Përfundon kolonia e artit pamor ‘Art Tirana’, Miftari: Secili nga artistët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm

Medina Pasoma

Kolonia ndërkombëtare e artit pamor ‘Art Tirana’ bashkoi në Tiranë artistë nga vende të ndryshme, duke i bërë që të thellohen në kombinimet e ngjyrave përgjatë datave 4-8 nëntor, shkruan KultPlus.

Artistë nga vende të ndryshme duke përfshirë kështu Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kazakistanin, Francën, Turqinë, Bosnjën dhe Bullgarinë u bënë bashkë në qëndrimin e tyre katër ditor në koloninë ‘’Art Tirana’’, duke theksuar edhe një herë rëndësinë e krijimtarisë pavarësisht situatave.

Përderisa kurator i kolonisë ishte Fehmi Hoxha, drejtor artistik Amarildo Ruçi dhe organizatore Ina Kollçakun, ky organizim bëri që artistët pjesëmarrës të frymëzohen në ambientet e amfiteatrit të Liqenit në Tiranë dhe të largojnë dallimet kulturore nëpërmjet artit.

Një nga pjesëmarrëset ishte edhe skulptorja Arjeta Miftari, e cila ndau me KultPlus përshtypjet e saja për këtë organizim.

‘Ky organizim ka qenë i jashtëzakonshëm me faktin që ka bashkur artistë të mëdhenj në këtë kohë të vështirë. Është hera e parë që po organizohet diçka e tillë me një ambient të hapur dhe frymëzues’, vlerësoj Miftari.

Fituesja e çmimit “Skulptorja e vitit 2018” në Tiranë, nga të gjitha organizimet ku ka marrë pjesë, këtë e vlerëson si të veçantë.

‘’Unë kam qenë pjesë e shumë simpoziumeve, kolonive, eventeve ndërkombëtare por, konsideroj se kjo ka qenë një organizim i nivelit të lartë’’, thekson Arjeta Miftari.

Në anën tjetër kolonia kishte ndikuar pozitivisht që Arjeta të krijonte diçka të bukur. Ajo shprehet se frymëzimin e gjen në jetën e përditshme, madje edhe në ngjarjet kulturore ndërkaq në këtë organizim ka përfunduar 3 vepra arti.

‘’Unë kam ralizuar 3 piktura me tema të ndryshme duke perfshirë edhe figura nga artefaktet e ndryshme’’, thotë Miftari.

Përderisa organizimi i kësaj kolonie në kohë pandemie ka qenë i vështirë, për Miftarin ishte tejet e mirëpritur dhe me një mesazh të fuqishëm.

‘’Mesazhi i kësaj kolonie ka qenë të bashkohen të gjithë përmes artit dhe sensibilizimi i gjeneratave të reja’’, shprehet skulptorja Miftari.

Miftari në koloni kishte pasur rastin t’i takoj miqtë e saj artistë, ndërkaq me ata të cilët i njohu në këtë koloni, ajo thekson se shkëmbeu përvoja interesante.

‘’Secili nga artistët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm duke bërë që secili nga ta të pasqyroj ngjyrat , format me plot dashuri’’, tha Miftari.

Disa nga artistët shqiptarë të pranishëm ishin Saimir Strati, Arif Lushi, Azem Kucana, Saimir Ahmeti, Adriana Pelushi, Jona Davidi dhe shumë të tjerë. Kolonia ‘’Art Tirana’’ është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Bashkia e Tiranës. / KultPlus.com

‘Hyjneshat’ e Arjeta Miftarit nisin rrugëtimin për në Amerikë

Xhemile Hysenaj

Skulptorja Arjeta Miftari, e cila rrugëtimin e saj artistik po e bën me ‘Hyjneshat’, të cilat i ka shfaqur edhe në shumë vende të tjera në botë, tashmë pritet të hap ekspozitën e saj edhe në Amerikë, shkruan KultPlus

Miftari e cila tashmë në qarqet kulturore po konsiderohet edhe si ‘Ambasadore e kulturës’, do t’i paraqesë Hyjneshat para artdashësve amerikanë, në qytetin e Iowa-s të Amerikës.

Arjeta Miftari tregoi për KultPlus se për të realizuar ëktë ekspozitë i është dashur pothuajse një vit kohë, ku qëllimi nuk është vetëm të paraqesë Kosovën në hapësirat e asaj ekspozite por edhe të prezantojë trashëgiminë kulturore përmes skulpturave në të cilat është bërë nnjë gërshetim i modernes dhe tradicionales.

”Ndjehem shumë e privilegjuar që më është dhënë mundësia të paraqesë Kosovën në një shtet si Amerika”, ka thënë ajo për KultPlus.

Arjeta Miftari hulumton e gërmon për të realizuar sa më mirë Hyjneshat, e për t’i përjetësuar ato para botës së artit.

Ekspozita do të hapet më 27 shkurt të këtij viti dhe pritet të qëndroj e hapur për një javë rresht.

Vlen të përmendet që për herë të fundit Hyjneshat janë paraqitur në Dubai në nëntorin e vitit të kaluar, në kuadër të ‘Vitit të Tolerancës 2019’ në mesin e 35 shteteve të ndryshme të botës. / KultPlus.com

“Hyjneshat” e skulptores Arjeta Miftari, ekspozohen në Dubai

Jeta Zymberi

Skulptorja Arjeta Miftari ka bërë një rrugëtim të gjatë me “Hyjneshat” e saj të cilat u ekspozuan në vende të ndryshme, ku së fundmi edhe në Francë, atje ku Miftari i la ato në duart e atyre që e donin atë figurë arti. Por menjëherë pas kthimit në Kosovë ajo ju rrek punës për krijimin e hyjneshave të reja, shkruan KultPlus.

Kësaj radhe, në pamundësi që hyjneshat e saj të rrugëtojnë, fotografitë e tyre kanë arritur të ekspozohen në Galerinë ‘Art Unity’ në Dubai.

Por megjithatë impakti është pothuajse i njëjtë. Kjo ekspozitë e cila është hapur sot vjen e kuruar nga Aurela Cuku.

Për KultPlus, Arjeta Miftari ka treguar që këto vepra po përfaqësojnë Kosovën në Dubai në kuadër të ‘Vitit të Tolerancës 2019’ në mesin e 35 shteteve të ndryshme të botës.

“Në Galerinë Art Unity në Dubai është hapur ekspozita e artistëve nga e gjithë bota, dhe në mesin e tyre janë edhe veprat e mia. Edhe Kosova tregon gatishmërinë dhe kulturën përmes artit dhe skulpturave që prezantojnë trashëgimin kulturore”, ka thënë Miftari për KultPlus.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në këtë galeri deri më 23 nëntor 2019. /

Artistja Arjeta Miftari shkëlqen me hyjneshat në Galerinë e Muzeut Historik në Tiranë

Nga Erjola Azizolli

Një seri veprash, në skulpturë, që emocionojnë këdo që i shikon. Një seri veprash që inspirimin artistik e kanë që nga lashtësia. Arjeta Miftari, një emër tashmë i konsoliduar i artit në Kosovë ka sjellë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, ekspozitën e saj “Rrugëtim”, e cila pasi është prezantuar në Kosovë, Gjermani e Francë, vjen për publikun kryeqytetas si rrugëtim i radhës, por që padyshim nuk do të jetë i fundit.

Cikli i veprave në skulpturë vendosur në qendër të galerisë rrethuar nga drita e qirinjëve për disa momente i ktheu pas në kohë pjesëmarrësit në një ekspozitë që rrëfen për lashtësinë, hyjnoren, rrugëtimin e qenies femër dhe botën artistike të artistes

Miq të galerisë, drejtues të Muzeut Kombëtar, Zëvendës Ministria e Kulturës së Kosovës, Valbona Shujaku, artistë të ardhur nga Kosova e Shqipëria, ishin në hapje të ekspozitës “Rrugëtim”. Një rrugëtim artistik që ka nisur nga Peja e Kosovës, qyteti i lindjes së artistes, ka vijuar në Gjermani dhe Francë, nuk kishte si të mos të ndalej dhe në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, që Arjeta Miftari e cilëson si mjaft të rëndësishëm për karrierën e saj.

Të vendosura hijshëm mbi një beze të bardhë dhe ndriçuar nga drita e qirinjëve, skulpturat hyjnesha të Miftarit, u shoqëruan në këtë ekspozitë me një kolazh me foto gjatë momenteve të punës së artistes dhe me një video-material që rrëfeu pakëz nga puna e Arjetës, të cilat u ndoqën me mjaft interes nga ana e pjesëmarrësve.

Si një nisje të aktiviteteve për “Javën Kulturore të Kosovës” e cilësoi në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik, Dorian Koçi, hapjen e ekspozitës.

“Arjeta Miftari na ka surprizuar me modernitetin e saj, ndërsa sjellë nëpërmjet artit të saj simbolikën e Kosovës, lashtësinë e trojeve nëpërmjet hyjneshave”, u shpreh në fjalën e tij Koçi.

Është e rëndësishme që projektet për shkëmbimin e kulturave mos të ngelen në letër sipas drejtorit Koçi.

“Është një arritje që artistët të ndihen si në shtëpinë e tyre, pasi është kultura, arti, që kalojnë barrierat dhe ne kemi potenciale si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe kudo ku ka shqiptarë”, u shpreh drejtori i galerisë.

Ndërsa, kuratori i kësaj ekspozite, Skënder Boshtrakaj, vlerësoi artin e Arjeta Miftarit, duke i ndarë në tre motivet që gërshetohen në një dhe sjellin ekspozitën, hyjneshat e Arjeta Miftarit.

Statuja të një figure femërore, që është bërë një figurë ikonë skulpturore e artit parahistorik në Kosovë e njohur si Hyjnesha në Fron, kjo figurë e ka inspiruar një seri të veprave të skulptores Arjeta Miftari, si analizë të vetvetes, shoqërisë dhe të njeriut në përgjithësi.

“Simboli i parë është hyjnesha në fron që fillon me antikitetin, që kur filloi fjala kulturë, ndërsa simbolika e dytë është rrugëtimi i fermës, në Kosovë, Shqipëri dhe kudo në botë, ndërsa rrugëtimi i tretë është rrugëtimi i vetë artistes si skulptore, restauratore, etj”, u shpreh kuratori i kësaj ekspozite.

Pjesëmarrësit më pas ndoqën nga afër ekspozitën, e cila do të qëndrojë e hapur disa ditë. / KultPlus.com

Skulptorja Arjeta Miftari surprizon Tiranën me ekspozitë

Jeta Zymberi

Gjithçka nisi në Prishtinë, për të vazhduar tutje me ekspozita të tjera, deri tek ato jashtë vendit në Berlin e së fundmi edhe në Francë, aty ku skulptorja Arjeta Miftari vendosi që “Hyjneshat” e saj t’i lejë në duart e atyre që e donin atë figurë arti. Ajo u kthye pa hyjneshat e saj në Prishtinë, por me zemrën plot për gjithë atë përkrahje e fjalët e mira që kishte marrë atje, shkruan KultPlus.

Por, si duket Arjeta nuk mund të ju ndahet “Hyjneshave”, ajo sapo është kthyer ka filluar punën për krijimin e skulpturave të reja të cilat tashmë i ka përfunduar.

Këto 10 skulptura i janë përkushtuar feminizmit dhe janë punuar me material rezines dhe nga druri.

Puna për këto skulptura ka filluar me qëllimin e ekspozimit të tyre në Tiranë, atje ku do të shpalosen nesër për publikun. Përveç skulpturave, kësaj radhe, për herë të parë do ekspozohen edhe 40 fotografi gjatë procesit të punës së realizimit të skulpturave dhe poashtu do të ekspozohet edhe një dokumentar për punën e Arjetës dhe 15 fotografi të hyjneshave të realizuara në pëlhurë.

“Kësaj radhe “Hyjneshat” që i kam realizuar i janë përkushtuar feminizmit edhe gruas shtatzëne ku jam munduar ta paraqes në forma të ndryshme. Por duke mos i lënë anash edhe motivet tradicional që i kam realizuar gjithmonë nëpër skulpturat”, ka thënë Miftari për KultPlus.

Ekspozita personale e skulptores Arjeta Miftari e titulluar “Rrugëtimi” do të hapet në Muzeun Historik Kombëtar

Pos këtyre, Arjeta na bën me dije se do të ketë edhe një befasi për publikun e cila mbetet të shihet nesër.

“Kjo ekspozitë është motiv dhe ja kam borxh Tiranës pasi që në vitin 2014 dhe vitin 2018 më kanë përzgjedhë skulptore të vitit dhe duke qenë pjesë e shumë projekteve të konservimit dhe restaurimit nëpër Shqipëri e kam pa të arsyeshme që kësaj radhe të prezantohem në Tiranë që e kam shumë për zemër”, ka treguar Miftari tutje.

Kjo ekspozitë e kuruar nga Skender Boshtrakaj, do të hapet më datë 20 shkurt në ora 18:00 dhe do të qëndroj e hapur për dy javë në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës. / KultPlus.com

Skulptorja Arjeta Miftari dërgon “Hyjneshat” edhe në Paris

“Hyjneshat” e skulptores Arjetë Miftari po vazhdojnë rrugëtimin e tyre të cilin e filluan në Prishtinë e vazhduan në Berlinë, e me disa pjesëmarrje në festivale të ndryshme, për të marr rrugën tashmë drejt Parisit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook skulptorja Miftari ka tregua se më 12 dhjetor do të hapë ekspozitën e radhës në kryeqytetin francez.

Ekspozita me skulpturat e saj do të hapet në ora 19:00 në Ambasadën e Kosovës në Francë.

“Miq të dashur sot do të ndaj me ju një lajm shumë të rëndësishëm për mua dhe vendin tim. Me datë 12.12.2018, në ora 19:00 hapet ekspozita ime personale “Rrugëtimi i Hyjneshave”. Kjo ekspozitë me karakter promovues është një mundësi e mirë për të promovuar një pjesë të punës time, që padyshim ndërlidhet edhe me trashëgiminë e pasur kulturore që ka Republika e Kosovës. Ekspozita hapet në hapësirat e Ambasadës tonë në Paris”, ka shkrua Miftari.

Tutje Miftari ka shkruar se këtë ekspozim të punës së saj në vende të ndryshme e sheh edhe si obligim.

“Obligimin që kam ndaj vendit tim për të kontribuar në promovimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore do të vazhdoj pa u lodhur dhe me vullnet maksimal”. / KultPlus.com

Dy artiste nga Kosova në ‘Ditët e Mbretëreshës Teuta’ në Kroaci (FOTO)

Përfaqësues nga e mbarë bota kanë marrë pjesë në organizimin e 12 të “Ditët e Mbretëreshës Teuta” në Zagreb të Kroacisë.

Ky aktivitet, i cili organizohet nga Klubi i Femrave Shqiptare të Kroacisë mbështetet nga kryetari i Zagrebit dhe ambasada e Kosovës dhe Shqipërisë në Kroaci. Në këtë aktivitet u prezantuan edhe dy artiste shqiptare të cilat prezantuan artin dhe kulturën shqiptare.

Ekspozita “Hyjnesha dhe Veshja” nga etnografja, Erodita Qorkadiu – Haxhiu dhe skulptorja, Arijetë Miftari është një nga sensacionet e këtij edicioni, shkruan rtv21.tv Përfaqësueset e Kosovës gjatë këtij evenimenti mbanin të veshura kostumet tradicionale, të cilat zgjuan kureshtje te të gjithë të ftuarit. Përndryshe, etnografja Erodita Qorkadiu – Haxhiu është anëtarja më e re e bordit mbarëkombëtar të “Mbretëreshës Teutë”.

Artistët nga Kosova u pritën në Kroaci nga ambasadori i Kosovës në këtë shtet, Gëzim Kasapolli. Në Zagreb, për ditët e “Mbretëreshës Teutë” morën pjesë edhe mysafirë nga Italia, Gjermania, Kanada dhe shumë vende të tjera të botës./ KultPlus.com