‘Kafiqi’ – Përjetimi i mëngjesit në Prishtinë

Ballsor Hoxha

(Ky shkrim, dhe shkrimet tjera në vazhdim për ‘kafiqin’ janë revoltë, ndaj të konsideruarit të saj si odë, si biznes e si ekspozitë gjinjsh e të të pasmeve, ‘kafiqi’ është art shprehjeje spontane e qytetit. Dhe në këtë, si çdo gjë tjetër në Prishtinë është revoltë. Është revoltë si çdo mbijetesë e që është vetë Prishtina. Në të vërtetë vetëm të mbesësh gjallë në Prishtinë është – revoltë).

Prishtina verës është një organizëm fëmije të liruar nga burgu i izolimit kulturor, e social. Është në ankth nga liria dhe për lirinë të cilën e sjellë diaspora e saj, në të vërtetë diaspora e tërë Kosovës.

Në nxehtin e saj afrikan tanimë të vendosur në këtë qytet, liria metastazon (paradoksalisht) në intensitet energjie të metropoleve më të mëdha botërore, megjithëse Prishtina është fëmijë në qytetësinë e saj. Pavarësisht mungesës së të dhënave të qarkullimit njerëzor ditor gjatë kohës së diasporës, së paku vuajmë dyfishimin e popullsisë së Prishtinës, si për të mirën e saj po ashtu edhe për të keqen e saj.

“… All the children are insane…” thoshte Jim Morrison, apo, kjo i bie, tërë bota përpos fëmijëve është – sane – (e shëndoshë mendërisht), e rregulluar sipas marrëveshjeve njerëzore, por përderisa fëmijët duhet të braktisin botën siç është – e pazotërueshme,  për një botë të marrë – vesh, për një botë të marrëveshjeve. Gjithnjë duke harruar se vijmë të çmendur në këtë botë vijmë të pa marrëveshje, vijmë nga – dëshira – për të zotëruar këtë botë. E në këtë, Prishtina, si fëmijë rrënjësisht i krisur në liri dhe për liri, në të njëjtën kohë ka nisur t’i nënshtrohet botës së madhe të marrëveshjeve, por edhe të estetizojë po këtë krisje.

Sigurisht është i qëllimshëm sinonimi (zimi) i Prishtinës me fëmijën, për të vëmendësuar atypëratyshmërinë (improvizimin), të egrën dhe të sofistikuarën, çorodinë, përçartjen, krisjen, jazz-in, orkestrimin, kanalizimin e Prishtinës, etj. Por, kjo është gjithashtu edhe për të vëmendësuar sa të vegjël jemi në zotërimin e këtyre marrëveshjeve në shkëmbim me përjetimet gjigante që ajo i ka, sidomos në bashkëkohësinë e saj. Të pamundurën për vetë organizmin e saj.

Mund të themi çka do që duam, por tërë ajo që ka Prishtina janë ‘kafiqat’ e saj, kulturalisht, dhe në aspekt social. Dhe klubet dhe restorantet.

Në këtë, prapë paradoksalisht, ‘kafiqi’ edhe te ne është në pararojë të bashkëkohësisë globale – në shpërbërjen, metastazën e lirisë së të natyrshmes përkundër të sofistikuarës, në lirinë e shndërrimit të masave të vuajtura para pak kohe në kapitale të estetikës bashkëkohore (hip-hop-i, të pasmet  gjigante të grave të njohura, e krisja e diskurseve të mëdha në rrjete sociale) –  duke pas shndërruar tërë të “kontrolluarën” në kontroll hyrje daljeje nga klubi e restoranti, e kafiqi, ndërsa as muzika më nuk është me rëndësi, pikërisht aty ku shkohet për muzikë.

‘Kafiqi’ sot është shprehja më e thellë, më e pakalkuluar (me gjithë paradoksin) dhe më e pasofisikuar e njeriut në kolektiv sot. Aty mbinë dhe shuhet teatri, aty luhet filmi i realitetit sot, aty shkruhet tregimi e rrëfimi i kohës, dhe aq më shumë vetë jazzi i njeriut të humbur në këtë kofunzion global, dhe pastaj sshuhet në pot njëjtën natë, duke nisur nga fillimi natën e radhës.

Çfarë ode, çfarë patriotizimi mund të ketë sot në ‘kafiq’ (me ‘q’) nëse nuk dimë çka është sot mirë e çka keq nëse e mira është e çarë nga depërtimi i të pasmeve mespërmes saj, dhe nëse e keqja është në rendin e parë të shkollës. Çka ka mbetur prej patriotizmit të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar të ‘kafiqave’ të Prishtinës është kujtimi për lavdinë e revoltës dhe të aromës së barotit në erë gjatë luftës, ndërsa sot, ‘kafiqi’ është loja e njeriut me vetë të zinë, vdekjen në afërsi edhepse jo më nga milicia serbe, por nga e paparashikueshmja dhe e pakontrollueshmja e ankthit të njeriut për mbijetesë.

II

Cafe Z – Mbijetesa e branduar në ‘kafiq’

Ballsor Hoxha

(Ky shkrim, dhe shkrimet tjera në vazhdim për ‘kafiqin’ janë revoltë, ndaj të konsideruarit të saj si odë, si biznes e si ekspozitë gjinjsh e të të pasmeve, ‘kafiqi’ është art shprehjeje spontane e qytetit. Dhe në këtë, si çdo gjë tjetër në Prishtinë është revoltë. Është revoltë si çdo mbijetesë e që është vetë Prishtina. Në të vërtetë vetëm të mbesësh gjallë në Prishtinë është – revoltë).

Në Prishtinë asgjë nuk është e qëndrueshme, as nuk i bën ballë rrymave të tsunamive globale, asgjë as nuk mbijeton, aq më shumë as fryma e revoltës kolektive, ndoshta ndër më të mëdhatë në historinë e Kosovës – vetë fryma e ringjallur e patriotizmit pas luftës, që u politizua deri në zyrtarët për fotokopje, mysafirët e kafeve të mëngjesit, e të pleqve të pa asnjë ardhmëri, çdo gjë është e tejdukshme, jo për shkak të ndonjë dobësie tonë, por sepse pamundësia për të mbijetuar është më afër se cilado ëndërr. Apo ëndrrat janë aq minimale të fshehura thellë, sa që thahen brenda dhe mbesin si arra të zbrazëta.

Por, ka një luks në Prishtinë, mëngjeseve të verës së saj të dielave – mundësia e zgjedhjes për të pirë kafen e mëngjesit ofruar në secilën pjesë të saj. Por askund në Prishtinë nuk është esspresso më i kthjellët, më i ndjeshëm, më i bukur se sa në sheshin e Prishtinës. Por, sigurisht, jo gjithkund në shesh. Në të vërtetë në shumë nga kafiqat që e ofrojnë këtë, janë të dhënë pas grumbujve të gjithfarë qejfesh e argëtimesh e parasë nga klientela. Por nëse kërkon më kujdesshëm dhe më durimshëm është edhe Cafe Zz. E në Cafe Zz ka një kthjelltësi dhe pastërti të fjalës që e thua dhe e dëgjon mëngjeseve të verës së Prishtinës, tingullit e aq më shumë të ndjesisë së këtij mëngjesi të dielleje. Krijuar nga kujdesi gastronomik e argëtues, e estetik i këtyre djemve që e kanë pasion po këtë.

‘Kafiqi’ “Cafe Z” (apo edhe i shqipëruar shpesh në gjuhën e shpejtë dhe të pazotërueshme prishtinase, – Kafez) është shembulli më i theksueshëm i mbijetesës në Prishtinë.

I hapur nga disa të pasionuar nga Gjakova, viktima të luftës, ky kafiq kishte filluar të punojë përmes fuzionimit të “lavdisë” së disa yjeve në këtë qytet dhe pasionit ndaj argëtimit, shërbimit e gastronomisë të këtyre djemve nga Gjakova tanimë prishtinas.

Pastaj me kalimin e këtij ‘kafiqi’ në duart e “këtyre gjakovarëve të natyralizuar në Prishtinë” ai kishte kaluar në lounge bar, shndërrim të profilit të tyre kur shërbehet sot cilësi e pijeve, koktejeve dhe ushqimit. Dhe me këtë çdo gjë filloi nga fillimi por në duart e Albanit të Cafe Z që me durimin e një këpucëtari sajon dhe krijon ndjenjën e paharrueshme të të festuarit të jetës këtu.

Me sakrificën dhe përpjekjen e pamohueshme dhe pasionin  e tyre për tërë atë që është ‘kafiqi’ sot, ata janë zotë të sheshit të Prishtinës. Sigurisht jo si mafia, por si punëtorë të mirënjohur dhe pasion të çeliktë.

Tanimë Café Z është sigurisht një qëndresë e këtyre rrymave globale dhe të paqëndrueshmërisë në këtë qytet. Është kulturë në vete, e shërbimit, gastronomisë, atmosferës, dhe aq më shumë të mundësisë së argëtimit, në profilin e saj.

E arkitekturuar në katër pjesë, tarracën e kafesë ballore dhe të klientelës së përhershme (por jo domsdoshmërisht), pjesën e non – smoking, pjesën tejet të bukur sallën kryesore, dhe në fund, ku çdo gjë të sjellë në një përjetim tejet të bukur – tarracën e prapme.

Ka dy mënyrë për ta shijuar bukurinë e kësaj arkitekture: t’i jepesh atypëraty tërë asaj që ofron Cafe Zz, apo të lejosh të të bartë jo vetëm oferta e tyre, por edhe një bukuri e ndërtuar, e dizajnuar dhe e harmonizuar për dekada tanimë. Është një natyrë e kujdesshme dhe me durim e krijuar për të dhënë jo një argëtim apo estetikë të shpejtë të gastronomisë, por përkundrazi për të dhënë një kujtim të qëndrueshmërisë.

Ndoshta Prishtina është tejet konservative në mentalitetin e saj për të pranuar kujdesin e një grupi djemsh që kanë ndërtuar këtë bukuri, apo edhe më vështirë për t’i dhënë asaj një vend në konglomeratin e pikave të dashura të saj, por pikërisht në Cafe Z është e ndërtuar një qëndresë ndaj rrymave të gjithfarë përçartjeve e trendëve të globales, këtu shijohen mëngjeset e mbrëmjet më të bukura, dehet, e argëtohet njeriu si mbret.

III

Cafe de l’ame – të përjetosh shpirtin e mahallës

Ballsor Hoxha

(Ky shkrim, dhe shkrimet tjera në vazhdim për ‘kafiqin’ janë revoltë, ndaj të konsideruarit të saj si odë, si biznes e si ekspozitë gjinjsh e të të pasmeve, ‘kafiqi’ është art shprehjeje spontane e qytetit. Dhe në këtë, si çdo gjë tjetër në Prishtinë është revoltë. Është revoltë si çdo mbijetesë e që është vetë Prishtina. Në të vërtetë vetëm të mbesësh gjallë në Prishtinë është – revoltë).

Nuk ka më bukur se në Prishtinë! Por vetëm nëse je i izoluar dhe pa ardhmëri, për të shkuar tutje e kudo tjetër (me gjithë vizat, EU nuk na ka pajisur me të holla, ende!!). Apo, thënë më saktë, nuk ka më bukur se në Prishtinë ku nuk e din si do të mbijetosh për le të themi një javë, jeta është më e çmueshme në kufi me kaosin!

E megjithatë në Cafe de l’ame mëngjeset e verës në Prishtinë bashkë me fishkëllimën e urbanit numër 4, çelësat në hapje të shitoreve e bizneseve, trafiku i sapo zgjuar; shërbyer me kafe të kthjellët e me kujdes të veçantë, dhe muzikën e zgjedhur me shije tejet të hollë nga Shkëlqimi dhe Shpëtimi, mëngjesi bëhet i bartshëm, i dashur e i jetueshëm. Në të vërtetë në kafen e mahallës Cafe de l’ame mëngjesi bëhet një përjetim i mbamendshëm i verës. Ndien veten sikur përket diku, në një pjesë të botës që mendon për ty, kujdeset për ty e të çmon pikërisht ashtu si je, “lladikë”, apo i rëndë nga dehja e mbrëmshme, apo duke planifikuar një banesë të re me të ardhurat nga ëndrrat.

Kam shkruar edhe një herë për Cafe de l’ame – si kafe e mahallës, ndodhur diku në pjesën e dytë të Bregut të diellit, dhe që ka lindur si përpjekje për të estetizuar dhe për t’i dhënë shpirt mahallës. Kam shkruar se dy djemtë pronarë të tij, të rinj, fëmijë lufte në Kosovë, vetë dora e këtij ‘kafiqi’ janë djem të kësaj mahalle, por për dallim këta janë me një plan. Me një ëndërr, me një motiv, për të dalë “nga izolimi që i bën vetes kosovari”, jashtë dhe në të njohurën e asaj që ofron ky qytet.

Shpirti i një mahalle, nuk është në djemtë e fortë të saj, as në të pasmet gjigante të femrave të saj, as në makinat e ndërtesat e saj, gjigante po ashtu, dhe që nuk i mungojnë kësaj mahalle. Është pikërisht në atë kur po të njëjtit, të njëjtat i nënshtrohen përvojës së mahallës në bisedë, kur i jepen bisedës së përbashkët me gjithë drejtorin e shkollës dhe pasanikët milionerë. Ku Shkëlqimi e Shpëtimi zbusin egërsinë e këtij konteksti me një zonë të krijuar që qëndron  jashtë të papritshmes së tragjikes kosovare, që do të thotë jashtë të panjohurës që sjellë mëngjesi, dita, e nata në Prishtinë.

Shpirti i mahallës, sikur kur hynë në Cafe de l’ame është në frymën e përbashkët të mbijetesës së përbashkët po ashtu, që e ndien, në sytë, frymëmarrjen e llafet që t’i lëshojnë të njohurit. Në endeminë e duhanpirjes së pashqitshme në shoqërinë tonë e në mikëpritjen e “të panjohurve” në mahallë, të rinjve dhe të ardhurve. Në shtruarjen e muhabetit dhe të derteve e të arritjeve të diasporës në Cafe de l’ame, derisa nuk e qajnë tërë dhembjen e kalimit të kohës, dhe të rilindjes së dashurisë për këtë lagje e mahallë, dhe aq më shumë të rinjohjes së njëri tjetrit në të njëjtën kohë.

Por Cafe de l’ame është shumë më shumë se kjo, shpirti i mahallës i shprehur dhe i branduar, ashtu siç është, me çmenduritë e mençuritë e saj, jashtë saj, në vendin ku takon, apo  në vendin i cili mbahet nga po të njëjtat mahalla, në Prishtinë.

Dizajni i saj ëstë një guxim i Shkëlqimit, duke kombinuar trendin e dizajnit sot në Prishtinë dhe ndjesinë e tij për hapje, çarje, krijim ambienti dhe çlirim, gjithnjë në përpjekje për të akomoduar ndjesinë e përkitjes, këtu./ KultPlus.com

Vazhdon programi i Etnofest 2024, nga teatri deri në muzikë: Si po transformon ky festival fshatin Kukaj në qendër të Kulturës

Alisa Buzhala

Ka filluar tashmë edicioni i 14-të i festivalit të artit dhe kulturës tradicionale. Fshati Kukaj në Prishtinë mbizotërohet  nga një frymë e natyrshme e lumturisë dhe emocionit. Këtë vit,  Etnofest ka zgjedhur si temë shtyllë “Lumtuninë”, duke e shndërruar festivalin në një përvojë magjike që eksploron thellësitë e ndjenjave, gjetjes së pikave të lumturisë, të ndërtuara mbi sintezën e lirisë dhe dashurisë.

Përmes një programi të pasur dhe të larmishëm, Etnofest sjell në jetë një harmoni të veçantë midis traditës dhe modernitetit, një hapësirë ku kultura me të gjitha trajtat e saja bëhet e prekshme.

Edicioni i 14-të i këtij festivali  arrin t’i qëndroj besnik konceptit origjinal, të impresionojë dhe frymëzojë, me një program të gërshetuar mirë, duke jetësuar forma të ndryshme të punimeve artistike. Nga ushqimi,  muzika, ekspozitat e shumta të hapura, performancat teatrale që ndriçojnë skenën me emocion dhe pasion, deri tek debatet dhe punëtoritë që ofrojnë reflektim, analizim dhe kuptim të thellë.

Ambienti i veçantë i krijuar për këtë festival është i dedikuar që të bëhet shtëpi për artin dhe përzierjen e tij.  Siç e përshkruan Fadil Hysaj, krijuesi dhe organizatori i festivalit, “Ky kompleks është ndërtuar nga e para për të ofruar një hapësirë që bashkon artin dhe traditën. Tendenca ime ka qene që e reja , të jetë në relacion me të vjetrën,  ta përshtat atë , qofte në arkitekturë, në teatër, muzikë, gastronomie etj “. Ai e thekson se festivali rikthen në jetën e publikut një ndjenjë të thellë nostalgjie dhe fëmijërie, duke e bërë secilin  të kërkoj në gjenezën e tij arsyet e formësimit personal dhe shoqërore.

Kjo e veçon programin dhe  etno-kompleksin në tërësi me një dimension emocional.

Pas hapjes spektakulare që patë ky edicion, me 10 gusht, me mbi 10 aktivitete  të pozicionuar në skenat e veçanta që e karakterizojnë kompleksin, me paraqitjet skenike, ekspozitat, shfaqjet dhe koncertet e grupeve artistike të përcjella nga një numër të madh të publikut, dita e dytë pasuese e EtnoFestit pati një program me specifik dhe jo shumë të ngarkuar.

Programi  u hap në mesdite, atëherë kur  regjisori i njohur italian, Mario Biagini, udhëhoqi një punëtori teatrale revolucionare, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të zhyten në teknikën e Jerzy Grotowskit. Kjo punëtori, e zhvilluar nga ora 13:00 deri në 16:00, i ofroi studentëve një përvojë të thellë dhe të veçantë mbi këto teknika. 

Ilirjana Arifi, regjisorja e cila është e përfshirë si bashkëpunuese në zhvillimin e këtij aktiviteti,  theksoi se teknikat e Grotowskit të interpretuara nga Mario Biagini ngjallen interesim të madh tek gjenerata e re e artisteve, për shkak të mënyrës së veçantë të tij, metodës së së punuarit në skenë si dhe raportit me aktorët.  Kjo punëtori teatrore do të vazhdoj përgjatë gjithë edicionit, deri në ditën e fundit, atëherë kur edhe finalizohet shfaqja ‘Etja’ nga Mario Biagini, drejtor i qendrës ‘ Jerzy Grotoëski ‘ Itali.

Në mbrëmjen e udhëhequr nga harmonia e atmosferës së krijuar nga vet publiku prezent, të cilët u panë duke lëvizur nga një skenë në tjetrën, e poashtu në hapësirat ku shërbehej ushqimi tradicional, pas darkës , audienca po priste fillimin e shfaqjes së kësaj mbrëmje.

Ishte shfaqja “Dashuritë e presidentit” nga Miro Gavran, e cila u interpretua nga regjisori Andi Begolli. Bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” & Qendra për zhvillim social, mjedisor, ekonomik dhe kulturor “Smek”, Tirane.

“Pjesëmarrja në EtnoFest është një eksperiment, sfidues. Hapësira në Kukaj është e veçantë prandaj ne jemi munduar të përshtatemi edhe me skenografinë edhe me ndriçimin” citoi regjisori Andi Begolli.

Kjo shfaqje paraqiti një fenomen shoqëror, mbi lidhjet e krijuara, përplasjen,  luftën për dashurinë, fitoren dhe humbjen. Nga kjo shfaqje publiku morri një rol gjykues mbi personazhet dhe të vërtetat e tyre.

Përmbyllja e natës së dytë të këtij edicioni,  u shoqërua nga grupi  muzikor “Çunat e Tironës”, i cili u krijua si grup mes miqsh e bashkëpunëtor artistik, që erdhën nga Tirana për të performuar enkas në festival, duke sjell në skenë meloditë e traditës shqiptare, këngëve të vjetra së Shqipërisë së mesme.

EtnoFest, vazhdon të ofrojë një program të miksuar, ku  këtë vit artdashësit do të kenë mundësi të udhëtojnë në dimensionet e tij deri më 18 gusht 2024.  Ky festival shihet të jetë më shumë se një ngjarje – një strukturë për të zbuluar dhe përjetuar një gamë të gjerë mbi përjetimin dhe kontributin në ruajtjen e sensit tradicional në botën moderne,  duke ofruar një pamje të re dhe të freskët të artit dhe kulturës./ KultPlus.com

Fatimja, e para grua e veshur si burrë në odën e malësorëve

Fatime Sokoli lindi në Dragobi të Tropojës, më 18 qershor 1948 dhe jetoi në Bajram Curr, aty ku heroizmi shqiptar kishte faqe të ndritshme të qëndresës shekullore kundër pushtuesve.

Në ata shkrepa të Dragobisë u rritë bija e Malësisë, e cila nga mosha e re, falë talentit u rritë me tingujt e çiftelisë e të sharkisë, duke kënduar këngë trimërie për heroinat e trimat shqiptarisë.

Këngëtarja dhe instrumentistja e shquar tropojane, Fatime Sokoli, për brezin e sotëm më shumë se një cak kujtese, asgjë tjetër mund të mos i interesojë nga ky fakt. Por Fatime Sokoli nuk ishte vetëm një nga këngëtaret më të shquara, dhe një pasuri e traditës sonë të vyer të folkut.

Ajo ishte shumë më shumë, ishte gruaja e parë që dëshmoi, së pari në malësi dhe kudo gjetkë, ku gruaja mbahej nën zgjedhë, se nuk ishte vetëm për të lindur, rritur dhe edukuar, fëmijë, për punët e shtëpisë dhe për t’iu nënshtruar pushtetit të burrit, ajo ishte për më shumë, ishte edhe për të sfiduar kohën dhe skenën.

Ajo ishte dhe mbeti një zë i jashtëzakonshëm, një interpretuese dhe instrumentiste që do të mbetet në fondin e artë të traditës sonë të shkëlqyer të folklorit.

Ata që e dëgjuan, që e njohën, e shijuan zërin e saj, e duartrokitën, nuk do ta kenë patur të vështirë ta ruajnë në kujtesë. Ajo kishte ardhur për të mbetur një emër, një kontribut, një vlerë, një simbolikë e shprehive më të qenësishme të pasurisë sonë shpirtërore.

Kontributi i saj i shquar e ka shpërblyer atë me titullin “Artiste e Merituar”, një vlerësim i merituar dhe arritur me shumë punë dhe përpjekje.

Pas shumë vitesh në skena koncertesh e festivalesh, në lëndinat e bjeshkëve dhe gurët e bardhë të Valbonës, në oda burrash malësie e në skenat e disa vendeve të Evropës, qe kthyer në një simbol të Malësisë së Gjakovës, këngës dhe shpirtit të saj.

“Bilbili i Tropojës”, Fatime Sokoli u shua më 12 gusht të vitit 1987 në një moshë të re, ndoshta pikërisht atëherë kur mund të jepte ende në fushën krijimit, interpretimit dhe virtuozitetit.

U nda nga të gjallët e saj për të lënë në eterin e maleve të Dragobisë, gumëzhimën e Valbonës, bashkë me tingujt e saj magjepsës, edhe zërin e saj kumbues.

Ajo s’i kishte mbushur të dyzetat, por la pas këngët e saj të pavdekshme, zërin e saj të papërsëritshëm, la mesazhet patriotike, mesazhet për jetën dhe punën, për njeriun dhe dashurinë.

Këndoi ajo dhe u laureua në festivale brenda dhe jashtë vendit; këndoi ajo për Bac Bajramin, Mic Sokolin, Emin Durakun, Haxhi Zekën e Tom Kolën. Në fonotekën e Radio Televizionit Shqiptar, ruhen shumë këngë të saj, por ato kanë mbetur në gojë të popullit, duke përjetësuar kujtimin e këngëtares ndër shekuj.

Fatime Sokoli ka mbetur në kujtesën e njerëzve si një dëshmi e gjallë e përpjekjeve dhe arritjeve të një gruaje, edhe atje ku pushteti i ligjësive zakonore i kishte privuar asaj të ishte diçka tjetër, më shumë se nënë, grua, argate. Ajo provoi duke guxuar, arriti duke u përpjekur, sfidoi duke luftuar, besoi te talenti dhe u shpërblye.

Fatime Sokoli ” ishte çika e parë e Malsisë që kapi për herë të parë çiftelinë në dorë dhe hyri me guxim në odën e burrave, e veshur si burrë dhe këndoi më mirë se burrat.

Për afro 30 vjetësh në skena koncertesh e festivalesh, në lëndinat e bjeshkëve dhe gurët e bardhë të Valbonës, në oda burrash malsie e në skenat e disa vendeve të Europës, qe kthyer në një simbol të Malësisë së Gjakovës. Ajo u shfaq si krijuese, instrumentiste e interpretuese virtuoze dhe origjinale, me zë të veçantë bjeshkor të shoqëruar me muzikalitet.

Në repertorin e Fatime Sokolit, zënë një vend të gjërë këngët kushtuar heronjve dhe veçanërisht Kosovës. Ajo la pas jo vetëm këngën brilante, por edhe shembullin e një gruaje të emancipuar, duke thyer çdo tabu për kohën dhe Malësinë.

Nderi i kombit Margarita Xhepa e vlerësonte si një këngëtare të vecantë jo vetëm për zërin, por edhe vlerat e kontributet si vajzë e malsisë. Zëri i saj, i papërsëritshëm, shoqëruar me iftelinë, që ia dridhte aq mjeshtërisht telat, gjëmoi në skenat e Evropës, kur ishte me Asamblin e këngëve dhe valleve.

Në repertorin e saj, në 30 vjet karrierë, numërohen mbi 100 këngë të kënduara, por këngët që u dëgjuan në këtë aktivitet ishin:“Moj Kosovë, moj kështjellë burrnie”, “Kënga e Bajram Currit”, “Ty Kosovë, këtë këngë të këndova”, “Moj Kosovë, o nëna ime”, “Në këtë tokë me rrënjë të lashta”, “Pushkë e mbushur me tufane”, “Tym të zi, po qet Europa”, etj.

Fatime Sokoli është një emër i madh i adhuruesve të muzikës folklorike shqiptare dhe këngës me çifteli.

Ajo veçanërisht është shumë e njohur në veriun e Shqipërisë dhe në Kosovë./KultPlus.com

“The Times”: Shqipëria, destinacioni i pazbuluar i Mesdheut

Mos e quani Shqipërinë “Greqia e re” apo “Maldivet e lira”. Vija e saj bregdetare është plot me surpriza – dhe shtigjet me pamje përrallore ndodhen pikërisht në zemër të saj, shkruan Marianna Hunt në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Times”.

Ne kaluam nëpër të njëjtat pyje të dendura me pisha dhe bredha ashtu si Jul Çezari në vitin 48 p.e.s., gjysmë të nervozuar dhe të emocionuar nga mendimi se do të përballeshim me macet e egra, ujqërit dhe derrat e egër evropianë – që jetojnë mes pemëve të Parkut Kombëtar të Llogorasë në Shqipëri.

Papritur ne – partneri im, dhe unë – u surprizuam dhe mahnitëm nga malet përreth, luginat e veshura me pisha dhe ujërat bruz të detit Jon.

Ishim në mes të një prej ecjeve tona, të organizuara nga operatori turistik “Walks Worldwide”, dhe kjo pamje justifikonte të gjitha arsyet tona për të vizituar Shqipërinë.

Bregdeti i Jonit në Shqipëri ka tërhequr një numër në rritje udhëtarësh ndërkombëtarë vitet e fundit – falë fshatrave të përsosura si Ksamili, i cili ka plazhe të bardha të pacenuara, të konsideruara në Instagram si “Maldivet e Evropës”.

Megjithatë, e dija se në bregdetin e Shqipërisë kishte shumë më tepër se vetëm diell dhe rërë, duke përfshirë natyrën e pacënuar dhe trashëgiminë historike magjepsëse.

Sipas “Walks Worldwide”, kostot e përgjithshme për pushime në Shqipëri janë më lirë krahasuar me Greqinë.

Në restorante, ju mund të paguani rreth gjysmën e asaj që do të paguanit në Korfuz – i cili ndodhet vetëm 30 minuta larg me traget nga Shqipëria.

Në vend të kësaj, ne fluturuam për në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, dhe shijuam një udhëtim mbi tre orë me makinë deri në bregdet, peizazhin dhe pamjet mahnitëse të detit.

Ishim në një turne ecjeje me vetë-udhëzues që fokusohej në të ashtuquajturën Riviera Shqiptare.

Rruga ishte gjithashtu një kombinim i bukur i ecjes në pyjet me pisha dhe shëtitjeve përgjatë plazheve rreth Himarës, një qytet i njohur bregdetar.

Akomodimi ynë në Himarë ishte “Guest House Solive”. Bujtina ishte e thjeshtë, por e pastër, me një kopsht të vogël.

Në shëtitjen tonë të parë shkuam në fshatin me kalldrëm, Kudhës për të ndjekur shtigjet e barinjve të vjetër.

Këto na çuan nëpër ullishtat dhe livadhet e sherebelës ku aroma e kamomilit dhe barishteve ndihej sikur po nuhasnim infuzione çaji bimor.

Më në fund zbritëm në Qeparo, një tjetër fshat me shtëpi prej guri. U ulëm nën hijen e një lisi – duke admiruar pamjen e detit Jon.

Shëtitja nga fshati Lukovë në Borsh ishte një nga të preferuarat e mia, duke zbuluar ujëvarat dhe kishat e rrënuara – dhe papritur u gjendëm në një shtrirje të mrekullueshme si Buneci.

Ne gjithashtu u drejtuam në Parkun Kombëtar të Llogorasë, me një sërë malesh dhe livadhesh alpine me pamje nga Riviera.

Këto pyje të dendura dikur strehuan Jul Çezarin dhe ushtrinë e tij – ndërsa ai luftonte me rivalin e tij të madh Pompeun.

Një peizazh kaq i thyer – aq pranë plazheve ndihej shumë ndryshe nga ajo që kisha përjetuar në pjesë të tjera të Mesdheut.

Është një peizazh që ka mahnitur edhe romantikët si Lord Bajroni, i cili shkroi për Shqipërinë në poemën e tij epike “Childe Harold’s Pilgrimage”.

“Nën drejtimin e Enver Hoxhës, Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara në botë. Ne ishim të shkëputur edhe nga Bashkimi Sovjetik”, na tha Elton Caushi nga “Albanian Trip”.

Dyshimet e Hoxhës për botën e jashtme është arsyeja që, sot, peizazhi i Shqipërisë është i mbushur me bunkerë ushtarakë betoni – vlerësohet të jenë më shumë se 700,000 – rreth një për çdo katër shqiptarë.

Përveç industrisë së saj në shpërthim të turizmit, kuzhina në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më e preferuar, falë lulëzimit të fermave.

Udhëtuam me makinë në brendësi të vendit për rreth tre orë për të vizituar “Pupa Winery & Guesthouse” Veraria & Bujtina – e drejtuar nga vetë familja –  e cila kultivon rrush autokton shqiptar, bishtajore dhe dhjetëra perime të ndryshme për restorantin.

Roze e bardhë e freskët dhe e bardhë kombinohet në mënyrë perfekte me pjatat me bazë perimesh plot shije dhe specat e ëmbël të mbushur me djathë kremoz.

Veraria gjithashtu ofron dhoma gjumi elegante me një kosto prej 74 euro.

Në bregdet, ushqimi ishte i një cilësie të ngjashme, por pak më i shtrenjtë. Për më pak se 18 euro secila, ne porositëm pjata me oktapod të pjekur në skarë dhe karkaleca, në “Taverna Velco”, Himarë.

Më pas, udhëtuam në një rrugë të tërthortë derisa arritëm në fshatin Tragjas – ku vizituam shtëpinë e Sofo Daupaj dhe bashkeshortës së tij Dhurata.

Dikur ekzistonte një komunitet i konsiderueshëm në këto kodra të largëta – por pasi forcat e rezistencës luftuan nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, zona u bombardua dhe u braktis.

Të mbijetuarit dhe pasardhësit e tyre tani jetojnë në shtëpi betoni në rrëzë të malit – me përjashtim të familjes Daupaj.

Në mbrëmje shijuam pamjet mahnitëse ndërsa dielli perëndonte dhe rrezatonte në livadhet e pafundme me sherebele – dhe lulet e verdha të tyre.

Mendova të provoja të bëja një foto, por më pas ndryshova mendim. Tingujt, erërat, shija e qumështit të ngrohtë të dhisë… kjo ishte një anë e Shqipërisë që asnjë postim në Instagram nuk mund ta pasqyronte!/KultPlus.com

Përkujtohet poeti e publicisti arbëresh Zef Skiroi

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi sot me rastin e 159-vjetorit të lindjes, poetin, etnografin dhe publicistin e shquar arbëresh, Zef Skiroi.

Zef Skiroi (Hora e Arbëreshëvet, 10 gusht 1865 – Napoli, 17 shkurt 1927) ishte poet, gjuhëtar, folklorist, etnograf, gazetar dhe publicist i shquar arbëresh.

Në moshën 9-vjeçare, ai shkroi një vjershë kushtuar Skënderbeut, duke hapur kështu sfondin e veprave të veta të mëvonshme. Studioi në Seminarin Shqiptar të Palermos, ku u formua me traditën e kulturës shqiptare, si dhe të asaj klasike (Dante, Servantesi, Gëte, Shileri etj.).

Më 1887, së bashku me Françesk Petën, themeluan në Palermo revistën Arbëri i ri, si dhe botoi përmbledhjen e parë me vjersha.

Skiroi mbaroi studimet për drejtësi më 1890 dhe po këtë vit u emërua docent i letërsisë antike në “Liceun Garibaldi” të Palermos.

Kur ishte 35 vjeç arriti të merrte vendin e titullarit të Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, të hapur pranë Institutit Mbretëror Oriental të Napolit. Më pas, ai vazhdoi veprimtarinë albanologjike në Napoli me botime, leksione dhe pjesëmarrje në kongrese. Veprat kryesore të tij janë: “Mili e Hajdhia”, “Te dheu i huaj” dhe “Mino”./atsh/KultPlus.com

Thomas Mann: Dashuria, jo arsyeja, është më e fortë se vdekja

Thomas Mann (Lübeck, 6 qershor 1875 – Zürich, 12 gusht 1955), shkrimtar gjerman. Fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1929. Tomas Mani, ky  “poeta doctus” klasik, është ndër shkrimtarët, pa të cilët panorama letrare e shek.XX do të qe e mangët. Autori i romaneve Mali magjik, Budenbrokët, Doktor Faustus, i katërvëllimëshit Jozefi dhe vëllezërit e tij, etj, i novelave Tonio Krëger, Tristani, Vdekje në Venecia etj​

Ju sjellim sot disa nga thëniet më të mira të Thomas Mann:

“Njeriu jeton jo vetëm jetën e tij personale, si individ, por gjithashtu, me apo pa vetëdije, jetën e epokës së tij dhe të bashkëkohësve të tij.”

“Një vetmitar, pa e pasur zakon të flasë për atë që ai e sheh dhe e ndjen, ka përvoja mendore të cilat janë njëkohësisht më intensive dhe më pak të artikuluara se ato të një njeriu të shoqërueshëm.”

“Një shkrimtar është dikush për të cilin të shkruarit është më i vështirë se për njerëzit e tjerë.”

“I gjithë interesi për sëmundjen dhe vdekjen është vetëm një shprehje tjetër e interesit për jetën.”

“Një art mjeti i të cilit është gjuha, gjithmonë do të tregojë një shkallë të lartë të krijimtarisë kritike, sepse të folurit në vetvete është një kritikë e jetës: ai emron, ai karakterizon, ai gjykon, kështu ai krijon.”

“Demokracia është përjetësisht humane, dhe përjetësia gjithmonë nënkupton një sasi të caktuar të një rinie të mundshme.”

“Sepse unë duhet të them se ne artistët nuk mund të shkelim në rrugën e Bukurisë pa Erosin që na jep shoqëri dhe e emëron veten si udhërrëfyesin tonë.”

“Miti është themeli i jetës; është skema e përjetshme, formula e devotshme në të cilën jeta rrjedh kur ajo riprodhon tiparet e saj të pavetëdijës.”

“Për hir të mirësisë dhe dashurisë, njeriu nuk do ta lërë vdekja të ketë sovranitetin mbi mendimet e tij.”

“Për të qenë të gatshëm kundër fatalitet, për të përmbushur kushtet e pafavorshme hijshëm, është më shumë se durim i thjeshtë, por është një akt agresioni, një triumf pozitiv.”

“Ka ndryshuar ndonjëherë bota nga ndonjë gjë përveç mendimit dhe automjetit të tij magjik Fjalë?”

“Arsyeja njerëzore ka nevojë vetëm të dëshirojë më fuqishëm se fati, dhe ajo është fati.”

“Unë e dua dhe i përulem me nderim Fjalës, bartëses së shpirtit, asaj që është mjeti dhe pluga e shkëlqyer e progresit.”

“Unë kurrë nuk mund ta kuptoj se si dikush nuk mund të pijë duhan, çka e privon një njeri nga pjesa më e mirë të jetës. Me një puro të mirë në gojën e tij një njeri është krejtësisht i sigurt, asgjë nuk mund ta prekë, absolutisht.”

“Nëse jeni i zotëruar nga një ide, ju e gjeni të shprehur atë kudo, ju madje e joshni atë.”

“Është një fakt i çuditshëm që liria dhe barazia, të dy idetë themelore të demokracisë, janë në një farë mase kontradiktore. Logjikisht, liria dhe barazia janë reciprokisht përjashtuese, ashtu si shoqëria dhe individi janë reciprokisht ekskluzive.”

“Dashuria, jo arsyeja, është më e fortë se vdekja.”

“Letërsia … është bashkimi i vuajtjes me instinktin për formën.”

“Dikush gjithmonë ka idenë se njeriu i trashë ka shëndet të përkryer dhe është i rëndomtë, dhe sëmundja e bën të rafinuar, të mençur dhe të pazakontë.”

“Opinionet nuk mund të mbijetojnë në qoftë se dikush nuk ka asnjë shans për të luftuar për to.”

“Sjellja e njerëzve ka kuptim, nëse ju mendoni për të sa iu përket qëllimeve të tyre, nevojave dhe motiveve.”

“I respektuar do të thotë i pasur, dhe i mirë do të thotë i varfër. Unë duhet të vdes në qoftë se dëgjoj familjen time të më quajë i mirë.”

“Vetmia lind origjinalin në ne, bukurinë e panjohur dhe të rrezikshme – poezinë. Por gjithashtu, ajo lind të kundërtën: çoroditjen, të paligjshmen, absurden.”

“Lufta është vetëm një ikje frikacake nga problemet e paqes.”

“Ne nuk i dashurojmë cilësitë, ne i dashurojmë personat, nganjëherë për shkak të defekteve të tyre, sikurse dhe të cilësive të tyre.” / KultPlus.com

Fatime Sokoli, kumbuesja e zërit të bjeshkëve dhe magjistarja e telave të çiftelisë

Më 12 gusht të vitit 1987, u shua në moshën 39-vjeçare nga një sëmundje e rëndë këngëtarja dhe instrumentistja e shquar tropojane, Fatime Sokoli. Për brezin e sotëm më shumë se një cak kujtese, asgjë tjetër mund të mos i interesojë nga ky fakt.

Por Fatime Sokoli nuk ishte vetëm një nga këngëtaret më të shquara, dhe një pasuri e traditës sonë të vyer të folkut. Ajo ishte shumë më shumë, ishte gruaja e parë që dëshmoi, së pari në malësi dhe kudo gjetkë, ku gruaja mbahej nën zgjedhë, se nuk ishte vetëm për të lindur, rritur dhe edukuar, fëmijë, për punët e shtëpisë dhe për t’iu nënshtruar pushtetit të burrit, ajo ishte për më shumë, ishte edhe për të sfiduar kohën dhe skenën.

Ajo ishte dhe mbeti një zë i jashtëzakonshëm, një interpretuese dhe instrumentiste që do të mbetet në fondit e artë të traditës sonë të shkëlqyer të folklorit. Ata që e dëgjuan, që e njohën, e shijuan zërin e saj, e duartrokitën, nuk do ta kenë patur të vështirë ta ruajnë në kujtesë. Ajo kishte ardhur për të mbetur një emër, një kontribut, një vlerë, një simbolikë e shprehive më të qenësishme të pasurisë sonë shpirtërore.
Fatime Sokoli u lind në Dragobi të Tropojës, më 18 qershor 1948. Kontributi i saj i shquar e ka shpërblyer atë me titullin “Artiste e Merituar”, një vleësim i merituar dhe arritur me shumë punë dhe përpjekje.
Pas shumë vitesh në skena koncertesh e festivalesh, në lëndinat e bjeshkëve dhe gurët e bardhë të Valbonës, në oda burrash malësie e në skenat e disa vendeve të Evropës, qe kthyer në një simbol të Malësisë së Gjakovës, këngës dhe shpirtit të saj.
“Bilbili i Tropojës”, Fatime Sokoli u shua më 12 gusht të vitit 1987 në një moshë të re, ndoshta pikërisht atëherë kur mund të jepte ende në fushën krijimit, interpretimit dhe virtuozitetit. U nda nga të gjallët e saj për të lënë në eterin e maleve të Dragobisë, gumëzhimën e Valbonës, bashkë me tingujt e saj magjepsës, edhe zërin e saj kumbues. Ajo s’i kishte mbushur të dyzetat, por la pas këngët e saj të pavdekshme, zërin e saj të papërsëritshëm, la mesazhet patriotike, mesazhet për jetën dhe punën, për njeriun dhe dashurinë.
Te shpella e Dragobisë, buçiti zëri i saj për popullin trim të Gjakovës, Aty këngëtarja e Dragobisë, meritoi duartrokitjet e para, që nuk pushuan më pas në Tiranë, Gjirokastër, në mbarë Shqipërinë, në Kosovë e Maqedoni, në shumë skena të Ballkanit e të Evropës. Këndoi ajo dhe u laureua në festivale brenda dhe jashtë vendit; këndoi ajo për Bac Bajramin, Mic Sokolin, Emin Durakun, Haxhi Zekën e Tom Kolën. Në fonotekën e Radio Televizionit Shqiptar, ruhen shumë këngë të saj, por ato kanë mbetur në gojë të popullit, duke përjetësuar kujtimin e këngëtares ndër shekuj.
Fatime Sokoli ka mbetur në kujtesën e njerëzve si një dëshmi e gjallë e përpjekjeve dhe arritjeve të një gruaje, edhe atje ku pushteti i ligjësive zakonore i kishte privuar asaj të ishte diçka tjetër, më shumë se nënë, grua, argate. Ajo provoi duke guxuar, arriti duke u përpjekur, sfidoi duke luftuar, besoi te talenti dhe u shpërblye. Dhe ne sot i detyrohemi një përulje me respekt për veprën që la si testament vlerash, pasioni dhe përkushtimi. / Nga Albert Vataj/ KultPlus.com

69 vite nga vdekja e nobelistit Thomas Mann

Sot janë bërë 69 vite nga vdekja e nobelistit gjerman Thomas Mann, shkruan KultPlus.

Thomas Mann ka lindur në Lübeck, 6 qershor 1875. Ai ishte një shkrimtar gjerman dhe një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë, gjatë shekullit të XX.

Ai ishte një romancier gjerman dhe tregimtar, kritik shoqëror, filantropost dhe eseist, i cili fitoi çmimin Nobel në letërsi në vitin 1929.

Që në vitin 1901 publikoi romanin, Budenbroket si dhe novelat si Tonio KrögeriTristani dhe Vdekje në Venecia.

Ai njihet për serinë e tij të romaneve dhe novelave shumë simbolike dhe shumë ironike, të dalluara për thellësinë e tyre në psikologjinë e artistit dhe intelektualit.

Analiza dhe kritika e tij mbi shpirtin evropian dhe gjerman përdor rrëfenja gjermane dhe biblike të modernizuara si dhe ide nga Goethe, Nietzsche dhe Schopenhauer.

Vëllai i tij më i madh ishte shkrimtari radikal Heinrich Mann, ndërsa tre nga gjashtë fëmijët e tij, Erika Mann, Klaus Mann dhe Golo Mann, u bënë gjithashtu shkrimtarë të rëndësishëm gjermanë.

Kur Hitleri erdhi në pushtet më 1933, Mann u arratis për në Zvicër. Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore më 1939 ai iku në Shtetet e Bashkuara nga ku u kthye në Zvicër më 1952. Thomas Mann është një nga eksponentët më të njohur të letërsisë së quajtur Exilliteratur, (Letërsia nga ekzili).

Vdekje në Venecia është një vepër e tij e përkthyer në gjuhën shqipe.

Ai ka vdekur në Zürich, 12 gusht 1955./KultPlus.com

Ian Lancaster Fleming, shkrimtari britanik që u bë i njohur me figurën e sajuar të James Bond

Më 12 gusht të vitit 1964 vdiq shkrimtari, Ian Lancaster Fleming, shkruan KultPlus.

Ian Lancaster Fleming lindi më 28 maj 1908 në Londër. Ai ishte një shkrimtar britanik. U bë i njohur para së gjithash përmes figurës së sajuar të romanit dhe filmit James Bond, si dhe përmes librit të tij për fëmijë, “Chitty Chitty Bang Bang”.

I lindur në Mayfair të Londrës, Ian Fleming u rrit në hijen e babait të tij, Valentine Fleming, i cili ishte deputet i Partisë Konservatore në Dhomën e Ulët dhe ra dëshmorë në Luftën e Parë Botërore, dhe në hijen e gjyshit të tij, bankierit legjendar skocez Robert Fleming.

Nëna e tij e detyroi Flemingun që ta lëshonte Anglinë dhe të merrte një banesë në Kitzbühl të Austrisë. Ai studioi gjuhët dhe psikologjinë në universitete të ndryshme evropiane dhe shkroi të parat tregime të shkurtra dhe poezi, edhe pse në atë kohë nuk e kishte synimin të bëhej shkrimtar. Bënte gjithçka që të pranohej në ndonjë post në Ministrinë e Jashtme, por dështoi dhe për këtë arsye para Luftës së Dytë Botërore punoi katër vjet si gazetar në Reuters.

Suksesi i tij më i madh si gazetar ishte një reportazh për një gjykim spiunazhi në Rusi. Ngaqë profesioni i gazetarit nuk linte shumë para për jetë, Fleming përparoi si tregtar i letrave me vlerë në bankat londineze Cull & Co. dhe Rowe & Pitman. Më vonë pranoi postin e korrespondentit të gazetës Times, ku ishte i punësuar deri më 1933. Kjo detyrë e çoi në Bashkimin Sovjetik, prej nga ai duhej të raportonte për një udhëtim afarist, por në të vërtetë ai spiunoi për Ministrinë e Jashtme.

Më 1930 Fleming u punësua në Shërbimin Informativ të Marinës dhe u ngrit në toger dhe asistent personal të drejtorit John Godfrey.

Në vitet e fundit të luftës Fleming kaloi ca kohë në Xhamajkë në kuadër të një konference ushtarake dhe peizazhi i pasur atje i la përshtypje të madhe. Ai aty bleu një truall plazhi, ndërtoi një shtëpi që e quajti Goldeneye. Aty kalonte muajt e ftohtë të dimrit, shkruante tregimet dhe romanet e tij dhe niste dashuriçka, mes tjerash edhe të martuarën Anne Rothermere, me të cilën u martua më 1952.

Po atë vit u lind edhe djali i tyre Casper. Fleming punoi prapë si gazetar dhe më 1953 shkroi romanin e tij të parë me temë spiunazhi me titullin “Casino Royale” me figurën e tij të famshme të agjentit James Bond. Të drejtat e veprës së tij të parë ai ia shiti për 6.000 dollarë aktorit dhe regjisorit të Hollywood-it Gregory Ratoff, i cili James Bond-in e solli më 21 tetor 1954 për herë të parë në televizionin amerikan. Por “Casino Royale” mori pak përkrahje nga publiku dhe skenarët për serinë e planifikuar me emrin “James Bond, Secret Agent” përfunduan në harresë. Pa u penguar nga kjo, Fleming shkroi tre romane të mëtejshme para se më 1957 ta botonte “From Russia with Love”.

Në atë kohë ai kishte ndërmend ta përfundonte serinë e Bondit dhe t’i dedikohej veprave serioze, por kur presidenti Kennedy librin “From Russia with Love” e cilësoi si njërin prej librave më të dashur të tij, Fleming vendosi të shkruaj edhe tregime të tjera për agjentin sekret. Bond arrinte gjithnjë e më shumë në interesimin e publikut. Gazeta londineze “Daily Express” botoi më 1957 një strip të shkurtër me agjentin 007.

Nga një reportazh rreth kontrabandës me diamante për “Sunday Times” Fleming u frymëzua për romanin e tij “Diamonds Are Forever”, i cili u botua më 1957. Meqenëse edhe “Goldfinger” dhe “Thunderball” kishin sukses të madh, Fleming u tërhoq dalëngadalë nga gazetaria dhe u përqendrua kryesisht në romanet e tij. Në vitet 1958 dhe 1959 ai punoi në një seri për qytetet për “Sunday Times”, e cila më vonë u publikua edhe si libër me titullin “Thrilling Cities”.

Ndërkohë producenti i filmave Harry Saltzmann kishte marrë një opsion për gati të gjitha romanet dhe tregimet e shkurtra të Flemingut (përjashtim bënin në atë kohë “Moonraker” dhe “Casino Royale”) dhe kërkonte financimin e filmit të parë të James Bond-it. Vetëm në fillim të viteve të 60-ta përmes angazhimit financiar të Albert R. Broccoli mundi të shfaqej nëpër kinematë filmi i parë me Bond-in “James Bond ndjek Dr. No). Fleming mori 100.000 funta britanike për secilin titull dhe pjesëmarrje me përqindje në të ardhurat nga kinematë për filmat e prodhuar. Në filmin “Përshëndetje dashurie nga Moska” ai madje kishte edhe një paraqitje të shkurtër në një skenë kur nisej treni.

Më 1964 Fleming u sëmurë nga gripi i kraharorit, i cili mandej u zhvillua në pleurit. Gjendja e tij shëndetësore përkeqësohej në përgjithësi, e kësaj i ndihmonte edhe prirja e tij për duhan, pije alkoolike, ushqim të yndyrshëm dhe udhëtime të gjata. Gjatë një mbledhjeje të Komitetit të Golfit në St. Georges në gusht 1964 ai pësoi një infarkt në zemër dhe pak më vonë vdiq në Sandwich Bay në Kent.

Ian Fleming është i varrosur në varrezën e qytetit Sevenhampton, në afërsi të Swindon pranë gruas së tij Anne dhe të birit Casper, i cili më 1975 vdiq nga doza e lartë e drogave.

Deri në vdekjen e tij Fleming shkroi 12 romane me Bondin dhe 9 tregime të shkurta, të cilat janë përkthyer në 23 gjuhë. Jeta e tij është përshkruar me një biografi televizive të shfaqur në Britaninë e Madhe, me dokumentarin “Goldeneye” si dhe me një film kryesisht fiktiv “Jeta sekrete e Ian Flemingut”./ KultPlus.com

Ka kohë që yjet s’ulen përmbi tokë

Poezi nga Robert Shvarc

Ka kohë që yjet s’ulen përmbi tokë,
ka kohë që njerëzit s’rrijnë me krye përpjetë
tue pritë me u ra ndër dhambë kafshat’e shkretë –
dhe vjershat janë lirue: pesë groshë një okë…

Me duer ndër xhepa poetët trokë
shetisin rrugve t’errta, krejt të qetë;
askush s’i nget, askush s’po don me i pyetë
ç’ka kanë në zemër e ç’ka kanë në kokë…

Urdhno, zotni, pak dritë n’mos daç errsinë!
Pesë groshë një okë . – Nji andërr e tanë rinije!
Tridhet vjet – e tridhet okë dashnije!
Urdhno, zotni, nji kangë për njerëzinë!
Pesë grosh nji okë – nji jetë e tanë dlirsije!
Tridhet vjet – e tridhet okë marrije!…/KultPlus.com

Kleopatra, faronesha e fundit e Egjiptit të lashtë

12 gushti mendohet të jetë dita e vdekjes së faroneshës së fundit aktive të Egjiptit të Lashtë, Kleopatrës, shkruan KultPlus.

Kleopatra VII Filopator (69 p.e.s- 12,gusht, 30 p.e.s) e njohur në histori si Kleopatra ishte faraonesha e fundit aktive e Egjiptit të Lashtë, e cila mbijetoi edhe për pak kohë pas vdekjes së saj pasi u udhëhoq nga djali i saj, Cezarioni si faraon. Kleopatra ishte pjestare e dinastisë Ptolemaike, që udhëhoqi Egjiptin e Lashtë pas vdekjes së Aleksandrit të Madh.

Kleopatra e prezantoi veten si një rimishërim i perëndeshës egjiptiane, Isis. Kleopatra sundoi bashkë me babain e saj, Ptolemeun XII Auletes, dhe më vonë me vëllezërit e saj, Ptolemeu XIII dhe Ptolemeu XIV.

Si faraoneshë ajo pati një lidhje me Jul Cezarin, që forcoi qëndrueshmërinë e saj në fron. Më vonë ajo vendosi si zëvendës-drejtues në vend të saj djalin e saj me Cezarin, Cezarionin. Pas vrasjes së Cezarit, më 44 p.e.s. ajo komplotoi me Mark Antonin, kundrejt pasardhësit të ligjëshëm të Cezarit, Gaius Julius Cezar Oktavianus ( më vonë u njoh si Oktavian Augusti).

Me Antonin ajo lindi dy binjakë, Kleopatrën Selene II dhe Aleksandër Heliosin, dhe më pas një djalë tjetër Ptoleme Filadelfusin. Pasi humbi betejën e Aktiumit me forcat e Oktavianit, Antoni u vetëvra. Kleopatra gjithashtu u vetëvra, duke vazhduar kështu traditën, që nënkupton pickimin nga një kobër, më 12 gusht 30 p.e.s. Ajo me pak fjalë u “mbajt në jetë” nga djali i saj Cezarioni, i cili u deklarua Faraon nga mbështetësit e tij, por u vra pak kohë më pas nga Oktavian Augusti. Egjipti më pas u bë provinca romake e Aegyptusit.

Në ditët e sotme Kleopatra, mbetet një figurë shumë e njohur në kulturën Perëndimore. Trashëgimia e saj mbijeton në një numër shumë të madh veprash arti dhe në shumë dramatizime të jetës së saj në literaturë dhe në media, duke përfshirë tragjedinë “Antoni dhe Kleopatra” të William Shekspirit, operën “Cléopâtre” të Jules Massenet, dhe realizimin e filmit, më 1963, me titull “Kleopatra”. Në shumë pikëpamje, Kleopatra është portretizuar si me një bukuri të jashtëzakonshme, dhe zotërimet e saj të suksesshme të burrave më te pushtetshëm të botës janë marrë si prova të estetikës së saj./KultPlus.com

“Logu i Bjeshkëve”, si manifestim i traditave e rikthim tek rrënjët

Ditën e diel, në Qafë të Predelecit u mbajt manifestimi tradicional “Logu i Bjeshkëve”. Ky është festivali më unik, ku këngët e bukura të traditës, vallet e trashëguara ndër breza, folklori i pasur, etnografia madhështore dhe ritualet e lashta lidhin pjesëmarrësit thellësisht me rrënjët.

Është traditë tashmë që prej “Logut të Bjeshkëve” të zgjidhet vajza më e bukur. Për bukuroshën e Bjeshkëve garuan 12 vajza nga Kelmendi, andej e këndej kufirit. Juria zgjodhi “Miss Bjeshka 2024”, Liljana Lashaj nga Selca. Në këtë konkurim morën pjesë edhe 3 vajza nga Vuthajt e Kelmendit.

Çmimet e tjera shkuan për vajzat: Anxhelika Sterkaj – Zana e Maleve, Mary Camaj – Xhubleta më e bukur, Monika Ulaj – Shtojzovallja e Bjeshkëve, Mikejla Nonaj – Kërcimtarja e Logut, ndërsa vajza Nexhmije Dedushaj është zgjedhur për të konkuruar në “Miss Universe Albania”.

“Logu i Bjeshkëve” konsiderohet prej malësorëve si një rikthim tek rrënjët.

Në këtë manifestim, protagonist ishte xhubleta, veshja karakteristike e grave shqiptare, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Ajo u shpalos në të gjitha dimensionet e saj në festivalin tradicional “Logu i Bjeshkëve”.

Ky kostum dhe dijebërja e tij ka udhëtuar gjatë në kohë, duke dëshmuar gjurmët e qytetërimit ilir, në kulturën shqiptare, të cilët e dizenjonin atë në mënyra të ndryshme në dukje të bukura, por që në vetvete krijojnë simbolika që na sjellin mesazhe të cilat ende dhe sot, një pjese të tyre nuk u është dhënë shpjegim./KultPlus.com

42% më shumë vizitorë në sitet kulturore nga janari në korrik

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau lajmin e mirë se sitet kulturore kanë pasur një rritje të vizitueshmërisë me 42% krahasuar me një vit më parë. Bëhet fjalë për periudhën janar-korrik 2024, gjatë së cilës sitet tona kulturore kanë mirëpritur plot 651,796 vizitorë, 23% e të cilëve janë turistë të huaj.

“Shpirti i Shqipërisë është i gjallë në këto monumente, ku historia takohet me të tashmen dhe përcillet ndër vizitorët dhe brezat e të ardhmes”, shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale.

Më tutje ai renditi vizitorët për kalatë e parqet arkeologjike më të vizituara në vend, ku e para renditet Kalaja e Gjirokastrës me 120,723 vizitorë, nga muzeumet veçohet ai i Krujës dhe më pas renditen parqet arkeologjike të Shkodrës, Butrintit e Apolonisë.

Muzeu “Gjergj Kastrioti” Krujë – 90,955 vizitorë
Parku Arkeologjik Shkodër – 85,806 vizitorë
Parku Arkeologjik Butrint – 84,742 vizitorë
Parku Arkeologjik Apoloni – 68,469 vizitorë/atsh/KultPlus.com

“Çeço Fest” gjallëron qytetin e gurtë të Gjirokastrës

DJ të mirënjohur, shqiptarë dhe të huaj kanë performuar në skenën e Odeonit me muzikën e tyre elektronike. Pjesë e këtij organizimi kanë qenë edhe të rinjtë nga vende të ndryshme të botës të cilët po vizitojnë këto ditë vere qytetin e Gjirokastrës.

Për një nga organizatorët ky event i përvitshëm është kthyer tashmë në kryefjalë për këdo që adhuron këtë lloj zhanri muzike.

“Jemi përpjekur shumë, me shumë energji për ta risjellë prapë në Gjirokastër. E risollëm prapë,  do të vazhdojë të jetë këtu, pa merak, për asnjë njeri. I ftoj të gjithë të vijnë në këtë qytet”.

“Është hera e parë për mua në Gjirokastër. Do të performoj në këtë qytet të mrekullueshëm, të rinjtë e  Gjirokastrës dhe gjithashtu për turistët”.

Turistë të shumtë u bënë pjesë e këtij eventi dyditor i cili gjallëroi zonën muzeale.

Këtë verë qyteti i Gjirokastrës është kthyer në qendër të veçantë të organizimit të aktiviteteve kulturore dhe artistike, duke tërhequr turistë të shumtë./KlanNews/KultPlus.com

Të due

Pablo Neruda / Përktheu Jozef Radi

Të due
me gjendjet e mia shpirtnore aq të shumta
që humorin ma ndryshojnë sa tash e mbas
për çka tashma ti e di aq mirë: për kohën, për jetën, për vdekjen.

Të due
s’bashku me at botë që s’e kuptoj hiç
s’bashku me ata njerëz që as i marr vesh fare,
s’bashku me dyftyrsinë e shpirtit tim,
me mospërputhjen e krejt gjesteve të mia,
me pamundsinë e shmangies së fatit,
me fshehtësitë e dëshirës,
me dykuptimsinë e së vërtetës
pse edhe kur të them s’të due
të due fort,
madje edhe kur të tradhëtoj, s’të tradhtoj aspak
pse n’thellsinë ma të thellë, çoj përpara mendimin,
me të dashtë sa ma shumë

Të due…
pa e mendue, njashtu i pandërgjegje,
e i papërgjegjshëm n’mënyrën ma spontane
njashtu padashtas, e instinktivisht,
njashtu me t’shtyme shpirti, çoroditshëm.
pse s’kam asnji arsyetim logjik,
as të improvizuem
me e ngjizë dashninë që ndiej për ty,
që lindi mistershëm prej asgjasë,
e me magji s’ka zgjidhë asgja,
po që për fat, ca nga ca, pak o hiç
e ka përmirësue krejt t’keqen time.

Të due,
të due njashtu si njaj trupi që s’mendon asgja,
si njajo zemra që s’arsyeton asgja,
si njajo koka që asgja s’përputh.

Të due
njashtu pa e kuptue as vetë pse
pa e pyet kurrë vedin pse të due,
pa i dhanë asnji randsi faktit pse të due,
pa i futë vedit asnji dyshim n’kuptimin pse të due

Të due
thjesht pse të due,
pa e ditë as vetë pse të due./KultPlus.com

12 gushti nëpër histori, ngjarjet kryesore

30 pes – Kleopatra VII Philopator, sundimtare e fundit i dinastisë egjiptiane Ptolomeu kryen vetëvrasje, thuhet, me anë të një kafshimi gjarpëri. Kleopatra njihej për bukurinë fizike dhe efektin ndaj burrave të shquar (Jul Cezar e Mark Anton). Megjithatë, Plutarku tregon se çka e bënin Kleopatrën tërheqëse ishin “mendja, dhe ëmbëlsia e zërit të saj”.

1480 – Beteja e Otrantos: trupat osmane presin kokat e 800 të krishterëve që nuk pranuan të konvertoheshin në Islam; (Këto viktima u kanonizuan nga Papa Françesku më 12 Maj 2013). Sulmi ndaj Otrantos ishte pjesë e planit për pushtimin e Italisë. Fushata osmane udhëhiqej nga Gedik Ahmed Pasha. Për shkak të mungesës së ushqimeve, Gedik Pasha u kthye me shumicën e trupave në Shqipëri, duke planifikuar për të vazhduar fushatën më 1481. Por pas vdekjes së sulltan Mehmetit II, planet ndryshuan. Sulltani pasardhës, Bejazid II, nuk kishte besim tek Gediku; e burgosi, dhe më më 18 nëntor 1482 e vrau. Origjina e Gedik Ahmet Pashës mbetet kryesisht e panjohur. Disa burime pohojnë se ishte shqiptar, të tjera burime thonë se kishte prejardhje greke ose serbe.

1624 – Kardinali Richelieu (1585-1642) u emërua kryeministër i Francës nga Mbreti Luigj XIII. Në Francë, luftrat rezultuan në rritjen e taksave; kjo, e kombinuar me menaxhimin e dobët të financave nga ana Richeliesë, e varfëruan thesarin dhe shkaktuan pakënaqësi ndaj sundimit të tij. Por në politikën e jashtme, Kardinali Richelieu, nxiti tregtinë e lirë dhe organizoi kompanitë për të zhvilluar tregti në Inde dhe Kanada. Ai ishte mbrojtës i arteve dhe themelues i Akademisë Franceze. Ndër veprat e tij letrare janë Kujtimet (1650) dhe Ditari Politik (1688).

1851 – Amerikani Isaac Singer regjistron patentën për makinë e tij qepëse. Isaac Merritt Singer (1811 – 1875) ishte shpikës, aktor, dhe sipërmarrës. Ai bëri përmirësime të rëndësishme të makinës qepëse dhe themeloi firmës Singer Sewing Machine. Shumë kishin patentuar makina qepëse para Singerit, por suksesi i tij bazohej në thjeshtësinë e makinës për përdorim shtëpiak, si dhe blerjen e saj me këste. Isak Singer ishte gjithashtu prind i të paktën 24 fëmijëve, me gra të ndryshme.

1865 – Kirurgu britanik Joseph Lister u bë mjeku i parë që përdori dezinfektues gjatë operacionit. Emri Lister tingëllon i njohur – prej tij rrjedh Listerine, dezifenktant i gojës (gargarë), shitet me shishe; mund të përdoret në çdo kohë, dhe jo vetëm një herë në ditë.

1898 – Hawaii u aneksua nga Shtetet e Bashkuara – më 1900 u bë territor amerikan. Sulmi japonez në bazën detare në Pearl Harbor (Hawaii) më 7 dhjetor 1941, ishte drejtpërdrejt përgjegjës për hyrjen e Amerikës në Luftën e Dytë Botërore. Në vitin 2008, Barak Obama, lindur në Hawaii, u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara.

1966 – Turneu i fundit për grupin Bitëlls filloi në Amfiteatrin Ndërkombëtar në Çikago; dhe John Lennon kërkoi publikisht falje për thënien e tij të mëparëshme se “Bitëllsat ishin më popullorë se Jezu Krishti”.

1972 – Trupat e fundit luftarake amerikane lënë Vietnamin. Në vitin 1972, negociatat e fshehta të paqes, udhëhequr nga Sekretari i Shtetit Henry Kissinger u zhvilluan, dhe një marrëvshje u nënshkrua në Paris më 27 janar 1973. Por trupat veriore të Hanoit vazhduan luftën kundër Jugut deri më 9 prill 1975, kur arritën afër Saigonit. Presidenti i Vietnamit së Jugut, Nguyen Van Thieu dha dorëheqjen më 21 prill dhe u largua. Gjenerali Duong Van Minh, presidenti i ri, e dorëzoi Saigonin më 30 prill, duke i dhënë fund një lufte që mori jetën e 1.3 milionë Vietnamezëve dhe 58.000 amerikanëve.

1992 – Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja ranë dakord të formojnë një zonë të tregtisë së lirë dhe të krijojnë bllokun më të madh tregtar në botë: Marrëveshja njihet me akronimin NAFTA.

1998 – Bankat zvicerane ranë dakord të paguajnë 1 miliardë e 250 milionë dollarë për të zgjidhur paditë e ngritura nga të mbijetuarit e Holokaustit dhe të trashëgimtarëve të tyre. Bankat kishin mbajtur miliona dollarë të depozituara nga viktimat e Holokaustit dhe të afërmit e tyre para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore – për shkak se shumë nga depozituesit kishin vdekur në kampe përqëndrimi nazist ose familjarët e tyre kishin humbur numrat e llogarive, paratë e tyre mbaheshin të bllokuara në banka. /KultPlus.com

Sot, bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë

Sot bota shënon 12 gushtin, Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, shkruan KultPlus.

Dita Ndërkombëtare e Rinisë (International Youth Day – IYD) është një ditë ndërkombëtare e ndërgjegjësimit e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është të tërheq vëmendjen për një grup të caktuar çështjesh kulturore dhe ligjore që preokupojnë rininë. Dita Ndërkombëtare e Rinisë për herë të parë u shënua më 12 gusht të vitit 2000.

Dita Ndërkombëtare e Rinisë shënohet çdo vit më 12 gusht. Ajo është menduar si një mundësi për qeveritë dhe të tjerët që të tërheqin vëmendjen për çështjet e të rinjve në të gjithë botën. Gjatë kësaj dite organizohen koncerte, punëtori, ngjarje kulturore dhe takime që përfshijnë zyrtarë të pushtetit ndërkombëtar dhe vendor si dhe organizimet rinore të cilat zhvillohen në të gjithë botën.

DNR u caktua nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999 me miratimin e Rezolutës 54/120 . 

Slogani i Ditës Ndërkombëtare të Rinisë për vitin 2014 ishte Rinia dhe Shëndeti Mendor. Për vitin 2015, ishte Rinia dhe Angazhimi Qytetar. Tema e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë 2016 ishte “Rruga drejt 2030: Zhdukja e varfërisë dhe arritja e konsumit dhe prodhimtarisë së qëndrueshme.”  Për vitin 2017, tema bosht ishte “Rinia dhe Ndërtimi i Paqes”. Tema për 2018 ishte “Hapësirat e sigurta për rininë”. Në këtë mënyrë ajo do të vazhdojë, dhe do të njohë kontributet e të rinjve për parandalimin e konfliktit, mbështetjen e gjithë përfshirjes, drejtësinë shoqërore dhe mbajtjen e paqes. Për vitin 2019, tema ishte “Transformimi i arsimit” për ta bërë arsimin gjithëpërfshirës dhe të arritshëm për të gjithë të rinjtë. Dhe për vitin 2020, tema ishte “Angazhimi i të Rinjve për Veprim Global”./KultPlus.com

Drejtoresha Halimi për ‘Etno Fest’: Ngjarje me rëndësi kulturore, përthekon lumturinë e shpërfaqur përmes artit në shumë dimensionalitetin e saj

Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, festivalin ‘Etno Fest’ e ka quajtur ngjarje me rëndësi kulturore ku sipas saj e vjetra bashkëjeton me të renë duke u ngritur çdo vit mbi vlera me të cilat individi reflekton për veten dhe shoqërinë.

Drejtoresha Halimi, përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se edicioni i sivjetmë i “Etno Fest” përthekon lumturinë e shpërfaqur nëpërmjet artit në shumë dimensionalitetin e saj.

“Lumturia pa lirinë e individit është trajtë likuide që do t’i përshtatej dogmave të imponuara. Ndaj liria nderon trashëgiminë, të djeshmen duke i dhënë shtysë individit për të qenë i lumtur me veten dhe tjetrin në interaksion. Rrjedhimisht, lumturia përmban në thelbin e vet diversitetin dhe empatinë, si vlerat më të rëndësishme që bart kultura jonë në qenien e saj!”, është shprehur Drejtoresha Halimi./ KultPlus.com

Lojërat Olimpike ulin siparin, SHBA në vendin e parë, ja si renditet Shqipëria dhe Kosova

Me një ceremoni madhështore të organizuar në “Stade de France” uli siparin këtë të diel olimpiada e Parisit 2024. Ne stadiumin e mbushur plot u këndua njëzëri hiti i Edith Piaff “nën qiellin e Parisit”, poshtë balonës me flakën olimpike që qëndroi e ndezur për 15 ditë.

SHBA dominoi për të katërtin edicion radhazi në Lojërat Olimpike të Parisit, duke ndaluar rikthimin e Kinës në majë për herë të parë që pas Pekin 2008. Në vendin e tretë u rendit  Japonia me 20 medalje të arta, e ndjekur nga Australia me 18 dhe Franca me 16.

Me triumfin e basketbollisteve amerikane në finalen ndaj francezeve, shtetet e bashkuara të Amerikës dolën në vend të parë me 40 medalje të arta, 44 të argjendta e 42 të bronzta, ndërsa Kina fitoi 91 medalje gjithsej.

Kosova u rendit e 73-ta me një medalje te argjendtë e një të bronztë, ndërsa Shqipëria mban vendin e 80-të me dy medalje të bronzta.

Organizatorët e Olimpiadës thanë se Franca ka qenë e bashkuar dhe e lumtur përgjatë dy javëve të mbajtjes së Lojërave Olimpike, ndërsa ka pasur shitje rekorde të biletave me sportdashës nga e gjithë bota./ tch/ KultPlus.com

10 fakte magjepsëse rreth Druidëve të lashtë

Romakët ishin të tmerruar prej tyre, ata mund të bënin që të binte shi zjarri mbi armiqtë e tyre – dhe ishin të përjashtuar nga taksat. Këto fakte rreth druidëve të lashtë do t’ju habisin.

Druidët ishin priftërinjtë e keltëve të lashtë, që jetuan shumë kohë më parë në Ishujt Britanikë dhe Gali (një rajon i lashtë që përfshin kryesisht Francën e sotme). Imazhi i druidëve i transmetuar tek ne gjatë shekujve është ai i figurave misterioze me rroba të bardha që kryejnë rituale të çuditshme dhe që bëjnë magji me krahët e shtrirë.
Por çfarë dimë vërtet për ta?
Vetë Keltët e lashtë nuk i lanë shumë historianëve dhe arkeologëve për të zbuluar, për fat të keq. Pjesa më e madhe e asaj që ne dimë për druidët vjen nga literatura kelte dhe tregimet e lashta greke dhe romake (edhe pse besueshmëria e tyre është e diskutueshme).
Ja 10 fakte rreth druidëve të lashtë.

1. Origjina e tyre është mister

Druidët ndoshta e kanë origjinën në Gali ose Ishujt Britanikë, pasi këto ishin tokat në të cilat dihet se kanë jetuar, por historianët nuk mund të thonë me siguri nëse rrënjët e tyre ishin aty, apo më larg.
Studiuesit nuk janë gjithashtu të sigurt se kur u shfaqën për herë të parë druidët. Shkrimet më të hershme në të cilat përmenden janë nga shekulli i IV para Krishtit, por origjina e tyre ka të ngjarë të jetë të paktën në vitin 1000 para Krishtit, dhe ndoshta më herët. Pavarësisht se shpesh përmenden bashkë me Stonehenge, nuk ka asnjë provë të drejtpërdrejtë që lidh druidët e lashtë me ndërtimin e Stonehenge, i cili daton rreth 5000 vjet më parë.
Druidët u nënshtruan nga romakët në shekujt 1 dhe 2 pas Krishtit pasi kishin pushtuar Britaninë dhe Galinë. Nga Periudha e Mesjetës së Hershme, ato në thelb ishin zhdukur. Një formë e druidizmit e kohëve moderne, që i ka rrënjët tek një ringjallje e mitit të tyre në shekullin 18 vazhdon edhe sot e kësaj dite, por druidët e vërtetë, pra ata të lashtë, janë zhdukur prej kohësh.

2. Lisat ishin shumë të rëndësishëm për druidët

Lisat dhe të gjitha gjërat që lidhen me lisin ishin tepër të shenjta për druidët. Fjala “druid” do të thotë “të njohësh pemën e lisit” në gjuhën galike. Për shekuj me radhë lisat identifikoheshin me forcën, fuqinë, pjellorinë, qëndrueshmërinë dhe mençurinë, jo vetëm në mesin e keltëve të lashtë, por kudo ku pema rritej.
Një nga ritualet më të shenjta të druidëve përfshinte mbledhjen në pemët e lisit gjatë natës dhe prerjen e veshtullit me një drapër të artë. Veshtulla nuk mund të prekte tokën, kështu që ndërsa druidi që mbante drapërin e artë priste një copë, dy të tjerë ishin gati poshtë për ta kapur me një leckë të bardhë.

3. Të famshëm se ishin të frikshëm

Njerëzit e botës klasike, veçanërisht romakët, besonin se sa më në veri të udhëtoje, aq më ‘barbarë’ bëheshin njerëzit. Ata mendonin se Ishujt Britanikë ishin vendi i njerëzve të egër dhe të frikshëm.
Historiani romak Tacitus, duke iu referuar pushtimit romak të Anglesey-t në Uells në mesin e shekullit të parë pas Krishtit, shkruante se druidët e Uellsit “u fusnin tmerrin ushtarëve romakë”. Druidët, vazhdon ai, qëndronin në mes të betejës “duke bërtitur mallkime të tmerrshme, me duart e ngritura drejt qiellit”. Legjionet e kapërcyen frikën, me sa duket, pasi romakët përfunduan duke pushtuar Anglesey-n dhe pjesën më të madhe të Uellsit.

4. Druidët kishin flokë të shkurtër

Ndryshe nga sa besohet gjerësisht, druidët i mbanin flokët të shkurtra, në ndryshim nga keltët e zakonshëm të asaj kohe që prireshin t’i mbanin ato të gjata. Megjithatë, Druidët mbanin mjekra të gjata.

5. Druidët thuhej se ishin magjistarë

Shkrimtarët romakë dhe grekë, si Plini, kanë shkruar se druidët ishin magjistarë.
Detaje të fuqive magjike të druidëve mund të gjenden, jo vetëm në burimet e lashta, por edhe në mitet dhe legjendat kelte. Këto aftësi të magjisë përfshinin udhëtimin në kohë, ndryshimin e formës, padukshmërinë, kontrollin e motit, ngritjen në ajër dhe tregimin e fatit.
Një shkrimtar i historisë së druidëve shkruante se “çdo druid mbante në dorë një shkop”. Druidët ishin gjithashtu të pranishëm në shumë nga betejat e popullit të tyre, duke ndihmuar ushtrinë përmes përdorimit të “artit të tyre magjik”. Shembuj të kësaj përfshijnë lëshimin e rebeshit të zjarrit mbi armikun dhe stuhive verbuese të dëborës. Ata gjithashtu mund të ndryshonin ditën në natë, madje disa ishin në gjendje të ‘hidhnin male’ mbi trupat kundërshtare dhe t’i bënin pemët dhe gurët të dukeshin si njerëz të armatosur.
Legjendat kelte hyjnë në detaje të mëdha rreth aftësive magjike të druidëve, duke treguar histori të përdorimit të ilaçeve magjike dhe magjive të fuqishme, të recituara duke qëndruar në një këmbë dhe me njërin krah të shtrirë.

6. Druidët ishin falltarë

Përveçse magjistarë, druidët ishin edhe falltarë. Thuhej se kishte shumë forma të ndryshme parashikimi të fatit, të praktikuara nga druidët. Sakrifica e kafshëve ishte një metodë veçanërisht e zakonshme dhe e frikshme.
Në një ritual të tillë, druidi mbështetej në një shtrat me degë peme dhe përdorte lëkurën e një demi të sapo therur si jorgan të përgjakur. Më pas shkonte të flinte duke menduar për një pyetje të veçantë dhe ëndrrat u jepnin përgjigjen.
Një metodë e ngjashme përfshinte tregimin e fatit nga qeni. Një qen fatkeq vritej dhe druidi hante më pas një pjesë të mishit të tij. Druidi më pas, ose flinte ose mbyllte sytë për një çast. Në këto gjendje, ai kishte vizione të së ardhmes ose shenja të tjera që u përgjigjeshin pyetjeve që ai kishte në mendje.

7. Druidët mund të kenë praktikuar flijimet njerëzore

Një temë debati rreth druidëve është nëse ata praktikonin apo jo flijimin njerëzor. I famshmi ‘Lindow Man’, i zbuluar në një moçal në Cheshire në vitin 1984, janë eshtrat e një njeriu i cili pati një vdekje brutale rreth 2000 vjet më parë. Disa ekspertë pretendojnë se ai ishte viktimë e flijimit nga druidët.
Autori romak Lucan pikturonte një pamje të tmerrshme të druidëve, duke thënë se ata merreshin me rituale flijimi njerëzish dhe se në tokat e tyre “pemët ishin të spërkatura me gjak njeriu”.
Kur romakët më në fund pushtuan Anglesey-n në Uells nën komandantin e Suetonius Paulinus, duke vrarë shumë vendas dhe druidë, ata zbuluan prova të vrasjeve me rituale të njerëzve. Taciti shkruante se druidët vrisnin për qëllime parashikimi të fati. Sipas tij, ata i vrisnin njerëzit me thikë në altar dhe më pas shihnin se nga cila anë do të shembeshin përtokë. Të brendshmet e viktimave kontrolloheshin për shenja hyjnore.

8. Mund të duheshin deri në 20 vjet për të mësuar të bëheshe druid

Tradita e druidëve u mbajt gjallë gojarisht, duke kaluar ndër breza për shekuj të tërë. Të rinjtë fillonin si praktikantë nën një mjeshtër dhe mësonin sekretet e njohurive druidike – urtësinë e lashtë druide të magjisë, filozofisë, fesë dhe ligjit. Kjo praktikë zgjaste deri në 20 vjet. Britania duhet të jetë parë si një qendër e rëndësishme e druidizmit, pasi druidët praktikantë nga Keltët e Galisë shkuan përtej Kanalit për t’u trajnuar.

9. Druidët nuk ishin vetëm priftërinj

Druidët ishin një rend priftëror, por roli i tyre në shoqërinë kelte shtrihej edhe përtej fesë. Ata ishin gjithashtu njerëz të ditur – filozofë, historianë, tregimtarë dhe këshilltarë. Mbretërit bënin ligje, por ata këshilloheshin nga druidët, dhe druidët ruanin një fuqi të madhe në shoqëri. Ata ishin të respektuar, konsideroheshin pjesë e klasës më të lartë dhe shpesh ishin të përfshirë në jetën politike dhe ushtarake të komunitetit të tyre.
Jul Cezari përshkroi me hollësi shumë nga të drejtat, rolet dhe zakonet e druidëve, duke përfshirë faktin se ata ishin, të paktën në atë kohë në Gali, të përjashtuar nga pagimi i taksave.

10. Kishte edhe druide femra

Ne zakonisht i mendojmë druidët si burra, por fakti që kishte druide femra ndoshta nuk është aq befasues sa mund të mendohet. Gratë e lashta kelte në përgjithësi kishin një rol të madh në shoqëri dhe kishin shumë më tepër të drejta se të ngjashmet e tyre greke dhe romake.
Burimet e lashta romake dhe greke i referohen ‘dryades’, ose druidesha. Disa perandorë romakë, si Diokleciani dhe Aureliani, janë takuar me druide kelte në Gali për të dëgjuar profeci në lidhje me fatet e tyre.
Ka edhe shumë druide legjendare dhe mitike. Mitologjia irlandeze përmban shumë ‘bandrui’ (druide femra). Bodhmall dhe Liath Luachra, për shembull, janë dy druidesha luftëtare mitike, që ishin personazhe kyçe në mitet e hershme irlandeze. / bota.al/ KultPlus.com

Rama: Gusht në parajsën tokësore të Thethit

 Gjithnjë e më shumë turistë po shkojnë drejt Thethit, vizitorë vendas e të huaj, duke eksploruar një nga zonat më të bukura në vend.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetin social Facebook disa foto të mrekullueshme nga Thethi në këto ditë gushti, duke e cilësuar si “parajsë tokësore”.

Thethi që pret sot qindra e mijëra turistë ofron për ta kisha, kulla ngujimi, shkolla, muze etnografik dhe qendër historike.

Thethi ka një histori 2800 vjeçare, muza e studiuesve të huaj që prej vitit 1905, në 1966 është shpallur Park Kombëtare dhe me qendër historike që prej vitit 2017.

Ngritja e një muzeu për njohjen e trashëgimisë kulturore, natyra dhe historia e bjeshkëve është një tjetër pikë e projektit zhvillimor që qeveria dhe bashkia e Shkodrës ka për Thethin.

Ndërhyrja në rrjetin elektrik, rruga dhe projektet kulturore, të gjitha këto ndërhyrje, së bashku me paketën e madhe të qeverisë për malet do ta bëjnë Thethin një destinacion cilësor elitar dhe turistik./atsh/ KultPlus.com

Ministri Çeku: ‘Etno Fest’ pasqyron pasurinë e traditës dhe kulturës shqipe

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se mbrëmë EtnoFesti ka nisur në mënyrën më të bukur, duke ofruar një mbrëmje me performanca artistike që nderojnë trashëgiminë dhe kulturën shqipe.

Ministri Çeku përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook’ ka thënë se të gjitha interpretimet në këtë festival pasqyrojnë pasurinë e traditës tonë.

“Gjallërinë që sjell ky festival në bukurinë e fshatit Kukaj do ta kemi për disa ditë me radhë. Nga ritualet tradicionale të replikuara me saktësi deri tek interpretimet moderne, performancat, shfaqjet, ekspozitat, kënga e vallja që e përcjellin Etno Festin deri në fund, pasqyrojnë pasurinë e traditës sonë. Vazhdojmë mbështetjen tonë në ruajtjen dhe promovimin e artit dhe kulturës”, thuhet”, thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

Ekipi i Shqipërisë kthehet nesër në Tiranë me dy medalje olimpike, Veliaj: Të gjithë bashkë në Rinas për të pritur kampionët tanë

Ekipi olimpik i Shqipërisë do të kthehet nesër në Tiranë me dy medalje olimpike, pas mbylljes së këtij kompeticioni ditën e sotme. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka bërë thirrje të gjithëve që të bashkohen për të pritur nesër në Rinas kampionët tanë olimpikë.

“Nesër, të gjithë bashkë, do të jemi në Rinas për të pritur kampionët tanë olimpikë!
Çunat e Sport Klub Tiranës, për herë të parë, i sollën Shqipërisë dy medalje olimpike, një arritje historike që na bën të ndihemi më krenarë se kurrë”, shkruan Veliaj.

Dy sportistët e Sport Klub Tirana, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev shënuan një rezultat historik duke fituar dy medaljet e para olimpike për Shqipërinë, në disiplinën e mundjes.

‘Etno Fest’- Spektakli artistik ku gërshetohen mrekullisht tradita, riti dhe modernja

Nga: Agron Gërguri

Poshtë në skenën antike rituali i pjekjes së flisë që shpreh mikëpritjen për mysafirë. Lartë mbi këtë objekt grupi nga Rrajca Shqipëri nis gjamën e mortit të burrave si rit i përcjelljes për të vdekurin .

Aktorja Sheqerie Buçaj interpreton motrën e cila bënë nga një rend flije për dritësimin e shpirtrave që nuk janë më. Kur vdes dikush lindja është po aty gjëma zëvëndësohet me gëzim nis dasma. Aty ku takohen vdekja dhe jeta puqen gëzimi dhe dhembja. Plakat e grupit të Rrajcës krejt autentike kënduan këngë nusesh të shoqëruara nga Ansambli “Zëri Kosovës” nga Fushë Kosova.



Nisi kështu Etno Fest edicioni i 14. Me përjetime dashurie krejt të lirë e të lumtur spektatorët në vazhdim mirëpriten me tingujt e violinës, pianos e violinçelos në pikëtakim të kohëve një vlerë që buron nga trashëgimia e modernizuar një pasuri e cila po shpalosej natën e parë të EtnoFest-it si një argument se megjithatë ka gjasë për një kosolidim të sisetmit të vlerave kur e dijmë dhe e prekim ndjenjash origjinën.

Kuarteti i harqeve “Amati” ekzekutuan “O vendi im” me tingujt e violinës e çelos përqonin dashurinë për të prekur çaste lumturie me dozën artistike si terapi antidepresive nga jeta e kontaminuar keqësisht nga politika. Për të plotësuar hapësirën e kënaqësisë artistike okteti interpretoi një nga këngët e vjetra arbëreshe “E bukura More”. Sihana Badivuku me violinë dhe kuarteti i harkor”Amati” mahnitën me interpretimin e këngës e njohur të Nexhmie Pagarushës “Kam rrit shtatin” dhe “Ma fal atë buzëqeshje” e më mbushë me lumturi të ilustruara me gjimnastikë ritmike nga Fiona Kongjeli.



Pastaj në skenën e amfitetrit doli kori i fëmijëve “Okarina” me “Valsinë e lumturisë” për të prekur kulmin e ndjenjave të mira me këngën “Mos na e prishni lumturinë” bashkë me korinë “Okarina” dhe sopranon Adelina Paloja në përkujdesjen e Elikona Hysajt, entuziazmun mysafirët me vibrimet artistike që përquan duke realizuar një komponim të bukur artistik. Për të vënë pikën mbi i me këngën “Unë biri yt Kosovë” e kënduar nga të gjithë me solisten e mrekullueshme Adelina Paloja e cila me këndimin e saj përmbushi me kënaqësi artistike të pranishmit. Arti si terapi e lumturimit!

Festivali nisi si kurrë më parë me një mbrëmje artistikisht spektakulare ku secili nga të pranishmit ndihej i përfshirë në bukurinë e interpretimeve artistike me bazë etnosin një pikëtakim kohësh që unifikonin idenë e ideatorit se rruga deri te kumturia kalon përmes dashurisë, lirisë derisa ura për të dal matanë tek ajo që duam (duhet) të jemi është arti, kultura ajo palca e cila e bënë kuptimplotë poezinë e kënduar të Ali Podrimes “Unë biri yt Kosovë” çiltërt, pa patetikë dhe domethënshëm.



Spontaniteti dhe përfshirja e spektatërve! Dhe vërtetë hapjen e përshkoj një lumturim si një gjendje e krijuar krejt spontanisht e cila ndodhi në natën e parë të EtnoFestit. Organizimi, programi, pa fjalime politike të gjithë frymuan me e për kulturën dhe artin. Moderatorët e festivalit Shpetim Kastrati dhe Sheqerie Buçaj dolën tek në fund për t’ na treguar se festivali nisi pastaj shpërthyen fishekëzjarret. Takime, ushqime tradicionale, nisur me fli, pite të ndryshme, ekspozitat e hapura, gjithçka funksoni përpikërisht.

EtnoFest-i nisi mbarësisht dhe në funkskon të misionit artistik e kulturor në afirmim të vlerave të trashëgimisë dhe trajtimit modern të tyre. Gjithçka ishte thejshtësisht e përkryer dhe spontane, kjo bëri që secili nga mysafirët të ndihet edhe si pjesë e skenarit të hapjes së festivalit të cilin e kishte ideuar Fadil Hysaj ndërsa në formulimin skenik kishin kontribuuar Mario Biagino dhe Ilirijana Arifi.

Mbrëmjen apo “Etno nejen” e bëri të hareshme këngëtari Mendim Shala, këngë, vallëzime deri në orët e vona.

Ekspozitat e përhershme të Etnofest-it 2024

Gjatë ditëve të EtnoFest-it 10 – 18 gusht 2024 do të jenë të hapura ekspozita të piktorëve, skulptorëve: Nysret Salihamixhiq “ Vallëzime ngjyrash”, pikturë, Dialla Vala “ Frymë antike”, pikturë, Haxhi Gjoni “Bukuroshja e fjetur”, skulpturë, Albulen Neziri “Variacione sporituale” skulpturë-pikturë, Korab Kraja “Nga trashëgimia e Krajës dhe Ulqinit”, fotografi, Teuta Ibraj “Gjurmë lumtirie”, grafikë, Yllka Brada dhe Jakup Ferri “Ten ten”, performansë koreografike me tingujt muzikor të Nik Mazrekut, Kaqusha Jashari “Peisazhe me Diell, kulla dhe lule”, pikturë, Laura Sllamniku – Kryeziu “Vallëzime dhe e zjarri”, qeramikë, Ermira Belegu Deçani, Fatos Kabashi “Abatarja me plis”, U prezantua edhe arti i poqarisë me poqarin Luan Qukuri ndërsa do jetë e hapur edhe Ekspozita me eksponate etnografike në Muzeun Etnografik të Festivalit./ KultPlus.com