Ditëlindja e Arbërorit më të madh

Nga Gjon Keka

616 vjet më parë lindi Gjergj Kastrioti, Mbret dhe shpëtimtar i qenjes dhe identitetit tonë arbëror europian.

Sot është Ditëlindja e Arbërorit më të madh, i cili ka bërë dritë më së shumti në historinë e kombit tonë dhe të Europës.

Ai lindi si bekim, si mbrojtës i vetë i kombit tonë, duke e bërë atë me emër të madh për kohën e tij kur ai jetoi e veproi, saqë edhe sot veprat dhe emri i tij janë të njohura anë e mbanë botës së civilizuar.

Ai kishte urtësinë, vizionin, talentin dhe aftësinë e udhëheqjes së Shtetit të tij në udhën e dritës, lirisë dhe të ardhmes së sigurtë.

Në fakt ai u bë shembulli i lavdishëm i së kaluarës.

Gjergj Kastrioti kishte besimin e fortë, zgjuarsinë e gjarprit dhe guximi i palëkundur duke i bashkuar të gjitha vlerat e dhuntitë e tij për të arritur e bërë gjëra të mëdha me pak mjete për Arbërinë e tij.

Kështu Gjergji ynë i madh u bë një nga heronjtë më të mëdhenj në botë që shmangu rrezikun e shkatërrimit të qenjes sonë kombëtare dhe identitare nga pushtuesi gjakpirës otoman.

Këtu po e nënvizoj një nga fjalët që babi i tij Gjon Kastrioti ja la Gjergj Kastriotit kur ai u morë peng nga sulltani. Në mes vajit të babait dhe nënës, dhe mjerimit që ishte shkaktuar nga pushtuesi otoman(turk), babi i tij i la këto fjalë Gjergj Kastriotit: “Ti i dashur biri im Gjergj, mos e shuaj shpresën tonë!“

Sikur që dihet Gjergj Kastrioti u detyrua të shërbente në ushtrinë turke për 20 vjet nga vjeshta e vitit 1423 deri në nëntorin e vitit 1443, d.m.th. nga mosha 18 deri në 38 vjeç ai ishte peng dhe i detyruar për të shërbyer në perandorinë e pamëshirshme otomane.

Por, edhe pas gjithë atyre arritjeve dhe të mirave që gëzonte në oborrin e Sulltanit, Gjergj Kastrioti nuk i harroj fjalët e babait të tij që ia la atij, ato ai i mbante në zemër, ndërsa puthjen dhe shenjën që i dhanë prindërit në ballë i mbetën atij si një vulë e mos harresës dhe dashurisë ndaj atdheut të tij. Dhe ai e dëgjoi zërin e brendshëm i mbajti fjalët e babait të tij dhe i ktheu shpresën Arbërisë, duke ia sjell sëbashku me arbërorët e tij besnik lirinë e munguar, pastaj duke u bërë jo vetëm mbreti i saj, por edhe shpëtimtarin i saj dhe i tërë kontinentit dhe civilizimit të përbashkët europian.

Gjergj Kastrioti e mbajti fjalën e babait të tij, u rikthye në rrënjët e tij, i ktheu atdheut respektivisht arbërorëve dinjitetin, lirinë, identitetin dhe emrin e lashtë e të lavdishëm që e mbanin që nga Mbreti Pirro, Mbretëresha Teuta etj. / KultPlus.com

343 vjet nga lindja e Vivaldit, kompozitori që kishte shkruar operë për Skënderbeun

Antonio Lucio Vivaldi lindi më 4 mars 1678 në Venecia, Itali. Mësoi violinën nga babai i tij Xhovani Batista (Giovanni Battista) që punonte si berber. 

Lista e kompozimeve rralla të realizuara nga Antonio Vivaldi përfshin dhe operën “Skënderbeu”.

Shfaqja e parë e kësaj opere u realizua në Teatro de la Pergola në Firence të Italisë më 22 qershor 1718. Ajo përuroi rihapjen për publikun të këtij teatri. Libreti u shkrua nga Antonio Salvi, libretisti i preferuar i Dukës së Toskanës, Ferdinando de’ Medici, nga familja e njohur e Mediçëve. 

Ngjarjet zhvillohen në muret e Krujës në rrethimin e parë të saj në 1450, ndërsa qyteti është i rrethuar nga trupat turke që drejtohen nga sulltan Murati. Ushtarët otomanë kapin rob Donikën, ndërsa Skënderbeu i shqetësuar rrëmben vajzën e sulltan Muratit duke menduar që konflikti të zgjidhej me këmbimin e dy robëreshave. Në fund Skënderbeu e çliron vetë Donikën e tij me trimëri dhe kritikët mendojnë se ka Vivaldi ka dhënë me këtë opera triumfin e dashurisë dhe burrërisë shqiptare.

Si shikohet subjekti është melodramatik, ku nuk mungojnë intrigat dhe zgjidhjet “Deus ex machina”, karakteristike për artin barok të kohës. Në fakt është një Skënderbej tjetër nga ai që jemi mësuar të shikojmë në artin shqiptar.

Në artin europian të kohës nuk ishte fort i rëndësishëm epizmi i karaktereve sesa lirizmi dhe fryma kalorësiake e kohës. Fakti që Vivaldi zgjodhi Skënderbeun si subjekt të operës për këtë rast të rëndësishëm, konfirmon ndikimin që kishte ende në Europë heroi ynë kombëtar pothuajse 300 vjet pas vdekjes së tij. Ai ishte përfytyruar gjithmonë si një hero europian , “mik i virtytit dhe jo i fatit” si shprehej dhe vet Skënderbeu në letrën e tij të famshme dërguar Ferdinantit të Napolit. 

Vivaldi është pa dyshim një nga kompozitorët më të mëdhenj italianë dhe në kurrikulumin e tij rezultojnë mbi 500 koncerte (210 prej të cilave ishin për violinë ose violonçel) 46 opera, sinfoni, 73 sonata, muzikë dhome ( disa sonata për fyell) si dhe Muzikë të Shenjtë. Vepra e tij më e famshme është “Katër Stinët”, kompozuar në vitin 1723.

Në thelb, ajo ishte si një poemë për natyrën, ku ai u mundua të realizonte tingujt e katër stinevë. Pranvera është një pjesë, që shpesh përdoret për ceremoni të rëndësishme dhe vazhdon të konsiderohet një nga perlat e muzikës klasike. / KultPlus.com

Malcolm për Skënderbeun: Në Ballkan nuk ishte ba përpjekje për çlirim nga pushteti i Sulltanit ma fuqishëm sesa në Shqipni

Noel Malcolm, për Skënderbeun, në librin “Agents of Empire”:

“Askund në Ballkan nuk ishte ba përpjekje për çlirim nga pushteti i Sulltanit ma fuqishëm e ma me kambëngulje, sesa në Shqipninë e shekullit pesëmbëdhjetë, ku një pinjoll i një familjeje të randësishme pronare tokash, Gjergj Kastrioti – i njohun si Skenderbe, nga turqishtja ‘Iskender Bey’, ’Zoti Aleksandër’ – udhëhoqi një varg fushatash anti-otomane gjatë 25 vjetëve deri para se me vdekë me 1468. Tri herë sulltanët erdhën personalisht me armatat e tyne për me e shkatërru atë, dhe të tria herët nuk ia dolën të merrnin kështjellën kryesore, fortesën e Krujës. Skenderbeu do të vdesë nga sëmundja, jo në fushëbetejë, dhe ndodhi vetëm në vitin 1478, një dekadë pas vdekjes së tij, kur Kruja ra.“ / KultPlus.com

Vendet evropiane që vlerësuan figurën e Skënderbeut nëpërmjet busteve (FOTO)

Në 533 vjetorin e vdekjes të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, çmojmë lartë veprimtarinë e tij të bujshme për hir të atdheut, shkruan KultPlus.

Skënderbeu gjithmonë e nënshkroi veten si Zot i Arbërisë, dhe nuk pretendoi tituj të tjerë përveç tij në dokumentet zyrtare.

Skënderbeu zhvilloi luftë mbrojtëse, dhe për 25 vjet, nga viti 1443 deri në vitin 1468, ushtria 10,000 anëtarëshe e tij luftoi e fitoi kundër forcave osmane, të cilat ishin vazhdimisht më të mëdha dhe më të furnizuara, gjë për të cilën u admirua.

Me heroizmin e tij, Skënderbeu arriti të depërtoj më thellë sesa koha që jetoi, duke mbetur përherë në histori. Madje, ai nuk u kujtua vetëm në qytete shqiptare, por buste të shumta janë ngritur përtej kufinjve shqiptarë.

KultPlus në përvjetorin e vdekjes së tij, ju sjell disa nga bustet e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në vendet e njohura të botës:

Monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Londër

Monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Belgjikë

Monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Gjenevë

Monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Itali

KultPlus.com

Vendoset busti i Skënderbeut në Konsullatën shqiptare në Itali (FOTO)

Për nder të 553 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, Konsullata e Përgjithshme shqiptare në Bari ka vendosur bustin e tij, shkruan KultPlus.

Ky bust është dhuratë e skulptorit Albert Metasani për Konsullatën shqiptare në Bari të Italisë.

“Përkujtojmë sot me respekt udhëheqësin e parë të shtetit shqiptar, qëndrestarin heroik të mbrojtjes së vendit dhe vlerave evropiane, heroin legjendar të kombit”, kanë shkruar faqja zyrtare e Konsullatës së Përgjithshme në Bari.

Tutje, ky institucion ka thënë se figura e Skënderbeut është shndërruar në symbol dhe element të identitetit kombëtar.

“Ai do të kujtohet gjithnjë si simbol i luftës për liri dhe model i përbashkimit të shqiptarëve”, thuhet tutje në postimin e tyre.

Në fund, figura e Skënderbeut është kujtuar nëpërmjet një poezie nga Jeronim De Rada. / KultPlus.com

Shkrimtarët vendor dhe evropianë të cilët shkruan për figurën e Skënderbeut

Lista e shkrimtarëve prestigjioz të cilët kanë shkruar për figurën e shquar kombëtare, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun është e gjatë, shkruan KultPlus.

Madje shumica e tyre vijnë nga vende evropiane, janë me pikëpamje të ndritura dhe kanë tentuar të shpalosin historinë reale dhe të bëmat e Skënderbeut. Historiani Safet Hasani nëpërmjet një postimi ka listuar disa nga shkrimtarët të cilët kanë shkruar vepra për figurën e tij.

Matheu Rafei, Marin Baleti, Marin Beçikeni, Wolter, Gabriel Afermo dhe shumë të tjerë janë emrat që kanë shkruar për Skënderbeun.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Hasanit:

Në kohën e fundit, disa shqipfolës, me apo pa vetëdije shkruajnë gjëra aspak të vërteta për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin Skenderbeun. Ata që shkruajnë e mundohen ta minimizojnë figurën amblematike kombëtare dhe vulën e heronjëve tanë, s’janë asgjë tjetër veçse parazit dhe servil të armiqve. Për ata që shkruajnë pa ditur historinë e mirëfilltë shqiptare të periudhës së Skenderbeut, do t’iu tregoj dhe do t’i shktuaj emrat më të medhenjë të periudhave mesjetare dhe iluministe që shkruajnë për Skenderbeun, shkrimtarë nga të gjitha shtetet e Evropës dhe më gjerë:

– Matheu Rafei, francez

– Marin Baleti

– Marin Beçikeni

– Dhimitër Frangu

– Gabriel Afermo, Filozof italian

– Mishel de Manan, hunanist ril. Francez

– Paolo Xhiano

– Andrea Kambini, poet Italian

– Joan Shyt, historian britanik

– Luigji Grato, poet

– Gabriel Efoema, poete humanist

– Amadi Zharmin, franceze

– Margarita Sarroki, teologe, fil.italiane

– Frank Bardhi, 1636

– Ludwig Hamber, his. pub. danez

– Ser William Tejbel, britanik

– Ivan Gorduliq, historian kroat

– Jean M. Bicumi, poete italiane

– Wolteri, filozofi – iluministi evropian E shumë të tjerë . / KultPlus.com

“Vallja e shpatave”, luhet pranë varrit të heroit Gjergj Kastrioti- Skënderbeut (VIDEO)

“Vallja e shpatave” apo e njohur si “Vallja e Pirros” është një nga vallet më të njohura dhe më të lashta shqiptare, shkruan KultPlus.

Kjo valle e njohur që është realizuar pranë varrit të heroit të kombit, Gjergj Kastrioti i ka rrënjët që nga lashtësia dhe ishte e njohur si “vallja e Pirros”.

https://www.facebook.com/DardaniaSacra.2015/videos/2050842545240692/

Vallja pirrike ishte valle e lashtë që luhej në Greqinë e Lashtë, Iliri, Maqedoni e Thraki. Sipas legjendës, edhe Kurretet (banorët eponim të ishullit të Kretës) kanë luajtur një valle të tillë shpatash me synim që ta mbrojnë Zeusin foshnje nga ndëshkimi i pa kthim i atit të tij Kronosit që gëlltiste fëmijët e vet që në lindje./ KultPlus.com

Sulltan Mehmeti II për Gjergj Kastriotin: Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë

Të gjithë e dijmë historinë e heroit tonë kombëtar, ngjarjet e këtij heroi që lanë gjurmë të mëdha në historinë shqiptare dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu shumë shpejt u shndërrua në makthin më të tmerrshëm të Perandorisë Osmane.

Më poshtë, KultPlus ju sjell një thënie që Sulltan Mehmeti II e kishte thënë për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në vitin 1467.

Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë’ / KultPlus.com

“Gjithmonë kur merr ngricë, sjellim ndërmend emrin Tënd”

Poezi nga Sabri Hamiti

Gjithmonë kur merr ngricë
Sjellim ndërmend emrin Tënd,
Atë të parin dhe atë tjetrin,
Mundohemi t’ua mësojmë fëmijëve.

Nga terri i kohës dalin emrat,
Nishi, Kruja, Albulena e Berati.
E prapë dy emrat: i pari, i dyti
Njëri për veten, tjetri për tjerët.

Gjithmonë kur merr ngricë
Sjellim ndërmend emrin Tënd.
Të gjallë, të mjerë. Sa vlen jeta
Kur mbahet fryma me kujtime?

Fëmijët, që emrat i kapin shpejt,
Nuk donë vetëm kaq, donë më shumë,
Ata donë jetën, një emër për veten,
Fëmijët që nuk rriten nga kujtimet.

Gjithmonë kur merr ngricë
Sjellim ndërmend emrin Tënd,
Kur shurdhësinë e fellë, të pafund
E prishin lehjet e qenëve natën.

Një emër për veten e për të tjerët,
Qoftë edhe duke arrnuar jetën
Lypin fëmijët kur e rrisin shtatin.
Ata s’njohin kujtime, po ëndrra.

Nga përmbledhja me poezi “Leja e njohtimit 1985”, Rilindja, Prishtinë, 1985. / KultPlus.com

‘Trim mbi trima, ai Gjergj Kastrioti, fuqí t’madhe që m’i dhanë ka Zoti’

Filmi për Gjergj Kastriotin është një film historik që trajton jetën dhe veprën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, shkruan KultPlus.

Në film Gjergj Kastioti bashkon princërit shqiptarë duke u martuar me Donika Kastriotin dhe duke organizuar Besëlidhjen e Lezhës, por përballet edhe me tradhtinë e Hamza Kastrioti, nipi i tij.

Filmi ka skena masive të betejave historike dhe rrethimit të Krujës. Është filmi i parë artistik, frut i bashkëpunimit shqiptaro-sovjetik.

KultPlus ju sjell këngën e Gjergj Kastriotit, e cila është edhe kolona zanore e këtij filmi.

Bashkangjitur gjeni videon e shkëputur nga filmi dhe tekstin e këngës.

Trim mbi trima, ai Gjergj Kastrioti,
fuqí t’ madhe që m’i dhanë ka Zoti,
s’e djeg flaka e s’e djeg baroti,
shpata e tij than malin n’dysh e çán,
me nji t’ râme nji ushtrí perlán.

Lavd’ ô Gjergj, ô Skanderbe drangoi,
krahu yt çdo dit’ u përforcoftë,
gjithë ku janë armiqt ai i çfaroftë,
Lavdi yt, ô, brez mas brezi u knoftë. / KultPlus.com

Flamuri dhe simbolet e Skënderbeut në kishën e famshme të Venecias

Një flamur që valëvitet në një nga nga tre harqet e tavanit që fsheh historitë biblike të Esterit dhe Mardocheos, paraqet një shqiponjë të zezë mbi sfondin e kuq dhe është lexuar deri më sot si një flamur hasburgian. Në fakt flamuri hasburgian nuk ka pasur kurrë një sfond të kuq, por të hapur.

Në numrin CXCVIII, seria e tretë 10/II (2011) në revistën prestigjioze të shkencës letërsisë dhe artit është botuar një artikull i Lucia Nadin me titullin “Propozimet e rileximeve të pikturës së Paolo Veronezes në Shën Sebastian në Venecia: Skënderbeg atleta Cristi dhe kisha e Shqipërisë”.

Artikulli, precizon autorja, është vetëm një parashtrim studimesh që ka në dorë dhe që synojnë të vendosin Shqipërinë një vend të veçantë në artin e mrekullueshëm në Venecia: Kisha e Shën Sebastianit, që ndodhet në lagjen Dorsoduro, shumë e famshme si një kishë autoriale: nuk është tjetër veç një shembull shumë i rrallë kishe ku pjesa dekorative mban emrin e një artisti të vetëm: Paolo Caliari, veronez, një ndër interpretuesit më të mëdhenj të pikturës veneciane të viteve 1500.

Kjo kishë është një vend simbolik, një monument i madh i Rilindjes, me famë ndërkombëtare, dhe e njohur si tempulli i artistit ku ai dëshiroi dhe të varroset. Për fat të keq një sërë afreskesh të tij me kalimin e kohës u shkatërruan.

Pikturat e veronezit, në tavanin e sakristisë, muret dhe gjithë zbukurimet e tjera u realizuan në një hark kohor mes 1555 dhe 1565. I gjithë cikli celebron në fakt triumfin e Besimit/Kishës/Virgjëreshës Mari nëpërmjet tregimit ekzemplar të martirit të tyre Shën Sebastianit.

Një flamur që valëvitet në një nga tre ovalet e tavanit, në të cilën rievokohen historitë biblike të Esterit dhe Mardokeut, ku paraqitet një shqiponjë e zezë mbi një sfond të kuq dhe ky është lexuar si një flamur hasburgian.

Në fakt flamuri hasburgian nuk ka pasur kurrë një sfond të kuq por të hapur.

Propozimi i Lucia Nadin është gjithçka tjetër dhe bazohet dhe në studimet e saj mbi emigrimin shqiptar në tokën veneciane në gjysmën e dytë të 1400-ës, për shkak të ngjarjeve të mëdha që përshkruan Ballkanin dhe që shënuan emigrime masive pas vdekjes së Skënderbeut dhe pas vendosjes së paqes me turqit në vitin 1479, në vazhdim të dy pushtimeve të tmerrshme që pësuan Shkodra dhe Drivasti nga 1474 në 1478.

Studiuesja, docente e Letërsisë Italiane në Universitetin shtetëror në Tiranë, duke u nisur nga data e flamurit në tavanin e kishës, që thërret flamurin e Skënderbeut, i përshkruar nga Marin Barleti dhe i konfirmuar nga Konica në vitin 1908 dhe më pas me rastin e pavarësisë shqiptare në 1912:shqiponja dykrenore në sfondin e kuq.

Nadin i lexon në mënyrë metaforike aventurat e Moardocheos, që lufton për shpëtimin e popullit ebraik, ngjarje që sipas saj i vishen atyre të Gjergj Kastriotit. Ndaj ajo analizon se gjithë kremtimi i shën Sebastianit, një mënyrë krejt e panjohur për traditën veneciane, është paraqitur jo si shenjti i mrekullive, por si Miles Cristi, që përballon Diokleziani, persekutorin e madh të të krishterëve, dhe që shkon në martirizimin e sigurt, për triumfin e Kishës.

Në Shën Sebastian, Miles Cristi, përfaqëson në mënyrë metaforike në këtë rast Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili u cilësua nga papë të ndryshëm si Atleta Cristi, mbrojtësi i krishtërimit perëndimor.

Koka e dhisë

Në tavanin e kishës do dallosh dhe kokën e një dhie: që në fakt ka qenë një nga kafshët mesjetare, simbol i largpamësisë së Krishtit.

Përkrenarja e Skënderbeut ndodhet në Vienë në Kunsthistorisches Museum. Koka e dhisë dihet që ishte pjesë zbukurimi e përkrenares së Skënderbeut që u bë mbret i popullit të tij i ndjekur nga kryqëzimet e papa Piut II dhe që mbaroi tragjikisht me vdekjen e papës në Ankona.

Pra bëhet fjalë për një simbol tjetër Kastriot, pra shqiptar.

Në martirizimin e Shën Sebastianit që pasqyrohet aq bujshëm në kanavacat e prezbiterit autorja nuk bën gjë tjetër veç lexon martirizimin e gjithë kishës së Shqipërisë, dhe një personazh specifik që paraqet një veshje me shqiponjën dykrenore kurorëzuar me historinë e familjes së Ëngjëllorëve, që njihet në histori në vitet 50 të këtij shekulli dhe që u nderuan me Urdhrina kavaleresk të San Giorgios, një familje që u impenjua me një guxim të jashtëzakonshëm për të kujtuar memorien historike të Shqipërisë.

Në fakt jemi në pritje të veprës kompete të Luçia Nadin mbi kishën e Shën Sebastianit për të zbuluar një faqe të rëndësishme të historisë shqiptare dhe një vend në artin mesjetar për më tepër që bëhet fjalë për një nga veprat e një prej piktorëve më të mëdhenj evropianë të të gjitha kohërave: Paolo Veronezen.

Dëshirojmë të kujtojmë në fund të këtij shkrimi, zbulimin e jashtëzakonshëm të Lucia Nadin mbi Statuset e Shkodrës, të rekuperuara nga studiuesja pas 7 shekujsh nga biblioteka e Museo Correr në Venecia.

Një kontribut i jashtëzakonshëm i studiueses italiane për historinë e Shqipërisë./konica.al/ KultPlus.com

Sulaj: Kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit Gjergj Kastriot Skënderbeut

Është një ndër veprat më të bukura që portretizon heroin e madh kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, dhe këtë vepër, vetë autori Agim Sulaj e mban shumë për zemër, shkruan KultPlus.

Edhe pse jo më pronë e tij, por e koleksionuar brenda Tiranës, për këtë vepër që ishte ekspozuar vite më parë në një ekspozitë të hapur në Tiranë, pikërisht me dedikim për Gjergj Kastriot Skënderbeun, Sulaj ka treguar për emocionet që i ka dhënë kjo vepër, përgjatë realizimit.

“Kam punuar gati një muaj mbi këtë portret, çdo ditë, dhe kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit tonë të përjetshëm”, kishte thënë Sulaj për KultPlus. Ai ka shpjeguar se ky portret është punuar në vaj./KultPlus.com

Fjalimi i fundit i Gjergj Kastriotit

Studiuesi i jetës së Skënderbeut, Aurenc Bebja që jeton dhe punon prej vitesh në Francë ka mundur të zbulojë vitin e shkuar, një tekst të botuar 241 vite më parë në Gjermani ku përshkruhen fjalët e fundit të Gjergj Kastriotit në shtratin e vdekjes.

Fjalimi i më poshtëm është marrë nga libri i autorit Stephan Zannowich, me titullin “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”.

Teksti prej 131 faqesh është botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J. J.Kesler, Frankfurt.

Gjergj Kastrioti i sëmurë, nuk mund ti shmangej vdekjes dhe për këtë arsye fton në vatrën e tij princat, ambasadorët, gjeneralët, dhe drejtuesit kryesorë të vendit që tu lë amanetet e fundit ashtu siç i ka hije një luftëtari të madh. Para se heroi ynë të fillonte fjalimin, urdhëron që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe dhjetë vjeç, të ndodhej mes të ftuarve.

Fjalimin e Princit të Matit dhe mbretit të shqiptarëve e gjejmë në faqet 70 – 89 të librit, i shkruar në gjuhën frënge:

“Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj. Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni.

Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj. Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…

Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë. Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtrues dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit: ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtyteve.

Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe luksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje. Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga ministrat tuaj. Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.

Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes…

Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.

Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.

Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysmë veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…
Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe racës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…

Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashëgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…

Ti jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të ju shkruajë ; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të përgjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…
Mos përbuzni askënd ; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.

Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.

Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë. Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhrin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënien e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.

Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëhiqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve ; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë

Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhues ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht. Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i fshehu mbretit pafajësinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqij. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.

Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…
Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.

Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtas politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës. Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka. Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia.

Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer. Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.

…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi. Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni luftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.

Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij… Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur. Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën…

Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit”. / KultPlus.com

552 vjet nga vdekja e heroit kombëtar

Sot bëhen 552 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili vdiq më 17 janar 1468, në Lezhë.

Gjergj Kastrioti, Heroi Kombëtar i Shqipërisë lindi në vitin 1403. I përkiste familjes mbretërore të Kastriotëve. I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Kur lindi Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje deri në detin Adriatik në perëndim.

Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq në moshën 63-vjeçare. Ai konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës. Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj.

Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa Prijësin e saj.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqipërisë vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues në shekullin e 15 dhe ishte një shembull për imitim për të gjithë heronjtë e mëvonshëm. Mbeti në histori si luftëtar, si gjeneral njeri me principe dhe me ideale. Gjergj Kastrioti ishte personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij./ KultPlus.com

Përshkrimi i Gjergj Kastriotit në dy numra të veçantë të revistës ”Leka” të vitit 1937

Nga Nue Oroshi

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është heroi ynë më i madh i të gjitha kohërave. Luftërat dhe betejat që kishte zhvilluar Gjergj Kastrioti -Skënderbeu ishin aq të mëdha sa për kohën kur janë zhvilluar ato ishte e pamundur të imagjinohet një qëndresë kaq e madhe e një populli të vogël karrshi fuqisë ushtarake që kishte në atë periudhë kohore Perandoria Osmane.

Gjergj Kastrioti është heroi ynë për të cilin u shkruan mijëra libra të karakterit historik,letrar,dramatik dhe shumë zhanre tjera. Është personaliteti më i madh i yni për të cilin bota e civilizuar perëndimore jo vetëm që botoi libra por edhe e përvetësoj në bronz.

Nuk është e rastësishme që sot në shumë qendra të botës ta kemi monumentin e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut. Në këtë studim do të paraqes një përshkrim mjaftë interesant të botimit të studimeve historike në dy numra të veçantë të Revistës ”Leka”të botuar në vitin 1937 tash e tetëdhjetë e dy vite më parë si numra jubilarë më rastin e njëzet e pesë vjetorit të  Pavarsisë së Shqipërisë.

Revista” Leka” në atë periudhë kohore ishte revista më e madhe për kulturë dhe shkencë. Është interesant të theksohet fakti se pikërisht ishte edhe ky viti 1937 kur u botua edhe Libri i Athanas Gegajt për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun si një libër i pasur me burime shkencore dhe historike të analizuara me një pedantëri shumë te madhe shkencore. Këtu shihet qartë se edhe autorët e punimeve studimore në revistën ”Leka” kishin pasur fatin ta shfletonin librin e posa botuar.

Në një studim rreth jetës së ti në revistën ”Leka” me titull:”Gjergj Kastrioti Pasqyra e atëdhëtarit shqiptar shkruhen shumë qartë karakteri i vërtetë i Gjergj Kastriotit.

”Kordhëtari qi sgjen pushim veqsë në luftë. Po ky s’ashtë vesi i nierit të mbiqujtun Skanderbeg i ishë sanxhakut qi prete tatarë e persjan pore asht strategjia psikologjike e prijësit qi ka per misjon prei

Perendije të marrë nji Kom qi deri më sot sasht kom as shprehje gjeografike, ti japë në një fenë një shpresë në një dashtni nji ndergjegje komtare ta bajë kom të vertetë kom plot lavd n Europë të kështënë mnerë e anmiqvet të sai kom qi me nji ketë farë kujtimi sdotë humb neper 500 vjet tirani,por do të rinjallet te e vona per me marrë prep shtegun qi i pat shënjue Fatosi. Aj din me zaptue vedin si i forti i vërtët si sundues i një mendët.

Epshet duket se nuk e prekin aj në një jetë fushatashë nuk merr pjesë në plaqkitje, që i bijn porsi komandantit e trimitë përmbi trima e danë ndër luftar të vetë, kur shtetizon pasurin e tradhtaritë gja smerr per vedin edhe ja nisë një punimit për dobi të shtetit. Grue të huej nuk prekë asë e lenë ushtarinë me vu dorë në femën vesin kundra natyrës smund e shef me sy. Shtatnaltë e gjithmonë në levizje rri gjatë pa hanger e pa pi,pak o aspak flen a shlodhet.

Do papa me kunorue mbret e shkrefë o una kur gjith shka asht gati tjeterkushë do të ligshtohej duke pa se ishe mbet ideali për të cillin ka punue e lakmue,aj se merr ndor aspake vazhdon si perpara prijsi fjeshtë e i pa titull. Gjindet atdheu me ne vojë: Kapidani krenar nuk priton me marr rrugën e me shetitë oborret e Italisë tu e lypë përkrahje. Miq e gjinie tradhtojnë gjaksorët i vënë pusina aj me zi q’pret njishej pendimi e harron gjithshka.

Në këto studime më tepër autorët mirren me karakterin e vërtetë dhe mënyrën se si duhet ti qasej historiografia shqiptare studimit të figurës së Gjergj Kastriotit–Skënderbeut. Duhet theksuar fakti se edhe shumë autorë që vijnë nga fqinjet tanë për rreth kufijve të Shqipërisë janë munduar që ta bëjnë përvetsimin e Gjergjit tonë. Studimet e botuara në revistën ”Leka” janë edhe studime polemizuese që paraqesin karakterin e vërtetë të Gjergj Kastriotit.

”Kemi pra nji Skanderbeg historik e ketë Skanderbeg historik e kemi fatos, e kemi të panjollë symbol e pasqyrë të dëjë per jetë tanë komtare.

Por mjerishtë e natyrishtë nji shembull asi soji qdo nieri qdo parti qdo besim qdo rrymë a prirje a levitje mundohet me e pasë per vedi e prandaj,kur ska ndergjegjë të pastër e të drejtë mundohet me ja shtrembnue e shemtue fysjonomin mbas interesit e thezës së vet.

Pak fatosa të vjetër janë kaqë të njoftun e pak drue janë kaqë të panjoftunë sa Gjergj Kastrioti. Kushë ndër ta ka pasë fatinë me gjet kaq shumë jetëshkruesa „testes oculatos“që me sy të vetë të kann mujt me pa shka përshkruajnë?). Kush ndër ta e ka pasë jetshkrimin kaqë të përhapunë neper Europën mbarë sa Gjergj Kastrioti për të cilët folën te gjithë giuhet e Europës.

E pra Jetshkruesat e ti flas për jetshkrusatë shqiptarë meritojshinë një besim shumë më të madhë.Gabimet e tyre kufizohen në ndonjë datë o në ndonjë numër i mushtrie por mbet i patrandum kompleksi i epopesë Gjergjane me të gjith lumnit dhe lavdit e saja.

Vetë ajo gja kaq e pabesushme qi të këtë pasë Shqipnija shka nuk pat bota kurr,nji fatos të pa të meta mujti me i shty dyshiminë historijakve të ,ma vonshëm porë ashtë nje vertet që deri sodë nukë mundë te vëhet në dyshim.

Rreth karakterit të vërtetë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut studimet në këto revista kulturore dhe shkencore flasin posaçërisht për  mënyrën e funksionimit të shtetit të Gjergj Kastriotit -Skënderbeut. Shteti i Gjergj Kastritotit- Skënderbeut ishte një shtet i veçantë që dallonte nga shumë shtete qentralizuese të asaj periudhe kohore. Edhe studiuesit japin një pasqyrë mjaft interesante dhe vijnë në përfundim se Shteti i Gjergj Kastriotit -Skënderbeut ishte ide e veçantë e Gjergj Kastriotit -Skënderbut dhe dallonte në thelb nga shumë shtete tjera.

Në këtë periudhë kohore Gjergj Kastrioti nuk e kishte kopjuar askund idenë e Shtetit Shqiptarë por e kishte zbatuar në praktikë karshi rrethanave historike dhe karshi mentalitetit shqiptarë të asaj kohe.Por me një ndryshim shumë të madh duke e ndryshuar mentalitetin nga ai përqarës ku përqarjet nuk ishin të vogla në mes prijësve shqiptarë duke e zbatuar frymën  bashkuese duke i dhënë vendin e merituar çdo prijësi shqiptar.

Trimnia ushtarake në nji karakter mundet ndoshta me kënë vizimima i dukshmi por karakterin nuk e perban.

 Asht vetëm nji mjet i fuqishëm qi i vehet në dorë shpirtitë të mundet me projtë o me zbatue ato ideale qi janë  thalbi i ti e asht trimni e burrni kur i sherben nji idealit të dejë asht guxim e Kapadaillek i marrë kur i sherben nji qellimit të kotë o te poshtër.[1]

Dikush i terhjekun prei lavdit ushtarak të pashoqe prei randsie së veprës së Ti me një fantasi të pa të keq,na e veshi me kunorë e me petka mbretnorë,e na rrethoi me nji oborr në nji pallat e në nji kryeqytet,dishka ndermjet princavet e kshtjellevet romantike mesjetare e zotnivet e pallatevet të rinashimenit.

Madhni qi Skenderbegu se ka pasë, as spat nevojë me e pasë: prijisi i njij populli,i madh asht me kunorë e pa kunorë. Dikush ka dashtë me thellue ma teper e na e paraqiti porsi politikan të madh, diplomat e qeverritar, me nji ideal qentralizimi, nji kopje e rishikjume  e qortueme e Fernandit me gjith Izabelen së bashku më nji nieri të vetem. Ketë krahasim  e gjen vullëndeti i mirë i yni,pse fjalët e atyre shpiksave të kujtojnë ma fort- na vjen vshtir me e thanë-nji Luis XII.

Vertet shekulli XV asht shekulli i zhdukjes së feudalizmës n´Europë,shekulli i mbretnevet qentralizuesa;mirëpo kah pat me e marrë Gjergj Kastrioti nji idetë tillë,kah pat me shpresue zbatimin e sai në Shqipni?

Per ne a punë e let me historina të pergjithshme e  enqiklopedina në dorë me pasë nji ide të rrymës politike kryesore në nji shekull të caktuem,e të perpajnimevet të saja n´Angli e Austri,në Flander e Siqili.Po atëherë,pa gazeta,pa libra,e sidomos pa shkrime shqence politike,pa mjete lajmpruse,pa rret diplomatik rregullisht të mbëkambun,ishte puna ndryshej.Aq ma teper tue kënë rryma qentralizuese katerqindare nuk u vu per udhë prei njij programe së kristalizueme e së rrfyeme,por vetem mbas shtymjeje së pjekmenis së kohës,tue pasë mbarue funkcionine vet feudalizma mesjetare.

Prandaj, donë lanë mb´anesh mbretnitn e largta per të cillat Shqipnija n´ato kohë mujti me pasë nji njoftim teper te zbet e tue këqyer vetëm rreth e perqark do te thomi njeher se sakt Kastrioti nuk e muerr shembullinë e qentralizimitë prej Turkije:tjeter ishte kondita e asaj perandorie të pamasë theokratike me nje nucleus të gjanë ku popujt ishin berre tjeter ajo e Shqipnis se vogel por krenare ku   jo vetem qdo princ ishte trashegimtar i perendorit,por qdo krye katundi o plak shpie ishte mbret ne vedi e bate politikë në vedi.

Këto mirë i dijte Gjergj Kastrioti mandej matë vështir mund të mendosh që një njeri i tillë, të ketë dashtë me zbatue në vend të vet shka ndoshta zbatotote një tiran i huej i urrejtun qi politiken qentralizuese e kishte zbatue shitue i grabitë principatën derës Kastriotvet.Spo flasimë për Venedik pse Republika Fort e Këthielltë gjithshka mund te ishte posë nje shembull mbretnije personal;edhe në atë kohë ajo mbate ende te paprekuna feudet e vjetra në Friuledisa në Shqipëri.

Qeveria Papnore porsa e dalunë prej krizit të Sqizmës Prendimore ende skishte mujt me ja nisë politikës antifeudale  që ka me nisë vetëm me te nipin e Kalistit III.Alfonsii Aragonës në Mbretnitë Napullitë jepte mun shembullin e kundërt ,pse për të ja sigurue vedit trashegimin e Mbretneshës Joan i ishte dashtë me e leshue pe feudatarve sa magjanas.

Mundet ndoshta me e mendue se politika qentralizuese e Skanderbegut u trajtua mbas shembullit të perpjekjevet te dynastive tjera shqiptare sikur Balshajt,Thopijajt,Muzakajt.Por mjafton me krahazue ndopak metoden e ketyre pushtimet e pergjakshme shprehjet e tyne (si me kanë pronarë që dajn ose blejn trashigojnë ose pushtojnë prone per tu shfrytzue ),me sjellje të Kastriotit per te pa se sa e ndryshme kje mendsia e keti ma teper ndersa dokumentat e fundit te shek.XIV e të fillimitë të XV janë natyrisht ma të pakët e të vorfen se ata të jetës së Skanderbegut,të parët na qesin të tanë një varg pushtimesh  të dytët asnji të sigurtë e pra me pas dashtë Skanderbeu ka pas fuqi shumë ma te madhe.

I vetmi veprim i Kastriotit që mundet me u gia veprimevet të princavet qentralizuesa asht te mbajtunit e një ushtrie stanciale dmth.vazhdimisht në sherbim.Porse do vu oroe se kundrejt Tyrqis qi kishte ushtri stancialee prandaj të stervitun ma së miri, nevoja e luftës ma fort se një mjeshtri sundimi e lypte edhe ne Shqipni,e për ma tepër pjesa me e madhe e kësai ushtrie të Kastriotit përbahej me ushtar nxjerr prej krahinash të tija.Duket pra se iden e qentralizimit spat Skanderbeu ku me marr.Smbetë tjetër veq me thanë se kje nji krijim i mendes së ti politike. Këta në mungesë dokumentash qi të na delte në shesh së paku prei veprimesh së tija.

Porse sikurse mirë e provoi A.M Sirdani veprimet e Kastriotit nuk pshtesin aspak thezen e qentralizmës e cilla pra mbet vetem nder thana të Gjon Muzakës e nder të kjame zemre metodike të Venedikut.Mun kemi më sa provojmë të kundërtën paksë paku pershka nji politik qentralizuese mundet me kan egoizem.Zakonishtë princi qentralizues-sidomos natë kohë-ashtë nji dynastik qi do me rritë deren e vet e me u a lanë frytin e mundit trashigimtarvet ska idhnim ma të madh per asi nierzish se mos me pasë djalë qi me e lanë mbas vedit.Shka do tishte dam i madh per vendin.

Përshkrimi  i mënyrës së si Gjergj Kastrioti-Skënderbeu bëri ringjalljen e kombit shqiptar paraqiten në studimin me titull: ” Rinjallsi i Komit”.Edhe sot e asaj dite është për tu studiuar fakti se çfarë fuqie dhe zotësie kishte përdorur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu që në këtë periudhë kohore prej njëzet e pesë vitesh ti bashkoi princat shqiptar në një flamur të përbashkët në studimin Rinjallsi i Komit kur bëhët fjalë për këtë fakt shkruhet si vijon:Vjen Skanderbegu.

Menjë herë mbarë vendi i Shqipnis princa e popullsi na qytete e fise malore,bahen nji në nje te vetme dalldi.Tue egzaltue porsi jehonë e zani o tzë të Papës atë kreni trimnore qi asht shkasi ma i forti i psykes shqiptare në kujtimë se Shqipnija asht pararoja e Europës së kështenë kundra barbarit,tue rimkambë tempuj mendim te fetarve fatosa me shembull të pershpirtnis së vet,Gjergj Kastrioti rinjalli Shqipnin.Me fuqi e zotsi luftarake,vjetë per vjetë ngadhnjyese,me ndima e me bekime të Kryetaritë t:Europës së kështënë me atë sigurim të patrandun qi difton për ndimat qiellore Gjergj Kastrioti ringjallë Shpresën e Shqipnis.

Në një Shqipni ku se njihte i vëllai të vëllan paraqitet i rrebti në një sjellje kaq terhjekse në një jetë kaqë të flijume për të mirën e të gjithëve në një kujdes kaq bujar për te ja shperblye te madhit e të voglitë mundinë e meritiminë.Në një zemergjansi kaq atnore,në të falun të fajtorvet të penduem,në pajtimë të anmiqinavët sa me ja hanger zemren gjithkuj,me terhjek vullëndetisht qdo djal Shqipnije mbas vedi në log të luftimevet ku miqsiit simahore lidhen e vulosen me gjak.Kështu Gjergj Kastrioti e njallë dashtninë në Shqipni.

I drejtë si na tregon historija bashkë me gojdhanen,ndeshkon nji nji të huejin e të nipin a kunatin;  ne hak te kuj nuk hin miqsin e detyren e miradis e mban,kjoftë edhe me rrezik të vetin. Por urtija e  shndritë hap per hap:nuk i lypë kuj ta kryejë detyren kur e sheh se ky nuk a gadi e kishte me ba ma zi;luftës ja hin kur ja shef giasen,e kur nuk ja shef ,priton,le të thonë tjerët se ka fillue m´u plakë e m´u ba frigacak;lidhë miqsina me qdo oborr t´Evropës qi të mund t´í cojë popullit shqiptar edhe vetem nji fjalë  trimnuese,mjeft duron me Venedik pse ndimen e këti e shef të domosdoshme per atdhe,sdo lidhje as pagjë me Turkun pse dro mos po ligshtohet qindresa komtare;sundimin tue dekë sja pshtetë të birit por nji dorës ma së fortë ,pse pshtuesi i Atdheut do të kerkojë  vec mjetet ma të pershtatunat per të miren e Atdheut.

Një studim mjaftë interesantë që flet per relacionet e Gjergj Kastriotit Skenderbeut me Papet, ësht edhe studimii At Mark Harapi S.J Papët në lamen shoqnore kombtare t’onet Leka  nr. i veqantë Vj.IX NR. VIII-XII 28 Nanduer 1937.Këtu studiuesi Harapi paraqetë nje pershkrim te mardhenjeve ne mesë të Shqipëris me Vatikaninë gjatë shumë shekujve.Fillesa e këtyre mardhënjeve ësht pikërishtë bashkpunimi i Papëvë me Gjergj Kastriotin Skenderbeun.

Nikolla V  Papë jo vetëm e qmoj dhe e nderoj Skanderbegun tonë me lavde ku janë ma ma të lakmueshmet per nji luftar por në gjitha mënyrët ju ba krahë e ndimë , kështu qi vjeten 1449 i madhi Kruetanë pat nji fitore në shej kundra anmiqve të kombit.

Kalisti III i nep zëmer e madhnon me titullin e lumnueshem Atleta Christi e ban kryegjeneral lufte kundra Turqve e posë këtyne i gjindet me pare e me sa  e sa ndimë tjera.

Pali II vjeten 1466 jo vetëm grishë të gjithë princatë katolikë me i ndimue Skanderbegut e i qonë të holla për se dyti,por kur Fatosi ynë shkoj vetë në Romë përposë nderimeve të medha me të villat e priti dhe e qiti i dha 5000 dukata tue i premtue prap e prap ndimë tjera, të mjaftojnë nji kaq per me diftue se Papnija kje krah i djathe per fatosin t’onë  e për Shqypni.

Për te vlersuarë një personalitetë historikë aji gjithmonë duhet vlersuarë simbasë kohës kur aji u suall jetoi e veproi dhe jo si mbasë kohëve te mevonshme dhe rrethanave politike te krijuara shumë shekuj pasë.Edhe ne ket aspekt paraqitët nje studimi interesantë per idealin atdhetar te Gjergj Kastriotit Skenderbeut.

Mbasi pra skenka nji interesë vehtjakë qi i jep shkas veprimevet e luftimevet të Kastriotit e këto veprime e luftime kurrkush smohon se janë të gjalla e të rrebta e të palodhshme nje therori e jetës mbarë do ta kërkojnë shkasinë në ndonji ideal qi të mund të ndezë shpirtin e njij luftari tasai kohe e në këtë vend.

Ndjesia atdhetare asht e vjetër njaq sa shoqnija politike e cilla ashte natyrshme per nieri e ka qindrue e do të qindroojë derisa mos të ndrrojë nieri natyrë.Porse mendesia atdhetare nuk kje gjithmonë një porë ndrroi simbas kohet e simbas rrethanash.Kushë do me njoftë Gjergj Kastriotin atdhetar do të dijë ta vendosë piknishtë n’atë fazë të mendesis atdhetare qi kje e tij.

Studimi i karakterit të vërtetë të Gjergj Kastritotit -Skënderbeut në këto studime të veçanta të revistës ”Leka” tregon qartë se figura kombëtare e Gjergj Kastriotit është studiuar në të gjitha kohërat historike varësisht nga dokumentët e gjetura si dhe librat e botuara.

Këto studime janë paksa të veçanta sepse merrën me Karakterin e vërtetë të Gjergj Kastriotit, duke treguar qartë se ai ishte një luftëtar i madh,ishte një strateg lufte por shumë i afërt me luftëtarët e tij.

Në rrethana të caktuara të vështirësive që sjellte lufta dinte t´iu bënte ballë motivimit të luftëtarëve të tij.Marrëdhëniet me shtetet perëndimore të kohës ai i shikonte si një bashkim i shteteve perëndimore kundër rrezikut në ardhje të Perandorisë Osmane.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu do të mbetët në Historinë shqiptare personaliteti më i madh i të gjitha kohrave.Kastriotizmi është një periudhë historike që vetëm njëherë e kemi pasur fatin ta kemi ne shqiptarët. / KultPlus.com

Trieshi i Tuzit bëhet me bustin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

Pranë shkollës fillore “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në Triesh të Tuzit, dje u bë përurimi i bustit të Heroit mbarëkombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Pjesëmarrës në këtë eveniment, pos zyrtarëve vendës ishin edhe mysafirë nga Kosova , Shqipëria si dhe nga diaspora. Ndër të tjerë ishin të pranishëm këshilltari i presidentit të Shqipërisë, Flamur Gashi, ambasadorët e Shqipërisë dhe të Kosovës, në Mal të Zi, Ridi Kurtezi dhe Ylber Hysa, si dhe akademiku nga Kosova Frashër Demaj.

Fjalë rastit mbajtën drejtori i Shkollës fillore “Gjergj Kastriotin Skënderbeu”, në Triesh, Nikollë Dukaj, kryetari i Kuvendit të komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj, drejtori i Arsimit të MZ, Marash Dukaj, ish mësimdhënësi i kësaj shkolle Tomë Dedivanaj, përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës së MZ, përfaqësuesi i Fondit Humanitar Trieshi nga Diaspora, Gjon Gjokaj, akademik Frashër Demaj si dhe kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj.

Të pranishmit i përshëndeti këshilltari i presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, z. Flamur Gashi, i cili në emër të institucionit të presidentit Meta, i dha titullin “Kalorës i Urdhërit të Skenderbeut” ( pas vdekjes), ish mësimdhënësit Gjon Gjekës Lucaj, me motivacion: “Për patriotizmin e treguar gjatë kryengritjeve për pavarësinë e Shqipërisë së Veriut; mësues i nderuar dhe i përkushtuar i gjuhës shqipe, historisë dhe ligjërues i devotshëm i saj, duke u bërë burim frymëzimi për brezat pasardhës”, titull të cilin e pranoi nipi i Gjon Gjekës, Pjetër Lucaj.

Ndërkaq, të pranishmit i argëtuan këngëtarët Nikollë Nikpelaj, Ilir Shaqiri, Fran Lucaj, Toni dhe Shtjefën Ujkaj, Marija Lajçaj, Arton Nikprelaj, si dhe SHKA “Besa”/Malesia.org / KultPlus.com

Gjergj Kastrioti: Vendi im është i varfër dhe shtëpia ime është e vogël, por atë ma ka falur zoti

Skenderbeu është heroi më i madh kombëtar i shqiptarëve. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e tokave shqiptare nga Perandoria Osmane. Busti i tij gjendet në një numër të madh qytetesh europiane si dhe për të janë shkruar një numër i madh librash.

KultPlus ju sjell shtatë thënie të Skënderbeut nga letërkëmbimi i tij gjatë viteve 1456-1465:

-Kur bëhet bashkë e mira me të mirën, veç mirësi ka. Kështu ka ndodhur sa herë që kam pasur të bëj me njerëz të mirë.

-Vendi im është i varfër dhe shtëpia ime është e vogël. Por atë ma ka falur Zoti.

-Dihet nga të gjithë se sa dëm i madh i shkaktohet fesë së krishterë po të hiqni dorë nga kujdesi [vigjilenca] që keni treguar kundër armikut.

-Ne kemi kërkuar të ruajmë besën, në mbrojtje të së cilës kemi kaluar rreziqe sa nuk mund të numërohen, dhe sa herë e kam përballuar vdekjen me dashje.

-Të gjithë jemi të krishterë të barabartë nëpërmjet pagëzimit.

-Çfarëdo që të ndodhë, unë do jem mik i virtytit, dhe jo i fatit.

-Ne quhemi Epirotë, dhe duhet të keni dijeni se në kohë të tjera, paraardhësit tanë kaluan në vendin që ju mbani sot dhe patën luftime të mëdha me Romakët, dhe ne e dimë se në më të shumtën e herëve, ata u ndanë me nder sesa me turp. /KultPlus.com

551-vjetori i vdekjes së Skënderbeut manifestohet me aktivitete në Lezhë

551-vjetori i ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu u përkujtua sot në Lezhë, në një ceremoni të organizuar në Memorialin e Skënderbeut.

Memoriali u hap sot për herë të parë pas rikonstruksionit të tij, që nisi 8 muaj më parë.

Bashkia Lezhë do të vendosë në 2 mars, shtatoren e Gjergj Kastriot Skënderbeut, në qendër të sheshit që mban emrin e tij.

Po ashtu, Bashkia Lezhë i ka drejtuar Këshillit të Ministrave kërkesën që data 2 mars, Dita e Besëlidhjes së Lezhës, të shpallet festë zyrtare.

Dy veprat e vitit për Gjergj Kastrioti Skënderbeun

Po përmbyllet viti i shpallur nga qeveria e Shqipërisë si viti mbarëkombëtar  i Gjergj Kastrioti Skënderbeut, por me aktivitete dhe promovime tjera e manifestime të pakta  për figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Megjithëkëtë  viti nuk kaloi edhe ashtu pa bërë asgjë nga studiuesit, historianët e krijuesit si ata shqiptarë ashtu edhe të huaj.

Janë dy autorë, njëri amerikan e tjetri shqiptar i Kosovës që kanë  sjell librat e tyre për figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut me rastin e 550 vjetorit të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, është amerikani A.K.Brackob ,me librin për Skënderbeun(Scanderbeg, A.K.Brackob,Histria Books,)  dhe Gjon Keka me librin e tij në gjermanisht për Skënderbeun(Der große Europäer Georg Kastriota,Meshari/Lena Grafik).

Librat e dy autorëve u pritën dhe u vlerësuan me shumë interes, si nga lexuesit shqiptarë, ashtu edhe nga ata anglishtfolës dhe gjermanfolës.  Autori e studiuesi  shqiptar i Kosovës Gjon Keka ,vetëm në fundvitin 2017 dhe brenda vitit  2018 ka botuar tri vepra për figurën e Gjergj Kastriotit  Skënderbeut  kushtuar vitit mbarëkombëtar të tij.

Interesimi dhe vlerësimi për veprat e autorëve si atij amerikan dhe shqiptar të Kosovës është një vlerësim  që i jep domethënie vetë vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut./ KultPlus.com

Nxënësit nga Lezha sjellin një tjetër version të filmit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (VIDEO)

Dje u festua dita e 28 Nëntorit në mbarë shqiptarinë, në këtë ditë të shënuar nuk munguan edhe prurjet e reja artistike që lidheshin pikërisht me këtë festë. Këngë, piktura, skulptura e gjithçka tjetër që lidhej me artin u shpalosë në këtë ditë të madhe për shqiptarët, shkruan KultPlus.

Por, nxënësit e shkollës “Besëlidhja” nga Lezha kishin vendosur të sjellin një film mbi heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Ky është një superproduksion i fëmijëve mbi Skënderbeun.

Filmin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, këta fëmijë e kanë sjellë në një version tjetër.

Filmi është i metrazhit të shkurtër, i titulluar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe vjen nën regjinë e Alketa Bejtja, ndërsa kamera dhe montazhi nga Olsi Tetaj.

Në këtë film interpretojnë: Erjon Lleshi, Erlis Gjeka, Jerina Prendi, Erena Zefi, Xhilberto Gega, Deni Deda, Kevin Cali, Kristjan Marku, Henriko Thercaj, Galdino Frustaj etj.

Për të parë talentin dhe seriozitetin e këtyre fëmijëve në realizimin e këtij filmi, ne po ju sjellim videon më poshtë që të mund ta vlerësoni vetë. /KultPlus.com

Koleksionistja nga Londra: Është mrekulli që për Skënderbeun është shkruar që 500 vite në gjuhë të ndryshme

Gili Hoxhaj

37 libra të botuar në mes shekujve XVI dhe XVIII në Romë, Augsburg, Strasburg, Venedik, Frankfurt, Londër, Lisbonë, Madrid, Paris, Amsterdam, Bresica, Edinburg, Napoli, Stokholm dhe Danimarkë, erdhën sot në Bibliotekë Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Sot kjo bibliotekë mirëpriti koleksionisten nga Londra, Patricia Nugee në ekspozitën “Jeta dhe kohërat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Heroit Kombëtar Shqiptar”, e cila përmban koleksionin e Librave Antikuar të koleksionistes së njohur britanike, shkruan KultPlus.

Patricia Nugee ka filluar koleksionimin e librave për Skënderbeun 30 vjet më parë. Sot, në koleksionin e saj i ka rreth 500 ekzemplarë, të cilët i ka prezantuar në disa kryeqytete të Evropës.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës këtë ekspozitë e cilësoi si një ndër më të rrallat që mund të shihet në një bibliotekë nacionale ,ndërsa ndau edhe një dhuratë me filigran për koleksionisten si shenjë mirënjohje për punën e saj.

“Në mandatin e drejtorit Bashota është krijuar një bashkëpunim me Patricia Nugee dhe kemi pasur fatin që në atë kohë ta pranojmë nga ajo librin që tanimë është libri më i vjetër në Bibliotekën Kombëtare “Historia e Skënderbeut” botim i Augsburgut i vitit 1533 duke qenë edhe kjo një referencë dhe frymëzim që ta respektojmë Patricia Nugee jo vetëm si njerëz të Kosovës por edhe si bibliotekë nacionale pasi që sa herë i referohemi librit më të vjetër i referohemi autorit fillimisht e më pas koleksionistit që e ka sjellë këtë libër”, u shpreh Gajraku në fjalën e tij.

Patricia Nugee vjen me një përshëndetje në gjuhën shqipe “mirëmëngjesi”, e më pas nis e tregon për takimin e saj me figurën e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, për të cilin kishte dëgjuar përmes një klienti derisa po punonte në një librari antike në Londër.

“Nuk do të ju ligjërojë për historinë për një arsye të thjeshtë sepse nuk jam historiane, për të parën herë dëgjova për Skënderbeun përmes një klienti kur po punoja në një librari antike me libra në Londër. Drejtori im ishte ekspert i librave kontinentale, kështu që kishim shumë klient që ishin të interesuar në këtë fushë. Kuptohet që unë flisja me klientët nëse më lejohej dhe një ditë emri i Skënderbeut u përmend në një bisedë. Pasi që klienti iku kërkova për emrin e Skënderbeut në enciklopedinë “Britanica” dhe kuptova që ai ishte një luftëtari rëndësishëm dhe një imazh kolosal i shekullit 15-të. Shumë shpejtë bleva librin e parë të koleksionit të Marin Bartletit të publikuar në 1596 që është një martesë perfekte e tekstit dhe e përmbledhjes së librit”, u shpreh ajo, duke treguar së më pas kishte blerë libra në gjuhë të ndryshme si në italisht, gjermanisht, spanjollisht, frëngjisht, latinisht, portugalisht e gjuhë të tjera.

Ajo tutje tha para të pranishmëve se është një mrekulli që Gjergj Kastrioti- Skënderbeu ka vdekur në 1468 por për të është shkruar në 500 vite në gjuhë të ndryshme.

Këshilltari i Kryeministrit dhe Kryetari i Komisionit për Vtin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, Jahja Lluka u shpreh tejet i lumtur që tanimë mund të shihen 37 botime të vjetra të historisë.

“Dua ta falënderoj Patrician dhe ata që e kanë dhënë kontributin e veçantë që këto këto libra kaq të vjetra dhe të rëndësishme për historinë. Po shpresoj që Viti Mbarëkombëtarë i Skënderbeut të sjellë edhe shumë promovime e ekspozita të tjera, ne kemi shumë aktivitete deri në fund të vitit”, shprehet Lluka.

Ish- drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Sali Bashota ishte ai që i kishte vënë themelet e bashkëpunimit me koleksionisten nga Londra. Sot në hapjen e ekspozitës u shpreh se është kënaqësi e veçantë që sot këtu është koleksionisten më të njohur të librave të Skënderbeut, Patricia Nugee.

“Është një krenari për popull shqiptarë që kjo grumbullon me një fanatizëm të veçantë gjithë këta libra. Është një njeri i veçantë që në rrethana tona duket si një engjëll që futet në botën e librit prandaj një mirënjohje nga presidenca apo kryeministri do të ishte pak për gjithë këtë mund që bën ajo për mbledhjen e koleksionistes siç është Patricia”, u shpreh Bashota në fjalën e tij.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy ditë në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com

Poetet kosovare sollën vargjet e tyre kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu

Gili Hoxhaj

Mbi pianon e vendosur në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, piktorja Fjolla Ferati kishte filluar të vendos vijat e para në formësimin e portretit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Fjolla Ferati, ishte vetëm njëra nga dhjetë gratë që ishin bashkuar për ta shënuar këtë orë poetike kushtuar Gjergj Kastriotit- Skënderbeu. Shkrimtaret nga Kosova, njëra pas tjetrës sollën vargjet e tyre kushtuar figurës heroike.

Para se krijimet poetike të vijnë për publikun në sallë, zëdhënësja e kryeministrisë, Donjeta Gashi falënderoi organizatoret e këtij manifestimi që me kërkesa simbolike po e mbajnë gjallë frymën e poezisë.

“Shpresoj që organizime të tjera do të kemi edhe në të ardhmen. Zyra e kryeministrisë aq sa ka mundësi dhe hapësirë do të ju mbështes në emër të poezisë dhe në emër të kujtimit të periudhave tona historike dhe të kaluarës sonë dhe të tashmes”, u shpreh Gashi në fjalën e saj.

Këtë manifestim letrat të titulluar “Gratë për Gjergjin” e hapi poetja kosovare Naime Beqiraj ndërsa vazhdoi me vargjet e Albina Idrizi, Leonora Brucaj, Dije Demiri-Frangu, Valentina Saraqini, Kismete Hyseni, Diella Çitaku, Mirelinda Koxha e deri tek Shefqete Gosalci e cila e mbylli këtë manifestim me një poezi të fuqishme.

Poetja Naime Beqiri tha se poezia për Gjergj Kastriotin i ka ardhur shumë rrjedhshëm.
“Për Gjergjin janë thënë e stërthënë vepra në të gjitha gjinitë artistike por vepër lirike nuk kam ndeshur, kisha dilemë a ta lexoj apo jo por pashë që u pëlqye nga lexuesit”, tregoi Beqiraj për KultPlus.

Organizatorja e këtij manifestimi, Ilire Zajmi u shpreh për KultPlus se ideja e këtij organizimi ka ardhur krejt rastësisht, ndërsa këtë manifestim e cilësoi si unik që mundëson që gratë të shpalosin krijimtarinë e tyre për figurën madhore të Skënderbeut.

“Ishim duke diskutuar që këtë vit është Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut, ke ti poezi për Skënderbeun?, Sa shkruajmë ne për Skënderbeun? dhe kështu lindi ideja që edhe ne gratë ta japim kontributin tonë modest për Skënderbeun. Motra e Skënderbeut ka luftuar përkrah tij me shpatë mirëpo ne natyrisht jemi 550 vite pas epokës së Skënderbeut, kontributi ynë është me poezi që ta jetësojmë e përjetësojmë veprën, të bëmat dhe lavdinë që emri i Skënderbeut paraqet për kujtesën tonë kolektive”, tha ajo.

Kryetar i Komisionit Qeveritar për Vitin Mbarëkombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Jahja Lluka krejt në fund të manifestimit u shpreh se ky manifestim ishte i suksesshëm.

“Falë Zotit që kemi këso grash që kanë luftuar për Kosovën për këtë liri që e gëzojmë sot”, u shpreh Lluka. Po ashtu Lluka pranoi portretin e Gjergj Kastriotit i cili u punua gjatë kohës sa u lexuan poezitë, megjithatë Lluka këtë portret ia dhuroi Donjeta Gashit.

Krejt ky manifestim u organizua nën patronatin e Zyrës së Sekretariatit të Qeverisë së Kosovës./ KultPlus.com

Agim Vinca: Nuk ka poet të vjetër apo të ri që nuk ka provuar të shkruaj një poezi për Skënderbeun

Gili Hoxhaj

Po vazhdon të mbahet edicioni i nëntë i “Javës së Albanologjisë” në Institutin Albanologjik në Prishtinë. Kjo Konferencë Shkencore, sivjet i kushtohet 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Sot në seancën e parë të sesionit të dytë, profesori Agim Vinca lexoi kumtesën e tij me titull “Skënderbeu në poezinë e sotme shqipe”. Lidhur me këtë ai tha se nuk ka poet të vjetër apo të ri, klasik apo bashkëkohor, të njohur apo më pak të njohur që nuk ka provuar të shkruaj një poezi për Skënderbeun, që të flas në vargje për jetën e tij për jetën dhe veprën e tij dhe për kohën që përfaqëson ai, të cilën poetët e romantizmit sidomos arbëreshet e quanin “Moti i madh” kurse historiografia e quante më të drejtë “Epoka e Skënderbeut”. Vinca tha se figura historike në letërsinë shqipe kalon përmes dy modelesh.

“Për Skënderbeun janë shkruar vjersha, poema, balada, sonete, skica, tregime, novela, romane, drama, monodrama, tragjedi, skenar filmash dhe vepra të tjera artistike, pa harruar edhe ato në fushën e muzikës dhe të arteve figurative, madje jo vetëm në letërsinë shqipe por edhe atë botërore por objekti i studimit tonë është trajtimi i heroit kombëtar në letërsinë tonë. Në letërsinë e figurës historike dhe temës historike në përgjithësi në poezinë shqipe të pas Luftës së Dytë Botërore hasim në dy modele kryesore, modeli i parë është i glorifikimit dhe himnizimit të historisë ku mbizotëron shprehja patetiko-historike kurse modelit të dytë i përkasin veprat historike nga pozitat kritike”, u shpreh Vinca gjatë leximit të kumtesës së tij.

Ai tregoi se duke qenë që para e kishte trajtuar më gjerësisht këtë temën lidhur me trajtimin e Skënderbeut në poezinë shqipe, sot tha se pa dashur ta përseris veten do të ndalet vetëm tek poeti Dritëro Agolli që edhe pse nuk është shumë karakteristik për temën historikë në përgjithësi dhe atë të Skënderbeut në veçanti ngase është marrë më pak se koleget e tij me këtë temë, ai meriton vëmendjen e studiuesve.

“Fjala është për poetin e shquar bashkëkohor, Dritëro Agolli. Duke qenë në thelb poet ndryshe nga Kadareja, poet i përditshmërisë dhe jo i historisë, Agolli nuk ka shkruar shumë poezi për Skënderbeun por si poet që e ka mbajtur gjallë gjithmonë zjarrin e dashurisë, as nuk e ka anashkaluar atë. Në vitin 1956, kur bënte hapat e parë si krijues, shkroi poezinë “Zjarret”, në të cilën stigmatizohet fenomeni i tradhtisë. Ky stigmatizim karakterizohet artistikisht përmes figurës së nipit të Skënderbeut, Hamza Kastrioti i cili u bë me turqit. Konform llojit të saj të përcaktuar qysh në titull si baladë, kjo poezi është e shkruar në distriktin elegjiak, njëmbëdhjetë rrokesh që i përgjigjet frymës dhe përmbajtjes së saj, tabloja është e gjatë dhe epike por nuk mungojnë në të as elementet baladike”, u shpreh Vinca.

Vinca tregoi se poeti i njohur Agolli, kësaj poezie të hershme iu kthye edhe në vitet e 70-a, atëherë kur përvoja e tij letrare ishte pasuruar dukshëm dhe bëri disa ndryshim por pa e prekur thelbin e poezisë.

“Ndryshe nga varianti i parë i viteve 50-a, ky variant ka dy vargje më shumë se i pari dhe është i ndarë në katër pjesë , në tri sa kishte varianti i parë, janë hequr disa vargje dhe janë shkruar disa të tjera, është bërë edhe një zhvendosje e vargjeve brenda vjershës por struktura e saj ka mbetur e njëjtë. Është hequr për shkaqe ideologjike fjala “mbret”, e cila përmendej tri herë brenda tekstit, ndoshta dhe historike pasi që formalisht sa e di unë Skënderbeu nuk është shpallur kurrë mbret. Në dy vargjet e fundit ku shpërthen zemërimi kundër tradhtisë ka pësuar një ndryshim të vogël, nga veta e tretë e ka kthyer në vetën e dytë”, tregoi Vinca sot në ditën e dytë të “Javës së Albanologjisë”.

Tutje Vinca theksoi se Figurës së Skënderbeut, Agolli do t’i referohet edhe në një vepër tjetër, në poemën “Nënë Shqipëri”, të shkruar 20 vite më vonë. Vinca shtoi se Gjergj Kastrioti- Skënderbeu shfaqet edhe në krijime të tjera të Dritëro Agollit, në kontekste të tjera ideo-artistike dhe me mjete të tjera gjuhësore e stilistike.

“Në këngën e dytë të kësaj vepre, të cilësuar si një sintezë të fuqishme e rrugës historike të popullit shqiptar ndër shekuj, poeti i kushton disa vargje figurës së heroit kombëtar duke u përqendruar në një moment kyç të jetës së tij që është kthimi në Krujë”, u shpreh Vinca.

Po ashtu sot do të mbahet edhe dy sesione të tjera dhe mbyllja e punimeve të konferencës shkencore “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu dhe epoka e tij”, kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. / KultPlus.com

Figura e Skënderbeut, frymëzim dhe për brezin e ri (FOTO)

550-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar, i kthyer tashmë edhe në një tur aktivitetesh për shkak të shpalljes së vitit 2018 dhe si “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, ka marrë vëmendje të madhe edhe nga nxënësit e shkollave.

Në këtë kuadër Muzeu Historik Kombëtar dhe shkolla 9-vjeçare “Jeronim De Rada” organizuan një aktivitet mbi figurën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut bëri që fëmijët e shkollës 9-vjeçare “Jeronim De Rada” në Tiranë të mund të realizojnë krijime origjinale siç ata e përceptojnë Heroin Kombëtar.
Fëmijët e talentuar të frymëzuar nga historia e betejave dhe ngjarjeve të rëndësishme të kohës, por dhe armët e përkrenarja e tij, kishin përgatitur punime të realizuara në pikturë dhe një program festive-edukativ me dramatizime, këngë e valle patriotike dhe ese mbi figurën e Skënderbeut.

Aktiviteti që u zhvillua edhe nën moton “Edukimi mbi dhe përmes kulturës”, u organizua nën kujdesin e Sektorit të Programeve Edukative. Në emër të drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, aktivitetin e përshëndeti dhe specialistja e Sektorit të Programeve Edukative, Sonjela Babaliu, e cila falenderoi shkollën “Jeronim De Rada” për bashkëpunimin./ Ata/ KultPlus.com