Ekipi i Shqipërisë kthehet nesër në Tiranë me dy medalje olimpike, Veliaj: Të gjithë bashkë në Rinas për të pritur kampionët tanë

Ekipi olimpik i Shqipërisë do të kthehet nesër në Tiranë me dy medalje olimpike, pas mbylljes së këtij kompeticioni ditën e sotme. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka bërë thirrje të gjithëve që të bashkohen për të pritur nesër në Rinas kampionët tanë olimpikë.

“Nesër, të gjithë bashkë, do të jemi në Rinas për të pritur kampionët tanë olimpikë!
Çunat e Sport Klub Tiranës, për herë të parë, i sollën Shqipërisë dy medalje olimpike, një arritje historike që na bën të ndihemi më krenarë se kurrë”, shkruan Veliaj.

Dy sportistët e Sport Klub Tirana, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev shënuan një rezultat historik duke fituar dy medaljet e para olimpike për Shqipërinë, në disiplinën e mundjes.

‘Etno Fest’- Spektakli artistik ku gërshetohen mrekullisht tradita, riti dhe modernja

Nga: Agron Gërguri

Poshtë në skenën antike rituali i pjekjes së flisë që shpreh mikëpritjen për mysafirë. Lartë mbi këtë objekt grupi nga Rrajca Shqipëri nis gjamën e mortit të burrave si rit i përcjelljes për të vdekurin .

Aktorja Sheqerie Buçaj interpreton motrën e cila bënë nga një rend flije për dritësimin e shpirtrave që nuk janë më. Kur vdes dikush lindja është po aty gjëma zëvëndësohet me gëzim nis dasma. Aty ku takohen vdekja dhe jeta puqen gëzimi dhe dhembja. Plakat e grupit të Rrajcës krejt autentike kënduan këngë nusesh të shoqëruara nga Ansambli “Zëri Kosovës” nga Fushë Kosova.



Nisi kështu Etno Fest edicioni i 14. Me përjetime dashurie krejt të lirë e të lumtur spektatorët në vazhdim mirëpriten me tingujt e violinës, pianos e violinçelos në pikëtakim të kohëve një vlerë që buron nga trashëgimia e modernizuar një pasuri e cila po shpalosej natën e parë të EtnoFest-it si një argument se megjithatë ka gjasë për një kosolidim të sisetmit të vlerave kur e dijmë dhe e prekim ndjenjash origjinën.

Kuarteti i harqeve “Amati” ekzekutuan “O vendi im” me tingujt e violinës e çelos përqonin dashurinë për të prekur çaste lumturie me dozën artistike si terapi antidepresive nga jeta e kontaminuar keqësisht nga politika. Për të plotësuar hapësirën e kënaqësisë artistike okteti interpretoi një nga këngët e vjetra arbëreshe “E bukura More”. Sihana Badivuku me violinë dhe kuarteti i harkor”Amati” mahnitën me interpretimin e këngës e njohur të Nexhmie Pagarushës “Kam rrit shtatin” dhe “Ma fal atë buzëqeshje” e më mbushë me lumturi të ilustruara me gjimnastikë ritmike nga Fiona Kongjeli.



Pastaj në skenën e amfitetrit doli kori i fëmijëve “Okarina” me “Valsinë e lumturisë” për të prekur kulmin e ndjenjave të mira me këngën “Mos na e prishni lumturinë” bashkë me korinë “Okarina” dhe sopranon Adelina Paloja në përkujdesjen e Elikona Hysajt, entuziazmun mysafirët me vibrimet artistike që përquan duke realizuar një komponim të bukur artistik. Për të vënë pikën mbi i me këngën “Unë biri yt Kosovë” e kënduar nga të gjithë me solisten e mrekullueshme Adelina Paloja e cila me këndimin e saj përmbushi me kënaqësi artistike të pranishmit. Arti si terapi e lumturimit!

Festivali nisi si kurrë më parë me një mbrëmje artistikisht spektakulare ku secili nga të pranishmit ndihej i përfshirë në bukurinë e interpretimeve artistike me bazë etnosin një pikëtakim kohësh që unifikonin idenë e ideatorit se rruga deri te kumturia kalon përmes dashurisë, lirisë derisa ura për të dal matanë tek ajo që duam (duhet) të jemi është arti, kultura ajo palca e cila e bënë kuptimplotë poezinë e kënduar të Ali Podrimes “Unë biri yt Kosovë” çiltërt, pa patetikë dhe domethënshëm.



Spontaniteti dhe përfshirja e spektatërve! Dhe vërtetë hapjen e përshkoj një lumturim si një gjendje e krijuar krejt spontanisht e cila ndodhi në natën e parë të EtnoFestit. Organizimi, programi, pa fjalime politike të gjithë frymuan me e për kulturën dhe artin. Moderatorët e festivalit Shpetim Kastrati dhe Sheqerie Buçaj dolën tek në fund për t’ na treguar se festivali nisi pastaj shpërthyen fishekëzjarret. Takime, ushqime tradicionale, nisur me fli, pite të ndryshme, ekspozitat e hapura, gjithçka funksoni përpikërisht.

EtnoFest-i nisi mbarësisht dhe në funkskon të misionit artistik e kulturor në afirmim të vlerave të trashëgimisë dhe trajtimit modern të tyre. Gjithçka ishte thejshtësisht e përkryer dhe spontane, kjo bëri që secili nga mysafirët të ndihet edhe si pjesë e skenarit të hapjes së festivalit të cilin e kishte ideuar Fadil Hysaj ndërsa në formulimin skenik kishin kontribuuar Mario Biagino dhe Ilirijana Arifi.

Mbrëmjen apo “Etno nejen” e bëri të hareshme këngëtari Mendim Shala, këngë, vallëzime deri në orët e vona.

Ekspozitat e përhershme të Etnofest-it 2024

Gjatë ditëve të EtnoFest-it 10 – 18 gusht 2024 do të jenë të hapura ekspozita të piktorëve, skulptorëve: Nysret Salihamixhiq “ Vallëzime ngjyrash”, pikturë, Dialla Vala “ Frymë antike”, pikturë, Haxhi Gjoni “Bukuroshja e fjetur”, skulpturë, Albulen Neziri “Variacione sporituale” skulpturë-pikturë, Korab Kraja “Nga trashëgimia e Krajës dhe Ulqinit”, fotografi, Teuta Ibraj “Gjurmë lumtirie”, grafikë, Yllka Brada dhe Jakup Ferri “Ten ten”, performansë koreografike me tingujt muzikor të Nik Mazrekut, Kaqusha Jashari “Peisazhe me Diell, kulla dhe lule”, pikturë, Laura Sllamniku – Kryeziu “Vallëzime dhe e zjarri”, qeramikë, Ermira Belegu Deçani, Fatos Kabashi “Abatarja me plis”, U prezantua edhe arti i poqarisë me poqarin Luan Qukuri ndërsa do jetë e hapur edhe Ekspozita me eksponate etnografike në Muzeun Etnografik të Festivalit./ KultPlus.com

Rama: Gryka e Këlcyrës, një ofertë e re turistike e aventurës për amatorët e Packrafting

Turizmi po merr hov edhe në Peshtan, tek Gryka e Këlcyrës (Përmet), ku turistët kanë nisur të eksplorojnë natyrën e bukur përmes sportit të rafting.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Gryka e Këlcyrës, e njohur ndryshe si parajsa e një mijë e një burimeve, që zbresin nga mali i Trebeshinës e derdhen në Vjosë, që po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj.

“Në Grykën e Këlcyrës – Peshtan, një ofertë e re turistike e aventurës për amatorët e Packrafting, sjell enkas çdo javë grupe nga Britania e Madhe, po mikpret edhe të tjerë të bashkohen për një eksperiencë të paharrueshme”, shkroi Rama.

Peshtani është pjesë e programit “100 fshatrat” dhe investimet në vepra publike në infrastrukturë e mjedis, paralelisht me ato private, kanë krijuar modelin ekonomik të  integruar agroturistik me impakt në zhvillimit rural.

Peshtani ndodhet 16 km në lindje të Tepelenës, në bregun e majtë të lumit Vjosa, aty ku bashkohet lumi i Zagories me Vjosën. Ai gjendet në qendër të një prej grykave më të mëdha në Ballkan, Gryka e Këlcyrës 13 km, një monument i rrallë natyror.

Kjo grykë ka një formim shkëmbor shumë të veçantë, ku lumi Vjosa pushon midis dy maleve me një gjerësi maksimumi 1 km dhe me burime kristal që derdhen në Vjosë duke krijuar ujëvara me një bukuri të rrallë.

Gryka gjendet mes vargmaleve Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë dhe Shëndëlli-Lunxhëri-Bureto.

Një tjetër sport i pëlqyer nga vizitorët dhe turistët në këtë zonë është ngjitja në mal. Nga Peshtani ekziston një shteg malor që përshkruhet me kalë i cili të fut në Luginën e Zagories dhe del në malin e Çajupit.

Rruga përshkon një territor prej 20 km plot me pyje lisi, bredhi, bliri dhe ujëra pafund, në një zonë tërësisht të paprekur.

Studentë nga 41 shtete të ndryshme vizitojnë Muzeun e Masakrës së Krushës së Madhe dhe Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit

Muzeu i Masakrës së Krushës së Madhe dhe Shtëpia Muze e Ukshin Hotit sot janë vizituar nga Rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, si dhe profesorë e studentë të programit të Shkollës Verore Ndërkombëtare 2024.

Sipas një njoftimi thuhet se pjesë e kësaj vizite ishin studentë nga 41 vende të ndryshme të botës, ku nga afër kanë parë dëshmi origjinale dhe janë njoftuar mbi nga masakrën e 25- 27 marsit 1999, nga e cila në Krushë të Madhe mbetën të vrarë 243 persona.

“Kënaqësi e jona të kemi vizitë nga Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren me programin e Shkollës Verore Ndërkombëtare 2024. Të pranishëm ishin Rektori Mentor Alishani, profesorë dhe studentë nga 4 kontinente prej 41 shteteve të ndryshme. Ju faleminderit!”, thuhet në njoftim.

Muzeu i krimeve të luftës në Krushë të Madhe është inauguruar me rastin e 25 vjetorit të masakrës. Ky muze ka përjetësuar dëshmi mbi atë që ka ndodhur në luftën e vitit 1999, duke shënuar një hap të rëndësishëm në aspektin e memorizimit në kujtesën kolektive./ KultPlus.com

Lojërat Olimpike të Parisit: Kulla Eifel e rrethuar për pak kohë pasi një burrë u pa duke u ngjitur lart

Policia franceze evakuoi zonën përreth Kullës Eifel të dielën pasi një burrë u pa duke u ngjitur në pikën historike të Parisit disa orë përpara ceremonisë së mbylljes së Lojërave Olimpike.

Burri pa këmishë u pa duke u ngjitur në kullën 330 metra të lartë pasdite.

Zona tani është rihapur dhe turistët janë përsëri në gjendje të hyjnë në Kullën Eifel, raporton Euronews.com, transmeton Klankosova.tv.

Më shumë se 30 mijë oficerë policie janë vendosur rreth Parisit të dielën.

Ministri i Brendshëm i Francës Gerald Darmanin tha se rreth 3 mijë oficerë policie do të mobilizohen rreth Stade de France dhe 20 mijë trupa policie dhe personel tjetër sigurie në Paris dhe zonën e Saint-Denis do të vendosen vonë deri në mbrëmjen e së dielës për të garantuar sigurinë në ditën e fundit të Olimpiadës.

Rama për medaljen e dytë olimpike: Kush di të gëzohet, le të gëzohet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me suksesin e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Paris 2024, ku mundësi Islam Dudaev siguroi medaljen e dytë të bronztë për Shqipërinë.

Rama thotë se kush di të gëzohet, duhet të gëzohet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve.

“Ja edhe medalja e dytë olimpike në historinë tonë. Kush di të gëzohet le të gëzohet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Kujt nuk di të gëzohet le t’ia njohim meritën e hudhrës që ia mban larg Shqipërisë syrin e keq”, shkruan Rama në Facebook.

Athina në alarm! Zjarret rrethojnë kryeqytetin grek, digjen disa banesa

Zjarre të mëdha kanë shpërthyer njëkohësisht në 3 zona periferike të Athinës dhe kanë vënë në alarm jo vetëm zjarrfikëset, por edhe gjithë infrastrukturën shtetërore greke.

Sipas forcës zjarrfikëse, zjarret në këtë moment po përhapen në zonat Barnaba, Eretria dhe Megara.

Deri tani janë djegur disa banesa ndërsa u desh ndërhyrja e policisë dhe ambulancave për të dërguar në spital 10 persona me vështirësi në frymëmarrje.

Mbrojtja civile njoftoi banorët që të jenë të gatshëm për t’u larguar nga zona, kurse forca të shumta policore kanë mbyllur kalimet që të çojnë atje.

Për shkak të erës të fuqishme që fryn në zonën e Atikës, janë vënë re vështirësi në përdorimin e mjeteve fluturuese.

“Operacionet do të vazhdojnë edhe gjatë natës”, njoftoi mbrojtja civile. Për 48 orët e ardhshme, zonat e Atikës janë vlerësuar me rrezikshmëri 5, niveli më i lartë i alarmit  kundra zjarrit në vend./ tch/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti me thirrje për përfshirje të të rinjve në programin e praktikës

Kryeministri Albin Kurti nëpërmjet një videomesazhi u ka bërë thirrje të rinjve për aplikim në programin “Kosovo Generation Unlimited”, që mundëson punë praktike, trajnime dhe mentorim në institucione të ndryshme.

“Vetëm në dy vitet e fundit, janë mbi 1200 të rinj mes moshës 16 dhe 24 vjeç që kanë përfituar nga kjo mundësi. 60% prej tyre janë vajza”, ka thënë i pari i ekzekutivit në këtë videomesazh.

Kurti ka njoftuar se programi që po realizohet përmes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, në bashkëpunim me UNICEF-in në Kosovë dhe bizneset anëtare të rrjetit CSR Kosova, përfshin sektorët e TIK-ut, marketingun, financat e bankat dhe shërbimin publik.

Në video janë përfshirë edhe dy të rinj të cilët kanë nisur praktikën, njëri në menaxhim e tjetri në fushën digjitale.  

Ky është viti i dytë i zbatimit të këtij programi. 

’Mos ki frikë se ke shkrojtur gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi, frikë të kesh po të kesh shkrojtur njëqind poezi’

Lasgush Poradeci, shkroi vargje që depërtuan aq thellë në shpirtin e shqiptarëve saqë ata vendosën, pa u marrë vesh me njëri-tjetrin, që një qytet të tërë ta quajnë: “Pogradeci i Lasgushit”.

Përveç poezive, Lagushi ka lënë si testament edhe këshilla për poetët.

Maria Poradeci, vajza e Lasgushit, pati ndarë dikur me ndjekësit e saj në Facebook një pjesë ku Lasgushi flet për poezinë dhe poetët.

“Poezia është hyjnore. Prandaj kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi, duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj. Prandaj poezi mund të shkruash vetëm pak, se ku t’i gjesh gjithë ata xhevahirë?

Mos ki frikë se ke shkrojtur gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh po të kesh shkrojtur njëqind poezi.”

Lasgush Poradeci / KultPlus.com

Celine Dion dënon Trump për përdorimin e këngëve të saj në takimet elektorale

Ekipi i yllit të pop-it, Celine Dion ka kritikuar Donald Trump për përdorimin e këngës së saj klasike “My Heart Will Go On” gjatë një mitingu të fushatës presidenciale.

Kënga fituese e Oscar-it nga filmi i vitit 1997 “Titanic” u luajt gjatë një takimi elektoral në Montana.

Të shtunën, ekipi i saj menaxhues lëshoi ​​një deklaratë në emër të artistes kanadeze dhe etiketës së saj diskografike duke thënë se përdorimi i këngës nuk ishte “në asnjë mënyrë” i autorizuar.

Në një deklaratë në mediet sociale të Dion thuhet se ”ekipi menaxhues i Celine Dion dhe kompania e saj diskografike, Sony Music Entertainment Canada Inc, u ndërgjegjësuan për përdorimin e paautorizuar të videos, regjistrimit dhe performancës muzikore”.

”Në asnjë mënyrë ky përdorim nuk është i autorizuar dhe Celine Dion nuk e miraton këtë  përdorim të ngjashëm”, shtohej në deklaratë.

Kjo vjen pasi Dion bëri një rikthim triumfues në këngën live muajin e kaluar kur mbylli ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit mes betejës së saj me sindromën e personit të ngurtë (SPS).

56-vjeçarja tha se ishte “e mbushur me gëzim” për të interpretuar “L’Hymne A L’Amour” të Edith Piaf nga mesi i Kullës Eiffel.

“My Heart Will Go On” është një nga këngët më të njohura të pesë herë fituesit të Grammy, së bashku me “Think Twice” dhe “It’s All Coming To Me Now”.

Një numër artistësh e kanë kritikuar më parë Trumpin për përdorimin e këngëve të tyre, duke përfshirë kitaristin e ”Smiths”, Johnny Marr në fillim të këtij viti, pasi hiti i grupit “Please, Please, Please, Let Me Get What I Want” u luajt në një tubim.

Në vitin 2018, Steven Tyler i ”Aerosmith” i dërgoi një letër presidentit të atëhershëm duke e urdhëruar atë të ndalonte së luajturi këngët e grupit në mitingje politike, pasi hiti i grupit të vitit 1993 “Livin’ On The Edge” u luajt në një tubim në Charleston, në Virxhinian Perëndimore./ KultPlus.com

Rama: Festat lokale si ajo e fshatit Xibër në Klos, gjallërojnë zonën dhe promovojnë turizmin

Festat e ndryshme lokale në të gjithë Shqipërinë synojnë promovimin e turizmit në vendin tonë. Një prej tyre është edhe festa e fshatit Xibër në Klos.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga pyjet e Matit, ku festat lokale si ajo e fshatit Xibër në Klos, gjallërojnë zonën dhe promovojnë mundësitë për ekoturizëm, turizëm malor, kulinar e kulturor.

Në këtë festë u promovuan së bashku produktet bio të zonës përmes panairit agro-kulturor.

Gjithashtu u zhvilluan veprimtari të ndryshme kulturore, ku fëmijët patën mundësi të argëtoheshin./ KultPlus.com

Ora “Pasioni Primordial”, një kryevepër që mat kohën me kulturën shqiptare

Shkruan: Bujar Vani

Ora “Pasioni Primordial” Pirro

Ora ka shërbyer gjithmonë si një simbol i dualizmit mes përkohësisë dhe vazhdimësisë së ekzistencës njerëzore. Përmes evolucionit të saj ndër shekuj, ora ka pasqyruar jo vetëm progresin teknologjik, por edhe atë kulturor të njerëzimit, duke u kthyer në një shenjë të suksesit dhe statusit social. Krijimi i një ore nuk është thjesht një proces teknik, por një dialog me konceptet filozofike të kohës dhe hapësirës. “Pasioni Primordial” nga Pirro Ruço nuk është thjesht një orë, por një manifestim i lartë artistik dhe teknologjik, një kryevepër që i tejkalon kufijtë e të zakonshmes. E prodhuar në Shqipëri, kjo orë përfaqëson një sintezë perfekte mes mjeshtërisë artistike dhe përsosmërisë mekanike. Nën kubën e kristalit, “Pasioni Primordial” shfaq 16 figura të arta, ku 12 prej tyre janë kërcimtarë që simbolizojnë lidhjen dor më dorë me traditat epike të rajoneve shqiptare. Në qendër, katër instrumentistë janë të ulur në krahët e shqiponjës simbol që përfaqëson boshtin identitar të këtij krijimi të bukur. Shqiponja nuk është thjesht një element dekorativ, por një alegori e thellë filozofike, e cila ngërthen unitetin dhe trashëgiminë kulturore të një populli. Instrumentistët që luajnë melodinë e identitetit të përjetshëm, duke lidhur shpirtin e këtij krijimi me rrënjët e lashta shqiptare. Ndërsa shqiponja qëndron si shpirti i përjetshëm që ruan zemrën e këtij identiteti. Mekanizmi preçiz i krijuar në bashkëpunim me Agenhor garanton një saktësi olimpike, ndërsa mozaiku i fushës së orës, i përbërë nga 1,500 pllaka të qelqit Murano, me 64 prerje të ndryshme dhe 8 tonalitete të ngjyrës kuq e zi, trikolorshja arbërore krijon një spektakël dritash dhe refleksionesh. Kasa prej ari të verdhë 18 karatësh, me një diametër prej 46.5 mm dhe lartësi 22 mm, përbën një dimension estetik te veçante. Akrepat, të mbajtur nga kthetrat e shqiponjës qendrore, përfaqësojnë fuqinë dhe qëllimin e lartë të këtij krijimi, duke e kthyer “Pasioni Primordial” në një simbol të kohës dhe unitetit shqiptar. Kjo orë nuk është thjesht një instrument matës, por një monument artistik dhe filozofik, një testament për nivelin e lartë të mjeshtërisë dhe simbolizmit që mbart. Edhe pse e rrallë dhe e çmuar, “Pasioni Primordial” është krijuar për ata që kuptojnë dhe vlerësojnë thellësinë e magjinë që ofron ky thesar unik.

Pikërisht për këto arsye, kjo kryevepër është një pretendente e fortë për çmimin e madh të Orëve 2024 në Gjenevë, Zvicër duke shënuar herën e parë që Shqipëria hyn në këtë garë botërore./ KultPlus.com

Dudaev i dhuron Shqipërisë medaljen e dytë olimpike, Begaj: Faleminderit kampion

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj uroi sot mundësin Islam Dudaev, i cili i dha Shqipërisë medaljen e dytë historike në Lojërat Olimpike, “Paris 2024”.

Islam Dudaev fitoi kundër hungarezit Iszmail Muszukajev në finalen për medaljen e bronztë, në kategorinë stili i lirë deri në 65 kilogramë.

“Islam Dudaev i dhuron Shqipërisë medaljen e dytë olimpike me një ndeshje fantastike. Faleminderit kampion”, shkruan Begaj në një postim në rrjetet sociale.

Pas medaljes së djeshme të bronztë nga mundësi Chermen Valiev, sot ishte Islam Dudaev ai që arriti të fitojë medaljen e dytë të bronztë, që është e dyta në historinë e Shqipërisë./ KultPlus.com

“Paris 2024”, Shqipëria fiton medaljen e dytë të bronztë, mundësi Dudaev mposht rivalin hungarez

Shqipëria ka fituar medaljen e dytë historike të bronztë në Lojërat Olimpike Paris 2024.

Ka qenë mundësi Islam Dudaev, i cili ka fituar kundër hungarezit Iszmail Muszukajev në finalen për medaljen e bronztë, në kategorinë stili i lirë deri në 65 kilogramë.

Dudaev arriti të triumfojë 13 me 12 falë një pike në fund të takimit. Megjithëse e dominoi takimin mundësi Dudaev u barazua 12 me 12 në fund nga mundësi hungarez. Por një vendim i gjyqtarëve në fund të takimit i dha Dudaev fitoren, pasi arriti ta nxjerrë jashtë tapetit mundësin hungarez.

Mundësi i Shqipërisë siguroi sot finalen, pasi kundërshtari i tij, amerikani Zain Allen Retherford, nuk arriti dot peshën.

Pas medaljes së djeshme të bronztë nga mundësi Chermen Valiev, sot ishte Islam Dudaev ai që arriti të fitojë medaljen e dytë të bronztë, që është e dyta në historinë e Shqipërisë./ KultPlus.com

Kjo zemër hidhet si një zog i vrarë

Genc Leka

KUJTIMI YT më hodhi këtë natë
në thellësinë e brengave pa fund…
(Ah, ëndërr’ e kaltër u këput në mes!…)
Dhe nis mendimi rrugën më të gjatë,
por shteg’n e blertë nuk e gjen gjëkund,
ndaj VEZULLON çdo mbrëmje…
çdo mëngjes!…

Pranverë 1972

* * *

Kjo zemër hidhet si një zog i vrarë
si det me dallgë shpirti me ballada
Më djeg kjo flak` e dashuris’ së parë
Dhe dritë hedh tani mbi tri dekada.

Pranverë 1972

* * *

Qyshkur rënkon e hesht ti zemr’ e mjerë.
Qyshkur, ti shpirt plot derte s’je i qetë!
Veç . . . në s’ju çeli edhe kjo pranverë
. . . Për jetë jini tharë. . . ah,  për jetë!

Janar 1971/ KultPlus.com

Jeta e Robin Williams nëpër fotografi

Aktori komedian Robin Williams lindi më 21 korrik të vitit 1951, dhe vdiq në moshën 63-vjeçare më 11 gusht të vitit 2014. Ai vdiq në shtëpinë e tij në Kalifornia, pasi vuante nga sëmundja e Parkinsonit dhe depresioni i rëndë.

Disa nga rolet dhe filmat që ai mori pjesë janë: Mork në ‘Mork and Mindy’, Xhenin në ‘Aladdin’, Daniel Hillard në ‘Znj. Doubtfire, John Keating në ‘Dead Poets Society’ Sean Maguire në ‘Good Will Hunting’ dhe shumë e shumë të tjerë.

Me rolet e tij ikonike ai ishte fitues i pesë çmimeve Grammy, katër Golden Globes, dy Emmy dhe një Oscar. / KultPlus.com

Rod Stewart shtyn koncertet në SHBA

Ylli i pop-it britanik, Rod Stewart ka shtyrë dy koncerte  në SHBA pasi u prek nga Covid-19.

Muzikanti veteran, 79 vjeç, njoftoi në Instagramin e tij se nuk do të mund të bënte më shfaqjen e tij të së premtes në Stateline, Nevada dhe shfaqjen e tij të së shtunës në Lincoln, Kaliforni.

Kjo vjen pasi ai anuloi edhe shfaqjen në Las Vegas, në fillim të kësaj jave, për shkak të një sulmi të infeksionit bakterial të streptokokut.

Një deklaratë e postuar në Instagramin e Stewart thotë se ”me keqardhje njoftojmë se koncerti i Rod Stewart sonte në Stateline, NV, dhe shfaqja e tij e 10 gushtit në Lincoln, CA, janë shtyrë, pasi këngëtari të shërohet nga Covid-19”.

Shfaqjet janë pjesë e turneut të këngëtares në Amerikën e Veriut, me shfaqjet e radhës të planifikuara për të martën dhe të mërkurën në Saratoga, Kaliforni.

Ai gjithashtu do të luajë koncerte të tjera në të gjithë SHBA-në përpara se të transferohet në Evropë për një performancë në Spanjë më 15 dhjetor dhe një në Danimarkë më 18 dhjetor.

Stewart është anëtar i ”Hall of Fame” dhe u shpall Kalorës nga mbretëresha e ndjerë Elizabeth II në vitin 2016./ KultPlus.com

“Delvina në dokumentet e AQSH-së” në Panairin ‘Traditë, Kulturë, Shije Delvinjote’

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Bashkinë e Delvinës, prezantoi ekspozitën “Delvina në dokumentet e AQSH-së”.

Ekspozita u prezantua me rastin e zhvillimit të Panairit “Traditë, Kulturë, Shije Delvinjote”.

Në çeljen e kësaj ekspozite dokumentare dhe fotografike shfaqur në sheshin “Sulejman Delvina”, qenë të pranishëm drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, kryebashkiaku i Delvinës, Besmir Veli, kryetari i Qarkut Vlorë, Ervis Moçka, dashamirës të historisë dhe qytetarë të shumtë.

Publiku vendas dhe pushues të shumtë sezonalë, patën mundësinë të mësonin mbi historikun e Delvinës dhe veprimtarinë atdhetare të disa prej figurave të rangut lokal. Mes dokumenteve të përzgjedhura, bënin pjesë: Të dhëna nga kërkimet arkeologjike në rang krahinor; Shënime të Imamit Zejnel Hamza rreth kontributit të tij në përhapjen e alfabetit shqip në krahinën e Çamërisë; Të dhënat mbi personalitetet, shkrimtarët, mirëbërësit dhe gratë e shkolluara në rang krahinor; Telegrame nga Himara dhe Vunoi dërguar kryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë H. Delvina, prej të krishterëve të këtyre zonave, që e falënderonin për ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë; Njoftime të Kishës Autoqefale për çështje të ndryshme; Pamje nga qyteti Delvinës dhe zonat përreth.

Promovimi i pasurisë dokumentare të kombit është një nga pikërëndesat në veprimtarinë e DPA-së./ KultPlus.com

Si të jesh një person i denjë: Letra këshilluese e Charles Dickens për djalin e tij më të vogël

Historia na ka dhënë pjesën e saj të mirë të letrave thellësisht prekëse të këshillave atërore, ndër to gurë të çmuar në xherdanin e magjisë epistolare mbeten ato të Sherwood Anderson, Ted Hughes, F. Scott Fitzgerald, John Steinbeck dhe babai i Jackson Pollock. Por mbështetuni dhe konsiderojeni atë çfarë mëton Charles Dickens (7 shkurt 1812–9 qershor 1870) për të ngritur në sublimitet me butësi dhe mençuri të pashoqe këshillimin, predikimin e një shpirti që pa thellë në botën e fëmijëve siç i ngërtheu egërsisht rrënjët në botën e ashpër të kapërcyellit të epokave.

Kur djali i tij më i vogël dhe i preferuar, Edward Bulwer Lytton – i mbiquajtur Plorn dhe referuar shpesh nga babai i tij si “fisniku Plorn” dhe “Plorn i dashur” – u nis për në Australi, më 26 shtator 1868 për të ndjekur universitetin, Dickens pati një ndijim spazmik të fortë dhe të papritur. Ishte reagim emocional ndaj largimit të tij, ndarjes së djalit nga babai. Në një letër drejtuar gruas së tij, e gjetur në Letrat e Charles Dickens, ai i rrëfen së shoqes skenën e ndarjes me të birin:

Mund të ju them, sinqerisht se ai u largua, i gjori i dashur, si dhe mund të pritej. Ai ishte i zbehtë dhe kishte qarë, dhe (tha Harri) ishte dërrmuar në vagonin e hekurudhës, gjë e cila u konstatua pasi doli nga stacioni i Higham; por vetëm për një kohë të shkurtër.

Pak para nisjes së trenit ai qau shumë, por jo me dhimbje. … Këto janë gjëra të vështira, të vështira, por ato mund dhe duhen bërë pa mjete apo ndikim, dhe atëherë do të ishin shumë më të vështira. Zoti e bekoftë!

Më 4 tetor, Dickens vështirë se mund ta përmbajë trishtimin në një letër drejtuar mikut të tij të mirë Charles Fechter:

Por Plorn ka shkuar në Australi. Ishte një ndarje e vështirë në fund. Ai m’u duk se u bë edhe një herë fëmija im i vogël, më i vogël dhe i preferuar, me afrimin e ditës dhe nuk e mendoja se mund të isha tronditur kaq shumë.

Dhe më 11 tetor, ai ankohet:

E gjej veten duke menduar vazhdimisht për Plorn.

Përfundimisht, në ditën e Krishtlindjeve të atij viti, ai shkruan djalit të tij Plorn këtë letër të bukur dhe të përjetshme këshillimi si një at’ i lartë misioni:

Plorni im më i dashur,

Unë e shkruaj këtë shënim sot sepse largimi juaj është shumë në mendjen time dhe sepse dua që ju të keni disa fjalë ndarëse nga unë për t’i menduar herë pas here në momente të qeta. Nuk kam nevojë të të them se të dua shumë dhe më vjen shumë, shumë keq që të ndahem me ty. Por kjo jetë është gjysma e përbërë nga ndarje dhe këto dhimbje duhen përballuar. Është ngushëllimi im dhe bindja ime e sinqertë që ju do të provoni jetën, për të cilën jeni më i përshtatshëm. Mendoj se liria dhe egërsia e jetës, janë më të përshtatshme për ju, se çdo eksperiment në një studim apo zyrë; dhe pa atë trajnim, nuk mund të kishit ndjekur asnjë profesion tjetër të përshtatshëm.

Ajo që keni dashur tashmë deri më tani ka qenë një qëllim i vendosur, i qëndrueshëm dhe konstant. Prandaj ju këshilloj që të këmbëngulni në një vendosmëri të plotë për të bërë gjithçka që duhet të bëni sa më mirë që mund ta bëni. Unë nuk isha më i rritur sa ju jeni tani, kur më duhej të fitoja bukën e gojës për herë të parë dhe ta bëja këtë nga kjo vendosmëri, dhe që atëherë nuk jam lodhur kurrë në të.

Asnjëherë mos përfitoni nga fatkeqësia e dikujt, në asnjë transaksion dhe kurrë mos jini të ashpër me njerëzit që janë më të dobët se ju. Mundohuni t’u bëni të tjerëve, ashtu siç do të dëshironit të bënin me ju dhe mos u dekurajoni, nëse ndonjëherë dështojnë këto sipërmarrje virtyti. Është shumë më mirë për ju që ata të dështojnë në respektimin e rregullit më të madh të vendosur nga Shpëtimtari ynë, sesa ju.

Unë vendosa një Testament të Ri midis librave tuaj, për të njëjtat arsye, dhe me të njëjtat shpresa, që më bënë të shkruaj një rrëfim të lehtë për të, për ju, kur ishit fëmijë; sepse është libri më i mirë që ka qenë ose do të njihet ndonjëherë në botë, dhe sepse ai ju mëson mësimet më të mira, me të cilat mund të udhëhiqet çdo krijesë njerëzore, që përpiqet të jetë e vërtetë dhe besnike ndaj detyrës. Ndërsa vëllezërit tuaj janë larguar, një nga një, unë i kam shkruar secilit fjalë të tilla që po ju shkruaj tani juve dhe i jam lutur të gjithëve që të udhëhiqen nga ky libër, duke lënë mënjanë interpretimet dhe shpikjet e njerëzve.

Ju do të mbani mend se nuk jeni lodhur kurrë në shtëpi, për ritet fetare apo thjesht formalitetet. Gjithmonë kam qenë në ankth, që të mos i lodh fëmijët e mi me gjëra të tilla, para se të rriten mjaftueshëm, për të krijuar mendime duke i respektuar ata. Prandaj, do ta kuptoni më mirë që unë tani ju lartësoj në mënyrën më solemne të vërtetën dhe bukurinë e fesë së krishterë, siç erdhi nga vetë Krishti, dhe pamundësinë për të gabuar shumë, nëse e respektoni atë me përulësi, dhe me gjithë forcën e zemër.

Vetëm një gjë më shumë në këtë kokë. Sa më shumë të jemi të zellshëm për ta ndier atë, aq më pak jemi të prirur të rendim përpara për të. Mos e braktisni kurrë praktikën e shëndetshme të thënies së lutjeve tuaja private, në darkë dhe në mëngjes. Unë kurrë nuk e kam braktisur atë vetë dhe e ndjej komoditetin e saj, atë frymë të shenjtë që përshkon dhe më mbush.

Shpresoj se do të mund të thuash edhe kur të jem më, se ke pasur një baba të sjellshëm. Ju nuk mund të tregoni dashurinë tuaj për të aq mirë, ose ta bëni atë aq të lumtur, sa duke bërë detyrën tuaj.

Babai juaj i dashur.

Përgatiti: Albert Vataj. / KultPlus.com

Mbrojtja e ujërave me prioritet në Lojërat Olimpike në Paris, Lindita Xhaferi Salihu me prezantim për këtë marrëveshje

World Aquatics, i njohur më parë si FINA, është federata ndërkombëtare e njohur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për administrimin e garave ndërkombëtare në sportet ujore, dhe së fundmi i është bashkuar zyrtarisht “United Nations’ Sports for Climate Action Framework”, një iniciativë që synon të inkurajojë komunitetin global të sporteve për të kontribuar në qëllimet e veprimit klimatik në mbarë botën, përcjell KultPlus.

Njoftimi u bë disa ditë më parë në një ngjarje të veçantë në Avenue des Champs-Élysées gjatë Lojërave Olimpike Paris 2024.

Për të shënuar rastin e nënshkrimit nga “World Aquatics”, Lindita Xhaferi-Salihu, drejtoresha e angazhimit të biznesit për veprimin global të klimës së OKB-së, mbajti një fjalim kryesor.

U mbajt gjithashtu një panel diskutimi, i udhëhequr nga Marie Sallois, drejtore e Korporatës dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në IOC dhe me finalistët e 2023 IOC Climate Action Awards 2023. Paneli ofroi një platformë tërheqëse për dialog të hapur, duke theksuar nevojën për veprim kolektiv dhe zgjidhje inovative për të mbrojtur të ardhmen e sporteve ujore.

Ngjarja njoftoi gjithashtu finalistët e IOC Climate Action Awards 2024. Këto çmime njohin qasjet frymëzuese, inovative dhe krijuese për të ofruar një botë më të mirë. Finalistët përfaqësojnë një gamë të larmishme projektesh që po udhëheqin rrugën për përgjegjësinë mjedisore nga atletët olimpikë, Komitetet Olimpike Kombëtare dhe Federatat Ndërkombëtare.

Duke folur për nënshkrimin, presidenti botëror i Aquatics Husain Al-Musallam tha: “Sportistët tanë garojnë në ujë. Ruajtja e deteve, lumenjve dhe liqeneve është thelbësore për mbijetesën e planetit tonë dhe të sportit tonë. Është e domosdoshme që ne të gjithë të punojmë së bashku në të gjithë komunitetin sportiv global – dhe më gjerë – për këtë çështje kritike.”

Një numër atletësh ujorë, duke përfshirë Anthony Ervin dhe Pernille Blume, morën pjesë në ngjarje dhe diskutuan dhe shprehën mbështetjen e tyre për qëllimet e World Aquatics. Prania e tyre tregoi njohjen në rritje midis atletëve për rëndësinë e mbrojtjes së planetit.

Nënshkrimi nga World Aquatics shënon një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e sporteve ujore dhe të botës. Me mbështetjen e atletëve dhe ekspertëve, World Aquatics është përkushtuar që të ketë një ndikim të qëndrueshëm në këtë fushë.

Me sportet ujore të lidhura fort me mjedisin natyror, rëndësia e kërcënimeve që vijnë nga ndryshimet klimatike janë të mëdha. Për të përmbushur sfidën, World Aquatics po zhvillon përpjekjet për qëndrueshmëri me krijimin e një strategjie ambicioze të qëndrueshmërisë e cila mbështet objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së dhe mbulon çështjet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes.

World Aquatics do të harmonizohet me aktorët e saj për të siguruar që janë ndërmarrë përpjekje sistematike si në afat të shkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë për të promovuar përgjegjësi më të madhe mjedisore, për të edukuar rreth veprimit klimatik, për të promovuar konsum të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm dhe për të avokuar për veprimin klimatik përmes komunikimit.

Është bërë përparim rreth programeve të fokusuara në shoqëri, si programi Discover Water (i nisur gjithashtu në Paris, në Ditën Botërore të Parandalimit të Mbytjes – 25 korrik) i cili synon t’u sigurojë fëmijëve të vegjël anembanë botës edukimin dhe aftësitë e nevojshme për të shijuar në mënyrë të sigurt sportet ujore. Ky program është i lidhur thelbësisht me mbrojtjen e mjedisit, duke kuptuar se cilësia e ujit mund të ndikojë në sigurinë dhe biodiversitetin.

Fotografitë: Istvan Derencsenyi (World Aquatics)./ KultPlus.com

10 vite nga vdekja e Robin Williams, aktori i njohur komedian

Sot janë bërë 10 vite nga vdekja e aktorit të njohur amerikan, Robin Williams, shkruan KultPlus.

Aktori komedian Robin Williams lindi me 21 korrik të vitit 1951, dhe vdiq në moshën 63-vjeçare në vitin 11 gusht të vitit 2014. Ai u vetëvra në shtëpinë e tij në Kalifornia, pasi vuante nga sëmundja e Parkinsonit dhe depresioni i rëndë.

Disa nga rolet dhe filmat që ai mori pjesë janë: Mork në ‘Mork and Mindy’, Xhenin në ‘Aladdin’, Daniel Hillard në ‘Znj. Doubtfire, John Keating në ‘Dead Poets Society’ Sean Maguire në ‘Good Will Hunting’ dhe shumë e shumë të tjerë.

Me rolet e tij ikonike ai ishte fitues i pesë çmimeve Grammy, katër Golden Globes, dy Emmy dhe një Oscar./KultPlus.com

Hapet pas 32 vjetësh porta e tunelit të fortifikuar të Porto Palermos

Hapet për herë të parë pas 32 vjetësh porta e tunelit të fortifikuar të Porto Palermos.

Ky është hapi i parë i një projekti të Ministrisë së Mbrojtjes për rijetësimin dhe rehabilitimin e të gjithë kompleksit infrastrukturor në Gjirin e Panormës për funksione ushtarake dhe civile.

Projekti synon miradministrimin e zonës, e cila ka nisur të jetë një destinacion turistik i privilegjuar, duke respektuar normat mjedisore dhe duke ofruar kushte sa më të larta sigurie lundrimore.

Hapi tjetër do të jetë përshtatja joinvazive e objekteve të kompleksit që nuk gëzojnë më funksione ushtarake, me qëllim krijmin e një atraksioni turistik të qëndrueshëm.

Projekti synon gjithashtu të rikthejë në gatishmëri teknike këto asete të çmuara të Forcës sonë Detare, të cilat mund të shërbejnë për qëllime stërvitjesh kombëtare dhe ndërkombëtare.

Hapja e tunelit është kryer nën drejtimin e stafit inxhinierik te Batalionit të xhenios dhe kaloi pa asnjë problem pavarësisht mbi 3 dekadave mosaktivizim.

Tuneli shërbente si një bazë autonome për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, brenda gadishullit të Porto Palermos.

Hapja e portës prej çeliku e këtij tuneli ujor të veshur me betonarme ka vënë për herë të parë në lëvizje pas shumë kohësh mekanizmin e saj.

Ndërtimi i këtij tuneli nisi në 1969 dhe zgjati deri në vitin 1988. Ai shërbente për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, duke shërbyer njëkohësisht si një bazë e fuqishme dhe e mbrojtur./ KultPlus.com

27 vjet nga përfundimi i Operacionit Alba, kontingjenti prej 3000 ushtarësh që zbarkoi në Shqipëri më 1997

Më 11 gusht 1997 përfundonte një nga misionet më të mëdha të zhvilluara nga forcat e ndryshme ushtarake në Shqipëri, i cili njihet me emrin “Operacioni Alba”.

Operacioni Alba ishte një forcë paqeruajtëse shumëkombëshe e dërguar në Shqipëri në vitin 1997. I udhëhequr nga Italia, operacioni synonte të ndihmonte qeverinë shqiptare të rivendoste ligjin dhe rendin gjatë rebelimit të vitit 1997.

Të gjendur pas klimës së pasigurisë me ngjarjet e ndodhura gjatë atij viti, qeveria shqiptare e pa të udhës të kërkonte ndihmën e një force shumëkombëshe për të kryer operacione humanitare në vend.

Kërkesa iu drejtua OKB-së më 27 mars 1997 nga pala shqiptare dhe Këshilli i Sigurimit e miratoi atë, duke i hapur udhë një kontingjenti prej 3000 ushtarësh nga Franca, Turqia, Greqia, Spanja, Rumania, Austria dhe Danimarka.

Shteti koordinues i kësaj trupe do të ishte Italia, e cila u përzgjodh të drejtonte këtë mision. Bazat operacionale të trupave ishin në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Fier.

Gjatë këtij operacioni janë zhvilluar rreth 1700 operacione, ku mendohet se në dobi të popullatës janë shpërndarë rreth 5700 tonë ndihma në ushqime, ilaçe, veshje etj.

Trupa ushtarake gjatë gjithë kohës monitorohej nga programi i OSBE-së./ KultPlus.com

Manastiri i Shën Julitës dhe Qirikut në Dhuvjan të Gjirokastrës, në prag restaurimi

Manastiri i Shën Julitës dhe Qirikut në Dhuvjan të Gjirokastrës, së shpejti do t’i nënshtrohet restaurimit. Projekti do të financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Fondi i Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, të SHBA dhe Ambasada e SHBA në Shqipëri, përmes CHwB Albania.

Organizata CHwB Albania (Trashëgimia Kulturore pa Kufij) dhe njoftimin për pjesëmarrje në tender: Ndërhyrje Konservuese në “Manastirin e Shën Julitës dhe Qirikut”, (Monument i Kategorisë së Parë).

Trashëgimia Kulturore pa Kufij fton kompani që janë të licencuara në zbatimin e punëve restauruese në fushën e trashëgimisë kulturore të dorëzojnë oferta financiare, të vlefshme për punë në një objekt kulti, Monument i Kategorisë së Parë, për projektin: “Ndërhyrje Konservuese në “Manastirin e e Shën Julitës dhe Qirikut”, në Dhuvjan, në Gjirokastër”.

Manastiri është një mrekulli arkitekturore e Mesjetës, ndërtuar në vitin 1588. Kjo perlë e rrallë shfaq zgjuarsinë e ndërtuesve mesjetarë, me nefin e saj në formë kryqi të kurorëzuar nga një kube madhështore.

Gjashtë kolona tërheqin sytë nga kupola mbresëlënëse, një dëshmi e aftësisë së epokës në krijimin e strukturave të forta por elegante. Jashtë, kisha magjeps me përmasat e saj harmonike dhe arkitekturën e detajuar me përpikëri, duke ofruar një vështrim në të kaluarën.

Me historinë e saj të pasur dhe arkitekturën e jashtëzakonshme, Kisha e Shën Julitës dhe Qirikut në Dhuvian nuk është thjesht një vend adhurimi, por një thesar i së kaluarës mesjetare të Shqipërisë: një ndalesë e paharrueshme për adhuruesit e historisë dhe të apasionuarit e arkitekturës./ KultPlus.com