Waititi për herë të parë në Kosovë: Po ndjehem si në shtëpinë time

Regjisori i njohur i Zelandës së Re, Taika Waititi, i cili është bashkëshorti i këngëtares të njohur kosovare, Rita Orës, po e eksploron Kosovën për herë të parë, shkruan KultPlus.

Gjatë vizitës së tij, ai pati një takim me kryeministrin Albin Kurti dhe shprehu ndjenjën e nderimit për të vizituar vendin e lindjes së bashkëshortes së tij, Ritës.

Waititi tha se njerëzit këtu kanë një energji të ngjashme me ata të Zelandës së Re, dhe për këtë arsye po ndihet si në shtëpi.

”Është hera ime e parë këtu dhe jam i nderuar që vij të vizitoj atdheun e gruas time. Qëndrimi dhe energjia shumë e ngjashme me njerëzit nga unë jam, kështu që ndjehu shumë në shtëpi tashmë”, u shpreh ai.

Kurti dhe Ora në takim raportohet se diskutuan për një projekt madhor. /KultPlus.com

Kurti: Adem Demaçi prehet i qetë sepse jetoi përnjëmend

Gjatë ditës së sotme, Adem Demaçi edhe një herë tjetër u “rikthye” në Kosovë, shkruan KultPlus.

Në qytetin e tij të lindjes, u zbulua shtatorja e Demaçit, ku morën pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Kurti tha se Demaçi ishte njeriu i popullit, me një personalitet unik.

“Sot jemi mbledhur për një homazh më shumë e për një imazh më të ngurtë të njeriut tonë të madh politik, Adem Demaçit, shkrimtarit, Adem Demës, njeriut të popullit, bacës Adem. Personalitet unik, në veprimin dhe me gjuhën e tij, në vetëmohimin për të tjerët dhe në shqipen tonë të dashur”, kështu e nis fjalën e tij, Kurti, në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Adem Demaçit, në Podujevë.

Më tej, i pari i ekzekutivitetit tha se për ne, si ndjekës të përpjekjeve të tij, do të jetë gjithnjë e vështirë të përkufizojmë personalitete të kësaj përmase, por na duhet t’i përkufizojmë në gjuhë e në gur, sepse këta janë dy binarët ku mbështetet treni ynë i historisë.

“Heroi mund të jetë i vetëm në jetë, por nuk është kurrë jetim në histori. Me këtë intuitë që përbashkon poetin dhe luftëtarin, vullneti i Adem Demaçit e mban lehtë një të tretën e jetës në burg”, tha kryeministri dhe shtoi se Adem Demaçi e ngre lirinë e vet mbi gjerësinë e trojeve, mbi gjeografinë e vullnetit.

“Gëzuar të gjithëve e secilit 28 Nëntori i Flamurit dhe i Pavarësisë! Përgëzime për këtë përmendore për të përvuajturin tonë më të fortë, për përvojën më të madhe të dashurisë për liri”, tha kryeministrit në fund të fjalës së tij.

Në fund të ceremonisë u bë edhe zbulimi i shtatores së veprimtarit Adem Demaçi. /KultPlus.com

Kurti: Kosova, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re duken pa kufi përballë artit

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, është pritur në takim nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, Kryeministri Kurti ka shkruar se Rita Ora ka arritur majat më të larta të suksesit dhe njohjes në mbarë botën duke nderuar gjithmonë rrënjët dhe kulturën e saj në atdhe.

“Kosova, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re duken pa kufi përballë artit”, ka shkruar Kurti, në takimin që e pati me Orën dhe bashkëshortin, regjisorin Taika Waititi. 

Ora, e cila ka ateruar mbrëmë në Kosovë, ka thënë se mënyra se si këtë vit ka festuar ditëlindjen e 33-të është e mrekullueshme.

Takimi me kryeministrin Kurti, sipas saj, e ka bërë shumë të ngazëllyer për të ardhmen.

Ka shtuar se kanë planifikuar projekte të mëdha për vitin e ardhshëm. /KultPlus.com

Rita Ora në Prishtinë flet për një projekt të jashtëzakonshëm

Ylli i njohur i botës së artit, këngëtarja e njohur Rita Ora, ka zbuluar se viti i ardhshëm e gjen me një projekt të jashtëzakonshëm që lidh edhe Kosovën.

Këtë e bëri të ditur vet ajo, pa dhënë shumë detaje tjera, gjatë takimit që pati sonte me kryeministrin, Albin Kurti.

”Ne kemi bërë një punë kaq frymëzuese deri më tani dhe sot ka qenë një takim vërtet emocionues dhe frymëzues. Dhe unë mendoj se ne kemi një projekt të jashtëzakonshëm për të pritur vitin e ardhshëm. Dhe ky udhëtim dhe ky takim më kanë emocionuar për të ardhmen”. /KultPlus.com

Nëntori i letrave shqipe dhe atdhedashurisë në Vjenë të Austrisë

Nga Besim Xhelili, Vjenë, Austri,

Me një përzierje të këndshme kulturore dhe letrare, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, në bashkëpunim me Teatrin “ArbnoriIlir”, shfaqën para bashkëvendësve tanë në Vjenë, një program të bukur dhe plot ndjenjë atdhedashurie, shoqëruar me poezi, pika muzikore dhe përurime librash. E gjithë kjo me rastin e Festave të Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Alfabetit.

Festat e Nëntorit sërish i afrojnë dhe bëjnë bashkë shqiptarët gjithandej globit, njashtu edhe në Austri, ku jetojnë e veprojnë një numër i madh i tyre. Me këtë rast, LSHKSHA “Aleksandër Moisiu”, në bashkëpunim me Teatrin “Arbnoriilir”, në një ambient të bukur artistik, mbajtën një orë letrare, ku disa anëtarë lexuan krijimet e tyre dhe disa krijues të tjerë, të ardhur nga Zvicra, përuruan veprat e tyre më të fundit. Ardita Lajçi-Gjocaj paraqiti para artdashësve romanin e saj “Hije që mbesin”, një roman me një përmbajtje të ndjeshme mbi dhunën seksuale të agresorit në luftën e fundit për çlirim në Kosovë, ndërsa poeti Besnik Camaj librin e tij me poezi “Fryma e kandilit të dehun”, një vëllim i çmuar shumë nga lexuesit e kritikët, me copëza poetike, siç do të thoshte vetë autori, “thërrmija apo trohë të vogla”, të mbetura anësh nga libri paraprak “Strehë dashnie”.

Për mbarëvajtjen dhe udhëheqjen e këtij organizimi kulturor u kujdes poetja shkodrane Gabriela Mujaj, e cila lexoi me shumë patos emocional dhe fuqi artistike disa poezi të autorëve në sallë.

Anton Marku, poet dhe kryetar i LSHKSHA “Aleksandër Moisiu” pasi i falënderoi mysafirët për pjesëmarrje, uroi Festat e Nëntorit, të cilat na bashkojnë të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhemi, pa marrë parasysh dallimet krahinore, politike e fetare.

Në emër të Ambasadës së Kosovës në Austri përshëndeti zyrtari Jeton Maliqi, ndërsa të Fondit Austriak të Integrimit, Bahri Troja. Me praninë e tyre e nderuan këtë aktivitet znj. Manjola Lumani, profesoreshë e gjuhës shqipe në Universitetin e Durrësit, znj. Alketa G. Fazliu, poete dhe gazetare pranë RTK-së, si dhe sopranoja e talentuar shkodrane Gesu Zefi, të cilat morën fjalën dhe përshëndetën të pranishmit dhe uruan festat. Të pranishëm ishin edhe mësuesit e gjuhës shqipe Miradije Berisha dhe Osman Ademi.

Në pjesën e parë të programit, me nga disa poezi u paraqitën Violeta Allmuça, Kimete Krasniqi-Prebreza, Besim Xhelili, Gabriela Mujaj dhe Angjelina Marku, në pjesën e dytë u përuruan romani “Hije që mbesin” i autores Ardita Lajçi-Gjocaj dhe vëllimi poetik “Fryma e kandilit të dehun” i autorit Bes Camaj. Një shkëputje nga romani gjergjësisht disa poezi nga vëllimi poeti i lexoi znj. Arilda Lleshi. Në pjesën e tretë, autori nga Shkodra me banim në Vjenë Gjergj J. Kola, bashkë me znj. Enxhi Rroji shfaqën një shkëputje të shkurtër të dramës së tij të radhës “Krishtlindje për fillestarë”, e cila në prag të Krishtlindjes, do të vihet në skenë para publikut vendas. Për shoqërimin muzikor të programit u përkujdes Prof. Lejla Agolli dhe në fund u shtrua një koktej rasti. /KultPlus.com

Vazhdojnë provat intensive të Baletit Kombëtar të Kosovës për shfaqjen “Arrëthyesi”

Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, nën direktivat e primabalerinit dhe koreografit shqiptar Ilir Kerni, po vazhdojnë provat e përditshme intensive për shfaqjen “Arrëthyesi”.

“Arrëthyesi”, një nga shfaqjet më të njohura të repertorit botëror klasik, shfaqet për herë të parë në Prishtinë.

Ky produksion i përmasave të jashtëzakonshme, vjen si rezultat i bashkëpunimit në mes të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës./KultPlus.com

Fotografia: Arben Llapashtica

Në sa mënyra të dashuroj

Poezi nga Elizabeth Barrett Browning


Në sa mënyra të dashuroj? Lermë t’i numëroj.
Të dashuroj deri në thellësinë, në gjerësinë dhe në lartësinë
Që shpirti im mund të arrijë,
kur merr pjesë i padukshëm
Në qëllimet e Ekzistencës e të Faljes
ideale.
Të dashuroj po aq sa nevoja më modeste
E çdo dite, në diell dhe në dritën e qiririt.
Të dashuroj bujarisht, si dikush që lufton
për drejtësi.
Të dashuroj me pastërti, si dikush që
nga lutja kthehet.
Të dashuroj me pasionin që hidhja
Në dhimbjet e mia të shkuara, e me besimin
e fëmijërisë sime.
Të dashuroj me një dashuri që e besoja të humbur,
Së bashku me engjëjt e mi të humbur- të dashuroj me frymëmarrjen,
Buzëqeshjet, lotët, e gjithë jetës sime! –
e nëse Zoti do dojë,
Do të të dashuroj akoma më shumë pas vdekjes. / KultPlus.com

Dunat e Nartës, më të vjetrat në Ballkan

Dunat e Nartës njihen si dunat më të vjetra në Ballkan, të cilat luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në mbrojtjen e qëndrueshmërisë së tokës dhe parandalimin e përmbytjeve në zonë.

Dunat janë të lëvizshme në varësi të stuhive dhe erës në një zonë të caktuar. Ruajtja e tyre dhe e bimëve si Ammophila arenaria, të cilat e mbajnë një dunë të qëndrueshme është e rëndësishme.

Laguna e Nartës, një ndër lagunat më të mëdha në vendin tonë, ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Vlorës. Dunat gjenden në perëndim të lagunës, në brezin ranor që ndan lagunën me detin. Ato janë një grup dunash ranore, të formuara nga veprimi i erës, një nga ekosistemet me vlera të mëdha natyrore, të konsideruara si monument natyre.

Dunat ranore së bashku me bimësinë karakteristike të tyre, luajnë një rol mjaft te rëndësishëm në mbrojtjen nga stuhitë detare, erozioni dhe nga përmbytjet. Mbi to ka bimësi barishtore, por edhe shkurre kripëdashëse të vogla.

Dunat kanë vlera shkencore (gjeomorfologjike), estetike, turistike dhe ekonomike, pasi mbrojnë tokat- arë në lindje që të mbulohen me rërën që sjell era nga plazhi etj.

Përveç kësaj, dunat shërbejnë si habitate për breshkat e detit, të cilat në zonat ku ka lartësi mbi nivelin e detit gjejnë siguri për hedhjen e vezëve të tyre./atsh/ KultPlus.com

“El HuffPost”: Shqipëria destinacioni i ri i turistëve spanjollë për vitin 2024

Presidenti i Shoqatës së Agjencive të Udhëtimeve Albacete, Ignacio Tárraga, ka rekomaduar destinacione të reja për t’u vizituar në 2024, sipas të përditshmes spanjolle “El HuffPost” (huffingtonpost.es).

Agjencia ofron fluturime direkte nga provinca Albacete, Spanjë drejt Tiranës, Shqipëri, një destinacion që revistat e specializuara të udhëtimeve e kanë cilësuar si “Karaibet e panjohura evropiane”.

Udhëtimi në Shqipëri ofron akomodim për shtatë netë, që mund të jetë në plazh ose turne të planifikuara që përfshijnë vizita kulturore.

Pse Shqipëria është konsideruar si “Karaibet e panjohura evropiane”?

Ka disa arsye pse Shqipëria njihet si një nga destinacionet e krahasuara me “Karaibet e panjohura evropiane”.

Së pari, Shqipëria ka një vijë bregdetare më shumë se 300 kilometra të gjatë, me plazhe me rërë të bardhë, ujëra të kristaltë dhe shkëmbinj të thepisur.

Së dyti, është një vend relativisht i panjohur.

Së treti, Shqipëria është një vend i përballueshëm. Çmimet për hotelet, ushqimin dhe aktivitetet janë shumë më të ulëta se destinacionet turistike të Karaibeve.

Kjo e bën atë një opsion tërheqës për udhëtarët që kërkojnë të kursejnë para. / KultPlus.com

Bora e parë në Pukë (FOTO)

Dimri ka mbërritur dhe bora e parë ka zbardhur qytetin e Pukës.

Kryeministri Edi Rama ndau foto nga Puka, një perlë në mes të veriut, ku ka shtruar bora e parë.

Investimet publike në Pukë e kanë shndërruar këtë qytet në një qendër urbane moderne, me standarde dhe vlera të një atraksioni të veçantë turistik për resurset dhe pozicionin gjeografik ku gjendet. / KultPlus.com

Skiatorja e Tiranës rezultat historik në botërorin e skive, Veliaj: Lara Colturi na bëri krenar

Skiatorja Lara Colturi, e cila përfaqëson Shqipërinë në Botëror, ka arritur një rezultat historik.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj uroi skiatoren shqiptare që bën pjesë dhe në Sport Klubin Tirana, për performancën e saj të jashtëzakonshme.

“Rezultat historik për Shqipërinë! Skiatorja shqiptare Lara Colturi, me performancën e saj të jashtëzakonshme, na bëri krenarë duke dalë e para në botë në raundin e dytë dhe e 12 në mesataren e dy kohëve, në Botërorin e skive! Spektakolare”, shkruan Veliaj.

Vitet e fundit, Klubi shumësportësh “Tirana”, po njeh një hov në cilësinë e sportistëve që garojnë në disiplina të ndryshme, të cilët kanë fituar trofe dhe tituj kombëtarë e ndërkombëtarë, si Luiza Gega, kampione e Europës në Atletikë, apo mundësi Zelimkhan Abakarov, kampion i Botës.

Mbështetja për sportin nga bashkia e Tiranës dhe Sport Klub Tirana, ka bërë që skuadrës t’i bashkohet edhe skiatorja e talentuar, Lara Colturi./ KultPlus.com

Rama ndan pamje nga Thumana e rindërtuar, 4 vjet pas tërmetit të 26 nëntorit

 4 vjet pas tërmetit të fortë që preku vendin në orët e para të 26 nëntorit, e që la pas 51 të vdekur, me qindra të plagosur, ku mijëra familje u gjendën në rrugë, zonat e shkatërruara janë rindërtuar nga e para.

Kryeministri Edi Rama publikoi pamjet nga Thumana, zona më e prekur nga tërmeti, sot e rindërtuar nga e para.

26 nëntorin e vitit 2019, kur ora shënonte 03:54, një lëkundje e fuqishme me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që zgjati për rreth 50 sekonda me epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit goditi vendin tonë.

Lëkundjet e tokës, të cilat u ndjenë në disa qytete, shkatërruan shtëpi, pallate, shkolla, ndërsa për orë të tëra ekipet e kërkim-shpëtimit kërkonin për të mbijetuarit të ngecur në rrënoja.

Qeveria mori përsipër rindërtimin e banesave për të prekurit nga tërmeti. Kosto e rindërtimit u llogarit mbi 1 miliardë euro.

Në zonat më të prekura nga tërmeti janë ndërtuar lagje të reja me qendra shëndetësore, shkolla dhe gjithë infrastrukturën mbështetëse.

Me përjashtim të 500 apartamenteve në Laç dhe lagjes së re në Spitallë, të gjitha banesat e tjera janë ndërtuar me fondet e buxhetit të shtetit.

Më shumë se 200 mijë qytetarë u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe 17 mijë njerëz u zhvendosën për shkak të humbjes së shtëpive të tyre. / KultPlus.com

Dita Botërore e Transportit të Qëndrueshëm

26 nëntori është shpallur prej OKB-së si Dita Botërore e Transportit të Qëndrueshëm. Po çfarë është transporti i qëndrueshëm?

Transporti është jetik për ndërlidhjen, tregtinë, rritjen ekonomike dhe punësimin. Megjithatë, ai është gjithashtu i implikuar si një burim i rëndësishëm i emetimeve të gazrave serrë. Zgjidhja e këtyre kompromiseve është thelbësore për arritjen e transportit të qëndrueshëm dhe, nëpërmjet kësaj, zhvillimit të qëndrueshëm.

Në raportin e tij të vitit 2016, Grupi Këshillimor i Nivelit të Lartë të Sekretarit të Përgjithshëm përcaktoi transportin e qëndrueshëm si “ofrim i shërbimeve dhe infrastrukturës për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, duke avancuar zhvillimin ekonomik dhe social për të përfituar brezat e sotëm dhe të ardhshëm, në një mënyrë të sigurtë, të përballueshme, e arritshme, efikase dhe elastike, duke minimizuar emetimet e karbonit dhe të tjera dhe ndikimet mjedisore.”

Transporti i qëndrueshëm ka si objektiva aksesin universal, sigurine e shtuar, ndikim të reduktuar mjedisor dhe klimatik, elasticitet të përmirësuar dhe efikasitet më të madh.

Transporti i qëndrueshëm mund të përshpejtojë çrrënjosjen e varfërisë në të gjitha dimensionet e saj, uljen e pabarazisë, fuqizimin e grave dhe luftimin e ndryshimeve klimatike./ KultPlus.com

Makina e shkrimit e Jup Kastratit, bartëse e vlerave të intelektualit të shquar shkodran

Në kuadër të prezantimit të trashëgimisë kulturore që ruhet nga familjet shkodrane, DRTK Shkodër prezantoi makinën e shtypshkrimit të intelektualit të shquar shkodran, por edhe të kulturës së kombit tonë, prof. Jup Kastratit.

Makina e shkrimit Olivetti, është e tipit Studio 42, e prodhuar në 1935. Në Itali ku dhe u prodhua, kjo tipologji makine ruhet në Muzeun Kombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë “Leonardo da Vinci” në Milano, ndërsa për familjarët ajo mbart vlerën e paçmueshme të atij që e përdori aq vlefshëm për thuajse treçerek shekulli, Prof.Jup Kastratit.

Prof. Kastratit iu dhurua nga i ati i tij, Hasan Kastrati, një njeri me mendje të hapur i cili, pasi kishte parë prirjet e hershme për studim të të birit, Jupit, ia solli nga Italia, në fillim të viteve `40 të shekullit të kaluar.

Prof. Jup Kastrati, asokohe një i ri adoleshent (datëlindja 1924), fillon ta përdorë duke shtypur edhe artikujt e parë që do ta lançonin për pak vjet në shtypin e kohës me artikujt të karakterit studimor si “Dramatika shqipe”, e mandej me përkthimin e “Fabulave” të Fedrit e për 63 vjet radhazi nuk reshti asnjëherë. Kjo makinë u bë dëshmitarja e vetme e punës gjigande të Profesor Jupit. Janë mbi 40 vepra që mbajnë autorësinë e tij, e me qindra artikuj studimorë e publicistikë e, kjo makinë ishte mjeti më i dashur i tij deri në mbylljen e syve në shtator të 2003. Ai nuk e braktisi asnjëherë Olivetti-n e tij, as atëherë kur kompjuterat kishin filluar të futeshin në jetën e secilit shqiptar.

Që nga 2003, qëndron e futur në rulin e makinës, letra e bardhë që Profesori la për të punuar, por që nuk arriti të shtypë më pas sëmundjes në vitin e fundit të jetës. Makina e shkrimit Olivetti, ruhet nga familja e Profesorit, krahas skrivanisë prej xhami që i përket të njëjtës periudhë të fillim shekullit. / KultPlus.com

84 vite nga lindja e Tina Turner, këngëtarja e njohur amerikane

Në një pllakë metalike para dyerve të pronës së Tina Turnerit shkruan “Vor 12.00 Uhr nicht läuten, keine Lieferungen”, që nga gjermanishtja ka kuptimin: “As mos të shkojë mendja ta shqetësosh Tina Turnerin para mesditës”.

Ajo ishte simboli i qëndresës së rock’n’rollit për 50 vjet. “Proud Mary” i saj ishte 175 për qind më i gjatë se origjinali. Ajo u bë yll me Ike Turnerin në të 20-at, i iku abuzimit të tij në të 30-at, luftoi për shtegun e saj në krye të listave të popit në të 40-at, dhe i ra botës përqark në të 60-at.

“Nuk këndoj. Nuk vallëzoj. Nuk i vesh rrobat më të mira”, pati thënë gjatë viteve të fundit. Edhe paruka e saj – “pjesë esenciale e pamjes së Tina Turnerit”, siç ka shkruar në memoarin e saj të paradokohshëm – nuk është më e rregulluar me përpikëri si më përpara.

Edhe më 2009, teksa po e vazhdonte hovin e ditëve të fundit të turneut të saj “Tina! 50th Anniversary”, ajo po fantazonte, thënë sinqerisht, për ridekorimin e shtëpisë së saj.

Krejt këtë pjesë të jetës e kishte jetuar si Ike, por më pas e zaptoi jetën e saj të përnjëmendtë.

“Thjesht u lodha duke kënduar dhe duke i bërë të gjithë të lumtur. Kjo është e gjitha që kam bërë në jetën time”.

Turner vdiq në moshën 83-vjeçare në shtëpinë e saj në Küsnacht afër Zyrihut, Zvicër. / KultPlus.com

Sot zbulohet shtatorja e veprimtarit Adem Demaçi në Podujevë

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi sot nga ora 13:00 në sheshin e qytetit në Podujevë mbahet manifestimi dhe zbulimi i shtatores së veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi.

Për ta madhështuar këtë ngjarje pjesëmarrës në këtë manifestim do të jetë edhe kryeministri Albin Kurti, familja e bacës Adem dhe bashkëveprimtarë të bacës nga të gjitha trevat shqipfolëse.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa më 26 korrik 2018 ndërroi jetë.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, u shndërrua në një personalitet të përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ai ka shkruar romanin “Gjarprijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjetë. / KultPlus.com


Sot në orën 24:00 mbyllet aplikimi në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa”

Kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri në mbyllje të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, konkurs ky i hapur për të gjithë poetët.

Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë  “KultPlus” tash e gjashtë vite.

Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme.

Juria profesionale e këtij edicioni ka një përbërje të veçantë, duke përfshirë shkrimtarë, gazetarë dhe tekstshkrues të këngëve, me qëllim të një laramanie sa i përket shijeve.

Juria përbëhet nga: Agim Vinca, kryetar jurie, Beti Njuma dhe Shpat Deda.

Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, ka bërë të ditur se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka treguar se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’. Afati i fundit për aplikim është data 26 nëntor 2023, ora 23:59.

Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftuar në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.

Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj. / KultPlus.com

Vera Ora uron Ritën për ditëlindje: Rita Pita me simita e me zemër të madhe


Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, sot feston ditëlindjen e 33-të, shkruan KultPlus.

E në këtë ditë speciale, një urim të veçantë e mori nga nëna e saj, Vera.

“Rita pita duke i kapur yjet ✨

Gëzuar ditëlindjen Zog 🎂

@ritaora fëmija im, zemra jote është më e madhe se trupi yt – të dua 🥰

❤️🖤 Rita pita me simita e me zemër të madhe,

URIME ditëlindja ☀️👸🏻”, ka shkruar Vera Ora në rrjetet sociale. / KultPlus.com

E mrekullueshmja Rita Ora feston ditëlindjen e saj të 33-të

Rita Sahatçiu Ora e lindur më 26 nëntor 1990, është një këngëtare dhe aktore britanike me prejardhje shqiptare. Suksesi i saj u rrit në shkurt të vitit 2012, kur ajo u paraqit me teken Hot Right Now, bashkëpunim me DJ Fresh-in, e cila arriti numrin një në Mbretërinë e Bashkuar. 

Albumi i parë i saj Ora, që doli në shitje në gusht të vitit 2012, arriti numrin një në Mbretërinë e Bashkuar. Albumi përmbante teket Britanike R.I.P dhe How We Do (Party). Ora ishte artistja me numrin më të madh të tekeve në listën britanike në vitin 2012, me tre teke rradhazi që arritën në pozitën më të lartë.

Në janar 2014, Adidas njoftoi një bashkëpunim projektues me Ritën për markën e tyre, Adidas Originals. Gjithashtu në vitin 2014, kënga I Will Never Let You Down u rendit e katërta në Mbretërinë e Bashkuar dhe ajo u shfaq në teken “Black Widow ” të Iggy Azalea, e cila arriti numrin pesë në Mbretërine e Bashkuar dhe SHBA. Në 2015, Ora u bë trajnere në serinë e katërt të The Voice UK dhe, më vonë atë vit, një gjyqtare në serinë e dymbëdhjetë të The X Factor.

Albumi i dytë i saj në studio, Phoenix, doli në shitje në nëntor 2018. Tekja Your Song arriti numrin dhjetë në Britaninë e Madhe dhe teket Anywhere dhe Let You Love Me arritën numrin pesë në Mbretërinë e Bashkuar; kjo e fundit e bëri Orën artisten e parë femër britanike që të ketë gjithsej trembëdhjetë këngë të cilat kanë arritur të paktën pozicionin e dhjetë në listat e Mbretërisë së Bashkuar.

Ora ka lindur në Prishtinë, në Provincën Jugosllave e Kosovës, nga prindër shqiptarë. Nëna e saj, Vera, është psikiatre dhe babai i saj, Besnik Sahatçiu, është ekonomist e pronar kafeneje. Ora ka një vëlla më të vogël, Don, dhe një motër më të madhe, Elena, e cila është gjithashtu pjesë e ekipit të saj të menaxhimit. Ajo ka lindur si Rita Sahatçiu, mbiemri rrjedh nga fjala turke saatçi që do të thotë “orëndreqës”, por prindërit e saj më vonë e shtuan Ora në mënyrë që të mund të shqiptohet lehtë.

Familja e saj u largua nga Kosova për arsye politike, për shkak të persekutimit të shqiptarëve etnikë të filluar me shpërbërjen e Jugosllavisë. Ata u zhvendosën në Londër, Angli në vitin 1991, kur ajo ishte njëvjecare. Ajo u rrit pranë rrugës “Portobello” në Londrën Veriore dhe mori pjesë në St. Cuthbert me shkollën fillore “St Matthias” në Earls Court, pas së cilës u diplomua nga një shkollë e arteve të interpretimit, Sylvia Young School Theatre. Ajo filloi të këndojë në moshë të re.

Tani, Ora është në lidhje dashurie me regjisorin Taika Waiti, ku në paraqitjet e tyre të fundit, duken shumë të lumtur. / KultPlus.com

Mediumi britanik: Plazhet e Rivierës Shqiptare rivalizojnë edhe Maldivet

Shumë nga destinacionet e preferuara të turistëve, si Greqia dhe Italia kanë rritur çmimet vitet e fundit, kështu që është koha për të zbuluar disa rajone më pak të njohura, shkruan Sophie Foster në të përditshmen angleze “Daily Star”.

Riviera e Shqipërisë, që përfshin vijën bregdetare të Adriatikut, është një vend i mrekullueshëm për pushime me plazhe mahnitëse me ujëra blu të kristaltë, hotele dhe fluturime të lira.

Shqipëria, e kufizuar në jug nga Greqia, ka rrëmbyer vëmendjen e britanikëve dhe nuk është për t’u habitur duke marrë parasysh rivierën e saj të mahnitshme.

Shumë turistë britanikë ndoshta nuk e kishin menduar kurrë të vizitonin Shqipërinë, por vendi ofron oferta të lira dhe plazhe mahnitëse që rivalizojnë Maldivet.

Ju mund të shijoni rrezet e diellit dhe temperaturat e ngrohta gjatë verës.

Riviera Shqiptare, e cila shtrihet në Adriatik, mund të rivalizojë Bregun e Amalfit në Itali ose ishujt grekë falë detit të saj të kristaltë bruz dhe rërës së bardhë.

Pra, ia vlen të vizitoni disa nga pikat më të bukura turistike nëse dëshironi të kaloni pushimet në një destinacion me kosto të ulët, por në të njejtën kohë edhe mahnitës.

Një nga zonat më magjepsëse të Rivierës Shqiptare është Ksamili, i cili është krahasuar me Karaibet nga vizitorët.

Fshati ndodhet në jug të Shqipërisë brenda Parkut Kombëtar të Butrintit dhe ofron gjithçka që mund të dëshironi për pushime.

Zonat me bukuri të jashtëzakonshme përfshijnë ishujt e Ksamilit, të cilët mund t’i vizitoni duke udhëtuar me varkë dhe të endeni mes porteve për të parë detin Jon të pastër kristal.

Ata që dëshirojnë të akomodohen në një vilë do të duhet të paguajnë rreth 100 paund për një qëndrim pesë netësh.

Një dhomë në një hotel në Ksamil, midis majit dhe qershorit, kushton 131 paund për pesë netë.

Ksamili nuk është i vetmi qytet i mrekullueshëm për të shijuar Rivierën Shqiptare.

Saranda është kryeqyteti jozyrtar i rajonit i cili ndodhet pikërisht pranë kufirit grek.

Qyteti është plot me shëtitore, ballkone me pamje nga deti dhe klube nate buzë detit. Plazhi kryesor ofron ujëra të pastër kristal.

Palasa në Rivierën Shqiptare ka plazhin më të mirë në vend, i cili është krahasuar me Maldivet nga pushuesit e huaj.

Qyteti i vogël turistik njihet për rërën e bardhë, motin e nxehtë, restorantet dhe baret relaksuese buzë plazhit.

Palasa, është parajsa mbi tokë, të gjithë në botë duhet ta vizitojnë këtë gji me ujërat blu kristal te ngjashme me Maldivet. /KultPlus.com

Dashuria

Lope de Vega, 1562 – 1635.
Ndër etërit e letërsisë spanjolle

Të ndihesh i plogët, të guxosh, të tërbohesh krejt,
vrazhdësisht, brishtë, çlirët, bishtnues papritmas,
plot guxim, vdekjeprurës, kufomë, befas i gjallëruar sërish,
besnik, tradhëtar, frikacak, burrëror tërësisht.

mos të gjesh përtej së mirës asnjë përqendrim, as prehje kurrsesi,
të shtiresh si i hareshëm, i trishtuar thellësisht, i përkorë, kryeneç,
i zemëruar, trimosh, të arratisesh në vijimësi,
të jesh i kënaqur, i fyer, të mbash mëri;

ta fshehësh fytyrën nga zhgënjimi,
ta gëlltisësh helmin me lëngun e ëmbël mjaltë,
t’i harrosh dobitë, ta duash fort lëngimin;

të pandehësh se qielli degdiset në ferr,
të jepesh me mish e me shpirt pas mashtrimit;
kjo është dashuria e mirëfilltë, kushdo që e ka ndier, tepër mirë e di.

Përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri. / KultPlus.com

‘Ngjyrat e atdheut’ ekspozitë kolektive në nder të 28 Nëntorit

“Lidhja Shqiptare Evropiane” do të organizojë ekspozitë kolektive kushtuar 28 Nëntorit, shkruan KultPlus.

Ekspozita me titull “Ngjyrat e atdheut” ka mbledhur shumë artistë pjesëmarrës për të festuar 28 Nëntorin.

Ekspozita do të mbahet në Muzeun Kombëtar të Kosovës nga ora 19:00 më 26 Nëntor.

Disa prej artistëve pjesëmarrës janë: Anton Krasniqi, Diellza Zeqa, Fatos Kabashi, Leart Hyseni, Naim Spahiu, Sabri Behramaj, Fatmir Juka, Mehmet Selmani, Fatmir Juka etj. /KultPlus.com

Shukrije Ramadani: Rregullat e FIFA-së ndikuan, Agimi është urë bashkimi dhe përjetësisht do të mbetet si i tillë

Në ndeshjen e fundit të Shqipërisë në kualifikimet për EURO 2024, pati një problem në hyrjen e stadiumit për Shukrije Ramadanin, gruan e Agim Ramadanit, shkruan KultPlus.

Ramadani përmes një postimi në Facebook shpjegoi gjithçka.

Fillimisht, u njoftua se Ramadani nuk u lejua të hy në stadium për shkak se flamuri që mbante ajo kishte fytyrën e Agim Ramadanit në të.

Ajo njofton se rregullat e FIFA-së nuk e lejuan një gjë të tillë, derisa sjellja e policëve ishte e mirë.

Postimi i plotë:

Tẽ dashur miq, qě nga pẽrfundimi i ndeshjes Shqipẽri-Ishujt Faraoe,vazhdojnẽ tẽ sillen thashetheme nẽ rrjete sociale lidhur me moslejimin e flamurit me figurẽ tẽ Agimit dhe tẽ flamujve tjetẽ ne simbole pẽrpos flamurit kombẽtarẽ, nẽ stadionin e kombẽtares,gjẽ qẽ ẽshtě e vẽrtetẽ!.Por ajo qẽ ẽshtẽ mẽ se e vẽrtetě, ẽshtẽ sjellja e mirẽ e policẽve tẽ cilẽt na e sqaruan arsyen pěrse jo?! Duhet ta kemẽ tẽ qartẽ se nẽse dẽshirojmẽ tẽ pẽrballemi me botẽn,janě ca rregulla strikte qẽ i vendosẽ Fifa dhe nuk guxojmẽ ti shkelim pẽr hirẽ tẽ futbollistẽve tanẽ tẽ cilẽt e dẽshirojnẽ suksesin,dhe ne qẽ e duam fotoren, bashkě me ta! Andaj ju lutem,mos e pẽrdorni kẽtẽ rast pẽr pẽrqarje,se nuk i bẽni nderẽ as Agimit e as kombětares tonẽ! Asnjẽrit nga policẽt apo sigurimi qẽ ishte i pranishẽm nuk i pengonte asnjẽ simbol e figurẽ kombẽtare,por ishte njẽ vendim qẽ duhej ta zbatonin dhe ne ishim dakord me kẽtẽ vendim! Agimi ẽshtě urẽ bashkimi dhe pẽrjetẽsisht do tẽ mbetet si i tillẽ!