Maji që ikën

Nga Aladin Stafa

Realiteti që ky maj na përcjell nuk është fort i ndryshëm me atë cfarë mund të kishim imagjinuar. Si cdo herë njeriu mbetet po ajo qenie e dobët, duke e pranuar fatin e vet se shumëcka në dorë ai nuk ka. Ndaj dhe përballja me të tashmen nuk të mundon shumë për të ndërtuar plane afatgjatë, por thjesht vendimarrje spontane prej një instikti individual. Secili i ndryshëm në sferën ku vibron, me një aureolë gjithashtu të vecantë.

E mban mend janarin? Kanë kaluar plot pesë muaj sa hap e mbyll sytë, për të thënë literalisht se koha fluturon, se nuk pret apo ndalon por përkundrazi ajo të përcjell bashkë me sfidat, mendimet, fitoret e humbjet e tua. Thonë se të paktën plagët i shëron, ama gjurmët e saj aty mbesin! Të nevojshme që historinë tënde mos ta harrosh, që nga fakti se nga ke ardhur deri te cdo kapitull i mbyllur me apo pa dëshirën tënde, me apo pa fajin tënd, pse jo ndoshta për të të kujtuar atë pak proges që sado i vogël mund të të duket gjithsesi mbetet një progres. Vetëm e për një arsye; njeriu ka nevojë të ecë përpara.

Ashtu sikurse koha, mosha dhe vetë jeta. Ndaj dhe gjurmët mbesin si tatoo në fibrën tënde të nënvetëdijes sepse eksperienca është tatoo-ja e shpirtit që nuk ka nevojë as për bojë, as për figura, as për data e as për shkronja. Është rrugëtimi yt i derisotshëm, i vërteti, thelbësisht origjinali, ai pa filtra e ku cdokush ka rolin e vet në të.

Komike duket teksa vështroj qiellin e nuk mundem të them se në c‘muaj jemi vallë? Janar apo maj, duket se koha trand njësoj në ‘zemrekun’ e saj duke na bërë të mendojmë se Toka shfaqet e lodhur në ngjyrat dhe stinët e saj.

Automatizimi i cdo sektori të jetës i ka mbytur stinët e dielli nuk do që të shfaqet më mbi ne ndërsa pret mbi re derisa njerëzit të kthehen përsëri nën rreze të tij.

Mbrëmjeve hëna ende ulet teposhtë, e me dritën që dielli i jep gjatë ditës përpiqet natës t‘i japë pakëz dritë.

Kush arrin të pushojë plotësisht në këtë sistem të ngritur mbi stresin, konkurencën, egon dhe paranë?! Tejet larg natyrës dhe qetësisë, aty ku kapitalizmi dhe teknologjia fshijnë përditë nga pak te ne ca përqindje të ndjesisë humane!

Apo mos ndoshta shqisat ndodh që vërejnë pak më shumë se zakonisht? Mundet! Të jem i sinqertë as dëshirë e as motiv nuk kam për ta parë ndryshe. Sepse gota që të mund të shihet gjysëm plot duhet të ketë ujë në të. Uji po mungon, është tharë me kohë se dhe shiu që bie nuk dëshiron të rrijë më shumë se disa minuta në këtë ambient të thatë…e të betonizuar. Kudo dhe ngado sa duket që edhe natyra duhet automatizuar tashmë. Pa harruar erën, e cila furishëm fryn me doza të larta mërie, si për të na shkundur paksa teksa ecim rrugëve me bindjen se po shkojmë në drejtimin e duhur.

Ky do të ishte maji, përsëri gri si janari, me një shije freskie drejt një vere që nuk e ka ndarë ende mendjen se ku do të qëndrojë. Ndoshta ngaqë ende askush nuk është i lirë mjaftueshëm për t‘i prirë udhëtimit të tij.

Kohë vetmie duket si koha e vetme e servivur tanimë; se dhe kur jemi me njerëz ndihemi vetëm. Mos prit të ndryshojë shumë, gjej veten përpara se sistemi të të gjejë ty. Përdore qetësinë për të dalë nga një cikël i mbyllur e kaotik. Koha gjithsesi do të ecë, historia do të shkruhet e njerëzit disa do të vijnë e të tjerë do të largohen.

Në fund të gjithë largohemi vetëm, ashtu si dhe kemi ardhur. E duke qenë se realiteti është një koncept që njeriu nuk mund ta kapërdijë lehtë, edhe në kohën më gri- një emër i lënë me kuptim mbetet dritë- jo thjesht për t’u kujtuar por për t’u shenjuar prej tij.

Vjene, 28 maj 2025/ KultPlus.com

‘Flatrat që ndryshojnë botën’- Kolonia e Parë e Artit për Fëmijë nis edicionin e parë me 54 krijime artistike

Në ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, është hapur ekspozita “Flatrat që ndryshojnë botën”, e cila është pjesë e edicionit të parë të kolonisë artistike unike, e organizuar nga Fondacioni AKILI, shkruan KultPlus.

Punimet e 54 fëmijëve që shpërfaqnin botën dhe imagjinatën e tyre janë krijuar përmes pikturës, lojës dhe përjetimit të përbashkët sot me rastin e ditës së tyre ndërkombëtare. Dielli, Hëna, Yjet, Qielli, Lulet, Pranvera, Deti dhe Malet janë motivet të cilat i karakterizojnë pikturat e realizuara nga duart e arta të vogëlushëve simpatikë.

Moderuesja e ekspozitës, Vlora Merovci, ka thënë se kjo ngjarje paraqet një hapësirë frymëzuese në të cilën lirshëm është shprehur imagjinata e tyre e fuqishme.

“Kjo ngjarje është menduar si një hapësirë frymëzuese, ku fëmijët shprehin ëndërrat dhe imagjinatën, dhe fuqinë e tyre përmes pikturave, për ta bërë botën një vend më të mirë, ashtu siç vetëm ata dijnë” ka thënë moderuesja Merovci, aura e së cilës karakterizohet nga një pozitivitet i jashtëzakonshëm.

Ndërkaq, Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, pasi ka falënderuar organizatoren Safa Boja- Dashevci për një iniciativë të tillë, duke e quajtur ikonë të prindërimit të suksesshëm, fëmijëve iu ka ndarë mirënjohje për punën e tyre krijuese.

“Si kurrë më parë sot jam jashtëzakonisht e lumtur që tanimë ekspozitat nuk janë vetëm të Akilit, por edhe të shokëve të tij. Falë punës, përkushtimit dhe përgjegjësisë së një zonje si Safa, e cila nuk u ndal kurrë së punuari për ta prezantuar artin si një prej formave më të mira të ngritjes së vetëdijes së shoqërisë prishtinase për rolin e gjithëpërfshirjes në komunitetin e artit”, ka thënë drejtoresha Halimi.

Tutje, drejtoresha Halimi ka bërë thirrje që prindërit si Safa, dhe fëmijët e rëndësishëm dhe të jashtëzakonshëm si Akili, të prijnë në raste ku arti bëhet identiteti i të menduarit, vepruarit dhe ndryshimit të gjithë shoqërisë.

“Jam e vetëdijshme që jo vetëm sot në ditën ndërkombëtare të tyre, janë edhe 364 ditë të tjera, ku në fakt ata duhet të përfshihen në të gjitha planifikimet dhe zbatimet e politikave dhe të aktiviteteve tona. Si kurrë më parë, në Drejtorinë e Kulturës ne kemi përfshirë fëmijët për të kuruar programin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, prandaj është shumë e rëndësishme që fëmijët tanë mos të izolohen vetëm në ditë të cakuara por thjeshtë të jenë pjesë përbërëse e vendimarrjes, pasi në këtë mënyrë iu ushejmë dhe iu fryëzojmë lidershipin që të na prijnë në ditët në vijim”, ka thënë Halimi.

Ndërsa, Safa Boja- Dshevci, themeluese e fondacionit AKILI ka thënë se dita e sotme për të ka qenë shumë emocionuese, pasi kanë arritur të realizojnë një koloni, që sipas saj i ka munguar lagjes së pikorëve.

“Sot ishte një ditë me shumë punë dhe aktivitete. Ka qenë një ditë shumë emocionuese sepse kemi pasur një ekspozitë të fëmijëve të moshave të ndryshme, duke dilluar nga parashkollorët, shkollarët dhe të rinjt. Pjesëmarrës kanë qenë 54 fëmijë, të gjithë kanë marrë certifikata, të gjihë kanë bërë punime shumë të bukura, dhe të gjithë i kanë marrë punimet dhe certifikatat nga fondacioni AKILI. Pikturat janë realizuar sot, hapja për punime është bërë ora 11:00. Në këtë kohë të gjithë kanë filluar të punojnë për rreth një apo një orë e gjysmë. Kjo koloni e fëmijëve dhe të rinjëve do të bëhet tradicionale. Çdo vit do të organizohen koloni të tilla, të cilat mendoj se i kanë munguar lagjes së artistëve”, ka thënë Dashevci, duke e potencuar edhe qëllimin e fondacionit AKILI.

“Fondacioni Akili ka për qëllim vetëdijesimin përkrahjen në komunitet të personave disleksik. Për këtë arsye është hapur edhe fondacioni AKILI. Në kuadër të fondacionit Akili është realizuar kjo ekspozitë. Jo rastësisht është quajtur “Flatrat që ndryshojnë botën”, flatrat në pamje janë të vogla por bartin në veten e vet një dallgë të fuqishme që ndryshon shoqërinë, artin dhe komunitetin”, ka përfunduar Dashevci.

Kurse, kuratori Anton Krasniqi ka falënderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje, në këtë ngjarje me rëndësi të veçantë.

“Të nderuar prind, të nderuar yje të së ardhmes, ju fëmijë, që na keni bërë krenarë. Gjatë kësaj kolonike kemi sjellë këtë ekspozitë kaq të mrekullueshme. Urime paçi shëndet e shumë suksese!”, ka thënë ai.

Pas hapjes së ekspozitës, fëmijëve iu janë ndarë edhe mirënjohje për punën dhe krijimet e tyre artistike. Dhe krejt në fund prindërit dhe fëmijët patën mundësi të bisedojnë dhe të argëtohen në një koktej rasti.

Rama ndan pamje nga koncerti i muzikës elektronike: Tirana europiane

Një nga eventet më të mëdha muzikore dhe artistike u organizua mbrëmjen e djeshme në zonën e liqenit të Tiranës, ku artistë nga e gjithë bota u ngjitën për herë të parë në një skenë shqiptare për të dhuruar performancë artistike dhe emocione për të gjithë të pranishmit.

Qindra të rinj, dashamirës të muzikës elektronike, artistë dhe qytetarë dhe turistë të shumtë që gjenden në Tiranë këto kohë e shijuan nga afër eventin që shndërroi kryeqytetin në një qendër të muzikës dhe artit.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga ky koncert i zhvilluar mbrëmjen e djeshme, duke e cilësuar aktivitetin si “Tirana europiane”.

Për herë të parë, grupi legjendar nga Berlini, i përbërë nga Adam Port, &ME, Rampa and Reznik, performuan në një skenë shqiptare duke elektrizuar atmosferën dhe dashamirësit e muzikës elektronike dhe hitet e njohura në të gjithë botën.

10 filmat për t’u parë gjatë qershorit

BBC ka bërë një renditje të 10 filmave për t’u parë gjatë qershorit, që janë:

1 – Materialists

Debutimi i Celine Song u nominua për dy çmime Oscar në vitin 2024. Për filmin e saj të dytë, Song është zhvendosur nga një dramë delikate gjysmë autobiografike në një komedi romantike joshëse me një kast aktorësh të nivelit A.

2 – The Life of Chuck

Jeta e Chuck-ut fillon në fund – konkretisht, në fund të botës. Dy ish-bashkëshortë, Chiwetel Ejiofor dhe Karen Gillan, bashkohen për të parë Tokën të shkatërrohet dhe yjet të zhduken – por pse papritmas ka postera kudo që festojnë Charles “Chuck” Krantz (Tom Hiddleston) të sjellshëm?

3 – M3GAN 2.0

M3GAN ishte një hit në vitin 2022 – megjithëse kjo mund të ketë pasur më pak të bëjë me vetë filmin sesa me mënyrën se si klipet e antiheroinës së tij robotike u përhapën në TikTok. Sidoqoftë, një vazhdim dukej i pashmangshëm – dhe ja ku është, kthimi i kukullës me inteligjencë artificiale (Amie Donald, me zërin e Jenna Davis) e cila u dizenjua nga Gemma (Allison Williams).

4 – Elio

Takimi më i famshëm i kinemasë midis një djali dhe një alieni ishte në filmin e Steven Spielberg, ‘’ET The Extra Terrestrial’’ – dhe djali quhej Elliott. A mund të jetë kjo arsyeja pse vizatimi i Pixar për një djalë që takon alienët quhet Elio?

5 – 28 years later

Në fakt kanë kaluar vetëm 23 vjet që kur doli 28 Days Later, por kush po numëron? Ajo që ka rëndësi është se e preferuara e horrorit në Mbretërinë e Bashkuar është rikthyer më në fund. Dhe, ndryshe nga vazhdimi i parë, 28 Weeks Later, ky është ideuar nga krijuesit e filmit origjinal, regjisori Danny Boyle dhe skenaristi Alex Garland.

6 – From the World of John Wick: Ballerina

Personazhi kryesor është Eve Macarro, luajtur nga Ana de Armas, e cila tregoi kredencialet e saj të aksionit në filmin e fundit të James Bond ‘’No Time to Die’’.

7 – Marlee Matlin: Not Alone Anymore

Marlee Matlin ishte aktorja e parë e shurdhër që fitoi një Oscar kur mori në shtëpi trofeun e aktores më të mirë për ‘’Children of a Lesser God’’ në vitin 1987. Dhe, në fakt, asnjë aktor tjetër i shurdhër nuk fitoi çmime Oscar deri në vitin 2022, kur Troy Kotsur u emërua aktori më i mirë mbështetës për interpretimin e burrit të personazhit të Matlin në ‘’Coda’’.

8 – Happy Gilmore 2

Një nga filmat më të hershëm të Adam Sandler, Happy Gilmore është një komedi sportive e çmendur për një lojtar hokeji.

9 – F1: The Movie

Ekipi pas ‘’Top Gun: Maverick’’ – përfshirë regjisorin Joseph Kosinski, skenaristin Ehren Kruger, producentin Jerry Bruckheimer, operatorin Claudio Miranda dhe kompozitorin Hans Zimmer – ribashkohen për një tjetër dramë me buxhet të madh për një demon veteran shpejtësie që i mëson brezit të ri se si bëhet kjo. Megjithatë, nuk ka asnjë shenjë të Tom Cruise. Në vend të kësaj, në F1 luan Brad Pitt si një pilot i Formula 1.

10 – Sorry, Baby

Filmi debutues i Eva Victor mori kritika entuziaste kur u shfaq premierë në Festivalin e Filmit Sundance në janar. Përveç shkrimit dhe regjisë, Victor luan në filmin “Sorry, babe” si Agnes, një lektore që jep mësim në të njëjtin kolegj të New England ku ajo dikur studionte.

Kur shoqja e saj më e mirë, Lydie (Naomi Ackie), vjen të qëndrojë, është e qartë se jeta e Lydie ka ecur përpara që kur ishin studentë, ndërsa Agnes është bllokuar – ndoshta për shkak të një sulmi seksual./ atsh/ KultPlus.com

Zbulohet një vendbanim gati 3 000-vjeçar i fisit Maja

Arkeologët kanë zbuluar një vendbanim gati 3 000-vjeçar të fisit Maya në Guatemalën veriore, i cili mund të ketë qenë një nga qendrat më të rëndësishme ceremoniale të rajonit, tha kryearkeologu Milan Kovac në një konferencë për shtyp.

Vendi i sapozbuluar është quajtur Los Abuelos, ose gjyshërit, pasi dy skulptura guri të ulura që besohet se përfaqësojnë një burrë dhe një grua, u gjetën atje.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Guatemala City, Kovac tha se skulpturat besohet të jenë të lidhura me adhurimin e paraardhësve dhe se vendi mund të ketë qenë një nga qendrat më të rëndësishme rituale të rajonit.

Statujat, të cilat janë rreth 1,5 metra të larta, u gjetën me enë qeramike të thyera në këmbët e tyre, me shumë gjasa oferta rituale.

Los Abuelos ndodhet në pyllin tropikal pranë Uaxactun në provincën Peten dhe mbulon rreth 16 kilometra katrorë.

Ndodhet rreth 40 kilometra në veri të Tikal, një vend i rëndësishëm i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Gërmimet kanë zbuluar gjithashtu një observator, piramida, altarë, fragmente stelash dhe qeramikë.

Studiuesit besojnë se vendi shërbeu si një qendër rituale për rreth 1 000 vjet, përpara se të braktisej dhe më pas të ribanohej rreth vitit 800 pas Krishtit./ atsh/ KultPlus.com

Producentë të famshëm në botë zbarkojnë në Gjirokastër

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka treguar se producentë të famshëm në botë kanë zbarkuar në Gjirokastër.

Ai përmes një postimi në Facebook tha se Gjirokastra nuk është vetëm krenari, por siç u shpreh ai, edhe një skenë magjike ku historia dhe pasioni për artin takojnë sytë e botës.

“Hollywood vjen në Gjirokastër, sepse tanimë Gjirokastra nuk është vetëm krenari, por dhe një skenë magjike ku historia dhe pasioni për artin takojnë sytë e botës. Producentët më të famshëm të kinemasë — nga Warner Bros, Amazon, HBO, Disney, Paramount, NBCUniversal — panë nga pranë një vend ku Perëndia ka qenë arkitekt dhe njeriu ka ndërtuar skenën e magjishme për artin e imazhit, me mundësinë për ta përfshirë në hartën e filmave botërorë”.

“Me mikpritjen e ngrohtë të Bashkisë Gjirokastër dhe energjinë unike të qytetit, #FamtourAlbania u kthye në një udhëtim emocionesh, frymëzimi dhe ideve të reja për kinemanë”, ka shkruar tutje Rama.

Kurti në mbylljen e kinemasë ‘Lumbardhi’: Simbol i reformës shoqërore

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Fondacioni “Lumbardhi”, kushtuar Kino Lumbardhit, e titulluar “Edhe një herë deri herën tjetër”.

Me rastin e mbylljes së përkohshme të ndërtesës së kinemasë për shkak të renovimit që do t’i bëhet, Kurti ktheu në kujtesë se Kinemaja Lumbardhi në vitin 2002 u bë shtëpia e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”. Ai shtoi se ky institucion është monument i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore e do të vazhdojë edhe në dekadat e ardhshme.

“Rrugëtimi i Kinemasë Lumbardhi, nga themelimi e deri më sot, përfshin ngjarje dhe përjetime të rëndësishme: Nga një simbol i reformës shoqërore dhe kulturore në mesin e viteve ’50, në vendtakimin dhe shënjuesin e kujtesës kolektive; deri te triumfi i aktivizmit qytetar dhe i vlerave kulturore e shoqërore, kur u shpall aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore dhe ruajti karakterin publik e kulturor”, tha kryeministri.

Duke e ndërlidhur me emrin e lumit i cili kalon nëpër qytetin e Prizrenit, Kurti tha se kinemaja Lumbardhi e dokumentojnë jetën e qytetit, pra rrjedhën e ujit që i jep jetë qytetit dhe ngjarjet kulturore, të cilat tash e 73 vite e kanë gjallëruar qytetin,  e së bashku me to edhe me festivalet si Zambaku i Prizrenit dhe DokuFest, të cilat mbledhin miliona shikues që janë inspiruar në këto ambiente.

“Mes për mes qytetit të Prizrenit rrjedhë një lum i bukur, i cili bënë zë sikur një shirit filmik gjatë projeksionit në një kinema të vjetër. Kjo ndërlidhje zanore me këtë lum mund të jetë njëra prej arsyeve nga e ka huazuar kinemaja Lumbardhi emrin e tij”, tha ai.

Sabri Behramaj shpallet fitues i konkursit ndërkombëtar për monumentin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu në Ulqin

Komuna e Ulqinit sot ka shpallur fituesit e konkursit ndërkombëtar monumentin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ku fitues i këtij projekti është shpallur Sabri Behramaj, shkruan KultPlus.

“Komuna e Ulqinit ka përmbyllur me sukses konkursin ndërkombëtar për përzgjedhjen e zgjidhjes ideore të monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Në këtë konkurs kanë marrë pjesë 17 punime nga autorë të ndryshëm, të cilat kanë përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara në shpalljen e konkursit”, thuhet në njoftim.

Në bazë të kritereve të përcaktuara në detyrën projektuese, komisioni ka shpallur punimet fituese si më poshtë:

🥇Vendi i parë: Shifra 2030 – autor Sabri Behramaj

🥈Vendi i dytë: Shifra 54 – autor Vasil Rakaj

🥉Vendi i tretë: Shifra PHOENIX – autor Agron Ujkashi

Të gjitha punimet janë shqyrtuar dhe vlerësuar me përkushtim nga një komision profesional vlerësues në përbërje:

Prof. Gazmend Leka, piktor

Prof. Adem Rusinovci, skulptor

Prof. Dejan Duraković, skulptor

Prof. Muhamet Mala, historian

Gazmir Pulti, arkitekt

Komuna e Ulqinit ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre krijues dhe profesional në këtë proces të rëndësishëm për identitetin kulturor dhe historik.

Më poshë gjeni fotografitë e projektit fitues:

Papa Leone XIV bekon çiklistët përpara etapës së fundit të ”Giro d’Italia”, që filloi nga Shqipëria

 Papa Leone XIV bekoi sot çiklistët, përpara etapës së fundit të ”Giro d’Italia”.

Papa përshëndeti pjesëmarrësit para fillimit të etapës 143 kilometrërshe, e cila filloi në Vatikan për t’i bërë homazh udhëheqësit të ri të Kishës Katolike dhe për t’i dhënë lamtumirën papa Françeskut, përpara se të hynte në garën zyrtare.

Para se të kalonte nëpër Vatikan, ”Fanella rozë”, Simon Yates dhe çiklistët e tjerë shtrënguan duart me papën, i cili në këmbim mori një fanellë rozë, të veshur tradicionalisht nga udhëheqësi i garës.

“Çiklizmi është shumë i rëndësishëm. Faleminderit për gjithçka që bëni. Shpresoj ta kujtoni gjithmonë rolin tuaj si një model për të tjerët. Jeni gjithmonë të mirëpritur këtu”, tha papa.

“Shpresoj që për të gjithë ju të jetë vërtet një ditë e bukur. Ju falënderoj për gjithçka që bëni. Ju jeni vërtet modele për të rinjtë dhe ashtu siç keni mësuar të kujdeseni për trupin, edhe shpirti është gjithmonë i bekuar. Jini gjithmonë të vëmendshëm ndaj të gjithë qenies njerëzore: trupit, mendjes, zemrës dhe shpirtit. Urime të gjithëve”, përfundoi papa duke bekuar atletët.

Ndalesa në Vatikan thuhet se ishte një nga vendimet e fundit të papa Françeskut, i cili vdiq të hënën e Pashkëve.

Është hera e parë që etapa e fundit e ”Giro”-s kalon nëpër Vatikan./atsh/ KultPlus.com

FamTour Albania, Rama: Gjirokastra, skenë magjike ku historia e arti takojnë sytë e botës

Hollywood vjen në Gjirokastër. Kryeministri Edi Rama përcolli momente nga vizita e producentëve më të famshëm të kinemasë, të cilët kanë zgjedhur Gjirokastrën për filmat e tyre.

“Hollywood vjen në Gjirokastër sepse tanimë Gjirokastra nuk është vetëm krenaria jonë, por një skenë magjike ku historia dhe pasioni për artin takojnë sytë e botës”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

“Producentët më të famshëm të kinemasë — nga Warner Bros, Amazon, HBO, Disney, Paramount, NBCUniversal — panë nga pranë një vend ku Perëndia ka qenë arkitekt dhe njeriu ka ndërtuar skenën e magjishme për artin e imazhit, me mundësinë për ta përfshirë në hartën e filmave botërorë”, theksoi Rama.

Rama shtoi se, “me mikpritjen e ngrohtë të Bashkisë Gjirokastër dhe energjinë unike të qytetit,  “FamtourAlbania” u kthye në një udhëtim emocionesh, frymëzimi dhe ideve të reja për kinemanë”./atsh/KultPlus.com

‘Kam parë nga dritarja ime të kremten e perëndimit mbi kodrat larg’

Poezi nga Pablo Neruda

Vjersha X

E humbëm sërish këtë muzg.
Sonte kurrkush s’na pa me duart bashkuar
ndërsa nata e kaltër binte mbi dhé.

Kam parë nga dritarja ime
të kremten e perëndimit mbi kodrat larg.

Ndonjëherë, si monedhë
digjej një copë diell mes duarve të mia.

Më kujtoheshe me shpirtin shtrënguar
nga ai trishtim që ti ma njeh.

Asokohe ku ishe?
Mes cilësh njerëz?
Ç’fjalë ishe duke thënë?
Përse më vjen gjithë dashuria befas
kur ndihem i trishtë e të ndiej të largët?

Ra libri që gjithnjë merret në muzg
dhe si një qen me plagë m’u rrotullua këmbëve manteli.

Gjithnjë, gjithnjë largohesh vonë
atje ku rend muzgu tek shuan shtatore. 

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

“Edukimi është pasaporta jonë për të ardhmen, sepse e nesërmja u takon atyre që përgatiten sot për të”

“Edukimi është pasaporta e jonë për të ardhmen, sepse e nesërmja u takon atyre që përgatiten sot për të.”

“Njerëzit nuk e kuptojnë se si e gjithë jeta e një njeriu mund të ndryshohet nga një libër.”

“Ndonjëherë duhet t’i rrokni armët për t’i ulur armët.”

“Zakonisht, kur njerëzit janë të pikëlluar ata nuk bëjnë asgjë. Ata vetëm ankohen për gjendjen e tyre. Por kur ata janë të inatosur, atëherë e sjellin ndryshimin.”

“Nëse nuk ke kritikë, ju me shumë gjasë nuk do të keni as sukses.”

“Ju nuk keni nevojë të jeni burrë për të luftuar për liri. E gjitha që duhet të bëni është të jeni krijesë njerëzore inteligjente.”

– Malcolm X / KultPlus.com

Momenti kur Irena Papas i kishte thënë Bekim Fehmiut: Jam me prejardhje shqiptare

Irena Papas është aktore me famë botërore. Në rininë e saj ishte shndërruar në një sensacion kinematografik, duke shënuar shumë suksese me role në filma të shumtë, por ajo që e bën më të veçantë për shqiptarët ishte roli i saj në filmin “Odiseu”, ku kishte luajtur bashkë me aktorin e madh shqiptar Bekim Fehmiu, shkruan KultPlus.

Bekim Fehmiu njohjen me Irena Papas e ka shkruar në librin e tij me dy pjesë “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” , ku edhe ka ndarë detaje me lexuesit edhe për pjesën kur kanë diskutuar për prejardhjen e Irena Papas, që sipas këtij libri, Papas e kishte konfirmuar se ajo ka prejardhje shqiptare.

KultPlus ju sjell këtë pjesë nga libri i Bekim Fehmiut./ KultPlus.com

Atmosferë fantastike në Festivalin e Këngës për Fëmijë në Shkodër

Në sheshin përpara teatrit “Migjeni” në Shkodër u zhvillua dje nata e dytë e edicionit të 63-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë.

Në skenë u prezantuan 15 këngë të reja në kategorinë “Junior” dhe “Të vegjlit” duke konfirmuar potencialin artistik të fëmijëve pjesëmarrës të festivalit.

Ministri i Ekonomisë, Kulturvs dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja përcolli momente nga ky aktivitet.

“Pak nga atmosfera fantastike e festivalit të fëmijëve në Shkodër”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Në natën e parë u prezantuan 14 këngë të reja, duke i dhënë jehonë talenteve të rinj nga mbarë trojet shqiptare.

Ky festival bashkon zëra të mrekullueshëm të vegjëlish nga gjithë trojet shqipfolëse, në ngjarjen kulturore më të rëndësishme të fëmijëve dhe në eventin më jetëgjatë muzikor në Shqipëri.

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë në Shkodër konsiderohet pjesë e trashëgimisë shpirtërore të qytetit ndërsa sjell vit pas viti pasion dhe krijimtari./atsh/KultPlus.com

Dante Aligeri: Shtegu për tek parajsa fillon në ferr

Dante Aligeri ka qenë një poet, shkrimtar dhe politikan italian. Ai shquhet si ati i gjuhës italiane; fama e tij është kryesisht për shkak të krijimit të veprës “Komedia Hyjnore’’, që në përgjithësi konsiderohet si vepra më e madhe e shkruar në italisht dhe një nga kryeveprat më të mëdha të letërsisë botërore.

Më poshtë janë disa prej thënieve më të famshme të tij:

“Shtegu për tek parajsa fillon në Ferr.”

“Një gjë sa më përfekte që është, aq më shumë ajo ndien dhimbje dhe kënaqësi.”

“Më të mençurit janë ata që mërziten më së shumti kur e humbasin kohën.”

“Djalli nuk është edhe aq i zi sa e pikturojnë.”

“Nuk ka dhimbje më të madhe se sa ta ri-kujtosh lumturinë në kohën e mjerimit.”

“Nëse e ndiqni prirjen tuaj natyrore, ju definitivisht do të shkoni në parajsë.”

“Dashuron pak ai që mund ti numëroj dhe ta thotë me fjalë se sa shumë dashuron.”/ KultPlus.com

99 vite nga lindja e yllit të Hollivudit Marilyn Monroe-s

Sot janë bërë 99 vite nga lindja e yllit Hollivudian, Marilyn Monroe. Për publikun, ajo konsiderohej si gruaja më e bukur e Hollivudit, por përbrenda, modelja e shndërruar në aktore përballej dita-ditës me demonët që e çuan në vdekjen e saj të parakohshme në moshën 36-vjeçare.

Në njëfarë mënyre, dukej se në gusht të vitit 1962, Marilyn Monroe po e sistemonte disi jetën e saj. Ajo sapo kishte blerë shtëpinë e parë në lagjen Brentwood të Kalifornisë për 75,000 dollarë, ishte në kopertinën e revistës “Life” dhe sapo ishte ripunësuar në filmin “Something’s Got to Give”.

Por nga ana tjetër, pas shumë pak kohësh, gjithçka dukej se po shkonte keq për aktoren. Ajo u divorcua nga bashkëshorti i saj i tretë, dramaturgu Arthur Miller, ndërkohë që një vit përpara divorcit, qarkullonin zëra për një lidhje të supozuar mes saj dhe presidentit John F. Kennedy. Daljet e saj në publik, të cilat normalisht ishin perfekte më parë, u zëvendësuan me një gjendje jo të mirë të Monroe. Filloi madje të dilte në skenë me thonj që kishin nevojë për manikyr dhe pedikyr, pa makiazh. Pra, filloi ta linte shumë veten pas dore.

Më 5 gusht 1962, Monroe u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në 12305 Fifth Helena Drive. Ajo mbante një aparat telefoni në dorë dhe u gjet e shtrirë përtokë dhe lakuriq. Pranë saj u gjet edhe një shishe bosh pilulash që mbante një sasi maksimale prej 50 tabletash Nembutal (Pentobarbital), një ilaç që përdoret shpesh si pilulë gjumi, ama kur merret në doza të larta, shkakton vdekje për shkak të frenimit të sistemit nervor qendror.

Jeta e Marilyn Monroe, që nga shkëlqimi i saj pas braktisjes nga prindërit që fëmijë e deri tek fundi i saj tragjik, ngjan paksa me historinë e Hirushes. Ndërkohë që vdekja e saj në moshën 36-vjeçare, u cilësua si një vetëvrasje, megjithëse teoritë mbi shkakun e vdekjes së saj mbeten ende të shumta./ KultPlus.com

Bekim Fehmiu për ‘Variety’ më 1993: Nuk është e lehtë të jesh shqiptar në Serbi

Nga: Aurenc Bebja
Fotografia: Fahredin Spahija

Revista “Variety”, më 14 prill 1993, në faqen 75 ka botuar intervistën e gazetares Deborah Young me aktorin e famshëm shqiptar, Bekim Fehmiun. Shkrimi është si më poshtë.

“I vetmi superyll i vërtetë i dalë ndonjëherë nga Jugosllavia, aktori i filmit dhe teatrit, Bekim Fehmiu, është i njohur më së shumti për karrierën e tij unike në Hollivud – si plejboj amerikano-jugor te ‘Aventurierët’ e ‘Paramount’-it më 1970.

Ai ishte gati për një kalim në Hollivud, pasi u bë yll ndërkombëtar me ‘Mbledhësit e puplave’. Ky shans i erdhi në momentin e fundit, kur një aktor rus, cigan i vërtetë, u largua.

Dy dekada më parë Fehmiu e vizitoi botën si superyll i ardhshëm. Tani përpiqet të mbijetojë në një Beograd të shkatërruar nga lufta, si shqiptar i izoluar dhe i rrethuar nga lufta.

Kur ‘Mbledëshit …’ morën çmim të madh në Kanë, dhe një audiencë amerikane më 1968, Fehmiu papritmas kërkohej. Gruaja e Dino De Laurentisit, Silvana Mangano, donte që ai të luante me të te ‘Edipi mbret’, por një angazhim tjetër e prishi atë projekt. Ndërkohë, gruaja dhe djali i Lewis Gilbertit panë ‘Mbledhësit …’ dhe regjisori i dha atij rolin e vrasësit të zonjave – Dax Xenos te ‘Aventurierët’.

Fatkeqësisht, kur gjithçka u tha dhe u bë, Fehmiu kaloi nga ‘Mbledhësi i lumtur’ në një fatkeq. Filmi prej 15 milion dollarësh – një nga më të shtrenjtët të realizuar deri në atë kohë – dështoi; Fehmiu mori përsipër një pjesë të madhe të fajit. Ai i shuajti shpresat e tij në Hollivud.

‘Gabimi i madh i Gilbertit ishte të qenit shumë besnik ndaj romanit të Harold Robbins’, thotë Fehmiu, duke u kthyer prapa në kohë. ‘E bëri atë sikur të ishte duke përshtatur ‘Luftën dhe Paqen’’.

Si 57 vjeçar, Fehmiu jeton në kryeqytetin serb, në Beograd. Edhe ai luajti rregullisht role dytësore në bashkëprodhime të huaja dhe pavarësisht se ishte ylli më i madh i Jugosllavisë në vitet 1960’70, një aksident i rëndë automobilistik e pengoi atë të interpretonte – nga viti 1978 deri në 1981. Edhe pse herë pas here ka xhiruar filma ose seriale televizive jashtë vendit, mendja e tij është fiksuar në luftën që ka copëtuar vendin e tij.

‘Nuk jam i interesuar të aktroj për momentin’, tha Fehmiu për ‘Variety’. ‘Jam shumë i shqetësuar për të gjithë situatën këtu’.

Ai aktualisht mbështet shkollimin e katër të afërmve të tij pasi lufta shkaktoi mbylljen e disa shkollave. ‘Duhet të bësh punën tënde në çdo mënyrë që mundesh’.

Fehmiu pranon se jeta nuk është e lehtë për të si shqiptar në Serbi. Ai jeton me gruan e tij dhe dy djem, njëri prej të cilëve, Uliksi, është aktor i ri në ngritje. Por, pavarësisht luftës dhe persekutimit të grupeve etnike, Fehmiu thotë se nuk do të largohet nga Beogradi. ‘Arratisja është gabimi më i madh. Ka serbë, shumë progresistë, por shumica e intelektualëve janë larguar nga vendi. Unë do të qëndroj dhe do të vdes këtu nëse kjo është e nevojshme”. /Darsiani/KultPlus.com

Muzika dhe kinemaja, pa hapësirë e mbështetje, artistët: Po humbet autenticiteti

Mungesa e hapësirave, mbështetja institucionale dhe infrastruktura teknike  pengon artistët e muzikës dhe të kinemasë shqiptare në krijimtarinë e tyre.

Ky është shqetësimi që ata ngritën në një aktivitet të zhvilluar në Shtëpinë e Evropës, me temën e bashkëveprimit mes muzikës dhe kinemasë bashkëkohore shqiptare.

Harlen Nikolli teksa vuri theksin te mungesa e hapësirave fizike nënvizoi se se orkestrat nuk interpretojnë më kompozime të autorëve shqiptarë, çka ka çuar në një rënie të interesit për të kompozuar.

“Na mungojnë hapësirat fizike. Në rastin e muzikës është shumë e vështirë sepse hapësirat që janë nga institucionet shërbejnë të gjitha për institucionet”, thotë Nikolli.

Ndërsa regjisori Lorin Terezi, tha se problem në artin e tyre është mungesa e pavarësisë dhe lodhja burokratike teksa tregoi dhe përvojën personale në realizimin e një filmi.

“Në 2021 unë mbaroja xhirimet këtë janar, unë isha në një burg të tipit që po xhiroj këtë vit dhe nga një artist kthehesh në një person që nis email”, shprehet Terezi.

Në aktivitet u hapën diskutime për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate ku kultura të mos përkufizohet më nga mungesat, si dhe të gjendet një rrugë që në vendin tonë të ketë potencial për autenticitet dhe eksperimentim./euronews.al/ KultPlus.com

Ti je e mirë, dashuri


Poezi nga Marina Ivanova Cvetajeva Përktheu: Qazim Shemaj

Dhe e putha djaloshin në kokë,
S’ia gjeta dot buzën, s’e di!
E prapë siç dihet me kohë,
Ti je e mirë, dashuri.

Një çikëz verë të gëzuar
Dhe tej e hedh qyrkun, e flak,
Oh, siç është thënë e shkruar,
I çmendur do ndizesh ti, gjak.

Veç , jo-për kohën që patëm
Dashuria s’u bë dot grua!
Vetë Venera, si mori sëpatën,
Shkrepën ashkla kudo në katua.

Me ferrin me akull e murtajë,
Me dimrin vuri kurorë.
Dashuria dy krahët e saj
I do me çizme të forta për borë.

Pa shih ç ’krijim i adhuruar,
Ti thurma litarin, se ç ’fat,
Dhe ulu sipas përvojës së shkruar
Siç shtrihet vajza në krevat.

Dhe mirupafshim vonë a herët,
Në prapë do shihemi tok,
Kur ne të mësojmë që djemtë
T’i puthim më mir’ se në kokë./KultPlus.com

175 vite më parë lindi ideologu themelor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sami Frashëri

Sot janë bërë 175 vite nga lindja e intelektualit, gjuhëtarit, romancierit dhe ideologut themelor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sami Frashëri.

Sami Frashëri i njohur në kohën e tij si Shemsedin Sami Bej, lindi më 1 qershor 1850 në Frashër dhe vdiq më 18 qershor 1904 në Stamboll. Ai ka qenë nëpunës dhe intelektual shqiptar, gjuhëtar, leksikograf, enciklopedist, romancier, dramaturg, përkthyes dhe ideologu themelor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, së bashku me dy vëllezërit e tij Abdylin dhe Naimin. 

Me veprimtarinë e tij u bë mendimtari më i shquar i nacionalizmit shqiptar dhe ndër pionierët e nacionalizmit turk, i njohur përgjithësisht si Samiu në mënyrë informale në shqip dhe Shemsedin Samiu në turqisht. Në opinionin turk njihet si “babai i enciklopedistëve.”

Ai nisi veprimtarinë e tij kulturore me përkthime, vepra autoriale, themelim i të përkohshmeve dhe drejtimin e një kolane botimesh. Veprimtaria e tij u shtri në gjuhën turke osmane dhe atë amtare, duke lënë kontribut themeltar për të dyja.

Turqishtes i hartoi përmbledhjet e para leksikografike, enciklopeditë, romane dhe drama, shtroi çështje për reformimin e gjuhës  turke, por gjithashtu në hapësirën shprehëse të saj loboi për identitetin, problematikat dhe çështjen shqiptare.

 Është autor i të parit roman të gjuhës turke, titulluar Dashuria e Talatit me Fitneten botuar më 1872. Nëpër pamfletet që botoi përhapi qëndrimet e tij mbi rrënjët islame të qytetërimit evropian dhe çështjet e gruas.

Veprimtaria e tij në gjuhën shqipe përmbledhet tek disa tekste mësimore, përpilimin e një gramatike dhe hartimin e alfabetit të Stambollit që u njoh edhe me emrin e tij, si dhe me traktatin Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet që u bë manifesti politik i Lëvizjes Kombëtare.

Ai u lind në fshatin Frashër të Vilajetit të Janinës (sot në rrethin e Përmetit), i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861).

Mësimet e para i mori në vendlindje së bashku me Naimin në teqenë e Frashërit nga myderrizi Mustafa efendi Tetova. Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku sërish me Naimin ndoqi dhe mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869.

 Përgjatë rrugëtimit shkollor ra në kontakt me filozofinë perëndimore, greqishten e lashtë dhe të renë, latinishten, frëngjishten dhe italishten. Më pas në një shkollë po lokale, nxuri mësoi arabisht, persisht dhe turqisht.

 Si nxënës i shkëlqyer, kreu programin tetëvjeçar të shkollës në shtatë vite; shkollë të cilën më vonë në jetë e cilësonte “të shkëlqyer”. Duke qenë shkolluar në mjedise të ndryshme kulturore dhe gjuhësore, u aftësua me mjetet e duhura intelektuale dhe emocionale për të hulumtuar kultura të ndryshme.

Pasi kreu shkollën filloi punë në Zyrën e Shtypit (Matbuat Kalemi) të pushtetit lokal në Janinë. Më 1871 po me Naimin u shpërngulën në Stamboll me po të njëjtin pozicion pune tashmë në Zyrën e Shtypit në kryeqytet, ku zuri miqësi me gazetarët dhe intelektualët përparimtarë Namık Kemal, Ebüzziya Tevfik, etj. por duke mbajtur kontaktet edhe me atdhetarët shqiptarë.

Përgjatë Krizës së Madhe Lindore, qe pjesë “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare të drejtuar nga i vëllai, Abdyli. Ishte pjesë e 10 funksionarëve të lartë të shqiptarëve të kryeqytetit perandorak që nënshkruan memorandumin dërguar pritësit të Kongresit të Berlinit, kancelarit Bismark dhe kontit austro-hungarez Andrassy duke kërkuar reforma dhe shqiptarët të mund të rrinin brenda Perandorisë Osmane duke iu respektuar të drejtat, dëshirat, interesat dhe traditat.

 Samiu drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një numër të madh artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika, 1886) dhe “Shkronjë” (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe.

Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to.

Disa prej titujve të veprave janë:

Taaşşuk-i Tal’at ve Fitnat (Dashuria e Talatit për Fitneten) – romani i parë në turqisht (1872)

Besa yahud Ahde Vefâ (Besa ose Mbajtja e premtimit) – dramë në gjashtë pamje (1875)

Gâve (Gjave) – dramë me pesë pamje (1876)

Medeniyyet-i-l islamiyye (Qytetërimi islam) – nga seria “Biblioteka e xhepit” (1879, 1885)

Kamus-i Fransevî – fjalor turqisht-frëngjisht (1882/85)

Abetare e gjuhës shqipe (1886)

Shkronjtore e gjuhës shqipe (1886)

Dheshkronjë – libër gjeografie (1888)

Kamus-ül Alam – enciklopedia e parë në turqisht (1889–1896)

Kamus-i Arabi – fjalor arabisht-turqisht (1889)

Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet (1899)

Kamus-ı Türkî – fjalor i turqishtes (1901)

Ai vdiq në Stamboll më 18 qershor 1904/KultPlus.com

760 vite më parë lindi babai i letërsisë italiane, Dante Aligeri

Dante Aligeri (1 qershor 1265 – 14 shtator 1321), ka qenë një poet, shkrimtar dhe politikan italian.

Ai shquhet si babai i gjuhës italiane; fama e tij është kryesisht për shkak të krijimit të veprës “Komedia” (italisht: Comedìa), dhe më pas e quajtur Divina nga Bokaço duke u bërë e famshme si Komedia Hyjnore (italisht: Divina Commedia), dhe në përgjithësi konsiderohet si vepra më e madhe e shkruar në italisht dhe një nga kryeveprat më të mëdha të letërsisë botërore.

Një shprehje e kulturës mesjetare, e filtruar përmes lirisë së Dolçe stil novo, është gjithashtu një mjet alegorik i shpëtimit njerëzor, i cili arrihet duke prekur tragjeditë e dënimeve, ndëshkimet purgatore dhe lavdat qiellore, duke i lejuar Dantes t’i ofrojë lexuesit një pasqyrë të moralit dhe etikës.

Një gjuhëtar i rëndësishëm, filozof dhe teoricist politik, Dante filloi të lëvizte brenda diturisë njerëzore, duke shënuar thellësisht letërsinë italiane të shekujve të ardhshëm dhe të njëjtën kulturë perëndimore, që të quhej “Poeti i Madh” ose, “Poeti”. Dante, eshtrat e të cilit ndodhen pranë varrit në Ravenë të ndërtuar në vitin 1780 nga Kamillo Morixha, u bë një nga simbolet e Italisë në botë, falë emrit të trupit kryesor të përhapjes së gjuhës italiane, “Shoqata Dante Aligieri”, ndërsa studimet kritike dhe filologjike mbahen gjallë nga “Shoqata Dante”.

Nga shekulli XX dhe në vitet e hershme të shekullit XXI, Dante u bë pjesë e kulturës masive, ndërsa puna e tij dhe figura e tij frymëzuan botën e vizatimeve komike, mangave, videolojërave dhe letërsisë. Dante (shkurtimi emrit Duranie) Algiers lindi në Firence, në maj të vitit 125 në me familje pronarësh modeste guelfe. Dihet shume pak rreth fëmijërisë e adoleshencës, s dhe studimeve që kreu Dantja. Ai ka studiuar gramatikën, retorikën, filozofinë teologjinë e interpretimin e teksteve të shenjta. Dantja studioi me zell e dashuri dhe poetët antikë, veçanerisht Vingilin. Biografët e tij dëshmojnë se Dante Aligeiri ishte një poetët më të kulturuar në Europë dhe një rol të rëndësishëm në formimin intelektual e moral të Dantes luajti mësuesi i tij, Bruneto Latini, një burrë me horizont të gjerë, poet dhe financier i Komunës së Firencës. Por, krahas shkencës e artit, Dantja nuk la mënjanë as gjimnastikën, kalërimin ose qitjet me hark.

Në vitin 1274, në moshën 9-vjeçare, Dantja takoi për herë të parë Beatriçen, e cila i mbeti në zemër si një kujtim i ëmbël fëmijërie. Ai do ta ndeshe atë sërish në mugë në moshën 18-vjeçare. Dashuria i mbushi shpirtin, i ngrohu zemrën, ndaj vendosi t’i këndojë dashurisë së tij për Beatriçen, e cila paraqitej me tërë bukurinë e saj shpirtërore. Por, më 9 qershor 1290, në moshën 24-vjeçare, Beatriçja vdiq dhe Dantja pëson një tronditje të thellë në jetën e tij.

Dantja u lind dhe u rrit në Firencen e ndarë në dy grupime, që kërkonin bashkimine Italisë nën pushtetin e Perandorit.

Këto rrethana të jetës politike dhe shoqërore të vendit janë të lidhura ngushtë me jetën dhe veprimtarinë e Dante Aligierit, i cili nuk ka qenë vetëm poet i madh, por edhe personalitet i shquar politik. Në vitin 1289, ai lufton denjësisht në Kompaladino, ku u ndeshën guelfët e Firences me gibelinët e Arccos, Dantja bënte pjesë te kalorësit dhe fiorentinët e fituan këtë betejë.

Dantja vdiq më 14 shtator 1321./ KultPlus.com

Sot, ditëlindja e gjigandit shqiptar Bekim Fehmiut

Bekim Fehmiu u lind me 1 qershor 1936 në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës. Njihet më së miri në filmat I Even Met Happy Gypsies (1967), Protst (1967) dhe The Adventurers (1970). Ishte i martuar me Branka Petric. Vdiq më 15 qershor, 2010 në Beograd.

Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

U martua me Branka Petric dhe kishte dy djem. Shqipërinë e ka vizituar në vitin 1972 dhe nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për të. Në të gjithë hapësirën ballkanike është gati në përmasat e një miti. “Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodhë as babanë as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri-tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë kemi mësuar vetëm të keqen” – shprehet ai.

Kishte studiuar në Universitetin e Beogradit për film prej vitit 1956 deri me 1960 me prof. Mata Milosevic.

Si yll i filmit në ish-Jugosllavi dhe në përgjithësi në gjithë Evropën, Fehmiu fitoi çmime për film dhe një përkrahje të përzemërt nga gjithë populli shqiptar. Debutimi i tij në tregun amerikan me një rol tejet të rëndësishëm nuk ishte edhe shumë i suksesshëm për të, megjithatë figura e tij prej aktori mori përmasa të mëdha me role në filmat e tjerë dhe mbeti në kujtesë për shumë kohë.

Jeta e tij u zhvillua mes Beogradit, Prishtinës e Prizrenit.

Filmat në të cilët luajti Bekim Fehmiu: “The Odyssey”, “The Deserter”, “Ready for Anything”, “Special Education” etj.

Lidhur me vdekjen e tij ka supozime të ndryshme, njëra prej tyre ishte se kreu vetëvrasje në apartamentin e tij me revole, megjithatë nuk u konfirmua asnjëherë. Kur vdiq Fehmiu ishte 74 vjeç./ KultPlus.com

Media britanike “Daily Mail”: Vizitoni Ksamilin, destinacionin bregdetar magjepsës në Shqipëri

Maldivet janë një nga destinacionet më të ëndërruara të pushimeve në botë dhe një zgjedhje popullore për çiftet që kalojnë muajin e mjaltit, shkruan Esther Marshall në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Daily Mail”.

Por, ishujt ka të ngjarë të kenë çmime mjaft të larta, veçanërisht pasi shumica e opsioneve të akomodimit janë resorte luksoze.

Megjithatë, nëse kostoja e ishujve shkon përtej buxhetit tuaj, ekziston një destinacion evropian ku mund të përjetoni një ndjesi të ngjashme – por me shumë më pak para.

Ekspertët e udhëtimeve thonë se turistët do të gjejne “Maldivet e Evropës” në vendin më të përballueshëm, Shqipëri.

Ata rekomandojnë Ksamilin, një fshat bregdetar magjepsës në Shqipëri, si një alternativë buxhetore kundrejt Maldiveve.

Gjithashtu, turistët thonë se ky vend turistik është një “version” më i lirë i Maldiveve.

Ekspertët vlerësojnë ujërat e kristalta dhe plazhet me rërë të bardhë të Ksamilit – duke e përshkruar atë si “vendin më marramendës”.

“Lonely Planet” e ka cilësuar Ksamilin si vendin me disa nga plazhet më të mira në Shqipëri.

“Në jug të Sarandës, kryeqytetit jozyrtar të Rivierës Shqiptare, dhe në një distancë të shkurtër nga kufiri grek, Ksamili ka një vendndodhje të shkëlqyer”, thonë ekspertët.

Ju mund të notoni ose të bëni një udhëtim me varkë në tre ishujt e vegjël në gjirin e tij ngjyrë bruz – ku ka më pak turistë sesa në plazhet e zhurmshme të Sarandës.

Plazhi më i vlerësuar i Ksamilit në “Tripadvisor” është “Ohana Beach Bar”, i cili ka një vlerësim prej 4.4 nga 5 yje.

Turistët gjithashtu mund të eksplorojnë një pikë referimi historike të jashtëzakonshme ndërsa ndodhen në Ksamil.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është vetëm 17 kilometra nga fshati bregdetar.

Rrënojat e lashta janë më shumë se 2,500 vjeçare dhe përfshijnë një teatër të epokës helenistike dhe monumente të hershme të krishtera.

Pushimet në Ksamil kushtojnë shumë më pak sesa në Maldive.

Sipas “Wise”, kostoja mesatare e një vakti në një restorant të lirë në Shqipëri është vetëm 1,000 lekë/8,50 paund.

Ndërkohë, një birrë vendase kushton vetëm 249 lekë/2,13 paund dhe një kapuçino kushton vetëm 164 lekë/1,40 paund.

Për të arritur në Ksamil nga Britania e Madhe – turistët britanikë do të duhet të fluturojnë për në Tiranë, Shqipëri ose për në Korfuz, Greqi.

Fshati i Ksamilit është rreth katër orë larg me makinë nga Tirana, ndërsa turistët mund të marrin një traget nga Korfuzi për të arritur atje.

Udhëtimi me traget zgjat rreth gjysmë ore në Sarandë, një vendpushim bregdetar popullor, që është më pak se 30 minuta larg Ksamilit.

Ksamili është destinacioni evropian që përshkruhet si një alternativë më e lirë ndaj Maldiveve./atsh/KultPlus.com

Sot 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

Sot të gjithë fëmijët gëzojnë festën e tyre, 1 Qershorin. Më shumë sesa çdo ditë tjetër, ata kërkojnë vëmendjen e prindërve dhe shtetit. Më 1 Qershor jo vetëm festohet, por kjo ditë njihet për sensibilizimin për t’i thënë jo dhunës, bullizmit dhe abuzimeve të tjera ndaj fëmijëve.

1 Qershori është i mbushur me aktivitete të larmishme nga të gjithë fëmijët, në të gjithë qytetet.

Dita e Fëmijëve është vendosur me 1 Qershor, pasi në këtë datë është mbajtur konferenca botërore e mirëqenies së fëmijëve në Gjenevë, në 1925.

1 Qershori e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Në vitin 1925 konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi sëbashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”. Kjo gjë rastisi të ishte në të njëjtën ditë me konferencën në fjalë. Festa e 1 Qershorit filloi të festohet pas dy vitesh. Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre! / KultPlus.com