Edi Rama: Lorik Cana, kingu kosovar

Sot në 37 vjetorin e lindjes së yllit të kombëtares shqiptare, Lorik Cana, Edi Rama e ka ururar atë përmes një statusi në Facebook, ku e quan atë edhe kingun kosovar.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Ramës.

”LORIK CANA është ndoshta i vetmi bartës i fanellës kuqezi apo të paktën i vetmi që unë njoh, që fushën e blertë të futbollit dhe fushën e historisë së shqiptarëve, i ka jetuar si dy gjysmat e së njëjtës fushë të pasionit të tij. I dhënë tërësisht pas sportit më popullor në botë, qysh në fëmijëri, falë talentit, vullnetit dhe një babai të paepur në ëndrrën për ta parë djalin në majat e lojës me top, Loriku u ngjit lart e la gjurmë në çdo skuadër ku luajti. Ai mbajti shiritin e kapitenit në shpellën e ujqve francezë të Olimpikut të Marsejës dhe u bë simboli i Kombëtares së shqiponjave të mbledhura nga tërë trojet shqiptare, për ta çuar flamurin kuqezi për herë të parë në histori në Finalet e Europës.

Po çka e bën krejt të veçantë kingun kosovar, në rrugën e mundimshme drejt majave të futbollit, ku pati jo njëherë dhe taksiratin e dëmtimeve fizike që do kishin shtrirë përtokë edhe një elefant, është pasioni i tij për historinë, origjinën, gjuhën, luftrat, përpjekjet e shqiptarëve në shekuj. Nuk e di a ishte fanella kuqezi që e çoi Lorikun tek leximet mbi betejat e shqiptarëve në shekuj apo ishin leximet e betejave që e bënë atë ta përjetonte fanellën si koracë lufte për Shqipërinë në fushën e betejave sportive, por sa herë e kam takuar e folur me të për Kombëtaren, aq herë më është dukur sikur flisja me ndonjë prijës ushtarak të etur për fitore të vështira, e jo me një sportist të ngopur me lavdinë e tij.

Loriku u tërhoq nga fusha e blertë, kur trupi i plagosur nuk e ndiqte dot më ambicien e heroit, për të udhëhequr me forcën e shembullit beteja deri në pikën e fundit të gjakut dhe iu përkushtua krijimit e zhvillimit të një fondacioni për fëmijët.
Duke ia uruar sot ditëlindjen kapitenit të paharrueshëm të kuqezinjve, nuk e di pse kam bindjen se nuk do të jetë e largët dita kur prijësi i hijshëm, do të zbresë përsëri në arenë për të udhëhequr kuqezinjtë e Shqipërisë a verdheblutë e Kosovës apo kushedi, pse jo, një armatë të trojeve të bashkuara në të ardhmen, në ndonjë luftë sportive të paharrueshme përsëri. Amen!” / KultPlus.com

Del filmi drithërues për Lorik Canën (VIDEO)

Më në fund është publikuar edhe filmi autobiografik i ish-kapitenit të kombëtares shqiptare, Lorik Cana, i quajtur “Lorik”.

Ky film ka pasur premierën sonte në Tiranë, me ç’rast ka mbledhur personalitete të ndryshme të sportit e politikës, transmeton Koha.net.

Një projekt ky i realizuar nga Andi Deçka, ku në ndihmë të këtij filmi autobiografik i kanë ardhur në ndihmë edhe njerëzit e afërm të futbollistit legjendar, Lorik Canës.

Ajo çka mund të theksojmë nga kjo pjesëz e këtij filmi, ishte rrëfimi i një prej pjesëtarëve të familjes së tij, teksa u shpreh se mbrëmjen e Beogradit në sfidën me Serbinë, kishte humbur vetëdijen kur pa atë çfarë ndodhi dhe se ishte trembur shumë për shëndetin e Lorikut.

Një rrëfim tjetër ishte edhe ish-sulmuesi francez, Xhibril Sise, teksa u shpreh se Cana ishte nga ata mbrojtësit që e shikoje sa në të majtë dhe sa në të djathë, sa në sulm ashtu edhe në prapavijë. Një legjendë si Loriku? E vështirë të përsëritet për herë të dytë. /KultPlus.com

View this post on Instagram

BIG Day!!! 1st screening “LORIK” @andidecka

A post shared by Lorik Cana (@lorikcana) on

Publikohet posteri i filmit dokumentar ‘Lorik’

Sapo është publikuar posteri zyrtar i filmit dokumentar “LORIK” film i realizuar nga Andi Decka duke sjellë jetën dhe rrugëtimin ne botën e futbollit të “Kapitenit Legjendar” të Kombëtares Shqiptare.

Fëmijëria, familja, futbolli, talenti, atdhetarizmi dhe dashuria e madhe për një komb, të gjitha nën një emër “LORIK”.

Loriku është djali i futbollistit të pensionuar Agim Cana. Më 24 korrik 2009, Cana u bashkua me Sunderland duke firmosur një kontratë katër vjeçare. Më 8 korrik 2010, Cana u bashkua me klubin turk Galatasaray për një shumë prej 4.5 milion €.

Cana kishte të drejtë të luante me tre kombëtare (Zvicra, Shqipëria & Franca), pasi i kishte të tre pasaportat. Cana ka qenë pjestar i kombëtares shqiptare që nga viti 2003, pasi u thirr nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ai e pranoi thirrjen dhe bëri debutimin e tij me kombëtaren më 11 qershor, që në moshën 19 vjeçare. / KultPlus.com

Lorik Cana shkruan për Dua Lipën (FOTO)

Në koncertin recital që u mbajt të hënën, në Teatrin “Argentina” të Romës, është mbajtur një koncert recital për nder të 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Mes të pranishmeve, ishin edhe Inva Mula, Ramë lahaj, Elhaida Dani, Ermal Meta, Dua Lipa e Erza Muçolli të cilët interpretuan këngë kryesisht me motive shqiptare.

Artistja me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, këndoi kolonën e famshme zanore “Homesick”, ndërsa ndodhej bashkë me familjen e saj në këtë koncert.
https://www.instagram.com/p/BpXKIRMnRWc/
Në prapaskenat e shfaqjes, ajo ka pasur rastin të takohet me kolegët e saj shqiptarë, dhe të shkëmbejë fotografi me ta, raporton Telegrafi.

Futbollisti i njohur shqiptar, Lorik Cana, është ai i cili vendosi që në rrjetin social Instagram të publikojë së fundmi një fotografi, ku shfaqej bashkë me Duan.

Cana duket të ketë qenë i lumtur që ka pasur fatin të takohet me artisten shqiptare, ndërsa është shprehur në mbishkrimin e fotografisë se ndjehet krenar me të, ashtu si çdo bashkëkombës i tij.

“Si të gjithë shqiptarët, fans i madh i Dua Lipës, krenar me ty”, janë fjalët e Lorik Canës në mbishkrimin e fotografisë, e cila ka marrë mijëra pëlqime dhe komente nga ndjekësit e tij, ndër to edhe vet pëlqimin e Duas. /KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BqfKm8IgzKv/

Shqiptarët magjepsin Romën me interpretimin e tyre në nderim të Skënderbeut

Emrat më të mëdhenj shqiptarë që po bëjnë bujë në botë me zërat e tyre, sot kanë pushtuar teatrin “Argentina” në Itali, atje ku janë mbledhur nën moton “Tok së bashku për Skënderbeun”, shkruan KultPlus.

Inva Mula, Dua Lipa, Ramë Lahaj, Erza Muqolli, Elhaida Dani dhe Ermal Meta tashmë janë ngjitur në skenën e teatrit “Argentina” në Itali, për të interpretuar këngë të njohura shqipe e në gjuhë të tjera.

Më poshtë mund të ndiqni performancat e tyre në skenë, të cilat janë publikuar nga Lorik Cana.

https://www.instagram.com/stories/lorikcana/?hl=en

Ky koncert mbahet në moton “Të Bashkuar në kujtim të Skënderbeut”./ KultPlus.com

“Triumph”, përveç emocioneve dhe krenarisë, solli edhe Lorik Canën në DokuFest

Alberina Haxhijaj – Prizren
Photo by Tughan Anit

Mbrëmë në kuadër të DokuFesti-të është dhënë premiera e dokumentarit “Triumph” i cili në qendër të tij ka lojtarët e kombëtares shqiptare dhe rrugëtimin e tyre në Kampionatin Evropian 2016, të gërshetuar së bashku me historinë dhe kulturën shqiptare, shkruan KultPlus.

Dhjetëra adhurues të filmit por edhe të sportit janë bërë mbrëmë së bashku në ambientin e hapur në Kino Lumbardhi për të parë premierën kombëtare të dokumentarit “Triumph”.

Filmi në fokusin e tij ka lojtarët e kombëtares, shumica e të cilëve janë fëmijë të imigrantëve të cilët kanë lënë Kosovës si pasoje e luftës që ka ndodhur, apo kanë lënë Shqipërinë si pasoje e varfërisë dhe sistemit komunistë të atëhershëm. Të rritur në vende të tjera, ka qenë Shqipëria dhe fanellat kuq e zi që i kanë bërë së bashku këta shqiptarë.

Pikërisht kjo histori dhe bashkimi i këtyre të rinjve ka nxitur edhe regjisorët Kreshnik Jonuzi dhe Luftar Van Rama që të bëjnë një dokumentar për kombëtaren.

“Mendova se sa mirë do të ishte sikur të arrija që të bëja një dokumentar për ekipin kombëtar, kjo ishte pas ndeshjes së parë me Portugalinë. E menduam këtë pasi që tek lojtarët unë dhe Luftari e shihnim vetën tonë, historinë tonë. Edhe ne jemi rritur në Amerikë duke pasur gjithmonë shumë dashuri për Shqipërinë. Lojtarët ishin njerëz të cilët janë nga vendet e tjera por që janë bërë së bashku për të bërë diçka më shumë për popullin e vet”, tregon Kreshnik Jonuzi.

Gjersa Jonuzi flet kuptohet se ai nuk është rritur në trojet shqiptare. Mirëpo, ai duke zgjedhur me kujdes fjalët në gjuhën shqipe në mënyrë që të mos gabojë në formulimin e fjalive, zgjedh fjalët më të bukura që i di dhe flet me shumë dashuri për shqiptarët.

“Emocionet e lojtarëve ishin interesant por nuk e menduam se ky dokumentar do i interesonte gjithë botës derisa ndodhi shfaqja e dronit në Beograd. Ajo ishte si vetëtimë dhe e thirra Luftarin dhe i thash: Ne duhet me e bo deri në fund këtë dokumentar dhe prej asaj natë nuk kemi shikuar asnjëherë prapa”, tregon regjisori duke e konsideruar këtë moment edhe pikën më dramatike të dokumentarit.

Më 14 tetor në vitin 2014, Shqipëria dhe Serbia u përballën në stadiumin e Partizanit në Beograd. Pikërisht kjo ndeshje shënon edhe kulminacionin e dokumentarit. Në këtë ndeshje nuk u lejua që të merrnin pjese tifozët shqiptarë ndërsa ata serb brohorisnin “Vritni, vritni, shqiptarët” dhe “Kosova është Serbi”. Gjatë ndeshjes pati incidente të shumta por kulmi arriti kur në stacion përmes dronit u valëvit flamuri i Shqipërisë etnike i cili kishte në njërën anë fotografinë e Ismail Qemailit e në tjetrën atë të Isa Boletinit, ndërsa poshtë shkruhej “Autoktonë”. Mjaftoi kjo për të nxitur akoma më shumë situatën në stadium ku me pas tifozët sulmuan edhe lojtarët shqiptarë.

Por përveç kësaj pjese çdo gjë brenda dokumentarit për 88 minuta, sa edhe zgjatë ai, të bënë që të mos i ndash sytë nga ekrani. Kjo ndodh pasi që dokumentari përveç që tregon atë që ka ndodhur gjatë ndeshjeve, shfaqë edhe emocionet dhe mendimet e lojtarëve. Ai shfaq shakat e tyre gjatë udhëtimeve, luftën e tyre në fushë për të arritur fitoren, dashurinë që kanë për njëri-tjetrin por edhe historitë e tyre personale që u bënë pjesë e këtij rrugëtimi.

“Kemi gjetur shumë mbështetje te ekipi pasi që na ndihmonin të bënim atë që ne kishim dëshirë. Prej që kemi filluar kemi xhiruar sa më shumë që kemi pasur mundësi pasi që nuk e dinim se çfarë do nxjerrim”, u shpreh Jonuzi.

Filmi sjellë histori të ndryshme duke prekur aspektet kulturore, politike dhe historike. Sipas Kreshnik Jonuzit, filmi po ashtu tregon sesi shqiptarët arrijnë diçka që para 20 vite as që kanë pasur mundësi ta imagjinonin dhe pikërisht kjo sipas tij duhet që të jetë një shtytje përpara që të punojmë edhe më shumë që pas 20 viteve të arrijmë akoma më shumë.

Filmi “Triumph” është shfaqur edhe në Varshavë, Dallas, Berlin, e vende të tjera mirëpo sipas regjisorit Luftar Von Rama, këtij filmi i kishte munguar një premierë në trojet shqiptare.

“Është shumë interesant pasi që ne pamë emocione të njerëzve nga e gjithë bota dhe ata ishin çuditur se sa emocionues ishte historia dhe sesi ky vend që shumica e tyre nuk e dini as që ekzistonte, kishte një histori të tillë. Të gjithë ata njerëz në fund kanë brohoritur për ne dhe kjo është pjesa më e mahnitshme e kësaj historie dhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu”, u shpreh ai.

Dokumentari është bërë me vetëfinancim kurse regjisorët janë ndihmuar edhe nga komuniteti i shqiptarëve në Amerikë për të realizuar këtë film. I pranishëm në premierën kombëtare në Prizren ishte edhe ish-kapiteni i kombëtares, Lorik Cana.

Ai diskutoi me publikun dyshimet që kishin pasur gjatë këtij rrugëtimi dhe sesi nuk kishin menduar se do të arrinin aq sa kana rritu. Mirëpo sipas tij pikërisht kjo arritje do të shërbej si shtytje që çdo herë të kërkojnë më shumë.

“Është për tu duartrokitur mënyra sesi regjisorët kanë arrit t’i përçojnë mesazhet. Ata kanë qenë me fat që kanë arritur të pranohen brenda ekipit kombëtar në të cilin ne jemi të izoluar, jo sepse nuk dëshirojmë që të shfaqemi por sepse duhet të jemi të përqendrua në detyrën tonë. Ata kanë pasur mundësi që ti ndajë këto momente dhe ta arkivojë një histori të sportit dhe të vendit tonë dhe kjo e bënë këtë mundësi të jashtëzakonshme dhe për mendimin tim kjo është bërë shumë, shumë mirë”, theksoi Cana i cili pranoi edhe një dhuratë nga tifozët Kuq e Zi të Prizrenit.

Në ‘Triumph’, bëjnë pjesë personazhe si Lorik Cana, Gianni DeBiasi, Paolo Tramezzanni, Shkëlzen Gashi, Blendi Fevziu, Dritan Shakohoxha, e të tjerë./ KultPlus.com