Nis ndarja e medaljeve presidenciale për mërgimtarët në ShBA që kontribuuan për liri dhe pavarësi

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po e vazhdon qëndrimin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E para e shtetit, ka takuar sot mërgatën shqiptaro-amerikane, të cilëve u ka ndarë medalje presidenciale.

Ndarja e medaljeve u bë për mërgimtarët të cilët kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Gjatë kësaj ceremonie, e cila po vazhdon akoma, u ndanë dekorata si “Urdhri i Pavarësisë” dhe ai “Hasan Prishtina”.

Chanel Feston 110 vjet, spektakël në Grand Palais, yjet përshëndesin shfaqjen ikonike

Shtëpia e modës Chanel shënoi 110-vjetorin e modës së lartë (haute couture) me një shfaqje madhështore në Javën e Modës në Paris, duke e kthyer atelienë e saj legjendare në një set gjigant brenda Grand Palais së restauruar rishtazi. Ky transformim nga intimiteti në spektakël, me një temë të theksuar natyre, solli së bashku yje të listës A si Kirsten Dunst, Keira Knightley, Penélope Cruz dhe Naomi Campbell.

Vetëm Chanel mund të quante sallonin e saj legjendar Rue Cambon “shumë të vogël” dhe ta rindërtonte atë, në përmasa monumentale, brenda një pallati. Kjo shfaqje tregoi fleksibilitetin dhe forcën e një prej gjigantëve të luksit, duke demonstruar se trashëgimia e Coco Chanel, e cila revolucionarizoi mënyrën si visheshin gratë duke flakur korset dhe duke riimagjinuar luksin si çlirim, shtrihet nga sallonet e vogla të vitit 1915 deri te kolosi i saj modern.

Yjet dhe përshtypjet

Artistë të njohur dhe rrethi i ngushtë VIP i shtëpisë ngjitën shkallët e praruara për të hyrë në atelienë e rindërtuar. Seti, i krijuar nga Willo Perron, ruante stilin klasik të Chanel – intim por monumental, i Botës së Vjetër por futurist. Naomi Campbell shprehu entuziazmin e saj, duke thënë: “Thjesht ndjehesha e veçantë, sikur të hyje në një kujtim dhe diçka krejtësisht të re. Ka ngrohtësi, intimitet, nostalgji. Chanel mund të rikrijojë çdo gjë, dhe kjo funksionon.”

Koleksioni vjeshtë-dimër 2025/26

Sfilata u zhvillua në stilin e fantazisë së natyrës, filtruar përmes prizmit Chanel. Rrobaqepësia e veshjeve për meshkuj i shtonte elegancë xhaketave dhe fustaneve të skalitura, ndërsa kostumet mohair në jeshile të errëta dhe kumbulla kanalizonin heshtjen e vjeshtës. Pëlhura me stofë bouclé imitonte lëkurën e deleve; pendët dhe stofi krijonin lesh artificial iluzionar.

Kallinj gruri të lyer me ar – simboli i bollëkut në shtëpi – ishin kudo: të qepur në pallto, të qëndisur në dekolte, të vendosur në vendin e çdo mysafiri. Megjithëse tema mund të ketë qenë fshatare, puna e fiksuar me dorë ishte mahnitëse: kopsa me gurë të çmuar, lule të qëndisura dhe një finale me lame aq të ndritshme sa imitonte rrezet e diellit në fushat e korrjes. Ekipi i studios, duke mbajtur fortesën pas largimit të papritur të Virginie Viard vitin e kaluar, e ankoroi shfaqjen në kode klasike, por luajti me zgjuarsi dhe lehtësi.

Rëndësia e Haute Couture për biznesin Chanel

Kjo punë e detajuar dhe tradicionale ka rëndësi të madhe jo vetëm për traditën, por edhe për biznesin. Chanel, një gjigant i modës në pronësi private, raportoi 18.7 miliardë dollarë të ardhura për vitin 2024, duke çimentuar statusin e saj si një nga shtëpitë luksoze më të fuqishme në botë. Moda e lartë, ndonëse një kurorë e shtëpisë, nxit shitjet globale të parfumeve, çantave dhe bizhuterive, duke e bërë atë zili të rivalëve.

Epoka e re dhe debutimi i Matthieu Blazy

Ndryshimi është gjithmonë pranë Chanel. Pas më shumë se 30 vitesh udhëheqje nga Karl Lagerfeld dhe një epoke më të butë nën Virginie Viard, industria tani pret me padurim debutimin e stilistit të ri të Chanel, Matthieu Blazy. Ky talent belg, me përvojë te Margiela, Celine dhe Bottega Veneta, ka fituar fansa për përzierjen e tij të inovacionit dhe nderimit për zanatin. Naomi Campbell tha për Blazy-n, të cilin e njeh personalisht: “Ai është i përqendruar, mendjehapur — do të sjellë diçka të veçantë.”

Shfaqja u zhvillua brenda Salon d’Honneur të restauruar rishtazi në Grand Palais, me arin dhe gurët e tij të zbuluar pas një restaurimi shumëvjeçar prej 600 milionë eurosh, të bashkëfinancuar nga Chanel. Kjo jo vetëm që shërben si një vend, por edhe si një reklamë e fuqisë dhe përkushtimit të shtëpisë së modës ndaj trashëgimisë pariziene./rtsh/ KultPlus.com

Lumi Buna rrjedh i lirë pas 50 vitesh, Rama: Përfundon faza e dytë e pastrimit

Lumi Buna tashmë rrjedh i lirë në shtratin e tij, pas 50 vitesh me përfundimin e fazës së dytë të ndërhyrjes për pastrimin e shtratit pranë zonës së Dajlanit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lumi Buna ku ka përfunduar pastrimi në zonën e Dajlanit në Shkodër.

“Lumi Buna pas shumë vitesh rrjedh i lirë në shtratin e vet, pas mbylljes me sukses të fazës së dytë të ndërhyrjes për pastrimin e çlirimin e shumëpritur të zonës së Dajlanit në Shkodër”, shprehet Rama.

Edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, më herët e cilësoi këtë si një operacion të rëndësishëm ku pas 50 vitesh, lumi Buna rrjedh i lirë në shtratin e vet dhe i hap rrugë një epoke të re për këtë pasuri natyrore.

Ai ka falënderuar të gjitha strukturat që kontribuan që nga momenti i parë në këtë ndërhyrje, dhe veçanërisht ndaj Forcave të Armatosura nën kujdesin e Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Sipas kryebashkiakut të Shkodrës, ekipet e punës në terren punuan me profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, të udhëhequr nga nënkolonel Shkumbin Gjana, nënkolonel Egert Kuka dhe të mbështetur nga kolonel Shkëlzen Mhillaj, drejtues i operacionit, të cilët bënë të mundur çmontimin e plotë të strukturës metalike (dajlanit) në lumin Buna.

Beci ka nënvizuar se “ky operacion nuk është vetëm një arritje teknike, por një hap i madh drejt mbrojtjes së mjedisit dhe rikthimit të lirisë natyrore të lumit Buna një aset i çmuar për qytetin dhe gjithë rajonin”.

Sipas bashkisë së Shkodrës, në fazën e parë të ndërhyrjes për pastrimin e shtratit të lumit Buna janë hequr rrjetat dhe pinarët, ndërsa në fazën e dytë pjesët metalike që kanë pasur nevojë për ndërhyrje më të specializuar./atsh/ KultPlus.com

Nis rikonstruksioni i sheshit pranë Kinema ‘Republikës’ në Shkodër

Ka nisur puna për rikonstruksionin e plotë të sheshit pranë Kinema “Republikës” në Shkodër. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci.

Punonjësit e Ndërmarrjes së Objekteve Shtetërore po punojnë për sistemimin e këtij sheshi, me qëllim që t’i japin një pamje të re godinës së kinemasë, e cila tashmë është rikthyer në funksion për qytetarët e Shkodrës.

Ky projekt synon të përmirësojë infrastrukturën rrethore dhe estetikën e një prej pikave kyçe të qytetit, duke e bërë më tërheqës dhe funksional hapësirën publike pranë këtij objekti kulturor./rtsh/ KultPlus.com

Parku i Drilonit, oaz qetësie dhe bukurie natyrore që të magjeps

Në skajin juglindor të Shqipërisë, vetëm pak minuta larg qytetit të Pogradecit, ndodhet një nga perlat më të çmuara të turizmit natyror: Parku i Drilonit.

Ky vend i rrallë është kthyer prej vitesh në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj, falë gjelbërimit të dendur, burimeve të kristalta dhe faunës së pasur ujore.

Sapo hyn në park, ndjen menjëherë qetësinë që mbizotëron. Rrugicat e shtruara me gurë kalojnë nën hijen e plepave shumëvjeçarë, ndërsa zhurma e lehtë e gjetheve që përplasen nga era krijon një atmosferë të veçantë çlodhjeje.

Burimet natyrore të Drilonit, të cilat furnizojnë direkt liqenin e Pogradecit, përshkojnë parkun përmes kanaleve të qeta ku notojnë shpendët dhe mjellmat e bardha.

Turistët ndalen shpesh për të fotografuar këtë bukuri natyrore, ndërsa fëmijët ndjekin me sy zogjtë që lëvizin lirshëm mbi ujë.

Prania e kafeneve tradicionale buzë kanaleve të liqenit e bën përvojën edhe më të këndshme për vizitorët që duan të shijojnë një pije nën freskinë e pemëve dhe zërat e natyrës.

Driloni është një destinacion që çdo vit tërheq mijëra vizitorë që kërkojnë pak qetësi, bukuri dhe frymëzim. Për ata që duan të largohen për pak nga zhurma e qyteteve, Driloni mbetet një zgjedhje ideale për relaks dhe kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën e paprekur të Shqipërisë juglindore.

Pranë Drilonit është edhe fshati Tushemisht me “Zonjën nga qyteti”, i cili së bashku me Parkun natyror të Drilonit janë shndërruar në një pol të ri ekoturistik jo vetëm për Pogradecin, por edhe për Korçën.

Driloni apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, vetëm 6 km larg Pogradecit, është një nga mrekullitë natyrore dhe një nga atraksionet më të bukura në vendin tonë, ku investimet e realizuara me ndërtimin e rreth 4 mijë metra rrugica për këmbësorët që kanë zgjeruar sipërfaqen e parkut, kanë nxjerr më në pah potencialin turistik të kësaj zone.

Driloni është një burim karstik që përbëhet nga tri vija uji që rrjedhin për t’u derdhur disa dhjetëra metra më tej, në bregun juglindor të liqenit. Njëri prej tyre, ai më kryesori, krijon një basen të madh ujor, ku mund të shëtitësh, vozitësh me varkë, të shijosh bukuritë e florës dhe faunës së pasur.

Rrugicat e ndërtuara lidhin të gjithë sipërfaqen nga burimet e Drilonit në fshatin Gurras, deri në shëtitoren përgjatë liqenit të Ohrit.

Sipërfaqja ku shtrihet shëtitorja e Tushemishtit dhe Parku i Drilonit është shumëfishuar në 150 hektarë, e gjitha në funksion të turizmit, me 13 ura të reja, shëtitore, korsi biçikletash, 8 mijë pemë të mbjella, 5 km gjatësi e lundrueshme me varkë./atsh/ KultPlus.com

Ai donte vdekjen, ajo veç jetën desh

William Shakespeare

Ai desh vdekjen dhe premtimet e saj të zbehta,

Në jetën pa shpresë të një djaloshi në përgjërim,

Ai desh të vdiste, të ndahej veç prej hidhërimit,

Të harronte ditët e netët plot dhimbje e trishtim.

Ajo jetën desh ta gëzonte plot zjarr e harrim,

Donte njerëzit dhe vitet që shkonin plot gëzim,

Qe dhurate prej qiellit e qeshur plot gajret,

Lule e pavyshkur në daç në shi a erë me tërbim.

Por një ditë prej ditësh gjithçka ndryshoi rrjedhë,

Dashuria keq i përfshiu dhe nuk ditën a benë mirë,

Se ajo shumë donte jetën e ai vdekjen fort e desh,

Cili nga të dy nga kjo betejë më i fortë do dil ?

Duheshin aq shumë sa çdo gjë do sakrifikonin,

Çdo gjë përreth familje e miq gati të mohonin,

Gjithçka për tu dashur se ajo qe pasuri e tyre,

Por ajo desh jetën te gëzonte e ai vdekjen desh …

Sa të ndryshëm po aq edhe të afërt në gjithçka,

Për dashurinë e çmendur mes tyre merreshin vesh,

Por njeri veç për vdekjen ëndërronte të ikte fluturim,

E tjetra të jetonte me të desh, pa brenga e hidhërim.

Por historia ka një fund : të ndaheshin me shtrëngim,

Ata që kishin premtuar besnikëri gjer në amshim,

E sot në dhimbje e torturë djaloshi jetën po e shkon,

Nga që vajza për të në qiell lart ka shkuar fluturim …

Ai donte vdekjen, ajo jetën veç desh,

Ai për të jetoi, ajo për të dha shpirt …/KultPlus.com

‘Eksperienca është mësuesja e të gjithë gjërave’

Më 12 korrik të vitit 100 p.e.s ka lindur një nga figurat më të rëndësishme të antikitetit, Jul Cezari, shkruan KultPlus.

Ai ishte gjeneral romak,  i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në transformimin e Republikës Romake, në Perandorinë Romake.

Rrjidhte nga një familje aristokrate që pretendonte se e kishte prejardhjen nga Iulus, bir i princit legjendar trojan, Enea.

Në ditën e tj të lindjes KultPlus ju sjell disa prej thënieve të tij:

1- Erdha, pashë, fitova

(E përkthyer nga gjuha latine “Veni, vidi, vici” është shprehja që i atribuohet perandorit romak Jul Cezari, që e përdori këtë term për t’u mburrur në një farë mënyre me sukseset e tij ushtarake. Sipas legjendave historike, Cezari i tha këto tre fjalë si një mesazh drejtuar Romës për ta njoftuar për suksesin e tij në betejën e Zelas.)

2- Frikacakët vdesin shumë herë, përpara se t’u vijë vdekja e vërtetë

3- Eksperienca është mësuesja e të gjithë gjërave

4- Është më mirë të krijosh, se sa të mësosh. Krijimi është esenca e jetës

5- Nëse duhet të shkelësh ligjin, bëje për të marrë pushtetin; në të gjitha rastet e tjera, zbatoje ligjin

6- Më mirë të jesh i pari në një fshat, se sa i dyti në Romë

7- Si rregull, njerëzit shqetësohen më shumë për atë që nuk munden ta shohin, se sa për atë që munden ta shohin

8- Burrat janë pothuaj gjithmonë të gatshëm të besojnë atë që dëshirojnë

9- E dashuroj emrin me nder, më shumë nga sa kam frikë vdekjen

10- Në luftë, ngjarjet me rëndësi, janë pasojë e shkaqeve të papërfillshëm./KultPlus.com

Poezia e poetit Pablo Neruda që frymëzon prej dekadash gjithë botën

Me punën e tij të përkthyer në shumë gjuhë të huaja, Pablo Neruda konsiderohet një ndër poetët më të mëdhenj të shekullit të XX. Në vitin 1971 Neruda fitoi çmimin Nobel për letërsi, një çmim ky i kundërshtuar për shkak të aktivitetit të tij politik. Novelisti kolumbian Gabriel Garsia Markez e quajti “Poeti më i madh i shek. XX”.

Kënga Gjithëpërfshirëse e tij (Canto general, 1950), u bë simbol i rreshtimit për letërsinë e popullit kilean.

Ja një nga poezitë më frymëzuese të tij…

Dalëngadalë vdes ai që bëhet skllav i zakonit,
që përsërit të njëjtat gjëra çdo ditë,
që nuk ndryshon rrugë,
që nuk rrezikon,
që nuk ndryshon ngjyrën e veshjeve,
që nuk i flet atij që nuk e njeh.

Dalëngadalë vdes ai që nuk përmbys tryezën,
që është i pakënaqur nga puna,
që nuk rrezikon sigurinë nga pasiguria për të ndjekur një ëndërr,
që nuk i lejon vetes asnjëherë në jetë të thyejë rregullat e vendosura.

Dalëngadalë vdes ai që nuk udhëton,
që nuk lexon,
që nuk dëgjon muzikë,
që nuk zbulon hijeshi te vetja e tij.

Dalëngadalë vdes ai që shpërfill krenarinë e tij,
që nuk i lë të tjerët ta ndihmojnë,
që i kalon ditët duke u qarë për fatin e tij të keq,
që ankohet për shiun që nuk pushon.

Dalëngadalë vdes ai që i shmanget projektit para se të fillojë,
që nuk pyet për gjërat që nuk i di dhe
që nuk përgjigjet për gjërat që di.

E shmangim vdekjen me doza të vogla,
duke kujtuar gjithmonë se të jesh gjallë
kërkon një përpjekje shumë më të madhe
se thjeshtë fakti që marrim frymë.

Vetëm durimi i paepur
do të na bëjë të arrijmë
lumturinë më të madhe. / KultPlus.com

“Nëse do të dish të më rrish pranë”, nga Pablo Neruda

Poezi nga Pablo Neruda.

Nëse do të dish të më rrish pranë,

dhe të mund të jemi të ndryshëm,

nëse Dielli do të na ndriçojë të dy,

pa u mbivendosur hijet tona,

nëse do arrijmë të jemi “Ne”, në mesin e kësaj botë

dhe bashkë në botë, të qajmë, të qeshim, të jetojmë.

Nëse çdo ditë do të zbulojmë se cilët jemi

dhe jo të kujtojmë se cilët ishim,

nëse do të dijmë t’i jepemi njëri-tjetrit

pa e ditur kush do jetë i pari dhe kush i fundit,

nëse trupi yt do të këndojë me timin, se së bashku është gëzimi…

Atëherë do të jetë dashuri

dhe nuk do të ketë qenë e kotë, kjo pritje e gjatë.

‘Kur zemra flet, mendja e sheh të pahijshme të kundërshtojë’

Para dy vitesh, në moshën 94 vjeçare ka vdekur shkrimtari çek, Milan Kundera, një nga romancierët më me ndikim të shekullit të kaluar, shkruan KultPlus.

Kundera ishte i njohur për tregimet e tij të mprehta, tragjikomike, të cilat shpesh ndërthureshin me debate të thella filozofike dhe portretizime satirike të jetës nën shtypjen komuniste.

Ai ka lindur në prill 1929 në Brno, Çekosllovaki,dhe ishte ishte pjesë e një brezi me ndikim të shkrimtarëve, kineastëve dhe intelektualëve çekë, të cilët u rritën gjatë viteve të trazuara të pas Luftës së Dytë Botërore.

KultPlus ju sjell disa pre shprehjeve dhe fragmenteve të tij:

“Dy njerëz të dashuruar, vetëm, të izoluar nga bota, kjo është e bukur.”

“Nuk mund ta matni dashurinë e ndërsjellë të dy qenieve njerëzore me numrin e fjalëve që shkëmbejnë.”

“Kushdo qëllimi i të cilit është ‘diçka më e lartë’ duhet të presë që një ditë të vuajë vertigo. Çfarë është vertigo? Frika nga rrëzimi? Jo, Vertigo është diçka tjetër përveç frikës nga rrëzimi. Është zëri i zbrazëtisë poshtë nesh që na tundon dhe na josh, është dëshira për të rënë, kundër së cilës, të tmerruar, mbrohemi.”

“Kur zemra flet, mendja e sheh të pahijshme të kundërshtojë.”

“Qentë janë lidhja jonë me parajsën. Ata nuk e njohin të keqen, xhelozinë apo pakënaqësinë. Të ulesh me një qen në një kodër në një pasdite të lavdishme do të thotë të kthehesh në Eden, ku të mos bësh asgjë nuk ishte e mërzitshme – ishte paqe.

“Sepse nuk ka asgjë më të rëndë se dhembshuria. As dhimbja e dikujt nuk peshon aq e rëndë sa dhimbja që ndjen me dikë, për dikë, një dhimbje e intensifikuar nga imagjinata dhe e zgjatur me njëqind jehona.”

“Të bësh dashuri me një grua dhe të flesh me një grua janë dy pasione të veçanta, jo thjesht të ndryshme, por të kundërta. Dashuria nuk ndihet në dëshirën për bashkim (një dëshirë që shtrihet në një numër të pafund grash), por në dëshirën për gjumë të përbashkët (një dëshirë e kufizuar në një grua).

“Dashuria është malli për gjysmën e vetes që kemi humbur.”

“Kur të fortët ishin shumë të dobët për të lënduar të dobëtit, të dobëtit duhej të ishin aq të fortë sa të largoheshin.”

“Fjala greke për “kthim” është nostos. Algos do të thotë “vuajtje”. Pra, nostalgjia është vuajtja e shkaktuar nga një dëshirë e pashuar për t’u kthyer.”

“Na dërrmon barra më e rëndë, zhytemi poshtë saj, na ngul përdhe. Por në poezinë e dashurisë të çdo moshe, gruaja dëshiron të rëndohet nga trupi i burrit. Prandaj, barra më e rëndë është njëkohësisht një imazh i përmbushjes më intensive të jetës. Sa më e rëndë të jetë barra, sa më shumë t’i afrohen jetët tona tokës, aq më të vërteta dhe të vërteta bëhen ato. Anasjelltas, mungesa absolute e barrës bën që njeriu të jetë më i lehtë se ajri, të fluturojë lart në lartësi, të largohet nga toka dhe qenia e tij tokësore dhe të bëhet vetëm gjysmë reale, lëvizjet e tij sa të lira aq edhe të parëndësishme. Çfarë do të zgjedhim atëherë? Peshë apo lehtësi?”

“Në perëndimin e diellit të shpërbërjes, gjithçka ndriçohet nga atmosfera e nostalgjisë, madje edhe gijotina.”

“Një person që dëshiron të largohet nga vendi ku jeton është një person i pakënaqur.”

“Ai papritur kujtoi nga Simpoziumi i Platonit: Njerëzit ishin hermafroditë derisa Zoti u nda në dysh, dhe tani të gjitha gjysmat enden nëpër botë duke kërkuar njëri-tjetrin. Dashuria është malli për gjysmën e vetes që kemi humbur.”

“Ajo kishte një dëshirë të madhe për t’i thënë atij, si femrat më banale. Mos më lër të shkoj, më mbaj fort, më bëj lodrën tënde, robin tënd, bëhu i fortë! Por ato ishin fjalë që ajo nuk mund t’i thoshte.

E vetmja gjë që ajo tha kur ai e liroi nga përqafimi i tij ishte: “Ti nuk e di sa e lumtur jam që jam me ty”. Kjo ishte ajo që natyra e saj e rezervuar e lejoi të shprehte.”

“Ne nuk mund të dimë kurrë se çfarë të dëshirojmë, sepse, duke jetuar vetëm një jetë, nuk mund ta krahasojmë atë me jetën tonë të mëparshme dhe as ta përsosim atë në jetën tonë që do të vijë.”

“Njerëzit gjithmonë bërtasin se duan të krijojnë një të ardhme më të mirë. Kjo nuk është e vërtetë. E ardhmja është një zbrazëti apatike që nuk i intereson askujt. E kaluara është plot jetë, e etur për të na acaruar, provokuar dhe fyer, për të na tunduar për ta shkatërruar ose rilyer atë. Arsyeja e vetme që njerëzit duan të jenë zotër të së ardhmes është të ndryshojnë të shkuarën.”

“Truri duket se zotëron një zonë të veçantë të cilën mund ta quajmë memorie poetike dhe e cila regjistron gjithçka që na magjeps ose na prek, që e bën jetën tonë të bukur… Dashuria fillon me një metaforë. Që do të thotë, dashuria fillon në momentin kur një grua fut fjalën e saj të parë në kujtesën tonë poetike.”

“Ajo i pëlqente të ecte në rrugë me një libër nën krah. Kishte të njëjtën domethënie për të si një bastun elegant për zonjën e një shekulli më parë. Kjo e dallonte atë nga të tjerët.”/KultPlus.com

Jul Cezari dhe shtatë parimet e lidershipit

Sot shënohet dita e lindjes së një personaliteti të madh botëror, i cili pavarësisht viteve kur ka jetuar, mbetet i paharruar në historinë e njerëzimit, shkruan KultPlus.

Gaius Iulius Caesar, i njohur shqip si Jul Çezari lindi më 12 korrik 100 p.e.s. në Romë dhe ka vdekur me 15 mars te 44 p.e.s..  Ai ishte ushtarak dhe burrë shteti i Perandorisë Romake, i cili u vra nga kundërshtarët e tij politik.

Gai Jul Çezari ka luajtur një rol të rëndësishëm në transformimin e Republikës Romake, në Perandorinë Romake. Marshimi romak ne Britaninë e Madhe, prej ushtrisë së Jul Çezarit, e shtriu botën romake deri në oqeanin Atlantik. Ai konsiderohet si një prej gjenive ushtarak, më të mëdhenj të kohës dhe një prej liderëve me te fortë.

1. Rëndësia e slloganeve

Udhëheqësit më të mirë jo vetëm bëjnë veprime sensacionale – ata dinë gjithashtu të ofrojnë një histori bindëse.

Pas një lufte të shpejtë kundër një farë Farnace, Mbret i Pontos, Çezari dërgoi në Romë një raport me detajet e pushtimit të tij. Biografi grek Plutarku dhe historiani romak Svetoni pajtohen se komandanti nuk hyri shumë në detaje, por thjesht shkroi: “Veni, vidi, vici” (“Erdha, Pashë, Fitova”).

Frazat ishte aq efikase, sa e kujtojmë edhe sot, pas shumë shekujsh.

Çezari mund të ishte zgjatur në aftësitë e tij ushtarake (ishte autor i shumë shënimeve të gjata ushtarake), por ai e kuptoi se një resht i vetëm do ta dërgonte mesazhin me shumë më tepër forcë.

2. Marrja e risqeve

Në Romën e lashtë, kalimi i Rubikonit me një ushtri përbënte një sfidë të vërtetë. Ishte e barazvlefshme me shpallje lufte, gjë që ishte e ndëshkueshme me vdekje.

Kur Jul Çezari kaloi lumin me legjionin e tij, luajti gjithçka për gjithçka. Tek “Jetët e Çezarëve”, Svetoni shkruan se Çezari, kur kaloi lumin, citoi një dramaturg të Athinës, duke shpallur “vdekja është tërhequr”.

Riskoi gjithçka dhe i shkoi mirë.

3. Nuk ka asgjë të keqe të fillosh me pak

Shpesh, për t’u bërë udhëheqës, duhet të fillosh si peshk i madh në një pellg të vogël.

Çezari e kishte kuptuar dhe ia doli të marrë një pozitë pushteti, edhe pasi kishte humbur trashëgiminë e tij në rini, në një grusht shteti.

Sipas Plutarkut në veprën e tij “Jetë Paralele”, gjenerali bëri një koment kurioz kur po kalonte një fshat të vogël alpin: “Unë ju siguroj se preferoj të jem më mirë i parë këtu, se sa i dytë në Romë”.

4. Asgjë nuk është definitive

Si gjeneral, Çezari e dinte se gjërat mund të ndryshonin në një moment. Sipas “Jul Çezari: Mësime lidershipi nga pushtuesi i madh” i Bill Yonne, Çezari shkroi se “në luftë, ngjarjet me rëndësi të madhe kanë origjinë të parëndësishme”.

Të flesh mbi dafina nuk është një ide e mirë – sepse gjërat gjithmonë mund të kthehen në më të keqen.

5. Kurrë mos gënje veten

Edhe nëse je një udhëheqës i suksesshëm, kurrë mos arri në pikën që të besosh marrëzitë e tua. Tek “Gali i bukur”, që përshkruan një gabim taktik nga galët, kundërshtarë të tij, Çezari përfundon: “Në shumicën e rasteve, burrat janë të gatshëm të besojnë atë që duan”.

Udhëheqësit më të mirë sillen në mënyrë racionale dhe nuk lejojnë që ndjenjat e tyre ose nocionet e paracaktuara, të dominojnë vendimet e tyre. Instinkti është shumë i rëndësishëm, por udhëheqësit më të mirë e përdorin atë së bashku me arsyen, jo si alternativë të saj.

6. Kurrë mos u relakso, që të ulësh vigjilencën

Nuk ka rëndësi se sa gjithçka duket në rregull, udhëheqësit më të mirë gjithmonë arrijnë të parashikojnë pasojat më të këqija. Gjithmonë tek “Gali i bukur”, Çezari shkruan: “Herë pas here, perënditë e pavdekshme kanë zakonin t’u japin begati më të madhe dhe pandëshkueshmëri më të gjatë, atyre që duan të ndëshkojnë për fajet e tyre, në mënyrë që ata të mund të vuajnë më keq, në rrethana negative”.

Në praktikë, nëse kaloni një fazë pozitive, jini të kujdesshëm. Çezari vetë do të kish bërë mirë që ta ndiqte këtë këshillë. Por, nën diktaturën e tij, ai lejoi që një konspiracion të çonte në vrasjen e tij të famshme.

7. Kurrë mos u nënvlerëso

Për të marrë komandën, duhet të keni besim në aftësitë tuaja. Një gjë që Çezarit nuk i mungonte, siç e tregon edhe një incident ku, mes shumë rreziqeve të tjerë, ishin përfshirë edhe piratët! Duke rrëfyer jetën e Çezarit, Plutarku shkruan që në moshë të re, Jul Çezari u rrëmbye nga piratë, që kontrollonin Detin Mesdhe.

“Piratët kërkuan 20 talente për lirimin e tij, dhe Çezari duke qeshur u tha se nuk dinin kë kishin kapur, dhe u ofrua të pagojë pesëdhjetë”. Më pas Çezari u premtoi që, pasi ta lironin, do i vriste personalisht. Me t’u kthyer në liri, organizoi një flotë për t’i ndjekur, dhe bëri atë që kishte premtuar./KultPlus.com

’Matilda ime e shtrenjtë, unë nuk dua të fle pa sytë e tu’

Poezi nga Pablo Neruda, kushtuar muzës së tij Matildes.

Po kërkoj qetësi
Tani më lini vetëm.
Mësoni të bëni pa mua.

Unë po mbyll sytë.

Dhe dua vetëm pesë gjëra,
Pesë rrënjët favorite.

E para është dashuria pafund.

E dyta është të shoh vjeshtën.
Unë s’mund të jem nëse gjethet
Nuk fluturojnë dhe bien në tokë.

I treti është dimri solemn,
Shiu që e doja, përkëdheljet
E zjarrit në dimrin e egër.

Në vend të katërt, vera
Rrumbullake sa një shalqin.

Gjëja e pestë janë sytë e tu.
Matilda ime, e shtrenjtë,
Unë nuk dua të fle pa sytë e tu,
Unë nuk dua të jem nëse ti nuk shikon në mua:
E jap pranverën
Që ti të vazhdosh të më shikosh mua.

Kjo, miq është gjithë ç’dua.
Gati asgjë dhe pothuaj gjithçka.

Tani ju mund të shkoni nëse dëshironi.

Unë jetova aq shumë sa një ditë
Ju do të më harroni
Do të më fshihni nga dërrasa e zezë:
Zemra ime shkoi përgjithmonë.

Por sepse po kërkoj qetësi
Mos mendoni se po shkoj të vdes.
Përkundrazi:
Ndodh që po shkoj të jetoj.

Kështu do të jetë vetëm brenda meje
Që gruri do të rritet,
Së pari filizat çajnë përmes
Tokën të shohin dritën,
Se nënë toka është e errët:
Unë jam si një pus në ujrat e të cilit
Nata lë yjet e saj
Që të shkojë e vetmuar përmes fushave.

Sepse jetova kaq shumë
Unë dua të jetoj dhe aq më shumë.

Kurrë nuk jam ndjerë kaq kumbues,
Kurrë nuk kam pasur kaq shumë puthje.

Tani, si gjithmonë, është shpejt.
Drita fluturon me bletët e saj.

Më lini vetëm me ditën.
Kërkoj lejë të lind./KultPlus.com

Kur Pablo Neruda i thurte vargje Shqipërisë

Poezi nga Pablo Neruda

S’kam qenë asnjëherë në Shqipëri,
në tokën e ashpër, plot dashuri,
peisazheve bjeshkatare me barinj trima.
S’kam qenë, po ja
që sot kam shpresë
të vij
ashtu si festat apo dasmat popullore,
për të pare i etur diellin e madh
që praron fuqishëm muskujt viganë
të vargmaleve të saj epikë!
Si zambaku i ri dhe i freskët që shpërthen mes shkrepave
shpërthen nga gjiri i saj kultura,
arti, librat, ndërsa përpara bujkut
e punëtorit ngrihet nderimi i epokës,
përmendorja e dashurisë
e virtuti lulëzon
viset e lashta!
O Shqipëri e vogël, por sa e fortë!
E vendosur e patundur e fjalëmbël.
Tingulli i kitarës tënde
është i gjallë e i çeliktë
e vjen e i shtohet me dinjitet melodive
të historisë,
këngës së epokës që s’ka të heshtur! Është një zë malesh,
ndërtimesh të pafundme e të bardha,
kjo është kënga e njerëzve dhe bjeshkëve
e zogjve të pranverës dhe drurëve të mollëve
plot lule të porsaçelura
e erërave e valëve të detit.
Qëndresa, pamposhtmëria dhe lulet e tua Shqipëri
janë dhurata që po i sjell
vetë ndërtimit të jetës së re mbi botë.

/Shqipëroi Moikom Zeqo / KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e Milan Kundera

Shkrimtari me origjinë çeke Milan Kundera, autor i romanit “Lehtësia e padurueshme e qenies” ka vdekur më 12 korrik 2023. Ai ishte 94 vjeçar.

“Milan Kundera vdiq dje në Paris pas një sëmundjeje të gjatë”, kishte thënë Anna Mrazova, zëdhënëse e Bibliotekës Moraviane (MZK).

Kundera lindi në qytetin çek të Brno-s, por emigroi në Francë në 1975 pasi u përjashtua për kritikat e pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë në vitin 1968.

Ai fitoi vlerësime për stilin e tij që përshkruante tema dhe personazhe që lundronin midis realitetit të zakonshëm të jetës së përditshme dhe botës së lartë të ideve, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.

Ai rrallë jepte intervista, duke besuar se shkrimtarët duhet të flasin përmes punës së tyre.

Romani i tij i parë “Shakaja” u botua në vitin 1967 dhe ofroi një portret të ashpër të regjimit komunist Çekosllovak.

Puna ishte një hap i parë në rrugën e Kunderës nga anëtar partie në disident në ekzil.

Ai i tha të përditshmes franceze Le Monde në vitin 1976 se t’i quash veprat e tij politike do të thoshte thjeshtim i tepërt, dhe për rrjedhojë errësimi i rëndësisë së tyre të vërtetë./ KultPlus.com

Erdh Hana mramë te unë

Poezi nga Hafiz Shirazi

Shqipëroi: Pupëza

Erdh Hana mramë te unë
me nji pytje shumë simpatike. M’tha:
Dielli u kanë dashnori jem besnik për miliona vjet.
Sa herë ia dho trupin,
drita t’mrekullushme rrjedhin prej zemrës ‘tij…
O Hafiz, a asht e saktë që na krejt kena me u ba Dritë?

I thashë:
E dashtun Hanë,
tash që dashnia jote o’ ka pjekët,
na duhet me u ulë bashkë qishtu pak ma shpesh
që me mujt me t’kshillu qysh me u ba
qajo çka je. / KultPlus.com

Atë Shtjefën Gjeçovi, njeriu që hapi shkollat e para shqipe pas pavarësisë

Shkruan: Andreas Dushi

Poliedrija, apo ndryshe gjithëdija e personaliteteve shqiptare, kufizon ndjeshëm dëshirën e atyre që duan të shkruajnë për to, pasi sikurse thonin grekët e lashtë, është e vështirë që të vdekshmit të shkruajnë për të pavdekshmit. Çfarë sot po marr guximin të bëj, në përvjetorin e lindjes së figurës së shquar të shqiptarisë Atë Shtjefën Gjeçovit, është pikërisht kjo: Një i vdekshëm po shkruan për një të pavdekshëm.

Kur pata fatin të vizitoja disa prej trevave të zonës së Dukagjinit, më bëri shumë përshtypje që në çdo shkollë apo godinë që dikur përdorej si shkollë kishte pllaka të mermerta ku shkruhej emri i një njeriu që nuk ishte edhe emri i shkollës. Në Prekal, fjala bie, ishte emri i Atë Shtjefën Gjeçovit si i pari që çeli një shkollë shqipe atje.

Duke vijuar më tej, këtë emër e shoh të shkruar edhe sa e sa herë, ndër sa e sa pllaka çka pa frikë më bëri të kuptoj diçka: Dukagjini, një trevë e quajtur “e prapambetur” nga dashakeqësit e saj, ka një fat që shumë krahina të tjera të Shqipërisë nuk e kanë: Prej 100 vjetëve ka arsim.

Ky fat, i cili buron nga prania e etërve françeskanë si të vendosur të përhershëm apo vizitues të herë pas hershëm falë programeve të misioneve shëtitëse (të përmendura nga Atë Zef Valentini apo Atë Domenico Pasi në librat e tyre “Misionet Shëtitëse” botuar nga “Plejad”), akoma edhe sot vazhdon të tregojë të mirat që ka sjellë.

Atë Shtjefën Gjeçovi, figura e jashtëzakonshme e kulturës së shqiptarisë, i lindur në Janjevë të Kosovës është ai i cili meriton jo respektin e gjithkujt, pasi me sa e njoh mes shkrimeve të të tjerëve ai nuk synonte të ishte i “gjithëdashur”, por të paktën njohjen nga gjithkush pasi ai qe i pari në shumëçka dhe, për fat të keq, edhe i fundit si punues serioz në thuajse çdo fushë që lëvroi./ KultPlus.com

Parku i Drilonit, oaz qetësie dhe bukurie natyrore që të magjeps

Në skajin juglindor të Shqipërisë, vetëm pak minuta larg qytetit të Pogradecit, ndodhet një nga perlat më të çmuara të turizmit natyror: Parku i Drilonit.

Ky vend i rrallë është kthyer prej vitesh në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj, falë gjelbërimit të dendur, burimeve të kristalta dhe faunës së pasur ujore.

Sapo hyn në park, ndjen menjëherë qetësinë që mbizotëron. Rrugicat e shtruara me gurë kalojnë nën hijen e plepave shumëvjeçarë, ndërsa zhurma e lehtë e gjetheve që përplasen nga era krijon një atmosferë të veçantë çlodhjeje.

Burimet natyrore të Drilonit, të cilat furnizojnë direkt liqenin e Pogradecit, përshkojnë parkun përmes kanaleve të qeta ku notojnë shpendët dhe mjellmat e bardha.

Turistët ndalen shpesh për të fotografuar këtë bukuri natyrore, ndërsa fëmijët ndjekin me sy zogjtë që lëvizin lirshëm mbi ujë.

Prania e kafeneve tradicionale buzë kanaleve të liqenit e bën përvojën edhe më të këndshme për vizitorët që duan të shijojnë një pije nën freskinë e pemëve dhe zërat e natyrës.

Driloni është një destinacion që çdo vit tërheq mijëra vizitorë që kërkojnë pak qetësi, bukuri dhe frymëzim. Për ata që duan të largohen për pak nga zhurma e qyteteve, Driloni mbetet një zgjedhje ideale për relaks dhe kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën e paprekur të Shqipërisë juglindore.

Pranë Drilonit është edhe fshati Tushemisht me “Zonjën nga qyteti”, i cili së bashku me Parkun natyror të Drilonit janë shndërruar në një pol të ri ekoturistik jo vetëm për Pogradecin, por edhe për Korçën.

Driloni apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, vetëm 6 km larg Pogradecit, është një nga mrekullitë natyrore dhe një nga atraksionet më të bukura në vendin tonë, ku investimet e realizuara me ndërtimin e rreth 4 mijë metra rrugica për këmbësorët që kanë zgjeruar sipërfaqen e parkut, kanë nxjerr më në pah potencialin turistik të kësaj zone.

Driloni është një burim karstik që përbëhet nga tri vija uji që rrjedhin për t’u derdhur disa dhjetëra metra më tej, në bregun juglindor të liqenit. Njëri prej tyre, ai më kryesori, krijon një basen të madh ujor, ku mund të shëtitësh, vozitësh me varkë, të shijosh bukuritë e florës dhe faunës së pasur.

Rrugicat e ndërtuara lidhin të gjithë sipërfaqen nga burimet e Drilonit në fshatin Gurras, deri në shëtitoren përgjatë liqenit të Ohrit.

Sipërfaqja ku shtrihet shëtitorja e Tushemishtit dhe Parku i Drilonit është shumëfishuar në 150 hektarë, e gjitha në funksion të turizmit, me 13 ura të reja, shëtitore, korsi biçikletash, 8 mijë pemë të mbjella, 5 km gjatësi e lundrueshme me varkë./atsh/KultPlus.com

151 vjet nga lindja e At Shtjefën Gjeçovit, ‘babai’ i studimeve folklorike shqiptare

Më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës, lindi Shtjefën Mëhill Konstantin Gjeçi-Kryeziu, i njohur si At Shtjefën Gjeçovi, prifti katolik, etnologu dhe folkloristi shqiptar, i cili konsiderohet si babai i studimeve folklorike shqiptare.

Ai u shkollua nga françeskanët në Bosnje (nën kontrollin e Austro-Hungarisë) dhe u shpërngul në Shqipëri në vitin 1896, pasi u bë prift, dhe kaloi vitet midis 1905 dhe 1920 midis fiseve malësore shqiptare, duke mbledhur literaturë gojore, ligj fisnor, arkeologji dhe folklori.

Kryevepra e tij, Kanuni i Lekë Dukagjinit, është përmbledhja e ligjit zakonor shqiptar, e cila u botua pas vdekjes së tij, në vitin 1933.

Atdhetar shqiptar dhe studiues i zellshëm i gjithçkaje që lidhet me të kaluarën shqiptare, ai ishte i urryer nga popullata serbe dhe autoritetet lokale. Ai u vra nga nacionalistët serbë më 14 tetor 1929, në fshatin Zym afër Prizrenit, Kosovë (në atë kohë pjesë e Mbretërisë Jugosllave), ndërsa shërbente si prift dhe mësues vendas.

Për nder të tij ka monumente si në Zym ashtu edhe në Janjevë, ndërsa shtëpia ku ai lindi u bë muze. Varri i tij ndodhet në fshatin Karashëngjergj jo shumë larg Zymit. Emrin e tij e mbajnë disa shkolla në Kosovë dhe Shqipëri.

“Gjurmët e Gjeçovit” është një aktivitet vjetor që mbahet në vendlindjen e tij Janjevë që nga viti 2000, për të përkujtuar dhe promovuar veprën dhe trashëgiminë e tij. / KultPlus.com

121 vite nga lindja e nobelistit Pablo Neruda

12 korriku i vitit 1904 është data e lindjes së njërit prej poetëve më të famshëm të shekullit të 20-të, Pablo Nerudës, karriera e të cilit nuk u shua me vdekjen e tij, por vazhdon jehonën edhe në kohën e sotme.

Në një moshë shumë të re hyri në botën e shkrimit, për të vazhduar atë gjer në frymën e fundit. Si një 13 vjeçar, miksoi një sërë stilesh, duke përfshirë poema surrealiste, manifesta politike, epika historike si dhe poema dashurie.

Neruda u shqua si poet, diplomat, politikan si dhe përkthyes në shumë gjuhë të botës, me qëllim të promovimit të gjuhës së tij kiliane.

Veprimtaria e tij poetike u përmblodh në 19 vëllime, shumica prej të cilave u përkthyen në gjuhë të ndryshme të botës, përfshirë edhe gjuhën shqipe.

Disa nga këto vëllime poetike janë: ‘100 sonete për dashurinë’, ‘Fundi i botës’, ‘Mirëseardhja në atdhe’, ‘Unazat’,  “Oda elementare’ dhe ‘Duart e ditës’.

‘20 poezi dashurie dhe një këngë dëshpërimi’ është libri i Neradës i publikuar në moshën 20 vjeçare, me anë të se cilit u konsiderua si një ndër poetët më premtues të rinj të asaj periudhe.

 Ndërkaq, kohë me vonë doli në pah edhe libri ‘Deti dhe këmbana’, e njohur ndryshe edhe si kryevepra e Nerudës, brenda së cilës autori krijon një kontradiktë mes së bukurës dhe së keqes, të butës dhe të egrës, vdekjes dhe pathyeshmërisë.

Kujtojmë që viti 1971 e gjeti Neruden si fitues të çmimit Nobel për Letërsi. / KultPlus.com

Rrotullimi magjik “Tanoura”, Egjipti çel javën kulturore në Shqipëri

“Tanoura-n”, një vallëzim tradicional i Egjiptit çeli Javën Kulturore Egjiptiane në Shqipëri. Një valle e frymëzuar nga rrotullimi sufi solli një shfaqje plot magji duke krijuar një paraqitje hipnotizuese të lëvizjes, muzikës dhe shprehjes muzikore.

“Është një vallëzim tradicional mysliman, ku burri rrotullohet rreth vetes që të lidhet me Zotin. Ai përpiqet të largojë nga vetja të gjitha gjërat materiale dhe të lartësohet drejt Zotit, por në fund bie përtokë, se të gjithë njerëzit i përkasin tokës”, tha , Mahdy Emara, artist.

“Kjo javë kulture reflekton marrëdhëniet miqësore të rrënjosura thellë mes Egjiptit dhe Shqipërisë, të lidhura nga gjeografia, historia dhe kultura. Këtë vit ne jemi të lidhur edhe nga Alexandria dhe Tirana, pasi të dy qytetet janë kryqendra mesdhetare të kulturës dhe dialogut. Për këtë javë kemi zgjedhur tre aktivitete të veçanta”, tha Ambasadori i Egjiptit në Shqipëri, Hassan Shawky.

Kjo javë do të sjellë një sërë aktivitetesh vallëzimi e arti performativ, kuzhinë autentike dhe kinematografi bashkëkohore.

“Kultura mes dy vendeve tona është e lidhur përmes historisë, por edhe gjeografisë, pasi na lidh Mesdheu. Kemi shumë gjëra të përbashkëta që na lidhin dhe shpresojmë do t’i prezantojmë përmes këtyre aktiviteteve”, shtoi Ambasadori Shawky.

Krahas këtyre aktiviteteve, publiku shqiptar mund të njihet edhe me kinemanë bashkëkohore egjiptiane përmes shfaqjes së dy filmave.

I pari, “The blue elephant” është një thriller psikologjik, i cili ka bërë jehonë në kinemanë arabe, ndërsa filmi tjetër, “Diamond dust” ka në qendër të tij një farmacist i cili vendos të hakmerret pasi zbulon vrasjen brutale të babait të tij.

‘Mos u përpiq të jesh si dikush tjetër, sepse ti tashmë je një kryevepër’

Thënie nga Osho

  1. Mundo të përfitosh nga çdo gjë e re në jetë. Jetoje jetën në çdo mënyrë të mundshme, me gjithë të mirat dhe të këqijat e saj. Mos ki frikë nga eksperiencat e reja, sepse sa më tepër eksperienca të kesh në jetë, më shumë do të fitosh pjekuri.
  2. Ji vetvetja. Mos u përpiq të jesh si dikush tjetër, sepse ti tashmë je një kryevepër. Nuk mund të jesh më i mirë se kaq. Thjesht të duhet ta pranosh këtë gjë.
  3. Mos e merr jetën tepër seriozisht. Është e kotë ta ndalosh veten së përjetuari, apo së provuari gjëra të reja në jetë, pasi kështu nuk përfiton asgjë prej saj. Jeta duhet shijuar ashtu siç vjen.
  4. Lëre të ikë atë që e do. Është njësoj si një lule, të cilën e pëlqen. Më mirë mos ta këpusësh atë, sepse nëse e këput, ajo do të vyshket dhe do të ndalojë së qenuri ajo që ti e pëlqen.
  5. Dëgjoje instinktin tënd. Dëgjoje qenien tënde, sepse ajo të jep vazhdimisht këshilla. Mos e ngri zërin kundër vetes, sepse vetëm duke qenë i qetë, do të mund të ndjesh zërin tënd të brendshëm.
  6. Zgjedhja për të qenë i lumtur ose i trishtuar të përket vetëm ty. Askush tjetër nuk është përgjegjës për këtë gjë. Mos e lejo asnjë të të mërzisë dhe lejo këdo të të bëjë të lumtur.
  7. Dhuro dashuri. Kushdo ka nevojë për pak dashuri në përditshmërinë e tij, ndaj mos ngurro të jesh ti personi që mund t’u falë të tjerëve dashuri. Nuk duhet shumë. Dashuri dhuron dhe një buzëqeshje.
  8. Çdokush është unik në mënyrën e vet. Askush nuk është superior dhe askush nuk është inferior. Të gjithë jemi njësoj dhe të gjithë jemi unikë, në mënyrën tonë. Duhet thjesht të zbulosh cilësitë e tua më të mira dhe të mendosh se vetëm ti i ke ato. Kështu do të ndihesh më mirë me veten.
  9. Dashuria për veten duhet të jetë më e madhja nga të gjitha format e dashurisë. Parimi është tepër i thjeshtë. Nuk mund t’i duash dot mjaftueshëm të tjerët, nëse nuk do veten tënde. / bota.al/ KultPlus.com

‘Wanderlust in Albania 2’, Rama ndan pamje nga perëndimi në plazhin e Golemit

Shqipëria është kthyer në një destinacion me turizëm gjithëvjetor, ku turistë të huaj dhe pushues vendas zgjedhin që të vizitojnë vendet më të bukura, nga plazhet, te Alpet apo parqet me peizazhe mahnitëse.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale videon me pamje nga një perëndim dielli në plazhin e Golemit.

Videoja e realizar nga Leonard Barko me titull “Aty ku dielli puth detin”, është prezantuar në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania 2”.

Kryeministri Rama shprehet se “”Wanderlust in Albania 2″ sjell qiellin e artë mbi Adriatik, filmuar nga Leonard Barko për Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë & Video Reels.

“Me titull “Aty ku dielli puth detin”, pamja i përket plazhit të Golemit, që dhuron ndër perëndimet më të bukura të verës”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.

Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania” u rikthye për të dytin vit, pas suksesit të edicionit të parë, duke zbuluar bukuritë e Shqipërisë përmes syve të vetë udhëtarëve dhe vizitorëve me fotografi dhe video reels që ata kanë realizuar gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri. /atsh/ KultPlus.com

Franca heton platformën X të Elon Musk për manipulim të të dhënave dhe mashtrim

Prokurorët francezë kanë nisur një hetim për manipulim të të dhënave dhe mashtrim që përfshin platformën e medieve sociale X, të Elon Musk, sipas AP.

Zyra e prokurorit të Parisit, njoftoi sot në një deklaratë, hapjen e hetimit.

“Hetimi po shqyrton dy vepra të dyshuara penale – manipulim të organizuar në funksionimin e një sistemi të automatizuar të përpunimit të të dhënave dhe mashtrim në nxjerrjen e organizuar të të dhënave nga një sistem i automatizuar i përpunimit të të dhënave, sipas deklaratës.

Zyra e prokurorit nuk dha detaje mbi shkeljen e dyshuar.

Gjithashtu, do të hetohen si platforma ashtu edhe njerëzit, pa i emëruar ata ose pa thënë se çfarë roli mund të kenë brenda platformës X.

Zyra e prokurorit tha se po vepronte mbi informacionin që dy persona i kanë dhënë në janar – njësisë së së krimeve kibernetike.

Njëri prej tyre është anëtar i parlamentit dhe tjetri është një zyrtar i lartë në një institucion qeveritar francez.

Të dy personat hodhën akuza për përdorimin e dyshuar të algoritmit të X për qëllime të ndërhyrjeve të huaja.

Deklara nuk detajoi ndërhyrjen e supozuar ose se si u përdor algoritmi.

Pasi kreu “verifikimet” dhe mori informacione shtesë nga studiues francezë dhe institucione të ndryshme publike, zyra e prokurorit vendosi të hapë hetimin këtë javë. /atsh/ KultPlus.com

Justin Bieber publikon albumin ‘Swag’

Këngëtari Justin Bieber ka publikuar albumin e tij të parë të ri në katër vjet, të titulluar “Swag”.

Albumi me 21 këngë u publikua si një surprizë dhe e gjen këngëtarin duke reflektuar mbi përvojat e tij si bashkëshort dhe baba, pas spekulimeve rreth martesës së tij me Hailey Bieber.

Ky album vjen pasi 31-vjeçari filloi të postonte njoftime paraprake në Instagram mbrëmë, ndërsa tabela misterioze u shfaqën në të gjithë botën, duke e përshkruar albumin e ri si “një nga krijimet e tij më personale muzikore”.

Në maj të këtij viti, Hailey, vajza e aktorit amerikan Stephen Baldwin dhe e martuar me Bieber që nga viti 2018, i tha ”Vogue” se jeta pas lindjes kishte qenë “shumë e vështirë”, duke i përshkruar thashethemet e vazhdueshme online si një “jetë të çmendur për t’u jetuar”.

Ajo tha se ”lindja e djalit të çiftit, Jack Blues Bieber, në gusht të vitit të kaluar ishte një nga gjërat më të vështira që ka bërë ndonjëherë pas një lindjeje 18-orëshe”.

Titujt e këngëve nga albumi i ri përfshijnë “Therapy Session”, “Dadz Love” dhe “Devotion”.

Kënga “Swag” vjen pas albumit të saj të vitit 2021 “Justice”, i cili përfshinte këngët “Hold On”, “Peaches” dhe “Anyone”, dhe u krijua në bashkëpunim me Carter Lang, Dylan Wiggins, Daniel Caesar, Dijon, mk.gee, Daniel Chetrit, Eddie Benjamin dhe Knox Fortune./ atsh/ KultPlus.com