“Nga formati analog, tek ai digjital”, kinemaja si trashëgimi që duhet ruajtur

Një seminar 3-ditor trajnimi është duke u organizuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit me ndihmën e Fondacionit “Antonio Gramshi” (Fondazione Gramsci di Puglia), si pjesë e projektit “Për një rrjet institucionesh kulturore midis Puglias dhe Shqipërisë”.

Projekti është financuar nga Rajoni i Puljes, me qëllim forcimin e aftësive teknike në fushën e restaurimit, digjitalizimit, vlerësimit të trashëgimisë historike filmike, si dhe përfshirjen e publikut si pjesë aktive e saj.

Seminari me temë “Nga formati analog, te ai digjital – Kinemaja si trashëgimi që duhet ruajtur”, nisi sot dhe do të vazhdojë edhe në datat 6 e 7 korrik, në mjediset e AQSHF.

Fondacioni Gramsci di Puglia, rifilloi veprimtarinë e tij në Shqipëri, pas 3 vjet ndërprerjeje, për shak të pandemisë së COVID-19.

Punën e tij, fondacioni, do ta nisë me këtë seminar trajnimi në fushën e restaurimit dhe rivlerësimit të trashëgimisë kinematografike, për të vazhduar me tej me punë të tjera. Trajnuesi i këtij projekti të konsideruar si i pari i të tjerëve që do pasojnë, është Marco Lena, kërkues shkencor në Archives Audiovisuelle Senegal, ku ka ndihmuar në ruajtjen e trashëgimisë lokale. / KultPlus.com

MKRS: Shtatë dekada nga hapja e kinemasë Lumbardhi, në Prizren

Në kuadër të programit për 70 vjetorin e themelimit të Kino Lumbardhit u promovua libri “Lumbardhi: një histori episodike” dhe filloi programi i filmit LXX në Kino Bahçe.

Në këtë ngjarje morën pjesë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministri, Sejnur Veshall dhe këshilltarët Nora Arapi Krasniqi dhe Onur Canhas.

Ministri Çeku në fjalën e tij bëri të ditur rëndësinë shoqërore dhe historike të kinemasë Lumbardhi si aset në mbrojtje të shtetit, i cili trajtohet me prioritet nga ana e Ministrisë së Kulturës, në kuadër të programit të restaurimeve dhe të reformimit ligjor të institucioneve të kulturës dhe kinematografisë, ndërsa theksoi përkushtimin institucional që kjo kinema të vazhdoj të ruaj vlerat e saj dhe funksionin në shërbim të komunitetit dhe shoqërisë.

Fjalën e morën edhe drejtoresha e Qendrës Filmike të Sarajevës, Ines Tanović, si dhe kuratorët e programit të filmit.

Ngjarja vazhdoi me promovimin e librit “Lumbardhi: një histori episodike” nga Bengi Muzbeg dhe Tevfik Rada, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, libër ky që flet për takimin dhe ndërveprimin mes Kino Lumbardhit dhe Prizrenit, prej rrethanave që sollën te hapja e kinemasë në vitin 1952 e deri te ndalja e aktivitetit pas falimentimit të ndërmarrjes shoqërore “Kino Bistrica” në fillim të shekullit të ri.

Në Kino Bahçe programi do të vazhdojë deri në muajin shtator, me mbi 40 shfaqje filmike të prezantuara në orare dhe formate të ndryshme, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së. /KultPlus.com

Hapja e Kinemasë ‘Hyrije Hana’ me filma që nuk duhet humbur, publikohet orari për këtë javë

KINO është një ambient i veçantë i argëtimit për familjen dhe shoqërinë, i cili vjen si një inovacion në hartën kulturore të qytetit të Gjakovës. KINO me një stil modern ju prezanton kinemanë “Hyrije Hana” me filmat më të ri me teknologjinë e fundit digjitale 3D si dhe teknologjinë më të re të zërit ‘Dolby Surround 5.1’, shkruan KultPlus.

Kjo kinema posedon sallën me një kapacitet prej 250 ulëseve, bashkë me ulëset VIP dhe ulëset familjare. Ofron filma premierë në kohë rekorde duke ofruar një përvojë të re të artit të shtatë.

KINO “Hyrije Hana” ka një mision: të jetë një destinacion i veçantë i argëtimit për të gjitha moshat, juve ju mbetet vetëm të zgjidhni filmin!

KultPlus ju sjellë orarin e plotë për këtë javë në KINON e Gjakovës “Hyrije Hana”. /KultPlus.com

May be an image of text that says 'KINRJE HANA 02 Eenjte enjte 03 remte 04 shtune Ron's gone wrong 13 Zgjoi 13:00 05 Ediel Paw Patrol 11:00 Zgjoi 15 Boss Baby 11:00 Eternals Ron's gone wrong 3D House of Gucci 17:00 Encanto 00' King Richard Spencer 15:00 Venom 15:00 Resident Evil: Raccoon City 20 00 Queenpins 21:00 Resident Evil: Welcome Raccoon 0 Zgjoi 17:00 Eternals 20 :00 Kalendari enjte diel Queenpins 19 Antlers 21:00'

Kinemaja e sapo inauguruar vizitohet nga nxënës të papërgjegjshëm, gjendje e tmerrshme

Qytetarët e Përmetit sapo kanë përuruar një kinema të re, si një qendër kulturore artistike në shërbim të fëmijëve të shkollave, shkruan KultPlus.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro Furxhi, përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook” ka bërë të ditur se nxënësit e një shkolle kanë qenë shumë të papërgjegjshëm në vizitën e fundit.

Furxhi ka përmendur “plehrat” si armik të përbashkët, të cilit akoma nuk po i gjendet një zgjidhje e duhur.

“Po ndaj me ju një trishtim të madh që më shkaktuan disa nxënës të qytetit që e dua aq fort, qytet amvisash, gra e burra punëtorë rrallë si kush”, shkroi ajo.

Tutje, përmes disa fotografive të publikuara në “Facebook”, shihen edhe se sa të papërgjegjeshëm u treguan ata nxënës.

“Kjo gjë duhet të diskutohet më shumë, prindërit s’o duhet t’ua falin, mësuesit s’do duhet t’ua kalojnë lehtë, permetarët nuk e meritojnë këtë”, shtoi deputetja e Kuvendit të Shqipërisë.

KultPlus ua sjellë edhe fotografitë e publikuara më poshtë:

No photo description available.
May be an image of indoorNo photo description available.

Gjakovës do t’i shtohet një tjetër vlerë kulturore, kinemaja ‘Hyrije Hana’

Qytetit të Gjakovës do t’i shtohet një tjetër vlerë e madhe kulturore, kjo pasi do të bëhet hapja e Kinemasë “Hyrije Hana”, shkruan KultPlus.

Përmes postimi në “Facebook”, KINO e ka bërë të ditur se në fund të nëntorit pritet të bëhet edhe hapja e kinemasë në qytetin e Gjakovës.

KINO synon të shndërrohet në një destinacion të argëtimit, ku çdo gjë nis nga historia në raport me kërkesat e kohës për të ofruar eksperienca të reja me Kinemanë “Hyrije Hana, Damë Lounge dhe Amë Cakery, duke e bërë KINO-n një destinacion të veçantë të argëtimit për të gjitha moshat.

Aty ku adhuruesit e filmit tani do të kenë një destinacion të vërtetë të ndjekin filmat më të ri në teknologjinë e fundit digjitale 3D, si dhe teknologjinë më të re të zërit ‘Dolby Surround 5.1’, në sallën me një kapacitet prej 250 ulëseve, bashkë me ulëset VIP dhe ulëset familjare, ofron filmat premierë në kohë rekorde duke ofruar një përvojë të re të artit të shtatë.

Në këtë kinema pritet që shumë shpejt të prezantohen edhe filmat e njohur siç janë: “Zgjoi”, “Ghostbusters”, “House of Gucci”, “Eternals, Queenpins” etj. /KultPlus.com

Koronavirusi si inspirim i skenës kulturore

“Kultura nuk është gjithçka”, është shkruar në tabelën e kinemasë, “por pa kulturë, asgjë nuk ka më vlerë!”

Pandemia e koronavirusit, në të vërtetë, ka lënë vragë në arte dhe në skenën kulturore. Çfarëdo fjalësh inkurajuese që kanë thënë politikanët gjatë këtyre muajve të fundit, prapëseprapë kanë tingëlluar të pashpresë më shumë së kurdoherë, kur kanë thënë se sektori do të gjejë një zgjidhje kreative. Përkundër vështirësive financiare – jo të gjithë kanë reaguar si aktori gjerman dhe këngëtari Tom Schilling, që ndien “një frymëzim ekstrem në situata të tragjedisë” dhe “ ishte inspiruar me të madhe” nga karantinimi në pranverë – njerëzit që punojnë në sektorin e kulturës sidoqoftë, kanë sfiduar situatën e tensionuar me koncepte interesante në këta muajt e fundit

Termi “higjienë” pa dyshim do të mbahet mend si diçka tipike për vitin 2020. Pas karantinimit të parë, strategjitë e higjienës u bënë të domosdoshme kudo në vendet që dëshironin të kishin audiencë, bashkë me rregulla të rrepta. Shfaqjet u pritën me entuziazëm në të gjithë Gjermaninë; malli për shfaqje të drejtpërdrejta dhe koncerte ishte i madh si për publikun ashtu edhe për artistët. Salla e koncerteve “Elbphilharmonie” në Hamburg, për shembull, mbajti shfaqje të shumta me publikun që ndryshonte çdo ditë. Megjithatë, shfaqjet nuk ishin shumë fitimprurëse për shkak të numrit të vogël të publikut.

Klubet, orkestrat dhe teatrot vërtetuan se platformat “streaming” nuk janë vetëm për shikimin e tepërt të serialeve në “Netflix”. Menjëherë pas fillimit të bllokimit, klubet në Berlin bashkuan forcat dhe transmetuan ndejat në shtëpitë e njerëzve nën moton “United we Stream”. DJ-të luajtën pjesët e tyre live në klubet e zbrazëta. Orkestrat rreth botës gjithashtu transmetuan shfaqje në mënyrë digjitale. Pianisti i njohur Igor Levit dha një koncert nga salloni në shtëpi të tij, dhe artisti britanik Alexander Iskin u dha mundësinë njerëzve që të shohin veprën e tij live për 50 ditë.

Teatri Shtetëror i Augsburgut ofroi produksione që njerëzit mund t’i shikonin në shtëpi duke përdorur kufje VR – një zgjedhje që nuk ishte e rrezikshme për infektim. Në vitin 2021, teatri do t’i lejojë njerëzit në të gjithë vendin të marrin me qira kufje VR nëse nuk kanë një palë të tyre, për të shikuar shfaqjet që i ofrojnë. Falë perspektivës së tyre prej 360 gradësh, përvoja me VR ishte një vlerë e shtuar në krahasim me një performancë të rregullt të ndjekur nga audienca. Muzetë gjithashtu reaguan ndaj mbylljes dhe ofruan turne digjitale për ekspozitat e tyre.

Megjithatë, pandemia ka të ngjarë të ketë një ndikim të gjatë në arte. Si do t’i procesojnë këtë eksperiencë dhe ndryshimet në shoqëri piktorët, këngëtarët, shkrimtarët dhe aktorët?

Gjatë javëve të verës “Kunsthaus Bregenz” në Austri tregoi një ekspozitë të veçantë që gjurmonte “pasiguritë e jetës që nga fillimi i krizës së koronës. Ndërsa shkencat përpiqen të ofrojnë zgjidhje, janë artet ato që e përshkruajnë lëmshin e krizës”, ka shkruar hapësira ekspozuese në faqen e saj të internetit. Disa artistë dërguan punime të kohëve të fundit, që tashmë ishin reflektim i krizës. Në mesin e atyre që dërguan vepra ishte edhe artisti bashkëkohor i Afrikës së Jugut, William Kentridge. Artistët e tjerë, me vepra më të vjetra, reflektonin skepticizëm të progresit dhe melankoli që dukej sikur shpërfaqnin parandjenjat e pandemisë.

Gjuha është kulturë, kështu që ngjarjet kryesore shoqërore kanë tendencë të ndikojnë në mënyrën se si ne komunikojmë. Këto ditë, ndoshta të gjithë dinë të shkruajnë “epidemiologji” dhe “karantinë”. Para pandemisë, sa shpesh keni hasur në fjalët “rojë teshtimash”?

Koronavirusi ka shkaktuar krijimin e fjalëve krejtësisht të reja në gjuhën gjermane, gjithashtu rreth 1 mijë fjalë gjetën rrugën e tyre në listën e Institutit Leibniz për Gjuhën Gjermane, përfshirë “Super Spreader-Ereignis” (ngjarje superpërhapëse), “Wellenbrecher-Lockdoën” ( bllokim i kanalizimit, një term për një lloj bllokimi të dritës) dhe “ndeja në Zoom”.

Tani gjermanët janë drejtuar për në vitin 2021 në atë që po quhet “Impfstrasse” – fjalë për fjalë, rruga drejt vaksinimit, një referencë për qendrat e mëdha të vaksinimit që do u duhet ta menaxhojnë fluksin e njerëzve që duan të vaksinohen kundër COVID-19./dw/ KultPlus.com

Skenaristi Burns: Kur kinemaja infekton realitetin

Intervistë me Scott Burns, skenaristi i “Contagion”, filmit të Steve Sodebergh që parashikonte pandeminë në vitin 2011, dhe Ian Lipikin, virologut që në atë kohë qe konsulent shkencor i filmit dhe që sot vazhdon kërkimet lidhur me vaksinën/kurat.

Rasti i Contagion, filmit të Steven Soderbergh që ka “parashikuar” pandeminë që po jetojmë me një saktësi të frikshme, është bërë materie legjendare gjatë karantinës. Filmi i 2011 tregon për një virus vdekjeprurës që kalon nga lakuriqët e natës tek derrat e therur dhe në fund tek njerëzit në restorantet e Kinës, për t’u përhapur më pas në pjesën tjetër të botës, duke infektuar e duke vrarë njerëz, teksa autoritetet orvaten që ta frenojnë. Ndoshta prej paraleleve të habitshme të tij me krizën aktuale (dhe ndoshta prej një lloj mazokizmi kolektiv), Contagion ka ngjitur kohët e fundit klasifikimet, deri sa është bëtë filmi i shtatë më popullor në iTunes (më parë ishte i 270-i). Në mars, kur fluksi i lajmeve reale dukej se po ndiqte skenarin e tij, është bërë filmi më i shikueshëm në HBO dhe dowload ilegale të tij janë rritur me 50 herë.

10 vjet më parë filmi i është propozuar Soderbergh nga skenaristi Scott Burns, që ka qenë i palëkundur në dhënien e një përfaqësimi të besueshëm një pandemie virale. Në script, agjenti patogjen nuk është koronavirusi, por një paramyksovirus dhe koeficenti i tij i vdekshmërisë është më i lartë se ai i Covid-19. Por origjina dhe mënyra e transmetimit të tij janë çuditërisht të ngjashëm me atë që shohim sot. Kjo falë kërkimit të hollësishëm të Burns dhe këshillave që ka marrë nga konsulentë shkencorë si virologu Ian Lipkin. Përveç epidemiologjisë, filmi imagjinon dinamikat sociale e një pandemie, përfshi karnatinën, sulmet ndaj supermarketeve dhe dizinformimit gëlues (ë bërë në internet nga një bloger komplotist i interpretuar nga Jude Law). Kur shkencëtarët arrijnë më së fundi të krijojnë një vaksinë në frenimin e virusit, Contagion nxjerr në skenë rastin e mëtejshëm të lidhur me detyrën kolosale e prodhimit të vaksinës në sasira të mëdha dhe përcaktimin e prioriteteve tnë shpërndarjen e tij për popullsinë – tema deri tepër të besueshme në një të ardhme ku kurba e infektimit do të ketë zbritur mw tej krahasuar me tani.

Autorët e filmit nuk kanë parashikuar një gjë: efektet e këqija e sugjestionimit të pushtetit shkencor ndaj një administrate autoritare dhe populiste, kultivuese e injorancës dhe mohuese – pikërisht në momenti ku dija dhe një lidership i duhur do të ishin themelore, si edhe faktin që Shtetet e Bashkuara janë bërë epiqendra e pandemisë më të egër të botës. Ndoshta kjo do të ishte konsideruar një rrëfim fantastiko – shkencor tejet i pamundur.

Si ka lindur Contagion?

Scott Burns: Si fëmijë kam parë Outbreak dhe kishte diçka në finalen e në pjesën shkencore që më ka bezdisur, qoftë si skenarist, qoftë si njeri i thjeshtë që mendon. Kujtoj edhe se kam menduar që kam dashur të bëj një film mbi një pandemi, por që të udhëzohej nga zbulimet shkencore më të fundit. Doja edhe që të zhvillohej në një botë të shënuar nga globalizimi, udhëtimet dhe me një pabarazi të madhe ekonomike. Një prej pyetjeve që kanë bërë shpesh qysh kur është shfaqur ky virus është sesi ka mundësi që filmi është kaq parashikues dhe kaq i saktë. Përgjigja është shumë e thjeshtë: kur ia kam paraqitur projektin Steven Soderbergh, i kam thënë se doja ta bëja filmin vetëm nëqfotëse do të ishte i saktë dhe i bazuar mb fakte, pasi isha i vetëdijshëm se jetojmë një kohë pandemie. Kështu që kam arritur të vihem në kontakt me Ian, virologun më të mirë të vendit tonë. Edhe ai më ka thënë të njëjtën gjë: të ndihmoj vetëm nëse filmi është jashtëzakonisht realist dhe jo ndonjë budallallëk komplotist mbi një virus të krijuar në laborator apo që vjen nga ndonjë antenë telefonie. Pra, e dija që ngjarja e filmit do të vërtetohej 10 vite më vonë? Jo. Ama çdo ekspert me të cilin kam folur më ka thënë se problemi nuk ishte nëse do të ndodhte, por kur.

Dhe faktet ju kanë dhënë të drejtë.

Ian Lipkin: Kjo nuk është pandemia e parë dhe nuk do të jetë as e fundit, nuk jam i sigurtë as nëse do të jetë më e keqja. Është diçka që duhet të mund t’i paraprijmë: po luftojmë prej kohësh që të mund të zhvillojmë një sistem imunitar ndërkombëtar që na mundëson t’i indivudalizojmë këta agjentë patogjenë përpara se t’i transmetohen  komunitetit njerëzor. Nëqoftëse shikohet nga frekuenca e këtyre epidemive, mua më duket se po shtohen, se do mund t’i presim çdo 3 apo 5 vjet. Në rast se arrijmë të kontrollojmë një vatër siç kemi bërë në Afrikën e Jugut, me një virus të quajtur Lujo – arenavirusi më vdekjeprurës i panjohur kurrë më par, që dyshoj se ju keni dëgjuar të flitet ndonjëherë – atëhere njerëzit e marrin për të mirëqenë se nuk ka nevojë për t’u shqetësuar. Është ky problemi me shëndetësinë publike: në rast se një punë bëhet mirë, nuk e di njeri dhe askush nuke vret mendjen. Ama kur gjithçka shkon keq, atëhere është problem. Shpresoj kështu që njerëzit të përfitojnë nga mësimi që na është dashur të mësojmë për tregjet e kafshëve të gjalla, ndarjen e të dhënave, përmirësimet e nevojshme për studimet lidhur me vaksinat. Kështu që kur të vijë virusi i ardhshëm, të na gjejë më të përgatitur.

Por më parë duhet të përballojmë këtë aktualin.

Ian Lipkin: Virusi është zbuluar në fundin e 2019. Kemi testimet diagnostikuese, por nuk janë të mjaftueshëm. Vendet që kanë arritur ta kontrollojnë pandeminë – Gjermania, Singapori, Kina – kishin akses në të gjithë këto testime dhe i kanë përdorur me sukses. Në Shtetet e Bashkuara kemi mbetur prapa dhe e njëjta gjë ka ndodhur në Itali, Spanjë e vende të tjera.

Po përdorim teknologji të vjetra – si izolimi, lloji i strategjisë i përdorur në Mesjetë për të mbajtur nën kontroll një epidemi. Derikur nuk do të kemi një vaksinë apo ilaçe të aksesueshëm nga të gjithë, do të jemi të kufizuar në strategjitë tona reaguese ndaj virusit dhe do të duhet të kufzohemi tek izolimi, testimet, gjetjet, kërkimin e njerëzve që janë bënë në kontakt me individë të infektuar.

Scott Burns: Kujtoj se kam pasur një bisedë me Ian lidhur me nevojën e zhvillimit të një vaksine universale kundrë koronavirusit. Kështu që a jam i befasuar të shoh gjithnjë e më shumë viruse që vihen në kontakt me qeniet njerëzore? Aspak. Për mua kjo ka të bëjë me probleme më të mëdha, lidhur me faktin që qeniet njerëzore po pushtojnë hapësirat e lafshëve. Kështu, vihemi gjithnjë e më shumë në kontakt me virusët e tyre.

Është sjellja jonë ajo që ka shkaktuar probleme, si parapëlqimi kinez për wet market dhe mënyrën sesi menaxhohen ato. Tek Contagion kompania që priste pemët – motivi i migrimit të lakuriqëve të natës – është amerikane. Shpesh agresioni ndaj këtyre vendeve të virgjëra ndodh në vende të varfëra, por nga dora e kolonializmit industrial.

Çfarë ka ndodhur me sistemin e alarmimit të vrullshëm?

Ian Lipkin: Në mesin e viteve 2000, kur ndodhi epidemia e SARS-it, George W. Bush krijoi National Bio Surveillance Advisory Sub Committee, që jepte linja drejtuese specifike mbi mënyrën sesi të shmangeshin këto vatra. Pastaj ka ardhur Obama dhe ka themeluar një tjetër akoma, që ka hartuar një raport të cilit askush nuk i ka kushtuar vëmendje.

Nuk ka asgjë që më habit për çka po ndodh: shërbimet tona sociale janë në kushte të këqija, CDC-ja merr më pak financime nga sa do t’i nevojiteshin – në ndryshim nga Kina, ku buxheti për kërkimet shkencore rritet me 20% në vit, ndërsa i yni vazhdon të ulet. Nuk ka mjaftueshëm as personel, as resurse.

Mangësia e studimeve epidemiologjike, testimeve efikase, e financimeve për njerëzit që jetojnë në varfëri me qëllim që të mund të jetojnë në izolimë janë gjëra që na vënë në rrezik të gjithë neve, jo vetëm lokalisht, por edhe në nivel ndërkombëtar. Dhe t’ia vësh të gjithë fajin Kinës, siç po bëjmë tani, nuk ndihmon. Ka qenë shumë më transparente se ne respektivisht me 2003, kur personalisht jam përfshirë në luftën kundër epidemisë së SARS-it.

Është e vërtetë ajo që ka thënë Doktor Fauci: snuk do të jemi ne, por virusi ai që do të diktojë afatet?

Ian Lipkin: Tony është një miku im i mirë dhe do të bëjë vetëm një shënim të vogël për atë që ka thënë. Sepse pjesërisht jemi pikërisht ne ata që përcaktojmë afatet: mund ta zbusim kurbën me izolimin, duke përmirësuar testimet, duke përshpejtuar persosjen e ilaçeve dhe vaksinave. Deridikut, jemi zotër të fatit tonë.

Nga një pikëpamje e përgjithshme kulturore, do të kthehemi në ato lloj përvojash që nuk sjellin shpërbërje – baret, restorantet, teatrot, kinematë përfaqësojnë në fakt një problem më kompleks, pasi për aq kohë sa nuk do ta kemi një vaksinë, do të jetë shumë e vështirë të mbrohen njerëzit. Por nëse punohet në zyrë, besoj se do të jetë e mundur të kthehet në të duke mbajtur një maskë apo të shkohet të bëhet pazar, gjëra të kësaj natyre. Dhe do të identifikojmë njerëzit që janë ekspozuar ndaj virusit dhe shpresohet të jenë të imunizuar, që do të mund të punojnë në vijën e parë në ekipet mjekësore, midis zjarrifkësve, policisë dhe aktiviteteve të tjera që kërkojnë të jesh në kontakt me një numër të madh njerëzish. Por nuk do të mund të kthehemi tek situata që qemë deri vitin e kaluar për aq kohë sa nuk do të kemi një vaksinë të shpërndarë gjerësisht.

Dhe kur mendon se çfarë do të ndodhë?

Ian Lipkin: Përgjithësisht ka 3 faza në realizimin e një vaksine: testimet e sigurisë, testimet e efikasitetit dhe, së fundi, testimet e efikasitetit në periudhën afatgjatë për një numër të madh njerëzish. Vetëm pasi të jenë kaluar tri fazat investohet në prodhim e në sghpërndarje, pasi është një shpenzim miliarda dollarësh.

Për momentin po shtyjmë përpara bashkëpunime në të gjithë botën që do të na mundësojnë të investohet në një numër të kufizuar vaksinash që fillojnë e demonstrohen të vlefshme, të dobishme: jo të gjitha do të zhvillohen. Kjo kërkon përpjekjet e përbashkëta e studiuesve, të industrisë e të qeverive e të gjithë botës. Pjesa më e madhe e njerëzve thekson se do të duhen 18 muaj apo edhe 2 vjet. Unë besoj se do t’ia arrijmë në rreth 1 vit.

Të tjerë thonë se do t’ia dalim brenda fundit të 2020, por besoj se është një afat tejet optimist. Dhe çfarë thotë kjo në terma politikë? Se sa më shpejt do ta kemi vaksinën, aq më shumë njerëz që janë politikisht në rrezik do të mund të thonë se ia kanë dalë, se e kanë gjetur vaksinën, kur në realitet e dimë se nuk është kështu. Ne virologët po bashkëpunojmë, duke i ndarë të dhënat si asnjëherë më parë.

Po punoni për një terapi me bazë plazme?

Ian Lipkin: Po kërkoj të impenjohem shumë në këtë terapi. E kam bërë kur isha në Kinë: ka qenë qeveria kineze ajo që ka bërë eksperimentimet e para me plazmën. Aktualisht sapo kemi filluar një eksperimentim në “New York Presbyterian” me 450 pacientë. Ka edhe një studim të gjerë kombëtar që po kryhet lidhur me këtë aspekt. Besoj se në 3 apo 4 javët e ardhshme do të jemi në gjendje të mësojmë nëse terapia me plazmën funksionon me njerëzit shumë të sëmurë apo nëse mund të parandalojë sëmundjen tek operatorët e shëndetësisë.

Contagion trajtonte edhe temën e dizinformacionit, që e komplikon luftën ndaj pandemisë.

Scott Burns: Ky problem është përkeqësuar dhe fatkeqësisht tani nuk bëhet fjal më për një bloger, por për përfaqësues të qeverisë federale. Tashmë është e vështirë të luftohet sëmundja, por përballja me dizinformacionin, sidomos atë që përdor ksenofobinë, përçarjen e pabesueshme të vendit, e bën jashtëzakonisht të vështirë punën e njerëzve si Ian.

Nuk e kuptoj aspak pse duhet të themi gjëra si “çlironi Michigan”, kur në këtë shtet ka pasur mjaft njerëz shumë të sëmurë dhe nuk e kuptoj se pse këta njerëz kanë të “drejtën” që të sëmuren dhe të vënë në rrezik jetën e njerëzve të tjerë, disa prej të cilëve mund të kenë edhe sëmundje kronike: për ta do të ishte një vendim me vdekje.

Contagion imagjinonte edhe tensione të tjera sociale: trazirat për ushqimin. Nuk kemi arritur akoma në këtë pjesë të filmit?

Scott Burns: Për sa është vënë në sprovë të vështirë, zinxhiri i furnizimit në këtë vend nuk ka ceduar. Kështu që nuk besoj se duhet të preokupohemi për ushqimin. Sëmundja e filmit tonë ishte shumë më vdekjeprurëse se kjo, kështu që njerëzit e punësuar në shërbimet thelbësore mund ta bëjnë punën e tyre nëse mbrohen siç duhet, nëse protokollet janë efikase.

Kështu që besoj se këto trazira nuk do të jenë pjesë e filmit që po përjetojmë ose të paktën këtë shpresoj. Fatkeqësisht, në vendin tonë jemi dëshmitarë të influencës që kjo krizë po ka mbi përçarjen që ekzistonte qysh më parë dhe ka njerëz të cilëve u vjen për mbarë që të moshuarit apo më të dobëtit vdesin për ekonominë tonë: kemi zgjedhur politikanë që kanë thënë gjëra të kësaj natyre. Dhe sa më shumë kalon koha, aq më shumë kjo do të jetë problem, veë në mos gjejnë një qasje të pranuar.

Pak ditë më parë një lajm ma ka vrarë zemrën: një infermiere që përballet me një grup manifestuesish të armatosur në Colorado, të cilët ulërijnë se komunizmi duhet të shkojë në Kinë. Është fatkeqësi që të jetë ky niveli i diskutimit dhe i injorancës në vendin tonë, aq sa të arrihet të kërcënohen punëtorët e shëndetësisë për të cilët kemi nevojë. Me siguri që infermierja nuk ka asnjë qëllim politik: vetëm do të pengojë të njerëzit të sëmuren. Ky është lloji i përçarjeve që nëse vazhdojnë të ashpërsohen, do të çonin në një eskalim të paqëndrueshmërisë sociale.

Ian Lipkin: Ka pjesë të nënkontinentit indian ku ka pasur trazira. Kështu që mund edhe mund të mos jenë në Bregun Perëndimor e Shteteve të Bashkuara ose në New York, por ka pjesë të botës ku kjo gjë tashmë po ndodh.

Në film një moment tjetër tensioni vjen kur zhvillohet vaksina, por prodhimi dhe shpërndarja mbeten sfidë.

Scott Burns: E dija se në këto raste vaksina i jepet në radhë të parë kujt punon në vijë të parë, pastaj anëtarëve të qeverisë. Pastaj kam shpikur idenë e lotarisë. Jetojmë në një shoqëri ku të pasurit apo kush ka lidhje politike, përfiton trajtime preferenciale.

Nuk e di nëse kjo dë të influencojë në shpërndarjen e vaksinës, por nuk besoj se është për t’u përjashtuar ky lloj zakonesh të korruptuara do të manifestohet, pasi janë të zakonshme në të gjithë botën. Ama shpresoj se njerëzit më të rrezikuar do të jenë të parët që do ta marrin vaksinën, menjëherë pas personelit shëndetësor. /bota.al /KultPlus.com

Rihapet kinemaja e parë në Kinë që nga shpërthimi i koronavirusit

Pas dy muajve izolim, Kina tashmë e ka rihapur kinemanë e parë, pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.

Kinemaja “Zhongying Golden Palm” në Urumqi, i ka hapur dyert për publikun në fillim të kësaj jave. Kinemaja kishte qëndruar e mbyllur nga 26 janari, transmeton Koha.

Në uebfaqen e tyre zyrtare, kinemaja i ka informuar adhuruesit e filmit se planifikojnë t’i shfaqin katër filma kinez në 22 orare të ndryshme. Megjithatë, në ditën e parë të hapjes nuk pati fare vizitorë.

“Ne nuk mund të qëndrojmë të mbyllur përgjithmonë. Krejt çka mund të bëjmë, është të bashkëpunojmë me njoftimet dhe rregullat e shtetit dhe ta testojmë situatën me kujdes. Po ashtu, në fillim do të shohim se si po reagon publiku ndaj rihapjes së kinemasë. Nëse nuk do të ketë filma të ri të cilët mund t’i shfaqim, atëherë nuk ka ndonjë ndryshim nëse e mbajmë kinemanë të hapur apo jo. Për momentin i posedojmë vetëm këta pak filma, dhe duhet të presim për ta parë nëse situata do të ndryshojë dhe do të lansohen projekte të reja,” citohet të ketë thënë udhëheqësi i kësaj kinemaje për “Sohu Entertainment”.

Një numër i madh i filmave dhe projekteve televizive i kanë shtyrë datat e lansimit për shkak të pandemisë së koronavorusit, në mesin e së cilëve: “No Time To Die”, “Fast and the Furious 9”, “A Quiet Place 2”, “Mulan”, “Black Widow”, “The NeW Mutants”, “Antlers”, “Peter Rabbit 2: The Runaway”, “The Lovebirds”, “Blue Story”, “The Artist’s wife”, “The Truth”, “Antabellum”, “Spiral: From the Book of Saw”, “Run”, “The Personal History of David Copperfield” dhe “The Woman in the Window”. / KultPlus.com

Qytetet kosovare pa kinema

Përveç Prishtinës, në të cilën funksionojnë dy kinema, “ABC”-ja dhe ajo e rrjetit austriak “Cineplexx”, në shumë pak qytete të Kosovës ekranet e mëdha ndizen për filma. Falë angazhimit të palodhshëm të shoqërisë civile edhe Prizreni, edhe Peja i kanë riaktivizuar kinematë e tyre në vitet e fundit. Por qytetet e tjera të Kosovës, siç janë: Mitrovica, Ferizaj, Gjilani, Podujeva e Gjakova dhe komunat e tjera vazhdojnë të mos kenë kinema. Shumë prej këtyre qyteteve dikur i kishin shtëpitë e filmit, që tashmë kanë mbetur jashtë funksioni, shkruan gazeta “Zëri”.

Ferizaj kishte kinema para 83 vjetësh, por nuk ka sot

Njerëzit e fushës së kinematografisë thonë se procesi i privatizimit i ka dëmtuar shumë kinematë e qyteteve të Kosovës. Në qytetin e Ferizajt filmi i parë u shfaq në vitin 1936 falë një pajisjeje që u soll dhe u vendos në një nga bujtinat e qytetit, që më vonë u bë kinemaja e Ferizajt. Ndonëse kishte kinema para 83 vjetpsh, qyteti i Ferizajt nuk e ka një të tillë sot.

Bejtush Maliqi, drejtor i kinemasë së Ferizajt përgjatë viteve 2000 – 2006, për gazetën “Zëri” ka kujtuar kohën kur ka pasur kinema. Ai ka folur edhe për procesin e shitjes ose të privatizimit që për të konsiderohet si veprim i tmerrshëm i cili nuk shihet me sy. I pyetur se si ndihet sot kur Ferizaj që kishte kinema para 80 vjetëve e nuk ka sot, Maliqi thotë se kinemaja ka qenë e gjithë qytetarëve dhe se i vjen trishtim të kalojë andejpari kah objekti që dikur ka qenë kinema. Kurse kinemaja e dikurshme ka pasur 422 ulëse.

“Ka qenë institucion kulturor, i cili është shndërruar në ndërtesë. Kam insistuar shumë të mos shitet dhe për këtë arsye kanë dashur të më burgosin. Unë kam dashur ta pengoj procesin që të mos privatizohet ose të shitet, por politikanët e Komunës nuk më kanë dëgjuar dhe më së shumti për këtë vepër të tmerrshme ka pasur faj pushteti lokal i asaj kohe”, thekson Maliqi, i cili tutje thotë se i kanë dhënë vërejtje që nëse nuk vepron në bazë të proceseve të privatizimit, të shitjes së objektit do ta burgosin dhe do të sjellin tjetër drejtor.

“Kinemaja ka funksionuar deri në vitin 2004. Kemi pasur disa mjete për ta mbrojtur kinemanë dhe ajo mënyrë ka qenë përmes pajisjeve, të cilat do të kishin mundur të shfaqnin filma”, ka thënë ai.

Kinemaja e Ferizajt është shitur për 432 mijë euro

Bejtush Maliqi tregon se përgjatë kohës sa ka qenë përgjegjës në këtë institucion i kanë prurë punën që t’i ngrejë duart, sepse nuk ka mundur më ta mbrojë kinemanë. Për të procesi i privatizimit ka qenë një tronditje dhe privatizimi kinemanë e ka blerë për 432 mijë euro.

“Kinemaja është shitur 432 mijë euro, kurse 150 mijë euro ka pasur aparaturë filmike dhe atë aparaturë që është shitur nuk e ka pasur as Prishtina e asnjë kinema në Kosovë dhe unë sot nuk e di ku kanë shkuar ato pajisje”, njofton ai.

Maliqi njofton se ka pasur iniciativë që të rihapet kinemaja në kohën e kryetarit Muharrem Sfarqa dhe e para punë që është paraparë ka qenë të rregullohet objekti, por edhe sot pas dy vjetësh një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ish-drejtori thotë se Komuna tani është arsyetuar për mungesë të mjeteve dhe sipas kësaj përgjigjeje qyteti rezulton pa kinema. “Është e vështirë, një qytet pa kinema si një qytet pa lumë”.

Kamenica e Mitrovica pa kinema, u mungon aparatura

Arianit Ibrahimi, udhëheqës i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Kamenicës, ka njoftuar se qyteti e ka kinemanë si objekt, por e ka me aparaturë të vjetër dhe është jofunksionale. Ibrahimi njofton se Kamenica ka pasur edhe më herët kinema. Ka qenë kinemaja e vjetër, e cila ka datuar që nga vitet 1960 që sipas tij ka qenë shumë e frekuentuar. Prej vitit 1994 ka dalë me lokacion te Shtëpia e Kulturës ku është edhe tash dhe ka funksionuar deri dikur në vitin 2009 dhe janë lëshuar filma me shirit filmik, por pastaj janë ndërprerë dhe kjo me arsyetimin se ka rënë edhe interesimi i shikuesve për shkak se nuk janë të interesuar të shikojnë filma të vjetër.

“Aparaturën me shirit filmik të gjatë si tash nuk mundemi ta shtiem në funksion, mundemi kinemanë ta shtiem në funksion, por mungon aparatura e kohës së re dhe nuk mund të jetë funksionale me filma të kohërave të vjetra. Kinemaja nuk është funksionale. Kjo po i mungon shumë qytetit”, vlerëson Ibrahimi.

Ibrahimi ka njoftuar se së bashku me MRKS-në kanë ndërmarrë disa hapa për rifunksionalizimin e kinemasë.

“E kemi bërë një kërkesë në kuadër të kësaj dhe duke rezultuar në atë se kinemaja është në kuadër të Shtëpisë së Kulturës po mendojmë ta funksionalizojmë këtë vit. Fondi për ta realizuar këtë sillet prej 375 mijë eurove, që është ndarë për Shtëpinë e Kulturës. Pjesa tjetër e kësaj është dhe kinemaja e qytetit. Këtë vit po shpresojmë se do të mundemi ta riaktivizojmë me aparaturë të re. Krejt te aparatura qëndron problemi, pjesa tjetër është salla e ulëseve, e cila ka kapacitet prej 520 ulëseve dhe i plotëson edhe kushtet arkitektonike në të gjitha aspektet”, ka thënë ai për “Zërin”.

Arbër Hajra, nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Mitrovicës, ka deklaruar për “Zërin” se kjo Komunë nuk ka kinema funksionale. Ai thotë se nuk është arritur të fuksionalizohet nga shkaku se nuk është arritur të pajisen me pajisje të reja. “Nuk kemi arritur të kemi pajisje të reja. Kinemaja nuk është funksionale dhe për shkak të problemeve financiare kinemaja ka arritur të mos të jetë e hapur sot për shikuesit”, thekson ai.

Gjakova ka hapur thirrjen publike për riaktivizimin e kinemasë

Fisnik Caka në emër të Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Gjakovës ka njoftuar se qytetit të tij po i mungon kinemaja, e cila ka qenë shumë aktive për shikuesit. “Hapësira e kinemasë ekziston brenda Pallatit të Kulturës, ajo hapësirë është e dhënë me konsensus privat, partneritet publiko-privat. Ka dalë thirrja publike në ankand për t’i përzgjedhur kushtet për hapjen e kinemasë dhe të hapësirave tjera për promovim. Jemi duke u përgatitur që dalëngadalë të bëjmë hapjen e kinemasë”, tha ai.

Caka njofton se kinemaja në Gjakovë nuk është funksionale qe shumë vjet, por prej vitit 2014 është rregulluar norma për ankand publik. “Gjakovës po i mungon kinemaja, duke marrë parasysh edhe punën dhe suksesin e Teatrit ajo do të kishte qenë shumë e ndërlidhur për të kontribuuar në këtë veprimtari. Është një plus i madh kur marrim parasysh faktin se më herët ka funksionuar kinemaja dhe është shumë normale që qytetarët ta ndiejnë mungesën e saj”, konsideron Caka, që tutje shton se kinemaja në Gjakovë ka qenë pjesë e filmit të vjetër brenda Pallatit të Kulturës. “Unë si gjeneratë e re nuk e kam arritur kohën kur ka qenë funksionale kinemaja, por me fjalë të prindërve, të kolegëve e të qytetarëve ata presin që së shpejti të rikthehen në kohën e kulturës”, përfundon Caka.

Edhe Vushtrria mirëpret rihapjen e kinemasë

Fatmire Cecelia, drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Vushtrrisë, ka konfirmuar për “Zërin” se kjo komunë nuk ka kinema. Në vitet e ’90-ta ka ekzistuar kinemaja, por që nga viti 1997 e këndej nuk ka kinema kjo komunë. “Qytetit po i mungon një hapësirë e tillë kulturore, por në luftë i kanë marrë të gjitha pajisjet dhe që atëherë nuk është arritur të funksionalizohet më. Si Komunë nëse do të na ofrohet mundësia nga Ministria e Kulturës që ta përpunojmë idenë e rihapjes së kinemasë do ta mirëpresim dhe do të punojmë shumë në zhvillimin e kësaj ideje qëllimmirë. Kolegët e mi vazhdimisht tregojnë se kinemaja në atë kohë ka qenë aktive duke shfaqur filma gjatë gjithë kohës dhe punëtorët që kanë punuar në kinema akoma janë punëtorë të Drejtorisë së Kulturës”, shprehet Cecelia.

“Lumbardhi” e “Anibar”-i mbajnë gjallë filmin në Prizren e në Pejë

I themeluar në mes të shekullit XX kinemaja “Lumbardhi” në Prizren është ndër kinematë e vetme në Ballkan me sallë të mbyllur e të hapur. Për 70 vjet ka qenë qendër e shfaqjeve të filmave, të festivaleve dhe të aktiviteteve kulturore në qytetin e Prizrenit. Pas çaktivizimit të ndërmarrjes shoqërore “Bistrica”, kinemaja u la në degradim, ndërsa qyteti i Prizrenit mbeti pa kinema. Si reagim, në vitin 2002 një grup qytetarësh themeluan “DokuFest”-in për ta rikthyer kinemanë në këtë qytet për filmdashës dhe për të kërkuar aktivizimin e kinemasë “Lumbardhi”. Aktivizimi qytetar ka korrur sukses më 2015-n, kur kërkesa e parashtruar nga kjo iniciativë u pranua dhe kinemaja “Lumbardhi” ka fituar statusin e Monumentit të Mbrojtur të Trashëgimisë Kulturore. Për të vazhduar iniciativën përfaqësuesit e saj kanë themeluar fondacionin “Lumbardhi” dhe në marrëveshje me AKP-në i kanë rihapur dyert e kinemasë, duke e kompletuar fazën emergjente të restaurimit dhe të funksionalizimit të saj dhe duke e vënë në shfrytëzim të mbi 60 organizatave dhe shoqërive gjatë këtyre tre viteve.

Në anën tjetër, e ndërtuar në vitin 1955 kinemaja e qytetit të Pejës, që sot mban emrin e heroit Jusuf Gërvalla, është quajtur me emra të ndryshëm ndër vite. “Jusuf Gërvalla” ka shërbyer si shtëpi e kulturës, në të cilën janë shfaqur filma, janë dhënë shfaqje e janë mbajtur koncerte. Në kohën e luftës, në vitin 1998 kjo kinema u mbyll për t’u hapur sërish në vitin 2001 falë donacioneve të huaja. Festivali ndërkombëtar i animacionit “Anibar”, i themeluar në vitin 2009, e bëri kinemanë shtëpi të tij në vitin 2015, pasi veproi si festivali kyç i qytetit të Pejës për gjysmë dekade. Komuna e nderoi angazhimin e “Anibar”-it me dhënien në shfrytëzim të kinemasë për 15 vjetët e ardhshme, në dhjetor të 2016-s. Në vitin 2017 Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e vendosi ndërtesën në procesin e likuidimit, i cili në shumicën e rasteve përfundon në privatizim dhe në shkatërrim. Qyteti i Pejës u mobilizua në një fushatë të mbrojtjes dhe mblodhi 6.000 nënshkrime e siguroi mbështetjen e 70 organizatave joqeveritare në gjithë Kosovën për ruajtjen e saj. “Anibar”-i dhe komuniteti lokal organizuan aktivitete për të informuar mediet, për të bashkuar qytetarët e Pejës dhe bëri koordinimin e organizatave të shoqërisë civile, të cilat pezulluan procesin e privatizimit përmes një vendimi të gjykatës. Falë këtyre angazhimeve të dyja këto kinema, ajo në Prizren e ajo në Pejë, hapin rregullisht dyert për dashamirët e filmit. ZERI/KultPlus.com

Teatri apo Kinemaja, të rinjtë e Kosovës tregojnë se kë e preferojnë më shumë (VIDEO)

Në Tetarin Kombëtar të Kosovës janë vënë në skenë tekste të shumta nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore. Shfaqjet në këtë teatër trajtojnë tematikë të ndryshme.

Por, me gjithë përpjekjet për ta bërë teatrin më atraktiv për shikuesin, numri i vizitorëve vazhdon të mbetet jo i kënaqshëm me rreth 15 mijë shikues në vit.

Kinemaja, ndërkaq, vazhdon të jetë më e preferuar nga të rinjtë në Kosovë. Në vitin 2016, numri i vizitorëve në Kinemanë ABC në Prishtinë ishte më shumë se 38 mijë shikues, shkruan REL./ KultPlus.com