O moj Shqypni, e mjera Shqypni, Kush te ka qitë me krye n’hi? Ti ke pas kenë një zojë e randë, Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati, Me varza t’bukura e me djelm t’ri, Gja e vend shumë, ara e bashtina, Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira; Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira. Kur kriste pushka si me shkrep moti, Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun. Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë, I ka shti dridhën gjithë Rumelisë; Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra, Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da. Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je? Po sikur lisi i rrxuem përdhe, Shkon bota sipri, me kambë, të shklet E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet. Si mal me borë, si fushë me lule Ke pas qenë veshun, sot je me crule, E s’të ka mbetun as em’n as besë; Vet e ke prishun për faqe t’zezë. Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra, Ndër nji qind ceta jeni shpërnda; Ca thone kam fè ca thonë kam din; Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin” Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë, Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë! Priftnit e hoxhët ju kanë hutue, Për me ju damun me ju vorfnue! Vjen njeri i huej e ju rri n’votër, Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni, Besën e t’parëve t’gjith e harroni, Baheni robt e njerit t’huej, Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej. Qani ju shpata e ju dyfeqe, Shqiptari u zu si zog ndër leqe! Qani ju trima bashkë me ne, Se ra Shqypnia me faqe n’dhe! E s’i ka mbetun as bukë as mish, As zjarm në votër, as dritë, as pishë; As gjak në faqe, as nder ndër shokë, Por asht rrëxue e bamun trokë! Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra, M’ata sy t’bukur q’dini me qa, Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë, Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder; Ka mbet e vejë si grue pa burrë, Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë! Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë, Qi njeri i huej ta shklasë me kambë? Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia, Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia! Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu, Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia: Feja e shqyptarit asht shqyptaria! Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë, Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë Kush mos na e preki, se desim t’tanë Të desim si burrat që vdiqnë motit Edhe mos marrohna përpara zotit. / KultPlus.com
“Agim Ramadani ishte një strateg i shkëlqyer ushtarak dhe një lider me vizion të qartë për një Kosovë të lirë dhe demokratike. Ai nuk e humbi kurrë besimin tek liria dhe drejtësia. Lufta e tij në Betejën e Koshares do të mbetet përgjithmonë një simbol i lavdisë dhe trimërisë në historinë tonë kombëtare”, ishin fjalët për Komandantin e Brigadës 138 Agim Ramadani, në Akademinë Përkujtimore të organizuar nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, në vendin ku heroi veproi për Kosovën dhe u nis për të luftuar deri në vdekje, në Betejën e Koshares.
Në prani të qindra mërgimtarëve nga Zvicra, Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, Ish-komandantit të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Rrustem Berisha, familjarëve e bashkëluftëtarëve të heroit si dhe përfaqësuesve të organizatave dhe shoqatave të ndryshme, në Cyrih të Zvicrës u mbajtë Akademi Përkujtimore në kujtim dhe nderim të jetës dhe veprës sublime të heroit, Agim Ramadani.
Para të pranishmëve Gërvalla tha që Agim Ramadani nuk ishte vetëm ushtarak, strateg dhe luftëtar i shkëlqyer, ai ishte një shpirt artisti, shkrimtar dhe piktor që kulturën dhe popullin e tij i donte me gjithë zemër. Atëherë kur Kosova pati nevojë, ai la pas jo vetëm Zvicrën, por edhe artin edhe vargun dhe mori armët, i bindur se liria është vlera më e lartë për të cilën ia vlen të luftosh.
Ministrja e Jashtme më tej tha që në Betejën e Koshares, Agimi tregoi trimëri të pashoqe dhe strategji të jashtëzakonshme para se më 11 prill 1999, të vritet në ballë të frontit çlirimtar, aty ku përgjithmonë u hoq guri famëkeq i kufirit. Beteja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare ishte dhe mbetet beteja e krenarisë dhe lavdisë, betejë e heronjve që jetësuan ëndrrën shekullore. Ministrja Gërvalla në fund tha që vepra, vendosmëria dhe trimëria e Agim Ramadanit dhe të gjithë heronjve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, do të jetë gjithmonë një udhërrëfyes për të ardhmen tonë.
Nga ana tjetër, bzashkëluftëtarët e heroit Agim Ramadani, ndanë kujtime nga lufta e tyre çlirimtare duke e cilësuar heroin si një njeri me vlera të rralla njerëzore dhe i vendosur që të jetësojë amanetin e dëshmorëve për çlirimin e Kosovës.
“Akademia përkujtimore u shoqërua me poezi të Agim Ramadanit, të lexuara dhe shoqëruara me pika të mrekullueshme muzikore nga këngëtarja shqiptare me reputacion të jashtëzakonshëm në Zvicër, Elina Duni si dhe instrumentist, Elmir Berisha.”, thuhet në njoftim.
Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Ditën Kombëtare të Luksemburgut.
Me anë të një postimi në platformën X, ajo ka theksuar se ai aleatë dhe miq demokratikë, Kosova dhe Luksemburgu mbeten plotësisht të përkushtuar për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit.
“Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e kahershme të Luksemburgut për rrugën tonë euroatlantike!”, ka thënë Osmani.
Klube motoristësh nga vendet e rajonit dhe më gjerë janë bërë pjesë e aktivitetit “Moto Festival 2024” në Korçë, duke sjellë një atmosferë të veçantë për qytetin dhe qindra vizitorë e turistë që kanë zgjedhur Korçën për të pushuar.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga atmosfera e krijuar në kuadër të këtij festivali, që u ndërthur jashtëzakonisht bukur me mikpritjen e traditën e mirënjohur korçare.
“Netë fantastike në Korçë me Korça Moto & Rock Festival. Klube motoristësh nga vende të ndryshme të rajonit, qindra vizitorë dhe adhurues të muzikës Rock zgjodhën Korçën këtë fundjavë”, shkroi Rama.
Mbi 600 motoristë nga e gjithë bota morën pjesë në “Korça Moto Festival”, pjesëmarrës janë bërë pjesë e eventit që organizohet për të disatin vit radhazi në Shqipëri, duke sjellë motoristë nga shtete të ndryshme të rajonit të cilët parakaluan nëpër qytet duke sjellë një atmosferë elektrizuese. Të gjithë i bashkon pasioni për motorin dhe muzikën të cilën e ndanë me qytetarët e shumtë që shijuan paradën e tyre por edhe mbrëmjet me muzikë.
Korça Moto dhe Rock Festival për të disatin vit organizohet në Korçë si një prej evenimenteve me të veçanta verore që gjallëron qytetin dhe i jep dinamikë sezonit veror./atsh/ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, përgatitjet për Samitin e Komunitetit Politik Evropian, si dhe për bashkëpunimin bilateral midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, presidentja Osmani, sikurse në samitet e kaluara, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim, presidentja dhe ambasadori diskutuan për temat që do të trajtohen në këtë samit, si dhe për kontributin e Kosovës në këtë drejtim. Samiti do të mbahet në ”Blenheim Palace” në Mbretërinë e Bashkuar në korrik.
Në takim u diskutua po ashtu edhe për bashkëpunimin bilateral në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fusha të ndryshme.
Në veçanti, sipas kumtesës së Presidencës, Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve britanikë në fushën e mbrojtjes, dhe tha se si Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndihet krenare për arritjet e vazhdueshme të vajzave dhe djemve të FSK-së në akademitë më prestigjioze ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar.
Pasi kam mbaruar pjesën më të madhe të librit “ Ditari i një kinoregjisori” të Endri Kekos, më është kujtuar një pohim i Borhesit, i cili thotë: “libri është një zgjatim i kujtesës dhe imagjinatës”. Dhe vërtet, përmes këtij libri unë kam krijuar një perceptim tjetër për njeriun dhe artistin Endri Keko, por pse jo edhe për disa bashkëkohës të shquar të tij.
Ka dy gjëra të cilat janë pjesë shumë e rëndësishme në këtë perceptim tjetër: sinqeriteti dhe përkushtimi në raportet vetiake me shoqërinë dhe vendin, si dhe mirënjohja. Në këtë ditar që nuk është ditar, por një libër i cili profilon jo vetëm autorin por, në mënyrë të veçantë sjell thelb nga ajo kohë, bashkëkohësit dhe mentorët e autorit protagonist.
Endri Keko duke folur në pjesën e ditarit për mentorin e tij rus Ilia Kopalin flet për një mirënjohje njerëzore e cila ngrihet në nivelin më të lartë intelektual sepse nuk flet vetëm për aktin dhe procesin marrës – dhënës të mentorisë mes nxënësit ose studentit të vet, por flet për një marrëdhënie njerëzore që krijon dimensionin e njohjes së perimetrave të ndryshme shoqërore që ndanin mentorin në vendin ku ishte në perandorinë e atëhershme dhe studenti në një vend të vogël. Dhe për këtë arsye, në të premten e 1976-ës, kur ndërroi jetë Ilia Kopalin, në ditarin e vet Endri Keko jo vetëm që gjen një mënyrë të ngrohtë shkrimore për të adresuar mirënjohjen si një nga virtytet njerëzore të fisnikërisë vetiake që mbarte ai por, në mënyrë të veçantë sjell edhe përkufizimin e veçantë për mentorin e tij.
Aspekti i dytë i vlerësimit për këtë botim, ka të bëjë me mënyrën se si është ndërtuar libri. Në fakt është një mënyrë që mua më ka dhënë një leksion përsa i përket marrëdhënies aq komplekse që ka njeriu me kohët që jeton.
Dikur, im atë (Lefter Çipa), duke folur për kompleksin që kishim ne të pas viteve ’90 për kohën paraardhëse, të tij, më pat thënë: “Sandër, njeriu bën vetëm një kohë. Të mirë apo të keqe, atë kohë bën. Dhe në atë kohë ai ka mundësinë të lerë vetëm një vepër. Ju, nëse do merrni përsipër të retushoni apo krijoni modelin ilustrues të kësaj kohe me logjikën dhe konjukturën tuaj, do të gaboni për vete sepse ne nuk na ndryshoni dot dhe aq më tepër kohën në të cilën ne lamë punën tonë”.
Pikërisht, duke lexuar këtë libër unë e kam rikthyer këtë epistolat i cili është shumë i rëndësishëm për marrëdhënien kontribuitive të një intelektuali me veprën e vet të cilën e le pamvarësisht nga kontekstet, konjukturat dhe aq më tepër sistemet politike.
Dhe, pjesa tjetër spikatëse në tekst që më duhet ta pohoj ka të bëjë me faktin që ky është një libër në të cilin sillet një profil i plotë i një intelektuali dhe kapaciteti të lartë kontribuesi në jetën shoqërore të vendit. Del dimensioni i tij si artist, po mbi të gjitha del portreti i luftëtarit të Luftës së dytë Botërore dhe këtë gjë duhet ta marrim në konsideratë.
Inspirueshëm në libër na shfaqet shpirti i tij, ai i një aktivisti shoqëror dhe jo vetëm politik, një shpirt që e kishte burimin e rëndësishëm të formimit dhe kontributit, si dhe tek lidhja gjenealogjike ashtu edhe tek mishërimi qytetar me fatin e kombit dhe shoqërisë.
Në këtë brendi, libri është strukturuar në një mënyrë të tillë atipike, përshtypje bërëse. Kontributi i Endri Kekos nuk është thjesht i kinoregjisor, pastaj si skenarist, si publicist etj. Madje. meqenëse jam në fushën time, tek publicistika, më duhet ta them që kontributi i tij në publicistikën shqiptare ka të bëjë jo thjesht me disa cikle shkrimesh, artikujsh, por me disa lëmi. Ka materiale shkrimore që lidhen me memorialistikën, ka artikuj që lidhen me artin dhe kryesisht formën estetike të servirjes së tij, me marrëdhënien që ka arti me kontributin dhe aktualitetin shoqëror. Ndërkohë që pjesa sipas meje, që evidentohet aq qenësishëm tek ky libër, ka të bëjë me kontributin e tij si një nga kontributorët e fototekës shqiptare. Në këtë libër gjen disa fotografi që janë autentike dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për ciklin e fotografive nga dhe me Lasgush Poradecin, por edhe për emra dhe personazhe të njohur ndër gjeneratat njerëzore të shekullit të shkuar.
Për këtë botim të sjellë, dua të them një lëvdim që duhet t’ja bëj mikut tim të shtrenjtë Ilir Keko. Eshtë e vërtetë e mishëruar se familja Keko të krijon një koncept autentik për ekzistencën e dinastisë. Të gjithë pjestarët e kësaj familjeje janë të një kontributi me rezonim gjithë kombëtar dhe më shumë se aq, në fusha të ndryshme të artit dhe të komunikimit…
Dhe për të realizuar në memorialistikën familjare një shërbim të tillë me disa libra të pakrahasueshëm ( nga Xhanfize, tek Dori dhe së fundi Endri Keko), nevoitet jo vetëm një kulturë por kryesisht njohja e posaçme dhe rigoroze si ajo që ka Ilir Keko për të vetët. Ajo që e shquan këtë punë të bekueshme të tij, ndër të tjera, ka lidhje jo vetëm me tipologjinë por në mënyrë të veçantë, me respektimin skrupuloz të parimit të arkivizmit familjar./tema/ KultPlus.com
Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka dalë me një vendim në lidhje me incidentin e ndodhur pas përfundimit të ndeshjes së EURO 2024, Shqipëri-Kroaci, ku ishte i përfshirë sulmuesi kuqezi Mirlind Daku.
Komisioni i UEFA-s ka vendosur të pezullojë për dy ndeshje futbollistin shqiptar, i cili nuk do të mund të luajë kështu në ndeshjen e radhës ndaj Spanjës, në program për t’u luajtur të hënën e 24 qershorit në Dyseldorf.
UEFA nisi hetim ndaj FSHF-së për sjelljen e tifozëve në ndeshjen Kroaci-Shqipëri, por edhe ndaj sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, më 20 qershor.
Pas ndeshjes me Kroacinë, ofendoi dhe shau maqedonisht.
Pas kësaj ai reagoi në rrjete sociale duke shkruar:
“Përshëndetje të gjithëve
Së pari dua të jem falënderues ndaj të gjithë atyre që na kanë përkrahur në momentet e mira dhe të vështira në Euro 2024.
Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, ku vetëm brenda fushës mund të kuptohen, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, “Shqipëri dashni pa kufi”.
Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona.
Falja është burrërore dhe e ndjej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar.
Me respekt, Mirlind Daku”./topchanel/ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se për herë të parë në Kosovë është duke vazhduar digjitalizimi masiv i lëndëve të arkivës.
Me anë të një postimi në platformën X, ai ka theksuar se brenda tre viteve pritet të jenë të digjitalizuar më shumë se 7 milionë dokumente.
“Në kohën tonë, arkivi digjital është një mjet thelbësor për të ruajtur kujtesën tonë institucionale dhe kolektive, si dhe për t’i bërë qytetarët që të kenë qasje më shumë në to”, ka pohuar Kurti.
A mass digitization of archival material is under way in Kosova, for the very first time. With state-of-the-art, high-resolution scanners already in place, in 3 years, we expect to have more than 7 million digitized documents.
Kalendari turistik i eventeve verore vjen edhe këtë vit i harmonizuar në aplikacionin TEA (Tourism Events of Albania).
Ndërsa ndau një video informuese mbi këtë aplikacion, kryeministri Edi Rama u shpreh se ky është udhërrefyesi digjital i Shqipërisë turistike.
“Shkarko aplikacionin TEA, udhërrefyesin digjital të Shqipërisë turistike dhe do të gjesh:
kalendarin e eventeve me detajet përkatëse; akomodim pranë vendeve ku shija lokale nuk mungon; si dhe kontaktet e emergjencës për çdo të papritur. Eksploro Shqipërinë si asnjëherë më parë, më sigurt, më lehtë”, shkruan kryeministri.
TEA (Tourism Events of Albania), kalendari digjital i turizmit është një platformë e mirëorganizuar e programeve turistike, kulturore dhe artistike që u shërben turistëve që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë.
Aplikacioni TEA është i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Në aplikacion gjenden aktivitetet që ndodhin gjatë sezonit turistik në çdo kohë dhe në çdo vend. Mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni do të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.
Ky kalendar turistik digjital është realizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit në koordinim me institucione të tjera si Ministria e Kulturës dhe të gjitha bashkitë e vendit./atsh/ KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja promovoi sot aktivitetin e fundit që tërhoqi të apasionuarit pas fotografisë, si pjesë e konkursit “Snap the Site”. Këtë fundjavë, ata u ndalën në Kullën Veneciane në Durrës dhe Kishën e Shën Ndoit në Kepin e Rodonit për të shkrepur fotot e tyre më të mira.
Fotografi i njohur Armando Babani ndau me pjesëmarrësit disa teknika që tregojnë më mirë vlerat e këtyre siteve.
“Të apasionuarit pas fotografisë u ndalën këtë fundjavë në Kullën Veneciane në Durrës dhe Kishën e Shën Ndoit në Kepin e Rodonit për të shkrepur fotot e tyre më të mira si pjesë e konkursit “Snap the Site”.
Fotografi i njohur, Armando Babani, ndau me pjesëmarrësit disa teknika që tregojnë më mirë vlerat e këtyre siteve, të rehabilituara rishtazi falë mbështetjes së BE-së përmes programit EU4Culture, zbatuar nga UNOPS”, shkruan Gonxhja./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti iu ka kërkuar komuniteteve joshumicë që “të përfshihen aktivisht edhe në jetën publike, përveçse në atë shiqërore”.
Kurti përmes një videoje të publikuar në Facebook i ftoi anëtarët e komuniteteve joshumicë që të aplikojnë në thirrjet e hapura për t’u punësuar në institucionet publike të vendit.
“Denonconi pengesat burokratike apo diskriminimin. Për mundësi të barabarta, le ta shpërndajmë barazinë”, tha ai.
Kurti tha se Qeveria e ka themeluar “ekipin ndërinstitucional për promovimin dhe punësimin e komuniteteve të nënpërfaqësuara me synim që të përmbushim dhe respektojmë kuotën prej 10% siç parashihet me ligjet tona”.
Nga tkimet, bisedat e ndërveprimet e rregullta me ushtarë të FSK-së, policë të Kosovës, shërbyes civilë e personel mjekësor nga radhët e komuniteteve joshumicë, Kurti tha se “çdo ditë e më shumë ma thellojnë bindjen për kontributin qenësor që ata kanë për shtetin, republikën dhe shoqërinë tonë”
“Për mundësi të barabarta, le ta shpërndajmë barazinë”, tha ai. / KultPlus.com
Data 23 qershor e vitit 1972 e ndau nga jeta Akaki Khorava. Nuk ka njeri që nuk e njeh si fytyrë, por pak e din se cili emër fshihet pas personazhit të Skënderbeut në filmin e vitit 1953.
Ai është gjeorgjiani Akaki Khorava, lindur më 29 prill 1895. Studimet i ka kryer në Kiev dhe Tbilisi. Në 1939 u bashkua me Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Katër herë u zgjodh anëtar i Këshillit Suprem Sovjetit (1937-1958). Në vitin 1946 merr titullin “Artist kombëtar i BRSS”. Po ashtu është nderuar pesë herë me Çmimin “Stalinisti” dhe dy herë iu dha “Urdhri i Leninit”.
Pas një karriere të mirë si aktor e regjisor, ndërroi jetë një ditë si sot, më 23 qershor 1972 në Tbilis.
Në dokumentet e ish-Arkivit Qendror të Partisë, gjendet ky material ku për filmin “Skënderbeu” shkruhet se: “Ne lidhje me filmin Skenderbeg artistet tane kane dale mire ne provat dhe nga mezi i Tetorit do të niseshin per ne krime. Keto prova i ka pare edhe shoku Komandat kur ishte ne Moske, prandaj i lutemi asaj Drejtorie qe te informohet nese shoku Komandat ka nonje vrejtje ne lidhje me kete çeshtje per tja transmetuar Legates s’one ne Moske”. / F.14/APSTR, V. 1952, D. 626. / KultPlus.com
Shkrimtari Ali Jasiqi lindi në Jasiq të Junikut më 1937. Shkollën fillore në Junik e në Deçan. Shkollën Normale e filloi në Gjakovë dhe e kreu në Prishtinë. Në Prishtinë kreu Fakultetin filologjik – gjuhë e letërsi shqipe, shkruan KultPlus.
Ka punuar gazetar në të përditshmen “Rilindja”, kryeredaktor i revistë për kulturë, art e letërsi “Fjala”, drejtor i Njësisë punues të revistave në kuadër të NGBG “Rilindja” dhe kryeredaktori i revistës letrare “Jeta e re”. Ka qenë sekretar dhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Me shkrime letrare filloi të merret si nxënës. Në fillim ka shkruar poezi dhe proza, për t’u kushtuar mandej kritikës letrare dhe studimit. Vjershën e parë e botoi në “Zani i rinisë” më 1957.
Ka përgatitur për botim përmbledhjen e tregimeve “Ago Jakupi dhe rrëfime të tjera“ të Mitrush Kutelit, botuar nga Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Kosovës më 1967, tregimet “Talush Efendia” të Zekeria Rexhës (të nënshkruara me pseudonimin Ramë Zuka), botuan nga “Rilindja” në vitin 1973, përmbledhjen e poezive për fëmijë “Lulet e para” të Fahredin Gunges dhe Bedri Hyses, ka përgatit disa numra tematik të revistës letrare “Jeta e re”, qoftë vetëm apo edhe me bashkëpunëtor etj. Ka bashkëpunuar me të gjitha revistat letrare që botoheshin në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi. /KultPlus.com
Fadil Vokrri njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe mbetet futbollisti më i njohur dhe i adhuruar në Kosovë.
Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futbollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit. Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi. Mirosllav Bllazhevic, trajneri i KF Prishtina e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.
Fadili i rrethuar nga tifozët
Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Në atë kohë Fadil Vokrrit iu propozua të luante edhe për Dinamo e Zagrebit. Fadil Vokrri e shpjegon kështu pse vendosi të luante për KF Partizani dhe jo Dinamo e Zagrebit: “Pikërisht “Partizani”, ka qenë ekipi i parë që ka shprehur interesim për mua. Arsyeja për të kaluar në radhët e “Partizanit”, së pari ka vendosur afërsia kilometrazhe Prishtinë-Beograd, pastaj siç dihet atëbotë të ish-Jugosllavisë, “Partizani”, ka pasur shumë simpatizues në Kosovë, sepse ky ekip gjithnjë kishte ndonjë shqiptar të aktivizuar në klub. Për nga shikueshmëria “Partizani” ka pasur Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, tri qendra kryesore për rekrutimin e lojtarëve. Edhe unë si fëmijë, si çdo moshatar i imi isha simpatizues i “Partizanit” të Beogradit, d.m.th. si shumica e kosovarëve, andaj këto ishin arsyet që unë kalova në radhët e ekipit të “Partizanit”. Kushtet që më pat ofruar ky ekip ishin shumë të mira, e qe besa edhe “Prishtina”, me transferimin tim tek “Partizani”, nuk është ndarë keq për nga “leku”, kështu që të gjitha komponentët u përmbushën që unë të bëhem lojtar i ekipit të “Partizanit”. Kam kaluar mirë në këtë ekip, mirëpo nuk kanë munguar edhe provokimet e ndryshme. Si p.sh. atëbotë kur minatorët e Trepçës, hynë në zgafellë, TV Vesti nga Beogradi, në emisionin në gjuhën shqipe në orën 17:00, më kanë ftuar që unë të bëja thirrje, që minatorët të dalin nga zgafella (kjo është hera e parë që këtë po e bëj publike), më janë paraqitur dy-tri herë emra të ndryshëm të sferës së politikës, mirëpo unë u thashë se nuk merrem me politikë dhe se janë politikanët të cilët mund të bëjnë thirrje …”.
Flamurtari – Partizani i Beogradit
Petro Ruci, lojtar i Flamurtarit të Vlorës e kujton kështu atë ndeshje dhe Fadil Vokrrin: “Detyra që na dha trajneri Leonidha Çuri ishte që unë dhe Rrapo Taho të koordinojmë veprimet tona për të ruajtur mirë sulmuesit më të rrezikshëm të Partizanit të Beogradit Milko Gjurovski dhe Fadil Vokrri. Për vetë mënyrën e lojës, që u krijua, më takoi mua të luaj ndaj bashkatdhetarit tim Vokrri. Ai ishte një lojtar i shpejtë, i fortë fizikisht, kërcente shumë në ajër dhe e godiste mjaft mirë topin me kokë. Ai ishte një futbollist mjaft i vështirë për çdo mbrojtje kundërshtare. Si i tillë, ai ishte i vështirë edhe për ne.”
Fadil Vokrri kujton nga këto 2 ndeshje: “Në takimin e parë që e zhvilluam në Vlorë, ekipi i “Partizanit”, ka qenë shumë i dobët, ku humbëm 2:0. Në Kavajë i kam 30 familje kushëri, babai im komunikonte me ta nëpërmjet letrave dhe ekipi ynë më të arritur në Vlorë, një natë para ndeshjes, kanë qenë 2000 tifozë, që më prisnin. Për mua ishte diçka madhështore, me këtë rast dua të falënderoj trajnerin tim në atë kohë Fahredin Jusufin (ish-trajner i Partizanit), i cili më dha leje speciale që të dal dhe të përshëndetem me atë tifozëri që më prisnin. Tani kur po flas po më rrëqethet trupi dhe bashkë me ta kam bërë dikund 1000 fotografi, ndoshta dikush brenda nga klubi më ka përcjellë, mirëpo lejen ma dha Jusufi. Ndërsa sa i përket lojës ““Flamurtari”, me plotë meritë fitoi 2:0″, ndërkaq në ndeshjen e kthimit në Beograd, Fadil Vokrri, shënoi golin e dytë, si dhe në Vokrrin shkaktohet penalltia, “Partizani” udhëheq 2:0, ekipi ynë luan shumë mirë, e po ashtu edhe Fadil Vokrri, njëri ndër lojtarët më të mirë në terren, mirëpo në fund të takimit Sokol Kushta shënoi gol, pastaj portieri i “Flamurtarit”, Arapi, ka qenë në formë shumë të mirë, kështu që “Partizani”, u eliminua nga garat. Humbja e “Partizanit” ka qenë shumë e rëndë, u pasqyrua shumë keq, ku thuhej se si është e mundur që një ekip si “Flamurtari”, ta eliminojë ekipin e “Partizanit” të Beogradit, me famë të madhe, kështu që vërtet humbja në Beograd, u përjetua shumë rëndë. Kjo u pasqyrua menjëherë në lojën për Kupën e ish-Jugosllavisë, kundër “Iskres” (anëtar i Ligës së Dytë), ku humbëm, kështu që humbja ndaj “Flamurtarit”, na destabilizoi në tërësi”.
Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola.
Fadil Vokrri luan për një periudhë kohe për NIM, Francë.
Në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë.
Pas një kohe të suksesshme atje, Fadili u kthye në Kosovë dhe u bë president i Federatës së Futbollit Kosovar, FFK.
Vdiq në Prishtinë papritmas më 9 qershor 2018, pas një ataku kardiak.
Pas vdekjes së Vokrrit, stadiumi në vitin 2018 u riemërtua nga Stadiumi i Qytetit në Stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndërsa, kujtojmë se sot shtatorja e legjendës së sportit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), do të përurohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. / KultPlus.com
Autoritetet në Meksikë kanë rigjetur një vazo të humbur antike nga koha e Majave. Artefaktin e kishte blerë një grua amerikane për më pak se 5 dollarë në një dyqan të sendeve të përdorura.
Anne Lee Dozier mori së fundmi një shprehjeje mirënjohjeje nga ambasada Meksikane në Washington DC për kontributin që dha në rikthimin e vazos që 1,200-1,800 vjeçare në vendin ku e ka origjinën.
Një dëshmi e vyer e historisë sonë majanë kthehet në shtëpi…falë bujarisë së Lee Dozier,” thuhej ndër të tjera në postimin e ambasadorit meksikan në SHBA, Esteban Moctezuma Barragán në platformën “X”.
“Ky xhevahir historik do të riintegrohet në koleksionin e [Muzeu Kombëtar i Antropologjisë dhe Historisë së Meksikës] për të ruajtur trashëgiminë tonë të pasur kulturore.”
Siç tregoi vetë për mediat, Anne e kishte blerë vazon rreth vitit 2019 në dyqanin 2A Thrift në Clinton, Maryland. Nuk dihet sesi përfundoi vazoja antike në dyqanin e sendeve të përdorura në SHBA. / KultPlus.com
Me parqe kombëtare të lavdishme dhe një mënyrë tradicionale jetese, vendi ballkanik tregon se si nga udhëtimi i gjelbër mund të përfitojnë si vendasit ashtu edhe vizitorët.
Në kodrat mbi fshatin Tragjas në Vlorë, në jugperëndim të Shqipërisë, po vrapoj pas një fermeri të quajtur Sofo, me një gotë raki në njërën dorë dhe një trekëndësh me petulla të freskëta në tjetrën. Muzgu po nxjerr dritën e ditës nga qielli, ne jemi vonë dhe dhitë duhet të mjelen.
Sofo dhe gruaja e tij Dhurata po na presin për darkë në “restorantin” e tyre në fshat. Ne ecim deri në fermë nga rruga përmes barit me nyje, grykës dhe sherebelës së shfrenuar – dhe na presin me raki. Dhurata më jep petulla të mbushur me djathë dhie të bërë vetë dhe unë nxitoj pas Sofos.
“Kjo është ajo që ndodh në Shqipëri”, thotë udhërrëfyesi ynë, Elton Caushi. “Njerëzit duan t’ju japin gjëra gjatë gjithë kohës dhe kjo ju ngadalëson.”
Është e vërtetë. Kudo që shkojmë, dyert hapen dhe biseda dhe oferta për freskim na vijne. Duke udhëtuar përreth takoj alpinistë, udhëtarë në kamp, një grup studentësh nga Universiteti i Bristolit që eksplorojnë me makinë dhe një çift britanik gjysmë pensionist që po ecin me biçikletë. Të gjithë ata nuk kanë veçse lëvdata për mikpritjen shqiptare.
Unë jam këtu me operatorin turistik Intrepid, për të provuar një pjesë të udhëtimit të tyre nëntë-ditor, të drejtuar në partneritet me Meet (Përvoja Mesdhetare e EkoTurizmit). Meet inkurajon banorët në zonat e mbrojtura dhe të cenueshme që të zhvillojnë përvoja autentike nga të cilat përfitojnë projektet e ruajtjes dhe komunitetet lokale. Akomodimi është në bujtina, hotele të vogla dhe agroturizëm, dhe përvojat udhëhiqen në vend.
Vitet e fundit Shqipëria ka filluar të joshë kërkuesit e diellit në vendpushimet bregdetare duke përfshirë Sarandën, Himarën dhe Vlorën. Por është një vend me bukuri natyrore mbresëlënëse dhe rëndësi ekologjike, siç zbulon së shpejti vizita jonë.
Itinerari i plotë merr ujërat e kaltërta të liqenit të Komanit dhe lumit të qetë të Shalës, në veri të vendit, për zhytje sublime. Ka gjithashtu një shëtitje fakultative në Mollë në ultësirën e Alpeve Shqiptare, si dhe kohë në kryeqytetin Tiranë dhe në plazhin turistik të Vlorës.
Përveç matjes dhe monitorimit të gjurmës së vizitorëve, përfshirja e Meet në turne ka rritur angazhimin me njerëzit vendas dhe ka shpërndarë shpenzimet në komunitetet lokale. Vendi ku qëndrojmë, aktivitetet tona, çfarë hamë dhe si lëvizim (me automjete elektrike dhe në këmbë, biçikletë dhe varkë) janë vlerësuar shume.
Udhëtimi ynë përfshin një ndalesë në kompleksin e kalasë në majë të kodrës së Beratit, i cili i ka rrënjët që në antikitet; është po aq e bukur sa çdo tjetër që kam parë, me shumicën e ndërtesave që datojnë nga shekulli i 13-të. Qendra historike dhe dy kodikë të Beratit të zbuluar në Muzeun e njohur Onufri mbrohen nga Unesco. Kisha më e vjetër e qytetit, Trinia e Shenjtë, ka pamje panoramike mbi luginën e lumit Drinos dhe masivin e Shpiragut.
Ndërsa Liqeni i Shkodrës, i cili ndahet me Malin e Zi, është një nga rezervatet më të mëdha të shpendëve në Evropë, ne vizitojmë një rezervat më pak të njohur, por po aq të rëndësishëm në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta, dy orë me makinë në jug të Tiranës. I pasur në biodiversitet, parku ka identifikuar rreth 25 lloje gjitarësh, 29 lloje zvarranikësh (përfshirë breshkat e detit), 29 amfibësh dhe 230 lloje shpendësh. Qendra e saj e rehabilitimit të shpendëve, e vetmja në Shqipëri, ka trajtuar pelikanë, shqiponja, kukuvajka, zuzar dhe lejlek.
Ekosistemi i lagunës së Karavastasë, brenda parkut, është shtëpia e pelikanit dalmat nën kërcënim – një nga zogjtë më të mëdhenj të ujërave të ëmbla në botë – dhe një strehë për speciet shtegtare. Kalojmë nja dy ditë duke eksploruar grykëderdhjet dhe shtigjet e tij me varkë dhe biçikletë, duke kaluar natën në hotelin e vogël me tre yje Hotel Pelikan, buzë parkut.
Pamja jonë e parë e ligatinave dhe zogjve është nga maja e një kulle shikimi prej druri gjatë një drekë pikniku. Rrugës për atje, Eltoni thërret në një shtëpi fshati për një lakror (një byrek popullor shqiptar) dhe një enë me kos të kripur të shkumëzuar, ose dhallë .
“Është një vend joortodoks,” thotë Eltoni, “Por peizazhi është i mrekullueshëm.” E ndjek me dhallën në njërën dorë. Eltoni shpalos një qilim dhe ne ulemi nën rrezet e diellit duke ngrënë pastë të mbushura me qepë dhe domate, të lara me qumësht të thartë. Më pas një shkëlqim flamingosh më të mëdhenj ngrihet në qiell.
Në qendrën e rehabilitimit, rojtari në detyrë, Ervin Allushi, na tregon se grupi i parë i entuziastëve britanikë të zogjve e ka vizituar në vitin 2016. “Kemi kormoranë pigme, çafka të vogla dhe 255 palë çakall të artë. Një grup erdhi vetëm për t’i parë ata,” thotë ai.
Numri i pelikanit dalmat është rritur nga 27 fole në 2014 në 85 në 2020, por lajmet se një aeroport i ri do të hapet në fund të vitit të ardhshëm në Vlorë, 45 milje në jug të Divjakë-Karavasta dhe brenda peizazhit të mbrojtur që rrethon një lagune, ka befasuar organizatat e ruajtjes. Ance Švajnzger i Intrepid Travel thotë: “Aeroporti jo vetëm që përbën një rrezik potencial për jetën e egër, ai gjithashtu nuk do të ketë një ndikim pozitiv në Shqipërinë rurale nëse udhëtarët nuk hanë, qëndrojnë dhe blejnë me biznese në pronësi lokale”.
Ne marrim një varkë të vogël përgjatë një delta të një lumi të njelmët për të dalluar jetën e shpendëve, duke ndalur për të parë me dylbi ishullin me rërë ku kanë folenë pelikanët.
Të nesërmen në mëngjes ecim me biçikletë në një shëtitore nëpër një pyll me pisha për në fshatin Babunjë, ku Eva dhe Adriatik na mirëpresin në shtëpinë e tyre. Adriatik, një punues druri dhe gurgdhendës, na tregon punën e tij dhe ne pimë kafe turke ndërsa shikojmë sesi ai gdhend gurin.
Dreka është pilaf pule, patëllxhan i mbushur dhe rosë në supë me kos. Sigurisht që është i sapopërgatitur: “Dje vrava pulën dhe rosën”, thotë Adriatiku. “Vera është nga fqinji im. Komshiu im tjetër është me pushime. Herën tjetër do t’ju shërbej verën e tij – është më mirë.” Ikim me krahët plot me shegë të freskëta.
Zhytja jonë në natyrë, veçanërisht në parkun kombëtar, ka qenë një pikë kryesore; njohuritë tona mbi thjeshtësinë rurale një bonus i papritur. Në fermën e Sofos dhe Dhuratës, ku djathi piqet në lëkurë dhie, tenxheret gatuhen mbi thëngjill dhe flakë dhe fermerët fqinjë luajnë në fyell, më duket sikur jam kthyer pas në kohë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, kur flas me Arnau Teixidor nga Meet, ai më thotë se është i emocionuar për partneritetet e organizatës në Shqipëri – jo vetëm për shkak të punës për të mbrojtur lagunën e Karavastasë: “Ka këtë veçanti dhe një karakter që vështirë të gjendet në Evropa tani – mënyra tradicionale për të bërë gjërat dhe artizanë që ofrojnë një kuptim të vendit.” Pas pesë ditësh në vend, e dija saktësisht se çfarë donte të thoshte. /The Guardian/ KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj shkoi sot te familja Haradinaj në Gllogjan të Deçanit, ku bëri edhe nderime për të dëshmorët.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u shpreh i nderuar me vizitën e shefit të shtetit shqiptar, të cilit tha se ia iu dha titulli “Qytetar nderi i Deçanit”.
“Sot na nderoi me vizitë në familje në Gllogjan dhe në komunë në Deçan, Presidenti i Shqipërisë, Shkelqësia e tij, Gjeneral Bajram Begaj. Komuna e Deçanit nderoi Presidentin Begaj duke i dedikuar titullin “Qytetar nderi i Deçanit””, shkroi Haradinaj në Facebook.
“Gjaku s’bëhet ujë, së bashku me Presidentin e Shqipërisë nderuam të rënët për liri në kompleksin memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan. Lavdi të rënëve për liri! Faleminderit President Begaj! Faleminderit“, shtoi ai. / KultPlus.com
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka ndarë në rrjetet sociale foto nga Korça, e cila u “pushtua” nga nga klube motoristësh nga rajoni, si edhe qindra vizitorë, për të shijuar “Korça Moto & Rock Festival”.
“Dy net të mrekullueshme të “Korça Moto & Rock Festival”!”, shkruan Peleshi.
“Klube motoristësh nga vende të ndryshme të rajonit dhe qindra vizitorë zgjodhën Korçën këtë fundjavë, ku bashkë me adhurues të muzikës rock, mbushën sheshin para Katedrales deri pas mesnate. Atmosferë elektrizuese duke kërcyer dhe kënduar me artistët Rock më të mirë në Shqipëri”, vijon postimin e tij Peleshi.
Ministri Peleshi mbyll postimin e tij, duke theksuar se, energjia dhe spektakli do të vazhdojnë edhe ditën e sotme në Korçë. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Darëzezës, në Fier.
Bregdeti i Darëzezës në Fier është një nga zonat më të bukura buzë detit Adriatik, me një rërë kurative. Me 18 km vijë bregdetare ende për t’u shfrytëzuar, Qarku i Fierit ofron një potencial të vërtetë për zhvillimin e turizmit veror.
Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot disa pamje nga zona e Darëzezës, për të promovuar këtë pjesë të bregdetit të Adriatikut.
Plazhi i Darzezës, rreth 20 km larg Fierit, po frekuentohet gjithnjë e më shumë nga pushues vendas e të huaj. Darzeza, Semani, Ndërnënasi, Pish Poro janë vetëm disa nga plazhet e vijës bregdetare të Fierit, që në pjesën më të madhe të tyre janë ende të panjohura, edhe pse shumë të bukura dhe me pak shpenzime.
Plazhe ranore me shtrirje të konsiderueshme dhe brezi i pyllit të pishave që bashkëshoqëron vijën bregdetare të ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.
Hapësira pafund bregdetare me rërë të imët kurative, plazhe familjare me ujëra të ngrohta dhe të cekëta, të pasura me gjallesa ujore, janë ato që të ofron kjo pjesë e Adriatikut.
Ndërkohë gatimet tradicionale me prodhime vendase dhe çmime të përballueshme mbeten joshja e pushuesve në bregdetin e Fierit.
Vija bregdetare e Fierit nuk ofron vetëm plazhe, por edhe vende fantastike për aventurë, për qitje me pjatel në pyll, eksplorim, peshkim apo sporte ekstreme. / KultPlus.com
Me ujërat e saj ngjyrë bruz, plazhet me rërë të artë dhe shkëmbinjtë e saj të gjelbër, Riviera Shqiptare është plot me atraksione!, shkruan Fatima Haim në një artikull të botuar në revistën franceze “EnVols”.
Ne ju rekomandojmë të zbuloni Ksamilin, plazhin më të bukur në Shqipëri.
Me pamje nga ishulli grek i Korfuzit, plazhi i bukur i Ksamilit është një nga destinacionet më të njohura bregdetare në vend.
Me 300 ditë diell në vit, Shqipëria është shumë tërheqëse.
Ky xhevahir i Rivierës Shqiptare, i kufizuar nga deti Jon, është një vend i paharrueshëm.
Ksamili ofron restorante, shezllone, madje edhe varka të vogla për të eksploruar brigjet. Një cep i vërtetë i vogël i parajsës në zemër të Ballkanit!
Ksamili, një plazh me bukuri mahnitëse!
Në jug të Shqipërisë, Ksamili është një destinacion mjaft i preferuar për shqiptarët dhe turistët e huaj!
I vendosur përballë Korfuzit, vetëm 2 kilometra nga kufiri grek, ky fshat i vogël bregdetar është një vend që nuk duhet humbur!
Ksamili ofron një peizazh që ngjason me një kartolinë: një plazh me ujëra të kristalta, rërë të imët, masivë shkëmborë të rrethuar nga bimësia …
Në distancë mund të shihni edhe ishuj të vegjël të shpërndarë në detin Jon.
Ka një atmosferë të butë dhe paqësore që frymëzon qetësinë. Një destinacion perfekt për pushime në bregdet!
Aty do të gjeni shumë restorante ku mund të shijoni specialitete lokale, kryesisht peshk ose produkte deti.
Për aktivitete si zhytje, Ksamili është vendi ideal: shtrati i detit është plot mrekulli për t’u zbuluar!
Gjiri i Ksamilit është gjithashtu shtëpia e vendeve të shumta të zhytjes!
Zbuloni zonat përreth Ksamilit…
Gjatë vizitës tuaj në Ksamil mund të eksploroni disa vende tërheqese në zonën përreth:
Ishujt e Ksamilit
Këta ishuj të vegjël të pabanuar, të cilët mund të shihen nga plazhi, janë shumë afër. Në varësi të ishujve, ju mund të arrini atje me varkë ose kajak.
Qyteti i Sarandës
E vendosur rreth 20 kilometra nga Ksamili, Saranda është gjithashtu një destinacion i njohur bregdetar.
Parku Kombëtar i Butrintit
Ky park 9400 hektarësh ndodhet afërsisht 20 kilometra nga Saranda.
Është një vend arkeologjik, i listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i cili është shtëpia e një qyteti antik të populluar nga grekët dhe më pas romakët.
Ju mund të shihni mbetjet e një teatri romak, një tempull, një akropol, etj.
Plazhet rreth Ksamilit
Përveç plazhit të Ksamilit, i cili është më i bukuri në Shqipëri, ka edhe pika të tjera për t’u zbuluar.
Mund të përmendim disa: Plazhi i Manastirit – i rrethuar nga kodra të gjelbëruara, Plazhi i Pasqyrës -uji i të cilit është aq transparent sa i ngjan një pasqyre, Plazhi i Pemës së Thatë – 6 kilometra nga Ksamili.
Syri i Kaltër
Ky vend ofron një spektakël natyror magjepsës: një burim uji blu që buron nga një shpellë dhe që të sjell imazhin e syrit të njeriut./ KultPlus.com
Ndryshimet klimatike janë duke nxitur valë të rrezikshme të nxehtësisë në hemisferën veriore këtë javë dhe do të vazhdojnë të shkaktojë mot të rrezikshëm për dekada me radhë, sipas një hulumtimi, raporton Reuters.
“Ne tani po vuajnë nga një valë e nxehtit mbarëbotëror”, tha Christiana Figueres, ish-shefe e agjencisë së OKB-së për klimën.
Më poshtë mund të lexoni se si ndryshimet klimatike po e shtyjnë nxehtësinë të arrijë shkallë ekstreme.
Si po e nxisin ndryshimet klimatike nxehtësinë?
Derisa djegia e vazhdueshme e lëndëve djegëse fosile lëshon më shumë emetime të karbonit në hemisferë, ajri mund të mbledhë më shumë të nxehtë nga dielli, dhe kështu e nxit rritjen e temperaturës mesatare globale me kalimin e kohës.
Temperatura mesatare globale është rritur tashmë për gati 1.3 gradë celsius prej se ka filluar Revolucioni Industrial, kur vendet e Perëndimit nisën të djegin thëngjill dhe lëndë të tjera djegëse fosile.
Kjo rritje nënkupton se ndryshimet klimatike janë duke i bërë valët e nxehtësisë më të nxehta sesa do të kishin qenë ato pa ngrohje atmosferike. Ato po bëhen gjithashtu edhe më të shpeshta në përgjithësi – dhe më të rrezikshme si pasojë.
Secila valë e nxehtësisë “është bërë shumë më e mundshme dhe më e nxehtë sesa do të kishte qenë, si pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga dora e njeriut”, tha në fillim të këtij muaji shkencëtari Daniel Swain nga UCLA.
“Në këtë kohë, ta bësh një deklaratë të tillë është diçka e vogël, sepse ka tepër dëshmi për ta mbështetur këtë”, tha ai.
Cili është ndikimi i ndryshimeve klimatike?
Përveç ngrohjes globale, ka edhe faktorë të tjerë dhe kushte të cilat mund të ndikojnë në valët e nxehtësisë. Fenomenet klimatikë si, El Nino apo La Nina, mund të kenë ndikim të madh, së bashku me sistemin e qarkullimit të erërave.
Edhe mbulimi i tokës mund të luajë rol, sepse sipërfaqet e errëta dhe mjediset ku ka ndërtime bëhet më të ngrohta sesa sipërfaqet e bardha apo mjediset natyrore si, pyjet apo lagaterat.
Për ta kuptuar se sa shumë kanë ndikuar saktësisht ndryshimet klimatike në një valë të caktuar të nxehtësisë, shkencëtarët kryen “hulumtime të atribuuara”.
Ata i kanë kryer qindra studime të tilla në dekadën e fundit duke bërë simulime kompjuterike për t’i krahasuar sistemet e sotme të motit me atë se si do të kishte qenë moti nëse njerëzit nuk do ta kishin ndryshuar kiminë e atmosferës gjatë shekullit të fundit.
Për shembull, shkencëtarët në Atributin e Motit Botëror kanë gjetur se nxehtësia e rrezikshme në Azinë e Jugut në prill, ka gjasë të ketë ndodhur falë ndryshimeve klimatike. Gjatë një vale të nxehtësisë në verilindje të qytetit indian Kolkata, temperatura arriti 46 gradë celsius – që është 10 gradë më lart sesa mesatarja sezonale.
Çfarë mund të presim në të ardhmen e afërt?
Edhe sikur emetimet e karbonit do të ndaleshin sot, bota ka lëshuar mjaftueshëm karbon për të garantuar se ndryshimet klimatike do të vazhdojnë të ndikojnë në rritjen e temperaturave për dekada.
Bota duhet patjetër t’i ulë emetimet përgjysmë nga nivelet e vitit 1995 deri në vitin 2030 – si dhe në shkallë zero deri në vitin 2050 – për ta pasur mundësinë për ta mbajtur rritjen e temperaturës mesatare në rreth 1.5 grandë nën mesataren paraindustriale, sipas shkencëtarëve nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshime Klimatike.
Megjithatë, emetimet globale vetëm sa janë rritur prej vitit 1995. Bota është në binarë për ta arritur mesataren prej 2.7 gradë deri në vitin 2100, që do ta tejkalojë pragun prej 1.5, përtej të cilit shkencëtarët kanë parashikuar ndikime katastrofike dhe të pakthyeshme në klimë.
Fakti se miliona njerëz “në Shtetet e Bashkuara vuajnë nga valë të papara të nxehtësisë, është tregues i faktit se ne ende nuk i kemi adresuar ndryshimet më të këqija klimatike”, tha Figueres për Reuters të enjten. /REL/ KultPlus.com
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës,Lumir Abdixhiku, ka takuar sot ish gjeneralin e NATO’s, Wesley Clark dhe i ka ndarë atij dekoratën “Ibrahim Rugova”.
“Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ish-gjeneralin e NATO-s Wesley Clark, me ç’rast i ka ndarë edhe dekoratën ‘Ibrahim Rugova’, për rolin historik dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës.”
Abdixhiku tha se kontributi i Clark është një gurthemel në historinë e Kosovës.
“Prania juaj sot këtu është një dëshmi e thellë e lidhjeve të qëndrueshme të miqësisë dhe solidaritetit që keni përfaqësuar përmes shërbimit tuaj të jashtëzakonshëm dhe mbështetjes themelore për popullin e Kosovës. Gjeneral Clark, emri juaj është i gdhendur në themelet e historisë së Kosovës si simbol i guximit, lidershipit dhe i një përkushtimi të palëkundur për drejtësi dhe paqe”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se gjatë orëve më të errëta të luftës sonë për liri, vendosmëria dhe veprimet veprimtare të gjeneralit Clark i dhanë shpresë dhe forcë një kombi të etur për liri.
“Udhëheqja juaj gjatë ndërhyrjes së NATO-s ishte një pikë kthese që jo vetëm ndryshoi rrjedhën e historisë sonë, por edhe siguroi mbijetesën dhe të ardhmen e jetëve të panumërta – të njerëzve tanë!”, tha Abdixhiku.
“Gjeneral Clark, kjo dekoratë jo vetëm që simbolizon vlerësimin tonë të thellë, por edhe njohjen tonë për vlerat që ju përfaqësoni – vlera që përputhen ngushtë me vizionin e udhëheqësit tonë të nderuar, Dr. Ibrahim Rugova”, tha ai. / KultPlus.com
Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, sot do të jetë për vizitë në Kosovë.
Ai do të takohet në mëngjes me kryetarin e LDK’së, Lumir Abdixhiku i cili do t’ia ndajë Clarkut dekoratën “Ibrahim Rugova”.
“Nesër (e diel), në Selinë Qendrore, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës me bashkëpunëtorë pret në takim Gjeneral Wesley Clark. Kryetari Abdixhiku po ashtu Gjeneralit Clark i ndan Dekoratën dr. Ibrahim Rugova, për rolin historik dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës.”
Clark shërbeu si Komandant Suprem i Aleatëve në Europë i NATO-s nga viti 1997 deri në vitin 2000, duke komanduar Operacionin e Forcave Aleate gjatë luftës në Kosovë. Ai kaloi 34 vjet në ushtrinë amerikane, duke marrë shumë dekorata ushtarake, disa tituj nderi dhe Medaljen Presidenciale të Lirisë./ KultPlus.com