Sopranoja e njohur Marie Kraja, mbetet ndër më të preferuarat për të gjithë ata që e dëgjuan për vite me radhë zërin e saj magjik, zë ky i cili edhe sot mbetet ndër më të komentuarit e dëgjohet me shumë nostalgji.
Edhe pse me një jetë artistike të pasur në skenat e Italisë, Austrisë, Gjermanisë, etj, karriera e saj lidhet ngushtë me gjithçka që ndodhi në muzikën shqiptare.
Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para. Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj,
Ajo interpretoi në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj.
Përveç roleve operistike, pjesë e repertorit të saj janë dhe shumë arie, romanca, pjesë koncertore, si dhe mbi 300 këngë popullore, sidomos ato të veriut. Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë,
Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim: “Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate”, etj. I gjithë ky repertor u realizua në qindra koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari,
Bullgari, Bashkimin Sovjetik, etj, dhe një pjesë e tij është i dokumentuar në fondin muzikor të Radio Televizionit shqiptar. Regjistrimin e parë të këngës popullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën “Çilni ju moj lule”.
Sa i përket aktivitetit pedagogjik, nis që me krijimin e shkollave të para të muzikës në Shqipëri, Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1946 dhe Konservatorit Shtetëror të Tiranës në 1962 dhe vazhdoi deri në fund të jetës, pavarësisht nga dalja e saj në pension në vitin 1966. / KultPlus.com
Në fotot e mëposhtme, pasqyrohen tre periudha të ndryshme historike të Shqipërisë gjatë shekullit XX, përmes tre protagonisteve femërore që janë përjetësuar në këto pamje fotografike në tre dhjetëvjeçarë të ndryshëm të njëqindvjeçarit të kaluar.
Në foton e parë shfaqet zonja Ana, një korçare e fisme dhe tepër e hijshme, me origjinë nga Dardha e kulturuar, vatër patriotike dhe simbol përparimi e qytetërimi në kreshtën malore përmbi Korçë, një vendbanim kryeneç ku patën vluar veprimtaritë atdhetare qysh në shekullin XIX, dhe nga ku qenë nisur ndër shqiptarët e parë në mërgim gjer në SHBA, ku do të themelonin shoqatat kryesore në mbështetje të çështjes kombëtare shqiptare.
Në këtë foto të fundit të viteve 1920 në Korçë, zonja Ana (e cila pikërisht kështu do të vijonte të quhej nga të gjithë, përfshirë funksionarët monistë, edhe në periudhën e errët të regjimit totalitar, ku fjala “zonjë” ishte tashmë e ndaluar, dhe të tërë quheshin “shokë e shoqe”) gjendet në një Soirée, siç quheshin nga frankofonët korçarë, ballot festive që zhvilloheshin rregullisht gjatë kremteve të rëndësishme shtetërore dhe fetare, në Korçë e rrethina.
Ballot e tilla përbënin rastet e veçanta, ku qytetaria korçare, mblidhej bashkërisht për të kremtuar nën ritmet e vallëzimeve më në modë të importuara vazhdimisht nga Oksidenti, të veshur gjithnjë alla-frënga me petka farfuritëse, duke dëfryer njëlloj sikur të gjendeshin në Paris, Londër apo Romë.
Ndërkaq në foton e dytë, mund të shohim Antigonin, vajzën e zonjës Ana, e cila në fillimin e viteve 1940, është nxënëse në Institutin Femëror Nëna Mbretëreshë në Tiranë, i cili gjatë pushtimit italian, do të quhej më tutje Donika Kastrioti.
Në këtë institut patën studiuar vajzat e familjeve më të kamura, më të kulturuara dhe më të spikatura të Shqipërisë dhe më gjerë të trojeve shqiptare, përfshirë disa nga eksponentet më të njohura të regjimit të ardhshëm monist, por edhe disa nga disidentet më të shquara, të cilat do ta pësonin nga diktatura.
Në foton në fjalë, Antigoni është mes shoqeve të saj të klasës, bijat e disa nga familjeve më të ngritura kulturalisht të Tiranës dhe Durrësit, bashkë me profesorin e tyre të latinishtes dhe greqishtes së lashtë.
Kurse në foton e tretë gjejmë Luizën, vajzën e Antigonit dhe mbesën e Anës, e cila, veshur me kostumin tradicional të nusërisë së Shqipërisë së Mesme, në fundin e viteve 1970, ka pozuar për një konkurs të njohur të asaj periudhe, kushtuar trashëgimisë etnografike dhe kulturore shqiptare.
ELVI SIDHERI
Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh…
Stërnipi, nipi dhe djali i protagonisteve të këtyre fotove të paharrueshme. / KultPlus.com
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka njoftuar se i ka nënshkruar kontratat me prindër të 135 fëmijëve për të filluar subvencionimin me nga 70 euro të kostos së tyre mujore në çerdhet private të licensuara nga Ministria.
Sahatçiu e ka bërë këtë në emër të Drejtorisë së Arsimit.
“Nga 120 familje për të cilat u zotuam fillimisht të ju dalim në ndihmë me Besianë Musmurati, shtuam buxhet edhe për 15 familje të tjera që aplikuan dhe plotësuan kushtet. Kështu, secila familje përfitoi. Kjo politikë jo vetëm që ka ndihmuar përfshirjen e më shumë fëmijëve në edukim të hershëm dhe ka lehtësuar buxhetin e familjes, por gjithashtu ka krijuar hapësirë për 135 nëna që të kthehen në tregun e punës. E jashtëzakonshme!”, ka shkruar Sahatçiu.
Nexhmije Pagarusha është emri i këngëtares së njohur shqiptare e që ndryshe njihej si Bilbili i Kosovës.
Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Gjermani, Izrael, Bosnje e plot shtete tjera. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.
Ajo u nda nga jeta një vit më parë duke e lënë pas vetës një grumbull këngësh që janë dëgjuar e vazhdojnë të dëgjohen me ëndje edhe në ditët e sotme.
Kultplus ua sjell tekstin e këngës “Kur Një Ditë Të Kthehesh Ti” të kënduar nga Nexhmije Pagarusha dhe Ardit Gjebrea.
Shqipëria është perla e Evropës që nuk e dinit se ekzistonte. Male të thyera të mbushura me shtigje të qeta ecjeje, rrënoja të lashta të fshehura nën hijen e pemëve, plazhe mahnitëse për eksplorim dhe qendra urbane me zhvillim të shpejtë, shkruan gazetari Stuart Butler në një artikull të botuar në të përditshmen angleze “TimeOut”.
Shqipëria ruan një atmosferë të një Evrope më të vjetër dhe më të egër. Është një vend ku tradita ka një rol të rëndësishëm. Një vend që mund të ndryshojë të gjithë opinionin tuaj për Evropën e shekullit XXI.
Nga plazhet e Rivierës deri te rrënojat e largëta dhe qytetet e bukura, ja ku të shkoni në Shqipëri.
1. Tirana Kryeqyteti i Shqipërisë dhe i vetmi vend që me të vërtetë ndihet si qytet. Në vend që t’i fshihnin qendrat dhe burgjet e marrjes në pyetje të epokës komuniste, autoritetet e qytetit i kanë shndërruar ato në muze, galeri arti. Në fundjavë, hipni në teleferik për të vizituar malin e Dajtit dhe për t’u bashkuar me vendasit për një drekë me mish qengji të pjekur me pamje nga qyteti.
2. Berati Berati i bukur është një qytet me dy peizashe të ndryshme. Poshtë në breg të lumit shtëpitë janë të grumbulluara në anën e një kodre të pyllëzuar, me dritaret e tyre që reflektojnë rrezet e diellit. Ngjituni drejt majës së kodrës dhe do të arrini në gjysmën tjetër, dhe shumë më të vjetër të Beratit. Një portë mesjetare e restauruar të çon drejt Kalasë, ose kështjellës, dhe disa kishave dhe xhamive shekullore të cilat janë kthyer në muze.
3. Ksamili Vendi kryesor i plazhit të Shqipërisë. Edhe pse larg, Ksamili, i cili përfshin një numër gjiresh, plazhesh dhe ishujsh të vegjël mbetet një nga vendpushimet më të mahnitshme në Rivierën Shqiptare. Turizmi masiv ka ndryshuar në mënyrë dramatike vijën bregdetare shqiptare në vitet e fundit, por Ksamili ruan ende magjinë e qetë që tërhoqi fillimisht vizitorët. Dhe, natyrisht, ushqimet e detit janë të shkëlqyera.
4. Gjirokastra Historia e qytetit të vogël kodrinor të Gjirokastrës, në jug të Shqipërisë, daton të paktën 2 500 vjet më parë, me disa nga thesaret e kësaj lashtësie të vendosura me kujdes në muzeun e vogël të qytetit. Megjithatë, shumica e vizitorëve sot vijnë këtu për të parë 600 shtëpitë mahnitëse të epokës osmane që mbulojnë qytetin dhe kodrën përreth, disa prej të cilave janë të hapura për publikun. Qendra turistike e qytetit karakterizohet nga rrugët me kalldrëm, kafenetë artistike dhe dyqanet me suvenirë.
5. Butrinti Ndoshta vendi historik më mbresëlënës në Shqipëri, Butrinti është një qytet i lashtë i stilit grek me gurë dhe shkëmbinj. Disa nga rrënojat këtu si, teatri në veçanti, janë të ruajtura jashtëzakonisht mirë. I gjithë kompleksi është i vendosur bukur nën pyjet me hije dhe në brigjet e një lagune të qetë bregdetare.
6. Shkodra Qyteti i madh i Shkodrës, me ndërtesat e lyera me pastel dhe kuadratet elegante, ofron një ambient të stilit italian. Shtojini kësaj historinë dhe kulturën e pasur dhe do të keni një pushim të përsosur në qytet. Qyteti krenohet me disa nga muzetë më të mirë të Shqipërisë, si Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, i cili mbulon historinë e fotografisë në Shqipëri, dhe Muzeu i Dëshmitarëve dhe Kujtesës, i cili përshkruan të kaluarën e afërt komuniste të Shqipërisë, një kompleks kalash, disa restorante të shkëlqyera.
7. Alpet Shqiptare Alpet shqiptare, të njohura ndryshe si Bjeshkët e Nemuna, janë një nga zonat më të bukura në Shqipëri. Luginat e këtyre maleve të larta janë të mbushura me livadhe, kullota dhe liqene me gjelbërim dhe fshatra të bukura prej guri. Shpatet, të cilat janë të pyllëzuara dhe marrin një ngjyrë të kuqe të ndezur dhe portokalli në vjeshtë, mbulohen nga akulli dhe bora për muaj të tërë. Vendi ofron shtigje te mrekullueshme për ecje të cilat gjarpërojnë nëpër shpatet, më e famshmja është shtegu i tre vendeve të Majave të Ballkanit, i cili përshkon vendet fqinje, Kosovën dhe Malin e Zi.
8. Apolonia Pak e njohur për shumicën e vizitorëve të huaj në Shqipëri, rrënojat e qytetit antik ilir të Apolonisë janë një kompleks i madh 2500-vjeçar me mure, mozaikë dhe shtylla, të përhapura në kodra. Teatri dhe qendra administrative ruajnë ende madhështinë dhe muzeu i mbushur me thesare ia vlen të vizitohet. Një nga atraksionet më të mëdha të Apolonisë është ndjenja e saj e vetmisë së qetë. Ejani për historinë, qëndroni për qetësinë!
9. Plazhi i Gjipesë Ecja 45 minuta buzë shkëmbit drejt plazhit të Gjipesë në Shqipëri fillon pranë mureve të trasha prej guri të Manastirit të Shën Theodorit. Sapo të shikoni këtë plazh të vogël me guralecë të bardhë, të vendosur poshtë shkëmbinjve në një gryke të pyllëzuar, do të mendoni se jeni në parajsën e plazhit mesdhetar. Ky vend ofron një kafene plazhi sezonale dhe një zonë kampingu bazë. Ejani në qershor ose shtator dhe mund t’i keni të gjitha për vete. /atsh/ KultPlus.com
Më 28 nëntor, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me shoqatën “Albanian Roots”, do të organizojnë paradën e shqiptarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
E kthyer tashmë në një traditë në Nju Jork, shqiptarët nga e gjithë bota do të bëhen bashkë në Tiranë në paradën e krenarisë. Marko Kepi, president i “Albanian Roots” (Rrënjë Shqiptare) u shpreh se kjo traditë e bukur do të mbahet çdo vit në një qytet shqiptar.
“Sivjet për herë të parë do të zhvillohet Parada e Shqiptarëve në Tiranë, pra në Shqipëri dhe dëshira jonë është që çdo vit Paradën ta përcjellim nëpër qytete shqiptare, pra në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup, në Ulqin, në të gjitha trevat shqiptarë që ta bëjmë si traditë bashkimin e shqiptarëve. Të paktën të festojmë njëherë në vit së bashku, të lëmë anash politikën dhe gjërat që na përçajnë por të mblidhemi për diçka që na bashkon që është të jemi shqiptarë”, tha ai.
Marko Kepi vlerësoi angazhimin e Bashkisë së Tiranës dhe të kryebashkiakut Veliaj për organizimin e kësaj parade dhe që bëri bashkë mbi 125 bashki nga trojet shqiptare.
“Dua të falenderoj Bashkinë e Tiranës dhe kryetarin e saj Erion Veliaj që po na ndihmon dhe po bashkëpunojmë së bashku që ta zhvillojmë këtë paradë. Ata kanë bërë të mundur që të ftojmë 125 bashki në trojet shqiptare, përfshirë edhe arbëreshët e Italisë. Janë më shumë se 300 veta që do vijnë nga Italia. Shpresojmë të jetë tamam një paradë, ashtu si ka emrin një paradë shqiptare që na bën të gjithëve krenarë, të shpalosim ato vlerat tona shqiptare përveç që ta shohin shqiptarët nëpër media, por edhe të huajt. T’i japë një arsye edhe të tjerëve, të huajve që vijnë në Shqipëri edhe për paradën shqiptare. Pra t’i shtojmë diçka turizmit shqiptar, t’i shtojmë diçka Shqipërisë, një bukuri me ngjyrat tona siç kemi me veshje kombëtare, me muzikën shqiptare. Të jetë një arsye tjetër për të huajt që të vijnë në Shqipëri, të vizitojmë Shqipërinë. Siç shkojnë të huajt apo amerikanët në Gjermani kur është “October Fest” ose në vende të tjera që janë bërë traditë disa festa të tyre, ta bëjmë edhe ne traditë në Shqipëri që edhe më shumë të sjellim turistë dhe të huaj në Shqipëri. Të shohim kush jemi ne shqiptarët vërtetë, sa të bukur jemi me traditat dhe kulturat tona”, shprehet ai.
Presidenti i “Rrënjë Shqiptare” u shpreh se janë të shumta kërkesat për të marrë pjesë nga SHBA, Anglia apo Zvicra. “Çdo vit kemi kërkesa nga shqiptarët në të gjithë botën që thonë ta bëjmë dhe një në Londër, ta bëjmë edhe ne në Zvicër. Është pothuajse një vazhdim ose një përgjigje ndaj atyre thirrjeve të shqiptarëve nëpër botë që e shohin paradën e Nju Jorkut dhe kanë dëshirë edhe ata që nuk mund të marrin pjesë në Nju Jork, të marrin pjesë në një Paradë Shqiptare. Mendojmë se kjo paradë do ta përhapë patriotizmin shqiptarë edhe në trojet ku ata shqiptarë jetojnë sot për sot. Ne do jemi si këtu në Nju Jork, do hapim paradën shqiptare, do i prijmë paradës shqiptare. Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, është një koordinim shumë i mirë dhe jemi duke ecur shumë bukur me punimet e kësaj parade dhe do vazhdojmë paradën në Tiranë që të mundohemi që çdo vit ta bëjmë sa më bukur”, deklaroi Kepi./topchanel/Kultplus.com
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka njoftuar se bazuar në analizat e bëra, niveli i manganit në ujë ka nisur të bie.
Por, sipas IKSHPK-së uji nuk mund të përdoret ende për pije.
“Ekipet e IKSHPK-së janë në terren 24/7 dhe po bëhen çdo ditë analiza fiziko-kimike të ujit të prodhuar në Fabrikën që furnizohet nga Liqeni akumulues i Badocit dhe qytetarët do të njoftohen me kohë për normalizimin e parametrave referent të ujit të pijshëm”, thuhet në njoftim përcjell Klankosova.tv
Instituti Kombëtar tregon edhe rastet se kur mund të përdoret uji:
– Uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit si dhe për nevoja të tjera;
– Uji në rajonet që furnizohen nga liqenjt akumulues Batllava dhe Ujmani mund tē pēdoren pēr pije pa pẽrkufizim.
– Shpërlarja e rezervoareve të ujit në shtëpi dhe ndërtesat e banimit të përbashkët me qëllim pastrimi të Manganit të shtresuar (përgjegjësi e amvisërive dhe këshillave të banimit)
Këto janë zonat që mbesin nën përcjellje të vazhdueshme për cilësinë e ujit për pije nga Fabrika e ujit në Badoc janë të njëjtat:
Qyteza e Graçanicës, fshatrat e Graçanices qe furnizohen nga ITUP Badovc, përveç fshatrave që furnizohen nga NJOU Lipjan, Hajvalia komplet, lagjet Veterniku, Lagjet 038 dhe të gjitha të tjerat që gravitojnë në brezin Graçanicë – Prishtinë, pastaj Lagjet Qëndresa, Qëndresa Home, Sëiss Village, fsh. Preoc, Çagllavicë, Rruga Behar Begolli, Richard Holbrooke, Qendra Albi Mall, Rruga Shkupi, Holger Petersen, Malush Kosova, objektet individuale nga rruga Malush Kosova, deri te “kisha në Matiçan”, zonat në drejtim të zonës industriale drejtimi për Lipjan, Lagja Qershia, Lagja NIC, zona afër Xhamisë në Veternik, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtësisë, fshati ndërkombëtar, Mati- rruga Muharrem Fejza me të gjitha rrugicat drejtimi deri te QKUK, rruga Enver Maloku, objektet në lagjen Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, objektet e Standardit (Sociale) dhe objektet e kyçura direkt në linjat magjistrale Badovc Prishtinë, rruga Ferat Dragaj, Hajrullah Abdullahu, Hilmi Rakovica, Vllezërit Gërvalla, Afrim Zhitija, Armend Daci, Dervish Rozhaja, Thimi Mitko, pjesa e zonës “te Xhambazët”, rruga Sali Nivica, Norbert Jokl, Thimi Mitko, objektet banesore në Bregun e Diellit zonat Qendër dhe zonat e tjera afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor Xheladin Rekaliu deri te kryqëzimi i rrugës te konviktet, zonat afër shkollës Ismail Qemali, rrugët Mehmet Gradica, Hyzri Talla, Qamil Bala./KlanKosova/KultPlus.com
Ditën kur barra mbi supe të bëhet e padurueshme dhe qorrollisesh, bota vallëzoftë dhe drejtpeshimin ta ktheftë.
Kur sytë pas dritares së hirtë të bëhen akull dhe fantazma e humbjes të kaplon, një tufë ngjyrash ardhshin te ti, të kaltra, të kuqe, të gjelbra dhe bojë qielli për të të zgjuar nga gjumi si shokët.
Kur ekrani i të menduarit plasaritet dhe një njollë oqean rritet nën ty duke u nxirë, një shteg i verdhë i dritës së hënës u shtriftë mbi valë dhe të sjelltë të sigurt në breg.
Ushqimi i tokës qoftë yti, kthjelltësia e dritës qoftë jotja, uji i oqeanit qoftë yti, mbrojtja e të parëve qoftë me ty.
Dhe një erë e lehtë i sjelltë në gjirin tënd këto fjalë të dashurisë, si një pallto të padukshme, që jetën ta mbron. / KultPlus.com
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të organizoj koncert për nderë të 100 vjetorit të lindjes së kompozitorit të njohur shqiptar, Rexho Mulliqi.
“Koncerti do të hapet me tingujt mahnitës të Simfonisë Kosovare të kompozitorit tonë të veçantë, Rexho Mulliqi. Përgatituni të mahniteni nga melodia magjepsëse dhe bukuria ritmike e kësaj vepre, me paraqitjen e Andi Durakun në piano, duke treguar talentin që Kosova ka për të ofruar”, njofton Filharmonia e Kosovës.
Gjithashtu përveç përkujtimit ndaj kompozitorit të këngës së famshme, “Baresha”, Filharmonia e Kosovës ka përgatitur program që do të dirigjohet nga Gregory Charette.
“Pas performancës së jashtëzakonshme të Simfonisë së 1-rë nga Sibelius, tetorin e kaluar, Orkestra Filarmonike e Kosovës është gati t’u mahnitë përsëri me Simfoninë e 2-të të Sibeliusit. Nën udhëheqjen e dirigjentit të shkëlqyer amerikan, Gregory Charette, kjo performancë do të shënoj një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e orkestrës”, vazhdon tutje njoftimi.
Koncerti do të mbahet më 10 nëntor në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.
OKB ka shpallur datat 9-15 nëntor si Javën Ndërkombëtare të Shkencës dhe Paqes.
Kjo javë u festua për herë të parë në vitin 1986 si pjesë e kremtimeve të Vitit Ndërkombëtar të Paqes.
Bazuar në suksesin e vitit 1986, organizatorët vazhduan përpjekjet e tyre në vite të njëpasnjëshme dhe u ra dakord që “Java Ndërkombëtare e Shkencës dhe Paqes” të mbahet çdo vit gjatë javës në të cilën bie 11 Nëntori.
Asambleja e Përgjithshme u kërkoi Shteteve Anëtare dhe organizatave ndërqeveritare dhe joqeveritare që të inkurajojnë institucionet, shoqatat dhe individët përkatës të sponsorizojnë ngjarje dhe aktivitete që lidhen me studimin dhe shpërndarjen e informacionit mbi lidhjet midis përparimit në shkencë dhe teknologji dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Nga shtetet anëtare kërkohet të nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar midis shkencëtarëve.
Java inkurajon shkëmbime më të mëdha akademike mbi një temë me rëndësi universale, duke gjeneruar gjithashtu një ndërgjegjësim më të madh për marrëdhëniet e shkencës dhe paqes midis publikut të gjerë./atsh/KultPlus.com
Kosovo Challenge Fund (KCF) ka mbajtur ceremoninë e shpërndarjes së granteve në kuadër të projekteve për arsim dhe aftësim profesional.
Shuma e ndarë ishte rreth 3 milionë euro për të mbështetur iniciativat e arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë.
Renato Vasili, zëvendësdrejtues i KCF, tha se financimi orientohet drejt ngritjes së aftësive të të rinjve për punësim dhe rritjes së konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, drejtohet për investime në pajisje dhe infrastrukturë në projekte bashkëpunuese të zbatuara bashkërisht nga institutet e aftësimit profesional dhe ndërmarrjeve.
Madje sipas tij, KCF organizoi një raund të dytë për përzgjedhjen e projekteve, nisur nga nëntori 2022 deri në qershor 2023. Kjo fazë ka zgjuar interes dhe aplikime nga 27 konsorciume, që përbëjnë institutet e aftësimit profesional dhe ndërmarrjet.
13 konsorciume kaluan me sukses vlerësimit, ku pastaj u ftuan të zhvillojnë propozimet e plota të projektit para afatit të dorëzimit.
8 projektet më të suksesshme u miratuan për financim, përfaqësuar nga një gamë e gjerë e sektorëve si dhe përfitues të ndryshëm të instituteve të trajnimit profesional.
“Këto rezultate na bëjnë krenarë. Në thirrjen e dytë ishin 27 shprehje interesi nga 27 institucione të arsimit në Kosovë dhe 88 sipërmarrje dhe kjo rezultoi në financimin e 8 projekteve duke alokuar 3 milionë euro për investime dhe ky rezultat e dërgoi në 12 numrin e projekteve afërsisht 5 milionë euro”, tha Vasili, raporton Ekonomia Online.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Invacionit (MAShTI) është partneri kryesor për zbatimin e programit të KCF. Raundi i parë i aplikimeve solli një total prej 1.98 milion euro të ndarë për katër konsorciume, duke rritur ndikimin në peizazhin e trajnimit profesional në Kosovë.
Lah Nitaj, drejtor i Departamentit të Aftësimit dhe Arsimit Profesional në MAShTI, theksoi se punësimi i të rinjve dhe të rejave është faktor kyç në një shoqëri duke e bërë shoqërinë aktive.
“Pas suksesit të raundit të parë ku u ndanë granatet prej 1 milion e 980 euro, ky është raund i dytë ku 27 aplikimet kanë kaluar në një vlerësim rigoroz të cilat shtrihen ne 7 komunat qe janë: Lipjani, Gjakova, Gjilani, Mitrovica, Ferizaj, Prishtina e Skenderaj”, u shpreh ai.
Vera Baumann, nga Ambasada Gjermane në Kosovë, shtoi që Gjermania më shumë së për dy dekada po e mbështet Kosovën.
“Ne duam që të gjithë kandidatët të vlerësohen në mënyrën më të mirë të mundur dhe duam që të kenë benefite nga këto trajnime. Jemi të lumtur që numri i aplikimeve është i madh dhe shpresojmë që edhe të rritet dhe se tani më shuma ka arritur 5 milionë të cilat do aplikohen në institucionet e Kosovës”, u shpreh ajo.
KCF është një iniciativë e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) e financuar me 5.8 milionë Euro për grante nga Ministria Gjermane për Zhvillim Ekonomik dhe Bashkëpunim (BMZ). Ky program paraqet një hap të rëndësishëm drejt adresimit të papunësisë së të rinjve dhe nxitjes së rritjes ekonomike në Kosovë./KlanKosova/KultPlus.com
Ndërsa muzgu fillon të bjerë, Arian Shehu vesh jelekun e tij të zbukuruar me ar dhe rripin shekullor, disa minuta para se të dalë në skenë dhe të hapë festivalin më të madh folklorik të vendit të tij, shkruan gazetari Tristan Rutherford në një artikull të botuar në revistën “AramcoWorld” me qendër në Hjuston, SHBA.
Shehu, i njohur si kumbari i këngës iso-polifonike, ngjitet në skenë mes duartrokitjeve të publikut, kryesisht shqiptar.
Ai e hap festivalin me nota të larta të një kënge popullore, që më vonë ai thotë se daton më shumë se 2 500 vjet më parë.
Së shpejti, tetë këngëtarë të tjerë i bashkohen atij.
Kënga e grupit që pasoi kapet dhe shpërndahet nga mijëra telefona inteligjentë në kështjellën e shekullit të XIII të Gjirokastrës.
“Kur këndoj me shpirt dhe më shkon mirë, përlotem”, tha Shehu.
Më shumë se 1 200 artistë dhe mijëra dashamirës të muzikës popullore udhëtojnë anembanë globit për të marrë pjesë në Festivalin Kombëtar Folklorik 2023, një festë tetëditore e iso-polifonisë shqiptare dhe muzikës popullore që organizohet në Gjirokastër, “qytetin e lashtë të gurtë” në Shqipërinë e Jugut, çdo pesë vjet.
Për shkak të COVID-19, kanë kaluar tetë vjet nga festivali i fundit. Publiku gumëzhin nga emocioni.
Muzika folklorike që pasqyron historinë e Shqipërisë po harrohet nga brezat e rinj që vazhdojnë të largohen nga vendi në një numër rekord ose që tregojnë pak interes për të mësuar nga Shehu dhe artistë të tjerë të famshëm, edhe nëse ata qëndrojnë në Shqipëri.
“Kjo duhet të ndryshojë”, tha Vasil Tole, një kompozitor dhe etnomuzikolog shqiptar, i cili drejton Departamentin e Trashëgimisë Kulturore të Shqipërisë në Ministrinë e Kulturës.
“Përndryshe, këto këngë që kanë qenë “autobiografia e kombit” do të mbeten në harresë”, shtoi ai.
Shehu dhe muzikantë të tjerë ndanë të njëjtin shqetësim me Tolen.
“Interesi mbetet aty”, tha Tole.
“Sfida është që brezat e rinj jo vetëm të shijojnë muzikën, por edhe të angazhohen dhe të mësojnë historinë e saj. Këngët tona pasqyrojnë emocione të thella në jetë, si vajtimi, respekti për të vdekurit, dashuria, migracioni dhe heronjtë”, shtoi Tole.
“Polifonia është jetike për kulturën shqiptare”, theksoi ai.
Në prapaskenë, një organizator i festivalit bërtet “edhe pesë minuta!” , duke iu drejtuar një grupi prej rreth 20 vajzash të veshura me këpucë të zbukuruara me ar, shami të kuqe dhe fasha me lule, të cilave iu deshën 12 muaj për t’i qëndisur.
Kur gratë mblidhen në skenë, ato gjithashtu filmohen nga qindra celularë të mbajtur lart. Këto regjistrime së shpejti do të shpërndahen dhe madje rimiksohen nga adhuruesit e muzikës folklorike këtu dhe në mbarë botën.
Historianët besojnë se kjo traditë daton që nga ilirët, një shoqëri e epokës së hekurit që banoi në gadishullin e Ballkanit perëndimor për më shumë se 1 000 vjet.
“Hipoteza është se iso-polifonia i paraprin romakëve apo ndonjë prej pushtuesve të shumtë të Shqipërisë”, tha Tole.
Me kalimin e shekujve, barinjtë dhe bujqit ilirë, nga e kanë prejardhjen shqiptarët, e kanë nderuar zanatin.
Ata mblidheshin nëpër luginat e Ballkanit lindor, duke mbuluar pjesën më të madhe të Shqipërisë së sotme dhe në kufi me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi.
Tingujt e natyrës e kanë evoluar më tej muzikën. Harmonitë pasqyrojnë lumenjtë që burojnë. Dronët “Iso” imitojnë bubullimat.
“Cowbells” kopjuan tingujt e kafshëve që kullosnin. Megjithëse iso-polifonia daton para instrumenteve muzikore, ajo përdor një shkallë pentatonike, skemën më të thjeshtë me pesë nota, duke përfshirë gajde, fizarmonikë dhe violinë.
“Instrumentet në përgjithësi imitojnë tinguj nga natyra”, tha Tole.
Topografia e lartë e Shqipërisë shërbeu për të mbrojtur formën e artit nga ndikimet kulturore të pushtuesve të ultësirës, duke ndikuar më tej në stil.
Për shembull, këngëtarët nga zonat malore si Gjirokastra priren të ndikojnë në stil me tone më të forta dhe më të thella që e ndihmojnë melodinë të shkojë më larg.
Dhe vokalistët nga destinacionet bregdetare si Vlora, qyteti i tretë më i madh në Shqipëri, priren të këndojnë në një ton më të qetë, por edhe më të lartë.
Para historisë së shkruar shqiptare, një dukuri e kohëve të fundit, iso-polifonia u bë një kronikë mijëravjeçare pasi këngët ishin jetike për dasmat, funeralet, festat dhe ngjarjet e tjera shoqërore.
“Shërbeu si mjet për ruajtjen dhe transmetimin e historive, përrallave, rrëfimeve të ndryshme”, tha Tole.
“Për shembull, disa myslimanë këndojnë historinë e fesë së tyre në këngë polifonike”, shtoi ai.
Pasi forma më e rreptë e komunizmit në Evropë u përhap në Shqipëri, me një qeveri komuniste që sundoi vendin nga viti 1946 deri në 1991, iso-polifonia u bë edhe më popullore.
Autoritetet e konsideruan këngën e muzikës popullore një argëtim pozitiv kombëtar ndërsa ndaluan muzikën e huaj, krahas mjekrës, flokëve të gjata, udhëtimeve jashtë shtetit dhe filmave perëndimor.
Për disa dekada stacioni muzikor i kryeqytetit, “Tirana”, luajti vetëm muzikë tradicionale shqiptare. Në një tokë në mungesë të “The Rolling Stones” dhe Bon Jovi, lulëzoi iso-polifonia
Shehu debutoi në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në vitin 1978 në moshën 16-vjeçare.
I lindur në Gjirokastër, Shehu u frymëzua nga nëna dhe babai i tij (i ati gjithashtu ishte një këngëtar me reputacion), për t’u marrë me këngë folklorike.
Përvoja e qëndrimit në skenë e transformoi jetën e adoleshentit të atëhershëm, kur të gjitha orët e dëgjimit dhe harmonizimit me këngëtarët e tjerë në komunitetin e tij dhanë vërtet rezultat.
“Në kalanë e Gjirokastrës për mua ishte një moment i veçantë. Që atëherë, nuk kam munguar kurrë në asnjë festival”, kujtoi Shehu.
“Kishte një hendek ku të rinjtë nuk e kuptonin apo kujdeseshin për iso-polifoninë.” — Edit Pula
Komunizmi në Shqipëri u shemb në vitin 1992, duke ndezur një revolucion kataklizmik. Efekti në iso-polifoni ishte i dyfishtë.
“Adoleshentët mund të dëgjonin papritmas çdo muzikë pop”, kujtoi Edit Pula, një producente muzikore dhe drejtore artistike që u rrit nën sundimin komunist.
“Ndonëse iso-polifonia ishte përdorur për dy mijëvjeçarë, ajo u zhduk nga veshët shqiptarëve”, tha ajo.
“Ne kërcenim edhe me muzikë arabe, çdo gjë që ishte ndryshe”, shtoi ajo.
Në Shqipërinë post-komuniste, më i riu nga tre milionë banorët e Shqipërisë shkoi jashtë vendit për të gjetur punë.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Migracionin, deri në dekadën e ardhshme, më shumë se 700 000 shqiptarë kishin emigruar.
Në të njëjtën kohë, ansamblet e këngës shumëvjeçare u shpërndanë, shkollat e muzikës u mbyllën dhe madje edhe metodat e mësimdhënies filluan të harroheshin.
“Sistemi ynë u prish së bashku me të gjitha industritë tona”, tha Pula.
“Kishte një hendek ku të rinjtë nuk e kuptonin apo kujdeseshin për iso-polifoninë”, theksoi ajo.
Lufta për të mbrojtur iso-polifoninë filloi në mesin e viteve 2000. Duke kuptuar se forma ishte në rënie, Tole përgatiti një dosje që përfshinte çdo aspekt të stilit muzikor, nga teknikat e deri tek historia e tij, duke ndihmuar në sigurimin e një vendi për iso-polifoninë shqiptare në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s deri në vitin 2008.
Ai e krahasoi atë me xhazin në Amerikë. “Të dyja janë forma të përbashkëta të muzikës improvizuese,” tha ai.
Statusi i UNESCO-s rriti profilin e muzikës dhe së shpejti turistët filluan të shfaqen në qytete të specializuara në iso-polifoni.
“Kur turistët e huaj vijnë dhe vizitojnë Butrintin apo Gjirokastrën, kërkojnë të shohin grupin e këngëtarëve polifonikë”, tha Tole.
Në të njëjtën kohë, shfaqja e YouTube, telefonave inteligjentë dhe inovacioneve të tjera teknologjike bënë të mundur promovimin dhe ruajtjen e muzikës.
Transmetimi e ka evoluar artin në mënyrë elektronike, me DJ shqiptarë si RDN që përziejnë ritmet për të ndihmuar në modernizimin dhe popullarizimin e këngëve iso-polifonike për një brez të humbur.
Në vitin 2022, Pula hapi festivalin e iso-polifonie të organizuar poshtë Xhamisë së Pazarit të Gjirokastrës, një xhami e shekullit të XVIII, që ndodhet poshtë kështjellës së bashku me një rrjet bunkerësh nëntokësor të kohës së Luftës së Ftohtë.
Muzeu dhe tunelet e tij janë të gjitha pjesë e përpjekjes për të ndezur interesin e publikut duke e bërë muzikën më të aksesueshme.
“Kjo traditë është e rëndësishme. Sa herë që shkojmë në një mbledhje familjare, ne gjithmonë këndojmë këngët më të bukura që keni dëgjuar ndonjëherë.” — Orion Demirxhiu
Pula pranon se ruajtja e stilit muzikor tradicional mbetet një sfidë.
“Njëzet vjeçarët po transmetojnë atë që është në modë si Dua Lipa”, ylli i popit britaniko-shqiptar, prindërit shqiptarë të Kosovës të së cilës u larguan nga Ballkani në vitin 1992.
Ndërkohë këngët e Shehut dhe të këngëtarëve të tjerë mjeshtra janë në listat e këngëve të disa të rinjve. Pula shpreson që të paktën vizitorët të dalin nga muzeu duke ditur një iso-polifoni për fillestarë.
Sigurisht, jo të gjithë janë pozitivë për evolucionin dixhital të muzikës.
Një nga temat kryesore të iso-polifonisë është shprehja e vajtimeve për kohët e shkuara. Për disa, edhe videot që përhapen në internet sinjalizojnë se diçka tashmë ka humbur.
Remiksi i muzikës moderne me iso-polifoninë e shqetëson Shehun.
“I kam kushtuar jetën time krijimit të 500 pjesëve të reja muzikore. Ky brez i ardhshëm po kopjon, nuk po krijon”, tha Shehu.
Një grup i improvizuar bashkohet në këngë jashtë xhamisë së Gjirokastrës.
Pasi këndojnë vargjet polifonike, çdokush mund të bashkohet në refren, edhe nëse nuk i di fjalët.
“Magjia e iso-polifonisë është se ajo nuk ka shumë vargje”, tha Tole.
Për Shehun, magjia qëndron në vetë kohëzgjatjen e kësaj forme arti shekullore.
Ai ka një teori që tradita vjen nga një vend që të gjithë e kuptojnë.
Edhe pse Shehu shqetësohet për të ardhmen e iso-polifonisë, ai përpiqet të fokusohet tek muzika. /atsh/
“Të magjepsur pas Shqipërisë dhe me një dëshirë të fortë për të udhëtuar dhe vizituar çdo cep të saj”, me këtë fokus Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit kanë shpallur sot Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels.
Me anë të këtij konkursi fotografë e vizitorë të pasionuar pas fotografive dhe videove do të përcjellin imazhet e tyre nga Shqipëria, për të zbuluar dhe përjetuar së bashku një udhëtim magjepsës drejt bukurive shqiptare të bregdetit, të maleve, qyteteve, trashëgimisë kulturore, kulinarisë e siteve arkeologjike.
Në një konferencë shtypi të organizuar sot, ministrja Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Zana Çela kanë ftuar fotografë, kameramanë, njerëz të pasionuar pas fotografisë, por edhe thjesht pushues e vizitorë të Shqipërisë që të bëhen pjesë e Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania: Photos & Reels International Competition”.
“Jemi në një moment ku sezoni vazhdon, asnjëherë nuk kemi folur për turizëm në nëntor. Kemi pritur deri në 31 tetor, 8.98 milionë vizitorë, ndërsa vetëm ky tetor pati 89% më shumë vizitorë të huaj se tetori I vitit të shkuar. Vazhdimisht kemi shpërndarë në faqet tona online bukuritë e Shqipërisë të realizuara nga amatorë e profesionistë. Por ka qenë pikërisht ky komunikim digjital me këta njerëz pasionantë, me këta shqiptarë dhe të huaj që hedhin në rrjetet sociale për kënaqësinë e tyre, emocionet e momentit që i fiksojnë përmes një telefoni apo përmes një aparati, emocioni që shkaktojnë është e njëjtë, përcjellja e mesazhit është i fuqishëm dhe ishte ky komunikim i këtyre dy viteve me këta njerëz që na çoi në këtë produkt. T’u japim një mirënjohje ndryshe, edhe më profesionale, edhe më institucionale, gjithë kësaj armate pasionantësh të talentuar dhe të dashuruar me natyrën dhe bukuritë shqiptare. është një projekt që erdhi në mënyrë shumë të natyrshme”, tha në këtë konferencë ministrja Kumbaro.
Kurse drejtoresha Çela, ka treguar si lindi ideja për një konkurs të tillë ndërkombëtar.
“Të magjepsur pas Shqipërisë dhe me një dëshirë të fortë për të udhëtuar dhe vizituar çdo cep të saj, pikërisht këtë trend po demonstrojnë veçanërisht këtë vit miliona turistë, që vizituan e vazhdojnë ta bëjnë, vendin tonë”, – tha Çela.
Ky trend, vijoi ajo, na dha idenë e zhvillimit të Konkursit të parë Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels, ku fotografë profesionistë, e vizitorë të pasionuar pas fotografive dhe videove do na përcjellin imazhet e tyre nga Shqipëria, për të zbuluar dhe përjetuar së bashku një udhëtim magjepsës drejt bukurive shqiptare të bregdetit, të maleve, qyteteve, trashëgimisë kulturore e siteve arkeologjike, agrobiznesit, kulinarisë, etj.
Konkursi “Wanderlust in Albania” do të ndahet në 10 kategori, me tematika të ndryshme: 1. Peizazhe (natyrore, malore, bregdetare); 2. Foto panoramike (qytetet e Shqipërisë, fshatrat turistikë); 3. Monumente & site arkeologjike (monumente kulture, kala, amfiteatër, muze dhe site arkeologjikë ose të ruajtur nga UNESCO); 4. Folklor (etnografi, valle, ritual, traditë); 5. Artizanati & Zejtaria; 6. Agroturizëm & Kulinari (ushqime tradicionale, bujtina, agroturizëm); 7. Eventet e aplikacionit TEA (festivale, festa lokale, koncerte, evente artistike, ekspozita etj); 8. Turizmi sportiv & Ekoturizmi (hiking, zhytje, alpinizëm, kajak, parashutizëm, flora & fauna, shtigje, parqe); 9. Arkitekturë (xhami, kisha, arkitekturë mesjetare dhe e re urbane); 10. Foto-reportazh (foto lajm, që rrëfen ngjarje nga jeta).
Të gjithë mund të aplikojnë lehtësisht në faqen e krijuar enkas për këtë konkurs www.wanderlustinalbania.al, duke filluar nga data 20 nëntor. Duke krijuar një profil të personalizuar me të dhënat inidividuale, pjesëmarrësit në konkurs mund të ngarkojnë brenda faqes të gjithë punimet sipas kategorive të përcaktuara, me një titull specifik, e duke shpjeguar vendin e vitin kur fotografia apo videoja është realizuar. Fotografët profesionistë dhe të pasionuarit pas fotove e videove artistike e dokumentare mund t’i dërgojnë punimet e tyre më të mira, me imazhe origjinale, autentike, me rezolucionin e duhur për printim dhe përdorim digjital sipas të gjitha kritereve teknike, artistike e etike.
Gjithë informacioni gjendet i detajuar në faqen www.wanderlustinalbania.al. Në këtë konkurs përmes një jurie me ekspertë do të zgjidhen 300 fotografitë dhe 100 videot reels më të bukura nga Shqipëria turistike, me imazhe që frymëzojnë udhëtimet dhe turizmin, për të pasuruar fondin arkivor të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, si promovuesja kryesore e natyrës së rrallë, traditës, kulturës, artit e historisë shqiptare, për cilindo që dëshiron të vizitojë Shqipërinë. Pjesëmarrësit në këtë konkurs ndërkombëtar do të kenë mundësinë të çlirojnë kreativitetin dhe të përcjellin emocionet e magjisë shqiptare dhe të fitojnë edhe çmime speciale.
Ky konkurs do të ketë dy forma votimi, ku do të përzgjidhen 10 fotografitë dhe 10 videot reels më të bukura për secilën kategori përmes një jurie profesionistësh dhe 2 çmime nga votimi online, për fotografinë dhe videon reels më të mirë nga sytë e publikut, votim që do të kryhet në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Turizmit (Visit Albania) në Facebook.
Shpallja e fituesve të konkursit do të realizohet në një mbrëmje gala në 12 dhjetor. Ashtu sikundër miliona turistë zgjodhën Shqipërinë këtë verë edhe Konkursi Ndërkombëtar “Wanderlust in Albania” është një ftesë e hapur dhe për të ëndërruar së bashku me fotot e reels-et për një Shqipëri magjepsëse dhe të vërtetë. / atsh / KultPlus.com
Organizuar nga Ambasada e Japonisë në Kosovë dhe Kolegji AAB, koncerti Shamisen u mbajt në skenën e Teatrit AAB “Faruk Begolli” ku dy artistët, Hibiki Ichikawa dhe Akari Mochizuki, interpretuan melodi të këngëve tradicionale japoneze.
Artisti Ichikawal zhvillon aktivitete performuese muzikore në vende të ndryshme të Evropës, duke paraqitur meloditë e bukura dhe emocionale të Shamisen dhe kësaj radhe ka përzgjedhur Kosovën për të prezantuar kulturën japoneze.
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm ministri Hajrulla Çeku, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ambasadori japonez në Kosovë, Keisuke Yamanaka, prorektorja e Kolegjit AAB, Venera Llunji, zyrtarë të tjerë publik, dekanë, profesorë dhe studentë. / KultPlus.com
Mjeshtrit të “retouching”, kosovarit Kushtrim Kunushevcit i është besuar fotosesioni për kopertinën e revistët “Re-Edition” me protagoniste modelen e njohur shqiptare Sihana Shalaj dhe modelen Alek Wek dhe Béatrice Dalle, shkruan KultPlus.
Fotosesionin e ka kryer artistja e fotografisë Nadie Lee Cohen, e cila ka krijuar një atmosferë unike dhe të veçantë për këtë projekt. Në të njëjtën kohë ky editorial është drejtuar kreativisht nga Anthony Vaccarello, drejtori artistik i Saint Laurent për Revisten “Re – Edition” i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm duke u kujdesur për stilimin dhe prezantimin e modeleve në mënyrë të përsosur.
Kushtrim Kunushevci, si një ekspert në punën e tij, ka pasuar një qasje të shkëlqyer në përpunimin e fotografive, duke siguruar që secila imazh të shkëlqejë në mënyrë të jashtëzakonshme. Ai ka arritur të përdorë aftësitë e tij për të theksuar bukurinë natyrore të modeleve dhe për të krijuar një ndikim vizual të fuqishëm për publikun.
Kjo kopertinë e revistës “Re-Edition” bënë një ndërthurje të bukur të profesionalizmit dhe kreativitetit, duke bërë një prezantim të mrekullueshëm të bukurisë dhe modës. / KultPlus.com
Fjala e akademikut Skënder Gjinushi, të mbajtur në 115-vjetorin e Eqrem Çabej.
Pjesëmarrja dhe përshëndetja e punimeve të një konference shkencore është gjithnjë kënaqësi, por, kur ajo i kushtohet kryeshenjës së akademizmit e të shkencës shqiptare, anëtarit themeltar të Akademisë së Shkencave, prof. Eqrem Çabejt, kënaqësia kthehet në një nderim e krenari për vetë Akademinë e Shkencave. Prandaj ju falënderoj për ftesën e ju përgëzoj për faktin që keni zgjedhur këtë figurë qendrore të albanologjisë si model për nxitjen e pasionit për kërkimin shkencor tek të rinjtë.
Për çka përfaqëson profesori e akademiku Eqrem Çabej, si dijetar e shkencëtar; për veprën e tij në fushën e gjuhësisë e më gjerë; do të flasin këtu, më me kompetencë, specialistë nga më të njohurit të fushave të gjuhësisë, ish-studentë të profesorit atëherë dhe profesorë tuaj sot. Por do të dëshiroja të thoshja disa fjalë pse zgjedhja juaj është ajo e duhura dhe më inkurajuesja për brezat e rinj që dëshirojnë t’i kushtohen kërkimit shkencor e studimit.
Eqrem Çabej, pa diskutim, është modeli i një të riu shqiptar, që arriti të kthehet, me përkushtimin e talentin e tij, nga nxënës i shkollës së parë albanologjike në Botë, i asaj austro-gjermane, në përfaqësues nga më kryesorët e saj në albanologji; nga nxënës i albanologut me të njohur të kohës Norbert Jokl, në lartësinë e profesorit të tij të shquar e më pas ta çojë më përpara veprën e tij. Në këtë kuptim, profesori apo i riu Çabej, ecuria e tij në shkencë, në një periudhë mjaft të vështirë, në atë të Luftës së Dytë Botërore më pas të izolimit e ideologjizimit të skajshëm ideologjik, tregon se edhe shqiptarët mund të kapin majat e shkencës kur dinë të gërshetojnë pasionin me talentin.
Çabej dhe bashkëkohësit e tij, studiues e kolegë, bënë që albanologjia të vinte në shtëpinë e vet. Në rast se deri atëherë shkenca e albanologjisë e kishte qendrën në Austri e Gjermani, gradualisht, në fillimin e viteve 1970, siç shprehej vetë Çabej, ajo u vendos në Tiranë. Kështu, profesor Çabej me brezin e tij, treguan se mund të jemi të suksesshëm në shkencë jo vetëm individualisht, por edhe duke krijuar traditën e përvojën tonë, duke formuar individualitetin e deri shkollën tonë.
Këto janë fazat më të rëndësishme të pjekurisë së kërkimit shkencor, të cilat kanë një vlerë të veçantë në albanologji, pasi në të s’duhet vetëm të arrish e të ecësh me ritmin e të tjerëve, por duhet të jesh në pararojë, e duhet të kesh forcën e ballafaqimit me tezat e kundërta.
Sot ne pohojmë me lehtësi se gjuha jonë vjen nga ilirishtja; se ajo është nga më të vjetrat; se paraardhësit tanë janë ilirët; por vite më parë, në kohën e të riut Çabej, për arsye të mirënjohura, ishin më të pranishme e më agresive shkollat dhe studiuesit që përpiqeshin të propagandonin e të vërtetonin të kundërtën. Qysh në Kongresin e Parë të Studimeve Ilire, më 1972, në saje të veprës së Çabejt, Budës etj., u vërejt me kënaqësi se kishte filluar të ndryshonte balanca në botën albanologjike, brenda e jashtë Shqipërisë, në favor të tezave tona, të shkollës tonë.
Vlen të theksohet se në atë kohë institutet e para të albanologjisë, me një numër të limituar kërkuesish, kishin vetëm dy dekada jetë; se ende kërkimet arkeologjike ishin në hapat e para dhe shumë prej siteve arkeologjike ishin të pazbuluara, madje në ish-Jugosllavi ato mbaheshin të mbyllura ose përdoreshin për keqinterpretim. Pra, shkollës sonë të re i duhej të ballafaqohej me shkolla më të vjetra e shumë më të mbështetura në njerëz e mjete.
Në këtë përballje, nëpërmjet Çabejt, shfaqen disa nga tiparet e vlerat kryesore që duhet të ketë kërkuesi e shkencëtari, në dallim nga pseudoshkencëtarët apo amatoret entuziastë, pa u marrë me autodijetarët. Se pasioni në shkencë nuk tregohet duke bërë pohime e deklarime të nxituara, por në punën për gjetjen e provave dhe fakteve shkencore në mbështetje të tezës që mbron; se teoritë e tezat e gabuara, deri dhe antishqiptare, nuk rrëzohen duke sharë bartësit, por duke i çmontuar e zhvlerësuar shkencërisht ato; se keqpërdorimi i fakteve e dokumenteve është cilësi e të paaftit dhe mediokrit; se patriotizmi tregohet duke e mbrojtur dhe argumentuar prejardhjen e lashtësinë e popullit e të gjuhës tënde me argumente shkencore të pranueshme e të pakontestueshme nga qarqet shkencore, jo duke rendur t’i paraqesësh ato në mënyrë të ekzagjeruar, shoqëruar me teza e prova diletanteske e deri qesharake.
Këtu përforcohet një tjetër tipar kryesor i veprës së Çabejt, si dijetar e kërkues që duhet ta ketë çdo kërkues, veçanërisht në fusha të tilla si gjuhësia, identiteti, historia e arkeologjia, ku shkenca prek kufijtë dhe interesat e politikës së ditës, ndjeshmëritë populiste, deri kufijtë e patriotizmit e nacionalizmit. Ai është modeli që diti t’i qëndrojë presionit politik e për glorifikim nacionalist në çdo periudhë, me bindjen se e vërteta shkencore duhet të jetë e pandikuar; se ajo, kur është e pandikuar, i shërben më mirë edhe çështjes kombëtare e patriotike; se shkenca shqiptare nuk duhej të ndiqte shembullin e fqinjëve; se ajo s’kishte dhe nuk ka nevojë as ta deformojë, as ta zbukurojë të vërtetën, mjafton që ta mbrojë e argumentojë atë. Kështu, p.sh., ai nuk rendi të shpallë një moshë absolute të gjuhës shqipe, por vërtetoi atë çka lejonin faktet, metodologjitë e teknikat e kohës, që ajo vjen nga ilirishtja dhe është ndër më të vjetrat gjuhë indoeuropiane. Sot, me metodat e reja, duke përfshirë inteligjencën artificiale, ka studime që vlerësojnë se gjuha jonë është ndarë nga trungu i familjes indoeuropiane 6-8 mijë vjet më parë, e kjo nuk ka asgjë kundërthënëse me albanologjinë si shkencë dhe me veprën e Çabejt, përkundrazi, konsolidon arritjet e tyre.
Ndokush që mund të thoshte apo të thotë sot pse nuk u pohua që atëherë se gjuha jonë është mijëravjeçare do t’i ngjante naivit që pyet pse Njutoni nuk zbuloi teoritë e Ajnshtajnit. Ecuria në shkencat albanologjike, shembulli i veprimtarisë e kontributit të Çabejt, janë tregues të asaj që shkenca dhe kërkimi shkencor zhvillohen në mënyrë piramidale: kontribuojnë me qindra, shkojnë më lart me dhjetëra, edhe më lart disa, dhe në fund majën e kap më i zoti. Dhe profesori, kolegët e bashkëpunëtorët e tij, ngritën me shumë mund e profesionalizëm piramidën e vërtetimit të tezës ilire për prejardhjen e gjuhës e të popullit shqiptar. Dhe e kapën majën e synuar. E për këtë do të ketë vlerësimin e të gjithë brezave. Ai ndërkohë parashikoi se në të ardhmen arkeologjia do të flasë më shumë se gjuha, pasi materia-objekt i saj është më e ruajtur e më e shtrirë në kohë, ndërkohë që shqipja ishte shkruar shumë vonë. Dhe zbulimet e shumta arkeologjike, gjatë gjithë këtyre viteve, të shtrira tashmë edhe në Kosovë; si dhe futja e metodave moderne në kërkim e datim, të mundësuara prej aplikimeve antropo-gjuhësore e gjenetiko-gjuhësore; të mbështetura në ADN-në e gjuhës dhe në inteligjencën artificiale; po ngrenë piramidën më të madhe të studimeve për popullsitë më të hershme, parailire e preilire, apo, siç quhen shpesh, pellazgë. Në shkencë çdo gjë ka e do kohën e vet.
Do të uroja dhe kam besim se shumë prej jush, prej brezave më të rinj, mjaft prej tyre edhe referues sot në këtë konferencë, të synojnë e të bëhen pjesë e kësaj piramide. / KultPlus.com
Festivali i Këngës do të mbahet në datat 19, 20, 21 dhe 22 dhjetor. Sikurse dihet, ai do të ketë më shumë se një prezantues, dhe deri më tani është zbuluar vetëm një prej tyre, aktorja e njohur Adriana Matoshi.
“Do të jem një prezantuese e re, që për herë të parë në jetën time marr pjesë në këtë event. Është një sfidë e madhe për mua, por si person mua më pëlqejnë sfidat. Mezi po pres që të fillojë festivali dhe të kënaqemi me këngët që i keni përzgjedhur. Suksese të gjithëve dhe uroj që të kënaqemi bashkë,” u shpreh Matoshi.
E së fundmi është zbuluar një tjetër prezantues që le të themi na surprizoi të gjithëve. Bëhet fjalë për Kledi Kadiun.
Balerini dhe koreografi i njohur, që prej vitesh punon e jeton në Itali, do të jetë në rolin e moderatorit në netët e Festivalit, në një rol që mezi po presim ta shohim. Kadiu vitin e shkuar u rikthye në ekranin shqiptar si pjesë e jurisë së “Dancing With The Stars” në Top Channel, e është shprehur krenar për këtë mundësi që i është dhënë.
Dy moderatorët e tjerë që pritet të plotësojnë katërshen thuhet se janë Almeda Abazi dhe Xhani Shqerra.
Ekipi që do të realizojë festivalin e këtij viti përbëhet nga Bojken Lako, drejtori artistik, Enkel Demi si skenarist, kantautori Elton Deda, dhe regjisori Pali Kuke. / KultPlus.com
Katër shqiptarë kanë fituar në Zgjedhjet e përgjithshme speciale në Nju-Jork dhe Nju-Xhersi, duke bërë histori në emigracionin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mes tyre është edhe Edit Shkreli, një shqiptaro-amerikane që fiton garën për gjykatëse në Gjykatën Civile të New York-ut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më 7 nëntor 2023, në Zgjedhjet e përgjithshme speciale për Gjykatën Civile të Nju-Jorkut të Qarkut të Parë të Gjykatës Komunale të Bronx konkurruan dy kandidate Carol Malcolm dhe Edit Shkreli.
Edita ka lindur në Shkodër, dhe emigroi në Amerikë me prindërit e saj kur ishte 13 vjeçe për t’u shpëtuar trazirave të Mars-it 1997. Babai i saj, Ing. Skender Shkreli, ka drejtuar ndërtimin e rrugëve, urave, uzinave dhe hidrocentraleve kudo nëpër Shqipëri. Po ashtu, Ing. Shkreli ka qënë kryeinxhieri i eliminimit të pasojave të termetit të tmerrshëm të vitit 1979 me epiqendër në Dajç të Bregut të Bunës dhe kryeingjinieri i ndërmarrjes së asfaltimeve për gjithë zonën e Veriut. Nëna e saj, Elida Shkreli, ka punuar ekonomiste e qarkullimit monetar në Bankën e Shtetit Shkodër, sot Banka Kombëtare Tregtare, përcjell Albinfo.ch
Në vitin 2011, ajo përfundoi studimet e avokaturës tek New York Law School, duke u diplomuar juris doctor, cum laude. Mbas pak muajsh, ka kaluar me herë të parë një nga provimet më të vështira të licencimit, provimin e Shtetit të New York-ut (“bar exam”). Edita ka më shumë se tetë (vite që punon pranë Gjykatave të Bronx-it dhe të White Plains me çështje komerciale, divorci, etj. Ajo zotëron njohuri të larta juridike që së bashku me eksperiencat e saja e bëjnë atë të kualifikuar për të marrë vendime të drejta për komunitetin tonë.
Gjithashtu ajo është pedagoge e përkushtuar në mësimdhënie, të cilën e ushtron tek New York Law School që në vitin 2019.
Edita jep kontributin e saj si anëtare pranë Bronx Community Board # 11 si dhe anëtare e bordi-t të organizatave jofitimprurëse, Neighborhood Initiatives Development Inc. dhe Albanian-American Educators Association. / KultPlus.com
Dylan Marlais Thomas ishte poet dhe shkrimtar i Uellsit, veprat e të cilit përfshijnë poezitë “Mos ecni mirë në atë natë të mirë” dhe “Dhe vdekja nuk do të ketë sundim”, tregime dhe transmetime radiofonike të tilla si Krishtlindja e Fëmijës në Uells dhe Portreti i Artistit si Qen i Ri. Ai u bë shumë popullor në jetën e tij dhe mbeti kështu pas vdekjes së tij të parakohshme në moshën 39 vjeçare në New York City. Deri atëherë ai kishte fituar një reputacion, të cilin e kishte inkurajuar, si një “poet i dehur dhe i dënuar”.
Thomas u lind në Swansea, Uells, në vitin 1914. Një nxënës i paarsyeshëm, ai e la shkollën në moshën 16 vjeç dhe u bë gazetar për një kohë të shkurtër. Shumë nga veprat e tij u shfaqën në shtyp ndërsa ishte ende adoleshent; megjithatë, ishte botimi në vitin 1934 i “Prishjes së dritës ku nuk shkëlqen dielli” që kapi vëmendjen e botës letrare. Ndërsa jetonte në Londër, Thomas u takua me Caitlin Macnamara, me të cilen ai u martua në vitin 1937. Marrëdhënia e tyre u përcaktua nga alkoolizmi dhe ishte reciprokisht shkatërrues. Në pjesën e hershme të martesës së tyre, ata u vendosën në Laugharne, nje fshati peshkataresh në Uells.
Thomas u vlerësua si një poet popullor gjatë jetës së tij, megjithëse ai e gjeti të vështirë të jetonte si shkrimtar. Ai filloi të shtonte të ardhurat e tij me turne leximi dhe transmetime radio. Regjistrimet e tij të radios për BBC gjatë viteve 1940 e çuan atë në vëmendjen e publikut dhe ai u përdor shpesh nga BBC si zë populist i skenës letrare.
Thomas udhëtoi për herë të parë në Shtetet e Bashkuara në vitet 1950. Leximet i sollën atij një shkallë të famës, ndërsa sjellja e tij e çrregullt dhe pirja e keqësuan. Koha në Amerikë ka forcuar legjendën e tij, dhe ai vazhdoi të regjistrojë në vinyl vepra të tilla si Krishtlindjet e Fëmijës në Uells. Gjatë udhëtimit të tij të katërt në Nju Jork në vitin 1953, Thomas u sëmur rëndë dhe ra në koma, nga e cila nuk u shërua kurrë. Ai vdiq më 9 nëntor 1953. Trupi i tij u kthye në Uells, ku ai u caktua në oborrin e fshatit Laugharne më 25 nëntor 1953.
Megjithëse Thomas shkroi ekskluzivisht në gjuhën angleze, ai është pranuar si një nga poetët më të rëndësishëm të Uellsit të shekullit të 20-të. Ai është i njohur për përdorimin e tij origjinal, ritmik dhe të zgjuar të fjalëve dhe imazheve. Pozita e tij si një nga poetët e mëdhenj modernë është diskutuar shumë, dhe ai mbetet popullor per publikun. / KultPlus.com
Më 9 nëntor 1917, u ekzekutua atdhetari Themistokli Gërmenji.
Gërmenji lindi në Korçë në janar 1871. Më 1892 mërgoi së bashku me të vëllain, Telemakun, në drejtim të Rumanisë, ku punoi si çirak dhe u mor me tregti. Atje u lidh me shoqëritë patriotike “Drita” e “Dituria” dhe u përfshi në veprimtarinë e tyre atdhetare.
Pas Revolucionit xhonturk të korrikut 1908, hoteli “Liria” në Manastir që bashkëndante si pronë me Telemakun, u bë vatër e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në vitin 1911 Gërmenji u lidh me rrethet arbëreshe të Italisë, për t’u angazhuar më pas në radhët e një qendre patriotike shqiptare në Korfuz, ku u aktivizua.
Në vitin vendimtar 1912, u vu në krye të një çete luftëtarësh të armatosur që vepronte në krahinën e Korçës. Bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit dhe në vjetët 1913-1914 kreu detyra të rëndësishme në administratën e shtetit të pavarur shqiptar.
Në vitet 1916-1917 luajti rol kryesor për nënshkrimin e protokollit shqiptaro-francez të 10 dhjetorit 1916, përmes të cilit u shpall Krahina Autonome e Korçës.
“Mos m’i lidhni sytë. Të më pushkatoni me gjoksin para dhe jo në shpinë. Skuadrës së pushkatimit ia jap vet urdhrin për zjarr”, citohet të ketë thënë patrioti Gërmenji para togës së pushkatimit, të urdhëruar prej gjyqit ushtarak francez.Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ndau në këtë përvjetor foton e Gërmenjit me Nikolla Ivanajn, njoftimi për përurimin e bustit të Gërmenjit në 10-vjetorin e ngritjes së flamurit në Korçë, propozimi i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe motivacioni për dekorimin e Gërmenjit me titullin “Hero i Popullit”. / atsh / KultPlus.com
Kryevepra e Pablo Picassos e vitit 1932, Femme a la Montre (Gruaja me orë), është shitur për 139 milionë dollarë, sipas qendrës për ankande Sotheby.
Kjo është vepra e dytë më e shtrenjtë që është shitur nga ky artist spanjoll.
Por, Femme a la Montre (Gruaja me orë) është bërë vepra e shitur më së shtrenjti në ankand këtë vit.
Në të artisti e ka portretizuar Marie-Therese Walter, modelen franceze me të cilin ka pasur lidhje dashurie, dhe e ka pasur frymëzim edhe për piktura tjera.
Fillimisht piktura është vlerësuar 120 milionë dollarë, para se të vendosej në shitje.
Kjo pikturë e artistit spanjoll ka qenë më parë në pronësi të koleksionistes së artit Emily Fisher Landau, e cila e ka blerë atë më 1968.
Vepra tani është blerë prej një blerësi anonim.
Femme a la Montre, është portret i Walterit, e ulur në një karrige që ngjan me fron mbretëror dhe e ka një prapavijë të kaltër.
E njohur si “muza e artë” e Picassos, Walter ka qenë 17-vjeçare, kur është takuar me Piccason 45-vjeçar në Paris, dhe e kanë nisur një lidhje sekrete, pasi ai ka qenë ende i martuar me Olga Khokhlovan, balerinë ukrainase.
Piktura që është shitur më së shtrenjti në autorësi të Piccasos është Gratë e Algjerit, në vlerë të 179.3 milionë dollarëve, më 2015.
I lindur në Mallaga më 1881 dhe i rritur në Barcelonë, Picasso është zhvendosur në Paris më 1904, dhe është bërë një prej artistëve më të rëndësishëm të shekullit 20.
Ai i ka pasur katër fëmijë dhe ka vdekur në jug të Francës më 1973, në moshën 92-vjeçare.
Ndonëse trashëgimia e tij kreative nuk është vënë kurrë në dyshim, në vjetët e fundit rriten dilemat për sjelljen e tij.
Ai është akuzuar për qasje mizore dhe shtrënguese. /REL/ KultPlus.com
Në edicionin e 64-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik, janë shfaqur disa filma nga Kosova por nuk kanë munguar as nga Shqipëria, përcjell KultPlus.
Ndër filmat që u shfaqën nga Kosova ishin:
1. Filmi i metrazhit te gjatë “Martesa”, me regjisore Blerta Zeqirin.
2. Filmi i metrazhit te shkurtër “Four Pills at Night”, regjisor Leart Rama.
3. Filmi i metrazhit të gjatë “House Keeping for Beginners”, regjisor Goran Stolevski.
Gjithashtu u shfaq filmi nga Shqipëria “A Cup Of Coffe and New Shoes On” regjisor Erenik Beqiri.
Pas shfaqjes së filmave, publiku pati mundësi të bëjë pyetje për regjisorët e filmave të cilët ishin të pranishëm. Komentet dhe reagimet nga publiku ishin të mrekullueshme.
Përveç filmave, dje u mbajt edhe Asambleja e përgjithshme e See Cinema Network, për të diskutuar zgjedhjen e projekteve që do të marrin mbështetjen e rrjetit për zhvillim.
Pjesë e Asamblesë së përgjithshme ishin shtetet ballkanike si: Kosova, Greqia, Bullgaria, Mali i Zi, Romania, Shqipëria, Cyprus dhe Maqedonia e Veriut
Kujtojmë se disa nga projektet e përzgjedhura ndër vite nga Kosova për përkrahje nga See Cinema Network ishin:
“Kthimi ne mal” regjia Antoneta Kastrati,
“Zana”, regjia Antoneta Kastrati,
“Gruaja e Shtepise”, regjisor Fatos Berisha,
“Koagolimi”, regjisor Noar Sahiti,
“Burek”, regjisor Ismet Sijarina dhe
“Looking for Venera”, regjisor Besnik Krapi. / KultPlus.com
34 vjet më pare, më 9 nëntor të vitit 1989, rrëzohej Muri i Berlinit, një ngjarje që është bërë simboli i rënies së komunizmit në Evropë.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u nda në katër zona ushtarake; zona franceze, britanike, amerikane dhe sovjetike, po ashtu edhe qyteti i Berlinit.
Nga viti 1945 deri në vitin 1961, rreth tre milion njerëz shkuan nga Gjermania Lindore dhe Berlini Lindor në perëndim. Muri u ndërtua për të penguar largimin e gjermano-lindorëve, duke u bërë kështu simboli i mungesës së lirisë së tyre.
Pak pas mesnatës së 13 gushtit 1961, qeveria u dha urdhër më shumë se 40 mijë ushtarëve dhe policëve gjermano-lindorë të bllokonin me tela me gjemba gjithë kufirin, duke lënë vetëm 13 pika kalimi për në Berlinin Perëndimor.
10 mijë kilometra tela u shtrinë në perimetrin prej 155 kilometrash të Berlinit Perëndimor. Muri u përfocua herë pas here dhe deri në vitin 1989 ai numëronte 45 mijë blloqe betoni, 259 qen kufiri dhe 302 kulla vëzhgimi.Në mbrëmjen e 9 nëntorit 1989, Muri i Berlinit u hap. Kufiri mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore, ku tanket e Traktatit të Varshavës dhe NATO-s qëndruan përballë njeri tjetrit për dekada me radhë, humbi kuptimin ashtu si dhe shteti socialist i Gjermanisë. 11 muaj pas rënies së Murit të Berlinit, Gjermania u ribashkua. / atsh / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Finlandë.
Me ftesë të qeverisë finlandeze, Presidentja Osmani krahas krerëve shtetëror nga vende të tjera të botës do të marrë pjesë në varrimin e ish-presidentit të Finlandës dhe kryenegociatorit për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari. Në delegacionin shtetëror të Presidentes do të jetë edhe ish-Presidenti Fatmir Sejdiu.
Funerali i presidentit Ahtisaarit do të mbahet më 10 nëntor. / KultPlus.com