Albin Kurti: Gjeneral Michael Jackson ka hyrë përgjithmonë në historinë moderne të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka kujtuar me mirënjohje të thellë gjeneralin Mike Jackson, i cili ka luajtur një rol të madh për Kosovën, përkatësisht me nënshkrimin e Marrëveshjes Teknike Ushtarake në Kumanovë më 9 qershor 1999, e cila i dha fund luftës në Kosovë duke shënuar kapitullimin e Ushtrisë së Jugosllavisë dhe Policisë së Serbisë.

Më poshtë është dedikimi i plotë e kryeministrit Kurti me rastin e vdekjes së Gjeneralit Jacskon.

Shëndeti nuk e la të vinte në Kosovë dhe të na bashkohej në shënimet e 25-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, por Gjeneral Michael Jackson ka hyrë përgjithmonë në historinë moderne të Kosovës. Në moshën 80 vjeçare, të martën e 15 tetorit 2024, gjenerali britanik Mike Jackson, vdiq i sëmurë nga kanceri në prostatë.

Mike Jackson ishte njeriu që në emër të trupave të NATO-s e nënshkroi Marrëveshjen Teknike Ushtarake në Kumanovë më 9 qershor 1999, e cila i dha fund luftës në Kosovë duke shënuar kapitullimin e Ushtrisë së Jugosllavisë dhe Policisë së Serbisë. Gjeneral Jackson ishte komandanti i parë i trupave ushtarake të misionit të KFOR-it, duke qenë kështu në krye të fazës finale të çlirimit të Kosovës, në qershor të vitit 1999.

Jeta dhe karriera e Mike Jacksonit, ishte një jetë e përkushtuar prej ushtaraku, ashtu siç sugjeron edhe vet ai te libri autobiografik i tij, i titulluar thjesht “Ushtar”.

Populli dhe shteti i Kosovës, i kujtojnë miqtë dhe përkrahësit e tyre, në rrugën e pafundme të historisë së lirisë dhe të shtetndërtimit.

Në kujtim të Gjeneral Michael Jacksonit, me mirënjohje të thella dhe vlerësime të larta./ KultPlus.com

Historia bullgare mbi rrota të trenit

– Në kryeqytetin bullgar historia ecte e prerë në dysh. Gjysma e trupit të saj ishte nëndhe e gjysma tjetër mbi. Por shpesh e ndërronin njëra tjetrën, e vjetra dilte mbi, kurse e reja hynte nëndhe. Ky alternim mbase e vizatonte më së miri portretin e Sofjës

Afrim DEMIRI

Sofje, tetor – Një ftesë nga karikturistët bullgarë për Shoqatën e karikaturistëve ferizajas “HiTHi”, jo vetëm që solli nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit në mes tyre, por ishte një “biletë” motivuese për të vizituar Bullgarinë.

Në kryeqytetin bullgar historia ecte e prerë në dysh. Gjysma e trupit të saj ishte nëndhe e gjysma tjetër mbi. Por shpesh e ndërronin njëra tjetrën, e vjetra dilte mbi, kurse e reja hynte nën dhe. Ky alternim mbase e vizatonte më së miri portretin e Sofjës. Serdica që ishte emri i vjetër i Sofjes, e themeluar para 2400 vjetëve ruhej nën sheshin e Sofjes së sotme e konzervuar duke i dhënë tiparet e një muzeu gjysëm të hapur. Prej poshtë nga kulmi i qelqtë shihej lëvizja e njerëzve lart. Emri i saj i lashtë Serdica që rridhte nga fisi i Serdëve të Trakëve, që themeluan qytetin në shekullin e 5-të para Krishtit, ishte shpërndarë me krenari nëpër shumë qendra tregtare apo monumente kulture gjithandej Sofjes moderne.

Ndërkaq përmendorja në krye të sheshit 28 metra e lartë “Shën Sofja”, shfaqte dhe simbolizonte mbrojtjen e Sofjës nga armiqtë dhe njëkohësisht shpërndante dashuri. “Shikojeni sa krenare dhe dinjitioze duket, në njerën dorë ka kurorën e lavdisë dhe në tjetrën grushtin e mirësisë dhe të dashurisë së gatshme që të dhuron”, na shpjegon artisti bullgar, Walex Aleksandrov.

Serdica dhe Sofja bashkëjetonin dhe shprehnin njëkohësisht identitetin e lashtë nga probullgarë të dikurshëm në bullgarë të sotëm. Është privilegj ta kesh në një qytet të huaj një ciceron artist. Walex për dy ditë shprehu mikëpritjen bullgare duke na dhuruar një guidë, e cila na dërgonte te pikat më interesante të Sofjes. Metroja e ndërlidhte Sofjen moderne me Serdicën antike. Metroja si një gjarpër teknik dukshëm e kishte transferuar Sofjen nga një qytet komunist në një modern. E filluar më 1998, vetëm 9 vite pas zgjedhjeve të para demokratike ajo metroja kishte përfunduar brenda 25 vitesh së ndërtuari. Më afër 62 stracione ajo barte mbi 400 mijë udhëtarë në ditë nga një pjesë në pjesën tjetër të Sofjes. Ajo na dërgoi edhe tek amabasada e Republikës së Kosovës, ku u pritëm ngrohtësisht nga zyrtarët Bujar Deskaj dhe Bekim Misini. Kryetari i shoqatës ‘HiTHi”, Imri Musliu informoi diplomatët për karakterin e Festivalit ndërkombëtar të karikaturës në Ferizaj dhe për pjesëmarrjen e artistëve  bullgarë në të gjtha  10 edicionet e tij. U dhanë zotime për rritjen e shkëmbimeve kulturore. Diplomacia kulturore shihej me peshë të veçantë për afirmimin e vlerave reciproke. Diplomati Desku foli për shumë gjurmë të rilindasëve tanë në Sofje dhe foli për faktin se shteti bullgar kishte qenë shteti i parë që zyrtarisht kishte njohur Pavarësinë e Shqipërisë më 1920. Ata mirëpritën nëshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet artistëve bullgarë dhe kosovarë dhe premtuan përkrahje.

Metroja na dërgoi në Kopshtin e monumenteve komuniste

Tingëllonte paksa ironike që nga dalja prej metros për pak hapa të shpejtë të Walexit u gjetëm në “Muzeun e Përvojës Komuniste”. Metroja e kapitalizmit na dërgoi në muzeun komunist. Në kopshtin e këtij muzeu ishin mbledhur me qindra përmendore, statuja, kompozicione skulpturore të figurave komuniste, që nga babai i revolucionit rus Lenini, kryekomunistit bullgar Dimitrovit e deri tek simboli i revolucionit kubanez Çe Gevara. Aty sikur ishte ngri koha e kuqe. Skulpturat e artit soc-realist me gjokse te theksuara e shpatulla të gjëra flisnin me gjuhën e pathyeshme të një kohe, që sot strukej në kujtimet e gjeneratës që po ikën. Ata nga larg përngjanin në kaçubetë të mbetur arave, pas korrjes së misrit të kuq.

Në ndërtesën e këtij Muzeu ishin vendosur gjithashtu të mbledhura gjithandej nëpër Bullgari pikturat e kohës së dikurshme proletare, në një ekspozitë të përhershme, të kuruar nga Nikolai Ushatavaliiski. Në fjalën e tij të vendosur në mur theksohej glorifikimi dhe trishtimi që përcillej në këto piktura nga jeta e popullit bullgar nën ndikimin e komunizmit rus. Motive të punës së brigadave punuese mbizotëronin ato. “Shikojini fytyrat e punëtorëve, fshatarëve siç janë të zymta, pikëlluese, ato shprehin revoltën e fshehur të piktorëve bullgarë për dikaturën”, sqaronte Aleksandrov.

Po thuaj në çdo pikturë përpos ngjyrave të kuqe të ndezura mbizotëronte edhe flamuri proletar me yllin pesëcepësh. “E shihni se askund nuk është flamuri kombëtar bullgar, gjithkund është flamuri i kuq proletar”, shprehej Aleksandrovi. Në dalje e bëmë nga një foto tek Ylli i kuq komunist, i cili me helikopterë ishte shkulë nga kulmi i ndertesës së Kuvendit Popullor të Bullgarisë më 1989.

Me të dalur nga njëri muze, Aleksandrov na drejtonte tek muzeu tjetër. Ne ecnim me hap të shpejtë, derisa maratonistët përshkonin udhët e Sofjës, për Maratonin “Sofja 2024”. Teatri Kombëtar bullgar mbante emrin e poetit e dramaturgut Ivan Vazovit. Duke lexuar më shumë për të në shtypin shqiptar hasa se ai konsiderohej se kishte origjinë shqiptare. Babai i tij Qiriako kishte ardhë nga Korça. Përtej këtij fakti më erdhi keq që nuk kisha lexuar asgjë për të, por as nga letërsia bullgare. Nuk besoj të jetë vetëm faji im. Po ashtu më rritej kurreshtja të dija nëse krijuesit tanë të Rilindjes kanë bashkëpunuar me të në ndonjë formë. Mbase një kërkim që duhet të kryhet.

Përmendorja e tij shfaqet edhe para hyrjës së bazilikës “Shën Sofija”, një nga monumentet qendrore religjioze në Sofje. Sofja ka shumë të tilla, madje në një hapësirë katrore, në kulmet e tij të imagjinuara qëndronin katër objektet e kultit të katër religjioneve, sinagoga hebreje, kisha katolike, kisha ortodokse dhe xhamia.

Por, “Shën Sofija” ishte e rrallë nisur nga fakti se brenda shtratit të saj historik ishin ndërruar tri religjione dhe natyrisht tri kohëra. Në fillim, në kohën e Perandorisë Romake kishte qenë kishë katolike. Në dy katet e nëndheshme ishin mbi 40 varre dhe mëse katër kisha më të vogëla. Dy mozaiqe të ruajtura mirë ishin konzervuar me xham. Mu kujtuan mozaiqet tona të gjetura në Neredime, Klinë dhe Ulpianë që sërish i kemi mbuluar. Pastaj ishte shndërruar në kishë ortodokse, gjatë kohës së Bizantit, kurse Perandoria Osmane ia kishte vuar minaren për ta kthyer në xhami.

Pothuaj çdo kryeqytet e karakterizon nga një urë, përpos Prishtinës sonë që e ka lumin e futur në gypa. Sofja e kishte urën me emrin e çuditshëm “Ura e Katër Luanjëve”, duke e fuqizuar totemin e luanit, mbase sikur ne të shqiponjës.

Mbrëmja  me artistët e karikaturës bullgare, Lubomir Mihailov, sekretar gjeneral në SBH, seksioni i karikaturës; Valentin Georgiev – Ruse, Kryetar i grupit të aristëve nga qyteti Ruse, Evgenij Naçev – Pernik, grafist në gazetat „Strshell“ dhe „Pras – Pres“, Sofje   Nikola Georgiev, Walex Aleksandrov, Kryetar i Unionit të Artistëve bullgarë, seksioni i karikaturës si dhe Ivailo Cvetkov, karikaturist, solli shkëmbimin e batutave por edhe shumë dhuratave artistike të ndërsjellta. Pothuaj që të gjithë kishin qenë në Kosovë dhe ndanin përshtypjet më të mira për festivalet që organizohen tek ne për karikaturën. Hristo Nedyakov kishte punuar një kohë në Prishtinë gjatë ndërtimit të Pallatit të Drejtësisë si inxhinier i elektroteknikës dhe tregonte për miqësitë që kishte krijuar me kuadrot shqiptare. Cvetkov bënte shaka në kurriz të vetvetës “Nuk e di a më njohin si artistin më të mirë, por të gjithë e dinë në Sofje se i porosisë dy birra përnjëherë”, derisa na tregonte katalogun e punimeve të tij. Në mes shakave ballkanike për verën e bardhë dhe të zezë, nata bie mbi Sofjen krahas shiut që nuk ndalej.

Nesër na prisnin befasi të tjera. Miqtë bullgar na këshillonin t’i vizitojmë dy fshatrat e largëta që dikur ishin të banuara me shqiptarë.

Arbanasi dhe Mandric dy emblema shqiptare në Bullgari

Nisemi për t’i parë ato gjurmë shqiptare të mbetura në kohë si kujtime të largëta. Marrim rrugën e Varnës për rrethin e Veliko Tarnovo. Udhëtimi zgjat bashkë me kurreshtjen tonë se ku ishin ngulitur shqiptarët gjatë kohës së Perandorisë Osmane ndër shekuj. Shënimet historike flasin për fillimin e vendosjes së shqiptarëve mjaft herët qysh në shekullin e XV, por shënimet mesjetare flasin se në vitin 1751 Arbanasi ka pasur rreth 236 shtëpi të krishtera shqiptare, por gjithashtu dëshmohet për praninë e shqiptarëve edhe në fshatrat e tjerë të zonës përreth. Duhej të kishin qenë shqiptarë ortodoksë të ardhur kryesisht nga Shqipëria Jugore, zona e Kosturit dhe Epirit, që merreshin me tregtinë e dhenve, ata që janë vendosur në këto zona.

Që nga larg na duken shtëpitë e njohura. Është Arabanasi i zhytur në vetminë e tij, që në vend të mysafirëve, tash priste turistë. Lëmë anash hotelin e fshatit, kalanë mbi dhe kishën dhe ngjitemi deri tek shtëpitë e fundit. Një fshat model i restaurimit. Shtëpitë e mbyllura. Shumica të shëndërruara në shtëpi turistike. I tërë fshati ka vulën e fshatit më të njohur turistik në Bullgari me emrin shqip. Trokasim në derën e drurit të një shtëpie dykatëshe. I zoti shtëpisë vonon të del i befasuar nga mysafirët e paftuar. Dikur hapet dera. Del i zymtë. Është Hristov Teodor, sociolog. Të duket se çdo i dyti bullgar e ka emrin Hristov. Pohon shkurt, për atë që e pyesim. Pohon historinë, sipas tij duhet të jetë viti 1830 kur kanë ardhë shqiptarët. Ky e kishte blerë një shtëpi dhe ishte bërë arbanas. Kishte disa vepra të botuara nga fusha e sociologjisë. Na tregon ku janë varret e vjetra. Shkojmë dhe bëjmë homazhe në kërkim të emrave të harruar shqiptar. Varreve shumë të vjetra nuk u lexohen mbishkrimet. Hasëm mbiemra Kosturokova, Ribula, Parashkevas etj. Nuk mund të tipizohej ndonjë emër mbiemër shqiptar. Dikur fshati kishte pasur mbi 3000 banorë. Konsiderohet se shqiptarët kanë vazhduar të shpërngulen prej këtu në Ukrainë. Sot fshati ka më shumë turistë se sa banorë lokal. Në shtëpinë e shndërruar në restaurant “Hani i Arbanasit” na shërben kamarieri me këtë mbishkrim në një këmishë tradicionale prej mëndafshi. Edhe menynë e zgjedhim “pulë arbanase”.

E lëshojmë Arbanasin duke marrë me veten ndjenjën krenare se si ka mbijetuar ky emër dhe mbizotëron në turizmin malor të Bullgarisë. Na shkon mendja se si një rimodelim i tillë i fshatrave tona mund të bëhet në këtë mënyrë si psh Juniku, Rugova apo Jezerci.

Për në Mandricë na pret një udhë tjetër, ajo që të shpie për në Burgas. Mandrica ndodhej në bregun e djathtë të lumit Byala, në pjesën më lindore të maleve Rodop, 15 km në jug të Ivaylograd dhe 2 km në perëndim të lumit Luda, i cili krijon kufirin me Greqinë. Në regjistrimin e fundit në Bullgari ishin deklaruar 400 shqiptarë, por në fshat jetonin rreth 25 veta, kurse ne takuam disa prej tyre. Shënimet thojnë se ky fshat është themeluar në vitin 1636 nga shqiptarë Ortodoksë të Lindjes, të cilët kishin shërbyer në ushtrinë otomane. Njeriun e parë që e takuam kishte dy emra njerin bullgar Mitko Slavov tjetrin musliman Ahmet Deliahmetov. Për herë të parë dëgjova se ka bullgarë musliman. Përndryshe 8 -10% të popullatës në Bullgari janë turq. Tha se ishte bullgar musliman, por përdorte dy emra. Me dashamirësi na dërgoi tek banorja më e vjetër e fshatit. Ishte shqiptarja Sulltana Gramenova (92). U gëzua pa masë kur na pa tek rrinte nën hije të një peme me dy bullgare. Velika, dinte shqip se ishte martuar me shqiptar. “Këtu kemi ardhë nga Vithkuqi”, sqaron zoja Sulltane me një shqipe të ëmbël toske. Tregon për fëmijët që iu kishin shpërnda dhe ankohej për vetminë. Sulltanja këmbëngulë te emërtimi i fshatit “Mandricë i thojnë bullgarët, Mandrise grekët, kurse ne shqiptarët i themi Mandritë”, sikur donte t’ia ipte kuptimin “ma ndritë”.

Nga shtëpia përballë dilte bullgarja Cvetllana. E pyesim ku shkonte, derisa peshonte moshën e saj 84 vjeçare mbi dy shkopinj. “Cvetllana po shkon te Sulltanja”, pohon me gaz në buzë. Teodori, fqinj i tyre bullgar, I martuar me një shqiptare, në një shqipe të cunguar mundohet të na sqarojë se gjithashtu duhet të ketë qenë viti 1830 kur kanë ardhë shqiptarët këtu.

Veprimtaria kryesore e tyre  ndër vite kishte qenë punimi i mëndafshit, rritja e duhanit, manifaktura dhe tregtia. Në fillim të shekullit XX, fshati kishte arritur dikur rreth 3500 banorë, ndërsa sot Mandrica është një fshat i braktisur. Fletëvdekjet e vendosura në derë dhe dritare të shtëpive sikur tregojnë shuarjen e fshatit.

Në vitin 2016, ishte ndërtuar në Mandricë, një hotel i vogël i bukur, me bar e restorant, i cili mban emrin në gjuhën shqipe ”Bukur shtëpi” (Shtëpia e bukur). Për habi një anglez dhe një gjerman kishin blerë shtëpi dhe jetonin në Mandricë. Modeli i Arbanasit si duket ka nxitur shqiptarët nga diaspora të provojnë ta rikthejnë jetën edhe në Mandricë. Kosta 81 vjeç dhe Hristovi (78) flisnin shqip, derisa na tregojnë se deri në vitin 1990 kishte punuar shkolla në fshat. Fshati ishte zbrazë për shkak të shpërnguljeve qoftë në thellësi të Bullgarisë apo në vendet perëndimore. Kosta na pyeti si kishte përfunduar loja në mes Lituanisë dhe Kosovës. Kur i treguam se Kosova ka fituar, u deshpërua sepse në prognozën sportive e kishte mbushur barazim.

Përshendetemi me urimet më të mira të bindur se në rropatjet e popullit tonë gjuha shqipe ka qenë ajo që ka mbajtur barrën e ruajtjes së identitetit.

Bullgarinë e lamë pas me bindjen se sa pak kemi mësuar për fqinjët tanë.

Me vete e morëm imazhin e mozaikut të punuar si mural në ballin e Stacionit të trenit, nga foto historike dhe peisazhe të Bullgarisë në një kompozicion të trenave. Ndalohej fotografimi nga masat e rritura të sigurisë për shkak të terrorizmit!

Historia e Bullgarisë mbi rrota të trenit vazhdonte udhëtimin e saj!/ KultPlus.com

Shqipëria, 66 vjet anëtare dhe me 9 pasuri në UNESCO

Më 16 tetor 1958 Shqipëria u bë pjesë e organizatës së UNESCO-s. Me 194 vende anëtare UNESCO-ja mbron 1223 pasuri botërore të paçmueshme, dëshmi e jetës dhe aktivitetit njerëzor ndër shekuj.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) synon të inkurajojë identifikimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në mbarë botën. Konventa e vitit 1972 për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore Botërore vlerësoi se disa vende në Tokë janë me “vlerë të jashtëzakonshme universale” dhe duhet të jenë pjesë e trashëgimisë së përbashkët të njerëzimit.

Ajo që e bën konceptin e Trashëgimisë Botërore të jashtëzakonshme është zbatimi i tij universal. Pasuritë e mbrojtura nga UNESCO u përkasin të gjithë popujve të botës, pavarësisht nga territori në të cilin ndodhen.

Në listën e trashëgimisë botërore të kësaj organizate bëjnë pjesë 9 pasuri materiale e shpirtërore shqiptare, që në ansambël përfaqësojnë sharmin e kulturës dhe të natyrës shqiptare.

Në mesin e pasurive shqiptare të regjistruara në kujtesën botërore bëjnë pjesë: Butrinti, për peizazhin e larmishëm dhe artefaktet e kulturës greko-romake; qyteti i një mbi një dritareve, Berati, për hir të vlerave arkitekturore; qyteti i gurtë i Gjirokastrës. Këto janë qendra historike të trashëgimisë së përbotshme të UNESCO-s, ku figurojnë gjithashtu edhe Liqeni i Ohrit si dhe Pyjet e Lashta të Ahut (Rrajca dhe Lumi i Gashit). Në listën e trashëgimisë botërore janë të përfshira gjithashtu edhe isopolifonia shqiptare, xhubleta, Kodiku i Purpurt i Beratit dhe transhumanca, siç njihet ndryshe tradita e shtegtimit të bagëtive./atsh/KultPlus.com

Sinkronizimi tematik i historisë në letërsi

-Aspekte nga romanet e Jusuf Buxhovit, që do të mbesin kronikë letrare balzakiane në letërsinë shqipe.

Nga Ardian Haxhaj

Një shoqëri, etnitet gjuhësor, kombëtar, apo politik, konsiderohet i konsoliduar së pari kur arrin ta krijojë arealin e vet kulturor, veçmas në letërsinë artistike, më konkretisht me shkrimin e romaneve, që e përçon aktin më të lartë zhvillimor të një kulture kombëtare dhe shtetërore. Letërsia shqipe e Kosovës me përfshirjen e gjithmbarshme të letërsisë së shkruar në gjuhën shqipe në viset etnike shqiptare nën ish-Jugosllavi, për shkaqe objektive është zhvilluar vonë në kuptimin institucional, por jo edhe historik. Gjenocidi etnokulturor nga pushtuesit që u është bërë shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë londineze e ka pamundësuar zhvillimin e letërsisë në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare. Megjithatë, për një periudhë rekord të shkurtër, vetëm brenda një gjysmëshekulli, pas rrethanave të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore, letërsia shqipe në Kosovë hyri në panteonin e letërsisë së përbotshme me vepra emblematike, vlerat e të cilave përçojnë mesazhe universale të përhershme. Në vazhdën e këtij konsolidimi kulturor, veprimtaria letrare e Jusuf Buxhovit shënjoi një momentum reprezentativ kulturor në përgjithësi, e letrar në veçanti, edhe në kuptimin sasior, ku, që me botimin e librit të parë me tregime në vitin 1972, e deri më sot, i ka botuar mbi tridhjetë vepra letrare: romane, libra me tregime dhe drama.

Veprimtaria letrare e Jusuf Buxhovit shquhet për mënyrat dhe format e tematizimit të miteve, historisë dhe dokumentaritetit në funksion të një letërsie me premisa herë sureale, herë me premisa të realizmit magjik, e herë dokumentare, ku kufijtë e kohërave e hapësirave shpërfaqën ndërveprueshëm e spontanisht. Vepra letrare e Buxhovit është një përpjekje për ndërveprimin e të kaluarës me të tashmen, që i ndihmon ta trasojë më lehtë të ardhmen. Tematizimi i historisë së etnisë sonë në veprën e Buxhovit në plotësi shpërfaqet si një lloj filozofie e historisë, e ambalazhuar përmes vijave arkitekturore të romanit artistik. Pa dyshim se në veprimtarinë letrare të Buxhovit, si në shumicën e veprimtarive letrare tëshkrimtarëve të gjeneratës së tij në arealin kulturor të Kosovës së atëhershme, hetohet tendenca iluministe e theksimit të shenjave etnike historike si vlera me premisa kombëtare.

Për t’i theksuar disa prej karakteristikave tematike, mënyrave të funksionalizimit të rrëfimit dhe anëve stilistikore nga gjithë veprimtaria letrare e Jusuf Buxhovit, e kemi bërë një përzgjedhje të katër romaneve që janë shkruar në dekada të ndryshme: “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, “Kujtimet e Zonjës von Braun”, “Kodi i dashurisë” dhe “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës”.

Romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” i shkruar në formë të shënimeve, që autori ia atribuon narratorit, një personazhi të mirënjohur historik, Gjon Nikollë Kazazit, e përshkruan një kohë të jashtëzakonshme të përballjes së qytetit të tij, Gjakovës me rrethinë, me ethet e murtajës, që rezulton të jetë me shumë pikëpyetje se prej nga vinte epidemia.Një personazh historik, zbulues i veprës “Meshari” të Gjon Buzukut në vitin 1748 në Bibliotekën e Kongregacionit për Përhapjen e Fesë në Romë, e përshkruan atmosferën e qytetërimit shqiptar, që jetonte nën trysninë dhe përballjen e dy civilizimeve: të Lindjes dhe të Perëndimit. Përsiatjet e narratorit për pozicionin ekzistencial të një etnie të lashtë, që graviton në kufijtë e perandorive të ndryshme, paraqesin një shtjellim të shkëlqyer eseistik dhe letrar me konotacione aktuale dhe të tejkohëshme. Jo rastësisht miku më i ngushtë i narratorit, njëherazi i afërm “prej gjaku” është Lam Mula, një personazh letrar, që ndërvepron me narratorin, për t’i mbijetuar të keqes. Gjon Nikollë Kazazi dhe LamMula janë të lindur në qytetin e njëjtë, kanë lozur si fëmijë me të njëjtat lojëra, e kanë parë qytetin me botëkuptimin e fëmijëve, ku lumi “Erenik” u është dukur deti më i madh në botë, por që etja për të nxënë dije i çon në dy drejtime: njërin në Vatikan, e tjetrin në Stamboll. Të dy e shohin botën nga prizmi i dy civilizimeve, i asimilojnë dijet e zëna, kthehen në vendlindjen e tyre dhe e krijojnë një sintezë të dy dijeve, dy civilizimeve, një simbiozë kjo simbolike me shumë përshtresime kuptimore. Megjithatë, të dy nxënësit e dijeve të dy civilizimeve e konsiderojnë të nevojshme e të domosdoshme të hulumtojnë nga dijet dhe praktikat e përdorura nga paraardhësit e vet. Këto dije dhe praktika çojnë përtej dijeve të konservuara teologjike. Kozmogonia e vendit të Gjon Nikollë Kazazit dhe Lam Mulës paraqet herezi për të gjithëpushtetshmit, por është pikërisht ky ndërveprim i dijeve të lashta, që i takojnë kohës së “Pellazgjisë”, ajo që i mban gjallë njerëzit para kërcënimit vdekjeprurës të murtajës.

Gjon Nikollë Kazazi dhe Lam Mula janë dalzotësit e etnisë së tyre në mbrojtje nga rreziqet dhe kanosjet që i vijnë nga të huajt. Ata e kuptojnë ndërhyrjen e interesave të perandorive mbi vendlindjen e tyre dhe të dy bëjnë përpjekje të gjejnë forma të përshtatjes për mbijetesë. Gjon Nikollë Kazazi dhe Lam Mula përsiatin për të kaluarën e lashtësisë së këtyre vendbanimeve deri në “Pellazgji”, për trysnitë e civilizimeve Lindje-Perëndim, Perëndim-Lindje, për gjendjen e njerëzve të tyre në mesin e përballjes së këtyre dy civilizimeve, për përshtatjen e nevojshme dhe të domosdoshme për mbijetesë, për dukurinë e laramanisë fetare, koncept i stigmatizuar si heretizëm nga të gjitha kampet e religjioneve, por që del aq pragmatik, human e civilizues për etninë tonë.

Përsiatjet eseistike të narratorit, Gjon Nikollë Kazazit, të kujtojnë përsiatjet e narratorit të romanit “Emri i trendafilit” të UmbertoEco-s, për fasadat e skizmave, për mbishtresimet simbolike të dijeve parakristiane me ato kristiane. Epidemia e murtajës në romanin e Buxhovit kuptohet edhe si luftë speciale e përdorur nga fuqitë madhore për qëllime nënshtrimi, pushtimi, shkatërrimi etj. Shkrimtari Buxhovi guximshëm dhe suksesshëm e ka trasuar temën e mbijetesës së një kombi përmes përshtatjeve dhe sintezave teologjike, botëkuptimore, kulturore dhe materiale. Është me rëndësi të potencohet se përdorimi i referencave me qasje eseistike paraqitet në suaza të narracionit romanesk, në koherencë me rrëfimin, që e bën romanin të lexohet rrjedhshëm, për dallim nga shumë romane që trajtohen në formë të eseve, e të cilëve u humb koherenca e narracionit. Romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” i shkrimtarit Jusuf Buxhovit ishte dhe mbetet në listën e romaneve më të qëndrueshme në letërsinë shqipe.

Romani “Kujtimet e Zonjës von Braun” (2005) është një formë e romanit eseistik me trajtesa filozofike për një kohë historike. Në këtë roman pretendohet që personazhet të jepen vetëm si ide, që portretizohen me anë të meditimeve të zbërthyera përmes kujtimeve të Zonjës von Braun dhe dorëshkrimit tjetër Një besë për Shqipninë të Kolonelit, të cilat shtjellohen përmes Skulptorit, që në këtë rast e ka rolin e narratorit. Përsiatjet eseistike në formën e romanit trajtesë në “Kujtimet e Zonjës von Braun” gjithsesi kanë të bëjnë me kohë historike, madje me njërën prej kohërave më tëçmendura të historisë dhe të shoqërisë shqiptare, atë të viteve pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë londineze e deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore të vitit 1914. Sintagma për Shqipërinë Shqipëri, e shprehur në të dyja dialektet kryesore, është e njohur dhe e trajtuar që nga rilindësit tanë e këndej, por mënyra filozofike e trajtimit të kësaj sintagme në romanin e Jusuf Buxhovit është jashtëzakonisht e veçantë, origjinale, e pa trajtuar më parë në fushën e letërsisë. Me një njohje erudite për konceptin e dashurisë si term estetik, autori e funksionalizon atë në koncept filozofik e nganjëherë edhe etik, për të sendërtuar një ideal suprem: idealin e bërjes së Shqipërisë Shqipëri. Dashuria njerëzore, që si term në këtë rast i përmban të gjitha shtresat tjera kuptimore përplotësuese, është ana e kundërt e praktisis-it shqiptar çfarë mbretëronte në vitet 1913-1914 (kohë të cilën Ismail Kadare e ka quajtur si vit i mbrapshtë), me anarki totale, urrejtje e gjakderdhje, me formime të ushtrive shqiptare nën flamuj të të gjitha vendeve dhe ideologjive. Heroi ideor, Koloneli, këtij kaosi dhe kësaj zhbërje etnike dhe shoqërore ia kundërvë armën e vetme që mendon se mund të kryej punë, dashurinë. Koloneli, që përmes figurës së Skulptorit si narrator, dihet se ishte mbyllur për njëzetë e pesë ditë në teqenë e Leqezës, vend në të cilin ditën e fillimit të Luftës së Parë Botërore edhe e merr një plumb në kokë, është idealist. Mbyllja e Kolonelit në teqenë e Leqezës dhe përsiatjet e tij për gjetjen e formulës për bërjen e Shqipnisë Shqipni, ngjyroset me konotacione interliterale. Këtë interliteralitet e hetojmë edhe në romanin “Kujtimet e Zonjës von Braun”. Ky mision i ngjashëm në frymën mesianike deklamon dashuri në vend të urrejtjes, bashkim në vend të ndarjes, njohje të vlerave njerëzore dhe kombëtare në vend shkatërrimit, paqe në vend të luftës.

Misioni që ia ka caktuar vetës Koloneli dhe përkrahësja shpirtërore e tij, Helenore von Braun, është sa idealist, aq edhe tragjik. “Do të vritemi e do të pritemi, do të asgjësohemi dhe vetasgjësohemi nëse e shpërfillim dashurinë dhe ndijimin e saj’, thotë dhe përkujton ‘se e kundërta mund të ndodhë vetëm në rrethanat e krijimit të perandorisë së më të mirës’, për të shtuar se aty dhe ashtu ‘perëndesha dashuri përjeton shfaqjen e saj të plotë…” (f. 30). Pra dashurinë si shpëtim nga kolapsi, Koloneli dhe Zonja von Braun ia atribuojnë një perëndeshe, të cilës në kohërat e lashta paraardhësit e shqiptarëve i janë lutur dhe e kanë adhuruar si një kryezot.Perëndesha del si simbol, pasi që heterogjeniteti fetar i etnisë shqiptare nuk kishte mundësi t’i dilte në krye për të mirë një çështjeje sublime, siç ishte bërja e ShqipnisëShqipni (edhe vetë teqeja në këtë rast nënkupton unifikimin dhe asnjanësinë e këtij tempulli fetar ndërmjet kryqit dhe hënës).

Romani “Kujtimet e Zonjës von Braun” pretendon të ngrejë në nivel teorie një koncept estetiko-filozofik për t’iu kundërvënë një sociologjie të egër çfarë ishte ajo shqiptare në vitet 1912-1914. Madje relacionet ideore që i ngërthen në vete ky roman janë universale edhe për shoqërinë e sotme shqiptare dhe më gjerë.Gjuha poetike është e domosdoshme për zbërthimin e koncepteve filozofike, siç janë: dashuri-urrejtje, mirësi-ligësi. Sintaksa në romanin “Kujtimet e Zonjës von Braun” dallon me periudhat e stërgjata, me fjali bashkërenditëse e nënrenditëse, që nganjëherë e kapin edhe një faqe të tërë.

Romani “Kodi i dashurisë” (2006) duket si një thirrje profetike për një dashuri universale. Duke dashur t’i paraqesë në mënyrën më të drejtpërdrejtë dhe më kundërthënëse njëkohësisht antipodin e dashurisë dhe të mirësisë, siç janë urrejtja dhe lufta, kësaj here autori fillin e ngjarjeve të syzheut e vendos në kohën më të re të luftës dhe të krimit që ka ndodhur në Kosovën e vitit 1999. Në këtë roman vazhdohet të prekën vitet më kritike të etnisë sonë, duke filluar nga Lufta Ballakanike e deri te lufta e fundit. Megjithatë edhe në “Kodi i dashurisë” autori nuk pretendon të kategorizojë shkrimin e prozës si roman historik apo epope, por mundohet të elaborojë me konceptet etike, filozofike dhe politike që dalin nga lufta dhe konflikti.

Meqenëse forma arkitekstuale është çelësi i interpretimit të romanit “Kodi i dashurisë”, atëherë edhe interpretimi për të duhet të përmbajë referenca me romanet pararendëse të Jusuf Buxhovit. Kështu, misioni i Kolonelit që defilon edhe në romanet paraprake është vazhdim i misionit të tij me përfundim tragjik. Si një misionar që mundohet t’i pajtojë dhe përbashkojë konceptet e kundërta etike, filozofike dhe politike (dashuri-urrejtje; mirësi-ligësi; paqe-luftë; diktaturë-liri; komunizëm-demokraci), fryma iluministe, romantike dhe nganjëherë mistike e Kolonelit bartet në mënyrë asociative edhe në “Kodi i dashurisë”. Është Kujtim Kosova, heroi i korrespodencave ditore me një gazetë të njohur gjermane gjatë golgotës kosovare, që flet me shumë zëra; herë si Kujtim Kosova, herë si Gjin Bardhi fatkeq nga derë princore e Dukagjinasve, herë si Nikë Bardhi, herë si Mendim Drini e herë si Gjon Nikollë Kazazi, ai që i shpërfaq tre shekuj histori të një etnie të rrezikuar nga shfarosja.

Në mesin e kaosit që shkakton urrejtja dhe lufta, zëri i Kujtim Kosovës është edhe zë i një arsyeje universale, që mëton të ndërtojë një frymë të re profetike e nganjëherë edhe romantike të mirëqenies dhe të dashurisë. Ai është i preokupuar së pari më Kodin e Luftës që tani më ishte i hapur dhe, si oponencë ia vë Kodin e Dashurisë. Është kjo një thirrje profetike për dashuri, një dashuri në kohën e urrejtjes. Këtë kohë ai e cilëson si shpallje të kohës së dashurisë së përhershme dhe të përgjithshme, të ngjashme me atë ndijimin hyjnor, që përendesha dashuri ua kishte dhuruar krijesave me rastin e shfaqjes së mbretërisë së tokës. Frymës mesianike të heroit që proklamon dashuri në vend të urrejtjes, autori i jep atribute profetike kur Kujtim Kosova e zgjon nga vdekja e sigurt të dashurën e tij, Verën, apo kur flet me një formë teknikisht të panjohur më parë, me një telefon me lidhje të pazbuluara. Kjo frymë profetike që mëton të shpallet përmes një idealisti, shpirti i të cilit flet në disa kohë, e ka një përfundim tragjik sikur shumica e profetëve dhe idealistëve që i njeh qytetërimi botëror. Pikërisht në momentin e shpalljes së kësaj dashurie universale, dalin forcat e tjera kundërshtuese, që janë të barasvlershme me luftën, urrejtjen dhe smirën, ato që e shuajnë atë zë. Vdekja e Kujtim Kosovës pranë një teqeje, që predikon lidhjet spirituale të drejtpërdrejta më Krijuesin, mbetet enigmë, ashtu siç mbetet enigmë vrasja e Kolonelit (Kujtimet e zonjës VonBraun) pikërisht në këtë teqe. Kjo e vë në pah edhe një çështje tjetër: zërat që trumbetojnë bashkim në vend të ndarjes, dashuri në vend të urrejtjes, paqe në vend të luftës, sikur shuhen dhunshëm, pa arritur të përhapen, apo të konsolidohen. Është ky një zë që pëson tragjikisht edhe në romanet paraprake të Buxhovit. Në një rast personazhi enigmë Kujtim Kosova deklarohet se “këtë luftë do ta bëjmë në emër të dashurisë dhe vetëm të dashurisë, e kundër urrejtjes dhe çmendjes së saj”.

Një tip krejt tjetër i romanit me prosede dokumentar është romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” (2011).Romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” shënjon formën pluraliste të përdorimit të gjuhës dhe të teknikave të rrëfimit, që së bashku e ndërtojnë një roman me prosede dokumentar. Meqenëse romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” e ka një syzhe ciklik, pika nismëtare e romanit, që është edhe pika zero, vazhdon në trajektoren e saj deri sa të përfundon përsëri në pikën nismëtare.Ky roman është i strukturuar në tri perspektiva narrative. Në pjesën e parë flitet për jetën e personazhit Bashkim Kosova nga narratori i gjithëdijshëm, ku shpaloset autobiografia dhe auto-ideografia e personazhit nga perspektiva reale (është fjala për portretizimin e tij sipas rrugës jetësore, që nga lindja e deri te vrasja). Në pjesën e dytë me nëntitull “Çfarë u tha për Bashkim Kosovën”, autori i fut në funksion format e artikujve gazetareskë si pjesë strukturore të fabulës (një shembull ky shumë i rrallë në prozën shqipe ku format e shkrimit ndërthurën sipas një montazhe koherente). Kjo pjesë e romanit përmban edhe artikuj realë të gazetave shqiptare dhe serbe, të shkruara gjatë viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar. Ndërkaq në pjesën e tretë me nëntitull “Çfarë tha Bashkim Kosova” perspektiva e rrëfimit del nga un-i, ku Bashkim Kosova rrëfen për vetveten, nga e cila shpaloset edhe këndi më emocional i jetës dhe veprës së personazhit.

Edhe pse romani Lufta e fundit e Bashkim Kosovëse shpërfaq imazhin e një romani me premisa dokumentare, e nganjëherë edhe gazetareske, në substratin e tij tekstor vërehet përshtresimi i arketipit sipas Jungut. Vetë emërtimi Bashkim Kosova është bashkëdyzim semantik i dy emërtimeve të cilat krijojnë arketipin e Bashkimit, si nocion atdhetar dhe nocionit tjetër Kosova, si toponimi, etno-gjeografi shpirtërore. Është pikërisht ky bashkëdyzim emërues që do t’ia përcaktojë fatin Bashkim Kosovës, si kur ai lufton në ring për ta mbajtur dhe madhëruar emërtimin e tij për hir të vetvetes dhe tifozëve bashkatdhetarë, si kur ky emërtim bëhet pikënisje e kërcënimeve dhe shantazheve nga të tjerët, që e shihnin Kosovën dhe njerëzit e saj si Gogol.

Bashkim Kosova është prototipi i një personaliteti shqiptar, idealet sublime të të cilit çdoherë bien ndesh me ata që e donë të kundërtën. Madje, personazhi Bashkim Kosova në formën interliterale është vazhdim i personazheve ide të romaneve të mëparshme të shkrimtarit Buxhovi. Ky interliteralitet konceptesh është vazhdim i idealeve të Kolonelit për bërjen e Shqipnisë Shqipni në romanin Kujtimet e Zonjës von Braun, pastaj vazhdim i idealeve të personazhit Kujtim Kosova (ku edhe këtu kemi bashkëdyzim semantik të emërtimit që ndërtojnë arketip) në romanin Kodi i dashurisë, ku koncepti i luftës së tij ndaj të keqes është dashuri kundër urrejtjes, etj.

Në përgjithësi, në romanet e Jusuf Buxhovit historia dhe dokumentarja dalin të sinkronizuara, premisë të cilën semiologu Roland Barthes e shpjegon me faktin se “si te Romani ashtu edhe te Historia kemi ndërtim të një bote autarkike, që vetë i prodhon dimensionet e veta dhe kufijtë e vet, duke vënë aty kohën e vet, hapësirën e vet, popullsinë e vet, koleksionin e objekteve dhe të miteve të veta”. Kështu, në romanet e Buxhovit dokumentarja dhe historia i hyn në punë për ta ndërtuar “botën autarkike” nëpër të cilën ecin, jetojnë, dashurohen, urrehen dhe vriten personazhet e romanit.

Atë që e ka thënë historiani Buxhovi përmes librave historikë, shkrimtari Buxhovi përmes romaneve e ka përforcuar me krijimin e realiteteve artistike, pasi që, thënë me fjalët e shkrimtarit dhe teoricienit çek, MilanKundera: “e vetmja arsye e ekzistencës së romanit është ta thotë atë që vetëm romani mund ta thotë”. Veprimtaria letrare në mijëra faqe romane, tregime e novela e Jusuf Buxhovit do të mbetet kronikë letrare balzakiane në letërsinë shqipe.

(I lexuar me rastin e aktivitetit letrar “Jusuf Buxhovi – krijimtaria letrare”, i organizuar nga “Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit” në Tiranë, më 12 tetor 2021.)/KultPlus.com

Shfaqja “Nyja e Gidionit” në natën e dytë të “Skupifestival”

Mbrëmë në natën e dytë të Skupifestivalit u shfaq pjesa teatrore “Nyja e Gidionit” është një dramë emocionuese, që të nxit në mendime e bazuar në veprën e një prej dramaturgëve më të njohur dhe më të vlerësuar nga kritika letrare amerikane, Johnna Adams. 

Shfaqja teatrore “Nyja e Gidionit”, e përshtatur nga teksti i dramaturges amerikane Johnna Adams dhe regji të Selma Alispahić. Nëna e Gidion, Korin dhe mësuesja e tij Hedher përballen me të gjitha pyetjet komplekse dhe sfidat e të rinjve që rriten sot.

Takimi i tyre shkaktohet nga akti i Gidionit, një pikë pa kthim, ku gjërat nuk mund të jenë më kurrë të njëjta. Ashtu si në realitetin ku jetojmë, kërkimi i përgjigjeve fillon vetëm pasi problemet grumbullohen në një pikë ku pyetjet e thjeshta nuk mund të ofrojnë përgjigje të thjeshta.

Klasa ku takohen nëna dhe mësuesja bëhet një skenë përballjeje me përgjegjësi personale dhe sistematike në procesin e rritjes dhe edukimit të të rinjve. Çfarë dimë dhe çfarë mendojmë se dimë për fëmijët tanë? A kemi kohë t’i shikojmë me kujdes dhe të dëgjojmë se çfarë kanë për të thënë? Sa mund të angazhohen vërtet mësuesit me secilin fëmijë individualisht?

Shfaqja trajton pyetje dhe çështje të ndezura që lidhen me sistemin shkollor, lirinë e shprehjes, dhunën e bashkëmoshatarëve, lirinë krijuese, ndikimin e mësuesve, rolet e prindërve dhe përgjegjësitë e të dy palëve. Kërkimi i përgjigjeve e ngatërron më tej “nyjën gordiane” apo çon në zbërthimin e saj? Ky vendim i lihet të merret nga vet shikuesi. Por një gjë është më se e sigurt, ajo nyje nuk mund të pritet dhe ne si pjesë e shoqërisë duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që ajo të mos ngatërrohet. Pra, të gjithë ne jemi përgjegjës për këtë.

Sonte programi i Skupifestivalit vazhdon me shfaqjen “Fëmijët nga pluhuri”, e prodhuar nga CIE Toula Limnaios nga Berlin, Gjermani./KultPlus.com

Dita Botërore e Ushqimit, FAO: 733 milionë njerëz vuajnë urie

Dita Botërore e Ushqimit është një ditë ndërkombëtare që festohet çdo vit në mbarë botën më 16 tetor, ditën e themelimit të FAO-s, Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë në vitin 1945.

FAO u ofron vendeve asistencë teknike mbi politikat dhe legjislacionin, për të transformuar sistemet agroushqimore për prodhim më të mirë, ushqim më të mirë, një mjedis më të mirë dhe një jetë më të mirë për të gjithë.

Fermerët në botë prodhojnë mjaftueshëm për të ushqyer më shumë se popullsia globale, megjithatë uria vazhdon. Rreth 733 milionë njerëz po përballen me urinë në botë për shkak të motit të keq, konflikteve, krizave ekonomike, pabarazisë dhe pandemisë. Kjo ndikon më së shumti tek të varfërit dhe të pambrojturit, shumë prej të cilëve janë familje bujqësore.

Ushqimi është nevoja e tretë më themelore e njeriut pas ajrit dhe ujit. Të gjithë duhet të kenë të drejtën për ushqim të mjaftueshëm. Të drejtat e njeriut si e drejta për ushqim, jetë dhe liri, punë dhe arsim njihen nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe dy pakte ndërkombëtare ligjërisht të detyrueshme.

E megjithatë 2.8 miliardë njerëz në botë nuk janë në gjendje të përballojnë një dietë të shëndetshme. Dietat e pashëndetshme janë shkaku kryesor i të gjitha formave të kequshqyerjes, mangësive në mikronutrientë dhe obezitetit, të cilat tani ekzistojnë në shumicën e vendeve, duke përfshirë gjithë klasat socio-ekonomike.

FAO thotë se, duke transformuar sistemet agroushqimore, ekziston një potencial i madh për të zbutur ndryshimet klimatike dhe për të mbështetur jetesën paqësore, elastike dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë./atsh/KultPlus.com

Përparim Rama pas vdekjes së komandantit Mike Jackson: Do të mbetet gjatë në kujtesën tonë për rolin e tij si komandant i KFOR-it gjatë vitit 1999

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas vdekjes së komandantit të parë të KFOR-it, gjeneralit Sir Mike Jackson.

Në rrjete sociale, Rama ka shkruar se Jackson do të mbetet gjatë në kujtesën tonë kolektive për rolin e tij si komandanti i parë i KFOR-it.

“Gjenerali Sir Mike Jackson do të mbetet gjatë në kujtesën tonë kolektive për rolin e tij si komandanti i parë i KFOR-it, i cili më 1999 kishte drejtuar forcat ndërkombëtare në Kosovë, të kryesuara nga NATO”, ka shkruar ai.

Tutje, Rama u shpreh se gjenerali Jackson luajti rol vendimtar në fushatën për ndalimin e spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës. Udhëheqja e tij ishte thelbësore në vendosjen e suksesshme të trupave të KFOR-it, duke siguruar tërheqjen e forcave serbe dhe kthimin e sigurt të popullsisë së zhvendosur.

“Sot ai paska ndërruar jetë por trashëgimia e tij do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm, veçanërisht në Kosovë, ku kontributet e tij për paqen dhe lirinë janë thellësisht të çmuara”, ka shkruar tutje Rama.

“Maqedonia” në qeverinë e Maqedonisë së Veriut

Drejtori i shtëpisë botuese “Jalifat Publishimg” nga Hustoni i Teksasit, Ramiz Tafilaj, gjatë qendrimit punues në qeverinë e Maqedonisë së Veriut në Shkup, ua dhuroi librin “Maqedonia” në shqip dhe anglisht të historianit Jusuf Buxhovi, zëvendës kryeministrit Iset Mexhini, ministrit të zhvillimit ekonomik, Visar Durmishi dhe ministrit të shëndetësisë, Arbër Taravari.

Jusuf Buxhovi

Zëvendëskryeministri i qeverisë dhe ministrat iu falënderuan botuesi Tafilaj për kontributin e tij për botimin e veprave historiografike që nxjerrin në pah të vërtetat historike për shqiptarët nga antikiteti deri te koha jonë të para nga aspekti etnik,kulturor dhe shoqëror- politik në kuadër të kompleksitetit rajonal si faktor i rëndësishëm autokton./KultPlus.com

Vdes komandanti i parë i KFOR-it, gjenerali britanik Mike Jackson

Ambasada britanike në Kosovë, ka njoftuar se ka vdekur komandanti i parë i KFOR-it, Gjenerali Sir Mike Jackson, në moshën 80-vjeçare.

Sir Mike Jackson ishte komandanti i parë i KFOR-it, i cili më 1999 kishte drejtuar forcat ndërkombëtare në Kosovë, të kryesuara nga NATO, pas tërheqjes së forcave serbe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila u kishte dhënë fund bombardimeve të NATO-s 78-ditore kundër caqeve dhe forcave serbe e jugosllave për shkak të fushatës së spastrimit etnik kundër popullatës shqiptare të Kosovës.

Kur u urdhërua të pengonte forcat ruse në Aeroportin e Prishtinës pasi ato hynë në Kosovë pa marrëveshjen e NATO-s, ai refuzoi.

“Nuk do të filloj Luftën e Tretë Botërore për ju”, i tha ai gjeneralit Clark.

Mike Jackson la gruan e tij Sarah, djemtë Mark dhe Tom, vajzën Amanda dhe katër nipër e mbesa.

Majori Andrew Fox, një ish-komandant kompanie në Regjimentin e Parashutës, e kujtoi Jacksonin, duke thënë: “Më vjen shumë keq që mësova për vdekjen e gjeneralit Sir Mike Jackson”.

“I nderuar që kam kaluar kohë në shoqërinë e tij në disa raste”, tha Majori Fox

Zëvendës-Marshalli Ajror Mick Smeath, Komandanti i Përgjithshëm i Regjimentit të RAF, tha: “Shumë i trishtuar kur dëgjova për vdekjen e gjeneralit Sir Mike Jackson”./KultPlus.com

‘Yjet e së ardhmes’, filmi më i mirë ndërkombëtar në Festivalin ‘Castelli Romani’ në Itali

Filmi shqiptar “Yjet e së ardhmes” u vlerësua  si “Filmi më i Mirë Ndërkombëtar” i edicionit të 8-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Castelli Romani” (CRoFFI), që u zhvillua më 4-11 tetor në Ariccia (Romë).

Ky film ka skenar të Uli Bree, regjisor dhe producent Edmond Topi, drejtor fotografie Leonard Qendro, konsulent artistik Mirela Oktrova, kompozitor Saimir Çili, montazhi: Eliodor Markja, grimi dhe kostumet – Bebeka Alla.

Në film interpretojnë Tinka Kurti (Nderi i Kombit), Reshat Arbana (Nderi i Kombit), Margarita Xhepa (Nderi i Kombit), Luftar Paja (Mjeshtër i Madh), Gazmend Paja, Elia Zaharia, Ema Andrea, Sadush Ylli, Karafil Shena, Bajram Dosti, Igli Zarka, Jorida Meta.

Filmi ia doli të rrëmbente zemrat e publikut dhe të tërhiqte vëmendjen e jurisë.

Publiku roman dhe jo vetëm u entuziazmua dhe emocionua nga historia e bandës së të moshuarve “të rinj”, “Robi dhe Trinitrina” dhe vullneti i tyre për ta jetuar jetën deri në fund dhe me të gjithë fuqinë…, pavarësisht të papriturave të jetës… interpretuar me mjeshtëri nga Tinka Kurti, Reshat Arbana, Margarita Xhepa dhe Luftar Paja.

Bashkudhëtari dhe nxitësi i tyre, Robi (Gazmend Paja) është një artist ende i “pashpërthyer”. Prej vitesh bën muzikë, por ende nuk është i njohur. Mendon se kjo mundësi do t’i krijohet nëse, me formacionin e tij muzikor arrin të fitojë konkursin kombëtar “Yjet e së ardhmes”. Por sherrosja në një lokal e shpie në gjyq, ku i kanoset burgu… . Kur gjykata ia konverton dënimin me punë në dobi të komunitetit, ai përfundon në një shtëpi të moshuarish, ku ka shefe fqinjën (Elia Zaharia), të cilën e “torturon” përnatë me muzikën tij. Temperamenti prej artisti e miqëson shpejt me të moshuarit, të cilëve u rizgjon dëshirën për të jetuar dhe e afron me vajzën, e cila e njeh nga një plan tjetër.

Po puna është me orë të zgjatura, ndaj formacioni i tij e zëvendëson… Tentativa për të bërë një kor me të moshuarit, shihet si shkelje nga drejtoresha (Ema Andrea), e cila e largon nga puna dhe njofton gjykatën. Pa formacion dhe me një këmbë në burg, duket se ëndrra u gropos përfundimisht, derisa “miqtë“ e moshuar e ftojnë të krijojë një formacion me ta.

Sado e çmendur, ideja funksionon: ata ushtrohen rregullisht fshehurazi drejtoreshës që mbikëqyr të moshuarit dhe policisë që kërkon artistin. Edhe “zbulimi“ dhe më pas përplasja me drejtoreshën, jo vetëm që nuk i paralizon, por i bën të moshuarit “heronj“, të publikut dhe të të rinjve…, pavarësisht moshës dhe të papriturave, që ajo „ruan“ për ta…

Konkurrimi i filmave në festival u zhvillua në kategoritë e filmit të shkurtër dhe filmit me metrazh të gjatë, ku u përfshinë 54 filma të shkurtër, nga mbi 15 vende të botës dhe 11 filma me metrazh të gjatë, nga Shqipëria, Italia, Bullgaria, Gjermania dhe Franca.

Oferta filmike u ndoq nga publiku në Grottaferrata – Cinema Alfellini, Frascati – Cinema, pallati Chigi – Ariçia dhe online në CROFFI TV.

Konkurrimin në këto kategori e ndoqi juria qendrore e përbërë nga: Mimmo Calopresti – president (regjisor, skenarist dhe aktor), Janet De Nardis – regjisore dhe skenariste, Stefano Masciarelli – aktor, Stefano Reali – regjisor, Stefania Casini – regjisore, aktore, Blas Roca Rey – aktor, Josephine Alessio – gazetare (Rai News 24), Massimo Spano – regjisor dhe producent, Morena Gentile – aktore dhe producente, Alessandro Pondi – regjisor dhe Teresa Razzauti – regjisore kastingu dhe juria e medias, e përbërë nga: Elisabeth Missland, Dundar Kesapli, Luciano Sciubra, Sergio Fabi, Flavia Arcangeli, Alba Kepi, Ettore Giuffrida,l Vera Naydenova, Paola Medori dhe Marta Coco.

Në konkurrimin e Filmit të Shkurtër u ndanë 22 çmime, tetë prej të cilëve çmime për aktorët protagonistë dhe joprotagonistë, çmimet “Filmi më i Mirë”, “Fotografia më e Mirë” dhe “Regjia më e Mirë”, disa çmime karriere si edhe çmimet e Kritikës, Medias dhe Publikut.

Në  konkurrimin e filmit me metrazh të gjatë u ndanë 23 çmime, tre prej të cilëve çmime karriere për aktorët protagonistë, joprotagonistë dhe ndërkombëtarë, çmimet “Filmi më i Mirë”, “Filmi më i Mirë Ndërkombëtar” dhe “Regjia më e Mirë” si edhe çmimet e Kritikës, Medias, Publikut dhe rrjeteve sociale.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Castelli Romani” (CRoFFI) – është një ngjarje e rëndësishme kinematografike, me fokus kryesor te produksionet e pavarura.

Duke e konsideruar kinemanë si një mjet i rëndësishëm promovimi për rajonin Castelli Romani, i njohur për veçoritë e tij historike, kulturore, arkitekturore dhe ofertat eno-gastronomike, organizatorët e festivalit (shoqata “Punto e Virgola 2017”) synojnë që përmes personaliteteve të njohura të kinemasë italiane dhe ndërkombëtare, të tërheqin më shumë vëmendjen e turistëve, të cilët shpesh ndalen vetëm në Romë pa zbuluar thesaret e mrekullueshme të Castelli Romani.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Castelli Romani” (CRoFFI) e zhvilloi ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Edicionit të tij të Tetë (4-11 tetor 2024) në mjediset e mrekullueshme të Pallatit dukal Ariccia (Romë) – një shembull unik i një rezidence baroke të konservuar në kontekstin e saj arkitekturor e urban.

Amatorët e kinemasë e kanë të njohur pallatin, si kulisën historike të njërit prej filmave më të ndjekur të kinematografisë italiane dhe botërore “Leopardi” (“Il Gatopardo”, Luchino Visconti – 1963), me të paharrueshmit: Burt Lancaster, Alain Delon dhe Claudia Cardinale. /atsh/ KultPlus.com

Bienalia Ndërkombëtare e Artit për Inteligjencën Artificiale, Gripshi: 40 artistë nga 17 kombe mblidhen në Durrës

“Inteligjenca Artificiale” është arsyeja dhe motivi i Bienales Ndërkombëtare të Artit, ku artistë nga mbarë bota do të mblidhen në Durrës.

Për të kuptuar më shumë mbi organizimin dhe atë çfarë pritet të ndodhë i ftuar në studion e lajmeve në “Ora Neës” ishte artisti dhe kuratori i saj Oltsen Gripshi.

“Ju falënderoj shumë për ftesën dhe falëminderti për hapësirën, ku përmes një ekranit tuaj të vogël, por të një impakti shumë të madh bën të njohur një bienale që është në edicionin e saj të parë, siç është Bienalja e Artit Bashkëkohor të Durrësit, një qyteti antik, një qyteti i cili shkëlqimin nuk e ka humbur ndër shekuj dhe mbërrin në ditët e sotme me këtë aktivitet kaq të rëndësishëm, ku bën bashkë 17 kombe të botës dhe me 40 artistë nga vende të ndryshme.

Pasi pavioni shqiptar dhe ai i Italisë ka më tepër artistë bashkë me atë të Kinës, kështu që përpos numrit të kombeve artistët janë disi më tepër dhe ata janë ftuar për të interpretuar inteligjencën artificiale dhe të ardhmen hibride./oranews/ KultPlus.com

‘Loja e perëndive’, poezia fantastike e Paulo Coelhos

Poezi e shkruar nga Paulo Coelho

Ato hedhin zaret,
por nuk pyesin nëse duam të marrim pjesë në lojë.
Nuk duan t’ia dinë nëse ke lënë një burrë,
një shtëpi, një punë, një karrierë, një ëndërr.
Perënditë nuk duan t’ia dinë për faktin se ti do një jetë
ku çdo gjë të jetë në vendin e duhur,
ku çdo dëshirë mund të arrihet me punë dhe këmbëngulje.
Perënditë nuk i kushtojnë rëndësi planeve dhe shpresave tona.
Në një vend të universit, ato hedhin zaret,
dhe rastësisht të zgjedhin ty…
Nga ai moment e më vonë,
të humbasësh apo të humbësh është çështje mundësish.
Perënditë hedhin zaret dhe lirojnë dashurinë nga kafazi i saj.
Kjo forcë mund të krijojë ose shkatërrojë,
në varësi të drejtimit, nga i cili fryn era
në momentin kur lirohet nga burgu i saj.
Dashuria mund të na shpjerë në ferr ose në parajsë,
gjithsesi na çdo gjithmonë në një vend.
Është e rëndësishme ta pranosh gjithsesi,
sepse ajo ushqen ekzistencën tonë.
Nëse nuk e pranojmë,
do të vdesim urie duke parë degët e pemës së jetës plot me fruta:
nuk do të kemi guximin të zgjasim dorën dhe t’i mbledhim.
Është e rëndësishme ta kërkojmë dashurinë atje ku ndodhet,
edhe pse mund të duhen orë, ditë, javë zhgënjimi dhe trishtimi.
Sepse në momentin kur nisemi në kërkim të dashurisë,
edhe dashuria lëviz për të na ardhur pranë.
Dhe na shpëton.
Dhe në dashuri nuk ka rregulla.
Mund të përpiqmi të ndjekim manuale,
të kontrollojmë zemrën,
të krijojmë strategji për sjelljen tonë,
por të gjitha janë të parëndësishme.
Vendos zemra dhe ku ajo vendos, vetëm ai vendim ka rëndësi… / bota.al/ KultPlus.com

Një ndër intervistat e rralla të gjeniut Nikola Tesla

Për të profilizuar një identitet kaq të jashtëzakonshëm të historisë së shkencës, për të hedhur dritë mbi terrin e shumë hamendësimeve dhe dilemave, për të kapur fillin që përshkon tërësinë e një identiteti kaq kompleks dhe të larmishëm, më mirë se sa një intervistë, më mirë se prononcimi i vetë personazhit, askush tjetër nuk mund të jetë më i besueshëm, asnjë vërtetë s’mund t’i mbivendoset asaj që përbën dëshminë e së vërtetës së vërtetave.

Eshtë fjala për gjeniun Nikola Tesla. Të gjitha hulumtimet, zbulimet dhe projektet që i kanë ngecur në nivel idesh, Nikola Tesla-n e bëjnë njërin prej gjenive të rrallë në tërë historinë e njerëzimit. Përditë dalin në pah gjëra të reja në lidhje me të dhe sa herë del në dritë diçka e re, edhe respekti shtohet.

Ndërsa ‘sekreti’ i fundit që është zbardhur është intervista e një gazetari që e kishte bërë me të para 120 viteve. Inteligjenca i reflekton në përgjigjet, të cilat edhe sot e kësaj dite, na e mbajnë frymën pezull.

Ja intervista e plotë:

Gazetari: Z. Tesla, për ju thonë që jeni përzier në çështjet kozmike. Në të vërtetë kush jeni ju?

Tesla: Kjo është një pyetje e mirë dhe do të mundohem të përgjigjem në të gjitha pyetjet tuaja.

Gazetari: Disa thonë se ju jeni kroat dhe keni lindur në një katund të vogël. A është e vërtetë kjo?

Tesla: Po të gjitha janë të sakta. Jam me origjinë nga Serbia, por atdheu im është Kroacia dhe me këtë ndjehem krenar.

Gazetari: Futuristët, thonë se shekulli i 20 u lind në kokën tuaj. E bekojnë fushën magnetike dhe thurin himne për motorin e induksionit. Energjia aktuale të cilën e keni zbuluar ju, sot mund të mbizotërojnë mbi gjysmën e botës fiziko-kimike. Industria është gati t’u shpallë juve si bamirësi më i madh. Për herë të parë e keni thyer atomin në laboratorin Tesla. Keni bërë një pajisje që mund të shkaktoj dridhje tërmeti. Keni zbuluar rrezet e zeza kozmike. I keni hetuar ekzistencën e Empedocles, e cila zbulon sekretet e 5 elementeve. Jeni si një figurë hyjnore për shumë njerëz.

Tesla: Po, të gjitha këto që i keni cekur janë vetëm disa nga zbulimet e mia më të mëdha. Megjithatë unë tash më jam një njeri i mundur sepse nuk i kam bërë gjërat më të mëdha që kam pasur forcë t’i realizoj.

Gazetari:  Cilat janë ato, z Tesla?

Tesla: Kam dashur ta ndriçoj gjithë botën. Kemi një energji të mjaftueshme që mundëson që e gjithë bota të ndriçoj si dielli. Po të më kishin lejuar t’i bëja ato që kam dashur, ashtu siç e ka Saturni, edhe bota do kishte një hallkë të ndriçuar në pjesën e ekuatorit. Por njerëzimi nuk është gati për këtë. Në një studim që e kam bërë në Kolorado Springs, e kam zhytur e gjithë botën në rrymë elektrike. Po ashtu mund t’i ofrojnë njerëzve një energji pozitive mendore.

Në pjesën e brendshme të botës, ekziston energji, energjia e paqes, dashurisë dhe gëzimit. Kam kaluar shumë vite për të studiuar si ndikon kjo energji tek njerëzit. Trëndafili,  i përdorë rrezet e diellit si ushqim dhe për këtë arsyeje është kaq i bukur dhe ka aromë të këndshme. Në jetë ekziston në numër i pa fund të shkencave dhe shkencëtarët duhet të punojnë për t’i kuptuar ato. Këtu ekzistojnë tri pika thelbësore. Ajo që po e bëj unë është vetëm një hetim.

Ka disa gjëra që e di se nuk mund t’i gjej, por përsëri nuk do të ndalem së hetuari.

Gazetari: Cilat janë ato?

Tesla: Çështja e parë është ushqimi. Çfarë sasie të energjisë ose sa yje nevojiten për të ushqyer me dritë një botë të uritur? Një tjetër është shkatërrimi i fuqisë së të keqes dhe vuajtjeve. Kjo është si një epidemi apo sëmundje e fshehur në hapësirën e thellë të gjithësisë. Së treti, a posedon universi dritë me fuqi të jashtëzakonshme.

Kam zbuluar një yll i cili nuk ndryshon. Nuk mund ta ndikosh as me ligje astronomike, as me ekuacione matematikore. Ky yll është në galaktikë. Është e madhe sa një mollë dhe peshon sa i gjithë sistemi diellor. E di që për të fluturuar, duhet ti tejkalojmë ligjet e ligjet e gravitetit të tokës.

Por unë nuk jam duke u munduar t’i mundësoj njerëzve fluturimin në mënyrë fizike, por, po mundohem t’u mundësojë njerëzve të fluturojnë nga një vend në tjetrin duke e përdorur fuqinë mendore. Jam duke u përpjekur ta zgjoj energjinë e ajrit.

Gazetari: Thuhet se zogjtë vijnë çdo ditë në dritaren e shtëpisë suaj.

Tesla: Njeriu duhet të jetë i ndjeshëm ndaj zogjve. Ata lajmërojnë ardhmërinë.

Gazetari: Nuk e keni lënë fluturimin që nga ajo kohë kur ishit në Similjan.

Tesla: Si fëmijë kam tentuar të fluturoj nga kulmi i shtëpisë, por u rrëzova. Nuk i kisha bërë llogaritjet në mënyrë të duhur. Mos harro rinia është krahu më i fortë i jetës.

Gazetari: Jeni Martuar ndonjëherë?

Tesla: Jo

Gazetari:  Tifozët tuaj ankohen se keni asgjësuar teorinë e relativitetit. Pse nuk e shohim këtë energji që gjendet gjithkund?

Tesla: Së pari formohet energjia dhe prej saj përbëhet trupi. Universi është përbërë nga një energji origjinale dhe të përjetshme të cilën ne e quajmë dritë. Universi ka katër ligje themelore. E para, ka një masë matematikore. E dyta, përhapet në errësirë . E treta, drita shndërrohet në një element radial. E katërta, nuk ka fillim dhe nuk ka fund. Krijimi i tij është i pafund.

Gazetari: Pse nuk i ligjëroni njerëzit në lidhje me këtë teori?

Tesla: Mbani në mend; arsyeja se pse nuk e kuptojmë pafundësinë, nuk është se bota ka një strukturë të lakuar, por është vet mendja e njeriut. Unë jam një pjesë e dritës. Universi është në rregull dhe harmonik njësoj si një simfoni.

Gazetari: Z. Tesla, jeni duke dëgjuar ndonjë zë?

Tesla: Kam dëgjuar gjithmonë. Veshi i shpirtit tim është i madh sa qielli. Ajnshtajni ka bëri disa punë shumë të mira dhe nuk jam kundër kësaj. Mirëpo është gabim i madh që mendonte se “eteri” nuk ekziston.

Gazetari: A është e vërtet se jeni sëmurë shpeshherë gjatë rinisë suaj?

Tesla: Po është e vërtetë se fuqia e jetesës më ka ra shpesh herë. Ndonjëherë njeriu ka nevojë për dhimbje. Kurrë mos nënçmoni fuqinë e mendjes së një personi.

Gazetari: Z. Tesla, kjo është një lojë apo? Më flisni mua për fuqinë e të menduarit…

Tesla: Po është një lojë, unë kam luajtur dhe e kam zgjidhur sekretet e rrymës elektrike. Mos harro, Nikola Tesla është njeriu i parë që i ka gjetur të vërtetat e rrufesë.

Gazetari:  Çka është energji elektrike për ju?

Tesla: Rryma elektrike është gjithçka. Së pari drita është një gjë e pafund që përfaqëson botën. Kurse ngjyra e zezë është fytyra e vërtetë e dritës, por ne nuk e shohim këtë.

Gazetari: Më duket se çështjen e rrymës elektrike po e teproni pak a shumë…

Tesla: Unë jam rrymë elektrike. Mund të them se jam rrymë elektrike që është shndërruar në njeri. Edhe ju jeni ashtu, por nuk e keni vërejtur ende.

Gazetari: A mund t’i përballoni rrymës elektrike me një milion volt?

Tesla: Trupi i njeriut është përbërë nga rryma elektrike. Po ashtu edhe truri ynë punon me rrymë elektrike. Një ditë do ta shohim se kjo ndodhë me të vërtetë.

Gazetari: Stafi i hotelit ne të cilën jetoni, na kanë thënë se kur moti është me shi dhe rrufe,  ju gjithnjë flisni me dikë. A është e vërtetë kjo?

Tesla: Po, unë flas me rrufe dhe bubullima.

Gazetari: Si kështu?

Tesla: Shpesh herë flas me ta në gjuhën time amtare.

Gazetari: Lexuesit tanë do të befasohen shumë kurrë e lexojnë këtë shkrim.

Tesla: Rrufe dhe bubullimat janë vetëm dy nga forcat më të fuqishme të natyrës.

Gazetari: Por cili është elementi?

Tesla: Ajo që më intereson mua, është se çfarë ndodhë në gjithësinë e yjeve. Çfarë ndodhë kurrë një yll shuhet dhe në atë moment kurrë i zbulojmë këto, atëherë do të fillojmë t’i zbulojmë edhe elementet dhe sekretet e botës.

Gazetari: Por çfarë do të ndodhë më pas?

Tesla: Perëndia do të tallet me ne dhe do të na arrestojë. (e thotë duke qeshur)

Gazetari: A nuk janë këto fjalë, të kundërtat e atyre që i keni thënë në librin “Dhimbje Kosmike”?

Tesla: Jo sepse ne ende po jetojmë në botë. Ekziston një sëmundje që shumica e njerëzve ende nuk e dinë. Dhe pikërisht për këtë arsyeje ekzistojnë edhe shumë sëmundje tjera siç janë, vuajtjet, mjerimet, luftërat etj. N

doshta kjo sëmundje nuk mund të shërohet plotësisht , por nëse vetëdijesohemi në lidhje me këto sëmundje, atëherë mund t’i parandalojmë ato. Ndonjëherë i ndjej në trupin tim vuajtjet e të afërmve të mi. Arsyeja kryesore e kësaj, është se trupi dhe shpirti ynë është përbërë nga elementet që i përngjanë njëri tjetrit.

Pamja e zhdukjes së një ylli, tek ne ndikon në atë mënyrë sa që nuk mund ta imagjinoni.  Lidhja që e kanë krijesat e botës me njëri-tjetrin, është shumë më e madhe sa sa që e dimë ne. Kemi shumë gjëra që duhet t’i mësojmë për të krijuar një të ardhme sa më të mirë. Filozofia.al / KultPlus.com

‘Para se ta falim njëri-tjetrin, duhet ta kuptojmë njëri-tjetrin’

Thënie nga Emma Goldman

Emma Goldman lindi më 27 qershor të vitit 1869 dhe vdiq më 14 maj të vitit1940. Goldman ishte një anarkiste e njohur për aktivizmin e saj politik, me shkrime dhe fjalime, shkruan KultPlus.

Ajo luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e filozofisë politike anarkiste në Amerikën e Veriut dhe Evropë në gjysmën e parë të shekullit të 20. Lindur në Kovno, Perandoria Ruse (sot Kaunas, Lituani), Goldman emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1885.

E tërhequr nga anarkizmi pas aferës Haymarket, Goldman u bë një shkrimtare dhe një lektore e njohur në filozofinë anarkiste, të drejtat e grave, dhe çështjet sociale, duke tërhequr mijëra turma.

Më poshtë po i sjellim disa thënie të kësaj aktivisteje të njohur:

“Njerëzit kanë aq liri sa guxojnë për ta kërkuar dhe për ta marrë”

“Më shumë do të doja të kisha trëndafila në tryezën time sesa diamante në qafë”

“Para se ta falim njëri-tjetrin, duhet ta kuptojmë njëri-tjetrin”

“Elementi më i dhunshëm në një shoqëri është injoranca” /KultPlus.com

Jam vertikale

Sylvia Plath

Po më mirë të isha horizontale.
Une nuk jam pemë me rrënjë në dhe
që dashuri thith, e minerale, prej tokës amë
e që çdo mars rrezëllinë në shpërthime fletësh.
As nuk jam bukuria e një valleje në lulishte,
që vjel psheretima me ngjyrat mahnitëse,
e paditur për petalet që shpejt zhvishen.
Ballë meje, pema është e pavdekshme
e një kompozitë s’është më e lartë, por më magjepse…
…e unë dua jetëgjatësinë e pemës e guximin e tjetrës.

Sonte, nën dritën aq të vockël të yjeve,
pemët e lulet i shpërhapin aromat e freskëta.
Mes tyre eci e s’më vëne re.
Nganjëherë, them se u ngjaj me shumë kur fle:
mendimet zbehen atëherë.
Është më e natyrshme për mua të jem shtrirë,
se çelim një bisede qielli .
E do të jem e dobishme kur të bie më në fund:
Pemët do të mund të më prekin e lulet
do të kenë kohë për mua më shumë.

© Shqipëroi: Aida Dizdari/KultPlus.com

Gonxhja: Muze në nderim të aktorit të madh Aleksandër Moisiu në Kavajë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja priti në një takim ish-Presidentin Alfred Moisiu.

Gjatë takimit Gonxhja dhe Moisiu diskutuan për një sërë aktivitetesh dhe botimesh në nderim të 145-vjetorit të lindjes së aktorit të njohur, Aleksandër Moisiu.

“Një nga pikat më interesante të bisedës sonë ishte angazhimi për ngritjen e një muzeu, që do të nderojë krijimtarinë e këtij artisti të shquar në qytetin e tij të origjinës, Kavajë”, tha Gonxhja.

Ministri Gonxhja u shpreh se “kjo nismë do të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe do t’i ofrojë brezave të ardhshëm mundësinë për të njohur më mirë jetën dhe veprën e Aleksandër Moisiut, duke lënë një gjurmë të përhershme në historinë tonë”.

Aktori me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu lindi më 2 prill të vitit 1879 në Trieste.

Moisiu performoi në skenën austriake, ku mishëroi role kryesore të një spektri të gjerë të veprave të letërsisë europiane, duke nisur që prej tragjedive antike greke e deri tek bashkëkohësit. Karriera e tij do të niste në moshën 19-vjeçare, kur filloi të ekzekutonte role minore si figurant në skenën e Burgtheatër.

Më pas u angazhua në teatrot e Pragës dhe të Berlinit, ku u shqua për zotësi aktoriale, veçanërisht në interpretimin e rolit të Edipit mbret dhe të Hamletit./atsh/ KultPlus.com

Makinat elektrike dominojnë në Panairin e Makinave të Parisit

Të hënën filloi në Paris panairi i makinave ku dominuan ato elektrike, duke dëshmuar kështu angazhimin e industrisë së makinave për t’u bërë plotësisht elektrike deri në vitin 2035. Në çeljen e panairit ishin të pranishëm emra të njohur si Presidenti francez Emmanuel Macron, aktorja franceze Juliette Binoche dhe ish-fubollisti Eric Cantona.

Në edicionin e 90-të të panairit të makinave në Paris u paraqitën disa nga modelet më të fundit të prodhuesve të automobilëve.

Presidenti francez Emanuel Macron ishte i pranishëm për të treguar mbështetjen e tij për kompanitë franceze të prodhimit të makinave. Ai madje u ul për të provuar një prototip të kompanisë Peugeot.

Kompanitë franceze patën një paraqitje të mirë. Kompanitë si Renault dhe Citroen paraqitën makina të reja elektrike, që nga ato për tregun e përgjithshëm evropian dhe deri tek makinat e vogla të projektuara për përdorimin në qytetet evropiane.

Vizitorët shohin nga afër makinat elektrike Renault R4 E-Tech
Vizitorët shohin nga afër makinat elektrike Renault R4 E-Tech

Ky është aktiviteti më i mirë që prodhuesit të vendosin kontakte të drejtpërdrejta me konsumatorët thotë Serge Gachot, drejtori i Panairit të Makinave në Paris.

“Mendoj se është e rëndësishme që kompanitë të nxjerrin në pah produktet e tyre më të reja dhe që drejtuesit e tyre të kenë mundësi për të trajtuar edhe tematika më politike. Sapo patëm zgjedhje në Evropë rishtazi, do të ketë zgjedhje në SHBA për pak javë. Mendoj se është e rëndësishme të flitet për çështje të caktuara, për orientimin deri në vitin 2035 drejt makinave plotësisht elektrike”, thotë zoti Gachot.

Sipas planit të miratuar nga Bashkimi Evropian për eliminimin e ndotjes deri në vitin 2050, shitja e makinave të reja me naftë dhe benzinë pritet të ndalet deri në vitin 2035.

Ashtu si kompanitë franceze, edhe ajo gjermane BMW, ka investuar shumë në teknologjinë e makinave elektrike. BMW-ja paraqiti veturën e re Neue Klasse që shfrytëzon të gjithë gjatësinë e xhamit të përparmë për të paraqitur informacione dixhitale.

Makina BMW Vision Neue Klasse X e prezantuar në panairin e Parisit
Makina BMW Vision Neue Klasse X e prezantuar në panairin e Parisit

Edhe MINI Cooper, makina e preferuar e aktores franceze Juliette Binoche, është tashmë elektrike dhe me një kapacitet më të madh baterish, me distanca maksimale në deri 371 kilometra.

Kompania tjetër gjermane Audi paraqiti versionet e reja të makinave të saj elektrike, si Q6-ta. Makina elektrike paraqiti madje edhe kompania çeke Skoda.

Kompanitë evropiane kanë investuar burime të shumta tek makinat elektrike dhe tashmë po rrisin trysninë ndaj qeverive që t’i mbështesin me subvencione përpjekjet e tyre, thotë Mark Tisshaw, redaktor në revistën Autocar.

“Jemi tashmë përtej pikës së novacionit fillestar dhe gjendemi në fazën e prodhimit masiv për tregun. Dhe mënyra për t’i tërhequr njerëzit në këtë treg është nëpërmjet ofertave. Kompanitë e prodhimit të automjeteve thonë se tashmë e kanë bërë pjesën e tyre dhe po u kërkojnë qeverive që t’i mbështesin këto makina elektrike që kushtojnë më shumë se makinat me karburant”, thotë zoti Tisshaw.

Krahas kompanive evropiane, në panair morën pjesë edhe kompanitë nga Amerika dhe Azia. Kompania kineze XPeng paraqiti veturën e saj të drejtuar nga inteligjenca artificiale.

Tesla Cybertruck

Vëmendje tërhoqën kompania Tesla, me kamionin e saj të shumëpritur Cybertruck, kompania Cadillac me makinën e saj të re elektrike Lyriq, si dhe kompania Ford e cila riprezantoi për publikun, me ndihmën e futbollistit francez Eric Cantona, versionin e ri elektrik të makinës së njohur 1969 Capri. /VOA

Fluturimi Romë – Nju Jork mund të zgjasë vetëm 55 minuta

Nga Roma në Nju Jork për 55 minuta dhe nga Londra në Pekin në pak më shumë se një orë: jo fantashkencë, por realitet, për sa kohë që udhëtoni me 7400 kilometra në orë, shkruan risia shkencore e përcjellë nga gazeta italiane corriere.it.

Ky është premtimi i kompanisë amerikane ‘’Venus Aerospace’’, e cila prezantoi një motor ‘’shpërthyes’’ revolucionar të quajtur VDR2.

I përcaktuar nga kompania si “një hap i dukshëm i fluturimit super supersonik ai në fakt është krijuar për t’ju lejuar të arrini shpejtësinë afërsisht gjashtë herë më shumë se ajo e zërit.

Në bazë të revolucionit (të mundshëm) është një sistem shtytës futuristik i cili, në vend që të shfrytëzojë djegien e ngadaltë të karburantit, sipas projektuesve do të jetë në gjendje të gjenerojë valë shpërthimi të cilat do të përhapen në mënyrë ciklike brenda qarkut, duke garantuar kështu performanca rekord.

“Ky motor e bën shpejtësinë hipersonike një realitet”, deklaroi bashkëthemeluesi i ”Venus Aerospace”, Andrew Duggleby.

“Mezi presim të punojmë edhe më në thellësi, për të fluturuar shembullin e parë dhe në fund për të përsosur një motor koncepti që deri më tani ka ekzistuar kryesisht në tekstet shkollore, por kurrë si një njësi prodhimi’’, thekson Eric Briggs, shefi operativ i një kompanie tjetër të përfshirë në projekt të quajtur Velontra.

Kompania do të nisë testimet e para në vitin 2025.  /atsh/ KultPlus.com

Pas Tiranës, episodi i parë i serialit ‘Prokurori’ arrin sukses edhe në Prishtinë

Pas suksesit në Tiranë, episodi i parë i serialit “Prokurori” me regji të Fatmir Dogës dhe producentëve Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, u shfaq edhe në Prishtinë. Ky serial vendos në qendër luftën kundër krimit dhe korrupsionit politik, duke trajtuar tema të ndjeshme për shoqërinë shqiptare.

“Është kënaqësi e veçantë të prezantojmë projektin tonë këtu në Prishtinë. Kjo ka vlerë për çdo shqiptar, por për mua dhe Çeskun, që nga origjina jemi nga Malësia e Shkrelit, Kosova na është dyfish në zemër. Seriali do të vazhdojë të shfaqet në të gjitha qytetet dhe vendet e Europës ku ka diasporë, dhe gjithashtu do të ketë audicione dhe shfaqje të vazhdueshme. Janë projekte ambicioze për të cilat jemi të bindur se do të kenë sukses,” deklaroi producenti Ylli Ujka.

Bashkëproducenti Çesk Ivanaj theksoi rëndësinë e këtij projekti për shoqërinë shqiptare në të dy vendet. “Shpresojmë që pjesa e parë ka transmetuar emocionin e këtij filmi unik. Shqipëria dhe Kosova e kanë vuajtur këtë situatë dhe me ndihmën e drejtësisë dhe seriozitetit të njerëzve do të kalojnë çdo vështirësi. Populli ynë meriton të ecë përpara dhe të bëhet një nga vendet më unike në Europë dhe në botë,” u shpreh Ivanaj.

Filmit “Prokurori” po vijon të shfaqet në të gjitha kinematë kryesore në Tiranë dhe në Prishtinë, duke sjellë një projekt unik që bashkon talentet shqiptare dhe ndërkombëtare. Biletat janë tashmë në shitje dhe mund të blihen online ose në kinematë e Shqipërisë dhe Kosovës.
Seriali “Prokurori” pritet të vazhdojë me shfaqje të tjera në vendet ku ka komunitet shqiptar./balkanweb/ KultPlus.com

Bie shi, Adrianë

Poezi e shkruar nga Mitrush Kuteli

Bie shi,
Adrianë,
bie shi i qetë mbi qytet,
shi që më bluan e më vret,
dhe s’di ku të shkoj
nëpër Tiranë.

Të kërkoj,
Adrianë,
me ankth nëpër qytetn’ e shkretë,
ku shtrydhen retë
dhe diell s’lind e s’perëndon
përmbi Tiranë.

O sa çudi,
Adrianë,
të duash të mos jesh njeri,
dhe gurëve t’u kesh zili,
-se gurët s’vuajnë kur bje shi
përmbi Tiranë!/ KultPlus.com

Thesaret e Muzeut Historik Kombëtar, në Kalanë e Shkodrës

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” në Kalanë e Shkodrës u pa nga një numër i larte vizitorësh vendas e të huaj. Ajo ishte një mundësi për t’u njohur me objekte unike nga koleksionet e Muzeut Historik Kombëtar, përmes 25 imazheve.

Këto thesare përfshijnë artefakte nga pavijonet e Lashtësisë, Mesjetës dhe ikonave Pasbizantine, si dhe objekte etnografike nga Periudha Osmane, duke ofruar një dritare komunikimi në historinë dhe trashëgiminë tonë të pasur kulturore shqiptare.

Ekspozita “Thesaret e Muzeut Historik Kombëtar” ishte një bashkëpunim mes Muzeut Historik Kombëtar dhe DRTK Shkodër, duke sjellë në jetë një përvojë të veçantë për të gjithë vizitorët që eksplorojnë thesaret e së kaluarës sonë./atsh/KultPlus.com

Hygo, i fundit që vizitoi Balzakun

Vizita e fundit në shtëpinë ku kishte vdekur Balzak, kishte qenë ajo e Viktor Hygosë. Ishte data 18 gusht 1850. Gruaja e tij kishte qenë paradite te Hanska, e cila i kishte thënë se Balzaku ishte në grahmat e fundit.

Po atë ditë, Hygo kishte shkruar në ditarin e tij: «I rashë ziles. Ishte një hënë e plotë me re. Rruga ishte e shkretë. Prita. Askush nuk e hapi. I rashë prapë. Porta u hap. Duke qarë, një shërbëtore me shandan në dorë pyeti: Çfarë doni zotëri? I thashë emrin. Më çuan në sallon, ku përballë oxhakut ishte një bust i madh në mermer i Balzakut. Një grua tjetër u afrua duke thënë:

“Ai po vdes. Zonja ka ikur në dhomë, po kështu dhe mjekët, ikën që dje. Ai nuk flet më. Prifti erdhi dhe i bëri shërbimin e fundit.»…Një erë kufome ishte shpërndarë në dhomë. Kërkova ta takoj Balzakun. Kaluam një korridor dhe ngjitëm shkallët. Ishte atje, me kokën e zhytur në jastëk. Kishte një fytyrë ngjyrë violet, gati të zezë, të parruar dhe me flokët gri, të prera. Ngjante me perandorin. Një erë e padurueshme kundërmonte nga krevati. Ngrita jorganin dhe mora dorën e tij. Ishte gjithë djersë. E shtrëngova. Nuk m’u përgjigj. Zbrita duke mbajtur në kujtesë atë fytyrë të zbehtë. Ishte e diel. Duke hyrë në shtëpinë time njerëzit më prisnin. Ju thashë: «Zotërinj, Europa do të humbë një shpirt të madh!”

Balzaku vdiq pak kohë pasi u largua Hygo, i cili ishte dhe vizitori i fundit në botën e të gjallëve. Në orën 23.30, ai dha shpirt. «E pashë në profil, i ngjante Perandorit», kishte shkruar Hygo. Të nesërmen, arkivoli i tij u vendos në kishën Saint-Nicolas. Pastaj lumi i njerëzve që shoqëronte funeralin, kaloi përmes Parisit drejt varrezave të «Père Lachaise». Pikonte shi. “Ishte një nga ato ditët kur të duket se dhe qielli derdh lot”, – shkruante Hygo. Në varreza, përballë gropës së hapur dhe turmës njerëzore që nderonte autorin e Komedisë Njerëzore, Viktor Hygo u shfaq para tyre dhe foli: “Ky punëtor i jashtëzakonshëm dhe asnjëherë i lodhur, ky filozof, ky poet, ky gjeni, ka jetuar midis nesh një jetë stuhish, luftërash, zënkash, betejash. Sot më së fundi ai është në paqe: ai iku nga kundërshtitë dhe urrejtjet. Dhe në të njëjtën ditë ai hyn në lavdi dhe në varr!”…/express/KultPlus.com

Kryeministri Kurti viziton ekspozitën dokumentuese të Shkumbin Brestovcit në Berlin

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka vizituar ekspozitën dokumentuese “Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998”, ekspozitë që është hapur së funi në Berlin të Gjermanisë, e që është kuruar nga Shkumbin Brestovci.

Më poshtë është njoftimi i plotë nga kryeministri Kurti.

Historia e rezistencës paqësore dhe e shtetformimit në Kosovë gjatë dekadës së fundit para fillimit të luftës sonë çlirimtare, pra nga viti 1988 e deri më 1998, është konceptuar dhe paraqitur para publikut gjerman në Berlin, përmes një ekspozite dokumentuese. E kuruar nga autori Shkumbin Brestovci dhe e titulluar “Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998”, në të janë ekspozuar fotografi dhe materiale të tjera dokumentare, përmes së cilave publiku ndërkombëtar mund të njihet me një nga historitë më autentike të një rezistence paqësore kundër një regjimi të apartheidit në Evropë, çfare ishte ajo e popullit të Kosovës në dekadën e fundit të shekullit XX.

Gjatë qëndrimit tim në Berlin, e vizitova këtë ekspozitë bashkë me ministrin Hajrulla Çeku dhe me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili edhe e hapi këtë ekspozitë. “Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998”, është organizuar pikërisht nga një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, Fondacionit Friedrich Ebert-Stiftung dhe Institutit Leibniz për Kërkimet e Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg.

Në kuadër të ekspozitës, mbrëmë u mbajt edhe një panel diskutimi në të cilin morën pjesë Geert Ahrens, diplomat gjerman, që përfaqësoi OSBE-në gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luajti një rol kyç në ndërmjetësimin e fillimviteve ‘90-ta, Rafael Biermann, politolog dhe Linda Gusia, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Rruga e ndjekur nga vendi ynë Kosova si dhe nga populli dhe liderët politikë të saj në të kaluarën, janë historia e domosdoshme prej nga nisemi për të ardhmen tonë politike krah vendeve të Bashkimit Evropian. E në këtë rrugë, shumçka kalon kah Berlini dhe Gjermania, vendi ynë mik dhe aleat sikur në vitet tona më të vështira, ashtu edhe sot kur synojmë integrimin dhe anëtarësimin në strukturat euro-atlantike./ KultPlus.com

Të dua në dhjetë të mëngjesit

Poezi nga Jaime Sabines

Përkthyer në shqip nga Orjela Stafasani

Të dua në dhjetë të mëngjesit,
edhe në njëmbëdhjetë dhe në dymbëdhjetë të ditës.
Të dua me gjithë shpirt dhe me gjithë trup,
ndonjëherë në mbasditet me shi.
Por në orën dy të mbasdites, ose në tre,
kur mendoj për ne të dy
dhe ti mendon për ushqimin ose për punët e përditshme,
ose për zbavitjet që të mungojnë,
ia nis të të urrej shurdhërisht,
me gjysmën e urrejtjes që ruaj për veten.

Pastaj të dua sërish, kur shtrihemi
dhe ndjej se je bërë për mua,
që në njëfarë mënyre ma thonë gjuri dhe barku yt,
që duart e mia më bindin për atë
dhe nuk është asnjë vend tjetër ku unë të vij,
apo ku unë të shkoj, më i mirë se trupi yt.
Ti vjen e plotë në takimin me mua
dhe të dy zhdukemi për një çast,
i bindemi Urdhrit të Zotit
deri kur unë të të them se kam uri, apo më vjen gjumë.

Të gjitha ditët të dua dhe të urrej pandreqshëm.
Dhe gjithashtu, ka ditë, ka orë në të cilat nuk të njoh,
kur më je e largët si gruaja e tjetrit.
Më shqetësojnë njerëzit, shqetësohem unë, më shpërqendrojnë dhimbjet e mia.
Ka mundësi që shpesh nuk mendoj për ty.
Tashmë e sheh. Kush mund të të dojë më pak se unë, e dashura ime? /KultPlus.com