Një projekt i titulluar “Andrra n‘beze” do të sjellë më pranë fëmijëve përrallat tradicionale shqiptare.
Ky projekt i veçantë vjen si iniciativë e Qendrës për Hapje dhe Dialog, Teatrit të Kukullave dhe Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë. Ai synon t’u mundësojë fëmijëve të eksplorojnë trashëgiminë e pasur të përrallave tradicionale shqiptare, duke u dhënë atyre rastin për t’i përshtatur dhe riinterpretuar, në kontekstin e realitetit modern.
Nëpërmjet tregimit, ilustrimit dhe dramatizimit, fëmijët do të punojnë në grupe për të marrë përralla të lashta dhe për t’i risjellë me elementë bashkëkohorë.
Kjo qasje krijuese do t’i ndihmojë fëmijët të lidhen me trashëgiminë kulturore, teksa zhvillojnë aftësitë e shprehjes dhe tregimit.
Projekti ka si qëllim promovimin e njohurive dhe vlerësimit të trashëgimisë kulturore shqiptare; zhvillimi i aftësive krijuese përmes shkrimit, artit dhe teatrit; promovimin e punës në grup; zhvillimi i aftësive për të përshtatur idetë e hershme në kontekstin aktual./atsh/KultPlus.com
Në Muzeun Etnografik të Elbasanit përfunduan punimet restauruese.
Muzeu Etnografik i Elbasanit, apo siç njihet ndryshe dhe si “Shtëpia e Sejdinasve”, është i ndërtuar në një shtëpi karakteristike e tipit me çardak dhe pasqyron mënyrën tipike të të jetuarit në Elbasanin e shekullit XVIII. Kjo ndërtesë është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore tha se, ky restaurim ishte një hap i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm.
Ndërhyrjet restauruese konsistuan në: – Restaurimin e çatisë me tjegulla vendi; – Restaurim i fasadës; – Restaurime në ambientet e brendshme, në dritare, pjesërisht dyer, suvatime, trajtime në tavanët e drurit si dhe në pjesën e çardakut./atsh/KultPlus.com
Sot bëhen 57 vjet që kur u vra Martin Luther King Jr në Memphis, Tennessee, shkruan KultPlus
Data 4 prill 1968 shënoi fillimin e një periudhe pikëllimi e zemërimi në Amerikë. Bota e kujton si një nga figurat më të zëshme në histori, Marthin Luther King Jr, i cili kërkoi të drejtat bazike për njerëzit me ngjyrë në SHBA.
“I have a dream” apo në shqip “Unë kam një ëndërr” është titulli i fuqishëm i fjalimit madhështor të King, përmes të cilit la një thirrje e mesazh frymëzues i cili kujtohet edhe sot.
Më 1963 në marshin protestues në Washington ai i kërkonte SHBA-së që t’i jepte fund diskriminimit racor. Ai ishte zëri i 250 mijë protestuesve të cilët qëndronin në heshtje duke ndjerë çdo fjalë të këtij fjalimi, ndërsa brohoritnin fort pas çdo fjalie. / KultPlus.com
Qendra Kinematografike e Kosovës, ka njoftuar se me datën 8 dhe 9 prill, në Kino Armata do të mbahet punëtoria e filmit “Një lumë që shkon përtej rrjedhës, mes fiksionit dhe jo-fiksionit” me Tin Dirdamal. Kjo punëtori është për filmbërës të avancuar si regjisorë, skenaristë, montazherë, etj.
“Një lumë që shkon përtej rrjedhës, mes fiksionit dhe jo-fiksionit” është një punëtori filmike që largohet nga të dy ekstremet – si nga fiksioni, ashtu edhe nga jofiksioni. Ajo distancohet nga format, skenarët dhe ekipet klasike të prodhimit. Në qendër të saj nuk është perfeksioni, por përkundrazi: shumëzimi i gabimeve bëhet forca lëvizëse, ndërsa gjendja e pasigurt e “mosdijes” shndërrohet në busullë për orientim.
“Pika fillestare është identifikimi i një ideje ose projekti krijues që ke aktualisht – për ta parë pastaj nga një këndvështrim krejtësisht i kundërt. Kjo qasje ndihmon pjesëmarrësit të çlirohen nga modelet e tyre të zakonshme, për të rizbuluar vetveten dhe për të krijuar në mënyra të reja”, thuhet në njoftim.
Ata kanë njoftuar se materiali i vetëm me të cilin do të punojnë është realiteti përreth nesh, ai i përditshëm, i rastësishëm.
Një pjesë thelbësore e punëtorisë do të jetë mësimi i mënyrave të reja për të perceptuar botën. Do të eksplorojnë forma të ndryshme për të krijuar tension narrativ, duke u mbështetur në dëshirë, papritshmëri dhe dekonstruktim.
“Kjo punëtori është një hapësirë ku njeriu lejon veten të habitet nga vetja – dhe këtë habi ta shndërrojë në lëvizje të re krijuese në fushën e filmit”, kanë shtuar ata.
Tin Dirdamal është një regjisor autodidakt dhe montazher jo i zakonshëm, i njohur për aftësinë e tij për të montuar “filma të pamundur”. I lindur 165 kilometra në jug të kufirit SHBA-Meksikë, me studime formale në inxhinieri, ai e mat suksesin e një filmi me masën në të cilën arrin të braktisë vetveten gjatë procesit krijues.
Në moshën 22-vjeçare, mori për herë të parë një kamerë në dorë dhe realizoi filmin e tij të parë të gjatë, krejtësisht rastësisht, i cili fitoi Çmimin e Publikut në Sundance Film Festival. Filmat e tij janë shfaqur dhe vlerësuar në disa nga festivalet dhe hapësirat më të rëndësishme të artit në botë, përfshirë: Venice Biennale, Sundance, Visions du Réel, IDFA, DOCNY, FICUNAM, Ji.hlava, Ann Arbor, DokuFest, e shumë të tjera./KultPlus.com
Sot janë bërë katër vite që prej ditës që presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është në krye të presidencës.
Përmes rrjeteve sociale, Osmani ka shpërndarë një video, ku janë mbledhur disa prej arritjeve më të mëdha gjatë mandatit të saj, duke e përfaqësuar denjësisht shtetin e Kosovës.
Në video, ajo ka përmendur momentin kur në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku ishte i pranishëm edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ka shkuar bashkë me katër gratë heroina të Kosovës, të cilat janë të mbijetuara nga lufta e fundit në Kosovë.
“Viktimat e atij regjimi Vuçiq janë këtu, merr pak kohë kërko falje. Tregoju të gjithë nëse ke një shenjë të humanitetit që ka mbetur në ty”, ishte shprehur Osmani.
Tutje, në video Osmani ka treguar se presidenca e Kosovës asnjëherë nuk i ka pasur dyert më të hapura se sa në këtë mandat.
“Katër vjet në shërbim të qytetarëve. Katër vjet për Republikën! Katër vjet Presidente, betim i përjetshëm për Kosovën!”, ka shkruar Osmani sipër videos./KultPlus.com
Sot janë bërë 76 vite nga themelimi i NATO-s, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior.
NATO është blloku perëndimor ushtarak, që u themelua me firmosjen e Traktatit Atlantiko-Verior më 4 prill të vitit 1949, me qendër në Bruksel.
Organizata ka themeluar një sistem mbrojtjeje kolektiv ku vendet anëtare dakordohen të mbrojnë njëra tjetrën në rast të ndonjë sulmi nga një palë e jashtme.
Gjuhët e përdorura nga NATO janë anglishtja dhe frëngjishtja, dhe roli kryesor i kësaj aleancë është të ruajë lirinë e Shteteve Anëtare dhe mbrojtjen me anë të forcës ushtarake.
Kjo organizatë luan një rol nëpër krizat politike, dhe të gjitha shtetet anëtare të saj kontribuojnë me forcat dhe pajisjet e tyre ushtarake.
Palët mund të ftojnë për akordim në këtë Traktat çdo shtet Evropian, që të çojë tutje principet e këtij traktati dhe të kontribojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut.
Çdo shtet i ftuar mund të bëhet Palë e këtij Traktati duke depozituar dokumentacionet e pranimit në Qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të njoftojë çdonjërën nga palët për depozitimin e çdo dokumentacion të tillë pranimi.
Aktualisht NATO ka 31 shtete anëtare (nga të cilat 21 janë anëtarë të Bashkimit Evropian). Anëtarja e 31-të e NATO-s zyrtarisht është Finlanda. / KultPlus.com
Më 4 prill të vitit 1922, lindi në Shkodër aktori Ndrek Shkjezi, i njohur dhe vlerësuar nga publiku shqiptar për galerinë e gjatë të karaktereve që ndërtoi me interpretimin e tij mbresëlënës.
Ndrek Shkjezi ishte njëri ndër bashkëthemeluesit e Teatrit të Shtetit në vitin 1947, ku edhe ka dhënë kontributin e tij në skenën e këtij teatri deri në vitet ’80.
I njohur edhe në kinema me rolin e tij të parë të vitit 1953 tek filmi “Skënderbeu”, ai do të shfaqej në kastet e filmave më të dashur shqiptarë, sikurse janë: “Cuca e maleve”, “Prefekti”, “Një djalë dhe një vajzë”, “Radiostacioni”, “Shoku ynë Tili” etj.
Aktori është ndarë nga jeta në vitin 2000. Për meritat e tij artistike, Shkjezi është vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri” dhe në vitin 1989 ka marrë titullin “Artist i Merituar”.
Interpretoi në filmat dhe dramat: “Skënderbeu” (1953), “I çuditshmi” (1957), “Gratë gazmore të Uindsorit” (1959), “Trimi i mirë me shokë shumë” (1961), “Tregtari” (1961), “Zonja e Bujtinës” (1962), “Plagë të vjetra” (1968), “Mëngjese lufte” (1971), “Arturo Ui” (1971), “Prefekti” (1973), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (seriali-1976-77), “Përmbytja e madhe” (1977), “Kur hidheshin themelet” (1978), “Në pyjet me borë ka jetë” (1978), “Radiostacioni” (1979), “Ne vinim nga lufta” (1980), “Në prag të lirisë” (1981), “Shoku ynë Tili” (1981), “Besa e Kuqe” (1982), “Fundi i një gjakmarrjeje” (1983), “Apasionata” (1983), “Fejesa e Blertës” (1984), “Vendimi” (1985), “Mondi dhe Diana” (1985), “Dhe vjen një ditë” (1986), “Fjalë pa fund” (1986), “Telefoni i një mëngjesi” (1987), “Këmishët me dyllë” (1987), “Një djalë dhe një vajzë” (1990), “Fletë të bardha” (1990)./atsh/KultPlus.com
“Shqiptarë të panjohur” titullohet ekspozita e hapur pasditen e sotme në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë me fotografitë e shkrimtarit dhe publicistit Ben Blushi.
Gjatë ceremonisë së hapjes morën pjesë artistë, figura publike, miq e dashmirës të autorit sikundër edhe Kryeministri Edi Rama.
Vetë Blushi në hapje të ekspozitës tregoi procesin krijues të saj.
“Unë e shijova këtë magji duke ecur nëpër qytete, nëpër fshatra, në plazhe të braktisur, në godina të rrënuara, nëpër lagje të vjetra, të cilat shkaktojnë një zhvendosje të përhershme njerëzish nga një vend në një vend tjetër”, tha ai.
“Në kërkim të çastit dhe të një fotografie më të mirë, do vazhdoj të eci duke e drejtuar aparatin tim mbi portretet e njerëzve të panjohur”, vuri në dukje Ben Blushi.
Më herët Blushi duke njoftuar për hapjen e ekspozitës, tregoi se e quajti ciklin e fotografive Shqiptarë të Panjohur në emër të të gjjthë atyre njerëzve të panjohur të cilët i ka takuar në rrugët e Shqipërisë, në qytete dhe fshatra të vegjël.
“Ata më lejuan t’i fotografoj duke më mësuar artin e mrekulkueshëm të fotografisë”, u shpreh ai.
“Shqiptarë të panjohur” do të qëndrojë e hapur për publikun në COD deri në datën 30 prill.
“Shqiptarë të panjohur” në COD, foto: Agim Dobi./ KultPlus.com
Kam zbritur, duke të dhënë krahun, së paku një milion shkallë dhe tani që s’je më, zbrazëtia është në çdo prag. Qoftë dhe si i tillë, ish i shkurtër rrugëtimi ynë i gjatë. Imi po zgjat ende, e s’më lypen më rastisjet, rezervimet, kurthet, damkosjet e kujt beson se e vërteta qenka ajo që shquhet.
Kam zbritur miliona shkallë duke të dhënë krahun jo ngaqë me katër sy mbase shquhet më tepër. Bashkë me ty i kam zbritur ngaqë e dija se nga tonat, bebëzat e vetme të vërteta, ndonëse plot mjegull, ishin të tuat.
Kongresmeni amerikan Keith Self ka përshëndetur kërkesën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të kërkuar pezullimin e tarifave ndaj produkteve amerikane.
Ai e ka cilësuar këtë hap si një shembull të fuqishëm të lidershipit, duke u bërë thirrje edhe partnerëve evropianë që ta konsiderojnë një qasje të ngjashme.
“Ky është një mësim i jashtëzakonshëm në lidership për partnerët tanë evropianë që ta marrin në konsideratë,” ka shkruar Self në rrjetin social X, duke e shoqëruar mesazhin me flamurin amerikan.
Ky reagim vjen pas kërkesës zyrtare të Presidentes Osmani drejtuar Qeverisë së Kosovës për të pezulluar tarifat mbi produktet amerikane, me qëllim thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Osmani e ka cilësuar këtë si një hap strategjik për të forcuar bashkëpunimin me aleatin më të ngushtë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës./ KultPlus.com
Kongresmeni republikan Carlos A.Gimenez e ka falënderuar presidenten Vjosa Osmani pas kërkesës që ajo i bëri sot qeverisë së Kosovës për pezullimin e tarifave të importit ndaj mallrave amerikane.
Ai nëpërmjet një postimi në rrjetin “X” ka thënë se ky shembull duhet të ndiqet edhe nga shtetet e tjera evropiane.
“Faleminderit, Zonja Presidente! Ky veprim po pritet mirë në Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë të tjerë në Evropë duhet të ndjekin shembullin tuaj.”, ka shkruar ai./ KultPlus.com
Fryn erë e dimrit, fishkëllen si bishë Që nga Gjykatë e Lartë në Parlament. Tirana gdhin, aq pabesisht e hijshme, Sa s’di ç’ta marrësh, delir apo qytet.
Zgjohet sërish, me atë emër të tmerrshëm, Që një mijë vite rreh ta heqë më kot. Vërtetin gjethet dantealigershëm Si shpirtra që nuk patën trupa dot.
Përballë tyre, zyrtarë të pashpirt, Në varg veturash rendin, s’dihet ku. E verbër si të tjerat ngjan kjo ditë Ngaqë askush s’beson askënd, askund.
2 Në një mëngjes të tillë ç’të bësh më mirë, Se sa të shkosh në klubin “Davidoff”? Të zësh një kënd mu te qelqnajë e ngrirë Dhe mendjen mundësisht ta çosh në off.
Në kafene ka për çdo punë një qasje, Të tillë që kurrkënd nuk e gjen dot. Për tri mijë euro porosit një vrasje, Për katër mijë, titullin vikont.
Për gjithçka flitet, pronat, asgjëkundin, Çmimin Nobel a një veturë të re, Për zgjedhjet dhe dekretet krejt të fundit Të zotit president me emër hebre.
Flitet për mllefe, për kupën që u mbush, Për Jezu Krishtin a ndjesën fill pas kobit. Në njërën nga tryezat shpall dikush Një skicë të re të historisë së kombit.
Pas tij, kur etërit tanë një vjeshtë dolën për pre, Një shkabë rrëmbyen në trojet e mëdha. Më lehtë u merrje shpirtin se atë shpend, Ndaj bota u lodh e shkabën ua la.
Krenarë që Romën e Bizantin zhvatën, Jo një kasolle vllahu në Ballkan, E vunë në flamur të tyre shkabën Dhe bij të saj u shpallën anembanë.
Kështu në kafene kjo punë merr qasje Me “kundra” e “pro” të bujshme, natyrisht. Okej, për tri mijë euro, thotë vrasësi, Për dukën dhe dukeshën bashkë, dyfish. 3 Mesdita ia beh, si grua e dehur tapë. Temperatura e dollari zbresin prap. Po shqyhen celularët: okej, shkërdhatë, Rrofsh, je yll bote, e tung, e top, e ****.
A shqip është kjo llahtarë apo dreqnisht? Për gjithçka flitet, heshtet për gjithçka. Ja të dy palët, xhelatë, viktima e ish, Kujtime shkruajnë netëve me mllefe të mëdha.
Po ç’është ky popull që në gropë i shtrirë Kujton aq krenarisht se është në majë? Dhe kur përkunër, nga gropa del i lirë, Jam i rrëzuar! Klith me thirravaj?
Një makth i dalë nga një gjumë i marrë Më i zbërthyeshëm se ky komb do të qe. Ca trumba zogjsh me curle e celularë Që nëpër mjegull klithin, nëpër re.
4 Pse gjethet befas prarim kurore marrin, Tek shtrohen si qilim mbi bulevard? Kambana e katedrales së Shën Palit Trishtueshëm bie si me peng e aht.
Ç’nuk pjell ky vend, horra, shenjtorë e tmerr, Zonja Makbeth e pranga e perla e hekura. Dhe ja tani njëra pas tjetrës nxjerr Dy mbretëresha, që të dyja të vdekura.
Nuk qenë robina jo, rrëmbyer vonë, Pas dokeve kreshnike a në pritë. Kanë ardhur vetë, ndonëse qenë në fron E para veç një vit, e dyta as një ditë.
Dhe katedralja i përcjell me vaj Dy mjellmat e gabuara, të mekura. Ato që s’erdhën për kurorë, veç për varr, Të brishtat zonja, mbretëreshat e vdekura. 5 Në klubin “Davidoff” qelqnajë e ngrirë Dremitje dite sjell s’di se nga ku. Një si madonë e lodhur më është përhirë, Që italishtja gjuhë mund t’ishte gjithashtu.
Lehonë e zbehtë pas lindjes së kaltëreme, Në të njëmijtin e treqindin vit, Më shumë se Krishti madonën, kjo poemë E lodhi ndoshta gjuhën italisht.
O këto pamje i njoh dhe nuk i njoh, Këto tri kate, rradhët, ashensorët, Ku hypin, zdrypin, klithin obobo, Rufjanët, mëkatarët dhe mizorët.
Të gjithë janë aty, rrahin më kot Të ndërrojnë katet, por katet s’ndërrohen kurrë. Të zes, në mjegull shtyhen sindozot, Ish-korbat e së zezës diktaturë.
Nga bie dalja? Ku ndodhet Purgatori? Nga pyetjet sheshi gumëzhin si zgjoi. Shkodran je ti? Ç’plenum i zi të polli? Më ngriti i dyti, i gjashti më rrëzoi.
Një zë gjëmon: këndej plenumi i katërt, Piktorët andej, i pesti rreth u mbush. Shkrimtar spiun je ti? Rend te i shtati. Në s’do të digjesh te i teti shkrumb.
Rendni, fatzinj, mëshirë për ju nuk ka, Ashtu siç ju nuk patët për askënd. S’ka vend ndërkaq te Tmerret e Mëdha, As te Politbyroja nuk ka vend.
Me ngut po shtohet një Gropë e Hon i Ri, Bri Lugjezezës një tjetër Lugjezezë. I nënti rreth po mbushet, dhe ai. S’ka mbetur veç një vend për Zonjën e Zezë.
6 Në kafene ka rënë njëfarë qetësimi. Shpirti pushim kërkon, e ndoshta mall. Anëdete blu, plazhe të shkreta dimri, Hotele ku nuk mbërrin i ftohti i madh. Një grua e mjegullt, shfaqur te qelqnaja M’u duk se më kujtonte një premtim. Vdekja s’më la, atë premtim të mbaja, I thashë më në fund plot pikëllim.
Ajo më pa habitshëm që pas qelqit: Nuk të marr vesh, kjo gjuhë më bën ujem. Në qoftë se ti, siç thua, je i vdekur, Atëhere mua ç’më mbetet që të jem?
S’e di, i thashë, me habi të ftohtë, Tek shpirti prapë me pikëllim m’u mbush. Dikush nga ne të dy s’është më në botë, Po cili a cila, këtë s’e di askush.
Një copë herë me shenja morëm e dhamë. S’kuptoheshim, veç kishim mall e mund. Gjersa ajo u tret te qelqi i madh Dhe unë mbeta shkret në kundaskund.
7 Mbrëmja po bie. Tirana rrotull bllokut Nis të stoliset për ballo a për orgji. Një foshnje e rastit, e paligjshme e Nju-Jorkut, Një ëndërr xhuxhe a shkërbim i tij.
Në borxhe e gjyqe rrokaqiejt vërtitin Drita dhe bare rrotulluese lart. Poshtë tyre, luanesha të përgjumura në pritë, “Amerikan”, “Raiffeisen” e “Credin’s Bank”.
Por s’do t’ia dijë askush për borxhe a gjyq, Të dehur qejfit krejt a marrja e hakut. I gjatë, si natë e ankthshme n’udhëkryq Shfaqet mes brymës kryebashkiaku.
Kull e Sahatit po tregon një orë, Që ndoshta kundërshtohet si çdo gjë. Në sallat e muzeut të fundit vizitorë Ja muzgu si në kurth befas i zë
8 Kështu në një fund dite ajo mu shfaq Fantazmë e kombit si e Hamletit mbret. Kish ndryshk e gjak mbi parzm e et per shpage Dhe kumt të frikshëm kish në sytë e vet.
Une ja besova fjalët, kumtin, ahtet, Gjithmonë ka një fantazmë qe lyp dicka prej nesh, Pastaj ajo kërkoi atë që s’lypet artin. Tek fjalen “popull” tundtte si rrebesh.
Te falem per ç’me dhe, veç mos me lyp ti mos, Një borxh që nuk ta kam. Të kërkoj ndjesë Qe dot s’të mbrojta, s’të mbrojta e sidomos, Prej vehtes tënde, armikut tënd të tmerrshem.
Ti rrugën tënde ke në këte botë të ftohtë, Shkrimtari do a s’do ka rrugen e vet. Të mbroftë Zoti, a marrezia të mbroftë, Tjetër hyjni unë kam. Pra mirëmbetsh!
Ska “mirembetsh!” fantazma klithi. Mejet Ti sndahesh dot, mbi toke apo nen toke! Nu ngritshim, te dy do cajme rete Ne rencim ne humnere, do biem tok.
Klithmën e saj kaq kohë pata në vesh, Here si rënkim, si urdhër a si vaj Kërkonte që gjithkund ta mbart si peshe, Porsi Ankizin at, mbi shpinë ta mbaj.
Të gjithëve kjo klithmë na ndjek si nëpër gjumë. I vogël është planeti sigurisht, Si një shtëpi e ngushtë, ku në bodrum Dikush klith: “ndihmë!” dhe ti, s’di si ta ndihsh.
Mesnata shkon Tirana dot nuk fle. Po flet përcart si shpirt që kërkon ndihmë Një metropol me kryet krejt në re, Kryeqytet me emrin krejt enigmë.
Në ç’makthe e gjete, ç’kumt aty ke ndryrë? Ç’urdhër ke fshehur, kë do trembësh me të? Fryn erë e dimrit, si ulkonjë e ngrirë, Ajo që s’jep përgjigje për asgjë./ KultPlus.com
Hapja e tunelit të Murrizit për qarkullimin e mjeteve e ka bërë të aksesueshme të gjithë rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme, e cila pritet të shënojë rritje ekonomike të zonës dhe të sektorit turistik për veriun.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga rrugëtimi i automjeteve në tunelin e Murrizit, i cili ka një gjatësi prej 3.78 kilometrash.
“Pasdite nga tuneli i Murrizit”, shkruan Rama krahas pamjeve.
Pas një pune sfiduese që në nisje të tij për shkak të gjeologjisë problematike të zonës nëpër të cilën kalon, Tuneli i Murrizit u hap për qarkullimin e mjeteve në 14 mars.
Tuneli i Murrizit përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës dhe ka 11 dalje. Në total Rruga e Arbrit ka 7 tunele, me gjatësi totale 8,5 km.
Me një gjatësi rreth 74 km, Rruga e Arbrit konsiderohet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Jo vetëm që afron qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por është po ashtu edhe një arterie e zhvillimit ekonomik dhe turizmit.
Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë, duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.
Gjithashtu, ky aks rrugor është rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë së Veriut Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra një rrugë lidhëse ndërkombëtare./ KultPlus.com
B.B. Poqi ka realizuar shumë këngë dhe shumë albume të cilat u bënë hite të mëdha gjithkund ku flitej shqip.
Këngëtari dhe autori i shumë këngëve, i cili fillimisht formoi bendin “Babillon“ me të cilin i incizoi disa këngë si “Babillon“, “Ti je një iluzion“, “Edhe një natë si kjo“ dhe e fundit “Diku pranë shtëpisë time“, më vonë ai u nda nga bendi dhe vazhdoi karrierën si solo këngëtar.
Sot KultPlus ua sjell një prej këngëve më të njohura të B.B Poqit, “Ti je një iluzion”. / KultPlus.com
Poeti romantik anglez, Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey. Më 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18 vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë.
Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, më saktësisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.
Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkron patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.
Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan:“…I dua shqiptarët shumë. Të gjithë shqiptaret janë të lindur të ndershëm dhe besnik, janë të ashpër… por janë ndoshta raca më e bukur në botë për nga paraqitja. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqe të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësende, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”
Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare. / KultPlus.com
E Ngarkuara me Punë e ambasadës amerikane, Anu Prattipati, u takua sot me Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës për të diskutuar mbi partneritetin ekonomik Kosovë-SHBA.
Ambasada amerikane njoftoi se një delegacion kosovar do të shkojë në programin “SelectUSA” në maj për të eksploruar më tej mundësitë e investimeve dhe “për të nxitur marrëdhënie të begata biznesi!”.
Prattipati në fjalën e saj para Odës Ekonomike tha se është mirë që po “diskutojmë përfitimet reciproke të lidhjeve të forta ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.
Ajo tha se OEK përmes avokimit të saj dhe “delegacioneve të shumta të suksesshme që keni organizuar në Shtetet e Bashkuara, ju po ndihmoni në formimin e mënyrës sesi Kosova shihet nga investitorët dhe vendimmarrësit”.
“Pjesëmarrja juaj në programe si SelectUSA e përforcon këtë ndikim. Dua të përgëzoj personalisht shtatë kompanitë që tashmë kanë aplikuar këtë vit për të marrë pjesë në Samitin e Investimeve SelectUSA. Ne inkurajojmë edhe më shumë prej jush që të përfitoni nga kjo mundësi në maj në Uashington, D.C”.
Ajo tha se SelectUSA është një platformë kryesore për zhvillimin e biznesit ndërkombëtar, duke ofruar “mundësi të pashembullta të rrjetëzimit me zyrtarë të qeverisë amerikane, biznese dhe investitorë”.
Pjesëmarrësit zbulojnë gjithashtu mundësi investimi në Shtetet e Bashkuara dhe fitojnë njohuri të tregut të SHBA-së, mes një pasurie burimesh të disponueshme për të pranishmit përmes SelectUSA.
“Lidhjet e bëra në SelectUSA do të çojnë në rezultate të prekshme dhe afatgjata”, tha ajo.
“Marrëdhëniet që zhvillojnë pjesëmarrësit do të avancojnë më tej partneritetin tonë ekonomik dypalësh. Kjo marrëdhënie nuk ka të bëjë vetëm me tregtinë ose investimet – ka të bëjë me ndërtimin e prosperitetit të ndërsjellë”.
“Administrata e SHBA-së është e përkushtuar për ta bërë Amerikën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë dhe ne shohim një përafrim domethënës me atë që po ndodh këtu në Kosovë”.
Ajo tha se Kosova mund të tërheqë investime dhe firma amerikane në sektorë si energjia, TIK dhe prodhimtaria.
“Ne e dimë nga përvoja se këto lloje të partneriteteve mund të jenë transformuese, duke nxitur inovacionin, duke përmirësuar infrastrukturën dhe duke përmirësuar ofrimin e shërbimeve”./Express/ KultPlus.com
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez kritikoi tarifat e SHBA-së si “të paprecedentë” duke i quajtur ato si një kthim në “proteksionizmin e shekullit të 19-të”.
Këto deklarata i bëri pasi ai propozoi një paketë të re prej 14.1 miliardë euro për të mbështetur ekonominë në përgjigje të vendimit të presidentit amerikan Donald Trump, shkruan The Guardian, transmeton Express.
Ai tha gjithashtu se Europa duhet të vendosë një paketë kundër-tarifash dhe masash të tjera si përgjigje dhe të krijojë një fond ndihme të financuar nga të ardhurat nga tarifat e vendosura ndaj SHBA-së në këmbim.
Në një koment veçanërisht të mprehtë, të raportuar nga Reuters, Sánchez tha se Europa tani përballet me një sulm tregtar nga Perëndimi, ashtu siç po i përgjigjet një sulmi ushtarak nga Rusia në Lindje.
Ai tha se Spanja do të kalojë “këtë krizë të padrejtë dhe të pajustifikuar në të cilën disa njerëz kanë vendosur të zhytin botën”.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për integrimin europian, do të vazhdojmë të mbrojmë multilateralizmin, do të vazhdojmë të hapemi me botën dhe do të vazhdojmë të kërkojmë partnerë që respektojnë interesat tona dhe që ndajnë gjithashtu vlerat tona”./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti, sot ka pritur në takim ambasadorin suedez, Jonas Westerlund.
Në takim ata kanë folur për mënyrat e thellimit dhe fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe zgjerimit të bashkëpunimit.
“Së bashku diskutuan për mënyrat e thellimit dhe fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe zgjerimit të bashkëpunimit. Mbi këtë të fundit në fokus të diskutimit ishte ai me Odën Ekonomike Nordike dhe tërheqjen e investimeve suedeze në Kosovë. Kryeministri Kurti theksoi mundësitë, ofertën dhe potencialin që ofron vendi ynë për investitorë të huaj.”
Kurti dhe Westerlund diskutuan edhe për aktualitetin politik në vend.
“Gjithashtu diskutuan mbi aktualitetin politik në vend, gjersa kryeministri ka filluar konsultimet politike me partitë e komuniteteve joshumicë për formimin e institucioneve të legjislaturës së 9-të, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.”
Kurti e ka falënderuar ambasadorin Westerlund për “mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Kosovës dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme” ndërmjet dy vendeve./ KultPlus.com
Sot janë bërë tetë vite nga vdekja e artistit Françesk Radi.
Françesk Radi (Tiranë, 13 shkurt 1950- 3 prill 2017) ishte këngëtar shqiptar nga Shqipëria. I përket brezit të artistëve të viteve `70 të shekullit XX. I cilёsuar si kantautori i parё shqiptar, ai solli risi nё muzikёn e lehtё moderne shqiptare.
Krijimtarija e tij që në fillesat e saj u shkëput nga formatet klasike të trajtimit të këngës së lehtë. Aranzhimi, struktura dhe shtjellimi i saj kanë tipare të qarta pop – rock të modelit anglo – amerikan, por dhe performanca e tij synonte të sillte ndërgjegjësim dhe ndryshime shoqërore.
Françesk Radi ishte njëherësh këngëtar – kantautor, kompozitor e instrumentist i shkëlqyer në kitarë, (dashuria për të cilën i lindi në moshën 5 vjeçare), e kitarë bass, kontrabas, piano, mandolinë e instrumente të ndryshme popullore si çifteli, sharki e tё tjera instrumente tё temperuar.
Si njohёs i mirё i tyre, i bёri pjesё tё krijimtarisё sё tij muzikore, duke bërë edhe muzik rock me çifteli.
Krijimtaria e tij e viteve `71 – `72 u kritikua për shfaqje të huaja dekadente – perëndimore moderniste. Françeskut iu hoq e drejta krijimtarise, skenës, e transmetimit radio – televiziv dhe e larguan nga Tirana. Ai u dërgua për ri-edukim në veri të vendit, në Fushë – Arrëz të rrethit të Pukës.
Për afro dy dekada iu hoq e drejta e pjesëmarjes në festivalin e këngës në Radio – Televizionin Publik Shqiptar, e vetmja medie vizive e kohës.
U rikthye në këtë skenë pas vitit 1991, që shënoi edhe rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri. Ai la pas një fond të pasur këngësh të muzikës lehtë, këngësh popullore të kënduara e të orkestruara prej tij dhe të risjella për kohën nën ritme të moderuara, ndër më të spikaturat.
Vlerësohet si kantautori me krijimtarinë më të pasur. Interpretimet e tij janë së pjesë e fondit “ Zëra të artë“ të muzikës shqiptare./ KultPlus.com
Sot janë bërë 92 vite që nga lindja e këngëtares së njohur Fitnete Rexha, e cila është një nga emrat më të shquar të muzikës së mirëfilltë shqipe dhe asaj qytetare të Tiranës.
Këngëtarja e cila ka lindur më 3 prill 1933 dhe ka vdekur më 14 gusht të vitit 2003, mban në repertuarin e saj mbi 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme, ku prej tyre më të zgjedhura janë: “Fërfëlloj fëllënza në ujë’’, “Te selvitë e Namazgjasë”, “Qënke veshur me të bardha”, “Mu aty tek shtatë zymbylat”, “Dy të bukurat në nji derë”.
Dëshira për t’u marrë me muzikë i kishte lindur qysh në fëmijëri, pasi ajo ishte vajza e Rexh Delisë “Hero i Popullit”, familje që njihej për vlerat e traditës dhe ku kënga popullore kultivohej për shumë vite.
Regjistrimin e këngëve të para, Fitnete Rexha e bëri rreth moshës 15-vjeçare në Radio-Tirana, nën shoqërinë e grupit orkestral të Shqipërisë së mesme të drejtuar nga Muharrem Gura dhe Skënder Reka.
Karrierën e saj si këngëtare e filloi në Estradën e Tiranës, dhe më pas aktiviteti i saj më tutje u zhvillua pranë A.K.V.P-së në Tiranë deri në daljen në pension në vitin 1981.
Për kontributin e saj të madh, në ruajtjen dhe kultivimin e këngës së pastër shqipe Fitnete Rexha u shpall “Artiste e Merituar” nga autoritetet shtetërore të Shqipërisë. /KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktores së njohur Margarita Xhepa.
Në një postim në rrjetet sociale Rama publikoi një kolazh fotosh nga jeta artistike e ikonës së kinematografisë shqiptare.
“Lamtumirë yll”, shkruan Rama.
Margarita Xhepa, një nga zonjat më të mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, gjatë karrierës së saj, ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi./KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas e Baletit do të sjellë këtë fundjavë një shfaqje dedikuar fëmijëve. Në Hollin Koncertor të TKOB-së, rikthehet “Il Maestro di Cappella”, një opera për fëmijë ku asgjë nuk shkon sipas partiturës dhe kjo do t’ju shkaktojë plot të qeshura.
Opera për fëmijë dhe familje “Il Maestro di Cappella” do të shfaqet mëngjesin e 6 prillit, duke rikthyer në mjediset e TKOB artdashësit e vegjël dhe harenë e tyre. “Il Maestro di Cappella” është një shfaqje argëtuese dhe edukative që u mëson fëmijëve, përmes të qeshurave, si funksionon një provë me orkestrën, çfarë roli ka dirigjenti dhe si funksionon një orkestër e vërtetë.
Fëmijët do të shohin instrumente që nuk binden, tinguj që duket sikur do të shpërthejnë. Maestroja përpiqet të bindë orkestrën duke u kënduar notat që ata duhet të luajnë. Me këtë vepër të përshtatur posaçërisht për ta, fëmijët do të njihen më nga afër me botën e muzikës dhe do të edukohen për të qenë dëgjues të vëmendshëm dhe plot pasion në të ardhmen.
Orkestra Simfonike e TKOB do të shoqërojë lojën argëtuese të baritonit Artur Vera dhe dirigjentit Dritan Lumshi./atsh/KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka përkujtuar yllin e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepës, duke postuar një kolazh me rolet e saj më të spikatura në karrierën e një jete.
Gonxhja ka njoftuar se homazhet për “Nderin e Kombit”, aktoren e mirënjohur Margarita Xhepa, do të mbahen nesër më datë 4 prill në orën 10:00-13:00 në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
“Sa i trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të Margarita Xhepës, ikonës së kinematografisë e teatrit shqiptar! Artistja e cila i dha jetë e përjetësoi aq shumë personazhe që janë skalitur thellë në kujtesën e miliona shqiptarëve. Kush ka pasur fatin ta njohë nga afër Margaritën, e di edhe më mirë se çdo personazhi i ka dhënë aq shumë nga vetja, duke përcjellë në rolet e saj urtësinë, qetësinë e dhembshurinë, klasin e finesën. U prehsh në paqe Margaritë!”, shkroi ministri Gonxhja në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Aktorja e shquar e skenës dhe ekranit u nda nga jeta në orët e para të ditës së sotme, pas problemeve me mushkëritë. Vetëm një ditë më parë, Margarita Xhepa mbushi 93 vjeç.
Veç çmimeve dhe titujve në karrierën e saj artistike, aktorja Margarita Xhepa është “Nder i Kombit” dhe e nderuar me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”./KultPlus.com