Nis ndërtimi i Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar, qendra që do t’i sjellë frymë të re shkencës në Kosovë

Në një hap të rëndësishëm drejt ndriçimit të një kapitulli të ri në shkencën dhe kulturën e astronomisë, Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës po zë formë si një ndër projektet më frytdhënëse në vendin tonë, shkruan KultPlus.

Nisma e kësaj iniciative ka gjetur frymëzim dhe drejtim nga Pranvera Hyseni nga Astronomy Outreach Kosovo e cila ka qenë në një vizitë studimore në NASA dhe tashmë angazhimin e saj e ka kthyer në një ndër ndërtesat kulturore dhe edukative më të pritshme për qytetarët e Kosovës.

Projekti i Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar është shtrirë në një sipërfaqe në Komunën e Shtimës dhe do të kryejë detyrën e tij të rëndësishme si një qendër astronomike multifunksionale, duke hapur një dritare të shkëlqyer për shkencën në Kosovë.

Pranvera Hyseni, e njohur për përkushtimin e saj ndaj nxitjes së interesit të rinisë ndaj shkencës, ka shprehur bindjen se ky projekt do të sjellë frymë të re për fushën e astronomisë dhe do të ndikojë në rritjen e ndërgjegjësimit për universin e pafundësisë.

“Shihemi së shpejti në qendrën astronomike multifunksionale që do ti sjellë frymë të re shkencës në Kosovë”, shprehet Hyseni.

Planetariumi i planifikuar do të jetë një mrekulli teknologjike që do të mundësojë përjetimin e ngjarjeve të shumta të kozmosit në një mënyrë interaktive.

Observatori dhe Planetariumi Kombëtar do të shërbejë si një burim i pasur i njohurive dhe informacionit për të gjithë ata që janë të interesuar të mësojnë më shumë rreth botës së astronomisë.

Me ndërtimin që është në rrugë, shpresat dhe interesimi për botën e astronomisë në Kosovë janë ngritur në një nivel të ri. / KultPlus.com

Pranvera Hyseni bën zbulimin e rëndësishëm në astronomi

Astronomja e njohur kosovare, Pranvera Hyseni, e cila tashmë veçse e ka dëshmuar suksesin e saj në fushën shkencore, së fundmi përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se ajo dhe Hap Griffin kanë bërë zbulimin preliminar të një asteroidi, përcjell KultPlus.

Hyseni poashtu ka njoftuar se vrojtimi për këtë zbulim të ri në shkencë, është kryer në tetor të vitit të kaluar, mirëpo konfirmimi është pranuar mbrëmjen e kaluar.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Hysenit.

Mbrëmë kam pranuar lajmin që kam bërë zbulimin preliminar të një asteroidi bashkë me astronomin dhe mikun tim të ngushtë, Hap Griffin. Ne kemi arritur të shohim këtë trup qiellor përmes të dhënave që kemi pranuar nga observatori i Haëaiit, i cili posedon një teleskop me aparaturë prej dy metrash. Vrojtimi ynë është kryer në Tetor të vitit të kaluar, mirpo konfirmimin për zbulimin e këtij trupi qiellor e kemi pranuar tek mbrëmë nga IASC – International Astronomical Search Collaboration.

Aktualisht, Asteroidi ka një madhësi të dukshme prej 25 magnitudë, që do të thotë se distanca mes tij dhe nesh është rritur që nga momenti kur është gjetur. Unë personalisht ndjehem e përmbushur dhe jashtëzakonisht e lumtur që për herë të parë kam arritur të jem pjesë e një zbulimi të një trupi qiellor që nuk është parë asnjëherë nga askush më parë.

Ps: Qendra për trupa të vegjël qiellor, Minor Planet Center, i ka dhënë këtij trupi qiellor një përcaktim të përkohshëm, 2020 SS13, mirpo ne si ekipë do të kemi mundësinë ta pagëzojmë atë me një emër që do ta zgjedhim së shpejti. / KultPlus.com

Pranvera Hyseni fitoi çmimin e astronomisë nga një organizatë ndërkombëtare

Drejtoresha e “Astronomy Outreach of Kosovo”, Pranvera Hyseni ka fituar një çmim të rëndësishëm nga një organizatë ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Hyseni ka shpërndarë në facebook një fotografi teksa në duar mban çmimin “Michael D. Reynolds” nga Organizata Ndërkombëtare e Vëzhguesve Hënorë dhe Planetarë.

Këtë çmim, Pranvera e mori në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin e dhënë në popullarizimin e shkencës së Astronomisë.

“Organizata në fjalë gjithashtu ka dhuruar një shumë të konsiderueshme financiare për të mbështetur ndërtimin e observatorit të parë në Kosovë”, ka bërë të ditur Hyseni.

Një asteroid në gjithësi ka marrë emrin e vajzës nga Vushtrria, që njihet si “Asteroid 45687 Pranverahyseni”. / KultPlus.com

Pamje mahnitëse e Mjegullnajës së Orionit (FOTO)

Astronomja kosovare, Pranvera Hyseni ka publikuar një pamje magjepsëse të Mjegullnajës së Orionit të shkrepur në janar të këtij viti, shkruan KultPlus.

Hyseni ka treguar se imazhi është shkrepur me 5 janar të këtij viti nga teleskopi 17 inç në Kili, nëpërmjet platformës Slooh.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Këtë vit dua ta filloj me një imazh të Mjegullnajës së Orionit, e njohur gjithashtu si Messier 42, të cilën e kam shkrepur me 5 janar 2021 nga teleskopi 17 inç në Kili, nëpërmjet platformës Slooh.

Mjegullnaja e Orionit është njëra ndër objektet më të popullarizuara në hapësirën qiellore, e cila ndodhet rreth 1,350 vite dritë larg Tokës. Ajo është gjithashtu ndër mjegullnajat më të studiuara, e përbërë nga re gazi dhe pluhuri që formojnë yje të reja., si dhe është ndër mjegullnajat më të ndritshme, e cila shpeshëherë mund të spikatet me sy të lirë në konstelacionin e famshëm të Orionit. / KultPlus.com

Pranvera Hyseni pjesë e Fushatës Ndërkombëtare për Kërkime të Asteroidëve

Interesimi i saj për astronomi filloj qysh në moshë të re, duke kaluar kufijtë e Kosovës. Madje një asteroid që nga viti 2017 mban emrin e saj.

Pranvera Hyseni tanimë është pjesë e Fushatës Ndërkombëtare për Kërkime të Asteroidëve, shkruan KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur vet ajo në profilin e saj në Facebook duke ndarë edhe disa të dhëna shtesë punës që bën.

“Nga sot, zyrtarisht do të jem pjesë e Fushatës Ndërkombëtare për Kërkime të Asteroidëve. Të dhënat sigurohen nga Instituti për Astronomi në Universitetin e Hawaii-t, duke përdorur teleskopin me aparaturë 1.8 metra Pan-STARRS për të bërë imazhe përgjatë ekliptikës. Që nga fillimi i kësaj kampanje në tetor 2006, pjesëmarrësit kanë bërë mbi 1,500 zbulime të asteroideve”, ka shkruar Hyseni. / KultPlus.com