Lorik Cana zbulon udhëtimin me Macron: Si i mësova të flas shqip (VIDEO)

Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare, Lorik Cana ka shoqëruar presidentin francez Emmanuel Macron gjatë udhëtimit të tij në vendin tonë dy ditë më parë.

Në  një intervistë për Euronews Albania, ai theksoi se me Macron në avion qëndroi rreth 30 minuta ku shkëmbeu një pjesë të historisë dhe kulturës shqiptare.

Ka qenë Cana ai që e ka ndihmuar për të mësuar pak shqip, presidentin Macron, i cili hapi fjalimin në Tiranë, pikërisht me gjuhën tonë.

“Shumicën ca kishte për të thënë e kuptuam dhe  pse jo një shqipe aq të patër. Në krahasim me sa kur fillova me e mësuar dhe me e stërvit, ishte një nxënës  i jashtëzakonshëm dhe shumë i përkushtuar. Besoj se ia ka dalë më së miri. Duke qenë se ishte vizita e parë historike e  një presidenti francez në vendin tonë, në protokollet e tyre ka delegacionin zyrtar që e shoqëron dhe kjo bëhet me propozimet që bëhen nga zyrtarë. Ishte presidenti që kishte pasur një dëshirë shumë të madhe që të jem pjesë e këtij delegacioni zyrtar francez në vendin tonë dhe sigurisht për mua ishte një kënaqësi që ta pranoja këtë ftesë.

Ishin 20 orë të  ngarkuara por shumë të rëndësishme për marrëdhënien e dy palëve. Pata mundësinë që gjatë dy orëve me Macron të ndava 30 minuta me të.  Ai është tifoz i  çmendur pas futbollit. Ai ishte i interesuar që të dinte se çfarë bëja unë. Ishte shumë kurioz të dinte për historinë dhe identitetit shqiptar. Pastaj filluam me nisjen e fjalimit që  do të mbante në Tiranë”-tha Cana./EuroNews/KultPlus.com

Osmani uron Macron-in për rizgjedhjen president: Mbështetja e Francës është kyçe për rrugën tonë të qëndrueshme euroatlantike

Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet presidenciale në Francë.

Rezultatet në zgjedhjet presidenciale franceze kanë dalur dhe presidenti aktual Emmanuel Macron, i cili ishte favorit për të fituar, ka siguruar një mandat të dytë me 58% të votave, tregojnë projeksionet.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përgëzuar presidentin Macron, duke thënë se pret me padurim forcimin e bashkëpunimit dhe thellimin e marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe

“Unë e përgëzoj Presidentin Emmanuel Macron për rizgjedhjen e tij sonte.
Pres me padurim forcimin e bashkëpunimit dhe thellimin e marrëdhënieve tona të shkëlqyera dypalëshe.
Mbështetja e Francës është kyçe për rrugën tonë të qëndrueshme euroatlantike.”, ka shkruar Osmani në Twitter./ KultPlus.com

Macron: Kushtet e Putinit janë të papranueshme

Presidenti i Francës Emanuel Macron ka thënë sot se kushtet e vëna nga presidenti rus, Vladimir Putin, për arritjen e armëpushimit në Ukrainë, nuk janë të pranueshme.

“Nuk shoh zgjidhje diplomatike në orët apo ditët në vijim”, ka thënë Macron, gjatë një bisede me gazetarë në Versajë, përpara një samiti të liderëve të Bashkimit Evropian, që do ta adresojë pushtimin rus të Ukrainës, zgjidhjen për rritjen e vazhdueshme të energjisë elektrike dhe pavarësimin nga furnizimi me gaz e naftë ruse.

Putin i kishte prezantuar Macronit kushtet për zgjidhjen e situatës në Ukrainë, që përfshinin çmilitarizimin dhe denazifikimin i Ukrainës, statusin e saj neutral dhe njohjen e Krimesë ruse nga Kievi.

Macron nuk ka shfaqur shpresa se një marrëveshje armëpushimi do të arrihet në Ukrainë gjatë orëve në vijim.

“Definitivisht, jam optimist por më duhet të jem gjithashtu edhe realist”, ka thënë ai.

Macron ka folur edhe për kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të shpejtë në BE.

“Me një shtet në luftë? S’ma do mendja… por a duhet ta mbyllim derën dhe të themi ‘kurrë’? Kjo do të ishte e padrejtë”, ka thënë Macron.

Sipas Macron, lufta në Ukrainë “është tragjedi njerëzore, politike dhe humanitare”.  Ai ka thënë se kjo ngjarje do të çojë në ridefinimin e pozicioneve dhe politikave në Evropë. / KultPlus.com

Josephine Baker, e para grua me ngjyrë që do të përjetësohet në Pantheon

Josephine Baker, kërcimtarja, këngëtarja dhe aktorja franko-amerikane që magjepsi Francën me shfaqjet do të bëhet gruaja e parë me ngjyrë që do të përjetësohet në mauzoleun francez të Panteonit të martën e ardhshme.

Baker do të jetë gjithashtu gruaja e gjashtë që do t’i bashkohet rreth 80 figurave të mëdha kombëtare në historinë franceze në tempullin laik në ‘’Rive Gauche’’ të Parisit.

Ajo do të jetë gjithashtu figura e parë e spektakleve që do të nderohet me një vend simbolik në shenjtëroren shekullore, vendi i fundit i pushimit të një liste të gjatë të ndriçuesve nga bota e politikës, kulturës dhe shkencës, duke përfshirë Victor Hugo, Emile Zola dhe Marie Curie.

“Panteonizimi” i superyllit të parë me ngjyrë në botë, e cila bëri fushatë për të drejtat civile së bashku me Martin Luther King, do të prehet me një grup intelektualësh që t’i jepet nderimi i rrallë pas vdekjes.

Presidenti francez Emmanuel Macron pranoi kërkesën në muajin gusht, sepse sipas tij ‘’ajo është një grua franco-amerikane e cila luftoi në një shoqëri të mbyllur…e cila është bërë mishërim i vlerave iluministe të Republikës Franceze gjatë gjithë jetës së saj’’.

Si shumë artistë me ngjyrë amerikane të asaj kohe, ajo u zhvendos në Francë për t’i shpëtuar luftës raciste. / KultPlus.com

Franca vaksinon mbi 50 milionë qytetarë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka njoftuar se numri i qytetarëve që kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID-19 ka kaluar mbi 50 milionë.

Këtë shifër qeveria franceze kishte synuar ta mbërrinte në fund të muajit gusht.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, Macron tha se “vaksina shpëton jetë, kurse virusi vret, është kaq e thjeshtë”.

Pas një fillimi të ngadaltë, Franca tani ka një nga nivelet më të larta të vaksinimit në botë.

Rreth 3,000 punonjës shëndetësorë në Francë u pezulluan nga puna, pasi nuk ishin të vaksinuar kundër koronavirusit.

Autoritetet thonë se shumica e të shtruarve në spital javëve të fundit, janë pacientë të pavaksinuar.

Që nga fillimi i pandemisë, Franca ka konfirmuar mbi 113,000 viktima nga koronavirusi. / KultPlus.com

Emmanuel Macron: Do të duhet të jetojmë me virusin

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të martën se francezët nuk do të jenë në gjendje të bëjnë udhëtime në vende të huaja këtë verë, madje edhe udhëtimet brenda Evropës mund të duhet të jenë të kufizuara, në mënyrë që të zvogëlojnë rrezikun e rigjallërimit të epidemisë së koronavirusit.

“Është shumë shpejt të themi nëse mund të bëjmë pushime. Ajo që mund të them është se do të kufizojmë udhëtimet kryesore ndërkombëtare, madje edhe gjatë pushimeve të verës. Ne do ta shoim më qartë situatën në fillim të qershorit”, u tha Macron gazetarëve gjatë një vizite në një shkollë jashtë Parisit.

Franca ka vendosur të përfundojë bllokimin në 11 maj, njerëzit do të lejohen të lëvizin deri në 100 kilometra rreth vendbanimit të tyre, pa një formë lejemarrjeje. Lëvizja përtej 100 km do të ketë nevojë për leje.

“Kujdes edhe në zonat e gjelbëra”

Macron bëri thirrje për kujdes dhe “pragmatizëm” në lidhje me udhëtimin jashtë zonës 100 kilometra, për të shmangur përshpejtimin e përhapjes së virusit në zona ku  infeksioni është në nivele më të ulta. Në një intervistë me stacionet televizive franceze TF1 dhe France 2, Macron u bëri thirrje banorëve të zonave të gjelbëra që të bëjnë kujdes, duke ruajtur distancën sociale. “Le të jemi shumë të qartë: Ne e dimë se si funksionon virusi dhe për cilët persona ai është shumë i rrezikshëm,” tha presidenti francez. “Për dikë që është i dobët dhe i moshuar, edhe zona e gjelbër është shumë e rrezikshme”.

“Jeta ekonomike duhet të rifillojë”

Të dielën, më shumë se 300 kryetarë bashkish, përfshirë edhe kryetaren e Parisit Anne Hidalgo, i shkruajtën një letër të hapur Macronit, duke i kërkuar atij të vonojë kthimet në shkolla, duke thënë se atyre u duhet më shumë kohë për riorganizimin e klasave dhe rutinave të përditshme. Por qeveria ka mbrojtur kryeministrin Philippe duke pohuar se, “jeta ekonomike duhet të rifillojë në mënyrë të domosdoshme dhe të shpejtë”.

Macron të martën i bëri jehonë nevojës për masat lehtësuese. “Unë e kuptoj shumë mirë ngurrimin e mësuesve, gjërat do të ndodhin me qetësi, me dialog, sepse askush nuk e di se sa kohë do të duhet të jetojmë me virusin. Ne nuk mund të vazhdojmë të themi për muaj me rradhë se vendi nuk po jeton më”.

“Do të duhet të jetojmë me virusin”, tha Macron. “Ne duhej ta vendosnim këtë bllokim të paparë dhe tani ka ardhur koha të fillojmë një fazë të re, ku duhet të vazhdojmë të trajtojmë epideminë, duke mbajtur ende jetën e një kombi të lirë”. /bbc/ KultPlus.com

Panairi i Frankfurtit: Merkeli dhe Macroni me apel për diversitetin kulturor

Në hapje të Panairit të librit në Frankfurt, Emmanuel Macron dhe Angela Merkel premtuan se do të nxisin këmbimet kulturore dhe unitetin evropian.

“Sa më e varfër do të ishte Gjermania pa ndikimin e kulturës franceze, dhe sa më e varfër do të ishte Franca pa gjermanët?” Kancelarja gjermane, Angela Merkel e shtroi këtë pyetje në hapje të Panairit të Librit në Frankfurt, të martën në mbrëmje.

Ajo u bëri jehonë fjalëve të folura nga Presidenti francez Emmanuel Macron më herët në mbrëmje, që tha se “identiteti i gjuhës jeton përmes konfrontimit me gjuhë të tjera”. Franca është këtë vit e ftuara e nderit në Panairin e Librit të Frankfurtit, në panairin më të madh të librit në botë. Kjo është hera e dytë për Francën. 28 vjet më parë, kur Franca luajti një rol të rëndësishëm në panair, Evropa qe modeste dhe e ndarë, Muri i Berlinit ende nuk qe rrëzuar. Këtë e kujtoi Kancelarja Merkel kur me goditjen e çekanit e hapi Panairin.

Merkeli theksoi më tej rëndësinë bashkëpunimit gjermano-francez për Evropën, duke theksuar solidaritetin dhe miqësinë midis të dyja vendeve, që forcohet dhe përmes letërsisë. “Autorët mund të jenë krijues idesh dhe ndërtues urash”, tha ajo.

Kancelarja gjermane përmendi më tej “shkëmbimin kulturor” tradicional midis Gjermanisë dhe Francës, duke përmendur Hugenotët që erdhën në Berlin dhe faktin që poeti gjerman, Heinrich Heine jetonte më të shumtën e kohës në Paris.

Librat si armë

Në fjalën e tij, Presidenti francez Emmanuel Macron kundërshtoi populizmin në rritje dhe nacionalizmin në Evropë. Macroni foli për fuqinë bashkuese të letërsisë. “Ne luftojmë për librat tanë dhe për kulturën”, tha ai. “Pa kulturë, nuk ka Evropë. Librat janë arma më e mirë”, shtoi ai. “Asgjë nuk është më efektive se sa libri. Është gjëja më e vlefshme që kemi në botë.”

Presidenti francez me njohuri filozofike hoqi një hark të gjerë në histori, pas deri te Johann Wolfgang von Goethe dhe përkthyesi i tij tepër i ri francez, dhe theksoi miqësinë midis fqinjëve Gjermani dhe Francë. “Gjuha bëhet më e fortë, kur pranon botë përfytyrimi nga kultura të tjera”, tha ai në fjalën e tij prej gjysmë ore.

Duke theksuar rëndësinë e fjalës së shtypur, Macroni dhe Merkeli shtypën faqen e parë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut me një shtypshkronjë replikë të Gutenbergut, që u shpik rreth 600 vjet më parë në Mainz, pranë Frankfurtit. Kancelarja gjermane tha se na “nevojiten impulset intelektuale dhe krijuese që vijnë nga letërsia në të gjitha situatat”. “Një libër na fton të ëndërrojmë dhe na zgjeron horizontin.”

Merkeli e falenderoi Macronin, që në veprimet e para të tij pas marrjes së mandatit ai rihapi sërish në Francë gjimnazet bilinguale. Edhe kancelarja Merkel e hodhi vështrimin pas në histori dhe kujtoi Konrad Adenauerin, ish-kancelarin gjerman, i cili e quajti solidaritetin dhe miqësinë midis Gjermanisë dhe Francës si parakusht për një Evropë në paqe.

Macroni tha se të rinjtë duhet të jenë të lirë që të qarkullojnë midis vendeve dhe gjuhëve, se duhet të ekzistojnë universitete evropiane, të cilat të përpiqen të riafirmojnë Evropën mbi bazën e gjuhëve të ndryshme.

Për temën e unitetit evropian, të kërcënuar nga Brexit-i dhe forcimi partive euroskeptike të djathta si Alternativa për Gjermaninë, Merkeli e mbylli fjalën e hapjes të panairit me fjalët: “Çdo autor i panairit kontribuon për ta bërë Evropën më të fortë.”/DW

Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel do të hapin Panairin e Librit në Frankurt

Margaret Atwood, Dan Brown dhe Nicholas Sparks janë ndër autorët dhe emrat më të mëdhenj që do të zbresin në Panairin e Frankfurtit, që do të hapet këtë të martë, ndërsa panairi më i vjetër i librit në botë po bëhet për brezin e Instagram-it, shkruan The Guardian, përcjellë KultPlus.

Hapjen zyrtare të këtij panairi do ta bëj presidenti francez Emmanuel Macron së bashku me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Pasi panairi i vitit të kaluar u përqendrua në mënyrat se si botuesit të përdorin teknologji të reja, si realiteti virtual dhe printimi 3D, këtë vit organizatorët po kthehen përsëri në fillimet e botimit duke u dhënë vëmendjen përsëri shkrimtarëve dhe lexuesve të tyre.

“Ekziston një dëshirë për t’i parë autorët, për t’i prekur ata në jetën reale”, tha zëdhënësja e panairit Katja Böhne para gazetarëve përpara ngjarjes pesëditore, që pritet të tërheqë më shumë se 270,000 vizitorë.

“Libri është më i gjallë se kurrë, “tha Böhne, duke përshkruar një prirje në rritje të adhuruesve që radhiten për të parë autorin e tyre të preferuar në një atmosferë si të “pop-koncerteve “.
Franca është shteti mysafir në këtë panair dhe do të sjellë më shumë se 180 shkrimtarë në Gjermani, duke përfshirë disa nga autorët më të njohur të gjuhës franceze në botë. Ndërsa shfaqja e përbashkët e Macron dhe Merkel në këtë panair vjen pasi udhëheqësi francez kërkon të forcojë partneritetin e dy vendeve në shtytjen e tij për reformat evropiane.

Panairi i Librit në Frankfurt është ngjarja më e madhe botuese në botë, duke mbledhur së bashku më shumë se 7,000 ekspozues nga më shumë se 100 vende të botës. Ndryshe, kjo ngjarje daton që nga mesjeta, e cila pati një zhvillim të hovshëm pas shpikjes së shtypshkronjës së Gutenbergut në Mainz./KultPlus.com