MKRS: Libri me politikë të re e të qëndrueshme

Në kuadër të avancimit të infrastrukturës ligjore, grupi punues i themeluar për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Veprimtarinë Botuese dhe Librin ka filluar takimet e tyre të rregullta.

Në mënyrë që politika e re e librit në vendin tonë të jetë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, ministri Hajrulla Çeku, i shoqëruar nga këshilltarja politike Rozafa Imami dhe drejtoresha e Departamentit të Kulturës në MKRS Jehona Shyti, priti në takim komunitetin letrar.

Bashkë diskutuan modelet dhe praktikat që kontribuojnë në fuqizimin e fushës së librit, botimit dhe qarkullimit të tij, nxitjen e leximit, zhvillimin e koleksioneve të bibliotekave, si dhe çështje tjera që do t’i propozohen grupit punues për t’i përfshirë në Ligj.

Takimet dhe konsultimet me komunitetin letrar do të vazhdojnë deri në përfundim të procesit të plotësim-ndryshimit të Ligjit. / KultPlus.com

Renovimi i Palestrës Sportive në Pallatin e Rinisë drejt përfundimit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, njofton se renovimi i Palestrës Sportive në Pallatin e Rinisë është në fazën e përfundimit. Ky projekt i rëndësishëm është financuar me 200 mijë euro nga Qeveria e Kosovës, shkruan KultPlus.

Palestra e rinovuar do të jetë e pajisur me dysheme profesionale, kosha dhe karrige me standarde të FIBAs, duke siguruar një infrastrukturë të qëndrueshme për komunitetin sportiv.

Ky investim është thelbësor për gatishmërinë tonë në Lojërat Mesdhetare 2030 dhe për klubet sportive që kanë nevojë për këtë renovim.

“Gjithashtu, dëshirojmë të njoftojmë se punimet për renovimin e palestrës së djegur në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë do të fillojnë së shpejti. Kjo është një shembull i qëndrueshëm të përkushtimit të Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e sportit dhe promovimin e aktiviteteve sportive në vend. 🇽🇰 #SportiKosovë”, thuhet mes tjerash në postimin e publikuar nga MKRS-ja. /KultPlus.com

Nga sot Ministria e Kulturës dhe RTK nisin bashkëpunimin në fushën e kulturës

Ministria e Kulturës dhe Radio Televizioni i Kosovës nga sot kanë nisur një bashkëpunim në fushën e kulturës, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri Çeku përmes një postimi në Facebook.

“Ministria e Kulturës dhe Radio Televizioni i Kosovës nga sot nisin një bashkëpunim afatgjatë për të mirën e kulturës në vendin tonë. Ndër zotimet kryesore të marrëveshjes pesë vjeçare që nënshkruam sot është themelimi i kanalit të RTK-së kushtuar eksklusivisht kulturës, organizimi i festivalit të këngës, fuqizimi i kapacitetit orkestral të RTK-së, mbulimi i programit të institucioneve të kulturës dhe përcjellja e ngjarjeve të kalendarit vjetor kulturor”, ka shkruar Çeku./ KultPlus.com

Ministria e Kulturës hap thirrjen për projektet e vitit 2023

Ministria e Kulturës hapi thirrjen për projekte kulturore për vitin 2023.

Thirrja hapet mbështetur në politikat e qeverisë shqiptare për kulturën, për të gjallëruar jetën artistike, me një fokus të veçantë gjatë sezonit turistik si dhe për të promovuar trashëgiminë kulturore materiale e jomateriale.

Kjo thirrje synon mbështetjen e projekteve që zhvillohen në Shqipëri. Këtë vit do të mbështeten festivale, projekte që promovojnë trashëgiminë kulturore përmes teknologjisë, industritë kreative, publikime që lidhen me promovimin e trashëgimisë dhe vendit tonë etj.

Programi i Ministrisë së Kulturës për Artin dhe Trashëgiminë 2023 do të sigurojë mbështetje konkrete për industritë krijuese në vend, duke cekur të gjithë sektorët kulturorë, duke synuar mbështetjen e skenës së pavarur artistike, përmirësimin e cilësisë artistike, promovimin e prodhimeve të tyre dhe lehtësimin e qasjes në mekanizmat inovative të financimit.

Projekt-propozimet e paraqitura duhet të realizohen brenda vitit buxhetor, që do të thotë se aktivitetet e propozuara duhet të zhvillohen brenda periudhës mars – nëntor 2023.

Thirrja për projekt-propozime do të qëndrojë e hapur deri në 25 shkurt 2023./ atsh/ KultPlus.com

Çeku: UEFA konfirmon përkrahjen për futbollin e Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka njoftuar se UEFA ka konfirmuar përkrahjen për futbollin e Kosovës, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, shefi i MKRS-së, ka njoftuar se është takuar nga kryetari i shtëpisë së futbollit evropian, Aleksander Ceferin.

Postimi i plotë:

UEFA konfirmon përkrahjen për futbollin e Kosovës

Sot bashkë me Kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në selinë e UEFA-së në Nyon të Zvicrës u pritëm nga Kryetari i shtëpisë europiane të futbollit, Aleksander Čeferin. Kryetarit të UEFA-së ia shpalosëm planin investiv pesë vjeçar për zhvillimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë.

Plani investiv që bën bashkë Ministrinë e Sportit, FFK-në dhe komunat përkatëse, parasheh përmbyllje të projekteve aktuale, renovime dhe stadiume të reja futbolli. Nga Kryetari Čeferin morëm zotimin për mbështetje financiare dhe profesionale për realizimin me kohë dhe cilësor të planit pesë vjeçar të infrastrukturës së futbollit”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Pesë asete të tjera të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme

Trashëgimia kulturore i referohet traditave, zakoneve dhe praktikave që përcillen brez pas brezi brenda një kulture. Aty përfshihet një gamë e gjerë shprehjesh kulturore, si letërsia, arti, muzika, vallëzimi, ushqimi dhe veshja, shkruan KultPlus.

Së fundmi, Ministria e Kulturës ka njoftuar se pesë asete të trashëgimisë kulturore do të jenë në mbrojtje të përhershme.

Hamami i Madh në Prishtinë, varrezat Hebraike në Prishtinë, shkolla e Muzikës (ish Saraji i Mustafë Pashës) në Gjilan, Atik Xhamia në Gjilan dhe ish-hoteli Jadran në Mitrovicë janë asetet që pasuruan listën e monumenteve në mbrojtje të përhershme.

MKRS njofton se gjatë muajve në vijim pritet të miratohen propozime të tjera për shpallje asetesh në mbrojtje të përhershme nga kategori të tjera të trashëgimisë kulturore.

Ndërkaq, trashëgimia kulturore është e rëndësishme sepse ndihmon në ruajtjen e identitetit unik të një kulture dhe lejon brezat e ardhshëm të kuptojnë dhe vlerësojnë historinë dhe traditat e paraardhësve të tyre. /KultPlus.com

Prezantohet koleksioni i veprave të artit prej 300 mijë eurosh, GKK mbushet me vepra diversive

Era Berisha

Artistët si: Afrim Hajrullahu, Afrim Spahiu, Agim Balaj, Agron Blakçori, Agron Mulliqi, Alban Muja, Alban Nuhiu, Albe Hamiti, Albulen Neziri, Altin Krasniqi, Anmansa Petroviç, Arbana Hajredinaj, Arben Llapashtica, Arbnor Karaliti, Argenita Fetahu, Armend Nimani, Artan Hajrullahu, Arton Behrami, Avni Demiri, Astrit Ismaili, Avni Rudaku, Bedri Haziraj, Biljana Veselinova Komoni, Blerta Hashani, Brilant Milazimi, Burim Myftiu, Dardan Zhegrova, Dion Zeqiri, Daors Hoxha, Doruntina Kastrati, Driton Hajredini, Enesa Xheladini, Enver Hoxhaj, Erblina Karaliti, Esat Valla, Eshref Qahili, Fatmir Jusufi, Fatmir Mustafa, Faton Mazreku, Fidan Bejtullahu, Fikrete Misini, Gëzim Brestovci, Haki Xhakli, Hazir Reka, Hekuran Sokoli, Haveit, Redon Kikaj, Hysni Krasniqi, Ilir Balaj, Jakup Ferri, Jehon Gallapeni, Jeton Gusia, Jetullah Sylejmani, Kaltrina Hoda, Liridona Gjuka Bogu, Lorik Sylejmani, Luan Bajraktari, Lulzim Zeqiri, Mal Myrtaj, Mehmet Behluli, Mehmed Vokshi, Mimoza Sahiti, Nevruz Musa, Nexhmi Bardhi, Nimon Lokaj, Remzi Limani, Renea Begolli, Rexhep Ferri, Rrezartë Bajrami, Roland Masurica, Rron Qena, Sali Musliu, Shkamb Jaka, Shyqri Nimani, Urtina Hoxha, Valdrin Thaqi, Violeta Xhaferi, Yll Xhaferi, Zana Begolli dhe Zeni Ballazhi, kanë qenë personazhet kryesorë të koleksionit të veprave të artit të blera për 300 mijë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me anë të thirrjes publike të vitit 2022, shkruan KultPlus.

Afro 80 vepra kanë mbizotëruar në dy katet e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Me tematika, teknika e gjendje të ndryshme, pikturat kanë shpërfaqur një horizont të gjerë e të llojllojshëm të artistëve, veprat e të cilëve kanë ardhur në mënyrë të veçantë. Muri i bardhë poshtë, e ai i zi në katin e dytë, ka qenë element kyç që ka treguar qartazi se artistët kosovarë janë në gjendje të jenë unik në stilin dhe paraqitjen e tyre. Të pranishmit, qenë ata që mbushën gjithsej galerinë, duke filluar nga ora 19:00. Nuk pati hapje zyrtare e as katalogë për të pranishmit, por kjo nuk i ndali ata që të shijojnë secilin cep që ishte mbushur me ngjyrë.

Me tone të ngrohta, shpesh edhe të zbehta, kanë qenë ngjyrat që kanë dominuar dukshëm në secilën vepër. Me përmasa të ndryshme, pikturat kanë portretizuar shpesh atë që është shfaqur në titull. “Dita e Shën Valentinit”, “Intrusive Rocks”, “Dritarja e Gjergjit”, “Loja”, “Oksimoron”, “Futbolli”, “Karllo O Hajn”, “Artisti”, “Heshtja”, “Cirku”, “Në shesh”, “Etja”, “Skenderbeu”, “HUMAN”, janë titujt që shpërfaqën gjithë atë se çka ishte ngjyrosur në pikturë, nëpërmjet mendjes artistike të tyre.

Ndërkohë nëntë veprat si: “Pa titull”, “Hapësira në kohë”, “The big ship”, “Kalldërëmi i Prizrenit”, “Kthimi”, “Melodia e ngjyrosur”, “Definition”, “Kallinjët” dhe “Pishat e Deçanit”, kanë përçuar një atmosferë krejtësisht mallëngjyese. Një qetësi absolute kaplonte shpirtin njerëzor kur fokusi vinte mbi këto piktura. Preciziteti, emocioni dhe situatat e ndryshme të “rrëzuara” në këto nëntë piktura ishin ato që ranë në sy më së shumti, e që njëkohësisht kaplonin mendjen. Po ashtu, pikërisht në këto copa arti, këmbët e të pranishmëve ndaleshin pakëz më shumë se sa koha e zakonshme, prej tridhjetepesë sekondash.

Tutje në vazhdim, përpos instalacioneve, video-instalacioneve, skulpturave dhe fotografive me motive që shpalosnin një dhimbje të thellë dhe përjetime të rralla, ishte edhe piktura e artistit Alban Muja ajo që tregonte mesazhin se gratë vazhdojnë ende të luftojnë për të drejtën e tyre në pronë, brenda dhe jashtë mureve të shtëpisë. Emërtimi ‘Brotherhood’ çoi direkt tek pranimi se djemve u premtohet shtëpia e paraardhësve të tyre.

Komunikimi i veprave me audiencë qe e lirshme, e kuptueshme por ndonjëherë edhe konfuze. Ndonëse, ekspozimi i veprave nuk ishte bërë në formën më të mirë të mundshme, hapësira në të dy katet me gjithë grumbullin që posedonte, shfaqi një anë të dukshme të këtyre artistëve që me punën e tyre po dëshmojnë vazhdimisht se pasioni, dashuria dhe përkushtimi ndaj artit pamor, për ta është primare.

Artisti Fidan Bejtuallahu për KultPlus ka potencuar konceptin e veprës “Melodia e ngjyrosur”.

“Duke jetuar në kryefjalë të melodisë vdes një e keqe dhe një e mirë në detin e kaosit. Mbretëresha (melodia e ngjyrosur) bërtet – më lëshoni këtu – në një natë filmi e ndjekur apo imagjinon një melodi e cila i kujton një ngjarje, ose me herët kishte pas një harresë sepse kishte shpresuar veten në një barkë të peshkimit e rrethuar me melodi qetësuese. Vonë kjo e gjitha, nё tetorin e peshkimit, për të mos u kthyer më kurrë dhe për ta ndaluar një kimikal prej fishekzjarri në qiellin e mbrëmjes, jep një tingull melodie të ngjyrosur, por në ditën tjetër kthehet në jë mjegull të dendur – një melodi e dashuruar pas perëndimit; shkon në oborrin e kompozimeve – mё shumë se njësoj dhe ushqehet në datëlindjen e saj qё vjen poshtë reve të shoqeve të saj, të cilat vijnë pasi kanë pushuar në paqe, por në një të hëne të vetmuar mëngjesi ato vijnë të ngjurosin një tingull që nuk jep melodi”, ka thënë ai.

Kujtojmë se koleksioni i veprave të artit i blerë nga MKRS në vitin 2022, do të jetë i hapur për publikun deri më 15 Janar 2023. / KultPlus.com

ISHMT memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës për zbatimin e të drejtës së autorit

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut si dhe Ministria e Kulturës nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me qëllim mbikëqyrjen e zbatimit të të drejtës së autorit në Shqipëri.

Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua nga Kryeinspektori i ISHMT-së, Gazmend Osmani si dhe sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, Zerina Bruci.

Përmes këtij memorandum palët konfirmojnë vullnetin dhe angazhimin maksimal për të identifikuar, siguruar dhe zbatuar të gjitha mjetet e nevojshme ligjore dhe ekzekutive për zbatimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional të veprimtarisë të operatorëve ekonomik.

Njëkohësisht konfirmojnë vullnetin e mirë dhe vendosmërinë për të promovuar mirëfunksionimin e institucioneve përmes bashkëpunimit dhe bashkërendimit në mënyrë konstruktive dhe thelbësore për realizimin e qëllimit të këtij memorandumi.
Po ashtu, palët angazhohen për të përmbushur detyrimet që burojnë në legjislacionin kombëtar për të drejtën e autorit.

Kryeinspektori Gazmend Osmani deklaroi se ISHMT e konsideron objektiv prioritar rritjen e eficiensës së mbikëqyrjes së veprimtarisë tregtare të operatorëve ekonomikë, bazuar në respektimin dhe garantimin e të drejtave të pronësisë intelektuale.

“Përmes këtij memorandum, ne angazhohemi të bashkëpunojmë dhe shkëmbejmë informacion për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to”, tha Osmani.

E drejta e autorit dhe te drejtat të lidhura me to, janë thelbësore për krijimtarinë njerëzore, duke u dhënë në këtë mënyrë nxitje krijuesve në formën e njohjes dhe shpërblimeve të drejta ekonomike.

Sipas këtij sistemi të drejtash krijuesit janë të siguruar që veprat e tyre mund të shpërndahen pa frikën e kopjimit të paautorizuar dhe piraterisë. Kjo është për të ndihmuar rritjen e aksesit dhe për të shijuar kënaqësinë e kulturës, njohurive dhe argëtimeve në të gjithë botën. / atsh / KultPlus.com

MKRS për Driton Kukën: Ai mori titullin “Doctor Honoris Causa” për kontributin e dhënë në fushën e sportit

Ministria e Kulturës ka shkruar për titullin “Doctor Honoris Causa” të ndarë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, shkruan KultPlus.

Në një ceremoni solemne të organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot iu dha titulli “Doctor Honoris Causa” trajnerit dhe selektorit të përfaqësueses së Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Ai u vlerësua për kontributin e dhënë në fushën e sportit, rezultatet e arritura në xhudo në arenën ndërkombëtare dhe kontributin që ka dhënë në afirmimin dhe ngritjen e imazhit të Kosovës në botë.

Kuka është propozuar për këtë çmim nga dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, prof. asoc. dr. Musa Selimi dhe senati i UP-së, me në krye rektorin, prof. dr. Naser Sahiti, i ka dhënë këtë titull nderi trajnerit.

Në këtë ngjarje e pranishme ishte edhe zëvendësministrja e sportit, Daulina Osmani, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, përfaqësues të institucioneve, kampionët olimpikë dhe personalitete të rëndësishme nga fusha e sportit. /KultPlus.com

Ministria e Kulturës me aktivitete në përkujtim të Nënë Terezës

Në 25 vjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës, Qeveria e Republikës së Kosovës organizon “Ditët e Nënë Terezës” me aktivitete të shumta kulturore dhe përkujtimore.

“Ditët e Nënë Terezës” fillojnë me datë 26 gusht me një akademi solemne të organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës, ndërsa mbarojnë me koncertin e Filharmonisë së Kosovës me datën 5 shtator.

Shën Nënë Tereza vdiq më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë, ndërsa me veprën e saj la gjurmë në gjithë botën. Ajo u nderua me çmimin Nobel për Paqe.

Gaqo Bushaka e Mit’hat Fagu me pensione qesharake: Mendohemi 100 herë për të paguar një kafe

I kanë prekur të 80-tat, por Gaqo Bushaka dhe Mit’hat Fagu janë vetëm dy nga personalitetet me rezultate të larta në kulturë e arte, që rrinë ende në pritje të një pensioni special. Pavarësisht se rastet e tyre janë bërë publike, pensionet nuk u miratohen në Këshillin e Ministrave. Josif Papagjoni, kritikon komisionet që u heqin artistëve me kontribute të veçanta, të drejtën për të mos vuajtur varfërinë.

Saga e ‘babait’ të Çufos e kineastit Fagu, në të 80-tat ende pa pension special, kritiku: Artistët s’mund të shtrijnë dorën për një kafe, t’u jepet vendi që meritojnë.

Gaqo Bushaka është në prag të 80-tave. Një nga autorët më të suksesshëm për fëmijë, që vijon krijimtarinë e tij ende sot.  I njohur si ‘babai’ i Çufos, me librat e tij janë rritur fëmijët gjatë e pas rrëzimit të diktaturës. Por, rezultatet e tij në fushën e kulturës e arteve duket se nuk janë mjaftueshëm të dallueshme për të merituar prej qeverisë një pension special. E në fakt pensioni i tij është më pak se 20 mijë lekë. Rasti i Mithat Fagut, me 110 mijë lekë të vjetra, është edhe më dramatik. Është 84-vjeç e ka mbi 3 dekada punë në ish-Kinostudio me një kontribut të vyer në filmin e animuar e atë dokumentar, si dhe ka realizuar filmin artistik “Prita”… Mban mbi shpatulla edhe historinë e largimit për 12 vjet nga ish Kinostudio. Fagu jeton në Itali, e kërkon të rikthehet po këto të ardhura për të janë të pamjaftueshme për të mbajtur frymën gjallë. Pak kohë më parë bëri apelin e tij në Report tv.

“Më vjen shumë keq për këtë përçmim që më bëhet nga Kryeministria, për figurën time, për kontributin që kam dhënë e që jam vetësakrifikuar”, tha ndër të tjera ai pak kohë më parë.

Njësoj si në rastin e poetit Jorgo Papingji janë dashur thirrjet mediatike, që të fitohet besueshmëria në komisionet e Ministrisë së Kulturës. Por, siç rrëfejnë edhe vetë artistët Bushaka e Fagu, për ta hallka ku mohohet pensioni është në Këshillin e Ministrave.

“Ka spekulacion edhe një degradim të titujve të lartë që përfaqësojnë pjesën e epërme. Dhe ka njerëz që as nuk e meritojnë në raport me të tjerët që ne i njohim. I njohim ne, i njeh edhe publiku, ndaj duhen vendosur standarde të tilla që artisti të gëzojë edhe një pension të mirë. Të mos shtrijë dorën dhe të mendojë a do e paguajë dot një kafe”, thotë kritiku i artit, Josif Papagjoni.

Në mungesë të një statusi për artistët, për ta ndryshe nga të moshuarit e tjerë me kontribute të veçanta si deputetët apo ushtarakët, miratimi i pensionit special nuk ka garanci. Bushaka dhe Fagu, janë vetëm dy nga rastet që prej dekadash presin që shteti të kujtojë kontributin e tyre, sa janë ende në jetë.

“Është një detyrim jo privilegj! Një detyrim që në fund të fundit përcakton edhe imazhin e qeverisë e Ministrisë së Kulturës. Çfarë imazhi kanë këta njerëz?! Si e vlerësojnë këtë çështje?! Ministria e Kulturës nuk është për të qëndruar nëpër zyra, por që ta bëjë problem këtë çështje në të gjitha instancat për tu dhënë artistëve vendin që meritojnë”, thotë Papagjoni. / Javanews / KultPlus.com

MKRS hapë thirrje për mbështetje financiare në sport, rini dhe trashëgimi kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur sot një tjetër thirrje publike.

Përmes kësaj thirrje MKRS synon: Promovimin dhe prezantimin ndërkombëtar të sportit vendor dhe zhvillimin e tij përmes pjesëmarrjes në aktivitete ndërkombëtare,

Promovimin dhe fuqizimin e rinisë së Republikës së Kosovës përmes pjesëmarrjes së tyre në aktivitete ndërkombëtare dhe Promovimin dhe prezantimin ndërkombëtar të produktit kulturor vendor dhe skenës së pavarur të Republikës së Kosovës nga fusha e artit dhe trashëgimisë kulturore, duke kontribuar në zhvillimin e diplomacisë publike.

Përmes fondit të mobilitetit ofrohet mbështetje financiare për nismat individuale dhe grupore për prezantim ndërkombëtar në fushat e mësipërme.

Thirrja është e hapur. Bashkëngjitur gjeni linkun me detajet tjera dhe mënyrën e aplikimit: https://bit.ly/3A5J9nI /  / KultPlus.com

Në Rogovë të Hasit po ndërtohet Qendra e Kulturës

Në Rogovë të Hasit po ndërtohet një qendër e kulturës.

Kjo qendër do të ofrojë hapësirë moderne e cila përfshin sallën kryesore teatrale më kapacitet deri 420 ulëse, bibliotekën, sallën e seminareve, sallën e sporteve marciale, e gjithashtu arkivin dhe hollin për ekspozita.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është e përkushtuar që punimet të përfundojnë sa më shpejt, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës kulturore dhe krijimit të mundësive për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, sportive dhe rinore./ KultPlus.com

“Kthejeni në shtëpi”, Kosova i kërkon UNESCO-s kthimin e Okarinës që e ka grabitur Serbia

Okarina është insitrument i cili është gjetur në Runik të Skënderajt dhe konsiderohet si një ndër intrumentet më të vjetra.

Ministria e Kulturës ka kërkuar nga UNESCO që Okarina të kthehet në Kosovë, pasi që po mbahet ilegalisht në Serbi në mesin e 1247 artefakteve tjera.

Madje MRKS-ja për këtë ka kërkuar ndihmë edhe nga Komisioni Evropian dhe organizata të tjera.

“1247 artefakte të Kosovës mbahen ilegalisht në Serbi. Okarina është një instrument muzikor i bërë nga balta e pjekur. I përket periudhës së neolitit të hershëm (mijëvjeçari VII–VI p.e.s.). Gjetur në Runik, Skënderaj, Republika e Kosovës. Na ndihmoni ta kthejmë OKARINEN në shtëpi”, thuhet në njoftimin e MKRS-së./ KultPlus.com

Flutra Zymi kundërshton mbajtjen e Sunny Hill Festival në Gërmi:  Ju jeni yje po njerëz nuk jeni, shihemi në gjykatë

Flutura Zymi e njohur edhe si aktiviste për mbrojtjen e ambientit ka dalë me një reagim pas njoftimit të Sunny Hill Festival, Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës se ky festival do të mbahet në lokacionin e Gërmisë.

Flutra Zymi nëpërmjet rrjeteve sociale ka ftuar ambientalistët, aktivistët, qytetarët dhe shoqërinë civile që të dalin në protestë, në mbrojtje të Gërmisë.

KultPlus ju sjell reagimin e plotë të Zymit.

Ftoj të gjithë ambientalistët, aktivistët, qytetarë dhe shoqërinë civile se shpejti në protestë në mbrojtje të Gërmisë. Ju njoftojmë për datën e protestës së shpejti.

Nuk duhet leju një grusht analfabeta që qeverisine me u sjell si ky vend është i tyre dhe vetëm i tyre. Shpresoj që Instituti i Kosovës për mbrojtjen e Natyrës nuk ka ba këso lëshime.

Zymi poashtu po për të njëjtin organizim ka reaguar edhe me një status tjetër, duke paralajmëruar se me të gjithë do të shihet së shpejti në gjykatë.  

Ju definitivisht jeni njerëz egoista, mizor të pa kulturë. Njerëz pa pikë respekti për natyrën biodiversitetin. Ju jeni yje po njerëz nuk jeni e as kurrë nuk do bëheni. Shpresoj natyra sa më shpejt të na hakmerret se njeriu nuk e meriton këtë planet. Shihemi në gjykatë që të gjithë!/ KultPlus.com

Librashitësi Beqiri i bënë thirrje MKRS-së: Ky pak shtet që ka mbetur po humb moralin për tu kujdesur për njeriun nënshtetas të tij

Shitësi i librave në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, Florim Beqiri i bënë thirrje Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të ditur arsyen e përjashtimit të tij si librashitës nga fondi që është ndarë vitin e kaluar në ndihmë për Covid-19, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Beqiri ka thënë se Kosova po humb moralin dhe dinjitetin për tu kujdesur për njerin nënshtetas të tij.

“Ky pak shtet që ka mbetur po humb moralin e dinjitetin për tu kujdesur për njeriun nënshtetas të tij.

Mkrs edhe pas disa ankesave nuk më ka kthyer përgjigje për arsyet e përjashtimit tim si librashitës nga fondi që ndau vitin e kaluar në ndihmë për covid-19.

Për të përfituar tender e fonde nga Mkrs duhet te kesh një biznes apo shoqate sipas rastit te skemave te dyshimta.

Mbi një skemë te dyshimtë është ngritur edhe i ashtuquajturi Panair Libri”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

Kritere të reja për licencim të federatave dhe organizatave sportive

Është miratuar një udhëzim administrativ tejet të rëndësishëm për sportin. Një akt që përcakton kushtet, kriteret, procedurat e aplikimit si dhe organet kompetente për themelimin dhe organizimin e procesit te licencimit te federatave sportive nga Ministria përkatëse për Sport, duke respektuar strukturën, të drejtat dhe obligimet që janë përcaktuar me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi, për rregullimin e veprimtarisë sportive në Republikën e Kosovës.

Përmes këtij udhëzimi administrativ rregullohet edhe procedura e veçantë e ri vlerësimit të licencimit, pezullimit apo revokimit të parakohshëm të licencës si dhe e drejta në ushtrimin e mjeteve juridike në rastet e parashikuara me këtë udhëzim administrativ.

Klikoni KËTU për më shume detaje./ KultPlus.com

Ministria e Kulturës: Menaxhimi i ri i Butrintit, asgjë të përbashkët me koncesionin

Ministria e Kulturës bëri të ditur se Plani i ri i Menaxhimit të Butrintit vjen si kërkesë ligjore, në përmbushje të të gjitha rekomandimeve të UNESCO-s dhe duke huazuar modele të suksesshme menaxhimi të siteve të rëndësishme në botë, nga Italia, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas informacionit nga Ministria e Kulturës, ky plan parashikon administrimin përmes një Fondacioni të posaçëm, i themeluar nga Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

Ministria e Kulturës jo vetëm është e mirëpërfaqësuar në bordin drejtues të Fondacionit, por ka tagrin të kontrollojë veprimtarinë e tij. Fondacioni është shqiptar, ai funksionon sipas Ligjit të OJF-ve, pra është jofitimprurës.

“AADF ka kontribuar deri tani me një donacion prej gati 1,2 milionë USD dhe do të kontribuojë me 4,990,000 USD të tjera, nëpërmjet një granti (donacioni). Fondacioni do të këtë mundësi të ngrejë fonde dhe të tërheqë donatorë të tjerë, duke qenë i hapur për të përfshirë në Bordin e tij Drejtues donatorët. Të gjitha të ardhurat e realizuara do të mbeten në Fondacionin e Butrintit, madje një përqindje e këtyre të ardhurave do të kontribuohen në arkën e Fondit të Trashëgimisë Kulturore në ndihmë të zhvillimit të qendrave të tjera të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. AADF nuk ka asnjë përfitim financiar nga ky projekt, dhe pjesëmarrja e tij në fondacion është tërësisht e natyrës filantropike dhe bazohet në marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik të datës 10 qershor 1992, lidhur mes shtetit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, bëri të ditur Ministria e Kulturës.

Sipas saj, ky model administrimi nga një fondacion jofitimprurës nuk ka asgjë të përbashkët me koncesionin.

Ministria e Kulturës sqaron se Butrinti ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pronë e shtetit shqiptar dhe do të vazhdojë të administrohet nga shteti në bashkëpunim me një fondacion të besueshëm amerikan siç është AADF, që në Shqipëri ka realizuar projekte të suksesshme.

Marrëveshja e Administrimit dhe Menaxhimit lidhet për një periudhë 10-vjeçare, ajo nuk është automatikisht e rinovueshme dhe në përfundim të saj, Fondacioni do i transferojë Ministrisë së Kulturës administrimin e Parkut të Butrintit dhe të gjitha llogaritë dhe të ardhurat e realizuara.

“Plani i ri i menaxhimit rrit mundësinë e investimeve në kërkim shkencor, restaurim, kërkim, më shumë shërbime për vizitorët dhe vetë stafin, si dhe përmirësim dhe modernizim të infrastrukturës së parkut dhe në ndihmë të komunitetit lokal. Hartimi i këtij plani është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin, specialistët e fushës dhe institucionet përgjegjëse”, thekson Ministria e Kulturës.

Përmes nënshkrimit të një protokolli bashkëpunimi me Institutin e Arkeologjisë, do të çohen përpara kërkimet shkencore përmes ngritjes së qendrës kërkimore, Butrinti Research Group, gërmimet arkeologjike, restaurimet e konservimet.

Fondacioni do të ofrojë mbështetje financiare projekteve arkeologjike, duke i dhënë prioritet arkeologëve shqiptarë. Mbrojtja e mjedisit, florës dhe faunës është një nga pikat kyçe në këtë menaxhim të ri, duke vënë në jetë filozofinë “carbon free”, duke shmangur trafikun e automjeteve dhe duke vënë në qarkullim për transportin e vizitorëve nga qendra e pritjes deri në park, mjete që nuk ndotin ajrin.

Çdo marrëveshje në emër të Butrintit është bërë në funksion të ruajtjes dhe promovimit të këtij Parku Kombëtar nën mbrojtjen e UNESCO-s, për ta kthyer në një lider të trashëgimisë kulturore e turistike në rajon.

Ministria e Kulturës ka treguar në këto vite, se është tërësisht e angazhuar në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, duke pasur në thelb të punës së saj transparencën dhe të mirën kombëtare./ KultPlus.com

Ministria e Kulturës nis fazat e para të konceptimit të Institutit Kulturor të Kosovës

Brenda një muaji, nga prilli dhe maji i vitit 2021 Kosova humbi tri shtylla të trashëgimisë shpirtërore muzikore shqiptare, tre doajenët e muzikës, Fahri Haxhibeqiri, Shaqir Hoti dhe Ismet Bogujevci. Por veprimtaria e tyre do të kujtohet gjithmonë, përcjellë KultPlus.

Ministria e Kulturës ka njoftuar se tashmë ka nisur fazat e para të konceptimit të Institutit Kulturor të Kosovës, ku figurat, veprimtaria dhe trashëgimia shpirtërore e akterëve tonë në art do të dokumentohen, hulumtohen dhe do të mbrohen në nivel shtetëror.

“Jemi të nderuar e krenar që i kishim pranë dhe tash që kemi mundësinë të pasojmë trashëgiminë e tyre më tutje”, thuhet në njoftim.

Për nder të tyre gjatë vikendit u mbajtën dy ngjarje përkujtimore, koncerti homazh i Ansamblit Shota dhe promovimi i dokumentarit Okarina e Runikut, kushtuar Shaqir Hotit. / KultPlus.com

Hapet minibiblioteka e parë rome në Kosovë

“Pasurimi i literaturës në gjuhën rome” është projekt individual i mësueses rome Urma Menekshe, i cili është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me synim të angazhimit profesional në hulumtimin e letërsisë rome, përpunimin, ribotimin dhe botimin e materialeve të reja letrare.

Kjo minibiliotekë që gjendet në Prizren posedon më shume se 180 libra të autorëve vendor dhe ndërkombëtar ndërsa është e hapur për të gjithë qytetarët.

Me këtë projekt është fuqizuar pasurimi i literaturës rome. Një numër i konsiderueshëm i veprave janë sjellur nga shtetet e rajonit si Kroacia, Maqedonia, Shqipëria e Rumania.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe zëvendësministri i MKRS, Sejnur Veshall. /KultPlus.com

Ministri Çeku takohet me komunitetin artistik në Ferizaj, diskutojnë për zhvillimin e mëtutjeshëm në fushën e kulturës

Diskutimi i radhës mes ministrit Hajrulla Çeku dhe komunitetit artistik u mbajt në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.

Një takim shumë konstruktiv dhe me plot ide për zhvillimin e mëtutjeshëm të fushës së kulturës.

Ministri Çeku në fjalën e tij tha që reforma pritet të ndahet në institucionet publike të kulturës, ku do të përcaktohen mënyra e funksionimit të tyre, struktura organizative, infrastruktura, dhe në anën tjetër, reforma që do të rregullojë edhe skenën e pavarur kulturore, artistin e pavarur, organizatat e kulturës.

Ndër temat që u diskutuan ishin mosharmonizimi ligjor, çështjet  dhe problematikat financiare dhe buxhetore me të cilat përballen shoqatat dhe individët që merren me kulturë, problemet që paraqet Ligji mbi financat publike, mirëmbajtja e objekteve publike të kulturës, pajisja me staf shtesë i drejtorive komunale për kulturë, trajtimi meritor i festivaleve, kufizimet që sjellin rregullativat ekzistuese ligjore, krijimi i një fondi të pavarur në kulturë dhe marrja përsipër e një bordi profesional që ta shpërndajë këtë fond, mënyra e financimit të institucioneve lokale të kulturës, festivalet tradicionale etj.

Gjithashtu u fol për investimin proporcional në kulturë, një përqindje ta financojë niveli qendror dhe përqindjen tjetër niveli lokal, më shumë manifestime kulturore me karakter ndërkombëtar, për Muzeun e Kujtesës, fuqizimin e trupave teatrore, mbështetjen e projekteve që i japin kulturës zhvillim bashkëkohor, artin televiziv, subvencionimi i përmbajtjes programore dhe shumë tema të tjera./ KultPlus.com

Kurti për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’: Kemi zhvilluar së bashku hapa të rëndësishëm drejt mbrojtjes së vlerave dhe zhvillimit të master planit

Është mbajtur mbledhja e katërt e Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në mbledhjen e djeshme u diskutua në hollësi për planin dinamik të punës, të zbërthyer në objektiva, aktivitetet në afat kohor, si dhe rezultatet e punës së Komisionit të Ekspertëve për periudhën janar – mars 2022.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij hyrës tregoi hapat që janë ndërmarrë që nga themelimi i këtij komuniteti.

“Gjatë vitit 2021 kemi zhvilluar së bashku hapa të rëndësishëm drejt mbrojtjes së vlerave dhe zhvillimit të master planit për Kompleksin Memorial. Pas vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave dhe hartimit të planeve përkatëse, kanë filluar ndërhyrjet emergjente për mënjanimin e rrezikut në ndërtesat në gjendje të keqe dhe kemi themeluar Komisionin e Ekspertëve” tha kryeministri, duke shtuar se nga ky vit fokusi do të jetë në master planin për kompleksin memorial.

Ndërhyrjet emergjente në ndërtesën nr.4, në shtëpinë e Salë dhe Hamit Jasharit, kanë filluar në fund të dhjetorit 2021 dhe kanë përfunduar në mes të muajit mars 2022, tani puna do të vazhdoj edhe në ndërtesat tjera, të cilët janë vlerësuar nga ekipet profesionale të institucioneve tona dhe të inxhinierëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë. /KultPlus.com