‘Art’ premierë në TKK – Shfaqja që sfidon raportet njerëzore përmes një pikture të zbrazët

Flonja Haxhaj

Në mbrëmjen e djeshme, në  Teatrin Kombëtar të Kosovës, skena u kthye në një fushë beteje të heshtur por të ngarkuar emocionalisht, ku një pikturë tërësisht e bardhë vuri në lëvizje tensionet më të thella mes tre miqve të vjetër. Nën regjinë e Bashkim Ramadanit, komedia “Art” e dramaturges franceze Yasmina Reza, vepër e shkruar në vitin 1994, solli përpara publikut kosovar një rrëfim ironik për artin, vlerat personale dhe krisjet e padukshme të një shoqërie të vjetër, përcjell KultPlus.

Në qendër të shfaqjes janë tre personazhe, Sergjio (Ylber Bardhi), një pasionant i artit modern që blen një pikturë minimaliste në vlerë prej 200 mijë euro,  një pëlhurë madhe, e bardhë me disa vija paksa më të zbehta, Mark (Ard Islami), mik i vjetër që reagon me tallje e zemërim ndaj këtij veprimi  dhe Ivan (Butrint Lumi), që përpiqet të ruajë baraspeshën mes dy miqve, duke u kthyer në viktimë të përpjekjes për pajtim.

Piktura, një simbol bosh, apo edhe ‘personazhi i katërt’ i kësaj shfaqje bëhet shkaku për të shpalosur shumë më tepër se debatet rreth artit. Përplasjet e Sergjios dhe Markut zbulojnë çarje më të thella, sfidat e identitetit, mendimet negative për njëri – tjetrin, mungesën e mirëkuptimit dhe ego që dalin në pah nën maskën e humorit e talljes, por edhe të përplasjes. Ivan, ndërkohë, i lëkundur mes palëve, është një pasqyrë e njeriut të zakonshëm që përpiqet t’i shmangë konfliktet, por që përfundon duke u zhytur në to edhe më thellë, ose mbase, ai që e pëson më së shumti.

Gjatë shfaqjes, publiku pati mundësinë të ndjekë një larmi formash shprehëse, nga dialogjet e ngarkuara emocionalisht mes dy personazheve, te monologët e sinqertë ku aktorët i drejtohen drejtpërdrejt publikut, e deri te diskutimet e përbashkëta mes tre shokëve. Çdo moment dramatik apo komik kishte zanafillën te piktura, një objekt i vetëm por që shërbeu si nxitës  i përplasjeve të mendimeve dhe të marrëdhënieve të tyre.

Momente të shumta të kësaj shfaqjeje shkaktuan të qeshura në publik. Përveç kësaj, ironia, situatat absurde dhe ndërveprimi mes aktorëve bëri që përveç si një shfaqje komike, të ngacmojë përvojën e gjithësecilit në atë se sa të sinqertë jemi në raport me marrëdhëniet tona.

Pas premierës, regjisori Bashkim Ramadani tha për KultPlus se ndjehet i lumtur që është ftuar nga Teatri Kobëtar i Kosovës për të vënë në skenë këtë shfaqje, teksti i së cilës, iste i njohur për Ramadanin. Për regjisorin, vepra nuk është vetëm një komedi mbi një pikturë të bardhë, por një eksplorim i thellë i identitetit, pasigurive dhe dinamikave të miqësisë.

“Për këtë tekst më ka thirrur Teatri Kombëtar për ta inskenuar. Këtë tekst e kam njohur qysh në kohën e studimeve. Që atëherë më ka ngacmuar dhe ka qenë pjesë e planeve të mia, madje edhe si mundësi për shfaqje diplome. Megjithatë, ndoshta nuk ka qenë koha e duhur atëherë për ta inskenuar.Tani, kur erdhi ftesa nga Teatri Kombëtar, jam ndjerë shumë mirë, për shkak se e kam njohur tekstin dhe më ka tërhequr qysh atëherë. Por tani, pasi jam marrë më shumë me të, mendoj se kemi depërtuar në pikat ku është dashur të depërtojmë”,  thotë Ramadani, duke shtuar se ndonëse mund të duket si një parody e artit të sotëm, as autorja, e as trupa e TKK-së, nuk e kanë pasur si qëllim.

“Nuk është një parodi tipike. Jasmina Reza e quan një komedi tragjike. Flet më shumë për raportet mes njerëzve sesa për artin. Arti merret si referencë, por më pas, kur e shohim më thellë, e kuptojmë që vepra flet për diçka shumë më të rëndësishme, për identitetin, për atë se çka jemi, si e shohim veten, si ndërtojmë marrëdhënien me shokun, si e projektojmë veten te tjetri, si një pasqyrë që fillon të thyhet, dhe nuk na jep më refleksin tonë në tjetrin”, përfundoi Ramadani.

Ndërkaq, aktori Butrin Lumi, i cili në shfaqje portretizon rolin e Ivanit, tha për KultPlus se ndjehet i kënaqur që ka pasur mundësinë të punojë me Teatrin Kombëtar të Kosovës, veqanërisht me këtë shfaqje.

“Dua t’i falënderoj dy partnerët e mi të mrekullueshëm, Ylberin dhe Ardin, si dhe regjisorin, Bashkimin. Po ashtu, falënderoj edhe të dy drejtorët artistikë dhe përgjegjësin e produksionit për mundësinë që më dhanë të jem pjesë e këtij projekti. Shfaqja, besoj se sonte shkoi shumë mirë dhe publiku e priti me entuziazëm. Ne kemi mbajtur prova intensive për më shumë se një muaj e gjysmë, duke punuar çdo ditë deri në ardhjen e ditës së premierës”, theksoi Lumi për KultPlus.

Në rolin e Sergjios, aktori Ylber Bardhi ishte një ndër shtyllat kryesore të ndërtimit të shfaqjes.Pas përfundimit të shfaqjes, Bardhi ndau përvojën e tij me KultPlus, duke folur për procesin intensiv të punës, bashkëpunimin me kolegët dhe qasjen që kishte ndaj ndërtimit të karakterit.

“Ka qenë një punë e gjatë,  rreth pesë apo gjashtë javë me punë të përditshme. Por është kënaqësi të luash në një shfaqje të tillë, sepse kjo është një vepër që vë në pah karakterin. Është një shfaqje që mbështetet shumë te aktori dhe, për mua, ka qenë kënaqësi të jem pjesë e kësaj kaste, sidomos së bashku me Ard Islamin dhe Butrint Lumin. Me Butrintin është hera e parë që po punoj, dhe kemi kaluar shumë mirë gjatë këtij procesi. Që nga fillimi kemi diskutuar se si t’i japim tipare sa më të plota personazhit, duke tentuar të përfshijmë anë të ndryshme të një njeriu,pra, probleme të ndryshme që mund t’i përjetojë një person”, tha Bardhi duke shtuar tutje se secili prej tyre kanë sjellë nga një veçori ose problematikë specifike, duke e çuar personazhin deri në një nivel shumë personal./KultPlus.com

“Pas vdekjes”, premiera e parë jashtë objektit të TKK-së, Berisha: Është shfaqje që flet për ne

Era Berisha

Vepra dramaturgjike e Andon Zako Çajupit, “Pas vdekjes” do të ringjallet kësaj here për tu shndërruar në një shfaqje komedi që shumë shpejt do të prekë ambientin e ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ‘Amfiteatri në Pallatin e Rinisë’. Ngjarja zhvillohet në një klub të shqiptarëve të Selanikut më 1910. Por, shfaqja është një mbindërtim, e shkruar nga dramaturgu Shpëtim Selmani, shkruan KultPlus.

Në qendër të veprës kemi demaskimin e demagogjisë së xhonturqve dhe bejlerëve që u bënë vegël e tyre, ndërsa ndodhitë jetësohen në zyrat e gazetës “Liria”. Është një komedi politiko-shoqërore, që shfaq fokusin nëpërmjet situatave komike por që në thelb janë shumë më të thella, dhe e njëjta tashmë do ta ketë premierën në muajin nëntor. Shfaqja vjen nën regjinë e Fatos Berishës me kastën e mrekullueshme të aktorëve si: Armond Morina, Ard Islami, Teuta Krasniqi, Ylber Bardhi, Majlinda Kosomoviq, Armend Smajli dhe Naim Berisha.

Vepra u botua pas vdekjes së shkrimtarit Çajupi dhe konsiderohet të jetë udha e parë drejt komedisë politike në letërsinë shqiptare. Me një ndjesi poetike, nëpërmjet personazhit të doktor Adhamullit, shfaqet mendësia e njerëzve mendjemëdhenj, ata që shpirtin e kanë të varfër dhe asnjë punë atdhetare për ta, nuk ka vlerë pa prezencën e tyre. Ndërsa, personazhi tjetër i spikatur, Zeneli, përfaqëson njeriun e thjeshtë të popullit me ç’rast shpalos një humor e mençuri të paparë. Elementet si ‘Abetarja shqipe’ dhe ‘Kongresi i Manastirit’, po ashtu luajnë një rol të madh në këtë rrugëtim.

Shfaqja “Pas vdekjes” ka ardhur si propozim nga Teatri Kombëtari i Kosovës, dhe pasi është aprovuar si tekst, së bashku edhe me veprat e tjera për repertorin e sezonit të ri, regjisori Berisha e ka pranuar me kënaqësi këtë ftesë, dhe gjithmonë me idenë që mund të mbindërtohet kjo vepër një-aktëshe. Dhe ajo që po përpiqet që të bëhet, është një shfaqe që flet për neve, sot.

Në një intervistë për KultPlus, regjisori Berisha ka shpalosur ende më shumë, lidhur me këtë shfaqje dhe procesin e saj deri në premierë.

“I gjithë ekipi i aktorëve të shfaqjes, përveç Armond Morinës, është nga ansambli rezident i Teatrit Kombëtar të Kosovës. E ata janë: Teuta Krasniqi, Ylber Bardhi, Ard Islami, May-Linda Kosumovic, Armend Smajli dhe Naim Berisha. Jam shumë i kënaqur me ekipin, ndërsa jam i lumtur që pas një kohe të gjatë, përsëri do të punoj me Armondin në teatër”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, vështirësitë që hasen në një rrugëtim të tillë janë nga më të zakonshmet. Pra, fillimi i provave, zbërthimi i tekstit, analiza e personazheve, marrëdhëniet e tyre. Gjithçka brenda normales gjatë punës në një shfaqje. Ai tutje thotë se ende janë në fillim të procesit dhe atmosfera konsiderohet të jetë e mirë.

Tanimë Teatri Kombëtar i Kosovës ndodhet në renovim, dhe regjisori Berisha ambientin e ri e ka vlerësuar si një hapësirë të përshtatshme pune.

“Ambienti i ri, Amfiteatri në Pallatin e Rinisë është një hapësirë shumë e mirë, në fakt. Sidomos për një shfaqje si kjo e jona. Drejtori Sheremeti dhe ekipi i TKK-së kanë arritur ta kthejnë në hapësirë të përshtatshme pune në afat rekord”, thotë ai.

Ndërkaq, premiera e shfaqjes “Pas vdekjes” ende nuk dihet saktë se kur do të shpaloset, por që patjetër do të jetë përgjatë muajit nëntor.

Kompozitore: Rona Castrioti

Skenograf: Bekim Korça

Kostumografe: Yllka Brada

Asistente regjie: Yllka Lota

Foto/Video: Joni Mithi

Inspicient: Bajram Mehmeti

Ndriçimi: Mursel Bekteshi. / KultPlus.com

Shfaqja ‘Pasioni’ vjen me premierën e saj në 19 mars

Teatri Kombëtar i Kosovës ka kënaqësinë të ju njoftojë lidhur me shfaqjen “PASIONI” nga Sabri Hamiti dhe me regji nga Martin Kočovcki e cila vjen si Premierë përpara publikut me datën 19.03.2018 (E hënë) ora 20:00, dhe do të përcjellet me dy reprizat e para në ditët në vijim me datë 20 dhe 21.03.2018.

Në vazhdën e aktiviteteve kulturore që po organizohen nga Komuniteti i Artistëve të Kosovës për ta ndihmuar financiarisht shërimin e njërit prej artistëve më eminent të kulturës sonë dhe të skenës teatrore në veçanti, regjisorit dhe profesorit z. Bekim Lumi, Këshilli Drejtues në bashkëpunim të ngushtë me Menaxhmentin e TKK-së kanë marrë vendim që të hollat e mbledhura nga shitja e biletave për Premierën “Pasioni” t’i dedikohen kësaj iniciative. Bileta për premierë do të kushtojë 5€. Teatri Kombëtar i Kosovës që nga sot i ka vënë biletat në shitje në dispozicion të publikut të gjerë andaj ju fton që të jeni pjesë e kësaj ngjarjeje kulturore duke e ndihmuar dhe duke i uruar bashkërisht z. Bekim Lumi rikthimin e tij të plotë në jetën normale dhe profesionale.

“Shfaqja “Pasioni” zhvillohet si një strukturë e ndërthurur dramaturgjike mes dy vëllezërve bijakë dhe një nëne, Hana, që mbledhin gjithë fuqinë jetësore duke u përpjekur për ta rikonstruktuar botën e dashurisë, botën e emocioneve të thella, raporteve të vlerave, refuzimin karshi vdekjes së paevitueshme nga njëra anë, dhe botës së dehumanizuar të shtrirë si shoqëri e uniformuar, masë amorfe në të cilën individët nuk kanë emra e as individualitet, një botë ku njerëzit janë shndërruar në numra përbrenda një jete virtuale, pa emocion, pa rrespekt, pa dashuri. Një bote në të cilën shitet gjithçka, një botë e kriminalizuar dhe e materializuar deri në çmenduri.”

Produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës
Autor: Sabri Hamiti
Regjisor: Martin Kočovski
Skenografe dhe Kostumografe: Youliana Voykova – Najman
Kompozitor: Oliver Josifovski
Dizajni i ndriçimit:
Kori i SH.M.M “Prenkë Jakova” – Prishtinë

Luajnë:
Shkelzen Veseli
Gresa Pallaska
Ard Islami
Arta Selimi
Shpejtim Kastrati
Ismet Azemi
Lumnie Sopi
Semira Latifi
Shengyl Ismaili