Lindi më 4 tetor 1954 në Tiranë dhe vdiq më 14 nëntor 2020, ishte arsimuar në nivel parauniversitar, po në Tiranë. Në vitin 1978 përfundoi studimet universitare pranë Akademisë së Arteve në degën e artit dramatik dhe po në këtë vit fillon veprimtarinë e tij profesionale si aktor dhe regjisor në Trupën Artistike të Ushtrisë, në Teatrin Popullor (Kombëtar), pranë kinostudios “Shqipëria e Re” dhe Radio Televi-zionit Shqiptar.
Ka në biografinë e tij artistike 60 role në teatër dhe estradë, 8 role në kinematografi, ka realizuar 5 filma dokumentar etj. Në vitin 1987, krahas studimeve pasuniversitare për titull shkencor të nivelit të parë, përfundon edhe studimet e specializimit në degën e gazetarisë, pranë Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike (në bazë të legjislacionit aktual konvertohet me nivelin Master Shkencor në Gazetari). Ka kryer edhe kualifikime në disa vende si Francë, Holandë, Danimarkë, Finland, Itali, Greqi etj. Njëkohsisht, Valter Gjoni është anëtar i nominuar i disa organizmave ndërkombëtare.
V. Gjoni është autor i shumë artikujve kulturor, artistik, problematik, informativ e historik në gazeta, revista, emisione televizive dhe botime të veçanta. Pas një përvoje pune intensive në institucionet e artit dhe medias të Tiranës, në vitin 1991 e në vijim, V. Gjoni emërohet pranë Bashkisë së Tiranës, ku përmbush një sërë detyrash, si drejtues i sektorëve që lidhen me artin, kulturën, ceremonialin e qytetit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Duke gërshetuar përvojën e tij administrative, gazetareske dhe artistike jashtë funksioneve të tij zyrtare, autori ka realizuar rreth 20 ekspozita dhe 8 botime tematike për vlerat historike, kulturore dhe njerëzore, kryesisht për Tiranën. Valter Gjoni mban disa tituj nderi të vendit dhe ndërkombëtare, ku titulli më i lartë është Kalorës i Urdhrit të Meritës së Republikë Franceze dhe Urdhrin “Naim Frashëri” i Republikës së Shqipërisë dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”.
Publikohet historia e panjohur e aktorit Sandër Prosi, i konsideruar si një nga kolosët më të mëdhenj të skenës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Ai që në rininë e tij, përveç punës që bënte në klinikën stomatologjike të vëllait të tij ku shkonte shpesh për ta ndihmuar, kishte prirje e pasion për muzikën dhe luante bukur në kitarë, violinë, apo këndonte bukur në korin e Kishës Orthodokse në Tiranë, bashkë me shokun e tij të ngushtë, Prokop Mima.
Familja Prosi
Sandër Prosi u lind në 6 janar të vitit 1920 në Shkodër, ku nëna e tij, Aspasia, kishte shkuar për të qëndruar për pak kohë në familjen e saj. Sandri ishte fëmija i fundit i Jovan Prosit, nga tre djem dhe tre vajza që kishte ajo familje e vjetër tiranase me origjinë vllehe dhe kur lindi Sandri, familja e tij banonte në një shtëpi të vjetër në rrugën e “Barrikadave”.
Jovan Prosi, u kujdes që t’u jepte fëmijëve një arsimim sa më të mirë. Kështu Kleanthi, vëllai i madh i Sandrit, u diplomua për stomatologji dhe pas diplomimit ai hapi një klinikë private diku afër “Pazarit të Ri” në Tiranë.
Pas Kleanthit, po në të njëjtin profesion studio edhe i vëllai tjetër, Aristidhi, por ai nuk pati fatin të jetonte gjatë dhe vdiq në Tiranë në moshën 30 vjeçare, pasi ishte kuruar në një nga klinikat e Zvicrës. Vdekjen e Aristidhit, familja e përjetoi dyfish pasi të gjithë ata mbaheshin me të ardhurat e klinikës së Kleanthit dhe Arstidhit.
Kur Sandri ishte në vitin e fundit të gjimnazit të shtetit në Tiranë, shpesh herë shkonte tek klinika dhe punonte, duke zëvëndësuar vëllain e madh, i cili shkonte në Bukuresht për të takuar të afërmit e familjes së tyre.
Pasioni i tij, muzika – Ndonëse fëmijët e Jovan Prosit ishin të dhënë të gjithë pas profesionit të stomatologut, Sandri i vogël bënte dallim nga ata, pasi që kur ishte në bangat e shkollës fillore, shfaqi prirje për muzikën. Këtë pasion i’a ushqeu dhe babai i tij, i cili merrte leksione violine nga mjeshtri i madh, Ludovik Naraçi.
Sandri studioi disa vite edhe instrumentat e fizarmonikës dhe kitares, madje aty nga fundi i viteve ‘30, ai mori vëndin e parë në një konkurs violine të organizuar nga Ministria e Arsimit e Kulturës së asaj kohe. Përveç muzikës, ai ishte i dhënë shumë edhe mbas kinematografisë botërore dhe asokohe ai mbildhte foto të ndryshme revistash të filmave italianë duke i koleksionuar ato.
Pas mbarimit të gjimnazit në vitin 1938, Sandri mundi të përfitojë një bursë nga qeveria e Zogut, për të studiuar për stomatologji në një nga universitetet e Vjenës. Në kryeqytetin austriak, ai studio për dy vite, dhe më pas atij i’u ndërpre bursa pas pushtimit italian të Shqipërisë.
Si pasojë e kësaj ai u detyrua që të kthehej në Tiranë, ku herë pas here ndihmonte të vëllanë, Kleanthin në klinikën dentare. Më pas ai shkoi në Bari të Italisë, ku disa nga miqtë e tij anti-fashistë që ishin të internuar aty, i thanë që të mos rikthehej në Tiranë, pasi aty kishte shpërthyer lufta. “Unë nuk i dëgjova këshillat e miqve të mi, pasi kisha dobësi për nënën time Aspasinë”, kujtonte Sandri lidhur me kthimin e tij në atdhe.
Prosi e Mima në 1943-in te “Vilhelm Tel”
Në vitet 1942-43, maturantët e gjimnazit shtetëror të Tiranës, ku midis të cilëve ishte dhe aktori Naim Frashëri, vunë në skenë dramën “Vilhelm Tel”. Për këtë ata kërkuan ndihmën e shokëve të tyre më të rritur, Sandër Prosit dhe Prokop Mimës, të cilët kishin jo më shumë se 3-4 vite që ishin larguar nga shkolla. Kjo premierë pati një sukses të padiskutueshëm dhe për këtë patën një meritë të madhe Prosi dhe Mima.
Kjo shfaqje do të shënonte edhe fillimin e karrierës së tyre si aktorë të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Gjatë viteve të pushtimit të vëndit, 1939-’44, Sandër Prosi nuk u përfshi në asnjë nga forcat politike të asaj kohe, por sipas disa dëshmive, në fund të vitit 1944, ai figuronte në listat e komunistëve për t’u arrestuar, si ish-pjestar i formacioneve të rinisë së organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar.
Madje sipas disa dëshmive, si p.sh. ajo e bërë publikisht nga Xhemal Alimehmeti, ish-eksponent rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar, diku aty nga fundi i tetorit apo fillimi i nëntorit 1944, Sandër Prosi me gjithë shokun e tij i ngushtë Prokop Mima, u arrestuan nga një njësit partizan dhe u dërguan në malin e Dajtit në afërsi të fshatit Priskë, ku partizanët i kishin improvizuar disa godina të vjetra si burg dhe mbanin aty shumë nga të arrestuarit e atyre ditëve.
Aty nga mesi i muajit dhjetor, të gjitha të arrestuarit që ishin aty i zbritën në Tiranë dhe i “sistemuan” në dy burgjet që sapo ishin vënë në funksion, por Sandri me Prokop Mimën mundën të liroheshin, pasi përveç pjesmarrjes së tyre në pjesën “Vilhelm Tel” të organizuar nga rina e Ballit Kombëtar, nga hetimet nuk rezultoi që ata të kishin pasur aktivitet në rradhët e asaj organizate nacionaliste.
Por kjo ngjarje dhe akuza si “ish-pjestar i Rinisë së Ballit Kombëtar”, do ta ndiqte Sandrin dhe mikun e tij të ngushtë, Prokop Mimën, edhe për shumë vite, pasi ata kishte filluar punë si aktor në Teatrin Popullor. Në Teatrin Popullor – Pas mbarimit të Luf tës aty nga fillimi i viti 1945, Sandri së bashku me mikun e tij Prokop Mimën, u afruan në korin e Filarmonisë së Shtetit, pasi më parë kishin dhënë “prova”, duke kënduar në korin e Kishës Orthodokse. Në korin e Filarmonsië, Sandri qëndroi deri në fundin e vitit 1947, kur u thirr për të luajtur si aktor në Teatrin Popullor.
Në atë kohë u ofruan pranë atij teatri edhe aktorët Mihal Popi, Besim Levonja, Loro Kovaçi, Prokop Mima, etj. Sandri u aktivizua që në pjesët e para të vëna në skenë nga regjizori Pandi Stillu, ashtu dhe nga rusi Kriçkov.
Lidhur me rolet e tij në Teatrin Popullor, Rikard Ljarja, një nga aktorët e mëdhenj të kinematografisë shqiptare, kujtonte: “Ndonëse për vetë moshën unë nuk kam pasur nderin që të luaj së bashku me Sandrin, përveç dy-tre roleve në kinematografi, di të them se ai ka qënë një njeri i jashtëzakonshëm. Roli i tij më i spikatur ka qënë ai i Horatios tek “Hamleti”.
Them kështu, pasi ai ishte një rol i një njeriu të mirë si në dramë ashtu dhe në filma, është tepër e vështirë që të realziosh role si ai i Horatios, mikut të ngushtë të Hamletit. Megjithatë loja e Sandrit tek Horatio, ishte virtuoze, gjë që e bëri të shkëlqejë atë me gjithë madhështinë e tij. Sandri kishte dhunti interpretuese tek rolet në filma, të cilat fillonin që nga portreti, fiziku i tij, deri tek gjestikulacionet.
Ai diti të dallojë shumë mirë filmin nga teatri, të cilat janë dy gjëra krejt të ndryshme, por ai e gjeti veten më së miri në film”, përfundon Ljarja për kolegun e tij. Sipas dëshmive të Rikard Ljarjes, por dhe kolegëve të tjerë të tij, përveç punës së madhe që ai bënte me rolet në studiot e teatrit, Sandri atë gjë e vazhdonte për orë të tëra, edhe në shtëpinë e tij. Lidhur me këtë, djali i tij i madh, Aristidhi kujton:
”Babai punonte shumë në shtëpi me rolet e tija të Teatrit. Kështu më kujtohet aty nga mesi i viteve ‘60-të, ai ka punuar për afro katër vite për rolin e Otellos. Aq shumë ishte i dhënë pas atij roli, saqë edhe unë që isha i vogël, arrita t’i mësoja përmëndësh, pothuaj pjesën më të madhe të monologjeve të asaj drame. Po kështu edhe kur dilnim në xhiro në shëtitoren e Tiranës, ai shpesh përshpëriste me vete rolet e tija. Në çdo kohë ai e kishte mëndjen vetëm tek rolet”, kujton i biri, Aristidhi.
Në filmat e parë
Pas shumë roleve në dramat e pjesët e tjera që u vunë në skenën e Teatrit Popullor, me krijimin e Kinostudjos “Shqipëria e Re”, kur filluan që të realizoheshin filmat e parë shqiptarë, Sandër Prosi ishte një nga aktorët që u aktivizua me role kryesore në ato filma. Kështu Sandri, mori pjesë në filmin “Furtuna” që ishte një bashkëprodhim shqiptaro-rus, e më pas në filmin “Vitet e para” në rolin e një inxhinieri që punonte për tharjen e asaj kënete.
Pas këtyre filmave me të cilat filloi kinematografia shqiptare, Sandër Prosi vazhdoi të interpretojë një galeri rolesh, ku ndër më kryesoret janë: oficer i Sigurimt të Shtetit te ”Detyrë e Posaçme”, italiani te ”Oshëtimë në Bregdet”, doktor Borova te “I teti në bronx”, Kapedani i bigës, te “Horizonte të hapura”, komunisti te “Debatiku”, babai i Zanës te “Plagë të vjetra”, si dhe role të tjera kryesore te “Mëngjeze Lufte”, “Yjet e netëve të gjata”, “Udha e Shkronjave”, “Shtigje Lufte”, “Fije që priten”, “Përballimi”, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, “Nëntori i Dytë”, “Dora e ngrohtë” etj.
Nga roli i drejtorit të shkollës te filmi “Debatik” që ishte roli i tij i parë në kinematografi, e deri tek ai i fundit te filmi ”Pranverë e Hidhur” në vitin 1985, që Sandri nuk arriti ta përfundojë, ai shënon 29 role nga më të arrirët të kinematografisë shqiptare, të cilat kanë hyrë në fondin e artë të filmit shqiptar. Po kështu përveç këtyre, nga viti 1947 e deri në vitet e fundit të karrierrës së tij artistike, Sandër Prosi luajti edhe mbi 100 role në teatrin shqiptar.
Si jetoi Sandër Prosi? Ndonëse Sandër Prosi pati një ngritje të shpejtë si aktor duke u bërë një nga më të njohurit e kinematografisë shqiptare, ai bënte një jetë krejt të thjeshtë. Ai së bashku me familjen e tij, nga bashkëshortja Filomena dhe dy djemtë Aristidhi e Adriani (të dy muzikantë) deri në vitin 1976, kanë banuar në një shtëpi të vjetër tiranase, e cila kishte vetëm një dhomë e një guzhinë, te rruga e “Barrikadave”.
Në vitin 1976, shteti u detyrua që t’i jepte një apartament më të zgjeruar aktorit të madh Sandër Prosi. Në atë shtëpi, Sandri përgatiti pjesën më të madhe të roleve të tija, ku spikati ai i Otellos, për të cilin i’u desh katër vite punë.
Prosi nuk e kishte kurrë zakon të ankohej për kushtet në të cilat banonte dhe punonte. Ndonëse ishte një nga më të famshmit e kinematografisë shqiptare, nuk kishte televizor në shtëpinë e tij dhe shumë nga filmat e kohës ishte i detyruar që të shkonte për t’i parë tek i vëllai Kleanthi.
Siç tregojnë kolegët dhe familjarët e tij, Sandër Prosi ishte i mbyllur në vetvete. Lidhur me këtë djali i tij Aristidhi kujton: ”Babai bënte një jetë të rregullt familjare. Ai nuk pinte alkol, ndonëse frekuentonte zakonisht barin e “Vollgës” dhe atë të katit të tretë në Pallatin e Kulturës, që ishin dhe dy nga lokalet ku ai shkonte zakonisht me kolegët e tij artist, (nga miqtë më të afërt kishte Prokop Mimën e Naim Frashërin) dhe pinte rreth shtatë-tetë kafe në ditë, të cilat i shoqëronte me tre paketa cigaresh”.
Pasionet e Sandrit
Ashtu si gjithë njerëzit e tjerë dhe Sandër Prosi në jetë, kishte hobet e pasionet e tija. Lidhur me këtë, i biri Aristidhi, kujton:”Im atë që nga rinia e tij, kishte një pasion për zogjtë, gardelinat dhe kanerinat.
Ai i mbante ato nëpër kafaze në shtëpi dhe kujdesej shumë për to. Një herë kur në teatër ju desh një kanarinë, ai mori një nga ato të shtëpisë dhe u bë shumë keq kur atë ia hëngri macja, ngaqë dikush nga kolegët e tij i kishte lënë derën e kafazit të hapur.
Po kështu babai nuk i’u nda kurrë muzikës, pasionit të parë të tij. Ai mbante në shtëpi një numër të madh disqesh gramafoni me muzikë klasike dhe operistike, ku më shpesh kishte dëshirë të dëgjonte simfoninë pastorale të katërt të Bethovenit.
Një pasion të madh kishte dhe për librat, ndonëse për vetë natyrën e punës së tij, nuk kishte shumë kohë të lexonte. Përsa i përket kinematografisë botërore, im atë kishte idhull, aktorin e madh francez Zhan Gaben, ndonëse nuk mbante foto të tija në shtëpi, për vetë rrethanat e asaj kohe. Sa herë kishte shfaqe, na merrte me vete e pas mbarrimit të saj, ne e prisnim aty përpara ish monumentit të Stalinit.
Babai nuk e kishte kurrë për zakon që të shante njeri, e aq më pak kolegët e tij. Aktori i madh Sulejman Pitarka thonte shpesh: “Unë nuk kam lënë njeri në teatër pa bërë fjalë, por me të vetmin që nuk u fjalosa kurrë, ishte Sandër Prosi dhe kjo jo për meritën time”. / KultPlus.com
Janë siguruar të hollat për shërimin e aktorit, Genc Fuga, i cili ka pësuar sulm në tru. Lajmin e ka bërë të ditur bashkëshortja e tij, e cila kishte kërkuar ndihmë nga komuniteti medial e artistik për ndihmë, ndërkohë që mbështetja është siguruar për më pak se 24 orë.
“Faleminderoj çdo njerin nga ju për suportin dhe mbështetjen, për çdo fjalë dhe kontribut. Shuma u sigurua”, ka shkruar Enerjeta Jani Fuga.
Shuma e operimit të Fugës ka qenë 19,000 euro. Genc Fuga njihet për shumë role në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë. Është edhe mësimdhënës në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ka luajtur në filmat “Castle Freak”, “Nata pa hënë”, “Sex, përrallë dhe Celular”, “Stairs”./rtk/KultPlus.com
Sot, në 13 vjetorin e vdekjes së aktorit shqiptar me famë botërore, Bekim Fehmiut, publikohet traileri i dokumentarit artistik në të cilin shfaqet jeta dhe vepra e tij, shkruan KultPlus.
Ky dokumentar i cili paraqet copëza dhe histori nga jeta e autorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiut, është realizuar me skenar të Fahri Musliut dhe regji të Valmir Tertinit.
Dokumentari është xhiruar në gjashtë shtete: Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe Itali/KultPlus.com
Aktori Ray Stevenson ka vdekur në moshën 58-vjeçare, vetëm disa ditë para ditëlindjes së 59-të.
Stevenson ka luajur në një varg filmash aksion dhe fantazi, duke përfshirë filmat si “Punisher: War Zone”, “King Arthur” dhe serialin “Ahsoka”.
Aktori ka lindur në Lisburn, Irlandë e Veriut, më 25 maj 1964, i dyti nga tre djemtë e një piloti të Forcave Ajrore Mbretërore.
Familja u transferua në Angli kur ai ishte tetë vjeç.
Si i rritur ai u regjistrua në Shkollën e Teatrit në Bristol Old Vic, ku diplomoi në moshën 29-vjeçare, shkruan Dailymail, përcjell Klankosova.tv
Pas paraqitjes si mysafir në shfaqje të ndryshme televizive dhe filma televizivë, ai bëri debutimin e tij në ekranin e madh në vitin 1998 në “Theory of Flight”, si një zhigolo, duke luajtur përballë Kenneth Branagh dhe Helena Bonham Carter.
Ai fitoi një punë të qëndrueshme më pas duke u shfaqur në seriale të ndryshme televizive britanike.
Ai në vitin 2004 luajti në King Arthur. Pas kësaj, ai filloi të fitonte më shumë pjesë aksioni, duke luajtur një ushtar trupmadh me një zemër të artë në mini-serialin fitues të Emmy-t “Roma”, dhe më vonë si hero aksioni Frank Castle në “The Punisher”.
Aktori amerikan, Tom Hanks, e ka thënë emrin e aktorit që ai do të dëshironte ta luante James Bondin e ardhshëm.
Ndërkohë, ende është duke vazhduar kërkimi për zëvendësuesin e Daniel Craigut në rolin e spiunit britanik.
Hanksi ka thënë që duhet të jetë Idris Elba ai që duhet ta marrë stafetën nga Craigu.
“James Bondi ka një licensë për të vjedhur. Unë do t’ia jepja atë licensë Idris Elbës bazuar në punën që e kam parë që ai e bën”, ka thënë Hanksi për BBC-në./klankosova
Aktori amerikan Danny Glover i cili po qëndron në një vizitë në Shqipëri, ka vizituar Muzeun Historik dhe Etnografik të Krujës “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
Lajmi është dhënë në vetë faqen e këtij muzeu në Facebook.
Gloveri njihet për performancat e tij në filmat “The Color Purple”, “To Sleep With Anger”, “Lethal Weapon”, “Predator 2”. / KultPlus.com
Aktori Michael J. Fox, i cili vuan që 30 vjet e më tepër nga sëmundja e Parkinsonit, ka thënë që nuk pret ta arrijë moshën 80-vjeçare.
61-vjeçari ka dhënë një intervistë për Jane Pauleyn e CBS Sunday Morning, ku e ka promovuar dokumentarin e tij të ri, Still.
“Po troket në derë. Po bëhet më e vështirë. Çdo ditë po bëhet më e vështirë, por kështu qëndron puna”, ka thënë Foxi.
“Ju nuk vdisni nga Parkinsoni. Ju vdisni me Parkinson. Nuk do ta mbërrij 80-shin”.
Ai më 2000 e kishte lansuar fondacionin Michael J. Fox për hulumtime të Parkinsonit e që i ka përkrahur disa prej hulumtimeve më ambicioze për këtë sëmundje./Klankosova/KultPlus.com
Më 2 prill të vitit 1879, në Trieste të Italisë ka lindur aktori me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu.
Në skenën gjermanishtfolëse ka mishëruar mjeshtërisht role kryesore të një spektri të gjerë të veprave të letërsisë evropiane, duke nisur që prej tragjedive antike greke e deri në bashkëkohësi.
Karriera e tij ka nisur në moshën 19-vjeçare, kur ka filluar të ekzekutonte role minore si “kompars” në skenën e Burgtheatër.
Më pas, Moisiu është angazhuar në teatrot e Pragës dhe të Berlinit, ku është shquar për zotësi aktoriale, veçanërisht në interpretimin e rolit të Edipit mbret dhe të Hamletit. Kjo mbarëvajtje e bujshme e ka dërguar për të shpalosur talentin e tij drejt skenave të tjera të Evropës dhe të Amerikës Veriore.
Në vitin 1935, në perëndim të jetës së tij, aktori ka kërkuar shtetësinë italiane, që është mirëpritur nga autoritetet përkatëse.
Po ashtu, si bir i një shqiptari nga Kavaja dhe një arberësheje, ai ka pasur dëshirë të merrte edhe shtetësinë e vendit të tij të origjinës, i cili ka refuzuar të plotësonte vullnetin e tij të fundit.
Aleksandër Moisiu ka ndërruar jetë më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë. Në dokumente paraqiten njoftime për shfaqjet e dhëna prej tij./klankosova/KultPlus.com
Ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare aktori i famshëm amerikan Lance Reddick, i cili ka marrë pjesë në serialin e HBO, The Wire, ndërsa ka luajtur rolin e Charon në filmat aksion-triller të John Wick.
Ai ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur të premten në shtëpinë e tij në Los Anxhelos.
“Lance do të na mungojë shumë. Ju lutem respektoni privatësinë e familjes së tij në këtë moment të vështirë”, tha publicistja e tij Mia Hansen.
Reddick pati një karrierë 25-vjeçare në aktrim, ku mori pjesë në dhjetëra fila. Po ashtu, ai ishte edhe muzikant./A2/KultPlus.com
Ned Beatty një nga figurat më emblematike e televizonit amerikan ka ndërruar jetë në moshën 83 vjeçare.
Sipas TMZ, Beatty vdiq në shtëpinë e tij në Los Angeles dhe po si pas kësaj faqeje vdekja e tij nuk ka lidhje me COVID-19.
Familja e aktorit ka deklaruar se nuk duan të japin shumë detaje për publikun në lidhje vdekjen e aktorit dhe kërkuan nga njerëzit që të respektojnë privatësinë e tyre.
Beatty u bë i famshëm në 1976 përmes filmit ‘Rrjeti’’ ku ai kishte një monolog 6 minutësh.
Gjithashtu ai ka marrë pjesë dhe në filmat e njohur si ‘Supermen’ dhe ka dubluar filmat e animuar ‘Rango’ dhe Toy Story 3.
Dhe televizioni ishte një terren shumë i njohur për aktorin i cili ishte i ftuar në shumë shfaqje të njohura si Gunsmoke , MASH , Hawaii Five-O , The Rockford Files , The Streets Of San Francisco , Highway To Heaven , It’s Garry Shandling’s Show .
Aktori ishte i martuar katër herë dhe ka 8 fëmijë: katër fëmijë me gruan e tij të parë Walta Abbot, dy nga martesa e tij me Belinda Beatty dhe dy nga gruaja e tretë Dorothy Lindsey. / KultPlus.com
Aktori, producenti dhe regjisori i njohur, Normal Lloyd, ka vdekur në gjumë të hënën më 10 maj. Ai ishte 106-vjeçar.
Norman i njohur për role në filma të tillë si “Dead Poets Society” dhe “The Practice”, në përgjithësi shquhej si aktori që ka jetuar më së gjati. Rolin e fundit e pati në projektin e vitit 2015 të aktores Amy Schumer, “Trainwreck”, kurse kishte qenë pjesë edhe e një prej serialeve më të hershme televizive e transmetuar në vitin 1939, “On the Streets of New York”.
Aktori Lloyd karrierën e filloi në skenën e New Yorkut dhe ishte anëtari i fundi i mbijetuar i trupës së teatrit “Mercury Theatre”.
Ai ishte angazhuar të luajë në filmin “Citizen Kane” por ishte larguar nga ky projekt për shkak të problemeve me buxhetin, dhe kështu debutimin në ekran të madh e shënoi me filmin e vitit 1942 të Alfred Hitchcockut, “Saboteur”.
Loyd vazhdoi ta shijojë një shoqëri të mirë me regjisorin ikonik, si dhe shërbeu si regjisor dhe producent ekzekutiv i shout televiziv “Alfred Hitchcock Presents”, i cili u transmetua gjatë viteve ’50 dhe ’60.
Aktori veteran u martua me gruan e tij të dashur Peggy Craven, me të cilën qëndroi i martuar për 75 vjet deri në vdekjen e saj në vitin 2011. Çifti i kishte dy fëmijë, përfshirë këtu aktoren e ndjerë Josie Lloyd.
Në vitin 2014 kur Lloyd i mbushi 100 vjeç, Këshilli i Qytetit të Los Angeles i nderoi 82 vjetët e tij në showbiznes, duke e deklaruar ditëlindjen e tij, 8 nëntorin, si “Dita Norman Lloyd”. / KultPlus.com
Pas vdekjes së aktorit, këngëtarit dhe modelit Nick Kamen në moshën 59 vjeçare, Madonna ka bërë homazhe për Kamen, i cili posedon hitin më të madh të bashkë-shkruar nga vetë këngëtarja, shkruan BBC, përcjellë KultPlus.
Madonna përmes një postimi në rrjetin social Instagram, është shprehur se ajo ndjehet zemërthyer nga vdekja e tij dhe se ai gjithmonë ka qenë një njeri i mirë dhe i ëmbël por edhe ka vuajtur shumë.
Ajo tutje shpreson se Kamen të jetë më i lumtur kudo që ai të ndodhet.
Emri i vërtetë i këngëtarit është Ivor Neville Kamen dhe ai fitoi famën përmes një reklame të xhinseve të vitit 1985 me markën Levi. Pas kësaj reklame, Madonna e ka ftuar atë në skenë.
Përmes kësaj reklame pasoi edhe rritja e shitjeve të xhinseve së kompanisë duke e bërë Kamen një simbol seksi përgjatë këtij procesit.
Ai gjithashtu ka kapur vëmendjen e Madonnës, e cila i tha BBC se në atë kohë ajo ishte magjepsur nga “karizma” dhe “zëri i bukur” i Kamen, me ç’rast ajo ka kontaktuar këngëtarin duke i kërkuar të regjistronte ‘Every Time You Break My Heart’, një këngë sintetike-pop e mbetur nga albumi i saj i tretë True Blue. / KultPlus.com
Ylli i Hollywoodit, George Segal, ka vdekur në moshën 87-vjeçare.
Aktori i njohur më së miri për rolet në projekte të tilla si “Who’s Afraid of Virginia Woolf?”, “Look Who’s Talking” dhe “The Goldbergs”, vdiq në mëngjesin e së martës si pasojë e komplikimeve pas operacionit në zemër. Kështu ka bërë të ditur bashkëshortja e tij Sonia Segal.
“Familja është e pikëlluar të njoftojë se këtë mëngjes, George Segal ndërroi jetë për shkak të ndërlikimeve nga operacioni bypass”, thuhej në komunikatën për media.
Tetë vjetët e fundit, Segal i ka kaluar në ekran duke e portretizuar Albert “Pops” Solomonin në komedinë e kanalit ABC, “The Goldbergs”, dhe episodi i fundit të cilin e ka xhiruar pak para vdekjes, do të transmetohet më 7 prill. Në këtë ditë pritet që pjesëtarët e tjerë të serialit ta nderojnë kontributin e aktorit.
George Segal po ashtu shquhet për rolin e redaktorit Jack Gallo në serialin e kanalit NBC, “Just Shoot Me!”, për të cilin rol i fitoi dy nominimne për shpërblimin “Globi i Artë”, si dhe portretizimin e Daedalus Patrick Murphy në dramën me detektivë, “Murphy’s Law”.
Roli i tij si Nick në filmin e regjisorit Mike Nichols të vitit 1966, “Who’s Afraid of Virginia Woolf?”, ia fitoi aktorit një nominim për “Oscar”, si dhe gjatë karrierës së tij në ekran të madh, Segal ka luajtur në filma të shumtë, si “A Touch of Class”, “The Terminal Man”, “Fun with Dick and Jane” dhe “The Longest Day”.
Roli i tij i fundit filmik ishte në projektin e vitit 2014, “Elsa & Fred”.
Pas publikimit të lajmi për vdekjen e tij, yje të shumtë të showbizit i pushtuan rrjetet sociale për ta kujtuar dhe nderuar kontributin e tij në kinematografi dhe televizion. / KultPlus.com
Aktori i njohur shqiptar, Luan Jaha, është në gjendje të rëndë shëndetësore, shkruan KultPlus.
Për shërimin e tij duhet të sigurohet gjak nga personat që veçse e kanë kaluar COVID-19, ndërsa në këtë mënyrë sigurohet plazma e gjakut.
Lajmin e ka bërë të ditur regjisori Zgjim Terziqi, i cili me urgjencë kërkon nga personat me vullnet të mirë të lajmërohen për ndihmë.
“Pershendetje miq,
E kemi me urgjencë të sigurojmë plazmën e gjakut për aktorin Luan Jaha, andaj personat që e kanë vullnetin e mirë dhe sapo e kanë kaluar Covidin e që kanë grupin e gjakut A Pozitiv të lajmërohen.
Na duhen dhurues me minimum 50+ antitrupa.
Ju falenderoj paraprakisht për vullnetin e mirë dhe ndihmën.
Ps. Për detaje ju lutem në 049175395”, ka shkruar Terziqi. / KultPlus.com
Në ditëlindjen e tij të 60-të aktori Antonio Banderas ka konfirmuar se ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Përmes rrjeteve sociale ai ka thënë se ndjehet relativisht mirë, derisa këtë kohë në karantinë do ta shfrytëzojë për të pushuar e për të lexuar, transmeton KOHA.
“Përshëndetje të gjithëve, dua ta bëj publike që sot, më 10 gusht, jam i detyruar të festoj ditëlindjen e 60-të në karantinë, pasi kam rezultuar pozitiv me COVID-19”, ka shkruar Banderas.
Tutje ai ka shtuar se, “do ta shfrytëzoj këtë kohë të izolimit që të lexoj, shkruaj, pushoj dhe të vazhdojë të bëjë plane që t’i jap kuptim viteve të 60-ta të cilat i pres me shumë entuziazëm. Një përqafim të madh të gjithëve”. /KultPlus.com
Në vitin 2014, lehtësimi i klauzolave të Ligjit britanik të Sekreteve, e lejoi një familje që kishte qenë gjithmonë kureshtare mbi angazhimin e gjyshit gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërorë, që të zbulonte se ai ishte në fakt një agjent sekret në jetën reale.
Një profesion mjaft intrigues, aq më tepër për një njeri të quajtur pikërisht Xhejms Bond. Stefën Filips, nipi i Xhejms Çarls Bond, pati mundësinë që shihte me sytë e tij dokumente dikur të klasifikuara si tepër sekrete, në të cilat ai zbuloi për habinë e tij të madhe, se gjyshi i tij ishte një oficer i shërbimit inteligjent britanik, dhe një anëtar i Ekzekutivit të Operacioneve Speciale (SOE) gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Që në moshë të re, Filips thotë se mban mend që e gjithë familja ishte paralajmëruar nga autoritetet, të mos e pyeste gjyshin e tij mbi shërbimin e kryer në kohën e luftës. Gjithsesi Filips thekson se nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend që gjyshi i tij, Xhejms Bond, të kishte shërbyer në një grupim kaq elitar të shërbimeve britanike të sigurisë.
Xhejms Bond, nga Suonsi i Uellsit Jugor, ishte para luftës një punëtor në një uzinë të përpunimit të metaleve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe 6 vjet pas saj, ai punoi për llogari të shërbimit sekret SOE. Filips gjeti në dosjen e deklasifikuar, kopjen e një njoftimi të nënshkruar nga gjyshi
i tij më 3 qershor 1944, vetëm 3 ditë para zbarkimeve të D-Day në plazhet franceze të Normandisë.
Filips supozon se në atë kohë gjyshi i tij, ishte duke punuar pas linjave të armikut. Edhe më befasues është fakti, që Xhejms Bondi i vërtetë punoi nën urdhrat e Jan Fleming, shumë kohë para se ky i fundit të bëhej shkrimtar, dhe të fitonte famë me persionazhin e tij të mirënjohur tashmë, që mban të njëjtin emër.
Në kohën e luftës, Fleming ishte kreu i Inteligjencës Detare Britanike, dhe kishte për detyrë të ruante të gjitha sekretet. Ai ishte trajnuar si një operativ i SOE, dhe do të ndërmerrte misione të ngjashme me ato të kryera nga Xhejms Bondi i vërtetë.
Një tjetër dokument i deklasifikuar, tregon se në vitin 1942, Jan Fleming mblodhi një ekip operativësh të SOE dhe se midis tyre ndodhej edhe Xhejms Çarls Bond. Fatkeqësisht, detajet e atij operacioni janë ende të klasifikuara.
Jan Fleming pretendonte gjithnjë se personazhi i tij, Xhejms Bond, ishte emëruar sipas një ornitologu amerikan, dhe se ai e kishte zgjedhur atë emër për shkak të thjeshtësisë në shqiptim. Por Filips është i intriguar me të drejtë nga lidhja midis gjyshit të tij dhe Jan Flemingut, shërbimit që ata kryen bashkë gjatë luftës, dhe jetën e super-spiunit në librat e këtij të fundit.
Ai beson se historia me ornitologun amerikan, ishte një taktikë devijuese e përdorur enkas nga Flemingu për të mbrojtur Xhejms Bondin e vërtetë, duke respektuar kësisoj edhe klauzolat tepër të rrepta të Ligjit të Sekreteve Zyrtare.
Ekziston një legjendë familjare, sipas të cilës Xhejms Bond i tha dikur mbesës së tij, Xhenit, se ai ishte në fakt Xhejms Bondi i vërtetë, që shfaqej në libër dhe në filma. Por për këtë gjë nuk është thënë asgjë më shumë, dhe askush nuk dyshoi se në atë rrëfim mund të kishte diçka të vërtetë.
Pasi i shërbeu vendit të tij për 11 vjet, Xhejms Çarls Bond u largua nga ushtria, dhe rinisi sërish punën në uzinën e metaleve. Pasi u tërhoq nga kjo industri, ai u angazhua për disa kohë në disiplinimin e trafikut të automjeteve para shkollave në Laugor, një qytet afër Suonsit.
Filips po kërkon nga cilido që ka shërbyer me gjyshin e tij, që të kontaktojë me të. Ai do të donte të zbulonte më shumë se çfarë ka bërë gjyshi i tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithçka që di ai deri më tani janë dokumentet e deklasifikuara, dhe një fotografi e vitit 1937 e një burri shumë të pashëm, me flokë të errët, i veshur me një kostum.
Ajo foto është e gjyshit të tij, por mund të jetë një foto publicitare e Xhejms Bondit tjetër. Xhejms Çarls Bond vdiq në vitin 1995 në moshën 89-vjeçare, pa ia zbuluar kurrë të shkuarën e tij interesante anëtarëve të familjes së tij. Ky zotëri, u betua seriozisht para eprorëve për respektimin e Ligjit të Sekreteve Zyrtare, dhe nuk u rrëfeu asnjëherë të afërmve se në çfarë misionesh kishte marrë pjesë gjatë ose pas luftës, transmeton Bota.al shkrimin e War History Online. / KultPlus.com
Aktori i njohur Vasjan Lami ka krijuar një monolog pas futjes në karantinë si pasojë e koronavirusit.
Duke e konsideruar një heshtje të kobshme dhe paralajmëruese atë që po ndodh, Lami thotë se po ta dinte se do vinte ky virus që i rrezikon jetën do bënte shumë gjëra më mirë në jetën e tij.
KARANTINA
Nuk mund ta besoja, nese do të me thonin dikur, se do të binte një epidemi, që gjithë njerrëzimin do ta mbyllte në shtëpi. Se do te ish aq e frikshme, sa dhe emrin do e ndërronte rrugës; nga Epidemi, në Pandemi……. Pallate të heshtura….. Rrugë të braktisura, si mbas kortezheve….. Cicërima zogjsh të harruar….. Guguftu që qajnë heshtjen….. Ndonjë çjerrje makine hallemadhe….. Dikush që lëviz cepave, kuturu…… Në ballkon, trishtim dhe tym dyhani gjithashtu. Qentë e rrugëve lodhen se nuk kanë ç’të hanë. Duket sikur edhe njerrëzit po krijojnë Mutacione…. Një jetĕ e këputur me gërshërë, fare pa pritur. Vakum… Vakum ne ëndrra. Vakum mes njerëzish. Vakum te e nesërmja. Globi rrotullohet pa zhurmë. Një heshtje e kobshme, paralajmëruese.
Njeriu i fortë, çudibërës, i plotfuqishĕm, i vetkënaqur, i mundur nga një Virus. Nuk e dija,… nuk e shoh,… se po ta dija, dija unë ç’ti bëja. … Bëja pra ! … Sillu tani në kafaz, siç i ke bërë kafshëve dje ! Kafsho hekurat ! Bëj sherr, e lëpiu me të tutë! Analizo ç’ke bĕrë mirë a keq, deri tani. E kupton që nuk do të jetosh aq gjatë sa mendoje ? ….. Të vjen keq tani, që je lodhur dhe je bërë pis për vogëlima ? Që nuk ke thënë sa herë e ke ndjerë; “Të dua. Me pëlqen” ? Që fjalën e fundit e thoje të parën, se të pëlqente vetja ? Që nuk e ke parë edhe tjetrin siç shihje veten ? Doje veten më shumë se çdo gjë ?…. Rri vetëm atëherë ! Shijoi virtualisht të gjitha bëmat e tua ! Sa je lodhur, i ziu ti ! Shikon tjetrin që ikën fare lehtë, e trembesh për veten. Sepse nuk besoje që mund të ndodhte edhe kështu! … Dhe ndjehesh komplet i pafuqishëm, për të djeshmen dhe të nesërmen ! Ah ta kisha ditur….thua …. Çfarë do të bëje? /KultPlus.com
Aktori i njohur 49-vjeçar, Jeremy Renner, i ka dorëzuar dokumentet ligjore në gjykatën e Los Angelesit ku ka kërkuar zvogëlimin e shumës së alimentacionit prej 30.000 dollarësh, të cilin ia paguan ish bashkëshortes, Sonni Pacheco, për vajzën e tyre 7-vjeçare Ava.
Aktori ka deklaruar se shumica e filmave ku planifikohej të luante gjatë këtij viti, nuk do të realizohen për shkak të pandemisë së koronavirusit, transmeton Koha.
Jeremy e pranoi se viti 2020 do të ishte më pak fitimprurës për të, për shkak të përfundimit të serisë së filmave “Avengers”, por megjithatë ai kishte angazhime në filma të tjerë të cilët aktualisht janë pezulluar.
Sipas uebfaqes TMZ, në dokumentet e tij aktori ka shkruar: “Mendohet se shumica e projekteve të mija filmike nuk do të realizohen deri në fund të këtij viti. Të gjitha projektet të cilat i kisha rezervuar t’i xhiroj këtë vit janë anuluar ose shtyrë për një kohë të pacaktuar.”
Edhe pse Renner nuk e ka caktuar shumën e reduktuar, ai thotë se beson që “nevojat e arsyeshme” të vajzës së tij Ava, ku përfshihet banimi, ushqimi, transporti dhe rrobat dhe veshmbathjet mund të mbulohen me 11.000 dollarë në muaj.
Ylli i filmave “Bourne Legacy” po ashtu ka deklaruar se ish-bashkëshortja e tij, po i shfrytëzon paratë e alimentacionit për nevojat e saja personale dhe jetën luksoze.
Renner gjithashtu i ka kërkuar gjykatësit t’i lejojë menaxherët e tij të biznesit që ta kontrollojnë llogarinë bankare të vajzës së tij.
Aktori i famshëm, Jeremy Renner dhe modelja dhe aktorja, Sonni Pacheco kishin qëndruar të martuar për vetëm 10 muaj, dhe shkurorëzimi i tyre deri në këtë ditë është përcjellë me akuza të ndërsjella dhe beteja ligjore rreth kujdestarisë së 7-vjeçares Ava. /KultPlus.com
Aktori Sir Michael Caine ka thënë se e merr me vete gruan nëpër xhirime të filmave me qëllim që të mos joshet për të kryer afera me “aktoret e bukura”.
85-vjeçari, që është i martuar me Shakiran për 45 vjet, ka thënë se tradhtia është e pashmangshme kur një burrë i martuar xhiron filma me aktore tjera.
Duke folur në promovimin e librit të tij në Londër, Caine ka thënë: “Për fillim, gjëja e dukshme është se kur shkoni në sheshxhirim, je i martuar, me plot aktore të bukura përreth. E dini se çfarë do të ndodhë”, transmeton Koha.net.
Dy herë fituesi i çmimit Oscar, ka thënë se gruaja e tij, 71-vjeçare, shkon me të në çdo xhirim me qëllim që ta mbajnë martesën.
“Kur shkoni larg për kohë të gjatë… vizitoni vende që të tjerët nuk i kanë parë, darkoni në vende që të tjerët nuk kanë qenë, takoheni me njerëz që të tjerët nuk i njohin”, ka thënë aktori.
“Të dy filloni një jetë të ndarë dhe është e rëndësishme që të mos veproni kështu. Për këtë shkak gruaja ime vjen me mua ngado që shkoj”.
Çifti është martuar në vitin 1973 dhe kanë një vajzë, Natashan, 45-vjeçare./ KultPlus.com
Robert Ndrenika lindi në Tiranë, më 10 janar të vitit 1942. Ai sot feston 76 vjetorin e lindjes, ndërsa urimet për aktorin shqiptar kanë nisë qysh herët.
Robert Ndrenika, ka studiuar për aktor në Shkollën e Lartë “Aleksander Moisiu”. Nga ky vit, deri më 1970, punon si aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punon si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, deri sa doli në pension. Sot ai është një aktorë i lirë por shumë i angazhuar nëpër projekte të ndryshme teatrore e filmike.
Gëzuar, datëlindjen Robert Ndrenika! / KultPlus.com