U mbajt koncerti multidimensional “Na flet Asdreni”, Qosja: Shpresoj që shqiptarët gjithmonë të ngrihen në këmbë për Himnin Kombëtar

Era Berisha

Me rastin e 150 vjetorit të lindjes së tij, jeta dhe veprimtaria e pasur e një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), mbrëmë u rrëfye dhe u përkujtua mahnitshëm nëpërmjet pjesëmarrjes së Korit kameral “Dardanica” nën dirigjimin e Edon Ramadanit, formacionit orkestral nën drejtimin e Visar Kuçit, këngëtarëve si: Zhulieta Sheremeni dhe Artan Bakija, recituesve si: Zamira Kita, Ligoraq Riza dhe Kristian Koroveshi, intervistave të personaliteteve si: Rexhep Qosja dhe Vasil S.Tole, si dhe imazheve që vinë si kujtime nga vetë jeta e Asdrenit, me ç’rast të tëra erdhën të realizuara nga artistë të shquar nga Shqipëria dhe Kosova, shkruan KultPlus.

Teatri Kombëtar i Kosovës priti mbrëmë një numër të madh të pranishmëve të cilët dalëngadalë mbushën sallën plot për të parë nga afër e dëgjuar me kujdes një mori aktivitetesh të planifikuara për natën e mbrëmshme. Ndërsa, kur qetësia absolute gjeti kohën e saj dhe para se aktiviteti i parë të shkelte skenën, për një fjalë rasti doli kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Fillimisht ishte kryeministri Kurti ai i cili tha se në Kosovë përgjatë stinës së pranverës pothuajse çdo ditë këndohet Himni Kombëtar në kuadër të përkujtimit të dëshmorëve së luftës epokale për çlirimin e Kosovës.

“Ju falënderoj për nismën tuaj për të nderuar kujtimin e atdhetarit të madh, Asdreni, i cili na ka dhuruar Himnin e Flamurit tonë. Si sot, vargjet e Himnit i këndojmë sa herë që ngrihet e valëvitet flamuri në përmbledhje solemne përkujtimore e nëpër tubime festive. Këtu në Kosovë sidomos e këndojmë thuajse çdo ditë gjatë stinës së pranverës kur kujtojmë dëshmorët e luftës epokale për çlirimin e Kosovës në vitet 1998-1999. I ka kënduar Adem Jashari me pjesëtarë të familjes së tij në çastet e përballjes finale me armikun, i kanë shqiptuar dëshmorët dhe heronjtë e kombit, prandaj ato janë të pashqitura nga kujtesa jonë kombëtare e do të mbeten të tilla për sa kohë që do të rrojë kombi e atdheu ynë”, thotë Kurti.

Sipas tij, patjetër që Shqipëria do të rrojë, sepse siç e thotë Himni dhe ashtu se siç këndohet: “Për të, për të, luftojmë ne.”

“Asdrenit do t’i mjaftonte vetëm poezia ‘Himni i Flamurit’ për t’u radhitur në plejadën e shkrimtarëve të shquar. Një poezi që sublimoi idetë e luftës tonë të drejtë për liri e pavarësi, si më parë kur ato ishin parashtruara me manifestimin e Sami Frashërit, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Vargjet e Himnit na flasin për dëshirën e qëllimin e shqiptarëve, për betimin e tyre për shpëtimin e atdheut, na flasin për guximin që duhet tregohet në përballje me luftën e rrezikun por edhe për çdo çast teksa përpiqemi t’i kapërcejmë vështirësitë gjatë rrugës sonë për zhvillim dhe përparim kolektiv”, thotë tutje ai.

Për të, sigurisht që poezia ‘Himni i Flamurit’ është poezia më e njohur e Asdrenit, por Asdreni do ta kishte vendin e tij në plejadën e shkrimtarëve shqiptarë edhe nëse nuk do të ishte autor i Himnit.

“Vepra e tij e parë poetike erdhi në letrat shqiptare kur sapo ishte shuar poeti ynë kombëtarë, prandaj për nga tematika dhe stili, Asdreni u mirëprit si ‘Naimi’ i ri. Me veprat e tij të shkruara përgjatë katër dekadave ai e pasuroi dhe modernizoi letërsinë shqipe krahas poetëve tanë më të shquar si: Fishta, Migjeni, Poradeci etj. Fjalët e Asdrenit janë motivi i këtij spektakli i cili do të shfaqet sonte për të nderuar poetin. Për pjesën më të madhe të jetës së tij, Asdreni jetoi larg atdheut dhe mallin që i buronte nga shpirti e shndërroi në fjalë. Pas pak Asdreni do të na flas sërish përmes talentit të artistëve tanë”, përfundon Kurti.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi në anën tjetër tha se kjo që po bëhet sonte për Asdrenin, ka të bëjë pikërisht me amanetin e tij që shqiptarët kudo të jenë të përbashkuar.

“Jemi mbledhur sot për të nderuar dhe respektuar një nga njerëzit më të ditur të kombit, pra atdhetarin, poetin, shkrimtarin, politikanin dhe publicistin e shquar, Asdreni. Kujtojmë sot në 150 vjetorin e lindjes së tij, ‘babain’ e Himnit tonë Kombëtar. Në një moshë fare të re, Asdreni shprehi talentin e tij në letërsi duke ndjekur shembullin e Naimit, Çajupit dhe të gjithë prozatorëve dhe letrarëve të kohës. Shumë shpejt vepra e tij letrare e patriotike u lexua me ëndje në gjithë shqiptarinë. Asdreni bashkëpunoi me gjithë spektrin politik të kohës pavarësisht dallimeve që ekzistonin. Ai i këndoi luftës së Vlorës, Epopesë së Pavarësisë, Kongresit të Lushnjës e të gjitha ngjarjeve të rëndësishme të kohës. Ndonëse është ndarë nga jeta 75 vjet më parë, emri dhe vepra e tij nuk largohet, përveç se afrohet dhe mbetet aktuale dhe shumë e respektuar ndër brezat e shqiptarëve kudo që ndodhen”, thotë Minxhozi.

Sipas tij, me këtë rast ai ndjehet i nderuar të përshëndes bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve, atë të Kosovës dhe Shqipërisë, në veçanti Ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku i cili ka përkrahur këtë aktivitet pa rezerva.

“Kjo që bëjmë sot për Asdrenin ka të bëjë edhe me amanetin e tij që shqiptarët kudo të jenë të përbashkuar. Falë kësaj fryme bashkëpunimi dhe bashkimi ndërmjet simboleve tona, vjen edhe ky koncert i kësaj mbrëmjeje i mbështetur nga drejtuesit kryesorë të institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe personalisht nga mjeshtri i muzikës, profesor Josif Minga i cili ka derdhur gjithë talentin e tij për të na dhënë këtë shfaqje që simbolizon Asdrenin tonë të madh”, përfundon Minxhozi.

Me një program të pasur kulturor si dhe imazhe që shfaqeshin përgjatë gjithë kësaj mbrëmjeje e cila përqafoi të pranishmit me përplot kujtime të mbushura me Asdrenin, aktivitetet në këtë mbrëmje të veçantë nisën me intervistën e realizuar me akademikun e njohur shqiptar, Rexhep Qosja, intervistë kjo e cila u shfaq nëpërmjet një videoje dhe të cilën publiku e dëgjonte me një vëmendje të shtuar.

Nga ekrani i shpërfaqur në skenë, të pranishmit dëgjuan rrëfimin e tij mbi jetën e Asdrenit, shpërnguljes së tij në moshë shumë të re, mallit të tij për atdheun, pjesëmarrjeve të tij në data të rëndësishme përgjatë gjithë jetës, talentit unik që posedonte e deri tek vdekja e tij në mjerim.

“Asdreni i takon brezit të tretë të krijuesve dhe veprimtarëve të Rilindjes Kombëtare. Ai është shpërngulur prej vendlindjes së tij në moshën trembëdhjetë vjeçare dhe ka shkuar në Bukuresht ku ishin shpërngulur dhe vëllezërit e tij më të vjetër. Bukureshti ishte kolonia më e madhe me numrin më të madh të shqiptarëve në botë, ku zhvillohej një veprimtari e madhe patriotike për krijimin patriotik të shqiptarit dhe për krijimin e shtetit të Shqipërisë. Asdreni ka marrë pjesë në shumë veprimtari patriotike atje dhe pos tjerash ka marrë pjesë edhe në mbledhjen historike të vitit 1912 kur është vendos që në Vlorë të shpallet Pavarësia e Shqipërisë”, thotë Qosja.

Sipas tij, Asdreni ka mbajt proces verbalin e mbledhjes historike për Pavarësinë e Shqipërisë dhe njëkohësisht me kërkesën e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, ka bërë Himnin Kombëtar, për të cilën ai shpreson se shqiptarët gjithmonë do të ngrihen në këmbë.

“Në vitin 1914 ka kaluar në Shqipëri me qëllimin për të ndihmuar stabilizimin e pushtetit austriak mirëpo Asdreni u kthye në Rumani me një dëshpërim shumë të madh. Kjo ishte vizita e dytë e tij në atdhe, kurse e treta ka ndodh në vitin 193 8 me shënimin e njëzetepesë vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ku ai mori pjesë në shumë manifestime dhe në fund u kthye në Bukuresht. Ai ishte i zgjedhur tre herë Sekretari i Kolonisë së Shqiptarëve të Bukureshtit, ka marrë pjesë në botimin e një vargu revistash e gazetash, ka marrë pjesë në krijimin e një vargu shoqatash pos të tjerash edhe në një shoqatë të të rinjve në Austri. Ai ka punuar një kohë si mësues i fëmijëve shqiptare për t’ia mësuar atyre shqipen si dhe shumë të tjera”, shpalos Qosja.

Ai tutje tregon se Asdreni ka qenë i emëruar dhe Sekretar i parë i Konsullatës Shqiptare në Bukuresht por feudalët e kanë shkarkuar shpejt. Gjithashtu, Asdreni ka gëzuar një kohë edhe një pension prej disa bashkatdhetarëve të Rumanisë dhe ka vdekur pa familje, në mjerim dhe është varrosur në Bukuresht. Më vonë, eshtrat e tij kah ditët e 80-ta, janë sjell në Shqipëri.

“Asdreni për shkak të jetës së tij, veprimtarisë së pandalshme patriotike, ka shkruar gjithsej 3 përmbledhje vjershash: ‘Rreze dielli, ‘Ëndrra e lotë’ dhe ‘Psallme murgu’. Ai ka lënë 25 vjersha të botuara në gazeta dhe revista, 50 vjersha të pabotuara askund, 29 artikuj dhe proza të botuara në revista dhe gazeta të kohës në Bukuresht si dhe 4 përkthime. 2/3 e poezive të tij janë atdhetare. Vepra “Ëndrra e lotë” është e kushtuar ndaj Edith Durham dhe përmes titujve të vjershave ai ka shprehur të gjitha dëshirat e tij ndaj atdheut. Ai ka organizuar përmbledhjet e tij në mënyrë të jashtëzakonshme”, tregon ai.

Në pjesën e fundit të intervistës akademiku Qosja po ashtu thotë se vepra e Asdrenit ka sjell disa vlera të veçanta në letërsinë dhe poezinë shqipe në përgjithësi.  

“Poezinë e parnasizmit evropian, poezinë e simbolizmit evropian dhe poezinë e ekspresionizmit evropian, e ka modernizuar poezinë shqipe. Për këtë arsye Asdreni quhet njëkohësisht poeti i parë modern shqiptar dhe përmbledhja e tij ‘Psallme murgu’ sipas meje hyn ndër përmbledhjet më të mira poetike në letërsinë shqipe. Asdreni si poeti i është kushtuar idealit që e kanë formuar rilindësit e parë të mëdhenj si: De Rada dhe Veqilharxhi, i cili ka bërë programin e parë kombëtar për shqiptarët. Ata me veprimtarinë e tyre kanë arritur të krijojnë letërsinë shqipe, kanë bërë politikën dhe diplomacinë shqiptare (Abdyl Frashëri), kanë mbledhur krijimtarinë shpirtërore të popullit dhe e kanë botuar e ia kanë prezantuar Evropës për të parë se çfarë kanë shqiptarët dhe e kanë pasuruar gjuhën pasuruar prej fjalëve të huaj”, thotë Qosja.

“Asdreni i ka dhënë prije moderne të re poezisë shqipe. Ky është Asdreni, figurë e madhe e patriotizmit shqiptar, Rilindjes Kombëtare Shqiptare, letërsisë artistike shqiptare dhe e orientimeve të reja historiko-letrare të historisë shqipe.”

Kjo mbrëmje u përcoll tutje edhe me trion e recituesve si: Zamira Kita, Ligoraq Riza dhe Kristian Koroveshi, të cilët me zërin e tyre të gërshetuar depërtuan tek publiku me një emocion të pakrahasueshëm për të sjell kështu disa poezi të zgjedhura nga veprat e Asdrenit. Herë në solo e herë në trio, vargjet e Asdrenit prekën çdo cep të sallës dhe çdo cep të zemrave të pranishme.

Më pas veprat e njohura si: “Lutje”, “Mendjeshkurtët”, “Qyqja” dhe “Pasqyra” u interpretuan aq bukur nga Kori kameral “Dardanica” nën dirigjimin e Edon Ramadanit, saqë nga njëzëri jehues i tyre, këto katër vepra u dëgjuan me ëndje dhe mallëngjim të tejskajshëm. Ndërkaq, në një frymë krejtësisht tjetër erdhën veprat si: “Dua” dhe “Kthime” nga këngëtarët Zhulieta Sheremeni dhe Artan Bakija, të cilët së bashku me shoqërimin e formacionit akustik orkestral të përbërë nga: Meriton Ferizi në fizarmonikë, Drilon Cacaj dhe Endrit Xërxa në kitarë si dhe dirigjentit të formacionit, violinisti Visar Kuçi, ngjallën atmosferën në një nivel tejet të lartë ku fjalët e Asdrenit me muzikën e kompozitorit Josif Minga ndërlidheshin në një trajektore të jashtëzakonshme e cila ëmbëlsisht po shpalosej për publikun.

Po ashtu, dokumentimet e miqve, kolegëve, atdhetarëve në Koloninë Shqiptare të Bukureshtit dhe në të gjitha viset shqiptare nga jugu e deri në veri, shpërfaqeshin prapa skenës nëpërmjet videove dhe melodisë në një zë shumë të vogël, teksa kjo muzikë zhdukej herë pas here për t’ia lëshuar vendin aktiviteteve të radhës, ndërkaq fotografitë pasonin vazhdimisht.

Kori kameral “Dardanica” nën drejtimin e Edon Ramadanit përsëri doli në skenë për të rrëmbyer edhe njëherë vëmendjen e të pranishmëve por kësaj here me veprën tjetër të titulluar “Paska çelur pranvera” e cila më pastaj lehtazi ia lëshoj vendin edhe violinistit Visar Kuçi që të performojë me një hijeshi të pashoq, solon e tij “Valle orkestrale”.

Emocioni në sallën e Teatrit Kombëtar u rrit akoma më shumë edhe pas recitimit të “Ora e zemrës”, “Lulja e vetme” dhe “Kosovës” nga treshja e mëparshme që u rikthye në skenë për të ngjallë ndjenja të tjera dhe akoma më të fuqishme në publik. Ndërsa, ajka e mbrëmjes ishte interpretimi emocionues dhe gjallërues i “Ti me sytë e zi” me muzikën e Thoma Nasit dhe Musa Piperkut, “Këndomë djalë” me muzikën e Josif Mingas dhe “Të pij” që erdhën nga këndimi i dyshes si: Artan Bakija dhe Zhulieta Sheremeni. Në anën tjetër, ishte publiku ai i cili së bashku me këto këngë krijuan një harmoni melodish që erdhën nëpërmjet ritmit të duartrokitjeve të tyre në një vijë me tekstin i cili këndohej butësisht në publik.

Përgjatë aktiviteteve të shumta që shënuan këtë mbrëmje ishte dhe shfaqja e disa imazheve të dokumentarit “Kryekënga e Kombit” që rrëfen historinë e plotë të Himnit Kombëtar shqiptar që nga lindja e deri më sot. “Kryekënga e Kombit,” është një prodhim i vitit 2012 që vjen me regji dhe skenar të Petrit Rukës, ndërsa Piro Milkani shërbeu si producent.

Gjithashtu, intervistë tjetër e realizuar për këtë natë dhe e shfaqur nëpërmjet një videoje, ishte edhe ajo me kompozitorin, etnomuzikologun dhe akademikun, Vasil S. Tole i cili ndër të tjera thotë se kontributi i Asdrenit në krijimin e një nga simboleve tona është ngulitur në mendjen tonë përgjithmonë.

“Që nga viti 1908 kur kjo këngë u krijua, ajo erdhi natyrshëm fillimisht në Korçë dhe kjo ka qenë ai momenti ku filloi jetën e vet. Të gjithë e dinim që këtë këngë e kishte krijuar Asdreni dhe i thoshim ‘Kënga e Asdrenit’ dhe ashtu u bë pjesë e gjithë atyre këngëve patriotike shqiptare. Befas në vitin 1912 nga një mori këngësh patriotike ajo arriti të dilte në ballë të këtyre këngëve për tu bërë simboli muzikor i shqiptarëve sepse shqiptarët e pranuan atë si Himni i tyre Kombëtar. Zakonisht kur shpallet Himni Kombëtar ai bëhet me konkurs, vendime parlamentare, shpeshherë edhe me referendum por jo, Himni ynë u aprovua sepse populli e deshi të tillë”, thotë Tole.

Sipas tij, sot e kësaj dite kur thuhet ‘Himni ynë Kombëtar’ në fakt në ndërgjegjen tonë thuhet ‘Himni i Asdrenit’ sepse aq fort është ngulitur kontributi i Asdrenit në krijimin e një prej simboleve tona i cili në vetvete është një këngë i një tjetër simboli kombëtar siç është flamuri.

Kështu krejt në fund kur sekondat e parë melodike të “Himni i Flamurit” prekën atmosferën, në këmbë u ngritën të gjithë të pranishmit për të kënduar njëzëri së bashku me Korin kameral ‘Dardanica’, versionin e harmonizuar të veprës që vjen për herë të parë nga kompozitori Josif Minga.

Koncerti artistik “Na Flet Asdreni” u organizua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së Kosovës dhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë.

Kujtojmë se nesër i gjithë ky koncert do të fillojë nga ora 20:00 edhe në Teatrin “A.Z. Çajupi” në Korçë. / KultPlus.com

Një filmim i rrallë, këndimi i Himnit Kombëtar në vitin 1929 në Tiranë (VIDEO)           

Presidenti Ilir Meta ka nderuar sot rilindasin e ndritur, Aleksandër Stavre Drenova (ASDRENI), autorin e himnit tonë kombëtar, në 150-vjetorin e lindjes.

Meta vlerëson Asdrenin si një nga frymëzuesit më të spikatur të popullit shqiptar.

“Në 150-vjetorin e lindjes, nderojmë sot kujtimin e paharruar dhe veprën e shquar të atdhetarit, patriotit të madh dhe rilindasit të ndritur, Aleksandër Stavre Drenova (ASDRENI), autorit të Himnit tonë Kombëtar dhe një prej frymëzuesve më të spikatur të popullit tonë në luftën për pavarësi, krijim të shtetit të lirë shqiptar dhe emancipim shoqëror”, shprehet ai.

Meta publikoi edhe një video të rrallë të viti 1929 të këndimit të himnit kombëtar.

“Në këtë ditë, po ndaj me ju një filmim të rrallë me zë dhe figurë, të vitit 1929 në Tiranë, më të vjetrin e publikuar deri më tani të këndimit të Himnit Kombëtar, të prezantuar nga akademiku i njohur, Vasil Tole”, shprehet Meta. / KultPlus.com

Spiridon Ilo, shqiptari që kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar

Më 30 Shtator të vitit 1876, u lind në Korçë, muzikanti e atdhetari i njohur shqiptar, Spiridon Ilo. Mërgoi që herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku krahas punës së përditshme, ndoqi dhe studimet e larta për muzikë.

Ai ishte shqiptari i parë, që ngriti një firmë për ndërtimin e pllakave të gramafonit dhe regjistroi shumë këngë patriotike dhe popullore shqiptare. Në vitin 1913 u largua nga Shqipëria dhe u kthye në Rumani.

Në vitin 1916 emigroi në New York, të Amerikës ku hapi një kafene të vogël. Spiridon Ilo themeloi shoqërinë e parë diskografike me këngë shqip, në vitin 1923. Nën drejtimin e tij, diskografia luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare në vitet 1920-1940.

Ilo kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar të Shqipërisë. Në këtë regjistrim, me numër regjistrimi E-3948, himni u këndua nga Spiridon Ilo dhe tenori arbëresh, Gjuzeppe Mauro.

Në vitet `20 botoi e shpërndau kartolina me temë patriotike. Ka botuar komedinë “Vërtet ëndërr” si dhe përmbledhjen me këngë patriotike “Dëshirat e zemrës”.

Mbas disa vjetësh u rikthye në Rumani dhe në vitin 1926 u vendos përfundimisht në Korçë. Më 1 prill të vitit 1945 iu akordua pension si Patriot i Rilindjes Kombëtare. Kallëpet e pllakave të gramafonit Spiridon Ilo i solli në Shqipëri dhe më 1946 ia dhuroi Komitetit Ekzekutiv. Vdiq në Korçë në vitin 1950./ KultPlus.com

89 vjet më parë SHBA-ja u bë me himn kombëtar

Më 3 mars të vitit 1931 një akt i Kongresit shpalli këngën “The Star Spangled Banner” himn kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

Kënga ishte tepër e dëgjuar për shumë dekada me radhë para se të merrte këtë status. Teksti i saj ishte shkruar nga Francis Scott Key gjatë luftës së vitit 1812 gjatë bombardimeve britanike të kështjellës Fort McHenry në Baltimorë të shtetit Maryland.

Autori i tekstit ishte vete dëshmitar i bombardimeve. Mëngjesin pas sulmit Key u frymëzua kur pa flamurin me 15 yje të valëvitej ende mbi fortesë.

Flamuri tregonte se fortesa nuk ishte dorëzuar dhe se ishte e gatshme të vazhdonte qëndresën. Flota britanike më pas u largua duke i dhënë kështu fund rrezikut për Baltimorën, përcjell ksp.

Fjalët e poemës së Key u kombinuan më vonë me muzikën e një kënge britanike që ishte shumë e dëgjuar më Shtetet e Bashkuara duke krijuar kështu atë që tani është himni kombëtar amerikan. / KultPlus.com

Ftohen kitaristët shqiptarë që të luajnë “Himnin Kombëtar” më 28 Nëntor

“Sa kitaristë/ basistë bëhemi për të luajtur himnin tonë kombëtar?”, kjo është thirrja kryesore në kuadër të cilës është nisur kjo iniciativë, shkruan KultPlus.

Akademia Hollywood ka filluar organizimin për krijimin e një eventi të paharrueshëm për Ditën e Flamurit, më 28 nëntor 2017. Në kuadër të këtij organizimi ka ftuar të gjithë kitaristët dhe basistët që t’i bashkohen iniciativës së tyre për të sjellë versionin rok të Himnit Kombëtar në Tiranë, shkruan KultPlus.

“Sa kitaristë/ basistë bëhemi për të luajtur himnin tonë kombëtar?”, kjo është thirrja kryesore në kuadër të cilës është nisur kjo iniciativë, e cila pritet të organizohet në Sheshin Skënderbej në Tiranë duke filluar nga ora 10:00. Versioni rok i himnit do të vije i ndarë në 4 sektorë, ku 2 sektorë do të luajnë linjën melodike, një do të luajë shoqërimin me PowerChords dhe Sektori i Bassistë.
Himni do të luhet me instrumente elektrike dhe të interesuarit që do të paraqiten duhet të jenë të pajisur me amplifikatorin dhe instrumentin e tyre. Ndërsa në kuadër të këtij organizimi është shpërndarë edhe një formular për të interesuarit, në mënyrë të ndahen sektorët që do të luhen dhe i cili synon që të mbledh instrumentet e nevojshme.

“Nëse nuk keni instrumentet e duhura apo amplifikatorin, atëherë plotësoni saktë në formular dhe ne do mundohemi të gjejmë një për ju. Nëse ju keni një amplifikator tepër apo instrument elektrik tepër të cilën mund ta sillni, ju lutem shkruajeni në formular” shkruhet në njoftimin e këtij organizimi./KultPlus.com