Jetoi gati pesë dekada me burrin më të adhuruar, Branka Petric për Bekim Fehmiun: Kur ai ndërroi jetë u shua edhe një pjesë e imja

Ardianë Pajaziti
Fotografia në ballinë: Fahredin Spahija

86 vjet jetë  po shpaloseshin fletë fletë në një nga hotelet e Prishtinës, rrëfim që po e shoqëronim me çaj gjingjer dhe shumë cigare. Takimin me të e kisha rezervuar shumë më herët dhe orët e vona të darkës tashmë i kishte ndarë për mua dhe po shprushnim të dyja në jetën e saj, unë me pyetje e ajo me përgjigje. Mbamendjen e ka shumë të freskët, sikurse edhe dukjen edhe përkundër moshës së madhe. Me kërkim falje se nuk e mësoi asnjëherë gjuhën shqipe, aktorja serbe Branka Petric, gruaja që kishte ndarë pjesën më të madhe të jetës me Bekim Fehmiun,  burrin më të famshëm të Ballkanit dhe më gjerë, prekte herë pas here aksesorët e saj, gati gati si të ishin susta të kujtesës për të sjell jetën e saj nëpër etapa të ndryshme.

Gruaja flokëverdhë po mblidhte copëzat e jetës së saj prej vendit të saj të lindjes në Kroaci e deri në momentet kur po flisnim, jetë që ngërthente kushte jo të mira, sakrificë, kurajë, dashuri, sukses, humbje, dhimbje, shumë dhimbje e deri te kujtimet, kujtime që vazhdojnë ta shoqërojnë në çdo moment të jetës së saj.

Fëmijërinë e saj e kujton me karnavalin që mbahej atë kohë në Novi Vinodolski të Kroacisë, karneval që mbahej çdo vit në muajin shkurt. Maskat e atij karnevali, veshjet, lulet e shumta sikurse e kishin magjepsur imagjinatën e Brankës, të cilës i kishte pëlqyer aq shumë ajo paraqitje e karnavaleve, ndryshe prej motrës së saj, që sipas Brankës, asaj nuk i linin fare përshtypje.

“Mua më pëlqente të maskohesha, të vishja gjëra të ndryshme, të vendosja aksesorë” nis rrëfimin Branka për ngjizjen e botës së artit në shpirtin e një katër vjeçe të asaj kohe, po nga karnevalet e vendit të lindjes së saj që ishte buzë një lumi.  

Se arti e tërhiqte pa masë, ajo kujton se si fëmijë, ajo shumë shpesh i kishte vesh rrobet e nënës së saj, taket e larta dhe shumë improvizime të tjera që pavetëdijshëm e dërgonin drejt skenës, pasion që do ta përcillte gjithë jetën e saj, deri në ditët e sotme, ku edhe sot, herë pas herë paraqitet në shfaqje të ndryshme teatrale në Beograd.

Dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore ajo e kujton edhe me kontaktin e parë me teatrin, natyrisht jo në skenë, po në audiencë. Një trupë e Teatrit të Zagrebit kishte shkuar në Rjekë për të vënë në skenë shfaqjen e baletit “Sheharazade” sikurse edhe shfaqjen operistike “Madama Batterfly”, shfaqje këto që e kishin bërë të qaj pa reshtur.

Kur ishte në klasë të katërt e mësoi poezinë “Dvije Daske” (Dy dërrasa), me të njëjtën u pranua në Akademinë e Arteve në Beograd

Branka Petric e cila përgjatë karrierës së saj ka luajtur më dhjetëra role ne film, teatër e televizion, për herë të parë nisi rrugëtimin në këtë fushë kur ishte vetëm në klasë të katërt të shkollës fillore. Në shkollat e atëhershme në Serbi, sipas Brankës funksiononin seksionet e dramës, dhe në shkollën ku ishte ajo, ishte caktuar drejtuese e seksionit të dramës, aktorja e njohur serbe Marija Crnobori.

“Ajo ishte e re në moshë atëherë, dhe mbaj në mend që na pat dhënë që ta mësonim përmendësh poezinë “Dvije Daske” (Dy dërrasa), e cila ishte poezi e një poeti të njohur nga Istria. Unë e mësova përmendësh dhe më pati pëlqyer së tepërmi kjo poezi”, tregon Branka për njohjen e saj me botën e artit, edhe përkundër faktit se ishte vetëm në klasën e katërt, dhe pa e ditë saktë se cili do të ishte profesioni i së ardhmes.

Dhe kur ishte vetëm 11 vjet, familja e Branka Petric zhvendoset në afërsi të Beogradit, në një fshat pa ujë e pa banjo, dhe që për të vajtur në shkollë i duhej të ecte këmbë nga pesë kilometra veç në një drejtim. Vonesat e shpeshta në shkollë, për shkak të kilometrave të shumtë, Brankës ia kishin vën në pah edhe sajesat e ndryshme për mësuesit, duke sajuar lloj-lloj histori për të arsyetuar vonesat e saj. “Mbaj në mend që mësuesi i rusishtes më pat thënë se do të bëhem aktore”, tregon Branka duke qeshur, duke kujtuar copëzat e vogla që në tërësi ndërtuan dëshirën për të qenë pjesë e botës artistike.

Por askush nuk e kishte menduar se Branka Petric po me poezinë “Dvije Daske” (Dy dërrasat) që e kishte mësuar qysh e vogël, do të synonte edhe Akademinë e Arteve, poezi me të cilën hyri në provim pranues për të sfiduar 420 aplikantë që pritnin dritën jeshile për tu futur në akademi.

“Përpos që hyra në provim pranues, në të njëjtën kohë për herë të parë hyra në Teatrin e Beogradit, sepse deri më atëherë nuk më kishte rastisë të hyja në atë objekt. “Dvije daske” që e kisha mësuar nga Marija Crnobori  me dialekt të Istrias, erdhi ndoshta bukur për faktin se profesori që na dëgjonte, vinte poashtu nga Kroacia. Sikur mos të ishte ai profesor atë ditë, ndoshta edhe nuk e kisha kaluar provimin. Por ai e kuptoi thellë interpretimin tim” tregon Branka, e cila doli triumfuese në këtë sfidë bashkë me shtatëmbëdhjetë studentë tjerë.

“Shumë më vonë, në një intervistë, një gazetar më pat thënë se dy dërrasat poetike (Dvije daske)  paskan qenë dërrasat jetike për ty, sepse, koincidon edhe me dërrasat skenike” kujton Branka e cila në vitin 1955 edhe e fillon vitin e parë të studimeve në Akademi.

“Bekim Fehmiu ishte i rëndë, unë e ngacmoja atë, e gjuaja shpesh me letra, deri sa u bëmë miq”

Dhe vitin e parë të studimeve e filloi bashkë edhe me tetë vajza të tjera, e që sipas Brankës, në kohën e atëhershme kishte shumë më shumë liri sesa në ditët e sotme, dhe asnjë paragjykim i vetëm që si vajzë po studionte aktrimin.

“Sot ndoshta gratë janë më shumë zonja të vetes, por thellësisht brezi im ishim shumë më të lirë.  Prandaj të gjithë patën reaguar shumë mirë në lidhje me studimet e mia në Akademinë e Arteve, edhe fqinjet mia, që më thoshin sa mirë që do të bëhesha aktore, edhe pse nuk e dinin saktë se çfarë ishte një aktore”, kujton atë periudhë, që sipas saj ishte një mbështetje  e madhe sa i përket ndërtimit të ëndrrave.

Karnevalet që e ngacmuan qysh katër vjeçe në Kroaci për Branka Petric ishin një paralajmërim se ajo ka një shpirt artisti, po nuk e kishte besuar se po ato ëndrra do ti sjellin edhe një fat tjetër. Takimin me burrin më të adhuruar të ish Jugosllavisë, aktorin që preki edhe shkëlqimin e Hollywood e të shumë festivaleve prestigjioze.

Branka tashmë kishte përfunduar vitin e parë të studimeve dhe po vinin të rinjtë që ishin pranuar tashmë në Akademi. Branka kujton edhe pëshpërimën e studentëve të cilët po tregonin se kishte ardhë një djalë i pashëm nga Prishtina.

“Si tip ishte i rëndë, ai nuk u vardisej vajzave, dhe as më hidhte asnjë shikim”, tregon Branka e cila tregon që Bekim Fehmiu me moshë ishte një vit më i madh se Branka, por në studime kishte ardhë me pak vonesë.

“Unë e ngacmoja atë, e gjuaja shpesh me letra, deri sa u bëmë miq”, tregon Branka, e cila mënyrën se si ishte ofruar edhe më shumë me Bekim Fehmiun ishte gjuha serbe, pasi që, sipas saj, që të studioje atëherë në aktrim, duhej të dije gjuhën serbe mirë, dhe në këtë drejtim ajo e kishte ndihmuar shumë.

86 vjeçja edhe sot kur flet për shkëndinë e parë me Bekim Fehmiun, duket sikurse është një moment që e rinon. “Ishte një vështrim, vështrim shumë tërheqës”, kujton Branka atë shikim, që sipas saj ishte tërheqja që i dha tjetër dimension jetës së Brankës dhe Bekimit.

“Isha pranë diplomimit, kur Bojan Stupica na angazhoi mua dhe Bekimin në një shfaqje. Unë luaja rolin e bashkëshortes së tij. Shkëndija e dashurisë me Bekimin ishte një vështrim tërheqës, ishte viti 1959. Kishim një skenë ku ai ishte duke u rruar, kurse unë krihesha, dhe përderisa rruhej, më drejtohet duke më thirrë në emër të personazhit “Rozë, moj Rozë”, kujton Branka, e cila kujton se mundësi për tu ofruar me njëri tjetrin më shumë i dhanë provat në orët e vona, dhe kthimin për në shtëpi e bënin gjithmonë me regjisorin Stupica në një makinë.

“Këtu ndoshta patëm filluar të lidheshim, gjersa diku para Vitit të Ri më pati pyetur se nëse pranoja që të bëhesha e dashura e tij”, kujton Branka, e cila lidhjen e saj me Bekimin e kishte shtyrë edhe për dy vite më tutje, për të vazhduar me turne të madh me teatër, duke përfshirë shumë vende të ish Jugosllavisë, e mes tyre edhe Prishtinën.  Distanca pastaj e krijuar mes tyre, me kryerjen e shërbimit ushtarak të Bekim Fehmiut në Shibenik, për Brankën ishte distancë që e zëvendësuan me letra, edhe pse, sipas saj ende vazhdonin të kishin vetëm miqësi mes tyre.

Bekimi më tradhtoi me aktoren ruse, për mua ishte tepër e dhimbshme

“Më tej mora një ftesë për të luajtur në një film, ndërkohë që regjisori më thotë që do të luaja rolin e një vajze të re që shkon me pushime diku, teksa do të më vardiseshin katër djem. Kisha nevojë  t’i gjeja katër aktorët për këto personazhe, sepse regjisori do t’i pranonte. Filmi do të xhirohej në Opatija dhe ishte film i metrazhit të shkurtë. U mendova kë do të gjeja, dhe e dija ndërkohë se Bekimi së shpejti e mbaronte shërbimin ushtarak, dhe e pyeta nëse dëshironte të luante në një film me mua. Të gjithë do të takoheshim në shtëpinë time në Novi Vinodolski, vendlindjen time. Bekimi nuk e besonte dot se diçka e tillë do t’i ndodhte menjëherë pas ushtrisë. Bekimi erdhi i pari në shtëpinë time, përpara tre aktorëve të tjerë, dhe u njoh me prindërit e mi. Ai erdhi sikur t’i dinte paraprakisht të tëra, sikur ta dinte të ardhmen tashmë. Dhe dashuria jonë pati filluar në shtëpinë time familjare në vitin 1963, kur ai erdhi nga ushtria, kur dolëm bashkë në verandë”, tregon Branka.

Lidhja mes tyre, diplomimi i Bekim Fehmiut, përfshirja e tij në Teatrin Jugosllav të Dramës, pjesë e të cilës më veç ishte edhe Branka, shfaqje e turne të ndryshme tashmë ishin pjesë e përditshmërisë së tyre. Por diçka që nuk ishte përditshmëri, por një goditje bukur e rëndë, ishte dashuria e Bekim Fehmiut me Ljudmillën, lidhje që ndodhi gjatë qëndrimit të trupës së Beogradit në Rusi.  

“Ljudmilla ishte një grua tepër e bukur, kurse ai pati treguar haptas tërheqjen që ndiente për këtë grua, ata patën rënë në dashuri” tregon Branka për atë periudhë të largët, e cila kujton edhe për mbështetjen e aktoreve dhe aktorëve të Beogradit që kishin treguar ndaj Brankës, pasi që, sipas saj, ata të gjithë e kishin lënë vetëm Bekim Fehmiun, për gjithë udhëtimin me tren përderisa ktheheshin nga Moska për në Beograd.

“Gjithsesi nuk mendoja të ndahesha nga ai vetëm për faktin se kishte shkuar me një grua tjetër. Edhe pse, për mua ishte tepër e dhimbshme, por në vitet e ardhshme lidhja jonë u bë shumë më e fortë”, kujton Branka atë moment, duke treguar më pas se viti 1968, ishte vit që edhe kurorëzoi dashurinë e tyre në Romë të Italisë.

Bekim Fehmiu po xhironte Odiseun, e thirra në telefon dhe e pyeta nëse do të martoheshim

Se  po ndodhte një martesë mes një vajze serbe dhe një djali shqiptar, për prindërit e Brankës nuk paraqiste asnjë problem. Ajo me një siguri të madhe më tregon se askush, ama askush nuk i bëri asnjë pyetje të tillë, as prej teatrit, as familjes dhe as farefisit të gjerë.

Dhe nuk ishte vetëm martesa bekim për Brankën dhe Bekimin. Kjo periudhë e jetës po shënohej me shumë të mira në të gjitha anët. Branka ishte shtatzënë në muajin e katërt me djalin e saj të parë Uliksin, përderisa Bekim Fehmiu po xhironte Odiseun. “I telefonova Bekimit nga posta, meqë nuk kishim telefon në shtëpi. E pyeta se nëse do të martoheshim, dhe ai pranoi” shpjegon Branka, e cila kujton se për këtë kurorëzim dy herë iu desh të shkonte në Romë, sepse, herën e parë iu dështoi për shkak se nuk i kishin certifikatat e lindjes.

“Shkuam në Ambasadën e Jugosllavisë në Itali që të realizojmë martesën tonë, por aty e kuptova se për tu kurorëzuar na duheshin edhe certifikatat e lindjes, dhe në fakt ne nuk i kishim. Zyrtari i ambasadës na tha se pa dokumente nuk mund të na martonte. Dhe në fakt nuk u bë, por qëndrova shtatë ditë me Bekimin në Romë. Kur u ktheva sërish në Beograd që të marr dokumentet, shokët e mi më tallnin se tashmë mund të ndërrojë mendje Bekimi dhe nuk do të bëhej ceremonia”, kujton Branka.

Ajo për të dytën herë u nis për Romë, kësaj here me qëndrim vetëm për dy ditë, vetëm që të realizonin kurorëzimin, dhe ajo kujton se dëshmitare të martesës së saj kishte Zorica Budisavljeviqin, motrën e Jovanka Broz Titos, kurse Bekim Fehmiu ambasadorin e Jugosllavisë në Itali. Ajo kujton se si dëshmitarët e martesës talleshin me ceremoninë e martesës së tyre, duke e quajtur një ceremoni të shëmtuar.  “Prandaj i thashë Bekimit që shpresoja që martesa jonë mos të ishte e shëmtuar si ceremonia e martesës”, kujton Branka ku pjesë të dasmës kishin edhe ekipin e filmit Odiseu.

Dhe duke u njohur me njëri tjetrin qysh nga fillimi i studimeve, Branka dhe Bekimi u rritën bashkë edhe profesionalisht. Sukseset me filmin “Odiseu”, suksesin e madh me “Mbledhësit e puplave”, shkëlqimin në Kanë dhe festivale të tjera, Branka thotë se i kishte përjetuar sikurse ato suksese të ishin të saj.

“Kur bëjmë art, ka gjithmonë njëfarë mëdyshje lidhur me aftësitë tonë, e ai gjithmonë më pati mbështetur mua” kujton Branka Petric për punën e tyre në botën e artit, ku Bekim Fehmiu jetoi shumë më furishëm e me më shumë suksese, por që edhe bëri një tërheqje më të shpejtë prej teatrit e filmit, kurse Branka edhe sot vazhdon të luaj herë pas here projekte të ndryshme.

Ndërkohë, “Madam Kolontajn” ishte shfaqja që luante Bekim Fehmiu, shfaqje në të cilën luante dy role, atë të Leninit dhe Stalinit. Në shenjë proteste, Bekim Fehmiu la shfaqjen në gjysmë, por jo vetëm atë shfaqje po gjithë paraqitjen e tij skenike. Këtë protestë e bëri në mes të Beogradit, në vitin 1987 si mospajtim me politikat serbe të cilat i ushtronin ndaj shqiptarëve të Kosovës. Branka e kujton guximin e Bekim Fehmiut, veprim që nëpërmjet të cilit edhe bëri shkëputjen skenike. “Por gjithnjë më ka përcjellë mua në shfaqjet e mia. Sa herë kam pas shfaqje, ai më ka pritë në njërën nga lokalet në afërsi të teatrit”, ka treguar Branka.

Branka Petric për familjen e Bekim Fehmiut: E pabesueshme si një nënë mundet të rrisë tetë fëmijë, me disiplinë të hekurt, porsi një ndërmarrje e organizuar në mënyrë të përkryer

“Për të mos thënë… unë mendoj se nuk ka asnjë martesë që nuk ka ulje-ngritjet e saj, po ashtu edhe tërmetet e veta, kur toka të dridhet nën këmbë, e të duket se gjithçka do të shkërmoqet, të gjitha janë gjëra që patjetër patën ndodhur edhe në martesën tonë, por gjithsesi përherë ne jemi sjellë në mënyrë të njerëzishme njëri me tjetrin, për shkak të dashurisë sonë që pati vijuar e njëjtë deri në çastet e fundit të bashkëjetesës sonë. Unë kam mësuar aq shumë prej tij, kurse po të ishte ndoshta gjallë ende, kushedi edhe ai do të thoshte se diçka ka mësuar edhe nga unë, sepse kemi qenë tejet të ndryshëm.  Unë jam shumë më e lehtë si tip njeriu, dhe gjithmonë isha me vonesë, megjithëse dalëngadalë fillova të bëhesha edhe unë më e saktë. Akoma më pyetin nëse vonohem si dikur, kurse unë u them se tash e pesëmbëdhjetë vjet nuk vonohem më” tregon Branka.

Branka mes tjerash kujton edhe dashurinë e madhe të familjes së Bekim Fehmiut për njëri tjetrin, dashuri që nuk e kishte parë në familjet që kishte njohur në Beograd.

“Është diçka shumë e rëndësishme kur dikush rritet në gjirin e një familje të madhe si e Bekimit, detyrat atëherë janë të qarta për këdo, e pabesueshme si një nënë mundet të rrisë tetë fëmijë, me disiplinë të hekurt, porsi një ndërmarrje e organizuar në mënyrë të përkryer. Për mua kjo ishte diçka magjepsëse, sepse në rrethin tim nuk kish pasur diçka të ngjashme, që një anëtar i familjes të kujdeset edhe për motrat e veta, edhe për vëllezërit e motrat njëherësh”, kujton Branka e cila një kujdes të veçantë të Bekimit e tregon edhe me rastin e udhëtimeve të tij në vende të ndryshme, dhe ceremoninë e blerjes së dhuratave për anëtarët e tij të familjes.

‘Më kujtohet në Tunizi,  kur Bekimi pati xhiruar filmin për Shën Jozefin, ai pati blerë katër palë veshje shumë të bukura për motrat e tij, pastaj edhe për një nuse të familjes së tij, domethënë pesë palë veshje. Domethënë hyri në Pazar dhe porositi pesë palë veshje femërore”, kujton Branka, e cila tregon edhe për kujdesin e tij për të shkolluar nioat dhe mbesat e tij. , ku sipas Brankës, të gjithë i kishte ndihmuar financiarisht për të përfunduar ata studimet.

Dhe Branka, nëna e Uliksit dhe Hedonit, e cila edhe më e mban revolen e Bekim Fehmiut, revole me të cilën aktori i madh i dha fund jetës së tij, në ndarjen e kujtimeve të saj për jetën e saj me Bekim Fehmiu thotë se aq gjatë kenë qenë bashkë, kaq shumë kanë përjetuar bashkërisht, saqë absolutisht, në një moment i është  duk befasisht sikur të kishte gjetur shpirtin e saj binjak.  “Ai ishte binjak edhe si shenjë horoskopi, prandaj kur ai ndërroi jetë, ishte sikur të ishte shuar edhe një pjesë e imja” kujton Branka” e cila mendon se pas vdekjes së tij, flitet mjaftueshëm për Bekimin.

Dhe krejt në fund, për krejt këtë jetë mes aktrimit dhe me aktrimin, Branka Petric, gruaja e aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu vlerëson një përkushtim të madh të Bekim Fehmiut, që në një formë e la si dëshminë më të bukur. Librat që shkroi Bekim Fehmiu, Branka i vlerëson si punën më të mirë që la pas vete Bekim Fehmiu, kopje që vazhdojnë të kërkohen nga adhuruesit e tij.

“Unë pata menduar se do të mjaftonte një botim me disa tirazhë nga këta dy libra, por kërkesat akoma vazhdojnë. Njerëzit e duan dhe vazhdojnë ta lexojnë. Pastaj, çdo tre katër ditë unë marr ndonjë fjalë të mirë për bashkëshortin tim. E pamundur është që të më mos më thotë dikush se si Bekimi ishte një aktor i madh, se ai me të vërtetë ishte një legjendë.

Branka Petric që posedon edhe një numër të madh të dorëshkrimeve të Bekim Fehmiut dhe një numër të madh të librave të bibliotekës së Bekim Fehmiut, vazhdon të jetojë në apartamentin e njëjtë ku edhe ka jetuar më herët bashkë me Bekimin dhe fëmijët, ndërkohë, shpreh interesim se nëse mund të gjejë dikë që ta ndihmojë, që ato dorëshkrime të Bekimit ti sistemojë dhe ti botojë. / KultPlus.com

Sot ‘Mbledhësit e Puplave’ në Kino Armatë, në kuadër të shfaqjes së filmit në shtatë qendrat kryesore të Kosovës

“Mbledhësit e Puplave” sot (e hënë, 20 qershor 2022) prej orës 19:00h në Kino ARMATA në Prishtinë.

Për nder të figurës së Bekim Fehmiut, artistit shqiptar që arriti majat e suksesit në ekranin dhe në skenën botërore, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizojnë shfaqjen e filmit “Mbledhësit e Puplave” (1967) në shtatë qendrat kryesore të Kosovës, përfshirë shfaqjen në Kino ARMATA në Prishtinë sot (e hënë, 20 qershor 2022) prej orës 19:00h. / KultPlus.com

Bekim Fehmiu luan rolin e një romi në filmin ‘Mbledhësit e puplave’ (VIDEO)

Në filmin e vitit 1967 – “Mbledhësi i Puplave”, aktori shqiptar Bekim Fehmiu luante rolin e një romi.

Dhe këtë ditë kur shënohet Dita Ndërkombëtare e Romëve, duhet ta kujtojmë performancën e aktorit me përmasa botërore, i cili lindi më 1 qershor 1936 në Sarajevë.

Filmi 94 minutësh tregon mbi jetën e ciganëve dhe romëve në Jugosllavi, ndërsa krahas Bekimit – në rolin e Beli Pora Perjar, luan edhe Olivera Katarina e Bata Zhivojinoviq.

Në film ka edhe aktorë që e flasim gjuhën rome dhe që i përkasin komunitetit rom.

Titulli origjinal i filmit është ‘Skupljaci Perja’, ndërsa në anglisht ‘I even met happy gypsies’, me regji nga Aleksandar Petroviq.

Filmi u nominua në kategorinë “Academy Award for Best Foreign Language Film” dhe “Golden Globe Award for Best Foreign Language Film”. / KultPlus.com