Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se të shtunën, duke filluar nga ora 19:30, do të mbahet koncerti i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, frymëzuar nga David Bowie në atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Në njoftim thuhet se nën drejtimin e Gregory Charette, orkestra do t’ju shpie në një udhëtim përmes veprave më ikonike të Glass-it, duke filluar me Koncert për Violinë Nr. 2 – “American Four Seasons”.
“Nën drejtimin e Gregory Charette, orkestra do t’ju shpie në një udhëtim përmes veprave më ikonike të Glass-it, duke filluar me Koncert për Violinë Nr. 2 – “American Four Seasons”, me violinistin e shkëlqyer Maximilian Haft. Derisa mbrëmja do të vazhdoj me Simfoninë Nr. 1 – “Low”, të frymëzuar nga albumi legjendar “Low” i David Bowie-t, i vitit 1977”, thuhet në njoftim./KultPlus.com
Mbrëmë në “Burgun e idealit”, në Prishtinë, u mbajt manifestimi i emëruar “Njeriu në burg i numëron të gjitha“ që shënoi një nismë të re të aktiviteteve kulturore në Muzeun “Burgu i Idealit” në Prishtinë. Gjatë mbrëmjes pati lexime skenike performancë, videoinstalacion dhe rrëfime nga disa ish-të burgosur politikë.
Ky ishte fillimi i nismës së re të aktiviteteve kulturore në përpjekje për ta funksionalizuar Muzeun “Burgu i Idealit” . Shpalosja e një pjese të shkrimeve dhe materialeve tjera të trashëguara nga ish-të burgosurit politikë gjatë periudhës jugosllave në Kosovë e më gjerë është synimi i arkivimit, ruajtjes dhe i ekspozimit të tyre.
Pastaj, motivi i numërimit si teknikë narrative – paraqitet në forma të ndryshme mbi përvojat e vështira dhe robërinë e të burgosurve të ndërgjegjës. Qysh në rrëfimet e mbrëmshme të veprimtarëve Selatin Novosellës, Shefik Sadriut, Shukrije Gashit, Kadri Kryeziut dhe të Martin Çunit, rrëfimet emocionale shpreheshin herë si mënyrë e rezistencës, solidaritetit dhe vuajtjes, e herë si formë e simbolikës, mbijetesës dhe forcës për të mos harruar. Këto rrëfime nënvizonin aspektet kyçe të këtij kapitulli historik, nëpër të cilin ka kaluar rrugëtimi i shtetformimit.
Kjo hapje e mbrëmshme synonte që këto përjetime në hapësirën reale, në lokalet e burgut, të bëheshin sa më të prekshme për vizitorët, si dhe të tërheqin vëmendjen sa më të madhe për muzeun. Organizata “Molla e Kuqe”, në kuadër të projektit për rifunksionalizimin e hapësirës së muzeut, të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitet 2025 dhe 2026, ka planifikuar një seri aktivitetesh nga fusha të kulturës dhe artit, që trajtojnë temat e kujtesës, narrativave mbi të kaluarën dhe transformimeve që e kanë karakterizuar këtë periudhë.
Gjatë mbrëmjes pati lexime skenike performancë, videoinstalacion dhe rrëfime nga disa ish-të burgosur politikë.Data e këtij manifestimi, 2 prilli, përkoi edhe me përvjetorin e Demonstratave të vitit 1981. Një ngjarje kjo e kthesës në historinë e rezistencës shqiptare në ish-Jugosllavi.
Nga data 3 prill, “Burgu i Idealit” do të jetë i hapur për vizitorë gjatë orarit zyrtar: E Martë – Shtunë nga 10:00 – 14:00.KultPlus.com
Më 3 prill 1880 lindi koloneli Aubrey Herbert, ushtarak britanik dhe njëherësh diplomat, udhëtar dhe oficer i inteligjencës. Herbert ishte mbrojtës i pasionuar i pavarësisë së Shqipërisë. Lidhja e tij me vendin tonë, u forcua pas vizitave në 1907, 1911 dhe 1913.
Kontributi i tij për Shqipërinë ishte aq i vyer sa u vlerësua duke ia ofruar dy herë fronin e Shqipërisë. Nga 1911 deri në vdekjen e tij ai ishte anëtar përfaqësues i konservatorëve në parlamentin britanik.
E gjithë familja Herbert ka kultivuar një qasje dashamirëse ndaj Shqipërisë. Lady Elisabeth Carnarvon, në nder të kujtimit të birit të ndjerë të familjes Herbert, Aubrey, përuroi shkollën e Kavajës. Themelimi i këtij institucioni arsimor erdhi në kuadër të akteve të shumta bamirëse të familjes britanike në Shqipërinë e viteve ‘20 të shekullit të kaluar.
Lady Carnarvon mundësoi edhe ndërtimin e Bibliotekës për Djelmërinë Shqiptare, e cila zotëronte një fond prej 5 mijë librash në gjuhë të huaj.
Koloneli Herbert vuajti gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij nga shikimi i dobët dhe ishte pothuajse i verbër në fillim të të 40-ve. Aubrey Herbert u nda nga jeta më 26 shtator 1923./atsh/KultPlus.com
Shqipëria po fiton popullaritet vit pas viti në mesin e turistëve austriakë – falë bregdetit të bukur, natyrës së mrekullueshme dhe klimës autentike ballkanike, shkruan Iwona Kołczańska në edicionin gjerman të revistës globale “DailyWrap”.
Shqipëria ka qenë destinacioni kryesor i viteve të fundit, duke zgjeruar vazhdimisht ofertat e saj.
Në vitin 2024, Shqipëria u rendit e shtata ndër vendet më të njohura për udhëtime ndërkombëtare.
Një vit më parë, ajo ishte në vendin e tetë pas Qipros. Në vitin 2024, Shqipëria kapërceu ndjeshëm këtë destinacion ishullor dhe tërhoqi më shumë turistë.
Shqipëria – “Kroacia e dytë”?
Falë ujërave të saj bruz, plazheve parajsore dhe klimës ballkanike, Shqipëria është krahasuar prej kohësh me Kroacinë por me çmime shumë më të ulëta.
Turistët mund të eksplorojnë mrekullitë natyrore të Shqipërisë dhe shtigjet malore, të bëjnë udhëtime në Tiranë ose të vizitojnë qytete atmosferike me histori të jashtëzakonshme, si Berati.
Falë distancës relativisht të shkurtër nga Austria, Shqipëria është një destinacion popullor edhe për familjet me fëmijë.
Fluturimi i shkurtër ndikon edhe në nivelin e çmimeve, i cili është relativisht konkurrues në krahasim me destinacionet e tjera të Evropës Jugore.
“Ky është edhe një avantazh i këtij vendi”, tha Marzena German, eksperte e udhëtimit.
“Shqipëria fitoi zemrat e austriakëve disa vite më parë dhe kjo dashuri rritet vit pas viti”, shtoi ajo.
Ky është një vend që fokusohet vazhdimisht në zhvillimin e turizmit.
Në praktikë, kjo do të thotë se ofertat po rriten vit pas viti dhe ato ekzistuese po modernizohen.
“Zinxhirët e njohur të hoteleve po investojnë dhe po ndërtohet infrastruktura e re e transportit – gjithçka për ta bërë qëndrimin sa më të këndshëm”, tha German.
Shqipëria ofron një vijë bregdetare të larmishme prej 362 kilometrash, përgjatë së cilës do të gjeni resorte të gjalla, plazhe të gjera dhe gjire misterioze.
Gjithashtu, turistët mund të pushojnë në bregun e detit Adriatik – Rivierën Shqiptare me plazhe ranore – ose në detin Jon, me bregdetin e tij më shkëmbor.
Kombinimi i plazheve me rërë dhe guralecë mund të gjendet në Vlorë, një qytet turistik ku bashkohen ujërat e të dy deteve.
Shtrirja më e bukur ndodhet në bregun e detit Jon, në jug të vendit, në kufi me Greqinë.
Resorti më i famshëm atje është Ksamili, një fshat i vogël në jug të Sarandës dhe 4 kilometra nga ishulli grek, Korfuzi.
Peizazhet këtu janë të ngjashme me Karaibet ose Maldivet
Edhe pse vetë Ksamili është i mbushur me turistë gjatë pikut të sezonit, gjithçka që duhet të bëni është të merrni me qira një makinë dhe të lëvizni në zonën përreth për të gjetur vende më pak të populluara me njerëz – që ofrojnë gjithashtu pamje spektakolare.
Sa kushtojnë pushimet në Shqipëri?
Një javë pushime në Shqipëri me mëngjes dhe nisje nga një prej aeroporteve austriak kushton nga 270 euro për person.
Opsioni me dy vakte fillon nga 305 euro, ndërsa paketa “all inclusive” mund të rezervohet nga 385 euro.
Linjat ajrore me kosto të ulët ofrojnë gjithashtu fluturime drejt Shqipërisë, ndaj austriakët janë të lumtur të organizojnë udhëtimet e tyre.
Një javë në hotel me auto-drive mund të rezervohet nga 140 euro me opsionin e mëngjesit dhe nga 195 euro me paketën “all inclusive”./atsh/KultPlus.com
Është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare, ikona e kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa.
Ajo ka lindur me 2 prill të vitit 1932 në Lushnje, ku ka filluar hapat e parë të karrierës së saj.
Margarita Xhepa, ishte një nga Zonjat e Mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar që ka skalitur memorien e publikut shqiptar me role brilante që prej fillimit të saj, në vitet ’60-ta dhe deri më tani.
Ajo u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar në maj të vitit 2004, për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”, një tjetër sukses në karrierën e saj 50-vjecare.
Nga viti 1950 u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, dega e Dramës.
Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek filmi “Majlinda” (Xh. Broja), Dafina tek Lumi i vdekur (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek Cuca e maleve (Loni Papa), Zonja Mëmë tek Kush e solli Doruntinën (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna tek Përballë vetes (Ruzhdi Pulaha) etj.
Ka qënë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek Hamleti, vajza e dytë tek Mbreti Lir, dado tek Romeo e Xhulieta, Mbretëresha Margaret tek Rikardi III, të Shekspirit.
Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek Dhelpra dhe rrushtë (Figereido), Lena tek Xhaxha Vanja (Çehov), Ledi Milford tek Luiza Miler (Shiler), Zonja Berling tek Vizita e inspektorit (Pristli), Zonja Lomen tek Vdekja e një komisioneri (A. Miller), Ana Andrejevna tek Revizori (Gogol), Marsela tek Qeni i kopshtarit (De Vega), Mashenka tek Mashenka (Afigenov), Shejla tek Morali i zonjës Dulska (Zapolska), apo Dado tek Elektra e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë në Athinë.
Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me K. Dhamon xhiron Vitet e para dhe Gjurmët, me I. Muçajn e K. Mitron Dimri i fundit, Tokë e përgjakur, Një djalë edhe një vajzë dhe Apasionata, me Viktor Gjikën, Gjeneral gramafoni, me E. Musliun,Rrethi i kujtesës dhe Vitet e pritjes (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, Dora e ngrohtë, me Dhimitër Anagnostin, Gurët e shtëpisë sime, me P. Milkanin, Pranvera s’erdhi vetëm, me S. Kumbaron, Koncert në vitin 1936, me Gj. Xhuvanian E diela e fundit dhe I dashur armik.
Në vitin 1997, ka interpretuar në filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit.
Filmat në të cilët ka luajtur Margarita Xhepa:
1. Bolero në vilën e pleqve – (2021) Firdus 2. Në kërkim të kujt (2011), serial 3. Tingulli i heshtjes (2010) telenovela 4. Kronikë provinciale (2009) 5. Ne dhe Lenini (2008) – Bet 6. I dashur armik (2004) – Nëna e Harunit 7. Mirupafshim (1997) 8. E diela e fundit (1993) 9. Një djalë edhe një vajzë (1990) – Mësuese Kristina 10. Vitet e pritjes (1990) – Nëna e Helenës 11. Kush e solli Doruntinën (1989) Nëna e Kostandinit dhe Doruntinës 12. Pesha e kohës (1988) – Gruaja e Kryetarit 13. Pranvera s’erdhi vetëm (1988) Nëna e Irenës 14. Misioni përtej detit (1988) – Kristulla 15. Rrethi i kujtesës (1987) – Tefta 16. Fillim i vështirë (1986) Shoqja e Zanës 17. Gabimi (1986) – Mësuesja 18. Gurët e shtëpisë sime (1985) – Gruaja e Fane Mërtirit 19. Militanti (1984) – Nëna e Visar Shundos 20. Apasionata (1983) – Nëna e Arturit 21. Dora e ngrohtë (1983) – Nëna e Besimit 22. Shokët (1982) – Nëna e Gencit 23. Dita e parë e emërimit (1981) – Drita 24. Me hapin e shokëve (1979) (TV) – Mamaja e Gonit 25. Dollia e dasmës sime (1978) – Nëna e Belës 26. Gjeneral gramafoni (1978) – Zonja e Prefektit 27. Koncert në vitin 1936 (1978) – Eleni Jankollari 28. Dimri i fundit (1976) – Shano 29. Pylli i lirisë (1976) – Nënë Katja 30. Tokë e përgjakur (1976) – Sandra 31. Gjurma (1970) – Violeta 32. Vitet e para (1966) – Zyraka./KultPlus.com
Disa zona në juglindje dhe perëndim të Kosovës mund të përballen me përmbytje në ditët në vijim, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në disa lumenj si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, paralajmëroi të mërkurën Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Në ditët e fundit ka pasur reshje të dendura të shiut dhe instituti paralajmëroise reshjet pritet të vazhdojnë, në disa pjesë të vendit me intensitet nga mesatarë deri të lartë, të cilat mund të krijojnë vërshime të shpejta.
“Duke pasur parasysh situatën e përgjithshme meteorologjike, sidomos ditëve të fundit, e përcjell me reshje shiu, të cilat në disa zona të vendit kanë qenë me intensitet nga i ulët deri mesatarë dhe me kohëzgjatje relativisht të gjatë, kanë shkaktuar ngritje të niveleve nëpër disa lumenj, sidomos atyre me karakter malor”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, gjendje e rënduar në është në Pellgun e Lepencit, Moravën e Binçës, Bistricën e Pejës, Bistricën e Prizrenit, Bistrica e Deçanit, ku nivelet e ujit aktualisht janë në ngritje, dhe si pasojë mund të shkaktojnë përmbytje.
Tani për tani, zonat më të rrezikuara janë vendbanime në Hanin e Elezit, Kaçanik, Dragash, Pejë, dhe Deçan.
“Këtë e vështirësojnë akoma me shume, reshjet e shiut te cilat pritet te bien gjate orëve dhe ditëve ne vazhdim”, paralajmëroi instituti./ KultPlus.com
Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery është promovuar sot libri “Në mes vargjesh” nga poeti Sylë Maxhera, në të cilin është paraqitur një koleksion i poezive që shpërfaqin ndjenja të thella të autorit duke filluar nga dashuria prindërore e deri te reflektimet mbi jetën dhe vdekjen.
Libri paraqet një udhëtim të brishtë mbi ndjesitë dhe mendimet e poetit, mbi përpjekjen për bukurinë e fjalës dhe thellësinë e shpirtit njerëzor. Libri “Në mes vargjesh” përmban 38 poezi dhe 24 reflektime prozaike, dhe sjell një pasqyrë të ndjenjave të autorit përmes një stili të natyrshëm.
Moderuesja e ceremonisë promovuese Rrezarta Haziraj, ka thënë se autori në poezitë e tij ka gërshetuar tingullin e zemrës, ritmin e frymëzimit dhe një pjesë të shpirtit të tij.
“Ky libër është fryt i dashurisë për gjuhën, për artin e fjalës dhe, mbi të gjitha, për ju- lexuesit, të cilët i jepni jetë çdo vargu. Ju ftoj ta eksploroni këtë koleksion dhe të zbuloni pjesë të vetes në faqet e tij. Jam e bindur se secili prej jush do të gjejë një poezi që e prek dhe e frymëzon”, ka thënë moderuesja Haziraj.
Ndërsa, redaktori i librit, Dan Ibrahimi ka thënë se poezitë e Sylë Maxherës janë reflektim i ndjenjave të thella dhe i përvojave personale të shprehura përmes një gjuhe të thjeshtë, por prekëse.
“Përmes vargjeve të tij, autori na fton të refektomë mbi kalimin e kohës, vdekjen dhe kujtimet që na shoqërojnë gjithë jetën. Poezitë janë të drejtëpërdrejta dhe të qarta. Poezitë e Sylë Maxherës janë një mozaik emocionesh dhe përvojash, që nga gëzimi familjar deri te reflektimi mbi shoqërinë dhe kombin. Ai arrin të prekë lexuesin me ndjenja të sinqerta dhe mesazhe të fuqishme. Një vepër që frymëzon dhe fton për reflektim!”, ka thënë redaktori Ibrahimi.
Ndërsa, profesoresha e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Flora Peci ka thënë se autori Maxhera përmes stilit të tij të fuqishëm dhe ekspresiv përçon ndjenja të thella te lexuesi.
“Sylë Maxhera përmes vargjeve reflekton dukshëm dashurinë për çdo gjë që përçon dashuri, mirësi dhe modesti. Për nga natyra autori edhe në përditshmëri falë pozitivitetit përmes të folurit të tij, njejtë edhe përmes vargjeve e përcjellë këtë dashuri e pozitivitet. Stili i autorit në poezitë e tij është shpeshherë i fuqishëm dhe ekspresiv duke përçuar ndjenja të thella përmes vargjeve të tij”, ka thënë profesoresha Flora Peci.
Tutje, profesoresha Peci ka thënë se përmes metaforave të fuqishme autori i ka dhënë forcë edhe ndjenjave kombëtare.
“Në mes të poezive të tij gjejmë një larmi temash që trajtojnë atdhedashuri, figurën e nënës si dhe kontrastin mes të mirës, të keqes, të drejtës dhe të padrejtës. Në poezitë e tij, autori shpesh evokon ndjenja patriotike duke përshkruar dashurinë për vendin dhe sakrificat për lirinë”, ka thënë Peci.
Ndërkaq, përkthyesi Elvi Sidheri përveq një fjalimi të rastit, ka deklamuar edhe poezinë “Të ndihmoj”, të cilën e kishte përzgjedhur në mënyrë rastësore.
“Sylë Maxhera shkruan prej 26 vitesh, dhe poezitë i shkruan drejtë për drejt në spanjisht. Këtë libër e ka shkruar në shqip, ndërsa një përmbledhje tjetër e ka shkruar në spanjisht me forcat e tij, në një nga shtëpitë më të mëdha botuese në Spanjë. Kam pasur rastin ta shoh edhe shkrimin vlerësues të shtëpisë botuese disa faqesh për poezinë e tij, ku ia kishin vlerësuar punën”, ka thënë Sidheri.
Ndërsa, diplomati i parë i Kosovës në Bruksel, Reshat Sahitaj ka thënë se letërsia dhe kultura janë ambasadorët më të mirë dhe boshti kurrizor i një shteti.
“Në librat e Sylë Maxherës kam parë një filozofi të poezisë shqipe. Kemi edhe shumë poetë të tjerë të cilët mund të maten me autorë të letërsisë evropiane. Siç keni parë, në vitin e kaluar ne kemi përkthyer mbi 75 poetë në Paris, për të cilët kanë shkruar gazetat parisiene. Në mesin e këtyre autorëve është edhe Sylë Maxhera i cili është duke bërë një diplomaci përmes letërsisë. Pra një diplomaci jozyrtare por që është shumë më e kapshme dhe shumë më shumë i ndihmon Kosovës”, ka thënë Sahitaj.
Një fjalë rasti e mori edhe Mark Perr, gazetar nga Anglia, i cili tha se Syla Maxhera për të është një libër i hapur.
“Nuk e kuptoj gjuhën në të cilën ai shkruan, por e kuptoj zemrën e tij. E shoh se ai bën një ndërlidhje shpirtërore me njerëzit”, ka thënë ai.
Ndërkaq, autori Sylë Maxhera në një fjalim të shkurtë i ka falënderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në ceremoninë promovuese.
“Ju faleminderit shumë, dëshira më e madhe e imja është të ju shoh së bashku. Ju faleminderit shumë për mbështetjen dhe që keni gjetur kohë të vini këtu. Jam i privilegjuar që ju kam afër, uroj të na prijë e mbara të gjithëve, dëgjofsha mirë për të gjithë”, ka thënë Maxhera.
Edhe gazetari Mentor Mripa po ashtu, e ka vlerësuar këtë botim të autorit Maxhera.
“Syla është një person zemërbardhë. Urime Sylë, faleminderit që na ke mbledhur këtu. Uroj që kjo punë e Sylës dhe të tjerëve të shëndrrohet në diçka të bukur edhe për aspektin estetik të librit”, ka thënë ai pas disa kritikave mbi botimin e librit, që u thanë në këtë ceremoni promovuese. / KultPlus.com
Aleatët e NATO-s kanë premtuar më shumë se 20 miliardë euro (21,6 miliardë dollarë) ndihmë sigurie për Ukrainën në tre muajt e parë të vitit 2025, tha sot sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Duke folur përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, Rutte tha gjithashtu se komanda e NATO-s – në qytetin gjerman të Wiesbaden – Ndihma dhe Trajnimi i Sigurisë së NATO-s për Ukrainën (NSATU) – do të vazhdojë të koordinojë ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe trajnimin e ushtarëve ukrainas.
Njoftimi vjen mes frikës se mbështetja e SHBA-së për Ukrainën mund të reduktohet në mënyrë drastike – pasi administrata e presidentit amerikan, Donald Trump po përpiqet të nxisë një marrëveshje paqeje, ndërsa u ka bërë thirrje aleatëve evropianë të rrisin shpenzimet e mbrojtjes.
Pas një takimi katastrofik midis Trump dhe presidentit ukrainas Voloydmyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, Uashingtoni pezulloi përkohësisht mbështetjen ushtarake dhe të inteligjencës për Kievin, por që atëherë ka rifilluar ndihmën.
Vitin e kaluar, aleatët e NATO-s dhanë një ndihmë sigurie me vlerë rreth 50 miliardë euro për Ukrainën.
Rutte e përgëzoi Trump “për thyerjen e bllokimit” në luftën e nisur nga Rusia në shkurt 2022.
Por, ai theksoi se pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm të aleatëve ndaj Ukrainës, kërcënimi me të cilin përballet Evropa nga Rusia vazhdon të mbetet.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të takohen nesër dhe pasnesër në Bruksel për të diskutuar mbi forcimin e aftësive mbrojtëse të aleancës.
Administrata e Trump u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve evropianë të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) – më shumë se dyfishi i objektivit aktual të NATO-s prej 2% të PBB-së.
Duke sinjalizuar se vendimi për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes ka të ngjarë të diskutohet në samitin e ardhshëm të NATO-s në qershor, Rutte përsëriti se aleatët do të duhej të rrisnin shpenzimet në 3%./ KultPlus.com
Qiell dimri, Dyndje kujtimesh. Unë ndeza një cigare, u afrova te dritarja. Më ngjan, se nuk bien flokë dëbore nga qielli. Por mijëra letra, që kurrë nuk i mora. Letra të largëta, Shkruar nga duar të largëta, Edhe se retë më të largëta./KultPlus.com
Poezia “Poçari” e aktorit të madh shqiptar Dritëro Agollit, është një ndër poezitë më të njohura shqipe, e cila publikut shqiptar i është sjellë edhe në formë kënge nga këngëtari Selami Kolonja. Një interpretim mahnitës e sjell edhe ylli i kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa, shkruan KultPlus.
Poezia “Poçari”, e Dritëro Agollit, ndër rreshta jep mesazhin e mallit të shqiptarit të dëbuar nga trojet e tij, prej armiqëve të kohës. Shkarja nga dora e vazos-poçit ndryshon rrjedhën e historisë, duke shpërthyer në lot mallëngjyes për gjuhën e nënës, nga e cila fati i kishte ndarë padrejtësisht. Këtë e tregon më së miri vargu “Fjala shipe s’blihet në pazar, në dyqan ka kohë që se kam ndjerë”.
KultPlus ju sjellë tekstin e plotë të kësaj poezie.
Vajta në Stamboll të bëj pazar, për kujtim të ble një vazo balte: – Paqe dhe selam, usta poçar, Vazon më të mirë po e pate Paqe dhe selam, usta poçar!
Vazoja nga dora shkau e ra Dhe m’u bë njëzet e pesë copë, Më erdhi rrotull deti Marmara Dhe m’u hap dyqani turk si gropë, Më erdhi rrotull deti Marmara.
Pa më shau poçari keq turqisht, Unë e shava shqip e mend i rashë; Për çudi poçari nuk u ligsht, Veç dy lot në sytë e kuq i pashë, Për çudi poçari nuk u ligsht!
Mos u çmend ky turk, ky musliman? Unë e shaj, ai me duar në qafë! Poçe tjetër mori në dyqan Dhe më tha: ” Më shaj, për besë, prapë!” Poçe tjetër mori në dyqan.
Psheretiu si unë: ” Jam shqiptar, Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë, Fjala shqipe s’blihet në pazar, Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë, Fjala shqipe s’blihet në pazar!”
Ikën nga dyqani burra e gra, Unë e një poçar e tjetër s’kishte, Vazot frynte deti Marmara, Vazove poçari shqip u fliste, Vazot mbushte deti Marmara./KultPlus.com
Dërgesat e “Tesla” ranë afërsisht me 13% në terma vjetore në tremujorin e parë, me 336,681 automjete elektrike të dërguara te klientët, globalisht midis janarit dhe fundit të marsit, njoftoi sot kompania.
Analistët fajësuan ndryshimin e modelit dhe polemikat rreth shefit ekzekutiv miliarder Elon Musk për rënien, e cila ishte më e madhe se sa pritej, gjerësisht.
Aksionet e Tesla-s ranë me më shumë se 4% në SHBA.
Kompania tha gjithashtu se kishte prodhuar 362,615 automjete të të gjitha modeleve gjatë tremujorit, një rënie prej rreth 16% krahasuar me një vit më parë.
Shifrat më të dobëta ishin telegrafuar në Evropë dhe Kinë javët e fundit, por shifrat globale treguan një tendencë përkeqësimi.
Regjistrimet e reja të Tesla-s në Bashkimin Evropian ranë me 49% në terma vjetore, në janar dhe shkurt në pak më shumë se 19,000 automjete.
Në Kinë, shifrat paraprake për muajin mars treguan një rënie prej më shumë se 11%./ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, duhet bërë çmos që të zgjerohet hapësira për gjithçka që mund t’i ofrohet nxënësve dhe fëmijëve pas mësimit.
Në fjalën e tij në një takim në shkollën “Besnik Sykja” në Tiranë, Rama foli për takimet që u zhvilluan me mësuesit dhe prindërit në të gjithë territorin për Tik Tok-un.
“Më vjen mirë që sot Tik Tok–u është mbyllur dhe fëmijëve, nxënësve u kemi siguruar një mbrojtje nga një influencë shumë negative që i qëndronte mbi kokë 24 orë mbi 24”, tha Rama.
Rama përsëriti që, “përpjekja për të instaluar Tik Tok-un duke përdorur VPN të lira që gjenden në internet është shumë e rrezikshme sepse ato praktikisht e bëj telefonin plotësisht të grabitshme nga të gjitha të dhënat që ka brenda. Kështu që prindërit duhet të jenë të vëmendshëm në këtë aspekt”.
Ndërkohë, shtoi kreu i qeverisë, “kemi hyrë në një dialog me kompaninë nëpërmjet AKSHI-t dhe Ministrisë së Arsimit dhe kemi kërkuar nga kompania që nëse do të ketë përsëri akses në territorin e Shqipërisë duhet të na paraqesë një propozim të besueshëm dhe bindës për një numër të caktuar filtrash sigurie për fëmijët tanë dhe njëkohësisht edhe një program specifik për të stimuluar mësimin, për të stimuluar mësimin e shkencës, matematikës, etj, gjëra që në fakt TikTok-u i ka në gamën e vetë të shërbimeve dhe patjetër dhe pjesë të tjera të parrezikshme dhe ndërkohë duhet të na garantojë që fëmijët dhe adoleshentët janë të mbrojtur nga pjesët e rrezikshme”.
“Kompania e ka marrë shumë seriozisht në këndvështrimin tim dhe na ka premtuar që do ta ne paraqesë këtë propozim. I kam thënë dhe i kemi thënë që në të gjitha rastet, çfarë kompania do të na ofrojë do të duhet të ndahet me mësuesit dhe me prindërit. Do të duhet të marrë edhe një miratim nga ana e tyre në kuptimin që mësuesit dhe prindërit duhet të jenë të informuar se për çfarë bëhet fjalë. Pra cilat ndryshime do të bëhen dhe çfarë do të sjellin këto ndryshime”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se, “besoj që në një kohë jo shumë të largët ata do të vijnë në Shqipëri dhe ne do të kemi mundësi pastaj të rikthehemi përsëri tek ju dhe t’i ndajmë këto të dhëna që do të marrim nga propozimi i kompanisë”.
Rama u sugjeroi prindërve dhe mësuesve që të shikojnë filmin “Adoleshenca” në Netflix.
“Do t’ju sugjeroja ta ndani me sa më shumë të tjerë dhe do ishte mirë nëse do mund të bënim dhe shfaqje të filmit për nxënësit në të gjitha shkollat, mund të përdorim palestrat për të bërë shfaqje të organizuara, sepse është një film, i cili ka tronditur mbarë botën edhe flet ekzaktësisht se për çfarë sfidash bëhet fjalë për ne sot edhe sesa larg jemi ne edhe kur na duket sikur në fakt jemi afër dhe sesa pak kuptojmë ne dhe kur na duket sikur në fakt kuptojmë shumë nga fëmijët tanë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë, u shpreh se, “për fat të keq jetojmë në dy universe paralele. Ata hyjnë dhe dalin në universin tonë, kurse ne nuk kemi akses në universin e tyre dhe në universin e tyre zhvillohen situata dhe ngjarje që ne as nuk kemi idenë dhe për fat të keq kur diçka nga ato zhvillime aty del në mexhelis në formën e një ngjarje shumë të rëndë atëherë ne tronditemi të gjithë, por ajo që ndodh është se në fakt është çdo minutë, çdo minutë, çdo minutë”.
Prandaj, theksoi ai, “besoj shumë se mbyllja e Tik Tok-ut nuk është se ka zgjidhur gjithë këtë problematikë, por ama ka qenë hapi i duhur”.
Rama falënderoi prindërit dhe mësuesit.
“95% e tyre na kanë inkurajuar që ta hedhim këtë hap. Nuk ka qenë një hap i lehtë, ne nuk jemi as Amerika as Britania, ne jemi një vend i vogël dhe TikTok-u është sa shumë shtete si ne të bëra bashkë, por besoj që kemi bërë gjënë e duhur dhe kemi bërë detyrën”.
Nga ana tjetër, shti Rama, “besoj që mbase nuk kemi forcat që të përballemi me këtë universin paralel ku fëmijët tanë jetojnë një pjesë shumë të madhe të kohës së tyre dhe ku ne e kemi të pamundur që të penetrojmë, por nga ana tjetër nuk do të dorëzohemi dhe e vetmja rrugë që ne shohim është që të ngremë në një nivel tjetër ndërveprimin mes shkollës, prindërve dhe institucioneve”.
Në këtë aspekt, shtoi Rama, ‘ne do të bëjmë çmos që shkolla të rrisë në mënyrë të ndjeshme fluksin e informacionit për prindërit, jo më vetëm notat dhe mungesat por edhe raporte të dedikuara, të individualizuara për çdo fëmijë dhe nga ana tjetër do bëjmë çmos të zgjerojmë hapësirën në gjithçka që mund t’i ofrojmë nxënësve dhe fëmijëve pas mësimit, duke fuqizuar programet e sporti, artit, zejeve dhe duke rritur numrin e adresave ku fëmijët mund të kenë aktivitet”./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadoren e El Salvadorit në Kosovë, Rhina Bardi, ku edhe ka pranuar letrat kredenciale.
Gjatë takimit, Osmani e ka uruar Ambasadoren Bardi për emërimin e saj dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të El Salvadorit ndaj Kosovës.
Komunikata:
Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga Ambasadorja e re e El Salvadorit në Kosovë, Rhina Bardi
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadoren e El Salvadorit në Kosovë, Rhina Bardi, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani e uroi Ambasadoren Bardi për emërimin e saj dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të El Salvadorit ndaj Kosovës.
Presidentja Osmani solli në vëmendje vizitën e saj në El Salvador vitin e kaluar me rastin e inaugurimit presidencial, duke shprehur admirimin për progresin e këtij shteti. Ajo theksoi përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe forcimin e lidhjeve në fusha të ndryshme.
Duke vlerësuar udhëheqjen e Presidentit Nayib Bukele, Presidentja Osmani nënvizoi përparimin e jashtëzakonshëm të El Salvadorit në siguri, rritje ekonomike dhe zhvillim të sektorit të turizmit. Ajo theksoi se si Kosova dhe El Salvadori janë renditur ndër vendet më të sigurta në botë, duke rritur kështu atraktivitetin për investime dhe turizëm.
Në këtë drejtim, u identifikuan mundësi për bashkëpunim në sektorët e teknologjisë së informacionit, inovacionit, ekonomisë, mbrojtjes, arsimit dhe turizmit. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e promovimit të investimeve të sektorit privat, nxitjes së ndërmarrësisë dhe organizimit të forumeve ekonomike për t`i afruar bizneset dhe institucionet e të dy shteteve./ KultPlus.com
Në Operën e Hamburgut (Staatsoper Hamburg) sot luhet “Maria Stuarda” nga Gaetano Donizetti, ku pikërisht rolin e heroinës e interpreton Ermonela Jaho.
Kjo është nata e fundit që Ermonela Jaho interpreton këtë rol, në Hamburg, pas 6 netësh të tjera në fund të marsit.
“Dhe kështu, ne arrijmë performancën tonë përfundimtare. Ky produksion ka qenë më shumë se një seri shfaqjesh. Ka qenë një rrahje zemre e përbashkët, një vend ku muzika dhe arti na kanë lidhur në mënyra që fjalët nuk mund të arrijnë kurrë”, shprehet sopranoja, në një postim në rrjetet sociale.
Maria Stuarda (Mary Stuart) është një opera tragjike në dy akte, nga Gaetano Donizetti dhe libret nga Giuseppe Bardari, bazuar në dramën e Schiller-it.
Opera trajton jetën e Marisë, mbretëreshës së Skocisë (Mary Stuart) dhe kushërirës së saj mbretëresha Elizabeth I. Schiller kishte shpikur përballjen e dy mbretëreshave, të cilat në fakt nuk u takuan kurrë.
Sopranoja Jaho, e vlerësuar ndërkombëtarisht, ndau me ndjekësit e rrjeteve sociale edhe një galeri të pasur fotografike nga shfaqjet e tjera të “Maria Stuarda-s”, ku ajo shfaqet me një “look” goditës e mbresëlënës./ KultPlus.com
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se për reshjet e shiut kanë shkaktuar ngritje të niveleve nëpër disa lumenjtë, e që të cilat mund të shkaktojnë vërshime gjegjësisht përmbytje.
Nga IHMK është bërë e ditur se situata më e rënduar është në Pellgun e Lepencit, Morava e binçës, Bistrica e Pejës, Bistrica e Prizrenit dhe Bistrica e Deçanit.
‘‘Kete e veshtersojne akoma me shume, reshjet e shiut te cilat pritet te bien gjate oreve dhe diteve ne vazhdim’’, thuhet mes tjerash nga IHMK.
Po ashtu, në njoftim thuhet se edhe gjatë ditëve në vijim pritet të ketë reshje të shiut, të cilat mund të krijojnë vërshime të shpejta.
Njoftimi:
Të nderuar, duke pasur parasyshë situatën e përgjithshme meteorologjike, sidomos ditëve të fundit, e përcjellur me reshje shiu, të cilat në disa zona të vendit kanë qenë me intensitet nga i ulët deri mesatarë dhe me kohëzgjatje relativisht të gjatë, kanë shkaktuar ngritje të niveleve nëpër disa lumenjë, sidomos atyre me karakter malor. Kështu situata më e rënduar është në Pellgun e Lepencit, Morava e binçës, Bistrica e Pejes, Bistrica e Prizrenit, Bistrica e Deqanit, ku nivelet aktualisht janë në mgritje të cilat mud të shkaktojnë vërshime gjegjësisht përmbytje.
Aktualisht zonat më të rrezikuara janë: vendbanime të Hanit të Elezit, Kaçanikut, Dragashit, Pejes, Deqanit pastaj në pellgun e Moravës së Binçës etj.
Kete e veshtersojne akoma me shume, reshjet e shiut te cilat pritet te bien gjate oreve dhe diteve ne vazhdim.
Per informacione ne detaje, ju mbajme te informuar gjate oreve dhe diteve ne vazhdim.
P.s. Kerkohet vemendje e shtuar, sidomos ne zonat/komunat e lartecekura
PARASHIKIMI
Edhe gjatë ditëve në vijim pritet të ketë reshje shiu, në disa pjesë të vendit me intensitet nga mesatarë deri të lartë, të cilat mund të krijojn vërshime të shpejta./ KultPlus.com
Një fotografi e rrallë e aktorit me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu, kohë më parë ishte bërë kartolinë në Gjermani.
Në këtë fotografi Moisiu shfaqet me nënën e tij, Amalia Rada.
Ka qenë ministri i Diasporës, Pandeli Majko që e pati publikuar kartolinën gjermane nga Verlag Hermann Leiser, Berlin-Wilm.
Aleksandër Moisiu lindi në qytetin e Durrësit në vitin 1879. Ai e nisi karrierën në Vjenë, Austri, ku edhe filloi të njihej në rang botëror dhe të konsiderohej si një aktor mjaft fisnik.
Aktori i madh shqiptar interpretoi në rolet më të spikatura të asaj kohe si “Hamlet” në Teatrin Popullor të Vjenës në vitin 1922, “Fedia” e Leo Tolstoit dhe “The alive Cadaver” në Berlin në 1922-in. Aleksandër Moisiu vazhdoi të aktrojë edhe në veprat më të spikatura duke arritur majat e teatrit botëror me përzgjedhjen e tij në rolin e Romeos në veprën e famshme Shekspirane “Romeo dhe Xhulieta” në 1907-ën duke lënë të gjithë të shtangur me aftësitë e tij interpretuese. /KultPlus.com
Poezi nga Louis Aragon Përktheu: Anton Papleka Nëpër të gjitha dyert ti më ike Në të gjitha shkretëtirat më le
Në agim të kërkova dhe në mesditë të humba Kudo që vajta ti nuk qe gjëkundi Kush mund ta përshkruajë Saharanë e një dhome pa ty Turmën e të dielës ku s’të ngjan askush Një ditë më të zbrazët se moli që zgjatet në det Heshtjen ku të thërras e ti nuk më përgjigjesh
Ti më le dhe njëherësh pranë meje ke mbetur Më le gjithkund më ike nga sytë Nga zemra e ëndrrave Më le si një frazë e mbetur përgjysmë Si një send i hedhur rastësisht si një karrige Si një vend pushimi në të dalë të verës Si një kartolinë e harruar në sirtar Çdo gjest më shkëput nga ti Si një gjethe që bie nga pema Vështrimi yt mbi mua të gjorin Qe një psherëtimë ku unë mungoja Si nuk t’u dhimbs hija jote që te këmbët rrinte./ KultPlus.com
Dy arbërorët e mëdhenj që lanë gjurmë të pashlyera në Austri dhe në mbarë Botën: Karl Ghega la gjurmë në fushën inxhinierisë, dhe Aleksandër Moisiu në atë të aktrimit.
Në lidhje me këtë do ta nënvizoj një gjë këtu: kur dramaturgu, mjeku dhe shkrimtari Friedrich Wallisch kishte mbajt një leksion me Temën më të dashur të tij mbi historinë e popullit shqiptar (Ö.i.Z.1928), të pranishmëve në sallë i kishte bërë pyetje retorike mbi prejardhjen e këtyre dy personaliteteve mbikohore.
„Të dashur zonja dhe zotërinj , e dini se nga e ka origjinën Aleksandër Moisiu? Të gjithë të pranishmit ngrinin supet duke mos ditur prejardhjen e tij të vërtetë.
„Aleksandër Moisiu ishte një arbëror. E keni ditur këtë ,nuk besoj se po“, ishte përgjigjja e tij.
A e dini se kush e ndërtoi hekurudhën Semmering? Karl Ghega u përgjigjen, plotësisht e saktë.
Por ,a e dini të dashur zonja dhe zotërinj se prej nga e ka origjinën ky gjeniu Ghega?
„Edhe ai ishte me origjinë arbërore…” / KultPlus.com
“Ai që shkruan për budallenjtë, audiencën e lartë e ka të sigurtë.”
“Kur e bleni një libër, ju në mënyrë optimiste mendoni se po e bleni edhe kohën për ta lexuar atë.”
“Njerëzit e mëdhenjë janë sikur shqiponjat; ata i ndërtojnë folet e tyre në lartësitë e vetmuara.”
“Të gjitha të vërtetat e mëdha kalojnë nëpër tre faza: fillimisht ato përqeshen, pastaj ato kundërshtohen dhunshëm dhe në fund ato pranohen si vetë – evidente.”
“Pasuria është si uji i kripur, sa më shumë të pish, aq më i etur je. Kjo vlenë edhe për lavdinë.”
“Dhembshuria për kafshët është e lidhur ngushtë me mirësin e karakterit, dhe mund të pohohet me siguri se ai që është mizor me kafshët, nuk mund të jetë kurrë njeri i mirë.”
“Secila dashuri, sado qiellore të duket, rrënjët e saj i ka në instiktin seksual.”
“Një njeri mund të jetë vetja vetëm për aq kohë sa ai është i vetëm; dhe nëse ai nuk e don vetminë, ai nuk do ta dojë as lirinë; sepse vetëm atëherë kur ai është i vetëm, ai është vërtetë i lirë.”
“Asgjë nuk mund të jetë e bukur pa të vërtetën.”
“Zakonisht është humbja ajo që na bënë ta dim vlerën e gjërave.”
“Një shkallë e lartë e intelektit priret ta bëjë njeriun të pashoqërueshëm.”
““Natyra e tregon se me rritjen e inteligjencës vjen e rritur edhe aftësia për të ndjerë dhimbje dhe se vetëm në shkallën më të lartë të inteligjencës, dhimbja e arrit pikën e saj supreme.”
““Doktori e sheh të gjithë dobësinë e njeriut, gjykatësi e sheh të gjithë ligësinë dhe teologu të gjithë budallallëkun e tij.”
““Talenti e godet shënjestrën të cilën askush nuk mund ta godas. Gjeniu e godet shënjestrën të cilën askush nuk mund ta shoh.”
“Ne rrallë mendojmë për atë që e kemi, ndërsa shpesh për atë që na mungon.”
“Njerëzit e zakonshëm thjeshtë mendojnë se si duhet ta shpenzojnë kohën e tyre; I talentuari tenton ta përdor atë.”/KultPlus.com
Më 2 prill të vitit 1805, në Danimarkë, ka lindur legjenda e përrallave për fëmijë, Hans Christian Andersen, shkruan KultPlus.
Përrallat e Andersenit, përbëjnë 156 tregime të ndara në nëntë vëllime, të cilat janë të përkthyera në më shumë se 125 gjuhë të ndryshme të botës.
Andersen u rrit si një djalë jo shumë tërheqës, dhe këtë aspekt të jetës së tij ai e përdori për të krijuar përrallën “Rosakun e Vogët të Shëmtuar”, pasi që nga shikimi i parë rosa ishte ‘e shëmtuar’ dhe e dëbuar. Mesazhi i tij me këtë rast është se njeriu mund të jetë i dukshëm për komunitetin me mënyrën me të cilën zgjedh, pasi ai me bukurinë e brendshme të mendjes së tij arriti të jetë i dukshëm dhe madje i paharruar përmes shkrimeve të tij frymëzuese.
Përrallat e Andersenit janë lehtësisht të kuptueshme nga fëmijët, dhe janë ngulitur kulturalisht në ndërgjegjen kolektive të perëndimit. Mesazhet që përcillen prej përrallave të Andersenit janë kryesisht mësime të virtyteve dhe qëndrueshmërisë përballë fatkeqësisë edhe për lexuesit e pjekur.
Përrallat e tij më të famshme janë: “Rrobat e reja të Perandorit”, “Sirena e Vogël”, “Bilbili”, “Ushtari i Tinit të Qëndrueshëm”, “Këpucët e Kuqe”, “Princesha dhe Bizelet”, “Mbretëresha e Borës”, “Rosaku i Shëmtuar “, “Shitësja e Vogël e Shkrepsëve” dhe “Gishtëza”.
Historitë e tij kanë frymëzuar edhe shumë balete, drama, filma të animuar dhe filma aksion.
Ai ndër të tjera shkroi edhe kujtime udhëtimesh, novela dhe poezi, dhe kujtohet gjithashtu për tregimet e tij nga bota e zanave dhe shtojzavalleve.
Në përkthimin në gjuhën shqipe të përrallave të Andersenit, morën pjesë përkthyes si: Pirro Misha,Bedri Dedja, Vandush Vinçani,Dritan Thomollari dhe Stathi Kostari.
Më duket se motori e rralloi forcën, – më thoshte Iloja. U ngritëm të tërë më këmbë. Shikonim të gjithë lart, nga bukaporta e mbyllur. -Sa natë e gjatë! – tha mbase kot, siç fliste kot Taqi. Me duar të varura e të rënduara rrinim si ata besimtarët fanatikë që shikojnë ndaj qiellit. Lart dëgjoheshin zëra. Lart kishte jetë. Lart kishte erë dhe horizont. Kishte të qeshura dhe shakara. Sa ndenjëm ashtu, s’dihet. Vetëm kur Iloia tha: “Pse s’ulemi?”, atëherë shikuam të gjithë nga ai dhe lëvizëm. Qeshnim. E pse të mos qeshnim? Ishim akoma gjallë. E kaluam Adriatikun. E kaluam vdekjen… – Zoti e di se ku jemi! – Unë them të shtrohemi e të hamë… Të hamë sa jemi këtu e sa i kemi këto ushqime… Më mirë t’i kemi në bark sesa… Asnjë nuk e kundërshtoi këtë mendim. Mistoja çeli valixhen. Vuri përpara ushqimet. Cilido me mundime afrohej, merrte ç’i pëlqente… Edhe unë mora bukë e kaçkavall. Më pëlqente shumë kaçkavalli. Është si ullinjtë. Po të hash bukë e ullinj, s’ngopesh së ngrëni. Ashtu edhe me kaçkavallin… Po ujë? Ku ka ujë? Ç’bëra që hëngra kaq shumë. Dhe pasi u paqosëm mirë, sikur të mos na kishte ngjarë natën asgjë, secili nisi të tregonte ato që kishte menduar gjatë natës. Mistoja tha: – Isha i sigurt qind për qind se do të mbyteshím… Vrisja mendjen… dhe gjithnjë mallkoja veten që nuk sulmuam qysh në korridorin e burgut. Ose do të ishim vrarë, ose do të kishim shpëtuar… po do të linim nam. Iloja tha: – As për një çast nuk e mendova vdekjen. – Kadriu – unë kam frikë nga deti. Mirë që nuk e shihja. Kam udhëtuar natën me vapor. S’ka tmerr më të madh. Alqi – Mua më ishte ngulitur në tru se si do të vinte siluri, si do të fundoseshim… si do të shuhej drita e nuk do të shikonim më njeri-tietrin. Pastaj Mahmuti – Unë e ndieja veten mirë se isha në mes dhe falenderoja ata që na lidhën. Se, duke qenë të lidhur, më dukej vetja dhjetë herë më guximtar. Tahiri – Që kur më zunë, e mora parasysh vdekjen… Prandaj gjithë natën s’më ra ndër mend mortja… Bexhetit, kur i erdhi radha të thoshte edhe ai se ç’kishte menduar gjatë natës, duke qeshur, foli: – ja, i thatë ju të gjitha. Kurse Taqi e tha që në fillim: -Unë flija. Të gjithë kishin kaluar nga biruca nr. 8 Kishin biseduar ca minuta. Pastaj ishin caktuar në kaushet dhe qelitë e ndryshme. Përves Ilos dhe Kadriut, që ishin komunistë, ne të tjerët ishim si gjithë të burgosurit. Tani që na lidhte një zinxhir, tani që rrugën e kishim të përbashkët, do të njiheshim më shumë. Nata që kaluam sikur na afroi. Morëm frymë nga njëri-tjetri; u përgatitëm të vdisnim bashkë. Tani duhej të jetonim bashkë. Bukaporta u hap. Ne u ngritëm më këmbë, kthyem kokat lart e pamë qiellin plot dritë. Pamë shumë ushtarakë e marinarë që na dukeshin… – si dukeshin ashtu? Këmbë të mëdha e kokë të vogla… sikur ishin gati për të na shtypur… Pamë litarë dhe direkun… Po ç’thoshin? Qeshnin me ne që u dukeshim si miza? Pritëm e pritëm. Heshtjen tonë e prishi Iloja: – Këtu kushedi se ku jemi e kushedi ku do të na shpien… Lart kokën, si shqiptarë që jemi… Vinçi me magjen e madhe në formë vagoni minierash u fut në bukaportë, u ul poshtë gjer në dyshemenë e hambarit tonë. Ne bëmë mënjanë. Zbritën me të shpejtë nga shkalla disa karabinierë. Na urdhëruan të futeshim në atë magje. Ne ngurruam. Po ara na kërcënuan e na thanë se ashtu do të dilnim më kollaj. Me një mijë mundime u futëm, gati njëri mbi tjetrin. Ata lart vazhdonin të qeshnin. Vinçi ngrihej. Ne tundeshim në erë. Iu afruam bukaportës. Pastaj na kthyen nga bankina. E, kur ishim mbi bankinën, na lanë aty në erë. Përposh nesh britma. Hodha sytë, e, ç’të shikoje! Mijëra njerëz me grusht na kërcënonin. – Spie! Spie! – (It.: Spiunë! Spiunë!) – A morte le spie che hanno causato miliaia di morti. – (It.: Vdekje spiunëve që kanë shkaktuar me mijëra të vdekur). – Traditori! Spie di un cane! – (It.: Tradhëtarë! Spiunë të qenit!) Po kjo? Ç’është kjo pritje në tokën italiane? Ne vareshim në erë e lëkundeshim si kufoma e Hamidit… Një fishkëllimë e gjatë bilbili… Turma sikur deshi të na hante. Po ja që ne ishim lart. Vareshim e tundeshim në ajër. Pushoni! Pushoni… – Vala zemërake e turmës sikur ra në bunacë. – Pushoni! Këta shqiptarë të mallkuar, këta banditë, këta spiunë na morën në qafë… Morën më qafë mijëra e mijëra bij të Italisë, se kapërcenin vijën e parë e i tregonin grekut pozitat tona… Pastaj na sulmonin nga shpina… – bërtiste me sa kishte në kokë një oficer aty mbi vapor. Turma e ngriti më lart se ne, gjer në qiell, sharjen dhe mallkimin. – Vdekje spiunëve! Vdekje banditëve! U hutova. Nga fundi i detit, tani në qiell. Ç’kishin me ne? ç’kishte me ne ai oficer që lehte si i tërbuar? – Ne nuk jemi banditë! – bërtiti me fuqi dhe me një italishte të bukur Mistoja. – Banditë janë ata që na zunë derën… që na vrasin, që na varin, që na arrestojnë. Iloja, që ishte ngjitur fare me mua e ngriti zërin më lart: – Ja ku janë banditët… ja ku janë kasapët e popullit italian! –dhe me të dyja duart e lidhura tregonte oficerin dhe karabinierët. Ata poshtë, sikur do të na hanin me dhëmbë. Ne lart këndonim. I pari ia nisi Iloja:
Avanti, popolo, alla riscossa bandiera rossa triomfera…
Lëshoje vinçin! Lëshoje shpejt! – urdhëronte oficeri me duar e këmbë… Kënga ngrihej më lart se ne. Përhapej më tej vaporit nga shikonin të shastisur. Turma kishte heshtur e na shikonte gjithashtu e shastisur. Ne tundeshim në erë duke kënduar. / KultPlus.com