Koincidenca Lincoln – Kennedy

Emrat Linkoln dhe Kennedy përmbajnë shtatë shkronja.

Linkoln u zgjodh në Kongres në 1846, Kennedy në 1946.

Linkoln u zgjodh president në 1860, Kennedy në 1960.

Të dy ishin të përfshirë në mbrojtjen e të drejtave civile.

Lincoln mbron heqjen e skllavërisë dhe Kennedy mbron emancipimin e zezakëve.

Gratë e tyre humbën një fëmijë ndërsa çifti presidencial banonte në Shtëpinë e Bardhë.

Të dy u vranë të Premten.

Të dy u vranë nga prapa me një plumb në kokë

Të dy u vranë në prani të grave të tyre që qëndronin pranë tyre.

Dy vrasësit ishin nga një shtet i jugut.

Dy vrasësit u qëlluan para se të gjykoheshin.

Shpesh thuhet se vrasësi i Linkolnit (John Wilkes Booth) lindi në 1839 dhe vrasësi i Kennedy (Lee Harvey Oswald) lindi në 1939.

Por në të vërtetë John Wilkes Booth lindi më 18 maj 1838, jo më 1839

Booth qëlloi Linkolnin në një teatër dhe më pas u strehua në një depo.

Lee Harvey Oswald qëlloi nga një depo më pas u strehua në një teatër filmi.

Përveç përafrimit në fjalën “teatër”, Booth nuk u strehua në një depo, por u vra ndërsa ishte fshehur në një hambar.

Teatri ku vdiq Linkoln u quajt “Teatri i Fordit”.

Makina në të cilën u vra Kennedy ishte një Lincoln.

Sekretari i Linkoln u quajt Kennedy dhe ai i Kennedy u quajt Linkoln

Pasardhësit e Linkoln dhe Kennedy quheshin Andrew Johnson dhe Lyndon Johnson.

Të dy ishin Demokratë të Jugut.

Andrew Johnson lindi në 1808, Lyndon Baines Johnson lindi në 1908.

Stephen Douglas, konkurrenti i Linkolnit dhe i mundur në zgjedhjet presidenciale të 1860, lindi në 1813; Richard Nixon, konkurrenti i Kennedy dhe i mundur në zgjedhjet e 1960, lindi në vitin 1913.

Robert dhe Edward janë emrat e parë të dy djemve të Linkolnit dhe i dy vëllezërve të Kennedy (Edward Kennedy dhe Robert Kennedy)./ KultPlus.com

Kjo dashuri

Nga: Jacques Prévert

Kjo dashuri
kaq e furishme
kaq e njomë
kaq e butë
kaq e dëshpëruar
kjo dashuri
e bukur si dita
dhe e vrazhdë si moti
kur moti është i keq
Kjo dashuri kaq e vërtetë
kjo dashuri kaq e bukur
kaq e lumtur
kaq gazmore
kaq hokatare
e dridhshme nga frika si një fëmijë në terr
e kështu e sigurtë në vetveten
si një burrë i qetë në zemrën e natës
Kjo dashuri që i përfrikësonte të tjerët
që i bënte të flisnin
që i bënte të zverdheshin nga frika
Kjo dashuri e spiunuar
sepse ne e spiunonim
të përndjekur plagosur shkelur vrarë mohuar harruar
sepse ne e kemi përndjekur plagosur shkelur vrarë mohuar
harruar
Kjo dashuri krejt e tërësishme
ende kaq e gjallë
krejt e përdielluar
është e jotja
është e imja
ka qenë ajo që ka qenë
kjo gjë gjithmonë e re
e që nuk ka ndryshuar kurrë
e vërtetë si bima
e përpëlitshme si një zog
e nxehtë dhe e gjallë si vera
ne mundim që të dy
të shkojmë e të rikthehemi
ne mundim të harrojmë
të rizgjohemi të vuajmë të plakemi
duke ëndërruar vdekjen
të zgjohemi të buzëqeshim e të qeshim
e të rinohemi
dashuria jonë është atje
kryeneçe si një mushkë
e gjallë si dëshira
mizore si kujtesa
budalle si qaravitjet
e dlirë si kujtimi
e ftohtë si mermeri
e bukur si dita
e dobët si një fëmijë
që vështron duke buzëqeshur
e flet pa ditur asnjë fjalë
e unë në ankth e dëgjoj
e thërras
thërras për ty
thërras për mua
të përgjërohem
për ty për mua për të gjithë ata që dashurohen
e që janë dashuruar
po unë thërras
për ty për mua e për të gjithë të tjerët
të cilët nuk i njoh
ndalu atje
atje ku je
atje ku ke qenë herët e tjera
ndalu
mos lëviz
mos shko
ne që jemi dashuruar
ne të kemi harruar
ti mos na harro
nuk kishim veç teje askënd mbi fytyrë të tokës
mos na ler të bëhemi të akullt
edhe pse shumë larg gjithmonë
e nuk ka rëndësi se ku
jepna ndonjë shenjë se je në jetë
shumë më vonë në skajet e një zabeli
në pyllin e kujtesës
ngreu papritmas në këmbë
zgjati duar drejt nesh
dhe na shpëto.

Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ

Pesë fakte për njeriun gjaknxehtë të dueleve dhe përballja fatale e lirikut rus, Alexandër Pushkin

Vdekja e poetit të madh ka marrë një status thuajse mitik në kulturën ruse. Këtu janë pesë fakte interesante për këtë ngjarje të rëndësishme në histori, të cilat rreken të hedhin dritë mbi të vërtetat, shpesh të devijuara rreth asaj që çoi në fundin fatal të poetit dhe njeriut të dueleve.

Shumica e rusëve do t’ju thonë se fryti i preferuar është një mollë dhe poeti i tyre i preferuar është Pushkin. Për një burrë apo një grua, ata e dinë se poeti më i dashur i vendit dhe babai i gjuhës letrare moderne ruse, vdiq nga një vdekje e dhimbshme pas një dueli, duke i falur të gjithë ata që i kishin bërë keq. Si në shumë duele, shkaku i mosmarrëveshjes ishte një grua.

1. Sfida e dytë

Pushkin ishte një njeri impulsiv dhe mori pjesë në shumë duele. Në të vërtetë, dueli i tij fatal ishte hera e dytë që ai sfidoi Georges d’Anthès, një oficer francez në Gardën Ruse, për shkeljen e nderit të tij.

Rasti i parë ishte në nëntor të vitit 1836, kur ai mori një letër anonime të quajtur “Certificate of a Cuckold”, e cila përmbante një aludim të qartë për pabesinë e gruas së tij, Natalya Goncharova. Kishte thashetheme në Shën Petersburg, se Car Nikolla I mbante një qiri ndezur për Goncharova, por ishte e qartë se Pushkini nuk mund të sfidonte sundimtarin suprem rus, kështu që ai zgjodhi opsionin e dytë të mundshëm, atë të d’Anthès, i cili gjithashtu përflitej si dashnori i bashkëshortes së poetit. Sidoqoftë, francezi d’Anthès për të zhmanguar përshkallëzimin e situatës që mund t’i çonte ata në duel, u tregua finok dhe i zgjuar duke i propozuar, motrës së gruas së Pushkinit, Ekaterina Goncharova, veprim i cili do të nxiste poetin të anulonte sfidën.

Thashethemet filluan të qarkullojnë përsëri pas dasmës dhe poeti, duke menduar, siç bëri me letrën e parë, se burimi i tyre ishte Baron van Heeckeren, ambasadori holandez në Rusi dhe babai i birësues i d’Anthès, i cili i shkroi një letër më përmbajtje dyshuese. Komentet e pakënaqshme që Pushkin bëri ndaj ambasadorit dhe djalit të tij të adoptuar, bënë që Heeckeren të shpallte se sfida fillestare ishte ende e vlefshme.

2. Gama e ngushtë

Dueli u zhvillua në Chernaya Rechka në periferi të Shën Petersburgut dhe pati kushte jashtëzakonisht të ashpra. Në vendet e tjera evropiane, duelistët zakonisht gjuanin kundër njëri-tjetrit në një distancë prej 25-30 hapash, por në këtë rast distanca ishte vendosur në vetëm 10 hapa.

D’Anthès qëlloi i pari dhe plagosi rëndë Pushkinin në stomak. Pushkin u rrëzua në tokë, por ishte në gjendje të qëllonte kundër kundërshtarit të tij, duke e goditur atë dorën e djathtë. Dy ditë më vonë, më 29 janar të vitit 1873 poeti vdiq.

3. Reagimi i perandorit

Duelet në Rusi ishin ndaluar nga Pjetri i Madh dhe kështu zhvilloheshin në fshehtësi. Dënimi për pjesëmarrje në to është i rëndë, ndonjëherë edhe me vdekje. Teksa ishte duke vdekur, Pushkin arriti të merrte faljen e Nikollës I.

Nikolla siguroi familjen e poetit të vdekur: ai pagoi borxhet e Pushkinit, urdhëroi që familjes t’i paguhej një grant i njëpasnjëshëm prej 10,000 rubla, duke i dhënë gjithashtu një pension të vesë dhe vajzave të saj.

Cari i hoqi d’Anthès titullin ushtarak dhe e internoi nga Rusia. Ai shoqërohej nga gruaja e tij, kunata e Pushkinit. Çifti vazhdoi jetën normale dhe të kishte katër fëmijë. Sipas një bashkëkohësi, ai thoshte se mërgimi nga Rusia i mundësoi të kishte një “karrierë të shkëlqyer politike” në Francë.

4. Helena ruse e Trojës

Disa njerëz mendojnë se Natalya Goncharova ishte përgjegjëse kryesore për vdekjen e burrit të saj, pasi ajo ose nuk ishte në gjendje ose nuk dëshironte t’i jepte fund thashethemeve që e lidhnin atë me d’Anthès. Poetja Anna Akhmatova e quajti atë një “bashkëpunëtor të Baron van Heeckeren, ambasadori holandez në Rusi dhe babai i birësues i d’Anthès, në ndërtimin e duelit”, ndërsa Marina Tsvetaeva shkroi për gruan e Pushkinit, Natalya Goncharo: “Një bukuri dhe asgjë tjetër, vetëm një bukuri, pa tru, një shpirt, një zemër, pa asnjë talent. Bukuri nudo, që godet si shpatë. Dhe ajo goditi shumë rëndë.”

Pas Luftës së Dytë Botërore, dy nga letrat e D’Anthès, nga viti 1836 u botuan në Paris. Në to ai përshkruan apasionimin e tij me “krijimin më të mrekullueshëm në Shën Petersburg”, duke shkruar se ajo, Natalya Goncharova, ndiente shumë për të dhe i shoqi ishte “shumë xheloz”. Megjithatë, letrat thonë gjithashtu se ajo nuk është e gatshme “të thyejë angazhimin e saj” ndaj burrit, Alexander Pushkin.

Nuk ka konsensus për këto letra. Disa studiues besojnë se d’Anthès nuk po shkruan për Goncharova, ndërsa të tjerë mendojnë se ai thjesht po përpiqej të largonte thashethemet për marrëdhënien e tij të supozuar seksuale me Baron van Heeckeren.

5. Pushkin duelist

Poeti i madh, Alexander Pushkin mendohet se ka “hedhur dorashkën” në më shumë se 20 sfida dueli, duke marrë pjesë vetëm në shtatë përballjes. Katër prej tyre rezultuan me duele, ndërsa të tjerat u shmangën kryesisht falë miqve të poetit. Pushkin ishte vetëm 17 vjeç kur bëri sfidën e tij të parë. Ai u ofendua që xhaxhai i tij, Pavel Gannibal, i cili i mori pa leje vajzën, me të cilën ai po kërcente në një ballo. Mirëpo, meshkujt u kompletuan shpejt dhe dueli nuk u zhvillua.

Pushkin ishte i njohur si gjuajtës ekspert, por ai kurrë nuk gjuajti i pari në duele dhe derdhi gjakun e kundërshtarit vetëm një herë: në përballjen e fundit me d’Anthès, e cila rezultoi të ishte fatale.

Përgatiti: Albert Vataj / KultPlus.com

“Ramë Lahaj & Friends”, koncert në Shirokë

Tenori nga Kosova, Ramë Lahaj, gjendet në Shkodër së bashku me një tjetër tenor të njohur ndërkombëtarisht, të famshmin Alessandro Safina.  Lahaj ndau në rrjet një foto së bashku me kolegun e tij, të cilin është duke e njohur me bukuritë natyrore të Shqipërisë, e siç shprehet Lahaj “me mrekullitë kulturore të Shkodër loces tonë”.

Së shpejti, dy tenorët do të këndojnë në një koncert, në Shkodër. “Ramë Lahaj & Friends” do të jetë i pari koncert i plotë i tenorit nga Kosova, në Shqipëri.

Koncerti do të mbahet më datë 8 qershor në sheshin e Shirokës, organizuar nga Bashkia Shkodër, nën patronazhin e kryebashkiakut, Benet Beci.

Në postimin e sotëm, në rrjetet sociale, Ramë Lahaj shkruan se, secili prej nesh e ka për detyrë të kontribuojë në imazhin e vërtetë të shqiptarëve, e jo atë negativ që është lobuar ndër vite nga dashakeqët.

Tenori Ramë Lahaj është ngjitur në disa prej skenave më prestigjioze të botës. Ndonëse karriera e tij zhvillohet jashtë kufijve shqiptarë, artisti nga Kosova nuk harron rrënjët e tij, duke interpretuar edhe për publikun shqiptar./atsh/KultPlus.com

6 qershor 1944, Dita e Fitores në Normandi të Francës

Më 6 qershor miliona njerëz në botë përkujtojnë Ditën e Fitores në Normandi të Francës – një pikë kthese në Luftën e Dytë Botërore që ndryshoi rrjedhën e historisë. Përvjetori ngjall kujtime për veteranët e moshuar të Luftës së Dytë Botërore por është domethënës edhe për të tjerë që u prekën direkt ose indirekt nga lufta.

Në monumentin e Luftës së Dytë Botërore në Uashington, qindra njerëz vijnë çdo ditë për të nderuar miqtë dhe familjarët që humbën në luftë.

Cewin Johnson është një prej tyre. Tashmë 89 vjeç, ai ishte vetëm 19 kur humbi krahun duke luftuar në Francë.

“Ne ishim duke luftuar në fshatin Oberhofen i cili ështe rreth 20 kilometra në perëndim të Strasburgut dhe kishim qenë në atë fshat tre herë duke u përpjekur ta merrnim nën kontroll. I kishim rrethuar të gjithë gjermanët në fund të fshatit. Gary dëgjoi tankun që afrohej në rrugë dhe dërgoi artilerinë atje dhe e goditi tankun por atëherë u godita dhe unë.”

Frederick Douglass Williams ishte pilot në misione ushtarake në Evropë si anëtar i të famshmve Pilotët Tuskegee. Ai thotë se gjëja më e vështirë e të shkuarit në luftë ishte të menduarit për të dashurit e lënë pas.

“Më pëlqen ajo që ka thënë Uinston Çurçilli: se edhe ata shërbyen duke pritur. Mamatë, të dashurat…mamaja ime e shkretë u çmend. Ne e dinim dhe e prisnim, por jo ata. ‘Ku është djali im’ thonte.”

Për veteranët e Luftës së Dytë Botërore dhe shumë të tjerë, 6 qershori 1944 – Dita e Fitores, nuk do të harrohet kurrë.

Normandi shënoi fillimin e çlirimit të Francës nga pushtimi nazist që rezultoi në humbjen e Gjermanisë.

Christopher Yung është autor i një libri mbi planifikimin e Ditës së Fitores.

“Është një nga operacionet ushtarake më të rëndësishme të kryera ndonjëherë, me siguri sulmi më i madh i ndërmarrë nga uji ndonjëherë. U desh shumë zgjuarsi, këmbëngulje dhe mendim ushtarak.”

Pushtimi ishte një pikë kthese vendimtare.

“Është hapi i parë i cili i dha aleatëve mundësinë për t’u kthyer në kontinent. Gjermanët kishin ngritur një fortesë gjigande për të parandaluar rikthimin e aleatëve.”

Gjenerali brigadier Bruno Caitucoli është atasheu ushtarak në ambasadën franceze në Uashington. Babai i tij 94 vjeçar luftoi në luftë.

“Ajo që babai im më shpjegoi disa herë është rëndësia e të qenurit gati të mbrosh atë që nuk të jepet falas: lirinë, demokracinë, etc.”

Në zyrën e tij ndodhet një foto – një kujtim i sakrificës të Luftës së Dytë Botërore.

“Kjo foto tregon plazhin e Omahas, Omahanë e përgjakur me dy flamuj, ato francez dhe amerikanë bashkë dhe rreth tre mijë njerëz që formuan fjalët: Nuk do të harrojmë kurrë. Dhe mbi plazhin Omaha ndodhen Varrezat Coleville.”

Shumë vdiqën për ta bërë bërë të mundur fitorem por sakrifica e tyre hapi rrugën për kapitullimin e Gjermanisë naziste në maj të vitit 1945.

DISA STATISTIKA TË D-DAY

Ky Operacion vendimtar udhëhiqej nga Gjenerali Dwight D. Eisenhower, më vonë Komandant i NATO-s dhe president i SHBA.

Ushtria përbëhej nga:

156 000 trupa (73000 Amerikanë dhe 83000 britanikë dhe kanadezë)

12 837 Avionë luftarakë

6939 Anije

personel i marinës – 195 701 (52 889 Amerikanë, 112 824 britanikë dhe 4988 nga trupat Aleate) / KultPlus.com

Kurti ngushëllon familjarët dhe kolegët për vdekjen e Rexhep Ferrit: Kosova humbi një nga figurat më të rëndësishme të artit dhe kulturës

Sot, në moshën 87-vjeçare, ka vdekur piktori, profesori dhe shkrimtari, Rexhep Ferri, përcjell KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shprehu ngushëllime familjarëve dhe gjithë komunitetit artistik duke u shprehur se Kosova humbi një nga figurat më të rëndësishme të artit dhe kulturës.

Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Rexhep Ferrit, piktor, profesor dhe shkrimtar. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ferri dhe gjithë komunitetit artistik në emër të popullit dhe qeverisë së Kosovës.

Rexhep Ferri, i lindur në vitin 1937 në Kukës, jetoi dhe punoi në Prishtinë. Ai u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Beograd në vitin 1966 dhe përfundoi masterin në vitin 1970. Që nga viti 1974, ishte profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dhe në vitin 2000 u bë anëtar i rregullt.

Rexhep Ferri organizoi shumë ekspozita të pavarura kombëtare dhe ndërkombëtare dhe mori pjesë në ngjarje të rëndësishme artistike në Kosovë dhe jashtë saj. Në vitin 1971, ai u nderuar me Çmimin e Dhjetorit për kontributin e tij në artin figurativ.

Përveç veprave artistike, ai ka botuar edhe poezi, ese dhe romane që pasurojnë trashëgiminë tonë kulturore.

Në vitin 2021, ai u nderua me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Muslim Mulliqi” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që iu dorëzua në vitin 2022. Më 26 gusht 2023, kisha nderin ta takoj personalisht dhe të bisedoj me të për artin dhe trashëgiminë kulturore, një takim që nuk do ta harroj asnjëherë dhe do ta mbaj si kujtim të veçantë.

Kontributet e tij si pedagog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës kanë lënë një trashëgimi të pasur artistike dhe edukative. Kosova humbi familjarin e dashur, Akademikun, Profesorin, shokun, kolegun dhe një nga figurat më të rëndësishme të artit dhe kulturës. Do të kujdesemi që vepra e tij të dokumentohet, të mbrohet dhe të njihet e studiohet nga gjeneratat e reja.

Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me të. Le ta kujtojmë dhe nderojmë gjithmonë jetën dhe veprën e Rexhep Ferrit./KultPlus.com

Thomas Mann dhe romani Budenbrokët

Më 6 qershor 1875 lindi në Lybek, shkrimtari i njohur gjerman, nobelisti, Thomas Mann.

Që në moshë të re Thomas Mann tërhoqi vëmendjen me tregimet e tij, duke u bërë një emër i njohur në qarqet letrare. Ai ishte vetëm 26 vjeç kur kori suksesin e madh me romanin Budenbrokët.

Ndryshimi epokal në tregti dhe ekonomi në shekullin e 19-të është një nga temat qendrore të romanit Budenbrokët. Konsulli Jan Budenbrok e ndjen, se koha e tij ka kaluar. Konkurrenti Hagenstrëm duket se është i një brezi tjetër, disi grabitqar. Jan Budenbrok është qytetar i nderuar i Lybekut dhe tregtar i sukseshëm drithërash.

Tomas Mani në roman vë botën e ftohtë, që në dukje bazohet vetëm te biznesi i mbështetur te logjika, në kontrast të fortë me botën emocionale të teatrit e të artit. Të dy djemtë e Jan-it plak, Tomasi dhe Kristiani, përfaqësojnë këto dy pole, sikurse shpaloset tek ky dialog nga romani: „Hajde vetëm qeshni, qeshni. Juve ju pëlqen edhe në teater, Justus, Stefan? Para dhe prapa skenës! – Ehe, por fundi është vetëm teatër, skenë, makjazh. Po, por në fund veprohet më me sinqeritet. Tregtarët bëjnë gjithnjë sikur janë si të ndershëm. Në fakt janë vetëm mashtrues dhe ta hedhin, nga do të dilte përndryshe fitimi?”, pyet Kristiani gjysëm serioz, gjysëm me shaka miqtë e tij nga rrethet tregtare të Lybekut, të cilëve u mbetet e qeshura në fyt. Kristiani, ndryshe nga Tomasi gjatë gjithë jetës së tij ka qenë i mahnitur nga të fshehtat e errëta të sferave artistike.

„Budenbrokët” në vitin 1901 ka qenë një sukses sensacional i Tomas Manit 26 vjeçar, një pjesë letrare, që shumë shpejt u bë literaturë klasike, që edhe sot nuk duhet të mungojë në asnjë antologji të letërsisë gjermane.

Thomas Mann ishte djali i dytë i tregtarit dhe senatorit të Lybekut Thomas Johann Heinrich Mann. Nëna e tij e lindur në Brazil Julia (emri i lindjes da Silva Bruhns) i përkiste nga prejardhja prej nënës së saj popullsisë indigjene portugeze. Çifti Mann pati pesë fëmijë Heinrich, Thomas, Julia, Carla dhe Viktor.

Thomas Mann u rrit në kushte të mira në një familje të pasur në Lybek, ku babai i tij deri në vdekje mbante edhe postet e senatorit për ekonomi e financa në qytet.

Thomas pati një veprimtari të paur letrare. Në vitin 1929 a u vlerësua më Çmimin Nobel në letërsi. Gjatë përiudhës së forcimit të nacionalsocialistëve ai u bë një kundërtar i rreptë I këtij sistemi, gjë që e detyroi atë të largohet nga Gjermania fillimisht në Zvicër dhe nga viti 1934 në SHBA./dw/KultPlus.com

“Breaking Travel News”: WTTC: Sektori i turizmit në Shqipëri “shpërthen” në skenën botërore

Hulumtimi për Ndikimin Ekonomik 2024 (EIR) i kryer nga Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit (WTTC) ka zbuluar sot se sektori i turizmit në Shqipëri ka dhënë një kontribut të madh në ekonomi, duke krijuar më shumë vende pune në vitin 2023 se çdo vit më parë në histori, sipas një artikulli të botuar në “Breaking Travel News”.

Sipas raportit më të fundit të Organit Global të Turizmit, kontributi i sektorit në PBB-në e Shqipërisë arriti pothuajse 565 miliardë dollarë vitin e kaluar, që ishte pothuajse 37% më shumë se niveli më i lartë i mëparshëm në 2019-ën.

Vendet e punës të mbështetura nga sektori u rritën me më shumë se 10% në 2019 me pothuajse 269,000 vende pune në të gjithë vendin, duke përfaqësuar një në pesë vende pune në Shqipëri.

Shpenzimet e vizitorëve ndërkombëtarë parashikohen të rriten në më shumë se 493 miliardë dollarë, një rritje mahnitëse prej 55% – në nivelet e vitit 2019. Shpenzimet e vizitorëve vendas gjithashtu parashikohen të arrijnë mbi 107 miliardë dollarë këtë vit.

Rekordet parashikohen të thyhen përsëri në vitin 2024.

WTTC parashikon që PBB-ja do të vazhdojë të rritet në pothuajse 608.5 miliardë dollarë këtë vit, me gati 10,000 vende pune të reja që priten këtë vit.

“Shqipëria është një shembull i shkëlqyer se si sektori i turizmit mund të nxisë prosperitetin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Shifrat rekord për Shqipërinë përfaqësojnë progres real dhe mundësi reale për mijëra punonjës”, tha Julia Simpson, presidente dhe CEO e WTTC.

“Shqipëria është shfaqur në skenën botërore si një destinacion i madh. Me mbështetjen e qeverisë, sektori i turizmit në vend po vendoset si një destinacion në rritje në peizazhin global të turizmit”, shtoi ajo.

Shqipëria po vazhdon të thyejë rekorde të reja, duke u pozicionuar si një nga destinacionet gjithnjë e më popullore turistike të Evropës.

Me ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, qeveria shqiptare po forcon përpjekjet për të tërhequr më shumë vizitorë ndërkombëtarë, duke përfituar nga popullariteti në rritje i vendit, falë trashëgimisë së tij të pasur kulturore, peizazheve mahnitëse dhe përballueshmërisë.

Sipas parashikimit të Organit Global të Turizmit, sektori i turizmit do të rrisë kontributin e tij vjetor të PBB-së në 749 miliardë dollarë deri në vitin 2034 dhe parashikohet të punësojë më shumë se 314 000 njerëz në të gjithë vendin.

Shpenzimet e vizitorëve ndërkombëtarë parashikohen të arrijnë në 565 miliardë dollarë, dhe shpenzimet e vizitorëve vendas pritet të arrijnë pothuajse 152 miliardë dollarë./atsh/KultPlus.com

Tryezë e rrumbullakët me krerët e arkivave, Bido: Tejkalojmë kufijtë shtetërorë

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka organizuar një tryezë të rrumbullakët me drejtues të arkivave të rajonit, për të shkëmbyer ide dhe përvoja mbi veprimtarinë e përbashkët në fushën e arkivistikës.

Në sallën shumëfunksionale të DPA-së të përuruar së fundmi, u mblodhën përfaqësuesit më të lartë të institucioneve arkivore të Egjiptit, të Turqisë, të Izraelit, si edhe të vendeve të Ballkanit, të Europës Lindore dhe Jugore.

Në fjalën e tij hapëse, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, u shpreh se arkivat kanë mundur të tejkalojnë kufijtë shtetërorë, duke arritur një shkëmbim kulturor të domosdoshëm për të kuptuar të shkuarën historike.

“Nuk mund të shkruajmë historinë e shqiptarëve pa patur dokumente nga arkivat osmane, pa dokumentet e arkivave të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, të Moldavisë, të Kosovës, pa dokumentet e rilindasve tanë në Rumani, në Bullgari apo në Ukrainë.

Arkivat, duke qenë trashëgimi e pazëvendësueshme, janë përgjegjëse për ruajtjen, për administrimin dhe shërbimin e dokumenteve dhe nuk mund ta përmbushim këtë detyrë pa bashkëpunim dhe transparencë, me qëllim që të administrojmë në mënyrë eficente materialet që zotërojmë”, tha Bido.

Më tej drejtori i DPA renditi investimet e bëra në digjitalizim, në restaurim, në vendruajtjen e dokumenteve, në aksesin online për të gjithë etj. Bido premtoi se në fund të vitit, do të publikojë videotekën që zotëron DPA-ja. Po ashtu, do të çelet Muzeu Arkivor, ku edhe të huajt do të kenë mundësi të krijojnë një këndshikim mbi historinë dhe jetën e shqiptarëve.

Ky takim u zhvillua në kuadër të aktiviteteve që po mbahen me rastin e 75-vjetorit të themelimit të DPA-së. Në një kalendar të ngjeshur kushtuar këtij përvjetori jubilar, do të mbahet një ceremoni kremtuese, si edhe do të organizohet Konferenca e VIII Mbarëkombëtare e Arkivistikës./atsh/KultPlus.com

Së shpejti hapet ekspozita “Çiknia Jonë” në Muzeun e Mitrovicës

Në Muzeun e qytetit të Mitrovicës me 10 qershor nga ora 19:00 mbahet hapja e ekspozitës “Çiknia Jonë” nga Elena Gallina.

Praktika e shkëmbimit së pecetave mes vajzave në Kosovë daton qysh nga vitet e 60-ta. Për këtë, artistja Elena Gallina ka intervistuar, hulumtuar dhe ka mbledhur të dhëna nga gjeneratat e ndryshme të vajzave dhe grave për të kuptuar rëndësinë e të shkëmbyerit, ruajturit, dhe të trashëguarit të pecetave me ilustrime shumëngjyrëshe mes gjysheve, tezeve, motrave dhe shoqeve.

Si pjesë e procesit të kësaj ekspozite, gjatë intervistimit të grave, artisja u kërkoj që të komentonin për atë që do të thotë të qenurit grua për to: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja.

Një pjesë e madhe e fotografive dhe artit fokusohet veçanërisht në dhunën ndaj grave dhe barrierat patriarkale që janë të përcaktuara. Megjithatë, fokusi i ekspozitës bie mbi të bukurën e të qenurit grua, dhe nostalgjinë e shkëmbimit të pecetave, si një formë e të festuarit të çiknisë.

“Si gra, ne nuk duam të jetojmë në një botë ku duhet të jemi gjithmonë të forta.

Megjithatë, i bëjmë homazh mënyrave të vogla të bukura krijuese të vajzave dhe grave në mbarë botën që arrijnë të jetojnë, punojnë, luajnë dhe ekzistojnë, pavarësisht parametrave të një bote të dominuar nga patriarkati”, thotë artistja./express/KultPlus.com

Presidenti i UNI Alejtin Berisha, folës mbi temën “Women’s Role in Artificial Intelligence Development” në DOKUTECH, edicioni i 11-të

Presidenti i UNI-Universum International College, Alejtin Berisha, ka qenë një prej folësve kryesorë në një ndër konferencat më të mëdha në Kosovë, e cila ka si synim të promovojë, të prezantojë dhe bëjë kërkime në fushën e teknologjisë, DOKUTECH. Diskutimi i panelit në të cilin ai mori pjesë trajtoi temën e “Rolit të Grave në Zhvillimin e Inteligjencës Artificiale”.

Në fokus të diskutimit ishte impakti i jashtëzakonshëm që gratë po kanë në zhvillimin e teknologjisë AI.

Berisha foli për  rëndësinë e diversitetit dhe përfshirjes së grave në platformat e inteligjencës artificiale, duke theksuar nevojën për të pasur më shumë gra në pozicione të larta në këtë fushë.

Në paraqitjen e tij para audiencës, Berisha u fokusua në potencialin e studiueseve të reja në këtë fushë, duke shprehur që vitet e fundit po vërehet një rritje në aspektin e udhëheqjes. Shumë gra tashmë janë në krye të kompanive dhe startup-ave,  duke ofruar një menaxhim të duhur dhe kreativitet në teknologji të avancuar. Ai vlerësoi kontributin e tyre në transformimin e sektorit dhe paraqitjen e ideve inovative.

Konferenca e inovacionit dhe teknologjisë “DOKUTECH” në Kosovë ka filluar edicionin e saj të 11-të. Ky event vjetor është një konferencë e rëndësishme që zbulon zhvillimet e fundit në teknologji dhe sipërmarrje.

UNI-Universum International College, është institucion i duhur që përmes programeve të studimeve Bachelor në Shkenca Kompjuterike dhe Siguri Kibernitike, përgatit studentët përmes planprogramit të tij, udhëzon ata në rrugën e zhvillimit të ideve të tyre. Duke ofruar qasje në platforma ndërkombëtare dhe mbështetur vazhdimisht projektet e reja teknologjike. 

UNI – Universum International College menaxhohet dhe fuqizohet nga Arizona State University (ASU), i rankuar si Universiteti Nr.1 në SHBA për Inovacion.

Bashkohuni me ne sot dhe filloni rrugën tuaj drejt një të ardhmeje të ndritur nesër! Për më  shumë info. Kliko KETU.

Gjithashtu kontaktoni +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram.

Ministri Çeku për vdekjen e artistit Rexhep Ferri: Kontributi i tij do të mbetet udhërrëfyes për brezat e ardhshëm

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka reaguar përmes rrjeteve sociale pas vdekjes së artistit të njohur Rexhep Ferri, duke shkruar se ai ishte një nga artistët mëtë veçantë të kombit.

“Ferri i takon brezit që ngritën skenën tonë artistike. Vepra dhe kontributi i tij do të vazhdoj të jetë udhërrëfyes edhe për brezat e ardhshëm. Përherë mirënjohës për angazhimin dhe trashëgiminë që ka lënë pas”, ka shkruar ai.

Tutje, ai ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Ferri, komunitetin artistik dhe gjithë shoqërinë.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Rexhep Ferrit”, ka shkruar ai në fund.

Presidentja Osmani për vdekjen e artistit Rexhep Ferri: Mjeshtëria e tij krijuese ka gërshetuar mrekullisht pikturën me letërsinë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka ngushëlluar familjen, miqtë, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe komunitetin kulturor për vdekjen e akademik Rexhep Ferrit.

Ajo është shprehur se Kosova ka humbur akademikun, piktorin, poetin, prozatorin e eseistin Rexhep Ferri.

“Mjeshtëria e tij krijuese ka gërshetuar mrekullisht pikturën me letërsinë, të cilave nuk iu nda gjatë gjithë jetës. Akademik Ferri i takon brezit të artë të piktorëve të Kosovës, ndaj emri i tij do të mbetet i skalitur përherë në kujtesën tonë nëpërmjet krijimeve të tij artistike të larmishme, të cilat do të mbeten testament për ne dhe brezat pas nesh”, janë shprehur nga presidenca.

Festivali i Teatrit për Fëmijë, çmimin e parë e fiton trupa teatrale e Fierit me shfaqjen “Medea”

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit për Fëmijë “1 mbi 1 dritaret” mbylli siparin e edicionit të katërt në qytetin e Beratit mbrëmjen e së mërkurës .

Në natën finale,juria e përbërë nga aktorët Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku dhe Anila Bisha ka ndarë 3 çmimet fituese.

Në vend të parë u rendit trupa teatrale e Fierit,e cila u paraqit me shfaqjen dramatike “Medea”.

Kryetari i jurisë,aktori Ndriçim Xhepa, tha se Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit për fëmijë “1 mbi një Dritaret” ka një rëndësi të veçantë për gjeneratën e re,pasi i nxit ata drejt aktiviteteve kulturore.

“Të gjithë qyteteve që marrin pjesë këtu I krijon një nxitje një aktivitet shumë pozitiv për gjallërimin e tyre dhe krijojnë një konkurrence të bukur.  shofim  një të ardhme një perspective për të qene nesër në gjeneratat e reja që do marrin pjesë në artin dhe filmat shqiptar”, u shpreh Ndriçim Xhepa, kryetari i jurisë.                                                                                                   

Darlin Dimo,aktorja kryesore e trupës tetrale Fier, u vlerësua për  interpretimin e saj.

“Kam qene që e vogël që jam marrë me aktrim. Është një emocion shumë i madh për mua, jam rritur në skene që e vogël”, tha ajo.

Çmimin e dytë  të  këtij festivali e fitoi trupa teatrale e qytetit të Elbasanit me shfaqjen “2 martohen 200 tërbohen” dhe çmimin e tretë e MORI trupa teatrale e Beratit me shfaqjen “Zonja nga qyteti”./vizionplus.tv/KultPlus.com

“REPORTING HOUSE” ekspozita që shpërfaqë luftën e Kosovës nëpërmjet raportimeve të gazetarëve  

Ekspozita REPORTING HOUSE i e prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery do të prezantohet më 10 qershor në ora 18:00 në ish-Shtëpinë e Mallrave ‘Gërmia’ në Prishtinë (ish zyra e Administratës Tatimore të Kosovës/ATK) në afërsi të përmendores së Skënderbeut dhe zyrës së BE-së, dhe është ekspozitë që prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Organizatorët kanë bërë të ditur se ekspozita e REPORTING HOUSE u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008.

Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie. Publiku ftohet që ta kuptojë më tej historinë e jashtëzakonshme të Kosovës, ndërsa ekspozita është e hapur për bashkëpunim për zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Ekspozita prezanton vepra të artistëve që vijnë prej vendeve të ndryshme dhe emra të njohur nga bota e artit si Anri Sala nga Shqipëria, Adrian Paci nga Shqipëria, Goncalo Mabunda nga Mozambiku, Lala Meredith Vula nga Anglia, Zhana Kadyrova nga Ukraina, Lana Cmaijcanin nga Bosna dhe Hercegovina, Laura Imami dhe Besa Llugiqi e deri te artistët e rinjë si Vullnet Jakupi dhe Vita Kasapolli.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga  BBC, Das Erste (TV publik gjerman), NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV Spanjoll) dhe Frontline News Television. Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.

Kontribuesit në këtë ekspozitë janë Jeremy Bowen, Ben Brown, Ilaz Bylykbashi, Thomas Dvorzak, Alan Chin, Donika Shahini, Paul Lowe, Max Stahl, Flaka Surroi, Ridvan Slivova, David Loyn, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Nik Millard, Andrew Testa, Pal S. Refsdal, Hazir Reka, Marija Ristiq, Fred Scott, Eliza Hoxha, Vaughan Smith, Nora Weller, Sean Whelan, Goran Tomaseviq, Sami Mustafa, Alban Bujari, Linda Gusia, Eki Rrahmani, Srebrenica Memorial Center, Anibar, Koha Ditore, RTK dhe Oral History Kosovo.

Sfidat me të cilat u përballën gazetarët që mbuluan luftën në Kosovë rezonojnë edhe sot e kësaj dite, kur këtyre gazetarëve ju duhet të mbulojnë luftërat në Ukrainë, Gaza, Sudan e Etiopi duke u përballur me propagandën dhe dezinformimin e zmadhuar nga mediat sociale.

Reporting House do të hapet në Shtëpinë e Mallrave të Prishtinës “Gërmia”, që për herë të parë shndërrohet në hapësirë kulturore. Këtu dhe në dy hapësira tjera, në  Hamamin e Prishtinës dhe Paper Gallery, Shtëpia e Gazetarëve synon të krijojë ambient për përsiatje, dialog dhe katarzë, duke e nderuar kujtimin për ata që kanë pësuar nga lufta në Kosovë dhe avokon për një të ardhme të paluftë.

Ekspozita është realizuar nga Jeta Xharra dhe kuruar nga Gazmend Ejupi.

Pjesa më e madhe e materialit televiziv arkivor dhe artifakteve janë dhuruar nga Vaughan Smith nga Frontline News Television që punoi në Kosovë në 1998-1999./ KultPlus.com

BeerFest Kosova 2024 – organizim madhështor prej 12 deri më 15 korrik në Prishtinë

Festivali tradicional i Birrës “Beerfest Kosova 2024”, vjen këtë edicion me shumë risi, përfshirë hapësirë më të madhe, më shumë brende të birrave vendore dhe ndërkombëtare si dhe me një program artistik të një festivali madhështor, me artistët më të kërkuar në vend dhe rajon, prej 12 deri më 15 korrik, në Parkingun prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Rritja e interesimit të vizitorëve për festivalin ka shtyrë që organizatorët në këtë edicion të sjellin gjithë këto risi në çdo aspekt.

Përveç birrave në festival e keni edhe këndin e ushqimit dhe pije jo alkoolike

Ky festival ka edhe këndin e ushqimit dhe pijeve jo alkoolike përfshirë edhe pjesën Chill Zone, që ju ofron vizitorëve zgjedhje të larmishme dhe gjithëpërfshirëse, duke u siguruar që të gjithë të kenë diçka për t’i shijuar.

Por surprizat nuk ndalojnë këtu. Përveç muzikës, birrës dhe ushqimit, BeerFest Kosova do të sjell edhe lojëra të ndryshme që do të ndihmojnë në ndezjen e atmosferës, nga lojërat klasike deri te aktivitetet e ndryshme si: Beer Pong dhe Beer Olympics, çdo moment do të jetë një aventurë e paparë.

Pagesat në festival janë “Cashless” (mënyrë elektronike e pagesës me byzylyk)

Për ta lehtësuar eksperiencën tuaj, pagesat do të jenë “Cashless”, pra pagesat do të bëhen në mënyrë elektronike me byzylyk, në pikën e dedikuar brenda hapësirës së festivalit.

Për t’iu mbajtur të informuar rreth agjendës së Beerfest dhe aktiviteteve të cilat do të organizohen gjatë këtyre katër ditëve, na ndiqni në Facebook dhe Instagram.

Këtu mund të rezervoni biletën tuaj, Early Bird Ticket/ KultPlus.com

Kryetari Konjufca për vdekjen e Ferrit: Veprimtaria e tij e vendosi në mauzoleun e të pavdekshmëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar për vdekjen e artistit, Rexhep Ferri, duke iu shprehur ngushëllime familjarëve.

Përmes rrjeteve sociale, ai ka thënë se veprimtaria e tij e vendosi atë në mauzoleun e të pavdekshmëve.

“Sot me pikëllim të thellë e mora lajmin se ka ndërruar jetë piktori, profesori e akademiku Rexhep Ferri. Ai do t’i mungojë jo vetëm familjes së tij, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij që i pati përgjatë një jete të mbushur me krijimtari dhe punë, por do t’u mungojë të gjithëve, sepse vepra e tij që la pas është një thesar i jashtëzakonshëm”, shkroi kryeparlamentari në Facebook.

Tutje, ai shtoi se është nder që një prej pikturave të Ferrit gjendet në ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe se veprat e tij i mbajnë me krenari.

“Veprimtaria e tij dhe kontributi si profesor dhe krijimtaria e tij e pamatshme si një nga piktorët më të mëdhenj të kombit tonë, e vendosin atë pa asnjë diskutim në mauzoleun e të pavdekshmëve. Është nder që njëra prej pikturave të Rexhep Ferrit gjendet pikërisht në ambientet e Kuvendit tonë. Veprat e tij i mbajmë me krenari. Ajo qëndron me një shkëlqim rrezatues duke na bërë të gjithëve, bashkë me çdo vizitor aty, dëshmitarë të bukurisë frymëzuese”, ka shkruar ai./KultPlus.com

“Ekrani i Artit” në Shkodër, dhjetëra aktivitete artistike deri më 9 qershor

Shkodra hapi dyert në Kinema Republika për edicionin e 7-të të festivalit “Ekrani i Artit”.

Festivali sjell në këtë edicion 45 filma, 3 ekspozita, 4 instalacione-video, performanca, biseda me artistë të ftuar dhe orë të panumërta me muzikë e vallëzim.

Nën titullin “Solitude and Multitude”, filmat e këtij viti eksplorojnë skajet e ekzistencës njerëzore ku vetmia dhe shumësia, individi dhe komuniteti, thjeshtësia dhe kompleksiteti, intimiteti privat dhe dimensioni publik përvijohen mes nuancash të panumërta.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, shprehi kënaqësinë për rivendosjen në punë të kinemasë së qytetit si një hapësirë publike për të gjithë qytetarët, ndërkohë që puna për rikonstruksionin e plotë do të vijojë.

Deri më datën 9 qershor, Shkodra do të vazhdojë të mirëpresë vepra të video artit, filmit të shkurtër e të gjatë, dokumentar e fiksion nga artistë vendas dhe ndërkombëtarë në vende të ndryshme të qytetit si: Kinema Republika, Art House, Galeria e Arteve, Vendi i Dëshmisë e Kujtesës, Qendra Rinore Arka, Auditori Franceskan, Galeria Oda dhe Kalaja e Rozafës.

Ekrani i Artit vazhdon traditën e tij për të mos e përsëritur asnjëherë vetveten, duke sjellë filma dhe autorë të rinj dhe duke rinovuar vetë strukturën e festivalit./atsh/KultPlus.com

Kori alpin, koncert tek instalacioni “Reja”

Një koncert i veçantë është zhvilluar në hapësirën e instalacionit “Reja”, në kuadër të Javës Kulturore Italiane.

Kori i Bolzanos A.N.A. nën drejtimin e Maestro Werner Redolfi, solli një performancë magjepsëse me këngët popullore të Associazione Nazionale degli Alpini. Mes peizazhit urban të Tiranës, meloditë e tyre harmonike na transportuan te pranishmit në malet piktoreske, duke ngjallur ndjenja nostalgjie dhe vlerësimi për trashëgiminë muzikore të rajonit.

Koncerti, me hyrje falas, u organizua nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë, Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë dhe Bashkinë e Tiranës.

Këngët e përzgjedhura përfaqësojnë këngët e vërteta popullore, malore dhe alpine, këngë të gjitha të lidhura me territorin. Aktualisht kori përbëhet nga 26 elementë dhe drejtohet nga Maestro Werner Redolfi, ish-korist. Deri më tani kori ka dhënë 100 koncerte. Kori ANA Piani Bolzano prezantohet në qytetin e Bolzanos, por edhe në të gjithë krahinën, si një burim i ri kulturor, i cili jep një sinjal të fortë, pozitiv shprese dhe besimi në sektorin e muzikës korale popullore dhe alpine./atsh/KultPlus.com

Sabri Behramaj: Rrëfimi i nënës së Leotrimit më goditi, skulpturën nuk e porositi askush

Më 18 qershor të këtij viti, në sheshin e Skenderajt do të bëhet inaugurimi i skulpturës së Leotrim Ahmetit, skulpturë që ka prekë të gjithë shqiptarët, shkruan KultPlus.

Rrëfimi i nënës së Leotrimit ka goditë skulptorin Sabri Behramaj, i cili së fundi ka realizuar skulpturën e vogëlushit, vogëlush që ka humbur jetën prej plagëve të rënda që i kishin shkaktuar forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Skulptori Behramaj realizimin e skulpturës e ka bërë pa iniciativë dhe kërkesë të askujt. Ai ka shpjeguar për KultPlus se kjo vepër arti ka ardhë si rezultat i rrëfimit të nënës së Leotrimit, rrëfim që ka prekë tej mase artistin.

“Për muaj, dhe besoj për çdo qytetar të Kosovës, rasti i Leotrimit është një rast i ndjeshëm që të prekë thellë në zemër”, ka thënë Behramaj për KultPlus.

Ai ka shpjeguar se për rastin e Leotrimit kishte mësuar nga Nusret Pllana, i cili rrëfimin e nënës së Leotrimit e kishte shpërndarë në rrjete sociale.

 “Më emocionoj shumë, dhe ishte hera e parë që dëgjova për këtë rast. Dhe pikërisht aj rrëfim më obligoi që t’ia dedikoj një skulpturë Leotrimit”, ka thënë ai.

Më pas Sabri Behramaj ka shpjeguar se ai nuk ka njohur nga afër familjarët e Leotrimit, po për koincidencë, vëllai i Leotrimit kishte kërkuar një takim me artistin Sabri Behramaj, që ky i fundit të realizonte një bust për babain e tij, Malush Ahmetin, tani hero i Kosovës, i cili poashtu është edhe babai i Leotrimit.

“U takuam me Besnikun, dhe u dakorduam për realizimin e bustit për babain e tij. Në fund të bisedës më tregoj se si ai ka edhe një vëlla të rënë gjatë luftës. E pyeta për emrin e vëllait, dhe kur më tha se emri i tij ishte Leotrim, që të sigurohesha më mirë, unë nxorra foton që mbaja në telefon që ta pyesja se nëse ishte po ky Leotrimi që unë veç kisha vendosë ta realizoja në skulpturë, ai pasi pa foton, ma konfirmoi se ishte po ai vogëlush që mua më kishte prekë thellë në zemër”, ka shpjeguar Behramaj për rrugëtimin e realizimit të skulpturës.

Behramaj ka thënë se skulptura është e formatit natyral dhe se puna për realizim ka zgjatë afro tre muaj.

Mirëpo realizimi i kësaj skulpture sipas tij, do të mbetet një prej punëve të tij artistike që i ka sjell shumë emocion, dhimbje e përjetime të pashpjegueshme.

Skulptura e Leotrim Ahmetit është skulptura e parë që përkujton fëmijët e vrarë përgjatë luftës në Kosovë, e që numri i fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur është 1432. / KultPlus.com

Aleksandër Pushkin, poeti i mahnitshëm që u bë viktimë e një gruaje

Aleksandër Sergejeviç Pushkin lindi më 6 qershor 1799 në një familje oborrtare dhe vlerësohet gjerësisht, si themeluesi i letërsisë moderne ruse. Ky poet i shkëlqyer, elegant dhe romantik, ​​u rrit në kulturën franceze dhe e njihte më së miri si veprën e Volterit, ashtu edhe atë të La Fontenit.

Poeti, dramaturgu dhe romancieri rus, vepra e të cilit, e ushqyer nga trashëgimia klasike evropiane, e hapur ndaj ndikimeve romantike, por shumë e lirë në zgjedhjen e temave dhe formave të saj, çliroi letërsinë ruse nga varësia e rregullave të huaja, Pushkini i ofroi letrat e fisnikërisë gjuhës ruse, duke hapur rrugën për një letërsi të madhe kombëtare me shtrirje universale.

Që prej shkollës së mesme, në Tsarskoie-Selo, Pushkini afirmoi talentin letrar. Në 1820, famën e kërkuar ia dha poema “Rusllana dhe Ludmilla”… po dhe një dëbim në Kaukaz për mendime liberale. U rikthye falë carit Nikolas I në 1826, ku rigjeti jetën shoqërore të Moskës dhe në veçanti botoi dramën kombëtare “Boris Godunovi”.

Natalia Gontaçarova, me të cilën u martua në 1831, duhej ta kishte bërë të lumtur. Por ajo që konsiderohej si një nga gratë më të bukura në Rusi, do të ishte përfundimisht, shkaku i vdekjes së tij: e mikluar nga të gjithë, përfshirë edhe nga Car Nikolas I, ajo përfundoi duke magjepsur një oficer të ri francez, Antes. Më 26 janar 1837, në Shën Petërburg, ai e sfidoi poetin në duel dhe e plagosi atë në ijë. I transportuar në shtëpi, Pushkini vdiq tri ditë më vonë, pa mbushur ende 38-vjeç.

Shumë fraza të shkëlqyera të Aleksandër Pushkinit janë marrë nga poezitë e tij ose çfarë thonë personazhet në romanet e tij. Të gjithë kanë një shenjë të veçantë: ato janë shumë të thella dhe shumë të bukura në të njëjtën kohë.

Thuajse shumicën e kohës ishte i angazhuar në çështje politike, më së shumti për arsye etike sesa për një pasion për pushtet në vetvete.

Aleksandër Pushkini shënoi një epokë, që fare mirë mund të quhet “para dhe pas tij”, në letërsinë ruse.

Ishte një shkrimtar vërtet i rafinuar. Si mendimtar, ai ishte një njeri përparimtar për kohën. Ai vdiq i mbushur me dyshime dhe paradoksalisht, ishte Car Nikolas I që pagoi për këto dyshime.

Mes poezive, risjellim vargjet e famshme:

Letër e Tatjanës, Onjeginit

Po marr guximin që t’ju shkruaj…
Ç’do deshit më veç shpirtit tim?
E di, se është e drejta juaj
Të më dënoni me përçmim.
Po ju që e shihni si po vuaj
Me pak mëshirë, sado pak,
Nuk do më mprapsni zemërake!
Më parë desha të rri qetë
Për turpin tim besomëni,
Ju s’do të dinit kur se si,
po të mund të shpresonja vetë
Që, kur e kur me plot hare
të kem t’ju shoh këtu tek ne
Që t’ju dëgjoj si kuvendoni,
T’ju them një fjalë dhe pastaj
Në zemër veç një mall të mbaj,
Veç gjer sa rish të më takoni…
Po thonë se ju s’rrini dot
Në fshat të heshtur ju mërziti
E ne… ne rrojmë me të kotë
Plot gas se vini e na aviti.
Pse arthtë vetë ashtu në fshat,
Na gjettë tek ky vend i qetë?
T’ju njoh s’do kisha kurrë fat,
S’do kisha turbullimn’ e shkretë.
Dhe afsh’ i shpirtit tim në jetë
Duke u qetuar (kushedi!).
Një mikut mund t’i bëhesha mike
Dhe shoqe e jetës e besnike
Dhe zonjë e ndershme për shtëpi.
Një tjetër… jo askujt në jetë
Nuk do t’i falnja dashuri!
E ka vendosur Qielli vetë,
jam e jotja në përjetësi;
Gjithë jeta ime me pat qenë
Një peng se ty do të takoj
Se Zoti jetën ma ka dhënë
Që gjer në varr të adhuroj…
Përhera të kam ëndërruar
të ndjenja fellë thellë në gjit
me atë vështrim që më trondit
Në zemër shpesh ta kam dëgjuar
ty zërin… jo s’ish ëndërrim!
Dhe sapo hyre, të kuptova
Më preke fort u përvëlova
Thashë ësht’ ai thesari im!
S’është e vërtetë? Po, të kam ndjerë
Me flisnje kur me dhemshuri
ndihmoja njerëzit e mjerë,
Më sillte shpesh lutja qetësi,
Edhe tashi, ndaj kësaj grime
A nuk je ti o ëndrra ime,
Që n’errësirë po ndriçon
E vjen më prek me nur e hije?
S’je ti që plot prej dashurije
Shpres’ edhe gas me murmuron?
Kush je ti? Engjëlli me shpresë,
apo një lajkatar pa besë?
Ma hiq tashi këtë dyshim
Kjo mbase nj’ëndërr mund të jetë
Për zemrën time një zhgënjim
E ndryshe krejt fat’ i vërtetë…
Po dhe kështu jet’ dhe fat
veç ty që sot t’i kam besuar
Më qan me lot shpirt i ngratë
E mprojtje vij për të kërkuar.
Mendo: jam vetë s’kam ku flas
askush nuk mund të më kuptoje
Mendja fillon të më lëshojë
Në heshtje duhet të humbas.
Të pres ti eja siç ma k’ënda
Dhe shpresat ngjallm’ i përsëri,
A ma prish ëndrrën që tashi
Me të qortuara të rënda!
Mbarova! S’mund ta rilexoj…
Po vdes nga frik’ turpëruar
Po nderit tuaj i besoj
Me plot guxim duke shpresuar…/konica/ KultPlus.com

Karl Gustav Jung, psikiatri që “krijoi” njeriun e Nëntëqindës

Ai ishte një nga më të mëdhenjtë e shekullit të njëzetë, ai zbuloi se në detin e madh të të pavetëdijshmes ekziston identiteti ynë personal, por edhe një trashëgimi universale që ka të bëjë me të gjitha qeniet njerëzore. Dhe një rrëfim për përplasjen me Freud-in, që e vuri dishepullin para dilemës: të ishte besnik i mësuesit, apo besnik i idesë?

Pak mendimtarë kanë patur ndikim mbi mendimin e shekullit 20 si Carl Gustav Jung. Mendimi i tij është shumë më popullor, nga sa mund të mendohet. Dhe shumë nga termat që ai krijoi, kanë hyrë tashmë në hapësirën e gjuhës së zakonshme. Kur themi, për shembull, se Inspektori Montalbano ka fytyrën e Zingarettit, dhe që tani kushdo që lexon romanet e tij sheh atë fytyrë, ne përdorim konceptin e të pavetëdijshmes kolektive në një mënyrë sipërfaqësore, por jo plotësisht të gabuar. Dhe kur pyesim veten se kush ishte futbollisti më i madh I të gjitha kohërave, Pelé apo Maradona, ne në të vërtetë po aplikojmë një koncept Jungian. Në fakt, po kërkojmë arketipin e futbollistit, atë figurë të fundme dhe të padiskutueshme që mund të mishërojë në sytë e të gjithëve konceptin e “futbollit”. Fjalë dhe ide të tilla si arketipi, energjia simbolike, e pavetëdijshmja kolektive dhe madje edhe introvert e ekstrovert (konceptet e prezantuara nga Jung në veprën e tij Tipas Psikologjike të 1921) kanë lënë prej kohësh horizontin e vogël të literaturës specialistike, për të mbërritur në oqeanin e gjerë të gjuhës së përditshme.

Përpara Freud-it

Jung lindi në Kessvil, Zvicër, më 26 korrik 1875 dhe pati një fëmijëri të lumtur. Ai nuk ishte një fëmijë i shoqërueshëm dhe megjithëse ishte i aftë për marrëdhënie normale, nuk e kishte problem të luante vetëm. Në moshën njëzet vjeç u regjistrua në mjekësi në Universitetin e Bazelit. Nëse është e vërtetë që ndonjëherë teza e diplomimit zbulon interesa që do të mbesin për gjithë jetën, Jung është një shembull i përsosur.

Punimi i tij, botuar në vitin 1902 nën titullin “Psikologjia dhe patologjia e të ashtuquajturave fenomene okulte”, zbulon interesimin e Jung-ut për atë që nuk mund të shpjegohet vetëm me logjikë. Nga fenomenet okulte të vitit 1902, tek komentimi i Librit Tibetan të të vdekurve, Ching, alkimia, UFO-t, Jung ka qenë gjithmonë i vëmendshëm për gjithçka që shkonte përtej logjikës perëndimore. Pas tezës së diplomës, për Jung-un u hapën dyert e një karriere të shkëlqyer akademike. Gjatë kësaj periudhe, vepra më e rëndësishme është “Psikologjia e dementia precox”, 1907, një studim kliniko-teorik që përpiqej të propozonte mënyra të reja për të trajtuar problemin e demencës së hershme. Pastaj erdhi takimi me Frojdin dhe mendimin e tij.

Takimi me Freud-in

Puna e Jung me pacientët me çrregullime mendore e bëri atë të vëmendshëm ndaj botimeve që ofronin mënyra të reja për të trajtuar këtë lloj sëmundjeje. Duke reflektuar mbi shkrimet e Freud-it, Jung-u u bind për vërtetësinë e teorive të tij dhe i shkruajti duke shprehur admirimin e vet. Më 1907 të dy më në fund u takuan. Freud-i ishte 51 vjeç dhe Jung-u 32 vjeç. Diferenca në moshë bëri që Freud-I ta konsideronte Jung-un pothuajse si një djalë, ose të paktën një dishepull të ri dhe shumë të zotë. Në vitin 1909, pas vetëm dy vjetësh njohje, Jung-u shoqëroi Freud-in në udhëtimin e tij të famshëm për në Shtetet e Bashkuara. Dhe ishte gjatë udhëtimit me anije, që marrëdhëniet midis të dy filluan të pësojnë çarje.

E pavetëdijshmja kolektive

Kontrasti midis Freud-it dhe Jung-ut shpërtheu në vitin 1912 me botimin e “Libido: simbole dhe transformime”, vepër që u rishikua më pas në formën e saj përfundimtare në vitin 1952, dhe u botua nën titullin “Simbolet e Transformimit”. Në këtë vepër, Jung-u prezantoi rezultatin e rrugëtimit të tij teorik dhe studimeve të zgjeruara, nga individi tek historia kolektive e njerëzimit.

Për Jung-un, ekzaminimi i shprehjeve të ndryshme filozofike, kulturore dhe fetare të njerëzimit tregonte se, përveç individit të pavetëdijshëm ekziston edhe një e pavetëdijshme kolektive, e cila bashkon qeniet njerëzore dhe shprehet në arketipet, domethënë në ato figura të qarta dhe të paqarta që mishërojnë një koncept dhe të cilat mund të pikasen menjëherë: Nëna, Fëmija, Heroi, Shenjti, Shëruesi. Për Jungun, qenia njerëzore është e thirrur të ndjekë një rrugë të rritjes së brendshme, të cilën ai e quan individualizim. Eshtë një proces personal që na lejon të identifikojmë egon tonë, duke u përballur me vetveten si me individin ashtu edhe me të pavetëdijshmen kolektive. Për Jung-un, pra, psikika ka një projekt, dhe një psikikë e shëndetshme është ajo që identifikon dhe ndjek qëllimin e saj përfundimtar.

Përseja e konfliktit

Mbi bazën e këtyre reflektimeve, Jung-u dhe Freud-I hynë në konflikt, edhe sepse në mes ishte mënyra se si duhej kuptuar epshin. Për Freud-in identifikohej në ngasjen seksuale. Ishte shtytja për diferencimin seksual dhe kënaqja e nevojave të individit. Dhe sipas tij, psikoanalizës i duhet të studojë nxitjet seksuale, sepse epshi fsheh mesazhet e të pandërgjegjshmes. Për Jung-un kjo ishte kufizuese. Ai nuk mund të pranonte që çdo krijimtari artistike ose filozofike buronte nga seksualiteti.

Kjo është arsyeja pse ai foli për simbolet dhe transformimet. Për të, u bë e domosdoshme të zgjerohej koncepti i epshit, në mënyrë që të përfshihen elementë të tjerë që përbëjnë të ashtuquajturën “energji psikike”. Për Jung-un, në të vërtetë, ekziston një energji psikike që shndërrohet dhe shprehet përmes një “funksioni simbolik”. Ky funksion, me pak fjalë, është aftësia për të përpunuar konceptet dhe shtytjet individuale, duke i shndërruar ato në simbole, domethënë në shenja “që tregojnë diçka tjetër”. Historia e Jung-ut është histori e një dishepulli, i cili përballet me një zgjedhje: të jetë besnik i mësuesit, apo besnik i idesë? Freud-i kishte sjellë në jetë psikanalizën, por tani ajo ishte më e rëndësishme se vetë Freud-i dhe Jung-u ndjeu se ishte detyra e tij, që ta bënte të rritej përtej themeluesit.

Alkimia dhe misticizmi

Koncepti i “transformimit” e mahniti Jung-un, i cili pyeste veten se si, në shekujt para zbulimeve të para të Freud-it, energjia psikike, gjithnjë e pranishme tek njeriu, kishte gjetur një mënyrë për t’u shprehur dhe nëse, në histori, mund të gjendeshin shembuj të tjerë “individualizimi”. Ky interes e shtyu atë të studionte Alkiminë, duke e konsideruar jo si paraardhëse të kimisë, por si mënyra për shndërrimin e Vetes, që sipas Jungut, ishte qëllimi përfundimtar i jetës psikike. Krahas Alkimisë, Jung-u identifikoi një rrugë tjetër me të cilën njeriu kishte udhëtuar duke kërkuar – pa qenë i vetëdijshëm – vënien në praktikë të procesit të identifikimit të vetvetes, gjegjësisht mistikës dhe veçanërisht asaj lindore. Jashtë një rrethi të vogël specialistësh, Jung-u ishte ndër të parët që u interesua për tekstet e lashta fetare siç është “Libri Tibetan i të Vdekurve”, i cili tregon rrugën që shpirti njerëzor merr në jetën e përtejme, dhe Ching, një traktat të artit hyjnor kinez, qëllimi i të cilit është të tregojë ndërlidhjet midis njeriut dhe kozmosit, për të nxjerrë mësime që duhen zbatuar në jetën aktuale.

Struktura e Personalitetit

Për Jungun, struktura e psikikës është Personi – Hija – Animus – Anima

  • Personi është uni personal
  • Hija është përfaqësimi i shtytjeve dhe dëshirave të fshehta të të pandërgjegjshmes
  • Animus është imazhi mashkullor i pranishëm tek femra
  • Anima është imazhi femëror i pranishëm tek mashkulli.

Bashkimi i gjithë këtyre të çon tek Vetja, ose shprehja e plotë e personalitetit. Një vizion i tillë shkaktoi skandal, sepse pohimi që tek çdo burrë ishte i pranishëm edhe një aspekt femëror binte ndesh me maskilizmin e shoqërisë së kohës së tij.

Përgatiti: bota.al /KultPlus.com

Vdiq akademiku Rexhep Ferri

Akademiku Rexhep Ferri ka vdekur në moshën 86-vjeçare, kanë njoftuar familjarët e tij të enjten. Ferri i përket gjeneratës së artë të piktorëve kosovarë.

Sipas njoftimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), më 7 qershor [nesër], në orën 11:00, do të mbahet mbledhja komemorative në ASHAK dhe më pas, deri në orën 12:00, do të bëhen homazhe.

Varrimi i Ferrit do të bëhet të premten [nesër] në orën 13:00 në varrezat e Prishtinës.

Ferri u lind në Kukës të Shqipërisë në vitin 1937. Më 1958 mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Në vitin 1962 botoi poezitë e para, nga cikli “Shëtitësit e lodhur” në revistën letrare “Jeta e re” në Prishtinë dhe paralajmëroi se “poezia dhe letërsia në përgjithësi do të jetë preokupimi i tij pothuaj po aq sa edhe artet pamore”, sipas biografisë të publikuar në faqen zyrtare të ASHAK-ut.

Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd ndërsa në vitin 1970 mbaroi studimet pasuniversitare po në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori “çmimin e Dhjetorit” të Kuvendit të Kosovës për kontributin e tij në fushën e arteve figurative.

Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë.

Në vitin 1996, Ferri u zgjodh anëtar korrespondent i ASHAK-ut, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2000. Më 1999 u vendos në pozitën e sekretarit të Seksionit të Arteve në ASHAK.

Ka organizuar shumë ekspozita të pavarura në vend dhe jashtë, ka marrë pjesë në manifestime të rëndësishme, ekspozita, bienale, takime, në Kosovë, në Ish Jugosllavi, por edhe në Francë, Itali, Gjermani, Turqi, Egjipt, etj. Ka botuar disa përmbledhje me poezi, si dhe ese dhe romane.

Në vitin 2010, ASHAK-u botoi monografinë ku pasqyrohet i tërë opusi artistik i Ferrit.

Blur vjen me album dhe dokumentar koncertesh nga Wembley

Bendi “Blur” ka njoftuar për albumin e tyre të ri, “Live At Wembley Stadium”.

Ky projekt do të jetë shoqërues i dokumentarit dhe filmit të tyre koncertiv.

Ata e bënë të ditur lajmin në mediat sociale, ku shfaqën pamje nga koncertet e tyre masive që i mbajtën korrikun e shkuar.

Blur kishin luajtur para 150 mijë vetave përgjatë dy netëve në stadiumin kombëtar, “Wembley”.

Ndërkaq tani, gati një vit më vonë, albumi do të publikohet më 26 korrik, dhe mund të paraporositet nga tani./tema/KultPlus.com