Nis epokë e re në ‘Hardh Fest’, maratonë festive 96 orë

  

Festivali  “Hardh Fest”, edicionin e kaluar ishte festivali më i vizituar në Kosovë, ku numri i pjesëmarrësve arriti mbi 70 mijë, që shënon numër rekord të ndërkombëtarëve.

Festivali me më së shumti turistë në Kosovë, “Hardh Fest”, sivjet po vjen me një maratonë festive 96 orë dhe përditësim të aktiviteteve unike, duke i paraprirë vitit jubilar të 20-të, këtu nis epoka e re e “Hardh Fest”.

Festivali mbahet me 4, 5, 6 dhe 7 shtator 2020, n’Konak të Rahovecit, bindshëm lokacioni më i madh dhe më modern  i festivaleve në Kosovë.

”Hardh Fest” tashmë tradicional në 19 vjetorin, mikson eksperiencat  jetësore të turistëve nga mbarë bota, me pamjet vreshtare dhe trashëgimi, me muzikë hip hop dhe verë rreth kazanit dhe vizita (tours) tradicionale, duke vazhduar me muzikë pop & rock dhe raki rrushi deri te muzika elektronike dhe zjarri në Hardh Camp.

Një festival origjinal që tashmë është dëshmuar si përvojë e një dimensioni tjetër, krejt kjo e rrethuar me peizazhet magjepsëse vreshtare, që përjetohen vetëm në “Hardh Fest”. / KultPlus.com

HardhFest spektakolar në natën e parë me Trojën, sonte performojnë Kee Marcello dhe Eugent Bushpepa

HardhFest filloi të premtën mbrëma më 7 shtator me performancat e disa prej yjeve të muzikë vendore dhe ndërkombëtare. përcjellë KultPlus.

Në skenën e madhe të HardhFest u mblodhën mijëra adhurues për të përjetuar spektaklin që sjell çdo vit ky festival në vendin e rrushit dhe të verës.

Në natën e parë performuan Troja, ku rock grupi është rikthyer në skenën e HardhFest me paraqitje spektakolare dhe hitet e tyre të vjetra që u kënduan një zëri nga publiku.

NouveauBeats nga Holanda u përkujdes për muzikën më të mirë elektronike duke elektrizuar publikun deri në orët e hershme të mëngjesit.

Ndërkaq, skenën e pushtuan edhe rokerët suedezë, Madmans Choice, të cilët ishin një prej befasive ndërkombëtare të festivalit, ashtu sikurse Rahoveci All Stars, rock grupi i themeluar enkas për këtë festival.

Në natën e dytë (sonte) performojnë legjenda e grupit Europe, Kee Marcello me bend dhe Eugent Bushpepa i cili ekskluzivisht mban koncertin e parë pas suksesit në Eurovision.

HardhFest është ndër të vetmet festivale që kultivon muzikën rock me performanca live. /Telegrafi/

Sivjet n’Hardh Fest, “Me pamje kah Vneshtat”

Inspiruar nga tog-fjalëshi ‘Me pamje nga deti’, Hardh Fest 2018 këtë vit organizohet nën sloganin “Me pamje kah vneshtat”, më datë 7,8, dhe 9 shtator në Konak të Rahovecit.

Turistët do të kenë mundësi të kënaqen me pamjet që ofron qyteti i Rahovecit bashkë me plantacionet e vreshtave, që ndryshe ky vend cilësohet nga turistët ndërkombëtar edhe si Toskana e Kosovës. Jeta në Hardh Camp, panairi i verës, garat në shtrydhjen e rrushit, netët me muzikë, plot shoqëri dhe një gotë verë rreth kazanit të rakisë dhe zjarrit, e më pas momentet e këndshme të mëngjesit, janë eksperienca e plotë e shpirtit dhe jetës se Hardh Festit.

Me sloganin “Me pamje kah vneshtat” festivali “Hardh Fest” këtë vit do të sjellë shumë risi dhe atraksione vreshtare, verëtare, turistike dhe kulturore.

Festivali organizohet nën patronatin e kryetarit të komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi si dhe në përkrahje të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe sponsorëve të festivalit

Festa e Vjeljes së Rrushit, “Hardh Fest”, edicionin e kaluar shënoi një sukses të madh, ku numri i pjesëmarrësve arriti mbi 50 mijë vizitorë nga mbarë bota. Një gotë verë, shijon më shumë …Me Pamje Kah Vneshta !/ KultPlus.com

Grupi 403 rikthejnë hitet e tyre në skenën e Hardh Fest (VIDEO)

Legjenda e muzikës shqiptare, Grupi 403, mbrëmë ka performuar live në Festivalin ‘Hardh Fest ‘, aty ku i priti një publik i madh, si asnjëherë më parë në këtë festival, shkruan KultPlus.

“403” kanë rikthyer hitet e tyre në këtë skenë të ngrohtë, duke mahnitur kështu publikun me performancën e tyre.

“403” është një grup muzikor i njohur, që këndon muzikë rock. Grupi 403 është pjesë e gjeneratës së Rockut Kosovar të viteve 80’, e cila njihet edhe si koha më e ndritur në krijimtarinë e rockut në Kosovë. Grupi 403 u formua në vitin 1981 nga Mentor Gjurgjiali (bas), Fatmir Zajmi (bateri) dhe Naim Osmani (kitarë). Bendit më vonë, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, i bashkohet Hektor Gjurgjiali (vokal dhe kitarë), Arben Godanca (kitarë) dhe Veton Orana (sint).

Më poshtë po ju sjellim një video nga atmosfera e krijuar mbrëmë. / KultPlus.com