Kosova hap Këndin e Librit në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë

Kosova ka hapur Këndin e Librit në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë “Shën Kirili dhe Metodi”.

Ambasadori i Kosovës në Bullgari, Haxhi Bajraktari tha se përzgjedhja e shënimit të kësaj dite të rëndësishme përmes inaugurimit të këndit të librit pasqyron dëshminë dhe përkushtimin për t’i dhënë një dimension të ri marrëdhënieve aktuale dypalëshe dhe për t’i ngritur në një nivel më të lartë fushat e bashkëpunimit me interes të përbashkët.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Blerina Rogova-Gaxha theksoi se ky kënd përfaqëson jo vetëm prezencën kulturore të Kosovës, por gjithashtu përpjekjen për të ndërtuar ura miqësie përmes librit, gjuhës dhe dijes.

“Librat që sot vendosen këtu përfaqësojnë zërin e letërsisë dhe të mendimit shqiptar, si edhe përpjekjen tonë për të ndërtuar ura miqësie kulturore në një Evropë që bashkon e respekton diversitetin: një hap konkret drejt njohjes, shkëmbimit dhe afrimit përmes librit”, tha ajo.

Ndërkaq drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë, Kalina Ivanova, ka thënë se hapja e këndit është një konfirmim se letërsia është ambasadori më i mirë i mundshëm i bashkëpunimit midis vendeve.

“Siç e dimë, bibliotekat nuk janë vetëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por shërbejnë si institucione për t’i përafruar vendet dhe kulturat, dhe ne sot kemi nderin të hapim në bibliotekën tonë këndin e librit shqip nga Kosova”, ka thënë ajo.

Këndi i Librit të Kosovës do të jetë një hapësirë e përhershme në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë, duke ofruar vepra të autorëve shqiptarë dhe botime të rëndësishme për historinë dhe kulturën shqiptare.

‘Disa rrudha në fytyrë e disa thinja nuk e fshehin bukurinë, ato janë dëshmi se ju keni jetuar’

Paulo Coelho: Gratë, bukuria dhe ne burrat…

“….Trupi ndryshon, moshohet. Mos u dëshpëro nëse nuk të bën më ajo masë fustani që të bënte në moshën 18 vjeçare. Një femër 45 vjeçare, të cilës i bën fustani që vishte në moshën 18 vjeçare, ose vuan nga problemet e zhvillimit, ose po vetëshkatërrohet.

Neve na pëlqejnë femrat që dinë të jetojnë një jetë të ekuilibruar dhe dinë t’i kontrollojnë ndjesitë e tyre të fajit. Na pëlqejnë edhe ato që kur hanë, e shijojnë atë që hanë. Ato që kur duhet të mbajnë dietë, e bëjnë me kënaqësi (pa vuajtje dhe dëshpërim).

Disa rrudha në fytyrë, disa thinja, disa shenja moshimi në trup nuk e fshehin bukurinë. Ato janë dëshmi se ju keni bërë diçka në jetën tuaj, se nuk keni mbetur tek makiazhi dhe nuk e keni kaluar jetën tuaj nëpër qendra estetike. Keni jetuar!

Ndaj, kujdesuni për veten dhe duajeni veten!

Kjo është gjithë bukuria…” / KultPlus.com

Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova e Idriz Ajeti në një fotografi të vetme

Në këtë fotografi, të publikuar kohë më parë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, shohim tok në një tribunë shkencore Rexhep Qosjen, Ibrahim Rugovën dhe Idriz Ajetin.

“Vitet kur këta tre mendimtarë ishin pjesë të stafit shkencor të IAP-it, padyshim se mund të cilësohen si vite të arta të këtij institucioni akedemik, kur pa as më të voglën mëdyshje IAP-i ishte kryeqendra e studimeve albanologjike”, pati shkruar në profilin e tij studiuesi i letërsisë Adil Olluri.

“Punonjësit e tij shkencorë ishin të pranishëm në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ky vit i dha shenjat e një rikthimi të IAP-it në vendin që i takon. Pra, të rikthimit të sigurtë në një qendër kryesore të studimeve dhe mendimit shqiptar. Viti 2018 qoftë i begatshëm për të gjithë dashamirësit e librit dhe albanologjisë”, kishte shkruar tutje Olluri. / KultPlus.com

Ceremoni madhështore Diplomimit në Uni Universum International College 

Në një atmosferë të mbushur me emocione, krenari dhe entuziazëm, Uni Universum International College organizoi me sukses Ceremoninë e Diplomimit 2025, duke kurorëzuar një kapitull të rëndësishëm në jetën e studentëve.

Ky event i veçantë nderoi gjeneratën e 17-të të studentëve të nivelit Bachelor dhe gjeneratën e 13-të të studentëve të nivelit Master, të cilët përfunduan me sukses rrugëtimin e tyre akademik – një udhëtim i mbushur me sfida, përkushtim dhe arritje të mëdha.

UNI – Universum International College është i menaxhuar dhe fuqizuar nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (ASU), i njohur si Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion. Si lider në ndërkombëtarizim, Universum ka arritur numrin më të madh të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian dhe vazhdon të zgjerojë bashkëpunimet me universitetet më të njohura evropiane.

Kjo ceremoni ishte një festë e merituar për suksesin, punën e palodhur dhe sakrificën shumëvjeçare të studentëve tanë. Por mbi të gjitha, ishte një fillim i ri për një rrugëtim profesional dhe jetësor.

Në këtë vit akademik, Universum ka rritur ndjeshëm numrin e bursave ndërkombëtare për shkëmbim studentor në mbi 26 shtete të BE-së, duke i dhënë studentëve tanë mundësi unike për të ndërtuar një të ardhme globale.

Dita e Diplomimit nuk është vetëm fundi i një etape – është hapi i parë drejt ëndrrave të mëdha!

Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA. Studio në UNI duke aplikuar këtu! 

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni UNI – n në facebook & instagram./ KultPlus.com

Ka dalë nga shtypi libri më i ri i Kujtim Shalës, “Fizika naive”

Sapo ka dalë nga shtypi libri më i ri i poetit dhe studiuesit Kujtim M. Shala, me titullin alternativ “Fizika naive”, i cili është një libër poetik. “Fizika naive” ka katër cikle poetike, të cilat lidhen për nga forma poetike dhe për nga tematike, të titulluara: “Treguesi i emrave”, “Fizika naive”, “Shpikja e vuajtjes” dhe “Skica”, tipare që “Fizika naive” e bëjnë një vepër poetike të strukturuar.

“Fizika naive” prek raportet mes njeriut dhe historisë, trupit dhe pushtetit, kujtesës dhe gjuhës, me një stil poetik që sjell reflektime filozofike. Ciklet e tij ndërthurin ngjarjet e mëdha me përditshmërinë, mitin me jetën, të kaluarën me traumën kolektive. “Fizika naive” na ofron një mënyrë për ta parë botën nga një kënd tjetër, ku brishtësia njerëzore bëhet e dukshme përballë forcave të kohës, por edhe një thirrje për të mbajtur gjallë kujtesën dhe imagjinatën.

Rikujtojmë se Kujtim M. Shala është poet, studiues letrar, profesor i letërsisë shqipe, i teorisë letrare dhe i filozofisë së letërsisë në Universitetin e Prishtinës. Është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka fituar çmime për poezi dhe për studime letrare.

Librin e tij më të ri, “Fizika naive”, e ka botuar Shtëpia Botuese “Dukagjini” dhe është libri i 53-të me radhë i tij.

PLOJA

Në ditën e parë të prillit kur po zhbëhej errësira

mjegull e zezë e hollë si napat e zakonshme

ikte ngadalë fushës së gjerë

të gjithë po flinin katundi ishte mbuluar nga bora

një trill i vjetër sa tregimet më të vjetra

i marsit me shkurtin

ditët që marsi i zemëruar mori hua shkurtit

si paratë e pista dhe ngriu plakat kokëforta

ato ditë tani i kishte prilli i vënë në zonën e pranverës

përherë shoqëruar nga erërat e fundit të dimrit

u afruan ngadalë hije të mërishme

kishin maska i kishin grabitur nga dramat e lashta

çdo gjë që bënin ishte e vërtetë

përpos maskave

armë zjarri të gjata thika me tehe sharre

nuk trokitën shkallmuan dyert bërë me dërrasa

të lyera sa për të mos u dukur druri

bojë e trashë mbi natyrën e përpunuar ashpër

dhomat i mbushën me gaz

qëlluan pa shikuar fare

rafalë të gjatë

klithma tmerri pastaj qetësi e përjetshme

jashtë së cilës krismat vazhdonin

trupat e burrave i gjymtuan

fëmijëve ua prenë duart degë të njoma pa gjethe

gratë i shikonin me lakminë e kafshës

që nuk e dallon trupin nga kërma

askush nuk i pa

në mbrëmje ikën

ngelën vetëm qentë pa zot

një hap bënin dhe largoheshin të frikësuar

derisa u afrua njeriu i parë

gjeti disa maska hedhur në dheun e lagur

iu duken si maskat në librat e ilustruar të teatrit të vjetër

plojë mbi trupat përzier me gjymtyrët e prera

të fëmijëve që kishin parë yjtë e bardhë

i vranë në shtegun më të ngushtë të Gjithësisë

djajtë me maska kafshësh

(“Fizika naive”, ff. 15-16)/ KultPlus.com

108 vite nga lindja e Idriz Ajetit, albanologu, gjuhëtari e intelektuali i njohur

Idriz Ajeti, albanologu, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe veprimtari i palodhshëm në zhvillimet tona shoqërore, lindi më 26 qershor të vitit 1917 në Tupallë të Komunës së Medvegjës, shkruan KultPlus.

Profesori Ajeti, shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më 1930, të mesmen e kreu në Shkup më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit – në Degën e romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit. Që atëherë e deri në vitin 1953, me cilësi profesori të gjuhës shqipe, punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Nga viti 1953 deri në vitin 1960, me cilësi lektori, jepte mësim në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë.

Që nga viti 1960, njëherë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar, jep mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës. Iu dhanë disa shpërblime e dekorata, ndër të cilat edhe Shpërblimi i 7 korrikut dhe ai i KAÇKJ.

Presidenti Ibrahim Rugova e dekoroi me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa me rastin e 90-vjetorit të lindjes, Presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi me Çmimin Presidencial për Studiues. Hetimi i dialekteve nga pikëpamja diakronike, pastaj trajtimi i dokumenteve të moçme gjuhësore të shkruara me alfabetin arabo-turk dhe më në fund studimi i marrëdhënieve të shojshoqme shqiptare-serbe – janë troje të interesimit shkencor të Idriz Ajetit. Merret edhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe. Qe iniciator i shumë konsultave dhe bashkëmarrëveshjeve gjuhësore ku u kërkuan shtigje të reja për njësimin e gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj.

Hartoi tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës (1960), u nxor revista shkencore Gjurmime albanologjike (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj.

Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Pas zgjedhjeve paralele të vitit 1998 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, zgjidhet kryetar i parë i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në vitin 1997, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i ka botuar veprën e plotë në pesë vëllime.

Profesori i shquar, Idriz Ajeti do të kujtohet përherë për angazhimin e tij të palodhshëm deri në fund si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate si dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Vdekja e Akademik Idriz Ajetit ishte një humbje e madhe për të gjitha fushat e të gjithë njerëzit që e njohën atë. Ai u nda nga jeta më 13 shkurt 2019, në moshën 102-vjeçare. /KultPlus.com

Sonte Opera e Kosovës sjellë perlat shqipe me koncertin “Kosova në tinguj”

Orkestra Harkore e Operës së Kosovës sonte mban koncertin “Kosova në tinguj” nën dirigjimin e Edon Ramadanit. Adelina Paloja, Kaltrina Miftari, Zana Abazi – Ramadani janë sopranot të cilat do të interpretojnë veprat e njohura shqiptare.

Veprat janë aranzhuar për formacion më të vogël nga kompozitorët Valton Beqiri, Edon Ramadani.

Koncerti mbahet duke filluar nga ora 18:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë./ KultPlus.com

‘You are not alone’, një nga këngët më të bukura të Michael Jackson (VIDEO)

Michael Jackson u lind më 29 gusht 1958, në Gary, Indiana dhe vdiq më 25 qershor 2009, në Los Anxhelos, Kaliforni. Ishte muzikant, këngëtar, autor, producent, kompozitor, koreograf, prodhues, kërcimtar amerikan, shkruan KultPlus.

I pagëzuar si ‘Mbreti i Popit’, siç kanë dëshirë ta quajnë adhuruesit e kësaj muzike, ai njihet si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Kontributet e tij në muzikë, kërcim, modë, e kanë bërë atë figurë globale në kulturën botërore për më shumë se katër dekada.

Më poshtë gjeni një nga këngët e tij të njohura “You are not alone”, bashkë me tekstin. / KultPlus.com

GKK hap ekspozitën “Fotografitë e Luftës në Kosovë”, fotoreporteri Wade Goddard: Kjo punë më mori një pjesë të shpirtit gjatë ’98-’99

Era Berisha

I lindur në Zelandën e Re në vitin 1969, Wade Goddard mbërriti në ish-Jugosllavi në prill të vitit 1992 për të provuar dorën në fotoreportazhin, duke zbuluar pasionin e tij jo vetëm për artin, por edhe për vetë rajonin. Gjatë dhjetë viteve të ardhshme, ai mbuloi ngjarjet në ish-Jugosllavi si fotograf i pavarur për Reuters, New York Times dhe Newsweek, shkruan KultPlus.

Dje, Galeria Kombëtare e Kosovës hapi dyert për një ekspozitë të fuqishme dhe emocionalisht tronditëse nga fotoreporteri Goddard, e titulluar “Fotografitë e Luftës në Kosovë”, e hapur në Barabar Centre, në ambientet e Hotelit Grand. Fillimisht e prezantuar në vitin 2019 në Muzeun e Fotografisë së Luftës në Dubrovnik – një institucion që Goddard e themeloi vetë – kjo ekspozitë rikthehet me një ndjeshmëri të re dhe me një rëndësi të thellë, tashmë në vendin ku këto imazhe kanë zanafillën e tyre. Përmes një përzgjedhjeje të kujdesshme fotografish të realizuara gjatë Luftës së Kosovës, ekspozita ofron një vështrim të sinqertë në momentet e frikës, qëndresës dhe njerëzores në kohë lufte.

Duke sjellë këtë ekspozitë në Prishtinë, Goddard i rikthen këto imazhe aty ku filluan – duke i shndërruar kujtimet në dialog dhe fotografinë në një urë mes së kaluarës dhe së tashmes.

Wade shpjegon: “Të mbuloja shpërbërjen e ish-Jugosllavisë u bë misioni i jetës sime. Duhej të isha atje, ta shihja vetë, ta ndjeja, të përpiqesha ta kuptoja, brutalitetin, vdekjen, shkatërrimin. Çfarë i shtyn njerëzit të shkatërrojnë njëri-tjetrin dhe veten në këtë proces? Nëse do të kuptonim përgjigjet ndaj kësaj dhe pasojat e konfliktit të armatosur, ndoshta do të ushtronim më shumë presion mbi udhëheqësit tanë politikë që të përpiqeshin më shumë për të shmangur luftën. Besoj ende që imazhe të tilla mund të ndihmojnë në ndryshimin e rrjedhës së historisë njerëzore.”

Në vitin 2003, Wade u tërhoq nga fotoreportazhi i lajmeve dhe konflikteve dhe, në bashkëpunim me një mik, themeloi Muzeun e Fotografisë së Luftës në qytetin e vjetër të Dubrovnikut, Kroaci. Ky muze sot shfaq ekspozita fotografike nga fotoreporterë me famë botërore që dokumentojnë konfliktet më të fundit rajonale dhe globale.

Në fjalimin hapës, Hana Halilaj, kuratore e Galerisë Kombëtare të Kosovës, theksoi se ekspozita paraqet realitetin e luftës në Kosovë dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme për kujtesën tonë personale dhe kolektive.

“Është një nder i veçantë që e kemi Wade këtu sonte me ne, ku do të kemi mundësinë të dëgjojmë rrëfimet e tij dhe të shohim ekspozitën e organizuar nga Ministria e Kulturës, këtu në Barabar Centre, gjatë një muaji me domethënie të veçantë për historinë e luftës në Kosovë. Me prejardhje nga Zelanda e Re, Wade erdhi në ish-Jugosllavi në prill të vitit 1992, duke ndjekur pasionin e tij si fotoreporter. Praktika e tij u shndërrua në një përkushtim të thellë ndaj ngjarjeve në rajon dhe, gjatë dhjetë viteve të ardhshme, ai mbuloi zhvillimet në ish-Jugosllavi si fotograf i pavarur për Reuters, The New York Times dhe Newsweek.”

Sipas saj, në vitin 2003, Wade u tërhoq nga terreni i luftës dhe bashkëthemeloi Muzeun e Fotografisë së Luftës në qytetin e vjetër të Dubrovnikut – një muze që sot përfaqëson një arkiv të çmuar të fotografisë bashkëkohore të konflikteve në nivel rajonal dhe global.

“Ekspozita që shihni sot këtu paraqet realitetin e luftës në Kosovë dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme për kujtesën tonë personale dhe kolektive. Unë vetë kam qenë pesë vjeç kur nisi lufta dhe kam qenë refugjate në kampin e Kukësit – një nga vendet që është dokumentuar në këtë ekspozitë. Është tronditëse dhe prekëse që sot i shohim këto imazhe në një kohë kur bota po përballet me tensione, luftëra dhe gjenocide. Pikërisht në këto momente është thelbësore t’u kthehemi këtyre kujtimeve, për të mos i harruar kurrë. Kjo ekspozitë na rikujton përgjegjësinë tonë për të mësuar nga historia.”

Ndërsa, vetë autori i ekspozitës “Fotografitë e Luftës në Kosovë”, Wade Goddard, ka thënë se mezi ka pritur që kjo ekspozitë të vijë në Kosovë.

“Së pari, është një nder i madh të jem këtu. Është një nder i veçantë që sot me ne janë edhe Kryeministri dhe Ministri i Kulturës. Një falënderim i veçantë shkon gjithashtu për Galerinë Kombëtare të Kosovës që më dha mundësinë të prezantoj këtë ekspozitë – një trup pune që më ka marrë një pjesë të shpirtit gjatë viteve ’98 dhe ’99.”

Këtë ekspozitë specifike, ai e ka përgatitur për herë të parë për Muzeun e Fotografisë së Luftës në Dubrovnik në vitin 2019.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që më në fund është këtu. Kur e rishikova punën time dhe fillova të mendoj se si do ta tregoj historinë e Kosovës, kuptova se kishte kaq shumë pjesë – dhe u përpoqa të përmbledh gati dy vjet pune në vetëm 64 fotografi. Ishte një detyrë marramendëse. Nuk ishte çështje se çfarë të përfshij, por çfarë të lë jashtë. E nisa përzgjedhjen me rreth 500 fotografi, duke thënë: ‘Kjo jo, kjo po’. Ishte një proces i gjatë, por në fund jam jashtëzakonisht i kënaqur me rezultatin. U përpoqa të përfshij sa më shumë aspekte të ndryshme të përvojës sime gjatë konfliktit, brenda kësaj ekspozite. Shpresoj që në mesin e këtyre imazheve, dikush të gjejë veten ose historinë e vet.”

Sipas tij, atë do e bënte shumë të lumtur nëse dikush do të shkonte dhe t’i thoshte se ka gjetur diçka personale në këto fotografi. Ai rrëfen se ka pasur raste kur njerëzit janë vetëidentifikuar në fotografitë e tij, dhe këto momente e mbajnë të gjallë besimin në fuqinë e dokumentimit.

“Njëherë, një djalë i vogël – që sot është burrë – më kontaktoi disa vite më parë dhe më tha: ‘Unë jam ky djalë në fotografi’. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme. Mësova që ai ka mbijetuar, që sot jeton dhe punon në profesionin e tij në Gjermani, dhe vëllai i tij është pjesë e Ushtrisë së Kosovës. Pas 20 vitesh, Kosova është ndërtuar dhe po ecën përpara. Të shohësh çfarë ka kaluar ky vend për të arritur këtu, është një gëzim dhe kënaqësi e madhe për mua që e dëshmoj. Duhet ta them se nuk është më ajo Prishtinë që kam njohur unë – sepse para 20 vitesh ishte një qytet i vogël provincial, ndërsa sot është një metropol i gjallë. Jam i emocionuar që jam këtu dhe shpresoj që ta gjeni ekspozitën interesante.”

Nga më shumë se 500 fotografi të realizuara, Wade Goddard zgjodhi vetëm 64 – një akt i kujdesshëm, emocional dhe artistik. Çdo imazh erdhi si një fragment i shpirtit të tij, një copëz e historisë së vendit tonë, dhe një thirrje për dëshmi. Përzgjedhja nuk ishte thjesht zgjedhje estetike, por një proces i thellë meditativ për të kuptuar se çfarë mbart historia, çfarë kujtohet dhe çfarë mbetet në heshtje. Këto 64 fotografi nuk janë thjesht pamje, por zgjedhje morale për të treguar atë që duhet të mos harrohet.

Në to, u dëgjua zëri i një nëne që shikon drejt horizontit të panjohur, shikimi i humbur i një fëmije në kamp refugjatësh, një burrë që mbart shtëpinë e vet në duar. Çdo fotografi është e mbushur me tension të pathënë dhe heshtje që bërtet. Në mungesën e fjalëve, Goddard flet përmes dritës, hijes dhe kompozimit – duke ndërtuar një gjuhë universale që kalon përtej kombësive, kohës dhe politikës. Ato janë prova të paprekshme që ruajnë frymën njerëzore mes shkatërrimit.

Të kujtosh nuk është thjesht të kthesh kokën pas – është një akt i rezistencës ndaj harresës, ndaj relativizmit, ndaj mohimit. Në një kohë kur krizat dhe luftërat shpërthejnë në çdo cep të botës, ekspozita e Goddard na fton të rikujtojmë çmimin e paqes, koston e luftës dhe çfarë ndodh kur njerëzimi bie në grackën e urrejtjes. Këto imazhe janë një kujtesë e dhimbshme, por e nevojshme, se historia nuk ka mbaruar – ajo përsëritet në forma të reja, në vende të tjera, por gjithmonë mbi trupat e njerëzve të zakonshëm.

Fotografia ka fuqinë të ndalë kohën, dhe pikërisht kjo është ajo që Goddard arrin të bëjë – të ngrijë çaste që përndryshe do të treteshin në mjegullën e harresës. Ai nuk ka kapur vetëm ndodhinë, por edhe ndjesinë – ftohtësinë e një nate refugjatësh, tensionin para shpërthimit, heshtjen pas një bombardimi. Këto janë çaste të përkohshme që tashmë jetojnë përgjithmonë, si pjesë e një arkivi kolektiv që tejkalon kufijtë e artit dhe bëhet histori vizuale.

Ekspozita “Fotografitë e Luftës në Kosovë” nuk është vetëm një përvojë estetike – është një dëshmi. Është një thirrje për ta parë të shkuarën në sy dhe për të pranuar të vërtetën, sado e dhimbshme të jetë ajo. Në një botë ku tensionet po rriten, ku fjalët “luftë”, “gjenocid” dhe “shkatërrim” janë sërish në titujt kryesorë, ky koleksion na kujton se sa e brishtë është paqja dhe sa i rëndësishëm është kujtimi. Kur kujtojmë, bëhemi përgjegjës; kur shikojmë këto imazhe, e kuptojmë se historia nuk është vetëm një rrëfim për të tjerët – është paralajmërim për ne të gjithë.

Dy dekada pas realizimit të tyre, imazhet e Wade Goddard nga lufta e Kosovës vazhdojnë të tronditin me menjëherësi të pashoq të vuajtjes që ai ka kapur. Vepra e tij përfaqëson ndoshta regjistrimin më të plotë të një konflikti relativisht të shkurtër, por të egër, që shkaktoi më shumë se 10,000 viktima brenda tre vjetësh, dhe ndoshta shkatërroi përgjithmonë lidhjen gjithnjë të brishtë midis fqinjëve shqiptarë dhe serbë që jetonin në këtë territor të kontestuar.

Konflikti nisi si një përpjekje nga udhëheqësi nacionalist serb, Slobodan Millosheviç, për të imponuar mbizotërim serb mbi rajonin me shumicë shqiptare të Kosovës, një përpjekje për të shtypur lëvizjen, fillimisht kryesisht paqësore, për pavarësi. Millosheviçi llogariti se duke pretenduar mbizotërimin serb në Kosovë – zemrën e nacionalizmit serb, ironikisht e bazuar në humbjen e vitit 1389 të Perandorisë Serbe mesjetare kundër Perandorisë Osmane – do t’i jepte atij mundësinë të përfitonte nga valët e nacionalizmit serb për të arritur pushtetin.

Është e vështirë ta teprojmë me shpjegimet për sa shpejt gjakderdhja doli jashtë kontrollit. Forcat serbe vepruan me brutalitet absolut ndaj shfaqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke masakruar familje të tëra dhe djegur fshat pas fshati. UÇK-ja kreu krime të veta, duke vrarë banorë serbë dhe shqiptarë të dyshuar për bashkëpunim. Nuk ishin vrasje të viktimave pa emër nga vrasës anonimë: në shumë raste, vrasësit dhe viktimat njiheshin prej kohësh, shpesh jetonin në fshatra fqinje. Kjo u kthye në një luftë fqinjësh kundër fqinjësh, me secilën vrasje që shtonte mllefin dhe frikën e akumuluar ndër dekada dhe shtynte Kosovën më thellë në vrtëgimin e shkatërrimit.

Intimiteti i dhunës ishte një përvojë që e ndamë edhe ne vëzhguesit, fotografët, gazetarët dhe hetuesit e të drejtave të njeriut, të cilët ishim të angazhuar për të dokumentuar luftën. Në shumë konflikte, palët në luftë i mbajnë gazetarët dhe fotografët larg nga mizoritë: ata e dinë se kanë krime për të fshehur dhe nuk duan dëshmitarë. Në luftërat e Ballkanit, dhe veçanërisht në konfliktin e Kosovës, as forcat serbe e as rebelët e UÇK-së nuk dukeshin shumë të shqetësuar për ne që po dokumentonim krimet e tyre të fundit. Shumë ditë ndiqnim gjurmët e tankeve serbe dhe tymin nga fshatrat e djegura për të përballur imazhet e vrasjeve të fundit: trupat poshtë, dhe era e karburantit akoma duke rrethuar mjedisin e shkatërrimit.

Kjo afërsi e mrekullueshme dhe, më lejoni ta them, autenticiteti i shumë prej këtyre imazheve është po aq i fuqishëm edhe pas dy dekadash. Unë isha aty pranë Wade-it kur u zgjodhën shumë prej tyre, dhe era e vdekjes e emocionet e shkatërrimit më rikthehen me forcë sa herë që i shoh ato imazhe.

Wade ishte aty nga fillimi deri në fund të konfliktit në Kosovë – edhe pse është e pasaktë të thuhet se ai ka përfunduar, kur akte dhune etnike vazhdojnë deri më sot, serbët e shqiptarët mbeten thellësisht të ndarë, dhe aq shumë prej mizorive që u kryen mbeten të pandëshkuara nga ligji. Imazhet e tij kapin jo vetëm momentet ikonike të luftës – forcat e armatosura serbe, rebelët e UÇK-së me flamurin e kuq shqiptar, refugjatët e dëshpëruar, hyrjen triumfale të forcave të NATO-s – por edhe aspektet më pak të njohura dhe të pakëndshme të konfliktit, si hakmarrjet masive kundër banorëve serbë dhe romë në Kosovë pas luftës, që shkaktuan shpërnguljen dhe ikjen e tyre. Në formën më themelore, historia e Kosovës është një histori e gjakderdhjes dhe urrejtjes, jo e triumfit.

Ajo që fotografitë nuk tregojnë është guximi dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm që duhej për t’i realizuar. Ndonjëherë, Wade dhe unë rrezikuam jetën për të dokumentuar këto tregime. Teksa udhëtonim drejt fshatit Obrishe për të dokumentuar masakrën e grave dhe fëmijëve të përfshirë në këto imazhe, banorët na paralajmëruan ta braktisnim rrugën. Vazhduam këmbë, por atë natë një mjet i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq u ndesh me një minë anti-tankëshe dhe shpërtheu, duke vrarë udhëtarët.

Kjo është regjistrimi i një lufte që nuk duhet ta harrojmë – dhe mësimet e së cilës ende nuk i kemi nxënë.” – Peter N. Bouckaert, Ish-Drejtor i Emergjencave, Human Rights Watch

/ KultPlus.com

Shuk Orani sjell një ekspozitë të pazakontë në zemër të Hamburgut 

Me datën 2 Korrik 2025, nga ora 18:00 deri në 20:00, hapet në betahaus HafenCity ekspozita e re e artistit të njohur multimedial dhe koncepcionist Shuk Orani, “Die Syntax der Stille”. 

Kjo ekspozitë nuk është thjesht një shfaqje e veprave artistike – por një eksperiment estetik dhe konceptual. Në vend që të vendosen në korniza të bardha sterile, punimet e Oranit integrohen në hapësirë, duke sfiduar kufijtë mes funksionit dhe ndjesisë. 

Me një qasje radikale ndaj integrimit të artit në mjedise të përditshme, Orani sjell një ndërhyrje poetike dhe të mprehtë në atmosferën e betahaus HafenCity. Projektime, piktura dhe struktura skulpturore bëhen pjesë e një “sistemi të hapur”, ku çdo vepër nuk është e përfunduar, por në zhvillim – një sinjal i përhershëm që provokon mendimin dhe ndjeshmërinë. 

“Kjo nuk është dekor – kjo është një frekuencë që rezonon me hapësirën,” thotë Orani. “Nëse vendi ka një sistem operativ, atëherë arti mund ta rihartojë. ”Ekspozita “Die Syntax der Stille” është pjesë e një serie ndërhyrjesh që synojnë të krijojnë dialog mes artit bashkëkohor dhe mjediseve të punës, komunitetit dhe teknologjisë urbane – me Hamburgun si laborator kreativ. / KultPlus.com 

New York Times: 7 këshilla për menaxhimin e nxehtësisë ekstreme

Këshilla thelbësore për ta përballuar një valë të të nxehtit.

Një valë e rrezikshme e të nxehtit po mbulon një pjesë të Shteteve të Bashkuara këtë javë, duke çuar temperaturat në shifra mbi 30 dhe duke ndikuar në pothuajse njëqind milionë amerikanë.

Ndërsa shumë njerëz kanë dëgjuar për rrezikun e goditjes nga i nxehti, ekspertët thonë se nxehtësia ekstreme mund të ndikojë pothuajse në çdo pjesë të trupit tuaj. Ja çfarë duhet të dini dhe si të qëndroni të sigurt, shkruan New York Times.

  1. Kujdes nga mjegullimi i trurit

Nxehtësia mund ta ngadalësojë trurin, duke ulur kohën e reagimit, vëmendjen dhe kujtesën, tha Dr. Neha Raukar, një mjeke e mjekësisë emergjente në Mayo Clinic. Kjo mund të nënkuptojë performancë më të dobët në testime, si dhe vështirësi në përqendrim dhe produktivitet në punë. Nxehtësia madje mund t’i bëjë njerëzit më të irrituar dhe agresivë; studiuesit kanë vërejtur se më shumë incidente zemërimi në rrugë dhe krime të dhunshme ndodhin kur rriten temperaturat.

Edhe pse arsyet nuk janë plotësisht të qarta, ekspertët besojnë se truri juaj mund të përqendrohet më shumë te qëndrimi i freskët sesa te të menduarit qartë.

  1. Bëni një plan për të qëndruar të freskët

Përballja me të nxehtin mund të jetë një sfidë që zgjat gjithë ditën. Nëse nuk keni kondicioner, është e mençur të ndërmerrni hapa si mbyllja e perdes, zhytja e këmbëve në ujë të ftohtë dhe mbështjellja e një peshqiri të lagur me akull të grimcuar rreth qafës, tha Kristie Ebi, një epidemiologe e klimës në Universitetin e Washingtonit. Ventilatorët mund të jenë gjithashtu të dobishëm, por sigurohuni që t’i lini dritaret hapur që të mos e ktheni shtëpinë tuaj në një furrë konveksioni, shtoi ajo.

Nëse keni nevojë të dilni jashtë, merrni parasysh ta mbani me vete një çadër, një shishe uji me akull dhe një shishe me spërkatës, të cilën mund ta përdorni për ta njomur lëkurën me ujë.

Marrja e pushimeve të rregullta në ambiente të brendshme mund të ndihmojë gjithashtu në parandalimin e sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë, prandaj Dr. Raukar rekomandon të gjeni vende të freskëta aty pranë si qendrat tregtare, muzetë, bibliotekat dhe kafenetë.

  1. Mbani fëmijët dhe të moshuarit të sigurt

Të rriturit e moshuar janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj nxehtësisë ekstreme sepse plakja dhe sëmundje si ato kardiovaskulare dhe diabeti ndikojnë në aftësinë e njerëzve për ta rregulluar temperaturën.

Nxehtësia mund t’i përkeqësojë këto gjendje. Sipas studimeve në The Lancet Planetary Health, nxehtësia është lidhur me një rritje të rrezikut për arrest kardiak, sulme në zemër dhe goditje në tru, si dhe me ulje të funksionit të veshkave.

Fëmijët janë në rrezik të lartë sepse priren të mbinxehen shpejt dhe e kanë më të vështirë të ftohen, tha Dr. Ebi.

  1. Zbuloni nëse barnat tuaja e rrisin rrezikun

Miliona njerëz marrin barna që i bëjnë më të ndjeshëm ndaj efekteve të nxehtësisë ekstreme. Ilaçet për sëmundje të zakonshme – përfshirë alergjitë, tensionin e lartë të gjakut, sëmundjet e veshkave, hipotiroidizmin dhe sëmundje të ndryshme mendore – mund ta dëmtojnë aftësinë e trupit për t’u ftohur.

Disa barna, si diuretikët dhe disa antidepresivë, mund ta shtypin ndjenjën e etjes dhe të shkaktojnë urinim dhe djersitje më të shpeshtë. Barna të tjera, si Benadryl dhe stimuluesit, mund të bëjnë që të djersitni më pak dhe që truri të rrisë temperaturën e trupit.

Por nuk duhet të lini pa i marrë dozat e barnave të përshkruara pa folur më parë me mjekun tuaj, tha Dr. Raukar. Në vend të kësaj, ajo rekomandon të merrni më shumë masa paraprake për të qëndruar të freskët.

  1. “Hajeni” ujin

Uji, qumështi dhe uji i kokosit janë disa nga opsionet më të mira për të qëndruar të hidratuar. Por trupi juaj e merr rreth 20% të ujit nga ushqimi.

Frutat dhe perimet e papërpunuara, përfshirë kastravecat, marulen, selinon, domatet, luleshtrydhet dhe pjeprin, janë ndër ushqimet më hidratuese. Dhe meqë ekspertët sugjerojnë ta shmangni përdorimin e sobës dhe furrës gjatë valëve të të nxehtit, përgatitja e sallatave, supave të ftohta dhe recetave të tjera që nuk kërkojnë gatim mund t’ju ndihmojë ta “hani” ujin.

Vetëm sigurohuni ta shmangni alkoolin dhe ta kufizoni kafen, sepse të dyja dehidratojnë, tha Dr. Raukar.

  1. Përshtatni rutinën tuaj të ushtrimeve

Ushtrimet fizike gjatë një vale nxehtësie mund të jenë të rrezikshme. Lagështia mund ta bëjë veçanërisht të vështirë rregullimin e temperaturës së trupit, sepse djersa nuk avullon lehtësisht nga lëkura dhe nuk ju ftoh me efikasitet. Ndërkohë, nxehtësia e thatë mund t’ju dehidratojë shpejt, duke ngadalësuar prodhimin e djersës.

Ekspertët thonë se nuk është e nevojshme që të gjitha ushtrimet tuaja t’i bëni brenda. Por duhet të hidratoheni para se të dilni jashtë; të vishni rroba që marrin frymë dhe me ngjyrë të çelët; dhe të gjeni vende me hije për të ushtruar. “Dëgjoni trupin tuaj”, tha Dr. Raukar, sepse nxehtësia ekstreme mund të shkaktojë ngërçe në muskuj dhe madje edhe shkatërrim të tyre.

Gjithashtu, mendoni për kohën e ditës kur ushtroni: Ndërsa herët në mëngjes mund të jetë koha më e mirë për nxehtësinë e thatë, ajo mund të jetë koha më e keqe për të ushtruar kur ka lagështi.

  1. Ftohuni përpara se të shtriheni

Temperatura është një nga faktorët më të rëndësishëm për të pasur një gjumë të mirë natën, dhe ekspertët rekomandojnë ta mbani dhomën e gjumit në 65 deri 68 gradë Fahrenheit (18-20 gradë Celsius). Nxehtësia ekstreme mund ta bëjë më të vështirë jo vetëm të flini, por edhe të qëndroni në gjumë, duke ju lënë të përgjumur në mëngjes.

Ndërsa kondicionerët dhe ventilatorët mund të ndihmojnë sigurisht, mund të qëndroni të freskët gjithashtu duke bërë një dush të ftohtë, duke spërkatur çarçafët me ujë të ftohtë ose duke vendosur jastëkun në ngrirje përpara gjumit./ KultPlus.com

Animacioni në qendër të vëmendjes – festivali Anibar këtë vit me britmën “WTF”

Edicioni i sivjetmë i festivalit të animacionit, Anibar, kthen sytë kah vetë thelbi i këtij mediumi: si një formë arti që flet për ne, për botën dhe për kohën në të cilën jetojmë.

Përmes një programi të përzgjedhur me kujdes nga kuratorët Petrit Gora, Vita Kasapolli dhe Panot Mahmutaj, ky edicion sjell një rrugëtim filmik të pasur, të shumëllojshëm dhe gjithnjë aktual.

1504 aplikime nga 111 shtete, 162 filma të përzgjedhur nga 51 shtete, 6 gara dhe 3 kategori jo-garuese!

Programi përfshin dimensione kryesore: kategoritë garuese dhe ato jo-garuese, që bashkë përmbledhin eksperimentimin, ndjeshmërinë, realitetin dhe guximin e animacionit bashkëkohor.

KATEGORITË GARUESE

Gara Ndërkombëtare – 19 filma nga vende të ndryshme që flasin përtej gjuhës, përmes ngjyrës, lëvizjes dhe emocioneve universale.

Gara Studentore – 27 filma të rinjsh që eksperimentojnë me forma të reja dhe sfidojnë normat, duke sjellë ide të freskëta dhe të fuqishme.

Gara Ballkanike – 7 filma nga zemra e rajonit që pasqyrojnë Ballkanin me gjithë shpirtin, tensionin dhe humorin e tij të veçantë.

Gara e Video Animacioneve Muzikore – 10 krijime që shndërrojnë tingullin në pamje, duke e vendosur muzikën si bashkë-krijuese të narrativës vizuale.

Gara e Audiencës së Re – 31 filma për ata që e përjetojnë çdo gjë për herë të parë, ose për ata që nuk e kanë harruar ndjesinë e habisë.

Gara për të Drejtat e Njeriut – 7 filma që trajtojnë drejtësinë, barazinë dhe dinjitetin njerëzor me ndjeshmëri dhe forcë.

KATEGORITË JO-GARUESE

Këto kategori ofrojnë hapësirë për eksplorim dhe dokumentim, përtej konkurrencës, por jo përtej rëndësisë artistike.

Kategoria Eksperimentale – 13 filma që thyejnë rregullat për të gjetur gjuhën e vet unike; një ftesë për të menduar animacionin ndryshe.

Kategoria e Dokumentarëve të Animuar – 5 filma që përdorin animacionin për të treguar të vërteta të thella, kujtime të turbullta dhe emocione të papërkthyera në imazh konvencional.

Kategoria e Punëve të Kontraktuara – 24 krijime komerciale që tregojnë se arti mund të jetojë edhe përmes reklamave, trailerëve dhe projekteve të porositura, duke tejkaluar shpesh pritshmëritë.

Ky program filmik reflekton mënyrën tonë për ta kuptuar dhe jetuar animacionin sot. Të gjithë janë të ftuar të përjetojnë një javë të veçantë, ku filmat vijnë herë të qeta, herë të zhurmshme, por gjithmonë të sinqerta./ KultPlus.com

Nis projekti për të krijuar ADN-në artificiale njerëzore

Puna ka filluar në një projekt të diskutueshëm për të krijuar blloqet ndërtuese të jetës njerëzore nga e para, në atë që besohet të jetë i pari në botë.

Hulumtimi ka qenë tabu deri më tani për shkak të shqetësimeve se mund të çojë në foshnje të projektuara ose ndryshime të paparashikuara për brezat e ardhshëm, shkruan BBC.

Por tani, organizata bamirëse më e madhe mjekësore në botë, “Wellcome Trust”, ka dhënë një shumë fillestare prej 10 milionë paundësh për të filluar projektin dhe thotë se ka potencialin të bëjë më shumë mirë sesa dëm duke përshpejtuar trajtimet për shumë sëmundje të pashërueshme.

Mjeku Julian Sale, i Laboratorit të Biologjisë Molekulare MRC në Kembrixh, i cili është pjesë e projektit, i tha BBC News se hulumtimi ishte hapi gjigant i radhës në biologji.

“Qielli është limiti. Ne po shqyrtojmë terapi që do të përmirësojnë jetën e njerëzve ndërsa plaken, që do të çojnë në plakje më të shëndetshme me më pak sëmundje ndërsa plaken.Ne po kërkojmë ta përdorim këtë qasje për të gjeneruar qeliza rezistente ndaj sëmundjeve që mund t’i përdorim për të ripopulluar organet e dëmtuara, për shembull në mëlçi dhe zemër, madje edhe në sistemin imunitar”, tha ai.

Por kritikët kanë frikë se ky hulumtim u hap rrugën studiuesve të ‘paskrupullt’ që kërkojnë të krijojnë njerëz të përmirësuar ose të modifikuar.

Mjeku Pat Thomas, drejtor i grupit të fushatës Beyond GM, tha: “Na pëlqen të mendojmë se të gjithë shkencëtarët janë aty për të bërë mirë, por shkenca mund të ripërdoret për të bërë dëm dhe për luftë”.

Detajet e projektit iu dhanë BBC News në 25-vjetorin e përfundimit të Projektit të Gjenomit Njerëzor, i cili hartëzoi molekulat në ADN-në njerëzore dhe u financua gjithashtu kryesisht nga Wellcome./ KultPlus.com

Të bashkuar kundër torturës: Trajtimi me dinjitet i personave me çrregullime mendore

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT) risjell në vëmendje se shëndeti mendor është një e drejtë themelore dhe trajtimi dinjitoz i çdo individi është thelbësor në parandalimin e torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

Në Kosovë, mungesa e institucioneve të specializuara për vendosjen dhe trajtimin e kryerësve me çrregullime mendore vazhdon të cenojë rëndë të drejtat e njeriut. Personat me probleme të shëndetit mendor që ndodhen nën masë sigurie apo paraburgim, shpeshherë përfundojnë në institucione korrektuese të papërshtatshme, në kundërshtim me ligjin dhe me standardet ndërkombëtare.

Personat me çrregullime mendore nuk kanë vend në burg. Ata kanë nevojë për trajtim, jo për ndëshkim. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Neni 3, thekson se vendosja e tyre në qendra paraburgimi pa kujdes të duhur mjekësor përbën trajtim çnjerëzor dhe degradues.

QKRMT bën thirrje për:

• Rritje të kapaciteteve të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, përfshirë hapësira për gratë dhe të miturit;

• Ndërprerje të menjëhershme të praktikës së mbajtjes së personave me çrregullime mendore në qendra paraburgimi;

• Trajnime të detyrueshme për gjyqtarët, prokurorët dhe stafin korrektues mbi shëndetin mendor, etikën dhe trajtimin dinjitoz;

• Qasje të qëndrueshme në shërbime profesionale, duke përfshirë mbështetje psikologjike, psiko-sociale dhe rehabilituese.

Gjithashtu, neni 14 i Konventës kundër torturës dhe ndëshkimeve të tjera mizore, çnjerëzore, degraduese apo ndëshkimitështë thelbësor, sepse njeh të drejtën e viktimave të torturës për kompensim dhe rehabilitim të plotë, duke i detyruar shtetet të krijojnë mekanizma efektivë për të siguruar këto të drejta në mënyrë praktike dhe të zbatueshme. Ai vendos një detyrim ligjor që shkon përtej thjesht ndalimit të torturës, duke synuar rivendosjen e dinjitetit dhe të mirëqenies së viktimës.

Në këtë 26 Qershor, QKRMT i bashkohet thirrjes globale: “Të bashkuar kundër torturës.”/ KultPlus.com

Jam ilaç qetësues

Poezi nga Wislawa Szymborska, fituese e çmimit “Nobel”. Me gjithë popullaritetin e saj, Szymborska u largua nga sytë e publikut, u shpreh për “Gardian”-in në vitin 2000: “ka thjesht shumë vëmendje rreth meje”.

Jam ilaç qetësues.

Veproj në shtëpi,
funksionoj në zyrë,
përballoj provime,
prezantohem në procese gjyqësore,
ngjis me kujdes filxhanët e thyer.
Duhet vetëm të më pishë,
të më shkrish poshtë gjuhës,
pastaj të më dërgosh poshtë
me një gllënjkë ujë.

Di si të sillem me trishtimin,
si përballohet një lajm i keq,
tkurr padrejtësitë,
zbardh mosegzistencën e Zotit,
di të zgjedh një kapele të bukur për varrim.
Çfarë pret?
Ki besim te mëshira kimike!

Je burrë (apo grua) akoma i ri?
Duhet të sistemohesh në një farë mënyre?
Kush ka thënë se jeta përballohet me kurajë?

Dorëzomë thellësitë e tua.
Do t’i ngjesh me gjumë.
Ke për të më falënderuar,
kur të biesh në këmbë pas rrëzimit.

Shitma shpirtin.
Blerës tjetër nuk do të gjesh.

Një djall tjetër nuk egziston./KultPlus.com

Edina Pllana mban koncert recital me të ftuar speciale Fiona Llapashticën, prezantojnë veprat klasike të repertorit shqiptar e botëror

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e kaluar, publiku në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë, pati mundësinë të dëgjojë vepra të kompozitorëve të njohur, në koncertin recital të sopranos Edina Pllana dhe të ftuarës së saj speciale, sopranos Fiona Llapashtica, nën shoqërimin e pianistit Agron Shujaku, shkruan KultPlus.

Koncerti u hap me veprën ‘Në mes dashurive’ të kompozitorit të njohur shqiptar Çesk Zadeja, me një interpretim të ndjerë nga sopranoja Pllana, duke përgatitur publikun për një mbrëmje të veçantë që do ta shoqërojë në vazhdim.

Pas kësaj performance, në skenë u sopranoja Fiona Llapashtica, e cila solli veprat ‘Wenn mein Schatz’ nga Gustav Mahler dhe ‘Der Spielmann’ nga Robert Schumann, interpretime këto që u përcollën me duartrokitje të ndjera nga publiku.

Më pas, vepra ikonike, ‘Senza Mamma’ e Giacomo Puccinit, një arie e thellë dhe prekëse, u përçua edhe tek pjesëmarrësit, teksa u interpretua ndjeshëm nga Edina Pllana.

Më tej, dy sopranot u bashkuan për të interpretuar veprën ‘Die Schwestern’ të Johannes Brahms, një bashkëpunim që solli një harmoni të përsosur vokale dhe shpirtërore.

Një pikë e veçantë e mbrëmjes ishte edhe prezenca e pianistit të ftuar Shpëtim Mehmeti, i cili interpretoi me finesë dhe ndjeshmëri veprën ‘Élégie in E+ minor’ të Sergei Rachmaninoff.

Programi vazhdoi me një tjetër arie të Puccinit, ‘Si, mi chiamano Mimi’, e interpretuar nga Edina Pllana, duke sjellë në skenë personazhin e Mimit nga opera ‘La Boheme’. Fiona Llapashtica pasoi me veprën dramatike “Der Zwerg” të Franz Schubert dhe më pas me elegjinë ‘Dido’s Lament’  nga Henry Purcell.

Ndërkaq, ky koncert u përmbyll me interpretimin e Edina Pllanës në veprën “Pace, pace mio Dio” të Giuseppe Verdit, një arie komplekse që i dha një tjetër dimension kësaj mbrëmje.

Pas koncerti, mes emocionesh, Edina Pllana foli për KultPlus rreth koncertit, bashkëpunimin e Fiona Llapashticën si dhe për përzgjedhjen e repertorit të kësaj mbrëmje.

“Ka qenë një koncert shumë i veçantë sidomos për faktin që kisha nderin ta kem Fiona Llapashticën në skenë e cila performoi këngët në mënyrën e saj më perfekte të mundshme. Shpresoj që kjo ka qenë një inspirim për të gjithë njerëzit që dëgjojnë muzikë dhe që e përcjellin artin në përgjithësi. Ka qenë kënaqësi të bashkëpunoj edhe me pianistin Agron Shujaku pianistin Shpëtim Mehmeti. Repertorin e kam përzgjedhur vetë sepse janë shumë të veçanta për mua”, theksoi Pllana.

Ndërkaq, e ftuara special, Fiona Llapashtica, u shpreh e lumtur që ishte pjesë e këtij koncerti. Ajo po ashtu ndau me KultPlus edhe për planet e saj në të ardhmen.

“Ndihem shumë e nderuar që Edina më ka ftuar për këtë koncert edhe të performoj në këtë skenë. Kjo ka qenë edhe premierë për mua sepse asnjëherë nuk kam performuar në skena të tilla. Këngët që i kam interpretuar më pëlqejnë shumë dhe mendoj se gjithçka ka shkuar shumë mirë. Në fund të korrikut do të kem një koncert me masterclass me Ramë Lahaj këtu në Prishtinë.  Po ashtu do të kem një koncert të enjten në Vjenë bashkë me klasën time të fakultetit”, tha Llapashtica duke shtuar mes tjerash që planet e tjera të saj do të fillojnë nga shtatori.

Për KultPlus foli edhe pianisti Agron Shujaku, i cili vlerësoi këtë koncert, si dhe sopranon Edina Pllana që sipas tij është në ngritjen e saj profesionale.

“Ky koncert qenë një bashkëpunim me Edinën. Edina është një solokëngëtare e re e cila sapo ka përfunduar shkollimin në master dhe aktivisht është duke u marrë me ngritjen e saj profesionale. Ka qenë rezultat i bashkëpunimit për gati dy muaj prova me Edinën dhe me mysafiren e saj Fionën. Mendoj që ky është vetëm një hap i parë për Edinën, mund të them se ka thyer akullin për koncertet e ardhshme që do t’i ketë”, tha Shujaku, duke shtuar se Edina Pllana është një soprano që premton shumë dhe se këto janë vetëm hapat e saj të parë./KultPlus.com

‘Mos mendoni se paraja mund të bëjë gjithçka për ju’

François-Marie Arouet që më pas u quajt “Dë Volter” ose Volteri, u lind më 21 nëntor 1694 dhe vdiq 30 Maj 1778, ishte bir i një noteri parisian. Nxënës i kolegjit jezuit “Luigji i Madh”, duke filluar nga viti 1704 ai shkroi vargjet e para dhe tragjedinë e tij të parë (të humbur) nëmoshën dymbëdhjetëvjeçare.

Duke lënë kolegjin më 1711, prirja e tij prej shkrimtari u ndal. Megjithëse i filloi studimet për drejtësi nën trysninë e të atit, i braktisi ato shumë shpejt. Një satirë kundër Regjencës së Filipit të Orleanit, që iu atribuua djaloshit të ri, i kushtoi një qëndrim prej njëmbëdhjetë muajsh në Bastijë. Gjashtë muaj pas lirimit, Volteri dorëzoi në teatër tragjedinë Edipi, që pati një sukses të madh dhe i dha emër si autor tragjik.

Më 1723, botimi i La Henriades, epope e ngjizur gjatë burgimit dhe kushtuar Francës së Hanrit III (që e kishte titulluar në fillim Liga ose Hanri i Madh), e bëri edhe më të famshëm. I kërcënuar më 1727 për t’u futur përsëri në burg për paturpësi të tepruar, shkrimtari parapëlqeu të emigronte në Angli.

Gjatë dy viteve që kaloi përtej Manshit, Volteri u interesua për teoritë e reja të Isak Njutonit mbi shkencat fizike dhe natyrore, si dhe për filozofinë politike të Xhon Lokut.

Volteri luftoi po ashtu për dinjitetin dhe lirinë e individit, në radhë të parë për vetveten: marrëdhëniet e tij me mbretin Frederiku II i Prusisë e bënë të besonte – por vetëm për një kohë – se një filozof dhe një monark absolut mund të flasin si i barabarti me të barabartin. Në betejën e tij kundër Kishës, u bind se një njeri nuk ka nevojë për bekimin e një prifti për t’iu njohur merita e tij.

Më 1791, revolucionarët mbartën triumfalisht eshtrat e filozofit – që ishte varrosur jashtë Parisit – në Panteon, në kishën e vjetër Sentë-Zhenevievë, e shndërruar në mauzole kushtuar “njerëzve të mëdhenj” të “atdheut mirënjohës”.

Thënie nga Volteri:

Unë nuk jam dakord me atë që thua, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde që ta thuash!

Triumfi i vërtetë i arsyes është se ne aftëson të vazhdojmë rrugën me ata që nuk e kanë!

Ka njerëz që nuk mendojnë më thellë se një fakt!

Gjithkush që ka pushtetin të të bëjë të besosh absurditete ka pushtetin të të bëjë të marrësh përsipër padrejtësi!

Çdo gjë shumë koti për t’u thënë këndohet!

Me anë të vlerësimit, e bëjmë përsosmërinë e të tjerëve pronën tonë!

Qeveritë duhet të kenë edhe barinj edhe kasapë!

Kur bëhet fjalë për paratë, të gjithë kanë të njëjtën fe!

Paragjykimet janë ato që budallenjtë përdorin për arsye!

Nëse Perëndia nuk do të ekzistonte, do të ishte e nevojshme ta shpiknim!

Çdo njeri është fajtor për të gjitha të mirat që s’ka bërë!

Filozofia, vetëm filozofia, kjo motër e fesë i ka hequr besëtytnisë armët nga duart e gjakosura prej kohësh dhe tani që ka dalë

helmi, mendja e njeriut habitet me mynxyrat ku e kishte shpënë fanatizmi!

Toleranca nuk ka nxitur kurrë luftë civile, kurse mostoleranca e ka mbuluar tokën me gjak!

Gjykojeni një njeri më shumë nga pyetjet se sa nga përgjigjet e tij!

Zoti na e dha ne dhuratën e jetës; na takon ne t’ia japim vetes dhuratën e të jetuarit mirë!

Vlerësimi është një gjë e mrekullueshme: Kjo e bën atë që është e shkëlqyer tek të tjerët të na përkasë edhe neve!

Çdokush që ka fuqinë për të të bërë ty të besosh në absurditete, e ka fuqinë të të bëjë që ti të kryesh padrejtësi!

Në përgjithësi, arti i qeverisjes përbëhet nga marrja e sa më shumë parave që të jetë e mundur nga një klasë e qytetarëve për t’ia

dhënë një tjetre!

Unë kurrë nuk kam bërë lutje për Zotin, përveç njërës shumë të shkurtër: “O Zot, bëji armiqtë e mi qesharakë.” Dhe Zoti ma

dëgjoi!

Është e ndaluar për të vrarë; prandaj të gjithë vrasësit ndëshkohen, përveç nëse ata vrasin në numër të madh dhe nën tingujt e

borive!

Jeta është e mbjellë dendur me gjemba, dhe unë nuk di asnjë mjet tjetër përveçse të kaloj shpejt nëpër to. Sa më gjatë të

ndalemi në fatkeqësitë tona, aq më e madhe është fuqia e tyre për të na dëmtuar!

Zoti është një komedian, duke luajtur ndaj një audience që ka shumë të frikësuar për të qeshur!

Nga të gjitha fetë, e krishtera sigurisht duhet të frymëzojë tolerancën më të madhe, por deri tani të krishterët kanë qenë më

intolerantët e të gjithë njerëzve!

Është e vështirë t’i çlirosh budallenjtë nga zinxhirët të cilët ata i adhurojnë!

Të gjitha arsyetimet e burrave nuk janë me vlerë sa një ndjenjë e grave!

Çfarë është toleranca? Është pasojë e njerëzimit. Ne jemi të formuar të gjithë nga dobësia dhe gabimi; le të falim të gjithë ne

reciprokisht marrëzinë e njëri-tjetrit – ky është ligji i parë i natyrës!

Unë i urrej femrat, sepse ato gjithmonë i dinë gjërat se ku janë!

Burri i cili vendos të befasojë papritur gruan e tij shumë shpesh e ka befasuar veten!

Është e rrezikshme të kesh të drejtë në çështjet në të cilat autoritetet e kohës janë gabim!

Arti i qeverisjes është për të bërë dy të tretat e një kombi të paguajnë gjithçka që ata mund të paguajnë, për të mirën e një të

tretës tjetër!

Nuk është e mjaftueshme të shohim dhe të njohim bukurinë e një vepre. Ne duhet ta ndjejmë dhe të prekemi prej saj!

Për të patur sukses në botë nuk është e mjaftueshme të jesh budalla, duhet gjithashtu të jesh i sjellshëm!

Është më mirë të rrezikosh shpëtimin e një njeriu fajtor sesa të dënosh një njeri të pafajshëm! /KultPlus.com

Fragment nga ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’

Fragment nga Rexhep Qosja

Natën, shpesh më zë ankthi, më kaplojnë djersë të ftohta, më del gjumi kohë e pa kohë, shoh ëndrra të këqija: bolla që dalin prej syve të tu dhe m’i vërsulen kërthizës, tigra, që duke kërcëllitur dhëmbët, më sulmojnë kokën; sorra dhe korba që janë kurdisur në kornizën e fotografisë sime dhe krrokasin, krrokasin, krrokasin, ndjellin zi dhe më shtien tmerrin. Sa shpesh më del përpara syri i Danjollit të Sherkës, i zmadhuar sa një disk, i shpuar në mjedis dhe do të m’i lexojë mendimet. Çohem atëherë, e shikoj derën a është e mbyllur mirë dhe e rrotulloj çelsin edhe një herë; që të mos hyjë Danjolli me syrin e tij. /KultPlus.com

Bijë

Poezi nga Velimir Chlebnikov
Përktheu Faslli Haliti

Vajzë! Nëse sytë e tu janë të lodhur për t’u zmadhuar,
nëse të pëlqen të më thërrasësh “vëlla”,
unë, syzjarrti, betohem
për të mbajtur lart lulen e jetës tënde.
Shiko, unë jam i tillë, rashë nga një re
shumë keq, më bartën
sepse isha ndryshe,
jo gjithmonë i përzemërt,
jo i dashur kudo.
Nëse ti dëshiron, do të jemi vëlla e motër,
pasi tashmë jemi në një tokë të lirë të njerëzive të lirë,
ne i bëjmë vetë ligjet, ligjet nuk duhet të na trembin,
dhe plazmojmë argjilin e veprimeve.
E di, je e bukur, lule e kaltërsisë,
dhe unë befas jam mirë,
nëse flisni për Soçin
dhe sytë e butë hapen.
Unë, që kam dashur gjatë,
papritmas kam besuar përherë
se është e kotë që një druvar të çajë
atë që ishte e paracaktuar…
Shumë fjalë të tepërta do të shmangim ne.
Thjeshtësisht do të shërbej për ty,
si një prift kapelan me kresht të gjatë:
për të pirë rrëketë e kaltra të pastërtisë
dhe nuk do të kemi frikë nga disa emra të tmerrshëm./ KultPlus.com

Thënie për jetën nga ikona e muzikës pop, Michael Jackson

“Përpara se të më gjykosh, përpiqu fort të më duash”.

“Të lutem, ndiqi ëndrrat! Pavarësisht idealeve të tua, ti mund të bëhesh ai që dëshiron të bëhesh”.

“Unë mund ta pranoj dështimin. Secili nga ne dështon në diçka përgjatë jetës së vet, por unë nuk mund ta pranoj dot të mos e provoj sërish”.

“Gjithmonë beso tek vetja. Pavarësisht nëse të tjerët rreth teje po tregohen negativë, apo po të përçojnë energji negative, mos i merr parasysh mendimet e tyre, sepse ti do të bëhesh, ashtu siç ti beson se do të bëhesh”.

“T’i japësh dikujt një pjesë të zemrës tënde, është shumë herë më me vlerë se t’i japësh gjithë pasurinë e botës”.

“Nëse ti nuk beson tek vetja jote, asgjë e mirë nuk do të të ndodhë në jetë. Nëse ti nuk beson tek vetja, kush tjetër do të të besojë ty?”

“Le të ëndërrojmë për një të nesërme ku do të dashurojmë me shpirt, dhe do ta njohim dashurinë si të vërtetën e vetme që buron nga zemra për çdo krijesë”.

“Është më mirë të dështosh duke qenë vetvetja, se sa të korrësh sukses duke imituar të tjerët”.

“Dikush dikur tha “Shpirti është ai që ka rëndësi””.

“Jini modestë, besoni tek vetja juaj dhe mbusheni zemrën tuaj me dashurinë e gjithë botës”

– Michael Jakson./ KultPlus.com

“Festa e dy popujve”, koncert në Shkodër me hitet e muzikës shqiptare dhe italiane

Një koncert magjik me muzikën më të bukur italiane dhe shqiptare do të organizohet sonte, në sheshin përpara bashkisë së Shkodrës.

Koncerti është konceptuar si një homazh ndaj “Festival Bar”, aktivitetit veror me muzikë të përzgjedhur që zhvillohej në sheshet e qyteteve italiane, nga viti 1964-2007.

Disa prej emrave më të mëdhenj të skenës shqiptare si: Eli Fara, Eranda Libohova, Era Rusi, Shpat Kasapi, Reshit Boka, Salabegu Band etj., do të interpretojnë natën e sotme hite të tyret dhe të personaliteteve si Vasco Rossi, Zucchero, Ricchi e Poveri, e të tjerë.

Koncerti “Festa e dy popujve” do të jetë një spektakël i vërtetë që përshkon traditën dhe muzikën e dy vendeve fqinje./atsh/KultPlus.com

‘E dashura ime, në mes të urrejtjes zbulova brenda vetes një dashuri të pathyeshme’

Poezi nga Albert Kamy

E dashura ime,
në mes të urrejtjes
zbulova brenda vetes një
dashuri të pathyeshme.

Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme.
Mes kaosit zbulova brenda vetes një qetësi të pathyeshme.
Në mes të dimrit kam kuptuar, më në fund, se brenda vetes kam një behar të pathyeshëm.

Dhe kjo më bën të lumtur.
Sepse kjo vërteton se s’ka rëndësi se sa ashpër
më kundërvihet bota
ngase brenda vetes
kam diç më të fortë,
diç më të mirë që sakaq
më shtyn të shkoj përpara.

– Albert Camus/ KultPlus.com

Gresa Pallaska fiton çmimin “Aktorja më e Mirë” në Madrid

Aktorja e njohur kosovare Gresa Pallaska është nderuar me çmimin “Aktorja më e Mirë” në festivalin ndërkombëtar të filmit Imagineindia IFF në Madrid, për rolin e saj në filmin “Pikë Uji”. Ky vlerësim vjen si rezultat i një interpretimi të fuqishëm dhe emocional në një nga filmat më të përfolur shqiptarë të vitit.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë organizatori i festivalit përmes një komunikimi zyrtar, ku thuhej: “Është nder për ne të njoftojmë se ju keni fituar çmimin Aktorja më e Mirë në festivalin Imagineindia IFF Madrid. Po ju dërgojmë certifikatën.”

Në filmin “Pikë Uji”, me skenar dhe regji të Robert Budinës dhe me producenten Sabina Kodra, Pallaska luan rolin kryesor të Aidës – një zyrtare bashkie dhe nënë që përballet me një krizë të thellë familjare dhe morale kur djali i saj akuzohet për një krim të rëndë. Roli kërkon ndërlikim emocional dhe përballje me dilema të forta etike, të cilat Gresa Pallaska i sjell në ekran me ndjeshmëri dhe intensitet të rrallë.

Ky çmim shënon një arritje të rëndësishme jo vetëm për aktoren, por edhe për kinemanë shqiptare në tërësi, duke e vendosur atë në hartën e vëmendjes ndërkombëtare.

Pallaska mbetet një nga figurat më të angazhuara në skenën artistike shqiptare dhe roli i saj në “Pikë Uji” forcon më tej pozicionin e saj si një nga aktoret më të vlerësuara të kohës./ KultPlus.com