Nexhmije Pagarusha dhe Ismet Bogujevci, ishin këngëtarë të njohur të muzikës popullore shqipe, të cilët vazhdojë të kumbojë përherë në veshët e atyre që e deshën muzikën e tyre, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell sot këngën “Njëri-tjetrin e duam shumë” e shoqëruar memelodi e tekst mjaft të ëmbël e nostalgjik për secilin. /KultPlus.com
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dha një lajm të bukur për të gjithë fotografuesit e Shqipërisë turistike, nisjen e edicionit të dytë të Konkursit Ndërkombëtar “Wanderlust in Albania”.
Konkursi bazohet në foto e video reels të cilat përbëjnë një mundësi të shkëlqyer promovimi të bukurive të vendit, por edhe të ndarjes me të tjerë të pasionit për fotografinë dhe mundësisë për të fituar çmime.
Në garë mund të marrin pjesë si fotografët profesionistë ashtu edhe ata amatorë që kanë fiksuar imazhe të bukura të vendit tonë, gjatë dy viteve të fundit. Konkursi është ndërkombëtar dhe ka 11 kategori, përfshirë risinë e këtij edicioni, kategorinë innovative të videove CGI.
Nga çdo kategori do të përzgjidhen 33 fotografitë apo reels-at më tërheqës.
Aplikimet për Konkursin Ndërkombëtar “Wanderlust in Albania” do të jenë të hapura nga data 21 mars deri më 4 prill. Sfida e këtij edicioni do të jetë edhe më e madhe. Të gjithë fituesit do të jenë pjesë e një aktiviteti special i cili do të nderojë bukuritë më të veçanta të Shqipërisë përmes këndvështrimit të fotografuesve.
Më 21 mars, nga ora 12:00, në Qendrën ‘Barabar’ do të mbahet ligjërata publike me temën “Aktivizmi Feminist dhe Arti Feminist”.
Ligjëratat do të sjellin në fokus rëndësinë dhe ndikimin, historinë dhe zhvillimin, praktikat dhe metodat e aktivizmit feminist dhe artit feminist, përmes ligjërueseve:
Leonida Molliqaj – Aktivizmi Feminist
Drita Kabashi – Arti Feminist
Ky aktivitet organizohet nga Indefinite Institute në partneritet me Friedrich Ebert Stiftung dhe mbështetet nga Barabar Centre dhe Integra.
Teatri i Qytetit të Gjilanit ka njoftuar organizimin e një ngjarje speciale “Poezi dhe Performancë”, e cila do të mbahet në kuadër të Ditës Botërore të Teatrit. Ky event ofron mundësinë që qytetarët e Gjilanit të shprehin kreativitetin e tyre përmes fjalës dhe performancës, duke interpretuar poezi në skenë.
Ngjarja do të organizohet më 27 mars nga ora 20:00 në Teatrin e Qytetit.
Të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë mund të regjistrohen duke dërguar një mesazh interesimi në faqen e teatrit (Facebook dhe Instagram)
Afati i regjistrimit deri në datën: 21.03.2025. Pjesëmarrësit duhet të dërgojnë poezi të shkruara vetë ose mund të interpretojnë poezi nga autorë të njohur. Gjatë eventit, çdo pjesëmarrës do të ketë mundësinë të interpretojë poezinë e tij ose të saj në skenë, duke shprehur emocionet dhe kreativitetin e tij.
Nata e Vitit të Ri. Ora 2:20. Radioja transmeton muzikë. Kudo është qetësi dhe trishtimi i kitarës përhapet qetësisht në dhomë. Mami u shtri dhe gati e ka zënë gjumi. Ndërsa mua nuk më flihet. Sa njerëz në botë janë zgjuar në këto çaste. Kushedi. Njerëzit festojnë me kaq zhurmë largimin e një viti. Gëzohen. Iku edhe një vit. Po ç’ka këtu për tu gëzuar. Apo njerëzit shpresojnë se Viti i Ri do të jetë më i mirë me ta. Shpresojnë… Kurse unë ndiej një si frikë kur mendoj; kanë ikur kaq shumë vjet, është viti i njëzetë që jetoj dhe nuk kam bërë asgjë, të duket si ëndërr.
Po ç’mund të bësh? Po njerëzit e tjerë ç’bëjnë? Përse jetojnë? Rriten, martohen, bëjnë fëmijë, përpiqen, luftojnë, plaken. Po përse të gjitha këto? Sivjet më duket se nuk shkruajta asnjë kartolinë. Nuk di ç’të shkruash. E ç’duhen ca urime banale, standarte, me ca rreshta sentimentale, pa asnjë lidhje me jetën.
Megjithatë, njerëzit e duan kaq shumë festën. Edhe unë e dua. Jeta ka nevojë për festa, për gëzim. Edhe ne e festuam VItin e Ri. Çdo gjë duket e qetë në sipërfaqe, bile mundohesh ta bindësh edhe veten se po gëzohesh; ç’hipokrizi! Kurse në shpirt ke kaq shumë trishtim. Babai dhe daja sigurisht tani flenë. Na kanë kujtuar në mbrëmje, e kanë festuar edhe ata në njëfarë mënyre dhe tani flenë. Ndërsa Agroni as që dihet se ku është.
Edhe ti mbase më ke kujtuar. Po në mënyrën tënde. Në botë bashkëjetojnë gjëra kaq të kundërta. Kjo është e pamundur.
“Sa të marrësh frymë shpreso.” Lamartin
Se ç’mund të kemi tjetër veç Shpresës? Dhe si mund të jetonim pa të?
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot poeten Drita Çomo (19 mars 1958 – 19 shkurt 1981).
Për shkak të frikës nga regjimi komunist, ajo nuk mori guximin tʼi ndante poezitë e saj me të tjerët duke i lënë ato në sirtar, deri sa panë dritën e botimit vetëm në vitin 1997.
“Dritë që vjen nga humnera” ishte një përmbledhje e poezive dhe shënimeve nga ditari i saj.
Drita Çomo lindi më 19 mars 1958. Si shumë të tjerë në atë periudhë, edhe ajo vuajti pasojat e regjimit të egër komunist. Ishte vetëm dy vjeçe kur u përcaktua që ajo të mbetej e vetme. Prindërit e saj u dënuan. E ëma, Liri Belishova, një nga udhëheqëset e rinisë gjatë Luftës Antifashiste dhe për një kohë anëtare e Byrosë Politike, njëkohësisht një nga gratë më të njohura të vendit, u përball me internimin për rreth njëzet vite. Ndërkaq, i ati Maqo Çomo, udhëheqës partizan dhe më vonë Ministër i Bujqësisë, u dënua si “revizionist” dhe u persekutua në burgje e internime për 30 vjet.
Kështu, fati i Drita Çomos ishte padrejtësisht i ngjashëm me atë të prindërve të saj. Ajo u internua në Kuç të Vlorës ku kaloi një pjesë të fëmijërisë dhe më pas në Progonat të Kurveleshit. Më vonë, ajo u dërgua në Cërrik ku kreu edhe shkollën e mesme. Ishte një nxënëse e shkëlqyer, megjithëse mësuesit nuk e vlerësuan kurrë maksimalisht. Ajo madje nuk arriti as të mbronte diplomën. Kjo për arsye politike, por edhe për shkak të sëmundjes së saj të pashërueshme që avanconte dita-ditës.
Drita Çomo u largua nga jeta fare e re, në moshën 23 vjeçare. Më 19 shkurt 1981, sëmundja e mposhti përfundimisht. Ajo vdiq në spitalin onkologjik në Tiranë, ashtu sikurse edhe jetoi: e vetme, pa dikë afër në grahmat e fundit. Regjimi nuk ia lejoi të kishte pranë as njeriun më të dashur, nënën e saj.
Në nderim të figurës së saj, në Cërrik është ngritur një bust për të. Po ashtu në të njejtin qytet, një shkollë mban emrin e saj. Drita Çomo është përkujtuar gjithashtu nëpërmjet një dokumentari të realizuar dhe shfaqur në vitin 2008./atsh/KultPlus.com
20 marsi shënon Ditën Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Kjo ditë i referohet 20 marsit 1970, që shënon krijimin e Agjencisë për Bashkëpunim Kulturor dhe Teknik (ACCT), e cila më pas u bë Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë (OIF).
Për vitin 2025 Dita Ndërkombëtare e Frankofonisë ka temën “Unë edukoj veten, prandaj veproj”. Kjo temë i referohet arsimit në kuptimin e përgjithshëm: aksesi në arsim cilësor për të gjithë, veçanërisht në një botë ku përparimet teknologjike po ripërcaktojnë standardet tona, kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe paqen, duke trajnuar breza të përkushtuar dhe të përgjegjshëm.
Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë (OIF) ka gjithsej 57 vende anëtare me të drejta të plota, në mesin e tyre edhe Shqipëria që i është bashkuar në vitin 1999.
Kjo organizatë mbledh rreth vetes një të tretën e shteteve anëtare të OKB-së që kanë të përbashkët gjuhën dhe kulturën frënge. Vetë termi “frankofoni” lind nga fundi i shekullit XIX për të emëruar të gjithë njerëzit dhe vendet që e përdorin gjuhën frënge./atsh/KultPlus.com
Ju qi keqas t’vorrosun keq flêni nder murrâna mbi shpate t’pjerrta a n’pyje, n’breg deti ase n’breg lumi, deshmor‘, q’êmën t’lavdishem keni thadrue n’gojdhâna, nën dhé me gjak t’uej t’rîmun idhnín nuk u a shuen gjumi.
Ju qi n’vorre t’vetmueme keq flêni e nuk pushoni e as deka varrz e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli, qi éshtnat vrik ju dridhen kur del nji zâ nga pylli, a kur nji zhapllim‘ hapash përbrî murân’s ndëgjoni,
ju qi n’mesime fisnike t’lahutës jeni rritun, ju qi burrnín jetike e patët si mësuese, ju qi lirín kreshnike zgjedh‘ e kishi per nuse, ju qi n’mprojen e nderit botën keni çuditun,
sot n’murrâna t’harrueme kërkoni kot pushim: ju qi epopé t’panjoftun shkruet me gjakun e kuq, plot vrumulisje n’eshtna rrini tue bluem idhnimin, fatosa orzez, për flîjen e jetës q’u shkoi huq.
U rrzuet tue rrokun armën dhe rrzue me jue fisi; ato q’atdheut i kjené ndër mote gardh çeliku, porzmat vigâne t’ueja, jo, nuk i mposhti anmiku por mâma e fatit, mâma qi befas mbi né krisi.
N’heshtim t’natës shqiptare s’ndëgjihet kund zâ njerit, prân‘ votres s’fikun nânat n’vaj nuk e njomin bukën, por me sy t’papërlotun plot shkndija mnije, strukën tue prit‘ furín ahmarrse qi t’thej‘ t’prîmunt e mnerit.
Jo váj por gjâm e ahté prej pyjesh sjell jehona, zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim zâ-mbytun ngjanë, shpirtnat errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona q’atdheut palcet gjallnuese mâ t’mshefta po i a thanë.
O Perëndí, na tokën pranuem qi Ti na fale, n’tê tash tridhet‘ qindavjeta na u end e ndershme jet, jetuem m’kto troje t’vobta, n’kto brigje t’thata e t’shkreta, ngujve larg botës tjetër tue ruejtun dhên mbi male.
Me mzi strehueme trupin nga shiu e brshni e marrdha, n’kasolle e stane t’brishta qi shpërthejshin duhínat, pa dijt‘ qejfet e holla, pa dijt‘ ç’janë miradinat, pa njoft‘ doket e lmueta të kombeve fatbardha.
E, pra, t’ushqyem n’kto gryka me bukë kollomoqe Qi e zbutshin n’új të kronit, s’lypshim kurrgjâ mâ shum, sepse bylmet na kishin nji lirí t’thjsht‘, t’pashoqe, qi me hiret e veta na e bânte gjakun t’lum.
Nânat me qumsht‘ të pastër andjen n’shpírt t’on‘ dikojshin Me fluturue si shqipe në qiell t’nderit shqiptar, n’flak t’dokeve m’u kndellun e n’zjarrm t’buzmit bujar, qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.
O Perendí, ndër shekuj ûja buzën na e zverdhi, shpesh u errem pa hângër bukën m’e ruejt‘ për fmín e mitun q’ish n’e rritun, por n’qe ‘i mik né shpín na msyni, ia vûm para at buk mikut kur erdhi.
Pse kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata? Lírin e dy gisht nderi n’shtek t’ballit: s’kishim tjetër: kto dy të mira zbritshin vobeksín t’on‘ të vjetër. Po pse, o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata?/ KultPlus.com
Festivali i Resë shënon këtë vit edicionin e tij të 9-të, duke bërë një përzierje të traditës me bashkëkohoren.
Për 11 netë radhazi, sikurse çdo vit, edhe këtë radhë tek Reja do të udhëtojmë kulturalisht në vende shumë të afërta dhe po ashtu në ato shumë të largëta: nga Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit, në vende që kufizohen me Detin Kaspik dhe Malet e Kaukazit, Oqeanin Atlantik dhe Detin Mesdhe, Oqeanin Paqësor dhe Detin Karaibe, Skandinavinë dhe Kanadanë.
Mbi 100 artistë nga Azerbajxhani, Meksika, Maroku, Greqia, Turqia, Italia, Franca e te tjera, do të mblidhen në Tiranë për performanca intime dhe të zhurmshme të vallëzimit bashkëkohor, artit të performancës, muzikës, poezisë së performuar, bisedave, workshop-eve, prezantimeve, si dhe shfaqjeve festive me ansamble, orkestra, kore dhe DJ.
Performancat në bahçen e Resë, ashtu si çdo vit, do të jenë falas dhe do presin çdokënd, prej 21-31 majit./atsh/KultPlus.com
Shfaqja “Negotiating Peace” e Qendrës Multimedia do të jetë pjesë e programit të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Oslo. Shfaqja do të luhet më 20 mars nga ora 19:00 dhe më 21 mars nga ora 17:00 në Black Box Teater në Oslo.
Ky edicion i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Oslo mbahet nën temën “Rrënjët dhe Rikthimet: Teatri në Udhëkryqin e Perandorisë dhe Identitetit” dhe është i kuruar nga Mart Meos, Allan Kaldoja dhe Marius Ivaskevicius, ekipi që organizon Festivalin e Lirisë në Narva të Estonisë.
Pyetjet që lidhen me identitetin, lirinë, demokracinë dhe traumat kolektive e individuale karakterizojnë shfaqjet në programin e sivjetëm të festivalit. Këtë vit, festivali do të jetë nikoçir i artistëve e shfaqjeve nga Ukraina, Estonia, Bjellorusia, Kirgistani, Taxhikistani dhe Kosova. Të gjitha këto vende vende që kanë qenë – dhe në disa raste ende janë – nën regjime autoritare. Paralelisht, festivali do të ketë një program tematik me ligjërata dhe diskutime.
Një program i tërë që pikënisje ka shfaqjen tonë “Negotiating Peace” do të qendërzohet rreth Kosovës në këtë edicion të festivalit. Përpos shfaqjes, do të organizohet një bisedë ndërmjet Jeton Nezirajt dhe kritikes së teatrit Natasha Tripneyt, një lexim skenik i dramës “Citycide” të antropologes kosovare Eli Krasniqi, botuar nga Qendra Multimedia. Ky lexim do të përcillet me një bisedë me autoren si dhe një ndejë e quajtur “Mbrëmja e Kosovës”.
Krahas këtyre ngjarjeve, në këtë edicion të festivalit do të prezantohet edhe produksioni norvegjez i dramës “The Handke Project” të Jeton Nezirajt, me regji të Blerta Nezirajt, një produksion i Akademisë Norvegjeze të Teatrit (NTA) në bashkëpunim me Qendrën Multimedia që u dha premierë më 15 mars në Fredrikstad./KultPlus.com
Sot, KultPlus ua sjell një fragment nga libri ‘Alkimisti’, një prej kryeveprave të shkrimtarit Paulo Coelho.
Dita e re po agonte, prandaj bariu i ngau delet nga lindja. “Ato nuk e dinë ku do të kullosin”, mendoi, “prandaj s’më shqiten”. Delet kishin nevojë vetëm për ujë dhe për ushqim. Derisa djali t’i shpinte në tërë kullotat me famë të AndaIuzisë, ato do t’i qëndronin pranë si mikesha të vërteta. Edhe pse ditët nga mëngjesi e deri në mbrëmje ngjanin njëra tjetrës e orët mezi shtyheshin, edhe pse e kishin jetën të shkurtër, ato s’dinin të lexonin e as të flisnin gjuhën e njerëzve të cilët tregonin se ç’po ndodhte në fshatra. Prandaj delet s’kërkonin nga njerëzit veçse ujin dhe kullotën, e si shpërblim u dhuronin leshin dhe miqësinë, por nganjëherë edhe mishin.
“Të isha përbindësh e t’i përlaja një nga një, do të kuptonin që tufa po rrallohej pothuajse tërësisht,” mendoi djaloshi. “Sepse kanë besim tek unë dhe nuk mbështeten më në instinktin e tyre, ngase pikërisht unë i shpie të kullotin.”
Djaloshi po befasohej pas këtyre mendimeve të çuditshme. Ndoshta në kishë, mu aty ku hapte krahët fiku, duhej të kishte fantazma. A thua ishte ky shkaku që iu shfaq ajo ëndërr dhe kishte nisur tani t’i vagëllojë njëfarë përsëri ajo ëndërr dhe kishte nisur tani t’i vagëllojë njëfarë zemërimi ndaj deleve, mikeshave të tij përherë besnike? Si rrëkëlleu pak verë të mbetur nga mbrëmja e shkuar, u mbështoll më fort me xhaketë. E dinte mirë se pas disa orësh, kur dielli të ngrihej lart do të bënte aq vapë sa që ai nuk do të mund t’i nxirrte delet në kullotë. Do të vinte pastaj ora kur Spanjën e kot gjumi i verës: mirëpo vapa e ditës vazhdonte deri aty nga mbrëmja. Si për dreq duhej ta mbante veshur xhaketën. Aty për aty ankohej nga barra e saj e bezdisshme, por qetësohej kur kujtonte se ishte ajo xhaketë që e mbronte kur afrohej agimi i ditës së re.
“S’i merret vesh motit”, thoshte me vete dhe ndjehej mirënjohës ndaj xhaketës që e mbante veshur. Edhe xhaketa bënte një punë, sikundër bënte edhe trimoshi ynë. Kish dy vjet që endej fushave të Andaluzisë, kështu që i njihte symbyllur qytetet e asaj krahine. E kishte ndarë mendjen se do të merrej vetëm me udhëtime.
Bluante me vete se kësaj here do t’ia shkoqiste vajzës se ai, ndonëse një palo bari, dinte të lexonte, sepse derisa mbushi gjashtëmbëdhjetat s’kishte munguar asnjë ditë në seminar. Në fakt prindërit e kishin synë për ta bërë prift. Fundja kjo do t’i vinte emër të mirë asaj familjeje modeste fshatare që deri atëherë ishte rropatur vetëm për ujë dhe për bukën e gojës, duke rrojtur tamam si delet e tij. Në seminar, kishte arritur të mësonte latinishten, spanjishten dhe teologjinë. Por që fëmijë dëshironte të njihte botën, ndaj kjo i dukej më e rëndësishme sesa të njihte vetë Perëndinë ose mëkatet e njerëzve. Një mbrëmje, kur ishte kthyer për të parë ç’bënin në shtëpi, pati guximin t’i thoshte t’et se arsyeja që e pengonte të vishej prift ishte vetëm dëshira për të udhëtuar.
“Ah more bir, nëpër këtë fshat kanë kaluar njerëz nga të katër anët e botës. Vijnë me mendimin se do të gjejnë diçka të re, por ata mbeten gjithmonë të njëjtët njerëz.
Pastaj marrin andej nga kodra, i hedhin një sy kështjellës dhe thonë se në të kaluarën ishte ku e ku më mirë se sot. Ka nga ata qe janë flokëverdhë apo të zeshkët, por për çudi nuk ndryshojnë nga fshatarët tanë.”
“Unë s’e di nga ç’kështjella vijnë”, u përgjigj djaloshi.
“Këta njerëz, pasi shohin tokën tonë dhe më vonë gratë thonë se nuk do të ishte keq ta ngrysnin jetën këtu”, vazhdoi i ati.
“Po unë kam vetë dëshirë të nioh gratë dhe vendet e tyre”, ngulmoi djaloshi. “Ç’kanë që nuk qëndrojnë në fshat?”
“Sepse ata biro, e kanë qesen plot” shtoi gjatë bisedës i ati. “Ta dish mirë se tek ne vetëm barinjtë kanë fatin të udhëtojnë.”
«Atëherë, mirë, do të bëhem bari.”
I ati nuk foli. Të nesërmën i dha një çantë ku kishte vendosur tri monedha të vjetra spanjolIe prej ari.
“I gjeta në një livadh: i ruajta që t’ia dhuroje Kishës, me rastin e shugurimit tënd. Por tani me këto do të blesh dele për vete, do t’i biesh kryq e tërthor botës, derisa do të kuptosh që si kjo kështjellë dhe si gratë e fshatit tonë s’ka për të të zënë syri gjëkundi.”
Si i tha këto, i dha bekimin të birit. Djaloshi në syrin e t’et kishte vënë re se edhe ai kishte dëshirë të udhëtonte: kjo dëshirë kishte mbetur ende e zjarrtë, ndonëse atij burri i qe dashur ta ndrydhte për vite me radhë, duke i rrokullisur me zor vitet aty në fshat për një pikë ujë dhe për një kothere bukë sa për të mbajtur frymën./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes rrjeteve sociale është shprehur se “World Forum” mblodhi në Berlin kampionë global të demokracisë, pikërisht aty ku para 35 viteve rënia e Murit të Berlinit shënoi një moment përcaktues për demokracinë në mbarë botën.
“Demokracia është një nga arritjet më të mëdha të njerëzimit, por nuk është e vetëqëndrueshme, ajo është vepër e çdo brezi, e ndërtuar dhe e forcuar ditë pas dite”, u shpreh Osmani.
Osmani shtoi se demokracia për ne nuk është vetëm njëra nga opsionet, por është opsioni i vetëm, sepse dihet se çfarë sjell mungesa e saj.
“Në Kosovë, këtë e kuptojmë më së miri. Demokracia për ne nuk është vetëm njëra nga opcionet- është opcioni i vetëm, sepse e dijmë se çfarë sjell mungesa e saj – shkatërrim, vuajtje dhe humbje jete. Prandaj, populli ynë, mbetet i palëkundur në përkushtimin ndaj vlerave demokratike”, ka shtuar Osmani./KultPlus.com
Anëtarët e redaksisë vendore e redaktorët përgjegjës për projektin madhor “Enciklopedia shqiptare” zhvilluan dy takime për ecurinë e punës.
Mbledhja e parë u drejtua nga kryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare” akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe drejtori i Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike dr. Arian Leka.
Akad. Gjinushi, falënderoi redaktorët përgjegjës dhe vlerësoi punën e bërë nga anëtarët e redaksisë vendore për koordinimin me redaksitë, duke theksuar se me fjalësin e njësuar të të gjitha fushave, kemi një panoramë më të plotë mbi lëndën enciklopedike. Ai tha se fjalësi është njësuar dhe pas përfundimit të punës, raportet e përfaqësimit midis trashëgimisë në Shqipëri, Kosovë e në pjesë të tjera të hapësirës historike-kulturore shqiptare janë respektuar. Në vëmendje për këto redaksi duhet mbajttur edhe çështja e karakterit formal e teknik, që disa nga njësitë themelore të shkruhen në rend të drejtë dhe të shmangen përfundimisht mbivendosjet.
Tashmë puna në vijim mbetet tek mënyra e kategorizimit dhe e paraqitjes së artikujve në “Enciklopedinë shqiptare”.
Qëllimi i këtij takimi ishte parapërgatitja për mbledhjen mes redaksive vendore Shqipëri-Kosovë, që do të mbahet më 25-26 mars 2025, në Vërmicë (Prizren).
Më pas u zhvillua takimi me anëtarët e redaksisë vendore e redaktorët përgjegjës të fushave: energjitë dhe energjetika; industritë dhe teknologjitë, ku ishin të pranishëm redaktorët përgjegjës, përkatësisht prof. dr. Aleksandër Xhuvani, akad. Rajmonda Buhaljoti dhe prof.dr. Andrea Maliqari.
Akad. Buhaljoti raportoi se është koordinuar me redaksitë e Kosovës e Maqedonisë për veçimin e zërave, harmonizimin e fjalësit të bashkuar. Ajo tha se puna me zërat ka përfunduar dhe është plotësuar lista e personaliteteve sipas kritereve të dakordësuara./atsh/KultPlus.com
Arti nuk është vetëm një burim frymëzimi, por gjithashtu një mister i madh. Artistët shpesh shtojnë detaje të vogla të çuditshme në pikturat e tyre, ose lënë mesazhe që janë të pamundura të vërehen në shikim të parë.
Bota.al sjell më poshtë një listë të kryeveprave të pikturës, me sekrete të papritshme. Në fund të artikullit, edhe një bonus: një nga hipotezat më të çuditshme në lidhje me Mona Lizën.
10. Veshi i gabuar
Auto-portreti i Vincent Van Gogh me veshin e fashuar paraqet artistin me një vesh të djathtë të plagosur. Në realitet, ai kish prerë veshin e majtë. Mospërputhja shpjegohet me faktin se Van Goghu përdori një pasqyrë për të krijuar portretin e tij.
9. Piktura nën pikturë
Nëse shikoni nga afër Kitaristin e Vjetër nga Pablo Picasso, mund të shihni një siluetë femre të zbehtë prapa kokës së njeriut. Pas marrjes së imazheve me rreze infra të kuqe dhe X të pikturës, studiuesit nga Instituti i Arteve të Çikagos zbuluan disa forma të tjera të fshehura nën të. Me shumë gjasa, artisti nuk kishte para të mjaftueshme për të blerë pëlhura të reja, dhe duhej të pikturonte.
8. Ora e natës është e vendosur gjatë ditës
Gjatë restaurimit të pikturës së Rembrandt The Shooting Company of Frans Banning Cocq and ëillem van Ruytenburch (e njohur më mirë si “Ora e Natës”) në vitin 1947, ajo u pastrua nga një shtresë e trashë bloze. Pas kësaj, u bë e qartë se skena e portretizuar në pikturë nuk ndodh gjatë natës, por gjatë ditës.
7. Kodi anatomik i Kapelës Sistine
Një imazh i trurit njerëzor është i dallueshëm jo vetëm në Krijimin e Adamit nga Michelangelo, por edhe në një tjetër afresk të Kapelës Sistine: Ndarja e Dritës dhe e Errësirës. Shikoni qafën e Perëndisë: nëse e mbivendosni atë në një foto të trurit njerëzor, siç shihet nga poshtë, do të merrni një mbivendosje të përsosur të vijave.
6. Simboli i forcës
Figurat e Davidit dhe Goliathit në një tjetër afresk të Kapelës Sistine, të krijuara nga Michelangelo, formojnë gërmën hebraike gimelin, e cila simbolizon forcën në traditën mistike të Kabalas.
5. Vështrimi i vëngërt i Rembrandit
Margaret Livingstone dhe Bevil Conuay studiuan auto-portrete të Rembrandt dhe provuan se piktori vuante nga stereoverbimi. Kjo veçori bënte që piktori të perceptonte botën pak ndryshe: ai e shihte realitetin në 2D dhe jo në 3D. Megjithatë, është e mundur që stereoverbëria e ndihmoi Rembrandin të krijonte kryeveprat e tij të pavdekshme.
4. Hakmarrja për të dashuruarit
Një nga pikturat më të famshme të Gustav Klimt portretizon Adele Bloch-Bauer. Ajo u pagua nga burri i saj, baroni i sheqerit Ferdinand Bloch-Bauer. Ai zbuloi se Adele dhe Klimt kishin një lidhje dhe besonte se pas qindra skicave, piktori në fund do ta urrente dashnoren e tij. Puna rutinore me të vërtetë bëri që ndjenjat midis gruas dhe artistit të ftoheshin.
3. Parashikimi i fundit të botës
Studiuesja italiane Sabrina Sforza Galitzia propozoi një interpretim të pazakontë të Darkës së Fundit të Leonardo da Vinçit. Ajo është e sigurtë se në pikturën e tij, artisti la një parashikim për fundin e botës, i cili do të ndodhë më 21 mars 4006. Për të arritur në këtë përfundim, studiuesja deshifroi kodin matematikor dhe astrologjik të pikturës. Ky nuk është mister vetëm i Darkës së Fundit. Duart e Krishtit dhe apostujt, së bashku me bukët në tryezë, formojnë diçka që mund të lexohet si disa nota muzikore. Pas testimit, kjo tingëllon si një melodi e shkurtër.
2. Bota në të verdhë
Pothuajse të gjitha pikturat e Vincent van Goghut shfaqin një të verdhë dominante. Profesor Paul Uolf shpjegon se është një efekt anësor i një ilaçi epilepsie që ndryshon perceptimin e ngjyrës. Bota e artistit mund të dukej vërtetë ashtu si e shohim ne, në pikturat e tij.
1. Mozarti dhe masonët
Ka dëshmi të forta se Volfgang Amadeus Mozart ishte një Mason. Edhe në portretin e tij të fëmijës nga Pietro Antonio Lorenzoni, mund të shohim një simbol masonik: një dorë e fshehur që tregon një gradë hierarkike në shoqërinë sekrete.
Bonus: Mona Liza
Stomatologu dhe eksperti i artit Joseph Borkovski studioi me kujdes pikturën e Leonardo da Vinçit dhe pretendon se ka zbuluar sekretin pas buzëqeshjes së La Giocondas. Ai beson se ajo kishte humbur dhëmbët e saj të parë dhe kjo ndikoi në shprehjen e saj të fytyrës. / KultPlus.com
Po ta jetoja edhe një herë jetën time, në jetën tjetër do të bëja më shumë gabime. Nuk do të përpiqesha të isha e përsosur dhe do të shplodhesha më shumë. Do të isha më budallaqe se ç’kam qenë dhe të them të vërtetën shumë pak gjëra do t’i merrja seriozisht. Do të isha më pak higjienike. Do të rrezikoja më shumë dhe do të udhëtoja më shumë. Do t’i sodisja më shumë perëndimet e diellit, do të ngjisja më shumë male, dhe do të notoja në shumë lumenj. Do të vizitoja më shumë vende që nuk njihja. Do të haja më shumë akullore dhe më pak jeshillëqe. Do të kisha më shumë probleme reale dhe më pak probleme imagjinare.
Unë kam qenë një nga ata njerëz që e ka jetuar me vetëdije çdo çast të jetës dhe e ka bërë të dobishëm çdo çast të saj. Ndonjë çast gëzimi e kam patur edhe unë.
Por, nëse do të kthehesha prapa në kohë, do të përpiqesha të jetoja vetëm çaste të mira. Pasi, po nuk e ditët, jeta nuk është gjë tjetër veçse një çast. Ndaj – Mos e humb të tashmen.
Unë kam qenë një nga ata njerëz që nuk shkonin kurrkund pa një termometër, pa borsën me ujë të ngrohtë, pa një çadër apo pa një parashutë.
Po të rikthehesha në jetë do ta merrja më lehtë jetën. Po të rikthehesha në jetë do të filloja të ecja këmbëzbathur që nga fillimi i pranverës deri në fund të vjeshtës.
Do të bëja më shumë xhiro tek rrotullamja në këndin e lojrave, do të shikoja më shumë agime, dhe do të luaja më shumë me fëmijët po ta kisha jetën përpara.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se mbrëmë ka lexuar një ‘Laudatio’ për Presidentin Bill Clinton, i cili u nderua me çmimin “Paqebërësi i Shekullit” nga “World Forum”.
“Teksa qëndroja para tij, kujtova marsin e vitit 1999, kur dëgjonim me shpresë fjalimet e tij në një radio të vogël, ndërsa përjetonim tmerret e regjimit të Millosheviqit. Sot, falë luftës çlirimtare dhe falë lidershipit të botës demokratike dhe mbështetjes bipartizane amerikane, si nga demokratët ashtu edhe republikanët, Kosova frymon e lirë dhe e pavarur”, ka shkruar Osmani.
Tutje, ajo është shprehur se mbështetja e Presidentit Clinton për Kosovën ka qenë gjithmonë pasqyrim i vlerave amerikane të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë.
“Faleminderit, President Clinton, jo vetëm për marrëveshjet e nënshkruara, por mbi të gjitha për jetët e shpëtuara. Dhe në veçanti, faleminderit në emër të fëmijëve të tashëm të Kosovës—brezi i parë që nuk po rritet në luftë e që njeh vetëm paqe”, ka shkruar Osmani në rrjete sociale, ku edhe ka publikuar fjalimin e plotë./KultPlus.com
Si sot, më 19 mars të vitit 1949, iu shua fryma në qelinë e burgut të Durrësit, kryeipeshkvit të këtij qyteti, imzot Vinçenc Prennushit.
Kushtimi ndaj besimit do t’i kushtonte lirinë dhe jetën. E thënë metaforikisht, Prennushi qe i prirë drejt jetës rregulltare qyshse foshnje, kur mori bekimin e pagëzorit.
U lind në Shkodër më 4 shtator 1885. Në moshën 5-vjeçare, në vitin 1900, hyri në kuvendin françeskan të vendlindjes. U shugurua meshtar në Tirol, ku kryente edhe studimet.
Do të merrej edhe me veprimtari përtej sferës kishtare. Në vjetët 1909-910 rroku penën dhe nisi të publikonte. Më 1911-n, botoi “Kangë popullore gegnisht”. Më pas, do të zhdërvjelltësonte shkrimtarinë e tij me dramat “E trathuemja”, “Prej robnie në liri”, si edhe me studimin “Nder lamije të demokracisë së vërtetë” (1922). Ndërsa, në vitin 1924, pasuroi krijmtarinë e tij me veprën poetike “Gjeth e Lule”.
Në sajë të zotërimit të disa gjuhëve të huaja, Imzot Prennushi do të merrej edhe me përkthimin e disa prej veprave më të lakuara të kohës, sikurse ishin: “Quo Vadis” e novelistit polak Henryk Sienkieëiz, “Burgjet e mia” e autorit italiani Silvio Pellico dhe poema “Dreizehnlinden” e gjermanit Friedrich Wilhelm Weber.
Në vitin 1947, në valën e përndjekjes së klerit, u arrestua në Tiranë e më pas u zhvendos drejt burgut të Durrësit. Qindra klerikë nga të gjitha besimet u ekzekutuan, dënuan dhe internuan, pas instalimit të regjimit komunist, i cili ndër të tjera synonte “të krijonte të ashtuquajturën parajsë tokësore në kundërshtim me besimet fetare”. / KultPlus.com
Parku Natyror “Porto Palermo” përbën një vlerë të çmuar natyrore dhe historike.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau në rrjetet sociale pamje të kësaj zone mbresëlënëse bimësia e së cilës karakterizohet nga prezenca e Euphorbia dendroides, i cili përbën dhe një nga habitatet më të mirëmbrojtura të kësaj specieje në Shqipëri.
Porto Palermo është gjithashtu një habitat mjaft i rëndësishëm për specie të tjera me vlerë, siç janë Lithophylum byssoides dhe livadhet me Posidonia oceanica.
Parku Natyror “Porto Palermo” është shpallur me VKM në vitin 2022, kategoria IV e zonave të mbrojtura. “Parku Natyror” i Gjirit të Porto-Palermos ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 1 694.98 ha, nga e cila: 1 490.4 ha ose 87.93% janë sipërfaqe detare dhe 204.58 ha ose 12.07% janë sipërfaqe tokësore.
Zona e Porto Palermos – Llamanit, sidomos gjiret, janë një burim shumë i rëndësishëm për peshkimin dhe marinë-kulturën.
Livadhet me Posidonia formojnë lëndina nëndetare. Hapësira e pastër detare-bregdetare me vlera nënujore ende të paprishura, si prania e mbetjeve arkeologjike (amforat) të shekullit II para Krishtit, është fantastike për zhytësit. Në zonë janë edhe tri qendra të rritjes së peshkut (marinë-kulturë)./atsh/KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Iovacionit, Blendi Gonxhja zhvilloi sot një takim me përfaqësues të agjencive turistike në vend, për të bashkërenduar punën për promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik kulturor të klasit botëror.
Ministri theksoi se po punohet për të sjellë më shumë vizitorë, për të ruajtur pasuritë historike dhe për t’u ofruar turistëve një përvojë unike dhe të paharrueshme në vend.
“Një moment kyç në bashkëpunimin midis sektorit publik dhe privat, me synim përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe krijimin e paketave turistike që nxjerrin në pah vlerat unike të trashëgimisë sonë kulturore”, e cilësoi ministri takimin.
Shqipëria u vizitua gjatë vitit 2024 nga 11,7 milionë vizitorë të huaj, një rritje prej 15,2% krahasuar me vitin 2023.
Përtej rritjeve të hyrjeve turistike nga vendet e rajonit, viti 2024 ka konfirmuar rritje dhe qëndrueshmëri të tregjeve nga Evropa Perëndimore, si Italia, Gjermania, Franca apo Britania e Madhe dhe ka zgjeruar hartën e tregjeve të largëta e ka afruar më shumë vizitorë prej tyre. /atsh/ KultPlus.com
Sopranoja e njohur, Adelina Paloja dhe pianistja Alba Muçolli Dehiri do të interpretojnë një koncert recital klasik në Teatrin Seminar në Horën e Arbëreshëve, shkruan KultPlus.
Në këtë koncert, dedikuar komunitetit Arbëresh, të cilët mbi 5 shekuj kanë ruajtur traditën dhe shpirtin shqiptar, do të interpretohen vepra për vokal dhe piano solo, nga kompozitorët më të shquar shqiptarë: Rafet Rudi – “Arbëresh Song” dhe “Këmbanat Arbëreshe”, Rauf Dhomi – Aria e Marlulës” nga opera “Dasma Arbëreshe”, Gjon Gjevelekaj, Avni Mula, Prenk Jakova dhe vepra të tjera me motive arbëreshe e kombëtare.
“Me një emocion të papërshkrueshëm, sjellim një histori “Divine Cadenze” – në tokën Arbëreshe Hora e Arbëreshevet 🇦🇱❤️🇮🇹, aty ku çdo gur flet me zërin e historisë mbi 500 vjeçare.
Do të sjellim një zë – një Koncert Recital Klasik në Teatrin Seminar, Ky nuk është thjesht një koncert, por një rit i artit, një shpërthim emocionesh ku e kaluara dhe e ardhmja që po shkruhen për herë të parë bashkohen në një simfoni të paharrueshme.
Së bashku me pianisten brilante dhe miken time Alba Muçolli Dehiri, më 21 mars do të sjellim një mbrëmje të jashtëzakonshme – një ngjarje unike që shënon një faqe të re në historinë e këtij vendi”, ka shkruar sopranoja Paloja në një postim në Facebook.
Koncerti mbahet në Teatrin Seminar – Sheshi Shën Nikolla 1, në Horën e Arbëreshëve, më 21 mars, në ora 18:30. / KultPlus.com
Sopranoja e njohur, Adelina Paloja dhe pianistja Alba Muçolli Dehiri do të interpretojnë një koncert recital klasik në Teatrin Seminar në Horën e Arbëreshëve, shkruan KultPlus.
Në këtë koncert, dedikuar komunitetit Arbëresh, të cilët mbi 5 shekuj kanë ruajtur traditën dhe shpirtin shqiptar, do të interpretohen vepra për vokal dhe piano solo, nga kompozitorët më të shquar shqiptarë: Rafet Rudi – “Arbëresh Song” dhe “Këmbanat Arbëreshe”, Rauf Dhomi – Aria e Marlulës” nga opera “Dasma Arbëreshe”, Gjon Gjevelekaj, Avni Mula, Prenk Jakova dhe vepra të tjera me motive arbëreshe e kombëtare.
“Me një emocion të papërshkrueshëm, sjellim një histori “Divine Cadenze” – në tokën Arbëreshe Hora e Arbëreshevet , aty ku çdo gur flet me zërin e historisë mbi 500 vjeçare.
Do të sjellim një zë – një Koncert Recital Klasik në Teatrin Seminar, Ky nuk është thjesht një koncert, por një rit i artit, një shpërthim emocionesh ku e kaluara dhe e ardhmja që po shkruhen për herë të parë bashkohen në një simfoni të paharrueshme.
Së bashku me pianisten brilante dhe miken time Alba Muçolli Dehiri, më 21 mars do të sjellim një mbrëmje të jashtëzakonshme – një ngjarje unike që shënon një faqe të re në historinë e këtij vendi”, ka shkruar sopranoja Paloja në një postim në Facebook.
Koncerti mbahet në Teatrin Seminar – Sheshi Shën Nikolla 1, në Horën e Arbëreshëve, më 21 mars, në ora 18:30. / KultPlus.com