Kombëtarja e Shqipërisë sonte pritet ta vulosë kualifikimin në Evropian

Kombëtarja e Shqipërisë zbret sot në fushë në Kishinjev përballë Moldavisë vendase, përballje që pritet të sjellë kualifikimin zyrtar të kuqezinjve të Sylvinhos në Euro 2024.

Gjermania është vetëm një pikë larg, por djemtë e Kombëtares synojnë fitoren, për të vijuar me suksese dhe me kryesimin e grupit E, që e kemi dominuar me meritë.

Mbi të gjitha me një futboll të bukur dhe gola të jashtëzakonshëm. Braziliani Sylvinho regjistron sot duelin e tetë në pankinën e skuadrës së shqiptarëve.

Formacioni i shqiponjave pritet të jetë ai i fitores 3-0 kundër Çekisë, me ndryshimin e vetëm në qendër të mbrojtjes.

Repart kur Ardian Ismajli rimerr postin e titullarit përkrah kapitenit Berat Gjimshiti, duke zëvendësuar Arlind Ajetin e dëmtuar.

“Stadionul Zimbru”, me një kapacitet prej 10.500 tifozësh, do të jetë “sold-out”. Tifozët vendas ëndërrojnë fitoren për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.

Ndërkohë që në stadium do të ketë rreth 1 mijë zemra shqiptare, me Tifozat Kuq e Zi që nuk e lënë kurrë vetëm Kombëtaren.

Ndeshja Moldavi-Shqipëri zhvillohet sonte me fillim nga ora 18:00. / KultPlus.com

Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat përfundoi restaurimin e ikonës “Krishti i Gjithëpushtetshëm”

Pas një pune disa mujore, kryer në laboratorin e Konservimit e Restaurimit në Muzeun Ikonografik “Onufri”, përfundoi ndërhyrja restauruese për ikonën “Krishti i Gjithëpushtetshëm” (Pantokrator) vepër e shek. XVI – XVII i atribuar “Ateliesë së Onufrit”.

Sipas Qendrës Kombëtare të Muzeumeve Berat, ikona paraqiste problematika të ndryshme të cilat e bënin të pa lexueshme: dëmtim të shtresave përgatitore dhe dëmtim të pelikulës piktorike në gjithë sipërfaqen e ikonës, shoqëruar me papastërti të qëndrueshme dhe mbivendosje që tjetërsonin elegancën dhe bukurinë e veprës.

Sot ikona paraqitet në shkëlqimin e plotë të saj dhe së shpejti do t’i ofrohet për ekspozim publikut të gjerë të muzeut që tashmë të admirojë më qartë mjeshtërinë dhe finesën e artit të Atelies të mjeshtrit Onufri në këtë ikonë./ atsh / KultPlus.com

Kitara e Eric Clapton shitet për më shumë se një milion dollarë

Një kitarë e yllit të muzikës britanike, Eric Clapton ndërsa ishte pjesë e grupit rock ”Cream”, është shitur gjatë një ankandi.

Kitara elektrike ”Gibson SG” e vitit 1964 u shit për 1 270 000 dollarë.

Shtëpia e ankandeve tha se ”kjo është kitara më e shtrenjtë Clapton e shitur ndonjëherë në ankand”.

Ajo njihet si kitara e ”Clapton’s Fool”, e cila është bërë me porosi./ atsh / KultPlus.com

Studentët e UNI angazhohen edhe në Shërbimin Mjekësor Lokal të Komunës së Skenderajt

Një hap i rëndësishëm drejt ndërlidhjes së arsimit dhe shërbimeve mjekësore në komunitet, Zyra e Karrierës në Universum International College (UNI) ka arritur një marrwveshje të suksesshme me Drejtoratin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Skenderajt. Kjo marreveshje ka hapur rrugën për studentët e UNI që të kryejnë punë praktike në Qendrën e Kujdesit Mjekësor Familjar (QKMF) në Skenderaj.

Ky bashkëpunim thekson përkushtimin e UNI ndaj ofrimit të eksperiencës praktike për studentët e tyre, duke i ndihmuar ata të integrohen në mjedisin e punës dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale. QKMF në Skenderaj ofron një platformë të përshtatshme për këtë përvojë, duke siguruar një ambient të pasur me mundësi për praktikimin e njohurive teorike në fushën e shëndetësisë.

Ky është një hap shumë i rëndësishëm për studentët tanë. Bashkëpunimi me Komunën e Skenderajt na mundëson të ofrojmë një perspektivë unike të arsimit, duke i ofruar studentët me sfidat reale të mjedisit të shëndetësisë.

Studentët e UNI që do të marrin pjesë në këtë program praktik do të kenë mundësinë të zhvillojnë njohuri praktike, të ndajnë përvoja me profesionistët e mjekësisë në terren, dhe të kontribuojnë në shërbimet shëndetësore në komunitetin e tyre.

Ky bashkëpunim pozitiv ndërmjet UNI dhe Komunës së Skenderajt shërben si një shembull i mirë për lidhjen e thellë dhe të dobishme midis institucioneve arsimore dhe autoriteteve lokale në ngritjen e nivelit të shërbimeve arsimore dhe shëndetësore për komunitetin.

UNI – Universum International College menaxhohet dhe fuqizohet nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (ASU), i rankuar si Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion

Për më shumë informata rreth mundësive të studimit kontakto +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në facebook dhe instagram.

Muzeu Historik Kombëtar, aktivitete me rastin e festave të nëntorit

Në kuadër të 17 nëntorit, Ditës së Çlirimit të Tiranës, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Shoqatën e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Dega Tiranë, organizuan sesionin shkencor me temë: “Simbolet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Tiranë”.

Në fjalën e tij prof. ass. dr Bernard Zotaj foli rreth simboleve për Qemal Stafën dhe heronjve të Kodrës së Kuqe, për lapidarin në kujtim të Barakës së Nushajve, monumentin Nënë Shqipëri, lapidarin në Pezë kushtuar Heroit të Popullit Myslym Peza etj.

Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH. Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29.10 – 17.11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë.

Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij.

Në ditët në vijim, Muzeu Historik Kombëtar do të ketë edhe aktivitete të tjera në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit të atdheut. / atsh / KultPlus.com

Botohet “Jetë a vdekje përqafuar”, libri më i ri i autorit Agim Vinca

Në botim të shtëpisë botuese “Olymp” nga Prishtina, këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i prof. Agim Vincës “Jetë a vdekje përqafuar. Ese & eulogji me një rragatë në fund”. Ky libër përfshin shkrimet kritike dhe eseistike të viteve të fundit të këtij autori. Një kapitull i këtij libri përmban edhe shkrime polemike për çështje të rëndësishme kulturore dhe letrare. Libri ka gjithsej 356 faqe, përcjell KutPlus.

Fjala e redaktorit Ag Apolloni

Kur lexuesi merr në dorë një libër të ri të profesorit, studiuesit dhe shkrimtarit Agim Vinca, për një gjë është i sigurt: ai libër thotë diçka. Ndryshe nga shumë autorë që shkruajnë edhe kur s’kanë çfarë të thonë, Vinca shkruan vetëm kur idetë, emocionet dhe fjalët s’mund t’i heshtë. Prandaj, edhe ky libër duhet parë si një reagim i tillë. Këtu flitet për vepra e vdekje që të prekin, për marrëzi që na ndjekin, për letërsinë dhe gjuhën, për paqen dhe luftën.

I shkruar me një gjuhë tërheqëse, ky libër të shëtit nëpër vepra e vende të ndryshme. Bota e kësaj vepre është e mbushur me dashuri, dhimbje, respekt, pikëllim, dëshpërim, nderim dhe qortim. Autori nderon punën, vlerat dhe artistët, ndërsa qorton përçarësit dhe pseudoartistët. Kështu, ky libër shtrihet nga diskursi eulogjik deri tek ai polemik. Këtu mblidhen të ndryshmet dhe të kundërtat në një vend, për t’u kujtuar më gjatë, duke shpalosur kështu bindjen e autorit se as e mira, as e keqja s’duhet të harrohen. E mira jepet si një model që duhet ndjekur, ndërsa e keqja si një defekt që duhet ndrequr.

Me këtë libër përkujtues dhe reflektues, Agim Vinca ka bërë një regjistrim dhe interpretim fenomenesh publike dhe private, nëpërmjet një ligjërimi personal, që herë thekson të bukurën, herë të dobishmen.

Fjala e recensentit Begzat Baliu

Ata që e kanë njohur angazhimin intelektual të Profesor Agim Vincës në fund të viteve ’60; ata që e kanë njohur angazhimin e tij kombëtar për studimin dhe botimin e letërsisë si tërësi integrale në vitet ’70; ata që i kanë dëgjuar diskutimet e tij dhe i kanë lexuar dhe njohur polemikat në shtypin jugosllav në mbrojtje të letërsisë, kulturës dhe çështjes shqiptare në Jugosllavi; ata që e kanë dëgjuar dhe ia kanë lexuar artikujt dhe veprat polemizuese të tij, pas rënies së komunizmit në Shqipëri e deri më sot, pasi ta lexojnë këtë vepër, sigurisht do të thonë:

Ishte lehtë të ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ta ndërtoje bazamentin e monumentit të lirisë e pavarësisë së atdheut; ishte lehtë të ishe politikan i rreshtuar, që del në zgjedhje në flakët e luftës dhe i dhuron një votë presidentit historik të Republikës së Askundit. Vetëm intelektual, intelektual dhe eulogjist ishte vështirë të ishe dhe t’i shkruaje poezi përflakjes së Prekazit; ta mbroje publikisht të drejtën e bashkimit kombëtar; t’i thoshe lamtumirë patriotit revolucionar në Tiranë, mbi mortin e të cilit neokomunistët e demokracisë, shtinin me gisht: komunist, komunist, komunist!

I tillë ishte me veprën e tij intelektuali, shkrimtari, studiuesi e Profesori Agim Vinca. I tillë ishte me veprën mendore dhe jetësore, i tillë shfaqet edhe me këtë vepër: lirik, fjalëzgjedhur, i pakompromis! / KultPlus.com

Albanologia Ke Jing, vlerësohet me diplomën e anëtarit të nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Ditën e djeshme, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në sallën “Aleks Buda” u zhvillua ceremonia e dorëzimit të diplomës së anëtarit të nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof. dr. Ke Jing, albanologe, studiuese e letërsisë, gjuhës, identitetit dhe kulturës shqiptare; drejtuese projektesh albanologjike; përkthyese e letërsisë shqipe në gjuhën kineze.

Në ceremoni merrnin pjesë anëtarët e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, profesorë , i Ngarkuari me Punë i ambasadës kineze në Shqipëri, zëvendësrektori i BFSU, prof. dr. Jia Dezhong si dhe staf akademik i BFSU.

Ceremonia u hap nga Zv.kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademiku Vasil Tole, i cili ftoi Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi për të përshëndetur. Gjinushi në fjalën e tij bëri një profil të shkurtër intelektual të kandidates Ke Jing duke iu drejtuar Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me arsyet e përzgjedhjes për ta vlerësuar me diplomën e anëtarit të nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ke Jing.

Gjinushi theksoi se në rrugën e vështirë të albanologjisë profesore Ke Jing hyri shumë vite më parë, qysh me mbrojtjen e doktoratës në Universitetin e Luisvillit në SHBA (Louisville University), me një studim monografik kushtuar veprës së Ismail Kadaresë dhe identitetit kombëtar shqiptar vështruar përmes të ndryshmit të pranishëm në këtë vepër, me titullin “Katër të tjerët në veprën e Kadaresë: një studim mbi identitetin shqiptar”.

Për disa vite me radhë profesore Ke Jing ka drejtuar katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja në Pekin, duke e ringritur atë nga themelet dhe duke e shndërruar në qendrën më të madhe të albanologjisë në Azi, konkurrente për veprimtarinë e saj cilësore në kuadër të albanologjisë botërore. Për më tepër vazhdoi Gjinushi-përveç hartimit të teksteve bazë të mësimdhënies universitare për gjuhën shqipe, letërsinë, kulturën, historinë dhe identitetin shqiptar; me kujdesin e saj pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit u ngrit Qendra e Studimeve Shqiptare, e cila publikon rregullisht buletinin e vet shkencor dhe informues, me titullin “Syri i kaltër”.

Prof. Ke Jing është themeluese e projektit universitar “Shqip plus”, që synon orientimin e studimeve drejt gjuhëve të tjera të Ballkanit përmes shqipes. Fjalori shqip-kinezisht dhe kinezisht shqip me rreth 80 mijë fjalë (në të dyja gjuhët), i botuar para pesë vjetësh, është një arritje e madhe leksikografike e saj dhe e bashkëpunëtorëve që e kanë realizuar. Kandidatja Ke Jing -vazhdoi Gjinushi-është bashkëdrejtuese e projektit për botimin e 25 titujve nga letërsia dhe shkenca shqiptare në gjuhën kineze dhe drejtuese e një skuadre përkthyesish nga më të zotët ndër disa breza, që po krijojnë një minibibliotekë të librit shqip në Pekin, duke filluar nga poema” Milosao” e Jeronim De Radës, deri te veprat e akademikëve tanë Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Arben Puto e Fatos Kongoli. Me ndikimin e saj shkencor e intelektual, afërsisht 60 personalitete të letërsisë shqipe do të zënë vend në botimin e ri të “Enciklopedisë Kineze” të letërsisë. Prof.dr. Ke Jing është pjesëmarrëse e rregullt dhe profesore e ftuar si albanologe në konferenca dhe ngjarje shkencore ndërkombëtare kushtuar problematikave të kulturave e qytetërimeve në Ballkan.

Bazuar në nenin 12 pika 3 të Statutit-përfundoi Gjinushi- dhe me pëlqimin e dhënë nga të dy seksionet për zgjedhjen e prof. Ke Jing anëtare të jashtme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me motivacionin:

Albanologe e mirënjohur, me studime të thelluara cilësore në çështje të historisë së letërsisë, të gjuhës, të kulturës e të identitetit shqiptar; nismëtare e drejtuese e suksesshme projektesh shkencorë dhe kulturorë për njohjen dhe përurimin e trashëgimisë së qytetërimit shqiptar në vendin e saj dhe në një shkallë më të gjerë; figurë qendrore e studimeve shqiptare në Kinë dhe autore referenciale për çështje të karakterit të ekspertizës albanologjike; me një rol vetjak shumë të rëndësishëm për paraqitjen sistematike dhe me realizëm e përgjegjësi të arritjeve, vlerave dhe meritave të shkollës kineze të studimeve shqiptare në mjedise ndërkombëtare; profesore e drejtuese kërkimesh në shkallë të formuesit të specialistit në albanologji; përkthyese e editore pasionante dhe mike e botës shqiptare.

I kërkoj Asamblesë-vazhdoi Gjinushi të shprehë miratimin e saj me duartrokitje. Pas miratimit me duartrokitje nga Asambleja, Gjinushi shprehu vlerësimin duke falënderuar të pranishmit dhe të cilësonte se tani kish kënaqësinë të firmoste vendimin e Asamblesë e të ftoj prof. Ke Jing të pranojë diplomën, certifikatën dhe shenjën simbolike të nderimit.

Prof. Ke Jing iu dorëzua diploma e anëtarit të nderit e më andej ajo shprehu falënderimet dhe vlerësimet më të larta për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ky është një nder jashtëzakonisht i madh-u shpreh Ke Jing – që më jep Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Në këtë moment, më sillet ndër mend viti 1985, ditët e para kur fillova të mësoj gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës. Që prej atëherë jam lidhur përjetësisht me këtë gjuhë magjike.

Konsiderata dhe vlerësime për punën kërkimore shkencore në lëmin e albanologjisë dhe kontributin e prof. Ke Jing në albanologji, shprehën Emil Lafe, që solli në vëmendje të pranishmëve bashkëpunimin në hartimin e fjalorit kinezisht-shqip si dhe një panoramë të shkurtër të bashkëpunimit ndërakademik me Universitetin BFSU. Më andej, Akad. Floresha Dado vlerësoi shumë lart punën organizative, hartimin e projekteve në lëmin e albanalogjisë si dhe kontributin e Ke Jing në forcimin e marrëdhënieve ndërakademike midis Universitetit BFSU me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Roland Zisi, Rektori i “Universitetit Ismail Qemali” të Vlorës , një nga institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri që bashkëpunon ngushtë me Universitetin BFSU, nënvizoi bashkëpunimet e përbashkëta në fushën e studimeve albanalogjike si dhe kontributin intelektual të Ke Jing

Në emër të Universitetit BFSU, përshëndeti Zëvendësrektori , Jia Dezhong, i cili vlerësoi lart punën akademike të Ke Jing , por sidomos kontributin e saj në studimet albanologjike si dhe bashkëpunimin me institucionet arsimore dhe kërkimit shkencor në Shqipëri, ku veçoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë si institucioni udhëheqës i kërkimit shkencor në Shqipëri.

Ceremonia u përmbyll në një atmosferë të ngrohtë e miqësore ku mbizotëroi fryma e bashkëpunimit dhe vazhdimësia e projekteve të përbashkëta në albanalogji mes institucioneve kërkimore shkencore, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetit BFSU. / KultPlus.com

Sot, 79-vjetori i Çlirimit të Tiranës

Data e sotme, 17 nëntor shënon 79-vjetorin e çlirimit të Tiranës nga ushtria gjermane në vitin 1944.

Lufta për çlirimin e Tiranës ishte operacioni më i madh i shkallës operativo-strategjike i zhvilluar nga UNÇSH-ja kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.

Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korpomatës së I Sulmuese. Shtabi i korpomatës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme.

Plani parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim mbylljen dhe goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës. Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor).

Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29.10 – 17.11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua.

Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë.

Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH. Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij./ atsh / KultPlus.com

Kryevepra e gjetur e varur në kuzhinën e një gruaje franceze niset drejt Luvrit (VIDEO)

Një kryevepër e humbur prej kohësh që daton nga viti 1280 është nisur për në muzeun Luvër pasi u gjet e varur në kuzhinën e një gjyshe franceze.

“Christ Mocked”, një pikturë nga artisti Cimabue, i njohur ndryshe si Cenni di Pepo, u rizbulua në vitin 2019, kur një grua e moshuar nga qyteti Compiegne vendosi ta vlerësonte atë.

Piktura kishte vite që qëndronte e varur në kuzhinën e saj.

Vepra e artit u hodh në ankand për rreth 26.8 milionë dollarë, por qeveria franceze e ndaloi atë të eksportohej, duke e shpallur atë si një “thesar kombëtar”.

Rima Abdul Malak, ministrja franceze e kulturës dhe Laurence des Cars, presidente dhe drejtore e Muzeut të Luvrit, thanë se piktura tani do të ketë një shtëpi të re si pjesë e një ekspozite në muzeun e famshëm të Parisit.

Dyshja njoftoi se qeveria franceze e kishte blerë pikturën nga fituesi i ankandit.

“Christ Mocked” dhe një tjetër pikturë e Cimabue, e titulluar “Maestà”, do të shfaqen në Luvër në një ekspozitë që do të hapet më 2025./KlanKosova/KultPlus.com

Mesazhi i Lorik Canës për Ditën e Arbëreshëve dhe Samitin e tretë të Diasporës

Kryeministri Edi Rama përcolli sot mesazhin e futbollistit Lorik Cana për pjesëmarrje në Ditën e Arbëreshëve dhe Samitin e tretë të Diasporës që pritet të zhvillohen në Tiranë më 22 dhe 23 nëntor.

Rama bëri të ditur se ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare të futbollit Lorik Cana po përgatit edhe një dokumentar për arbëreshët.

“Vetëm pak ditë na ndajnë nga Dita e Arbëreshëve dhe Samiti i tretë i Diasporës e së bashku me Lorik Canën, futbollistin tonë, i cili prej muajsh po përgatit një dokumentar shumë interesant për arbëreshët, ju ftojmë të na bashkoheni në 22 dhe 23 nëntor për të bashkëbiseduar për artin, kulturën, arsimin, sportin dhe biznesin, çështje që na prekin të gjithëve ne. Le të shohim të ardhmen së bashku”, u shpreh Rama.

Cana në mesazhin e tij përcjell ftesën për Ditën e Arbëreshëve dhe Samitin e tretë të Diasporës siç shprehet ai “si shqiptar i Kosovës i rritur në Diasporë”.

“Në 22 nëntor është dita e arbëreshëve, një identitet i yni jashtë vendit, por që e kemi pasur në zemër. Ky komunitet ka luajtur një rol kyç në historinë tonë dhe që meriton të jetë në qendër të vëmendjes. Më 23 nëntor, në Samitin e Tretë të Diasporës, me bashkatdhetarë për të bashkëbiseduar për të ardhmen e përbashkët”, tha Cana./atsh/KultPlus.com

Destinacion turistik, shtegu që lidh malet mes Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë

Shtegu ndërkombëtar i turizmit malor në rajonin ndërkufitar midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës është kthyer tashmë në një destinacion të turizmit rajonal dhe më gjerë.

Eventi final i High Scardus Trail me partnerë lokalë, operatorë dhe ekspertë të turizmit, shënoi përfundimin e punës zhvillimore të produktit, si edhe përmbylljen me sukses të sezonit të parë të shtegut.

Ky shteg përbëhet nga 6 parqe kombëtare dhe një total prej 495 km shtigjesh.

High Scardus Trail shtrihet përmes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ku përveç panoramës fantastike, e tillë është edhe mikpritja e banorëve vendas për miqtë dhe këdo që përshkon këtë shteg.

Eksplorartorët e High Scardus Trail, prezantohen me turizmin e natyrës dhe aventurës duke i promovuar në botë, bukuritë e kësaj zone të Ballkanit në mënyrën më të mirë të mundshme për të ndarë mikpritjen, bujarinë dhe panoramën plot ngjyra.

Ka mbetur ende shumë punë përpara, grupi që po punon për më shumë promovim tëkëtij shtegu, shprehet se është në një pjesë të mirë të këtij rrugëtimi, për të nxitur të apasionuarit të fillojnë të planifikojnë aventurën tuaj të ngjitjes malore për vitin 2024, ku i pret një përvojë e re./atsh/KultPlus.com

‘Për ty Atdhe, ma të bukurën kangë, me fuqinë e kësaj zemre do të kendoj’ (VIDEO)

Ramë Lahaj është tenor shqiptar i njohur në botë.

Lahaj konsiderohet si një ndër artistët e parë kosovarë të operës, i cili ka interpretuar në teatrot më të mirënjohur të botës, duke ndarë skenën me legjenda të operës si Placido Domingo, i cili më vonë e nderoi atë me çmimin e Konkursit Botëror të Operës “Operalia”.

Gjatë dekadës së parë në profesionin e tij, Lahaj shfaqet në skenat më prestigjioze të teatrove të operës. Duke përfshirë në këtë rast Opera House Covent Garden, Paris National Opera, Moscow Bolshoi Theater, Gran Teatre del Liceu, Arena di Verona, Opera Australia Sydney, Los Angeles Opera, Teatro Real-Madrid, Deutsche Oper Berlin, StaatsoperBerlin, Haus Für Mozart-Salzburg, Semperoper Dresden, Royal Albert Hall, Opera Tel Aviv, Teatro Massimo di Palermo dhe shumë të tjerë.

KultPlus, sot ju sjell një interpretim të tij ‘Për ty atdhe’:

Për ty Atdhe

Për ty Atdhe,
ma të bukurën kangë,
me fuqinë e kësaj zemre do të kendoj,
për këto male,
për këto fusha të gjana,
për këtë vend ku sot i lumtur jetoj.

Për këto male,
për këto fusha të gjana,
për këtë vend ku,sot i lumtur jetoj.

x2
I bukur je,
ngrihesh madhështor,
si një kështjellë e pamposhtur ti qëndron,
në mes dallgësh
shkëmb graniti vigan,
s’u përkule nga çdo stuhi e tufan./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Diaspora e Kosovës urë lidhëse me botën

Forumi Ndërkombëtar Ulpiana synon avancimin e marrëdhënieve mes qeverive dhe politikave nëpërmjet angazhimit të diasporës.

Në këtë forum fjalën e mori ministrja e Punëve të Jashtme e të Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, e cila shpërfaqi përvojën e saj në kohën sa ka jetuar në vendet e huaja, si dhe kthimin e saj në atdhe për të kontribuar në përparimin e vendit.

Ajo, mes tjerash, ka folur për çështjet e ndjeshme që preokupojnë diasporën, qoftë në aspektin identitar, kulturor, por edhe në atë ekonomik, për të ndihmuar zhvillimin e vendit të origjinës.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se komuniteti i diasporës nuk është një grup individësh, por urë lidhëse e atdheut  me botën.

“Komuniteti i diasporës ka luajtur rol në formësimin vendit të  origjinës së tyre. Diaspora është më shumë se grup individësh, është urë lidhëse e vendit me botën”, tha mes tjerash kryeministri Kurti.

Ai shtoi se kontributi tyre është i pamatshëm.

“Kosovarët, që jetojnë jashtë, folën për ata që nuk mundën të flisnin për krimet e që fshiheshin nga propaganda për gjenocidin në vendin e tyre”, tha, më tutje, kryeministri Kurti.

Kurti, më tej, ka folur për kontributin e diasporës në aspektin ekonomik, qoftë përmes remitancave, qoftë përmes investimeve në forma të ndryshme, etj.

Sipas tij, ky forum është i pari i këtij lloji, që grumbullon mbi 21 shtete dhe që mundëson lidhjen me vendin./RTK/KultPlus.com

Mezana Kostreci sjell koncert recital me repertor klasik

Merzana Kostreci, pianistja e mirënjohur, ka mbajtur një koncert recital piano solo me një repertor klasik, në hollin e Universitetit të Arteve, të mërkurën.

Koncerti filloi me sonatën Chopin nr 3, kompozitorit romantik. Më pame një tjetër sonatë nga Beethoven, sonata me përfundimtare dhe me një stil klasik. Dhe u finalizua me një vals nga kompozitori Franz Liszt.

Pianistja, e cila prej shumë vitesh jeton në SHBA, u rikthye ne Tiranë me ftesën e Universitetit të Arteve, shoqëruar me një master class për studentët e Fakultetit të Muzikës.

Merzana Kostreci e ka lënë Shqipërinë në moshën 16 vjeçare, ku u pranua si talent i veçantë në Unversitetin e Muzikës në Keln. Gjatë qëndrimit aty pati shumë eksperienca, një ndër to në Konservatorin Superior të Parisit dhe më pas është zhvendosur në SHBA.

Ku aktualisht ka një karrierë të pasur me recitale solo, një ndër to edhe në Departamentin e Shtetit. Ndërsa mësimdhënia e pianos është puna e saj e përditshme.

Me një pritje të ngrohtë artistja u shpreh e lumtur dhe e privilegjuar nga niveli i studentëve të pianos dhe për faktin që dha kontributin e saj këtu./TopChanel/KultPlus.com

Kryeministri Kurti takohet me anëtaren e Asamblesë Parlamentare të Bosnjës dhe Hercegovinës, flasin për nevojën e lëvizjes së lirë mes dy shteteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka takuar anëtaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjës dhe Hercegovinës, Sabina Ćudić.

Në këtë takim, ndër të tjera u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet të dyja vendeve.

“Diskutuan për mundësitë dhe format e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për potencialin e këtij bashkëpunimi për qytetarët e të dyja vendeve, si dhe për situatën në rajon në këtë kohë të krizave të shumëfishta në kontinentin tonë evropian dhe në botë.

U theksua edhe nevoja e udhëtimit të lirë ndërmjet dy vendeve, e që marrëveshja për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në kuadër të Procesit të Berlinit më së miri e adreson, si hap i rëndësishëm i përafrimit dhe rritjes së shkëmbimit ndërmjet shtetasve të Kosovës dhe Bonjës dhe Hercegovinës. Kryeministri Kurti e përgëzoi deputeten Ćudić për qëndrimet e saj, e falënderoi për vizitën, dhe i ofroi asaj bashkëpunim të mëtejmë”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

‘Pianodrom’ sjell koncertin recital të pianistit me famë ndërkombëtare, Pascal Gallet

Festivali Ndërkombëtar “Pianodrom” i organizuar edhe këtë vit për artdashësit nga kompozitori i njohur Aleksandër Peçi sjell në Tiranë recitalin e një prej pianistëve më të mirë aktualisht, Pascal Gallet. Koncerti në kuadër të festivalit do të mbahet me 21 nëntor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Bëhet fjalë për një recital me pjesë të zgjedhura ku veçohet sonata “Tocco del Anima” e kompozitorit Peçi i cili e ka shkruar atë posaçërisht për koncertin në fjalë të pianistit me famë ndërkombëtare.

Gallet vjen në Tiranë pas një turneu të suksesshëm në Shangai dhe qytete të tjera të Kinës. Recitali pritet të sjellë atmosferë emociuese edhe për vetë repertorin që pritet të luhet nga pianisti nga Franca.

Pianisti në dedikimin që i bën koncertit shprehet se sonata “Tocco del Anima” e kompozitorit Peçi e frymëzon si një vepër e arrirë. Por, koncerti do të ketë edhe vepra të tjera të muzikës elitare e me supervlera të metafizikës së shpirtit. Disa autorë që do të luhen janë Liszt, Rahmaninov, Messiaen, Jolivet, Cosma, Bumki Kim.

Pianodromi i sivjetshëm parasheh të luhen 16 sonata premierë botërore.

Pianodrom vjen për publikun me aktivitete të shtrira në disa data për të mbledhur sa më shume dashamirës të muzikës dhe për të qenë edhe pjesë e atmosferës së festave. Pianodrom vlerësohet si pol i kulturës dhe festivali më i madh në Shqipëri i modernizimit të kompozicionit shqiptar./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani pjesë e samitit teknologjik ‘Web Summit’: Kosova shembull inspirues

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po merr pjesë në samitin më të madh të teknologjisë në botë, në ‘Web Summit’ të Lisbonës, shkruan KultPlus.

Presidenja Osmani është shrehur se sektori gjithnjë e në rritje i teknologjisë në Kosovë, e pozicionon vendin tonë si një shembull inspirues në sektorin e teknologjisë informative.

“Në samitin më të madh të teknologjisë në botë, në Web Summit në Lisbonë, fola për kontributin pozitiv që po e jep teknologjia në drejtim të avancimit të bashkëpunimit e komunikimit global, duke nxitur zgjidhje inovative në çdo sektorë. Mirëpo, teknologjia duhet të jetë gjithnjë në shërbim të njerëzimit dhe jo ta mbizotërojë atë. Duhet të jemi gjithnjë e më të angazhuar për të garantuar gjithëpërfshirjen, diversitetin dhe etikën në çdo hap të këtij rrugëtimi transformativ”, ka thënë Presidentja Osmani/KultPlus.com

Publikohen katër episodet e para të sezonit së fundit të “The Crown”

Sezoni i gjashtë i dramës “The Crown” përshkruan ngjarjet e fundit të viteve 1990, duke përfshirë marrëdhënien e Princeshës Diana me Dodi Fayed.

Episodet e reja tregojnë gjithashtu ngjarjet që çuan në vdekjen e Dianës në 1997 dhe pasojat që shkaktoi vdekja e saj.

Megjithatë, publikimi i këtij edicioni është pritur me kritika për pasaktësitë historike.

“Shikuesit shpesh presin një shkallë të caktuar saktësie me shfaqjen sepse cilësia e prodhimit është shumë e lartë, por ne nuk e kuptojmë gjithmonë këtë” tha Kelly Swaby, një historiane mbretërore.

Netflix thotë se shfaqja “është paraqitur gjithmonë si një dramë e bazuar në ngjarje historike”.

Mirëpo sezoni i ri është i ndarë në dy pjesë. Katër episodet e para utransmetuan në Netflix të enjten, ndërsa gjashtë episodet e mbetura do të pasojnë më 14 dhjetor.

Seriali i fundit është shkruar edhe një herë nga Peter Morgan, i cili krijoi shfaqjen jashtëzakonisht të popullarizuar që ka nisur që nga viti 2016.

Në lidhje me vdekjen e Dianës, do të duhej të ishte menduar mirë në portretizimin e saj, sepse “Harry dhe William janë ende të prekur nga vdekja e nënës së tyre dhe tani kjo po kthehet në argëtim./21Media/KultPlus.com

Premiera e operas “Atilla” e Verdit mirëpritet nga artdashësit në TKOB

 Premiera e operas “Atilla” e kompozitorit të famshëm italian Giuseppe Verdi, u mirëprit mbrëmjen e djeshme në Teatrin e Operës dhe Baletit në kryeqytet.

Kjo opera përcolli për artdashësit që kishin mbushur sallën e TKOB mesazhe të ndjeshme të aktualitetit e modernitetit, për konfliktet e mëdha etike, luftërat civile dhe politike, si dhe përplasjen mes brezave.

Kjo opera përcolli për artdashësit që kishin mbushur sallën e TKOB mesazhe të ndjeshme të aktualitetit e modernitetit, për konfliktet e mëdha etike, luftërat civile dhe politike, si dhe përplasjen mes brezave.

Në këtë shfaqje interpretuan solistët dhe kori i TKOB dhe orketra simfonike me dirigjent Jacopo Sipari di Pescasseroli, regjisore Ada Gurra, kostumografi Edlira Qyshka dhe dirigjent kori Dritan Lumshi.

Solistë në vepër janë emra të njohur të skenës shqiptare dhe asaj të huaj si në rolin e Attila: Petar Naydenov; në rolin e Ezio: Armando Likaj, Evez Abdulla; në rolin e Odabella: Eva Golemi, Ramona Tullumani; në rolin e Foresto: Amadi Lagha; në rolin e Uldino: Matias Xhelil; Andi Istrefi dhe në rolin e Leone: Bledar Domi, ndërsa koncertmaestër janë Etrita Ibrahimi, Herta Cane dhe Thanas Paskali.

Kjo opera, e cila u ngjit për herë të parë në skenën e TKOB, ka në qendër tragjedinë e shekullit V të mbretit të Hunëve, Atilës, dhe rezistencën e popullit italian, me në krye guximtaren Odabella, ndjekur nga gjenerali Ezio dhe i dashuri i saj Foresto.

Heroizmi i vajzës italiane, Odabellës, e cila me trimërinë e saj arrin të fusë në kurth pushtuesin barbar, duke u hakmarrë kështu ndaj vdekjes së të atit, bën që historia të shkruhet në favor të drejtësisë.

Opera Attila” do të vijë për katër mbrëmje të tjera në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në datat 16 18 dhe 19 nëntor./atsh/KultPlus.com

Shqipëria ‘mposht’ Rusinë edhe në UNESCO, Kadare: Do të punojmë për Kosovën

Me 134 vota, Shqipëria është zgjedhur dje (15 nëntor) me votim të fshehtë anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, tjetër tregues se Shqipëria sa vjen e po fiton pozita të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

Ambasadorja shqiptare në UNESCO, Besiana Kadare, ka thënë se zgjedhja në këtë detyrë i jep peshë të madhe politike Shqipërisë.

“Një lajm shumë i bukur për diplomacinë shqiptare që dëshmon dhe besueshmërinë që gëzojmë si partner i besueshëm dhe i përgjegjshëm. Zgjedhja i jep peshë politike të madhe vendit tonë”, komentoi sot Besiana Kadare në një intervistë për “Report Tv”, duke shtuar se “është bërë një lobim i madh prej më shumë se një viti edhe në New York”.

Veç vendit anëtar në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s, Shqipëria gjatë muajit tetor u bë edhe anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, ku në garë ishte me Rusinë.

Oferta e Rusisë për të qenë anëtare e këtij këshillit ishte rrëzuar për shkak të pushtimit të saj të Ukrainës.

Rusia konkurronte me Bullgarinë dhe Shqipërinë për dy vende të hapura të caktuara për grupin rajonal të Evropës Lindore, por mori vetëm 83 vota në një votim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Sikurse në rastin e Këshillit për të Drejtat e Njeriut, edhe në votimin për Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s, Shqipëria ka lënë jashtë Rusinë.

Për katër vende në bordin ekzekutiv të UNESCO-s konkurronin 6 shtete. Krah Shqipërisë, anëtare janë zgjedhur edhe Sllovakia, Republika Çeke dhe Serbia. Ndërsa Shqipëria mori 134 vota, Rusia mori vetëm 94 duke mbetur jashtë për herë të parë në historinë e UNESCO-s.

“Është hera e parë që ndodh që Rusia të humbë në të gjithë historinë e krijuar në UNESCO. Është hera e dytë brenda një muaji që Shqipëria fiton një votë në një vend në organ ndërkombëtar. Pak javë më parë Shqipëria fiton në Këshillin e të Drejtave të Njeriut ku Rusia sërish humbi. Kjo është shumë domethënëse. Është një sinjal i fortë që komuniteti ndërkombëtar i ka dhënë Moskës”, nënvizon Kadare.

Ambasadorja shqiptare në UNESCO tha se do të punojnë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, por edhe në të tjera ndërkombëtare.

Megjithatë, ajo e pranon se prania e Serbisë në këtë Bord është problematike për rastin e Kosovës.

“Anëtare në Bordin Ekzekutiv është dhe Serbia që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kundërshton anëtarësimin e saj në OKB dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë UNESCO-n. Madje ka lobuar kundër pranimit të Kosovës në UNESCO”.

“Kosova është projekti që do të punojmë në të ardhmen. Kosova aty e ka vendin, herët a vonë e kjo do të ndodhë”, tha ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare.

Ndërkohë mbetja jashtë e Rusisë u komentua dje edhe nga presidenti i Ukrainës.

“Për herë të parë në histori, Rusia ka ngelur jashtë Bordit Ekzekutiv i UNESCO-s. Epoka e ndikimit rus ka përfunduar dhe me të drejtë: terroristët rusë nuk kanë vend në krye të organeve të rëndësishme ndërkombëtare. Roli ndërkombëtar i Rusisë do të vazhdojë vetëm dobësohen”, shkroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky në rrjetin social X.

Jashtë bordit ekzekutiv të UNESCO-s ka mbetur dhe Uzbekistani.

GAP: Gratë në Kosovë zotërojnë vetëm 15% të pronave, krahasuar me 74% që zotërohen nga burrat

Gratë në Kosovë zotërojnë vetëm 15% të pronave, krahasuar me 74% që zotërohen nga burrat, ndërsa pjesa e mbetur e pronave prej 11% është në pronësi të personave/subjekteve juridike.

Kjo u bë e ditur në raportin e Institutit GAP  “Në kërkim të barazisë financiare: Qasja në financa për bizneset në pronësi të grave dhe të pakicave etnike”, i cili është mbështetur nga USAID përmes Aktivitetit të Angazhimit Ekonomik Gjithëpërfshirës, në partneritet me CDF.

“Niveli i ulët i zotërimit të pronave krijon probleme të ndryshme ekonomike dhe sociale për gratë, siç është mungesa e kolateralit të mjaftueshëm për të marrë hua”, theksohet në raport.

Më tej, në të potencohet se rreth 16% e numrit gjithsej të llogarive bankare të biznesit në Kosovë janë në pronësi të grave, 82% janë në pronësi të burrave dhe 2% janë të regjistruar në bashkëpronësi.

“Bizneset në pronësi të grave në Kosovë kanë 2.4 herë më pak hua sesa ato në pronësi të burrave. Konkretisht, niveli i borxhit aktiv për bizneset në pronësi të grave është 642.6 milionë euro, ndërsa për burrat është 1.6 miliardë euro. Për më tepër, bizneset në pronësi të grave zotërojnë 14.2 herë më pak depozita se ato në pronësi të burrave, apo vetëm 111.9 milionë euro krahasuar me bizneset në pronësi të burrave që zotërojnë 1.58 miliardë euro depozita”.

Sipas raportit, ngjashëm, është edhe tek llogaritë individuale gratë zotërojnë 2.42 herë më pak depozita sesa burrat në llogaritë e tyre individuale. Shuma e depozitave të zotëruara nga gratë në llogaritë e tyre bankare është 829.5 milionë euro, ndërsa nga burrat është 2.01 miliardë euro.

“Në gjashtë vitet e fundit (2016-2022), Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) ka ndihmuar me ofrimin e garancisë për 12,653 hua, nga të cilat 1,725 (14%) janë për biznese në pronësi të grave. Shuma totale e huazuar që FKGK ka garantuar pjesërisht nga viti 2016 deri në vitin 2022 për bizneset në pronësi të grave është 63.3 milionë euro ndërsa për bizneset në pronësi të burrave është 458.9 milionë euro. Ndonëse FKGK ka kontribuuar jashtëzakonisht në edukimin financiar dhe qasjen në financa për gratë, duke ofruar garanci për kapërcimin e sfidës së kërkesave për kolateral, ende ka shumë punë që duhet bërë nga politikëbërësit”, thuhet në kumtesën e GAP-it.

Bazuar në gjetjet e këtij raporti, Instituti GAP u rekomandon politikëbërësve, institucioneve financiare dhe palëve të tjera të interesuara të promovojnë edukimin financiar dhe përfshirjen për gratë duke ofruar financim të synuar dhe programe investimi, si dhe duke krijuar mundësi për mentorim dhe rrjet-formim.

Rama ndan atmosferën nga Panairi i Librit: Kënaqësi të shohësh kaq shumë interes në këtë organizim vlerash

Nën moton “Libri na bashkon të gjithëve” është çelur në kryeqytet edicioni i 26-të i Panairit të Librit “Tirana 2023”, me pjesëmarrjen e 95 shtëpive botuese.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale atmosferë e bukur në hyrje të Panairit të Librit, i cili çdo vit tërheq gjithmonë e më shumë lexues.
Rama u shpreh se është kënaqësi të shohësh kaq shumë interes në këtë organizim vlerash dhe promovimi të leximit.

Panairi i librit përgjatë 5 ditëve do të mbledhë bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues, të cilët njihen me botimet e reja, diskutojnë mbi problematikat e letërsisë bashkëkohore, përkthimit në gjuhën shqipe dhe shumë aktivitete të tjera me autorë dhe studiues.

Panairi do të shoqërohet me gjithashtu nga një sërë aktivitetesh promovuese, ndërsa në 18 nëntor do të ndahen edhe 4 çmimet e përvitshme, të përzgjedhura nga juria e kryesuar nga gazetarja Arta Marku.

Festa e librit tashmë është kthyer në traditë, ku dashamirësit e librit frekuentojnë ambientet e Pallatit të Kongreseve. Për të gjithë lexuesit e rregullt, ky panair është një nga eventet më të rëndësishme dhe një nga ngjarjet më të mëdha për gamën e madhe të shtëpive botuese dhe për numrin e madh të titujve.

Panairi i Librit “Tirana 2023” do të qëndrojë i hapur deri më 19 nëntor për vizitorët në Pallatin e Kongreseve. /atsh / KultPlus.com

UC Berkeley planifikon të ofrojë një kurs unik të përqendruar në Taylor Swift

UC Berkeley në Kaliforni ka vendosur të ofrojë një kurs unik të përqendruar në ikonën e popit Taylor Swift, të titulluar “Artistry and Entrepreneurship: Taylor’s Version”.

Kursi, pjesë e Shkollës së Biznesit Haas të Berkeley, synon të eksplorojë aftësinë e Swift për t’u lidhur me dëgjuesit përmes lirikës, markës dhe zanatit, duke shqyrtuar se si arti dhe origjinaliteti kontribuojnë në vlerën e qëndrueshme dhe një sipërmarrje të qëndrueshme.

Crystal Haryanto, një i diplomuar në ekonomi dhe një student aktual do të bashkë-mësojnë klasën, e cila mbulon letërsinë, ekonominë, biznesin dhe sociologjinë, dhe përfshin leksione ndërvepruese, lexime dhe detyra dëgjimi për një kohëzgjatje 13-javore. / KultPlus.com

Ju mund të merrni me qira shtëpinë e Winnie the Pooh në airbnb

Shtëpia e Winnie the Pooh ofrohet me qira në Airbnb në Ashdown Forest, UK.

Kim Raymond, ilustruesi i Winnie the Pooh, solli në realitet shtëpinë e personazhit duke marrë frymëzim nga E.H. Dekorimet origjinale të Shepard.

“Bearbnb” ofron dy akomodime të ndryshme, secila prej të cilave strehon deri në katër mysafirë në të njëjtën kohë. Është një vend unik për fansat e Winnie the Pooh që të zhyten plotësisht në botën ikonike të Pooh and Friends.