Skena gjigante nën tingujt e këngës “Titan”, Besa Kokëdhima performon në natën e dytë të “Eurovision 2024” 

Shqipëria përfaqësohet nga Besa Kokëdhima me këngën “Titan”.

Performanca e saj sapo u realizua, teksa këngëtarja kishte zgjedhur një fustan të shndritshëm.

Aktualisht dihen 16 finalistët e parë, ku 10 vende kaluan gjysmëfinalen e parë që ishin: Serbia, Portugalia, Sllovenia, Ukraina, Lituania, Finlanda, Qipro, Kroacia, Irlanda, Luksemburgu.

Ndërsa 6 vendet si Franca, Italia, Anglia, Gjermani, Spanja dhe Suedia shkojnë automatikisht në finale. / KultPlus.com

Franca kërkon largimin e celularëve nga shkollat

Ministrja franceze e Arsimit, Nicole Belloubet synon të eksperimentojë që nga viti i ardhshëm shkollor detyrimin që nxënësit të lënë smartfonët jashtë mureve të shkollës, mundësisht në dollapë të veçantë.

”E kam thënë disa herë se do të doja shumë që nxënësit tanë të mund të shkonin në shkollë pa telefon. Ne i dimë efektet e dëmshme që mund të sjellë kjo”, deklaroi ministrja duke marrë parasysh krijimin e dollapëve të posaçëm për telefonat.

”Kështu e imagjinoj, do të doja ta përjetonim nga viti i ardhshëm”, shtoi ajo.

Franca tashmë ndalon përdorimin e telefonave i në shkollë, por i takon çdo institucioni individual të përcaktojë metodat specifike të pajtueshmërisë me këtë rregull.

Belloubet beson, ndër të tjera, se ”ne duhet të mendojmë më mirë për përdorimin e mjeteve dixhitale në klasë, në veçanti tabletat dhe kompjuterët që vihen në dispozicion të studentëve”. / KultPlus.com

Koncert në Akademinë e Arteve me rastin e Ditës së Evropës

Java e Evropës u përmbyll sonte në Tiranë me një koncert në Akademinë e Arteve me rastin e Ditës së Evropës.

I pranishëm në këtë koncert, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në fjalën e tij u shpreh i emocionuar për pjesëmarrjen në këtë koncert.

“Është një emocion i rrallë për mua, megjithëse jam në një sallë ku në moshën tuaj, kemi formësuar për herë të parë konceptin e Shqipërisë si gjithë Evropa, protestat e Akademisë së Arteve, gjithë Lëvizjen Studentore dhe është një emocion i vërtetë”, tha Gonxhja.

“Sot një emocion tjetër ishte që për herë të parë si ministër i kësaj ministrie të re më duhej të propozoja në parlament për ratifikim marrëveshjen me BE për ato nota që ne do të dëgjojmë në këtë sallë sot”, tha Gonxhja.

“Emocionin e kam jo sepse jam me të vërtetë përfaqësues i palës së qeverisë shqiptare që bashkë me kolegun tim Gonzato organizojmë Javët Kulturore ndërkombëtare, për rastin e Javës së Evropës, së bashku mbështesim një nga aktivitet më të bukura të vitit, për Shqipërinë dyer hapur për shtëpinë tonë, për ju të gjithë që të ndjeheni si në shtëpinë tuaj, por sepse është me të vërtetë shumë emocionuese që ne të kalojmë një natë së bashku sot falë jush orkestra e të rinjve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Gonxhja.

Ndërsa, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato në fjalën e tij u shpreh se, “gjatë kësaj jave donim të kujtonim së pari e mbi të gjitha veten tonë, Bashkimin Evropian, për vlerat që kanë frymëzuar projektet e BE-së e të cilat mbeten në themel të tyre, demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, siç janë të sanksionuara në Kartën e të Drejtave Themelore. Janë vlera të përbashkëta vlera që na bëjnë të fortë e të bashkuar”.

“Po kështu na mundësojnë që të thellojmë në mënyrë të vazhdueshme bashkëpunimin tonë, ndërkohë që respektojmë specifikat e shteteve tona, gjuhët, kulturat, sistemet kombëtare të solidaritetit dhe të demokracisë”, u shpreh Gonzato.

“Kësisoj kemi moton “Bashkim në Diversitet”, që e bën BE-në një projekt kaq unik. Në këtë frymë Java e Evropës këtë vit u përqendrua tek disa prej vlerave themelore, gjithëpërfshirja, diversiteti dhe të drejtat e njeriut. Objektivi ynë ishte të portretizonim një Evropë. Evropën që përfshin Shqipërinë, ku gjithkush të ndihet si në shtëpi. Ku nuk ka rëndësi sesi dukesh, se kë do, si lutesh dhe ku ke lindur”, tha Gonzato./atsh/ KultPlus.com

Pamje nga Kepi i Rodonit

Kepi i Rodonit është një tjetër perlë e Adriatikut që fton të gjithë pushuesit për të shijuar jo vetëm plazhin e mrekullueshëm, por edhe historinë që mbart ky vend.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Kepi i Rodonit në Durrës.

Kepi i Rodonit ka formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalëzit, formon një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik.

Ky xhevahir i natyrës është një vend jashtëzakonisht interesant mbi të gjitha për vendndodhjen e tij piktoreske: një kep shkëmbor që shtrihet drejt detit, formuar nga shkëmbinjtë e rrethuar me bimësi mesdhetare dhe lule aromatike.

Në këtë vend çdo vizitor gjen të ndërthurur më së miri historinë, me natyrën dhe detin. Në pjesën verilindore të Kepit ndodhet një ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, kalaja e Skënderbeut.

Kepi i Rodonit është një tjetër perlë e Adriatikut që fton të gjithë pushuesit për të shijuar jo vetëm plazhin e mrekullueshëm, por edhe historinë që mbart ky vend.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Kepi i Rodonit në Durrës.

Kepi i Rodonit ka formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalëzit, formon një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik.

Ky xhevahir i natyrës është një vend jashtëzakonisht interesant mbi të gjitha për vendndodhjen e tij piktoreske: një kep shkëmbor që shtrihet drejt detit, formuar nga shkëmbinjtë e rrethuar me bimësi mesdhetare dhe lule aromatike.

Në këtë vend çdo vizitor gjen të ndërthurur më së miri historinë, me natyrën dhe detin. Në pjesën verilindore të Kepit ndodhet një ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, kalaja e Skënderbeut. / KultPlus.com

Zbulime të reja arkeologjike në Durrës

Arkeologët nxorrën në dritë mozaikë dhe afreske të reja gjatë gërmimeve në territorin e një shkolle, e cila u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 në Durrës dhe po rindërtohej.

Sipas arkeologut Luan Përzhita, që udhëheq misionin, gërmimet kanë zbuluar gjurmët e një pishine të brendshme të një vile të periudhës romake, e para e llojit të saj e zbuluar nga gërmimet arkeologjike në Shqipëri.

Sipas zotit Përzhita pishina është e dekoruar në të gjithë sipërfaqen e saj me afresk të një niveli të lartë artistik shumëngjyrësh.

“Unikaliteti i kësaj strukture, sipas arkeologut Përzhita, qëndron dhe në dyshemenë e saj të shtruar me një mozaik të ruajtur shumë mirë, me motive gjeometrike, të punuar me tesera mermeri, guri , qelqi dhe qeramike”, thotë arkeologu Përzhita.

Ai shton se “në afërsi të pishinës, është zbuluar një monument hidrik i përbërë nga dy vaska të cekëta të shtruara me llaç hidroizolues dhe në pjesën veriore të kantierit të gërmimit u zbulua një dysheme me tulla, me përmasa të mëdha e cila mund të jetë dyshemeja e një terme, duke marrë parasysh krahasimet me ndërtimet e ngjashme të periudhës në Mesdhe”.

Sipas arkeologut janë evidentuar edhe disa linja muresh që lidhen me kompleksin arkitektonik të zbuluar në këtë sektor.

“Lartësia e konsiderueshme e ruajtjes së tyre na lë të nënkuptojmë që ky monument mund të ketë qenë i ndërtuar me dy kate”, tha arkeologu Përzhita.

Sipas tij me shumë interes janë zbulimet në pjesën perëndimore, ku veçohen fragmente të dekorimit të mureve dhe tavaneve të vilës, të punuara me stuko me motive të ndryshme, antropomorfe dhe floreale ku nuk mungojnë gjurmët e afreskut.

Gërmimet arkeologjike në këtë zonë shtrihen në një sipërfaqje prej 1200 m2 dhe në këtë fazë kanë dhënë një panoramë të veçantë të organizmit urban të zonës duke premtuar gjetje të reja.

Pak kohë më parë në këtë zonë u zbulua një banesë e shtruar me mozaikë me motive floreale, e cila solli bllokimin e vijimit të punimeve për themelet e shkollës së re që po ndërtohej, marrjen në mbrojtje të zonës dhe fillimin e misionit arkeologjik.

Arkeologët besojnë se kanë të bëjnë me një pjesë të qytetit ku banonin shtresat elitare të shoqërisë dhe gjatë gërmimeve janë gjetur edhe objekte të tjera arkeologjike si enë , një statujë dhe figurina.

Gjetjet arkeologjike sipas arkeologëve i përkasin shekujve I-IV të erës sonë me pikën kulmore të zhvillimit të një rezidence elitare në shekujt I-II e.s. e cila ndodhej poshtë themeleve ku ishte ndërtuar shkolla që u shkatërrua nga tërmeti që goditi Durrësin në vitin 2019.

Arkeologët mendojnë se edhe rezidenca elitare u shkatërrua nga tërmeti i shekullit të IV të e.s, i cili përmendet në burimet antike. /VOA/ KultPlus.com

”Toosh”, vepra artistike e krijuar nga Arianit Beqiri

“Toosh” quhet vepra e re artistike krijuar nga Arianit Beqiri, e cila ka në fokus dhunën e vrasjen ndaj grave.

Në një fotografi, mund të shihni një poster i një gruaje, i vendosur në një poligon të gjuajtjes me armë, i qpuar nga goditjet e plumave. Pas këtij posteri, janë edhe dy postera të tjerë, me distanca të ndryshme prej njëra-tjetrës, si pritje që ato të jenë shënjestrat e radhës nga burrat e tyre.

Të bashkëlidhur mund ta gjeni foton e veprës, pra atë në poligon dhe posteri i cili është përdorur për këtë vepër.

Koncepti:

Toosh, instalacion, 64x43cm, 2024

Gratë janë bë poligon i gjuajtjes për burrat. Vrasjet e grave janë të shumëta edhe nëse do të ishte vetëm një e tillë.

“Le të mos e prekim jetën as me majat e gishtave.

Le të mos njohim as dashurinë në mendjen tonë.

Le të mos e dimë kurrë ndjenjën e një puthjeje femërore, as në ëndrrat tona.”

— Fernando Pessoa

/ KultPlus.com

‘Sofra e Varrit’ nga Mentor Zymberaj me prezantim në Stamboll

Filmi kosovar me regji të Mirak Zymberaj e skenar të Mentor Zymberaj, “Sofra e Varrit” pati nderin të prezantohet në ‘GALA Short Film Competition’ në Stamboll ku u vlerësua lartë nga artistët vendor e ndërkombëtarë dhe të pranishmit në Natën Solemne.

“Filmi vazhdon rrugëtimin artistik duke shpalosur historinë tonë anë e kënd botës”, ka bërë të ditur Mentor Zymberaj. / KultPlus.com

Nobelisti Arno Penzias: Historia e pabesueshme që e çoi tek Teoria e Big Bang-ut

Studimi i fizikantit, fitues i çmimit Nobel, Arno Allan Penzias, ndihmoi në sigurimin e dëshmive të padiskutueshme të thelbit dinamik, në zhvillim, të pikës së origjinës së universit, duke konfirmuar teorinë e Big Bang-ut si një shpjegim i pranuar gjerësisht i origjinës dhe evolucionit të kozmosit. Por jo vetëm kaq, falë kontributit të tij u konsolidua baza shkencore e të kuptuarit tonë të universit dhe puna e tij mbetet një shtyllë themelore në kozmologjinë moderne.

Historia e pabesueshme e jetës së tij

Bota mundi të njihte gjeniun e tij të madh falë një historie të pabesueshme që përfshiu familjen e tij në prag të Luftës së Dytë Botërore, kur së bashku me prindërit dhe vëllain më të vogël jetonin në Gjermaninë naziste, e cila shpejti do të shkaktonte atë pjesë të dhimbshme të historisë që të gjithë e njohim.

Në prag të Luftës së Dytë Botërore, një pronar dyqani bojërash në Belleville, New Jersey dëgjoi një trokitje të drojtur në derë. Ishte një emigrant gjerman 28-vjeçar i quajtur Leo Gelbart, i cili shkonte shtëpi më shtëpi duke kërkuar ndihmë nga anëtarët e komunitetit hebre të qytetit, në mënyrë që të sillte familjen Penzias, të përbërë nga Karl dhe Justine dhe djemtë e tyre Arno dhe Guenther, nga Gjermania, për t’i shpëtuar regjimit nazist.

Për ta e vetmja alternativë ndaj kampit të përqendrimit ishte arratisja. Por për ta bërë këtë, atyre u nevojiteshin një sërë deklarimesh: dokumente zyrtare që vërtetonin ekzistencën e një të afërmi dhe një rrjet sigurie financiare në Shtetet e Bashkuara. Gelbart dyshohet se dha dokumentin e parë, duke pretenduar se miku Karl Penzias ishte kushëriri i tij. Por si kamarier nuk kishte para të mjaftueshme për të qenë garant financiar i familjes. Kështu ai po kërkonte dikë që të firmoste deklaratën e dytë dhe të merrte përgjegjësinë për familjen, nëse do të ishte e nevojshme.

Ndihma që ndryshoi historinë

Tregtari i bojërave pranoi t’i ndihmonte: “Do të jem i lumtur t’u jap një dorë derisa të jenë në gjendje të mbajnë veten,” shkroi ai në deklaratë. Kështu, familja Penzias u shpërngul në Amerikë nga Gjermania, jo me pak vështirësi, dhe Arno, djali i madh, u bë një nga fizikantët dhe astrofizikanët më të mëdhenj në botë. Në vitin 1978, së bashku me Robert Woodrow Wilson, ai fitoi Çmimin Nobel në Fizikë për zbulimin, në vitin 1964, të rrezatimit kozmik të sfondit mikrovalor, mbetjet e një shpërthimi që i dha jetë universit rreth 14 miliardë vjet më parë. Ai shpërthim, i njohur si Big Bang, është sot shpjegimi i pranuar gjerësisht për origjinën dhe evolucionin e universit.

Jeta e Arno Allan Penzias

Ai lindi në Mynih në vitin 1933, kur filloi ngritja e Hitlerit në pushtet. Në vitin 1938 familja u mblodh me hebrenj të tjerë që mbanin pasaporta polake dhe u detyrua të hipnin në një tren për t’u larguar në Poloni. Por treni u vonua dhe zyrtarët polakë ua shpallën të pavlefshme pasaportat para se të arrinin në kufi. Në vitin 1939, ndërsa po nxitonin të organizonin nisjen për në Amerikë, prindërit e Arnos dërguan dy djemtë e tyre të vegjël në Angli falë Kindertransport, një nismë humanitare britanike falë së cilës u shpëtuan 10,000 fëmijë, kryesisht hebrenj, nga territoret naziste.

Të dy kaluan nëpër familje të ndryshme kujdestare derisa Karl dhe Justine Penzias, falë ndihmës së marrë nga pronari amerikan i bojës, arritën të kishin të gjitha dokumentet e nevojshme për t’u larguar për në Shtetet e Bashkuara. Thuhet se në udhëtimin me anije për të kaluar Oqeanin Atlantik, siç raporton National Geographic, ata u mbijetuan uraganeve të forta dhe sulmeve të nëndetëseve gjermane.

Mundësia për të qenë në gjendje të studionte

Me të mbërritur në Nju Jork, familja u vendos në Bronx dhe Arno ishte në gjendje të studionte në Shkollën e Lartë Teknike të Brooklynit, e të diplomohej në City College, duke përfunduar, pas shërbimit ushtarak, një doktoraturë në fizikë në Universitetin e Kolumbias. Më pas ai iu bashkua Bell Laboratories ku nga viti 1972 mbajti postin e drejtorit të departamentit të kërkimit të radiofizikës, duke punuar në projekte pioniere, përfshirë komunikimet satelitore dhe fibrat optike.

Ai gjithashtu dha mësim në universitete të shumta amerikane, duke përfshirë Princeton dhe Kembrixh. Ai u bë anëtar i Shoqatës Amerikane të Astronomisë dhe Shoqatës Amerikane të Fizikës, si dhe i Unionit Ndërkombëtar Astronomik. Në vitin 1965, ndërsa me Robert W. Wilson po përpiqej të reduktonte zhurmën e sfondit të pranishëm në komunikimet me satelitët artificialë, ai zbuloi rrezatim të vazhdueshëm në 4.35 cm i cili, së bashku me rrezatimin e zbuluar pak më vonë në 20.7 cm, disponohej në një kthesë rrezatimi termik rreth 3°K. Për këtë zbulim, i cili përbën një nga të dhënat kryesore në mbështetje të teorisë kozmogonike të Big Bang-ut, të dy u nderuan me Çmimin Nobel për Fizikë në vitin 1978, së bashku me urimet e presidentit të atëhershëm Jimmy Carter. Pikërisht në përgjigje të atij telegrami ai i shkroi presidentit mirënjohjen, që pati mundësinë të jetonte në Shtetet e Bashkuara.

Fjalët prekëse

“Kam mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tridhjetë e nëntë vjet më parë pa para, si refugjat nga Gjermania naziste. Për mua dhe familjen time, Amerika përfaqësonte një strehë të sigurt, një vend të lirë plot mundësi. Në një kohë kur premtimet dhe rëndësia e institucioneve amerikane shpesh vihen në dyshim, ndihem i detyruar të dëshmoj se si është realizuar premtimi amerikan në përvojën time personale të jetës. Jam thellësisht krenar që jam amerikan dhe shumë mirënjohës për Amerikën dhe popullin amerikan. Përfitoj pra nga rasti, t’ju shpreh juve, si përfaqësues i popullit amerikan, një pjesë të vogël të falënderimit tim për të gjithë amerikanët”. (bota.al) / KultPlus.com

Etno Fest rikthehet nga 10-18 gusht


Festivali Etno Fest së shpejti vjen në fshatin Kukaj. Edicioni i 14-të për këtë vit do të mbahet nga 10 deri më 18 gusht.

“Bashkohuni me ne për një udhëtim të paharruar në botën e tingujve të vjetër dhe frymës së lashtë! Një festë e mrekullueshme e muzikës, ushqimit tradicional dhe artit tradicional po ju pret!”, thuhet në postimin e bërë nga festivali. / KultPlus.com

Osmani: Vizioni për Europën e kompletuar, të lirë dhe në paqe, më afër realitetit kur të gjithë aspirantët i bashkohen BE’së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se derisa populli i Kosovës iu bashkua sot qytetarëve europianë në shënimin e Ditës së Europës, vizioni për një  “Europë të tërë, të lirë dhe në paqe” do t’i afrohet edhe më shumë kësaj me anëtarësimin e vendeve që aspirojnë e përkushtohen që të jenë pjesë e Bashkimit Europian.

“Ky vizion i afrohet realitetit kur të gjitha vendet aspirante dhe të përkushtuara të anëtarësohen në BE. Kosova gjithmonë do ta konsiderojë BE-në jo vetëm si një union , por si një fener vlerash – vlera që ne i mbrojmë dhe përpiqemi t’i mbajmë çdo ditë”. / KultPlus.com

Tirana shpallet “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut” për vitin 2025

Tirana është shpallur Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025.

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Blendi Gonxhja ka reaguar për lajmin në facebook duke thënë sa më poshtë se do të mbështerin aktivisht organizatat dhe skenën e pavarur artistike.

“Si MEKI, ne do mbështesim aktivisht organizatat dhe skenën e pavarur artistike, e në vijim jemi zotuar të rrisim këtë mbështetje duke adresuar çdo sfidë me të njëjtin ritëm siç po rritet dinamizmi i kryeqytetit tonë. Vizioni jonë për të ardhmen – një vizion që feston diversitetin, gjithëpërfshirjen dhe shkëmbimin e ideve midis popujve tanë”, ka thënë ai.

Tutje, Gonxhja është shprehur se në bashkëpunim me Unionin për Mesdheun, Anna Lindh Foundation dhe Bashkinë e Tiranës, janë gati të shkëlqejnë në skenën ndërkombëtare të kulturës dhe dialogut.

“Viti 2025 premton plot aktivitete që do të nxisin krijimtarinë, promovimin e dialogut, ndërgjegjes qytetare e përqafimit të fuqisë transformuese të artit e kulturës”,ka shtuar ai./KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me shqiptarët e Amerikës në Teksas: Janë ambasadorë të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjete sociale, ka njoftuar se së fundmi po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo ka bërë të ditur se në Teksas ka takuar shqiptarë të cilët i ka quajtur si ura më e fuqishme e aleancës së Kosovës me ShBA-të.

“Përgjatë kohërave sfiduese, ata ishin dhe janë ambasadorë të Kosovës, avokatë të kauzave tona dhe përkrahës të vendosur të aspiratave tona kombëtare”, ka shkruar Osmani./KultPlus.com

Premiera “Para perëndimit”, dëshmi autentike e teatrit kërkues shqiptar

Nga Aleksandër Çipa

Ka ditë që e kam ndjekur në skenën e teatrit Metropol premierën e dramës “Para perëndimit” ( Vor Sonnenuntergang). Kjo vepër, prej disa dekada, mbetet në lartësi suksesi nëpër teatro të ndryshme të botës.

Si një ndër më të rëndësishmet vepra të nobelistit gjerman Gerhart Hauptman, në teatrin shqiptar, e sjell regjisorja Andia Xhunga Çobani. Pasohet në këtë mënyrë surprizuese, varfëria referuese e teatrit shqiptar ndaj këtij autori të jehonshëm.

Ende nuk më është eklipsuar shija dhe përjetimi prej kësaj shfaqjeje. Jam rrëmbyer në gjendje të përthyeshme dhe të vijueshme, në përjetime empatish dhe antipatish, të imponuara prej lojës së aktorëve që mishërojnë një galeri befasuese karakteresh. Seicili prej tyre është në karakterin e vet hauptmanian, i karakterizuar atipikisht në lojë, si në perimetrin ilustrues familjar, ashtu edhe në regjistrin krahasimtar shoqëror.

Përgjegjësia skenike e aktorëve në këtë premierë, sqima për çdo grimasë, lëvizje, dialog, adresim përdorim i hapësirës, objektit dhe çdo reagim, i bëjnë në harmoni të plotë me kostumografinë, skenografinë apo ndriçimin minimalist, duke evidentuar aktorin dhe duke i dhënë forcë aksionit skenik, duke sjellë një konfigurim risues në skenën “Shakespeare” të Teatrit Metropol.
Një produksion që me elegancë konceptimi dhe zotësi perceptimi për lëndën autoriale të Hauptmanit, ia ka dalë të sjellë versionin skenik shqip të dramës.

Emra të njohur dhe përcjellës profesionistë të teatrit, në vend dhe në botë, kanë bërë me dije se autori i dramës është një ndër eksponentët e famshëm të natyralizmit poetik teatror.

Një premierë spektakolare, rrëmbyese dhe mbajtëse e fuqishme në emocion. Ajo e mban këtë ndikim tek spektatori i çdo nate shfaqjeje, prej më shumë se dy javë rresht.
Më saktë, sikundër e cilëson regjisori i njohur Albert Minga, ky është një : ”Spektakël i mrekullueshëm. Aty gjen gjithçka, çfarë duhet të ketë një produksion teatror cilësor”.

Vepra e nobelistit është shkruar në vitin 1932. Kohë e largët, e pasuar nga shumë epoka… Por kohezioni i saj me të përditshen aktuale të shoqërisë sonë është befasues.
Intuita dhe drejtleximi regjisorial prej Xhunga Çobani, është premisa përcaktuese e këtij suksesi që nuk rresht së konfirmuari nga spektatori për çdo mbrëmje në teatrin e kryeqytetit shqiptar.

Aktorë si Trebicka në rolin Mathais Clausen, shënon regjistrin më të lartë karakterial, me një sukses tronditës. Ai rrëmbeu dhe po trondit bukurisht, për çdo natë, publikun duke na konfirmuar imponueshëm se teatri ynë është në jetë dhe mundësi surprizuese artistike dhe interpretimi.

Vepra mbart kumtin e një himni për lirinë dhe të drejtën e individit si në shoqëri, por veçanërisht në familje. Madje në këtë të dytën individi, pamvarësisht nga raporti dhe pozicioni hierarkik dhe gjenealogjik, gëzon dhe duhet të mishërojë lirinë e vet përcaktuese, pa iu nënshtruar marrëdhënies dhe sidomos tabusë, aq më tepër asaj të moralit tradicional ose klasik. Fataliteti nwnshtrues prej mendwsisw tradicionale dhe sidomos presionit mental familjar, nw subjektin e kwsaj drame pwrbwn njw model letrar tw shumwçmuar.

Në këtë subjekt dramaturgjik, kasta e aktorëve të përzgjedhur prej regjisores, si Ilirda Bejleri, Elia Zaharia, Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Luli Bitri, Pjerin Vlashi, Aleks Seitaj etj., ia dalin të komportohen në funksione individuale si në një finalizim të suksesshëm ansambli. Secili me fuqinë individuale, Elia Zaharia me ndjeshmërinë e skajshme, Yllka Mujo që mbetet e pakrahasueshme, Luli Bitri në një dimension krejt të ri të saj, Alex Seitaj befasues dhe gjithë të tjerët, i shkrinë talentet dhe uniken e tyre në një ansambël që frymonte si një trup solid interpretuesish.

Ata janë pjestarë të subjektit të një katastrofe familjare e cila shpërfaq edhe thelbin bjerës social, edhe atë të raporteve brenda kurorës gjenealogjike.

Ky dekor, të cilin regjisorja nuk e ofron si peizazh nga distanca, por e fokuson në detaje nga brenda familjes dhe shtëpisë, e bën edhe më evidente krizën e përplasjes për vetëzgjedhjen dhe lirinë e “prijësit familjar”, në marrëdhënie me pinjollët dhe rrethuesit e tjerë.
Protagonisti 70-vjeçar Mathais Clausen ( Alfred Trebicka) është i rënë në dilemën e zgjedhjes mes dashurisë dhe rrethanës së refuzimit të pengimit prej bashkëpjestarëve trashwgimtarw të familjes. Raportet e dominuara nga refuzimi familjar, të dashurisë së tij me Inken ( Ilirda Bejleri), dhe sidomos arsyeja determinuese e kërcënimit të trashëgimisë financiare bëhen thelbi dhe pika kulmore e dramës.

Në këtë dramë, Trebicka vjen i pakrahasueshëm dhe të kujton përcaktimin e Cvajkut për Dostojevskin kur shton se : “ …triumfi i forcës jetësore të shpirtit mbi një trup të dërmuar e të sëmurë”, prej pengimit, shpërthen. Në këtë moment admirimi për artin e tij, për mjeshtërinë e tij, në shfaqjen me aq shpwrthime psikologjike, bëhet përtej së zakonshmes.
Regjisorialisht në këtë thelb është investuar jo vetëm intensiteti i lojës, por cilësisht është përqëndruar shpërfaqja e karaktereve, aq sa të duket se në mjedisin e ngushtë familjar ka më tepër karaktere, diferenca psikologjike dhe kontraste gjendjesh, se objekte skenike.
Kjo është një ndër arsyet e suksesit të fuqishëm të dramës në të gjitha netët e shfaqjeve. Këto karaktere japin shpalosje specifikash antroposociale dhe familjare. Të gjithë janë tipikisht të evidentueshëm karakterialisht: Klesta Shero, Roerd Toçe, Ligoraq Riza, Genc Fuga, Vasjan Lami, Elona Hyseni, Kastriot Ramollari,, Artur Vera,Laura Hoxha.


Kanë një energji specifike, që vjen si meritë individuale e tyre, por edhe prej kërkesës regjisoriale. Kësi cilësish dhe arsyesh dramaturgjike në këtë prurje, e mbajnë të mbërthyer publikun, e përfshijnë atë në pritjen e episodit pasues dhe sidomos të marrëdhënies që ndwrton krejt vepra skenike.Shpesh në ecurinë e lojës aktoriale, plastika jo vetëm si në maksimum tek Trebicka, por edhe tek partneria e tij Inken ( Bejleri) e cila ndryshe, në këtë rol ofron jo vetëm forcën, temperamentin, emocionin drithërues, por edhe aftësinë komplementare interpretuese si instrumentiste në piano, përbën një komponent skenik dhe gjetje regjisoriale ndikuese.
Duhet thënë se muzika e sjellë prej kompozitorit Endri Sina, madje edhe në lojën e aktores Bejleri, i shtojnë sharmin kësaj premiere dhe thyejnë tabunë si për normën tradicionale teatrore, ashtu edhe për puritanët klasikë. Elementet regjisorialë, racionaliteti skenik në këtë shfaqje, bëhen mishërim i cilësishëm realizues dhe mund të konsiderohen realisht, si një dëshmi autentike e teatrit kërkues shqiptar./tema/KultPlus.com

Kumbaro: 2.3 milionë turistë të huaj këta 4 muaj, vetëm në prill 800 mijë

Gjatë muajit prill, 794 mijë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë, duke e çuar në më shumë se 2.3 milionë shifrën totale të flukseve turistike hyrëse në katër muajt e parë të vitit në vendin tonë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri sot publike shifrat duke theksuar se MTM është në koordinim me institucionet publike dhe sektorin privat për të menaxhuar flukset e larta dhe mbarëvajtjen e sezonit.

“Rreth 800 mijë turistë të huaj vizituan vendin tonë në muajin prill duke e çuar në 2.3 milionë shifrën e flukseve turistike hyrëse gjatë muajve të parë të 2024 ose +38% më shumë se një vit më parë, ndërkohë që MTM në bashkëpunim me institucionet publike dhe sektorin privat po punojnë intensivisht për një sezon turistik veror me prioritet; sigurinë, pastërtinë dhe rritjen e standardeve në shërbime nën zhvillimin e qëndrueshëm”, shkruan Kumbaro në faqen e saj zyrtare.

Disa ditë më parë, Kumbaro gjithashtu bëri publike shifrat të operatorëve turistikë detarë të certifikuar, të cilët janë mbi 110 dhe mbi 600 udhërrëfyes turistikë të certifikuar, si një domosdoshmëri për turizëm të sigurt.

Në Konferencën e Sigurisë në Turizëm mbajtur në fund të muajit prill u renditën edhe prioritetet e këtij sezoni që nga pastërtia në zonat turistike, kontrollet e mjeteve detare nga flota e Policisë Kufitare, hapja e 34 qendrave shëndetësore verore, siguria ushqimore etj.

Sipas të dhënave nga turoperatorët privatë, përgjatë vitit 2024 priten rreth 30% më shumë vizitorë të huaj se viti 2023 që u mbyll me 10,1 milionë turistë të huaj./atsh/KultPlus.com

“Zambaku i Prizrenit” ndër këngët më të njohura të Liliana Çavollit

Liliana Çavolli është një ndër këngëtaret më të famshme të muzikës shqipe, e cila me talentin dhe dashurinë e saj për këngën dha shumë për artin shqiptar, dhe si e tillë mbeti e paharruar për publikun e muzikës së mirëfilltë shqipe, shkruan KultPlus.

“Zambaku i Prizrenit”, “Kam një mall e kam një zjarr”, “Kur lulet kundërmojnë”, “Perëndeshë e bukur je”, janë vetëm disa prej këngëve të saj me të cilat ajo identifikohet dhe do të jetojë gjatë në mendjet e publikut shqiptarë.

Sot në 8 vjetorin e vdekjes së saj KultPlus ju sjellë këngën ‘Zambaku i Prizrenit’, e cila konsiderohet edhe si kryevepra e Liliana Çavollit:

O zambaku i Prizrenit
o zambaku i bardhe

o zambaku i Prizrenit
o zambaku i bardhe

aman aman
qe lulezon Prizrenin
aroma yte ma mbush o zemren plot me gezim

lalalalalala

n’aksham t’bukur te prizrenit
n’vese t’agimin ç’po shndrrit
porsi lulja e argjendit
shkon gjithnje tu u hijeshu

aman aman
qe lulezon Prizerenin
aroma yte ma mbush o zemren plot me gezim/KultPlus.com

Zbulohet mozaiku i një pishine të lashtë në Durrës, daton në shekullin e parë para Krishtit

Gërmimet me kantierin e shkollës së mesme Gjergj Kastrioti në Durrës kanë nxjerrë në dritë një tjetër mozaik, edhe më i veçantë se mozaiku i zbuluar një muaj më parë, në të njëjtin vend.

Të dy mozaikët mendohet se i përkasin shekullit të I para erës sonë. Arkeologët thonë se mozaiku në ngjyrat e bezhë dhe me pika blu i përket pishinës së një vile, ku tregon nivelin e lartë të ndërtimeve për kohën.

Arkeologu Luan Përzhita tregon se kemi të bëjmë më zbulimin e një vile dy katëshe me të paktën 8 hapësira të mëdha banimi, ndërsa interes të lartë arkeologjik ka pasur edhe zbulimi i sistemeve hidraulike të kohës, me kanale të veçanta për të kaluar uji i ngrohtë.

“Kemi zbuluar hapësira banimi të lashta që kanë qenë të ndritura në atë kohë në 2 kate, linjat e murit tregojnë se kemi dhe një hapësirë tjetër për të gërmuar që është 3 metra e gjysmë që lidhet me katin e pare të banimit. Kjo vilë përbëhet nga 7 ose 8 hapësira të mëdha deri sa kemi zbuluar deri tani. Një tjetër sektor i rëndësishme lidhet edhe me sistemin hidraulik, kemi gjetur disa mbulesa të kanaleve që kalonte uji i nxehtë në atë kohë si dhe kemi një zbulim sensacional që ndodhi sot, ku u zbulua një mozaik i dytë. Kemi një mozaik me ngjyrat e bezhës ose panës i alternuar me disa pika në ngjyrë blu. Mendohet se janë të periudhës që lidhet me fund të shekullit të I të erës sonë. Ky mozaik është zbuluar në pishinën e kësaj vile, kemi të bëjmë me ndërtimin e një pishine që tregon për një nivel të larë të ndërtimeve për kohën dhe trajtimin e kësaj pishine me afreske shumëngjyrëshe. Gërmimet kanë sjellë zbulimi dhe struktura të reja arkeologjike, kemi elementë qeramike apo zbukurim të lashtësisë”, tha arkeologu.

Pak ditë më parë në këtë vend , me rifillimin e gërmimeve  dolën në drite gjetje të rëndësishme si rifiniturat e veshjeve të brendshme të vilës,  pllaka me dekoracione të Mesdheut, veçanërisht në Pompei, të cilat datonin të periudhave para dhe pas lindjes së Krishtit./rtsh/KultPlus.com

52 vite nga vdekja e Tahir Dizdarit, studiuesit të turqizmave në gjuhën shqipe

Tahir Dizdari është një figurë e shquar e shkencave albanologjike, ndër të vetmit që studioi fjalët turke në gjuhën shqipe. Ai ka lindur në Shkodër më 15 nëntor 1900 dhe mbylli sytë në Tiranë më 9 maj 1972.

Mësimet e para i mori në vendlindje dhe u vu re një prirje e tij ndaj gjuhëve të huaja.

Punoi në administratë, iu kushtua krijimit dhe funksionimit të administratës së re shqiptare, më 1929 botohet “Ligja e katundarive dhe e komunave”, ku luajti një rol kryesor në përpilimin e saj, një vepër që, duke bërë fjalë mbi formimin, organizimin dhe funksionimin e organeve lokale, hedh bazat e strukturave administrative të qëndrueshme e moderne. Më vonë, më 1935 boton broshurën “Udhëhjekës për konferenca”. Më 1930 qe dalluar për organizimin e regjistrimit të popullatës. Për këtë mori një përgëzim të veçantë: “Duke iu transmetue mesazhin e N. M. Tij Mbreti, ju përgëzoj për gjithë aktivitetin e ndihmën që treguat në veprën e kryeme për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë”.

Po kështu në revistën “Ekonomia Kombëtare” lexojmë se Ministria e Ekonomisë Kombëtare e përgëzoi Dizdarin nënprefekti i Fierit për organizim garash hipizmi me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë.

Si monarkist dhe mbështetës i Mbretit Zog, Dizdari mori pjesë në qëndresën e armatosur kundër pushtimit italian të Shqipërisë në prillin e 1939. Duke e ditur qëndrimin e tij pro-zogist dhe përfshirjen në pritjen me armë të italianëve në Gomsiqe, u arrestua dhe u internua nga autoritetet fashiste. Me qeverisjen mike me gjermanët pas kapitullimit italian, iu rikthye studimeve mbi orientalizmin dhe shkrimeve në shtypin shqiptar.

Në maj të vitit 1945 bëhet bashkëpunëtor i gazetës “Bashkimi” dhe në tetor bëhet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Gjatë viteve 1946-1951 merret me skedimin e fjalorit dhe me folklor. Në vitet 1946-1949 shëtit nëpër gjithë Shqipërinë, merr pjesë dhe në aksionet e rinisë, duke mbledhur nga goja e popullit material folklorik dhe etimologjik. I dorëzon Institutit të Folklorit një material të pasur prej 800 faqesh të daktilografuara.

Në shkurt të vitit 1951 arrestohet dhe mbahet për disa muaj në hetuesi në lidhje me të ashtuquajturën “bombë” në Ambasadën Sovjetike, por lirohet për mungesë provash. Fitoi pafajësinë në pikëpamje juridike, por jo nga ana politike. Pasojat do të tronditnin krejt jetën e tij dhe të familjes. Do të nxirrej nga shtëpia private, gruaja do t’i transferohej në Kukës me punë si mami. Një familje e tillë me “njollë” në biografi s’lejohej të jetonte në Tiranë (edhe fëmijët më vonë do të shpërndaheshin me punë, kush në Veri e kush në Jug). Në këto kushte ai do të detyrohej të flinte në një dyqan librarie e bukinistike, që kishte hapur që më 1952.

Në buletinin USHT (seria shkencore-shoqërore) e viteve 1960 dhe më vonë në Buletinin “Studime filologjike” (vitet 1964-1966) fillon botimi i një pjese të fjalorit të ardhshëm. Merr pjesë aktive dhe diskuton në të tri konferencat e studimeve albanologjike, që u zhvilluan në Tiranë në vitet 1962, 1968 dhe 1969.

Instituti i Gjuhësisë, duke i parë më së fundi aftësitë e Dizdarit, veçanërisht vlerën e fjalorit, i kapërceu rezervat në biografi dhe vendosi ta angazhojë në punë si bashkëpunëtor i vjetër shkencor në sektorin e leksikologjisë, duke filluar nga viti 1965 dhe deri më 9 maj 1972, kur ndërroi jetë.

Prof. J.Nemeth i Akademisë Hungareze të Shkencave e vlerëson veprën e Dizdarit, si një material jashtëzakonisht të pasur dhe me vlerë. Njëkohësisht shprehet, se në asnjërën prej gjuhëve të gadishullit të Ballkanit, nuk janë mbledhur elementët turk, në mënyrë kaq të përsosur.

Gjatë vitit 1944 boton në gazetën “Bashkimi i kombit” rubrikën “Pyes vetveten”, rubrikë që vazhdon në gazetën “Bashkimi” në vitet 1945-1946 me pseudonimin Hijekakeqi. Gjatë vitit 1944, po në gazetën “Bashkimi i kombit” ushqen me material rubrikën gjuhësore “Fjalë iranishte në gjuhën shqipe” me pseudonimin Bishtiqindija. Boton studimet toponomastike “Kraja” në gazetën “Bashkimi i kombit” dhe të “Katër Balët” në revistën “Bota e re”. Po kështu, gjatë vitit 1944 botoi artikujt me karakter satirik, “Bishtmbledhësit e cingareve” dhe “Me këta miq që janë sot” në “Bashkimin e kombit”. Pat vazhduar të shkruajë artikuj të ndryshëm në shtypin periodik, si në revistat “Kultura islame”, “Bleta”, etj.

Puna e tij e madhe dhe voluminoze 30-vjeçare (1941-1971) përfundoi me përpilimin e veprës madhore “Orientalizmat në gjuhën shqipe”, të cilën në dorëshkrim e depozitoi pranë Institutit të mësipërm. Pak kohë para se të vdiste, dorëzoi në atë institucion dorëshkrimin e punimit tjetër të gjatë në leksikografi me titull “Fjalë të pambledhura nga fjalorët e deritanishëm”.

Pak ditë pas vdekjes nga Instituti francez me prestigj “Colege de France” i erdhi ftesa për të marrë pjesë në Kongresin e XXIX Ndërkombëtar të Orientalistëve, që do të mbahej në Paris më 1973./ KultPlus.com

9 vite nga vdekja e Liliana Çavollit, një ndër këngëtaret më të njohura të muzikës popullore

Liliana Çavolli ishte një këngëtare e shquar shqiptare, e cila ka vdekur me 9 maj 2015.

Me zërin e saj të veçantë dhe talentin e saj të rrallë, ajo arriti të bëhet një nga këngëtaret më të njohura të muzikës popullore shqiptare.

Në karrierën e saj muzikore, Liliana Çavolli ka kënduar këngë të ndryshme, të cilat kanë shijuar sukses dhe njohje të madhe, ndër to janë edhe “Zambaku i Prizrenit”, “Kam një mall e kam një zjarr”, “Kur lulet kundërmojnë”, “Perëndeshë e bukur je”, e shumë të tjera.

Liliana ishte në skenë për më shumë se 5 dekada dhe këngët e saja transmetoheshin edhe në Radio Prishtina, ku ajo ka punuar në redaksinë e muzikës. Ndërkaq, pas luftës, ajo deri në frymën e fundit ishte autore në emisionet në Radio Kosova.

Trashëgimia e Liliana Çavollit mbetet e pavdekshme në muzikën popullore shqiptare. Këngët e saj do të kujtohen përherë si një pjesë e historisë së kësaj lloj muzike, dhe ajo do të mbetet një pjesë e pashlyeshme e trashëgimisë kulturore shqiptare./KultPlus.com

Ylli i kinematografisë shqiptare, Bujar Lako, sot do të mbushte 77 vjeç

Artisti i Merituar, ylli i kinematografisë shqiptare Bujar Lako sot do të festonte 77-vjetorin e tij të lindjes.

Krijuesi i karaktereve të papërsëritshme në shumë prej filmave të kinematografisë shqiptare, lindi në Korçë, më 9 maj të vitit 1947.

Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës” i Gëzim Erebarës dhe “Perballimi” i Viktor Gjikës. Pas kësaj ai realizon një sere figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve mund të përmendim: “Gjeneral gramafoni” Viktor Gjika, “Udha e shkronjave” Vladimir Prifti, “Ballë per ballë” Kujtim Çashku e Pirro Milkani, “Kthimi i ushtrisë se vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime” Dhimitër Anagnosti e të tjerë.

Artisti i ndjerë u kujtua sot edhe nga ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh me fjalët: “Një artist i vyer për kohën dhe historinë, nderuar dhe vlerësuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, si një vlerë e paçmuar e trashëgimisë tonë kulturore”.

Bujar Lako ka interpretuar një numër të madh personazhesh edhe në teatër, por përtej të tjerash ai do të mbetet në kujtesën popullore si Halit Berati i “Gjeneral Gramafonit”.

Në vitin 2013 iu dha titulli “Nder i Kombit” nga Presidenti i Republikës. U nda nga jeta në vitin 2016./atsh/KultPlus.com

Mbrojtja e çështjes shqiptare ndër vite nga Edith Durham – 6 letrat e autores britanike botuar në revistën “The Nation” gjatë viteve 1918-1921

Revista britanike “The Nation” ka botuar, ndër vite (1918, 1919, 1920 dhe 1921), të paktën gjashtë letra të autores britanike Edith Durham, një pendë e fuqishme në mbrojtje të çështjes shqiptare në Perëndim, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar.

Zotëri, — Si dëshmi e mëtejshme e dallimit midis deklaratave publike të qeverisë sonë dhe akteve të saj sekrete, është me interes sa vijon. Në fillim të janarit, një ankth i konsiderueshëm u ngjall te shqiptarët dhe miqtë e tyre nga fakti se Kryeministri nuk i referohej kësaj çështjeje kur numëronte pretendimet e kombeve të tjera të vogla. Më pas i shkrova Ministrisë së Jashtme dhe mora përgjigjen e mëposhtme, të datës 16 janar.

“Unë jam udhëzuar nga z. Sekretar Balfour që të pranoj, etj… dhe t’ju informoj se garancia e dhënë tashmë në lidhje me simpatinë me të cilën Qeveria e Madhërisë së Tij vlerëson aspiratat legjitime të popullit shqiptar, nuk ndryshohet nga fjalimi i Kryeministrit, i cili, në të vërtetë, e pranoi shprehimisht rëndësinë e bazimit të zgjidhjes së paqes në parimin e vetëvendosjes dhe pëlqimit të të qeverisurve.” E mora më 17. Më 18 u zbulua Traktati i fshehtë me Italinë, traktat të cilit, siç na thonë, qeveria synon t’i përmbahet. Mësojmë se qysh në prill të vitit 1915, ne u kishim premtuar sllavëve portin shqiptar të Meduas (Shëngjinit), duke e shkëputur kështu kryeqytetin shqiptar (Shkodrën, e cila ka 35 mijë shqiptarë) nga deti. Porti më i mirë i saj, Vlora, i është premtuar Italisë. Dhe shprehimisht parashikohet se Italia “nuk do t’i rezistojë dëshirës së mundshme të Francës, Britanisë së Madhe dhe Rusisë për të shpërndarë pjesët veriore dhe jugore të Shqipërisë midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë”. Nëse do të lejohej krijimi i një shteti të pavarur të Shqipërisë, do të ishte “një shtet mysliman”. Mund të autorizohet “porti i Durrësit”. Ose mund të mos lejohet të ketë një port fare.

Nëse, kur shkroi letrën e mësipërme, z. Sekretar Balfour nuk ishte në dijeni të ekzistencës së këtij traktati, gjithçka që mund të thuhet është se ai duhej të kishte qenë.

Nëse ai është i vetëdijshëm për këtë — nëse ai e di se Qeveria e Madhërisë së Tij rezervon të drejtën për të asgjësuar rreth një milion njerëz si të ishin bagëti — atëherë kjo qeveri dënon veten. — E juaja, etj.

Znj. Edith Durham

Shqipëria dhe Serbia

The Nation, e shtunë, 20 prill 1918, f.62 – 63 : 

Zotëri, — Ekziston një pikë mbi të cilën Princi Lichnowsky sigurisht që gabon dhe të cilës duhet t’i kushtohet vëmendje. Ai deklaron se Shqipërisë nuk i ishte dhënë liria.

“Serbia do të ishte shtyrë përpara drejt bregdetit; atëherë do të ishte shmangur lufta e tanishme botërore.” Princi duhet të jetë krejtësisht i paditur si për gjeografinë ashtu edhe për etnografinë e zonës.

Edhe me një Shqipëri të pavarur, nuk kishte asnjë arsye pse Serbia të mos arrinte detin. Ajo tashmë e kishte arritur atë, sepse kufijtë e saj tani ishin bashkuar me ato të Malit të Zi, dhe serbët dhe malazezët janë një popull. Me siguri Princi Lichnowsky nuk e imagjinon që Mali i Zi do ta mbyllte Serbinë nga deti ? Porti malazez i Antivarit është në çdo aspekt shumë më i lartë se çdo tjetër që serbët mund të fitonin në Shqipëri. Më tej, ndarja e Shqipërisë, siç propozoi ai, midis grekëve dhe serbëve, jo vetëm që të çonte drejt paqes, vetëm sa mund të kishte nxitur menjëherë luftën. A ka gjasa që dy milionë – të paktën – shqiptarë do t’i nënshtroheshin me lehtësi ndarjes mes atyre që ata i konsiderojnë si armiqtë e tyre më të këqij ? Ata jo vetëm që do të kishin rezistuar, por pa dyshim do të kishin gjetur një ose më shumë Fuqi për t’i ndihmuar në luftën e tyre për liri.

Idetë e princit janë shumë të ngatërruara, sepse ai shprehet se “pjesa më e madhe e Shqipërisë së qytetëruar është greke”, një gabim i çuditshëm dhe vazhdon duke thënë: “Sot në Greqi grupe të tëra janë shqiptare”. Ai padyshim nuk e ka vizituar vendin. Ndjenjat e shqiptarëve grekë ilustrohen mirë nga fakti se kur, gjatë Luftës Ballkanike, grekët zbarkuan marinsat — të rekrutuar në kolonitë e tyre shqiptare — në brigjet e Shqipërisë së Jugut, këta marinsa, sapo u gjendën ballë për ballë me bashkënacionalistët e tyre, të braktisur menjëherë nga radhët greke. Vetëm në një pikë princi ka të drejtë, domethënë, zgjedhja e Princ Vidit ishte një gabim i madh. Do të kishte qenë e vështirë të gjeje një person më të paaftë dhe frikacak, siç e di nga përvoja personale. Por është urtësia e përbashkët e Fuqive të Mëdha dhe jo e shqiptarëve ajo që është përgjegjëse për këtë zgjedhje.

Së fundi, a nuk provon Princi Lichnowsky me dëshirën e tij për të sakrifikuar një komb të tërë se ai dhe zotëria e tij perandorake i përkasin të dy një klase për të cilën qeniet njerëzore janë thjesht pengje për t’u përdorur në lojën perandorake, ku tufat e bagëtive mblidhen për t’u therur si shpërblim apo për t’u shitur bashkë me tokën ? — E juaja, etj.,

Znj. Edith Durham

Një popull martir

The Nation, e shtunë, 24 maj 1919, f.232 – 233 :

Zotëri, — Ne kemi dëgjuar shumë për mënyrën se si turqit u përpoqën të zhduknin racën armene.

Ne kemi dëgjuar pak për përpjekjet për të zhdukur një racë shumë më afër nesh. Rrëfimi i mëposhtëm më ka ardhur së fundi nga Shkodra, kryeqyteti i Shqipërisë së Veriut, për ngjarjet e fundit në Guci, Plavë dhe rrethinat e saj.

Ne kemi folur për disa vite për të drejtën e vetëvendosjes si për kombet e vogla, ashtu edhe për ato të mëdha. Ne kemi deklaruar madje se po bënim luftë për të arritur këtë qëllim. Megjithatë, kur një racë thërret vazhdimisht, ne mbyllim veshët ndaj thirrjes së saj. Ndoshta asnjë cep i Evropës nuk e ka shprehur dëshirën e saj më fort se Shqipëria e Veriut.

Në vitin 1878, kur Traktati i Berlinit i dha Malit të Zi qarkun e Gucisë, kjo e fundit rezistoi aq ashpër sa që fuqitë u detyruan të dorëzoheshin dhe ta zëvendësonin me Ulqinin (një qytet tjetër shqiptar), gjë që e arritën falë një demonstrate detare. Gucia dhe rrethina e saj u shpëtuan në atë kohë.

Në vitin 1913, Fuqitë ia dhanë për herë të dytë Malit të Zi, banorët e Gucisë rezistuan ashpër si kurrë më parë. Kësaj radhe malazezët duke u pajisur me armatim dhe artileri moderne e pushtuan vendin me dhunë dhe kryen çdo lloj mizorie. Shumë prej banorëve u masakruan. Shumë prej tyre iu dha zgjedhja e pagëzimit në Kishën Ortodokse ose vdekja. Disa u arratisën në malet shqiptare dhe mbetën të strehuar atje. Në atë kohë unë ekzaminova shumë nga këta refugjatë dhe u binda për vërtetësinë e raporteve të tyre, të cilat, për më tepër, u konfirmuan nga vetë malazezët, të cilët mburreshin lirisht me qëllimin e tyre për të zhdukur popullsinë vendase, duke thënë se kjo do të thjeshtonte çështjen racore dhe fetare.

Gjatë luftës botërore, banorët e Gucisë u kthyen sërish në tokat e tyre. Ata, si të gjithë shqiptarët, kanë besuar shumë në premtimet e Amerikës dhe Anglisë për të marrë në konsideratë dëshirat e popullatës gjatë përcaktimit të kufijve. Ata kanë treguar mjaftueshëm se cila është dëshira e tyre.

Në janar të këtij viti, serbët, megjithë armëpushimin, gjatë të cilit supozohej se çështjet racore ishin pezull, grumbulluan forca të mëdha pranë qytetit. Kryetari i Bashkisë shkoi menjëherë në Shkodër për të kërkuar mbrojtje. Gjenerali Franchet l’Esperey e siguroi atë se serbët nuk do të lejoheshin të sulmonin.

Më 15 shkurt 1919, serbët dërguan një Parlamentar në Guci dhe deklaruan se do të bënin një “hyrje paqësore”. Dhe mëngjesin tjetër filloi një bombardim i fortë që zgjati tre orë. Ata e morën me forcë vendin, duke përdorur granata dore, sipas përshkrimeve të refugjatëve, madje edhe në grupe fëmijësh.

Raportohet se serbët deklarojnë se sulmin e kanë nisur banorët e Gucisë. Kjo duket qartë e kundërshtuar nga faktet (1) se banorët e Gucisë, duke mos pasur as artileri dhe as bomba, e dinin se ishin në një pozicion të pafuqishëm; (2) ata kishin pasur një përvojë të tillë të mëparshme të metodave serbe dhe i kishin bërë thirrje forcave aleate për mbrojtje. (3) Nëse do të kishin synuar të sulmonin, ata, në përputhje me praktikën e zakonshme, fillimisht do ta çonin popullsinë joluftarake në një vend të sigurt. Siç ka ndodhur, të moshuarit dhe gratë dhe fëmijët raportohet se kanë vuajtur rëndë.

Se serbët kishin diçka për të fshehur, duket se vërtetohet edhe nga fakti se ata arrestuan dhe ofenduan një oficer britanik që shkoi atje për të hetuar disa ditë më vonë, ata arrestuan edhe përkthyesin e tij vendas, i cili kishte veshur kaki britanike. Oficeri i policisë u lirua më pas. Për momentin nuk ka asnjë lajm në lidhje me përkthyesin fatkeq. Gjithsesi, kjo është historia e zakonshme në Shkodër dhe nuk i shton asgjë reputacionit tonë.

Rreth dy mijë refugjatë nga Gucia arritën në Shkodër, por pas disa javësh u urdhëruan nga gjenerali francez në komandë, të kthehen. Këtë gjë ata kishin frikë ta bënin pa e ditur se çfarë masash do të merreshin për mbrojtjen e tyre. Meqenëse nuk morën përgjigje për këtë pyetje, ata pranuan ofertën italiane për strehim dhe aktualisht janë kampuar pranë Obotit. Meqenëse rajoni është i prekur nga malaria, shumë pa dyshim do të vdesin gjatë verës.

A e kanë vërtetuar mjaftueshëm këta njerëz dëshirën për bashkim me Shqipërinë apo jo ?

A i kemi ngjallur shpresat me premtimet tona për vetëvendosje vetëm për t’i thyer ata ? Dyzet vjet protesta, që nga viti 1878, nuk mjaftojnë për të bindur ? A duam të jemi dëshmitarë të zhdukjes së racës shqiptare ? Serbët tani kanë grumbulluar trupat e tyre dhe kërcënojnë Shkodrën. Çfarë masash do të marrim për të shpëtuar shkodranët që të mos kenë të njëjtin fat si banorët e Gucisë, si dhe atyre të Pejës, Gjakovës dhe shumë fshatrave të tjera shqiptare ? — E juaja, etj.,

Znj. Edith Durham

Gjendja kritike e Shqipërisë

The Nation, e shtunë, 27 shtator 1919, f.765 – 766 : 

Zotëri, — Sapo kemi marrë rrëfimin e mëposhtëm për gjendjen e Shqipërisë së Veriut, në të cilën Italia dhe Serbia po përpiqen të marrin, politikisht, epërsinë, në acarim dhe dëm të madh të popullsisë vendase, të cilët bëjnë thirrje për “fair-play”.

“Çfarë mund të bëjmë ?” thotë dokumenti i cili mban shumë firma të rëndësishme. “Ndonjëherë ndihemi pothuajse të paralizuar dhe të mbytur nga ankthi. (1) Serbët vazhdimisht e zgjerojnë zonën e tyre të pushtimit. (2) Italianët e favorizojnë këtë lëvizje në mënyrë të tërthortë dhe synojnë goditje vdekjeprurëse për veprimtarinë tonë patriotike, për lirinë tonë dhe për integritetin tonë territorial.

(3) Ambiciet e serbëve dhe intrigat e Italisë e kanë shndërruar Atdheun tonë të lumtur në një fushë antagonizmi politik siç u krijua në 1914 dhe e bëjnë pozicionin tonë të patolerueshëm.

“Serbët vazhdojnë të pushtojnë pikat më të forta strategjike në tokën tonë me pretendimin e ndalimit të ekspansionit italian dhe italianët kanë shtrirë trupat e tyre nga Dibra në Pukë e Kastrat me pretendimin se ndalojnë përparimin e serbëve. Xhandarmëria jonë përballë këtij pushtimi të dyfishtë është mes çekiçit dhe kudhrës.

“Për më tepër, njerëzit tanë nuk janë më të sigurt, as në biznesin e tyre privat, nga ndërhyrja e autoriteteve ushtarake, serbe dhe italiane. Dhe oficerët e tyre janë krejtësisht të paditur për psikologjinë e popullit tonë dhe për zakonet e tyre. Kjo situatë e mjerueshme ka shkaktuar një emocion të madh ndaj Italisë. Kështu po sillen serbët në Kosovë. Ata kanë burgosur 800 shqiptarë të Prizrenit, 300 të Tetovës dhe 700 të Prishtinës. Ata po i detyrojnë shqiptarët nga nëntëmbëdhjetë deri në tridhjetë vjeç të shërbejnë në ushtrinë e tyre. Ata ua kanë konfiskuar tokat fisnikëve shqiptarë dhe ua kanë dhënë serbëve. Në shumë vende kanë ndodhur vrasje të pabesa.”

Në Tiranë u organizua një takim nga shqiptarët për të protestuar kundër sjelljes së serbëve në Kosovë dhe kundër dështimit të Italisë për të evakuuar Vlorën. Italia dhe Serbia e kanë bërë Shqipërinë fushë beteje. “Italianët, që nga ardhja e tyre në Shqipëri, kanë vazhduar të rrisin numrin e agjentëve të tyre dhe të përpiqen të mbjellin rrëmujë mes shqiptarëve duke nxitur dallimet fetare, politike, madje edhe private. Në rrethet e Pejes, Gjakovës dhe Prizrenit, serbët ua morën bejlerëve dhe pronarëve të tjerë të tokave misrin dhe u lanë mezi sa për t’i mbrojtur nga uria.”

“Politika aktuale e Italisë mund të çojë në copëtimin e Shqipërisë dhe të shkaktojë telashe shumë serioze. Sjellja e serbëve është e tillë që do të çojë në zjarr dhe gjakderdhje. Nuk mund të besojmë se Europa do të kryejë krimin e krijimit të një Polonie të dytë në Ballkan pikërisht në momentin kur, me sakrifica të mëdha, ajo ka riparuar krimin e saj të shekullit të tetëmbëdhjetë. Ne jemi thellësisht të bindur se Britania e Madhe nuk mund të lejojë një zgjidhje kaq katastrofike.

Sepse ne e dimë se deri më sot kombi britanik ka mbrojtur me bujari kauzën e drejtë të një populli që kërkon vetëm të lejohet të jetojë dhe të zhvillohet lirshëm.”

Ky është padyshim një rast për Lidhjen e Kombeve. Pavarësia e Shqipërisë iu garantua asaj nga Fuqitë në vitin 1913, dhe duke kërkuar që kjo pavarësi të respektohej, ajo nuk kërkon më shumë se Belgjika dhe ka të njëjtën të drejtë për njohje dhe dëmshpërblim. — E juaja, etj.

Znj. Edith Durham,

23 shtator 1919.

Shqipëria

The Nation, e shtunë, 3 korrik 1920, f.434 : 

Zotëri, — Për shkak se e gjithë Shqipëria, së cilës në 1913 iu premtua pavarësia nga Fuqitë e Mëdha, tani po lufton për ta marrë atë, shqiptarët cilësohen si “rebelë”. Shkurtimisht situata është kjo. Kur u shpall armëpushimi, shqiptarët, të cilët nuk ishin armiqtë tanë, natyrshëm prisnin që toka e tyre, e cila ishte pushtuar nga të paktën shtatë ushtri gjatë luftës, do të zbrazej dhe do t’u lejohej të fillonin organizimin e saj. Në vend të kësaj, kishte një garë ushtrish aleate, secila duke u përpjekur të “mbushte pretendimet” në përmbushje të Traktatit të poshtër sekret të vitit 1915. Franca dhe Serbia garuan me Italinë. Ushtritë franceze, italiane dhe serbe pushtuan “zona” të ndryshme, secila duke protestuar se po e pengonte tjetrën të shkelte dhe secila po përpiqej të ngacmonte, korruptonte ose terrorizonte shqiptarët për të luajtur në anën e saj. Shqiptarët trajtoheshin shumë shpesh si një racë e pushtuar dhe u rekuizoheshin shtëpitë dhe furnizimet. Botës iu tha se shqiptarët ishin të paaftë për të organizuar një qeveri dhe ata që pushtuan tokën e tyre vendosën çdo pengesë të mundshme në rrugën e formimit të tyre. Fuqitë kishin zgjedhur si përfaqësues të Shqipërisë njeriun më të urryer në vend, Esad Pashën, dhe vetëm me shumë vështirësi iu lejua Shqipërisë të dërgonte delegatë të vërtetë në Konferencën e Paqes, të cilët kishin akoma më shumë vështirësi për të marrë një dëgjim.

Fuqitë bënë veshin e shurdhur dhe synuan të bënin copëtimin e Shqipërisë. Me një durim të lavdërueshëm shqiptarët kanë pritur derisa të humbasin çdo shpresë për drejtësi. Më pas, në janar të vitit 1920, përballë shumë kundërshtimeve nga ana e Fuqive pushtuese, shqiptarët sajuan një zgjedhje të përgjithshme në të gjithë tokën. Kryetarët u takuan dhe zgjodhën një përfaqësues lokal. Këta, nga ana e tyre, zgjodhën delegatë që u mblodhën në Lushnje dhe zgjodhën një qeveri që përfaqëson të gjitha pjesët dhe të gjitha fetë. U bë një betim i përgjithshëm për paqe dhe të gjitha dallimet u fundosën. Fuqitë refuzuan ta njihnin këtë qeveri dhe delegatët e saj, njëri prej të cilëve ishte peshkopi i Lezhës, nuk u njohën shumë kur erdhën të luteshin për kombin e tyre.

Armiqtë e Shqipërisë u përpoqën të rrëzonin qeverinë e Lushnjes. Esad Pasha, mjeti i tyre me rrogë të lartë, nuk guxoi të shkonte vetë pasi e dinte se cili do të ishte fati i tij. Njeriu që kishte shitur atdheun e tij e dinte çmimin që do të duhej të paguante dhe tani e ka paguar. Osman Bali, një nga shërbëtorët e tij, u dërgua dhe menjëherë u shfaqën njoftime në shtyp se Shqipëria ishte revoltuar dhe përmbysi qeverinë e Lushnjes. Në vend të kësaj, qeveria e Lushnjes intervistoi Osmanin dhe e bindi të mos luftonte kundër atdheut të tij. Qeveria e Lushnjes u forcua.

Ndërkohë Britania e Madhe tërhoqi të dy përfaqësuesit e saj dhe në përgjigje të të gjitha pyetjeve në Dhomën e Komunave përgjigja është “Nuk kemi asnjë informacion zyrtar.” Ata të cilëve u ishin premtuar pjesë të Shqipërisë ishin, pra, kishin lirinë t’i merrnin nëse ata mundën pa dëshmitarë të papërshtatshëm që të shikonin. Dy përfaqësuesit e Britanisë së Madhe ishin të dy miq të Shqipërisë dhe informacioni zyrtar mund të kishte qenë i sikletshëm.

Në simptomat e para që Shqipëria ishte e vendosur dhe e bashkuar, Italia pushtoi Durrësin dhe doganën e tij, duke shpresuar kështu, siç duket, t’i privonte Qeverisë së Lushnjes një burim të ardhurash. Vendi pranoi menjëherë një kredi të madhe.

Tani Shqipëria po lufton për jetën e saj. Një komb i tërë i bashkuar kërkon simpati në drejtësinë e kauzës së tij. Asnjë korrespondent i huaj nuk lejohet të shkojë në Shqipëri. Vetëm me shumë vështirësi mund të dalë ndonjë lajm. Një pjesë e madhe e popullsisë së Vlorës, mësojmë nga burimet italiane, është deportuar nga italianët në ishullin e Sazanit, një ishull ku ka pak ujë dhe pothuajse nuk ka shtëpi. Gjëja është e përbindshme. Vlora, porti më i mirë i Shqipërisë, është i shenjtë për shqiptarët si qyteti ku ata shpallën pavarësinë. Ata i lejuan italianët të zbarkonin atje në 1914 duke besuar se ishte vetëm një masë e përkohshme lufte. Ata kurrë nuk kanë pranuar ta japin atë. Tani qyteti i tyre është i bombarduar, njerëzit e tyre të shquar janë dëbuar. Këtu po përsëriten tiparet më të këqija të pushtimit gjerman të Belgjikës. Arsyetimi i kërkuar nga Italia për aneksimin e Vlorës është ai i Gjermanisë kur ajo hyri në Belgjikë, “domosdoshmëri strategjike”.

Anglezët që dhanë ndihmën dhe simpatinë e tyre për ringjalljen italiane, për kryengritjen greke në 1820 dhe 1897, për luftën për liri të udhëhequr nga serbët dhe bullgarët, tani me të drejtë nuk mund të refuzojnë të mbështesin Shqipërinë dhe ta ndihmojë atë të formulojë një plan me anë të të cilit mund të arrijë pavarësinë e saj të kërkuar prej kohësh dhe në të njëjtën kohë një modus vivendi falë të cilit Italia do të jetë në gjendje të dalë me nder nga kjo luftë e padenjë. — E juaja, etj.

Znj. Edith Durham

Dëbimet shqiptare

The Nation, e shtunë, 4 qershor 1921, f.361 : 

Zotëri, — Shqipëria — pas shtatë vitesh mungesë — është një tokë e re pothuajse për mua. Përkundër shtatë viteve të luftës dhe pushtimit të huaj, shpirti i pavarur i njerëzve u ka mundësuar atyre të bëjnë më shumë në drejtim të formimit të një kombi nga sa prisnin disa prej nesh. Kujtojmë ditët kur asnjë shkollë shqipe nuk mund të ekzistonte pa mbrojtje të huaj dhe kur të gjitha të tilla drejtoheshin nga fuqitë e interesuara për të arritur qëllimet e tyre. Shqipëria e Lirë ka hapur tashmë 528 shkolla për fëmijë dhe disa shkolla të mbrëmjes, në të cilat të rriturit po mësojnë me padurim. Qetësia e përsosur mbretëron në tokë. Është organizuar një xhandarmëri e zgjuar. Rrugët janë pastruar dhe nevoja për shtëpi është po aq e madhe sa në Angli. Por ndërtimi po vazhdon më energjikisht. Të gjitha duken shpresëdhënëse. Por ka një pikë shumë të zezë. Pothuajse menjëherë pas armëpushimit trupat serbe hynë dhe pushtuan një pjesë të madhe të territorit shqiptar — kryesisht atë të fisit të Lumës — brenda kufijve të përcaktuar nga Fuqitë në 1913. Ky rreth është i banuar vetëm nga shqiptarët. Shumë u larguan menjëherë në Shqipëri, me shpresën për të marrë ndihmë, duke shpresuar gjithashtu se Fuqitë do të urdhëronin shpejt evakuimin e tokës së pushtuar në këtë mënyrë. Serbët, megjithatë, kanë mbetur atje dhe kanë djegur shumë fshatra. Së fundmi ata dhanë urdhër që të gjithë shqiptarët e rrethit që ishin larguar të kthehen menjëherë në fshatrat e tyre. Shqiptarët, nga frika e tradhtisë dhe gjithashtu të pavullnetshëm për të jetuar nën sundimin serb, refuzuan ta bëjnë këtë. Serbët tani kanë filluar të ndëshkojnë familjet e pafajshme të këtyre njerëzve duke i larguar me forcë nga shtëpitë e tyre dhe duke i transportuar në Serbi.

Refugjatët nga rrethi vijnë dhe raportojnë detaje. Në këto rrethana nuk mund t’ju kërkoj të publikoni emra, pasi kjo mund të sjellë shtypje të mëtejshme. Por unë kam emrat e gjashtë familjeve dhe të fshatrave nga të cilët janë larguar kohët e fundit.

Ata bëjnë thirrje urgjente për ndihmë dhe simpati. Toka e tyre është aneksuar me forcë edhe pse i është dhënë Shqipërisë nga Fuqitë. Kjo është mjaft e vështirë. Por nëse detyrohen të qëndrojnë në Serbi, i tremben sllavizimit të fëmijëve të tyre, sepse në Serbi ende nuk është themeluar asnjë shkollë shqipe.

Kërkesa e tyre është shumë modeste — domethënë që të respektohet kufiri i përcaktuar në vitin 1913 dhe t’u rikthehet atdheu i tyre. — E juaja, etj.,

Znj. Edith Durham

Tiranë, Shqipëri, 6 maj 1921.

Restaurohet “Guna përmbi tela”, së shpejti vjen premiera

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me Fondazione Gramsci di Puglia kanë restauruar filmin “Gunat përmbi tela” të regjisorit Muharrim Fejzo, prodhim i vitit 1977.

Premiera e filmit të restauruar do të jetë më 15 maj, në Kinema Millennium.

Restaurimi digjital i këtij filmi dhe eventi i premierës u financuan nga Fondazione Gramsci di Puglia dhe Regione Puglia në kuadër të projektit “Pulja në njëqindvjetorin e ardhjes së fashizmit”.

Filmi “Gunat përmbi tela” u restaurua nga elementet origjinalë negativë 35mm të AQSHF-së, në laboratorin Dabimus srl të Universitetit të Barit “Aldo Moro”, Itali. Filmi mban emrat e një sërë artistësh nga më të njohurit e kinematografisë shqiptare si: Ilia Terpini në kamera, muzika nga Kujtim Laro, skenari nga Duro Mustafaj, piktor Azis Karalliu, kostumografia nga Alush Shima etj.

Filmi “Gunat përmbi tela” bazohet në një nga ngjarjet më të rëndësishme historike, siç është ikja nga Vlora e trupave italiane të mbetura pas Luftës së Parë Botërore. Luftëtarët hyjnë në kampin e rrethuar armik jo me ndihmën e armëve të sofistikuara të kohës por me ndihmën e gunave që hedhin mbi telat me gjemba.

Në rolet kryesore interpretojnë: Thimi Filipi, Fatos Sela, Stavri Shkurti, Luftar Paja, Sulejman Pitarka, Serafin Fanko, Jani Riza, Raimonda Bulku, Liza Laska, Muhamet Sherri etj./atsh/KultPlus.com

Besa Kokëdhima ngjitet sonte në skenën e Eurovision me “TITAN”

Kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2024, “TITAN”, do të ngjitet sonte në skenën e madhe në Malmo të Suedisë.

Balada e kënduar nga Besa Kokëdhima në gjuhën angleze, do të jetë e dyta në radhë, në mbrëmjën që ëstë e dyta e gjysmëfinales.

Të mërkurën Besa Kokëdhima tregoi ekskluzivisht për emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH jo vetëm pritshmëritë për këtë garë, por edhe paraqitjen skenike.

“Këto ditë kam qenë shumë e angazhuar, kam përjetuar emocione shumë të bukura. Jemi në një lloj disipline të hekur, kështu që nuk është gjithmonë shumë e pëlqyeshme, por jam shumë e lumtur sepse më në fund e gjithë puna që kemi bërë po vjen momenti të realizohet. Edhe koncertet që kemi realizuar për mua kanë qenë shumë emocionuese”, është shprehur ajo.

Tutje, këngëtarja tha se pritshmëria e saj e parë është që performanca jonë të jetë dinjitoze  dhe në një nivel të krahasueshëm me shtete e mëdha që marrin pjesë në këtë kompeticion, të ketë një nivel të lartë artistik dhe pritshmëria që besoj e ka çdo artist pjesëmarrës është patjetër të dal në finale dhe t’i bëj të gjithë bashkëkombësit tanë krenarë.

“Një detaj që mund të zbulojmë ekskluzivisht është që veshja në mbrëmjen e 9 majit do të vishet për herë të parë në provat gjeneralë dhe nuk është asnjë nga veshjet që janë realizuar provat deri tani. Nga pak na ka shijuar t’i bëjmë njerëzit pak kuriozë dhe pak lëmsh fansat e Eurovizionit”, ka shtuar ajo.

Në gjysmëfinalen e dytë do të marrin pjesë 16 shtete, ku vetëm 10 prej tyredo të kualifikohen në finalen e madhe.

Të gjithë shqiptarët që jetojnë në shtetet që performojnë mbrëmjen e sotme mund të votojnë “TITAN” me kodin 2, ndërsa personat që jetojnë në shtete të tjera mund të votojnë në uebfaqen esc.vote  

Finalja e madhe e Eurovision 2024 mbahet më 11 maj dhe në skenë do të ngjiten vetëm 16 përfaqësues shtetesh./KultPlus.com

Hapet ekspozita  “Shenjtorët e rëndomtë / Ordinary Saints” e Burim Myftiu

Sot do të hapet ekspozita “Shenjtorët e rëndomtë / Ordinary Saints” me autor Burim Myftiu dhe Kurator Shkëlzen Maliqi, duke filluar nga ora 19:00, në Hani i 2 Robertëve.

Myftiu përmes ekspozitës do të paraqet rrëfimin “Madona e Milanos”.

“Ishte vjeshtë e hershme, një nga mbrëmjet me shi. Po udhëtoja me tramvajin numër 23 nga Duomo për në hotelin tim. Në një çast shiu filloi të bie me rrebesh. Në çdo stacion ca zbrisnin dhe të tjerët hipnin. Prej që ishte përplot, udhëtarët qëndronin edhe në kembë. Unë isha i ulur dhe mbaja kokën kërrusur i thelluar në mendime dhe duke numëruar ditët e mbetura në Milano, në këtë qytet mahnitës dhe përplot çudira”, fillon rrëfimin ai.

Ai ka treguar rrëfimin e plotë të një nate në Milano, në vitin 2016 në tramvaj.

Rrëfimi i plotë:

MADONA E MILANOS

Ishte vjeshtë e hershme, një nga mbrëmjet me shi. Po udhëtoja me tramvajin numër 23 nga Duomo për në hotelin tim. Në një çast shiu filloi të bie me rrebesh. Në çdo stacion ca zbrisnin dhe të tjerët hipnin. Prej që ishte përplot, udhëtarët qëndronin edhe në kembë. Unë isha i ulur dhe mbaja kokën kërrusur i thelluar në mendime dhe duke numëruar ditët e mbetura në Milano, në këtë qytet mahnitës dhe përplot çudira. Në një çast e ngrita shikimin lartë. Një nënë e re, me një vajzë të vogël qëndronin përpara meje. Ishin kthyer me shpinë. Ajo me një dorë e mbante vajzën dhe me dorën tjetër mbahej vetë. E kishte të veshur një nga ato palltot e errëta me kapelë. Në një çast ajo u kthye nga unë. Nga skajet e kapelës pikonin dromcat e shiut. Një pamje si e  murgeshave, pamje si nga ikonat mesjetare, e çuditshme dhe anakronike, por edhe një fytyrë ëngjëllore, dhe shumë misterioze për një nënë të re. Brenda në tramvaj filloi të bëhej nxehtë. Në një nga ndaljet e tramvajit ajo u kthye dhe e çkopsiti pallton. Unë u befasova nga pamja. Përfundi palltos, në gjirin e nënës ishte duke fjetur një foshnjë. Nga drita e dobët mezi dukej vetëm gjysma e fytyrës së foshnjes dhe doçka e vocër. Unë mbeta i shtangur. Nuk i besoja dot syve. I ngrirë me pamjen, me njëmijë pyetje të heshtura nëh mendjen time konfuze: “Ç’është kjo? Çfarë po ndodh? Nëna me foshnjen e vogël, tramvaj, natë, shi, veshja, pamja, qetësia e saj…!

Prej nga erdhën?!

Ku po shkojnë?!

Nëna me foshnje në natë me shi! Një pamje ikonike, biblike, dhe aq hyjnore, njëjtë sikurse edhe mijëra vite më parë, ai motiv i njëjtë nga pëlhurat e Mikelangjelo, Rafaelo, Karavagjo…

Jo…nuk kisha përgjigje! Isha magjepsur me pamjen! Pas një çasti fillova të mendoj më qetë. Më duhet të përjetësoj këtë çast. Kjo ndodh njëherë në jetën e njeriut ose edhe asnjëherë nuk ndodh. Kamerën e kisha në xhep. Por si t’ja bëj? Si t’ja bëj unë tani? Më zuri paniku, sikurse do fotografoja herën e parë në jetë! Në mes të kësaj dileme tramvaji u ndal. Ajo me engjëjt e saj të vegjël zbritën dhe u tretën mes turmës dhe errësirës. Shikimi më mbeti në dritare. Akoma isha i hutuar dhe nuk mund të besoja. Ajo pamje nuk mund të përshkruhej me fjalë. Pas ca minuta zbrita edhe unë për të pritur tramvajin e ardhshëm, për të vazhduar udhëtimin. Shiu ishte ndalur. Tramvaji numër 9 arriti me vonesë. Ishte një nga ato tramvaje të vjetra, që akoma ishin në qarkullim. Unë kërceva brenda dhe u ula. Ndriçimi ishte shumë i dobët. I mbështetur në gjunjë, i thelluar në mendime dhe duke akuzuar vehten se si nuk arrita të përjetësoj atë moment dhe pamje të jetës. Kur e ngrita kokën, nuk mund të besoja syve. Nëna me foshnjën dhe vajzën e vogël ishin të ulur përballë!

E pamundur!

E pabesueshme!

Nuk mund të jetë!

Isha aq i shqetësuar saqë fillova të rrënqethem! Por në të njëjtën kohë ndieja  edhe një gëzim. Nuk mund të pritja më! Me zë të ulët dhe me respekt e me mirësjellje u drejtova: “Më falni zonjë! Ju,…foshnja,…vajza juaj e vogël,…familja juaj,… është një mrekulli, është diçka shumë e bukur… ëëë,… unë…jam fotograf dhe kjo është jeta ime,  ëëë…dhe nëse më lejoni ju lutem, të bëj një fotografi…ëëë? Ajo vetëm e tundi kokën në shenjë aprovimi dhe sikurse edhe ajo vetë dinte se çfarë po ndodh dhe sikurse edhe vet e priste dhe ishte e pregaditur për këtë çast! Brenda sekondash bëra disa fotografi dhe duke u falenderuar me dy pëllëmbë të bashkuara si njerëzit e lindjes, zbrita. Ecja në kahje të hotelit duke mos patur përgjigje në ato njëmijë pyetje në mendjen time! Nëpër mendje më kalonin me dhjtra Madona nga librat, katedralet, galerite, muzeumet.  

Madona?

Madona!

Si është e mundur?!  

Si mund t’i ndodh kjo një njeriu aq pak religjioz si unë?  

“Deja Vu”, sikurse edhe mijëra vite më parë, “Madona”,

…këtë herë në tramvaj!

Milano, 2016/KultPlus.com

Sot shënohet Dita e Evropës, 73 vite nga deklarata e Robert Shuman

Sot festohet Dita e Evropës, 73 vite nga deklarata e Robert Shuman ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme i Francës, i cili prezantoi idenë e tij për një forme të re të bashkëpunimit politik dhe që luftërat mes popujve të Evropës do t’i bënte të paimagjinueshme.

2023 është Viti Evropian i Aftësive, prandaj në Ditën e Evropës, Delegacioni i BE-së në Tiranë do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë të rinjve shqiptarë, të cilët falë mbështetjes së BE-së kanë zhvilluar aftësitë e tyre dhe zgjedhin të qëndrojnë në Shqipëri duke nisur biznese apo projekte të suksesshme.

Delegacioni i BE-së në Tiranë ka zgjedhur të festojë Ditën e Evropës në Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Dajtit së bashku me shtetet anëtare të BE-së, përfituesit e projekteve të BE-së, adhuruesit e natyrës dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann është shprehur Krenare që: “shoh flamurin e Bashkimit Evropian në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, që simbolizon mbështetjen dhe përkushtimin tonë për të ardhmen Evropiane të Shqipërisë”.

Më 9 maj 1950 u bë lëvizja e parë drejt krijimit të asaj, që sot njihet me emrin Bashkimi Evropian. Atë ditë në Paris, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi para gazetarëve nga e gjithë bota një deklaratë, që i bënte thirrje Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera evropiane, të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut si “themeli i parë konkret i një federate të ardhshme evropiane”.

Ai propozoi krijimin e një institucioni evropian mbikombëtar, i ngarkuar me administrimin e industrisë së qymyrit dhe çelikut, pikërisht sektori që në atë kohë ishte baza e gjithë fuqisë ushtarake. Për këtë arsye, gjatë Samitit të Milanos, në vitin 1985, udhëheqësit e BE-së vendosën ta festojnë 9 Majin si “Dita e Evropës”.

Aspirata e Shqipërisë për t’iu bashkuar Europës mori jetë që nga fillimi i viteve ’90, menjëherë pas shembjes së regjimit komunist. Për shqiptarët, ideja e ndryshimit u njësua me bashkimin në familjen e madhe evropiane. Rruga e vetme për t’u ndarë nga izolimin tragjik dhe prapambetjen e thellë ekonomike, u njësua me integrimin evropian, përmes ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Bashkimin Evropian në vitin 1990, të dy palët nënshkruan Marrëveshjen për Tregtinë dhe Bashkëpunimin në vitin 1992, e cila konkretizoi për herë të parë përpjekjet shqiptare për afrim dhe ndihmë nga Bashkimi Evropian./ atsh / KultPlus.com