Abazoviq: Në Mal të Zi ndodhën disa ndryshime, por s’ndryshohet qëndrimi ndaj Kosovës zyrtare

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, tha se përkundër ndryshimeve politika që kanë ndodhur së fundi në vendin e tij, Mali i Zi nuk do të ndryshojë qëndrimin zyrtar karshi Kosovës.

“Në Mal të Zi kanë ndodhur disa ndryshime politike, por ato nuk do të ndërrojnë kurrfarë politike ndaj Kosovës zyrtare. Ju mundeni me llogarit në Malin e Zi për aktivitetet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës në të ardhmen. Ne jemi më së të gatshëm të përkrahim me atë sa janë mundësitë tonë”, siguroi Abazoviq.

Kjo deklaratë e tij vjen pas zgjedhjes së Jakov Milatoviq president i ri i Malit të Zi, e për të cilin u raportua se mbështet politika pro ruse.

Abazoviq tha se është më se i bindur që Kosova dhe Mali i Zi janë shembull rajonal se si duhet të bashkëpunohet.

“Fokusi jonë edhe sot në takime ka qenë në atë që ishte standardi jetësor për popullin edhe të Kosovës edhe të Malit të Zi. Mendoj se jemi në një rrugë të duhur që të zhvillojmë disa projekte që unë i kisha quajtur për Malin e Zi historike e që kanë të bëjnë me infrastrukturën”.

Abazoviq tha se në takimin me Kurtin u fol për mundësitë e krijimit të një qasje më të lehtë për qytetarët e vendeve fqinje.

“Atë që ishte ideja jonë është që të krijojmë qasje shumë të lehtë për qytetarët e të dyja vendeve. Nëse e krijojmë një akses më të lehtë atëherë edhe shkëmbimi i mallrave dhe popullit, bizneseve ka me qenë shumë më intensiv dhe kjo do të krijojë edhe në të ardhmen që të krijojmë atmosferë të mirë rajonale ku dy shtetet duhet t’i japin shembull”.

Abazoviq tha se të ardhmen e sheh në BE edhe për Malin e Zi edhe për Kosovën.

“Duhet të kryejmë shumë detyra që derisa dy shtetet të bëhen anëtare”.

Në fund, Abazoviq e ftoi kryeministrin Kurti në Podgoricë. / Express / KultPlus.com

Ura mbi lumin Buna do të lidhë Shqipërinë dhe Malin e Zi, ndërtimi i urës brenda vitit 2024  

Ura mbi lumin Buna do të lidhë Malin e Zi me Shqipërinë dhe do të ndikojë në turizmin e të dyjave vendeve, u shpreh kryeministri malazez, Dritan Abazoviç në konferencën e përbashkët me homologun Edi Rama.

Ndërtimi brenda vitit 2024 i urës mbi lumin Buna ishte marrëveshja më e rëndësishme që u nënshkrua sot në Podgoricë pas mbledhjes së dy qeverive.

“Kjo urë jo vetëm do të lidhë dy shtete, por do të ndikojë në turizëm. Qëllimi ynë është që njerëzit të kenë akses më të lehtë që të lehtësohet trafiku”, tha Abazoviç.

Duke folur për raportin mes dy vendeve, Abazoviç tha se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Malit të Zi duhet të jetë shembull dhe për vendet e tjera të rajonit.

“Mendoj që raportet që ka qeveria e malit të Zi me qeverinë e Shqipërisë janë shembull që duhet t’i ndjekin dhe vendet e tjera në rajon. Kjo është mënyra më e mirë që njerëzit të njohin njëri-tjetrin, të nënshkruajnë marrëveshje të përbashkëta”.

Abazoviq: Jemi të gatshëm t’ia dorëzojmë stafetën kujtdo

Është votuar mocioni ndaj kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, mocion të cilit ai nuk i ka mbijetuar dhe është rrëzuar nga pushteti.

E pas kësaj ai ka thënë se qeveria aktuale do të mbahet mend si qeveria që zgjati më pak, por mori vendimet më të vështira.

Ai tha se ndihej shumë krenar, duke shtuar se shumë gjëra në Mal të Zi tani janë më të qarta.

“Po i shpall koalicionin e ri Milo Gjukanoviqit dhe Aleksa Beçiqit, shpresoj që shpejt të bien dakord për qeverinë. Jemi të gatshëm t’ia dorëzojmë stafetën kujtdo që shpresojmë se do ta udhëheqë më mirë vendin”, tha ai.

Ai tha se PDSH-ja e ka mbështetur Qeverinë edhe pse kanë vlera të ndryshme, duke shtuar se personalisht ndjen se situata është lehtësuar plotësisht që sot, njofton Klan Kosova.

“Më vjen keq që krimi i organizuar ende përdor tentakula, do të kujtohemi si një qeveri që zgjati pak, por mori vendimet më të vështira”, tha ai.

Ai përsëriti se nuk do të marrë pjesë në qeverinë e rindërtuar, duke shtuar se beson se nuk do të marrë pjesë as Partia Popullore Socialiste (PKSH).

“Është logjike që dikush tjetër të marrë iniciativën. Le të ulen Beçiq, Gjukanoviq dhe Shehoviq dhe të bien dakord për një koalicion”, tha ai.

I pyetur se si mund të planifikohen zgjedhjet nëse nuk ka Gjykatë Kushtetuese, ai tha se duhet kërkuar nga DPS-ja.

“Do të bëjmë gjithçka për të vazhduar pa kufizime sikur të mos kishte rënë qeveria. Pra nuk do të ndikojë në punën që është funksionale”, u shpreh tutje ai./KultPlus.com

Abazoviq para deputetëve: Ju pengon fakti se jam shqiptar

Kryeministri i Malit te Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë para deputetëve se që nga dita e parë atyre u ka penguar fakti se ai është shqiptar.

”Që në ditën e parë u ka shqetësuar fakti që jam pjesëtar i një kombi pakicë [shqiptar]. Unë jam kryeministër që merr vendime të vështira, që mbrojti interesat kombëtare edhe pas 30 gushtit 2020, që ruajti kursin e politikës së jashtme”.

”Jam kryeministër që merr vendime të vështira. Sot ndoshta bashkoheni të gjithë në urrejtje. Heren tjeter bashkohuni ne dashuri. Le të flasim për gjëra reale jo halucinacione e bash për këtë duhet të bashkohemi… Pres diskutimin dhe përpjekjen e sotme për të shpjeguar pse erdhi iniciativa për rrëzimin tim, kush është frymëzuesi dhe çfarë fshihet pas saj”.

”Dhe pas saj nuk qëndron as rruga evropiane, as dëshira për të përzier kartat politike. Ka nevojë që Mali i Zi të ndalet në rrugën e transformimit në mënyrë që struktura të caktuara rifitojnë pozicionet e tyre financiare që u kanë shpëtuar ose janë në gjendje të mirë për t’u shpëtuar. Për këtë do të flas më poshtë, emrin dhe mbiemrin”. /KlanKosova / KultPlus.com

“Uji deri në katër euro”, Abazoviq: Çmimet si në Saint – Tropez, Cannes dhe Monako

Mediat malazeze raportojnë se kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se çmimet nëpër plazhe janë sikurse në Côte d’Azur” – (riviera e famshme franceze), përkatësisht bregdeti mesdhetar i Francës juglindore që përfshin vendpushimet e famshme magjepsëse të plazhit si Saint-Tropez dhe Cannes, dhe Monakon.

Por, Abazoviq gjithashtu ka thënë se të hyrat janë në nivel të kënaqshëm.

“Parametrat janë të tillë që të hyrat totale të realizuara janë në nivel të kënaqshëm”, citohet të ketë thënë ai në seancën e qeverisë. Nëse dikush mendon se është e mundur të përsëritet sezoni i vitit të kaluar kur ishte një kulm i jashtëzakonshëm, sepse ishim i vetmi vend i hapur për 45 ditë, do të jetë e vështirë ta realizojmë. Duhet të përshtatemi me trendet e reja. Çmimet në bregdet janë si në Cote d’Azur, Mali i Zi nuk e ka parë kurrë këtë më parë”, ka thënë Abazoviq, përcjell Vijesti.me.

Ndërkaq, ai ka theksuar se është i kënaqur që shumë turistë zgjedhin qetësinë, natyrën pa turma dhe udhëtimet në plazhe, vende ku ajri është i pastër dhe temperaturat nuk janë aq të larta sa buzë detit.

I pari i Malit të Zi shpreson që të vijnë edhe më shumë turistë, duke qenë realistë dhe të ndershëm.

“Duhet të dimë që çmimi i ujit në bregdet është deri në katër euro dhe para një viti e gjysmë ishte 1.5 euro, disa shtëpi të vogla në ‘Ada Bojana’ jepeshin me qira 50 euro, tani 250 euro – vetëm duhet të jemi realistë dhe të ndershëm”, ka paralajmëruar Abazoviq. /KultPlus.com

Abazoviq është pritur me ceremoni shtetërore nga Bërnabiq në Beograd

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, është pritur me ceremoni shtetërore në Beograd, gjatë vizitës së tij zyrtare.

Homologia e tij serbe, Ana Bërnabiq, e priti atë më ceremoni shtetërore, derisa Abazoviq do të qëndrojë në Serbi për dy ditë.

Ai pritet që të takohet edhe me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeparlamentarin Ivica Daçiq.

Dritan Abazoviq e kishte paralajmëruar vizitën në Beograd nga Ohri, ku kishte marrë pjesë si vëzhgues në Samitin e “Ballkanit të Hapur”.

“Bashkëpunimi i mirë mes dy vendeve” është fakti që vizita e tij ka filluar në Beograd. /KultPlus.com

Njoftimi në ditën e vizitës së Ramës e Abazoviqit, Ukraina: Parandaluam një sulm terrorist ndaj lidershipit tonë

Agjencitë e sigurisë të Ukrainës kanë parandaluar një sulm terrorist ndaj lidershipit të vendit. Njoftimin e bëri zëvendësministri i Brendshëm, Jevhen Jenin.

“Falë informacionit që marrim nga burimet tona operacionale, ne kemi arritur të parandalojmë një akt terrorist kundër udhëheqjes së vendit tonë”, u shpreh ai.

Duke folur për mediat vendase, zyrtari ukrainas tha se nuk mund të japë më shumë detaje lidhur me këtë çështje.

Jenin shtoi se “do të jetë e mundur që të publikohen të dhëna domethënëse vetëm pas fitores”, në luftën e nisur nga Rusia.

Këto raportime vijnë në një ditë kur në Kiev po qëndron kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Në vizitën e tyre nuk është raportuar asnjë rrezik për kryeqeveritarët./a2cnn/ KultPlus.com

Abazoviqi në konferencë me Zelenskyn dhe Ramën: Ne në Ballkan e dimë çka është lufta

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në Kiev pas takimit me presidentin Volodymyr Zelensky, se vendet e Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën. Tha se e dinë se çfarë po kalon Ukraina, për shkak se e kanë përjetuar luftën disa dekada më parë.

“Do të keni mbështetjen e plotë për rindërtimin e vendit tuaj. Ne nuk kemi shumë kapacitete, jemi të vogla por megjithatë do të japim kontributin tonë ashtu siç tani po japim kontributin duke ndihmuar me disa pajisje e një lloj mbështetje financiare që ndoshta nuk është mjaft, por është përgjegjësia jonë”, tha Abazoviq.

Avazoviq tha se ata kanë mirëpritur refugjatët ukrainas.

“Nga ana jonë do të keni mbështetjen tonë”, shtoi ai.

“Dua të përmend se çdo ukrainas që është tashmë në Malin e Zi, dhe janë 10 mijë tashmë, 1.8 për qind e popullsisë tonë, sepse ne jemi një komunitet i vogël, janë mëse të mirëpritur”, tha Abazoviq.

Abazoviq tha se populli i Ballkanit Perëndimor e di se çfarë po përjetojnë ukrainasit pasi kanë përjetuar luftën.

“Ne do të bëjmë më të mirën për tu mbështetur dhe të jeni të sigurt se ne e ndajmë këtë përvojë prej rreth tre dekadave më parë në Ballkanin Perëndimor dhe e dimë saktësisht se çka është agresioni, shkatërrimi i luftës dhe krimet e luftës”, tha ai. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti takoi kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq

Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Kryeministri Kurti e uroi kryeministrin Abazoviq për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët.

Duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, Kryeministri Kurti e falënderoi Abazoviqin për bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në shumë fusha.

Përderisa theksoi vullnetin për fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira me Kosovën, kryeministri Abazoviq tha se duhet promovuar politika që janë optimiste dhe respektuese, e që fokusohen në qytetarët.

U diskutua për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si dhe potencialin e bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit më të madh socio-ekonomik dhe rritjes së investimeve në të dy vendet. U veçuan projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afrojnë qytetarët dhe do të ndihmojnë ekonominë e të dy vendeve.

U bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi, si dhe për organizimin e një mbledhje G2G ndërmjet të dy qeverive brenda këtij viti. / KultPlus.com

Kryeministri i parë nga një pakicë etnike në Ballkan, Abazoviq mediumit gjerman i duket si Obama

“Obama i Malit të Zi dëshiron të pastrojë vendin e tij”. Kështu mediumi i njohur gjerman, Deutsche Welle e titullon një tekst për kryeministrin e ri të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

DW thotë se Abazoviq është në shumë mënyra një politikan i jashtëzakonshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, theksohet se është e diskutueshme nëse ai mund t’i zbatojë planet e tij ambicioze të reformës.

Në Europën Juglindore, të huajt kanë gjetur vazhdimisht rrugën e tyre në zyrat kryesore politike më shumë se pothuajse në çdo rajon tjetër në kontinent. Ata dështuan mjaft shpesh – jo shumë arritën të vendoseshin politikisht në terma afatgjatë. Kjo, sipas mediumit gjerman, tregon se sa të brishta janë kushtet në vendet e rajonit, sa e madhe është nevoja e tyre për ndryshim, dhe se sa pritshmëri dhe shpresa të zhgënjyera mbartin brenda vetes njerëzit atje.

Mali i Zi, me një popullsi prej pak më shumë se 600,000 banorë, vendi më i vogël në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka përjetuar gjithashtu ngritjen e një të huaji në një figurë qendrore politike për disa kohë. Bëhet fjalë për Dritan Abazoviq, një politikan i ri protestues – i cili është kryeministër i vendit të tij që nga fundi i prillit 2022. Ai premton asgjë më pak se ta pastrojë Malin e Zi nga korrupsioni, ta çlirojë shtetin nga kontrolli i krimit të organizuar për dekada dhe ta çojë me shpejtësi vendin e tij në BE, shkruan DW.

Mali i Zi Podgoricë |  Sekuestrohet kokaina |  enë me banane

Në pamje të parë, karriera e Dritan Abazoviq duket vetëm një shembull tjetër i asaj rritjeje meteorike në Europën Juglindore. Për një kohë të gjatë, ai është kryetar i një partie të ndarë eko-liberale: URA. Pothuajse dy vjet më parë, pas zgjedhjeve historike parlamentare, ai dhe partia e tij patën shansin ta kthenin peshoren politikisht. Abazoviq i përdori me mjeshtëri dhe me një fuqi të madhe taktike. Kjo e katapultoi atë në majën e vendit të tij.

Politikan qytetar

Megjithatë, 36-vjeçari i vetëm është një përjashtim në Europën Juglindore në një aspekt: ​​ai i përket pakicës shqiptare në Mal të Zi. Ai është politikani i parë që udhëheq një vend të Ballkanit Perëndimor që i përket një pakice etnike që nga shpërbërja e Jugosllavisë. Publicisti malazez dhe drejtori i gazetës Vijesti, Zheljko Ivanoviq e quan për këtë arsye “Obama i Malit të Zi”, shkruan DW, përcjell Express.

Dritan Abazoviq: Duhet të arrijmë në BE shumë më shpejt

Abazoviq përfaqëson pozicione liberale, të gjelbra dhe pro-europiane. Ndonëse nuk e mohon origjinën e tij etnike, ai thekson se është një “politikan qytetar” – dikush që i kapërcen tensionet etnike dhe kombëtare duke krijuar ligj, drejtësi sociale dhe kushte më të mira jetese, siç thekson ai në një intervistë për DW. “Është shumë e shëndetshme për Malin e Zi dhe për të gjithë rajonin që Abazoviq, dikush nga një pakicë, është kryeministri i parë i një vendi ballkanik”, tha për DW publicisti Zheljko Ivanoviq.

Garancia për reforma

Të drejtat e pakicave të të gjitha llojeve janë të rëndësishme për Abazoviqin, tha Ivanoviq. Në të njëjtën kohë, koncepti i tij qytetar është një therrë në sy për shumë njerëz në Mal të Zi. “Asnjë nga kampet kombëtare dhe fetare në Mal të Zi dhe në rajon nuk janë të kënaqur me Abazoviqin si kryeministër”, thotë Ivanoviq. “Të krishterët ortodoksë jo sepse është shqiptar, dhe shqiptarët jo sepse ka lënë “folenë e tij kombëtare” dhe dëshiron të jetë një udhëheqës civil”.

Mali i Zi - krizë politike

Pas zgjedhjeve parlamentare të gushtit 2020, aleanca “E zeza mbi të bardhë” e udhëhequr nga Abazoviq ishte në gjendje të vendosej si një forcë e vogël por vendimtare politike. Ato zgjedhje ishin historike – për herë të parë në më shumë se tri dekada, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e udhëheqësit afatgjatë dhe presidentit aktual Milo Gjukanoviq duhej të hiqte dorë nga pushteti. Një koalicion shumë heterogjen nga pothuajse të gjitha fushat e spektrit politik erdhi në krye, në të cilin Abazoviq dhe aleanca e tij donin të përfaqësonin garantuesit e reformave kushtetuese dhe të një politike të jashtme pro-europiane.

Mbrojtje policore 24 orë

Vetë Abazoviq u bë zëvendëskryeministër dhe ishte përgjegjës për luftën kundër korrupsionit. Si i tillë, ai shpejt fitoi reputacionin e një luftëtari të vazhdueshëm kundër krimit të organizuar, i cili ka pllakosur Malin e Zi për dekada. Që atëherë, ai ka marrë kërcënime serioze me vdekje nga mafia e fuqishme e drogës në vend – dhe për këtë arsye është nën mbrojtjen e fortë të policisë gjatë gjithë kohës.

Mali i Zi |  Dritan Abazovic dhe Milo Gjukanoviç

Por në koalicionin shumëngjyrësh anti-Gjukanoviq që ka qenë që nga fundi i vitit 2020, Abazoviq ishte në gjendje të afirmohej vetëm në një masë shumë të kufizuar me projektet e tij. Në vend që të ndiqte politika reformash, koalicioni u përfshi në mosmarrëveshje rraskapitëse mbi marrëdhëniet me Serbinë dhe kishën e fuqishme ortodokse serbe në Mal të Zi. Në fillim të vitit 2022, pakënaqësia me mungesën e vullnetit për reforma, por edhe frika nga rënia e tij politike, i dha Abazoviqit idenë e shkëlqyer të ngritjes së mosbesimit ndaj qeverisë së tij dhe të formimit të një kabineti pakicë – me veten si kryeministër dhe të mbështetur nga Milo Gjukanoviqi, deputetët e partisë politike thellësisht të korruptuar, me të cilin dikur kishte përjashtuar çdo bashkëpunim.

Marketing apo angazhim i vërtetë?

Ky kabinet, në detyrë që nga fundi i prillit 2022, në fakt duhet të përgatisë vetëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare pranverën e ardhshme. Megjithatë, Abazoviq njofton masa drastike kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi. Shumë vëzhgues dyshojnë nëse kjo mund të ketë sukses. “Unë nuk mendoj se Dritan Abazoviq do të ketë shumë pushtet, sepse ai vazhdimisht ka nevojë për mbështetje nga DPS dhe parti të tjera”, tha për DW Vanja Caloviq-Markoviq, aktivistja më e njohur kundër korrupsionit në Mal të Zi dhe kryetare e organizatës për të drejtat civile MANS.

Mali i Zi Politika l Presidenti Milo Gjukanoviç

“Mbijetesa politike e qeverisë së tij varet nga strukturat që janë thellësisht të përfshira në korrupsion dhe krim të organizuar”, tha Caloviq-Markoviq. “Abazoviq bëri kompromis me regjimin e mëparshëm dhe solli në pushtet strukturat e korruptuara praktikisht pa zgjedhje. Prandaj, unë besoj se deklaratat e tij mbi luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë më shumë marketing politik sesa një angazhim i vërtetë për vendosjen e shtetit të së drejtës”.

Skepticizëm shpreh edhe publicisti Zheljko Ivanoviq. “Abazoviq është shumë i guximshëm dhe i vendosur për ta luftuar krimin e organizuar”, thotë ai. “Por ai ende nuk ka një ekip për shumë projekte, ai vepron si i vetëm. Ai është gjithashtu i ri dhe ndonjëherë naiv. Pra pyetja është se si do t’i mbijetojë lojërave të pista politike të Milo Gjukanoviqit dhe partive të vjetra”. / KultPlus.com

Me këngë e valle shqipe, Dritan Abazoviq feston fitoren në Ulqin (VIDEO)

Koalicioni “Për një fillim të ri” që udhëhiqet nga lëvizja URA e Dritan Abazoviq ka shpallur fitoren e komunës së Ulqinit në zgjedhjet e pjesshme lokale që u mbajtën këtë të dielë, 27 mars 2022.

Lideri i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, tha se koalicioni “Për një fillim të ri” (URA, PD, SD, SDP dhe AA) ka arritur fitore absolute në zgjedhjet lokale në Ulqin.

Ai tha se Ulqini ka kryetar të ri – Omer Bajraktarin.

Ky moment është shënuar me vallëzim e fishekzjarrë, teksa është publikuar edhe video ku Abazoviq ia hedh valles me këngë shqipe.

Sipas të dhënave paraprake ky koalicion që udhëhiqet nga lëvizja URA e Dritan Abazoviç ka marrë 15 mandate në Këshill i ndjekur nga DPS dhe BS nga 6 mandate.

Në Ulqin morën pjesë pesë lista zgjedhore dhe në 38 vendvotime votuan 20.392 votues.

Të dhënat e Malit të Zi Demokratik për 93 për qind të votave të përpunuara tregojnë të njëjtat rezultate zgjedhore

Abazoviq është mandatar për kryeministër në Mal të Zi dhe ai ka thënë se do të votohet në Kuvend brenda dy javëve të ardhshme. /KultPlus.com

Abazoviqi pas takimit me Kurtin e Osmanin: E kaluara të lihet prapa, e ardhmja të ndërtohet në paqe

I nominuari për kryeministër të Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka thënë se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një imazh të ri.

Kjo deklaratë e Abazoviqit erdi pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalisë në Turqi.

“Po i forcojmë marrëdhëniet tona fqinjësore bazuar në respekt të ndërsjellë. E kaluara të lihet prapa dhe të krijohet e ardhmja në bazë të vlerave paqësore universale”, ka shkruar Abazoviqi në Twitter. /KultPlus.com

Presidentja Osmani takon Dritan Abazoviq, diskutuan për bashkëpunimin mes dy vendeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me mandatarin për krijimin e qeverisë së re në Mal të Zi, Dritan Abazoviqin.

Osmani e Abazoviq janë duke marrë pjesë në Ditën e dytë të Forumit për Diplomaci, i cili po mbahet në Antali të Turqisë, përcjell Klankosova.tv.

Lajmin për takimin e tyre e ka dhënë vet Osmani, përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, ku tha se disktuan për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve.

“Diskutuam rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve tona tashmë të shkëlqyera fqinjësore dhe potencialin e jashtëzakonshëm për të avancuar më tej bashkëpunim në dobi të popullit tonë”, ka shkruar Osmani./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti dhe Dritan Abazoviq takohen në Turqi (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me mandatarin për krijimin e qeverisë së re në Mal të Zi, Dritan Abazoviqin.

Takimi i tyre ka ndodhur në Antali të Turqisë, aty ku të dy po marrin pjesë në Ditën e dytë të Forumit për Diplomaci, përcjell Klankosova.tv.

Pamjet gjatë përshëndetjes së tyre, janë publikuar nga aktivisti i Vetëvendosjes në Ulqin, Bledar Nelaj.

Aty shihen Kurti dhe Abazoviq teksa bëjnë një bisedë të shkurtër./ KultPlus.com