“Hapësirat Kulturore të Kosovës” vizitë në Slloveni

Nga data 16 e deri më 22 maj është mbajtur vizita e dytë studimore në Slloveni në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës” që mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Anibar, 7Arte, Lumbardhi dhe Pogon.

Në këtë vizitë nga Kosova kanë marrë pjesë menaxherë kulturor, përfaqësues të rrjeteve lokale dhe nacionale të kulturës, zyrtarë institucional që mbulojnë dikastere të kulturës, punëtor të ndryshëm kulturor, përfaqësues të mediumeve kulturore dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Nën emrin “Rrjetet e Qëndrueshme të Kulturës në Kosovë”, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi që në Lubjanë, Koper dhe Maribor të vrojtojnë për së afërmi praktika të partneriteteve publiko-civile dhe të kuptojnë rolin e rrjeteve të kulturës në këto partneritete.

Ndër të tjera, ata kanë kuptuar detajisht mënyrat alternative të menaxhimit të infrastrukturës dhe hapësirave publike, sikundër që janë informuar hollësisht me programet këtyre hapësirave dhe rrjeteve të kulturës. Përgjatë vizitës pjesëmarrësit kanë mësuar më shumë rreth punës së punëtorëve kulturor, organizatave dhe kolektiveve të kulturës përgjatë viteve.

Theks i veçantë është vendosur edhe mbi ndikimet e efektshme të rrjeteve të kulturës në avokimin e të rinjve për përfshirje dhe për politika më të favorshme kulturore. Në fund, pjesëmarrësit kanë parë perspektiva të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm të rrjeteve të kulturës, por edhe forma të ndryshme të përdorimit të rrjeteve sociale në informimin, zhvillimin dhe krijimin e audiencave.

Në Lubjanë, Maribor dhe Koper janë vizituar hapësirat, institucionet, organizatat dhe festivalet: Asociacija, Metelkova, Glej Theater, City of Women, GT22, Pekarna Magdalenske Mreže, StopTrik, Vetrinjski Dvor, Elektrarna, Zavod Bunker, Kino Šiška, PiNA, Španski Borci, Kibla, Zavod Mars dhe Dance Theater Lubjana. Prezentimet janë realizuar nga: Inga Remeta, Miha Satler, Tjaša Puereber, Poček Barbara, Urška Jež, Zoran Petrovič, Miha Sonda, Mojca Jug, Simon Kardum, Borut Jerman, Iztok Kovač, Hana Repše, Miha Horvat, Urška Breznik, Marko Brumen, Živa Kleindienst, Peter Tomaž Dobrila dhe Katja Somrak, ndërsa janë zhvilluar dhjetëra vizita të ndara në hapësira e institucione tjera kulturore.

Ekipi i CSoK është jashtëzakonisht falënderues ndaj Presidentës së Asociacija, Inga Remeta, për koordinimin, krijimin e programve dhe ndihmën e madhe në realizimin e kësaj vizite studimore. Po ashtu, falënderojmë edhe Komunën e Pejës që ka bashkë-financuar këtë ngjarje.

Kjo është vizita e fundit studimore (pas asaj në Kroaci) në kuadër të projektit të sipërpërmendur. Si përfundim, falënderojmë edhe Ambasadorin e Kosovës në Slloveni, z. Valdet Sadiku, për ftesën dhe pritjen që e ka bërë, por edhe për artistët, shoqatat e organizatat e ndryshme që kanë shprehur dëshirë për të na takuar.

Kjo vizitë studimore u mundësua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Komunës së Pejës, në kuadër të projektit “Partneriteti publiko-civil për qeverisje inovative të infrastrukturës publike” i zbatuar nga Anibar, Lumbardhi, 7Arte dhe Pogon. /KultPlus.com

Përmbajtja e kësaj vizite është përgjegjësi e organizatorëve dhe nuk i paraqet domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

7Arte hap thirrjen për mbështetjen e 5 artistëve të rinjë nga fusha të ndryshme të artit

7Arte hapë thirrjen për mbështetjen e 5 artistëve të rinjë nga fusha të ndryshme të artit.

“101 shkallë” është program i promovimit dhe zhvillimit të mëtejshëm profesional për artistët e rinj. Programi përfshinë ofrimin e hapësirës, marketingut, kompenzim për shërbimet e tyre si dhe ofrim të paisjeve të nevojshme për të realizuar performancat dhe projektet e tyre artistike.

Programi synon të përkrahë artistët audio-vizuelë të rajonit të Mitrovicës, me qëllim që të zhvillohen drejt një karriere të qëndrueshme në art.

Afati i fundit për aplikim: 01/05/2022

Linku për aplikim: https://docs.google.com/…/16KNKE2M8c3ZauytpGgGwYrhvtcFi…

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. / KultPlus.com

Filloi zbatimi i projektit “Analizimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë”

Projekti synon të zhvillojë një analizë mbi gjendjen aktuale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë, e cila do të shërbejë si bazë për draftimin e Planit Komunal për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore.


Projekti “Analizimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë” do të mundësoj përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në Mitrovicë të jenë pjesë e proceseve politikë-bërëse, dhe në të njëjtën kohë do të promovojë transparencën e institucioneve lokale me fokus në kulturë.

Të dhënat e dala nga projekti do të publikohen dhe do të dërgohen tek Komuna e Mitrovicës (Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Drejtoria e Integrimeve Evropiane) dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.


Projekti në fjalë do të kontribuojë në arritjen e objektives së katër (4) të Strategjisë për Kulturë dhe Turizëm 2018 – 2022 në Komunën e Mitrovicës, përkatësisht me njërin nga hapat e veprimit “4.2. Promovimi i diversitetit kulturor, respektimi dhe mbrojtja e shprehjes kulturore dhe trashëgimisë kulturore”. Gjithashtu ky projekt i kontribuon arritjes së Objektives 11 të Zhvillimit të Qëndrueshëm: Qytete dhe Komunitete të Qëndrueshme; Targeti: Forcimi i përpjekjeve për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë botërore kulturore dhe natyrore.

Organizata 7Arte i mirëpret të gjitha informatat dhe rekomandimet e juaja. Andaj në rast të dëshirës për të qenë pjesë e këtij procesi, mos hezitoni të na kontaktoni.

Projekt i financuar nga BE-ja, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga IKS, Lens dhe FES./ KultPlus.com