Jeto dhe jetën time po e deshe

Poezi nga Zhuliana Jorganxhi

Jeto dhe jetën time po e deshe,
Eja dhe merre, veç jeto.

Ata që s’duan dashurinë,
Nuk dinë seç është mirësia.
Folenë e ngrenë në errësirë,
Edhe mbi ty lëshojnë stuhira.
Se jane mësuar të zvarriten,
Të të helmojnë, pastaj të vdesin.
Pa prekur trupin tënd të ngrohur,
Nga afshi i puthjesh, ledhatimit.
Dhe pena ime nis e shkruan,
Kaq e lodhur nga mundimi.
Kërkon nga ty dhe merr dy fjalë,
Dhe ndalet lumi i zemërimit.

Të dua, të dua, të dua,
Oh, këngë hyjnore e kësaj bote.
Që pëshpëritet nga buzët e dashuruara,
Që frymë ty të dhanë.

Shumë të kërkova gjersa të gjeta.
Dhe nëse vdes mos u trishto,
Por, ti jeto!

Nëpër rrugët e dashurisë,
Enden këngët dhe legjendat.
Nëpër vargjet e poetit,
Zemrën ta njoh.
Dhe në vija pentagramesh,
Derdhet shpirti i një artisti.
Por diçka pa thënë ka mbetur,
Le të tjeret ta tregojnë.

Dhe jetën time po e deshe,
Eja dhe merre,
Por, ti jeto… / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës luan shfaqjen ‘Time’ në Tetovë

Më 14 qershor në Tetovë, duke filluar nga ora 19:00, Baleti Kombëtar i Kosovës luan shfaqjen ‘Time’.

Pas paraqitjes jashtëzakonisht së suksesshme në dy kryeqendrat botërore Nju-Jork dhe në Paris, Baleti Kombëtar i Kosovës, këtë të premte me shfaqen “Time” (Koha), vjen edhe në Tetovë.

Shfaqja do të luhet në Natën e parë të Festivalit Ndërkombëtar “Meridians”, në Qendrën e Kulturës në Tetovë.

Mësuesit, mangësi në gjuhën shqipe/ Rrokaj: Universitetet, fajtor për përgatitjen e tyre

Shumë prej mësuesve në shkollat tona kanë mangësi në njohjen e shqipes standarde.

Pedagogët e Fakultetit te Historisë dhe Filologjisë e kanë vënë re gjatë trajnimit të detyruar  që zhvilloi Ministria e Arsimit.

Përgjegjësi i Departamentit të Gjuhësisë Shezai Rrokaj vjen më  një propozim.

“Të kalojmë nga problematika e metodologjisë, e metodës së mësimdhënies, tek problematika e mirëfilltë e shkallës së përvetësimit të gjuhës standarde në shkolla, mendoj që një trajnim i kësaj  natyre në një kohë që do të mendohet dhe nga Ministria e Arsimit  si e përshtatshme do të ishte shumë i mirë. Ka një problematikë të zotërimit të shqipes standarde ose zyrtare siç thuhet dhe mendoj se shoqëri të reja siç është kjo e jona duhet ta shohin me një këndvështrim tjetër ndryshe nga shoqëri të cilat kanë një përvojë të përvetësimit të zyrtares shumë më të hershëm”, shtoi ai.

Por për problemet në sistemin parauniversitar Rrokaj nuk fajëson mësuesit. Programet mësimore kanë peshën e tyre.

“Tekstet shkollore janë të mbingarkuar me informacion, por jo doemos informacion i kohës, bën që fëmijët të mbetën të painteresuar.  Ka përsëritje në shkallë të ndryshme, në cikle të ndryshme. Nuk është faji i mësuesve ata janë produkt i shkollës, nuk është faji i studentëve ata janë produkt i sistemit parauniversitar. Jo se dua ti lë barrën e fajësisë  dikujt tjetër, të gjithë jemi përgjegjës  për këtë që ndodh, secili në hapësirën e vet të edukimit”, tha ai.

Për herë të parë shtatë universitete publike të vendit u përfshinë në trajnimin e mësuesve të lëndëve të ndryshme. Program që do të vijojë dhe vitin e ardhshëm. Pedagogët sugjerojnë  përsëritjen e rregullt të këtij procesi e njëkohësisht verifikimin nëse dijet e marra zbatohen gjatë mësimdhënies në shkolla./abcnews.al/ KultPlus.com

Ekspozitë në 100-vjetorin e lindjes së akademikut Arben Puto

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në 100-vjetorin e lindjes së juristit, politologut, akademikut Arben Puto (1924-2016), çeli dje ekspozitën e cila sjell në vëmendje të lexuesit gjithë kontributin e tij në fushën e drejtësisë, të historisë dhe të diplomacisë shqiptare.

Arben Puto lindi në Gjirokastër. Ndoqi Liceun Kombëtar (francez) në Korçë dhe pas mbylljes së tij vijoi në liceun “Châteaubriant” në Romë. Mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit përfundoi shkollën e mesme në Gjimnazin e Tiranës (1946) dhe kreu studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Moskës (1951).

Punoi në sektorin juridik të Ministrisë së Punëve të Jashtme (1951–1957). Pedagog në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës (1957–1990), ku ka dhënë lëndën e së Drejtës Ndërkombëtare. Ka marrë pjesë aktive në proceset demokratike pas viteve 1990, duke kryesuar Komitetin Shqiptar të Helsinkit që nga krijimi (1990) dhe me ndërprerje deri në vitin 2000.

Kjo ekspozitë prezanton botimet e prof. Arben Puto ndër vite për çështjen e të drejtës, për historinë diplomatike të çështjes shqiptare, në shqip, anglisht dhe frëngjisht që ndodhen në koleksionet e BKSH-së.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së./atsh/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti i gëzuar që studio-bunkeri i radios ‘Kosova e Lirë’ tani është nën përkujdesjen e shtetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gëzuar që studio-bunkeri ku janë përhapur lajmet e radios “Kosova e Lirë”, tani është nën përkujdesjen e shtetit tonë.

Përmes një postimi në Instagram ku ka ndarë edhe disa fotografi, ai shprehi mirënjohje për çlirimtarët lajmëtarë.

“Radio “Kosova e Lirë” ishte radio e Kosovës që luftonte për liri. Lirinë e medias sot, nuk do ta gëzonim dot pa luftën për liri. Gëzohem që kjo vlerë e veçantë e luftës, ky studio-bunker, tani është nën përkujdesjen e shtetit tonë. Një mirënjohje dhe urim i veçantë u takon çlirimtarëve lajmëtarë. Urime 25-vjetori i çlirimit të vendit”, ka shkruar shefi i qeverisë, njofton Klankosova.tv.

Presidentja Osmani për ushtarët dhe policët: Përpara me dinjitet, krenari e besnikëri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkruar edhe një herë për parakalimin e njësiteve të Ushtrisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në marshin organizuar për 25 vjetorin e çlirimit të vendit. Ajo thotë se te secili pjesëtar i FSK-së e polic i Kosovës ngërthen një pjesë e historisë dhe sakrificës së një populli për liri.

“Në marshin e secilit pjesëtar të FSK-së dhe të Policisë, ngërthehet historia dhe sakrifica e një populli që ka luftuar për liri dhe pavarësi.  Vajza dhe djem, përpara përherë me dinjitet, krenari e besnikëri! #25VjetLiri”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Kujtojmë se sot paradite në prani të liderëve shtetëror, përfaqësuesve politikë, vendorë e ndërkombëtarë kanë parakaluar njësitet elitare të FSK-së dhe të Policisë së Kosovës me armatimin e tyre, në 25 vjetorin e ditës së çlirimit.

Armando Duka i bindur për fitoren kundër Italisë

Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur lidhur me pritshmëritë e tij kundër ndeshjes së parë në “Euro 2024”, kundër Italisë.

Duka u shpreh i bindur se kombëtarja shqiptare do ta fitojë këtë ndeshje.

“Fitojmë ne me rezultatin 1:0”, u shpreh ai në një intervistë për mediumin italian Play transmeton Klankosova.tv

Ai theksoi se do të ishte i kënaqur të kualifikoheshin të dyja kombëtaret.

“Për mua do të ishte bukur nëse Italia do të kualifikohej me ne të paktën deri në fazën e 1/16-ve”, tha Duka.

Kreu i FSHF-së foli edhe për tema të tjera.

Kombëtarja e Shqipërisë ballafaqohet më 14 qershor në “Signal Iduna Park” kundër Italisë, në ndeshjen e parë të Kampionatit Evropian “Euro 2024”.

“Kuqezinjtë” janë pjesë e grupit B me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.

Po eksploronin Jezercën/ Dy turistë nga Bullgaria humbin kontaktet, nis kërkimi me helikopterë

Dy turistë nga Bullgaria kanë humbur kontaktet me njëri-tjetrin teksa po eksploronin malin e Jezercës. Sipas prefektit të qarkut Kukës, Agron Geca njëri prej tyre ka kaluar në Mal të Zi në gjendje të mirë shëndetësore, kurse tjetri dyshohet se ka humbur në thellësitë e Malit.

Prej mëngjesit, është ngritur një helikopter në zonë për lokalizmin dhe gjetjen e turistëve.

Për këtë ngjarje është njoftuar dhe ekipi i kërkim-shpëtimit i FNSH Shkodër, i cili së bashku me strukturat tjera dhe banorë të zonës po kërkojnë në terren. Terreni është mjaft i vështirë pasi kemi të bëjmë me mbi 2000 metra lartësi mbi detare me terren të thepisur./abcnews/ KultPlus.com

Begaj: Suksesi i Kosovës është sukses i gjithë shqiptarisë

Në nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është takuar sot edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Ai, para mediave, është shprehur se falënderues për pritjen që sot i është bërë në Kosovë, në Ditën e Çlirimit.

“Faleminderit Kosovës për mikpritjen, sot është dita e rilindjes së Kosovës, e vënies në vend të asaj padrejtësie shekullore që u mundësua me gjakun, sakrificën e heronjve të UÇK-së”.

“Dua të përgëzoj Kosovën për gjithçka që ka bërë deri tani dhe çdo të bëjë në të ardhmen për të pasur një popull që do të ketë mirëqenie dhe prosperitet, shumë faleminderit për mikpritjen”.

“Festa është e jona të gjithë bashkë, suksesi i Kosovës është sukses i gjithë shqiptarisë”, ka thënë Begaj.

Rama: Hapja e porteve turistike, rritje e të ardhurave nga vizitorët

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e promovimit të kalendarit turistik veror TEA 2.0.

Duke folur për portet turistike që po ndërtohen, Rama tha se, “jemi një vend që trashëguam një situatë prej vrime të zezë në Mesdhe dhe një vend që praktikisht nuk figuronte fare në hartën e lundrimit turistik të Mesdheut”.

“Ka filluar puna për portin turistik të Durrësit. Ka filluar puna për portin turistik të Vlorës. Jemi në pritje të përfundimit të një absurdi lidhur me Limionin e Sarandës. Një absurd i natyrës, le të themi juridike, por në fakt s’është i tillë, është shumë më pranë letërsisë surrealiste, sesa letërsisë juridike dhe jemi shumë shumë optimistë që me hapjen e këtij komponenti të sektori që janë portet turistike, kuadri do të jetë, jo vetëm tërësisht i plotësuar, por njëkohësisht do të kemi një rritje shumë të ndjeshme, jo thjesht të numrit të vizitorëve, sepse nuk është numri i vizitorëve ai që na intereson në mënyrë ekskluzive, po të ardhurave nga këta vizitorë”, theksoi Rama.

“Rritja e përmuajshme e numrit të kontratave për hotelet me 5 yje është po ashtu shumë domethënëse. Këtu janë disa nga aktorët kryesorë të sektorit dhe e dinë shumë mirë që deri përpara disa vitesh 5 yjet nuk i afroheshin fare idesë se mund të vinin në Shqipëri. Ndërkohë që sot është bërë fare e thjeshtë për t’i atraktuar, kuptohet, me projektet dhe me destinacionet e nevojshme”, u shpreh Rama.

“Thënë të gjitha këto, qershia mbi tortë është Tirana, e cila deri përpara disa vitesh ishte një kryeqytet që zbrazej tërësisht në verë, ose më saktë që banohej vetëm nga ata që duhet të jenë këtu për të kryer shërbime të caktuara në punë të caktuara, apo nga ata që e kanë të pamundur të largohen për pushime, ndërkohë që sot Tirana rritet në numër në sezonin e verës, për shkak të rritjes së numrit të turistëve”, nënvizoi Rama.

Dhe, shtoi Rama, “nëse do të na e tregonin disa vite më parë publikimin e Mastercard-it të para pak javëve, që është një publikim që lidhet me përdoruesit e Mastercard-it, ku Tirana ishte vendi i tretë me rritjen më të lartë të turistëve për këtë vit në komunitetin e përdoruesve të Mastercard-it, ne do thoshim që kjo është një shaka shumë përqeshëse. Por ja që edhe kjo sot është një realitet”./atsh/KultPlus.com

Ekspozitë e arkivave të Shqipërisë dhe Kosovës për 25-vjetorin e Çlirimit

Me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), paraqitën ekspozitën “Rizgjimi në vlerat kombëtare, Kosova Republikë”.

Të pranishëm në këtë aktivitet që u zhvillua në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, ishin kreu i ASHAK-ut, Bislim Bislimi, drejtori i Arkivave Shtetërore Vendore në DPA, Lorenc Agalliu, studiues dhe qytetarë të shumtë.

Përmes kësaj ekspozite, publiku pati mundësinë të mësojë mbi orvatjet në emër të kauzës “Kosova Republikë”. Ndër të tjera, mes materialeve të ekspozuara gjendeshin:

Marrëveshjet e bashkëpunimit shkencor në fillim të viteve ’70; Foto nga marrëveshjet dhe takimet e grupeve të punës midis Ministrisë së Arsimit shqiptar dhe palës kosovare: Grupet kulturore kosovare në Shqipëri në fundvitet ’70; Ndjesi letrare nga Kosova në periodikun “Fatosi”; Demostratën e studentëve dhe në analizën e detajuar të shtypit, të radios dhe të televizionit shqiptar mbi tematikat e ndryshme për Kosovën deri në vitin 1979./atsh/KultPlus.com

Së shpejti në Tiranë filmi “C’è ancora domani”, suksesi i padiskutueshëm i kinematografisë italiane

Instituti Italian i Kulturës bëri me dije se së shpejti në Tiranë do të sjellë filmin e Paola Cortellesi-t, “C’è ancora domani”. Ky film i cili pati një sukses të jashtëzakonshëm në Itali dhe jashtë saj, vjen në kuadër të veprimtarisë “Fare cinema”, që fillesat i pati në 2018.

Çdo vit, mes majit dhe qershorit, i kushtohet një jave “artit të shtatë italian” dhe që përfshin organizime në të gjithë botën në Ambasada, Konsullata dhe Institute Italiane të Kulturës, me qëllim njohjen nga ana e publikut të huaj, të prodhimeve më të mira kinematografike italiane.

Aktorja e mirënjohur Paola Cortellesi, debutoi si regjisore me këtë shfaqje origjinale bardhezi, të vendosur në Italinë e dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Filmi i kthyer në fenomen, në Itali, është nderuar me çmime “Nastri d’Argento”, ka fituar 17 kandidatura dhe 6 çmime “David di Donatello”, që janë çmimet më prestigjiose për kinematografinë në Itali.

“C’è ancora domani” është vendosur në gjysmën e dytë të viteve ‘40 në Romë dhe rrëfen historinë e Delias (Paola Cortellesi), e martuar me Ivanon (Valerio Mastandrea), me të cilin ka tre fëmijë. Gruaja luan ekskluzivisht rolin e bashkëshortes dhe nënës, kaq mjafton për ta përcaktuar atë.

Kryeqyteti është i ndarë në dysh: nga njëra anë ndjehet shtytja pozitive e sjellë nga çlirimi; kurse nga ana tjetër, mjerimi i lënë pas nga lufta.

Ivano është kreu i familjes, por edhe kapoja suprem dhe padroni, i cili punon fort për të çuar ndonjë të ardhur në shtëpi. Ai nuk e humbet kurrë rastin për ta shprehur këtë gjë, ndonjëherë me ton shpërfillës dhe herë të tjera duke vënë në përdorim rripin. I vetmi person për të cilin ka respekt është babai i tij, një burrë i moshuar, inatçor dhe shpesh tiran, për të cilin Delia kujdeset sikur të ishte kujdestare. E vetmja që mund t’i sjellë lehtësim gruas është shoqja e vet Marisa (Emanuela Fanelli), me të cilën kalon ndopak çaste lehtësie dhe bisedash intime.

Me ardhjen e pranverës e gjithë familja është e emocionuar për fejesën e vajzës së madhe, Marcellas (Romana Maggiora Vergano). E reja shpreson të martohet me një djalë të mirë nga klasa e mesme, të quajtur Giulio (Francesco Centorame), duke e çliruar kësisoj veten nga barra e rëndë e familjes. Kur një letër misterioze mbërrin, një guxim i fortë do të lindë tek gruaja, nënë dhe bashkëshorte, e vendosur për të përmbysur planet e mëparëshme, për të imagjinuar kështu më në fund, një të ardhme më të mirë, jo vetëm për veten./atsh

Instituti Italian i Kulturës bëri me dije se së shpejti në Tiranë do të sjellë filmin e Paola Cortellesi-t, “C’è ancora domani”. Ky film i cili pati një sukses të jashtëzakonshëm në Itali dhe jashtë saj, vjen në kuadër të veprimtarisë “Fare cinema”, që fillesat i pati në 2018. Çdo vit, mes majit dhe qershorit, i kushtohet një jave “artit të shtatë italian” dhe që përfshin organizime në të gjithë botën në Ambasada, Konsullata dhe Institute Italiane të Kulturës, me qëllim njohjen nga ana e publikut të huaj, të prodhimeve më të mira kinematografike italiane.

Aktorja e mirënjohur Paola Cortellesi, debutoi si regjisore me këtë shfaqje origjinale bardhezi, të vendosur në Italinë e dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Filmi i kthyer në fenomen, në Itali, është nderuar me çmime “Nastri d’Argento”, ka fituar 17 kandidatura dhe 6 çmime “David di Donatello”, që janë çmimet më prestigjiose për kinematografinë në Itali.

“C’è ancora domani” është vendosur në gjysmën e dytë të viteve ‘40 në Romë dhe rrëfen historinë e Delias (Paola Cortellesi), e martuar me Ivanon (Valerio Mastandrea), me të cilin ka tre fëmijë. Gruaja luan ekskluzivisht rolin e bashkëshortes dhe nënës, kaq mjafton për ta përcaktuar atë.

Kryeqyteti është i ndarë në dysh: nga njëra anë ndjehet shtytja pozitive e sjellë nga çlirimi; kurse nga ana tjetër, mjerimi i lënë pas nga lufta.

Ivano është kreu i familjes, por edhe kapoja suprem dhe padroni, i cili punon fort për të çuar ndonjë të ardhur në shtëpi. Ai nuk e humbet kurrë rastin për ta shprehur këtë gjë, ndonjëherë me ton shpërfillës dhe herë të tjera duke vënë në përdorim rripin. I vetmi person për të cilin ka respekt është babai i tij, një burrë i moshuar, inatçor dhe shpesh tiran, për të cilin Delia kujdeset sikur të ishte kujdestare. E vetmja që mund t’i sjellë lehtësim gruas është shoqja e vet Marisa (Emanuela Fanelli), me të cilën kalon ndopak çaste lehtësie dhe bisedash intime.

Me ardhjen e pranverës e gjithë familja është e emocionuar për fejesën e vajzës së madhe, Marcellas (Romana Maggiora Vergano). E reja shpreson të martohet me një djalë të mirë nga klasa e mesme, të quajtur Giulio (Francesco Centorame), duke e çliruar kësisoj veten nga barra e rëndë e familjes. Kur një letër misterioze mbërrin, një guxim i fortë do të lindë tek gruaja, nënë dhe bashkëshorte, e vendosur për të përmbysur planet e mëparëshme, për të imagjinuar kështu më në fund, një të ardhme më të mirë, jo vetëm për veten./atsh/KultPlus.com

Projekti 100-ditor i tablosë gjigante të Agron Hotit

“The Blue heART of Europe” titullohet iniciativa e pabesueshme që bën bashkë natyrën, artin dhe sportin dhe që do të mbajë firmën e Agron Hotit. Projekti i tij ambicioz, në përmasat e një rekordi Guiness, përfshin një telajo gjigante prej 7600 m². Artisti ka në plan të realizojë tablonë më të madhe të krijuar ndonjëherë në Shqipëri. Hoti do të pikturojë për rreth 3 muaj në çadrën e vendosur në krah të Sheshit “Italia”.

Penelatat e tij do të sjellin degëzimet e lumit të vetëm të egër të Evropës, Vjosës. Këto degëzime qëndrojnë të paprekura në vepër, ashtu si lumi Vjosa që rrjedh i egër në shtratin e tij natyror. Kjo tablo do të bëjë bashkë një sërë personalitetesh të artit, sportit, historisë, medias, politikës dhe jetës sociale në vend. Këta personazhe do të kenë mundësinë që së bashku me artistin të hedhin ngjyrat dhe firmat e tyre në telajo duke u bërë pjesë të kësaj krijimtarie artistike.

Vepra do të ndahet në rreth 2500 tablo dhe secila prej tyre do të jetë unike dhe do të shoqërohet nga certifikata e autenticitetit. Entuziastët do të kenë mundësinë të bëjnë të tyren pjesën e preferuar nga tabloja, përmes një eventi që do të synojë në shitjen paraprake të veprës. Pjesët e tjera do të kenë gjithashtu mundësi të blihen nga artdashës të cilët duan të dekorojnë hapësirat e tyre me copëzat e kësaj tabloje.

I gjithë procesi do të kryhet në kohë reale në një hapësirë të kushtuar enkas për përgatitjen e kësaj vepre gjigante arti. Kureshtarët, entuziastët, por edhe kalimtarë të rastit do të kenë mundësinë të dokumentojnë nga afër këtë punë kolosale dhe realizimin e saj. E gjithë hapësira e zhvillimit të aktivitetit, i cili do të zgjasë 100 ditë, do të marrë trajtën e një studioje gjigante./atsh/KultPlus.com

Fjalimi i Bill Clintonit për vrasjet në Kosovë pak para bombardimeve të NATO-s (VIDEO)

Në një fjalim më 24 mars të vitit 1999, Clintoni tha se brutaliteti serb ndaj kosovarëve nuk po ndalej, transmeton KultPlus.

“Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, po veprojmë për ta parandaluar një luftë më të gjerë”, tha ai.

Ai shpjegoi për audiencë botërore se Serbia agresore ishte mospërfillëse edhe kur liderët kosovarë,gjatë kohës kur kosovarët po vriteshin, ishin pajtuar për paqe.

“Për vite me radhë kosovarët ishin munduar paqësisht që të rifitonin të drejtat e tyre…kur Millosheviqi i dërgoi trupat e tij që t’i shtypte, kjo përpjekje u bë e dhunshme. Ne propozuam një marrëveshje të paqes që liderët kosovarë e nënshkruan, megjithëse nuk i dha gjithçka që donin ndërsa serbët refuzuan edhe të diskutojnë. Kjo nuk ishte luftë në kuptimin tradicional, ishte sulm me tanke e artileri ndaj njerëzve që në masë të madhe ishin pa mbrojtje, liderët e të cilëve u pajtuan për paqe”, shton Clinton.  /KultPlus.com

Liria është përjetësisht foshnje


Dije Demiri-Frangu

Lirinë as buburreci s’ban me shkelë

Liria është e bukur

vetëm se çdoherë vjen e dërmuar e masakruar

dhe pa teshë në trup.

I ka do vragë, do plagë si kujtesa,

si faqet e historisë

e pastaj, ngadalë e bukur duhet dhënë krahët Lirisë,

sy të bukur e të prehët,

se i duhen

duhet dhënë djersët t’ i shërojë plagët,

rrobat më të bukura të njerëzisë t’ mos ngrinë e t’ mos djerësinë.

Duhet ruajtur t’ mos e shkel as buburreci,

është e ndjeshme

se Liria përjetësisht është foshnje,

një temperaturë e vogël mund t’ i shkaktojë meningetis.

Pranvera Hyseni tregon se në Kosovë do të funksionalizohet Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës

Astronomja kosovare Pranvera Hyseni ka njoftuar se së shpejti në Kosovë do të funksionalizohet Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës, me pajisje që kapin vlerën rreth 100 mijë euro.

“Celestron mund të përshkruhet si një pionier dhe udhëheqës në fushën e teknologjisë optike, veçanërisht në prodhimin dhe zhvillimin e teleskopëve dhe pajisjeve të tjera astronomike. Kompania shquhet për inovacionin e tyre të vazhdueshëm dhe cilësinë e lartë të produktit, duke ofruar një gamë të gjerë të pajisjeve për hobistët dhe profesionistët e astronomisë”, ka shkruar Hyseni në rrjete sociale.

Tutje, ajo ka spjeguar se Celestron që do të vjen në Kosovë për këtë projekt, njihet për angazhimin e tyre në mbështetjen e komunitetit global të astronomisë, duke sponsorizuar ngjarje dhe programe edukative që promovojnë interesin dhe shkencën e astronomisë në nivel botëror.

“Në përgjithësi, Celestron përfaqëson standardet më të larta të cilësisë dhe shërbimit në botën e teleskopëve dhe pajisjeve të tjera astronomike. Ndjehemi të nderuar, që kjo kompani prestigjioze po vjen zyrtarisht në Kosovë për të instaluar teleskopin me aparaturë 14 inç, një mrekulli teknologjike që do të sjellë universin më afër se kurrë më parë për qytetarët e Kosovës, transformimin e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar në një qendër të rëndësishme shkencore dhe edukative”, ka shkruar më tej astronomja.

34 vite më parë u miratua dekreti që u lejonte shqiptarëve pajisjen me pasaporta

Për një kohë të gjatë jo të gjithë shqiptarët kishin të drejtën për të pasur një dokument për të dalë jashtë shtetit. Në kohën e diktaturës pasaporta për disa qytetarë konsiderohej si luks.

Pas vdekjes së diktatorit dhe në grahmat e fundit të komunizmit, shqiptarët u dyndën në ambasada, për t’u larguar nga vendi që ishte izoluar për gati pesë dekada. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, në këto kushte, në 12 qershor të vitit 1990, u miratua një dekret që lejonte pajisjen me pasaporta për udhëtim jashtë shtetit.

Qeveria shqiptare kërkonte që shqiptarët të dilnin nga ambasadat në mënyrë që të pajiseshin me pasaporta e më pas me vizën nga ambasadat e huaja. Në këtë mënyrë shqiptarët nuk do të konsideroheshin azilantë politikë dhe as do të prezantonin një imazh negativ për Shqipërinë, e cila aspironte anëtarësimin në disa organizata evropiane. Në atë kohë edhe evropianët kërkuan ndërmjetësimin e OKB-së, për t’i kërkuar qeverisë shqiptare respektimin e të drejtave të njeriut./atsh/KultPlus.com

Eva Golemi dhe Gëzim Myshketa, në teatrin “Verdi” të Salerno-s

Sopranoja e mirënjohur e TKOB-së, Eva Golemi, dhe baritoni shqiptar i njohur ndërkombëtarisht, Gëzim Myshketa, së bashku me Orkestrën Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, do të debutojnë në skenën e Teatrit “Giuseppe Verdi” në Salerno, të Italisë. Kjo ngjarje artistike do të zhvillohet më 21 qershor.

Ky koncert vjen si një homazh në Festivalin e Muzikës 2024, në nderim të kompozitorit Giacomo Puccini, me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së tij.

Teatri “Giuseppe Verdi” i Salernos është një teatër me strukturë druri i 1800-ës, me katër sektorë në plate dhe një galeri.

Teatri në historinë e tij, ka pësuar herë pas here dëme të mëdha, por tërmeti i 1980-ës, e bëri të papërdorshëm për rreth 14 vjet.

Prej vitit 2007 teatri “Verdi” i Salerno-s është vendosur në skenën kombëtare të operës si një teatër ekselence, me një program të përzgjedhur të karakterizuar nga prania e artistëve me famë botërore, duke e vendosur veten, pavarësisht nga përmasat e tij të vogla, në të njëjtin nivel me teatrot e mëdhenj kombëtarë, si Opera e Romës, “San Carlo” i Napolit apo “La Scala” e Milanos.

Në teatrin Verdi kanë punuar artistë si Marcelo Álvarez, Renato Bruson, Orkestra Mbretërore Filarmonike, Nikolaj Lugansky, Wiener Kammerensemble, Alexei Volodin, Martina Serafin, Orkestra Simfonike Sapporo./atsh/KultPlus.com

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar zbulon për artdashësit simbolikat e artit bizantin

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, përmes ciklit “Zbulo ikonën bizantine”, fton artdashësit ta vizitojnë duke zbuluar sekretet e simbolikat e artit bizantin.

“Zbulo ikonën bizantine” sjell vazhdimisht informacione mbi botën e pikturës bizantine e veçanërisht mbi objekte të fondit të këtij muzeu. “Gjithë Shenjtorët” (IN 5791) është ikona e shekullit XVIII, me autorë Kostandin & Athanas Zografin.

Kjo ikonë vjen nga Kisha e Manastirit të Apostujve, Vithkuq.

Ikona me përmasa 50.5 x 117 cm paraqet përfaqësime nga të gjitha grupet e shenjtorëve, në pamundësi për të paraqitur të gjithë shenjtorët, ajo ndahet në gjashtë breza: Në pjesën e sipërme në një rreth i cili brendashklruhet në një kuadrat, paraqitet Trinia e Shenjtë, Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë në formën e pëllumbit. Ata rrethohen nga kerubinë, serafinë dhe fuqi të tjera qiellore.

Në katër cepat e kuadratit paraqiten simbolet e ungjillorëve. Në krahun e majtë paraqitet Hyjëlindësja dhe në të djathtë Joan Pagëzori në formë Deissis. Pas tyre paraqiten grupimet e kryeengjëjve dhe engjëjve.

Në brezin poshtë rrethit paraqiten Adami dhe Eva në qëndër, në të majtë grupimi i mbretërve dhe profetëve (Moisiu, Aaroni, Jezekil, Daniel, Avakum…), në të djathtë qëndrojnë oshënarët (Andoni i madh, Eftimi, Sava, Onufri etj.).

Në brezin tjetër shohim në qëndër kryeapostujt Pjetri e Pavli duke mbajtur maketin e kishës, në të majtë janë vendosur Hierarkët (Vasili, Grigori, Joan gojëarti, Spiridoni etj.), në të djathtë pjesa tjetër e apostujve (Joan teologu, Marku, Mateu, Andrea, Jakovi etj.).

Brezi më poshtë paraqet në pjesën qendrore Kostandinin dhe Elenën me veshje perandorake dhe pas tyre Shën Silvestri, Në të majtë janë paraqitur strategët martirë Gjergji dhe Dhimitri, pas tyre grupimi i mjekëve anargjendë (Kozma dhe Damian). Në të djathtë paraqiten mbretëreshat Varvara dhe Katerina si dhe Julita, Maria Egjiptiania dhe fëmija Kiriku.

Në pjesën fundore të ikonës paraqitet parajsa me bimësi të shumtë, tre etërit biblikë Abrahami, Isaku dhe Jakovi, të cilët mbajnë në duar shpirtrat e fëmijëve të masakruar nga mbreti Irod. Gjithashtu shohim edhe hajdutin e kryqëzuar me Krishtin./atsh/KultPlus.com

Kush e tradhëtoi Ana Frankun, vajzën hebreje simbol të Holokaustit

”Përshëndetje. Hebrenjtë fshihen në fund të rrugës Prinsengracht 263 në Amsterdam. Nga e di ti?” “E di”. “Dhe kush je ti?” “Askush”. Ishte kjo përmbajtja e bisedës ”tradhtare” ndaj Ana Frankut, e vrarë në mars 1945, shkruan focus.it.

Kjo mund të ketë qenë biseda telefonike e 4 gushtit 1944 që “dënoi” Ana Frankun, e cila është kthyer në simbol të persekutimit antisemit.

Le të zbulojmë se si u kryen hetimet për të vërtetuar se kush e tradhtoi Anën, përmes artikullit “Të tradhtuar!” nga Anita Rubini, marrë nga arkivat e Focus Storia.

Informacioni arriti në zyrën e Julius Dettmann, një oficer eses gjerman, i cili dërgoi menjëherë një ekip për të kontrolluar shtëpinë.

Pas një rafti librash është hyrja e strehës ku Otto Frank, gruaja e tij Edith dhe dy vajzat e tyre Anna dhe Margot, tre anëtarë të familjes Val Pels dhe dentisti Fritz Pfeffer kishin jetuar për dy vjet.

Ata u arrestuan të gjithë dhe u dërguan në kampin tranzit Westbord dhe më pas u transferuan në Aushvic.

Sot ai “askush” nuk mund të kishte emër.

Sipas dy gazetarëve flamandë, Jeroen de Bruyn dhe Joop Van Wijk, ishte vërtet Nelly Voskuijl, një nga motrat e Elizabeth një daktilografiste e punësuar nga Otto.

Nelly filloi vullnetarisht të bashkëpunonte me Gestapon pas pushtimit gjerman deri në atë denoncim mizor./KultPlus.com

Vdes këngëtarja e njohur franceze, Françoise Hardy

Një nga kantautoret më të dashura franceze, Françoise Hardy, ka vdekur në moshën 80-vjeçare.

“Mamaja është zhdukur”, ka shkruar në rrjetet sociale djali i saj, Thomas Dutronc, i cili gjithashtu është muzikant, sipas mediave të huaja.

Hardy shpërtheu në skenën muzikore në vitin 1962 dhe u bë një ikonë kulturore që frymëzoi njerëz si Mick Jagger dhe Bob Dylan. E njohur për baladat e saj melankolike, ajo simbolizonte lëvizjen pop franceze Yé-yé (po po), të ashtuquajtura për shkak të nocionit të saj ndaj muzikës angleze.

Këngët e saj më të famshme përfshinin All the Girls and Boys (Tous les garçons et les filles), It Hurts to Say Goodbye (Comment te dire adieu) dhe My Friend the Rose (Mon amie la rose).

Hardy lindi në Parisin e pushtuar nga nazistët në vitin 1944 dhe u rrit nga nëna e saj.

Si shumë vajza në atë kohë, ajo u rrit duke dëgjuar Elvis Presley, Cliff Richard dhe yje të tjerë amerikanë dhe britanikë në Radio Luksemburg dhe ajo nënshkroi marrëveshjen e saj të parë diskografike në moshën 17 vjeçare.

Shpërthimi i saj si muzikante erdhi në vitin 1962 me këngën e thjeshtë dhe ankuese, Tous les garçons et les filles, kur ajo këndoi për të gjithë djemtë dhe vajzat që ecnin dorë për dore, ndërsa “Unë eci vetëm nëpër rrugë, zemra më dhemb”, ishte një hit i menjëhershëm në Francë dhe madje depërtoi në listat e Mbretërisë së Bashkuar.

Stili i saj mahniti stilistët e modës, duke u bërë një model për Yves Saint Laurent dhe Paco Rabanne, të cilët projektuan një minifustan prej pjata ari për të.

Frontmeni i Rolling Stones, Mick Jagger, dikur e quajti atë “gruaja ideale”, ndërsa kolegu i këngëtarit dhe kantautorit Bob Dylan i shkroi asaj disa letra dashurie.

Ai iu drejtua asaj në një poezi në anën e pasme të albumit të tij të vitit 1964, Another Side of Bob Dylan.

Në mesin e atyre që i bënë homazhe Hardy pas lajmit për vdekjen e saj ishte edhe ministrja franceze e kulturës, Rachida Dati, e cila shkroi në rrjetet sociale: “Si t’i thuash lamtumirë asaj? Françoise Hardy e përjetshme, legjenda e këngës franceze, e cila hyri, përmes ndjeshmërisë së saj e melodive, në zemrën e një vendi të tërë”./tema/KultPlus.com

Mbajti ditar në vitet e 90-ta, Rrezarta Reka Thaqi promovon sot librin “Kronikë në zemër”

Rrezarta Reka Thaqi sapo ka botuar librin e saj më të ri “Kronikë në zemër: këto ishin të ‘’90-tat”, libër që do të promovohet sot, më datë 12 qershor në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery, promovim që do të vjen edhe në 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës, shkruan KultPlus.

“Kronikë në zemër: këto ishin të ’90-tat” është një rrëfim personal i autores me përplot kujtime të ruajtura në ditar për Kosovën e viteve të 90-ta, përfshirë apartejdin, rezistencën dhe luftën. Përmes një kombinimi narrativ, lexuesi udhëton në të shkuarën, por njëkohësisht takohet edhe me një shikim retrospektiv nga pozicioni i ditëve të sotme, mbi ngjarje e përjetime që autores i kanë lënë shenjë në jetë.

Autorja beson që libri do të zgjoj nostalgji te gjeneratat që e kanë jetuar atë kohë, e njëkohësisht do të zgjoj kurreshtjen e të rinjve që duan të mësojnë më shumë për të kaluarën.

Rrezarta Reka Thaqi lindi në Shkup, ndërkaq jeton në Prishtinë, me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ka kryer studimet për shkenca politike në Universitetin e Prishtinës, ndërkaq ka doktoruar në Universitetin e Evropës Juglindore./ KultPlus.com

Anna Frank: Kush do ta besonte se gjithë këto vuajtje i kaloi një vajzë e vogël

Anneliese Marie Frank lindi më 12 qershor të vitit 1929 në Frankfurt am Main.

Ishte një vajzë gjermane-hebreje, që ishte fshehur me familjen e saj në Amsterdam, në kohën nacionaliste, por që nuk arriti t’i shpëtonte vdekjes para mbarimit të luftës. Anne Frank u bë e njohur me ditarin e mbajtur gjatë periudhës së fshehjes, ditar ky që u publikua pas vdekjes së saj, shkruan KultPlus.

Në vijim, KultPlus sjell disa nga thëniet më të njohura të saj, të cilat janë shkëputur nga ditari i saj.

“Askush nuk është varfëruar nga bamirësia”.

“Është e mrekullueshme se si askush nuk duhet të ndryshojë gjë tek vetja për të nisur përmirësimin e botës”.

“Unë i mbaj për vete idealet, sepse pavarësisht gjithçkaje, vazhdoj të besoj se njerëzit janë të mirë në zemër”.

“Mendo për gjithë gjërat e bukura të mbetura rreth teje dhe ji i/e lumtur”.

“Kushdo që është i/e lumtur, do t’i bëjë edhe të tjerët të lumtur gjithashtu”.

“Prindërit japin vetëm këshilla të mira dhe përpiqen t’i fusin fëmijët në rrugën e drejtë, por ajo që u krijon atyre personalitetin, qëndron në duart e tyre”.

“Unë nuk mendoj për gjërat e trishta, por për gjithë gjërat e bukura që kanë mbetur ende”.

“Përtacia mund të duket tërheqëse, por puna jep kënaqësi”.

“Të gjithë jetojmë me objektivin për të qenë të lumtur; jetët tona janë të ndryshme dhe njëkohësisht, kaq të njëjta”.

“Kush do ta besonte se gjithë këto vuajtje i kaloi një vajzë e vogël?”

“Kushdo që nuk e di, duhet ta mësojë dhe ta fitojë me eksperiencë përfundimin se ‘një ndërgjegje e qetë e bën dikë të fortë’”.

“Unë thjesht nuk mund t’i ngre shpresat e mia mbi konfuzionin, mjerimin dhe vdekjen. Mendoj se paqja dhe qetësia do të kthehen sërish”.

“Ne nuk na lejojnë të kemi opinionin tonë. Njerëzit të thonë ta mbash gojën të mbyllur, por kjo gjë nuk të ndalon për të pasur një opinion tëndin. Edhe nëse njerëzit janë shumë të rinj, ata nuk duhet të ndalohen për të thënë atë që mendojnë”.

“Çdokush ka brenda vetes diçka të mirë. Gjëja e mirë është se ti nuk e di se sa i madh mund të jesh, sa shumë mund të duash, çfarë mund të arrish dhe cili është potenciali yt”.

“Çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet më, por mund të parandalohet që të ndodhë sërish”. / KultPlus.com

Fjalimi i Wesley Clark më 12 qershor të vitit 1999: Millosheviq u bind që po humbiste

Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Wesley Clark, më 12 qershor të vitit 1999, kishte mbajtur një fjalim kushtuar Kosovës dhe çlirimit të saj.

Clark kishte thënë se 12 qershori ishte dita më e rëndësishme në të gjithë operacionin në kuadër të të cilit ishin të angazhuar për javë dhe muaj të tërë.

Ai i kishte falënderuar ushtarakët e NATO-s për guximin dhe përkushtimin që treguan, duke pohuar se familjet e tyre ishin dhe do të mbeten krenar me ata.

“Jo vetëm që forcat tona kanë kryer një fushatë të suksesshme ajrore e cila e detyroi Millosheviqin të përmbushte pesë kërkesat tona qendrore, por ato gjithashtu kanë qenë përgjegjëse për punën heroike në frontin humanitar”, ka thënë Clark.

“Puna jonë, natyrisht, është shumë larg nga kryerja dhe rreziqet janë larg nga përfundimi. Forcat tona po hyjnë në një territor të vështirë, por ata e dinë se kauza e tyre është e drejtë dhe do të bëjnë gjithçka që duhet për të siguruar Kosovën dhe për t’u përgatitur për kthimin e qindra mijëra refugjatëve që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre nga ky spastrim etnik brutal”.

Gjenerali Clark ka pohuar se Slobodan Millosheviq ishte bindur që NATO po fitonte, dhe se duhej të largoheshin forcat e ushtrisë së tij nga Kosova.

“Në fillim, ne thamë se do të sulmonim sistematikisht dhe në mënyrë progresive, do të sulmonim, degradonim, shkatërronim nëse presidenti Millosheviq nuk do t’i përmbush kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare dhe përfundimisht t’i shkatërrojë forcat serbe në Kosovë, objektet e tyre, logjistikën dhe të gjitha asetet e saj. Presidenti Millosheviq e vlerësoi dhe ne e bëmë pikërisht këtë, dhe Millosheviqi u bind”.

“Kur u pyetën se sa kohë do të zgjaste, udhëheqësit e NATO-s kanë thënë se mund të duheshin ditë, javë ose muaj, në fund të fundit do të varej nga sa dënime dhe vuajtje do të ishte i gatshëm Presidenti Millosheviq t’u impononte forcave të tij të armatosura. Edhe kjo ishte e vërtetë dhe ne kemi thënë prej javësh që ne po fitonim, ai po humbiste dhe e dinte. Mendoj se ngjarjet na kanë nxjerrë në pah në çdo rast”.

“Tani, një detyrë tjetër e madhe është duke u zhvilluar, nxjerrja e forcave serbe dhe futja e forcave tona është një operacion i madh logjistik që nuk është pa rrezik”, ka thënë Clark. / KultPlus.com