Java e Kulturës Braziliane, Karnavale në Lungomare

Javët kulturore Ndërkombëtare sjellin për herë të parë në Shqipëri Javën Kulturore Braziliane. Nga datat 21 deri më 29 qershor nga Tirana në Vlorë do të organizohen shfaqje filmash, koncert harqesh, aktivitete letrare dhe muzikore.

E veçanta e kësaj jave do të jenë Karnavalet Braziliane, një traditë e njohur në mbarë botën.

Energjia dhe kultura unike e Brazilit nis me një natë poetike më 21 qershor, në Teatrin Metropol, në Tiranë. Mbrëmja e 24 qershorit i është rezervuar koncertit të harqeve nga ansambli i njohur “Camerata Balcanica”, tek Qendra Kulturore e Katedrales Ortodokse në kryeqytet. Ky grup përbëhet nga 10 artistë të rinj dhe të talentuar të muzikës klasike nga Ballkani Perëndimor, të cilët do të sjellin në skenë një përvojë të jashtëzakonshme muzikore me një repertor që do të përfshijë vepra nga kompozitorë të njohur brazilianë, duke ofruar një përzierje harmonike të tingujve klasike dhe motiveve tradicionale braziliane.

Për të gjithë admiruesit e kinematografisë, në Kinema Millenium më 25 qershor do të transmetohet, filmi brazilian “Behind the Sun”. Prodhim i vitit 2001, realizuar me regji të Walter Salles dhe frymëzuar nga novela “Prilli i Thyer” i Ismail Kadaresë, trajton jetën e një familjeje të varfër në Brazilin rural, e cila përballet me konflikte të brendshme dhe sfida të shumta në përpjekje për të mbijetuar dhe për të ruajtur shpresën.

Edhe datat 27 qershor dhe 28 qershor, i janë rezervuar dy filmave të tjerë interesant brazilian. “Bossa Nova”, një komedi romantike që tregon historinë e një grupi njerëzish në Rio de Janeiro, të cilët ndërlidhen përmes dashurisë dhe pasionit për muzikën pa dyshim që do sjellë një natë emocionuese tek Qendra e Artit Agimi më 27 qershor.

Ndërsa me 28 qershor, do të shfaqet filmi brazilian “Two Sons of Francisco”, një dramë emocionuese dhe frymëzuese që rrëfen historinë e vërtetë të jetës së dymbëdhjetë vjeçarëve nga një fshat i varfër i Brazilit të cilët ndjekin ëndrrën e tyre për të bërë karrierë në botën e muzikës sertanejo.

Ato që priten më me shumë entuziazëm janë karnavalet Braziliane që do të organizohen mbrëmjen e 29 qershorit, në Lungomaren e Vlorës nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Në një shfaqje të paparë, ky manifestim kulturor do të sjellë ritmin, ngrohtësinë dhe ngjyrat e Brazilit në zemrën e bregdetit. Karnavalet Braziliane do të sjellin për publikun një performancë e mrekullueshme, duke përfshirë perkusionistë të talentuar brazilianë, balerina dhe kërcimtarë profesionistë të disiplinës “Capoeira” që me lëvizjet e tyre do të na tërheqin në botën ritmike të karnavaleve./atsh/KultPlus.com

E moshuara gjermane nervozohet nga zhurma e tupanit, i bërtet të riut që po e mbante (VIDEO)

“Euro 2024”, që këtë vit po mbahet në Gjermani, ka krijuar shumë zhurmë në qytetet e këtij shteti, nga tifozët e zjarrtë që po përkrahin kombëtaret e tyre.

Mirëpo, festa e tyre me muzikë e të bërtitura, duket se ka shqetësuar një të moshuare të Gjermanisë.

Në një video që po qarkullon në rrjete sociale, ajo shihet e acaruar nga zhurma e tupanit. Sipas pamjeve tifozët duket të jenë të kombëtares së Turqisë./KultPlus.com

Kori i Fëmijëve “Okarina” dhe “KultPlus” me mbrëmjen e veçantë “Muzika në lagje”

Dita e Muzikës do të shënohet me një ngjarje të këndshme në lagjen Ulpiana, përkatësisht në KultPlus Caffe Gallery ku do të performojnë fëmijët e Korit Okarina, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje është organizuar nga “Kori i Fëmijëve Okarina” dhe gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus” dhe ka për qëllim përfshirjen e lagjes në evente kulturore dhe mu për këtë qëllim eventi titullohet “Muzika në lagje”.

Ky event do të mbahet më 21 qershor, prej orës 19:30 në KultPlus Caffe Gallery dhe është i hapur për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e festës së muzikës.

Më poshtë është njoftimi i plotë e organizatorëve.

Festojmë Ditën e Muzikës me Korin e Fëmijëve “Okarina” dhe KultPlus 🎶

Bashkohuni në një koncert të veçantë për Ditën e Muzikës, organizuar nga Kori i Fëmijëve “Okarina” në bashkëpunim me KultPlus.

Do të jetë një mbrëmje e mbushur me muzikë, argëtim dhe momente të paharrueshme!

📅 Data: 21 Qershor
🕒 Ora: 19:30
📍 Vendi: KultPlus CaffeGallery

Fëmijët e talentuar të korit “Okarina” do të performojnë një përzgjedhje të bukur këngësh që do të kënaqin çdo zemër. Ky është një event që nuk duhet humbur për të gjithë dashamirësit e muzikës!

Në koncert do të kemi kënaqësi të dëgjojmë dhe instrumentist nga institucione te ndryshme të muzikës që veprojnë në kryeqytet!

Merreni nga nje batanije me vehte, uluni ku të ju dëshiron zemra në ambientin e jashtëm të KultPlus, dëgjoni muzikë të bukur dhe festoni me ne fuqinë dhe bukurinë e muzikës! 🎤🎵/ KultPlus.com

“Na vaftë mbarë”, Elhaida Dani fillon punën si drejtoreshë artistike e Festivalit të 63-të në RTSH

Këngëtarja e njohur shqiptare, Elhaida Dani, ka njoftuar se ka marrë rolin e ri si Drejtoresha Artistike e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar.

Ajo ka shkruar se ky festival ka një rëndësi të madhe për të, sepse është rritur në atë skenë dhe e ka të qartë se sa e veçantë është për të gjithë.

“Të jesh pjesë e këtij eventi madhështor është një privilegj dhe një përgjegjësi e madhe që e marr me shumë seriozitet. Patjeter nuk do jem vetëm por do kem ekipim tim të profesionistëve më të mirë në Shqipëri, të cilët do i bëjmë të ditur në ditët në vazhdim”, ka shkruar këngëtarja.

Tutje, Dani është shprehur se do të jetë rigoroze në të gjitha fazat e punës, në mënyrë që ky festival të jetë më i miri ndonjëherë, dhe se është e lumtur se po merr mësime nga më të mirët si Sanremo, direkt në selinë e Rai.

“Këto mësime të vlefshme do t’i sjell me vete në vendin tonë për të bërë më të mirën për festivalin tonë të dashur”, ka shtuar ajo.

Filma kushtuar 80-vjetorit të Çlirimit në kinemanë verore të DPA-së

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) prezantoi kalendarin e shfaqjeve të filmave në Kinemanë Verore, kushtuar 80-vjetorit të Çlirimit, si dhe aplikacionin e ri të rezervimit të biletave, ku hyrja është falas.  Në kinemanë verore të DPA-së do të mbahen edhe shfaqje teatrore dhe filma artistikë të Universitetit të Arteve (UA), që do të mund të rezervohen përmes këtij aplikacioni.

Duke filluar nga data 24 qershor, Kinemaja Verore pranë DPA-së do të nisë një sezon të ngjeshur artistik me shfaqjen e realizimeve filmike, që risjellin kushtrimin e dëshmorëve të atdheut. Përmes kësaj nisme, DPA-ja përcjell një mesazh shumë të rëndësishëm: janë pikërisht të rinjtë dhe të rejat ata që kanë dalë në mbrojtje të atdheut, kur liria e tij ka qenë e rrezikuar. Falë tyre, gëzojmë sot një vend të pavarur, që e drejtojnë vetë shqiptarët.

Kinemaja verore ka një kapacitet prej 140 ulësesh, ku do të shfaqen 10 filma, për ndjekjen e secilit prej tyre, të interesuarit duhet të kryejnë rezervimin e ulëses së tyre, duke iu drejtuar adresës teater.

Kjo nismë, që gëzon bashkëpunimin me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), vjen në vazhdën e synimit të DPA-së për t’i njohur të rinjtë me të shkuarën, nëpërmjet formave bashkëkohore.

Në repertorin e përzgjedhur, bëjnë pjesë filmat:

“Gjeneral Gramafoni”, më 24 qershor, ora 20:00;

“Lulëkuqe mbi mure”, më 16 korrik, ora 20:00;

“Partizani i vogël Velo”, më 25 korrik, ora 20:00;

“Mëngjese lufte”, më 14 gusht, ora 20:00;

“Yjet e netëve të gjata”, më 29 gusht, ora 20:00;

“Njeriu me top”, më 11 shtator, ora 20:00;

“Nusja dhe shtetrrethimi”, më 24 shtator, ora 18:00;

“Malet me blerim mbuluar”, më 8 tetor, ora 18:00;

“I teti në bronz”, më 28 tetor, ora 18:00;

“Kthimi i ushtrisë së vdekur”, më 11 nëntor, ora 18:00./atsh/KultPlus.com

“Nji za dashnije” koncerti recital i Adelina Thaqit, Gjon’s Tears mysafir special

Këngëtarja e njohur Adelina Thaqi është në përgatitjet e fundit të koncertit të saj recital, koncert që e ka titulluar “Nji za dashnije – Për ty Prishtinë” e që përpos që shënon prezantimin e saj në një format të tillë, Thaqi në të njëjtën kohë këtë koncert ia dedikon edhe 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës, shkruan KultPlus.

Adelina Thaqi në një intervistë për KultPlus ka treguar se këtë koncert nuk e quan si rikthim në skenë, por si vazhdimësi e krijimtarisë së saj artistike, duke pas parasysh se angazhimin me fushën e muzikës nuk e ka ndërprerë asnjëherë.

“Është një ndjenjë e bukur, përmbushëse, më bën me u ndi e fuqishme, e gjallë, sepse muzika, këndimi është gjuha ime me të cilën unë shprehi ndjenjat, dashurinë, jetën, gjithë anët e mira të jetës, por edhe ato sfiduese”, ka thënë Thaqi e cila ka shtuar se rikthimi i saj po bëhet në një mënyrë shumë të bukur, pasi që po vjen me një koncert recital.

Ajo në këtë koncert do të prezantohet me 15 paraqitje, paraqitje që do të shoqërohen edhe nga artistë të tjerë, por që nuk ka zbuluar se kush do të jenë ata këngëtarë që do të ngjiten në skenë bashkë me Adelinën, përpos emrit të mysafirit special e që është Gjon Muharremaj, i njohur me emrin artistik Gjon’s Tears, i cili kishte përfaqësuar Zvicrën në Eurovision, i cili me vota të jurisë pat zënë vendin e parë, sukses që e kishte shënuar në vitin 2021.

“Gjoni do të paraqitet me një këngë, sikurse që do të prezantohet me një këngë tjetër edhe me mua. Dua ta falënderoj publikisht, sepse na ka nderuar shumë me pjesëmarrjen e tij në këtë koncert” ka thënë Thaqi.

Adelina Thaqi ka zbuluar se në këtë koncert recital do të publikohet edhe një këngë e re, këngë që është dedikim për babin e saj të ndjerë.

Krejt në fund ajo ka thënë se ky koncert i dedikohet gjithë punës së saj, karrierës, dashamirësve të këngës së saj, dhe e fundit, por më thelbësorja, ky koncert vjen edhe dedikim për 25 vjetorin e Çlirimit të Prishtinës. Koncerti do të mbahet më 27 qershor, në Klan Arena e që do të fillojë në ora 19:30. / KultPlus.com

20 qershor 1944, Gjergj Kokoshi ngarkohet zyrtarisht për të drejtuar arsimin në vend

Më 20 qershor 1944, Gjergj Kokoshi ngarkohet zyrtarisht për të drejtuar arsimin në vend.

Gjergj Kokoshi u lind në Shkodër më 1904, studimet i kreu në Itali dhe Francë për filozofi, më pas mori titullin doktor në Paris për letërsi. Në vitin 1930 ai u kthye për tu bërë pjesë e trupës akademike në gjimnazin shtetëror në Shkodër dhe në Tiranë.

Në vitin 1944 emërohet Ministër i Arsimit në qeverinë provizore të drejtuar nga Enver Hoxha, ku organizoi kongresin e arsimtarëve antifashistë dhe hartoi platformën për një arsim cilësor. Kokoshi pa kaluar shumë kohë jep dorëheqjen më 13 janar 1945.

Më pas ai dënohet me 30 vite burg dhe dërgohet në Burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel aty ku edhe vdiq në vitin 1960.

Gjergj Kokoshi nuk u martua asnjëherë dhe nuk la pasardhës. / KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të at Antonio Belushit

Ka vdekur Antonio Belushi, prifti arbëresh i cili me jetën e veprën e tij është identifikuar më së shumti me qenien e arbëreshëve të Italisë në gjysmë shekullin e kaluar.

Me këtë rast ka shpreh ngushëllime edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila veprimtarinë dhe kontributin e Belushit për shqiptarët e vlerësoi lart.

KultPlus ju sjell yë plitë reagimin e presidentes Osmani.

Me dhimbje të thellë mora lajmin për kalimin në amshim të at Antonio Belushit, veprimtarit të paepur të çështjes shqiptare, i cili përveç se kultivoi me pasion gjuhën arbëreshe, nga vitet ‘90, bashkë me Presidentin Rugova e veprimtarë të tjerë, e mbrojti të drejtën e shqiptarëve për liri.

Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për familjen e miqtë, kishën arbëreshe, institucionet e popullin arbëresh të Kalabrisë e gjithë Italisë së Jugut.

Kam pasur nderin ta takoja në bibliotekën e pasur të tij, të cilën e krijoi dhe e mbajti me aq përkushtim deri në vdekje.

Si Presidente e vendit, kur ia akordova shtetësinë e Kosovës, ishte i stërlumtur, sepse e iu plotësua dëshira e tij jetësore.

I përhershëm qoftë kujtimi për at Antonio Belushin!/ KultPlus.com

Festivali “The NECE” sjell në Tiranë edukimin qytetar mbi sfidat e reja të shoqërisë

“The NECE Festival” do të vijë në Tiranë, në datat 14-17 nëntor, për të bërë bashkë shoqërinë civile, politikën, akademikët, median dhe kulturën për bashkëpunim dhe shkëmbim ndërdisiplinor të ideve të ndryshme mbi “Edukimin Demokratik në Evropë”.

Në takimin e organizuar nga The Civic Innovation Hub dhe partnerët SCiDEV ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja për të promovuar këtë festival.

Ministri është shprehur se, nismës “Edukimi për Demokracinë në Evropë” i bashkohet edhe Shqipëria, për t’u përballur me edukimin qytetar mbi sfidat e reja që hasen në shoqëri.

Vetë filozofia e The NECE Festival bazohet në një platformë e cila mbledh njerëz nga e gjithë bota për t’u lidhur, mësuar dhe për t’u rritur në frymën e demokracisë qytetare.

“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duke u mbështetur në misionin dhe strukturat e saj është e motivuar për të qenë një nga pikat e forta të vendit për edukimin qytetar dhe implementimin e reformave demokratike evropiane në vend”, shkruhet në një postim të MEKI-t, në rrjetet sociale.

“A Thua Ëndërr Ishe Ti”, ekspozita që do të prezantojë veprat e artistëve të njohur

Në kuadër të edicionit të katërt të RLIOF do të hapet edhe një ekspozitë me kuratore Arta Aganin, ekspozitë që do të përfshijë kryevpera të artistëve të njohur shqiptarë, si: Adem Kastrati, Engjëll Berisha, Hamdi Bardhi, Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri, Simon Shiroka dhe Zake Prelvukaj, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të hapet më 22 korrrik dhe do të rri e hapur deri më 31 korrik.

Më poshtë është njoftimi i plotë i RLIOF.

Ekspozitë në RLIOF 4: A Thua Ëndërr Ishe Ti 🎨✨

Bashkohuni me ne në ekspozitën e veçantë ‘A thua ëndërr ishe ti’ që shënon fillimin e rrugëtimit të edicionit të 4-të të Festivalit Ndërkombëtar të Operas – Rame Lahaj.

Kuruar nga Arta Agani, ekspozita shpërfaq kryevepra të koleksionit privat të biznesmenit Rasim Mrlakut, përfshirë ato të artistëve të njohur si Adem Kastrati, Engjëll Berisha, Hamdi Bardhi, Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri, Simon Shiroka dhe Zake Prelvukaj. 🖼️🌟

Ekspozita hulumton simbolet e thella dhe shpesh të fshehura që artistët përdorin për të përfaqësuar ëndrrat, dashurinë dhe nostalgjinë. Duke eksploruar këto tema përmes pikturës, ‘A thua ëndërr ishe ti’ synon të zbulojë gjuhën universale të simboleve që flet për thellësitë e përvojës njerëzore. Pikturat e koleksionit të z. Mrlakut përfshijnë një gamë të gjerë temash dhe shprehjesh; megjithatë disa prej tyre në veçanti lidhen për nga poetika që përmbajnë e që korrespondon me festivalin dhe temën e sivjetme ‘T’knoft zemra’.

🗓️Hapja për publikun nga 22 Korriku deri më 31 Korrik

📍Galeria e Fakultetit të Arteve./ KultPlus.com

Ka vdekur ati shpirtëror i arbëreshëve, Antonio Belushi

Ka vdekur Antonio Belushi, prifti arbëresh i cili me jetën e veprën e tij është identifikuar më së shumti me qenien e arbëreshëve të Italisë në gjysmë shekullin e kaluar.

I quajtur edhe “Ati shpirtëror i arbëreshëve të Italisë”, Belushi ka dhënë dëshmi të panumërta për mbrojtjen e kauzës shqiptare, sidomos asaj të Kosovës, si klerik, veprimtar e humanitar.

Ai ka themeluar revistat “Vatra Jonë, “Lidhja”, shoqatën kulturore dhe shtëpinë botuese “G. Kastrioti”, Bibliotekën Ndërkombëtare “Bellusci”.

Antonio Belushi ka botuar studime në periodikët “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Ynë”, “Studime Filologjike”, “Përparimi”.

Prej nga viti 1962 ka bërë udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme, ka marrë pjesë në veprimtari shkencore në kuvende, kongrese në Itali, Shqipëri, Kosovë, Itali, SHBA, Australi.

Ka botuar librat “Këngë fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshë në Frasnitë”, “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshë”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, :Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”./ KultPlus.com

“Albania Guitar Festival” zhvillohet edicioni i 8-të në muzeun “Onufri” në Berat

Në ambientet e Muzeut Ikonografik “Onufri” në Berat u organizua “Albania Guitar Festival”. Bëhet fjalë për edicionin e 8-të të festivalit të Kitarës që këtë vit ngriti siparin në qytetin e një mbi një dritareve. Kitaristi Denis Bizhga me interpretimin e tij mbushi me emocion artdashësit e shumtë, ndërkohë që në flaut ishte edhe artistja holandeze Corien Woestengurg.

 “Këtë vit ne jemi në edicionin e 8 të festivalit të kitarës, kemi zgjedhur qytetin e bukur të beratit, në muzeun Onufri për të dhënë një recital për kitare dhe flaut, do të luaj unë në këtë mbrëmje së bashku me artisten nga Hollanda, Korinë Vashënburg. Një repertor i zgjedhur me periudha të ndryshme stilistike gjithmonë dhe për të respektuar objektin e kultit, por dhe muzeun Onufri dhe gjithmonë për ti dhënë atraksion kulturor qytetit të bukur të Beratit”, Denis Bizhga.

Kitaristi i mirënjohur tregoi edhe arsyen se përse zgjodhi që këtë festival ta zhvillonte në qytetin e Beratit.

“Mendoj që kur muzika është e gërshetuar dhe me objektet të trashëgimisë tonë kulturore, vjen si një vlerë e shtuar për promovimin e traditave tona më të mira dhe kulturës tonë për të gjithë turistët e interesuar “, Denis Bizhga.


Edhe vetë drejtori i Muzeut Ikonografik Onufri tregoi se evente të tilla promovojnë vlerat e jashtëzakonshme jo vetëm të muzeut, por edhe të qytetit.

 “Muzeu ikonografik Onufri si pjesë e qendrës muzeore Berat prej kohësh ka hapur dyert e tij për evente të veçanta kryesisht kulturore dhe muzikore për të promovuar jo vetëm vlerat e këtij muzeu, vlerat e tij të jashtëzakonshme por edhe vlerat e qytetit të Beratit”, Miklor Pasku.

“Turistëve mos ti ofrojmë thjeshtë një orar vizite të muzeut por edhe përtej këtij orari të kemi aktivitete të cilat mbushin dhe plotësojnë në mënyrë perfekte gjithë paketën turistike që ka në bazë trashëgimin kulturore dhe historinë e qytetit të beratit”.Keep Watching

Albania Guitar festival mbyllet në datën 27 qershor ku kitaristi Bizhga do të performojë në natën e fundit  me profesorin dhe kitaristin e njohur Gjerman Gerhard Rahemba.

Nicole Kidman, ikona e kinemasë sot mbush 57 vite

Sot, feston ditëlindjen një prej aktoreve më të shquara dhe më të dashura të Hollywood-it, Nicole Kidman. Aktorja e lindur në 20 qershor 1967 në St. Vincent në Australi, ka arritur një karrierë të shkëlqyer, duke fituar zemrat e shikuesve dhe kritikëve me talentin e saj të jashtëzakonshëm dhe prezencën skenike.

Kidman fillimisht u bë e njohur në Australi për rolet e saj në filma si “BMX Bandits” dhe “Dead Calm”, por ajo u bë vërtet e famshme në skenën ndërkombëtare me performancën e saj në filmin “Days of Thunder” në vitin 1990.

Pasi fitoi vëmendjen e Hollywood-it, Kidman vazhdoi të shkëlqejë në karrierën e saj me role të thella dhe të ndjeshme në filma si “To Die For”, “Eyes Wide Shut” dhe “Moulin Rouge!”, për të cilin ajo u nominua për Çmimin e Akademisë. Ajo fitoi Çmimin e Akademisë për Aktoren më të Mirë në Rolin Kryesor në vitin 2003 për performancën e saj të mahnitshme në filmin “The Hours”.

Nicole Kidman është një aktore e sjellshme, e aftë të shfaqë emocionet në mënyrë të thellë dhe autentike. Ajo ka lënë gjurmë të thella në industria e kinemasë me larmishmërinë e rolave të saj, prekshmërinë e interpretimit dhe aftësinë e saj për të përcjellë histori të ndryshme në mënyrë të besueshme dhe të fuqishme.

Filmi “Big Little Lies” i prodhuar nga HBO, ku Kidman interpreton rolin kryesor, tregon talentin e saj të jashtëzakonshëm si aktore. Për këtë rol, ajo fitoi Çmimin Emmy dhe Çmimin Golden Globe, duke vënë në dukje aftësinë e saj për të portretizuar me saktësi emocione komplekse dhe konflikte psikologjike.

Përveç karrierës së saj në kinema, Nicole Kidman ka arritur sukses të madh edhe në skenën e teatrit dhe televizionit. Ajo ka luajtur në shfaqje teatrale të famshme dhe ka interpretuar role të rëndësishme në seriale televizive të suksesshme.

Nicole Kidman është një personalitet i njohur për stilin e saj të jashtëzakonshëm dhe elegancën. Ajo është një ikonë e modës, gjithmonë e veshur në mënyrë të përsosur dhe në harmoni me ngjyrat dhe stilin e saj.

Përveç talentit të saj të madh si aktore, Kidman është një humaniste aktive dhe mbrojtëse e të drejtave të grave.

Nicole Kidman, si Ambasadore e Vullnetit të Mirë të UNIFEM-it (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Grave), vizitoi Kosovën menjëherë pas përfundimit të luftës, duke shfaqur angazhimin e saj të thellë për të drejtat e grave dhe përkrahjen e viktimave të dhunës dhe konfliktit. Vizita e saj ishte një simbol i solidaritetit dhe ndihmës së nevojshme për të rindërtuar dhe përmirësuar jetën e grave në një kohë kur vendi ishte në rrugën e shërimit dhe rinovimit. Nicole Kidman theksoi rëndësinë e barazisë gjinore, arsimimit dhe ndihmës sociale për të ndihmuar gratë në Kosovë të ndërtojnë një të ardhme të ndriçuar dhe të sigurtë. Vizita e saj në Kosovë tregoi angazhimin e vërtetë të Nicole Kidman për të ndihmuar dhe frymëzuar gratë në mbarë botën.

Me karizmën dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm, Kidman ka lënë një gjurmë të thellë në historinë e kinemasë. / KultPlus.com

Banesa 250-vjeçare në Shkodër, dëshmi e kulturës dhe traditës

Projekti “Të çelen arkapijat”, frymëzuar nga proza e Migjenit me të njëjtin titull, prezanton një tjetër banesë të vjetër të Shkodrës, si mundësi unike për të eksploruar dhe festuar trashëgiminë tonë kulturore.

Kësaj here është përzgjedhur banesa e familjes Çeka, Monument Kulture, Kategoria I, shpallur në vitin 1963. Banesa ruhet mjaft mirë, përsa i përket strukturës ndërtimore, ku spikasin elemente me vlerë historike, arkitektonike dhe artistike, në pjesën e brendshme dhe të jashtme të banesës.

Banesa e familjes Çeka, gëzon një strukturë solide 250-vjeçare, ndërtuar nga dy ushtarë dibranë, ku si në katin përdhes ashtu edhe në murin rrethues mbizotëron muri prej guri. Me stil oriental, kjo banesë ruan tre mjedise karakteristike me ornamente tradicionale, trapazan, musandër, sënduk paje, tavan i punuar prej druri, oxhak stolisur me ornamente dhe elemente të tjerë përbëres të mjedisit që i përkasin “odës së miqve” të periudhës së shek XVIII-XX.
Ky projekt po zbatohet nga Shoqata M.I.R.A dhe mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në kuadër të thirrjes për mbështetje financiare të projekt-propozimeve në fushën art-kulturë-trashëgimi kulturore.

Projekti shihet si një kthim pas në historinë e qytetit të Shkodrës, në kohën kur nis emancipimi në shoqërinë shqiptare, në fillim-shekullin XX. Çelja e arkapijave shënon një kthesë për shoqërinë e kohës, ndryshim që synon lehtësimin e lidhjeve sociale dhe promovimin e lirisë së grave e vajzave.

“Të çelen arkapijat” është një projekt i shoqatës M.I.R.A, që sjell nga kujtesa në realitet disa nga dyert e familjeve shkodrane. Dyer që jo vetëm fshehin histori, por art, kulturë, trashëgimi, arkitekturë, qytetari, etj./atsh/KultPlus.com

20 qershori, Dita Botërore e Refugjatëve

Dita Botërore e Refugjatëve është një ditë ndërkombëtare e caktuar nga Kombet e Bashkuara për të mbështetur refugjatët anembanë globit. Çdo vit më 20 qershor nderohet forca dhe guximi i njerëzve që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar konfliktit ose persekutimit.

Dita Botërore e Refugjatëve është një rast për të krijuar ndjeshmëri dhe mirëkuptim për gjendjen e vështirë në të cilën gjenden si dhe për të vlerësuar këmbënguljen e tyre në rindërtimin e jetës, dikund tjetër.

Sipas të dhënave të OKB-së, çdo minutë 20 njerëz lënë gjithçka pas për t’i shpëtuar luftës, persekutimit apo terrorit. Ekzistojnë disa lloje të personave të zhvendosur me forcë: refugjatët, azilkërkuesit, të zhvendosurit brenda vendit, të kthyerit etj.

Sipas OKB-së me termin refugjat nënkuptojmë dikë që u largua nga shtëpia dhe vendi i tij/saj për shkak të “frikës prej  persekutimit për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësimit në një grup të caktuar shoqëror ose opinionit politik”.  Shumë refugjatë janë në mërgim për t’i shpëtuar efekteve të fatkeqësive natyrore ose të shkaktuara nga njeriu.

Azilkërkuesit janë refugjatë të cilët kanë ikur nga shtëpitë e tyre siç bëjnë refugjatët, por kërkesa e tyre për statusin e refugjatit nuk është vlerësuar ende përfundimisht në vendin ku ata kanë ikur.

Personat e zhvendosur brenda vendit janë njerëz që nuk kanë kaluar një kufi ndërkombëtar, por janë zhvendosur në një rajon të ndryshëm brenda vendit të tyre.

Personat pa shtetësi nuk kanë një shtetësi të njohur dhe nuk i përkasin asnjë shteti. Situatat e pashtetësisë zakonisht mund t’i përjashtojë ata nga aksesi në shërbime të rëndësishme qeveritare, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, arsimin ose punësimin.

Të kthyerit janë ish-refugjatë që kthehen në vendet ose rajonet e tyre të origjinës pas një kohe në mërgim. Të kthyerit kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme dhe ndihmë riintegruese për t’u siguruar që ata mund të rindërtojnë jetën e tyre në shtëpi.

Konventa e OKB-së e vitit 1951 për Refugjatët dhe Protokolli i saj i vitit 1967 janë të vetmet instrumente ligjore globale që mbulojnë në mënyrë eksplicite aspektet më të rëndësishme të jetës së një refugjati. Sipas dispozitave të tyre, refugjatët meritojnë, minimalisht, të njëjtat standarde trajtimi që gëzojnë shtetasit e tjerë të huaj në një vend të caktuar dhe, në shumë raste, të njëjtin trajtim si shtetasit./ atsh / KultPlus.com

Himara, qyteti i vogël bregdetar ku gjen gjithçka

Në Himarë gjen gjithçka. Himara edhe këtë mes qershori është thuajse plot. Qyteti i vogël bregdetar i Rivierës sonë, mbetet vendi i përsosur për t’u qetësuar, për një, dy ose më shumë ditë. E pohojnë vetë pushuesit të cilët thanë për ATSH-në se këtu kanë gjetur gjithçka.

Pyetëm si fillim një çift gjerman, të cilët po drekonin në një nga restorantet e vogla të Potamit.

“Jemi shumë të befasuar, vërtet. Për natyrën kishim krijuar një ide nga fotot dhe instagrami por kur erdhëm, ishte shumë më e bukur. Kemi bredhur në botë në vende të mrekullueshme, por energjinë e Himarës nuk e kemi përjetuar. Sa për ushqimin duhet të jeni krenarë se keni një prej kuzhinave më të mira në botë”, thanë ata.

Himara është një qytet relativisht i vogël, ku njerëzit vijnë për t’u çlodhur e asnjë qëndrim këtu nuk është i plotë pa përhumbjen nëpër plazhet dhe gjiret e saj të mrekullueshme.

Gjen këtu nga të gjitha, plazhe me guralecë, plazhe ranorë, limanë të vegjël, gjire të fshehura me ujëra bruzë e gurë të çmuar.

Një grup të rinjsh britanikë, ndaloi për pak (ishin me biçikleta) dhe iu përgjigj menjëherë pyetjes sonë. Si përfundim ia vlejti ky udhëtim?

“Po super kënaqemi, realisht një vend i paparë fare. Ishim në Kala Festival, fantastike vërtet. Këto ditë pas netëve pa gjumë, patëm mundësi të qetësoheshim dhe të bënim atë për të cilën edhe erdhëm, pedalim dhe aventurë. Kemi gjetur gjire dhe plazhe që janë si në ëndrra. Absolutisht fantastike dhe është kaq lirë. Pastaj Anglia fitoi, çfarë duam më shumë”, u shprehën disa prej tyre.

Patjetër që ky qershor është edhe më i veçantë pasi atmosfera e EURO 2024 e bën Himarën më nacionaliste se kurrë.

Të ndjekësh ndjeshjet e skuadrës së zemrës buzë Jonit është eksperiencë e bukur. Nëse dëshiron “Fan Zone”-n e bashkisë e gjen në pedonale, por nëse shkon me vonesë vështirë se gjen tavolinë, pasi janë të rezervuara. Ky është habitati i tifozave më të zjarrtë.

“Fan Zone” tjetër është mu buzë detit dhe është i veshur krejt me flamuj kuq e zi. Këtu gjen më së shumti grupmosha të reja dhe romantikët e buzëmbrëmjeve.

Ja kështu, qyteti i vogël bregdetar po kalon një tjetër verë të mbarë, pasi mbetet absolutisht një vend special, ku të gjithë turistët vendas dhe të huaj mund të gjejnë lehtësisht parajsën e tyre./atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani viziton ekspozitën e Xhafa-Mripës: Çdo fustan, fund dhe këmishë tregon një histori guximi

Presidentja Vjosa Osmani e ka vizituar ekspozitën “Thinking of You”, në Hagë, ekspozitë kjo e realizuar nga Alketa Xhafa Mripa.

Ekspozitën, Osmani e quajti të “fuqishme” e cila tha se “merr vëmendjen ndërkombëtare që meriton”.

Ky instalacion i jashtëzakonshëm, i cili ishte gjithashtu pjesë e #WPSRKS2024, dhe premierë në #IDESVC, sipas Osmanit, e ka shndërruar Hagën në një homazh prekës për të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin, raporton Klankosova.tv.

“Çdo fustan, fund dhe këmishë—dhuruar nga mbi 20 vende—tregon një histori guximi dhe qëndrueshmërie. Kjo ekspozitë, ku mori pjesë edhe e dërguara ime speciale Vasfije Krasniqi, si dhe Shyrete Tahiri dhe të tjerë të panumërt, është e përkushtuar për të rritur ndërgjegjësimin global për këtë çështje kritike, duke fuqizuar të mbijetuarit të gjejnë zërin e tyre dhe të ndajnë të vërtetën e tyre”, ka thënë Osmani në një postim në X.

Shaqiri hyn në histori, i pari që shënon në gjashtë turne të mëdhenj ndërkombëtarë

Futbollisti shqiptar me shtetësi zvicerane, Xherdan Shaqiri, sonte është bërë i pari në histori të futbollit që shënon në gjashtë turnet më të mëdhenj ndërkombëtarë.

Shaqiri me Zvicrën shënoi në Kupën e Botës në vitin 2014 dhe në Kampionatin Evropian në vitin 2016.

Ai e vazhdoi traditën e shënimit të golave edhe në Kupën e Botës në vitin 2018, më pas në Kampionatin Evropian 2020, për ta bërë të njëjtën gjë në Kupën e Botës në vitin 2022 dhe sonte në Kampionatin Evropian 2024, njofton Klankosova.tv.

Deri më tani në kampionate Botërore dhe Evropiane, Shaqiri ka shënuar gjithsej 10 gola.

Golin e fundit Shaqiri e shënoi sonte kundër Skocisë në minutën e 23-të të ndeshjes.

Nuk mjafton supergoli i Shaqirit, Zvicra ‘ndahet’ në paqe me Skocinë

Zvicra dhe Skocia kanë marrë nga një pikë në ndeshjen e sotme.

Rezultati përfundimtar në ”Rhein Energie Stadion”, ishte i barabartë 1-1, shkruan IndeksOnline.

Një autogol nga Fabian Schar në minutën e 13-të i dha epërsinë Skocisë.

Futbollisti kosovar, Xherdan Shaqiri shënoi një supergol në minutën e 26-të, duke barazuar shifrat në 1-1.

Rezultati nuk u ndryshua deri në fund dhe të dyja kombëtaren moren nga një pikë.

Zvicra është afër kualifikimit në fazën e 1/16, pasi renditet e dyta në Grupin A, me katër pikë, dy më pak se Gjermania e cila ka siguaruar kuallifikimin tutje.

Skocia është në vendin e tretë me një pikë, ndërsa Hungaria e fundit me 0 pikë./IndeksOnline/ KultPlus.com

ANALIZË EURO2024 – Shqipëria përballon suksesshëm Kroacinë

Klaus Gjasula nga ferri në parajsë, kur barazoi  2-2 për Shqipërinë kundër Kroacisë në Euro2024 pas një autogoli, një rezultat që nuk ndihmon ambiciet e asnjërës palë për të dalë nga Grupi B.

Kroacia kapërceu një pjesë të parë të dobët dhe dukej në rrugën e duhur kur golat e  Andrej Kramaric në të 74-ën dhe fatkeqësia e Gjasulës – goditur nga një tentativë largimi nga shoku i skuadrës Berat Gjimshiti – në të 76-ën i çuan 2-1.

Gjasula, i cili kishte hyrë vetëm në të 72-ën minutë, më pas doli në fushë dhe gjuajti në këndin e poshtëm të majtë në minutën e pestë të kohës shtesë.

Shqipëria kaloi në epërsi, jo pas 23 sekondash si kundër Italisë, por në minutën e 11-të, nga goditja me kokë e Qazim Laçit, ku portieri Dominik Livakoviç duhet të kishte bërë ndoshta më mirë.

Skuadra e moshuar e Kroacisë ,e udhëhequr nga 38-vjeçari Luka Modric, i dyti në Kupën e Botës në 2018 dhe i treti në 2022, dukej se e kaloi kulmin e tij në pjesën e parë, por u rikuperua shumë përpara se të mbetej pa fat.

Ishte një ndeshje kyçe për të dyja skuadrat pasi kishin humbur përballjet e tyre hapëse, Kroacia 3-0 kundër Spanjës dhe Shqipëria 2-1 kundër italianëve.

Shqipëria ishte më e lumtur me rezultatin, por barazimi nuk i përmirëson shanset e asnjërës palë, sepse Kroacia përballet me Italinë në ndeshjen e fundit të hënën, ndërsa Shqipëria përballet me Spanjën.

Por, së pari vjen dueli i favoritëve Italia dhe Spanja, të enjten.

Nga ferri në parajsë

“Kam kaluar në ferr në 15 minutat e para”, tha Gjasula për Magenta TV.

“Të gjitha emocionet çlirohen. Dhe me pak fat u bë i mundur edhe një grusht me fat në fund”, shton ai.

Shoku i skuadrës Kristjan Asllani nga kampioni italian Inter Milan foli për “emocione të mëdha për ne”, ndërsa kroati Luka Sucic e quajti rezultatin “shumë të hidhur”.

“Shqipëria ishte shumë kompakte, shumë agresive. Ata na e bënë shumë të vështirë. Por ne duhet të qëndrojmë pozitivë. Ne e dimë se kemi cilësinë për të avancuar në fund të fundit”, tha Suçiç.

Kroacia pasive i lejon Shqipërisë të shënojë

Kroacia kishte tre lojtarë të rinj në formacion në formën e Ivan Perisiç, Bruno Petkoviç dhe Josip Juranoviç.

Ata dominuan topin, por nuk kërcënuan dhe shpejt mbetën prapa.

Shqipërisë iu dha shumë hapësirë ​​për të goditur topin kundër një mbrojtjeje pasive dhe krosimi i Jasir Asanit nga e djathta e gjeti Laçin në shtyllën e afërt, me Livakoviçin që nuk dukej mirë edhe pse goditja me kokë ishte e shkurtër.

Megjithatë, Livakoviç ishte i kujdesshëm ndaj Nedim Bajramit në të 15-ën, akoma më shumë në të 31-ën kur Shqipëria u thye dhe Bajrami provoi sërish, dhe kundër një goditjeje me kokë të Rey Manajt pak para intervalit.

Kroacia lufton pas pushimit të pjesës së parë

Kroacia, e cila nuk kishte arritur një goditje në portë në pjesën e parë dhe ishte me fat që ishte vetëm një gol më pak, tregoi më shumë vendosmëri pas rifillimit, me Mario Pasaliç dhe Sucic në vend të Lovro Majer dhe Marcelo Brozoviç.

Shqipëria u rikthye dhe goli i barazimit nuk ishte befasi.

Kroacia e bëri kthesën vetëm dy minuta më vonë, e merituar, por me shumë fat.

Goditja e Suçiçit nga afër u ndal nga Berat Gjimshiti, por topi goditi këmbën e fatkeqit Gjasula dhe shkoi në rrjetë.

Kthim i vonë

Shqipëria dukej e mposhtur, por gjeti një energji të re në fazat e mbylljes dhe u shpërblye në minutën e 95-të, kur Manaj e vendosi Gjasulën në pozicion goli.

Gjasulës i kishte mbetur ende kohë për të pasur një tjetër tentativë, e cila u bllokua nga Sutalo, ndërsa në anën tjetër Strakosha i mohoi një gol Kovaçiçit./ atsh/ KultPlus.com

Raportet e Nolit me Zogun, Ilir Ikonomi zbulon detaje interesante/ Si u kthyen në armiq, miqtë e mirë

Gazetari Ilir Ikonomi në emisionin “Open” në News24 ka folur për vëllimin e parë të librit Apostull, për të cilin tha se ka gjetur detaje interesante mbi Fan S. Noli, duke theksuar se ai shkonte në Vjenë, për të gjetur në arkiva të dhënat për Skënderbeun.

“Kur ai erdhi në Shqipëri, ai pati rastin të shkonte në Vjenë. Gjithashtu ai tentoi të shkonte në Moskë, por nuk u pajis me vizë. Në vitin 1923 bën një tjetër përpjekje për të shkuar në Moskë, këtë rradhë qeveria atje ia dha vizën, por Noli hezitoi të shkonte, pasi nuk do të mirëpritej ky udhëtim në Shqipëri”, rrëfeu Ikonomi.

Gjithashtu, gazetari zbuloi se Nolin nuk e kanë lejuar të zbresë nga anija në Durrës, ndërsa në Vlorë pa zbritur nga anija, e kishin pritur mirë.

Përsa i takon marrëdhënieve të Nolit me Qeverinë shqiptare apo për përfshirjen e tij nga Kisha në politikë, Ikonomi tha se Noli ishte shumë ambicioz dhe ai mendonte se do të ishte njeriu i vetëm që do të sillte ndryshimin në Shqipëri.

“Noli u mor me kishën në Korçë dhe e njoftuan se e kishin zgjedhur ministër të Jashtëm. E njoftonin Nolin në mënyrë telegrafike që të vinte në Tiranë dhe ai i thoshte jo nuk vij. Më në fund ai pranoi me ndikimin e Zogut. Ne kishim përshtypjen se ata ishin armiq, por në fillim ata ishin miq të mirë. Ka dokumente që Noli i kërkonte Zogut që të paguante shërbëtorin, të paguante qeranë e shtëpisë, madje edhe të priste mobiljet e shtëpisë së Nolit që vinin në portin e Durrësit. Dhe Zogu i kthente përgjigje: shërbëtorin e pagova, qeranë e banesës e pagova dhe mobiljet nuk kanë ardhur ende. Në këtë kohë Zogu ishte ministër i Brendshëm, ndërsa Noli i çonte telegrame nga Italia. Pastaj Noli nisi atë luftën për ta rrëzuar”, tha Ikonomi.

Gazetari ka zbuluar një tjetër detaj interesant kur Sejfulla Malëshova i shkruante Nolit nga Roma. “Më vjen keq që nuk je këtu se po jepen shfaqjet e reja”, ishte detaji i zbuluar nga Ikonomi, duke shtuar se kjo e bënte të kuptonte se Noli dhe Malëshova shkonin dhe shikonin bashkë këto shfaqjet.

Ikonomi tha se Noli ishte i majtë, ndërsa Zogu ishte për një Shqipëri të stabilizuar. “U bë një grusht shteti, i shkuan Pandeli Evangjelit, kryeministrit të asaj kohe, në hotel dhe i kërkuan dorëheqjen, në një kohë kur Parlamenti ishte shpërndarë. E mori Qeverinë, Kaculi i cili pendohet 6 orë pasi mori detyrën, pra kishim një grusht shteti”, tha gazetari./ balkanweb/ KultPlus.com

Feja nuk më mësoi ta dua veten

Arbër Selmani

Feja nuk m’i lindi këngët, mendimet, pranimin, sigurinë.
Profetët pastruan vetëm pasqyrat e tyre
Imamët mbollën veç në kopshtet që kishin
Budistët as ujë për mëshirë nuk më dhanë
Të krishterët gjithmonë më harruan, më zvogëluan
Hoxhallarët qëndisën xhemperë, kurrë për mua
Pastorët shtypën dritën e hyjit tim
Myslimanët ma duan dënesën, vdekjen, pendesën
Gurutë më lanë jashtë poezisë së shenjtë
Myftinjtë bëjnë gjumin në kurriz të sëmundjes sime
Shamanët ankohen për Diellin tim, për çakrat e mia
Murgjit kërkojnë të m’i qepin buzët
Kantorët vjellin mbi letërsinë e letrave që shkruaj.
Feja ma ndalon ta dua tjetrin, atë që dua
Liderëve nuk u puthen idetë
Edhe puthjen feja ma ndalon me vulë
Teologjia më jep veç lot.
Ka një jetë që feja nuk më merr poshtë çarshafit të njerëzisë,
çarshafit të dashnisë./ KultPlus.com

Qeveria i ndan mbi 10 mijë euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar të Luginës

Qeveria e Kosovës i ka ndarë 10 mijë e 270 euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Vendimi u mor në mbledhjen e ekzekutivit, që u zhvillua online.

Ndarja e këtyre parave, u bë me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve lobuese të këtij këshilli, gjatë vizitës në Gjermani këtë muaj.

Kjo u bë e ditur në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Jorge Luis Borges i përgjigjet pyetjes “Përse shkruaj?”

Përgatiti: Albert Vataj

Unë nuk do rrija dot pa shkruar. Përherë kam qenë i bindur se fati im ishte një fat letrar lexuesi si dhe, çuditërisht, shkrimtari. Unë shkruaj për t’iu përgjigjur një domosdoshmërie, një kërkese të brendshme. Sikur të kisha qenë një Robinson Kruzo në ishullin e vet apo një Edmond Dantes i Kontit të Monte Kristos, nuk do të kisha shkruar. Deri në moshën 30-vjeçare besoja gjithçka shkruhej për mua. Më vonë nuk ua vura më veshin. Miqtë e mi e dinë se kur botoj ndonjë libër, nuk duhet të më flasin për të. Prandaj dhe ndodh që kur botoj një libër, nuk di asgjë si e ka pritur kritika, në se e ka pritur mirë apo keq, në se kritika ka qenë e drejtë apo e padrejtë. As si ka shkuar shitja nuk di gjë. Ajo mund t’u interesojë librarëve apo botuesve, s’ka pse t’i interesojë shkrimtarit.

Më kujtohen vargjet e famshme të Kiplingut Duhet të dish të përballosh dështimin dhe suksesin dhe këto dy mashtrime duhet t’i trajtosh njëlloj. Sepse asgjë nuk është aq e dështuar dhe aq e suksesshme sa kujtohet.

Unë nuk i lexoj kurrë ato që kam shkruar. Më ndodh që njerëzit më pyesin: Çfarë do të thotë kjo frazë në këtë rrëfim? Unë u përgjigjem: Unë e kam shkruar këtë rrëfim në kohën e vet dhe që atëherë nuk e kam lexuar më. Një rrëfim shkruhet në një çast të caktuar. pastaj vinë njerëz që kanë kohë për të lexuar. në fund të fundit rrëfimi më shumë u përket lexuesve se sa autorit. Unë mendoj se nuk është fare e mirë të mendosh për të shkuarën, unë mendoj se nuk është mirë të mendosh me rast përvjetorësh. Unë përpiqem të jetoj drejt të ardhmes. Mendoj për atë që do të shkruaj dhe jo për atë që kam shkruar. Në këtë shtëpi është e kotë të kërkoni një libër timin, nuk keni për të gjetur asgjë, me përjashtim vetëm të njërit, një libri të parrezikshëm mbi budizmin që e kemi bërë. Alisia Jurado dhe unë dhe që është përkthyer në gjuhën japoneze. Unë përpiqem të ruaj bibliotekën time.

E kush jam unë që të krahasohem me Volterin apo me Montenjin?

Nëqoftëse, papritur, më duket se diçka dojë ndodhë, zhytem brenda kësaj rrethane, braktıs pasivitetin dhe pres.

Atëherë më shfaqet diçka, një farë zbulimi i turbullt, kjo fjalë është pak pretencioze, prandaj më mirë do ishte të thosha, atëherë më duket sikur shoh diçka që mund të jetë një poemë, një rrëfim, një faqe prozë, që do më zbulohet më pas. Unë përpiqem të ndërhyj sa më pak në atë që shkruaj. Dhe meqenëse nuk kam një mendim të ngrirë, për shembull, etik apo politik, përpiqem t’i përmbaj mendimet e mia të ndërhyjnë në atë që shkruaj. Kiplingu thoshte se një shkrimtari mund t’i ndodhë të shkruajë një fabul pa e ditur ashtu si duhet moralin e saj. Kjo do të thotë se shkrimtari është mbartësi i një trillimi, leximi i së cilës më vonë do të jetë i ndryshëm. Kështu një vepër e tërë mund të përftojë një vlerë që është përtej asaj që ka dashur të shprehë shkrimtari. Një vlerë që për të është e huaj. Ja kjo përputhet me konceptin antik të Muzës, të Shpirtit të shenjtë ose me subkoshenca./ KultPlus.com

Mund të jetë një imazh i 1 person