Qendra Kinematografike e Kosovës fton të gjithë të interesuarit të dërgojnë propozime për konsiderim për çmimet e Akademisë OSCAR, për kategorinë për film ndërkombëtar/gjuhë të huaj, i cili mund ta përfaqësojë Kosovën në edicionin e 98-të të Academy Awards.
Në këtë kategori përfshihen filmat e metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë dhe të animuar më të gjatë se 40 minuta, që janë shfaqur/do të shfaqen në kinema apo platformë VOD, për më së paku 7 ditë radhazi, jo më herët se 1 tetor 2024 dhe jo më vonë se 30 shtator 2025.
Gjatë periudhës kualifikuese dhe gjatë shfaqjes në kinema, filmi duhet të reklamohet dhe shfrytëzohet në atë mënyrë që konsiderohet normale dhe e zakonshme me praktikat e shpërndarjes së filmave të dedikuar për shfaqje të parë në kinema (theatrical release).
Filmat të cilët, në një formë apo tjetrën, realizojnë shfaqje publike jo në kinema dhe shpërndarje para shfaqjes kualifikuese, nuk do të merren në konsideratë për çmimet OSCAR. Shfaqje publike jashtë kinemave konsiderohen të jenë (por jo të kufizuara në): transmetimi dhe televizioni kabllor, PPV/VOD, shpërndarje DVD, shpërndarje gjatë fluturimeve ajrore, transmetime në internet etj.
Thëniet më të bukura të të gjitha kohërave të Martin Luther King
Jeto Ëndrrën tënde.
Dr. Martin Luther King Jr, një aktivist i fuqishëm dhe frymëzues i të drejtave civile në fillimit të viteve 1960, luajti një rol të madh në mënyrën se si ne e pranojmë dhe trajtojmë njëri-tjetrin – pavarësisht nga raca apo gjinia.
Dr King është i njohur gjerësisht sot si një aktivist amerikan që vazhdimisht dhe në mënyrë efektive mbronte paqen, dashurinë dhe barazinë midis njerëzve. Ai ishte një njeri me besim dhe moral të lartë, që e veçoi atë nga shumë aktivistë të tjerë të kësaj kohe.
Forca shtytëse në pjesën më të madhe të jetës dhe fjalimeve të tij ishte gjithnjë paqja. Metoda e tij e dashurisë dhe pranimit për të gjitha qeniet njerëzore është ajo që e bëri një nga figurat publike të njohura në të gjithë historinë amerikane.
Duke nxitur krijimin e një jete aktive që gati 61 vjet më parë, Dr. King u bë shpejt fytyra dhe drejtuesi i lëvizjes për të drejtat civile. Ai luajti një rol në organizimin e Marshit në Uashington dhe është krijuesi i fjalimit të famshëm “Unë kam një ëndërr” (I have a dream…), i cili tërhoqi një turmë prej gati 250,000 njerëzish.
Përmes fjalimeve të tij dhe shërbimit të tij të palodhshëm për botën, ishte e qartë se në gjuhën e tij kishte fuqi dhe në zemër kishte pasion.
Ndërsa pranvera e vitit 2020 do të shënojë 52 vjet nga vrasja e doktor Martin Luther King Jr., trashëgimia dhe ndikimi i tij mbi një komb ka mbetur i përjetshëm. Këmbëngulja e tij për të përmirësuar veten për të dashuruar në mënyrë të efektshme njëri-tjetrin është arsyeja pse mesazhi i tij nuk mund të vdesë kurrë; sepse është gdhendur në zemrat e shumë njerëzve.
Dhe për të nderuar trashëgiminë e tij, çdo vit, Dr. King festohet në të gjithë vendin. Bëmat e tij të mira reflektohen dhe përdoren si mjete motivimi dhe fjalë inkurajimi.
Këtu do të lexoni 50 thëniet më të mira të MLK që mbështesin mënyrën e tij të fuqishme dhe të nderuar të të jetuarit të jetës.
Ai besonte se të gjithë e meritonin drejtësinë.
Nuk është e mundur të dëshmosh drejtësinë për disa njerëz dhe të mos dëshmosh drejtësinë për të gjithë njerëzit.
Ai besonte të jetonte një jetë të qëllimshme.
Jeto sikurse Jezusi vdiq dje, u ngrit këtë mëngjes dhe do të kthehet nesër.
Ai e dinte që urrejtja është një mashtrim pre e së cilës asnjëri prej nesh nuk duhet të bjerë kurrë.
Mos lejo kurrë që dikush të të ulë aq poshtë sa të detyrohesh ta urresh atë.
Dhe se gjithmonë duhet të flasim për atë në të cilën besojmë.
Vjen një kohë kur heshtja është tradhti.
Ai mësoi se injoranca nuk të bën kurrë të lumtur.
Asgjë në të gjithë botën nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe marrëzia e ndërgjegjshme.
Ai besonte te përkujdesja.
Pyetja më e vazhdueshme dhe urgjente e jetës është, çfarë po bëni për të tjerët?
Dashuria është gjithmonë përgjigja.
Errësira nuk mund të dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë atë. Urrejtja nuk mund të dëbojë urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë atë.
Dhe që ne duhet të jemi më të mirët në çdo gjë që vendosim të bëjmë.
Nëse një njeri punon për të pastruar rrugët, ai duhet t’i pastrojë rrugët ashtu siç pikturoi Michelangelo, ose kompozoi Beethoven, ose siç Shekspiri shkruajti poezi. Ai duhet t’i pastrojë rrugët aq mirë sa të gjithë ushtritë e parajsës dhe të tokës do të ndalen dhe të thonë, ai jetoi si një pastrues i shkëlqyer që e bëri mirë punën e tij. – Martin Luther King Jr.
Duhet të kemi më shumë besim.
Fuqia jonë shkencore e ka tejkaluar fuqinë tonë shpirtërore. Ne ndërtojmë raketa por nuk kemi ditur të ndërtojmë qenie të denja njerëzore.
Kini besim në procesin e gjërave.
Besimi bën hapin e parë edhe kur nuk i shihni të gjitha shkallët.
Jepini të gjitha.
Nëse nuk mund të fluturoni, atëherë vraponi, nëse nuk mund të vraponi, atëherë ecni, nëse nuk mund të ecni, atëherë zvarrituni, por çfarëdo që bëni duhet të vazhdoni përpara.
Ajo që ka më shumë rëndësi është ajo që ke brenda.
Kam një ëndërr, që katër fëmijët e mi të vegjël një ditë do të jetojnë në një komb në të cilin ata nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.
Ai besonte në të bërit gjënë e duhur.
Vjen një kohë kur njeriu duhet të marrë një pozicion që nuk është as i sigurt, as politik, as popullor, por ai duhet ta marrë atë sepse ndërgjegjja e tij i thotë se ka të drejtë.
Dhe se njohuria jonë është fuqi.
Funksioni i edukimit është të mësojë dikë të mendojë intensivisht dhe të mendojë në mënyrë kritike. Inteligjencë plus karakter – ky është qëllimi i edukimit të vërtetë.
Drejtësia duhet të jetë forca më e fortë.
Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo.
Dhe duke folur për njerëzit që duam.
Në fund, ne do të kujtojmë jo fjalët e armiqve tanë, por heshtjen e miqve tanë.
Ai besonte se nuk mund të humbet vizioni se kush jeni.
Sa më të pasur ne jemi bërë materialisht, aq më të varfër bëhemi moralisht dhe shpirtërisht. Ne jemi mësuar të fluturojmë në ajër si zogj dhe të notojmë në det si peshq, por nuk kemi mësuar artin e thjeshtë të të jetuarit së bashku si vëllezër.
Urrejtja është e paefektshme.
Duke e kthyer urrejtjen me urrejtje e shumëfishon urrejtjen, duke thelluar errësirën nata sonte është pa yje. Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë atë. Urrejtja nuk mund ta largojë urrejtjen, vetëm dashuria mund ta bëjë atë.
Çdo moment është i rëndësishëm.
Koha është gjithmonë e duhura për të bërë atë që është e drejtë.
Mbroni shpirtin tuaj, bëni atë që është e drejtë.
Asnjëherë, mos kini frikë të bëni atë që është e drejtë. Sidomos nëse mirëqenia e një personi ose kafshe është në rrezik. Dënimet e shoqërisë janë të vogla në krahasim me ato që i imponojmë shpirtit kur shikojmë në anën tjetër.
Unë ju them sot, miqtë e mi, që përkundër vështirësive dhe zhgënjimeve të momentit, kam ende një ëndërr.
Larg nga imoraliteti.
Asnjëherë mos harroni se gjithçka bëri Hitleri në Gjermani ishte e ligjshme.
Dashuria është më e lehtë se urrejtja.
Kam vendosur të rri me dashurinë. Urrejtja është një barrë shumë e madhe për t’u mbajtur.
Fol për atë në të cilën beson.
Jetët tona fillojnë të mbarojnë ditën kur ne heshtemi për gjërat që kanë rëndësi.
Është një përgjegjësi e madhe që vjen me pushtetin.
Për të qenë të shkëlqyeshëm, duhet të jeni të gatshëm të talleni, të urreheni dhe ë keqkuptoheni. Qëndroni të fortë.
Dhe kurrë mos e lejoni urrejtjen brenda vetes.
T’i thuash jo dhunës nuk do të thotë vetëm të shmangësh dhunën fizike të jashtme, por edhe dhunën e brendshme të shpirtit, jo vetëm që nuk pranove të qëllosh një njeri, por ti refuzove ta urresh atë.
Guximi është më i madh se frika.
Guximi është fuqia e mendjes për të kapërcyer frikën.
Dhe ligjet janë të rëndësishme.
Mund të jetë e vërtetë që ligji nuk mund ta bëjë një njeri të më dojë mua, por unë mund ta ndaloj atë të mos më linçojë, dhe mendoj se edhe kjo është mjaft e rëndësishme.
Dhe ta gjesh brenda vetes që të duash plotësisht.
Karakteri është mënyra se si i trajtoni ata që nuk mund të bëjnë asgjë për ju.
Ai besonte se ruajtja e paqes është një proces.
Ata që e duan paqen duhet të mësojnë të organizohen po aq efektivisht sa ata që e duan luftën.
Ka fuqi në të nënvlerësuarën.
Pothuajse gjithmonë, pakica krijuese dhe e përkushtuar e ka bërë botën më të mirë.
Dashuria është hapi i parë.
Për të gjithë konfliktin njerëzor, njeriu duhet të krijojë një metodë që refuzon hakmarrjen dhe agresionin deri në shpagim. Themeli i një metode të tillë është Dashuria.
Të jetosh një jetë të qëllimshme.
Nuk ka asgjë më tragjike sesa të gjesh një individ të zhytur në gjatësinë e jetës, pa marrë asgjë prej saj.
Ai besonte në luftën për një qëllim.
Kur keni të drejtë nuk mund të jeni shumë radikal; kur gaboni nuk mund të jeni shumë konservatorë.
Mendoni për të tjerët.
Çdo njeri duhet të vendosë nëse do të ecë nën dritën e altruizmit krijues apo në errësirën e egoizmit destruktiv.
Më shumë fuqi për ju, dhe më pak për ta.
Injoranca juaj është fuqia e tyre.
Dhe duke bërë gjënë e duhur.
Dikush ka një përgjegjësi morale të mos i bindet ligjeve të padrejta.
Nëse jeni rehatuar, kjo do të thotë se po funksionon.
Një njeri nuk mund të gjykohet kur është aty ku ai qëndron në momente rehatie dhe komoditeti, por ku bën ballë në kohë sfidash dhe polemikash.
Kini pak më shumë besim.
Më përdor, o Zot. Më trego si të kuptoj kush jam unë, kush dua të jem dhe çfarë mund të bëj dhe ta përdor këtë për një qëllim më të madh se unë.
Ne duhet të ecim përpara – së bashku.
Progresi njerëzor nuk është as automatik, as i pashmangshëm … Çdo hap drejt qëllimit të drejtësisë kërkon sakrificë, vuajtje dhe luftë; përpjekje të palodhshme dhe shqetësim pasionant të individëve të përkushtuar.
Me dashuri, gjithçka është e mundur.
Dashuria është forca e vetme e aftë për të shndërruar një armik në një mik.
Shpresa është ajo që na lidh si popull.
Ne duhet të pranojmë zhgënjimin e fundëm, por kurrë nuk duhet të humbasim shpresën e pafundme.
Të gjithë jemi të barabartë.
Mund të kemi ardhur të gjithë me anije të ndryshme, por tani jemi në të njëjtën anije.
Bashkimi është e vetmja mënyrë për të gjetur paqen.
Ne duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër, ose të zhdukemi së bashku si idiotë.
Është e rëndësishme të mësojmë nga gabimet tona të së kaluarës.
Ne nuk jemi krijues të historisë. Ne jemi bërë nga historia.
Ne jemi më të mirë.
Unë refuzoj të pranoj mendimin se njerëzimi është i lidhur në një mënyrë aq tragjike me mesnatën pa yje të racizmit dhe luftës, sa e nesërmja e paqes dhe vëllazërimit nuk mund të bëhet kurrë realitet. Unë besoj se e vërteta e paarmatosur dhe dashuria e pakushtëzuar do të kenë fjalën e fundit.
Ngrihuni në këmbë dhe lëreni zërin tuaj të dëgjohet.
Rebelim është gjuha e padëgjuar.
Paqja është e vetmja mënyrë.
Paqja nuk është thjesht një qëllim i largët që ne kërkojmë, por një mjet me të cilin arrijmë atë qëllim. / KultPlus.com
Astronomët kanë zbuluar një kometë ndëryjore në sistemin tonë diellor, vizitori i tretë i njohur nga thellësitë e hapësirës.
‘’Objekti, fillimisht i quajtur A11pl3Z dhe më vonë i pagëzuar 3I/Atlas, është qindra miliona kilometra larg Tokës’’, raportoi agjencia hapësinore amerikane NASA.
‘’Objekti nuk përbën kërcënim për Tokën’’, thanë ekspertët.
“Në pikën e tij më të afërt me Diellin, ai do të jetë pranë orbitës së Marsit, kështu që është plotësisht i sigurt dhe larg”, tha astronomi Rainer Kresken, i cili punon për Agjencinë Hapësinore Evropiane (ESA) në qytetin gjerman të Darmstadt në Zyrën e Mbrojtjes Planetare.
Astronomët duan të zbulojnë më saktë se sa e madhe është kometa dhe nga çfarë përbëhet. Sipas Kresken, objekti është rreth 20 kilometra në madhësi.
Ai tha se do të jetë emocionuese të shihet nëse teleskopët mund të zbulojnë komponime organike në objekt.
Këto potencialisht mund të japin të dhëna për origjinën e jetës në Tokë. Ato gjithashtu mund të ofrojnë prova për jetë të mundshme diku tjetër.
“Kjo gjë po udhëton mjaft shpejt”, tha Paul Chodas nga Qendra për Studime të Objekteve Pranë Tokës në Kaliforni për ‘’New York Times’’, në komentet e publikuara në internet. Teleskopi ‘’Atlas’’ në Rio Hurtado në Kili ishte i pari që vuri re ‘’mysafirin’’.
Që atëherë, teleskopë të tjerë e kanë vëzhguar gjithashtu objektin që vinte nga drejtimi i yjësisë Shigjetari./KultPlus.com
Ylli i kinemasë hollivudiane, Michael Douglas po e shijon kohën e tij larg kamerës, sipas nypost.com.
Fituesi 80-vjeçar i çmimit Oscar foli në festivalin e filmit ”Karlovy Vary” në Republikën Çeke dhe konfirmoi se ”nuk kam plane të kthehem në aktrim”.
“Kam qenë pa punë që nga viti 2022, pasi kuptova se duhej të ndalesha. Kam punuar shumë për gati 60 vjet dhe nuk doja të isha një nga ata njerëz që vdesin në sheshxhirim”, shton ai.
“Nuk kam asnjë qëllim të vërtetë të kthehem”, vazhdoi Douglas.
Douglas luajti për herë të fundit Benjamin Franklin në miniserialin e Apple TV+ të vitit 2024 “Franklin”.
Producenti i “One Who Flew Over the Cuckoo’s Nest” foli gjithashtu për mënyrën se si diagnoza e kancerit në fyt i ka ndikuar në karrierën e tij si aktor.
“Kalova nëpër programin, i cili përbëhej nga kimioterapia dhe rrezatimi, dhe isha me fat. Ndërhyrja kirurgjikale do të thoshte se nuk do të mund të flisja dhe një pjesë e nofullës sime do të hiqej, gjë që do të më kishte kufizuar si aktor”, theksoi ai.
“Po e shijoj pushimin dhe jetën. Ka qenë e vështirë të drejtoj kompaninë dhe të aktroj në të njëjtën kohë”, theksoi ai./KultPlus.com
Gustav Mahler (7 korrik 1860 – 18 maj 1911) ishte kompozitor austriak dhe një nga dirigjentët më kryesorë të brezit të tij. Si kompozitor ai veproi si një urë midis traditës austro-gjermane të shekullit të 19-të dhe modernizmit të fillimit të shekullit të 20-të.
Edhe pse gjatë jetës së tij statusi i tij si dirigjent ishte i palëkundshëm, muzika e kompozuar prej tij fitoi popullaritet të gjerë vetëm pas një periudhe të një neglizhimi relativ që përfshinte ndalimin e performancës së saj në pjesën më të madhe të Evropës gjatë epokës naziste. Pas vitit 1945 kompozimet e tij u rizbuluan dhe u përkrahën nga një brez i ri dëgjuesish. Më pas, vepra e Mahler u bë një nga më të regjistruarat të të gjithë kompozitorëve, një pozicion që ai e ka mbështetur në shekullin e 21-të.
Lindur në Bohemi (asokohe pjesë e Perandorisë Austriake) si një hebre gjermanofolës i rrethanave të përulura, Mahler shfaqi prirjen e tij muzikore që në moshë të re. Pasi u diplomua në Konservatorin e Vjenës në vitin 1878, mbajti një sërë postesh me rëndësi të mëdha në teatrot e operës së Evropës, duke arritur kulmin në emërimin e tij më 1897 si drejtor i Operës së Gjykatës së Vjenës (Hofoper).
Gjatë dhjetë viteve të tij në Vjenë, Mahler u konvertua në katolicizëm për t’u siguruar nga kundërshtia dhe armiqësia e frymës antisemite. Megjithatë, prodhimet e tij inovative dhe këmbëngulja për standardet më të larta të performancës e siguruan reputacionin e tij si një nga dirigjentët më të mëdhenj të operës, veçanërisht si interpretues i veprave skenike të Wagner, Mozart dhe Tchaikovsky. Në fund të jetës së tij ai shkoi në New York, ku u bë drejtor i Metropolitan Opera dhe i Orkestrës Filarmonike të qytetit.
Niveli i Mahlerit është relativisht i kufizuar; për pjesën më të madhe të kompozimit të jetës së tij ishte domosdoshmërisht një aktivitet me kohë të pjesshme, ndërsa ai fitoi jetesën e tij si dirigjent. Përveç veprave të hershme, të tilla si një lëvizje nga një kuartet i pianos i përbërë kur ai ishte student në Vjenë, veprat e Mahler janë përgjithësisht të dizajnuara për forcat e mëdha orkestrale, koret simfonike dhe solistët e operës.
Këto vepra ishin shpesh të diskutueshme kur u kryen së pari dhe disa ishin të ngadalshëm për të marrë miratim kritik dhe popullor; Përjashtimet përfshinin Simfoninë e Dytë, Simfoninë e Tretë dhe premierën triumfuese të Sinfonisë së Tetë të vitit 1910. Disa nga pasardhësit e menjëhershëm muzikor të Mahler përfshinin kompozitorët e Shkollës së Dytë Vjenez, sidomos Arnold Schoenberg, Alban Berg dhe Anton Webern. Dmitri Shostakoviç dhe Benjamin Britten janë ndër kompozitorët e shekullit të 20-të që admiruan dhe u influencuan nga Mahler. Instituti Ndërkombëtar Gustav Mahler u themelua në vitin 1955 për të nderuar jetën dhe punën e kompozitorit./ KultPlus.com
Tirana do të mirëpresë nga data 8 deri më 12 korrik Javën Kulturore Egjiptiane, një ngjarje që pritet të sjellë gjallërinë, mistikën dhe trashëgiminë mijëravjeçare të qytetërimit egjiptian.
Kjo javë do të sjellë një sërë aktivitetesh që do të përfshijnë vallëzim tradicional, art performativ, kuzhinë autentike dhe kinematografi bashkëkohore.
Çdo ditë do të ofrojë një përvojë të ndryshme për publikun, duke ndërtuar një urë kulturore mes Shqipërisë dhe Egjiptit.
Aktivitetet do të nisin më 8 korrik në sallën “Tonin Harapi” pranë Liceut Artistik “Jordan Misja”, ku do të prezantohet shfaqja magjepsëse tanoura – një vallëzim tradicional sufi, ku valltari rrotullohet në mënyrë të pandërprerë me veshje shumëngjyrëshe, duke krijuar një efekt vizual dhe shpirtëror unik.
Kjo shfaqje do të përsëritet më 9 korrik në sheshin “Skënderbej”, në një ambient të hapur, duke sjellë pranë qytetarëve energjinë hipnotizuese të kësaj performance. Për të gjithë ata që nuk do të kenë mundësi të ndjekin dy shfaqjet e para, tanoura do të rikthehet më 10 korrik në sallën “Tonin Harapi”, në orën 19:00.
Më 11 korrik, vëmendja do të zhvendoset në hollin hyrës të Piramidës, ku do të organizohet festivali i ushqimit egjiptian duke nisur nga ora 18:00. Vizitorët do të kenë mundësinë të provojnë një larmi shijesh autentike të kuzhinës egjiptiane, nga pjata popullore si koshari, deri te ëmbëlsira të famshme si basbousa.
Po atë mbrëmje, në orën 21:00, te “Reja” do të shfaqet filmi “The blue elephant”, një thriller psikologjik i cili ka bërë jehonë në kinemanë arabe. Me regji të Marwan Hamed, ky film ndjek një psikoterapist që punon në një spital psikiatrik dhe përballet me një të kaluar që e trondit, duke e vendosur në kufijtë mes realitetit dhe iluzionit.
Më 12 korrik, po te instalacioni “Reja”, tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në orën 21:00, do të shfaqet filmi “Diamond dust”. Në qendër të filmit është një farmacist i cili vendos të hakmerret pasi zbulon vrasjen brutale të babait të tij.
Të gjitha aktivitetet do të jenë të aksesueshme falas për publikun.
Kjo javë e cila vjen në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, nismë e mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, synon të sjellë më afër publikun shqiptar me kulturat e vendeve të ndryshme nga e gjithë bota./atsh/KultPlus.com
Kujtim Spahivogli (Lushnjë, 30 qershor 1932 – Tiranë, 7 korrik 1987) ka qenë aktor, dramaturg dhe ndër regjisorët më të njohur shqiptar.
Studimet e larta për teatër i ka përfunduar shkëlqyeshëm në Moskë në vitin 1956. Ishte një ndër studentët e shkëlqyer të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1956 emërohet aktor në Teatrin Popullor. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Popullor ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj.
Ai më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ka vënë në skenë pjesët: “I Çuditshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Në tufan”, “Shtëpia në bulevard”, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq”, etj.
Spahivogli ishte edhe krijues e drejtues i “Teatrit të të Rinjve” i cili u krijua pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në mes të pak pjesëve që vuri në skenë me atë trupë qe edhe komedia e njohur e Majakovskit “Banja”. Po ashtu, vuri në skenë edhe pjesë të dramaturgut Fadil Paçrami, dhe kur ky u godit rëndë nga plenumi i katërt i Partisë së Punës, bashkë me të u dënua padrejtësisht edhe Kujtimi. Në vitin 1973 e larguan nga teatri dhe i hoqën të drejtën të vinte pjesë në skenë. Në fillim punoi në disa fshatra, pastaj e çuan punëtor krahu në ndërmarrjen e bonifikimit në Fier.
Ai qe në të njëjtë kohë edhe dramaturg. Drama e tij “Një shok i klasës sonë” pati një sukses të madh. Ai shkroi edhe poezi , artikuj e ese.
Vdiq në vitin 1987 në moshën pesëdhjetepesë-vjeçare, i sëmurë e i harruar, edhe pse kishte qenë një ndër regjisorët e spikatur të teatrit shqiptar.
Pas vdekjes, në vitet ’90 iu dha titulli “Artist i Popullit”./ KultPlus.com
– Ujëvarat Iguazu u zgjodhën si një nga “Shtatë Mrekullitë e Reja Natyrore” në një votim global të organizuar nga Fondacioni “New7Wonders” me seli në Zvicër në vitin 2011.
Të vendosura në rajonin Misiones në verilindje të Argjentinës, Ujëvarat Iguazu përveçse janë një mrekulli natyrore e vendit, ato spikasin si një pikë unike ku takohen historia dhe natyra.
Të vendosura në Parkun Kombëtar Iguazu në qytetin Puerto Iguazu, ujëvarat shërbejnë si një kufi natyror midis Argjentinës dhe Brazilit. Duke mirëpritur mijëra vizitorë vendas dhe të huaj çdo vit, Ujëvarat Iguazu u shtuan në listën e “Trashëgimisë Botërore” nga UNESCO në vitin 1984.
Ujëvarat Iguazu u zgjodhën si një nga “Shtatë Mrekullitë e Reja Natyrore” në një votim global të organizuar nga Fondacioni “New7Wonders” me seli në Zvicër në vitin 2011. Zona natyrore përgjatë lumit Iguazu përbëhet nga gjithsej 275 ujëvara. Më e habitshmja prej tyre është ujëvara gjigante e njohur si “Garganta del Diablo” që bie nga një lartësi prej afërsisht 80 metrash.
Ndërsa vizitojnë ujëvarat, vizitorët kanë mundësinë të shohin fuqinë dhe madhështinë e natyrës në formën e saj më mbresëlënëse në ndalesën e fundit, kodrën me pamje nga “Garganta del Diablo”.
Parku Kombëtar Iguazu, i cili shquhet edhe për pasurinë e tij ekologjike, është shtëpia e specieve të rralla si puma, jaguari dhe tapiri. Shumë prej këtyre specieve janë nën mbrojtje.
Në Kino Armata do të shfaqet filmi “Grbavica” nga Jasmila Žbanić më 10 korrik, duke shënuar 30-vjetorin e Gjenocidit të Srebrenicës.
Ky film i fuqishëm eksploron traumën e pasluftës në Bosnjë dhe nderon qëndrueshmërinë e grave, historitë e të cilave duhet të dëgjohen. “Grbavica” rrëfen historinë e një gruaje dhe vajzës së saj dhe vështirësitë me të cilat përballën ato me pasojat e Luftës në Bosnjë.
Ky aktivitet i hapur mbahet në përkujtim të Ditës Ndërkombëtare të Reflektimit mbi Gjenocidin e vitit 1995 në Srebrenicë.
(At Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi dhe Asdreni)
Në këtë fotografi të rrallë ruhen jo vetëm katër figura madhore të letërsisë dhe mendimit shqiptar, por edhe vetë fryma e një epoke që ndërthurte traditën dhe modernitetin, besimin dhe dritën laike, shkollën perëndimore dhe frymën kombëtare. Nga e majta: At Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi dhe Asdreni – katër shtylla të mendimit dhe fjalës së shkruar shqiptare.
Fishta, me petkun françeskan, përfaqëson epopenë e kombit në vargje, zërin e përbashkët të gojëdhënave dhe moralit qytetar; Lasgushi me poezinë simbolike dhe lirikën filozofike, sjell shpirtin e thellë ballkanik në formën më të rafinuar europiane. Koliqi, i shkolluar në Itali, do të mishërojë reformën arsimore, themelimin e prozës moderne shqiptare dhe hapjen drejt Perëndimit, ndërsa Asdreni, poeti i himnit kombëtar, është zëri i mërgimit dhe i pavarësisë, që lidhi Rilindjen me brezat pasues.
Ata rrezatojnë dinjitet, kulturë, përfaqësim kombëtar dhe vetëdije historike. Ky është imazhi i Shqipërisë së viteve ’30 – një vend i vogël, por me mendimtarë të mëdhenj, ku letërsia, feja, arsimi dhe atdhedashuria bashkëjetonin si ura që lidhin epoka.
Pas vitit 1945, kjo trashëgimi u ndërpre me dhunë, shumë prej tyre u përndoqën, u heshtën apo u fshinë nga historia zyrtare. Por sot, kjo foto na kujton se nuk mund të ketë e ardhme pa dialog me traditën, pa kujtesë dhe pa nderim për ata që ndërtuan themelet shpirtërore të identitetit tonë kombëtar.
Le të rikthejmë vlerat, fjalën e urtë dhe dritën që ata përfaqësonin në jetën tonë publike dhe arsimore./ KultPlus.com
Kori i njohur “Siparantum” është nderuar me Medaljen e Argjendtë në Grand Prix of Nations, pjesë e European Choir Games Aarhus 2025. Duke garuar në kategorinë elitare “Chamber Choir”, ku paraqiten vetëm ansamblet më të mira ndërkombëtare, Kori Siparantum dëshmoi përkushtim artistik të lartë, precizitet teknik dhe thellësi interpretative.
Ky festival i shquar, i cili u mbajt nga 28 Qershor deri më 6 Korrik 2025, mblodhi mbi 130 kore dhe afër 6,000 pjesëmarrës nga 35 vende, duke bashkuar tingujt e muzikës korale me gjithë botën. Kosova u paraqit jo vetëm si pjesëmarrëse, por si një zë i fuqishëm artistik, duke përfaqësuar një vend me trashëgimi të pasur kulturore dhe një vizion të qartë për artin në skenën ndërkombëtare. Më 5 Korrik, Vor Frue Kirke në Aarhus u bë skenë e koncertit të titulluar “Nordic Night” – një ngjarje muzikore bashkëpunuese që solli në skenë korin Siparantum dhe korin danez CÆCILIAKORET, nën drejtimin e dirigjentit Michael Deltchev. Ky koncert ilustroi fuqinë bashkuese të muzikës, duke treguar aftësinë e saj për të kapërcyer ndarjet kulturore dhe për të ndërtuar mirëkuptim të ndërsjellë mes kombeve.
Kori Siparantum interpretoi një repertor të përzgjedhur me kujdes, duke shfaqur një gamë të gjerë stilesh dhe duke vendosur theks të veçantë mbi veprat e kompozitorëve shqiptarë – një dëshmi e përkushtimit të korit për të promovuar rrënjët e veta kulturore. Ky përzgjedhje jo vetëm që pasqyroi shumëllojshmërinë artistike të korit, por gjithashtu ngriti trashëgiminë muzikore të Kosovës.
Mbrëmja u përmbyll me një interpretim të përbashkët emocional të një vepre korale nga Edvard Grieg – një moment i ndjerë uniteti dhe ndërlidhjeje mes dy koreve dhe komuniteteve të tyre. “Kjo Medalje e Argjendtë është një dëshmi e punës së palodhshme, përkushtimit dhe artit të koristëve tanë, si dhe dëshmi e punës së palodhshme për të prezentuar kulturën tonë në arenën ndërkombëtare. Kori Siparantum është zëri i një gjenerate që guxon të ëndërrojë më shumë, që punon me pasion dhe këndon me shpirt. Unë besoj në këtë brez, në potencialin që tashmë po kthehet në realitet! Në kulturën tonë që po i kalon kufijtë – me dinjitet, me muzikë, me dashuri. ” u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i Korit Siparantum. Ky vlerësim përfaqëson çmimin e 19-të të fituar nga Kori Siparantum në festivale të njohura ndërkombëtare, duke forcuar më tej reputacionin e korit dhe kulturës sonë kombëtare. Suksesi i arritur në Grand Prix of Nations është një sukses i rëndësishëm në udhëtimin artistik të Kosovës dhe një frymëzim për brezat e ardhshëm./ KultPlus.com
Banka Botërore, ka njoftuar se ka emëruar Carole Megevand si Menaxhere për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke filluar nga 1 korriku 2025.
Në rolin e saj të ri, Megevand do të udhëheqë angazhimin e Bankës Botërore në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, përkatësisht implementimin e Kornizave të Partneritetit me Vendin. Këto korniza mbështesin dy ekonomitë në përpjekjet e tyre për të krijuar vende pune më produktive, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike dhe për të nxitur zhvillimin e kapitalit njerëzor, me synim përfundimtar përshpejtimin e rritjes së qëndrueshme dhe afrimit me nivelin e të ardhurave të Bashkimit Evropian.
“Për mua është nder të marr rolin e Menaxheres së Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut dhe të kem privilegjin të shërbej për qytetarët e këtyre dy vendeve”, tha Carole Megevand, menaxhere e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, me rastin e fillimit të punës në detyrën e re.
“Agjenda e zhvillimit për këto dy vende është e qartë: duhet t’u ofrojmë qytetarëve mundësi për punësim dhe për kontribut produktiv në ekonomi, në mënyrë që ekonomitë e këtyre vendeve të rriten dhe të përparojnë për të mirën e shoqërisë gjithandej”, tha ajo.
Carole Megevand, shtetase franceze, sjell me vete mbi dy dekada përvojë në Bankën Botërore, të cilës iu bashkua në vitin 2002.
Ajo ka udhëhequr operacione komplekse në vende të ndryshme të Afrikës, në Amerikën Latine dhe në Afrikën e Veriut, me fokus të veçantë në zhvillimin ndërsektorial dhe në qeverisje. Së fundmi, ka shërbyer si udhëheqëse e Programit për Planetin në rajonin e Magrebit, me seli në Rabat, Marok. Ajo ka dy diploma master: në Ekonomi Bujqësore dhe në Ekonomi të Mjedisit / Burimeve Natyrore./ KultPlus.com
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kritikuar ashpër ish-aleatin e tij të ngushtë, Elon Musk, lidhur me planin e multimiliarderit për të krijuar një parti të re politike.
“Mendoj se është qesharake të krijosh një parti të tretë”, tha Trump, duke folur me gazetarët të dielën para se të hipte në Air Force One. “Gjithmonë ka qenë një sistem dypartiak dhe mendoj se krijimi i një partie të tretë vetëm sa i shton konfuzionin.”
Pasi e kishte diskutuar idenë për javë të tëra, Musk postoi në X gjatë fundjavës se kishte krijuar Partinë Amerikane për të sfiduar “Uniparty”-n Republikane dhe Demokratike.
Trump dhe Musk më parë ishin aleatë të ngushtë, me shefin e Teslës që drejtonte Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (Doge), i cili ka për detyrë të ndihmojë në uljen e shpenzimeve federale.
Musk ka kritikuar vazhdimisht politikat qeveritare që rrisin borxhin kombëtar të SHBA-së.
Të dielën, ai tha se ndërsa partia e re mund të mbështesë një kandidat presidencial në një moment të caktuar, “fokusi për 12 muajt e ardhshëm është te Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati”.
rump postoi gjithashtu në platformën e tij Truth Social të dielën: “Jam i trishtuar që e shoh Elon Musk të dalë plotësisht ‘nga binarët’, duke u shndërruar në një rrëmujë treni gjatë pesë javëve të fundit.”
Postimi sulmoi shtytjen e Musk për një “Mandat për Automjete Elektrike (EV),” duke thënë se kjo do t’i kishte “detyruar të gjithë të blinin një makinë elektrike në një periudhë të shkurtër kohore”.
Plani i taksave dhe shpenzimeve i presidentit , të cilin ai e nënshkroi në ligj më 4 korrik, i dha fund lehtësirave tatimore për automjetet elektrike.
Ai shtoi se e kishte kundërshtuar propozimin e Musk për një mandat për automjetet elektrike që nga fillimi, duke shpjeguar arsyet e mospërfshirjes së automjeteve të tilla në legjislacion.
“Njerëzit tani lejohen të blejnë çfarë të duan – Benzinë, Hibride (të cilat po ecin shumë mirë) ose Teknologji të Reja sipas zhvillimeve të tyre – Nuk ka më mandat për automjete elektrike.”
Legjislacioni përfshin rritje të shpenzimeve për sigurinë kufitare, mbrojtjen dhe prodhimin e energjisë, të kompensuara nga shkurtimet e diskutueshme në programet e kujdesit shëndetësor dhe të mbështetjes ushqimore.
Musk e hodhi idenë e një partie të re politike në internet gjatë debatit të tij publik me Trumpin, ndërsa ai kritikoi vazhdimisht planet e tij të shpenzimeve.
Qendra Kinematografike e Kosovës ka ndarë njoftimin dhe pamjet se filmi artistik i metrazhit të gjatë “Jerëm” ka përfunduar xhirimet. Poashtu është bërë e ditur edhe për kastën që ka marr pjesë në këto xhirime. KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e QKK-së.
Jerẽm – Pas më shumë se një muaji pune intenzive në terren, përfunduan xhirimet e projektit filmik “Jerem”, me skenar dhe regji nga Ismet Sijarina.
Filmi është realizuar nga Thumbs Up (Kosovë) në bashkëprodhim me Tunnel Film (Shqipëri) dhe DMF doo Production (Maqedonia e Veriut).
Katër aktet e veprës ‘Carmen’ të kompozitorit francez Georges Bizet do të interpretohen në Prishtinë më 22 dhe 24 korrik, nën organizimin e Operës së Kosovës, në ambientet e AMC Hall.
Opera ‘Carmen’, e adoptuar nga novela e Prosper Mérimée, është një nga veprat më ikonike të muzikës klasike dhe realizmit në operë dhe mbetet një nga kryeveprat më të interpretuara në gjithë botën.
Magjia e kësaj opere që ka pushtuar skenat më prestigjioze të botës, tani për herë të parë në këtë formë madhështore vjen edhe në kryeqytetin e Kosovës. Carmen shfaq historinë e një gruaje të lirë dhe të pavarur dhe lidhjen e saj dashurore, pasionante e destruktive me Don Jose. Opera shkrihet në gërshetimin e dashurisë, pasionit, lirisë, obsesionit dhe tragjedisë.
Carmen përbën një urë lidhëse midis traditës së opéra comique dhe realizmit apo verismo-s, që karakterizoi operën italiane të fundit të shekullit XIX. Muzika e Carmen-it është vlerësuar gjerësisht për brilancën e melodisë, harmonisë, atmosferës dhe orkestracionit, si dhe për mjeshtërinë me të cilën paraqiten emocionet dhe vuajtjet e personazheve.
Interpretimi i kësaj vepre në Prishtinë realizohet me përkushtim të lartë artistik, nën organizimin e Operës së Kosovës.
Toger Qendrim Imeraj nga Forca e Sigurisë së Kosovës ka përfunduar me sukses Kursin Bazë për Oficerët e Këmbësorisë në Shkollën e Këmbësorisë “Manoeuvre Center of Excellence”, në Fort Benning, Georgia, SHBA.
Për performancën e tij të jashtëzakonshme gjatë trajnimit, Toger Imeraj u nderua me çmimin prestigjioz “Distinguished Honor Graduate”, i cili u jepet studentëve që arrijnë rezultate të larta në të gjitha komponentët e kursit, duke përfshirë aftësitë fizike, akademike dhe lidershipin, ka njoftuar Ministri në detyrw i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Maqedonci ka thënë se ky sukses dëshmon jo vetëm përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë të Toger Imerajt, por edhe nivelin cilësor të oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët po përfaqësojnë me dinjitet vendin në arenën ndërkombëtare./ KultPlus.com
Mirosllav Krleža (Zagreb, 7 korrik 1893 – 29 dhjetor 1981) ishte një shkrimtar, poet dhe intelektual kroat.
Ai konsiderohet një nga shkrimtarët më të rëndësishëm kroatë të shekullit të kaluar.
Lindur më 1893 në Zagreb kur qyteti ishte pjesë e perandorisë Austro-Hungareze, ai ishte jo vetëm romancier, por edhe poet, dramaturg, eseist, kritik letrar dhe enciklopedist. Në një moshë shumë të re ai hyri në akademinë ushtarake në Budapest, por shumë shpejt u dallua për anti-militarizmin e tij. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai u radhit në ushtrinë e Habsburgut, pasi u përpoq të regjistrohej në ushtrinë serbe më 1912, të cilën ai e identifikoi si më korresponduese me idenë e tij për pan-Sllavizmin dhe vëllazërimin e Sllavëve të Jugut.
Në vitin 1917 ai anoi hapur me bolshevikët dhe me rrymën leniniste të Marksizmit, megjithëse pothuajse menjëherë ai filloi të shfaqte zhgënjimin dhe hutimin ndaj bolshevizmit dhe në veçanti drejt ndërhyrjes në kulturë.
Në Jugosllavinë monarkike ai ishte një nga shkrimtarët më të njohur të majtë, por qëndrimi i tij heterodoks, anti-dogmatizmi dhe refuzimi i direktivave të BRSS-së çuan në margjinalizimin e tij brenda partisë.
Ishte vetë Tito më 1937 që dekretoi dëbimin e tij nga partia, duke mbajtur një marrëdhënie personale me Krleža si dhe një nderim intelektual. Aktori Rade Šerbedžija në biografinë e tij “Deri në frymën e fundit”, tregon kur vetë Tito i kërkoi disa herë që të interpretonte veprat e Krleža-s. Prishja midis Jugosllavisë dhe BRSS më 1948 ngriti konsideratën e shkrimtarit në mënyrë të konsiderueshme. Sidoqoftë, pozicionet e tij pro-jugosllave ishin më vonë shkaku i konsiderimit të pakët në vitet e para të Kroacisë së pavarur.
Më 18, 19, 25 dhe 26 korrik dhe më 1, 2 dhe 8 e 10 gusht do të jenë datat e festivalit “Ditët e shqiptarit” që do të prezantojnë mbrëmje artistike në Gjakovë.
“Skena e Çarshisë së Madhe sjell një përzgjedhje të veçantë të artistëve shqiptarë — emra që sjellin emocion, energji dhe atmosferë që mbetet gjatë”, thuhet në njoftimin e organizatorëve, e që në këto mbrëmje do të performojnë këngëtarët: Eda Zari, Jericho, Elina Duni, Eugent Bushpepa, Vlashent Sata e shumë të tjerë.
KultPlus ju sjell linkun zyrtar të këtij festivali ku mund edhe ti shihni përditësimet rreth këtij organizimi./ KultPlus.com
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka ngritur shqetësimin se në javën e ardhshme UNESCO pritet të zyrtarizojë vendosjen e parkut natyror Drilon-Tushemishtit në liqenin e Ohrit në listën e pasurive të rrezikuara. Prej kohësh ky shqetësim ishte ngritur nga shoqatat mjedisore për shkak të ndërhyrjeve pa kriter në bregun e liqenit.
“Kjo është merita e planit të menaxhimit të AADF në bashkëpunim me ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe shumë ndërhyrjeve të tjera të gabuara në vijën liqenore” – thuhet në një postim në Facebook.
Aty citohet edhe rekomandimi që ka bërë UNESCO: “Misioni i vitit 2024 konfirmon gjetjet e misioneve të mëparshme, duke arritur në përfundimin se ndikimet kumulative dhe të vazhdueshme – duke përfshirë zhvillimin urban, mangësitë në planifikimin hapësinor, ndërhyrjet e papërshtatshme, eutrofikimin e liqenit, infrastrukturën në shkallë të gjerë dhe projekte të tjera kanë shkaktuar përkeqësim serioz të atributeve kryesore të parkut, duke rezultuar në degradim të pakthyeshëm nëse nuk merren masa vendimtare, dhe konsideron se kushtet për regjistrimin e pronës në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik janë përmbushur, në përputhje me paragrafët 179-180 të Udhëzimeve Operacionale” – thuhet në rekomandimin e UNESCO./ KultPlus.com
Sapo ta mbarosh atë afresk do të jemi bashkë përgjithmonë, një herë e përgjithmonë, pa kurrfarë argumenti apo ndonjë gjë tjetër, sall dashuri do të kemi për njëri-tjetrin.
Eja dhe bëj gjithçka që do t’ju thotë Emi Lu*.
Unë të adhuroj më shumë se kurrë më parë.
Vogëlushja jote, Frida!
Përktheu: Bujar Meholli
*Artiste kaliforniane e pikturës dhe muraleve. Mike e ngushtë e Fridas dhe Diegos.
Takimi me Diego Riveran
Pikturat që Frida bënte në shtëpi ia dërgoi Diegos, që ishte një ndër personalitetet e shquara të artit pamor. Arti i saj i bëri aq shumë përshtypje saqë ai vendosi ta bëjë pjesë të skenës politike dhe kulturore në Meksikë. / KultPlus.com
E fundit verë e fëminisë la mbi pluhnin e rrugicës nji botë vizatue shtrembët me shkop dhe nji pantofël hedhun kuturu mbi hatlla… Trumnajat shtegtare klithën marrisht mandej ndoqën symbyllun fatin si tana dashnitë e virgjëna që u paluen në sepetin e gjyshes diku nën degërminë e saj të bardhë. Atë verë iu rrëfeva ditarit. Kësisoj për djemtë me gjunjë të coptuem përdora iniciale që kujtesa mënon me m’i çkodue, kurse nën minder msheha kukllën e pecave, trill i fantazisë t’burgosun prej televizorit Iliria me nji antenë asimetrike mbi pullaz si shenja mbi vetullën e vëllait. Veç vathët me pe të kuq përshkue prej zjermit të nji gjylpane cigane m’i kthejnë jehona e asaj vere të largët…/ KultPlus.com
Lista e dhjetë letrave më romantike të dashurisë të shkruara nga meshkujt së bashku me disa pjesë të veçanta prej tyre.
Letra e Ernest Hemingway për Marlene Dietrich
“Nuk mund të ta them dot, sesa herë hidhja krahët e mi rreth teje ndihesha sikur isha në shtëpi”.
Letra e Napoleon Bonapartit për të dashurën e tij Josephine
“Qëkur të lashë, kam qenë vazhdimisht në depresion. Lumturia ime është të jem pranë teje…”.
Letra e Frida Kahlo për Diego Riverën
“Asgjë nuk krahasohet me duart e tua, me ngjyrën jëshile në të verdhë të syve të tu. Shpirti im plotësohet nga prania jote. Gishtat e mi prekin gjakun tënd…”.
Letra e Georgia O’Keeffe për Alfred Stieglitz
“I dashur, trupi im është çmendur duke të kërkuar ty. Nëse nuk vjen nesër, nuk e di se si do të mund të pres më tepër për ty. Pyes veten nëse trupi yt e dëshiron trupin tim, po aq sa unë e dëshiroj trupin tënd aq pranë, saqë lëndohem kur ti largohesh”.
Letra e Beethoven në shtratin e vdekjes për personat e dashur që ende jetonin të shëndetshëm
“Edhe pse në shtrat, mendimet e mia janë me ju, të dashurit e mi të pavdekshem. Vazhdoni të më doni, mos më gjykoni. Mos e gjykoni zemrën më besnike të të dashurit tuaj”.
Letra e George H. Bush për Barbara Bush
“Kjo duhet të jetë një letër e thjeshtë për t’u shkruar – fjalët duhet të vijnë vetë dhe shkurtimisht unë do ta kem të thjeshtë të të them se sa u lumturova, kur hapa letrën dhe pashë njoftimin e fejesës sonë, por çuditërisht nuk po mundem dot ta shkruaj çdo gjë në këtë letër. Të dua, e dashur, me gjithë zemrën time dhe të di që edhe ti më do, do të thotë shumë për mua. Kushedi sa herë e kam menduar lumturinë e pamatshme që do të jetë jona një ditë. Sa me fat do të jenë fëmijët tanë që do të kenë një nënë si ty”.
Letra e Ronald Reagan për Nancy Reagan
“Gjëja më e rëndësishme është se nuk dua të rri pa ty për 20, apo 40 vitet e ardhshme, apo për gjithë vitet e jetës që më kanë mbetur. Jam bërë i varur nga ndjesia e të qenurit i lumtur dhe të dua shumë ty”.
Letra e Oscar Wilde për Lord Alfred Douglas
“Çdokush është i nevrikosur me mua që erdha sërish tek ty, por ata nuk na kuptojnë ne. Unë ndihem sikur vetëm me ty mund të bëj gjithçka. Më ndihmo të sjell në vend jetën time të rrënuar dhe atëherë shoqëria dhe dashuria jonë do të marrin një tjetër kuptim në këtë botë”.
Letra e Henry VII për Anne Boleyn
“Por nëse ti më dhuron trupin dhe zemrën tënde, unë premtoj të jem shërbëtori yt, siç kam qenë përherë dhe vazhdoj të jem edhe tani”.
Letra e Vita Sackville për Virginia Woolf
“Por, e dashur, unë nuk mund të qëndroj dot i zgjuar apo serioz me ty. Të dua shumë për ta bërë këtë gjë. Të dua sinqerisht. Ti nuk e ke idenë sa serioz rri unë me njerëzit që nuk i dua, por ti i ke thyer gjithë barrierat e mia”./ KultPlus.com
Parku Kombëtar i Prespës u bë këtë vit mikpritësja e “Kayak Fest”, një aktivitet që bashkon sportin, aventurën dhe trashëgiminë kulturore në një nga zonat më piktoreske në juglindje të vendit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga organizimi i “Kayak Fest” në Parkun Kombëtar të Prespës, që shërbeu si një mundësi e shkëlqyer për të eksploruar bukuritë natyrore të Liqenit të Prespës, për të mësuar teknikën e kajakimit dhe për të shijuar kulturën dhe traditat lokale në një ambient miqësor dhe familjar.
Me një itinerar që shtrihet nga 2.5 deri në 5 kilometra, pjesëmarrësit përshkuan ujërat e qeta të liqenit të Prespës me kajak, nga plazhi i Zaroshkës deri në ishullin e Maligradit.
Dhjetëra të apasionuar pas natyrës dhe sportit përjetuan një eksperiencë të veçantë përmes këtij aktiviteti.
Pjesëmarrësit e “Kayak Fest” e përshkruan këtë përvojë jo vetëm si një sfidë fizike, por edhe si një lidhje të thellë me natyrën dhe komunitetin vendas. Aktiviteti po shndërrohet gradualisht në një traditë që promovon turizmin e qëndrueshëm dhe zhvillimin e zonave të nënvlerësuara të Shqipërisë.
“Kayak Fest” në Parkun Kombëtar të Prespës vlerësohet si një vlere e shtuar në ofertën turistike të zones. Ngjarje të tilla ndihmojnë në formësimin e Prespës si një destinacion të qëndrueshëm dhe tërheqës për turizmin natyror.
Prespa, me liqenin e saj të kthjellët dhe trashëgiminë historike, po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një destinacion i gjithanshëm për ata që kërkojnë më shumë sesa pushime – një përjetim të plotë natyror dhe kulturor./atsh/KultPlus.com