Monumente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Vithkuq

Vithkuqi është një prej fshatrave më të bukur turistikë në Korçë, me një pasuri të rrallë kulturore, të cilën e dëshmojnë edhe kishat, monumente të veçanta me vlera arkitektonike dhe artistike.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, ndau në rrjetet sociale pamje nga kisha e Shën Mëhillit, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qarkut Korçë dhe dëshmi e gjallë e pasurisë kulturore dhe historike të kësaj zone.

Kisha e Shën Mëhillit është një shembull i shkëlqyer i arkitekturës dhe artit fetar që ka karakterizuar këtë zonë për shekuj me radhë.

“Nga Kisha e Shën Mëhillit në Vithkuq deri tek qyteti i Korçës, trashëgimia kulturore e kësaj zone është një pasuri që vazhdon të jetojë, duke kontribuar në ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare”, shkruan Filo.

Vithkuqi është vendtakimi mes natyrës mbresëlënëse, artit mesjetar dhe mikpritjes.

Vizitorët vendas e të huaj e identifikojnë Vithkuqin si fshatin e kishave e manastireve, sepse dikur ka pasur më shumë se 24 të tilla, mes të cilave Manastirin e Shën Pjetrit, Kishën Shën Mërisë, Kishën e Shën Mëhillit, Kishën e Shën Thomait dhe Kishën e Shën Gjergjit.

Kishat e Vithkuqit të tipit bazilikë janë të pasura me afreske dhe ikonastase të punuar nga mjeshtërit e pikturës, vëllezërit Zografi./atsh/KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Grave Gjyqtare

Sot është Dita Ndërkombëtare e Grave Gjyqtare. Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se, përfaqësimi i grave në gjyqësor është i rëndësishëm për shumë arsye. Përveç garantimit që sistemi ligjor të zhvillohet duke pasur parasysh të gjithë shoqërinë, ai gjithashtu frymëzon gjeneratën e ardhshme të gjyqtareve femra dhe i motivon ato për të arritur qëllimet e tyre.

“Vetëm përmes pjesëmarrjes aktive të grave, në kushte të barabarta me burrat, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, ne do të arrijmë të arrijmë zhvillim të qëndrueshëm, paqe dhe demokraci”, thekson OKB-ja.

Gratë gjyqtare sjellin këndvështrime dhe përvoja të ndryshme, duke forcuar sistemet gjyqësore. Gratë në role drejtuese ndihmojnë në prishjen e rrjeteve të marrëveshjeve të fshehta, duke i dhënë një goditje korrupsionit.

Pavarësisht angazhimit të shtuar të grave në jetën publike, ato mbeten dukshëm të nënpërfaqësuara në pozitat vendimmarrëse, veçanërisht në pozita të larta drejtuese gjyqësore.

OKB bën thirrje për më shumë vëmendje ndaj Ditës Ndërkombëtare të Grave Gjyqtare, e cila këtë vit kremtohet me temën “Gratë në Drejtësi, Gratë për Drejtësi” për të promovuar pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të grave në të gjitha nivelet e gjyqësorit, për të festuar progresin që është bërë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për sfidat e ardhshme./atsh/KultPlus.com

24 vjet nga vdekja e piktorit të shquar, Fatmir Haxhiu

Fatmir Haxhiu është njëri ndër piktorët më të shquar shqiptar, shkruan KultPlus.

Ai lindi në vitin 1927 në qytetin e Gjirokastrës. Më pas familja e tij u zhvendos në Tiranë, aty ku piktori do të jetëoj deri në ditën e vdekjes, më 10 mars të vitit 2001.

Haxhiu kryen me sukses studimet në Zagreb për t’u kthyer në atdhe me pasion të madh për pikturën. Fatmir Haxhiu do të marrë pjesë në aktivitete artistike e festa kombëtare.

Vitet ’50 janë shumë të frytshme për të. Ai bëhet krijues i studios së parë ushtarake në Shqipëri, ku pasohet dhe nga artistë të tjerë, derisa në vitin 1959 merr pjesë në ekspozitën kombëtare të pikturës, ku vlerësohet me çmimin e dytë. Haxhiu ka qenë aktiv me vizatime e grafika në revistën “10 korriku”, po ashtu ka krijuar shumë ilustrime me emocion dramatik.

Gjatë karrierës së tij të pasur, Haxhiu, nderohet me shumë cmime të rëndësishme, përfshirë Çmimin e Republikës së shkallës së parë dhe të tretë. Gjithashtu atij iu ndanë titujt e lartë “Piktor i Merituar”, “Mjeshtër i Madh i Punës”.

E, veprat e tij u bënë popullore pasi që ai i botoi ato nëpër shumë gazeta të kohës si “Drita”, “Puna”, “Zëri i popullit”, “Ylli” e të tjera. / KultPlus.com

“Express”: Shqipëria, “Maldivet e Evropës”, ​​destinacioni i ëndrrave për turistët e huaj

Maldivet janë një destinacion ëndrrash për shumë turistë, por gjithashtu është një fluturim i gjatë dhe i shtrenjtë. Megjithatë, ekziston një alternativë shumë më e lirë që është më pranë – dhe po aq e bukur, shkruan Milo Boyd për të përditshmen britanike “Express”.

Maldivet, me shtrirjet e gjera të plazheve të pacenuara me rërë të bardhë dhe detin blu idilik, natyrisht tërheqin vizitorë nga e gjithë bota. Megjithatë, ekzistojnë një sërë arsyesh bindëse pse disa mund të tërhiqeni nga një udhëtim i tillë.

Udhëtimi drejt këtij arkipelagu përfshin një fluturim të gjatë, me një çmim të lartë; me të paktën 2,000 paund për një javë qëndrimi në ato vila të lakmuara mbi ujë gjatë pikut të sezonit – nga dhjetori në prill.

Shqetësimet mjedisore janë gjithashtu të mëdha pasi vendi po përballet me kërcënime ekzistenciale nga nivelet e përshkallëzuara të detit, duke i nxitur vizitorët e ndërgjegjshëm për klimën – të rishqyrtojnë planet e tyre të udhëtimeve.

Megjithatë, ekziston një alternativë më pranë për këtë parajsë të largët. Shqipëria, e quajtur “Maldivet e Evropës”, krenohet me plazhe po aq mahnitëse dhe ujërat e pastra kristal përgjatë Rivierës së saj të mrekullueshme.

Edhe pse vazhdimisht po fiton popullaritet, kjo perlë mbetet një opsion ekonomik në krahasim me pikat e tjera të nxehta evropiane.

“Qëndrimet luksoze ofrohen me çmime të përballueshme – me disa akomodime në plazh që kushtojnë 20 paund nata”, raporton “Mirror”.

Edhe ngrënia jashtë nuk do të dëmtojë buxhetin tuaj, ushqimet dhe pijet shpesh kushtojnë rreth 15 paund.

Shqipëria, me ujërat e saj të kristalta dhe plazhet e bardha të pacenuara, është bërë një temë e nxehtë mes turistëve falë videove virale në TikTok – që e krahasojnë atë me Maldivet, me Ksamilin që e shpall një nga vendet më të lira evropiane.

Dhe, për fat, fluturimet për në Shqipëri janë çuditërisht të përballueshme, me “Ryanair” që ofron bileta vajtje-ardhje për në Tiranë për 30 paund.

Linja ajrore buxhetore ofron fluturime drejt Tiranës nga Birmingham, Bristol, Mançester, Edinburg dhe Londër Stansted.

Për më tepër, “Wizz Air” ofron fluturime ditore nga Luton për në Tiranë të disponueshme për nën 50 paund në maj.

Shqipëria krenohet me kostot më të ulëta të jetesës në Evropë, me dhomat e hoteleve në qendër të qytetit në Tiranë që kushtojnë më pak se 30 paund, përfshirë mëngjesin.

Apartamentet buzë plazhit përgjatë bregut të Adriatikut ofrojnë pak më shtrenjtë.

Nëse zgjidhni të qëndroni në Dhërmi, mund të eksploroni çdo ditë një plazh të ri. Një drekë e këndshme buzë plazhit në zonë kushton vetëm rreth 10 paund për person./atsh/KultPlus.com

Pse njerëzit nuk buzëqeshnin në fotot e vjetra

Të gjithë pak a shumë i kemi lidhur fotot me buzëqeshjen. Ndoshta kjo është për shkak se ne mendojmë se dukemi më mirë kur kamera kap një anë më të këndshme prej nesh. Në veçanti, ne besojmë se një foto e buzëqeshur pasqyron mirëqenien tonë, një mendim mjaft i zakonshëm tani që mediat sociale janë të moderuara. Por nëse kapim fotot e vjetra të shekullit të 19-të apo të 20-të, e kuptojmë menjëherë se atëherë nuk ishte kështu. Por për çfarë shkaktohet kjo? Pse njerëzit, të paktën shumicën e kohës, nuk buzëqeshin në fotot e vjetra?

Pse nuk buzëqeshin në fotot e vjetra?

Ka disa teori që mund të japin një shpjegim të mundshëm për këtë. Sado e çuditshme të duket, në fotografitë e vjetra subjektet, pavarësisht moshës, klasës shoqërore, gjinisë, rrethanës apo gjendjes psikologjike, nuk buzëqeshnin kurrë. Ata duket se kanë fytyra të ngrysyra gjatë gjithë kohës, ndërsa herët e tjera duket se nuk kanë fare emocion. Vështrimi i tyre ishte i ngulur në hapësirë.

Por çfarë ndodhte në të vërtetë? Sipas priftit francez, John Baptist Delasalle, dhëmbët e pambuluar ishin një shenjë e pahijshme. E njëjta gjë besohej në epokën viktoriane. Por, një ndryshim i vogël në këtë teori, i jep një tjetër dimension arsyes pse njerëzit fshehin dhëmbët. Kjo për shkak se dhëmbët e tyre ishin të keq dhe për këtë arsye shmangnin shfaqjen e tyre.

Një tjetër teori është se njerëzit që pozonin për foton ishin të rraskapitur me të drejtë. Koha që duhej të qëndronin në këmbë ose të qëndronin në vend ishte objektivisht e mjaftueshme për t’i bërë ata të humbnin durimin. Kjo sigurisht me kamerat e reja që u shfaqën në vitet 1900, është diçka që ndryshoi. Shkrepja “perfekte” nuk kërkonte më shumë kohë.

Sado e çuditshme që mund të na duket që njerëzit nuk buzëqeshin në fotot e vjetra në krahasim me sot, padyshim që ka një shpjegim logjik pas kësaj. Megjithatë, këto foto gjithmonë do të kenë pak… mister./ KultPlus.com

‘Një poezi është një qytet ku Zoti kalëron nëpër rrugët si Lady Godiva’

Poezi e shkruar nga Charles Bukowski

Një poezi është një qytet plot rrugë dhe puseta
plot me shenjtë, heronj, lypësa, të marrë,
plot me banalitet dhe me gjëra për t’u pirë,
plot me shi dhe bubullimë dhe me periudha
thatësire, një poezi është një qytet në luftë,
një poezi është një qytet që pyet një lavjerrës pse,
një poezi është një qytet që digjet,
një poezi është një qytet nën bombardime
sallat e saj të berberëve plot me sarhoshë cinikë,
një poezi është një qytet ku Zoti kalëron
nëpër rrugët si Lady Godiva,
ku qentë angullijnë natën, e bëjnë flamurin
t’ia mbathë; një poezi është një qytet me poetë,
për me tepër shumë të ngjashëm mes tyre
e lakmiqarë dhe plot me ankime…
një poezi është ky qytet tani,
50 mile nga asgjëja,
9, 09 e mëngjesit,
shija e pijes dhe e cigareve,
as policë as të dashuruar që enden rrugëve,
kjo poezi, ky qytet, që kyç dyert e veta,
i barrikaduar, pothuaj bosh,
i përzishëm pa lotë, i plakur pa mëshirë,
me malet plot shkëmbinj të ashpër,
me oqeanin si një flakë trumze,
një hënë e privuar nga madhështia,
një muzikë e lehtë dritaresh të thyera…/KultPlus.com

Videoklipi i veçantë i këngës “Akoma po të pres” nga grupi 403 (VIDEO)

Grupi 403, të cilët me këngët e tyre janë kthyer në vulë të muzikës shqiptare bashkë me shumë grupe të tjera muzikore, kanë gëzuar tashmë frutet e rikthimit, shkruan KultPlus.

Hektor Gjurgjiali, tekstshkruesi dhe solisti i këtij grupi na shfaqet në forma të ndryshme në këtë këngë.

Varësisht sipas tingullit që del nga një instrument i caktuar, edhe pamja e videoklipit ndërron. Sinti, kitara klasike e ajo elektronike, fizharmonika si dhe bateritë, janë ato të cilat sjellin magjishëm këngën “Akoma po të pres”, teksa zërin e dytë e performon Arta Selimi.

Kjo këngë është komponuar nga Hektor Gjurgjiali dhe është incizuar në vitin 1995 në Tiranë dhe KultPlus më poshtë ua sjell linkun për t’a dëgjuar një mrekulli më vete./ KultPlus.com

Bukowski: Problemi i kësaj botë është se njerëzit inteligjent janë plot dyshime, kurse idiotët të mbushur me vetëbesim

Henry Charles Bukowski ka qenë një poet dhe shkrimtar i njohur. Ai ka lënë pas 6 romane, disa tregime, dhjetëra poezi dhe aforizma që citohen kudo në rrjetet sociale, apo në portale të ndryshme.

Në vazhdim do të keni mundësinë të lexoni disa nga thëniet më të bukura të Bukowskit.

Problemi i kësaj botë është se njerëzit inteligjent janë plot dyshime, kur idiotët janë të mbushur me vetëbesim.

Nuk e di për të tjerët, por kur unë zgjohem në mëngjes dhe vesh këpucët, mendoj: Zot, po tani çfarë?

Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë.

Shumë shpesh njerëzit ankohen se ata nuk kanë bërë asgjë me jetën e tyre; dhe pastaj ata presin që dikush t’ju thotë se kjo nuk është kështu.

Gjenialitet do të thotë të kesh aftësinë për të thënë një gjë mjaft të thellë në mënyrë të thjeshtë.

Ne të gjithë do të vdesim, të gjithë ne, çfarë cirku. Kjo duhet të na bënte të gjithë të donim njëri-tjetrin por jo. Ne jemi të terrorizuar nga rivaliteti me njëri-tjetrin.

Pa letërsi, jeta është një ferr.

Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre.

Nëse do ta provosh me të vërtetë, shkoi deri në fund. Ndryshe, as nuk e ke filluar fare. Nuk ekziston një ndjenjë më e mirë se sa ajo. Do të jesh vetëm me Zotat. Një luftë e vërtetë

Ne jemi këtu për t’i jetuar jetët tona aq mirë, sa që vdekja të trembet për të na marrë.

Unë do të doja një dhjetor me dritat e fikura dhe njerëzit e ndezur.

 Të shkruash poezi nuk është e vështirë. Të jetosh është e vështirë.

Secili ka të metat e tij, dihet. Por unë isha tri herë më lart se persekutorët e mi.

Kaloja para dyqind vetave dhe nuk arrija të shikoja qoftë dhe një qenie njerëzore.

Mendoni për miliona veta që jetojnë së bashku edhe pse nuk iu pëlqen, e urrejnë punën por kanë frikë ta humbasin, nuk ka pse të çuditësh që e kanë atë fytyrë të cilën e kanë.

Jam i sigurtë që do të më jepet një minutë për t’i menduar të gjitha herët që doja ta ulërija atë që ndjeja, por kam heshtur nga frika se nuk do të kuptohem, dhe do të pendohem për synimet të cilat i kam braktisur ngaqë frika se do të dështoja më ka ndaluar t’i vazhdoja.

 Kjo jetë është një e përdalë. Shkon kështu çakërqejf, sepse ka çaste që të lënë shije të hidhur në gojë, e të tjera çaste aq të bukura sa të bëjnë të harrosh paudhësitë e pafundme të jetës.

Ndryshimi midis një demokracie dhe një diktature është se në një demokraci ti voton një herë e pastaj i merr urdhrat; në një diktaturë nuk e shpenzon fare kohën duke votuar.

Nëse një ditë më dëgjoni të flasë për dashuri, e yje… ju lutem, më vrisni!

Filloni ta shpëtoni botën duke shpëtuar një njeri çdo herë; gjithçka tjetër është romantikë madhështore ose politikë.

Është e mundur të dashurosh një qenie njerëzore nëse nuk e njeh atë më tepër se duhet.

Ka gjithmonë diçka që na i rrënon jetët tona. Gjithçka varet se cila prej tyre nga bie hise e para.

Ne të gjithë jemi pengje dhe jemi të gatshëm të merremi peng.

Skllavëria nuk u shfuqizua kurrë, ajo vetëm u shtri për të përfshirë të gjitha ngjyrat. / KultPlus.com

Gjendje e jashtëzakonshme për shkak të zjarreve në Long Island të Nju Jorkut

Zjarre të përhapura me shpejtësi nga erërat e forta dogjën të shtunën një sipërfaqe të madhe toke në Long Island të Nju Jorkut, duke lëshuar shtëllunga të dendura tymi në qiell dhe duke shkaktuar evakuimin e një baze ushtarake dhe mbylljen e një autostrade kryesore.

Guvernatorja Kathy Hochul shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe tha se agjencitë lokale po marrin masa për të vënë nën kontroll zjarret rreth zonës pyjore Pine Barrens. Ajo tha se shtëpitë, një fabrikë kimike dhe një magazinë e kompanisë Amazon ishin në rrezik dhe mund të nevojiten evakuime të mëtjeshme.

“Situata është ende jashtë kontrollit në këtë moment,” i tha Guvernatorja Hochul stacionit televiziv Long Island News 12. “Po shohim që njerëzit duhet të evakuohen nga zona Westhampton.”

Zyrtarët thanë se tre nga katër zjarret u vunë plotësisht nën kontroll, ndërsa zjarri në Westhampton është 50% nën kontroll. Dy ndërtesa tregtare u dogjën pjesërisht, por zyrtarët thanë se shtëpitë nuk ishin në trajektoren e zjarrit. Një zjarrfikës u dërgua në spital për t’u trajtuar për djegie në fytyrë.

“Problemi ynë më i madh është era,” tha drejtuesi i Qarkut Suffolk, Ed Romaine. “Ajo po e përhap zjarrin.”

Videot e postuara në mediat sociale tregonin flakë të larta dhe shtëllunga tymi të zi.

Helikopterët e Gardës Ajrore Kombëtare hodhën ujë mbi flakët. Qyteti Southampton nxorri një paralajmërim pasdite kundër ndezjes së zjarreve për shkak të rrezikut. /VOA/ KultPlus.com

‘Gjeniu i turmave’ nga Charles Bukowski

Ka mjaft pabesi, urrejtje, dhunë, absurditet,
në njeriun mesatar,
aq sa të furnizojë çdo ushtri, në çdo ditë të dhënë.

Më të zotët për vrasje, janë ata që predikojnë kundër saj
Më të zotët për urrejtje, janë ata që predikojnë dashuri
Më të zotët për luftë, janë ata që predikojnë paqe.

Ata që predikojnë Zotin, kanë nevojë për Zotin
Ata që predikojnë paqën, nuk kanë paqe
Ata që predikojnë paqe, nuk kanë dashuri.

Kujdes nga predikuesit
Kujdes nga të diturit
Kujdes nga ata që gjithmonë lexojnë libra
Kujdes nga ata që ose e urrejnë varfërinë
ose janë krenarë me të.

Kujdes nga ata që ngutën të thurrin lavde
Sepse kanë nevojë t’ua rikthesh lavdin
Kujdes nga ata që ngutën të cenzurojnë
Ata kanë frikë nga ajo që nuk e dine.

Kujdes nga ata që vazhdimisht kërkojnë turmat
vetëm, ata janë asgjë
Kujdes nga njeriu mesatarë, dhe femra mesatare
Kujdes nga dashuria e tyre, dashuria e tyre është mesatare
mesatarën kerkojnë.

Por, gjeniu gjendet në urrejtjen e tyre
Ka gjenialitet të mjaftueshëm në urrjetjën e tyre që të ju vrasë
Të vrasë këdo.

Duke mos dashur vetminë
Duke mos e kuptuar vetminë
Do jenë të gatshëm të shkatërrojnë çdo gjë
Që është ndryshe nga ata.

Duke mos qenë të aftë të krijojnë art
Nuk do e kuptojnë artin
Dështimin e vet do e konsiderojnë si krijes
Vetëm si dështim të Botës

Duke mos mundur të dashurojnë plotësisht
Do besojnë se dashuria juaj është e pa plotë
Dhe atëherë ata do urrejnë
Dhe urrejtja e tyre do jetë perfekte
Si një diamant vezullues
Si një thikë
Si një mal
Si një tiger
si kukutë*

Arti i tyre më i mirë.

*Kukuta është bimë helmuese.

– Charles Bukowski

Portraits Of Charles Bukowski (Photo by JARNOUX Patrick/Paris Match via Getty Images)

Revolucioni i shqiptares Mira Murati po vjen në vlerë 9 miliardë dollarë

Mira Murati, ish-CTO e OpenAI, ka nisur startup-in e saj Thinking Machines Lab, dhe ai pritet të vlerësohet në 9 miliardë dollarë.

Startup-i po mbledh financime për të krijuar një të ardhme ku inteligjenca artificiale është më e aksesueshme dhe e personalizuar për të gjithë.

Pas një karriere 6 vjeçare në OpenAI, ku ka punuar në zhvillimin e ChatGPT dhe teknologjive të tjera AI Murati ka ngritur një ekip të fuqishëm që përfshin ish-kolegë nga OpenAI, Meta dhe Anthropic.

Kjo kompani, sipas Bussines Insider, po bëhet pikë referimi për të ardhmen e inteligjencës artificiale dhe po sjell ndryshime të mëdha në industrinë e teknologjisë.

Në Thinking Machines Lab, ata po krijojnë një laborator që ka për qëllim ta bëjë AI-në më të kuptueshme dhe të përdorshme nga të gjithë./ KultPlus.com

Rama: Monumenti i Skënderbeut edhe në Paris

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se një kopje e monumentit të Skënderbeut në Tiranë do të vendoset në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Paris.

Kryeministri iu përgjigj aludimeve të fundit që janë ngritur mbi faktin se monumenti i Skënderbeut në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë është rrethuar me skela.

“Qarkullon një kua-kua-kua këmbëngulëse në kënetën sociale për ‘psenë’ e mbulimit të monumentit të Skënderbeut në Tiranë dhe formulohen mallkime për tradhëti kombëtare, bazuar në akuza për konspiracion kundër Atletit të Krishtit në Muajin e Madhërueshëm të Ramazanit”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Sipas tij, arsyeja është shumë e thjeshtë, po edhe e bukur në këtë rast.

“Monumenti është veshur me skeleri, sepse po i merren format për realizimin më pas të një kopjeje të tij, e cila do të vendoset në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Paris. Po po, e lexuat mirë! Parisi do të ketë Skënderbeun e vet”, bëri të ditur kryeministri.

Rama theksoi se pas një përpjekjeje diplomatike të gjatë e të suksesshme, pikërisht sepse sot Shqipëria dëgjohet me respekt, kemi arritur të marrim miratimin e autoriteteve franceze për të vendosur monumentin e Heroit tonë Kombëtar në një shesh të Parisit me emrin e tij.

“Punë ditësh dhe skela do të hiqet, kështu që edhe atdhetarët zemërtrazuar që llokoçiten në kënetën e kua-kua-kuave do të mund të çmallen me kalin e Skënderbeut dhe do t’u duhet të gjejnë një tradhëti tjetër për të më akuzuar”, shtoi kryeministri./ KultPlus.com

Kalifornia heq ligjin e mediave sociale

Në një fitore për kompaninë X të miliarderit Elon Musk. Shteti i Kalifornisë nuk do t’u kërkojë më kompanive të mediave sociale të raportojnë për praktikat e tyre se si ato kontrollonin gjuhën e urrejtjes, dezinformimin dhe përmbajtje të tjera. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Matt Dibble sjell me shumë detaje nga Silicon Valley.

Kalifornia kohët e fundit anuloi një ligj të shtetit që kërkonte nga kompanitë e mediave sociale të zbulojnë se si ato kontrollonin gjuhën e urrejtjes, dezinformimin dhe përmbajtje të tjera potencialisht të dëmshme në platformat e tyre.

Ligji, që i kishte fillesat në vitin 2022, fillimisht u iniciua nga anëtari demokrat i Asamblesë së Kalifornisë, Jesse Gabriel.

“Ligji kërkon të adresojë shqetësimet se platformat e mediave sociale po mundësojnë përhapjen e urrejtjes, racizmit, dhunës ekstremiste dhe teorive konspirative”.

Por një padi në vitin 2023 nga drejtuesi i kompanisë së medias sociale X, Elon Musk, dikur Twitter, sfidoi ligjin që kërkonte nga platformat të paraqisnin raporte publike mbi praktikat e tyre të kontrollit të përmbajtjes dy herë në vit.

Një gjykatë federale vendosi pro padisë së kompanisë “X” vitin e kaluar, duke theksuar se ligji shkelte të drejtën kushtetuese të kompanive të mediave sociale për lirinë e fjalës.

Zëri i Amerikës kërkoi një reagim nga kompania “X” për këtë zhvillim por nuk mori përgjigje.

“Kompania X argumentonte se kërkesa për raportim rreth vendimeve të tyre në lidhje me lloje të ndryshme të përmbajtjes dhe si t’i përgjigjet asaj është shkelje e të drejtave të tyre të Amendamentit të Parë, sepse këto raporte mund të jenë një formë detyrimi dhe do të ishte një ndërhyrje në atë që mund të jetë vendimi i tyre editorial”, thotë Michael Karanicolas, nga Universiteti Dalhousie.

Shtetet janë përpjekur, por kanë dështuar, të rregullojnë politikat e përmbajtjes së mediave sociale.

Florida dhe Teksasi, dy shtete me shumicë republikane, miratuan ligje që kufizojnë kompanitë e mediave sociale.

Por këto ligje u pezulluan vitin e kaluar, kur Gjykata e Lartë vendosi se kompanitë e mediave sociale kanë të drejtë të marrin vendime editoriale pa ndërhyrje të qeverisë.

“Të njëjtat probleme që lidhen me Amendamentit të Parë lindin në shumë prej këtyre ligjeve. Shpresojmë që gjykatat të kenë parasysh këtë vendim edhe në raste të tjera dhe do të vazhdojmë të shohim që Amendamenti i Parë të qëndrojë i fortë në mënyrë që të vazhdojmë të shohim përfitimet e fjalës së lirë në internet”, thotë Jennifer Huddleston, Instituti Cato.

Megjithatë, përpjekjet për të rregulluar mediat sociale në nivel shtetëror vazhdojnë. Në dhjetor, shteti i Nju Jorku miratoi një ligj të përafërt me versionin e Kalifronisë. /VOA/ KultPlus.com

‘Veç të lutem mos më lër në atë vend ku ti mungon’

Poezi nga Ndoc Gjetja

Dashurisë

O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj ç’të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.

Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
dhe shqetësime pa mbarim
po s’jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.

Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav.

Ma ktheve gjuhën në përçartje
më bëre plak me shpirt fëmijë
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Veç të lutem mos më lër…
në atë vend ku ti mungon./ KultPlus.com

Juri Gagarin, njeriu i parë që udhëtoi në hapësirë

Më  9 mars të vitit 1934 lindi Juri Gagarini njeriu i parë që udhëtoi në hapësirë.

Në rininë e tij, Gagarin u bë i interesuar për hapësirën ​​dhe planetet. Pas studimeve për një vit në një shkollë profesionale teknike në Lubertsi, Gagarin u zgjodh për trajnim të mëtejshëm në një shkollë të mesme teknike në Saratov. Ndërkohë, ai u bashkua me “Klubit te Fluturimit”. Në vitin 1955, pas përfundimit të shkollimit të tij teknik, ai hyri në stërvitje ushtarake të fluturimit në Shkollën e pilotimit në “Orenburg”. Ndërkohë që ai u takua me Valentina Goryacheva, me te cilen ai u martua në vitin 1957.

Në vitin 1960, pas procesit të kërkimit dhe përzgjedhjes, Yuri Gagarin u zgjodh mes 19 pilotëve të tjer për programin e hapësirës sovjetike. Gagarin u zgjodh më tej për trajnimin e një grupi elitë të njohur si “Soçi Gjashtë” nga të cilat kozmonautët e parë të programit Vostok do të zgjidhen. Gagarin dhe Kozmonautët të tjerë të mundshëm iu nënshtruan eksperimenteve të dizajnuara për të provuar durimin fizik dhe psikologjik, ai iu nënshtrua edhe trajnimeve për fluturimin e ardhshme. Nga njëzet të zgjedhurit, u zgjodhen Yuri Gagarin dhe German Titov për shkak të performancës së tyre në trajnim.

Më 12 prill 1961, në bordin e anijes kozmike “Vostok 1”, Gagarin u bë njeriu i parë që udhëtoi në hapsirë​​, dhe i pari që e përshkoi orbitën e tokës. Ai gjatë daljes nga atmosfera ndiente ndryshime në peshën e tij, dhe i dukej vetja sikur e kishin varur për shkak të shtypjes atmosferike.Ai tregoi që gjatë udhëtimit këndoi disa këngë patriotike rusisht.

Pas fluturimit, Gagarin u bë një njeri i famshëm në mbarë botën.

Në vitin 1962 punoi si depudet i bashkimit sovjetik, dhe si kolonel i forcave ajrore.

Më 27 mars 1968, në një fluturim rutin te forcave ajrore Ruse, avioni morri flak dhe Gagarini vdes. Trupi i tij u dogj, edhe hiri i tij u dergua ne muret e Kremlinit në sheshin e kuq./KultPlus.com

Poeti Ndoc Gjetja në përjetësinë e krijimtarisë

Nga Jak Rrozhani

Poeti i njohur lezhjan Ndoc Gjetja do të mbyllte sytë përgjithmonë më 7 qershor 2010, për t’iu dhënë përjetësisë e për të mbetur i pavdekshëm, por jeton krijimtaria e tij poetike. Poeti Ndoc Gjetja filloi të botojë poezitë e para në vitin 1970, duke qenë autor i disa vëllimeve poetike, si: “Dhjata ime”, etj,.

Ai mbetet njëri prej poetëve më në zë të poezisë së sotme shqipe. Mjaft studiues e kritikë vlerësojnë se Ndoc Gjetja, me talentin e thjeshtësinë e tij, mbetet emblemë e njeriut dhe poet i ndjesive të thella. Në poezitë e tij lëviz jeta, natyra e bukur, ajri i pastër, njerëzit e thjeshtë, dashuria njerëzore dhe dritë-hijet e kohës. Ku poezia ishte shpirtësia e tij, duke mbetur kështu zotërues i një sinqeriteti, modestie e ndershmërie gati hyjnore.

Universi i poezisë Ndocgjetjane ishte aq tokësore është një puthje, një përkëdhelje diku mbi bar, por që ngërthen hapësirat kozmike të të gjitha kohërave qysh në lashtësi. Mbi varrin e njeriut të madh dhe poetit të shquar Ndoc Gjetja, janë shkruar këto vargje , shkëputur nga poezia “Epitaf për veten”, shkruar kur ishte gjallë me dorën e tij:

“Këtu prehet ai që quhet Ndoc Gjetja / I cili pati ardhur gabimisht në këtë botë / Nga vetja e tepruar nxirrte vjersha / Dhe gjithë njerëzit i quante shokë”./ KultPlus.com

Plazh edhe në pranverë në Vlorë, qytetarë të shumtë shijojnë bregdetin

Qytetarë të shumtë i janë drejtuar këtë të dielë bregdetit të Vlorës për të shijuar motin e ngrohtë me diell.

Edhe pse sezoni i plazhit ende nuk është çelur zyrtarisht, shumë vizitorë vendas dhe të huaj kanë zgjedhur Vlorën për të shijuar fundjavën dhe rrezet e diellit, duke u larë edhe në det.

Shëtitorja buzë detit në Vlorë është plot edhe në këto ditë të marsit, ndërsa qytetarë të tjerë zgjodhën të shijojnë rrezet e diellit në bregdet duke shijuar kaltërsinë e detit në distancë.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Vlorës, i cili po shndërrohet në një destinacion gjithëvjetor falë rezervimeve nga turistët e huaj.

Fluksin turistik në rritje e dëshmojnë edhe strukturat hoteliere të cilat flasin për rritje të rezervimeve nga turistët e huaj.

Përveç bregdetit, Vlora ofron edhe turizmin malor, si dhe atë të aventurës. Po ashtu, pjesë e ofertës turistike janë muzetë, kultura, kulinaria, tradita e  ruajtur dhe promovuar me mjaft kujdes.

‘Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha’

Thënie nga Leon Tolstoy:

  1. Ne humbëm, sepse i thamë vetes që humbëm.
  2. Nëse kërkon përsosmërinë, nuk do të jesh asnjëherë i kënaqur.
  3. Nëse do të jesh i lumtur, ji i lumtur.
  4. E habitshme se sa i madh është iluzioni, që bukuria është mirësi.
  5. Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha.
  6. Ji i keq, por të paktën mos ji gënjeshtar, mashtrues!
  7. Unë mendoj se, nëse është e vërtetë që ka po aq mendje sa ka edhe koka, atëherë ka po aq lloje dashurie, sa ka edhe zemra.
  8. Pa e ditur se cfarë jam dhe përse jam këtu, jeta është e pamundur.
  9. Që të heqësh qafe një armik, duhet që ta duash atë.
  10. Respekti u shpik për të zënë vendin bosh, aty ku duhej të ishte dashuria.
  11. Të gjithë mendojnë për të ndryshuar botën, por askush nuk mendon për të ndryshuar vetveten.
  12. Mund të dimë vetëm që nuk dimë asgjë. Dhe kjo është shkalla më e lartë e urtësisë njerëzore.
  13. Kuptimi i vetëm i jetës është që t’i shërbejë njerëzimit.
  14. A është vërtetë e mundur që t’i thuash dikujt tjetër atë që ndien?
  15. Të gjithë familjet e lumtura ngjajnë me njëra-tjetrën, secila familje e palumtur është e tillë në mënyrën e vet.
  16. Në emër të Zotit, ndalu një moment, lëre punën, shih përreth teje.
  17. Jeta e vërtetë jetohet kur ndodhin ndryshime të vogla.
  18. Kur e do dikë, ti e do ashtu si është, jo si do të doje ti të ishte.
  19. Muzika është gjuha e shkruar e emocionit.
  20. Nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë.
  21. Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por nga mënyra se si ne i shohim ato.
  22. E vërteta, ashtu si floriri, duhet ruajtur jo nga madhësia e saj, por duke hequr prej saj të gjithë ato që nuk janë flori.
  23. Mërzia: Dëshira për të patur dëshira.
  24. E gjithë dhuna konsiston në disa njerëz që detyrojnë të tjerët, nën kërcënimin e vuajtjes apo vdekjes, për të bërë atë që ata nuk duan ta bëjnë.
  25. Të gjitha atoq ë kuptoj, i kuptoj prej dashurisë.

Elbasani nis festimet për Ditën e Verës, një javë e mbushur me traditë dhe muzikë

Elbasani ka nisur sot festimet për Ditën e Verës, duke e kthyer qytetin në një skenë të gjallë plot muzikë, ngjyra dhe atmosferë festive.

Si çdo vit, Elbasani mirëpret mijëra vizitorë nga e gjithë Shqipëria, të cilët bashkohen në një festë që mishëron traditën, kulturën dhe gëzimin e ardhjes së pranverës.

Festimet u hapën me aktivitetin “Trashëgimia në duart e vogla”, ku fëmijët e kopshteve të qytetit shfaqën talentin e tyre përmes lojërave tradicionale, punimeve artistike dhe këngëve festive.

Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, në fjalën e tij përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se këtë vit festimet do të zgjasin një javë, me një program të pasur që kulmon më 15 Mars, kur qyteti do të kthehet në një arenë të madhe festive.

“Elbasani e jeton ndryshe Ditën e Verës dhe këtë vit kemi zgjeruar aktivitetet për ta bërë këtë festë edhe më të veçantë. Nga defiletë e kostumeve tradicionale, koncertet e mëdha, ekspozitat dhe panairet e kulinarisë, deri tek aktivitetet për fëmijë dhe të rinj, Elbasani do të jetë epiqendra e festimeve pranverore.”

Një javë festive plot surpriza

Mbrëmjen e 12 Marsit rikthehet defileja e Kostumeve Tradicionale, një paradë që do të sjellë në skenë kulturën dhe folklorin e trevave shqiptare.

13 Marsi do të sjellë atmosferën e zjarrtë të Natës së Verës, ku koncertet dhe performancat artistike do të zgjasin deri në orët e para të mëngjesit.

Në 14 Mars, një program i pasur me aktivitete do të kulmojë me super koncertin e mbrëmjes, ndërsa më 15 dhe 16 Mars festimet do të vijojnë me aktivitete për fëmijë, panaire tradicionale dhe evente kulturore.

“Këtë vit, Elbasani është gati të mirëpresë të gjithë ata që duan ta jetojnë këtë festë në zemër të traditës. Ju ftoj të gjithë, kudo që ndodheni, të vini në Elbasan dhe të festojmë së bashku këtë trashëgimi të bukur, duke sjellë energji, gëzim dhe dashuri për një pranverë të mbarë”, tha Llatja.

Fridrih Niçe për gjenitë e muzikës, Bethoven, Mozart, Bah, Hendel, Shubert, Mendelson dhe Robert Shuman

Nga Albert Vataj

Friedrich Nietzsche, filozofi që sfidoi konvencionalen dhe përshkroi me nuanca të thella shpirtërore dhe estetike artin dhe kulturën, i qaset muzikës me një ndjeshmëri të veçantë dhe një vështrim që kap thelbin e frymëzimit gjenial. Në veprën e tij “Udhëtari dhe hija e tij”, ai analizon mjeshtërit e mëdhenj të muzikës—Beethoven, Mozart, Bach, Händel, Schubert, Mendelssohn dhe Schumann—duke nxjerrë në pah jo vetëm stilin e tyre, por edhe burimin e brendshëm të krijimtarisë që i bëri ata të pavdekshëm.
Në qasjen e tij filozofike ndaj muzikës, Nietzsche nuk e trajton atë thjesht si një formë arti, por si një manifestim të shpirtit dhe kulturës, një reflektim i thellë i natyrës njerëzore.

– Bethoven dhe Mozart
– Muzika e Bethovenit duket shpesh si një soditje mallëngjyese, e shkaktuar nga dëgjimi i ri i papritur i një fragmenti që besohej për një kohë të gjatë si i humbur: “pafajësia në tingujt”. Ajo është një muzikë mbi muzikën. Në këngën e lypësve dhe fëmijëve të rrugës, në këngët e italianëve emigrantë, në vallëzimin e tavernës së fshatit ose në netët e karnavaleve, këtu i zbulon ai “meloditë” e veta – ai i grumbullon si një bletë, duke mbledhur aty këtu një tingull, një vijimësi të vogël tingujsh. Këta janë për të kujtime të shndërruar të një “bote më të mirë”, ngjashëm me atë që Platoni imagjinonte për sa u përket ideve.

– Mozarti ka raporte krejt të ndryshme me meloditë e tij: ai i gjen frymëzimet jo duke dëgjuar muzikë por duke parë jetën, jetëm më të lëvizshme të vendeve të jugut. Ai ëndërronte gjithnjë Italinë, kur nuk ndodhej në Itali.

– Sebastian Bah
– Kur muzikën e Bahut nuk e dëgjon si njohës i përsosur dhe i mprehtë i kontrapunktit ose i gjithë mënyrave të stilit të fugës, pra duke qenë domosdoshmërisht i privuar nga shijimi i vërtetë artistik, si dëgjues i kësaj muzike do të provosh një gjendje shpirtërore (për të futur në punë një shprehje madhështore të Gëtes) të ngjashme me atë që ka qenë i pranishëm kur Zoti krijoi botën. Ose më mirë: ndjejmë se këtu diçka e madhe është duke u bërë, muzika jonë e madhe moderne, por nuk është bërë ende. Ajo ka fituar tashmë botën, duke fituar mbi Kishën, kombësitë dhe kontrapunktin. Te Bahu ka ende tepër krishtërim të gjallë, gjermanizëm të gjallë, skolastikë të gjallë: ai qëndron në prag të muzikës evropiane (moderne), por ende i mban sytë përtej, drejt Mesjetës.

– Hendel
– Hendeli në gjetjen e muzikës së tij ishte guximtar, novator, i sinqertë, i fuqishëm, i kthyer dhe i lidhur ngushtë me heroiken që një popull është i aftë të bëjë por në përpunimin e saj u bë shpesh i ngathët dhe i ftohtë, madje i lodhur nga vetja. Atëherë ai shfrytëzonte disa metoda ekzekutimi të eksperimentuara mirë, shkruante shpejt dhe shumë dhe ishte i gëzuar që kishte përfunduar, por jo i gëzuar në atë mënyrë që ishin të gëzuar Zoti dhe krijuesit e tjerë në mbrëmjen e ditës së tyre të punës.

– Franc Shubert
– Franc Shubert, artist më i vogël se muzikantët e tjerë të mëdhenj, kishte megjithatë mes gjithë të tjerëve pasurinë trashëgimtare më të madhe të muzikës. Ai e harxhoi atë me duar plot e zemër të mirë, në mënyrë të tillë që muzikantët ende për nja dy shekuj mund të ushqehen me idetë dhe frymëzimet e tij. Në veprat e tij kemi një thesar shpikjesh të papërdorura – të tjerë do të gjejnë madhështinë e tyre duke i përdorur ato. Nëse Bethoveni do të mund të quhej dëgjuesi ideal i një menestreli, Shuberti do të kishte të drejtën të quhej vetë menestreli ideal.

– Feliks Mendelson
– Muzika e Feliks Mendelson është muzika e shijes së mirë që kënaqet me gjithë atë që është aty e mirë: ajo kthehet gjithnjë te ajo që qëndron prapa saj. Si mund të ketë ajo shumë “para vetes”, shumë të ardhme? Por, a ka dashur ai të ketë të ardhme? Ai zotëronte një virtyt që është i rrallë mes artistëve, atë të mirënjohjes, pa mendime të fshehta dhe ky virtyt kthehet gjithnjë te ajo që është pas tij.

– Robert Shuman
– “I riu”, të cilin e ëndërronin poetët lirikë romantikë të Gjermanisë dhe të Francës në një të tretën e parë të shekullit të tetëmbëdhjetë, ky i ri u përkthye plotësisht në këngë dhe në tinguj nga Robert Shumani, i riu i përjetshëm, deri sa ai u ndje në plotësinë e forcave të tij. Sigurisht edhe ka çaste kur muzika e tij të kujton “beqareshën plakë” të përjetshme.
Shkëputur nga “Udhëtari dhe hija e tij”/ KultPlus.com

Për herë të parë në Shqipëri, mbahet Olimpiada Matematikore

Ka përfunduar në Korçë, Olimpiada Matematikore e 19 Ballkanike Studentore  e organizuar për herë të parë në Shqipëri nga Shoqata e Matematikës në Evropën Juglindore.

Në këtë olimpiadë kanë marrë pjesë 111 studentë nga 27 universitete nga Shqipëria, Greqia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Rumania e Turkmenistani.

Për Ardian Naco, kryetar i shoqatës shqiptare të matematikës organizimi i kësaj olimpiade nuk ka qenë e lehtë por që ia dolën, shkruan Euronews.al.

I pyetur për nivelin e studentëve shqiptarë në këtë olimpiade ai tha se ka nevojë për pjesëmarrje të vazhdueshme në nivele të tilla

Një nga studentet ekselente nga Turqia, tregon se është habitur me nivelin e studentëve shqiptarë në këtë fushë

Mbrëmë në teatrin” Andon Zako Çajupi “është organizuar ceremonia e shpërndarjes së medaljeve për studentët më të mirë në këtë olimpiade, por që studentët shqiptarë nuk u vlerësuan me asnjë medalje.

Charles Bukowski: A jemi në shoqëri të mirë kur jemi vetëm?

Fragmente nga Charles Bukowski

“Unë kurrë s’kam qenë i vetmuar. Kam qenë në një dhomë – jam ndier vetvrasës. Kam qenë në depresion. Jam ndjerë i tmerrshëm – i tmerrshëm përtej gjithçkaje – por kurrë nuk e kam ndjerë se dikush do të futet në dhomë dhe do ta shërojë atë që jam duke e ndjerë… ose ndonjë numër më i madh i njerëzve.

Me fjalë të tjera, vetmia është diçka me të cilën asnjëherë s’kam qenë i shqetësuar.

Do ta citoj Ibsenin: “Më të fortit janë më të vetmuarit.” Unë kurrë s’kam menduar që një bjonde e bukur do të vijë tani, të bëjmë qejf dhe pastaj unë do të ndihem mirë. Jo, kjo nuk do të ndihmonte.

E dini këtë frazën e zakonshme të turmave “wow sonte është e premte, çfarë do të bëni? Do ta kaloni natën i ulur këtu?” Po, sepse nuk ka asgjë atje jashtë. Është vetëm marrëzia. Njerëz të marrë që shoqërohen me njerëz të marrë. Lërini le ta marrosin veten.

Unë kurrë s’kam i shqetësuar me nevojën për të nxituar jashtë gjatë netëve. Unë fshihem në bare sepse nuk dua të fshihem në fabrika. Kjo është e gjitha. Më pëlqen vetja. Unë jam forma më e mirë e dëfrimit që e kam. Le të pijm edhe më shumë Venë.”

– Charles Bukowski

Presidentja Osmani i bashkohet thirrjes së Rubios në mbështetje të sovranitetit të Bosnje e Hercegovinës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është bashkuar deklaratës së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me situatën politike në Bosnje dhe Hercegovinë.

Rubio dje ka deklaruar se veprimet e presidentit të Republikës, Millorad Dodik, po i minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj, transmeton Klankosova.tv

Me këtë rast, Osmani tha se Kosova i bashkohet deklaratës së Sekretarit Rubio dhe se qëndrojmë në solidaritet të plotë me popullin e Bosnjë-Hercegovinës, duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

“Ne gjithashtu dënojmë me forcë çdo veprim që minon themelet e Bosnje-Hercegovinës, pasi kërcënon paqen dhe stabilitetin që rajoni ynë ka punuar pa u lodhur për të arritur – përmes dekadash sakrificash dhe me mbështetjen e palëkundur amerikane. Angazhimi i SHBA-së mbetet parësor për të siguruar që rajoni ynë të ecë drejt stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme, si dhe drejt një të ardhmeje euroatlantike. Ne jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të arritur këtë qëllim” tha ajo.

Shtetet e Bashkuara inkurajuan liderët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm.

ShBA iu bëri thirrje edhe partnerëve të tyre në rajon që të bashkohen për të kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese.