Vdes Alban Bujari, fotoreporteri që solli kujtimet e luftës përmes fotografive

Ka ndërruar jetë fotoreporteri i “Koha Ditore”, Alban Bujari.

Lajmin për vdekjen e tij e bënë të ditur familjarët dhe të afërmit, derisa u bë e ditur se i ndjeri varroset sot në varrezat e Dragodanit.

I ndjeri ishte fotoreporter gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku dhe hapi ekspozitën e quajtur “Erë Gjaku”, ku u kujtua Masakra e Rogovës së Hasit në Gjakovë, aty ku forcat serbe vranë e më pas masakruan 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe disa civilë të këtij fshati./ KultPlus.com

Presidentja Osmani kujton përvjetorin e Masakrës së Likoshanit dhe Qirezit

Më 28 shkurt 1998, regjimi gjenocidal i Millosheviqit kreu një nga aktet më të rënda të terrorit shtetëror, duke vrarë mizorisht 24 banorë të Likoshanit dhe Qirezit, në vatrën e rezistencës, në Drenicë.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se aty ku dhimbja dhe guximi u ndërthurën, vajzat dhe djemtë e UÇK-së, bënë sakrificën më të madhe për çlirimin e Kosovës, ndaj në këtë 27-vjetor nderohen me respekt të thellë ata që ranë për liri.

“Masakra në Likoshan dhe Qirez mbetet një dëshmi e brutalitetit të ushtruar mbi popullin tonë, por edhe një moment kur vendosmëria për liri u bë e pathyeshme.

Kujtimi për martirët mbetet i gjallë, ndërsa amaneti i tyre na obligon të vazhdojmë kërkimin e drejtësisë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

51 vjet nga Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës e vitit 1974

-Me këtë dokument politik-juridik, Kosova barazohej me njësitë tjera të federatës jugosllave

Shkruan: Jusuf Buxhovi

Në historikun e shtetndërtimit të Kosovës, kushtetuta që Kuvendi i KSA të Kosovës e miratoi më 27 shkurt 1974, shënon gurëthemelin e saj institucional, së cilës do t’i referohen: Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut 1990 dhe Kushtetuta e Kaçanikut e 7 shtatorit 1990. Me këtë dokument politik-juridik, Kosova barazohej me njësitë tjera të federatës jugosllave, ndonëse ruante gjendjen duale në raport me Serbinë (në kuadër të saj), por si subjekt konstituiv i federalizmit jugosllav. Kjo pasqyrohej në nenin 1 të kushtetutës federative në paragrafin e parë kur ajo radhitej bashkë me gjashtë republikat e tjera, ndërsa paragrafi i dytë theksonte (përbërjen) në kuadër të RS të Serbisë.

Kryetar i Komisionit që kishte përgatitur debatin publik ishte Fadil Hoxha. Ndërsa në punën e Komisionit Federativ për hartimin e Kushtetutës ishte përfshirë akademikët Gazmend Zajmi, Syrja Popovci, Esad Stavileci, juristët Kurtesh Saliu, Iliaz Kurteshi e të tjerë.

Siç dihet, pozita kushtetuese e KS të Kosovës në përputhje me kushtetutën e vitit 1974, u rrënua dhunshëm, me ndërhyrjen e Serbisë, më 23 mars 1989. Ishte ky një puç ndaj kushtetutës federative dhe ndaj rendit kushtetues, që i hapi rrugën shpërbërjes së federatës jugosllave në gusht të viti 1991 pas agresionit të Armatës Jugosllave në Slloveni.

Ndaj këtij veprimi, intelektualët e Kosovës, reaguan me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989, koncepti i së cilës për barazi, u formula në kërkesën për avancimin e pozitës së saj kushtetuese në federatë, kërkesë kjo që politikisht evuloi nga barazia tek pavarësia pas vendimeve të Konferencës së Hagës të gushtit të vitit 1991 kur u pranua shpërbërja e federatës jugosllave. Me këtë rast edhe Kosova, Komisionit të Badinterit, ia paraqiti kërkesën për njohjen e shkëputjes nga kjo federatë në përputhje me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, vendimin e Kuvendit të Kaçanikut të 7 shtator 1990 si dhe Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991.

Ndonëse Komisioni i Badinterit nuk e shqyrtoi kërkesën e Kosovës, megjithatë nuk e refuzoi, pikërisht duke u mbështetur mbi paragrafin e parë të nenit 1 të kushtetutës federative të vitit 1974 ku edhe dy krahinat (ajo e Kosovës dhe e Vojvodinës), bashkë me gjashtë republikat, theksoheshin pjesë e konstitucionalizmit federativ. Madje, edhe GJND e Hagës, në vitin 2010, të drejtën e Kosovës për shpallen e pavarësisë, që nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, pos tjerash, do ta arsyetojë edhe mbi këtë fakt./ KultPlus.com

Katër gjërat që duhet t’i dini për Trumpin, Ukrainën dhe diplomacinë e shpejtë

Mediat po prodhojnë lajme me shpejtësi dhe çdo ditë sjellin informacione të reja për presidentin amerikan, Donald Trump, luftën në Ukrainë, NATO-n, Rusinë dhe për diplomacinë me ritëm të shpejtë.

Është e vështirë të jesh i informuar për të gjitha zhvillimet, por në këtë tekst po ju sjellim katër gjëra që duhet t’i dini.

Mineralet

Administrata paraprake amerikane e pa luftën e Rusisë ndaj Ukrainës si një pushtim të paprovokuar që duhej të kundërshtohej për të ruajtur ligjin ndërkombëtar, duke përdorur sanksione për ta izoluar dhe ndëshkuar Moskën.

Trump ka adoptuar një diplomaci transaksionale. Ai ka vendosur përpara një marrëveshje për zhvillimin e përbashkët të mineraleve të rralla të Ukrainës, si një pikë kryesore për përfundimin e luftës.

Presidenti ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, që i jep Uashingtonit qasje në këto minerale, ka të bëjë me rikuperimin e shumave të mëdha të parave që ka investuar në mbrojtjen e Ukrainës. Kjo, praktikisht është një qasje e politikës Amerika e Para.

Për Ukrainën, hyrja e presidentit Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen është një çështje për të shpëtuar një aleancë që kohët e fundit duket se është prishur.

Macron dhe Starmer

Vizitorët e tjerë të Trumpit në Zyrën Ovale këtë javë ishin edhe krerët e aleatëve të kamotshëm të SHBA-së. Ata, po ashtu, po tentojnë t’i shpëtojnë raportet, pasi Trumpi vazhdimisht i ka kritikuar aleatët e NATO-s se po përdorin paratë e SHBA-së për mbrojtje.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, mori shumë buzëqeshje dhe shtrëngim duarsh. Por, nuk ishte menjëherë e qartë nëse nga takimi me Trumpin doli diçka thelbësore. Dhe, të dy u përplasën – ndonëse në një mënyrë të sjellshme – për atë se kush kishte dhënë më shumë ndihmë për Ukrainën.

Trump e lavdëroi kryeministrin britanik, Keir Starmer, për zotimin se do të rrisë shpenzimet për mbrojtje të Mbretërisë së Bashkuar. Vizita e 27 shkurtit nga disa media britanike u cilësua si më e rëndësishmja në karrierën e Starmerit.

Një nga qëllimet kyç të Starmerit ishte të fitojë “sigurinë” e SHBA-së për një mision të mundshëm ushtarak evropian në Ukrainë, që do të vendosej për të mbrojtur një marrëveshje të mundshme armëpushimi apo të paqes.

Trupat në Ukrainë

Siguria është e nevojshme sepse forcat evropiane nuk do të mund t’ia dilnin vetë. Analistët ushtarakë kanë përmendur fusha si inteligjenca, logjistika dhe mbështetja ajrore ku nuk ka mbulim të plotë në krahët evropianë të NATO-s.

Ende është e paqartë nëse një gjë e tillë mund të ndodhë. Macroni e kishte sugjeruar këtë mision një vit më parë, por vetëm tani udhëheqësit kanë filluar të flasin hapur për të si një opsion i mundshëm.

Trump tha se e ka pyetur për forcat evropiane presidentin rus, Vladimir Putin, dhe ai është i gatshëm që ta pranojë një mision të tillë. Që atëherë, zyrtarët rusë kanë ngritur dyshime mbi këtë deklaratë: fillimisht zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e më pas ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov.

Ende jemi në pritje që Putini t’u përgjigjet deklaratave të Trumpit.

Trump dhe Putin

Bisedat e drejtpërdrejta telefonike mes Trumpit dhe Putinit, të zhvilluara javëve të fundit, kanë trazuar gjërat dhe kanë çuar në mbajtjen e bisedimeve të nivelit të lartë mes SHBA-së dhe Rusisë javën e kaluar në Riad. Komunikimi dypalësh është diçka e re dhe ka ndryshuar gjithë dinamikën.

Papritur, ideja e bisedimeve të paqes më nuk është vetëm teorike. Uashingtoni ka thënë se po ndjek dy qasje për të ulur në tavolinën e negociatave Ukrainën dhe Rusinë.

Por, është e qartë se qasja ndaj Rusisë shkon përtej çështjes së Ukrainës. Pas Riadit, kanë filluar lëvizjet për riorganizimin e ambasadave që mbetën me pak anëtarë stafi pas dëbimeve të diplomatëve nga të dyja palët. Po ashtu, ka lëvizje për mundësinë e raporteve ekonomike.

Kjo ka tronditur, si Ukrainën, ashtu edhe shtetet evropiane, duke çuar në shumë ndryshime të shpejta që u përmendën më sipër./REL/ KultPlus.com

‘Para se të dashuroja, gjithçka ishte bosh’

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda

Para se të dashuroja, e dashur,
Asgjë s’ishte e imja:
endesha rrugëve, midis sendeve
asgjë s’kishte vlerë, as emër nuk kishte:
vetëm ajër që priste ishte bota.
Unë pashë sallone në ngjyrë hiri,
galeri të banuara prej hënës,
hangare të pashpirt në ndarje,
pyetje që ngulnin këmbë në rërë.
Gjithçka ishte bosh, e vdekur, e heshtur,
rrëzuar, braktisur, lëshuar;
gjithçka ishte e huaj, tjetërsim,
e të tjerëve ishte dhe e askujt, –
gjersa bukuria jote dhe varfëria
e mbushën vjeshtën me dhurata./ KultPlus.com

Teodor Drajzer: Në qetësinë shpirtërore njeriu gjen mençurinë

Në çastet e trysnive të mëdha shpirtërore, njeriu gjithmonë rritet në mënyrë më të dukshme. Ai ndjen një hov të fuqishëm forcash e aftësish. Ne ende dridhemi, ende kemi frikë të ndërmarrim hapin e parë, e megjithatë, rritemi.

Na udhëheqin shkëndijat e frymëzimit. Natyra nuk hedh poshtë asnjë. Edhe nëse mjedisi apo shoqëria na kthen shpinën, ne përsëri mbetemi në shoqërinë e gjithçkaje të gjallë. Ji veç i mirë e i ndjeshëm – dhe do ta arrish të vërtetën e madhe; mbase ajo do të vijë tek ty, jo me anë formulash të ndërlikuara, por nëpërmjet ndjeshmërisë së gëzimit dhe të qetësisë, të cilat, në fund të fundit, përbëjnë vetë thelbin e njohjes. Në qetësinë shpirtërore, njeriu gjen mënçurinë.

Citime nga romani “Një Tragjedi Amerikane”

Njerezit fillojne te te bejne ndere kur shohin se ti qendron pak me lart se ta.

Kuptova me dhimbje qe me theri ne zemer se cdo te thote te lakmosh ate qe nuk e arrin dot.

C’brenge te ngjall ne shpirt kur sheh se te gjithe flasin e qeshin, ndersa ti rron fill i vetem.

Kjo histori e jona qe nje vegim i mrekullueshem qe doli befas nga hici, nje pjelle e fantazise se ndezur qe ka marre trajten e nje te vertete te gjalle.

Ata i ndante nje mur i pakapercyeshem, qe ai e kish ngritur me duart e veta…

Ishte e para here ne jete qe realiteti i ashper e i pameshirshem po i jepte endrrave te asaj nje grusht kaq te eger.

Qofshi i kulluar si engjell apo i zi si djalli vete, gjeja me e keqe qe mund te besh eshte te qash ne sy te ndokujt.

Mos gjykoni qe te mos ju gjykojne dhe me masen qe te matni me ate do t’ju matin.

Sa ngadale vinte mbremja, sa ngadale gdhihej mengjesi! Sa e gjate ishte nata! C’psheretima dhe renkime! C’torture nate e dite pa ty…

Ai i qe nenshtruar fatit me gjithe mend e me gjithe zemer. I’u zhduk edhe shpresa e fundit e endrres se tij. Mbaroi gjithcka! Keshtu ndodh kur nata e shuan vezullimin e fundit te muzgut ne horizont.

Njerezit me ndjeshmeri te semure dhe me imagjinate te acaruar, ne rast se mendja e tyre has ne ndonje problem te koklavitur, kane nga caste te tilla: tronditen dhe ndergjegjia e tyre dehat aq sa te pakten perkohesisht marrezija ose lajthitja merr frerin ne dore. Ne te tilla raste vullneti e guximi ikin me nxitim per te ja lene vendin panikut dhe cmendurise se perkohshme. /KultPlus.com

‘Kur tretesha dhe digjesha për ty, nga njëri-tjetri letrat vinin vonë…’

Poezi nga Dritëro Agolli

Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Kur tretesha dhe digjesha për ty,
Nga njëri-tjetri letrat vinin vonë,
… Kalonte dhe një muaj apo dy.

Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
Me biçikletë a mushkë apo me kalë
Në vapë e shi, dëborë dhe thëllim.

Kur dashuroheshim në kohën tonë
Me zor na vinin letrat fshat-qytet
Nuk kishim nëpër dhomë telefon
Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.

Megjithatë më mirë që nuk kishte
As telefon, as internet, as faks,
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
Një dashuri të vjetër për një çast. /KultPlus.com

Çelet në Galerinë e Artit ekspozita “Dinastia Marubi – Njëqind vite të studios fotografike shqiptare”

Në Galerinë e Artit, në Tiranë u çel sot një nga ekspozitat më të rralla e të ngjyrshme në emocione nga bardhë e zi-ja e “Dinastia Marubi – Njëqind vite të studios fotografike shqiptare” në Galerinë e Artit Tiranë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili vizitoi sot në mbrëmje ekspozitën, e cilësoi atë “një udhëtim unik nëpër historinë e Shqipërisë”.

“Një udhëtim unik nëpër historinë e Shqipërisë, kapur mjeshtërisht nga objektivi i familjes Marubi, që sjell në dritë një shekull kujtimesh, traditash dhe artit fotografik”, tha ai.

Në ekspozitën “Dinastia Marubi – Njëqind vite të studios fotografike shqiptare” po shfaqen fotografi të jashtëzakonshme nga koleksionet e tre gjeneratave të fotografëve të Dinastisë Marubi, Pietro, Kel dhe Gegë Marubi, imazhe nga arkiva (1865-1959) me mbi 150 mijë xhama negativë të Muzeut Kombëtar “Marubi” në Shkodër.

Këto imazhe, në vitin 2016 u ekspozuan në Muzeun e Fotografisë të Amsterdamit FOAM dhe në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në 2019./atsh/KultPlus.com

Ekspozita “Bashkë” sjell veprat e dy mjeshtërve të pikturës, Guri Madhi dhe Abaz Hado

Tirana mirëpriti dje një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e artit, me hapjen e ekspozitës “Bashkë”, e cila sjell veprat e dy mjeshtërve të pikturës shqiptare, Guri Madhi dhe Abaz Hado. Kjo ekspozitë u organizua në kuadër të shpalljes së Tiranës si “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025”, një titull që synon të promovojë diversitetin artistik dhe ndërveprimin kulturor mes vendeve mesdhetare.

“Ne kemi bashkëpunuar edhe herë të tjera me ekspozita të tjera, por këtë herë kemi vendosur të sjellim një bashkëpunim shumë më të gjerë dhe të detajuar në shumë aspekte. Në këtë ekspozitë kryesisht kemi zbuluar secili karakteret dhe konceptet e veta, si dy artistë të epokave të ndryshme”, u shpreh piktori Abaz Hado.

Ekspozita solli një numër të konsiderueshëm vizitorësh, mes tyre figura të njohura të artit, kulturës dhe politikës, të cilët gjatë fjalës së tyre theksuan rëndësinë e ekspozitës si një mundësi për të rikthyer në vëmendje dy emra të shquar të pikturës shqiptare, të cilët me veprat e tyre kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në artin kombëtar.

“Kjo ekspozitë është një ekspozitë e jashtëzakonshme për një takim në kohë. Çdo imazh mban premisat për të kujtuar dhe risjellë në vëmendje ngjarje të rëndësishme dhe profesor Guri më këto piktura na e jep këtë dimension kënaqësie”, u shpreh Dekani i Arteve të Bukura, Artan Peqini.

Guri Madhi, i njohur për ndjeshmërinë e tij të lartë artistike dhe përdorimin e ngjyrave të forta, vjen në këtë ekspozitë me disa nga punët e tij më përfaqësuese, të cilat pasqyrojnë jo vetëm mjeshtërinë teknike, por edhe ndjeshmërinë e tij sociale dhe historike.

Nga ana tjetër, Abaz Hado, i cili njihet për stilin e tij modern dhe eksperimentues, sjell një qasje të veçantë në pikturë, duke e bërë këtë ekspozitë një ndërthurje të bukur mes dy qasjeve të ndryshme artistike, por që bashkohen përmes fuqisë së artit./tema/KultPlus.com

Përzgjidhet logoja fituese e Muzeut të Artit Bashkëkohor

Logoja e fituese e Muzeut të Artit Bashkëkohor është zgjedhur ajo e dizajnerit që jeton dhe punon në Zvicër, Valon Kurteshi.

Sipas njoftimit të ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pas përfundimit të fazës së parë të vlerësimit të dyzet (40) aplikimeve për logo të Muzeut të Artit Bashkëkohor, u kualifikuan dhe publikuan tri (3) shifrat e logove me potencial të përzgjedhjes në fazën e dytë (përfundimtare) të vlerësimit.

“Pas prezantimit mjaft serioz të autorëve rreth zhvillimit të idesë së logos dhe asaj që përfaqësohet përmes logos, juria vlerësuese unanimisht përzgjodhi aplikacionin më të suksesshëm, i cili plotësonte kriteret estetike, përmbajtësore, kreative dhe institucionale (sipas thirrjes publike), ku fitues i konkursit për logon e Muzeut të Artit Bashkëkohor u shpall logo nën shifrën 811984998, konkretisht, dizajnerit që punon dhe vepron në Zvicër, z. Valon Kurteshi”, thuhet në njoftim.

Logo e përzgjedhur cilësohet me:

– Origjinalitet;

– Nivel kreativ dhe estetik;

– Identitet të theksuar në aplikim;

– Pasqyrim artistik të veprimtarisë së Muzeut të Artit Bashkëkohor;

– Promovim të diversitetit dhe barazisë;

– Është dinjitoze dhe reprezentative;

– Shprehë fuqinë transformuese të institucionit

Koncepti, fonti dhe ngjyrat e projektit shpjegohen në faqen: https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/Logo_e_perzgjedhur-MAB.pdf /KultPlus.com

‘E mban mend moj Marë, dashurinë e parë’

Poezi nga Andon Z. Çajupi

E mban mend, moj Marë,
dashurin’ e parë?
Njeri nuk e gjegji,
se jeshmë te vegji.
Unë pa ty s’rroj,
vij’ e të kërkoj;
tl pa mua s’rroje,
vij’ e me kërkoje.
Në lule me erë
putheshim ngahere,
dhe si burr’ e grua
losnim nënë ftua.
Një ditë, të dyza
losnim mbylla-syza:
U fshyem pa dukur
Cinë të besoj taninë,
perëndin’ a dashurinë?
Perëndi në këte jetë
është dashuria vetë.
——
Bukuria jote, leshërat e tua
posi pëndë korbi, të gjata
mbi thua,ballëtë si diell,
faqetë si mollë,qafa jot’ e gjatë,
mesi yt i hollë,sisëtë si shegë,
dhëmbët si thëlpënjë,buzët si
burbuqe, sytë si gështënjë,
dora si dëborë, fjala jote mjaltë,
kurmi yt i derdhur, shtati yt i naltë;
gjithë më kënaqin, të tëra t’i dua,
po zëmëra jote u bë gur për mua!
—–
Pika-pika bie shiu
dhe dëbora flokë-flokë,
vetëtin e fryn veriu,
breshëri kërcet mi tokë!
Le të fryjë er’ e ftohtë,
s’ka ç’më bën dimëri mua:
Dashuria më mban ngrohtë,
se pushtoj atë që dua.
Kur fryn era me tallas,
kur bie dëbor’ e shi,
sa flë njeriu me gas,
kur ka mikenë në gji!/ KultPlus.com

Më fal trëndafil

Poezi nga Rifat Kukaj

Ç’po të buzqëshin petalet
Trëndafil bukurosh,
Si re të buta mbi male
Petalet që më shohin prore
Më ngjyrën rozë
Si npër qepallat qumështore

Më fal o mik për ngrysjen
Time dhe drithërime…
Unë do të t’shoh dhe verën tjetër
Po kurrë me sytë e nënës sime. / KultPlus.com

Letra emocionuese që Abraham Lincoln i dërgoi mësuesit të djalit të tij

Kjo është letra që presidenti amerikan Abraham Lincoln i drejtoi mësuesit të djalit të tij në fillim të shkollës. Një letër që duhet lexuar për të kuptuar jetën dhe mësimet që janë të rëndësishme tek fëmijët.

Letra e plotë:

Mësues i nderuar.
Djali im sot e fillon shkollën.

Pas pak, gjithçka do të jetë për të e re dhe e çuditshme, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht. Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet. Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo.

Për këtë, i dashur mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë, por butësisht, nëse mundeni.
Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik.

Atij do t’i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, dhe jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.

Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.

Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.

Mësojeni atë si të humbë hijshëm, dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.

Mësojeni të jetë i mirë, me njerëzit e mirë, dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa më larg zilisë, nëse do të mundeni dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.

Mësojeni po të jetë e mundur, si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp.
Mësojeni ti përqeshë cinikët.

Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbëruar.

Mësojeni të ketë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do ti thonë se janë të gabuara.

Mundohuni t’i mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.

Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë të gjithë atë që dëgjonte në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.

Mësojani atij se si të shesë talentin dhe zgjuarsinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.

Lejojeni të ketë kurajo për të qenë i padurueshëm. Lejojeni të ketë durimin për të qenë trim.

Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në ZOTIN. Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni
më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mire DHE ËSHTË BIRI IM

Me respekt
Abraham Lincoln. / KultPlus.com

Varg ëndrrash

Poezi nga Bob Dylan, përktheu Edvin Shvarc.

Po mendoja për një varg ëndrrash
ku asgjë nuk del në sipërfaqe,
çdo gjë rri poshtë aty ku plagë ka marrë
dhe ndalet përfundimisht.
Nuk po e vrisja mendjen për ndonjë gjë të veçantë
porsi në një ëndërr, kur dikush zgjohet dhe ulërin.
Asgjë edhe aq e veçantë,
thjesht po mendoja për një varg ëndrrash./KultPlus.com

Bashkia Shkodër: Vendosja e bustit të Lekë Dukagjinit, pas miratimit të rregullores për memorialet

Pas kërkesës së një grupi prej 10 qytetarësh nga Dukagjini për vendosjen e bustit të Lekë Dukagjinit në qendër të qytetit të Shkodrës, bashkia ka deklaruar sot përmes Drejtorit të Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve Mbështetëse, Denis Lesha se busti do të vendoset pas miratimit të rregullores për vendosjen e memorialeve dhe figurave historike në Këshillin Bashkiak të Shkodrës.

Sipas Leshës, ka qenë kryetari i bashkisë Benet Beci që i ka pritur disa herë në takime, qytetarët që kanë kërkuar vendosjen e bustit, duke shprehur gjithë mbështetjen e tij dhe vlerësimin për këtë figurë historike.

“Pas përfundimit të hartimit të projektvendimit përkatës, grupi i punës e ka paraqitur rregulloren për shqyrtim dhe miratim pranë Këshillit Bashkiak. Këshilli e ka përfshirë atë në rendin e ditës për mbledhjen e datës 6 nëntor 2024. Gjatë diskutimeve në seancë, përfaqësues të opozitës, duke ushtruar të drejtën e tyre ligjore, kanë kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e rregullores dhe kanë propozuar shtyrjen e miratimit për një mbledhje tjetër”, shton ai.

Në deklaratë, theksohet se ky proces bazohet në një metodologji të qartë dhe kritere të mirëpërcaktuara, duke garantuar që çdo bust, monument apo strukturë përkujtimore e re të ketë vlerë historike dhe artistike dhe të përshtatet me kontekstin urban të qytetit.

“Ndërkohë, qyteti i Shkodrës është shndërruar në një mozaik të paorganizuar strukturash përkujtimore, si buste, memoriale dhe emërtime rrugësh, shpesh të vendosura pa një proces të qartë konsultimi. Për këtë arsye, me iniciativën e Kryetarit të Bashkisë, është ngritur një grup pune për hartimin e një rregulloreje të qartë dhe të drejtë mbi vendosjen e busteve dhe monumenteve në hapësirat publike të qytetit”, thotë Lesha.

Përfaqësuesi i bashkisë i siguron banorët e Dukagjinit, se busti i Lekë Dukagjinit do të vendoset në Shkodër, duke respektuar ligjin dhe sapo kjo rregullore që ka mbetur “peng” për shkak se këshilltarët e opozitës kanë kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e saj të marrë formën e saj ligjore.

“Sapo kjo rregullore të marrë formën e duhur ligjore, çdo kërkesë, përfshirë edhe atë për vendosjen e bustit të Lekë Dukagjinit do të shqyrtohet në përputhje me kriteret dhe procedurat ligjore përkatëse.

Bashkia Shkodër nuk do të lejojë që procesi i vendosjes së strukturave përkujtimore të ndikohet nga presione apo deklarata mediatike. Qyteti nuk mund të shndërrohet në një vend ku buste dhe memoriale vendosen sipas dëshirave individuale apo të grupeve të caktuara. Institucionet dhe organet përkatëse do të ndjekin procedurat ligjore dhe profesionale për të siguruar që vendimet të jenë në interes të qytetit dhe trashëgimisë së tij kulturore. Ajo që mund të sigurojmë banorët është se busti i Lekë Dukagjinit do të vendoset në Shkodër, duke respektuar ligjin dhe në përputhje me figurat e tjera të shquara të kombit tonë”, pohoi zyrtari i bashkisë së Shkodrës./atsh/KultPlus.com

Shkolla e mesme profesionale KPU-Kolegji Profesional Universum hap thirrjen për bursa shkollimi 

Kolegji Profesional Universum (KPU) në Qytetin e Ferizajit ka hapur thirrje për bursa shkollimi, duke ofruar mundësi të jashtëzakonshme për nxënësit e klasave IX-ta dhe X-ta që synojnë të vazhdojnë shkollimin e mesëm në programet profesionale më të kërkuara në tregun e punës.

Për të përfituar bursë shkollimi, plotësoni kuizin online në linkun: https://kpuuniversum.com/qsm_quiz/2025/

KPU-Kolegji Profesional Universum ofron bursa shkollimi për programet e mëposhtme:

  • Infermieri
  • Teknik Dentar
  • Fizioterapi
  • Shkenca Kompjuterike dhe Programim
  • Mekatronikë – Operator i Roboteve Industrial
  • Gjimnaz 

Pse të zgjidhni KPU?

KPU integron teknologjinë në procesin mësimor, përdor tabela digjitale, inteligjencë artificiale për mësim të personalizuar dhe platforma e-learning, duke mundësuar një mësim efikas dhe të qasshëm në çdo kohë dhe nga çdo vend.

Mjedisi mësimor në KPU është dinamik dhe interaktiv. Përdorimi i tabelave digjitale lehtëson ndërveprimin në klasë, ndërsa integrimi i AI mundëson mësim të personalizuar, duke iu përshtatur ritmit të secilit nxënës.

Për të përfituar bursë shkollimi, plotësoni kuizin online në linkun: https://kpu-universum.com/qsm_quiz/2025/

Për më tepër, KPU ofron:

  • Përvojë praktike dhe mundësi punësimi: Praktika profesionale në laboratorë të pajisur me teknologji të fundit dhe mundësi për t’u angazhuar në mësim dual, duke bashkëpunuar ngushtë me industrinë dhe mundësuar punësim të mundshëm pas përfundimit të studimeve.
  • Mësim i personalizuar dhe aktivitete ekstrakurrikulare: Nxënësit përfitojnë një mësim të personalizuar për t’u përgatitur për tregun e punës, ndërkohë që mund të angazhohen në aktivitete të ndryshme që ndihmojnë në zhvillimin e aftësive sociale dhe profesionale.

Si të aplikoni?

Për të përfituar bursë shkollimi, plotësoni kuizin online në linkun: https://kpu-universum.com/qsm_quiz/2025/

Nxënësit e klasave IX dhe X që dëshirojnë të vazhdojnë shkollën e mesme dhe të ndërtojnë një karrierë të suksesshme në një nga programet profesionale më të kërkuara, ftohen të plotësojnë kuizin online dhe të bëhen pjesë e KPU që të zhvillojnë potencialin e tyre në maksimum.

Për më shumë informata kontakto 045481241 & [email protected] ose na ndiqni në rrjete sociale facebook ose instagram./KultPlus.com

Raporti i UN Tourism, Rama: Shqipëria e para në Evropë dhe në botë për rritjen e turizmit

Shqipëria renditet e para në Evropë dhe në botë për rritjen e turizmit gjatë vitit 2024.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale publikoi raportin më të fundit të World Tourism Barometer, publikuar nga Organizata Botërore e Turizmit (UN Tourism).

“Sipas raportit të fundit të UN Tourism, Shqipëria cilësohet e para në Evropë dhe në botë për rritjen e turizmit”, shkruan Rama.

Sipas këtij raporti, Shqipëria ka regjistruar Shqipëria renditet e para me një rritje prej 80% të turistëve, e ndjekur nga Arabia Saudite me 69%, më pas vjen Kolumbia me 37%, Maroku me 35%, Republika Domenikane me 32% etj.

Rritja e turizmit është rezultat i investimeve në infrastrukturë, përmirësimit të lidhjeve ajrore, promovimit ndërkombëtar dhe diversifikimit të ofertës turistike. Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë falë bregdetit të pacenuar, kulturës unike dhe atraksioneve natyrore./atsh/KultPlus.com

‘Ushtarë, m’hapni shtatoren që të shoh edhe një herë Shkodrën’

Poezi nga Jeronim De Rada

Fryu era e maleve
dhe rrëzoi hijen e lisit:
gjaku im mbetet lumit t’Vodhit!
Ushtarë, m’hapni shtatoren
që të shoh edhe një herë
Shkodrën dhe time motër
te dritarja përkundruall.
Më atje nuk do të zgjohem
luleve që valvit era,
posi valë që s’kanë mbarim.
Do të mblidhen shokët mbrëmjes
brenda vatrash në atdhe:
Unë i le si ëndërzë!/ KultPlus.com

“Deadline”, premierë nga BKK në muajin mars

Më 20 mars, Baleti Kombëtar i Kosovës do të shfaq premierën e radhës, shfaqjen e titulluar “Deadline”.

Kjo shfaqje, e konceptuar nga Sead Vuniqi, është premiera e dytë e BKK-së për vitin 2025 dhe do të prezantohet para publikut në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Balerinët e BKK-së janë në fazën intensive të provave, ku së bashku me koreografin Vuniqi dhe asistenten Diletta Antolini, po përgatisin çdo detaj të këtij projekti.

Më 21 dhe 22 mars do të jepen reprizat e para pas premierës./ KultPlus.com

Një turist gjobitet me 500 euro pasi u fut në Fontanën e Trevit në Romë, i ndalohet përgjithmonë vizita

Tashmë sezoni i turistëve veçse ka filluar në Romë, e tre vizitorë nga Zelanda e Re u futën në telashe pikërisht në zonën përreth “Fontana di Trevi”.

Siç raporton CNN, të tre turistët u ndaluan të dielën mbrëma nga policia.

Derisa po kalonin nga shatërvani i famshëm Trevi në qendër të Romës, ku veçse kishte turistë të shumtë, dhe policia po i largonte nga zona, të dehur, njëri nga ta, një 30-vjeçar shkoi dhe u hodh aty, derisa po e ndiqnin policia.

“Alkooli ishte padyshim i përfshirë,” tha një zëdhënës i policisë.

I riu nga Zelanda e Re hyri në shatërvan duke u kapur mbi skulpturat e mermerit.

Ai u gjobit me 500 euro (rreth 524 dollarë) dhe iu ndalua përgjithmonë të vizitojë Monumentin barok.

Shatërvani i Trevit, i ndërtuar në vitin 1762 si gryka e një ujësjellësi, iu nënshtrua një pastrimi prej 330,000 dollarësh në vitin 2024, gjatë të cilit u kullua në mënyrë që punëtorët të mund të riparonin mermerin e copëtuar nga miliona monedha të hedhura në ujë çdo vit./ KultPlus.com

Rama në kantierin e Teatrit të ri Kombëtar: Do të jetë ndër më të bukurit në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore

Pas përfundimit të punimeve të vështira të nëntokës, godina e Teatrit të Ri Kombëtar ka nisur të përvijohet ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda vitit.

Projekti i ri, vepër e njërit prej arkitektëve më të mëdhenj bashkëkohorë, Bjarke Ingels, e studios daneze BIG, synon të krijojë një ndërtesë që lidhet me hapësirën e jashtme, si një strukturë performuese dhe një zgjatim fleksibël i jetës publike të Tiranës, ku Teatri bëhet vetë një “aktor” në kontekstin e qytetit.

Projekti po zhvillohet në zonën ku aktualisht gjendet Teatri Kombëtar në ndërthurjen e akseve të pedonaleve. Ndërtesa është ndarë në dy pjesë: një për aktorët dhe administratën, dhe një tjetër për publikun, me funksionin kryesor teatrin. Të dy pjesët kanë akses të veçantë. Publiku do të ketë hyrje nga fasada kryesore ose një hyrje tjetër nën hark. Ndërsa pjesa e tavanit të ndërtesës do të shërbejë gjithashtu si një teatër i hapur/auditor, ku publiku mund të ulet në shkallare për aktivitete të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe nënkryetarja e bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, inspektoi sot punimet në këtë kantier, ku theksoi se Shqipëria do të ketë një nga teatrot më të bukur të ndërtuar në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama theksoi se Teatri i Ri do të jetë teatri më i bukur kombëtar në të gjithë rajonin.

“Duhet bërë e gjitha, sheshi mbrapa, sheshi galerisë, rruga pedonale, sheshi këtu duhet bërë e gjitha, duhet mbyll e gjitha, si një gjë komplete. Duhet bërë një gjë që të jetë si sheshi i dytë i Tiranës. Domethënë deri në fund të tetorit ne e kemi guaskën e mbyllur dhe gjithë do të shikoni se çfarë Teatri Kombëtar do të kemi përsa i përket formës arkitektonike. Do jetë pa asnjë diskutim teatri më i bukur kombëtar në të gjithë rajonin dhe do të jetë ndër teatrot më të bukur kombëtar të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, se para Luftës së Dytë Botërore ka monumente që janë të pa konkurueshme në formën e tyre ne Europë”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “kështu që, kjo është koha kur edhe pak durim dhe të gjithë ata të lënduarit me humbjen e asaj që kishim, që ishte një godinë nostalgjike, por pa asnjë lloj vlere të qëndrueshme për të vazhduar të rrinte aty, -do të ndjehen të lehtësuar sepse përveç teatrit kemi edhe një shesh komplet tjetër që fiton qendra e Tiranës, para dhe mbrapa teatrit”.

Nënkryetarja e bashkisë Ristani tha se “me karabinanë mbarojmë brenda tetorit dhe pastaj vazhdojmë me pjesën artistike. Pjesa e gjithë mekanizmave që do të ndërtohen për skenografi dhe facilitete të tjera teknologjike të skenave do të vazhdojnë më mbrapa në pjesën tjetër të kontratës. Gjithë ideja e hapësirave që krijohen, po të shikoni nga trarët që janë vendosur, për të kryer idenë e hapësirës publike që do të jetë si e shtuar nga ndërtimi. Kjo është si do të duket pamja nga ky kënd, kjo do jetë shkallarja që ngjit për tek hapësira që është jashtë e anfiteatrove sipër”.

Teatri i Ri do të jetë i integruar edhe me infrastruktura të tjera, të lidhura me artin, që do të ndërtohen.

“Janë rreth 4500 metra katrorë shesh publik deri në pjesën e pasme. Folëm dhe me arkitektët për pjesën e hapësirës publike dhe marrëdhënien me Muzeun e Ri te arteve të bukura, atë që folëm herën e fundit në inspektim, që ta integrojmë të gjithën”,  u shpreh Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja.

Gonxhja tha se “do t’i dalim para edhe të pjesës teknologjike të skenës sepse kjo e çon deri në një nivel të caktuar dhe bën gati. Po ngremë grupet qe tani me Teatrin Kombëtar që t’i dalim para, të mos mungojë asgjë”.

Teatri i Ri Kombëtar në Tiranë do të jetë një nga ndërtesat më të bukura në rajon. Ky teatër do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, por edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Evropë./ KultPlus.com

Mediterranea, ekspozita që rrëfen historinë e detit

Në Galerinë e Artit Bashkëkohor në Tiranë (GOCAT) u çel ekspozita “Mediterranea”. Mes të pranishmëve në inaugurim ishte edhe ambasadori i Italisë, Marco Alberti si dhe drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera.

Ekspozita përdor imazhe të marra nga teknologjia më e avancuar hapësinore e zhvilluar nga Agjencitë Hapësinore Italiane dhe Europiane, si dhe nga Telespazio/e-Geos. Vizitorët mund të shohin imazhe të jashtëzakonshme, krahas hartave dhe veprave të lashta të artit, në një sintezë të kulturës, artit dhe shkencës, mes të shkuarës dhe së tashmes.

“Mundësia për të prezantuar “Mediterranea”-n në Tiranë na u dha falë shpalljes së kryeqytetit shqiptar si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025. Instituti Italian i Kulturës vendosi t’i përgjigjet, duke paraqitur një ekspozitë që rrëfen historinë e detit, ku janë ndërthurur histori popujsh, kulturash dhe qytetërimesh”, është shprehur në rrjetet sociale Alessandro Ruggera.

Drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë e sheh “Mediterranea”-n gjithashtu si një mundësi për të reflektuar mbi të ardhmen e këtij deti, me shpresën që ai të vijojë të jetë një hapësirë shkëmbimi, bashkëpunimi dhe paqeje.

“Mediterranea” është një ekspozitë gjithëpërfshirëse që rrëfen historinë, bukurinë dhe sfidat e Mesdheut, një udhëtim mes të shkuarës dhe të ardhmes, ku imazhet satelitore moderne ndërthuren me harta të vjetra, tinguj dhe instalacione emocionale. /KultPlus.com