Të premten në GKK hapet ekspozita “Rrethi” nga Gani Gashi

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës së shpejti vjen ekspozita e titulluar “Rrethi” nga artisti Gani Gashi, përcjell KultPlus.

Ekspozita e cila hapet të premten është e kuruar nga Krenar Zejno. Ndërkaq, “Rrethi” do të hapet duke filluar nga ora 20:00.

“Rrethi” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 5 maj.

Gani Gashi u lind më 27 shkurt 1944 në Mramur të Komunës së Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën Normale në Prishtinë në vitin 1963. Akademinë e Arteve Figurative (drejtimi i grafikës) si dhe studimet pasdiplomike i mbaroi në Prishtinë. Nga viti 1963 deri në vitin 1967 punoi në arsim, ndërsa në vitin 1968 filloi punën në redaksinë e gazetës së përditshme “Rilindja” në Prishtinë, ku punoi në vendin e redaktorit artistik, e ku herë pas herë botoi edhe shkrime autoriale nga lëmi e artit figurativ deri më 21 shkurt 2002.

Është anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës që nga viti 1980. Tani jeton dhe vepron si artist i lirë në Prishtinë. / KultPlus.com

Hapet “Dialog në errësirë”, artisti Hajredini: Ëndërr e kam pasur që valixhet t’i prezantoj në mënyrë muzeale

Afro 31 vepra artistike frymuan mbrëmë në hapësirën e Galerisë Kombëtare të Kosovës me rastin e hapjes së ekspozitës “Dialog në errësirë – Dialogue in the dark” së artistit Driton Hajredini. Kuruar nga Shkëlzen Maliqi, ekspozita solli para publikut një numër të madh të veprave aq bukur të realizuara të cilat me inkuadrimin e katër videove, një fotografie dhe instalacionit, artisti ka arritur të prekë çdo medium të mundshëm të shprehjes, shkruan KultPlus.

Të pranishmit mbushën vendin me prezencën e tyre dhe me sy të cilët vazhdimisht kërkonin pikturë pas pikture. Kati i parë i Galerisë mblodhi rreth vetes në një numër të madh artistësh të cilët admironin nga larg pikturat si: “Andërr artistike”, “Më fal Magritte”, “Më fal Fontana”, “Martesa”, “Punë e madhe!”, “Hapësirë reklamimi”, “Energjia”, “Sorry Polke”, “Andërr” dhe “Zgjom para se të shkosh”, të cilat erdhën fuqishëm në ngjyra të lehta e mjaft të larmishme, por pati edhe nga ato të cilat të bënin të shikosh pak minuta më shumë se zakonisht.

Ndërkaq, artisti ekspozitën e nis me pyetjen “Hello, is anybody out there?”, për të vazhduar me pikturat e përngjashme nga madhësia që janë të titulluara si: “Uncle Hari”, “Uncle Cinto”, “Uncle Rene”, “Aunt Catherine”dhe “Uncle Edi”, si një hyrje për të futur publikun brenda një pikëpyetje por që njëkohësisht është cilësuar si një ikonografi tallëse e Hajredinit për të spikatur rolin e kuratorëve në artin bashkëkohor.

Po ashtu, instalacioni “Kush e vrau pikturën?”, e vendosur në njërin nga qoshet e hapësirës, spikati pikërisht një skenë krimi ku ideja e vrasjes është shfaqur po njëlloj si nga policia hetuese. Shiriti i cili ndalon qasjen e personave brenda, pothuajse portretizoi botën e shoqërisë tonë, duke u shndërruar kështu në një mesazh tejet interesant pasi që përgjigjen e mbante secili person që u vu mbrëmë para këtij instalacioni.

Ndërsa, në katin e dytë të GKK-së, fotoja e vetme që përballet me publikun është e titulluar “Ju betohem se jam Piktor”, e që në foto paraqitet vetë artisti, për të vazhduar me ciklin e tij të njohur, atë të valixheve. Të pozicionuara në mënyrë ta mahnitshme ku ndriçimi i posaçëm binte pingul mbi to, pikturat e dimensioneve të ndryshme u gjallëruan nga errësira që i përthekonte të pranishmit e nga vëmendja e shumtë që morën ato mbrëmë. Nga ngjyrat e bukur të errëta, pikturat në thelb shpërfaqnin shpresë, pritje, ikje, investime e ndoshta dhe udhëtime, por që në krye kishin secila nga një korb. Me gjithsej 13 piktura të këtij kuadri, artisti Hajredini na përafron me idenë se një mur po rritet, por se cili do të jetë ai mur, ai nuk e zbulon, por lë që publiku të jetë ai i cili komunikon me këto piktura.

Përgjatë mureve të Galerisë Kombëtare të Kosovës, artisti Hajredini arrin që të tregojë diçka, qoftë përmes veprave të njohura të artit, cikleve të ndryshme të shpërfaqura, instalacionit, fotografisë, apo edhe katër videove si “Mëkati”, “Diku në Prishtinë”, “Për milionerët” dhe “Sindroma Abramovic”, të cilat ngërthejnë në vete një histori të vetë artistit që vendos ta shpalos. Dilema se a është një mëkat që të lindësh si shqiptar në Kosovë, fuqia e komercialitetit, lufta në Kosovë si dhe performanca e artistes Marina Abramovic, ishin këto temat që u shtjelluan nëpër këto video.

Për të treguar rreth idesë për të sjell këtë ekspozitë si dhe konceptit të saj, për KultPlus foli artisti Driton Hajredini.

“Ideja për të ekspozuar gjithmonë është aktuale se artisti punon për të treguar diçka, sidomos që nga shekulli 14-të, artisti është ai i cili pa e pasur dikë prapa, pa mbështetje, dëshiron që shikuesit t’i tregojë diçka. Unë aplikova për një ekspozitë personale dhe u pranova, andaj dhe gjithçka shkoi mirë. Puna në këtë ekspozitë zgjati për dy muaj për të shfaqur 14 piktura me valixhe lart dhe 17 punime në katin e poshtëm. Faktikisht, janë tri cikle të punimeve”, thotë Hajredini.

Sipas tij, ëndrra e tij ishte që valixhet të prezantohen në mënyrë muzeale, pra të jetë errësirë në mes punimeve por të shihet vetëm piktura.

“Piktura më e veçantë për mua do të ishte piktura “Run family run”, një valixhe e hapur me fotografi të familjes time për arsye se unë sa isha në Gjermani, familja ime ishte e zhvendosur. Pas luftës, pas pyetjes time të parë “A është vrarë dikush?”, pyetja e dytë ishte “A kanë shpëtu fotografitë?”. Nëse do të digjeshin ato, pra dhe historia jonë do të mbaronte”, përfundon ai.

Ndërsa, piktorja Zake Prelvukaj për KultPlus tha se Dritoni është një artisti i cili shprehjet e tij artistike gjithmonë vinë guximshëm në secilin medium që ai përdor.

“Dritoni është një artist serioz i cili nuk paraqitet shpeshherë në ekspozita, mirëpo të menduarit e ka atë absorbimin e tij ndër kohë, të cilën e përmbledh siç e ka bërë me këtë ekspozitë. Ai vërtetë di të dialogojë dhe ky dialog në errësirë që e ka zgjedhë është ajo që flet shumë sepse shumë dialogë në errësirë domosdo ndodhin për të shpëtuar botën. Dritoni me shprehje artistike gjithmonë ka qenë i guximshëm në çdo medium që ka përdorur”, thotë Prelvukaj.

Sipas saj, Dritoni është një artist që ka pasuruar edhe fondin e përgjithshëm kosovar të arteve dhe kudo që shkon paraqitet me njëfarë arti inteligjent që ndoshta dikush nuk mund as ta lexojë.

Në anën tjetër, pas kësaj date ekspozita do të jepet edhe në orarin e rregullt nga ora 10:00-18:00, çdo të martë deri të dielën. / KultPlus.com

“Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve” e kuruar nga Remzi Hasani vjen së shpejti në GKK

Ekspozita e titulluar “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve” e profesorit Luan Tashi, së shpejti vjen në Galerinë Kombëtare të Kosovës, përcjell KultPlus.

“Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve” vjen e kuruar nga Remzi Hasani. Ndërkaq, ekspozita do të hapet më 8 shkurt, duke filluar nga ora 19:00.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 8 mars.

“Lusim mysafirët që të respektojnë masat e rekomanduara nga IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e Covid-19”, ka shkruar Galeria. / KultPlus.com

Shpaloset ekspozita “Arti gjatë pandemisë”, kuratori Ejupi: Arti funksionon vetëm kur ka kaos

Era Berisha

Gjithsej 9 artistë vendor janë përzgjedhur për të shpalosur historitë e tyre personale të përjetuara gjatë pandemisë nëpërmjet krijimeve artistike të cilat përmes ekspozitës “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë” të kuruar nga Gazmend Ejupi, erdhën në një formë kaotike e krejtësisht të veçantë, me ç’rast secila pikturë, instalacion dhe performancë shfaqi një histori, një mendim e edhe ndjenja që hynin e bridhnin nëpër shpirtrat e pranishëm të mërkurën mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ora shënoi 19:00 kur dyert u hapën e një numër i madh i audiencës të cilët ndaheshin në grupe, po hynin dalëngadalë brenda ku fillimisht ata patën rastin që të shohin veprën e artistëve si Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, të cilët fillin e ekspozitës kishin vendosur të shndërrojnë në një gjendje kaotike, ashtu edhe siç ishte përjetimi i pandemisë. Një atmosferë e ndezur nga dritat me ngjyrë rozë ku teknologjia kishte zënë vendin dhe hapësirën në çdo kënd e që njëkohësisht portretizonte një përdredhje të ndjenjave njerëzore që digjeshin ngadalë si një kujtim i vyshkur.

Pas kësaj copëze hyrëse të instalacionit, të pranishmit vazhduan rrugëtimin drejt një hapësire ku magjia e pikturave të artistëve si: Avdi Hajdari, Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi, Jetullah Sylejmani, Luan Bajraktari, Renea Begolli  dhe Valdrin Thaqi, mbizotëronte në secilën moment që syri i njeriut mund të kapte e të përjetonte.

Ishte radha e pikturave të titulluara: “Proof of life”, “Aidofska” dhe “Jane playing ëith the cat”, të artistit Arbnor Karaliti, të cilat jepnin iluzionin se çdo ngjyrë e errët, çdo vështrim i pranishëm dhe çdo teknikë e ngjyrosjes, po hynte brenda zemrës së njeriut e po rrëmbente vëzhgimin e saj, duke mos e lëshuar në asnjë sekondë të vetëm.

Tutje, vepra “Definition” e artistit Valdrin Thaqi, nuk la vend për përcaktim e as përkufizim të ndjenjës së papërshkrueshme që piktura përçonte. E vendosur si një rastësi e veçantë, piktura solli elegancën e vdekjes pranë natyrës të qetë e aromës të dëlirë të një gjelbërimi unik. Ndryshe nga ngjyrat e ndezura e të dukshme të natyrës që zakonisht shfaqen në piktura, ishin ngjyrat pothuajse të përafërta e të një intensiteti të njëjtë që shpalosën një qetësi të çrregulluar e krejtësisht origjinale.

Ndërkohë, instalacioni “Dëgërrgjik 18,2021” i artistit Jetullah Sylejmani dhe skulptura “Pa titull” e artistit Luan Bajraktari, ishin të vendosura në një linjë horizontale ku një mur i vetëm e i bardhë ndante veprat nga njëra tjetra. Dy veprat në veçantitë e tyre portretizuan një gjendje nëpërmjet së cilës, njeriu i pranishëm tashmë veçse ishte i familjarizuar me të e i cili në këtë rast pati rastin të ndërveprojë me veprat artistike e ti shijojë nga afër në secilin kënd.

Ndërsa, pikturat e përmasave të mëdha të artistëve si: Brilant Milazimit dhe Renea Begollit, si dhe performanca e artistit Avdi Hajdari, futi publikun në ndjenjën e habisë, ku vezullimat e syve të tyre po dalloheshin që në momentin kur ata vunë sytë mbi këto vepra. Unike në stilin e tyre, pikturat kapluan vëmendjen e atyre që adhuronin ngjyrat e ndezura e kuptimet e fshehura. Ndërsa, performanca unike e vetë artistit Hajdari, vulosi mbrëmjen me prezencën fizike të njeriut në veprën artistike, me ç’rast aroma e dheut, luleve dhe vetmia e vendosjes së veprës, përqafoi publikun në një ngrohtësi admirimi të pandierë më parë.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth krijimit të ekspozitës dhe përshtypjeve të tij për KultPlus foli kuratori Gazmend Ejupi.

“Ideja erdhi nga Galeria Kombëtare për të pasur një ekspozitë kolektive me artistët e Kosovës. Koncepti i ekspozitës thirret: bazuar në ngjarje të vërtetë, ku trajtohet një temë që kur filloi pandemia dhe ideja ka qenë shumë e thjesht se si kemi funksionuar. Ndërsa, instalacioni në hapësirë fillon me kaos dhe punimet brenda në hapësirë janë shumë minimale dhe realizmi i veprave të artistëve ka njëfarë peshe që shndërrohet më shumë në një mesazh”, thotë Ejupi.

Sipas tij, përzgjedhja e artistëve ka qenë shumë e vështirë sepse ka pasur shumë artistë të talentuar që zgjodhën të aplikojnë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

“Për neve ka qenë me rëndësi se si janë trajtuar shfrytëzimi i konceptit, hulumtimi, shfrytëzimi i materialeve dhe paramendimet e tyre rreth shfrytëzimit të hapësirës që ne si kuratorë të kemi qasjen e të menduarit kritik paralel me artistin”, thotë ai.

Për Ejupin, pjesëmarrja e madhe e të pranishmëve për të parë ekspozitën dhe ndjenja e ringjalljes që ai ka marrë përgjatë natës, ishte përshtypja më e madhe që ai ka ndjerë.

“Arti funksionon vetëm kur ka kaos, kjo është fuqia më e madhe”, përfundon Ejupi për KultPlus.

Kurse, artisti Arbnor Karaliti për KultPlus tregoi idenë pas veprës artistike të tij.

“Në ekspozitën që veç e kemi parë sot, morra pjesë me katër punë të mija që janë krijime gjatë periudhës së karantinës për çka edhe është krijuar ekspozita. Punët në konceptin e tyre janë disa momente të kapura gjatë kësaj periudhe të izolimit që e kemi përjetuar secili nga ne dhe janë thjesht çaste përditshmërie ku mund të shihen disa njerëz që janë në fakt shoqëri e imja në pozitat e tyre gjatë asaj periudhe që ishin të mbyllur si pasojë e karantinës”, thotë Karaliti.

Sipas tij, piktura “Jane playing ëith the cat”, ka qenë vepra e tij e preferuar për arsye se ishte e para vepër në fazën e izolimit dhe se shijimi i procesit ishte në një nivel tjetër për arsye se mbyllja totale e tij në një dhomë ku vetëm pikturimi frymonte, ishte e dëshiruar për një kohë të gjatë për tiu përkushtuar punës.

“Vështirësia më e madhe ndoshta do të ishte puna e materialit sepse kemi qenë aq të izoluar saqë nuk kemi pasur mundësi të furnizohemi me material kurse si ekspozitë nuk ka pasur ndonjë vështirësi por thjesht ka qenë njëfarë kurorëzimi i krejt kësaj pune të artistëve të Kosovës gjatë pandemisë duke iu përmbajtur temës së izolimit”, thotë ai.

Për Karalitin, emocionet e mëdha për arsye të pranisë së madhe të njerëzve, malli i thellë për diçka të tillë në Galerinë Kombëtare si dhe ekspozimi i veprave të tij, ishin në një nivel jashtëzakonisht të madh e të dëshirueshëm tash e sa kohë.

Po ashtu, artisti Shkamb Jaka për KultPlus foli rreth konceptit të veprës së tij dhe artistes Laureta Hajrullahut.

“Ideja për të bashkëpunuar ka ardhur qysh moti por tani e gjetëm mundësinë që në këtë ekspozitë të aplikojmë së bashku. Idenë e kemi filluar për të sjell diçka organike dhe njëfarë estetike të programit ‘TikTok’ pasi që ka qenë influencë e madhe gjatë pandemisë. Disa drita dhe lule ishin si diçka organike që na kanë munguar gjatë kohës së pandemisë e që kanë qenë të vetmet gjëra organike që kemi mundur të përjetojmë në mbyllje e së bashku me videot tona që kanë treguar punët tona, kemi shfaqur përjetimin tonë të pandemisë”, thotë Jaka.

Sipas tij, ekspozita e tërë ka lënë përshtypjen e vetë për arsye se të gjithë artistët kanë qenë në bashkëpunim me njëri-tjetrin në mënyrë që të funksionojë tema e njëjtë, pra ajo e izolimit.

Ekspozita “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë” ka ftuar artistët me mediumet e tyre të përzgjedhura të paraqesin punët e tyre të krijuara gjatë kohës së pandemisë dhe në përgjigje ndaj saj. / KultPlus.com

Sot hapet ekspozita ‘Ekologjitë e së ardhmes’ në GKK

Në Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës do të bëhet hapja e ekspozitës Ekologjitë e së ardhmes / Smogu i madh i vitit 2021, kuruar nga Engjëll Berisha, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë do të prezantohen shtatë artistë, si: Alban Muja, Blerta Hashani, Ben Rivers, Charlotte Prodger, Louis Henderson, Nimon Lokaj dhe Uriel Orlow. Kjo ekspozitë hapet sonte në ora 19:00.

Ekspozita Smogu i madh i vitit 2021, një projekt multimedial nga kuratori Engjëll Berisha, një bashkëpunim nga Galeria Kombëtare e Kosovës, në partneritet me British Council dhe LUX. Smogu i madh i vitit 2021 do të hapet më 8 nëntor 2021 në ora 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe do të jetë e hapur për publikun deri më 8 dhjetor 2021. Ekspozita është pjesë e Ne Jemi Këtu: Ekologjitë e së Ardhmes dhe është Prezantimi i gjashtë i programit Ekologjitë e së Ardhmes në Ballkanin Perëndimor. “Smogu i madh i vitit 2021” eksploron mundësinë e një të ardhmeje ku ndryshimet klimatike të cilat për shkak të mosveprimit të shoqërisë sot e ka shëndruar botën tonë e cila dikur njihej si botë e gjelbër në një planet të hirtë distopiane të ndërtuar nga betoni dhe nga teknologjitë që ne shpesh i shohim në videolojëra dhe në filma të së ardhmes. Për të kuptuar të kaluarën brenda këtij realiteti distopian peizazhet janë të rëndësishme. Një botë e panjohur nga mënyra se çfarë ndjenja kishim dikur ndaj natyrës. Si e portretizoi një romanticist bukurinë e peizazheve duke reaguar ndaj jetës “të korruptuar” të qytetit, apo si një lule e thjeshtë mund të bëhet një mjet politik. Në Ballkanin Perëndimor Programi Ne Jemi Këtu: Ekologjitë e së Ardhmes ka filluar në fillim të vitit 2020, kur u zgjodhën gjashtë kuratorë për të paraqitur koncepte të ekspozitave për projekte në vendet e tyre përkatëse. Kuratorët e përzgjedhur ishin Ana Frangovska nga Maqedonia e Veriut, Elian Stefa nga Shqipëria, Armina Pilav nga Bosnja dhe Hercegovina, Engjëll Berisha nga Kosova, Natalija Vujosheviq nga Mali i Zi dhe Natalija Paunić nga Sërbia. Ndotja, zhvillimi urban, privatizimi dhe shfrytëzimi i hapësirave publike janë të gjitha realitete shqetësuese në Ballkanin Perëndimor. Dhe kështu u zgjodh tema e ekologjisë pasi që u shfaq natyrshëm si një temë që unifikon rajonin. Programi Ekologjitë e së Ardhmes përfshin një përmbledhje nga katër vepra të imazheve lëvizëse nga koleksioni LUX: Uriel Orlow’s Muthi, 2016; Louis Henderson’s Krejtë çka është e ngurtë, 2014; Charlotte Prodger’s LHB, 2017 dhe Urth, 2016 nga Ben Rivers. Smogu i madh i vitit 2021 prezanton edhe tri piktura të artistëve kosovarë: Ulësja në dritare e Alban Mujës, Pa titull e Blerta Hashanit dhe Pishat e Deçanit e Nimon Lokajt. Ekspozita do të shoqërohet me një program publik që përmban ngjarje të ndryshme të cilat do të eksplorojnë artin si një mjet për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet mjedisore. / KultPlus.com

GKK shpallë emrat e 19 artistëve për ekspozitën ndërkombëtare “Gjon Mili”

Galeria Kombëtare e Kosovës shpalli sot emrat e artistëve pjesëmarrës të edicionit të pesëmbëdhjetë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë, Çmimit “Gjon Mili”, shkruan KultPlus.

Ekspozita“Gjon Mili” do të hapet më 13 tetor dhe do të qëndrojë e hapur deri më 13 nëntor 2017.
Juria profesionale do të përzgjedhë fituesin, të cilit do t’i ndahet shuma prej 1000 Euro.

E organizuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës ,“Gjon Mili” është ekspozita më e rëndësishme për fotografi bashkëkohore në Kosovë.

Kuratori ALFREDO CRAMEROTTI përzgjodhi 19 artistë vendor dhe ndërkombëtar të ekspozojnë veprat e tyre në kuadër të konceptit kuratorial “Hiperimazhi! Imazhet Brenda dhe jashtë ekraneve tona”:

§ Have it
§ Margo Wolwiec
§ Anne De Vries
§ Erica Scourti
§ Clare Strand
§ Jeff Guess
§ Eliza Hoxha
§ Alice Pedroletti
§ Christopher Meerdo
§ Oskar Schmidt
§ Brilant Pireva
§ Kushtrim Asllani
§ Jordan Tate
§ Dardan Zhegrova
§ Sadi Suhodolli (TADI)
§ Thomson&Craighead
§ Eva&Franco Mattes
§ Thomas Galler
§ Claudia Sola

Të gjithë Artistët pjesëmarrës në Ekspozitën e çmimit Gjon Mili kanë interesim të përqëndruar në përdorimin e teknologjisë së re ose reimazhimin e përdorimit të të vjetrës, në mënyrë që të arrihet qasja interdisciplinare dhe sociale ndaj fotografisë dhe krijimin bashkëkohor të imazhit. Duke hulumtuar ndikimin e fjalorëve vizual teknologjik, kulturor, shkencor dhe politik në shoqëri dhe mënyrën se si këto “sisteme estetike” luajnë një rol në formimin e perceptimit tonë të botës, përzgjedhja tenton që të testojë kufinjtë e fotografisë që e kemi njohur, duke krijuar një manifest të sjelljes sonë të një lloj “hiperimazhi” përmes imazheve. / KultPlus.com

GKK organizon punëtori të hapur për të rinj

Galeria Kombëtare e Kosovës, në kuadër të programit të edukimit ka organizuar punëtori për të rinj. Andaj, të gjithë të rinjtë e moshës 13-15 vjeç mund të bëhen pjesë e kësaj punëtorie, përcjellë KultPlus.

Përmes kësaj punëtorie të rinjtë do të njoftohen me teknika të reja dhe krejt të lira të artit, duke u shprehur lirshëm në mënyrën e transmetimit direkt të emocioneve të tyre përmes artit vizuel. Të rinjtë do të mësojnë si ta njohin dhe ta interpretojnë artin vizuel, duke mos u kufizuar vetëm në artin tradicional, por edhe format bashkëkohore të shprehjes artistike dhe konceptuale.

Koncepti i workshopit me titull “Tregimi im me ngjyra” përkon me shprehjen mjaft individuale të secilit pjesëmarrës ku përmes materialeve të ofruara do të kenë mundësinë që në mënyre vizuele, figurative ose jo, të tregojnë përjetime apo parashikimet për ngjarjet dhe botën që i rrethon. Gjatë punës do të asistohen nga trajnerja Vlora Hajdini Hajrullahu.

Punëtoria do të mbahet më datë 28 gusht, duke filluar nga ora 11:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga GKK. / KultPlus.com