Sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të shfaqet premiera “Udhëtim i gjatë drejt natës”, i regjisores, Iliriana Arifi, shkruan KultPlus.
Në këtë shfaqje e cila sonte vjen premierë në Teatrin Kombëtar, luajnë aktorët: Ernest Malazogu, Arta Selimi, Allmir Suhodolli, Don Shala dhe Florie Bajoku.
Kjo shfaqje ndriçon rrugën drejt shërimit dhe ofron një mesazh të fuqishëm shprese në mes të netëve më të errëta.
Shfaqja sontë fillon në ora 20:00, kurse reprizat jepen më 1, 2 dhe 3 qershor në ora 20:00, në Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar të Kosovës./KultPlus.com
Nesër do të shfaqet premiera e një prej filmave ikonë “Gjeneral Gramafoni” që është restauruar në qendrën “Dabimus srl” në Bari.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila shprehet se, “restaurimi i këtij filmi u bë falë bashkëpunimit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filimit dhe Fondazione Gramsci di Puglia në kuadër të projektit “Për një rrjet institucionesh kulturore midis Pulias dhe Shqipërisë dhe nesër filmi do të shfaqet në Cineplexx (TEG)”.
Së bashku me premierën e filmit, tha Margariti, do të promovohet edhe libri i shkruar nga Ester Gjika “Film pas filmi – unë e bija e…”, si dhe një performancë e kabasë në klarinetë, interpretuar nga trio virtuoze: Sokol Bimi: Klarinetë, Fatmir Lela: Llahutë; Ronaldo Deda: Violinë.
Ministrja tha se, restaurimi digjital i filmit “Gjeneral Gramafoni” u realizua në qendrën Dabimus srl në Bari, nën drejtimin e profesorit Nicola Barbuti.
“Gjeneral Gramafoni”, konsiderohet një film ikonë nën regjinë e të madhit Viktor Gjika, me skenar nga Vath Koreshi dhe muzikë nga Aleksandër Peçi.
Procesi i restaurimit të filmave të vjetër shqiptarë ka nisur para disa viteve, ku janë realizuar disa nga prodhimet më të mira shqiptare si “Përrallë nga e kaluara”, “Nëntori i dytë”, “Tana”, “Vdekja e kalit”, “Vitet e pritjes”, etj./atsh/KultPlus.com
Filmi shqiptar ‘Virgjëresha Shqiptare’ do të ketë premierën në Gjermani më 9 shkurt 2023, përcjell KultPlus.
Por, mbrëmë, ekipi i filmit ka festuar premierën e filmit në Gjermani ku kanë përjetuar një eksperiencë plotë ngrohtësi e në prani të komunitetit shqiptar.
Rina Krasniqi, aktorja e cila luan rolin kryesor në këtë film, përmes një statusi në rrjetin social facebook, është shprehur se ky ishte një nder dhe privilegj, teksa falënderon mbështetjen e komunitetit shqiptar.
“Një nder dhe privilegj. Një shtëpi plot dhe një eksperiencë plot ngrohtësi teksa festuam premierën e filmit tonë në Gjermani, duke e përfunduar atë me praninë dhe mbështetjen e komunitetit tonë madhështor shqiptar, të cilin i falënderoj thellësisht për mbështetjen e tyre të pandarë! Për ekipin tim dhe kastin tim, shtylla kurrizore e këtij projekti. Ndiqeni filmin që shfaqet në Kinemanë Gjermane duke filluar këtë të enjte më 09.02. / KultPlus.com
Kryefjala e mbrëmjes së sotme do të jetë premiera e filmit “Policë për kokë”.
Me regji të Aldo Markut, “Police për Kokë” është një film i zhanrit aksion-komedi që sonte do ta ketë premierën në Prishtinë në kinemanë Cineplexx në Albi Mall në ora 19:00.
Pjesë e kastit janë aktorët e njohur si: Nik Xhelilaj, Olsi Bylyku, Eva Murati, Besnik Tafallari, Arben Bajraktaraj e të tjerë.
Më date 11 janar, filmi pati premierën në kinema “Millennium” në Tiranë, me mbi 350 të ftuar nga bota e artit, kinemasë e medias në Shqiperi dhe Kosovë.
Rreth filmit
Një valixhe me një përmbajtje shumë delikate, grabitet në mes të ditës nga një grup mafioz. Xhino dhe Maks, dy detektivë të caktuar në mënyrë rastësore të punojnë me njëri tjetrin, kanë shumë pak kohë të zbardhin të vërtetën e ngjarjes dhe të zbulojnë se kush është mafiozi që fshihet pas grabitjes, si dhe përmbajtjen sekrete të saj.
Xhino është një djalë i ri, i cili ka 2 muaj që punon në forcat policore, si oficer policie dhe sapo ka nisur karrierën e tij.
Një ngjarje kriminale në qytet trondit forcat policore të cilat vendosen në lëvizje për të gjetur autorët. Shefi i policisë do ta vendosë Xhinon si partner me Maksin, një detektiv i sertë dhe me përvojë.
Të dy do kalojnë një seri aventurash dhe zbulimesh, ku ndërthuren mafia, pushteti dhe korrupsioni.
Filmi po shfaqet në të gjitha kinematë në Shqipëri dhe Kosovë, me pas dhe në shtete si Zvicra, Anglia e të tjera. / KultPlus.com
Filmi “Përtej Territ” nën regjinë e Donjeta Mejtanit, vjen premierë sonte në Kino Armata, përcjell KultPlus.
Në film flitet për tri gra të guximshme kosovare që rrëfejnë historitë e jetës së tyre se si i mbijetuan abuzimeve e dhunës, mirëpo rastet e tyre mbesin të neglizhuara ndër vite dhe të pazgjidhura si duhet nga institucionet e shtetit të Kosovës. Ndërkohë që akoma presin ndihmën që u takon, ato japin detaje të luftës së tyre për shpëtim dhe kërkojnë që drejtësia të vihet në vend.
Megjithatë, për të ngritur zërin hapurazi rreth sfidave nëpër të cilat kaluan, u kërkua guxim, dhe ato shpresojnë se guximi i tyre për të dalë prej territ në dritë do të ketë jehonë në shoqërinë dhe institucionet kosovare.
Prodhuar nga Katarzë Film, filmi vjen premierë sonte, më 29 nëntor, nga ora 19:00 në Kino Armata.
Pas shfaqjes së filmit do të ketë panel diskutimi. / KultPlus.com
Producentja dhe aktorja, Ftesa Hazrolli, ka arritur që të realizojë filmin e saj të parë të metrazhit të gjatë në Turqi, shkruan KultPlus.
Filmi “Lütfen Cevap Veriniz”, të shfaqet si premierë botërore në “Antalya Golden Orange Film Festival”, në garën kryesore apo main competition, pra, në edicionin e 59-të të këtij edicioni.
Festivali do të mbahet nga datat 1 deri në 8 tetor.
Ajo ka lindur në Prizren në vitin 1997, nga prindër shqiptarë të Kosovës. Ajo ka tre vjet që studion në Gjimnazin Loyola dhe më pas ka ndjekur Akademinë e Arteve në, aktrim dhe dramë në Prishtinë për katër vjet. Ajo luajti në shumë filma të shkurtër dhe shfaqje teatrale, ndërsa Hazrolli vazhdoi studimet master për regji dhe produksion në Stamboll, tani është duke bërë karrierën e saj në Stamboll, Turqi. Ajo krijoi kompaninë e saj të prodhimit të filmit të quajtur “Film Station”. Film Station është kompani e prodhimit dhe distribucionit të filmit nga Kosova me seli në Stamboll. Filmi i saj i parë me metrazh të gjatë është: Titulli origjinal / anglisht: LCV (Lütfen Cevap Veriniz) / RSVP
Logline i filmit:
Një orë para ceremonisë së dasmës së tyre në një hotel prestigjioz, Ceren dhe Semih fillojnë të dyshojnë në veten e tyre kur burri më i mirë Mert fillon të zbulojë sekrete nga e kaluara.
Synopsisi i filmit:
SYNOPSIS
Semih dhe Ceren janë gati të martohen. Një orë para fillimit të ceremonisë, ne gjejmë Semih dhe Mert (njeriu më i mirë) në dhomën e hotelit, ku Semih bën përgatitjet e tij të fundit. Mert është shoku më i mirë i Semih. Ata u njohën për herë të parë gjatë Work & Travel, ku miqësia e tyre u forcua. Megjithatë, në ditën e tij të rëndësishme, Mert sillet i shqetësuar, duke pyetur Semih nëse ka bërë zgjedhjen e duhur. Pikërisht në atë moment Ceren nxiton në dhomë, e tërbuar nga gjithë zhurma që vjen me dasmën. Vizita e Ceren e shtyn Mertin të jetë më provokues dhe gradualisht ai fillon të marrë në pyetje çiftin për besnikëri. Kjo pyetje krijon një atmosferë të tensionuar mes të treve, duke zbuluar shpejt marrëdhënien e fshehtë mes Semih dhe Mert. Ceren, e habitur duke dëgjuar këtë, mendon të anulojë dasmën – diçka që Mert e ka dëshiruar fshehurazi. Megjithatë, ky nuk është një vendim i lehtë, duke lënë që të tre të diskutojnë gjatë orës së ardhshme me diskutime bëhen më të ndezura pasi mësojmë se edhe Ceren e ka tradhtuar Semihun dhe se tani ajo është shtatzënë edhe pse pretendon se babai është Semih. Pavarësisht të gjitha sekreteve dhe gënjeshtrave, Semih dhe Ceren vendosin të ruajnë imazhin e çiftit të lumtur dhe dalin nga dhoma të kapur për dore për t’u martuar, duke lënë Mertin vetëm pas.
Ekipi i filmi:
Aktorët: Ushan Çakır, Melisa Şenolsun, Cem Yiğit Üzümoğlu. (ata janë kaq të famshëm në Turqi dhe Platforma Netflix) Regjisori: İsmet Kurtuluş & Kaan Arıcı Skenari: Erdi Işık Producent: Feri Baycu Güler, Ftesa Hazrolli. /KultPlus.com
Studio e Baletit ”Angels” do të ketë premierën e shfaqjes ”Cinderlla” me 20 qershor të këtij viti, përcjell KultPlus.
”Cinderella” do të ketë premierën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 18:00.
Koreografia e kësaj shfaqjeje është realizuar nga Vlora Prizreni dhe Isa Beg Gjocaj, me asistent Sead Vuniqin. Kurse muzika është nga Sergei Prokofiev, ndërkaq kostumet janë punuar nga Shpresa Lladrovci. / KultPlus.com
Premiera e katër filmave të metrazhit të shkurtër do të shfaqet me rastin e Ditës së Fëmijëve, me ç’rast do të trajtohet tema rreth ngacmimeve dhe konflikteve brenda institucioneve edukativo-arsimore në Kosovë, shkruan KultPlus.
Filmat si: ‘Ciklik’ nën regjinë Doki Qerimi me skenar të Pashtrik Brahaj dhe Florent Kurtalani, ‘Zyra nr.2’ nën regjinë e Elhami Gjeli me skenar të Brikena Sopi, ‘WC’ nën regjinë e Loreta Berbatovci me skenar nga Pashtrik Brahaj, ‘Pasqyrë’ nën regjinë e Ermal Duli me skenar të Brikena Sopi, nesër do të shfaqen në Kino Armata duke filluar nga 20:00.
Në ekipën artistike përfshihen: Anisa Ismaili, Arben Bajgora, Avdullah Gjikokaj, Besart Zeneli, Eli Gashi, Lirie Bytyqi, Vesa Potera, Yzeir Meha, Sindi Sadrija, Shkëlqesa Salihu, Gëzim Hasani, Agron Demolli dhe Dijart Dyla, Olti Kaçiu, Art Berisha, Ervin Aliu, Donat Kaçiu, Ledri Kaçiu, Lendita Humolli, Rrezona Hajvazi, Donarta Uka, Erzë Uka, Adelina Makolli, Edona Osmani, Shkëlqim Hyseni, Amir Qamili, Ermir Qamili dhe Enes Duli.
Kjo ngjrarje organizohet me mbështetjen e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë dhe në koordinim me aktivitetet e Komunës së Prishtinës dedikuar Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve. / KultPlus.com
“Të vërtetën mund ta fsheh gjuha, por jo sytë”, kishe thënë dikur Mihail Bulgakov. Dimensioni i përçimit të mesazheve prej syve varion sipas gjendjes reale. Në rastin e paqes, ato shpërfaqin shpirtin njerëzor, në mesin e luftës ato dëshmojnë frikën e njeriut, shkruan KultPlus.
Premiera e shfaqjes “Koleksionisti i syve” në Teatrin Kombëtar të Kosovës dje shpalosi kujtesën kolektive të frikës të viktimave të Ballkanit, gjegjësisht të Kosovës dhe Bosnjes.
Skenari i shkruar nga Ag Apolloni dhe me regjinë e Ben Apollonit mjaftoi të jetësohej vetëm me një aktor, i cili nëpërmjet interpretimeve artistike të tij shpalosi monologjet e një agresori me viktimat e tij.
Pavarësisht pse ishte i vetëm, aktori Agron Shala në skenën e vogël të Teatrit duke hyrë në botën e Stefanit, dëshmoi se barra e veprimeve të së kaluarës më së shumti paguhet dhe ndjehet vetëm.
Në mes të një jete që kishte lënë trauma te këta dy popuj, dëshirave të papërmbushura seksuale dhe vetmisë së thellë shpirtërore, Stefani ishte kthyer në një ‘tranzit’ mes të shkuarës dhe të tashmes.
Në muret e dhomës së tij dhe vjerrun në tavan, qëndronin sytë e 4998 viktimave që ai ua kishte marrë jetën, teksa mungonin edhe dy prej tyre. Në mes të çnjerëzores për të shfarosur një popull vetëm për shkak të etnisë dhe traumave që kanë lënë veprimet barbare në brendinë e tij, ai mbetet një ‘viktimë’ e viktimave të tij.
Nga të gjithë të pafajshmit që ua kishte marrë jetën, më e veçanta mbetet Mira, e dashura e tij që kurrë nuk e kishte arritur plotësisht. Dashuria në versionin e Stefanit shkon deri te vetmohimi i tjetrës, vetëm pse nuk është në krahët e tij. Madje, kur nuk mund të arrihet ‘rrëmbimi’ i shpirtit të saj, ai e mashtron veten se kafka, sytë e mbetjet e tjera kockore kanë më shumë vlerë se kjo e para.
Aktori Shala arriti të interpretoj fuqishëm shpirtëroren njerëzore, duke e jetësuar Stefanin me përplot të qeshura ironike, teksa zemra në brendi i qante.
Për regjisorin Ben Apolloni, përveç rrëfimit emocional që kjo shfaqje ka, “Koleksionisti i syve” mbetet i veçantë për shkak që skenari është i shkruar nga vëllai i tij, profesori Ag Apolloni.
“Pas 17 vitesh, prej se e kam lexu për herë të parë, pata mundësinë sonte që leximin tim të “Koleksionisti i syve” ta ndaj edhe me publikun”, tregon regjisori me nostalgji.
Në anën tjetër, Ag Apolloni e kishte shkruar këtë skenar përgjatë kohës së studimeve, teksa njeriu i parë që e kishte lexuar rrëfimin kishte qenë pikërisht Ben Apolloni, i cili e solli një premierë të re në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
“Shfaqja shkoi mirë, shpresoj që idetë tona, të autorit e të miat, të kenë qenë të qarta për publikun”, uron Ben Apolloni.
“Koleksionisti i syve” mbetet një shfaqje, rrëfimi i së cilës ka nevojë të ndërkombëtarizohet për shkak të shpalosjes artistike të të kaluarës së dhimbshme. / KultPlus.com
“Kthimi i Karl Majit – Shfaqje argëtuese për popullin gjerman”, jepet premierë nesër (16 tetor), nga ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Reprizat e radhës të kësaj shfaqje do të jepen me datë 17 dhe 30 tetor. Shfaqja është bashkëprodhim mes Qendrës Multimedia nga Prishtina, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe teatrit Volksbühne të Berlinit.
Nën regjinë e Blerta Nezirajt, në shfaqje luajnë aktorët e mirënjohur: Arta Muçaj, Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpetim Selmani. Tekstin e dramës e ka shkruar Jeton Neziraj, skenografinë dhe kostumet Jelisaveta Tatić Čuturilo, koreografinë Gjergj Prevazi, kompozimin e muzikës Gabriele Marangoni, kurse dramaturg dhe bashkëpunëtor artistik është Alban Beqiraj.
Rreth shfaqjes:
Shfaqja “Kthimi i Karl Majit” e konfronton publikun me qasjen gati demonizuese të Evropës Perëndimore ndaj Lindjes – superioritetin e supozuar kulturor, politik e intelektual të saj ndaj Lindjes – për të cilën Aleksandar Hemon thotë se i ka rrënjët thellë në kolonializëm dhe racizëm.
Në shfaqjen tonë, Kara Ben Nemsi, personazhi i njohur i librave të Karl Majit, arratiset nga Lindja dhe bashkë me një grup aktorësh nga Kosova, ia mësynë ‘tokave gjermane’. Në këtë udhëtim gati epik, ai takon Slavoj Zhizhekun, Piter Handken, një pjesëtar të Nëntokës Nacional-socialiste (Nationalsozialistischer Untergrund) e personazhe të tjera.
Në njërën anë një perëndim i idealizuar, çerdhe e dijes, shkencës, kulturës e civilizimit, me katolikë që mbajnë fjalën, të shkathët e të mençur, kurse në anën tjetër një lindje ekzotike, despotike, me njerëz të pagdhendur, të padinjitetshëm, hajdutë e myslimanë që Zot kanë plaçkën – kjo është pjesë e trashëgimisë letrare në disa prej romaneve të shkrimtarit kult gjerman, Karl Maji.
Cili është ndikimi i kësaj krijimtarie letrare në perëndim sot – veçanërisht në tokat gjermanike, prej nga dhe vjen Maji?
Shfaqja i bënë një skanim Evropës së tanishme, vlerave të saj të supozuara kulturore e civilizuese, demokracisë së proklamuar si “të shenjtë”, dhe e cila, në babelin e letrave burokratike të EU-së na vjen në variantin e garës muzikore Eurovizion – pra si një Evropë e dashurisë, e harmonisë, e shkëlqimit e diversitetit, por që në thelb, e në realitet, është edhe një Evropë arrogante, eurocentriste, madje raciste, me ndjenja anti-muslimane e anti-lindje! Është një Evropë e shkëlqimit nga jashtë, por që nga brenda gëlon nga paragjykimet!
Përderisa Karl Maji dhe shkrimet e tij mund të ‘shfajësohen’, me arsyetimin se ai ka jetuar në një shekull të padijes, të errësirës dhe të mundësive të kufizuara të komunikimit e qarkullimit të informatave, si mund të amnistohet e justifikohet një autor si Peter Handke? Një autor bashkëkohës i yni, që mohon gjenocidin në Bosnjë, dhe i cili për qëndrimet e tij fashiste merret në mbrojtje nga shumë intelektualë e gazetarë evropian (në emër të lirisë krijuese, natyrisht), dhe për më tepër kontributi i tij (jo vetëm letrar) njihet e vlerësohet, jo më vetëm me Ibsen Award, por edhe me Çmimin Nobel!
Ja, ky është bilanci i një Evrope që pos katër lirive dhe barazitarizmit, vetvetes është duke i projektuar edhe një anë tjetër me të ardhme të zymtë, të errët madje. Trumpët evropianë janë në ardhje e sipër! Sipari është hapur, rruga e tyre është duke u shtruar, bukur, me lajle-lule, edhe letrare madje! Fjalimet e Handkes & Co janë aty, për ata në ardhje që do të duan të bëjnë një “Let’s make Europe great again”, një Evropë nga e cila Kara Ben Nemsët e rinj do të nisen sërish, jo me kuaj, por ndoshta me tankse tani, për të eksploruar, edukuar e civilizuar lindjen barbare – dhe çdo lindje tjetër që nuk është si perëndimi i tyre. Kuptohet, edhe në Lindje po kështu lulëzojnë frustrimet dhe racizmi ndaj refugjatëve ballkanas dhe atyre të botës së tretë. /KultPlus.com
Një nga emrat më aktiv në muzikën korale në Kosovë, kompozitori dhe dirigjenti Memli Kelmendi ka një opus të pasur sa i përket kompozimeve të veprave, shumë prej tyre janë luajtur në vende të ndryshme të botës, e të tjera po presin që shumë shpejt të dëgjohen në skena të mëdha, shkruan KultPlus.
Vepra “Dies Lunae” për piano, e selektuar në konkursin “7 Notes in 7 Days at 7pm” do të interpretohet të hënën si premierë botërore nga pianistja e njohur Maria Marchant (Award-winning concert pianist). Vepra do të interpretohet në Blüthner Piano Centre, Londër më 17 Gusht në ora 19:00.
Maria Marchant është pianiste e vlerësuar lartë nga BBC, A BBC Music Magazine Rising Star, ‘In Tune’ and ‘Record Revieë’, WMNR Radio, Classic FM dhe kritikë të shumtë të muzikës si; Roderick Williams, OBE, Graham Rickson, Arts Desk, Nick Barnard, Music Web-International etj.
Maria Marchant ka interpretuar në vendet më të njohura të vendit dhe jasht saj duke u bërë kështu fituese e shumë garave për piano. Ajo gjithashtu fitoi Medaljen e Artë dhe Prmimin e Parë në Konkurrencën Ndërkombëtare Hindemith, Berlin, dhe u zgjodh si artiste në skemat Concordia, Tillett Trust dhe Park Lane Group që rezultuan në paraqitjet Wigmore dhe Southbank.
Pikërisht kjo pianiste, tashmë do të luaj një ndër veprat e kompozitorit shqiptar, i cili teksa ka ndarë lajmin me ndjekësit e tij në Facebook, është shprehur tejet i lumtur për këtë fakt. / KultPlus.com
“Fusha e mëllenjave”
me skenar dhe regji të Arzana Krajës, do të hapë zyrtarisht edicionin e 11-të
të PriFest, sot, më 16 korrik, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, përcjell
KultPlus.
Filmi “Fusha e
mëllenjave” është prodhim i shtëpisë kinematografike Circle Production (Kosovë
– Besnik Krapi) në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe Action Production
(Shqipëri-Gerta Qurku). Ky film është përkrahur nga Qendra Kinematografike e
Kosovës dhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Shqipëri.
Në rolet kryesore
janë: Shkumbin Istrefi, Astrit Kabashi, Melihate Qena, Abdinaser Beka, Ilire
Vinca, Art Lokaj, Çun Lajçi, Xhevat Qorraj, Adem Karaga, Irena Cahani, Xhevdet
Doda, Shengyl Ismajli, Ilir Prapashica.
Syla, një ish-i burgosur politik, kthehet në Kosovë pas 25 vjetësh. Në përballje me të shkuarën ai do të kërkojë arsyen e vërtetë të dhimbjes së tij. / KultPlus.com
“Back for Good”, është filmi i zhanrit tragjiko-komik, që është realizuar nga regjisorja Mia Spengler, ndërsa në kastën e aktorëve të këtij filmi gjerman është edhe aktori shqiptar Ilir Rexhepi, shkruan KultPlus.
Në këtë film që luajnë aktorë të njohur të kinematografisë gjermane si: Kim Riedle, Juliane Köhler, Leonie Wesselow, Nicki von Tempelhoff, Robert Gallinowski, Emma Drogunova, aktori shqiptar Rexhepi, do të sjellë personazhin e një menaxheri të sigurimit.
“Back for Good”, do ta ketë premierën sonte në Stuttgart ndërsa nga data 31 maj do të shfaqet në rrjetin e kinemave gjermane, njofton agjencia e lajmeve gjermane “DPA”.
Xhirimet e këtij filmi kishin përfunduar në vitin 2016 ndërkaq ngjarja zhvillohet me protagonisten Angin, një yll të famshëm televiziv e cila për ta vazhduar karrierën e saj vendos të tërhiqet nga përdorimi i drogës. Ajo nuk ka tashmë menaxher, as shoqëri dhe as banesë, prandaj vendosë që për rehabilitim të kthehet në fshatin e saj të lindjes, ku atje jetojnë nëna dhe motra e saj…
Filmi është shfaqur edhe në Berlinale 2017-të, ndërsa ishte i nominuar edhe për filmin më të mirë gjerman 2018-të./ KultPlus.com
Kanë mbetur edhe tri ditë nga premiera e shfaqjes “Natën, Má”, në Teatrin Metropol në Tiranë.
Shfaqje sjellë dramën fituese të çmimit Pulitzer dhe të çmimit të Teatrit Botëror nga autorja Marsha Norman. Drama “Natën, Má”, vjen si produksion ekskluziv dhe premierë absolute e teatrit Metropol, me regji të Ema Andreas dhe interpretimin e shkëlqyer të Ilire Vincës dhe Egla Cenos, shkruan KultPlus.
Telma, një grua në të 50-at jeton me të bijën 30-vjeçare, Xhesin në një të njëjtën shtëpi. Në një mbrëmje në dukje të zakontë, midis bisedës për manikyrin dhe pazarin e javës, papritur Xhesi zbret nga papafingoja me pistoletën e babait të saj. Ajo me qetësi i komunikon të ëmës një vendim të rëndësishëm që do të ndryshojë jetët e të dyjave. Në orën në vijim zbulohet e jashtëzakonshmja brenda jetës rutinë, urgjentja brenda normalitetit, dëshpërimi brenda dashurisë.
Muzikën për këtë shfaqje e ka bërë Bojken Lako, muzikantë do jenë Endi Aron Cekani, Rei Kondakçiu, skenografina e shfaqjes është realizuar nga Enjo Shehi kurse identiteti vizual Vincenzo Giannattasio.
Shfaqja do të ngjitet në skenë në datat 20 prill – 6 maj, në ora 19:00 në Teatrin Metropol./ KultPlus.com
Filmi “Kthimi’ i regjisorit Kastriot Abdylit vjen premierë këtë të mërkurë, më 18 prill në Cineplexx (City Mail), në qytetin e Shkupit, shkruan KultPlus.
Skenari i filmit është punuar nga Kastriot Abdyli së bashku me Isa Qosën ndërsa ky film është koproduksion i parë mes Maqedonisë dhe Kosovës, realizuar nga “Dardania Film” Shkup & “Shkupi Film” Prishtinë.
Ngjarja zhvillohet në një fshat shqiptar. Iliri, një i ri shqiptar nga Maqedonia që emigroi në Francë, ka vendosur të martohet me një franceze me emrin Sabine. Për shkak të çështjeve ligjore (Iliri hyri në Francë në një vizë të rreme) ai duhet të kthehet në fshatin e tij të lindjes për t’u martuar. Kjo duket si një mundësi e madhe për ta parë familjen e tij përsëri pas shtatë vjet mungese dhe për Sabine që të mësojë më shumë për rrënjët e tij. Sidoqoftë, vizita e tyre e papritur bëhet e tharë kur babai i Ilirit, një burrë tradicional i moshuar, e kupton se djali i tij është kthyer vetëm për t’u martuar me një grua të huaj dhe pastaj për t’u larguar, duke thyer “Besën” që ai i kishte bërë Bardhës, një vajze nga fshati i tyre. Filmi është një dramë që ngërthen kontardita mes kulturës perëndimore dhe asaj shqiptare që shkaktojnë situata komike.
Në rolet kryesore, pra në rolin e Sabine, paraqitet Delphin Depardieu , aktorja nga Franca (njëherësh mbesa e aktorit me famë botërore Xherard Depardeu). Krahas saj në rolet kryesore paraqiten Selman Lokaj, Hazir Sh. Haziri, Liridona Shehu, Safete Rogova, Sefedin Nuredini.
Drejtori I Fotografisë Vlatko Samoilovski, Kostumograf Izet Curri, Skenograf Zeni Ballazhi, Kompozitorë Memli Kelmendi, Montazhier Kastriot Saqipi dhe Blagoje Nedelkovski, Producent Ekzekutiv Simeon Damevski.
Në rolet tjera paraqiten: Xhevat Qoraj, Shkëlqim Islami , Ismail Kasumi, Labinot Lajqi, Valon Bujupi, Virus Shala, Venera Lumani, Zijadin Murtezi , Teuta Ajdini, Hamdi Rashiti ,Muqbajadin Qamili,Nikola Kumev, Avdullah Gjikoka, Ellhame Bilall, Beqir Nuredini, Shota Baraliu, Muzafer Etemi, Flerentina Ademi, Valdete Ismaili, Donika Ahmeti, Enver Halimi, Agim Sulejmani, Ramadan Malaj, Abdurahman Rahman, Shkup Abdyli, Jon Saqipi, Arb Abdyli, Rron Grajqevci, Nadire Ismaili Salihu, Burhanedin Salihu Metush Agjani, Shoqëria Kulturo Artistike “Karshiaka”.
Ky film do të shfaqet këtë të mërkurë në Cineplexx Mall në Shkup ndërsa nga 19 prilli do të jetë në repertuarin e rregullt në Cineplexx. / KultPlus.com
Mbrëmë në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, erdhi premierë shfaqja “Pasioni”, me tekst të Sabri Hamitit e regji të Martin Kočovckit, shkruan KultPlus.
Pamja e kësaj skene fillimisht vjen e mjegulluar, duke i lenë kështu të paidentifikuar personazhet e shfaqjes. Ata do të shfaqen më pas e jo dhe pak herë gjatë shfaqjes do të nisin në kor refrenin që nis me fjalët “Na duhet gjak”. Ata jetojnë në një tokë të djegur katër herë nga lufta e si e tillë qëndrojnë në plagët qindravjeçare. Në një vend ku kanë mbetur gjurmët e pashlyeshme të luftës, aty ku përditshmëria karakterizohet nga shtëpitë e djegura, fëmijë jetim e gra të përdhunuara. Në një vend në të cilin gjithçka merret si e mirëqenë, për ta përshkruar kështu masën amorfe në të cilën individët nuk kanë emra e as individualitet, një botë ku njerëzit janë shndërruar në numra përbrenda një jete virtuale, pa emocion, pa respekt e pa dashuri.
Dy vëllezër binjak qëndrojnë peng i një historie të pa rrëfyer për njëzetë vite, e në qendër të tyre qëndron nëna e tyre (Hana), e cila rrëfen vuajtjet për ta mbajtur gjallë familjen.
Regjisori i shfaqjes Martin Kočovcki tregoi për KultPlus se fillimisht ishte impresionuar nga teksti dhe kishte menduar që do të nxjerrë diçka të veçantë, por me kalimin e kohës e kishte kuptuar që teksti nuk ishte edhe aq i thjeshtë por gjatë punës me gjithë ekipin thotë se e kanë gjetur mënyrë për të sjellë diçka të veçantë.
“E gjithë shfaqja ka për qëllim të nxjerrë në pah se jeta jonë është si një rreth, ne jetojmë në kohë të paqes por gjithnjë shqetësohemi edhe për kohën e luftës. Le ta jetojmë kohën e paqes, le ta gjejmë atë që kemi brenda vetes dhe kështu mund t’i shtyjmë të këqijat që vijnë”, ishte mesazhi i regjisorit Kočovcki.
Loja e kësaj shfaqje u jetësua nga aktorët: ShkëlzenVeseli, Gresa Pallaska, Ard Islami, Arta Selimi, Shpejtim Kastrati, Ismet Azemi, Lumnie Sopi, Semira Latifi dhe Shengyl Ismaili.
Për regjisori Kočovcki, kjo është hera e dytë që punon me aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, por shfaqjet e tij kanë ardhur edhe më parë në Kosovë, gjë që ka bërë që disa nga aktorët të njoftohen me punën e tij. Ai tha për KultPlus se ndihet i kënaqur me punën e aktorëve të Kosovës dhe se ndihet i vlerësuar për ftesën që të punoj me ta.
“Përkundër që kam punuar në shumë vende të Ballkanit dhe Evropës, me sinqeritet e them se ansambli i këtyre aktorëve është një nga më të mirët, një nga tre ansamblet më të mira në Ballkan, andaj dhe e vlerësojë shumë që kam qenë i ftuar të punoj këtu me ta”, u shpreh regjisori Kočovcki.
Për aktorin Shkëlzen Veselin, kjo është hera e dytë e bashkëpunimit me regjisorin Kočovcki. Ai në këtë shfaqje e sjellë një nga rolet kryesore, atë të Ukit, një ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kalon nga mitologjia, si linjë e gjakut prej Mujës së mitologjisë e deri tek Uki. Ai tha për KultPlus se kjo shfaqje është një bashkëdyzim i mitologjisë dhe kohës moderne, aty ku ka ndodhur lufta e fundit. Ai krahas të tjerash gjatë shfaqjes ballafaqohet edhe me vëllanë, që për shumë vite e kishte konsideruar si djalë të tezës. Në këtë përballje ata kuptojnë se të dy janë të fiksuar pas të njëjtës femër.
Aktori Veseli tregoj se procesi i provave deri tek finalizimi i shfaqjes ka rrjedhë shumë mirë për kundër problemeve me hapësirën në Teatër, për shkak se kanë filluar edhe disa projekte të tjera, në të njëjtën kohë.
“Është një punë dy mujore e gjysmë, procesi ka qenë mjaft i mirë edhe për faktin se është hera e dytë që po punoj me Martinin . Të punosh me të është një ndjenjë shumë e mirë, pavarësisht lodhjes e ndjen dhe një kënaqësi për shkak se evoluon puna çdo ditë e më shumë”, tregoi aktori Veseli.
Regjisori Agim Selimi tha për KultPlus se kjo shfaqje ishte shumë e qëllueshme, ndërsa veçoi lojën e aktores Gresa Pallaska.
“Mendoj që ishte kapur thelbi i një lloj autobiografie dhe një lloj kalvari në të cilin kemi kaluar ne. Mendoj që edhe regjisori kishte arritur të krijoi një dramë prej dromcave skenike dhe ishte brilante Gresa Pallaska. Mendoj që është një shfaqje në të cilën dominoj, pa lënë anash edhe lojën e aktorëve të tjerë”, tha regjisori Selimi për KultPlus.
Repriza e parë e kësaj shfaqje vjen sonte më 20 mars, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com
Më një rrëfim të fuqishëm, kastë aktorësh kosovarë e një ekip të madh pas syrit të publiku, regjisori kosovar Besim Ugzmajli sjellë filmin e tij të metrazhit të shkurtër “Forgive me”, shkruan KultPlus.
“Forgive me” i cili para pak ditësh përfundoi do të shfaqet premierë në festivalin Manchester Film Festival, ka njoftuar vetë regjisori Ugzmjali përmes një publikimi në rrjetin social Facebook.
Një djalë i ri, i quajtur Bujar, manipulohet nga një imam kosovar që t’u bashkohet grupeve terroriste që luftojnë në Siri. Ai i bashkohet luftës tinëzisht dhe pastaj i kërkon ndihmë vëllait të tij t’ia dërgojë në Siri edhe gruan. Por vëllai tmerrohet nga veprimet e Bujarit dhe i kërkon të kthehet në Kosovë. Bujari e kërcënon gruan e tij se nëse nuk i bashkohet në Siri do të martohet me një grua që ka mbetur e ve nga lufta.
Ky rrëfim do të shfaqet në këtë festival i cili ka rezervuar datat nga 1 deri me 4 mars ndërsa filmi kosovar do të shfaqet më 3 mars me fillim nga ora 13:00. http://www.maniff.com/shorts-2018
““Forgive me”eshte premiere ne Manchester Film Festival, ku pjesmarres ne kete Festival jane edhe Sean Penn, Jodie Foster, Jonathan Meyers e shume artist te tjere”, ka shkruar Ugzmjali i cili poashtu ka publikuar edhe traileri-n e filmit.
“Forgive me” është jetësuar nga aktorët: Agron Shala, Semira Latifi, Bibi Qena, Kushtrim Asllani, Ekrem Sopi, Sherif Bega, Orik Berani, Adrian Obertinca, Kosovare Hoti.
Ndërsa drejtor fotografie në këtë film ishte Latif Hasolli, tonist Gezim Rama, kostumografe Samka Ferri…/ KultPlus.com
Nesër më 17 janar vjen premiera e shfaqje “Kosova jo ‘o’.”, me regji të Ekrem Sopit, shkruan KultPlus.
Shfaqja sjellë kërkimin e dinjitetit, të dy shokëve që të dy rreth moshës 40-45 vjeçare. Njëri emigrant në Gjermani e tjetri në Kosovë. Balerina freskon ngjarjen me lojëra të ndryshme. Bekimi dhe Linda përmes dialogut sarkastik i rrëfehen gjeneralit te varri i tij, çka po ndodhë më “Kosova-n jo, o-n”…Bazuar në Kadare, Chekhov.
Kjo shfaqje vjen nën lojën e aktorëve Makfire Miftari, Besim Ajeti dhe Ekrem Sopi.
Shfaqja vjen premierë në Amfiteatrin e American School of Kosova në Prishtinë, nesër më 17 janar me fillim nga ora 19:30./ KultPlus.com
Nesër më 22 dhjetor në teatrin Dodona, vjen premiera e shfaqjes për fëmijë “Përgjithmonë Ujku”, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje vjen bazuar ne tekstin e përrallës së autores Matter, ndërsa është përpunuar dhe përshtatur për skenë nga G.Pigor dhe I.Dragovoja.
Shfaqja vjen me regji të Ilir Dragovoja, skenografia dhe kostumet nga Theranda Sertollaj dhe I.Dragovoja ndërsa luajnë: Avni Hoti, Roza Berisha dhe Advi Azemi.
Shfaqja vjen nesër në teatrin Dodona me fillim nga ora 12:00 në sallën TQP Dodona./ KultPlus.com
Bazuar në “Gurë në xhepat e tij” nga autorja Marie Jones, së shpejti vjen shfaqja “Hollishit”, me regji të regjisorit Ilir Bokshi e producente Albulena Kryeziu, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje premierën do ta ketë në Teatrin Dodona në kryeqytet me ç’rast edhe hapet ky teatër pas renovimit, saktësisht “Skena e mbrëmjes”.
Shfaqja është një tragjikomedi për një qytezë-provincë e cila “pushtohet” nga një produksion hollivudian të cilët vijnë për të xhiruar një film. Në qendër të storjes janë Çarlli Konllon dhe Xhejk Kuin, të cilët sikurse shumica e banorëve të qytezës, janë punësuar si statistë filmi. Komedia rrjedhë nga përpjekjet e produksionit që të krijojnë një “ndjesi provinciale” -një nocion romantik, i cili shpesh bie ndesh me realitetin jetësor.
Shfaqja jetësohet nga aktorët Adrian Morina dhe Ylber Bardhi, ndërsa pas skene ka një ekip në përbërje të: dramaturg-Shkëlzen Berisha, asistent regjie-Butrint Pasha, muzika-Art Lokaj, kostumografe-Albulena Borovci e producente Albulena Kryeziu.
“Hollishit” është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Kosovës, Drejtoria për Kulture e K.K. Prishtinës dhe teatri AAB “Faruk Begolli”./ KultPlus.com
Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës sonte do të mirëpres një shfaqje të re dhe shumë të veçantë, shkruan KultPlus.
Bëhet fjalë për shfaqjen “Natë misterioze” të autorit Ferdinand Hysi, e të cilën në skenë do ta sjellë regjisor nga Kosova Ben Apolloni.
Me role në këtë shfaqje paraqiten: Suela Bako, Xhejni Fama, Gjergj Doçi, Marvin Tafaj, Mimoza Marjanaku dhe Amos Muji Zaharia.
Shfaqja ka të bëjë me katër persona nga vende të ndryshme të botës të cilët takohen për herë të parë në një stacion treni dhe aty e kuptojnë se janë të ftuar nga i njëjti person dhe do të shkojnë në të njëjtën adresë. Në shtëpinë misterioze ku hyjnë, nuk i pret askush pos territ. Ngadalë fillon të ndriçohet shtëpia dhe historia e secilit personazh dhe dikur shfaqet edhe zonja e cila i ka ftuar në ditëlindjen e djalit të saj. Zonja, një grua e çmendur nga dhembja për humbjen e djalit i terrorizon katër mysafirët e ftuar duke u kërkuar organet e djalit të saj të vdekur në një aksident, organet e të cilit ajo e di se janë transplantuar në katër trupat e mysafirëve.
“Natë misterioze” shfaqet sonte nga ora 19:00, ndërsa repriza e parë vjen të mërkurën pra më 25 tetor./ KultPlus.com
Film “The Albanian Recruit” është selektuar në festivalin Tirana International Film Festival pjesë e seleksionit Made in Albania, shkruan KultPlus.
Film flet për të rinjtë e rekrutuar në grupe kriminale ndërsa filmi vjen me skenar e regji të Sunaj Raça.
Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Edon Mulaj, Don Raca, Bekim Mulaj, Sunaj Raça, Safete Rogova, Marko Caka, Veton Osmani…
Filmi në muajin mars pritet të shfaqen shfaq premierën amerikane në Kaliforni./ KultPlus.com
Filmi “Kësulat” i cili vjen nën regjinë e Alan M. Trow është shfaqur sot premierë për herë të parë për mediat në ekranin e Kinemasë ABC. Para gazetarëve ky film shpalosi jetën e dy familjeve, shqiptare dhe asaj serbe, të cilat njihen prej kohësh dhe kanë fqinjësi të denjë, në një fshat Kosove, shkruan KultPlus.
Filmi nis me pamjet e tymit dhe flakës në shtëpitë e djegura gjatë pranverës së vitit 1999, duke treguar më pas jetesën e banorëve shqiptar dhe atyre serb , para afrimit të luftës me shpejtësi. Në fokus të filmit paraqitet fqinjësia e një mjekut të fshatit, (Albanit) i cili mjekon edhe babin e sëmurë të fqinjit të tij serb (Draganit). Mirëpo ky raport i kushton atij me kërcënime të vazhdueshme, duke u trajtuar si tradhtar nga bashkëfshatarët, e veçmas nga Besniku, një anëtar aspirues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Filmin pason me ngjarjet pas pushtimit të menjëhershëm nga ushtria serbe, ku i gjithë fshati hidhet në panik dhe eksod masiv, ndërsa në mesin e tyre edhe Dr. Albani, i cili në anën tjetër përballet me rezistencën e babit të tij (Tefikut) për të qëndruar në shtëpinë e tij, për të cilën thotë se kishte dhënë besën që nuk do ta braktis. Derisa fshati zbrazet, Tefiku dhe fqinji i tij serb dëshmojnë fqinjësinë e tyre duke ndihmuar njëri-tjetrin në momente të vështira, madje pas vdekjes së babit të fqinjit serb (Draganit), të dy e varrosin atë në dy rite të ndryshme fetare.
Për të sjellë të plotësuar ngjarjen e luftës, veçantia e këtij filmi vjen përmes gërshetimit të rrëfimeve reale brenda skenave të filmit edhe përjetimet e këtyre personazheve: Brahim Asllani dhe Rifat Ali Bilalli, nga zona e Drenicës dhe Nazim Shahin Veseli dhe Ujup Maliqi nga Zona e Podujevës. Ky gërshetim sipas skenaristit të filmit, Jim Tihofsit vjen për t’i ofruar shikuesit më afër realitetit dhe për t’i vendosur të gjitha tregimet brenda kontekstit të filmit.
Blerim Kaçiu në një konferencë për media të mbajtur sot pas shfaqjes së filmi, ku të pranishmit kishin mundësi të flasin më shumë rreth filmit, ai thotë se pika më e fortë e filmit është se sjellë baraspeshimin e të dy anëve.
“Veçantia e filmit është që nuk anon nga asnjëra anë, duke e lënë shikuesin të vendos se në cilën anë po shkon, filmi nuk e ka për qëllim orientimin nga njëra anë apo tjetra. Filmi e ka qëllimin vetëm tregimin e realitetit të luftës në Kosovë nga një këndvështrim më i baraspeshuar” , ka thënë Kaciu.
Në rolet kryesore në këtë film janë: Selman Jusufi, Bislim Muqaj, May-Linda Kosumovic, Ismail Kasumi, Fatime Sefaj, Jimi Tihofsi, Meli Qena, Labinot Lajçi, Furtuna Aliu, Avni Abazi, Besfort Daka dhe Nuhi Matoshi.
Ismail Kasumi i cili në këtë film është paraqitur në rolin kryesor të mësuesit serb (Draganit) tregon për vështirësitë sa i përket përdorimit të gjuhës serbe.
“Unë e kam pasur më të lehtë për shkak se jam nga Maqedonia , mirëpo gjuha maqedonase ka shumë dallime me aksentin dhe gjuhen serbe, mirëpo fatmirësisht me ndihmën e disa kolegëve dhe disa shokëve dhe shoqeve serbe , të cilët më kanë ndihmuar në aspektin e realizimit të gjuhës dhe ndihmën e producentit Blerim Kaçiut e cili e flet mirë gjuhën serbe besoj që jam kam dalë mjaft mirë”, ka treguar Kasumi.
Duke filluar nga sonte, filmi do të shfaqet për një javë rresht në repertorin e rregullt të Kinemasë ABC, çdo ditë në ora 20:00.
Distribuimi i këtij filmi është bërë në Kosovë dhe ky film do të shfaqet edhe në disa qytete të tjera të Kosovës, nga e hëna në Prizren ndërsa me datë 24 tetor në Mitrovicë. Premiera në Angli vjen me datën 4 nëntor. / KultPlus.com