.

Samuel Beckett, njihet prej mbarë nesh si novelist, dramaturg dhe poet. Djaloshi irlandez i lindur në Dublin rroku të hyjshmen e krijimit me pasionin e ngulmëtarit. Erdhi në letërsi dhe njiherash në artin e dramës, ashtu ngadalë, pa poterë e trumbeta lajmëruese. U ngjit duke sprovuar pa panikun e të pamundurës. Asgjë rastësore nuk vjen me të. Ai përgatitet për të gjitha dhe gjithçka që reflekton protagonismin e tij, është veçse vetja e një Sizifi që ngjitet. Teatri është Olimpi i këtij Zeusi që fal plotpushtetin por nuk i heq nga dora ushtat e zjarrit. Teatri, ai manifestim që përpëlitej në terrin dhe heshtjen, asgjësë dhe mykut të përtej siparit të së shkuarës dhe domosdosë së një shekulli ngulmëtar, kërkonte një zë, një zemëratë, një ëndërr gjërash të thyera që paralajmëronin ribërjen e botës.

***

Messhekulli XX tenton të ringrejë diçkanë në teatër si nga hiri Feniksin mitik. Vendosje elegante, kostume madhështore, intriga të spërdredhura dhe mbarime të lumtura, janë hope filluese. Ardhje që kërkonin të ngrinin të tjera ura komunikimi me një njeri që ndryshonte më shpejt koha, me një botëkuptim që kërkonte të ngrihej mbi gërmadhat e së shkuarës. Vetëdija konfuze e një individi që kërkonte shumëçka pa qenë në gjendje të vizualizonte se çfarë, më shumë se një rebus që kërkon zgjidhje ishte një dhimbjë që kërkon mbivendosjen e një tjetër dhimbje, për ta ndarë ngadalë nga terrori i padurimit të torturës së ferrit që kishte gatuar vetë. Samuel Beckett, ndoshta kishte diçka për të thënë, për të bërë, jo dhe aq për ta çkoduar këtë enigmë, se sa për të ç’burgosur këtë gjendje shpirtërore nga boshi, për t’i kthyer thelbësoren këtij njeriu përmes teatrit.

Ai na qaset me gjëra krejt të tjera, të ngjashme me gjendjen e zhveshur të një peme të vetme, pushtuar nga dy endacakë të rreckosur, që prisnin për dikë që nuk do të vinte kurrë.

Në këtë kohë boshe dhe me këto shpirtra të telendisur, shkrimtari na ofroi ne shëndetin e brutalitetit, dhembshurisë, shpresës dhe dëshpërimit, të gjitha në të njëjtën kohë.

Nga erdhi ky njeri, ky njeri, i cili ishte aq i përqendruar në më të keqen tonë dhe që nuk mund të na ndihmonte ne… për të zbuluar më të mirën. Por ai u përpoq, i bindur se njeriut që kishte marrë arratinë nga vetja, do ti lejohej të rivinte, pa pendim a shpagë.

E hapi derën e atij vendi, që dukej qartë si një dhomë e murrëtyer dhe na ftoi të futeshim brenda. Ngadalë… sytë tanë u mësuan me errësirën, dhe mundëm pak nga pak që t’i shikonim gjërat shumë më qartë.

***

Te teatri bashkëkohor i Samuel Beckett, dikush mund të shikojë se si ai zhvishet nga grackat konvencionale të trillimit artistik, duke u përpjekur tashmë që të zbresë deri te thelbësoren e gjërave. Dhe vërtetë ai e përlan me fushëpamje të gjithën këtë proces krijimi, këtë identitet që rreket të kërkojë të tashmen e vet.

Ndër krejt tekstshkruesit e plotkuptimtë modernë, Samuel Beckett, e veçon veten në një këndshikim të ndryshët të botës, reales, racionales, të kuptueshmes. Qëllimisht ai më bëhet se vendos të qëndrojë nga na e errët, nga ajo pjesë e reales së gjërave dhe gjëndjeve ku pahet fare me dritën, ose e ka refuzuar përgjithmonë këtë thërmi të gjallimit zjarmues.

***

Më 13 prill 1906 u lind ai, Samuel Beckett, novelist, dramaturg dhe poet, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1969, personazh që mban mbi vete ndikesën e fuqishme të një shekulli dhe barrën e rëndë të “teatrit absurd”. I fundmi modernist, i ethshmi tragjikomik, gjithëpoaq një themel i kështjellës së shëmbëllimit të vlerave të tetarit si altar predikimesh.

Vizionet e tij të ngrysura në lidhje me qenien dhe me ekzistencën njerëzore në themel të konceptimit, nxitojnë t’i hedhin mbi supe mantelin e një nihilisti. Sipas tij, fati i njeriut në të tashmen e përgjithmonshme është përgjithësisht i erret, ngase në çdo kapërcyell, në çdo kthinë, në çdo qoshkë e skutë, e përgjon sëmundja, mjerimi, vdekja. Në një njëfarë mënyre, kësaj krijese fatkeqe një Amok i vihet nga pas këmba-këmbës, nga djepi në varr duke mos e lënë për asnjë çast të qetë. Së këndejmi rrekemi të dëshifrojmë tek ai botekuptimin e një pesimisti të pandreqshëm, një lloj predikimi të Zarathustrës si Zot.

Situatat e ngjeshura dramatike në kumtin krijues të Samuel Beckett ngulmojnë të shpërfaqin vetëm episode të ngrysura, shterrur prej gjithëpamjes, të jetës. Vetmia, dobësia, degradimi, humbja e dinjitetit, janë kudhrat ku ai farkëton personazhin e tij absurd, me kast nevojën e tharmit të një mbinjeriu, për të cilin flet Niçe. Humori sarkastik që shoqëron skenat, situatat, gjestet dhe personazhet, e bën më klithës këtë pesimizëm që ngërthen skajet ku tendoset njeriu që ai njeh, njeriu që ai ka takuar, vetvetja që ai rreket ta predikojë si një mundësi për ta çliruar njeriun bashkëkohor nga plogështia, boshi dhe shterrimi.

Beckett duket qartë se është i apasionuar pas shpirtit spartan dhe nuk toleron kundrejt asgjëje që personazhet e tij të vijnë si një forcë që zhvendos atë që rrezikon vërtetë të tashmen duke nxjerrë në dritë një krijesë të gatshme për tu ndeshur. Forca përshkruese dhe thellësia depërtuese e brendisë dhe shpirtit të personazheve të tij e bëjnë Beckettin një ndër penat me të fuqishme të letërsisë moderne.

Ndoshta jo aq i pazakontë se sa i vetvetishëm, Beckett i rrethvjen nevojës së njeriut bashkëkohor të njihet me një pjesë të vetes së tij, të cilën ndonse e ka të vështirë ta pranojë, ai gjithqysh jeton me të. Sipas këtij deshifrimi të absurdit Beckettian, ky njeri duke e pranuar këtë vetvete, nuk ka pse druhet ta njohë, ta shikojë në sy, të flasë për të dhe të ndeshet me të, si me një sëmundje të cilën mund ta luftosh pasi e ke denoncuar, jo duke e fshehur, duke e strukur pas alogjizmit trashanik: se kur diçka e largojmë nga sytë e botës, ajo nuk ekziston. Harrojmë se rrugën për tek mjeku na e tregon gjithnjë sëmundja dhe shërimin na e predikon ndeshja dhëmb për dhëmb dhe jo përpjekja për të fshehur veten pas gishtit.

***

Kësosoj Samule Beckett e vendos veten në rendin e penave më të veçanta,  më origjinalë dhe më të rëndësishëm të shekullit të 20-të.

Ai nuk ishte ekzistencialist si filozofi francez Jean-Paul Sartre.

Puna e tij ngjasonte në disa drejtime me atë të James Joyce, mësuesit të tij të parë, kryesisht në përdorimin e gjuhës.

Me Franc Kafkën ngjasonte në trajtimin e disa situatave herë-herë duke përcjellë frikë e terror.

Me Fjodor Dostojevskin, në nxjerrjen në pah të shpirtit njerëzor, të përjetimeve dhe vështirësive me të cilat ndeshet njeriu në jetë.

Me Dante Aligerin tek kryevepra botërore “Komedia Hyjnore” atë e pikëtakon frymëzimi.

Nëpërmjet romanit “Duke pritur Godonë” e cila është edhe vepra e tij më e suksesshme ai përcjell tek lexuesi shpirtin dramatik ku e konsideron veten një romancier të mirfilltë. “Duke pritur Godon” u shkrua në 5 Janar të vitit 1953 në Paris . Është konsideruar për shumë kohë si “best seller”. Krijimtaria letrare e Samuel Beckettit shpesh herë është përdorur edhe në teatër ku regjisorë me famë botërore kanë ngjitur vepra të ndryshme në skenë të cilat janë pritur mjaft mirë nga publiku dhe kanë patur shumë sukses. Duke bërë një shëtitje “virtuale” përmes Irlandës, Francës, Anglisë dhe Gjermanisë ai shkroi poema dhe histori nga më të ndryshmet duke treguar përjetime dhe situata nga më interesantet të cilat i skaliti me mjeshtëri në rrjeshtat që kanë mbushur librat e botuara prej penës së tij.

Ky është Samuel Beckett, predikuesi i absurdit si formë çlirimi e njeriut nga plogështia dhe boshi, sëmundje këto me të cilat e molepsi modernizmi.

Vdiq më 22 dhjetor 1989 në moshën 83 vjeçare në Paris të Francës. Ai u varros së bashku me gruan e tij në Cimetière du Montparnasse në Paris.

Nga Albert Vataj / KultPlus.com

‘You are not alone’, një nga këngët më të bukura të Michael Jackson (VIDEO)

Michael Jackson u lind më 29 gusht 1958, në Gary, Indiana dhe vdiq më 25 qershor 2009, në Los Anxhelos, Kaliforni. Ishte muzikant, këngëtar, autor, producent, kompozitor, koreograf, prodhues, kërcimtar amerikan, shkruan KultPlus.

I pagëzuar si ‘Mbreti i Popit’, siç kanë dëshirë ta quajnë adhuruesit e kësaj muzike, ai njihet si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Kontributet e tij në muzikë, kërcim, modë, e kanë bërë atë figurë globale në kulturën botërore për më shumë se katër dekada.

Më poshtë gjeni një nga këngët e tij të njohura “You are not alone”, bashkë me tekstin. / KultPlus.com

Një poete franceze e dashuruar me dervishët shqiptar

Dervishi, përballë saj… Në heshtjen e dhomës dhe meditimin e gjatë. Një dialog nën zë, ndërkohë që ajo shkruan vargje. Poetja dhe dervishi. Dervishi otoman, zbarkuar në Paris nga miku i saj, piktori Omer Kaleshi. Dervishi që e ka lënë teqenë e tij, që është larguar nga vallja e tij rrotulluese nën një muzikë “ney” dhe ka ndalur aty në dhomën e saj, një ditë të vitit 2012, ku qëndron ditë e natë brënda një kornize, duke e parë atë me sytë e tij të mbyllur.

«Edhe pse symbyllur, dervishi shikon» – thotë piktori. Magjia e mistikës. Dervishi ka fatin ta shohë poeten dhe në çastet e saj intime, dhe atëherë kur ajo zhvishet, flë, zgjohet, me këmishën e saj të hollë me hiret e saj lakuriq dhe atë trup të hollë si nudot e hershme të vetë piktorit, atëherë kur ishte student, «nudo mjalti» siç i quan ajo, krijuar në vitin 1962.

E kisha fotografuar atë dervish në atelierin e piktorit, kur ai e kishte zbritur atë nga kavaleti i tij i vjetër dhe e kishte vendosur në kornizë. Pastaj një ditë, dervishi, kishte shkuar të gjente një strehë tjetër, më të gëzuar e femërore, një strehë të përhershme, dhomën e poetes që e shikonte me aq kërshëri, poetes që i kishte kënduar aq shumë: « … dervishi ballë shtratit tim nuk është në të zeza veshur me të bardha është gati të vijë rrotull por ai nuk rrotullohet është gati për ekstazën e tij ai qëndron i qetë dhe i paqtë aty duke pritur ceremoninë…”.

Gjithçka kishte një shije dashurie, apo diçka më shumë: sublimja e ngjyrës, figurës dhe fjalës, e poezisë me pikturën, për çka aq shumë kishte shkruar dhe i madhi Leonardo Da Vinci. Atje në atelierin e tij krijohej mrekullia.

A nuk ka shkruar ajo për tablotë e tij se: «Mrekullia mbahet veç në një fill ku ti var nga një breg në tjetrin peshq dhe koka virgjëresha dhe barinj një lot alkimik…» Ja ku kam ardhur tashmë në sallonin e mikes time Laure Cambau.

Dervishi nuk është vetëm. Jemi tre. Ai rri i heshtur dhe dëgjon fjalët tona për atin e tij, krijuesin e tij, Omer Kaleshin. Kur Laure u njoh me Kaleshin dhjetë vjet më parë, kur kisha organizuar ekspozitën e madhe të tij në hollet e bashkisë së Parisit XIII, ky piktor e habiti me kokat e shumta të tij: Omeri i kokave. Vallë përsëri një poemë homerike në kohët moderne?

Shpejt poetja e adhuroi dhe krijuesin e kokave. Ngjiste shkallët e shumta të katit të shtatë atje në bulevardin Arago. Shkonte të shikonte kokat e reja, barinj e dervishë, vajza që shisnin fruta, çobanë të rinj, personazhe të dramës së fundit ballkanike, fëmijë, fytyra ballkanasish të vjetër e të rinj. Atje, në atelier, ajo shijonte dhe rakinë e tij, dhe heshtjen e tij, pasi Omeri flet pak, ose aspak… një “heshtje memece”, siç e cilësonte miku i tij, filozofi Jacques Lacarriere, i cili po ashtu i kishte kushtuar shumë poezi kokave të tij.

Dhe kështu, poetja zbriste pastaj ato shkallë “qiellore” për të shkuar në shtëpinë e saj apo në kafene, për të shkruar vargjet e saj. Kokat e Omerit rijetonin kësaj rradhe brënda vargjeve: “Një podium kokash të vendosura e të futura bashkë një kokë e madhe mbi dy koka dy koka të vogla mbi një të madhe pesëmbëdhjetë koka kokëforta që bëjnë veç me kokë të tyre e nganjëherë të bijen mbi kokë!…”.

Dhe kështu, njëra pas tjetrës ajo krijoi nëntëmbëdhjetë poezi. Atëherë po përgatisja një libër me titull “Fjala e Omerikëve”, duke përmbledhur poezitë e poetëve të ndryshëm, miq të piktorit, si poetë francezë, shqiptarë, turq, maqedonas. Aty u vendosën edhe poezitë e Laure-s: një poezi, një tabllo.

Pas botimit të këtij libri në frëngjisht, shqip dhe maqedonisht, Laure Cambau do të vazhdonte udhëtimin e saj poetik nga atelieri i piktorit në sallonin e saj në Rue Damesme. Poezitë shtoheshin dhe kur takoheshim, unë shpesh e pyesja nëse kishte ende ndonjë poezi të re për mikun e saj. Dhe ajo m’i dërgonte për të shuar kureshtjen time: “Kam ëndërruar se më pikturoje dhe unë kisha frikë në të bardhën e telajos…” Këto poezi u botuan në librin poetik të saj Letra vagabondit qiellor (Lettres au Voyou céleste), të shtëpisë botuese Editions de l’Amandier, një vëllim i ndarë në dy blloqe poetikë, ku blloku i dytë E bardha pa të bardhë (Blanc sans blanc) i kushtohej Omerit dhe tablove të tij. Dhjetra poezi kushtuar Omer Kaleshit.

Por përsëri, kjo aventurë poetike, nga atelieri i bulevardit Arago, në Vavin, Denfert Rochereau apo në Buttes aux Cailles, etj, e pastaj do të vazhdonte në mbrëmjet e vona në Rue Damesme. Kështu u krijuan poezitë e tjera si Sytë e triptikut, Mbi sytë e mi, Tabloja e të katërve, Përse dy data – palimpsest, etj. E kuqe me të kuqe, e zezë pa të zezë… një paletë ngjyrash poetike ngjizur në vargje, si në një pjatancë frutash të Chardin. Piktori gjithnjë e befasonte atë me krijimet e reja të tij, por dhe poetja e befasonte piktorin me vargun e saj. Dhe ishte ai tani që më përcillte poezinë e saj më të fundit, një poezi pas tjetrës: «Merre, lexoje… bukur!»…

Dhe kështu lindi idea e këtij libri poetik, ku çdo poezi do të vendosej përkrah tablosë që e kishte frymëzuar atë, përcjellë nga frëngjishtja në shqip, nga njëri cep i urës gjigande në tjetrën, nga Parisi në Tiranë, në sofrën poetike të Rita Petros… Laure shikonte nuancat e së kuqes, humbiste në të kuq si në ujrat e një deti dhe në mëndje i vinte historia e asaj ngjyre pas së cilës ishte kapur aq shumë ai piktor: ngjyra e përzgjedhur e tij që në vitet e Akademisë së Arteve të Bukura në Stamboll: «Ti bën zjarr me çdo dru nga druri i spatulës tek druri i kavaletit nga këto flakë lind qielli i tablove të tua tabloja që mbushet me gjakun tënd në kufirin e së kuqes dhe të hapësirës nga hauri tek therrtorja fëmija rritet dhe në ditët që zgjohen kërkon ngjyrën e zjarrit gjaku thahet në tas dhe në porta në këmishat dhe në koka spatula vazhdon udhën e saj…”.

Në atelierin e Omerit, çdo detaj kishte për të një domethënie. Shpesh gjendeshim të tre, ulur në minderet otomane, para një rakije që ia sjell piktorit gjithnjë nga Shqipëria.

Ajo vështronte atelierin dhe humbiste në detajet dhe imazhet e çuditshme të një jete, të një historie, në atë Ballkan të vockël, të rikrijuar aty, në katin e shtatë, buzë reve, në prag të qiellit dhe gjithësisë, në natën e yjëzuar… Përse ai kolltuk i rëndë prej druri i piktorit bërë nga duart e tij? Përse ajo musandër, ajo tabelë plot manometra elektrikë të një bote të shkuar, ato kukulla dervishësh, etj, përse syreti i gjyshit i varur në mur, figurinat në miniaturë të çobanëve, shportat ku ai imagjinonte të vendoste kokat e tij, ajo këmbë allçie që varej në tavan të atelierit apo ikona e kokës së prerë të Gjon Pagëzorit?…

Njëmijë “përse” të saj si njëmijë shkallë për tu ngjitur e zbuluar jetën e një njeriu, e një artisti. Dhe kështu, duke kërkuar domethënien e një date, një ngjarje, dhimbje e dashurie, ajo e ktheu këtë histori njerëzore në një poemë të gjatë që s’dihet kur do të mbarojë, pasi piktori është e habitshëm, poetja gjithashtu! Gjithnjë do të ndeshesh me një të papritur. Laure Cambau është një poete e njohur në rrethet letrare e poetike franceze.

Disa çmime ndërkombëtare ndër të cilat dhe çmimet “Poncetton” të SGDL (Shoqatës së të Drejtave Autorëve) për librin e saj Letra vagabondit qiellor më 2010 apo “Simone Laundry”, më 2015, etj, dëshmojnë statusin e kësaj poete në poezinë franceze e frankofone në përgjithësi. Poezinë ajo e përqafoi që në fëmijërinë dhe adoleshencën e saj, kur shtatë vjeçare shkroi poezitë e para e më pas tekste këngësh, kohë kur luante sonatat e para të Chopin në pianon e vjetër familjare.

Ishte biblioteka e madhe e prindërve dhe ajo botë librash që do t’i shpaloste magjinë e leximit dhe të krijimit, dhurata e nënës për ditëlindje me një vëllim të Baudelaire në “Pleiade” të Gallimard. Kështu Baudelaire u bë shpejt i preferuari i saj, ylli polar poetik. Pastaj Verlaine, Rimbaud…

Më vonë poetë të tjerë trokitën në dritaret e shpirtit të saj: Max Jacob, Eluard, Lorca… Çuditërisht dhe një poet mistik spanjoll: Jean de la Croix apo vetë figura e shenjtes Thérèse de Lisieux në Normandi. Poetë, mistikë dhe shenjtë… shenjtë të të gjitha feve dhe kombeve. Libri i parë poetik Bulevarde lunatike (Boulevards lunatiques), u botua në Editions Brocéliande, në vitin 1998, ku poezitë e saj ilustroheshin dhe me fotot e botuesit. Ishte padyshim një ngjarje në jetën e saj duke e frymëzuar për të ngjitur më shpejt shtigjet e reja poetike.

Laure Cambau është gjithashtu pianiste. Jo rrallë ajo të fton në koncertet e saj muzikore apo ato koncerte që ka dhënë nëpër Europë, ku poezia gërshetohet me sonatat e pianos, ku luan muzikë me tekstet e Heine, Holderlin, Eluard, Hesse, Lorca… Ndoshta është dervishi i Omerit ai që e shtyu atë të merrte udhët drejt Shqipërisë dhe t’i ngjitej Malit të Tomorrit, atje ku çdo vit bëhet festa e bektashinjve, atje ku kryegjyshi botëror, Baba Mondi, bën lutjen drejtuar Zotit të tij.

Lutje me aromë paqeje, shpirti që nuk vdes, vere dhe dashurie. Në dhomën e saj, Laure ka madje dhe një diplomë të firmosur nga dora e kryegjyshit për shfaqjen e saj në majën e Tomorrit në atë ditë plot diell të festës së madhe midis mijra besimtarëve. Ajo më tregon diplomën dhe qesh me mirësi.

Një diplomë ndryshe nga diplomat e tjera që shpërndahen në të katër anët e botës… diplomë mistike, sepse ishin dervishët që e nxitën kështu të shkruante për ta dhe për rrugëtimin e tyre të gjatë, nga Bektash Veliu në shekullin e XIII duke kaluar nëpër tokat dhe poemat e sufistit Jonuz Emré, për të ardhur në Malin e Tomorrit në Shqipërinë e vitit 2014.

Legjenda thotë se themeluesi i bektashizmit Haxhi Bektash Veliu, morri një grusht dhé nga varri i Baba Abaz Aliut dhe e vendosi në majën e atij mali, duke krijuar kështu një varr të dytë të shenjtë në malet shqiptare. E megjithatë, duket se jo vetëm dervishi i Omerit e nxitën atë të udhëtonte si të ishte një Aleksandra David Néel, Hester Stanhope, kontesha Gasparin që shkruante për brigjet e thepisura të Jonit shqiptar, Mary Montagy, udhëtare këto të shekullit XIX apo dhe si udhëtaret e kohëve moderne.

Ajo më tregon për profesorin e saj të historisë, kur ishte në shkollë në moshën 13 vjeçare dhe kur ai u fliste me entusiazëm për Shqipërinë maoiste dhe utopinë e një vendi që nuk donte t’ia dinte për superfuqitë dhe kjo tashmë e bën të qeshë me të madhe. Pastaj më tregon për shkrimtarin e njohur Robert Escarpit që i ati, mik i tij, gjithnjë kur e takonte e thërriste «Robert l’Albanais» («Roberti shqiptari»), i cili ishte mahnitur nga Shqipëria e «Gjeneralit të ushtrisë së vdekur».

Më pas ajo vazhdon të më tregojë për udhëtimin e familjes së saj në jahtin e një miku të afërt, kur sëbashku, nga Brindizi, ata u afroheshin brigjeve shqiptare pranë Shkodrës dhe kur shoqëruesi nxitoi t’i largonte nga ato brigje të heshtura pasi «ushtarët e Republikës së «paepur» mund ta kthenin udhëtimin e tyre në një «udhëtim funebër»… kështu, Shqipëria kishte mbetur një mit që gjithnjë e grishte, madje dhe në ditët kur do të shkonte në festivalin poetik të Strugës, aq pranë Shqipërisë mitike, «planetit të pashkelur» nga pinjollja e «princit të vogël»…

Më së fundi, atë gusht të vitit 2014, bashkë me poezitë e dervishëve të saj, ajo shkeli zbathur në tyrben e famshme dhe të shenjtë që ngrihej atje në majë të atij mali si një observator i shenjtë i shpirtrave njerëzore… Atje bashkohej dhe qielli, poezia, piktura e Omerit dhe shpirtra që kishin jetuar në mijra vjet.

Në dhomën e poetes Laure Cambau tabloja e dervishit, tabloja dhuratë e piktorit, është gjithnjë aty, përballë shtratit, varur si në një qiell mistik, i pagjumë e vigjëlues, i paqtë e njëherësh si një ashik i heshtur që vështron përtej brigjeve ballkanase: «… fle dhe vallëzoj dhe ëndërroj në të bardhë dhe ballë meje një dervish më flet fjalët e tij janë karemë memecë një qumësht blu që më bën për vete në një këngë para pemëve në të djathtë kam një plagë në të majtë një “flakë të pikturuar» dhe ballë meje një dervish…

Nga Luan Rama / KultPlus.com

153 vite nga lindja e nobelistes, Grazia Deledda

Shkrimtari Mario Ciuso Romagna, tregon se një të premte të shenjtë, pranë katedrales së Santa Maria della Neve (Nuoro), Grazia Deledda qortohet haptazi në sy të të pranishmëve nga predikuesi, i cili duke e treguar me gisht i thotë se do të ishte më mirë që ajo t’i lutej Zotit, sesa të tregonte interes për disa histori të padenja. Kjo gjë u bëri shumë përshtypje të pranishmëve, të cilët nuk e kaluan pa vënë re këtë fakt.

Zoti Antonio Ballero, një figurë e spikatur e qytetit, iu kundërvu priftit, duke kontestuar ofendimet që ai i drejtonte shkrimtares së re. Në fakt, ky nuk ishte kontestimi i vetëm që iu bë shkrimtares nga kisha. Giovanni Colombo, arkipeshkvi i Milanos gjatë periudhës 1963–1979, nuk ia fali guximin që ajo kishte për të shkruar për priftërinjtë duke e qortuar, për faktin se i konsideronte ata “njerëz të thjeshtë”, duke mos iu atribuuar atyre lëvdata të “karakterit kishtar”, pra me pak fjalë një krim kundër pushtetit të Zotit.

“S’kemi ç’bëjmë” – tha Colombo. – “Deledda ka një besim të cunguar, i cili nuk i vjen natyrshëm dhe shpirti i besimit katolik thuajse nuk ekziston tek ajo”. Një gjykim ky, disi i nxituar, i veshur me një gjuhë retorike klerike, të cilën Deledda e denoncoi në romanet e saj.

xxx

Romani “Nëna” (1920) u bë botërisht i njohur nga përkthimi i shkëlqyer që iu bë në gjuhën angleze dhe falë punës impenjative me frazat, të David Herbert Lawrence, në vitin 1928, vit në të cilin ai shkroi romanin shumë të njohur “L’amante di Lady Chatterley” (I dashuri i Zonjës Chatterley). Shkrimtari anglez u impenjua personalisht për ta bërë të famshëm romanin. Ai e qortoi Deledda-n që nuk i kishte dhënë rëndësinë e duhur primitivitetit dhe pasionit, cilësive më të kërkuara prej Lawrence. Deledda zgjodhi një tjetër rrugë, duke propozuar dy figura, si Maria Maddalena dhe Anjeza, të cilat i paraprinin emancipimit të femrës, shkëndijat e para të të cilit filluan pikërisht në vitet kur u shkrua romani, menjëherë pas Luftës së Parë Botërore.

Ndërgjegjja e Anjezës, një heroinë moderne

Anjeza është një vajzë e re, me të cilën Paulo, famullitari i Aar, ka një marrëdhënie dashurie. Giovani Colombo e përshkruan si një “femër fatale”, “e tunduar dhe tunduese”, që e kthen priftin në skllavin e saj duke e kërcënuar se do të hakmerrej dhe do të bënte skandal. Në pamje të parë ngjan me klishetë e zakonshme klerike dhe maskiliste, që nuk ndiejnë asnjë keqardhje apo simpati njerëzore. Anjeza nuk është e tillë. Ajo është heroina moderne. Paulo, shkon në shtëpinë e Anjezës me qëllimin ose të paktën kështu shfaqet, për të prishur marrëdhënien midis tyre. Ai përdor një gjuhë fetare, duke thënë se nga pozicioni i priftit, është i detyruar të veprojë kështu. Fjalimi i tij është i mbushur me fjalë të mëdha, të vërteta për Zotin, për sakrificën.

Por Anjeza ia çjerr maskën, duke nxjerr në pah arsyen e vërtetë që e shtyn Paulon drejt ndarjes. Nuk është e vërteta ose frika nga Zoti që e shtyn të ndërmarrë këtë hap, por është frika nga e ëma, nga njerëzit dhe nga plasja e ndonjë skandali. Kështu që Anjeza i përplas në fytyrë një tjetër të vërtetë. “Cila është atëherë e vërteta? Përse nuk flisje kështu edhe dje në mbrëmje? Po mbrëmjet e tjera? Sepse e vërteta është krejt ndryshe. Ndoshta dikush na ka zbuluar, mbase nëna jote dhe ti ke frikë nga bota.

Nuk është frika ndaj Zotit ajo që të shtyn të më lësh”. Anjeza ka të drejtë dhe Paulo e pranon dhe vetë se: “Më shumë se frika apo dashuria ndaj Zotit apo neveria ndaj mëkatit, e tmerronte frika për pasojat e një skandali të mundshëm”. Anjeza është e vetëdijshme që ka dinjitetin e një gruaje të rritur dhe nuk do që ta trajtojnë si një minorene tekanjoze apo si një lodër. Nuk është ajo që e joshi dhe është e ndërgjegjshme për moralin e saj.

“Ndërgjegje? Sigurisht që kam, nuk jam më fëmijë dhe kjo ndërgjegje më thotë se bëra gabim që të besova ty. (…) Mos erdha gjë unë në shtëpinë tënde? Erdhe ti në timen dhe luajte me mua si një fëmijë”. Përballja titanike mes Anjezës dhe Paulos sa vjen e bëhet më e ashpër, duke bërë edhe Zotin të pranishëm në të. Anjeza, si një femër vërtet moderne, vë në dyshim veprimet e Zotit, madje edhe ekzistencën e tij.

“Përse Zoti nuk të ndriçoi më përpara? (…) Zoti. Nëse Zoti ekziston nuk duhej të lejonte që të takoheshim, nëse më pas do të na ndante.” Por në fakt Anjeza, nuk rebelohet kundër Zotit, por ndaj tentativës së Paulos që kërkon ta instrumentalizojë atë. Anjeza nuk pajtohet me gjuhën fetare që ai përdor si një mburojë hipokrite, a thua se Zoti të ishte një klerik.

“Duhet të jemi të pastër dhe të fortë, thua ti, por këtë gjë e thua vetëm tani. Më ngjall neveri. Zhduku sa më larg, që sonte madje, që kur të zgjohem në mëngjes të mos jem e tmerruar nga ideja se do të shfaqesh për të më poshtëruar kështu. (…) Ti mbrëmjen e djeshme thoshe t’ia mbathnim; ti do të punoje dhe ne do të martoheshim. A the kështu? A the? Ndërsa sonte vjen e më përrallis për Zotin dhe për sakrificën. (…) Nëse ti nesër në mëngjes do të mbash sërish meshën në kishën tonë, unë do të vij dhe nga altari do t’i them popullit: Ky është shenjtori ynë, i cili ditën bën mrekullira dhe natën del për të joshur vajzat.”

Një grua e rritur dhe e pavarur

Është viti 1920 dhe ngjarjet zhvillohen në Barbagia. Të kesh këtë lloj këndvështrimi për një çështje tepër delikate dhe të sfidosh skandalin e pashmangshëm në të tilla raste ku përfshihet edhe hierarkia kishtare, kjo nga ana e Deledda-s kërkon një kurajë të madhe dhe një shkallë të lartë vetëdijeje për mendimin dhe artin. Të njëjtën kurajë dhe vetëdije kishte Anjeza. Ajo është një grua e lënduar, e cila luan të gjitha letrat për të mbajtur pas vetes burrin që do, por jo me çdo çmim. Jo në dëm të dinjitetit të saj. Ajo është një femër që ka respekt për veten.

Ndjenjat e saj, edhe pse mund të duket paradoksale, në rrethana të caktuara, janë të pastra dhe fisnike. “Kujton se po flet me një fëmijë? Jam plakë. Më plake ti brenda pak orëve. Rruga drejt jetës ishte kjo? Që do të vazhdonim kështu, fshehurazi apo jo? Unë më pas të gjeja një burrë; ti që do të celebroje dasmën time … dhe do të vazhdonim të takoheshim dhe të mashtronim të gjithë për gjithë jetën? Ik ore, ti nuk më njeh, nëse vërtet ke besuar këtë. (….) Atëherë le t’i japim fund. Le të ndahemi (…). Unë nuk dua të të shoh më kurrë”.

Anjeza bërtet dhe përsërit me pasion dhe dinjitet se është një grua e rritur, madje edhe e pavarur ekonomikisht. Me Anjezën, Deledda do të na sjellë heroinën moderne, e aftë për të marrë vetë vendime për veten, edhe pse gjendet e rrethuar nga një ambient patriarkal dhe maskilist. “Kam para, e di? I kam dhe janë të miat. Dhe nëna jote, vëllezërit e mi dhe gjithë të tjerët do të na kërkojnë falje pasi të shohin dhe kuptojnë se ne kemi dashur të jetojmë të vërtetën”.

Vetë Grazia Deledda, gjatë një interviste të dhënë në radio pas marrjes së çmimit “Nobel” në vitin 1926, deklaroi plot krenari se kishte realizuar atë çka dëshironte. E tërhequr nga bota, zgjodhi të jetonte në Romë, “ku pas shkëlqimit të rinisë, ndërtova një shtëpi timen, ku jetoja e qetë bashkë me shokun e jetës sime”.

Anjeza dhe Paulo qëndrojnë përballë njëri–tjetrit si një burrë dhe një grua, të cilët duhet të bëjnë llogaritë me ndjenjat e tyre. Paulo është mbi të gjitha një burrë, i cili nuk arriti të merrte ndonjë titull kishtar si “don” apo “at”. Deledda guxoi ta çonte përballjen ndërmjet Paulos dhe Anjezës në një rrafsh universal, atë të një burri dhe një gruaje, të cilët gjenden në një situatë jo të zakonshme.

Ata duhen, e kërkojnë njëri-tjetrin, por në të njëjtën kohë edhe shtyhen. Por Anjeza na shfaqet më e qartë dhe e kthjellët, cilësi të cilat Paulo nuk i ka. “Ik! Zhduku! … Nuk isha unë që të thirra. Duhet të bëhemi të fortë, pse u ktheve? Pse më puthe sërish? Nëse mendon se mund të tallesh me mua, gabohesh.

Nëse beson se mund të vish këtu natën dhe ditën të më shkruash letra fyese, përsëri gabohesh. Siç u ktheve sonte, do të kthehesh prapë nesër dhe pastaj çdo natë me radhë. Ti do të më çmendesh. Nuk dua, jo, nuk dua”! Paulo nuk është njeri i keq. Ai thjesht nuk ka kurajën për të bërë atë që duhet (ashtu siç ndodh rëndom me meshkujt kur janë në marrëdhënie dashurie të komplikuara).

Primo Mazzolari

Në familjen e Deledda-s, e përbërë nga “njerëz të mençur, por edhe nga të dhunshëm dhe artistë primitivë”, kishte edhe një dajë prift, Sebastianon. Në bibliotekën e tij, Grazia e vogël gjeti shumë libra, të cilët i lexoi me shumë kuriozitet. Ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti se Deledda mbante një korrespondencë të shkruar me Primo Mazzolari-n, një prift shkrimtar dhe partizan, një prej figurave më fisnike të katolicizmit të viteve 1900.

Lidhja e veçantë mes Deledda-s dhe Mazzolari-t, erdhi dhe si pasojë e njohjes që famullitari i njohur i Bozzolos (Mantova) kishte me burrin e Grazia-s, Palmiro Madesani, me origjinë nga rrethinat e Viadanës. Nuk dihen specifikat e korrespodencës ndërmjet tyre, por nëse Grazia dëshironte të mbante një të tillë me një prift të lirë, të sinqertë dhe antikonformiste, Don Primo ishte padyshim më i miri. Por përveç frekuentimeve të saj, Deledda arrin të gërmojë në thellësitë e shpirtit njerëzor dhe të shqetësimeve fshehur brenda tij. Paulo ishte një prift, por mbi të gjitha ishte një qenie njerëzore dhe duke pasur aftësinë për të njohur qeniet, Deledda arrin të njohë dhe priftërinjtë.

Edhe pse hierarkia fetare u irritua ndaj Grazia Deledda-s, shkrimtarja e jetoi jetën e saj në një ndjenjë të thellë fetare, duke deklaruar besimin e saj në Zot. Grazia deklaroi se “ajo ka pasur gjithçka që një femër kërkon nga fati i saj, por mbi të gjitha besimin te jeta dhe te Zoti”. Romanet e Deledda-s janë të mbushura me jetën dhe natyrën, me tema të çmuara që ia vlen të thellohesh brenda tyre. Veprat e saj na flasin për besimin e shkrimtares në Zot.

“Nëna” është një roman i mbarsur nga shpirti fetar, nga thënie dhe imazhe biblike dhe evangjeliste. Deledda ishte gjithashtu një njohëse e mirë e Biblës dhe shumë prej protagonistëve të veprave të saj, kanë emra biblikë. Anjeza është një përjashtim i rrallë prej tyre.

25 gusht 2017/Shqip/ KultPlus.com

“Coldplay” grupi britanik më i dëgjuar i shekullit XXI

“Coldplay” është cilësuar si grupi britanik më i dëgjuar i shekullit XXI – nga kompania e licensimit të muzikës PPL.

“Rock-erët e Pop-it londinez – të përbërë nga solisti Chris Martin, Guy Berryman, Jonny Buckland dhe Will Champion – u transmetuan 40,000 herë më shumë në radio dhe TV në Britaninë e Madhe sesa Rock-erët klasikë “Queen”, të cilët u renditën në vendin e dytë”, sipas kompanisë.

Kënga më e dëgjuar e “Coldplay” ishte hiti numër një i vitit 2008 “Viva La Vida” – e pasuar nga hitet e tjera të tyre si “Paradise”, “Clocks”, “Something Just Like This” dhe “Adventure Of A Lifetime”.

Që nga publikimi i albumit të tyre debutues numër një – me shitje rekord – “Parachutes” në vitin 2000, grupi ka pasur gjithsej nëntë albume rekord të renditura në krye.

“Ky vend ka prodhuar disa nga grupet më ikonike dhe më të suksesshme të të gjitha kohërave, kështu që dokumentimi i tyre është një mënyrë e përsosur për të shënuar Ditën Kombëtare të Albumit të këtij viti”, tha shefi ekzekutiv i PPL, Peter Leathem.

Përfshirë grupe të 60 viteve të fundit, kjo listë është një kujtesë e forcës dhe thellësisë së muzikës britanike gjatë dekadave. “Coldplay” kryesojnë në vendin e parë – pak artistë mund të pretendojnë se kanë pasur një prani të tillë në radio dhe TV e Britanisë së Madhe që nga viti 2000.

Në vendin e tretë në listë renditet grupi i djemve “Take That”, ndërsa grupi i vajzave “Little Mix” pasuan në vendin e katërt dhe “The Beatles” u renditën në vendin e pestë.

Lista e grupeve britanike më të dëgjuara në shekullin XXI si më poshtë:

1. Coldplay

2. Queen

3. Take That

4. Little Mix

5. The Beatles

6. Oasis

7. The Bee Gees

8. The Stereophonics

9. The Eurythmics

10. The Rolling Stones

11. Clean Bandit

12. Duran Duran

13. Sugababes

14. The Police

15. Simply Red

16. Snow Patrol

17. Electric Light Orchestra

18. Keane

19. Wham!

20. Texas

/ KultPlus.com

Kurti takohet me O’Brien, Kasanof e Lajcak në Nju Jork: Kosova konstruktive, Marrëveshja e Aneksi duhet zbatohen të plota

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësen e tij, Donika Gërvalla Schwarz kanë takuar në Nju Jork dy zyrtarët e lartë të SHBA-së, Ndihmës Sekretarin Për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Jame O’Brien, emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak.

Kurti i ka pritur të tre diplomatët e huaj në konsullatën e Republikës së Kosovës në Nju Jork.

Sipas një komunikate nga zyra për media e kryeministrisë, në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Kurti në këtë takim ka thënë se Kosova është e përkushtuar dhe angazhohet në mënyrë konstruktive në procesin e dialogut  dhe ka thënë e Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i saj i implementimit duhet të zbatohen të plota.

Në takim është diskutuar edhe për përvjetorin jubilar të Procesit të Berlinit dhe për bashkëpunimin rajonal./ KultPlus.com

Osmani takon presidentin e Malawit: Kosova është e bekuar me miq në çdo anë të botës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është takuar me presidentin e Malawit, Lazarus Chakwera.

Ajo tha se përkundër distancës, ata kanë shprehur përkushtimin për thellim të marrëdhënieve.

“Në New York, takova edhe Presidentin e Malawit, Lazarus Chakwera. Pavarësisht distancës midis shteteve tona, përkushtimi për ta thelluar bashkëpunimin në të mirë të qytetarëve tanë, mbetet i palëkundur. Kosova është e bekuar me miq në çdo anë të botës”, tha Osmani.

Ka më shumë se një javë që Osmani po qëndron në SHBA në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Nga atje, ajo ka njoftuar për një sërë takimesh me liderë botërorë. / KultPlus.com

Vdes aktorja e famshme Maggie Smith

Aktorja Dame Maggie Smith, e njohur për filmat “Harry Potter” dhe “Downton Abbey”, ka vdekur në moshën 89-vjeçare, ka thënë familja e saj.

“Ajo ndërroi jetë paqësisht në spital herët në mëngjesin e sotëm, e premte 27 shtator. Një person privat, ajo ishte me miqtë dhe familjen deri në fund. Ka lënë dy djem e pesë nipa e mbesa që janë shkatërruar nga humbja e nënës dhe gjyshes së tyre të jashtëzakonshme”, thuhet në deklaratën e djemve Toby Stephens dhe Chris Larkin.

Djemtë e aktores kanë kërkuar mirëkuptim për privatësi, ndërsa kanë falënderuar të gjithë për mbështetjen./rtv21/KultPlus.com

“Përtej barrierave-Gjithëpërfshirja në Kulturë dhe Art”, panel premtues për përmirësimin e kushteve në institucionet kulturore

“Përtej barrierave-Gjithëpërfshirja në Kulturë dhe Art” ishte paneli në ditën e tretë të FEMART 12 ku diskutimi u përqendrua në mënyrat se si mund të krijohen hapësira artistike dhe kulturore më gjithëpërfshirëse, duke kapërcyer barrierat që shpesh pengojnë pjesëmarrjen e plotë.

Në këtë panel diskutimi morën pjesë: Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në MKRS, Kushtrim Sheremeti, drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Elvana Shala, Ambasadore e Vullnetit të Mirë dhe Mimozë Musliu, pjesë e ArtPolis, e cila prezantoi edhe manualin me udhëzimet për gjithëpërfshirje për personat me shikim të dobët dhe persona të verbër në aktivitete dhe institucione kulturore, panel që u moderua nga Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus.

Me një panel fantastik, të cilët kanë ndarë praktika të mira dhe strategji që promovojnë një qasje të hapur dhe të barabartë për të gjithë, ky diskutim është frymëzuar nga manuali për qasje të personave të verbër dhe me shikim të dobësuar në ngjarje kulturore.

Vëmendje të veçantë kishte rëndësia e përfshirjes së të gjithë individëve, pavarësisht prejardhjes, aftësive apo përvojave, në botën e kulturës dhe artit.

Dita III në FEMART 12 vazhdon edhe me shumë aktivitete të tjera/ KultPlus.com

Demo: 800 mijë vizitorë në këta 9 muaj në Berat

Qyteti i një mbi një dritareve ka shënuar një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj në janar-shtator të këtij viti.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau sot në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, një video me pamje nga vizitat e turistëve në rrugicat dhe pikat turistike të qytetit.

“Dita Ndërkombëtare e Turizmit, ditë e cila kuptimin e plotë e merr pikërisht në Beratin e magjishëm, të turistëve të të gjitha moshave e kombësive e që përgjatë këtij viti, deri tani, ka mirëpritur plot dashuri në hotele, bujtina dhe shumë shtëpi që kanë hapur dyert për vizitorët e shumtë”, tha Demo.

Kryebashkiaku Demo bën të ditur se “vetëm në muzeun Onufri numri i vizitorëve deri më tani është 80 000, ndërsa numri i vizitorëve në territor është afër 800 000”.

Në videon e shpërndarë nga kryebashkiaku Demo një turiste tregon se ajo çfarë e tërhoqi të vizitonte Beratin ishte kalaja dhe shtëpitë e vogla të bardha.

Një tjetër turist u shpreh se “e kam vizituar Beratin në 2012 dhe tani jam rikthyer sërish për të parë të gjitha ndryshimet që qyteti ka pësuar sesi qyteti ka evoluar. Më pëlqeu shumë kalaja herën e parë. Tani do të fillojmë të vizitojmë gjithë qytetin.

“Ka rrugica të vogla shumë të këndshme, më pëlqeu qyteti i vjetër, ka shumë mundësi zgjedhjeje për të dalë për drekë apo darkë me ushqim të mrekullueshëm”, tha një turist.

Edhe pse jemi në ditët e fundit të shtatorit, rrugicat e kalldrëmta të lagjeve “Mangalem” dhe “Gorricë”, si dhe Kalaja janë të mbushura me turistë vendas e të huaj.

E veçanta është se turistët përveç vizitave në këto pika turistike këtë vit janë orientuar edhe ndaj sportit të aventurës dhe degustimit në kantina.

Turistët kanë preferuar këtë vit xhirot me kayak në liqenin e Qafë Dardhës, cooking class në disa prej restoranteve, kanoe e çdo lloj tjetër aktiviteti që është më shumë se material, por transmeton kulturën e qytetit 2400-vjeçar./atsh/KultPlus.com

TIFF, në program edhe prodhime kinematografike të vitit 2024

Në ditën e 5-të të Tirana International Film Festival, në seksionin PerspecTIFF u shfaq filmi Xoftex, prodhim i vitit 2024 nga regjisori argjentinas Noaz Deshe.

Filmi, një prodhim franko-gjerman, trajton temën e emigracionit, por në një mënyrë krejt të pazakontë nga sa kemi parë në filma të tjerë të së njëjtës tematikë.

“Xoftex” rrëfen historinë e Nasser-it dhe miqve të tij që nisën të xhirojnë skeçe satirike e të përgatisin një film horror me “zombie”, ndërsa presin të japin intervistë në zyrën e emigracionit.

Edhe realiteti i kampit i ngjan një skenari horror, me tension në rritje dhe konflikte që mjegullojnë ëndrrat dhe ankthet e protagonistëve.

Një tjetër takim i rëndësishëm me TIFF-in ishte ai i mbrëmjes, në kinema Agimi me filmin e Alessandro Blasetti-t, “Io, io, io…e gli altri”, ku interpreton i mirënjohuri Marcello Mastroianni. Filmi është pjesë e sesionit RetrospecTIFF që vjen në këtë festival si homazh në 100-vjetorin e lindjes së kolosit të kinematografisë italiane./atsh/KultPlus.com

Publikohet kënga “Aria” e Ertan Iliyaz, realizohet me ndihmën e inteligjencës artificiale

Artisti Ertan Iliyaz, ka publikuar videoklipin e tij më të ri të titulluar “Aria” i cili është krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Ky projekt është një ndër realizimet e rralla në Kosovë, që janë përdorur mekanizmat e inteligjencës artificiale. Xhirimet janë zhvilluar në disa vende të Prishtinës si parku i Ulpianës dhe Parku i Qytetit, por që kanë marrë pamje tjetër nga përdorimi i animacionit.

“Muzikantët që kanë kontribuar në këtë projekt janë: Piano- Ertan Iliyaz, Kitare Elektrike- Teoman Globoder, Bass Kitare- Birol Urcan, Trumpet- Avni Krasniqi, Bateri Elektrike dhe Perkusione- Gent Gorani dhe Vokaliste- Fiona Shabani. Kompozimi është bërë nga Ertan Iliyaz, Regjia nga Alban Goranci, ndërsa aranzhimi nga Gent Gorani dhe Ertan Iliyaz”, thuhet në njoftimin për media nga aktori Alban Goranci.

Tutje, në njoftim thuhet se zëri i vokalistes e plotëson rrëfimin dhe evokon ndjesi të ndryshme emocionale.

“Konceptualisht, instrumentistët, vokalistja dhe vajza e cila vallëzon e shoqëruar nga muzika, prodhojnë një botë më të bukur dhe paqësore”, thuhet në njoftim.

Videoklipi i është kushtuar vajzës së ideatorit dhe realiazorit të këtij projekti muzikor, Erta Iliyaz, ndërsa qëllimi kryesor i projektit është nxitja e pozitivitetit te njerëzit nëpërmjet artit muzikor, që në fokus e ka një fëmijë teksa vallëzon me çiltërsi, nën tingujt e instrumenteve, që bëhen bashkë dhe krijojnë një atmosferë të ngrohtë.

Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Komuna e Prishtinës, për çka u jemi shumë mirënjohës./KultPlus.com

Mbrëmje letrare në Prishtinë, do të prezantohet romani “Shtëpia e verdhë” nga Bashkim Hoxha

“Shtëpia e verdhë” është romani më i fundit i shkrimtarit Bashkim Hoxha që do të prezantohet para audiencës së Prishtinës.

Romani “Shtëpia e verdhë” është botuar nga Shtëpia Botuese “Bard Books”, kurse promovimi i këtij romani do të bëhet më 1 tetor, në ora 17:00 në Librarinë “Dukagjini” në Prishtinë./ KultPlus.com

Muzeu i Mitrovicës me qasje për personat e komunitetit të verbër

Muzeu i Mitrovicës shënoi një ngjarje të rëndësishme duke lansuar qasjen për personat e verbër, me përkthim të narrativave të ekspozitave në alfabetin Braille, si dhe me përkthim të dy guidave në gjuhët shqipe dhe serbe, po ashtu në alfabetin Braille.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Fahri Jashari, u shpreh se “kjo është një ditë historike për kulturën dhe gjithë qytetarët e Mitrovicës”, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së komunitetit të verbër në muze. Ndërsa Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës,  Daut Tishaku, u shpreh i emocionuar, duke thënë se “jemi shumë të gëzuar që Muzeu i Mitrovicës është muzeu më i qasshëm për komunitetin e të verbërve në Kosovë.”

Drejtoresha e Muzeut, Nora Prekazi, falënderoi Rrjetin e Muzeve Ballkanik, Fondacionin Dhemetra, dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport për mbështetjen e tyre në krijimin e kësaj qasjeje dhe për organizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm, që u mbajt në kuadër të Javës së Trashëgimisë Evropiane. Ajo u shpreh se “Muzeu i Mitrovicës është i gjithë komuniteteve të Kosovës.”

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Shoqata e të Verbërve të Prishtinës, Mitrovicës Jug dhe Mitrovicës Veri. Po ashtu, në kuadër të kësaj ngjarjeje, u organizua një punëtori së bashku me Qendrën Burimore “Xheladin Deda” nga Peja.

Ky aktivitet ishte pjesë e projektit “Touching Heritage of Museum of Mitrovica,” përkrahur nga Rrjeti i Muzeve Ballkanik, Fondacioni Dhemetra dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport./ KultPlus.com

Ti po vjen që prej së largu

Poezi nga Lasgush Poradeci

Ti po vjen që prej së largu magji-plotë e dal-ngadalë.
Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mbi lendina.
Nën thëmbërzat e tua përgëzohet trendelina,
Shtrihet lulja mitare e zambakut qe t’ u fal.

E si shkon me hap te matur, më pushton një dhëmshuri:
Do të tretem të kullohem në kalim të këmbes s’ ate,
T’ i pushtoi i llaftaruar ato hapëza mëkate
Ndaj kalon mbi tufë lulesh madhërisht si yll i ri.

Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim,
Poshtë fillit të poleskës ku do shkeli kamba jote.
Të të shtroj nga dhëmbja ime një cudi prej pikash lote,
Një pluhurë të përvajshme vetëm dhëmbj’ e dëshirim.

Të m’ a shkelish hije- letë ! të m’ a shkelish mes për mes !
Të të shoh si më lekundesh me sy fjetur e fatuar,
Brënda lotëve të mija të të shoh të pasqyruar,
E pastaj le të venitem, le të hesht e le të vdes./ KultPlus.com

NATO fton në sfidë studentët e Ballkanit Perëndimor

Në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit është depozituar nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme iniciativa e lançuar nga NATO ACT, “Sfida studentore e NATO-s-Ballkani Perëndimor”.

Përmes kësaj iniciative synohet inkurajimi i studentëve për t’u njohur me rolin e NATO-s dhe sfidat strategjike në rajon.

Ky konkurs fton studentët nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t’i përgjigjen pyetjes: “Sipas mendimit tuaj, cilat janë sfidat më të rëndësishme të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe si duhet ta trajtojnë NATO-ja, aleatët dhe partnerët?”

Studentët e kualifikuar duhet të dorëzojnë përgjigjet e tyre në formën e një videoje treminutëshe përmes platformës “Award Force” deri më 6 tetor 2024.

Tre kandidatët më të mirë do të ftohen në Sarajevë, në datat 22-24 tetor. Përveç kësaj, fituesve do t’u jepet mundësia t’ua paraqesin idetë e tyre zyrtarëve të lartë të NATO-s./atsh/KultPlus.com

Shkodra shënon tjetër rekord vizitorësh

Në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër njoftoi se Kalaja e Rozafës shënoi plot 127,538 vizitorë.

Ky tregues, mes të tjerash, tregon që ky sit mbetet një nga parqet arkeologjike më të vizituara në të gjithë Shqipërinë ndërsa shton përgjegjësitë për t’u kujdesur fort për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore e për të vazhduar punë të bukura përpara për promovimin e turizmit në Shkodër përmes thesareve të trashëgimisë.

Kalaja e Shkodrës, apo siç njihet ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë, emri i së cilës vjen prej një legjende të lashtë. Kalaja është ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, nga ana jug-lindore e tij. Rezulton të jetë ndërtuar qysh nga antikiteti duke ju rezistuar shekujve e duke qëndruar krenare deri në ditët tona.

Kalaja ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar të gjithë territorin e gjerë përreth. Ajo përbëhet prej tre oborreve kryesore që janë në formë të shkallëve duke u ngritur njëri pas tjetrit ku dhe ndahen me porta mes tyre. Një strukturë e tillë e bën më të thjeshtë orientimin e turistëve në hapësirat e objektit./atsh/KultPlus.com

80 vite nga vdekja e Petro Poga, një nga figurat e rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare

Përkujtojmë sot më 27 shtator 1944 ndarjen nga jeta të patriotit e burrit të shtetit Petro Poga, një nga figurat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe më pas ministër i shtetit shqiptar.

Mësimet e para i ndoqi në Erind të Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Stamboll në shkollën e drejtësisë “Mestebi Sultan” më 1883. Njihte mirë disa gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht, greqisht dhe turqisht. Në Stamboll bashkëpunoi me vëllezërit Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, si dhe me Jani Vreton, Koto Hoxhin, Shahin Kolonjën, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin. Në vitin 1884 themeloi dhe botoi gazetën “Drita” të Stambollit, dhe të përkohshmen “Promitheu” në gjuhën greke. Më 1883-1885 vazhdoi rendin e dytë të shkollës së drejtësisë dhe në periudhën 1885-1886 punoi si avokat në kryeqytetin perandorak dhe dha mësim lëndën e historisë në liceun Stavrodhromit në Pera.

Në vitet 1886-1912, Poga punoi si avokat dhe këshilltar ligjor i Prefekturës së Gjirokastrës. Roli i tij qe i rëndësishëm në themelimin e Klubit Patriotik “Drita” të Gjirokastrës, të cilin me vonë e udhëhoqën atdhetarët Hasan Xhiku, Idriz Guri, Hysen Hoxha, Veli Hashorva dhe Elmaz Boçe. Më 1912 qe përfaqësues i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku nënshkroi Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, Poga u caktua Ministër i Drejtësisë, si pjesë e Qeverisë së Parë Shqiptare.

Pas veprimtarisë në Vlorë, shkoi në Durrës ku iu dha posti i Ministrit të Drejtësisë në qeverinë Përmeti nën Princ Vidin. Së bashku me avokatët e shquar Kristaq Tutulani dhe Feim Mezhgorani hartoi Statusin që shkëputi Gjykatën Shqiptare nga juridiksioni i Perandorisë Osmane. Mori pjesë në hartimin e Legjislacionit Shqiptar dhe ndërtimit të Kushtetutës së Mbretërisë më 1928. / KultPlus.com

Ditët Evropiane të Trashëgimisë, tur në monumentet kulturore të Elbasanit

Tema e këtij viti e Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore është “Rrugë, Rrjete dhe Lidhje”.

Në kuadër të këtyre ditëve, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë, sektori i Elbasanit, ka organizuar një tur të veçantë që synon të ofrojë një përvojë të pasur kulturore për turistët vendas dhe të huaj.

Specialistët e DRTK Korçë shoqëruan vizitorët tek të gjitha atraksionet turistike dhe Monumentet e Kulturës të qytetit të Elbasanit, duke ofruar një shpjegim të detajuar mbi rëndësinë historike dhe kulturore të këtyre monumenteve.

Ky “udhëtim i shkurtër” u dha turistëve një mundësi unike për të kuptuar dhe vlerësuar trashëgiminë kulturore të Elbasanit, si dhe për të eksploruar rrjetet dhe lidhjet historike që e bëjnë këtë qytet një pikë të rëndësishme në historinë dhe kulturën e rajonit./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani në pritjen e Presidentit Biden: Aleancë që qëndron në themelet e shtetit tonë!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, kanë marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga Presidenti Biden dhe Zonja e Parë Dr. Biden.

“Aleancë që qëndron në themelet e shtetit tonë! Faleminderit Presidentit Biden dhe Zonjës së Parë Dr. Biden për mikpritjen dhe bashkëbisedimin!”, ka shkruar Presidentja Osmani./KultPlus.com

20 vjet në 27 fotografi, Fahredin Spahija do të prezantohet me ekspozitën personale “Shpirti Dervish”

Fotografi i njohur Fahredin Spahija do të prezantohet sonte me ekspozitën personale “Shpirti Dervish”, ekspozitë që për kurator ka Fahredin Shehun e që  përmbledhë punën 20 vjeçare të fotografit Spahija përgjatë ritualeve të dervishëve në Kosovë dhe Shqipëri, e që në këtë ekspozitë vijnë nëpërmjet portreteve, shkruan KultPlus.

Pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës, mbrëmja do të vazhdojë me performancën e Petrit Çarkaxhiut, sikurse që do të lexohen poezi të poetit të famshëm Rumi, e që në këtë mbrëmje do të vijnë nëpërmjet aktorit Nik Istrefi.

“Për mua, këto rituale, përtej religjionit, kanë kuptimin e një kulture mbi 600 vjeçare që begaton trashëgiminë tonë kulturore gjithandej hapësirave gjeografike shqiptare”, ka thënë fotografi Spahija, për këtë ekspozitë që do të hapet sonte në KultPlus Caffe Gallery, në ora 19:00.

Kurse kuratori Fahredin Shehu për këtë ekspozitë ka shkruar se: Poetika e fotografisë artistike e Fahredin Spahisë, ndërshtresohet nga talenti, mjeshtëria dhe puna e përsosmërisë së zanatit që elevohet në art, ndërkaq arti transhendohet në Teurgji. Kjo krijon një arkitekturë eterike (të dukshme gjithsesi si një hologram në Qiell dhe matrix-in si foto-print në Tokë), e cila ngritet në nivele më të larta të krijimtarisë artistike. Prandaj, kjo është në përputhje të plotë me atë që kam shkruar më herët: “Poezia është dhunti e Krijuesit dhe vjen nga mëshira e Tij”. Fahredin Spahija, me ndërveprim, në plotësi krijon (Quantum Entanglement – implikim/ngatërrim shpirtëror apo kuantik, krejt një lloj), të artit të tij fotografik me një njohje/realizim timin për Poezinë e epokës sonë dhe më tej, e cila për t’u kuptuar duhet domosdoshmërisht të posedojë dije polymath-ike, respektivisht ato blloqe ndërtuese të një filozofie sintetike.

Ekspozita “Shpirti Dervish” që do të hapet sonte, më 27 shtator dhe do të rri e hapur për një javë në KultPlus Caffe Gallery, është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte dhe Komuna e Prishtinës/ KultPlus.com  

Dita Botërore, OKB: Turizmi si instrument për paqen

Sot është Dita Botërore e Turizmit.

Tema e këtij viti është “Turizmi dhe Paqja”, temë e cila dëshiron të nxjerrë në pah rolin jetik të këtij sektori në nxitjen e paqes dhe mirëkuptimit midis kombeve dhe kulturave dhe në mbështetjen e proceseve të pajtimit.

OKB shprehet se, në një nivel global, ku kombet janë të ndërlidhura dhe të ndërvarura, turizmi, një industri e krijuar nga njerëzit dhe për njerëzit, shfaqet si një forcë bindëse dhe dinamike për të sfiduar stereotipet dhe për të sfiduar paragjykimet.

Ky sektor mund të perceptohet si mishërimi i dialogut ndërkulturor: ai lejon të takojmë “tjetrin”, të mësojmë për kultura të ndryshme, të dëgjojmë gjuhë të huaja, të shijojmë shije ekzotike, të lidhemi me qeniet e tjera njerëzore dhe të krijojmë tolerancë. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në thelb, turizmi është një përvojë edukative dhe shpirtërore që zgjeron mendjen.

Studimet kanë treguar se, vendet me një sektor turistik më të hapur dhe të qëndrueshëm priren të jenë më paqësore.

Turizmi përhap filantropinë dhe çon në bashkëpunim rajonal. Për shembull, disa vende afrikane po zbatojnë një politikë të hapur vizash për anëtarët e Bashkimit Afrikan për të inkurajuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe për të nxitur turizmin dhe tregtinë./atsh/KultPlus.com

Media gjermane “Merkur.de”: Alpet Shqiptare në krye të destinacioneve më interesante për t’u vizituar në 2025

Pas pushimeve verore, rifillon planifikimi. Por, cili është objektivi në listën e udhëtimeve për vitin e ardhshëm? Frymëzohuni nga vende më pak të njohura, shkruan Franziska Kaindl në një artikull të botuar në revistën gjermane “Merkur.de”.

Për shumë turistë, pushimet verore sapo kanë përfunduar – por pikërisht në këtë moment dëshira për të planifikuar udhëtimin e radhës është më e madhe. Në fund të fundit, pritjet janë gëzimi më i madh.

Viti i ardhshëm mund të jetë gjithashtu një mundësi për shumë turistë që të provojnë destinacione të reja udhëtimi.

Në funksion të protestave kundër turizmit masiv ose vapës së madhe në Mesdhe gjatë verës, turistët mund të jenë të etur për ajër të freskët kur planifikojnë pushimet e tyre.

Platforma online e udhëtimeve “Urlaubspiraten” ju sugjeron tre destinacione udhëtimi që deri më tani janë nën radar:  Alpet Shqiptare, Shqipëri; Laplanda, Finlandë; Galicia, Spanjë.

Jo vetëm bregdetin: vizitoni Alpet Shqiptare

Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet më në trend të udhëtimeve gjatë viteve të fundit – dhe vendi mesdhetar konsiderohet si një alternativë më e lirë kundrejt Greqisë.

Përveç bregdetit, pushuesit mund të hedhin një vështrim më të afërt në Alpet Shqiptare, të quajtura Prokletije, ku ndodhen disa parqe kombëtare të rrethuara nga peizazhe mahnitëse.

Një nga parqet më të bukur është Parku Kombëtar i Thethit me ujëvarën e Grunasit.

Por, edhe lugina e Valbonit me lumin me të njëjtin emër, si dhe malet dhe formacionet shkëmbore mbresëlënëse ia vlen të vizitohen.

Gjithashtu, ju rekomandojmë të mos humbisni një vizitë në lumin e Shalës, i cili mund të arrihet me varkë pëmes liqenit të Komanit – shpesh i konsideruar nga ekspertët e udhëtimeve si “Tajlanda e Shqipërisë”./atsh/KultPlus.com