“Askush nuk mund t’i heqë dot rrudhat nga balli im, të shtuara përgjatë momenteve më të bukura të jetës sime; apo rrudhat përreth gojës sime që tregojnë se kam qeshur dhe kam puthur; as lëkurën e rrudhur poshtë syve të mi, sepse ajo shtë kujtimi se sa shumë kam qarë në vite. Këto janë vetëm gjërat e mia dhe janë të bukura”.
“Veprimet e mia janë ato që më përfaqësojnë si një qenie njerëzore, dhe jo fjalët e mia”.
“Gjërat që të falin kënaqësi të mëdha, nuk arrihen lehtësisht”.
“Familja ime vjen e para, ka qenë përherë dhe do të mbetet përherë kështu”.
“Mos e ngatërroni faktin e të pasurit të një diplome me edukimin. Titulli është një rol, ndërsa edukata e vërtetë është të përgjigjesh, kur dikush të thotë: “Mirëdita””.
“Dhurata më e madhe e qenieve njerëzore është fuqia e empatisë”.
“Vendos përherë bindjen tënde në të gjitha fushat e jetës tënde, vendos zemrën në punë dhe prit më të mirën nga të gjithë”.
“Në fund, ajo që ka rëndësi, është ajo që ti ndjen. Jo ajo çfarë të ka thënë mamaja jote. Jo ajo që të ka thënë një aktore tjetër. Nuk është ajo që të kanë thënë të tjerët, por ai zëri i dobët që flet brenda teje”.
“Do të preferoja të isha një rebele, se sa një skllave. U bëj thirrje grave të rebelohen”.
“Nëse ke një tru, duhet ta përdorësh”.
“Disa njerëz janë plot me mëshirë dhe me dëshirë për të bërë mirë, të tjerë besojnë se asgjë nuk e bën diferencën”.
“Duhet ta pranosh se do të plakesh. Jeta është e vlefshme dhe kur të humbasësh shumë persona, do ta kuptosh se çdo ditë është një dhuratë”.
“Femër: Mos u shqetëso për aspektin tënd fizik. Ajo që të ndryshon prej të tjerëve, është forca brenda teje”.
“Amësia ka një efekt mjaft njerëzor. Gjithçka reduktohet në esencën e vetë”.
“Duhet të vazhdosh të bësh atë që po bën. Një nga leksionet më të rëndësishme që kam mësuar nga bashkëshorti im, është se përherë më thotë, ec përpara, fillo nga fillimi”.
Admiruesit e mjeteve klasike në Shkodër vizituan sot nga afër magjinë e më shumë se 50 mjeteve të viteve 60-‘70-’80, me targa të personalizuara më të koleksionistëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga festivali “Retro” në qytetin e Shkodrës.
“Mjetet Retro në Shkodër. Shijoni këtë ekspozitë unike, bëni foto të paharrueshme dhe përjetoni një udhëtim në kohë me këto mjete të mahnitshme”, shkruan Rama.
Përveç paradës së automjeteve “Retro”, gjatë orëve të mbrëmjes ka aktivitete festive me tingujt e muzikës “Jazz”, që do t’i shtojnë gjallërinë qytetit të Shkodrës.
Festivali “Retro” i zhvilluar në qytete të ndryshme të vendit vitet e fundit ka shfaqur interes të veçantë nga vizitorët vendas dhe të huaj./atsh/ KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës, shfaq premierën e katërt për vitin 2024 “AEON”, me koreografi të Daniel Cardoso.
Pjesëtarët tjerë që mundësuan shfaqjen “AEON” janë: Asistente e koreografit: Inês Godinho Udhëheqëse e provave: Luljeta Ademi Kostumet: Inês Godinho & Helena Pereira Fustanet: Ines Godinho & Elva Bella
Shfaqja premierë jepet në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës më 27.06.2024, kurse repriza jepet më 28.06.2024/ KultPus.com
Shyqri Nimani (Shkodër, 6 maj 1941) ishte piktor, dizenjues grafik dhe pedagog shqiptar. Është i mirënjohur nëpër hapësirat shqiptare për kaligrafimin me dorë në pergamen të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.
U lind në Shkodër më 6 maj 1941 në një familje me prejardhje nga Gjakova të shpërngulur para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, i biri i Ramiz Shyqri Nimanit dhe Hatmane Batushës; i ati kishte qenë oficer i Mbretërisë Shqiptare.
Shkollën e Mesme të Artit e kreu në Pejë me sukses të shkëlqyeshëm. U diplomua në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd në vitin 1967, me notën maksimale 10. Studimet pasuniversitare i kreu më 1969 në të njëjtën Akademi. Profesor ordinar në Fakultetin e Arteve të Prishtinës. Në vitet 1976 – 1978 ka qëndruar në Japoni si bursist i qeverisë japoneze për hulumtim artistik.
Në vitet 1979 – 1989 ka qenë drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës. Ka qenë dekan i Fakultetit të Arteve nga viti 1991 – 1994. Merrej me pikturë, grafikë, dizajn dhe me disiplina të tjera të arteve figurative. Ka botuar monografi për artin mesjetar dhe bashkëkohor shqiptar. Ka përkthyer edhe libra nga gjuhë të huaja.
Mbrëmë dhe sonte, qyteti antik i Malit të Zi është transformuar në një skenë të magjishme ndriçimi, ndërsa mbahet festivali i dritave që ka tërhequr artistë të njohur nga mbarë bota.
Ky event unik, i cili ndriçon rrugët dhe ndërtesat e qytetit me piktura dhe instalime të jashtëzakonshme, ka krijuar një atmosferë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.
Sonte është nata e veçantë për Ramë Dardaninë, artistin që përfaqëson popullin shqiptar dhe Kosovën. Me një ndjenjë të thellë krenarie, Ramë Dardania shpalos veprat e tij që reflektojnë pasurinë e artit të Kosovës. Pjesëmarrja e tij në këtë festival është një dëshmi e fuqisë së artit për të lidhur kultura të ndryshme dhe për të krijuar ura mirëkuptimi.
Ramë Dardania u shpreh se është jashtëzakonisht i lumtur për këtë mundësi dhe e konsideron një nder të madh që është përzgjedhur të marrë pjesë në një ngjarje kaq prestigjioze. “Ndjej një krenari të jashtëzakonshme që përfaqësoj artin dhe kulturën shqiptare në këtë festival ndërkombëtar. Ky është një moment historik për mua dhe për të gjithë artistët shqiptarë,” tha ai.
Festivali i dritave në qytetin Kotor të Malit të Zi vazhdon të mahnitë vizitorët me spektaklin e tij të ndriçimit dhe kreativitetit, duke krijuar një mbrëmje të mbushur me magji dhe emocion. Sonte, të gjithë sytë janë drejt Ramë Dardanisë, i cili me veprat e tij do të ndriçojë jo vetëm qytetin, por edhe zemrat e të pranishmëve./ KultPlus.com
Ka përfunduar Provimi i Maturës 2024, ndërsa rezultatet do të publikohen më 1 korrik.
Komisioni Shtetëror i Maturës, tha se këtij provimi iu nënshtruan rreth 19 mijë maturantë, ndërsa u organizua në 151 qendra të Testimit, ku maturantët kanë qenë të sistemuar në 1 mijë e 500 klasa.
KShM tha gjithashtu se këtë vit kanë qenë të angazhuar 180 kryetarë të komisioneve të caktuar nga MAShTI, 1 mijë e 500 administrues dhe 1 mijë e 500 mbikëqyrës nga Parlamenti i studentëve të UP-së.
“Sipas raporteve të administratorëve, në disa Qendra ka pasur largim të nxënësve nga provimi për shkak të përdorimit të telefonave”, shkruan në njoftimin e MAShTI-t.
Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës, të premten e 21 qershorit, në Ditën Botërore të Muzikës, kishte kënaqësinë të njoftojë për nisjen e një procesi në realizimin e ekspozitës së veçantë, e cila do të rikthejë tek opinioni historinë e jetës së muzikës profesionale në Kosovë. Ky projekt ambicioz ka për qëllim të mbledhë dhe të prezantojë materiale të cilat pasqyrojnë jetën e kulturës muzikore në periudhat e viteve ‘60 deri në vitet ‘90. Me këtë rast janë ftuar pjesëtarë të komunitetit artistik dhe jo vetëm, të cilët kanë qenë pjesëmarrës aktiv në aktivitetet muzikore të këtyre dekadave që të kontribuojnë me materiale që posedojnë për periudhën në fjalë.
Materialet mund të jenë fotografi, programe koncertesh, artikuj dhe opinione nga shtypi ditor për t’i arkivuar në hapësirat e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës. Kjo iniciativë do të zgjasë për gjashtë muaj, duke u finalizuar me ekspozimin e materialeve në fund të këtij viti. Është me rëndësi të theksohet se numri më i madh i dokumentacionit të siguruar deri më sot, i cili do të shërbejë si pikë referimi për katër dekadat e kaluara dhe si frymëzim për realizimin e këtij procesi, i takon arkivit personal të profesorit, kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi.
Po ashtu, kontribute të rëndësishme në dhurimin e materialeve kanë dhënë profesor Engjëll Berisha – muzikolog, prof. Zeqirja Ballata – kompozitor, profesor Bahri Çela – dirigjent dhe prof. Fahri Beqiri – kompozitor, së bashku me arkivin shtetëror dhe institucionet publike kulturore.
Me datën 21 dhjetor, këto materiale do të ekspozohen për publikun në një ngjarje të veçantë. Vlen të theksohet se shumica e fotografive të marra nga ngjarja e djeshme, përfaqësojnë materialet e mbledhura nga 50-vjetori i Shoqatës së Kompozitorëve, materiale të cilat vijnë nga arkivi personal i profesor Rafet Rudi dhe si të tilla nuk janë pjesë e ekspozitës as në fazën e parë të saj.
Ju mirëpresim për të realizuar e përjetuar së bashku një udhëtim në kohë!
Punimet po shkojnë drejt fundit në godinën historike të Katedrales Notre Dame në Paris.
Punimi në pikturë i Virgjëreshës Mari dhe fëmijës së saj, i realizuar në shekullin XIX nga arkitektja Viollete le Duc, sapo është rikthyer në pozicionin e saj origjinal.
“Kjo kreshtë peshon 270 kilogramë, pak a shumë; ndaj kemi elementë të shumtë: pjesën finale, që është dhe pjesa më e madhe, si dhe gozhdët që janë pjesa më e vogël. Kemi ende katër operacione për të përfunduar dhe jemi në fund të procesit”, deklaroi Sinkron William Bloy, shef i ekipit të punëtorëve.
Megjithatë, katedralja pritet të rihapet për publikun vetëm më 8 dhjetor, që do të thotë se spektatorët që do të vizitojnë qytetin për Lojërat Olimpike nuk do të mund ta shohin strukturën e mrekullueshme.
Pas zjarrit në prill të 2019-s, presidenti francez Emmanuel Macron premtoi se godina historike do të restaurohej brenda 5 vitesh.
Sot në varrezat e Kalabrisë në Itali i është dhënë lamtumira e fundit at Antonio Belushit, priftit arbëresh i cili gjithë jetën e tij ishte angazhuar për kauzën shqiptare.
Belushi ishte quajtur edhe “Ati shpirtëror i arbëreshëve të Italisë” dhe kishte qenë adresë mikpritjes e pothuaj të gjithë shqiptarëve që i vizitonin arbëreshët në Itali.
Në ceremoninë mortore ka marrë pjesë edhe zyrtari i Republikës së Kosovës, Vehbi Miftari, i cili është Përfaqësuesi i Kosovës për raporte me Selinë e Shenjt në Vatikan.
Mbi arkivolin e at Antonio Belushit, Miftari është kujdesuar që ta vendos edhe flamurin e Kosovës krahas atij të Shqipërisë.
At Antonio Belushi u përjetësua sot në varrezat e Frasnitës në #Kalabri 🇮🇹 me flamujt 🇦🇱🇽🇰shqiptar, lot por edhe me këngë arbëreshe. I përjetshëm kujtimi për këtë misionar e atdhetar të devotshëm të shekullit 20-të! pic.twitter.com/h2DuZ58h0D
Nestor Jonuzi vlerësohet nga kritika si një nga krijuesit e asaj që quhet “Shkolla e Vlorës” në pikturën shqiptare, e shquar për gamën e madhe të nuancave të ngjyrave dhe ndërthurjen e tyre me hijeshi dhe guxim.
Përballë “Mes dy botëve” nga Helidon Haliti në RTSH, Jonuzi ka rrëfyer se si ishte të bëje art në diktaturë.
“Unë kam mendimet e mia për atë periudhë me gjithë kufizimet që dihen apo lufta e klasave që ka qenë një tmerr i vërtetë. Arti është dimension tjetër. Censura ka qenë vërtetë e tmerrshme, duhej të ishe i kontrolluar, por nuk ka penguar artistët e vërtetë që të bëjnë art në atë kohë. Liria e brendshme është tjetër gjë dhe liria e jashtme është tjetër gjë. Edhe zakonet tradicionale të këqija censurë janë. Mos u sill kështu se është turp, çfarë thonë lagjja dhe kjo censurë është. Opinioni, është censurë. Opinioni është i tmerrshëm. Do të varrosësh veten, shko pas opinionit. Atëherë kishte një gjë, atë që thoshte partia, nëse s’doje probleme, do ta bëje. Problemi ishte që ta bëje me art, të vije aq sa duhej dhe aty ku duhej. Ngjyrat nuk t’i diktonte njeri. Kur bëra tablonë gëzimi i fitores, Kështjella. Më thanë e ke bërë kështjellën pak të zezë. Por unë nuk luajta. Bëra ca ndërhyrje pa e prishur frymën. Ajo fryma, ai kontrast i fortë e ruante atë”, shprehet Nestor Jonuzi që mban dhe titullin Artist i Popullit.
I vështirë për piktorin ka qenë dhe ’97, ku i duhej të bënte art në një qytet që ishte qendra e trazirave aso kohe.
“E ka thënë Konica shumë bukur që shqiptarët po t’ua thuash një vërejtje tek për tek, dhe kur i mbetet qejfi nuk merr hak, por po t’ia thuash në shesh merr hak. Jetojnë falë opinionit që është shumë e rrezikshme, por kështu është ndërtuar bota. Shumica merret me opinion. Viti ‘97 mos u bëftë kurrë. Për mua ishte luftë civile totalisht. Unë e urrej politikën, nuk më vete mendja fare. Unë jam komplet me Lasgushin. Do bëj atë që kam qejf unë që të bëj”, thotë Jonuzi.
Çdo ditë, Nestorin e gjen në studion e tij, mes penelave dhe bojërave, përballë telajos, ku mund të shohësh një galeri të tërë me piktura qe të befasojnë.
Janë me dhjetëra peizazhet, portretet dhe akuarelet që të mikpresin.
Mësimet e para për pikturë, Nestori i mori nga mësuesi pasionant i vizatim të qytetit, Vasil Talo.
Mandej studioi në Liceun Artistik, “Jordan Misja”. Nga viti 1962-67 studioi për pikturë në Liceun Artistik dhe në Shkollën e Lartë të Arteve në Tiranë, me pedagogë piktorët e shquar Sali Shijaku, Abdurahim Buza, Kel Kojdheli, Janaq Paço, Nexhmedin Zajmi, Vilson Kilicën. / KultPlus.com
Nxënësit e talentuar të shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli”, në Durrës kanë portretizuar skenën e pikturës “Peshkatarët” të piktorit Abdullah Cangonji, që përfaqëson dhe një pjesë të qytetit të tyre.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu e cila ndau dhe portretin bëri të ditur se këto portretizime po kryhen në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe dhe në kuadër të 80-Vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.
“Në Vitin e Gjuhës Shqipe dhe në kuadër të 80-Vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, nxënësit e shkollave të mesme i japin jetë veprave ikonë të artit shqiptar, të cilat përfaqësojnë figura kulturore dhe personalitete të rëndësishme të historisë sonë, si dhe momente kyçe të së shkuarës, duke rikthyer në vëmendje ngjarjet dhe figurat që kanë ndikuar në historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar”, deklaroi ministrja.
Portreti u realizua nga nxënësit Kleo Muho, Omar Nelaj, Adrian Plakalli, Erlind Hoxha, Ermal Sinamati, Redon Koçi. Fotografia u realizua nga nxënësi Arlen Kuriçi./ KultPlus.com
Komuna e Prishtinës njofton se për arsye të realizimit të kontratës “Ndërtimi i rrugës Nekibe Kelmendi, faza III”, rruga “Nekibe Kelmendi” do të mbyllet përkohësisht.
Në njoftimin për media thuhet se rruga do të mbyllet nga e hëna (24 qershor), deri më 24 gusht.
“Për arsye të realizimit të kontratës “Ndërtimi i rrugës Nekibe Kelmendi, faza III”, rruga “Nekibe Kelmendi” do të mbyllet përkohësisht: Të hënën, më datë 24.06.2024, deri më 24.08.2024”, njofton Komuna.
Tutje thuhet se qytetarët mund të përdorin rrugët alternative. / KultPlus.com
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se në mbi 700 mijë objekte të skanuara në më pak se një muaj në Qendrën e parë të Digjitalizimit.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se kanë ndarë mbi gjysmë milion euro për digjitalizimin e shërbimeve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
“Mbi 700 mijë objekte të skanuara në më pak se një muaj në Qendrën e parë të Digjitalizimit në vend dhe më të sofistikuarën në rajon për një arkiv digjital më të pasur të Bibliotekës sonë Kombëtare. Përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit kemi ndarë mbi gjysmë milion euro për digjitalizimin e shërbimeve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Për publiken që ecën në hap me kohën”, ka shkruar Kurti. / KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër ndau online një album fotografik të një prej monumenteve të kulturës që ndodhet në zonën e thellë të Pogonit, pranë fshatit Hllomo në Bashkinë Dropull. Bëhet fjalë për Urën e Kaçarellos, Monument Kulture, Kategoria I, e cila tërheq vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj.
Në Pogon rruga nga Sopiku në Hllomo kalon mbi lumin e Kaçarellos mbi të cilin ngrihet ura e Kaçarellos. Kjo urë është e ndërtuar me dy harqe me qemer rrethor. Harku kryesor i djathti, ka hapësirë drite 16 metra, mbi të cilin ura lartësohet. Qemeri i harkut kryesor është i dyfishtë 1,05 m.
Nga të dy ballët ky qemer ka nga tetë ganxha që lidhin gurët fqinjë për të mos lejuar shkëputjen tërthore. Harku i majtë është po rrethor me qemer të dyfishtë (0,90 m) dhe me hapësirë drite 8m.
Këmba ndërmjet dy harqeve në pjesën e poshtme nga të dy anët është trajtuar me majë, për çarjen e rrjedhës së ujit. Në pjesën e sipërme të këmbës, nga të dy anët, janë hapur dy kamare për mbishkrime por në to nuk ruhet gjë. Këmba është e punuar me pllaka shtufi me trashësi të vogël, me fuga thuajse të rregullta.
Gjatësia e urës gjatë kalldrëmit arrin 36 metra. Kalldrëmi me gjerësi 2,9 m është punuar me pllaka shtufi të vendosura këlliç të ndërprera cdo 80 cm, me shkallëzime tërthore. Kalldrëmi është i siguruar anash me parapet tipik të kohës së Ali Pashë Tepelenës, kollona guri 0,80 m të larta të ngulura cdo 0,50 m në murin e qemerit të urës e me hapësirën midis tyre të mbushur. / KultPlus.com
Erich Maria Remarque ishte romancier gjerman që krijoi shumë vepra rreth tmerreve të luftës. Romani i tij më i njohur, “Të gjithë të qetë në Frontin Perëndimor” (1928), për ushtarët gjermanë në Luftën e Parë Botërore, u bë filmi fitues i Oskarit. Libri i tij e bëri atë një armik të nazistëve, të cilët djegën shumë nga veprat e tij, shkruan KultPlus.
Në çdo kohë ka breza të humbur, rini të djegura. Dhe Erih Maria Remark, e dinte fare mirë këtë. Jo sepse ai ishte profet, por sepse përjetoi dy luftëra, pa t’i shuheshin një nga një shokët, prej çmendurive të nazizmit. “Gjithmonë besoja se çdo njeri ishte kundër luftës-derisa e kuptova se kishte edhe disa që ishin në favor të saj; në radhë të parë, ata që nuk kishin nevojë të shkonin në luftë !”, – shkruan në një prej veprave të tij shkrimtari. Në 25 shtator 1970,Erich Maria Remark vdiq në një spital të Lokarnos nga një atak në zemër . Një shkrimtar, vepra e të cilit nuk njeh moshë. Një vepër humane, prej të parit sukses “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” e që vijoi si një fill lidhës në gjithë krijimtarinë e tij. Një vepër anti luftë, që do të bëhej shkak i përndjekjeve nga nazistët, të cilët pasi i morën vitet më të bukura të rinisë në luftë, e detyruan të largohej nga vendi, i konfiskuan dhe dogjën librat, e dënuan në mungesë, i vranë të motrën, madje i hoqën dhe nënshtetësinë. “Do të kalojnë edhe shumë vjet, ndoshta edhe dhjetëvjeçarë, dhe Remarku do të vazhdojë të lexohet nëpër botë, sepse, fatkeqësisht, breza të humbur, do të ketë në njëfarë mënyre gjithmonë”, – shkruan përkthyesi Robert Shvarc në pasthënien e romanit “Obelisku i Zi”, një ndër 5 veprat e përkthyera prej tij në shqip (“Tre shokët”, “Shkëndija jete”, “Harku i Triumfit”, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” dhe “Obelisku i zi”) .
Remarku lindi në 22 qershor 1898 në Osnabryk të Gjermanisë. Një vit, pasi kishte filluar kolegjin si mësues, në nëntor të vitit 1916 shkruhet në ushtri. Plagoset nga një granatë në këmbën e majtë, krahun e djathtë dhe në qafë. Atëherë fillon të punojë për një roman mbi luftën. Del nga spitali, për të kaluar në batalionin e parë të këmbimit, në regjimentin 78 të ushtrisë në Osnabrück. I jepet medalja “Ylli i Ferrit”, klasi i parë, në Duisburg nga ana e Këshillit të Punëtorëve dhe Ushtarëve të Osnabrückut, por shkarkohet nga ushtria dhe heq dorë nga medaljet dhe dekorimet. Rifillon studimet e lëna për gjysmë dhe më pas punon për pak kohë si mësues filloreje.
Në 29 janar të vitit 1929, publikohet si libër “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” në Berlin. Ndërkohë punon për dy vepra paralelisht. Në 29 prill vjen shfaqja e parë e filmit “Asgjë të re nga fronti i perëndimit” me regji të Lewis Milestone, i cili për herë të parë shfaqet në Gjermani në muajin dhjetor. Ka reagime nga nacional-socialistët e Gjermanisë të udhëhequr nga Joseph Goebbels. Fimi ndalohet dhe çohet për kontroll në Berlin. Në vitin 1931 propozohet për Çmimin Nobel për paqen. Një vit më vonë fillon punën për një nga kryeveprat e tij “Tre shokët”. Në 10 maj ndalohen të gjitha librat e Remarkut në Berlin dhe në nëntor policia konfiskon “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”. Në vitin 1938 publikohet në gjermanisht “Tre shokët” në Amsterdam dhe në 20 maj vjen shfaqja e parë kinematografike e këtij romani me regji të Frank Borzage.
Në 4 korrik çatdhetarizohet nga Gjermania dhe disa muaj më vonë edhe bashkëshortja e tij Ilse Jutta Zambona. Nis punën për “Harkun e Triumfit”. Në shtator të vitit 1939 shkon në Los Angelos ku do të nisë një histori dashurie me Marlene Dietrich. Atje njihet me Greer Garson, Orson Welles, Igor Straëinsky, Arthur Rubinstein, Lion Feuchtwanger, Emil Ludwig, Thomas Mann, Bertolt Brecht, Cary Grant, Luggi Wolff e Brigitte Neuner-Wolff dhe shumë artistë të tjerë emigrantë. I jep fund lidhjes së ngushtë me Marlene Dietrich dhe disa muaj më vonë do të krijojë një lidhje të shkurtër me Greta Garbo. Në shtator të vitit 1942 zhvillon një takim me zv/ presidentin amerikan Wallace për të diskutuar mbi një aksion të mundshëm anti-fashist. Në tetor të vitit 1943 vendoset përfundimisht në New York. Në 15 dhjetor: Elfriede Remarque (e motra) dënohet me vdekje nga Gjykata Naziste për “sabotim” dhe vritet në Berlin, lajm të cilin shkrimtari e mësoi dy vjet më vonë. Në 25 gusht 1944 përfundon versionin e parë të “Harkut të Triumfit”, i cili botohet në muajin dhjetor në Neë York dhe disa muaj më vonë edhe në gjermanisht.
Shumë shpejt fillon të punojë mbi romanin “Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur”. Është koha kur shëndeti i tij fillon të lëkundet. Fillon mjekimet dhe mëson se ka diabet. Në janar të vitit 1952 botohet romani “Shkëndijat e Jetës” në New York, ndërsa në gjermanisht botohet në muajin korrik. Në dhjetor fillon punën mbi romanin tjetër “Obelisku i Zi”, i cili botohet në vitin 1956. Interpreton rolin e mësuesit në filmin e bazuar mbi romanin e tij “Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur”. Në vitin 1962 boton “Qielli nuk ka preferenca”, ndërsa dy vjet më vonë “Një natë në Lisbonë”. Në 25 prill të vitit 1967 i jepet “Großes Verdienstkreuz”, Medalia e vlerave më të larta nga Republika Federale e Gjermanisë. Në 25 shtator 1975 vdes në klinikën Sant’Agnese në Locarno. /KultPlus.com
Aktorja e famshme Meryl Streep, e cila tashmë konsiderohet një ikonë në kinematografinë amerikane, sot feston 75 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.
Një fakt shumë interesant dhe që vlen të ceket rreth kësaj aktoreje, është se Streep ka qenë e nominuar mbi 20-të herë për Oscar, duke e bërë atë që të thyej një rekord ndër aktorë.
Streep bëri debutimin e saj të skenës në Trelawny of the Wells në vitin 1975. Në vitin 1976 ajo mori një nominim të çmimit Tony për aktoren më të mirë në 27 Wagons Full of Cotton. Në 1977, ajo bëri debutimin e saj të ekranit në filmin televiziv The Season Deadliest, dhe gjithashtu bëri debutimin e saj të filmit në Julia.
Në vitin 1978, ajo fitoi një Çmimin Emmy për rolin e saj në holokaustin mini-seri dhe mori nominimin e saj të parë të Akademisë për Deer Hunter. Streep vazhdoi të fitonte Aktoren më të mirë mbështetëse për Kramer vs Kramer (1979) dhe Aktorja më e mirë për zgjedhjen e Sophie (1982) dhe The Iron Lady(2011).
Sot KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të Streep:
Liria e vërtetë është të kuptojmë se jemi NE që zgjedhim, se kujt i lejojmë të ketë fuqi mbi ne.
Momenti kur nis të vrasësh mendjen se çfarë mendojnë të tjerët, është momenti kur pushon së qëni vetja.
Dhuntia e madhe e qenieve njerëzore është se ne kemi fuqinë e dhembshurisë.
Këshilla ime: mos harxhoni kohë duke vrarë mendjen për lëkurën apo peshën tuaj.
Formula e lumturisë dhe suksesit është që thjesht të jesh vetvetja: në mënyrën më të gjallërishme që mundesh.
I shohim figurat publike si përbindësha apo si perëndi. Por e vërteta është se të gjithë rrëzohen.
Ajo që të bën të ndryshme apo të çuditshme, ajo është forca jote.
Besoj se të gjithë kanë tre jetë: një jetë publike, një jetë private dhe një jetë sekrete.
Duhet të përqafosh plakjen. Jeta është e çmuar dhe kur ke humbur shumë njerëz, e kupton se çdo ditë është një dhuratë.
Të gjithë bëjmë gabimin që mendojmë se, pamja e jashtme na bën të denjë për t’u dashur.
Nuk ka pse të jesh e famshme. Mjafton të bësh që nëna dhe babai të jenë krenarë për ty. / KultPlus.com
Dan Brown është një nga shkrimtarët më të shitur në ditët tona dhe proza e tij vjen si produkt i gërshetimit të fantazisë, ngjarjeve historike dhe misterit, shkruan KultPlus.
Dan Brown lindi më 22 qershor 1964 në New Hampshire. Është autorë i disa librave të suksesshëm, midis të cilëve renditen Kodi i Da Vinçit dhe Engjëj dhe Djaj. Para se të merrej me shkrimin e librave ai ishte mësues i gjuhës angleze.
Dan Browni jeton dhe shkruan në Massachusetts në SHBA. Ai dhe bashkëshortja e tij (Blythe) janë njohës të mirë të historisë dhe kulturës evropiane. Librat e tij karakterizohen nga tema e zbulimit të aventurave misterike, të bazuara jo gjithmonë në ngjarje dhe personazhe të vërtetë.
Brown është ndër autorët më të përkthyer edhe në gjuhën shqipe, njëherësh edhe i preferuar nga mijëra lexues. /KultPlus.com
E ëma e futbollistit të ndjerë Pele, Celeste Arantes, ka ndërruar jetë në moshën 101-vjeçare.
Arantes nuk e mësoi kurrë ndarjen nga jeta të djalit të saj, legjendës së futbollit brazilian dhe botëror, në vitin 2022.
Arantes i kaloi pesë vitet e fundit në një gjendje vegjetative, çka bëri që familjarët mos t’ia komunikonin kurrë ndarjen nga jeta të Peles në vitin 2022.
Lajmi u bë publik nga Fondacioni Pelé përmes një postimi në rrjete sociale.
“Ndjenjat e sotme janë të përziera. Ne vajtojmë thellësisht largimin e ‘Celestinha”, siç e quajti me dashuri djali i saj. Në të njëjtën kohë, ne jemi përjetësisht mirënjohës për ekzistencën e saj. Dona Celeste është nëna mbretëreshë dhe do të mbahet mend përgjithmonë me dashuri në zemrat dhe kujtimet tona.”, tha fondacioni. Santos, klubi ku Pele luajti pjesën më të madhe të karrierës së tij, tha se tifozëve të tij u vjen keq për vdekjen e “nënës së mbretit tonë të përjetshëm”, thuhet në deklaratë./Euronews.al/ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Genci Nimanbegun për marrjen e detyrës si Kryetar i Komunës së Ulqinit.
Osmani ka thënë se Ulqini është shtëpi e dytë për kosovarët.
“Urime të përzemërta Genci Nimanbegu për marrjen e detyrës së re si kryetar i komunës së Ulqinit. Ulqini përherë është jo vetëm pikë turistike, por edhe shtëpi e dytë për kosovarët, duke manifestuar bujarinë e pakursyer. Si vëllezërit e motrat tona, por edhe duke qenë popull shtetformues në Mal të Zi, shqiptarët në këtë shtet do ta kenë përkrahjen tonë të pakursyer”, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com
Në luftën kundër mungesës së banesave, Barcelona planifikon të heqë dhënien me qira të apartamenteve për pushime deri në fund të vitit 2028.
Të gjitha apartamentet që aktualisht u jepen me qira turistëve për qëndrime afatshkurtër mund të përdoren më pas nga banorët e qytetit, tha kryebashkiaku Jaume Collboni.
Për shkak të çmimeve të larta të qirave dhe blerjeve, administrata e qytetit është e detyruar të marrë këtë mass drastike.
“Nga viti 2029, nuk do të ketë më shtëpi pushimi siç i njohim sot në qytetin e Barcelonës. Dhe kjo do të na lejojë të sjellim 10,000 prona në tregun e qirave ose të shitjeve,” tha kryebashkiaku. Kjo do të jetë e barabartë me “ndërtimin e 10,000 shtëpive”, theksoi ai.
Collboni vuri në dukje se çmimet e qirave në kryeqytetin katalanas janë rritur me pothuajse 70 për qind dhe çmimet e blerjeve me rreth 40 për qind gjatë dhjetë viteve të fundit. Prandaj, administrata e qytetit është e detyruar të marrë masa drastike me dekret për të siguruar akses në banesa të përballueshme.
Licencat ekzistuese nuk do të rinovohen pas skadimit të tyre. “Nuk mund të lejojmë që shumica e të rinjve që duan të largohen nga shtëpia e prindërve të detyrohen të largohen nga Barcelona”, tha politikani socialist. Masa nuk do t’i japë fund mungesës së banesave brenda natës. “Këto probleme kërkojnë kohë. Por me këtë masë po shënojmë një pikë kthese.”
Pakënaqësia me turizmin masiv po rritet me shpejtësi në Spanjë. Së fundmi ka pasur protesta të mëdha në pikat e nxehta turistike si Barcelona, Mallorca dhe Ishujt Kanarie.
Atje, numri në rritje i vizitorëve fajësohet veçanërisht për mungesën e banesave të përballueshme, por edhe për shkatërrimin e mjedisit, bllokimin e trafikut, mbipopullimin, rritjen e çmimeve dhe mungesën e ujit, si dhe për mbingarkimin e sektorit shëndetësor dhe depozitimin e mbeturinave./SRF/ KultPlus.com
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka uruar ekipin kombëtar ukrainas për fitoren kundër Sllovakisë në Kampionatin Evropian 2024 në Gjermani, duke e krahasuar atë me përpjekjet e vendit në luftë kundër Rusisë.
“Ne i besojmë njëri-tjetrit! E mbështesim njëri-tjetrin! Luftojmë për njëri-tjetrin! Kjo duhet të na bashkojë secilin prej nesh. Dhe, tani secili prej nesh duhet të luftojë: për liri, jetë, dhe për perceptimin e saktë të Ukrainës në botë”, shkroi ai në Telegram.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia filloi në shkurt të vitit 2022.
“Pikërisht këtë po e bën sot ekipi kombëtar i Ukrainës. Vazhdoni kështu, djem!” shtoi ai.
Ukraina e mposhti 2:1 Sllovakinë në ndeshjen e dytë të Grupit E të premten në Duseldorf.
Kjo ishte fitorja e parë e ukrainasve në Euro 2024, pas disfatës kundër Rumanisë në ndeshjen e parë.
Ajo tani ka 3 pikë në vendin e dytë në grup dhe përballet me Belgjikën në ndeshjen e fundit, në kërkim të kalimit në fazën tjetër të garës. Dy ekipet e para në grup kalojnë në rrethin e 16 të mirëve./REL/ KultPlus.com
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka hapur konkurs për pozicionin e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë.
Ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale, ka ndarë detaje nga konkursi i hapur për Drejtorin e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë.
“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shpall konkursin për Drejtorin e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë! Nëse ke përvojë në studim, kërkim, dhe promovim të historisë së vendit”, shkruan Gonxhja.
“Aplikimet janë hapur! Për më shumë informacion dhe për të aplikuar, vizito faqen tonë zyrtare. Afati i aplikimit: 24 Qershor 2024, Dorëzimi i dokumentacionit bëhet në Zyrën e Protokollit në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Adresa: Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë./atsh/KultPlus.com