“Brenga e Prokurorit” në Berat, autori Prençi: Në roman drama njerëzore të shoqërisë

“Brenga e Prokurorit” dhe “Anja” ishin librat që bënë bashkë lexuesit në Berat për një sërë diskutimesh në biblotekën e qytetit Vehxhi Buharaja.

Me dhjetra lexues u mblodhën për të diskutuar rreth romanit “Brenga e Prokurorit” histori ku në qëndër të tregimit është personazhi i prokurorit Martin Guri.

Vetë autori Ahmet Prençi me anë të këtij romani ka pasqyruar një tablo të luftës kundër krimit, mafjes por dhe brengat e të shkuarës tek personazhi kryesor Martin Guri.

“Ishtë një kënaqësi që isha në klubin e librit Berat, dhe u përballa me lexues mjaft të vëmëndshëm dhe të interesuar për librin”, tha shkrimtari dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi.

c“Jam përpjekur të jap mesazhet e mia nëpërmjet temave që kam zgjedhur në dy romanet e mia, janë drama njërëzore që ndodhin në shoqërinë tonë, pritja që i është bërë nga lexuesit të dy librave ka qënë jasht pritshmërive të mia”, tha më tej Prençi.

Drejtuesja e Klubit të librit, Matea Rexhepi, është shprehur se dëshira për të lexuar ka bërë bashkë individë nga fusha e profesione të ndryshme.

“Mblidhemi çdo muaj dhe diskutojmë libra të ndryshëm të autorëve të ndryshëm të huaj dhe shqiptar”, tha drejtuesja e Klubit të Librit në Berat, Matea Rexhepi.

Për Ahmet Prencin, “Brenga e Prokurorit” është Romani tij i pestë, ndërsa me librat e mëparshëm “Anja” Prençi fitoj çmimin “At Gjergj Fishta”./tema/KultPlus.com

Grama në Dibër po zbulohet gjithnjë e më shumë nga turistët

Grama në Dibër është kthyer në një atraksion ku ndalen mijëra vizitorë e turistë të dhënë pas turizmit malor.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndau sot pamje nga kjo zonë, teksa shtoi se, “klima e freskët në Gramë të Dibrës gjatë verës e bën atë një vend ideal për hiking”.

“Përmes bjeshkësh me lule apo në shtigje malore, e gjithë kjo hapësirë është një zonë që po zbulohet gjithnjë e më shumë nga turistët vendas dhe të huaj”, tha Balluku.

Grama është cilësuar perla e Dibrës, e pasur me bjeshkë të sheshta, liqenin e bukur dhe gjelbërim të pafundmë. Me t’u ngjitur në bjeshkët e Gramës, syri sheh vetëm gjelbërim pafund, burime të shumta uji të kristaltë dhe shumë të ftohtë. Në Gramë ka një sërë monumentesh natyrore, ndaj edhe është ndër vendet më të lakmuara nga vizitorët vendas dhe turistët e huaj.

Grama shtrihet në verilindje të Peshkopisë, rreth 12 km larg qytetit dhe shkon deri në 2400 metra mbi nivelin e detit. Ajo është pjesa më e bukur e parkut kombëtar Korab-Koritnik. Ngjitja për në bjeshkë është shumë e bukur, të jep ndjesinë e një ballkoni, pasi prej aty mund të shikosh gjithë fushën e Dibrës, qytetin e Peshkopisë dhe plot bukuri që aty natyra i ka vizatuar me shumicë./atsh/KultPlus.com

Artistja polake, murale në pikëkalimet kufitare të Kapshticës dhe Qafë Thanës

Artistja polake Maria-Rosa Szychowska po realizon muralen në fasadën e godinës në pikën kufitare e doganore të Kapshticës.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole zhvilloi një vizitë në pikën kufitare të Kapshticës, ku u takua me artisten polake Szychowska.

“Artistja është surprizuar nga bukuria e natyrës shqiptare dhe mikpritja në qarkun tonë, gjë që e ka frymëzuar edhe më shumë për punën e saj”, tha Jole në një postim në rrjetet sociale.

Jole theksoi se “pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Qafë Thanës, si dy pikat kryesore të lëvizjes së qytetarëve në juglindje të vendit, kanë marrë të gjitha masat për një mjedis sa më mikpritës, në nisje të sezonit turistik veror”.

“Edhe ky sezon veror pritet të shënojë një numër të lartë qytetarësh e turistësh, që do të kalojnë në këto pika kufitare”, tha Jole.

Pas murales në Kapshticë artistja polake do të vijojë me atë Qafë Thanës.

Me anë të këtyre muraleve do të mundësohet një imazh i veçantë për turistët dhe qytetarët që lëvizin në të dy anët e kufirit./atsh/KultPlus.com

Instituti Albanologjik organizon tryezën shkencore “Gjysmëshekulli kushtetues i Kosovës 1974-2024”

Shkrimtari kosovar, Adil Olluri, ka njoftuar se Instituti Albanologjik i Prishtinës organizon tryezën shkencore me temën “Gjysmëshekulli kushtetues i Kosovës 1974-2024”.

Ai ka njoftuar se tryeza shkencore do të mbahet nesër më 18 qershor, në sallën e konferencave, në katin e dytë të Institutit Albanologjik.

“Me trajtesat e tyre shkencore dhe akademike do të paraqiten studiuesit dhe profesorët e nderuar, si Lulëzim Lajçi, Mazllum Baraliu, Qerim Lita, Memli Krasniqi, Hasan Bello, Nuridin Ahmeti, Alban Dobruna dhe Ditar Kabashi”, ka njoftuar ai.

Vjosa Osmani publikon fotografi me presidenten e Bashkimit Evropian Metsola: Mbështetja e saj vazhdon të jetë e pakursyer

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar një fotografi me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Osmani ka shkruar se Metsola është padyshim një ndër aleatet më të forta të popullit të Kosovës, dhe se mbështetja e saj vazhdon të jetë e pakursyer.

“Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, është padyshim një ndër aleatet më të forta të popullit të Kosovës. Në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, mbështetja e saj vazhdon të jetë e pakursyer!”, ka shkruar Osmani.

Bienalja e Venecias, Gonxhja: Pavijoni shqiptar, interes në rrethet artistike

Shqipëria prezantohet në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, e hapur deri në 24 nëntor, me veprat e realizuara mjeshtërisht nga artistja Iva Lulashi.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale momente nga kjo ekspozitë ku prezantohen vepra artistike nga artistë të ndryshëm nga mbarë bota.

“Arti dhe dashuria të pandara në veprat e realizuara mjeshtërisht nga artistja Iva Lulashi, e cila përfaqëson Shqipërinë në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, e hapur deri në 24 nëntor”, shkroi Gonxhja.

Sipas tij, përmes “Love as a Glass of Water”, me kurator Antonio Grullo, Iva na fton të bëhemi pjesë e një udhëtimi emocionues, duke kapur çdo nuancë të dashurisë dhe çdo impuls të fshehur të instinktit, si gjuhë universale, forca primare që lidh njeriun me botën.

“Pavijoni shqiptar ka ngjallur shumë interes tek galeritë e rrethet artistike më në zë, duke marrë shumë vlerësime pozitive! Së bashku të mbështesim Ivën në rrugën e saj drejt një suksesi të shkëlqyer në skenën ndërkombëtare të artit”, tha Gonxhja.

Makrotema e këtij edicioni të Bienales së Venecias, 20 Prill – 24 Nëntor, është “Të huaj kudo” dhe vjen nën drejtimin artistik të kuratorit brazilian Adriano Pedrosa.

Iva Lulashi e lindur në Shqipëri, është shkolluar në Venecia, në këtë qytet që bën bashkë të rinj dhe artistë nga e gjithë bota, ku ndërthuren kultura. Edhe piktura e Lulashit është një shtresëzim i shkollës shqiptare me rrugëtimin e saj artistik në Venecia./atsh/KultPlus.com

Poezi e fuqishme nga Ukshin Hoti

Poezi nga Ukshin Hoti

Ukshin m’kanë quejt prej të vogli, prej të gjallmi,
nana idiomën e pyllit mbi supe ma ngjiti.
Ende nuk ka ndodhë, por kur në varr të visit t’m’kallni,
malësorit rranjën e emrit do ia hiqni.

N’trevat tona kur foshnje kam mbërritë,
si çdo foshnje e kësaj bote një destin për me falë,
m’sundoi shpresa se n’origjinë tamli ish dritë,
m’poshti e vërteta se frika pleqve të mi ende s’u ka dalë.

As n’andrrat e mia, mbushë me zanin e saj të plaktë,
s’ia paska hekë nanës frikën emri që m’ka ngjitë.
Edhe nëse i pjekur vij mes jush, tradhtinë për me matë,
do bahem bishë po t’ndij se m’thërrisni Ukshin.

Nëpër troje ku punën kam hedhë,
emra trimash mbush pagëzimi,
por nuk u mbërrit jeta dhe emri nuk ngjiz dejet.
Emrin e trimit e mban dhe amfibi.

Kemi pas kenë për emra ngatërrestarë të mëdhaj,
dhe unë foshnjë e naiv u paskam zanë besë,
kam besu shku e ardhë, kam besu bir e nanë.
Kur m’thërrisnin Ukshin e merrja për betejë.

Me mu bashkë lindën prej gënjeshtre poetët,
u nxinë që drita t’kthehej në të folmen tuej.
Lindën po me mu prej mashtrimit dëshmorët
që shqipja të mos flitej nga gjuhë e huej.

Se shumësia juej në trishtim të shkurtër
ka pjellë përbri meje krimin e vogël, tradhëtinë e madhe.
E dinit që mes emrash do të zhduknit të flaktët, të urtët,
ata që shquenin tmerrin ndër kang e ndër valle.

Nëse vendimi s’e cakton një SOT për m’u ngritë balte,
në bajgë ku jeni zhytë nuk mund të derdhet qielli.
N’bajgë ku jeni zhytë, ku emri ju kallte,
Ukshin do të jetë për ju një fjalë vreri./KultPlus.com

Fushat e livandos tërheqin vizitorë në Malësinë e Madhe

Fushat me livando në Malësinë e madhe janë kthyer vitet e fundit në një atraksion turistik.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga këto fusha ku kultivohet livando.

“Fushat e livandës që e kanë kthyer Malësinë e Madhe në atraksionin e kujtimeve të bukura”, shkruan Kumbaro.

Këto fusha të ndodhura në Koplik të Malësisë së Madhe janë kthyer në atraksion për të gjithë ata që kanë pasion fotografinë. Malësia e Madhe është kthyer vitet e fundit në destinacionin ideal për ata që janë të lodhur nga kaosi i qytetit, ose të destinacioneve të zakonshme, duan të relaksohen dhe të shpenzojnë disa orë ose ditë të rrethuar vetëm nga natyra.

Vitet e fundit fermerët në të gjithë vendin po zgjerojnë sipërfaqet e tokave të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, nga eksporti i të cilave sigurojnë të ardhura ekonomike më të larta. Në Shqipëri ka mbi 7 mijë lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32 % të të gjithë florës së Evropës./atsh/KultPlus.com

“Rruga 42” premierë në New York

“Rruga 42” (42nd Street) është një mondramë e shkruar dhe e drejtuar nën regjinë e Diar Xanit, regjisorit nga Kosova dhe e luajtur nga Yllka Lota.

Me datë 18 dhe 24 qershor, publiku shqiptar në New York mund të ketë kënaqësinë që të shijoj një shfaqje shqiptare me tematikë emigracioni. Rrugë e përjetuar nga një numër i madh shqiptarësh, që vazhdon edhe në ditët e sotme. Emocion që të dridhë shpirtin sepse për të lënë atdheun dhe çdo gjë pas është sakrificë që nuk përshkruhet me fjalë.

Këtë e kishte përjetuar edhe regjisori Diar Xani, i cili thotë se në këtë tekst secili e gjen veten, “tema për emigrant nuk vdes asnjëherë e sidomos në New York është gjithmonë e freskët sepse këtu emigrojnë nga e gjithë bota. Prandaj, në këtë tekst çdo kush e gjen veten. Duke u nisur nga ata që s’kanë mundur të gjejnë një punë, të tjerët që nuk kanë arritur të gjejnë një shtëpi për tu vendosur apo edhe dikush që s’ka rritur të gjejë as dashurinë. E gjitha është përmbledhur në një fjalë mëshireje, ‘Ju marrtë Amerika me të mirë’.

Kjo monodramë është rrugëtim plotë sakrifica, por që e gjithë forcën personazhi e gjen te besimi në vetvete dhe te një telefonatë e herëpashershme me nënën.

Aktorja Yllka Lota, është mishëruar me personazhin duke i përjetuar edhe më herët disa nga sfidat e trajtuara në tekst. Andaj, sipas saj ky rol është një ndër rolet më të veçantë për të,  duke pasur parasysh se është e vetmja aktore në skenë, i vetmi zë që duhet të përçoj te publiku emocionin dhe mesazhin.

“Kjo është monodrama e parë për mua dhe ndjehem shumë e përmbushur nga kjo dëtyrë që kam, një histori që duhet ta përcjellë e vetme te publiku. Çdo rol ka vështirësite e veta, por ky kërkon më shumë energji fizike dhe psikologjike. Përcjellja dhe vazhdimësia e emocioneve që duhet të zgjoj te publiku më bën që të transformohem e tera brenda këtij personazhi kompleks dhe e ndjej që sado pak secili do e gjej veten te Liberta, ashtu siç e gjeta unë”,  u shpreh Lota.

Ndër tjerash, dramaturgja dhe asistentja e kësaj shfaqjeje Saranda Rugova, thotë se tekstin e Diarit e kishte lexuar pikërisht në fillimët e saj në New York dhe e kishte prekur si realitet  si dhe si ngjarje e trajtuar në këtë monodram.

Rugova thotë se, kjo shfaqje duhet të shenojë nismë të tjera si realizim i teatrit shqiptar në New York, “Monodramën e Diarit e kam lexuar me një frymë dhe pastaj e kam rilexuar përsëri. Realitet i hidhur, i vështirë të cilin e përjetojnë një pjesë e madhe e rinisë sonë. Rruga e mërgimit, përveç dhimbjes se braktisjes se familjes, shoqërisë dhe të vendit, është po ashtu sfidë në vete gjetja e vetvetes në një vend të huaj.”

“Rruga 42” kishte filluar si ide që nga viti 2018, mirëpo nuk kishte arritur të inskenohet gjerë tani. Regjisori dhe shkruesi i kësaj monodrame kishte përjetuar gjëra të ngjashme dhe nga ai dëshpërim i thellë kishte vendosur që realitetin e tillë ta ve në skenë.

“Isha në tren duke udhëtuar për në punë. Dhe e kam shkruar ashtu siç e ndjeja duke e rishikuar më vonë. Tani i erdh momenti ta inskenojmë me ndihmën e disa artistëve  të tjerë në New York. Jam jashtëzakonisht i kënaqur që para publikut shqiptar këtu do të kemi mundësinë të pasqyrojmë artin tonë të shumënevojshëm”, tha Diar Xani.

Pjesa tjetër e ekipit të shfaqjes pa ndihmën e të cilëve nuk do të ishte realizuar kjo monodramë, është Blerina Mucolli dhe Arenc Leka./KultPlus.com

Rama: Kartolinë nga bregdeti i Jonit

Shqipëria po shënon këtë vit një “boom” në turizëm, ndërsa vetëm në 5 muajt e parë të vitit u vizitua nga mbi 3.3 milionë turistë të huaj.

Riviera Shqiptare, e cilësuar shpesh edhe si Karaibet europiane, ka tërhequr në vijimësi vëmendjen e mediave të huaja, të cilat kanë promovuar Shqipërinë turistike duke e vendosur në radarët e destinacioneve që nuk duhen humbur.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një kartolinë nga bregdeti i Jonit, i cili edhe këtë vit mbetet destinacion kryesor për turistët e huaj që kanë zgjedhur të pushojnë në Shqipëri.

Vetëm në muajin maj, Shqipëria u vizitua nga rreth 974 mijë turistë të huaj, ose 38% më shumë se një vit më parë.

Vija e gjatë bregdetare nga veriu në jug, malet, sitet kulturore, por edhe traditat e kulinaria po tërheqin çdo vit e më shumë turistë, ndërsa në mediet ndërkombëtare Shqipëria promovohet si një destinacion ende për t’u zbuluar./atsh/KultPlus.com

81 vite nga lindja e një prej figurave më të shquara të popullit shqiptar, Ukshin Hotit

Sot janë bërë 81 vite nga lindja e një prej figurave më të shquara të kombit shqiptar, Ukshin Hotit, shkruan KultPlus.

Ukshin Hoti ka lindur në Krushë të Madhe më 17 qershor 1943. Ai ka qenë filozof dhe aktivist shqiptar, profesor i të drejtës ndërkombëtare dhe më pas i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, si dhe themelues i UNIKOMB, një partie politike në Kosovë.

Për shkak se përkrahu demonstratat e vitit 1981 në Prishtinë, u arrestua për të parën herë nga autoritetet jugosllave më 21 nëntor tok me  Halil Alidemaj, Ekrem kryeziu, etj. Më 1994 u dënua me 5 vite në burgun e Dubravës. Më 16 maj 1999, kur dënimi i tij mbaronte dhe duhej të lirohej, u mor peng nga rojet e burgut dhe prej atëherë nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Është i pari që shkroi për konceptin e demokracisë autentike në viset shqiptare që nga 1994. Si studjues mbahet mend për veprën ‘Filozofia politike e çëshjes shqiptare’ botuar më 1995 në Tiranë.

Ukshin Hoti lindi në Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte i biri i Nazif Hotit dhe Fatime Rrustem Danës nga Xërxa. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prizren dhe më pas në Prishtinë. Pas diplomimit vijoi studimet në vitin 1964 në Zagreb ku u diplomua për shkencat politike dhe u dallua si student i veçantë. Më pas, në vitin 1968, kreu dhe dy vite postuniversitare në Beograd ku ndoqi fushën e tij të preferuar të marrëdhënieve ndërkombëtare në fushën e ekonomisë dhe politikës.

Nisi punë në administratën e parlamentit të Kosovës dhe më 1975 nisi të jepte të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës. Më 1978/1979 vijoi specializime postlaureate për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Chicago, Harvard dhe Washington, pasi kishte fituar bursen Fulbright.

Në vitet ’70 Ukshin Hoti kishte qenë i angazhuar në disa pozita të ndryshme politike dhe arsimore në Kosovë ku fillimisht kishte rënë në kundershtim me udhëheqesit jugosllavë në Kosovë dhe me sistemin e regjimit jugosllav në Kosovë.

Kujtojmë që Ukshin Hoti për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviçit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.

Me 16 maj 1999, atëherë kur lufta po zgjaste që gati një vit, Ukshin Hoti arrin tek fundi i dënimit të tij, ai do të shoqërohet nga dy roje drejt daljes, ditën e diel, me 16 maj, një ditë jo e zakonshme për lirimin e të burgosurve. Ai edhe sot vazhdon të  figurojë në listën e Personave të Pagjetur, nga lufta e vitit 1998-1999 në Kosovë./KultPlus.com

139 vite më parë Statuja e Lirisë mbërrin në portin e NewYork-ut

Sot 139 vite më parë, simboli i lirisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbërritur në portin e New York-ut.

Statuja e Lirisë është ndër monumentet më të famshme të botës. I është dhuruar zyrtarisht SHBA-së nga populli francez me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit, që solli çlirimin e kolonive nga Britania e Madhe. Me kalimin e viteve ajo mori një simbolikë tjetër, atë të lirisë e të demokracisë në botë. Ajo u kthye në një pararojë të ”botës demokratike”.

Statuja gjendet në ishullin “Liberty Island” në Portin e New York-ut dhe tregon perëndeshën romake të ilirisë, “Libertas”.

Vendimi për t’a ndërtuar atë u mor më 1876, 100 vjet pas revulucionit amerikan. Mirëpo për shkak të mungesës së fondeve dhe vështirësisë së realizimit të një vepre kaq gjigante, statuja u ”ngrit në këmbë” në ishullin e saj, vetëm 10 vjet më vonë, më 28 tetor 1886.

“Statuja e Lirisë” është e lartë 46,5 m, të cilës i duhet shtuar edhe 46,9 m lartësinë e bazës.

Autor i skulpturës është Frederik August Bartoldi i ndihmuar nga inxhinieri Gustav Eiffel, autor i Kullës së famshme të Parisit. Në vitin 1886 ajo është ndërtuar dhe dizenjuar./KultPlus.com

Policia përdor muzikë klasike për të ndaluar të rinjtë të festojnë në plazhe

Policia në Espoo ka përdorur një metodë jokonvencionale për t’i mbajtur të rinjtë larg një plazhi popullor gjatë festimeve të fundvitit të shkollës, sipas yle.fi.

Vitet e fundit, oficerët kanë përdorur muzikë klasike përmes dy altoparlantëve të mëdhenj në plazhin e Haukilahti midis orës 18:30 dhe 23:30.

Këtë vit lista përmbante ”Danubin blu” të Straussit, ”Katër stinët” e Vivaldit dhe ”Ave Maria” të Schubert.

Mikko Juvonen i departamentit të policisë të Uusimaas tha për ”Yle” se metoda e tij përdoret edhe në pjesë të tjera të botës dhe duket se ka efektin e dëshiruar.

“Për disa arsye, muzika klasike nuk i tërheq të rinjtë dhe të rinjtë qëndrojnë larg vendeve ku ka muzikë klasike”, tha Juvonen.

Ai shtoi se departamenti e provoi metodën gjashtë vjet më parë dhe funksionoi aq mirë saqë ata e kanë nxjerrë muzikën klasike çdo vit që atëherë.

“Është më mirë për ne që t’i mbajmë të rinjtë në tokë të thatë dhe është mirë që familjet të vijnë dhe të notojnë këtu në mëngjes kur plazhi është i pastër”, tha ai duke vënë në dukje se para se të testohej nisma, plazhi ishte një vend popullor për festat në fund të shkollës.

Megjithatë, pati një reagim të përzier midis vendasve për përdorimin e muzikës klasike dhe arsyet pas saj.

“Më duket pak e çuditshme”, i tha ”Yle”-s banorja e Espoos, Iris Akesson./ KultPlus.com

Kurti: Noli dha shembullin e një burrështeti që u përpoq ta orientonte drejt Shqipërinë si një vend që do të demokratizohej

Shkruan Albin Kurti:

Sot janë mbushur saktësisht 100 vjet që nga dita kur Fan Noli u bë Kryeministër i Shqipërisë. Ishte 16 qershori i vitit 1924, kur ai u vendos në krye të qeverisë shqiptare dhe e ngriti një kabinet qeveritar me shtatë ministri, njëra prej të cilave pa portofol. Në kabinetin e Nolit, Sulejman Delvina ishte Ministër i Jashtëm; Rexhep Shala – Ministër i Brendshëm; Luigj Gurakuqi – Ministër i Financave; Stavro Vinjau – Ministër i Arsimit; Kasëm Qafëzezi – Ministër i Luftës; Qazim Koculi – Ministër i Bujqësisë dhe Xhemal Bushati – Ministër pa portofol.

Fan Noli erdhi në krye të Shqipërisë si kryeministër i qeverisë së saj, si një nga drejtuesit e Lëvizjes së Qershorit, një organizimi opozitar që në mes të qershorit 1924, e pëmbysi qeverinë e kryeministrit Iljaz Vrioni, i cili ishte një eksponent në pushtet i liderit politik të atyre viteve, Ahmet Zogut. Kjo përmbysje që është quajtur edhe revolucion, ishte rezultat i përplasjeve të ashpra dhe rivaliteteve të forta politike në vitet e para pas Luftës së Parë Botërore, kur po përcaktohej natyra e shtetit shqiptar dhe kur po definoheshin kufijt e tij.

Më 19 qershor, tre ditë pasi ishte konstituar, qeveria e Nolit e shpalli programin e saj të reformave prej 20 pikash, në të cilin ndër të tjera parashihej vendosja e demokracisë në Shqipëri; çarmatosja e banorëve dhe vendosja e rendit dhe ligjit; lartësimi i autoritetit të shtetit mbi çdo fuqi personale ose të paligjshme; pavarësi e plotë e sistemit të drejtësisë; reforma në administratën shtetërore dhe thjeshtësim i burokracisë në të; reforma agrare; lehtësira në hyrjen e kapitalit dhe investimeve të huaja në vend; ndryshime në sistemin e taksimit; investime në infrastrukturën rrugore; investime në sistemin e shëndetësisë dhe në sistemin arsimor; si dhe marrëdhënie të mira miqësore me të gjitha shtetet dhe sidomos me shtetet fqinje. Siqoftë, këto reforma nuk erdhën as për së afërmi në shprehje të realizoheshin, pasi që Noli qëndroi në detyrën e kryeministrit vetëm gjashtë muaj.

Teksa Fan Noli si kryeministër i nisi muajt e parë të qeverisjes së Shqipërisë, në anën tjetër, Ahmet Zogu që pas largimit nga Shqipëria ishte strehuar në Beograd, e organizoi një rikthim në pushtet po me forcë dhe trupa të armatosura, siç edhe e kishin larguar. Në dhjetor të vitit 1924, pas vetëm gjashtë muajsh prej kur ishte vendosur në detyrën e kryeministrit, Fan Noli bashkë me qeverinë dhe mbështetësit e krahut politik të tij, u përmbysën nga Ahmet Zogu.

Pak kohë pas largimit nga Shqipëria, Noli e gjykonte kështu qeverinë e drejtuar prej tij në një artikull që e botoi te Gazeta “Dielli”: “Qeveria e Qershorit 1924 nuk qe ideale, vërtet. Mungesat e saj s’munt t’ia dijë askush më mirë se i nënshkruari, që e ka parë maqinën e saj të punojë për së afërmi. Po, pasi t’i ngarkojmë mi kurris kritika mi kritika, duhet të nëmërojmë në favor të saj ca të mira për faqe të bardhë: njerëzit e saj qenë patriot të kulluar; qenë mprojtës të pasurive të shtetit; qenë të nderçim; qenë të qytetëruar; qenë liberal; qenë njerës të kanunit.”

Përkundër kohës së shkurtër sa qe në krye të Shqipërisë si kryeministër i saj, Fan Noli dha shembullin e një burrështeti që u përpoq ta orientonte drejt Shqipërinë si një vend që do të demokratizohej. Për fat të keq, përpjekja e tij ishte e para në atë periudhë fillesh të shtetndërtimit shqiptar dhe mbeti e tillë deri në dekadën e fundit të shekullit. Pas largimit të Nolit nga zyra e kryeministrit, për Shqipërinë do të niste një periudhë e gjatë pushtetesh autoritare dhe diktatoriale. Eruditi Theofan Stilian Noli, do të jetonte edhe dyzet vjet të tjera deri më 1965, duke e ndërtuar një profil mbresëlënës prej dramaturgu e poeti, teologu e studiuesi, përkthyesi poliglot, politikani patriot e njeriu të përkushtuar për shqiptarizmën.

Në 100-vjetorin e zgjedhjes së Fan Nolit, Kryeministër i Shqipërisë. / KultPlus.com

Veliaj shërben drekën e Kurban Bajramit në qendrën komunitare në Laprakë

Me rastin e Kurban Bajramit, bashkia e Tiranës shtroi drekë festive në të gjitha qendrat sociale për familjet në nevojë, të moshuarit dhe personat me aftësi të veçanta.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shërbeu drekën në Qendrën Komunitare për Personat me Aftësi të Kufizuara në Laprakë, nga ku uroi të gjithë besimtarët myslimanë për një Bajram plot mirësi dhe dashuri.

“Një qytet që i trajton të gjithë me respekt, një qytet i mirë, ka vend për të gjithë. Në këto ditë të shenjta festive shpresoj t’ua mbushim jetën me gëzim të gjithë engjëjve që janë këtu. Tirana nuk ka ndryshuar vetëm në infrastrukturë, por edhe në aspektin kulturor dhe social. Sot, të gjithë drejtoreshat e çerdheve dhe kopshteve të trajnuara. Pjesa më e madhe e shkollave të reja janë me ashensor, të aksesueshme nga të gjithë. Por, kam edhe një falënderim për stafin tonë, që punon këtu, sepse meriton respekt dhe mirënjohje”, tha Veliaj.

Ai shtoi se deri dje, në zonën ku ngrihet sot kjo qendër komunitare, ka pasur debat për çështje pronësie, por nënvizoi se Tirana zhvillohet edhe duke negociuar.

“Kur dikujt i ka dalë e drejta e pronës, nuk e diskuton dot askush. Aftësia ime është që, në çdo hapësirë ku dikujt i del e drejta për të zhvilluar pronën e tij, bashkia të marrë një qendër sociale, një kopsht apo një shkollë. Tirana zhvillohet edhe nëpërmjet këtyre negociatave, ku privatit i lë hapësirën e tij, por ama do  japësh diçka për komunitetin, përveç taksës. Por, kam edhe një falënderim special për disa heronj, që ndoshta harrojnë t’i përmendim: e kam fjalën për prindërit, ata janë heronjtë e vërtetë. Janë ata që i kanë kushtuar jetën, që nuk dorëzohen, që refuzojnë të heqin dorë nga kjo detyrë dhe mision. Për prindërit heronj që janë këtu sot, e kam zemrën plot me mirënjohje sepse e kuptoj me çfarë sfide të jashtëzakonshme përballen çdo ditë”, u shpreh ai.

Veliaj kishte edhe një thirrje për qytetarët, që i çojnë fëmijët në të njëjtat shkolla me fëmijët e qendrës komunitare, që t’i mësojnë ata se socializimi nuk i dëmton, përkundrazi i bën më të dashur dhe më të mbarë në shoqëri. / KultPlus.com

Gjellë shqiptare

Poezi nga: Xhevdet Bajraj

Ushtarët e armikut në Kosovë
kishin meny të pasur shqiptare

Në mëngjes
Qumësht nga gji të shqyer nënash
dhe foshnja të palindura të ziera në zjarr shtëpish
servirur me sy të zinj të kaltër apo ngjyrë kafe
dhe nga një shishe lotë të valë

Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur

Në drekë
Zemra të plasura të të gjitha moshave
të ziera në lëng eshtrash në njërën anë
dhe mish kurrizi të pjekur në gacë
përcjellë me tru të fërguar fëmijësh
e sallatë klithmash spërkatur me uthull tmerri
dhe nga një litër e gjysmë gjaku vashash të dhunuara

Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur

Në darkë
Mushkëri të zeza e të bardha
aty këtu ndonjë veshkë
mish fëmije të përzier me gjakun e nënave
ca tul plake a plaku pjekur në hell
njelmësuar me kripën që nxirrej nga lotët

Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur

Në meskohë
bluanin vesh të majtë e të djathtë
gishtërinj duarsh e këmbësh
aty këtu ndonjë hundë të përgjakur
dhe ëndrrat tona të thara në murin e pushkatimit

Dikush kënaqej edhe veç me një kokë të pjekur

Piqnin e zienin në zjarre shtëpish
hanin e pinin nga kafka shqiptarësh
sikur të mos ishin njerëz
sikur të mos ishim njerëz
apo jo Zot
derisa vera i ktheu në dhéun e tyre
kur u majmën nga vdekja / KultPlus.com

Ndahen çmimet e Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës në Kosovë “MonoAKT”


Festivali Ndërkombëtar i Monodramës në Kosovë MonoAKT 2024 këtë vit shënoi edicionin XVI, përcjell KultPlus.

Hapja solemne u bë më 09 qershor në Teatrin Dodona, në Prishtinë nga ora 19:30.

Po ashtu, si çdo herë në natën solemne të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës në Kosovë “MONOAKT 2024” në Teatrin Dodona, juria ndërkombëtare në përbërje: Nina Mazur ( Ukrain/Gjermani), Tatiana Czepurnyi ( Gjermani), Svetlana Ivanova ( Ukrain/ Qipro) ka ndarë çmimet:

Shfaqja më e mirë e Festivalit GRAND PRI – Monodrama “Z. Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, realizuar nga Marius Donkin, Bullgari.

Regjia më e mirë e Festivalit -Alvydas Vizgirda, Lituani ne shfaqjen “Fabijonas”.

Aktori më i mirë i Festivalit – Ismet Azemi, Kosovë, në shfaqjen “Artisti në tavan”.

Aktorja më e mirë e Festivalit – Dungaamaa Chimedtseye, Mongoli, në shfaqjen “E dashura ime. Ky është vetëm fillimi”.

Çmimi Special (për tekstin e shfaqjes Hedy) – Heather Massie, në shfaqjen HEDY! Jeta dhe shpikjet e Hedy Lamarr, SHBA.

“Çmmi – Monoperformansa më e mirë” – Zana Berisha

“Çmimi – Monostripi më i mirë – Fiona Abdullahu.

“Çmimi për Vepër Jetësore” – Safete Rogova

“Çmimi për Vepër Jetësore – Post Mortum” – Haqif Mulliqi

Festivali ndan mirënjohje edhe për Institucionet dhe bashkëpunëtorët që gjithmonë kanë qenë në mbështetje dhe përkrahje të Festivalit MONOAKT në edicionin XVI.


Premierë gjatë festivalit ishte shfaqja “Rrethimi 1999” me autor Mentor Zymberaj dhe nën regjinë e Mirak Zymberaj. Në shfaqje luanin: Altin Vraniqi, Dea Berisha, Dea Durguti, Driarda Bllacaku, Elona Fetahu, Entike Bogaj, Festim Sadiku, Lurni Krasniqi, Olt Batalli. / KultPlus.com

”The Sun”: Shqiptarët e kthyen në kuqezi murin e famshëm verdhezi të ”Borussia”

Tifozët shqiptarë, që ndoqën skuadrën e tyre, të udhëhequr nga ish-lojtari i ”Arsenal” dhe ”Manchester City”, Sylvinho dhe ndihmësi i tij Pablo Zabaleta, e kthyen kuqezi murin e famshëm verdhezi të ”Borussia”, shkruan gazeta britanike ”The Sun”.

Dhe ata ishin edhe më entuziastë se ”banorët” e zakonshëm të asaj tribune të famshme pas vetëm disa sekondash, kur i dhanë Italisë tronditjen e jetës.

Ai u shkaktua nga një gabim trashanik i Federico Dimarcos të ”Interit” duke lejuar Bajramin të shënonte.

Numri 10, i cili luan në Itali me ”Sassuolo”, bëri një prekje përpara se ta godiste topin mrekullisht në rrjetë.

Mund t’i kishte dënuar italianët dhe t’i kishte vënë ata në lëvizje që në fillim të mbrojtjes së titullit.

Italia ka kaluar një kohë të turbullt që kur mposhti Anglinë me penallti në ”Wembley”, tre vjet më parë.

Axurët nuk arritën të kualifikoheshin për një Kupë Botërore të dytë radhazi kur u mundën nga Maqedonia e Veriut në një lojë play-off përpara Katarit.

Menaxheri Roberto Mancini dha dorëheqjen vitin e kaluar për të ndjekur paratë me një punë të re si trajner i Arabisë Saudite.

”Spalletti e zëvendësoi atë dhe po i lëkunden gjërat”, përfundon ”The Sun”. / KultPlus.com

Rama: Berati, i gjithi i rezervuar nga turistë anekënd botës

Berati, qyteti i një mbi një dritareve, po mirëpret një numër gjithnjë e më të lartë turistësh, në të gjitha stinët e vitit.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të turistëve që vizitojnë pikat më atraktive të qytetit, ndërsa vuri në dukje se strukturat hoteliere janë të gjitha të rezervuara nga turistë që vijnë nga gjithë bota.

“Berati, i gjithi i rezervuar nga turistë anë e kënd botës”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Berati, tashmë qytet i UNESCO-s, të ofron ndër të tjera plot shtëpi të epokës otomane, struktura mbresëlënëse të kështjellës dhe kishave mistike dhe xhamive, të vendosura në krah të kodrave dhe maleve që kanë në mes lumin Osum.,

Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit.

Numri i vizitorëve ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe ky sezon veror ka pritshmëri të lartë jo vetëm në Berat por edhe në destinacionet e tjera turistike të vendit./ KultPlus.com

Rama ndan videon e veçantë: Parku i Butrintit ju pret me yjet e vegjël

Parku Kombëtar i Butrintit është një prej destinacioneve më të vizituara nga turistët vendas e të huaj gjatë gjithë vitit.

Por këto ditë, një grup vizitorësh të veçantë e kanë vizituar këtë park duke sjellë gjallëri në rrënojat e qytetit antik.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video me performancën e një kori fëmijësh, të cilët performojnë këngën e njohur italiane “Bella Ciao”.

“Parku i Butrintit ju pret me yjet e vegjël”, shkruan Rama.

Zërat dhe performanca e fëmijëve mbushën plot energji parkun e Butrintit. Aktivitetet në parkun e Butrintit vazhdojnë duke ftuar vizitorët të shijojnë një eksperiencë të paharrueshme, ku ndërthuren bukur arkitektura, natyra dhe energjia e pashterueshme.

Kombinimi i natyrës dhe historisë mijëra vjeçare në Butrint ngjall kuriozitetin e pushuesve nga e mbarë bota. / KultPlus.com

‘Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon’

I lindur në vitin 1809, Edgar Allan Poe ishte fëmija i dytë i dy aktorëve Elizabet dhe David Poe. Në vitin 1810, babai i tij braktis familjen. Në vitin 1811, mamaja e tij vdes nga tuberkulozi i mushkërive, duke e lënë jetim. Ky do të jetë fillimi i jetës së tij mizore. Gjatë jetës së tij ai shkroi disa vepra, prozë dhe poezi të cilat edhe sot lexohen me endje, shkruan KultPlus.

Më poshtë po listojmë disa thënie nga veprat e tij:

Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon.

E gjithë feja ka dalë thjesht nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata, dhe poezia.

Gjithçka që ne shohim apo duket është një ëndërr, por brenda një ëndrre.

Bukuria e çfarëdo lloji, në zhvillimin e saj suprem, pa ndryshim e prek shpirtin ndjeshëm deri në lot.

Do të vërtetohet, në fakt, se të zgjuarit janë gjithmonë të çuditshëm, dhe me të vërtetë përfytyrues shumë me tepër se analitikë.

Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu.

Shkenca nuk ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është madhështi e inteligjencës.

Kufijtë që ndajnë Jetën nga Vdekja janë të paqartë dhe të vagullt. Kush do të thotë se ku e mbaron njëra dhe ku fillon tjetra?

Të përgojuarit e një njeriu të madh është mënyra në të cilën një njeri i vogël mund të arrijë madhështinë.

Ata që ëndërrojnë ditën njohin shumë gjëra që iu shpëtojnë atyre që ëndërrojnë vetëm natën./KultPlus.com

Rama: Pogradeci çel sezonin turistik me paketë të plotë turistike

Pogradeci çeli dje sezonin turistik 2024, një sezon që sigurisht do të jetë edhe më i suksesshëm se vitin e kaluar.

Bashkia e Pogradecit organizoi dhjetëra aktivitete për çeljen e sezonit të ri që u ndoqën nga qytetarët dhe turistët e shumtë.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga aktivitetet e organizuara në qyetin e Pogradecit.

“Me një paketë të plotë turistike nga liqeni i magjishëm tek aktivitetet malore, bashkë me monumentet e kulturës, traditën dhe kulinarinë, Pogradeci tashmë është një tjetër destinacion shumë i kërkuar”, shkruan Rama.

Aktivitetet e çeljes së sezonit veror nisën me bandën frymore, e cila parakaloi në rrugët kryesore të qytetit.

Bujtinat dhe restorantet e qytetit organizuan një panair me ushqimet tradicionale të zonës, ndërkohë artizanët ekspozuan punimet e tyre si në qëndisje, punime me grep, gliko, reçelra të ndryshëm.

Gjithashtu, u zhvilluan edhe një sërë aktivitetesh si koncerte me këngë dhe lojëra për fëmijë.

Pogradeci dhe rrethinat e tij ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa liqeni i jep hijeshinë.

Përveç liqenit, Pogradeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të tërheqin t’i vizitosh.

Në këtë qytet kudo ka bukuri si Lini, një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër. Pogradeci ka edhe mjaft kisha mesjetare si kisha e Shën Bitrit, që vendasit janë mësuar ta thërrasin kisha e Shën Bitrit, ndodhet disa qindra metra larg fshatit Potkozhan.

Turistët dhe vizitorët nuk kanë munguar në asnjë stinë në Pogradec, por kjo verë pritet  jetë edhe më e gjallëruar, pasi qyteti është më i bukur, me më shumë aktivitete dhe shërbimi ka arritur nivele shumë të mira./ KultPlus.com

‘Ndoshta të dua, ndoshta të dua shumë’

Milan Kundera

Dashuri qesharake

Ndoshta të dua.
Ndoshta të dua shumë.
Por pikërisht për këtë arsye
ndoshta do të jetë më mirë
që të mbetemi ashtu siç jemi.
Ndoshta një burrë dhe një grua
janë më pranë njëri-tjetrit
kur nuk jetojnë bashkë
dhe e dinë se vetëm ekzistojnë,
kur i janë mirënjohës njëri-tjetrit
vetëm sepse ekzistojnë
dhe sepse njëri e di që tjetri ekziston.
Dhe lumturisë së tyre kjo i mjafton.

Marrë nga: Beti Njuma & Biblioteka e librave të harruar / KultPlus.com

Osmani e takon në Zvicër këshilltarin kryesor të Biden – thotë se kanë folur për rritjen e bashkëpunimit

Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar një “takim të rëndësishëm” në Zvicër Jake Sullivan, Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Joe Biden.

Osmani ndau disa fotografi nga takimi, ndërsa shkroi shkurtimisht për takimin që e cilësoi si të rëndësishëm.

“Një takim i rëndësishëm me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Biden, z. Jake Sullivan, dhe Ambasadorin Michael Carpenter- Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri të Shtëpisë së Bardhë, mbi rolin jetik të Shteteve të Bashkuara për paqe dhe siguri të qëndrueshme si dhe për rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit tonë.🇽🇰🇺🇸”, shkroi Osmani në Facebook.

Në Zvicër, Osmani shkoi për të marrë pjesë në një samit paqeje për Ukrainën. / KultPlus.com