Vepra unike nga Kosova, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina shpalosen në KultPlus Caffe Gallery

 
Mbrëmja e së shtunës në KultPlus Caffe Gallery ka mirëpritur një numër të konsiderueshëm të artdashësve të cilët janë mbledhur për të parë, admiruar e zbuluar copëza historie nëpërmjet ekspozitës me titull “Zbuloni shpirtin e Ballkanit Perëndimor”. Me rastin e hapjes së kësaj ekspozite, të pranishmit udhëtuan nëpër disa fotografi dhe instalacione magjepsëse të shpalosura në printim fotografik, shkruan KultPlus. 

Kjo ekspozitë, e organizuar nga Programi Rajonal i Partneriteteve Rinore (RYPP) të Kosovës, në një mënyrë unike ka prezantuar vepra artistike nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia. Ky eveniment kulturor që filloi fiks në orën 17:00 ka pasur për qëllim krijimin e një programi dinamik rinor që bashkon të rinjtë nga këto tri shtete dhe si duket, ia ka arritur qëllimit më së miri. 

Ndërsa eksploroni ekspozitën, ju vëreni shkrirjen e ndikimeve tradicionale, duke pasqyruar peizazhet, historitë dhe identitetet e ndryshme të Ballkanit Perëndimor, siç janë: Selma Selman, Kisha “St.George” në Takovo, Monumenti i Luftëtarëve të Rënë, Stecci, Shadërvani, Nadezda Petroviq, Inat Kuca në Sarajevë, Monumenti I Minatorëve në Mitrovicë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, monumenti Pobednik në Serbi, seria e pikturave “Seobra Srba”, Hyjnesha në Fron, Milena Pavloviq Barili, Nebosja Seric-Soba, Manastiri I Dervishëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, “Stari Most” në Bosnjë dhe Hercegovinë, Newborn në Prishtinë, Azem Shkreli, Dua Lipa, e shumë personalitete e objekte të tjera.  

Pra, “Zbuloni shpirtin e Ballkanit Perëndimor” nuk është thjesht një ekspozitë; është një dëshmi e fuqisë së artit për të kapërcyer kufijtë, për të lidhur komunitetet dhe për të nxitur një kuptim të përbashkët të trashëgimisë së pasur kulturore që përcakton Ballkanin Perëndimor. 

Nëpërmjet vëzhgimit të ekspozitës, do të vëreni përvojën gjithëpërfshirëse për të nxitë bisedat për paqe dhe pajtim. Pra, do të përjetoni frymën e gjallë të Ballkanit Perëndimor. 

Arbër Gorani, menaxher i lartë nga Programi Rajonal i Partneriteteve Rinore (RYPP) të Kosovës, ka thënë se është tejet i lumtur me suksesin e arrirë përgjatë këtij projekti. 

“Mirëmbrëma të gjithëve. Kur e nisëm këtë punë një vjet më parë, kuptuam se jemi në një program tejet kompleks dhe sfidues. Por, gjithashtu kuptuam se ishte një temë interesante dhe inspiruese. Pavarësisht sfidave të ndryshme, ne filluam në muajin dhjetor dhe s’do të mund të ëndërronim për një sukses më të lartë se ky sonte. Andaj, në më pak se një vit u realizua iniciativa e dy pjesëmarrësve nga Programi Rajonal i Partneriteteve Rinore, të cilët erdhën me një ide të bukur, duke krijuar kështu këtë ekspozitë. Ata e kuruan ekspozitën që quhet “Zbuloni shpirtin e Ballkanit Perëndimor”, dhe në kuadër të kësaj, besoj se këtë mesditë ndodhi një shkëmbim librash që ishte po ashtu interesant”, thotë ai. 

Nga brendësia e zemrës së tij, ai tutje u shpreh shumë i lumtur që po e hapin ekspozitën në KultPlus Caffe Gallery, duke cilësuar eventin si një event simbolik për shkak se kosovarët dhe serbët punuan bashkë dhe implemetuan idetë e tyre. 

“Paraprakisht kemi pasur ligjërata dhe diskutime teorike ndërmjet pjesëmarrësve dhe pastaj patëm mundësinë që të shohim se si nëpërmjet muzikës, kulturës, sportit e arteve tjera, arrihet pajtimi i etnive të ndryshme në Kosovë, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë. Deri tani ka shkuar shumë mirë”, përfundon ai. 

Ndërsa, Laberion Nitaj, pjesëmarrës nga Partneri Regjional i të Rinjve, ka thënë po ashtu se ekspozita ofron diçka që nuk është arritur të shihet më herët. 

“Është një gjë interesnate sepse unë vi nga Kosova dhe kolegja nga Serbia, por kemi ofruar së bashku një ekspozitë për ata që ndoshta ende nuk kanë arritur të shohin se çfarë Ballkani ka për të ofruar. Dua të ju falënderoj të gjithëve për prezencën dhe shpresoj që keni shijuar ekspozitën.” 

Ndërkaq, Jovana Dimitrijeviq nga Partneri Regjional i të Rinjve është shprehur e lumtur me miqësinë që ka gjetur përbrenda këtij projekti. 

“Projektin e nisëm si njerëz totalisht të huaj, dhe nuk njiheshim por tani që u bëmë bashkë, kaluan 12 muaj dhe tani asnjëri nga ne nuk ndjehet më i huaj. Të gjithë u bëmë shokë, andaj mendoj se kjo është gjëja më e mirë për këtë program. Kjo ka qenë një mundësi për të takuar njerëz siç janë ata nga Mitrovica, Serbia.” 

Kujtojmë se evenimenti kulturor është mundësuar nga Rrjeti Rajonal i Partneriteteve Rinore (RYPP). 

Rrjeti Rajonal i Partneriteteve Rinore (RYPP) luan një rol kyç në mbështetjen e përpjekjeve krijuese të rinisë së rajonit, duke ofruar një platformë për shprehje dhe bashkëpunim. / KultPlus.com 

Ka arsye të fortë, pse e ardhmja na shqetëson më shumë se e shkuara

Nga Oliver Burkeman

“Sa herë që një mik ka sukses, një pjesë e vogël e imja vdes,” thoshte Gore Vidal, mbase duke luajtur me një citat që i atribuohet zakonisht Somerset Maughamit: “Suksesi nuk është i mjaftueshëm. Të tjerët duhet të dështojnë”.

Sipas ‘The Guardian’, një studim magjepsës i publikuar kohët e fundit sugjeron që thjesht mundësia e suksesit të një miku, mund të jetë edhe më e keqe: studiuesit kanë zbuluar se ne jemi më shumë ziliqarë për gjërat që të tjerët do të kenë në të ardhmen – ngritje në detyrë, pushime ëndrrash, partnerë ëndrrash – se sa për ato që i kanë tashmë. Në jetën reale, natyrisht, kjo është pjesërisht për shkak të faktit se përvoja rezulton të jetë zhgënjyese.

Megjithatë, në këtë rast, arsyeja është thjesht se nuk vendoset më në të ardhmen: pasi pushimet në detin e Karaibeve kanë mbaruar ose është arritur promovimi në detyrë, njerëzve që dridheshin nga inati  para se të ndodhte, tani nuk u bëhet më vonë (dhe ndoshta menjëherë nisin të kenë zili, ata që do të shkojnë me pushime muajin tjetër).

Jetë paralele

Duket e çuditshme, sepse, në fund të fundit, a nuk është thelbi i zilisë të dëshiruarit e asaj çfarë kanë të tjerët, në vend të asaj që do të kenë? Por ky zbulim nxjerr në pah, një të vërtetë më të përgjithshme psikologjike, dhe kjo është se shpesh e ardhmja na mundon më shumë se e kaluara, pikërisht sepse është e hapur. Kjo është më e dukshme në rastin e shqetësimit: ngjarjet e ardhshme që na shqetësojnë, kur më pas ndodhin nuk na sjellin aq shumë ankth, dhe më tej askujt nuk i bëhet vonë për to.

Për zilinë është e njëjta gjë: mundësia që libri i ri i mikut tim të bëhet një bestseller botëror, lejon që fantazia ime të mendojë për të gjitha pasojat e mundshme, por pasi të jetë bërë realitet – edhe nëse është vërtet spektakolar – tashmë është gjë e përfunduar dhe konkrete. Mund të mësohem me idenë, mbase edhe të jem i lumtur për të (thashë mbase).

Ajo që bie në sy, është se shpesh në jetë problemi nuk është vetë problemi, por mungesa e qartësisë, mungesa e skajeve të mprehta që na pengojnë ta rrokim atë. Kjo është arsyeja pse është çliruese për ne, kur të ngarkuar me një mijë gjëra si jemi, nisim e bëjmë një listë, qoftë edhe përpara se të përfundojmë pikën e parë të saj.

Eshtë gjithashtu arsyeja pse thuhet se pendohemi më shumë për gjërat që nuk kemi bërë, sesa për ato që kemi bërë: ne mund të ngushëllojmë veten për marrëdhëniet e gabuara ose gabimet e bëra gjatë karrierës sonë, por jo për humbjen e numrit të pafund të jetëve paralele që mund të kishim jetuar, po të kishim shfrytëzuar më shumë mundësi.

Kjo është arsyeja pse “bllokimi i shkrimtarit” shpesh varet nga fakti që ne nuk kemi ide të qarta rreth asaj që duam të themi, sesa nga vështirësia për ta thënë atë.

Një pyetje e dobishme

Eshtë gjithashtu arsyeja pse praktikisht të gjithë gurutë e financave personale na këshillojnë, si hap të parë, që të kemi një pamje të qartë të të ardhurave dhe shpenzimeve tona, pasurive tona dhe borxheve tona, edhe nëse kjo fillimisht nënkupton tejkalimin e një frike, sepse ne mund të menaxhojmë më mirë një situatë reale, sesa një gjendje krejtësisht hipotetike.

E gjithë kjo na sugjeron një pyetje të dobishme për t’ia bërë vetes kur përballemi me një problem stresues. A jemi të sigurt se e dimë se cili është problemi? Apo është ai stres pjesërisht për shkak të frikës, apo refuzimit psikologjik për t’u përballur me realitetin? Sepse, sado që realiteti të jetë i tmerrshëm – dhe në muajt dhe vitet e ardhshme do të bënit mirë ta mbani në mendje këtë kur lexoni lajmet – për definicion ai nuk mund të jetë pafundësisht i tmerrshëm, siç ju i trembeshit. / KultPlus.com

Poezi kushtuar Matildës

Poezi nga Pablo Neruda, kushtuar muzës së tij Matildes.

Po kërkoj qetësi
Tani më lini vetëm.
Mësoni të bëni pa mua.

Unë po mbyll sytë.

Dhe dua vetëm pesë gjëra,
Pesë rrënjët favorite.

E para është dashuria pafund.

E dyta është të shoh vjeshtën.
Unë s’mund të jem nëse gjethet
Nuk fluturojnë dhe bien në tokë.

I treti është dimri solemn,
Shiu që e doja, përkëdheljet
E zjarrit në dimrin e egër.

Në vend të katërt, vera
Rrumbullake sa një shalqin./ KultPlus.com

“The Guardian”, ftesë për të provuar ndjesinë relaksuese të ujërave termale të Bënjës

Shqipëria është e bekuar me të gjitha thesaret që natyra mund të ofrojë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e publikuar në “The Guardian”, ku ndër të tjera vlerësohen, banjat termale të Bënjës në Përmet si më të mirat në Evropë.

“”The Guardian” rikthehet përsëri në Shqipëri, me një ftesë për të provuar ndjesinë relaksuese të ujërave termale të Bënjës dhe baltës terapeutike të pasur me sulfur”, u shpreh Rama.

Rama tha se,”‘një xhevahir i vërtetë’ e quan gjiganti britanik, duke përmendur madhështinë e luginës së Vjosës, lumit të fundit që rrjedh i lirë në Europë, urën e lashtë prej guri nën kaltërsinë e qiellit shqiptar”, teksa publikoi linkun ku gjendet shkrimi në prestigjozen  “The Guardian”.

Link: https://www.theguardian.com/…/it-was-so-exhilarating….

Burimet e ujërave termale të Bënjës, apo sic quhen ndryshe Banjat e Bënjës, gjenden 14 kilometra larg qytetit jugor të Përmetit në komunën Petran, vetëm 3 kilometra larg nga vendi ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Lëngaricës. E veçanta e tyre është se këto janë burime të hapura në natyrë. Temperatura e këtyre ujërave është, 26-32°C. / KultPlus.com

Kurti për vizitën e planifikuar të Stoltenberg në Kosovë: Tregon angazhimin e NATO-së për sigurinë tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO’s në Kosovë, Jens Stoltenberg, e planifikuar për 20 nëntor dëshmon për angazhimin e kësaj aleance ushtarake për sigurinë e Kosovës.

Stoltenberg pos Kosovës do ta vizitojë edhe Serbinë. Këto vizita vijnë pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës, ku kulmi ishte sulmi terrorist i 24 shtatorit.

Kurti në platformën X ka shkruar të dielën se edhe Bashkimi Evropian tashmë zyrtarisht po ekspozon synimin e Rusisë për të provokuar konflikt në Ballkanin Perëndimor.

“Vizita e ardhshme e Jens Stoltenberg në Kosovë dëshmon se angazhimi i NATO’s është i vendosur për sigurinë tonë. Me BE që ekspozon zyrtarisht synimin e Rusisë për të provokuar një konflikt të ri në BB6, rruga më e sigurt drejt paqes së qëndrueshme është dhënia e statusit të kandidatit në BE dhe integrimi në NATO”, ka shkruar Kurti teksa do ta pres sekretarin e NATO’s në takim.

Po ashtu, presidenca e Kosovës tashmë ka konfirmuar takimin e Vjosa Osmanit me Stoltenberg. / KultPlus.com

A mundet ngjyra më e bardhë në botë të shpëtojë Tokën?

Universiteti amerikan Purdue ka shpikur një bojë të bardhë që mund të “ftohë” planetin duke sjellë revolucion në sfidën ndaj ndryshimeve klimatike. Formula inovative e kësaj boje është në gjendje të kthejë mbrapsh 98.1 përqind të rrezeve të diellit.

Universiteti Purdue këtu në Shtetet e Bashkuara ka krijuar një lloj boje të bardhë që mund të shënojë një pikë kthese në sfidën ndaj ngrohjes globale.

Profesori i inxhinierisë mekanike të këtij universiteti, ka shfytëzuar aftësinë e së bardhës, ngjyra që thith më pak nxehtësi, për krijimin e kësaj boje të veçantë.

Gazetari John Yang nga rrjeti televiziv publik amerikan PBS, sjell detaje të kësaj historie të jashtëzakonshme inovacioni.

Nga të gjitha ngjyrat, e bardha thith sasinë më të ulët të nxehtësisë.

Për ta sqaruar më qartë.

E bardha, është ngjyra, që profesori i inxhinierisë mekanike në universitetin Purdue, Xiulin Ruan thotë se mund të ndihmojë në sfidën ndaj ndryshimeve klimatike. Profesori Ruan së bashku me disa studentë të tij, zhvilluan disa vjet punë kërkimore për të shpikur një bojë të bardhë të re, që mund të ftohë planetin.

“Ajo që duhet bërë është që të lyhet me këtë bojë të bardhë më pak se 1 për qind e sipërfaqes së tokës, nuk ka rëndësi nëse janë çati, rrugë, makina. Do të ishim në gjendje të zhbënim plotësisht ngrohjen globale dhe t’i çonim temperaturat në nivelin që do donim të ishin”.

Boja e bardhë që tregtohet aktualisht, përdoret gjerësisht në vendet me klimë të nxehtë, sepse kthen mbrapsh 80 deri në 90 për qind të rrezeve të diellit, duke bërë që sipërfaqet të mos nxehen shumë. Por profesori Ruan synonte edhe më shumë, diçka që mund të ftohte sipërfaqet.

“Boja jonë pasqyron 98.1 përqind të rrezeve të diellit, që do të thotë se thith vetëm 1.9 për qind të rrezeve, pra thuajse zero nxehtësi nga dielli. Boja e bardhë që tregtohet thith 10 deri në 20 për qind. Pra, në thelb, ne po ulim depërtimin e nxehtësisë së diellit me 10 herë. Është vërtet diçka e madhe”.

Një nga studentët e profesorit Ruan, që po ndjek doktoraturën, Joe Peoples, tregon se çfarë e bën ndryshe këtë lloj boje.

Për prodhimin e bojës së re shfrytëzohet sasi e përqëndruar e sulfatit të bariumit, një përzjerje kimike që përdoret në kozmetikë, si dhe për të ndriçuar letrën që përdoret për larjen e fotografive.

Shumë njerëz mendojnë se kjo është shumë e rrezikshme. Në fakt nuk është. Është në të vërtetë e sigurt. Ata që bëjnë radioskopinë e zorrëve, në fakt pinë sulfat bariumi paraprakisht, në mënyrë që zorrët të bëhen të dallueshme përmes rrezeve X.

“Kjo do të prodhojë 50 deri në 100 mililitra bojë. Do të nevojiten rreth 18 orë. Kjo tjegull është lyer me bojën më të bardhë që mundëm të gjenim në treg. Reflekton 88 për qind të rrezeve të diellit. Dhe kjo është pllaka jonë me sulfat bariumi, që kthen mbrapsh 98.1 për qind të rrezeve”.

Edhe me sy të lirë, e bardha që është krijuar duket më e shndritshme se tjetra

Dhe kur e prek me dorë, pllaka është më e ftohtë.

“Pikërisht. Kjo po thith më shumë energji diellore ndaj po nxehet më shumë. Kjo tjetra po thith më pak ndaj dhe është nën temperaturën e ambjentit.

Në këtë ditë me diell, ku temperatura është 22 gradë Celcius, pllaka e lyer me bojën e re ishte rreth 8 gradë më pak se sa ajo e lyer me bojën e blerë në treg dhe pothuajse dy gradë më pak se temperatura e ambjentit.

Në pyetjen nëse mendon se kjo mund të eleminojë nevojën e përdorimit të ajrit të kondicionuar, ai u përgjigj:

“Mund të eliminohet përdorimi i ajrit të kondicionuar në disa zona dhe në një kohë të caktuar të vitit. Nëse përdoret në Feniks të Arizonës, apo në qytetin Reno të Nevadës, mundë të ketë një ulje deri në nivelin 75 për qind të përdorimit të ajrit të kondicionuar gjatë periudhës së verës”.

Profesori Ruan thotë se kjo bojë është më miqësore ndaj ambentit se sa bojrat që gjenden aktualisht në treg. Ekipit iu deshën më shumë se 7 vjet kërkime për të kryer testime në 100 materiale të ndryshme, para se të arrinin të gjenin formulën e saktë.

Si ishte momenti që e kuptuat se kërkimi juaj ishte i suksesshëm, se po ftohej nën temperaturën e ambjentit?

“Siç mund ta imagjinoni, hulumtimi im për doktoraturën ishte të shihja bojën ndërsa thahej”.

Dhe kur më në fund arritëm rezultat për diçka që kishim punuar për kaq shumë vite, ishte vërtet shpërblyese”.

“Fillova të mendoj, njerëz në gjithë botën kanë interes për këtë, ata kanë nevojë për mënyra të përballueshme për ftohjen e ambjentit. Por veç kësaj, ne kemi nevojë të gjejmë zgjidhje për ndryshimet klimatike. Puna jonë mund të ketë ndikim më të gjerë nga sa e kishim menduar”.

Ata kanë aplikuar për të marrë patentën që u njeh të drejtën e autorësisë së formulës dhe po bashkëpunojnë me një kompani të madhe bojrash me shpresën se boja do të përdore më gjerësisht nga popullata. /VOA/ KultPlus.com

‘Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua’

Poezi nga Azem Shkreli

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.
Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.

Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.

Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.

Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.
Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.

Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur. / KultPlus.com

Merret në mbrojtje zona ku u gjet mozaiku i rrallë në Durrës

Në qytetin e Durrësit Ministria e Kulturës mori në mbrojtje një zonë ku mesin e tetorit të këtij viti u zbulua një mozaik i rrallë.

Mozaiku doli në dritë kur po hapeshin themelet e një shkolle të mesme e cila do të rindërtohej pasi ishte dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të katër viteve më parë.

Arkeologu Luan Përzhita thotë se mozaiku është në gjendje mjaft të mirë me një sipërfaqe mbi 60 metër katrorë.

“Jemi fatlum pasi mozaiku i zbuluar është në një gjendje shumë të mirë. Ai ka zbukuruar territorin e një vile luksoze, në afërsi të amfiteatrit të Durrësit dhe si kohë datimi mendojmë se është diku nga fundi i shekulli I para Krishtit dhe fillimi i shekulli I pas Krishtit. Sot flasim për atë që njohim, por mbase zhvillimet e ardhshme do të kenë një datim më të saktë të këtij mozaiku. Në vetvete mozaiku është i tillë, i veçantë , edhe për qytetin e Durrësit dhe për Shqipërinë dhe është pjesë pasurisë së mëtejshme të kësaj trashëgimie antike që i shtohet qytetit aq të njohur si ka qenë në antikitet qyteti i Dyrrahut”.

Zoti Përzhita thotë më tej se zona mbart vlera arkeologjike por është prekur edhe nga ndërtimet ndër vite.

“Është shumë shpejt për të folur. Ajo që ne dimë është se këtu ka qenë ndërtuar shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti” në vitet 1960-1970. Po ashtu në këtë zonë në vitet dyzetë është ndërtuar një bunker i madh nga forcat italiane. Këto ndërtime, me sa kemi parë ne, kanë bërë dëmtime herë pas here të strukturave arkeologjike që ndodhen në këtë territor. Është dhe një qoshe e shkollës që lidhet me pjesën e mozaikut që ka pasur themelet në këtë pjesë”.

Gërmimi arkeologjik në zonë është i brishtë por bashkëpunimi i strukturave si shtetërore dhe vendore por edhe i sipërmarrjes që punon për rindërtimin e shkollës është mjaft i mirë, thotë Maringlen Meshini arkeolog në Sektorin e Arkeologjisë së Shpëtimit.

Jemi në kushtet optimale ku paralel me projektin ne kemi të gjitha mundësitë për të realizuar edhe gërmimin arkeologjik të shpëtimit, i cili është vetëm një nga fazat e këtij procesi. Pasi të realizohet gërmimi arkeologjik do të shikojmë të gjithë situatën në një kontekst të gjerë se si qëndrojnë këto gjetje arkeologjike, këto zbulime ,vetë mozaiku pore dhe objekte te tjera në raport me projektin dhe më pas do të kemi një vendimmarrje tjetër për ardhmërinë e kësaj zone.

Zoti Meshini thotë më tej se zbulimi është një ndër kartolinat e ardhshme të turizmit dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare .

“Për vetë natyrën që ka ky zbulim, për përmasat, për cilësinë mbi të gjitha dhe për atë që ai përfaqëson në kontekstin ku ndodhet le të themi që paraprakisht kemi të bëjmë me një kartolinë të turizmit dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare”.

Ndërsa zoti Përzhita thotë se jo vetëm mozaiku, por edhe gjetjet e tjera arkeologjike pritet të sjellin më shumë informacion për këtë zonë.

Nëntoka e Durrësit sjell herë pas here zbulime të reja arkeologjike por mbingarkesa e ndërtimeve në jo pak raste ka dëmtuar duke cënuar periudha të ndryshme historike të zhvillimit të qytetit të lashtë. /VOA/ KultPlus.com

Sa u shit sot në ankand kapelja e Napoleon Bonapartit?!

Një kapelë e Napoleon Bonapartit, dykorni i famshëm i zi me kokadën e tij blu, të bardhë dhe të kuqe, u shit sot në ankand për 1.932 milionë euro duke tejkaluar shumë vlerësimet e shtëpisë së ankandeve Osénat.

”Kjo shitje tërhoqi “koleksionistë nga e gjithë bota” dhe krijoi entuziazëm të madh duke thyer rekordin e saj”, deklaroi shtëpia e ankandeve.

Në vitin 2014, një kapelë Napoleon u shit për 1,884 milionë euro. / KultPlus.com

Margariti: Shpëtohet një tjetër thesar i ikonografisë, “Krishti i Gjithëpushtetshëm”

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka bërë të ditur se është shpëtuar një tjetër thesar i ikonografisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Margariti shprehet se pas një pune disamujore restauruese në Laboratorin e Konservimit e Restaurimit në Muzeun Ikonografik “Onufri” ka dalë në dritë me gjithë madhështinë e saj ikona “Krishti i Gjithëpushtetshëm” (Pantokrator) vepër e shek. XVI – XVII, atribuar ateliesë së Onufrit.

Ministrja shton se ikona paraqiste një sërë problematikash, që e bënin të palexueshme, si dëmtim të shtresave përgatitore dhe pelikulës piktorike në gjithë sipërfaqen, papastërti të qëndrueshme dhe mbivendosje që tjetërsonin elegancën dhe bukurinë e veprës.

Margariti thekson se së shpejti ajo do të ekspozohet për publikun. / KultPlus.com

Shefi i NATO’s nesër vjen në Kosovë, takohet me Osmanin dhe Kurtin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do ta vizitojë Kosovën nesër në kuadër të një vizite në disa vende të Ballkanit.

Sipas njoftimit të publikuar nga NATO, Stoltenberg do të qëndrojë në Kosovë të hënën, ku do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.

Ai do të vizitojë edhe Kampin e KFOR’it “Nothing Hill”, ku do të takohet me Komandantin e KFOR’it dhe do t’ju adresohet trupave.

Sipas njoftimit të NATO-s, Stoltenberg do ta nisë vizitën në Ballkan fillimisht në Bosnje-Hercegovinë, gjatë paradites së 20 nëntorit. / KultPlus.com

Poezia ‘Vetëm të jesh këtu’ e Jashar Rexhepagiqit dedikuar Fehmi Aganit

Vetëm të jesh këtu

(Kushtuar Fehmi Aganit)

Një njeri i rrallë,
i zoti, mendar,
Edhe në pësim i madh
Dhe t`isha ai që nuk jam
Këtu të ishe
shumëçka do të kishim.

Kot nuk krrokati korbi
sot me ag.
Çerdhen derdhi.
E nga hardhia ime
pikëlloi loti.

Shpesh vras mendjen,
këtu të ishe,
më i ndritshmi yll
ndoshta do kishim më shumë
dritë e dikushi të ishim. / KultPlus.com

Shqipëria në “Euro2024”, Silvinjo: Lumturi dhe krenari e madhe

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo u shpreh së fundmi se sigurimi i një vendi në “Euro 2024” është padiskutim realizimi i ëndrrës së shumë njerëzve, ëndrrës së një kombi.

“Lumturi dhe krenari e madhe. Pjesëmarrja në një moment të tillë gëzimi për popullin shqiptar është një burim i jashtëzakonshëm kënaqësie. Faleminderit e mija shkojnë për shumë njerëz: për futbollistët, të cilët kuptuan dhe mbështetën idetë tona dhe gjithmonë luajtën me shpirt dhe zemër”, u shpreh ai, pas kualifikimit të Shqipërisë në “Euro 2024”.

Silvinjo falënderoi edhe pjesëtarët e stafit teknik dhe administrativ, të cilët punuan intensivisht dhe u kujdesën për çdo detaj gjatë të gjithë këtij rrugëtimi.

“Falënderimet shkojnë për drejtuesit dhe punonjësit e Federatës, që kanë bërë gjithçka që puna jonë të bëhej në perfeksion; për fansat, për mbështetjen e tyre jetike brenda dhe jashtë shtëpisë tonë; për familjen time, që janë baza e gjithçkaje që bëj dhe më japin mbështetje që të bëj punën time me dashuri dhe dedikim! Për këdo që direkt apo indirekt ka qënë pjesë e kësaj historie të mrekullueshme. Euro 2024 është këtu tani. Forca Shqipëri”, shkruan Silvinjo.

Shqipëria do të jetë pjesë e finaleve të Europianit të vitit 2024, që do të luhen në Gjermani duke nisur nga qershori i vitit të ardhshëm. Kualifikimi është siguruar matematikisht pas barazimit dje me rezultatin 1-1 në stadiumin “Zimbru” të qytetit të Chișinău përballë Moldavisë. /KultPlus.com

Divjakë-Karavasta, destinacion i bukur për fundjavën

Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta” është destinacioni i përkryer për të kaluar fundjavën e për për të shijuar bukuritë që ofrojnë flamingot dhe shpendët e shumëllojshëm.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau sot pamje nga flamingot, zogjtë  me qafën e hollë dhe të harkuar dhe me këmbët e hijshme që kanë “pushtuar” parkun Divjakë-Karavasta.

Zogjtë lozonjarë tërheqin vizitorë të shumtë në vëzhgimin e piruetave të tyre, herët në fillim dite dhe përshëndesin diellin në perëndimin e tij.

Vitet e fundit ata janë kthyer në një destinacion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë.

Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.

Zakonisht qindra flamingo mblidhen së bashku si një grup baleti uji. Të gjithë pastrojnë puplat e tyre rozë duke qëndruar me një këmbë në diell për orë të tëra. Madje me një këmbë ata edhe flenë.

Gjatësia e tyre shkon nga 81 deri ne 130 cm, por pesha e tyre trupore është e vogël, ajo shkon nga 2 – 3,6 kg. Duke kombinuar peshën dhe ngjyrën, flamingot janë ndër zogjtë më të dallueshëm nga të tjerët. /ATSH /KultPlus.com

Margariti: Më shumë investime dhe shpërblim për punëtorët e kulturës

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaron se buxheti i vitit 2024 për kulturën, parashikon një rritje me 14% më shumë se viti që po lëmë pas.

Margariti shprehet se kjo rritje “përkthehet më shumë investime, më shumë mbështetje, më shumë shpërblim për punëtorët e kulturës”.

Gjatë prezantimit të pr.buxhetit Në komisionet parlamentare, Margariti ka bërë me dije se do vijojë puna për projekte që nga restaurimi dhe rikonceptimi i Muzeut Historik Kombëtar, te Muzeu “Besa”, gërmimi i amfiteatrit të Durrësit dhe rehabilitimi i zonës arkeologjike përreth, restaurimi i Teatrit “Aleksandër Moisiu”, rehabilitimi i objekteve dhe ambienteve të Burgut të Spaçit e shumë të tjera. Pa lënë mënjanë edhe mbështetjen e skenës së pavarur përmes mbështetjes financiare.

Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale–pasuri kombëtare e popullit shqiptar në breza, mbështetja e krijimtarisë dhe aktivitetit krijues të artistëve shqiptarë përmes rritjes së aktiviteteve kulturore dhe përfshirjes së artistëve, promovimi dhe përfaqësimi i vlerave të artit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, materiale dhe shpirtërore në evenimentet e rëndësishme ndërkombëtare, kanë disa nga prioritetet e buxhetit 2024 për Ministrinë e Kulturës. /ATSH /KultPlus.com

Hyseni reagon pas golit të shënuar: Debutim andrrash i çdo futbollisti

Të luash për kombëtaren tënde të futbollit është një gjë shumë e veçantë, shkruan KultPlus.

Së fundmi, në ekipin e Kosovës disa futbollistë kanë debutuar, duke realizuar ëndrrat e tyre të fëmijërisë.

Lojtari nga Superliga e Kosovës, Muhamet Hyseni, i cili luan për ekipin e KF Llapit, përveç debutimit me Kosovën, ai realizoi edhe një gol special.

“Debutim andrrash i cdo futbollisti. Krenari dhe nder. Faleminderit Zotit”, ka shkruar Hyseni në një postim të bërë në rrjete sociale.

Ai barazoi rezultatin e Kosovës në 1-1 në ndeshjen të vlefshme për kualifikim në “Euro 2024”.

Përkundër barazimit, “Dardanët” e kanë të pamundur kualifikimin tutje. /KultPlus.com

Panel diskutimi për vetëdijësimin për kancerin e gjirit në Europe House Kosovo në Mitrovicë

Drejtoria për kulturë, rini dhe sport e Komunës së Mitrovicës në bashkëpunim me Europe House në Mitrovicë do të prezentojnë një panel prej tri të mbijetuarave nga kanceri i gjirit, Arnisa, Emina dhe Lindita, të cilat vijnë për të ndarë përvojat e tyre dhe betejën me kancerin e gjirit. Diskutimi i panelit synon të rrisë vetëdijen për zbulimin e hershëm, trajtimet e përparuara dhe qëndrueshmërinë e palëkundur të grave që përballen me këtë sëmundje.

Ju mirëpresim të vini dhe të frymëzoheni nga këto gra dhe vlerësojmë shumë kontributin tuaj në këtë diskutim e rëndësishëm mbi vetëdijësimin për kancerin e gjirit.

Ky panel diskutimi për vetëdijësimin për kancerin e gjirit në Europe House Kosovo në Mitrovicë, synon të rrisë vetëdijen për këtë çështje thelbësore mbi shëndetin dhe i përkushtohet promovimit të të kuptuarit, të mësuarit dhe mbështetjes për të prekurit nga sëmundje.

Tri gra prej etnish të ndryshme do të takohen në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicë për të rrëfyer historitë e tyre personale të luftës dhe të mbijetuarit nga kanceri i gjirit.

Diskutimi do të zhvillohët të Hënën më 20 Nëntor, në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicë, derisa panelistë janë: Lindita Rugova, Emina Cekic dhe Arnisa Osmani.

Kjo ngjarje organizohet në bashkëpunim me Direktoratin e kulturës, rinisë dhe sportit të Komunës së Mitrovicës.

Mesazhi tjetër thelbësor i kësaj ngjarje është se vetëdijësimi lidhur me kancerin e gjirit nuk kufizohet veç në muajin tetor, por gjatë tërë pjesës tjetër të vitit. /KultPlus.com

Zana Abazi dhe Urim Maliqi sjellin harmoni tingujsh me flaut dhe kitarë në koncert muzikor

Më 17 Nëntor Zanë Abazi dhe Urim Maliqi mbajtën koncertin duo në flaut dhe kitarë, shkruan KultPlus.

Koncerti kishte një program të larmishëm, ku u përfshin vepra nga kompozitorë kosovarë, italianë dhe argjentinasë, për formacionin duo flaut dhe kitarë.

Maliqi shkroi në “Facebook” një falënderim për të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e koncertit.

“Faleminderit te gjithëve për suportin në realizimin e këtij koncerti me repertuar të përzgjedhur e të veçantë. Po ashtu mirënjohës ndaj gjith’ publikut që me prezencën e tyre bënë koncertin edhe më të bukur!”, shkroi ai mes tjerash.

Koncerti u realizua në bashkëpunim me DAM Festival. /KultPlus.com

Britania e Madhe i jep 1.5 milion funte për transportin e gardianëve shqiptarë

Gazeta “The Independent” e Londrës zbulon të tjera detaje nga marrëveshja mes Qeverisë Angleze dhe asaj shqiptare për transferimin e të burgosurve shqiptarë nga burgjet angleze në ato shqiptare.

Kjo marrëveshje përfshin edhe ndihmën prej 1,5 milion funte për drejtorinë e përgjithshme të burgjeve në Shqipëri.

Këto para thotë “The Indipendent” do të përdoren për blerjen e 15 makinave elektrike dhe 22 furgonëve për transportin e efektivëve të policisë së burgjeve

Ministria e Drejtësisë Angleze do të paguajë rreth 8 milion stërlina përfshi edhe fonde të tjera nga Home Office për këtë marrëveshje të transferimit të burgosurve e cila u finalizua në Londër muajin e shkuar nga ministri drejtësisë Ulsi Manja.

Marrëveshja parashikon tranferimin e më shumë se 200 të burgosurve shqiptarë aktualisht në burgjet angleze të dënuar me mbi katër vite burg.

Alex Chalk sekretar shteti për drejtësinë ne qeverinë angleze tha se “publiku ka pritshmëri që të huajtë ta vuajnë dënimin në vendet e tyre jo në burgjet tona me koston e paguar prej taksapaguesve anglez.

Në burgjet angleze sipas statistikave vuajnë dënimin bashkë me ata në paraburgim mbi 1400 shtetas shqiptarë. Shumica të dënuar për përfshirjen në shtëpitë e barin. Ndërsa 17 prej tyre të dënuar për vrasje./Top Channel/ /KultPlus.com

Edhe dashuria mund të vdes

Poezi nga Federico García Lorca

Sa të rëndë janë ditët.
Në asnjë zjarr nuk mund të ngrohem,
nuk më qesh më asnjë diell,
gjithçka është bosh,
çdo gjë është e akullt e pa mëshirë
madje edhe të shtrenjtat yje të qarta
më shikojnë pa ngushëllim,
qysh kur kam kuptuar në zemrën time,
që edhe dashuria mund te vdesë./ KultPlus.com

Shkodra po merr ngjyra çdo ditë

“Qyteti si pëlhurë” titullohet nisma për të rijetësuar godinat e vjetra të Shkodrës.

Artistët e muraleve në Shkodër e shumë nxënës nga shkollat 9-vjeçare kanë punuar së bashku për realizimin e kësaj nisme, mundësuar nga bashkia Shkodër.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga puna që po kryhet për rijetësimin e kësaj godine.

Rama tha se “Shkodra merr ngjyra çdo ditë, ku siç e shihni në këto pamje, artistë, nxënës e qytetarë, me dashurinë për qytetin kanë marrë furçat dhe penelat, për t’i dhënë jetë godinave të vjetra”.

Ish-Thertorja pranë Urës së Bunës është objekti i parë që po gjallërohet plot ngjyra me motive tradicionale.

Bashkia e Shkodrës po kryen një sërë investimesh në qytet si rikonstruksioni i rrugëve, vendosja e ndriçimit LED, vendosja e konteinerëve për mbeturinat, etj.

Shkodra tërheq një numër të lartë turistësh gjatë gjithë stinëve të vitit, për të shijuar plazhet e Velipojës dhe sitet kulturore, ushqimin fantastik dhe natyrën e pashoqe. /ATSH /KultPlus.com

Revista polake, “Tanie Loty”: Zbuloni Shqipërinë, destinacionin e aventurave të paharrueshme

E quajtur shpesh perla e fshehur e Evropës, Shqipëria ofron një ndërthurje të jashtëzakonshme të bukurisë natyrore, historisë së pasur dhe kulturës autentike, shkruan në një artikull revista polake e udhëtimeve “Tanie Loty”.

Shqipëria është destinacioni ideal për ata që duan të zbulojnë vende unike.

Përgjatë këtij artikulli, ne iu sugjerojmë qytetet historike dhe peizazhet mahnitëse që e bëjnë Shqipërinë vendin e përsosur për pushimet tuaja të ardhshme.

Historia dhe kultura
Shqipëria është plot me monumente historike dhe kulturore, që nga rrënojat e lashta e deri te qytetet e stilit osman.

Berati, i njohur si qyteti i një mijë dritareve dhe Gjirokastra me ndërtesat dhe fortesat e ruajtura mirë, janë disa nga vendet që dëshmojnë historinë e pasur të vendit.

Peizazhe të mahnitshme
Shqipëria ofron peizazhe të larmishme dhe spektakolare.

Nga majat më të larta malore të Shqipërisë e deri te bregu piktoresk i Adriatikut, këto peizazhe janë perfekte për adhuruesit e natyrës dhe fotografisë.

Plazhet dhe bregdeti
Bregdeti shqiptar është i famshëm për plazhet e tij të bukura, të cilat janë perfekte për pushime dhe relaks.

Nga Gjiri i Sarandës deri në Ksamil me ujërat e tij të kristalta, Shqipëria ofron kushte ideale për aventura detare.

Kuzhina shqiptare
Kuzhina shqiptare është një ndërthurje magjepsëse e ndikimeve italiane, greke dhe ballkanike.

Gatimet tradicionale, si byreku dhe fërgesa ofrojnë shije unike që vështirë t’i gjeni diku tjetër.

Mikpritja dhe autenticiteti
Një nga avantazhet më të mëdha të Shqipërisë është mikpritja e saj.

Banorët shquhen për mikpritjen dhe përzemërsinë e tyre ndaj turistëve.

Shqipëria iu ofron mundësinë për të zbuluar një nga vendet më magjepsëse në Evropë. Nga historia dhe kultura e pasur deri te peizazhet dhe plazhet spektakolare. /KultPlus.com

Kurti kujton foshnjën Diturije: Të paharruara e të pafalshme janë krimet e Serbisë në Kosovë

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Diturije Deliun, e cila ndërroi jetë teksa po dërgohej në spitalin ushtarak të UÇK-së, kur edhe mbijetoi nga masakra e 26 shtatorit 1998, shkruan KultPlus.

Diturije Deliu do të festonte sivjet ditëlindjen e 25-të, derisa sipas Kurtit, Diturija është foshnja që fle përjetësisht, njësoj do të jetë edhe kujtimi për të.

Postimi i plotë:

“Diturije Deliu do të festonte sivjet ditëlindjen e 25-të.

Ishte e vetmja që i mbijetoi masakrës së 26 shtatorit 1998. I kishte gjashtë javë. Forcat e armatosura serbe ia masakruan 22 anëtarë të familjes.

Ajo u gjetë e gjallë. Fshehur nën trupin e nënës Lumnije. Nënës mburojë.

E mbijetuara e masakrës në Abri të Epërme nuk mbijetoi. Ajo vdiq më 19 nëntor, rrugës për në fshatin Tërdec, gjersa gjyshi i saj, Bajram Fejza dhe halla e saj, Bedrie Deliu Fejza, po e dërgonin për në spitalin ushatarak të UÇK-së.

I kishte vetëm 95 ditë.

Diturija është foshnja që fle. Përjetësisht. Kështu është përjetësuar në pllakën përkujtimore.

I përjetshëm është kujtimi për të.

Të paharruara e të pafalshme janë krimet e Serbisë në Kosovë”, shkruan Kurti. /KultPlus.com

Kadare në panair: Nuk ka jetë pa brenga, letërsia mund vdekjen

Shkrimtari i shquar Ismail Kadare ka qenë në stendën e Onufrit ku është takuar me lexuesit e tij dhe ka dhënë autografe. Vepra e tij e plotë ka ardhur në një botim të ri me 7 vëllime për 7 dekadat e krijimtarisë së tij. I pyetur nga mediat për vitet e jetës e krijimtarisë ai tha se vdekja është mundur.

“Nuk ka jetë pa brenga e nuk ka brengë pa jetë. Kur bën diçka që e di se nuk vdes nuk ke frikë, sepse frika kryesore në jetë ose ajo që kemi frikë është e vdekja. Kur shkrimtari shkruan, ai çlirohet nga vdekja, e kur çlirohet nga vdekja, do të thotë se jeta për të është e pafund”, tha Kadare.

Ai u pyet nëse ndjehet disi në faj që emri i tij la në hije, te shoqen, Helena Kadare. “Helena, vetë qenia e saj e ekzistenca e saj, është një nevojë për të shkruar nuk mund të them se ndihem fajtor por edhe ndihem kur emri i saj përmendet ngjitur me emrin tim më jep gëzim si më jep gëzim qenia e saj përbri meje”, vërjeti shkrimtari përkrah të shoqes shkrimtare.

A mendon ai se ka fituar ndaj pushteteve në çdo kohë ?

“Nuk ka nevojë të mendoj, por ndjej që është e vërtetë e më ka dhënë gëzim dhe takimi me ju është pjesë e kësaj të vërtetë”, pohoi ai.

Një koment të shkurtër edhe për çështjen emigrantëve.

“Më pëlqen që ka kontakt, lëvizja, është zhvillim, jetë” tha Kadare.

Shkrimtari i njohur është më i vlerësuari e më i përkthyeri autor shqiptarë në botë. I vlerësuar me disa çmime ai çmohet për njohjen që i dha vendit dhe shërbimin e madh që i bëri gjuhës shqipe përmes një lëvrimi të kujdesshëm. /Voal /KultPlus.com