Zbulohet juria profesionale e edicionit të gjashtë të “KultStrofa”

KultPlus këto ditë ka hapur thirrjen për edicionin e gjashtë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.

Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë  “KultPlus”.

Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme.

Organizatorët e këtij konkursi sot kanë bërë publike edhe jurinë profesionale të këtij edicioni e cila këtë vit ka një përbërje të veçantë, duke përfshirë shkrimtarë, gazetarë dhe tekstshkrues të këngëve, me qëllim të një laramanie sa i përket shijeve.

Juria përbëhet nga: Agim Vinca, kryetar jurie, Beti Njuma dhe Shpat Deda.

Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, ka bërë të ditur se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka treguar se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’. Afati i fundit për aplikim është data 26 nëntor 2023, ora 23:59.

Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftura në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.

Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj. / KultPlus.com

Me moton TI UDHËHEQË, sonte nisë rrugëtimi i 6-të i FemArt

Sonte fillon edicionin i 6-të i “FemArt”-it, i cili këtë vit i bashkon njerëzit nën moton “Ti udhëheqë”. Festivali hapet sonte me shfaqjen “Trojanet” ndërsa për 5 ditë do të promovohen konceptet feministe, shkruan KultPlus.

Me moton TI UDHËHEQË festivali inkurajon qëndrueshmëri dhe solidaritet për gratë dhe burrat të cilëve ju shkelen të drejtat themelore për shkak të përkatësive të tyre etnike, racore, preferencave seksuale dhe pozitave shoqërore.

Zana Hoxha Krasniqi, drejtoreshë e Artpolis-it dhe e festivalit FemArt, tha se viti i gjashtë i FemArt-it do të sjell risi të shumta duke theksuar se e veçanta e këtij edicioni është bashkëpunimi mes artisteve kosovare dhe atyre amerikane.

“Jemi shumë të lumtura që sivjet në edicionin e 6-të po paraqitemi me një program edhe më të pasur artistik me mbi 20 lokacione të ndryshme dhe 42 aktivitete kulturore dhe artistike. Aktivitet të fushave të ndryshme të cilat tejkalojnë barrierat e kufijve”, u shpreh ajo.

“Ne dëshirojmë që të thërrasim të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë por edhe më gjerë që të marrin jetën në udhëheqjen e tyre, të udhëheqin më ëndrrat e tyre, me dëshirat por në të njëjtën kohë të kenë solidaritet me ata që nuk e kanë jetën e tyre në udhëheqje”, u shpreh Krasniqi.

Programi artistik i Festivalit adreson çështje si Të Drejtat e njeriut dhe Lëvizjet Feministe, Të Drejtat Seksuale dhe Shëndetin Ripordhues, Drejtësinë Tranzicionale dhe Ndërtimin e Paqes, Të Drejtat e Komunitetit LGBTQI+, Fuqizimin e Grave, Dhunën Kundër Grave, njëherë Promovon Storiet e Suksesshme Rajonale dhe Globale të Grave.
Jeta Berisha, koordinatore e projekteve në ArtPolis tregoi se këtë vit do të mbahen mbi 40 aktivitete në tri komuna të Kosovës: Prishtinë, Mitrovicë e Veriut dhe Ferizaj.

“Programi është mjaft i pasur dhe më shumë mesazhe të cilat do të barten te qytetarët. Ne shpresojmë që do të përmbushim atë që është temë aktuale në vendin tonë dhe do të mundohemi që së paku të ju sjellim sadopak argëtim dhe të shpalosim punën e të gjitha artisteve dhe aktivistëve”, tha ajo duke shtuar se ky edicion do të bëjë së bashku më shumë se 200 artiste dhe aktiviste.

FEMART – Festivali i Artisteve dhe Aktivisteve çdo vit angazhon me qindra artiste dhe aktiviste nga mbarë bota të cilat shfaqin punën e tyre kreative përmes: Shfaqjeve Teatrale, Filmave (dokumentar, filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë), Ekspozitave, Performancave, Koncerteve, Ligjëratave, Punëtorive, Paneleve të Diskutimeve dhe Prezantimeve të ndryshme në formë të artit.

Festivali fillon sonte në ora 21:15 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” me shfaqje teatrale “Trojanet”./ KultPlus.com

Filmi nga Polonia, filmi më i mirë në TIFF-ODA

Pas një jave plot filma, debate për filma dhe muzikë, mbrëmë mbaroi TIFF Oda film festival në Tetovë, i cili u përmbyll me filmin “Rregulla Arti”.

Drejtori i këtij festivali, Sabedin Selmani thotë se organizimi shkoi shumë mirë dhe se ky festival u mirëprit tejmase nga adhuruesit e filmit.

“Organizimi ishte shumë i mirë, dhe gjithashtu kësaj radhe kishim edhe shumë vizitorë. Kësaj radhe edhe mbylljen e kishim speciale, pasi që filloj jazzfesti. Gjithçka ishte në nivelin e duhur dhe jemi shumë të kënaqur me këtë realizim që u bë”, tha për Portalb.mk, Selmani.
Ja çmimet që u ndanë në këtë festival:

Kategoria – WIN PANORAMA ( Filmat e shkurtër në konkurrim)

Përbërja e jurisë:
1.MEVLAN Shanaj
2.BURBUQE BERISHA
3.LLAZAR SEKULOVSKI

Filmi më i mirë
I’ve got you – Poloni

Regjia më e mirë
Approachhing- Republika Ceke

Montazhi më i mirë
Fight for death-Maqedoni

Kinematografia më e mirë
Bon appétit-Shqiperi

Filmi më i mirë i Animuar
Ethnophobia-Shqiperi-Greqi

Çmimi i publikut
Toka-Maqedoni

Kategoria: Student panorama

Filmat Studentor në konkurrim:

Dokumentari më i mirë studentor
Studants – FDU- Maqedoni

Filmi më i mirë Studentor
First Kiss-Fiofa

Çmim nderi
Man with the will of steel-Bosnja dhe Hercegovina

Ndryshe, ky festival u hap me festivalin “Hunting Flies” drejtuar nga Izer Aliu, film i prodhuar nga prodhimi norvegjez dhe i realizuar në Maqedoni. Qëllimi i këtij festivali është qasja e të gjithë artistëve të filmave me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve, shkëmbimit të ideve, prezantimit të veprave kulturore, etj.

Brenda kësaj jave të festivalit janë shfaqur filma nga vende dhe artistë të ndryshëm.
Ndërkohë, pas mbarimit të festivalit të filmit, pas 3 viteve rikthehet në Tetovë manifestimi JazzFest Tetova./ KultPlus.com